• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MYSAFIRË NGA KOSOVA NË VATËR

March 30, 2021 by dgreca

Sot, e Marte 30 Mars 2021, pata kënaqësinë që të prisja në selinë e Vatrës ne Bronx, New York, bashkatdhetarë nga Kosova. Dr. Besim Muhadri nuk e ka për të parën herë që viziton Vatrën. Ai është mik dhe dhurues i blibliotekës së Vatrës. Edhe këtë herë  kishte sjellë për bibliotekën e Vatrës 3 kopje të librit të tij”Shtjefën Gjeçovi dhe Kanuni i Lek Dukagjinit”, një libër studimor me 317 faqe, ku janë përmbledhë studime rreth jetës të Shtjefën Gjeçovit dhe Kanunit të Lek Dukagjinit. Në libër janë të përfshirë dhe dy artikuj të botuar në gazetën Dielli si: Faik Konitza”Ca Kujtime mbi At Gjeçovin”-Dielli 18 Mars 1930; dhe “Si ia dha Besën Gjeçovi Paskal Giadrit për ta lënë duhanin(Botoi Dielli 6 dhjetor 1929-marrë nga Gazeta shqiptare-Bari) etj. Libri ndodhet tash e tutje në bibliotekën e Vatrës në 3 kopje dhe të interesuarit mund ta tërheqin për ta lexuar.

   Dr. Besim Muhadri kishte sjellë për bibliotekën e Vatrës edhe librat”Rrjedhat e zhvillimit të Arsimit Shqip në krahinën e Hasit” , i shkruar në bashkëpunim me studiuesin Shaqir Lusha; si dhe librin e tij”Maletasit- Burra të Pushkës e të Penës” në 3 kopje.Dr. Muhadri shoqërohej nga profesor Hasan Sadriu, ish inspektor i arsimit në Kosovë.

Anëtari i këshillit të Vatrës z. Ramiz Mujaj shoqëroi gjatë vizitës në Vatër mikun e tij vizitor për të parën herë në SHBA, bashkavendasin prej Rugove z. Bek Lajqi.

Pata kënaqësinë t’u përshkruaja miqëve historinë e Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA që nga mbledhja e parë e 24 dhjetorit 1911, që i parapriu bashkimit të shoqatave shqiptare në Vatër në mbledhjen themeluse të 28 prillit 1912, plot 109 vite të shkuara.

Mysafirët lanë mbresat e  tyre  me shkrim gjatë kësaj vizite në librin e  vizitorëve në Vatër. Vatra është e hapur për çdo bashkatdhetar.

Filed Under: Featured Tagged With: Bek Lajqi, Dr. Besim Muhadri, Hasan Sadriu, Ramiz Mujaj

Ministrja Donika Gërvalla takon Ambasadorin Amerikan Philip Kosnett

March 30, 2021 by dgreca

–Ministrja Gërvalla priti ambasadorin Amerikan Kosnett, Shtetet e Bashkuara janë partner strategjik i pazëvendësueshëm i Kosovës në politikën e jashtme. Përkrahja Amerikane për lirinë tonë ka filluar përpara shumë dekadash../

PRISHTINË, 30 Mars 2021-Gazeta DIELLI/

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, znj. Donika Gërvalla, tha të martën se Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë partner strategjik i pazëvendësueshëm i Kosovës në politikën e jashtme të Republikës së Kosovës gjatë mandatit të saj, si drejtuese e politikës së jashtme, jo vetëm në bashkërendimin e politikave në raport me vendet e tjera, por edhe në mbrotjen e interesave të Republikës së Kosovës. 

Ministrja Gërvalla i bëri këto komente pas një takimi shumë të përzemërt që zhvilloi me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara në Republikën e Kosovës, z. Philip Kosnett, me të cilin diskutuan tema të ndryshme, në veçanti ato që kanë të bëjnë me zhvillimet në vend, raportet ndërfqinjësore, si dhe thellimin e bashkëpunimit të gjithanshëm midis dy popujve miq.    

