• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

DITA E VIKTIMAVE TË KOMUNIZMIT: T’I KUJTOJMË !

August 23, 2018 by dgreca

qiriu-ndezur

Nga Frank Shkreli/

23 Gushti është Dita Evropiane e Kujtimit të Viktimave të Stalinizmit dhe Nazismit, dy ideologjive shkatërrimtare të shekullit të 20-të që shkaktuan vdekjen e miliona njerëzve, viktima të pafajshme të komunizmit dhe nazizmit.  Është një ditë e cila shënohet në vendet e kontinentit evropian, por edhe në Shtetet e Bashkuara dhe në Kanada, ndërkohë që njihet edhe si “Dita e Shiritit të Zi”.   Parlamenti Evropian ka caktuar këtë ditë kujtimi për viktimat e komunizëm/nacizmit, në vitin 2008 dhe ç’prej atëherë shënohet zyrtarisht në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, ndërkohë që kjo ditë përkujtimore mbështetet gjithashtu edhe nga Asambleja Parlamentare e Organizatës për Siguri dhe Bashkpunim në Evropë (OSBE).  Dita e 23 Gushtit është zgjedhur si ditë kujtimi për viktimat e komunizmit dhe të nazismit, pasi historikisht, përkon me ditën kur është nënshkruar pakti famëkeq Molotov-Ribentropp, midis Bashkimit Sovjetik komunist dhe Gjermanisë naziste, pikërisht më 23 Gusht, 1939 nga ministrat e jashtëm të dy vendeve, në bazë të cilit Moska dhe Berlini kishin rënë dakort për të ndarë, midis tyre, Evropën Lindore.

Sipas protokolleve të fshehta të Traktatit komunisto-nazist, përcaktoheshin ekzaktërisht sferat territoriale të influencës së Gjermanisë dhe Rusisë në Evropë, pas një invadimi të suksesshëm të Polonisë, për të cilin kishin rënë dakort Moska dhe Berlini.  Sipas marrëveshjes, Rusia do të kontrollonte Letoninë, Estoninë dhe Finlandën, ndërsa Gjermania do të merrte Lituaninë dhe Danzing-un, ndërkohë që Polonia do ndahej, sipas këtij Pakti-komunisto-nazist, në tre zona të mëdha të cilat do bëheshin pjesë e territorit gjerman dhe rus.  Siç dihet nga historia, forcat e Hitlerit pushtuan Poloninë nga perëndimi me 1 shtator, 1939 — ndërsa gjithashtu sipas Paktit nazisto-komunist, forcat sovjetike pushtuan territorin e Polonisë më 27 Shtator të njëjtit vit, duke i dhënë fund kështu pavarësisë së shkurtër të Polonisë, prej dy dekadash.

Siç dihet — përveç faktorëve të tjerë — nënshkrimi i paktit komunisto-nazist Molotov-Ribbentrop, ishte fillimi i krimeve dhe i gjithë të këqiave anë e mbanë kontinentit të vjetër – dhe si rrjedhim e mori djalli një pjesë të madhe të Evropës dhe historinë e saj të përgjakshme e kontrolloi komunizmi ruso-sovjetik për pothuaj 50-vjet.  Një histori kjo e kontrolluar nga këto dy sisteme kriminale si-motra, që shkaktuan miliona viktima të pafajshme anë e mbanë Evropës dhe ish-Bashkimit Sovjetik – viktima — Ditën e të cilëve e kujton sot e mbarë bota e qytetëruar, më 23 gusht 2018 dhe çdo vit.

Duhet kujtuar lexuesit se historia e kësaj “Ditë Kujtese” e ka zanafillën në  Perëndim. Në protestat që të arratisurit anti-komunistë nga vendet e Evropës Lindore dhe Qendrore, të vendosur pas Luftës së dytë Botërore në vendet perëndimore, mbanin çdo vit — pikërisht në këtë datë — nepër shumë qytete të perëndimit, përfshirë këtu Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë.   Më kujtohet se edhe Zëri i Amerikës, Radio Evropa e Lirë dhe radio stacione të tjera ndërkombëtare perëndimore, nuk e harronin këtë ditë pëkujtimore, duke e shënuar me programe të posaçme, kushtuar viktimave dhe krimeve të komunizmit, që transmetoheshin anë e mbanë botës komuniste.  Më kujtohet gjithashtu se shumë nga gazetarët e Zërit të Amerikës me origjinë nga Evropa Lindore e Qëndrore, e sidomos ata me prejardhje nga vendet baltike, me të cilët punoja tek VOA gjatë ‘70-ave dhe ‘80-ave, vinin atë ditë në punë me shirita të zi në xhaketat e tyre, për të kujtuar, “në shënjë zije”, thoshin ata, jo vetëm ditën e zezë të nënshkrimit të Paktit komunisto-nazist, Molotov-Ribentropp por edhe viktimat e këtyre regjimeve diktatoriale që pasuan atë marrëveshje djallëzore, midis Hitlerit dhe Stalinit.                                       

Sivjet, edhe në Shqipëri me këtë rast janë kujtuar viktimat e komunizmit.  Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, 1944-1991, ka organizuar gjatë ditëve të fundit disa aktivitete në kujtesë të vikitmave të komunizmit në Shqipëri.  Fillimisht organizoi, para disa ditësh, ekspozitën me titull, “Persekutimi Komunist në zonën e Tepelëns”, ku u paraqitën dokumente arkivore dosjesh që dokumentojnë përndjekjen e ish-Siguimit të Shtetit në zonën e Tepelenës.  Pjesë e kësaj ekspozite ishin, sipas Autoriteteit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit, edhe dokumentet e kryengritjes së Zhapokikës, përndjekjes së klerit, dosjet e Sigurimit të ish-kampit të Bënçës, indekset alfabetike të përndjekjes në Tepelenë, dosja e Trifon Xhagjikës, Neim Pashës, Zenel Shehut, Selahudin Totos dhe dhjetëra të tjera.

Më 23 Gusht, 2018, enti në fjalë, organizoi gjithashtu një Simpozium Shkencor mbi kuadrin historik dhe juridik të punës së detyruar, ndër të tjera aktivitete, si pjesë e aktiviteteve kushtuar “Ditës Muze/Memorial Tepelenë”. Këto veprimtari janë sponsorizuar nga projekti, “Përkujtojmë për të Shëruar dhe Parandaluar”, i PNUD të OKB-së në Shqipëri, me mbështetjen gjithashtu edhe të Qeverisë së Italisë, si dhe të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë.

Në ceremoninë përkujtimore për të internuarit dhe vikitimat e kampit famëkeq në Tepelenë, në kuadër të “Ditës Europiane të Përkujtimit të Viktimave të Sistemeve Totalitare” që u mbajtë në Tepelenë të ënjtën, njoftohet se mori pjesë edhe Presidenti i Republikës, SH. T. Z. Ilir Meta.  Gjatë qëndrimit të tij atje, Presidenti i Republikës, Z. Meta, sipas Zërit të Amerikës, do nderonte disa prej të mbijetuarve të atij kampi.

Dita Europiane për Përkujtimin e Viktimave të Sistemeve Totalitare”, është një ditë e cila, në të vërtetë nuk kërkon koment as shumë fjalë, por nevojitë reflektim të thellë dhe kujtesë të mëshirshme dhe të pyesim: PSE?

Filed Under: Politike Tagged With: DITA E VIKTIMAVE, Frank shkreli, TË KOMUNIZMIT: T’I KUJTOJMË !

THE WASHINGTON TIMES: Diplomatët e SHBA në Shqipëri, si antibesnikë ndaj Trump

August 23, 2018 by dgreca

Departamenti i Shtetit i infektuar nga Soros në Shqipëri kërkon të mbështesë axhendën e socialistëve/

1 Soroistet

Ish-Ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri Donald Lu, i cili u bë i njohur për imponimin e një axhende mbi popullin shqiptar, duke vepruar si një Ca, në mbështetje të qeverisë socialiste nën udhëzimet e Xhorxh Sorosit, në një nga vendet më proamerikane në botë. Ne kemi dokumentuar më herët këto veprime të çuditshme të këtij ambasadori.

Mandati i zotit Lu në Tiranë përfundoi para pak kohe dhe ai është riemëruar, në mënyrë interesante, ambassador në Kirgistan, një situatë që kërkon analiza të mëtejshme në një artikull tjetër.

Megjithatë, duket se anti-Trumpët e majtë, emërimet e Obamës në Departamentin e Shtetit, janë akoma aktivë në Shqipëri, duke treguar hapur mungesë respekti për Presidentin amerikan, edhe pse detyra e tyre është t’i shërbejnë interesit te tij dhe pë t’i raportuar direkt presidentit, që nënkupton zbatimin prej tyre të politikave të adminisitratës Trump në botë.