“Kontributi i Shteteve të Bashkuara në raport me Republikën e Kosovës është vështirë i përshkrueshëm me pak fjalë, ngase përkrahja amerikane për lirinë tonë ka filluar përpara shumë dekadash. Një Kosovë e fortë, demokratike, ku zbatohet ligji dhe respektohen të drejtat dhe liritë e secilit qytetar, një Kosovë me mirëqenie dhe e integruar në BE dhe NATO, është interes i yni i përbashkët”, tha znj.Gërvalla.

Në këtë takim është biseduar edhe për situatën aktuale me pandeminë, si dhe nevoja urgjente për rimëkëmbje ekonomike dhe gjenerimi i vendeve të reja të punës.

Sa i përket normalizimit të marëdhënieve me Serbinë, drejtuesja e diplomacisë kosovare ka theksuar nevojën për të zhvilluar bisedime përmbajtesore, të ndërmjetësuar nga partnerët ndërkombëtar, të cilat duhet të rezultojnë me një marrëveshje që nuk cenon kushtetuetshmërinë, sovranitetin dhe integritetin territorial, si zgjidhje e vetme për paqe të qendrueshme në rajon, fqinjësi të mirë dhe prosperitet për të gjithë popujt e kësaj pjese të Evropës.  

Filed Under: Kronike Tagged With: Donika Gervalla, Ministrja e Jashtme, Philip Kossnett, priti ambasadorin amerikan

ANTENA

March 30, 2021 by dgreca

NGA MARJANA BULKU/

Antena …përkon me një moment të veçantë të jetës time ,maj -qershor 1993 , e kur ndër të tjera vendlindjes time Peshkopi , do ti vendosej Antena, investim i Këshillit të Rrethit të asaj kohe e ku së fundmi qytetarët do mund të shihnin disa kanale televizive më shumë pas një kohe të gjatë izolimi të shumëfishtë.

…Më vjen në mendje shpesh antena edhe si koncept edhe si objekt . Antena si koncept mbeti gjallë jo vetëm në memorje por edhe në sjelljen tonë duke e deformuar ato , ndërsa e dyta ,objekti antenë do të kujtohet gjithmonë si objekt i munguar apo misterioz, i mbetur në tentativë e padyshim si një relike që na mbajti gjallë kureshtjen tonë naive dhe përherë fëmijnore mbi të panjohurat përtej izolimit tonë shekullor.

Të vetmohuar nga bota përtej nesh e cila e megjithatë ekzistonte me të mirat dhe të këqijat e saj , antena brënda nesh u shndërrua në një “ organ jetësor” nëpërmjet të cilit mund të ndiqje jetën e tjetrit, dëshirat, lëvizjet, ëndrrat për liri apo shijet e fshehta për muzikë, art, kinematografi.

Kjo shtojcë “ organike “ shprehje e varfërisë mendore e intelektuale nisi të zëvendësonte proçese që njeriun e bëjnë thelësisht njeri : si të menduarit, të reflektuarit apo të analizuarit me veten dhe për veten ,pasi vetvetja nisi të zëvendësohej me “ po tjetri çfarë bën, ha , pin , mendon apo ëndërron , pasi për veprime nuk bëhej fjalë pasi ato kishte se  kush ti kontrollonte.

Shndërrimi në mendësi i këtij instikti të nxitur ( aspak të lindur ) do tē linte pasoja të jashtëzakonshme në sjelljet njerēzore duke kushtëzuar shpesh herë edhe veprimet dhe ndërveprimet e tyre.Duket sikur as liria nuk ka efekt mbi individët që jetojnë me këtë shtojcë jo organike që ndjek dhe përndjek tjetrin .Nuk është aspak rastësore xhelozia, fyerjet, imitimet, kopjimet sjelljet euforike, poshtrimi i tjetrit, denigrimi, mohimi, viktimizimi, etj janë të gjitha derivat i  ekzistencës së “ antenës brenda vetes” , asaj që në një mënyrë apo në një tjetër është shprehje e palirisë dhe e varësisë individuale nga ajo kolektive tipar ky që lind inferioritetin dhe e bën njeriun të dobët, pre e veprimeve të tjetrit , përgjues dhe përgojues duke ia zbehur aftësitë krijuese dhe reflektuese të cilat do ta shndërronin atë në më kreativ nëse do ti kushtonte më shumë kohë vetvetes nëpërmjet mendimit, meditimit dhe plot efekteve të tjera që burojnë prej këtyre akteve thellësisht njerëzore.

Për objektin antenë , reliken primitive që na e sillte botëzën fshehtësisht në ekranin gri dhe sytë e etur të ëndrrave tona të fikura mendoj gjatë edhe pse pak është shkruar. Të gjithë e kujtojmë nga një të tillë , e fshehur , prej telash që gërshetoheshin , alumin gjysëm reflektues , në interferencë konstante me realitetin po aq gri e të pabojë si ekranet e kohës, e plot e plot mundime të tjera për shpresë sinjali, figura me xixa, zëra të largët të panjohur , të ndaluar. Disave kjo lloj antene nuk u funksionoi dot  kurrë , sepse ajo tjetra , antena brenda vetes dikujt ( fqinjit, farefisit apo klientit misterioz ) ishte fuqiplotë . Antena, kjo relike e kujtesës tonë kolektive mbeti e largët ndërkohë kur ne e kishim kaq jetike informacionin, kulturën , njeriun me tërë universin e vlerave që zoti ia ka falur qëkurse e krijoi duke i dhënë tiparet e llojit mendimtar dhe krijues,reflektues dhe debatues, kureshtar i arsyeshëm dhe kërkues të drejtash dhe lirish.

Antena ky objekt kërkues  , le të jetë sensor i ndjesive të munguara të njerëzores brenda dhe jasht nesh, i atyre cilësive që jetës i japin ngjyrat e munguara , ato që asaj ia dhunoi koha, njerëzit pre e saj apo viktima të saj . 

Filed Under: ESSE Tagged With: Antena, Marjana Bulku

Ne Pritje me Shprese te Votimeve Parlamentare te 25 prillit 2021

March 30, 2021 by dgreca

Ahkruan: Prof. Sami REPISHTI/

Ridgefield,CT.-Zgjedhjet parlamentare që pritet të mbahen në Shqipëri me 25 prill 2021 kanë marrë nji randësi të veçantë për qytetarët shqiptarë si dhe për vezhguesët e mbrendshëm dhe të jashtëm. Kjo ashtë koha, ky ashtë momenti që detyron udhëheqjen politike të vendit me paraqitë nji program konsistent socio-ekonomik dhe politik. E meta kryesore duket se ashtë mungesa e nji orientimi politik të studjuem mirë nga klasët udhëheqse, dhe nji ngritje e dukëshme e pakënaqsisë popullore me qeverisjen tetëvjeçare të Partisë socialiste njipartiake të vendit. 

    Dy muej ma parë, SHBA kaloi nji krizë të randë dhe artificiale të demokracisë 245 vjeçare amerikane, si rrjedhim i veprimtarive kundërligjore të ish presidentit D.J.Trump që kulminoi me sulmin fizik kundër ndertesës së Kapitolit (selia e Kongresit amerikan). Ky akt banditesk u përballue me gjakftohtësi por kushtoi pesë jetë njerëzore të pafajshme dhe disa miljona dollarë dame materiale. Në fund të ballafaqimit në mes të rebelëve pa nji kauzë dhe organeve shtetnore u krye rivendosja e shpejtë e rendit në zonën e damtueme dhe rifillimi i sesioneve të rregullta të dy dhomave. Demokracia tregoi forcën e vet; ajo triumfoi!

   Ajo që mbeti  ashtë  nji frymë ndasie në opinionin publik dhe nji atmosferë e acarueme thellë mbas perfundimit të votimeve dhe numërimit të tyne. Kandidati i zgjedhun lirisht, Joseph R.Biden, Jr. u konfirmue si president i SHBA-së dhe filloi punën në periudhën e tranzicionit.  Kjo ndasi ka qenë, dhe mbetet akoma, dami ma i madh i ballafaqimit të 6 janarit. Populli amerikan kishte nji nevojë të madhe me normalizue rendin e qetësinë. Në këte moment historik, Presidenti Biden mbajti  nji qendrim mirëkuptimi tue ju drejtue të gjithëve me këto fjalë: 

    “ Të gjithë amerikanët, veçanërisht udhëheqsit e vendit, janë të detyruem dhe përgjegjës të mbrojnë të vertetën dhe të mposhtin gënjeshtrat. Duke vepruar në këte mënyrë përfundojmë këte luftë të paqytetnueme dhe sherojmë shpirtin e kombit tonë. Kjo ashtë detyra që kemi përpara. Dhe ashtë kjo detyrë që duhet të ndermarrim së bashku”.