Lejla Moisiu-Ones është aktualisht kreu i përkohshëm i ambasadës në Tiranë deri sa mbërrijë ambasadorja e re. Por postimet e kohëve të fudnit të saj në Twitter nxjerrin në pah axhendën e saj djallëzore për të minuar shefin e saj. Ajo ka ripostuar në Twitter një postim të ish-kreut të FBI të shkarkuar dhe disktredituar, James Comey, i cili kishte shfryrë në postim kundër Presidentit Trump.

A mund të imagjinoni kreun e ambasadës amerikane në një vend të huaj që në mënyrë aktive minon axhendën e Presidentit të Shteteve të Bashkuara? E dimë për fakt që të gjithë politikanët shqiptarë e kanë parë këtë postim. Si mendoni se do t’i trajtojnë ata deklaratat e politikës së jashtme që dalin nga Shtëpia e Bardhë, duke e ditur se ambasada e tyre në Tiranë nuk do t’i zbatojë kurrë ato, dhe madje do të nënvleftësojë çdo iniciativë të ardhshme presidenciale në Shqipëri?

Shqipëria, vend anëtar i NATO-s, po kthehet në një vend strategjik, duke qënë se kohët e fundit marrëdhëniet midis Turqisë dhe SHBA-ve po vihen në pikëpyetje. Qeveria aktuale shqiptare është e zhytur në trafiqet e drogës dhe në krim, por e majta në SHBA ende e mbështet atë, madje duke mbyllur një sy ndaj veprimeve të paligjshme të kësaj qeverie. Por pasja e punonjësve të pabesë në Ambasadën e SHBA-ve në Tiranë është një problem i madh në këtë situatë.

Presidenti Trump emëroi Kathleen Kavalec të jetë ambasadorja e re në Shqipëri.

Ajo është përmendur në një hetim të kohëve të fundit të Shtëpisë së bardhë të si një nga punonjëset e Departamentit të Shtetit që ka folur me Christopher Steele për dosjen e rreme që ai krijoi për Presidentin Trump për ta rrëzuar atë nga pushteti.

Megjithatë, Shtëpia e Bardhë mund të ketë rënë në lojën e saj, pasi seanca e konfirmimit të saj papritmas u shty.

Ndërkohë ish-ambasadori Lu ndodhet ende në Shqipëri, çuditërisht duke mos u kthyer në Shtetet e Bashkuara, edhe pse nuk ka më detyra zyrtare në Tiranë.

Burimet na thonë se po vepron kështu për të “përgatitur” stafin e ri të ambasadës, duke u dhënë atyre udhëzimet sesi “të promovojnë” kryeministrin socialist Edi Rama në Shtëpinë e Bardhë, në një përpjekje për të çimentuar axhendën e Barack Obamës në vendin e vogël ballkanik.

Qëllimi është të trumbetohet Edi Rama si “udhëheqës i madh” dhe se “reforma në drejtësi” e shtyrë nga z. Lu ishte një sukses i madh. E gjithë kjo duke injoruar efektet e vërteta të këtij procesi që ka çuar vendin të jetë pa gjykata dhe me krim të organizuar galopant. Më shumë mbi këtë çështje nesër.

Demokratët, miqtë e Obamës, do të bëjnë gjithçka për pushtet. Ata nuk kanë turp. Sigurisht, ata nuk kanë profesionalizëm, njësoj siç tregoi aktiviteti në mediat sociale i Leyla Moses-Ones.

Marrë nga: https://www.washingtontimes.com/news/2018/aug/22/us-diplomats-albania-flout-disloyalty-trump/

Filed Under: Komente Tagged With: Soroistet ne Tirane, The Washington Times

FUQIA E NJE KOMBI

August 23, 2018 by dgreca

SOFRA POETIKE E DIELLI-t/

Fuqia e një Kombi/

1 Emerson

Shkroi: William Ralph Emerson/

Shqipëroi: Astrit Lulushi/Washington/

Çfarë i ngre lartë shtyllat e një kombi/
Dhe themelet e tij të forta? /
Çfarë e bën atë trim për të sfiduar/
Armiqtë që e rrethojnë?/
Nuk është ari. /
Mbretëritë e mëdha /
Shkatërrohen në luftra/
Shtyllat e tyre qëndrojnë në rërë,
Jo në shkëmbinj të patundur.
Mos është shpata?
Pyesni pluhurin e kuq
Ku perandoritë kaluan;
Gjaku i ka kthyer gurët në ndryshk,
Lavdia e tyre ka humbur.
Apo është krenaria?
Ajo kurorë e ndritshme
Që i bën kombet të mburren;
Por Perëndia e ka goditur
Duke e bërë pluhur në këmbët e tyre.
Jo ari por njerëzit mund ta bëjnë
Një popull të madh dhe të fortë;
Njerëz të cilët për hir të së vërtetës dhe nderit
Qëndrojnë të vendosur dhe gjatë.
Njerëz që punojnë kur të tjerët flenë,
Që sfidojnë ndërsa të tjerët ikin …
Ata ndërtojnë shtyllat e një kombi
Dhe i ngrenë ato në qiell.
Shqipëroi: Astrit Lulushi

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Astrit Lulushi, FUQIA E NJE KOMBI, William Ralph Emerson

Një Dallëndyshe në Kishën Shën Maria të Bezhanit

August 23, 2018 by dgreca

 

4. NE kISHE ok1. Klodi-Maria Bezhani ok.JPG2. kisha e shen Marise ok.JPG

Nga Vepror Hasani/ *

Atë çast Klodi-Maria Bezhani ishte duke lexuar librin “Bezhani” të shkrimtarit Vangjush Ziko. Befas iu duk sikur një dallëndyshe fluturoi aty pranë. Nuk ishte e sigurtë nëse vërtet kishte qenë një dallëndyshe ose jo, por ndjesia e pranisë së saj ishte e fortë. Mendja i shkoi te fshati i prindërve të saj, në Bezhan të Kolonjës; ai ishte një fshat me shumë dallëndyshe. Vetë Klodi-Maria Bezhani ishte lindur dhe rritur në Korçë; aty kishte studiuar për flaut. Më pas u shkollua për mësuesi, prej 23 vitesh ushtronte këtë profesion. Tashmë ka 5 vjet që jeton në Tiranë së bashku me dy fëmijët e saj; aktualisht studentë. Fshatin e prindërve, Bezhanin, e kishte vizitur vetëm një herë në vitin 2004. Që nga ajo kohë nuk kishte shkuar më. Në momentin e fërfëritjes së krahëve të dallëndyshes, i lindi dëshira të fluturonte edhe ajo drejt Bezhanit për të festuar emrin e saj, Maria, në kishën Shën Maria të Bezhanit. Sigurisht, ishte ndikuar edhe nga libri i Vangjush Zikos. Do të fluturonte edhe ajo si një dallëndyshe në folezën e saj. Po afronte gushti i vitit 2018.

Premtimi

Këtë ide të lindur papritmas ua tha prindërve të saj në Korçë, por i ati, Stavri Bezhani, i mbetur i çuditur nga fjalët esë bijës i tha: “Për çfarë do të shkosh? Kush të pret atje?  Kë do  të takosh?!.  Eh, moj bijë, – vijoi ai,- atje s’ka shkelur njeri që prej një dekade e gjysmë, as gurët s’i kanë mbetur e jo me shtepitë…”.  Dhe ndërsa i fliste për braktisjen e madhe të fshatit, Klodi-Maria Bezhani, dëgjonte dhe qante; lotët i rridhnin faqeve si rrëke shiu. E përlotur, mes dhimbjes që ndjente, i tha të atit: “Unë do të shkoj në Bezhan! Do ta pastroj Kishën e Shën Marisë me duart e mia dhe do t’i mbledh njerëzit! Më 15 gusht kambana e saj do të kumbojë si himn dashurie për të gjallët dhe për zgjjm të kujtimit të shpirtrave të harruar. Do ta bëj! E ndjej detyrim shpirteror e moral ndaj gjyshërve, stërgjyshërve e katërgjyshërve të mi. Me këdo mund të bëj kompromise, por me shpirtin tim e paskam të pamundur.  Ai vend po më thërret baba: “Shko dhe rihape atë shtëpi të Nënës së Dritës, sepse njerëzimi sot më shumë se kurrë ka nevojë për këtë dritë! I ati e vështroj në sy.  Çuditërisht vajza e tij i ngjasoj me një dallëndyshe, madje ajo dukej sikur ishte shndërruar në dallëndyshe.  Ndoshta edhe udhëtimi i saj drejt Bezhanit do të ishte si një fluturim dallëndysheje.