   Kështu e shoh unë sot gjendjen në Shqipëri në esencë megjithëse jo në hollësina. Populli shqiptar ashte i ndamë keqas dhe i anmiqsuem. Kjo dilemë ekzistenciale rrezikon të tashmen dhe të ardhmen e atdheut tonë të përbashkët. Duhet të ngrihemi në naltësinë e momentit, të dialogojmë e jo të përleshemi, t’i japim dorën njeni tjetrit në nji punë ndertimtare të atdheut tonë të përbashkët shqiptar. Indiferenca e shumicës  kercënon këte vend që quejmë “atdheu Nenë!” Duhet t’a mundim! Në Shqipërinë e sotme njeriu ka përshtypjen sikur e gjithë pervoja e jonë, e së tashmes dhe e së kaluemes, ashtë përqendrue në nji kand-veshtrim me karakter thellësisht partiak. Ngushtimi i horizontit tonë politik ashtë nji e metë ndoshta fatale! E ashtu-quejtuna “politika” në Shqipwri vazhdon të zhvillohet në nji atmosferë vranësie që nuk premton ndriçimin e diellit në qiellin e atdheut. Nji tragjedi shqiptare në zhvillim e sipwr….!

    Të gjithë jemi përgjegjës për këte situatë, por klika sunduese ma shumë se të tjerët. Mbas tetë vjet qeverisje ajo ka humbë besimin e popullsisë së vendit që trajtohet si punëtorët e çiflikut privat. Akoma ma shqetësues ashtë fakti se për afër dy vjetësh socialistët qeverisin vendin me sistem nji-partiak, mbas largimit të pa justifikuem nga Parlamenti e skena politike zyrtare të Partisë Demokratike. Ajo që çuditë vezhguesët ashtë paturpësia publike e qeverisë njipartiake me pranue qeverisjen njipartiake në nji vend si Shqipëria që po kalon nga diktatura ma e egër nepërmjet nji tranzicioni pa premtim e trashëgimtarëve të ish PKSH/PPSH me bilanc negativ në historinë e vendit tonë. Etja për pushtet absolut spjegon gjithçka. 

     Na duhet nji gjuhë e përbashkët me parashtrue nji program socio-ekonomik e politik  me qellim që të vihet vendi në rrugën e përmirësimit të përgjithëshëm, të sherohet nga të metat që e mundojnë dhe të avancoj drejt ndertimit të nji shteti ligjor, modern dhe përparimtar!  Rezultati i të metave tona ashtë nji Shqipëri e nji shoqëni shqiptare që nuk gjejnë gjuhën e përbashkët as edhe nji vullnet politik të duhun që imponon momenti! Shqipëria nuk jeton dhe nuk zhvillohet në vakuum. Shqipëria ashtë nji vend europian, dhe duhet t’i adaptohet kulturës europiane si domosdoshmëni historike. Devijimet rrezikojnë dështimin e  saj. 

   Këto kohët e fundit,  tri ngjarje me randësi kanë hjedhë dritë mbi situatën tonë: 

1)Votimet e 14 shkurtit në Kosovë: regjistrimi i plotë i votuesve, zgjedhja pa presion e kandidatëve të preferuem, numërimi i ndershëm i votave, deklarimi i rezultateve të votimit dhe emnat e kandidatëve fitues – dhe ajo që kunorëzon këte sukses atmosfera e qetë dhe qytetnuese e të gjithë procesit. Dallohet sidomos pjesëmarrja e gjanë dhe fitorja e thellë e grave në votim. Në nji  shtet të ri me nji shoqëni thellësisht patriarkale nji sukses i këtill merr përmasa historike: shembull për shumë vende të botës, dhe sigurisht edhe për Shqipërinë. “Suksesi Kosovar”:  prova ma elokuente se zgjedhjet e lira e të ndershme janë të mundshme edhe në Ballkanin perendimor!

2) Me 5 mars, shtypi francez botoi deklaratën e Presidentit francez, Z. Emmanuel Macron, i cili ka marrë përsipër me rifillue marrëdhanjet Francë-Algjeri mbi nji platformë të ndershme “…pajtimi me ndihmën e së vertetës”. Ai deklaroi se vdekja e udhëheqsit revolucionar algjerian, avokatit nacionalist Ali Boumendjel i arrestuem me 5 shkurt 1957, mbas 43 ditëve nen torturë të vazhdueshme dhe të pamëshirëshme u cilësue zyrtarisht si “vetëvrasje”.

   “ Jo!” tha Presidenti Macron.” E verteta ashtë se mbas torturës ai u hodh nga dritarja e katit të gjashtë  prej ushtarëve francez, e vdiq nga plagët e marruna. Boumendjeli “tha Presidenti Macron ’’…ashte vra nga ushtarët francez….Unë flas në emën të Francës. Boumendjel nuk vrau veten; u torturue dhe ma në fund u vra!”

    Qendrimi guximtar  e dinjitoz i Presidentit Macron u kritikue nga shumë nacionalistë dhe kolonistë, tue përfshi edhe Kryeministrin e Francës, Z. Jean Castex . Por Presidenti Macron e thelloi akoma ma shumë këte dikotomi të publikut francez. “Nuk ka krim, as atrocitet që u krye në Luftën Algjeriane (1954-62) që ka mundësi “me u falë ose me u fshehë….Këto akte kriminale duhen shikue me guxim dhe qartësi mendore dhe me nji respekt absolut për të gjithë ata, jeta dhe dinjiteti i të cilëve u shkatërrue… Breznia  e re duhet të tregohet e aftë me ndertue fatin e vet me duert e veta, larg  nga dy kanalet e fëlliqta siç janë amnezia dhe smira….Ashtë misioni i tyne, rini franceze dhe algjeriane, me ec në rrugën e së vertetës, rruga e vetme që shpie në pajtimin e kujtesave….” 

    Nji akt i këtill i Presidentit francez ashtë nji shembull i shkelqyeshëm për të gjithë ne, e sidomos për rininë, në gjykimin e së kaluemes dhe të së tashmes sonë. A do të ketë udhëheqës politik shqiptar që flet të vertetën për krimet komuniste në emën të nji Shqipërie  dinjitoze? Na urojmë!

3) Të marten, 9 mars, The New York Times botoi nji essay ku thuhet:” Dy javë ma parë Qeveria e SHBA-a deportoi nji resident, për pjesëmarrje në krimet naziste gjatë L2B, i cili u kthye në Gjermani ku autoritetet vendosën me ba akuza të reja. Ai kishte jetue në SHBA që nga viti 1959.

   Krimi për të cilin u deportue u ba gjatë dimnit të viteve 1944-45, në muejt e fundit të Luftës kur Z. Berger ishte nji djalosh 18 vjeçar. Simbas Departmentit të Drejtësisë ai ishte nji roje e armatosun në nji kamp përqendrimi dhe si mbikëqyrës i të burgosunëve që hapnin llogore në kondita shumë të veshtira. Vuejtja  e të burgosunëve u kushtoi jetën 70 viktimave.

    Në moshën 95 vjeçare, Z. Berger ka pasë mjaft kohë me meditue dhe me u pendue për aktet e tia, me gjykue në ndërgjegjen e vet dhe me jetue nji jetë shembullore.  Asgja nuk pakëson peshën e fajit të kryem nga ish nazisti,  por me burgosë nji ish fajtor në moshën 95 vjeçare për ate që ai ka ba në moshen 18 vjeçare më duket se ashtë  gabim. A mori fajtori dënimin korrekt të drejtësisë reale, apo shumë pak  shumë vonë? Sinqerisht, nuk e dij!” përfundon treguesi. 

     Faktori kohë luen nji rol të randësishëm dhe nuk mund te neglizhohet….! Koha sheron! Koha, kjo vazhdimsi momentesh me tanësinë e rrethanave objektive që sjellin ndryshime në ngjarjet dhe fenomenet që e ndjekin, përban nji vlerë kardinale për kuptimin dhe interpretimin e momentit historik të njerëzimit. 