Tokë e shkretë

Po atë mëngjes foli me Gjergji Pantazin, burrë fisnik, prej vitesh përpiqej për kishën e Shën Marisë, e vizitonte shpesh. Kishte çelur edhe dy llogari bankare për mbledhjen e ndihmave. I kërkoi të shkonin në Bezhan. Më 31 korrik, mes peripecish të shumta, herë duke ecur në këmbë, herë me makinë, mbërritën në Bezhan. Ç’të shihje: tokë e shkretë! Gjithçka mbuluar nga bari i lartë e i përzhitur prej diellit. Edhe  varret nuk dalloheshin më. S’dije ku të hidhje këmbët. Gjergji i kërkonte të ishte e kujdesshme: “Shiko ku ecën se ka gjarpërinj!”. Me të kaluar oborrin u shfaq një pamje tjetër më makabre: Kishës nuk i kishte mbetur asgjë, librat e shenjtë, Ungjilli, ikonat i kishte gërryer nga lagështia, koha dhe brrejtja e minjve. Befas u dëgjua  klithma e fortë e Klodi: “Zot! Zonja Shën Mari! Si të paskan bërë kështu! Nisi të ecte mes hapësirës së saj, mbuluar nga gati 2-3 pëllëmbë rëre që presupizohej të ishte suvaja e përdorur me fondet për kishën, për restaurimin e saj. Gjithçka kishte qenë papërgjigjshmëri dhe shpërdorim. Ky vend quhet Bezhan që do të thotë “të ikurit”. Metafore e fuqishme! Ikja, madje arratisja e fshatit klithte frikshëm.

Lotët e Klodi-Maria Bezhanit

“Qaja si fëmijë, qaja e flisja me vete,- tregon Klodi Maria Bezhani. Kisha shpresuar se mund ta pastroja vetë kishën e Shën Marisë, por pashë se atje duhej një brigadë e tërë; burra me karroca e lopata. Gjergji i shqetesuar më tregoi se gjendja kishte avancuar, krahasuar me një a dy vjet më parë. I thashë të më linte vetëm. Filmova e fotografova ç’munda, pasi lotët s’më lejonin pamje të qartë. Qaja mbi ikonat dhe lotët binin mbi to. Nxora nga xhepi kartpicetat, fshiva lotët dhe pastrova fytyrat e Shenjtorëve. I lava me lotët e mi. Dola jashtë në oborr, këputa disa lule të egra ngjyrë lejla, i vendosa te ikona e Zonjës Hyjlindëse dhe teksa u luta, premtova me zë të lartë: të premtoj o nënë e Zotit se kjo kishë do të pastrohet dhe rregullohet siç të takon. Në 15 gusht kjo kishë do të mbushet me njerëz dhe mbi pluhurin e harresës së këtij vendi do mbeten gjurmët tona si dëshmi se nuk të kemi braktisur, por ashtu si djali plangprishës po kthehemi me pendesë sërirsh tek ti. Megjithatë, një çast e humba shpresën se mund ta bënin gati kishën deri më 15 gusht, por çuditërisht atë çast ndjeva fërfëritjen e fluturimit të një dallëndysheje. Mora zemër, Zoti do të na ndihmojë.

Mrekullia

Dhe vërtet, Zoti na ndihmoi. Të gjitha punët u bënë si nga një dorë e padukshme: Thoma Zisi, nënkryetar i Bashkisë Kolonjë dërgoi një brigadë me punëtorë të pastronin kishën, të korrnin barrin rreth saj. Dërgoj dhe një fadromë për sistemimin e  rrugës që të çonte në Bezhan.  E Tëreshenjta e bëri vetë hapin e parë. Atë që unë lusja, atë që i premtova teksa mbytesha në lot por me frikën a do më vijnë të më ndihmojnë që ta pastrojmë kishën Zonja Shën Mari dërgoi në çast engjëjt e vet.  Një ditë para së Kremtes ,së bashku me dy miq bezhanllinj Fillareti Shkrapi Nikolla, Stefi Ziko, dhe ish nxënësi im Niko Pulluqi vuri në dispozicion fuoristraden e tij, mbushëm makinën me ndihma, mbledhur derë më derë për kishën: sixhade, copa të leshta, të punuara si udhë, ikona, karrige, takëme, zbukurimi, kandila, temjan, qirinj bidona 10 l me ujë, fshesa, kova dhe mjete të tjera pastrami. Hymë në kishë plot gëzim. Oborri i kositur të jepte komoditetin të ecje e shkelje pa frikën e ndonjë gjarpëri të mundshëm. Nuk pati nevojë për ndarje detyrash. Secili e gjeti vetë vendin dhe rolin e vet. Nikolini im fshiu gjithë kishën si një nikoqire e mirë. Kur mbaruam gjithçka vura lulet Krizantema qe bleu Filla në vazon e kristaltë, blerë enkas për Shën Marinë nga unë, ndezëm dhe kandilet dhe temjanin.

Dallëndyshja

Pikërisht këtë çast hyri në kishë një dallëndyshe dhe qetë-qetë fluturoi duke përshkuar çdo cep të kishës, kaloi dhe mbi kokat tona dhe doli sërish andej nga erdhi. Ishte më shumë se një zog! Ishte vetë Zonja Shën Mari që i gëzohej hapjes së shtëpisë së harruar. Po kjo gjë ndodhi të nesërmen, më 15 gusht. Kisha u mbush plot, ishin rreth 80 veta. Sapo ra këmbana dhe do fillonte meshimi, hyri sërish dallëndyshja, por këtë herë jo e qetë, hyri zhurrmshëm… Zëri i saj e mposhti atë të priftit… Ajo na dha bekimin prej larti. Zonja Shën Mari e meritonte ta kishte atë shtëpi, që dikur xha Vasili e  ngriti me aq dashuri e perkushtim. Dhe sipas të gjithëve e gjitha kjo ndodhi fal dallëndyshes së quajtur Klodi-Maria Bezhani. Deri në brezin e stërgjyshit paraardhësit e saj janë lindur në Korçë, por para tyre banonin në Bezhan të Kolonjës. Në pemën gjenealogjike të familjes së saj, rrenja nis në fisin Ziko, nga Linotopi, Shën Zagaria. Brezi i 8 i këtij fisi daton më 1767 me Papa Koten, prift dhe dy djemtë e tij, Ziko dhe Pando; ky i fundit prift si i ati. Më 1776 Linotopi u dogj nga turqit që detyronin muslimanizimin e popullatës. Papa Pandoja që në Linotop  shërbente në kishën e Shën Pjetrit, mori sa mundi takëme prej saj që t’i shpëtonte prej djegies dhe bashkë me vellanë i ranë rrotull malit të Gramozit dhe u vendosen në Bezhan. Atje nuk kishte as kishë e as prift dhe ata të dy ngritën kishën e Shën Pjetrit. Kjo kishë u shemb në kohën poskomuniste, ndoshta pas 1990. Fshati u braktis nga bezhanllinjte e ikur në emigrim dhe koha rënoi çdo banese të tyre. E vetmja ndërtesë, madje e quaj pa hiperbolizuar vepër arti, ështe kisha e Shën Marisë, ndërtuar më 1907-1912 prej duarartit xha Vasil Dhimoshit, arti i gdhendjes së gurit, të të cilit gjendet sot në kisha të Greqisë, madje dhe në Mal të Shenjtë, megjithatë gjithnjë do të shfaqet një dallëndyshe që jep shpresë dhe gëzim ashtu si Klodi-Maria Bezhani….(me shume foto i shihni ne fb(dielli vatra)

 

Filed Under: Reportazh Tagged With: në Kishën Shën Maria, Një Dallëndyshe, të Bezhanit, Vepror Hasani

ETNOMUZIKOLOGJIA SHQIPTARE: DETYRA THEMELORE TE SOTME E TE ARDHME

August 23, 2018 by dgreca

1-spiro-j-shetuni1

Shkruan: Prof. Dr.  SPIRO J. SHETUNI- Universiteti Winthrop, Rock Hill, South Carolina- U.S.A./

PARASHTRIM/

Si ligjësori universale, brenda fushës së muzikës, studiuesit e saj–muzikologë e etnomuzikologë–, nga pikëpamja numerike, përfaqësojnë një kategori tepër të kufizuar.  Në të vërtetë, numri i tyre, si rregull, është në raport të drejtë me vetë nevojat e shoqërisë njerëzore për ‘ta.  Ashtu sikurse në fusha të tjera të artit e të shkencës, edhe në atë të muzikës, përgatitja e studiuesve të saj–muzikologë e etnomuzikologë–është një proces i gjatë dhe i ndërlikuar.

Historia e muzikës Perëndimore–kulturës muzikore profesioniste të Europës dhe Amerikës–dëshmon qartë se, studiuesit në përgjithësi dhe studiuesit e muzikës në veçanti, zakonisht, nuk bëhen të njohur në një moshë disi të re ose shumë të re, sikurse ndodh, p.sh., me interpretuesit (këngëtarë, instrumentistë, valltarë, dirigjentë, etj.), madje edhe me krijuesit.  Ata– studiuesit e muzikës–, si rregull, bëhen të njohur në një moshë disi më të madhe ose shumë më të madhe sesa interpretuesit e krijuesit.  Një dukuri e tillë rrjedh, sa nga natyra e veprimtarisë kërkimoro-shkencore në përgjithësi, aq edhe nga specifika e fushës së muzikologjisë dhe asaj të etnomuzikologjisë në veçanti, pra, është me karakter objektiv.  Vetëm se mosmarrja në konsideratë e saj fare lehtë mund të shpjerë në mendime subjektive ndaj studiuesve të rinj muzikologë e etnomuzikologë.

Gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX në përgjithësi dhe çerekut të tij të fundit në veçanti, mendimi muzikologjik e etnomuzikologjik shqiptar s’ka qëndruar në vend.  Një dukuri e tillë mund të dëshmohet fare mirë me botimet dhe studimet e kryer.  Sakaq, është për t’u përshëndetur fakti që, krahas emrave të njohur, gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, kanë dalë emra të rinj studiuesish muzikologë e etnomuzikologë.  Me siguri që, në të ardhmen, studiues të tjerë do të bëjnë emër duke iu përkushtuar pikërisht hulumtimit të muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare.

Midis detyrave themelore, që do të shtroheshin përpara etnomuzikologjisë shqiptare, si në ditët tona, ashtu edhe në të ardhmen, më lejoni të përmend vetëm disa prej tyre, si:

  • Pasqyrimi i gjendjes së muzikës tradicionale: Teori dhe praktikë (me këto nën-çështje):
  • Botimi i muzikës tradicionale
  • Studimi i muzikës tradicionale
  • Fjalorët muzikorë enciklopedikë
  • Zgjerimi i rrethit të studiuesve
  • Vëzhgimi i bashkëkohësisë së muzikës tradicionale: Teori dhe praktikë (me këto nën-çështje):
  • Ndërsuazimi krijues
  • Etja e shkollave të muzikës
  • Përpunime të njëanshme
  • Përdorimi i tepruar i melizmave
  • Prania e tercave paralele harmonike
  • Prirja drejt elementeve sensuale
  • Parapëlqimi i instrumenteve elektrikë
  • Përmbyllje: Teori dhe praktikë (me këto nën-çështje):
  • Misioni i etnomuzikologjisë
  • Autoriteti i etnomuzikologjisë shqiptare
  • Baza të shëndosha teorike e metodologjike
  • Shmangie e qëndrimeve të njëanshme
  • Kalim i natyrshëm nga një stad i procesit studimor në një tjetër

Lejomëni që të bëj një shtjellim të shkurtër, vetëm se thelbësor, të çështjeve të mësipërme.

PASQYRIMI I GJENDJES SE MUZIKES TRADICIONALE:  TEORI DHE PRAKTIKE

Botimi i muzikës tradicionale

Nga pikëpamja e hapësirës etniko-socialo-gjeografike, botimi i muzikës tradicionale shqiptare, ashtu sikurse edhe studimi i saj, mund dhe duhet bërë në disa plane:

  • brenda hapësirës etniko-socialo-gjeografike të quajtur Shqipëri-shtet;
  • brenda hapësirës etniko-socialo-gjeografike të quajtur Shqipëri-komb (zonave etnografike të banuara nga shqiptarë etnikë kudo që ata jetojnë: Shqipёri, Kosovë, Maqedoni, Mal i Zi, Serbi, etj.);
  • brenda hapësirës etniko-socialo-gjeografike të shteteve ku historikisht kanë emigruar shqiptarë, si: Greqi, Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (muzika tradicionale arvanitase, muzika tradicionale arbëreshe, muzika tradicionale albano-amerikane), etj.

Përsa i takon botimit të muzikës tradicionale, detyra themelore, të sotme e të ardhme, të etnomuzikologjisë shqiptare, mendoj se do të ishin:

  • së pari, regjistrimi i plotë i lëndës muzikore më përfaqësuese të të gjithë dialekteve, nën-dialekteve dhe stileve të muzikës tradicionale shqiptare;
  • së dyti, vënia në notë, transkriptimi, notizmi i saj;
  • së treti, botimi i lëndës muzikore më përfaqësuese.

 

Duke çmuar arritjet e deri-sotme në drejtim të botimit të muzikës tradicionale, nënvizoj se, mjerisht, ende nuk ekziston as edhe një përmbledhje e vetme muzikore me këngë një-zërëshe gege, të titulluar, p.sh.:

  • Këngë të Malësisë së Madhe ose të Shkodrës
  • Këngë të Malësisë së Vogël ose të Gjakovës
  • Këngë mirditore
  • Këngë matjane
  • Këngë dibrane, etj.

Mjerisht, ende nuk ekziston as edhe një përmbledhje e vetme muzikore me këngë shumë-zërëshe toske, të titulluar, p.sh.:

  • Këngë polifonike toske
  • Këngë polifonike myzeqare
  • Këngë polifonike çame, etj.

Mjerisht, ende nuk ekziston as edhe një përmbledhje e vetme muzikore me këngë qytetare, të titulluar, p.sh.:

  • Këngë qytetare beratase
  • Këngë qytetare përmetare
  • Këngë qytetare vlonjate
  • Këngë qytetare myzeqare
  • Këngë qytetare kolonjare,

Në asnjë mënyrë nuk mendoj se, përmbledhje muzikore të tilla, janë të lehta për t’u përgatitur.  Ato vërtet që s’mund të hartohen brenda një kohe të shkurtër.  Por, vallë a duhen pritur shekuj që të mund të dalin në dritë përmbledhje muzikore të kësaj natyre?!  Pastaj, kush do të mund t’i përgatisë, në radhë të parë, antologji të tilla muzikore?!  Kush më mirë sesa vetë etnomuzikologët e muzikologët shqiptarë do të mund t’i përgatisë ato?!             Botimi i muzikës tradicionale mund të përmbushet nga kompozitorë, studiues e muzicienë të talentuar të mbarë vendit.  Në këtë qerthull, s’duhet të harrojmë për asnjë çast sidomos muzicienët profesionistë që e zhvillojnë veprimtarinë e tyre nëpër pallatet dhe shtëpitë e kulturës të të gjitha rretheve të Shqipërisë.  Duke qenë se, në mjaft raste, ata kanë një përvojë artistike të pasur, muzicienë të tillë mund të aktivizohen, në forma të ndryshme, sidomos për hartimin e antologjive muzikore.  Libri 250 këngë qytetare shkodrane, i cili u botua në vitin 2000, në Shkodër (Shqipëri), p.sh., u hartua nga muzicienët e talentuar e të përkushtuar ndaj muzikës tradicionale qytetare shkodrane– Tonin Zadeja e Tonin Daija (Zadeja, Daija 2000).  Ky shembull i gjallë, i cili s’ka nevojë për koment, vlen që të ndiqet nga kompozitorë, studiues e muzicienë të tjerë të talentuar të mbarë rretheve të vendit.

S’ka dyshim që, dalja në dritë, përmes librash të veçantë, e lëndës muzikore më tipike të të gjithë dialekteve, nën-dialekteve dhe stileve më përfaqësuese të muzikës tradicionale shqiptare, do të nxiste, qoftë procesin e shqyrtimit teoriko-shkencor, qoftë atë të përpunimit praktiko-artistik, të saj.  Në këtë mënyrë do t’u hapej rrugë e sigurtë monografive të gjera e të thella shkencore, si edhe veprave muzikore të mëdha profesioniste, përfytyra etniko-kombëtare e të cilave do të jepej natyrshëm përmes një materieje muzikore nacionale.

Studimi i muzikës tradicionale

Nga pikëpamja e hapësirës etniko-socialo-gjeografike, studimi i muzikës tradicionale shqiptare, ashtu sikurse edhe botimi i saj, mund dhe duhet bërë në disa plane:

  • brenda hapësirës etniko-socialo-gjeografike të quajtur Shqipëri-shtet;
  • brenda hapësirës etniko-socialo-gjeografike të quajtur Shqipëri-komb;
  • brenda hapësirës etniko-socialo-gjeografike të shteteve ku historikisht kanë emigruar shqiptarë, si:  Greqi, Itali, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (muzika tradicionale arvanitase, muzika tradicionale arbëreshe, muzika tradicionale albano-amerikane), etj.