     Shembujt e masipërm tingëllojnë si probleme të pazgjidhuna tek ne! Shqipëria vuen nga nji krizë e randë morale sepse refuzon me marrë në konsideratë nji analizë të ndershme të së kaluemes komuniste, dhe me nxjerrë mësimet e paevitueshme, ashtu si  shumë vende tjera, kryesisht Gjermania e post-nazismit, të zhvillojë votime të lira e të drejta, të ndigjojë udhëheqsit politikë që flasin të vertetën, dhe të gjykojnë me frymën e faljes së fajit krimet e terrorit komunist! 

     Kolegu i im Frank G. Shkreli, ish anëtar i Komisionit të parë amerikan për vrejtjen e votimeve të 21 marsit 1991, konstaton se që në fillim deri sot“… zgjedhjet nuk ishin as të lira as të drejta. Unë ”shkruen Z. Shkreli, “ kam thanë shpesh herë se tranzicioni i tejzgjatur post-komunist në Shqipëri ka rranjët e veta gjithënji në ato të zgjedhjeve të para….”.Për këte shperthyen demonstratat e opozitës. Dymbëdhjetë dite ma vonë, me 2 prill 1991 un masakruen mizorisht katër demonstratorë demokratë: Arben Broci, Besnik Bishanaku, Nazmi Kryeziu dhe Besnik Ceka, deshmorët e parë të demokracisë së re në Shqipëri, dhe u plagosën dhjetra të tjerë nga forcat e Sigurimit të Shtetit simbas instruksioneve të Ministrisë P. Mbrendshme. Akoma sot “nuk janë gjetë” përgjegjsit e krimit, dhe emnat e tyne i ka mbulue harresa…!  “Ish-udhëheqsit komunistë” nuk kërkuen falje për krimet e panumërta të kryem gjatë rregjimit gjakatar komunist 45 vjeçar, me gjithë qendrimin tepër tolerant të klasës së re politike që mori përsipër ndertimin e demokracisë. 

     Gjaku i shqiptarëve të vramë pafaj, burra, gra -e fëmij jetimë të uritun- ka njollosë dhe vazhdimisht njollosë edhe sot shqiptarët komunistë të pa korrigjueshëm për sa kohë që ata refuzojnë pranimin e fajit, dhe fillojnë me kerkue faljen nga viktimët, nji proces që lejon afrimin dhe fillimin e nji epoke të re, të qytetnueme. Skena të egërsisë edhe sot mbeten të gjalla në kujtesën e nji popullsie të tanë dhe nji porosi e përherëshme për çdo ish komunist, se pavarësia e Shqipërisë ashtë ma shumë se nji akt politik. Ajo ka edhe  karakter  personal  për çdo qytetar: vuejtjet e pa kufi për 45 vjet me rradhë e viktimës dhe e familjes së tij do të mbeten nji njollë e zezë që nuk mund të harrohet…as të falet me lehtësi e pa dhimbje shpirtënore. Prandej, fjalimet e kuadrove të nalta socialiste janë skandaloze… plot vrer, hakmarrës…dhe të pafalëshëm as sot, as mot…!

    Ashte krijue nji situatë demoralizimi me përpjestime historike në atdheun tonë të përbashkët. Në qoftë se fajtori nuk ndeshkohet, mesazhi për shqiptarët ashtë  se krimi paguen dhe ashtë i lejueshëm…. nji konkluzion rezultati i të cilit pengon bashkëjetesën tonë normale në vend. “Fajtori nuk ashtë vetëm ai/ajo. E gjithë kjo katrahurë ashtë nji mënyrë jetese në nji botë ku mbretnon sekreti, dominimi i të fortit, mashtrimi dhe hajdutnia. Ndeshkimi i fajit ashtë simbolik për publikun e gjanë, dhe me shumë randësi: me i dhanë publikut sensin e llogari-dhanjes” shkruente rishtas Prof. Ruth Ben-Ghiel. 

    George Washington, babaj i SHBA-së gjykonte se:” Administrimi i plotë i drejtësisë ashtë shtylla ma e fortë e nji qeverisje të mirë”! Nuk ashtë  e rastësishme kërkesa e vazhdueshme e miqve tonë amerikanë për vendosjen e drejtësisë dhe llogari-dhanjes qeveritare. Udhëheqsit politikë të partive tona politike duket sikur kanë vështirësi ndigjimi, edhe kur u thuhet se …nuk ka gja ma të keqe në politikë se nji politikan i deshtuem që refuzon me dhanë dorëheqjen!