Përsa i takon studimit të muzikës tradicionale, detyra themelore, të sotme e të ardhme, të etnomuzikologjisë shqiptare, mendoj se do të ishin:

  • së pari, studimi i bazave të muzikës tradicionale shqiptare, d.m.th., hulumtimi në rrafsh kombëtar i mjeteve të saj kryesore shprehës–melodikës, kontrapunktit, harmonisë, metrikës/ritmikës, dinamikës, agogjikës, organikës (timbrit, instrumenteve muzikore, orkestrimit muzikor);
  •  së dyti, studimi i dialekteve, nën-dialekteve dhe stileve më përfaqësues të muzikës tradicionale shqiptare, pra, hulumtimi i saj sipas krahinave e zonave kryesore etnografike;
  • së treti, studimi në rrafsh kombëtar ose të pjesshëm i zhanreve të caktuar të muzikës tradicionale shqiptare, siç janë, p.sh., nina-nana ose ninulla, vajtimi ose ligjërimi, kënga maje-krahi ose kushtruese, boroitja ose logatja, ballada, eposi heroik legjendar, etj., të cilët, për vetë shkallën e individualizimit muzikor, japin mundësi të gjera hulumtimi;
  • së katërti, studimi i afrive dhe dallimeve midis muzikës tradicionale shqiptare dhe kulturave të tjera muzikore të hapësirës etniko-socialo-gjeografike ballkanike e mesdhetare.  Studime krahasuese mund dhe duhen bërë, p.sh, midis muzikës tradicionale shqiptare dhe muzikës tradicionale greke, midis muzikës tradicionale shqiptare dhe muzikës tradicionale arumune, midis muzikës tradicionale shqiptare dhe muzikës tradicionale turke, maqedonase, serbe, malazeze, etj.

Fjalorët muzikorë enciklopedikë

Çdo kulturë muzikore mbi rruzullin tokësor, tradicionale ose profesioniste, përfaqësohet nga tre grupe, klasa ose kategori kryesore njerëzore:  i)  krijues;  ii)  interpretues (këngëtarë, instrumentistë, valltarë, dirigjentë, etj.);  iii)  studiues (muzikologë, etnomuzikologë).  Nën-vlerësimi ose mbi-vlerësimi i njërit grup ose tjetër është një veprim i njëanshëm, teorikisht i gabuar dhe praktikisht i dëmshëm.  Si ligjësori universale, grupet kryesorë njerëzorë të botës muzikore janë njësoj të vlefshëm:  ata parakuptojnë dhe plotësojnë njëri-tjetrin.  Statusi i tyre në jetën e shoqërisë e të artit është i barabartë, si nga pikëpamja teorike, ashtu edhe nga pikëpamja praktike.

1.

Përfaqësimi i muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare në fjalorë enciklopedikë ndërkombëtarë, nuk mund të jetë vetëm se shprehje e njohjes përherë e më të gjerë të saj në botën intelektuale e akademike.  Lejomëni të vë në dukje, midis të tjerash, një vepër të mirënjohur enciklopedike me karakter akademik, siç është, Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve, i cili është fryt i punës së qindra e mijra hartuesve.  Nëse krahasohet botimi i parë i këtij fjalori (Sadie, hartues  1980) me botimin e dytë të tij (Sadie, hartues. 2001), me kënaqësi vërehet një rritje e ndjeshme e lëndës mbi muzikën shqiptare.  (Vetë përmasat e fjalorit u rritën në mënyrë të përfillshme:  ndërsa botimi i i parë ka 20 vëllime, botimi i dytë vjen me 29 vëllime!)  (Si shtjellim akademik të sintetizuar të muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare, brenda këtij fjalori, j’u lutem, shihni artikullin me titull “Albania.”  (Stockmann, Stockmann 1980);  (Leotsakos, Sugarman 2001).)

Sidoqoftë, për hir të objektivitetit shkencor, nuk mund të mos vihet në dukje se, Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve, s’ka mundur që t’i shpëtojë një mangësie parimore:  njëanshmërisë së theksuar.  Brenda tij, ndërsa krijuesit janë përfaqësuar në një masë deri-diku të pranueshme, interpretuesit (këngëtarë, instrumentistë, valltarë, dirigjentë, etj.) e studiuesit (muzikologë, etnomuzikologë) janë mohuar tërësisht!  Njëanshmëria në përfaqësimin e kategorive kryesore njerëzore të universit muzikor s’është në nderin dhe prestigjin e asnjë lloj fjalori akademik, sado me emër qoftë ai!

Brenda qerthullit të parashtruar më sipër, vijnë si të ligjshme një radhë pyetjesh të mprehta, të cilat meritojnë plotësisht përgigje, si:  Përse?!  Përse vallë?!  Përse vallë të ndodhë kështu?!  Thjesht për shkak të mungesës së kohës?!  Apo mos ndoshta edhe për të treguar, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, ose një lloj mbi-vlerësimi ndaj disa grupeve njerëzorë të botës muzikore, ose një lloj nën-vlerësimi ndaj disa grupeve të tjerë njerëzorë të botës muzikore?!  Por, duke qenë se, dukuri të tilla, kanë natyrë jashtë-profesionale, ato janë, që të dyja, teorikisht dhe praktikisht, të dëmshme!

2.

Gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, janë botuar, gjithashtu, fjalorë muzikorë enciklopedikë në gjuhën shqipe, midis të cilëve, kronologjikisht, lejomëni të përmend:  Enciklopedia [sic] e muzikës popullore shqiptare (Tole, hartues. 2001), Enciklopedia [sic] e muzikës shqiptare, Vëllimi i parë (Shupo, hartues. 2002), etj.  Pa dyshim se, hartuesit e tyre—Vasil S. Tole, Sokol Shupo–meritojnë vetëm që të përshëndeten nga opinioni shkencoro-artistik.  Fjalorë të tillë ndihmojnë që të ngushtohet boshësia kritike në aspekte të ndryshëm të muzikës tradicionale e profesioniste shqiptare, si:  pasuria, historia, përvoja estetike, autorët më në zë, veprat më përfaqësuese, etj.  Mirëpo, duke çmuar ndihmesën e tyre, njëkohësisht, nuk mund të mos vihet në dukje se, ata, herë pjesërisht o herë tërësisht, kanë pasur edhe mangësi parimore, midis të cilave lejomëni të përmend vetëm dy:  së pari, niveli shkencor cilësisht i diskutueshëm, si rrjedhojë e një lloj nxitimi, rrëmbimi, përshpejtimi, në përgatitjen e tyre;  së dyti, zbehja e besueshmërisë shkencore, si pasojë e një lloj subjektivizmi, personalizmi, arbitrarizmi, në parashtrimin dhe interpretimin e lëndës.

3.

Mjerisht, në fjalorin enciklopedik me titull Enciklopedia [sic] e muzikës shqiptare, Vëllimi i parë (Shupo, hartues. 2002), i cili, në mënyrë parimisht të gabuar, i paraqitet lexuesit me titullin e një enciklopedie (!), mungojnë kriteret objektivë të parashtrimit dhe interpretimit të lëndës:  ata janë zëvendësuar de facto me praninë e kritereve subjektivë.  Kështu, çështje të tilla, sa të rëndësishme, aq edhe delikate, si:  i)  autorët që përfaqësohen;  ii)  autorët që nuk përfaqësohen;  iii)  sasia e informacionit për një autor të caktuar;  iv)  interpretimi i informacionit për një autor të caktuar, etj., zgjidhen, kryesisht, duke u nisur nga raportet personalë të hartuesit me autorët!  (Të mos harrojmë se shumica e autorëve ende jeton!)  Si rrjedhojë, në rrafsh të përgjithshëm, bien në sy veçanërisht katër dukuri subjective, personale, arbitrare:

  • prania e diskutueshme, pra, subjektive, personale, arbitrare, e autorëve të caktuar!
  • mungesa e diskutueshme, pra, subjektive, personale, arbitrare, e autorëve të caktuar!
  • lartësimi i diskutueshëm, pra, subjektiv, personal, arbitrar, i autorëve të caktuar!
  • ultësimi i diskutueshëm, pra, subjektiv, personal, arbitrar, i autorëve të caktuar!

Që të mund të shprehem në një mënyrë tjetër, autorët që hartuesi i konsideron si simpatizues të tij, këtë radhë, ishin me fat:  ata, ose u përshinë subjektivisht, personalisht, arbitrarisht, ose u lartësuan subjektivisht, personalisht, arbitrarisht!  (O tempora!  O mores!)  Ndërkohë, autorët që hartuesi nuk i konsideron si simpatizues të tij, këtë radhë, ishin pa fat:  ata, ose s’u përfshinë subjektivisht, personalisht, arbitrarisht, ose u ultësuan subjektivish, personalisht, arbitrarisht!  (O tempora!  O mores!)  Prandaj, vetkuptohet se, në cilat raste vërehet njëra dukuri dhe se në cilat raste vërehet dukuria tjetër.  Sidoqoftë, në analizë të fundit, duke iu përmbajtur kritereve subjektivë, personalë, arbitrarë, në parashtrimin dhe interpretimin e lëndës, herë-herë, të vërtetat ua lënë vendin gjysmë të vërtetave, kurse gjysmë të vërtetat ua lënë vendin thjesht gënjeshtrave.  Pra, dëmi s’është i vogël:  veprimtaria e përfaqësuesve të muzikës shqiptare të gjysmës së dytë të shekullit XX, në vend që të jepej në dritë të vërtetë, jepet pak a shumë e shpërfytyruar!  E shpërfytyruar!  E shpërfytyruar!  E shpërfytyruar!

 Brenda qerthullit të parashtruar më sipër, sërish vijnë si të ligjshme një radhë pyetjesh të mprehta, të cilat meritojnë plotësisht përgjigje, si:  Përse?!  Përse vallë?!  Përse vallë të ndodhë kështu?!  Thjesht për shkak të mungesës së kohës?!  Apo mos ndoshta edhe për të treguar, domosdoshmërisht, me çdo kusht, në çdo rast, ose një lloj simpatie personale ndaj disa autorëve, ose një lloj antipatie personale ndaj disa autorëve të tjerë?!  Por, duke qenë se dukuri të tilla kanë natyrë jashtë-profesionale, ato janë, që të dyja, teorikisht dhe praktikisht, të dëmshme!

4.

Në rrafsh universal, studiuesit e fushës së muzikës, ashtu sikurse studiuesit e fushave të tjera të artit e të shkencës, nuk mund dhe nuk duhet që të sillen sikur janë pronarë të muzikës tradicionale e profesioniste të një kombi, populli, ose grupi të caktuar etnik.  Studiuesit e fushës së muzikës mund dhe duhet që të sillen thjesht si vëzhgues të ecurisë së artit muzikor tradicional e profesionist të një kombi, populli, ose grupi të caktuar etnik, gjatë një periudhe të dhënë historike.  Nga pikëpamja e qëndrimit që mbajnë ndaj muzikës tradicionale e profesioniste, studiuesit e fushës së muzikës mund të jenë objektivë ose subjektivë, të thelluar ose të përciptë, modestë ose arrogantë, etj.  Sa më objektivë, të thelluar, modestë që të jenë studiuesit e fushës së muzikës, aq më e qartë do të jepet veprimtaria e përfaqësuesve të muzikës tradicionale e profesioniste të një kombi, populli, ose grupi të caktuar etnik, ashtu sikurse vetë përfytyra tërësore e kësaj muzike.  Sa më subjektivë, të përciptë, arrogantë që të jenë studiuesit e fushës së muzikës, aq më e mjegullt do të jepet veprimtaria e përfaqësuesve të artit muzikor tradicional e profesionist të një kombi, populli, ose grupi të caktuar etnik, ashtu sikurse vetë përfytyra tërësore e këtij arti.  Si qarqet shoqërorë në përgjithësi, ashtu edhe qarqet shkencoro-artistikë në veçanti, presin që, fjalorët enciklopedikë, në çdo fushë të jetës së shoqërisë shqiptare, të ndriçojnë sa më shumë mëndjen e lexuesve, përmes lëndës së gjallë tërë-përfshirëse dhe interpretimeve teorike të pa-anshme.

5.

Fjalorët muzikorë enciklopedikë, nëse kanë synime akademike, s’duhet të përgatiten në mënyrë dramatikisht të nxituar!  Në analizë të fundit, nxitimi, rrëmbimi, përshpejtimi, vetëm se krijojnë kushte për të pasur një nivel shkencor cilësisht të diskutueshëm.  Po ashtu, fjalorët muzikorë enciklopedikë, nëse kanë synime akademike, s’duhet të përgatiten as në mënyrë dramatikisht subjektive!  Në analizë të fundit, subjektivizmi, personalizmi, arbitrarizmi, vetëm se ua zbehin atyre parametrin themelor për çdo lloj libri me natyrë akademike:  besueshmërinë shkencore.

6.

Për hir të së vërtetës, duhet pranuar se, në çdo fushë të artit e të shkencës, as fjalorët enciklopedikë, as enciklopeditë, nuk mund të hartohen nga një studiues i vetëm, sado pretencioz që të jetë ai!  Përvoja më e mirë ndërkombëtare, dëshmon pikërisht për një dukuri të tillë.   (Fjalori Grouv i Ri i muzikës dhe muzicienëve (Sadie, hartues. 1980;  Sadie, hartues. 2001), i cili sapo u përmend, p.sh., është fryt i punës së qindra e mijra autorëve!)  Prandaj, mbetet të shpresojmë se, në të ardhmen, brezat e rinj të muzikologëve e etnomuzikologëve shqiptarë, do të hartojnë fjalorë enciklopedikë dhe enciklopedi me ndihmesën e sa më shumë studiuesve.  Eshtë e qartë se, në këtë mënyrë, do të mund të përmbusheshin më lehtë dy kërkesa themelore parimore:  së pari, niveli shkencor cilësisht sa më i lartë;  së dyti, parashtrimi dhe interpretimi i lëndës në një mënyrë sa më objektive.

Zgjerimi i rrethit të studiuesve

Eshtë e qartë se, me hulumtime në fushën e etnomuzikologjisë, mund dhe duhet të merren, në radhë të parë, studiuesit e mirëfilltë të kësaj fushe.  Por, s’ka dyshim që, mbarëvajtjes së gjithanshme të veprimtarisë së një shkence të tillë, do t’i shërbente sadopak edhe aktivizimi më i ndjeshëm i tërë atyre ish-studentëve që kanë mbaruar Institutin e Lartë të Arteve të Shqipërisë (sot Universiteti i Arteve) për muzikë në përgjithësi dhe për teori muzike në veçanti.  Me dhjetra e ndoshta qindra ish-studentë të këtij institucioni arsimor janë diplomuar si teoricienë të fushës së muzikës:  pra, si mësues muzike, si historianë të fushës së muzikës, si kritikë muzikorë, si etnomuzikologë, etj.  Pas kryerjes së studimeve, më shpesh, ata punojnë si mësues të lëndëve teoriko-muzikore në shkolla të mesme muzike ose në Universitetin e Arteve.  Mirëpo, pak syresh i sheh që të dalin me artikuj në shtypin letraro-artistik dhe fare pak në shtypin shkencor.  Në kushte të tillë, është e qartë se, me studimin e muzikës tradicionale ose asaj profesioniste, sistematikisht, merren vetëm disa punonjës shkencorë dhe aty-këtu ndonjë pedagog.

Më pranë veprimtarisë shkencore etnomuzikologjike mund dhe duhet të qëndrojnë edhe kompozitorët.  Për vetë natyrën praktike të veprimtarisë krijuese, e cila i zgjidh konkretisht çështjet e ndërlikuara që dalin, një fushë e përshtatshme e veprimtarisë së tyre hulumtuese, midis të tjerash, ndoshta do të ishte procesi i mbështetjes së muzikës profesioniste mbi muzikën tradicionale, etj.

VEZHGIMI I BASHKEKOHESISE SE MUZIKES TRADICIONALE:  TEORI DHE PRAKTIKE

Studimet etnomuzikologjikë s’duhet të bëhen asnjëherë qëllim në vetvete:  krahas funksionit teorik, ata mund dhe duhet patjetër që të përmbushin edhe detyra të caktuara praktike, artistike ose arsimore, të jetës bashkëkohore.  Studimet etnomuzikologjikë mund dhe duhet të rrahin, gjithashtu, probleme, mangësi, njënshmëri të ndryshme të jetës bashkëkohore artistike në përgjithësi dhe të jetës artistike folklorike në veçanti.  Brenda një qerthulli të tillë, lejomëni të shqyrtoj disa çështje, të cilat, për vetë natyrën e tyre, do të ishin të rëndësishme, si për jetën e sotme, ashtu edhe për jetën e ardhme, të muzikës tradicionale shqiptare.

Ndërsuazimi krijues

Nëse hulumtimi i muzikës tradicionale–botimi dhe studimi i saj–i shërben, më së pari, njohjes, ruajtjes, mbrojtjes së vlerave shpirtërore të popullit shqiptar në plan teorik, në të njëjtën kohë, ai mund dhe duhet t’i shërbejë edhe praktikës krijuese artistike, veprimtarisë së kompozitorëve.  Në këtë kuptim, entomuzikologjia lidhet ngushtë me krijimtarinë muzikore profesioniste.  Prandaj kompozitorët shqiptarë me të drejtë kërkojnë nga studiuesit etnomuzikologë, në mënyrë të veçantë, studimin e çështjeve të tilla me rëndësi estetike jetike për të sotmen dhe të ardhmen e muzikës profesioniste shqiptare, si:  karakterizimi i tipareve etniko-kombëtarë të muzikës tradicionale shqiptare;  veçoritë e mjeteve kryesorë shprehës të kësaj muzike;  tiparet themelorë dallues të dialekteve, nën-dialekteve dhe stileve muzikorë më të shquar të saj;  rrugët e përpunimit të muzikës tradicionale nga kompozitorët profesionistë;  mënyrat se si muzika tradicionale shërben si lëndë melodiko-modale e muzikës profesioniste, etj.