    Ashtë e dhimbëshme me lexue në shtypin e vendit se Akademia Studimore Politike, simbas veshgimit, ka deklarue se në shkelje të Kodit Zgjedhor jane miratuar 5 ligje nga Parlamenti nji partiak socialist, 2 vendime të qeverisë socialiste, dhe 1 vendim i Këshillit Bashkiak….që sjellin përfitime apo masa lehtësuese për periudhën katër mujore para zgjedhjeve të 25 prillit si falje detyrimesh, taksash , tatimesh, rritje rrogash, punësime të reja në Administratë, dhe sjellin favorizim elektoral për partitë politike në pushtet.  Tue folë për zgjedhjet e kalueme Gjenerali Pirro Ahmetaj theksonte, në nji intervistë me Zërin e Amerikës :” …se të gjithë jemi fajtorë, pasi të drejtën sovrane të votës e kemi shitur për nji thes miell, ose lejuar të na e vjedhin dhe ia kemi nxirë faqen Shqipërisë…Shqipëria është në udhë-kryq, të gjithë janë të hutuar, pasi besimi te vota e lirë dhe shteti i së drejtës kane rënë. Shpresët e demokracis funksionale dhe harmonia e pushteteve jane vrarë.  Shqiptarët duhet të marrin pjesë në votimet (e 25 prillit) në Shqipëri dhe të marrin fuqinë e kontrollit të pushtetit në duart e tyre… “(15.III.’21)

    Tue folë për përgatitjet e listave elektorale nga udhëheqsit e partive politike, analisti Lutfi Dervishi deklaronte “…në nji farë mënyre, krytarët e partive politike janë sulltanët e këtij mjedisi, të cilët vendosin se cili do të jetë në Kuvend dhe cili jo!” (VoA-7.III.’2I) Kjo masë disiplinore për përfaqsuesët në Parlament shërben interesët e partive politike, por mohon elementin esencial të qellimit të zgjedhjeve: zërin e qytetarit votues e sovran i vertetë i jetës politike të vendit. Ky sistem “listash” nuk ashtë “demokratik”, por ka marrë pushtetin e “ligjit”. 

    Qortimet e këshillat e Ambasadores amerikane, Zonja Yuri Kim, bien në vesh të shurdhët: “Korrupsioni mbetet nji shqetësim kryesor i Shteteve të Bashkuara si në gjyqsor ashtu edhe në politikë…..”  (Panorama 12.III.2021) Diplomati i naltë amerikan, Z.Matthew Palmer deklaroi pak ditë ma parë:” SHBA do të vazhdojnë të investojnë mjaft energji dhe kapital politik në Shqipëri”. Ai tha gjithashtu se “Shtetet e Bashkueme dëshirojnë të shohin që zgjedhjet e (25) prillit në Shqipëri të kryhen në bazë të standarteve më të larta ndërkombëtare”.Ky reagim i padëshirueshëm ishte përgjigjja e amerikanëve ndaj zgjedhjeve post-komuniste në Shqipëri, të kontestueme fort, dhe damtue nga parregullsi gjatë fushatës si dhe gjatë ditës së votimit tue përfshi edhe pretendime të blerjes së votës dhe manipulime me numërimin e votave, raportonte Zëri i Amerikës pak ditë ma parë….! 

     Problemi i emigrimit masiv po ashpërsohet çdo ditë. “Shqipëria vuen njëkohësisht  shpopullimin masiv, lindëshmeninë e ulët (madje me shtesë natyrore negative) si dhe mplakjen e shpejtë demografike, simbas nji studimi nga Znja Majlinda Zajmi.

     Banka  Botënore në raportin e saj “Perspektiva Ekonomike Globale”(Janar 2021) raporton se ekonomia e Shqipërisë është tkurrë me 6.7 % vitin e kaluar, çka ka ndikuar drejtë për së drejti

 edhe humbjen e vendeve të punës dhe rritjen e nivelit të varfërisë” raporton VoA, 13.III 2021.  

Përveç faktorëve objektivë Dhoma e Tregëtisë konfirmonte se “…korrupsioni endemik ashtë nji nga pengesat kryesore të business-it