Etja e shkollave të muzikës

Kur flasim për studime në fushën e muzikës dhe të vallëzimit tradicional shqiptar, s’duhet të harrojmë për asnjë çast as etjen e madhe të shkollave të mesme të muzikës, të ngritura në disa qytete të vendit, si edhe të Fakultetit të Muzikës, pranë Universitetit të Arteve të Shqipërisë, për studime të tillë.  Etja ka qenë dhe është e shquar sidomos për dy tekste mësimorë bazë të muzikës tradicionale shqiptare:  për një tekst mësimor për shkollat e mesme të muzikës dhe për një tekst mësimor për Fakultetin e Muzikës.  Tekste të tillë mund dhe duhet të paraqesin, në nivele përkatës, arritjet më themelore të disiplinës së etnomuzikologjisë vendase të kryera deri më sot.  Megjithse nuk përjashtohen as raste të qënies së një studiuesi të vetëm si autor i një teksti mësimor, përvoja më pozitive ndërkombëtare tregon se, zakonisht, tekstet mësimorë janë fryt i veprimtarisë hulumtuese të një grupi studiuesish.  Prandaj, në çdo rast, kërkesa themelore qëndron në karakterin e teksteve mësimorë:  më tepër sesa vëzhgime të një studiuesi të vetëm, ato sjellin hulumtime të një grupi studiuesish.  Në çdo fushë diturore, sigurisht, hulumtime të tillë pasqyrojnë gjithmonë një periudhë të caktuar historike.

Brenda këtij qerthulli, ndodhem në një pozitë që, sa me dhimbje, aq edhe me protestë, të dëshmoj se, historikisht, një çështje vazhdimisht e mprehtë për Fakultetin e Muzikës ka qenë mungesa e plotë, për dhjetëvjeçarë të tërë me radhë, e teksteve teorikë mësimorë.  Konkretisht, deri bukur në vitin 1975, nuk ekzistonin tekste mësimorë në shqip të lëndëve të tilla teorike themelore formuese, si:  Solfezh, Folklor muzikor shqiptar, Histori e muzikës shqiptare, Histori e muzikës perëndimore, Harmoni, Kompozim, Analizë forme, Orkestracion, etj.  Duke qenë se mungonin tekstet, pedagogët e pëkushtuar, u jepnin studentëve dorëshkrime, të cilët sidoqoftë ishin të pjesshëm, përsa i takon përmbajtjes së lëndës!  (Ata kalonin si traktate të fshehtë komunistë dorë më dorë nga njëri student tek tjetri!)  Ndërkohë, ndonjë pedagog ose pedagoge, s’ngurronte t’u thoshte studentëve:  “Mos u shqetësoni shumë për leksionet:  Ato do t’i merrni në fund të vitit, përpara se të jepni provimin vjetor!”  Pastaj, mjaft pedagogë, guxonin të mos jepnin asnjë lloj materiali të shkruar!  (“O tempora!  O mores!”)  Dukuri të tilla e bënin, sa dramatike, aq edhe të gjymtuar, mësim-nxënien!  Studentët e përkushtuar të çdo lëmi të diturisë dëshirojnë që të flenë të rrethuar me tekste mësimorë!  Formimi i përgjithshëm teorik e profesional i kompozitorëve, studiuesve, pedagogëve e muzicienëve të ardhshëm u detyrohet shumë teksteve mësimorë.

Përpunime të njëanshme

Në jetën bashkëkohore artistike, shpesh herë, janë vërejtur përpunime të njëanshme këngësh, pjesësh muzikore instrumentore e vallesh tradicionale:  ato, ose nuk e pasurojnë fare muzikën tradicionale, ose i largohen asaj aq shumë saqë vështirë se dallohen modelet muzikorë tradicionalë.  Brenda një qerthulli të tillë, disa çështje etnomuzikologjike, që do të kërkonin shqyrtim të vëmendshëm, ndoshta do të mund të formuloheshin në këtë mënyrë:

  • Në ç’masë duhet bërë përpunimi i muzikës tradicionale shqiptare?
  • A duhet që këngët, pjesët muzikore instrumentore, vallet tradicionale, etj., të përpunohen aq pak sa të jenë gati të njëjta me modelet muzikorë tradicionalë?
  • A është e pranueshme që këngët, pjesët muzikore instrumentrore, vallet tradicionale, etj., të përpunohen deri në atë shkallë sa të humbasin lidhjet gjenetike e strukturore me modelet muzikorë tradicionalë?
  • Cili do të ishte kriteri estetik më i përshtatshëm që mund dhe duhet ndjekur në këtë çështje?

 

Përdorimi i tepruar i melizmave

Në këngë, pjesë muzikore instrumentore e valle tradicionale qytetare, herë-herë, ndihet një rendje e tejskajshme ndaj melizmave, sikur ato të përbënin thelbin strukturor të tyre.  Melizmat, të cilat nënkuptojnë zbritje ose ngjitje mikro-tonale të melodikës, nëse përdoren vend e pa vend, denatyrojnë përfytyrën melodiko-modale të muzikës tradicionale qytetare.  Sipas mendimit tim, përdorimi i tejskajshëm i melizmave vetëm se sjell një lloj atmosfere orientale!  Brenda një qerthulli të tillë, disa çështje etnomuzikologjike, që do të kërkonin shqyrtim të vëmendshëm, ndoshta do të mund të formuloheshin në këtë mënyrë:

  • A duhet që të përdoren melizmat në muzikën tradicionale të qyteteve të Shqipërisë së Mesme (Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan), si edhe të qyteteve të tjerë të vendit?
  • Nëse mund të përdoren, deri në çfarë shkalle do të ishin ato të pranueshme?
  • Nëse nuk duhet të përdoren, cilat janë arsyet?
  • Cili do të ishte kriteri estetik më i përshtatshëm që mund dhe duhet ndjekur në këtë çështje?

Prania e tercave paralele harmonike

Në këngë, pjesë muzikore instrumentore e valle tradicionale qytetare, herë-herë, ndihet si mbizotëruese përdorimi i tercave paralele harmonike.  Kështu, ndodh, p.sh., në krijime, si:  “Hej, aman-aman”–kënduar nga njё soliste dhe një grup burrash (“Bajram Curri”);  “Po bijen tri dajre”– kënduar nga një duet burrë-grua (Pogradec), etj.  Sipas mendimit tim, përdorimi i tercave paralele harmonike vetëm se sjell një lloj atmosfere sllave!  Brenda një qerthulli të tillë, disa çështje etnomuzikologjike, që do të kërkonin shqyrtim të vëmendshëm, ndoshta do të mund të formuloheshin në këtë mënyrë:

 

  • A duhet që të përdoren tercat paralele harmonike brenda muzikës tradicionale shqiptare?
  • A janë ato tipike për ndërthurrjen harmonike të saj?
  • Ndikojnë apo nuk ndikojnë tercat paralele harmonike në përfytyrën etniko-kombëtare të muzikës tradicionale shqiptare?
  • Cili do të ishte kriteri estetik më i përshtatshëm që mund dhe duhet ndjekur në këtë çështje?

Prirja drejt elementeve sensualë

Interpretues të muzikës tradicionale qytetare–këngëtarë, instrumentistë, valltarë, etj.–, herë-herë, shkojnë deri aty sa të denatyrojnë përfytyrën tërësore melodiko-modale, bukurinë estetike, magjinë e vërtetë, të saj.  Krahas rendjes ndaj elementeve muzikorë orientalë, në raste të tillë, zakonisht, vërehet një prirje e shquar drejt një lloj interpretimi sensual.  Kështu ndodh, p.sh., në këngë, si:  “Doli goca në penxhere,” “Qaj, moj zemër, mos pusho,” etj.  Sipas mendimit tim, sensualizmi s’duhet të jetë atomsfera mbizotëruese emocionale e muzikës tradicionale qytetare!  Brenda një qerthulli të tillë, disa çështje etnomuzikologjike, që do të kërkonin shqyrtim të vëmendshëm, ndoshta do të mund të formuloheshin në këtë mënyrë:

  • A duhet që muzika tradicionale e qyteteve të Shqipërisë së Mesme (Tiranë, Durrës, Kavajë, Elbasan), si edhe e qyteteve të tjerë të vendit, të interpretohet sensualisht?
  • A duhet rendur pas një intepretimi sensual me qëllim që të tërhiqen dëgjuesit?
  • A s’ka rrugë të tjera që të mund të bëhen për vete artdashësit?
  • Cili do të ishte kriteri estetik më i përshtatshëm që mund dhe duhet ndjekur në këtë çështje?

Parapëlqimi i instrumenteve elektrikë   

Sidomos gjatë dhjetëvjeçarëve të fundit, brenda formacioneve instrumentorë të muzikës tradicionale qytetare (ageng, grup, saze, orkestrinë, orkestër, ansambël), herë-herë, është vërejtur zëvendësimi i instrumenteve tradicionalë aktustikë me instrumente modernë elektrikë.  Kështu, p.sh., linjën kryesore melodike, në vend të klarinetës ose violinës, e luan pianua elektrike o fizarmonika.  Ose:   kitara akustike është zëvendësuar thuajse gjithmonë prej kitarës elektrike, etj.  Pa u futur në hollësira, nënvizoj vetëm dallimet e mëdha timbrike që ekzistojnë midis instrumenteve akustikë dhe atyre elektrikë!  Brenda një qerthulli të tillë, disa çështje etnomouzikologjike, që do të kërkonin shqyrtim të vëmendshëm, ndoshta do të mund të formuloheshin në këtë mënyrë:

  • A duhet që të përdoren instrumentet muzikorë elektrikë brenda orkestrinave të muzikës tradicionale shqiptare?
  • Nëse nuk duhet që të përdoren, cilat janë arsyet?
  • Përse, brenda orkestrinave të muzikës tradicionale shqiptare, duhet të përdoren vetëm instrumente muzikorë akustikë?
  • Cili do të ishte kriteri estetik më i përshtatshëm që mund dhe duhet ndjekur në këtë çështje?

PERMBYLLJE:  TEORI DHE PRAKTIKE

Etnomuzikologjisë shqiptare—shkencës që studion muzikën tradicionale shqiptare—i kanë kushtuar jetën e tyre mjaft studiues albanologë, shqiptarë e ndërkombëtarë, etnomuzikologë e muzikologë.  Si qarqet shoqërorë në përgjithësi, ashtu edhe qarqet shkencoro-artistikë veçanti,   do të donin që ajo të bëhej një fushë diturore autoritare!  Në këtë qerthull, çështja shtrohet: Si mund të arrihet një dëshirë e tillë?

Pasuria e shquar e muzikës tradicionale shqiptare jep mundësi të gjera për studime etnomuzikologjike.  Vetëm se, vlera teorike ose praktike e studimeve të tillë, nuk vjen domosdoshmërisht për shkak të pasurisë së kësaj muzike.  Faktorë të shumtë, objektivë e subjektivë, artistikë e jashtë-artistikë, profesionalë e jashtë-profesionalë, ndërhyjnë në procesin teorik etnomuzikologjik.  Brenda një qerthulli të tillë, lejomëni të shqyrtoj disa çështje, të cilat, për vetë natyrën e tyre, mbase do të ishin të rëndësishme, si për jetën e sotme, ashtu edhe për jetën e ardhme, të etnomuzikologjisë shqiptare.

Misioni i etnomuzikologjisë 

Muzika tradicionale, si pjesë e artit tradicional të një kombi, populli, ose grupi të caktuar etnik, është mjet i fuqishëm i emancipimit shoqëror e shpirtëror, i edukimit ideo-estetik e etiko-moral, i shprehjes së atdhedashurisë, i mbrujtjes dhe forcimit të ndërgjegjes kombëtare. Rrjedhimisht, etnomuzikologjia nuk është një lloj veprimtarie teorike, e cila ekziston thjesht në vetvete, që nuk lidhet me jetën e gjallë kulturoro-artistike, që parapëlqen të flejë gjumë, si gjatë natës, ashtu edhe gjatë ditës me diell!  Në të vërtetë, ajo e kryen misionin e saj–njohjen, studimin, interpretimin e muzikës tradicionale–duke vëzhguar thellë jetën e djeshme, të sotme dhe të ardhme, të kësaj muzike.  Përfundimet e shkencës së etnomuzikologjisë, duke u saktësuar nga koha në kohë, në fund të fundit, hedhin dritë mbi veprimtarinë artistike krijuese e interpretuese të kombeve, popujve, ose grupeve etnikë në përgjithësi.

Autoriteti i etnomuzikologjisë shqiptare 

Autoriteti i etnomuzikologjisë shqiptare mund të ngrihet, mbi të gjitha, duke botuar sa më shumë që të jetë e mundur, si antologji muzikore, ashtu edhe monografi, për aspekte të ndryshëm të muzikës tradicionale shqiptare. Duke mos nënvlerësuar rolin e antologjive muzikore, si edhe duke mos mbivlerësuar rëndësinë e studimeve etnomuzikologjikë, me kohë, do të mund të vendoset një raport më i drejtë midis tyre.  Qё tё mund tё shprehem nё njё mёnyrё tjetёr, antologjitë dhe monografitë, mund dhe duhet të qëndrojnë në një balancë të përshtatshme.  Autoriteti i etnomuzikologjisë shqiptare qëndron, më së pari, në duart e vetë studiuesve etnomuzikologë vendas!

Baza të shëndosha teorike e metodologjike

Eshtë në radhë të parë detyrë e studiuesve etnomuzikologë vendas që t’a hulumtojnë muzikën tradicionale shqiptare në gjithanshmërinë e çështjeve të ndërlikuara, për të kapërcyer një farë prapambetjeje relative që vërehet sot në studimet etnomuzikologjikë.  Në kohën tone, si qarqet shoqërorë në përgjithësi, ashtu edhe qarqet shkencoro-artistikë veçanti, presin që vlerat më të spikatura të muzikës tradicionale shqiptare të botohen, të studiohen e të bëhen të njohura ende më shumë, brenda dhe jashtë vendit.  Në kushtet e sotme, kur Shqipëria është një vend demokratik, tërësisht i hapur ndaj vendeve të Europës Perëndimore dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke u vënë mbi baza të shëndosha teorike e metodologjike, etnomuzikologjia shqiptare i ka të tëra mundësitë që të përparojë.

Shmangje e qëndrimeve të njëanshme 

Dihet se etnomuzikologjia si shkencë lidhet ngushtë me degë simotra të diturisë, siç janë:  muzikologjia, antropologjia, etnografia, historia, gjuhësia, etj.  Por, në të njëjtën kohë, etnumuzikologjia ruan pavarësinë e saj të plotë si shkencë.  Duke qenë i përcaktuar, objekti i saj, është, gjithashtu, i kufizuar.  Kështu, etnomuzikologjia nuk mund të japë përgjigje, p.sh., për çështje të ndryshme të gjuhësisë.  Mirëpo, as gjuhësia, nga ana e saj, nuk mund të shpjegojë çështje të ndryshme të etnomuzikologjisë.  Prandaj është e çuditshme që, ndonjëherë, përgjigjet për çështje të muzikës tradicionale, janë kërkuar nëpër libra filologjikë, objekti i të cilëve s’është aspak muzika tradicionale!  Si nënvlerësimi i studimeve etnomuzikologjikë, ashtu edhe mbivlerësimi i studimeve filologjikë, janë veprime të njëanshëm me pasoja të dëmshme teorike e praktike! 

Progresi i vëzhgimeve të etnomuzikologjisë, ashtu sikurse ai i vëzhgimeve të disiplinave simotra, ecën ngaherë përmes një rruge të gjatë, të vështirë e të dhimbshme, vetëm se duke u ndihmuar e bashkëvepruar me arritjet e mëparshme.  Sakaq, në rastet që, si objekt vëzhgimi bëhen studime para-ardhës, ata duhen vlerësuar gjithmonë drejt.  Si nënvlerësimi, ashtu edhe mbivlerësimi i tyre, janë, teorikisht dhe praktikisht, të dëmshëm!  Etnomuzikologjia shqiptare do të mund të ecë përpara vetëm duke iu shmangur qëndrimeve të njëanshëm në çdo aspekt të veprimtarisë së saj! Ajo do të njohë vazhdimisht zhvillim vetëm duke kaluar natyrshëm nga një stad i procesit studimor në një tjetër.  Në këtë mënyrë, etnomuzikologjia shqiptare do të mund të bëhet edhe një fushë diturore autoritare, brenda dhe jashtë vendit.

Filed Under: Kulture Tagged With: E TE ARDHME, ETNOMUZIKOLOGJIA SHQIPTARE: DETYRA THEMELORE, Prof. Dr. Spro J.Shetuni, TE SOTME

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1295
  • 1296
  • 1297
  • 1298
  • 1299
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT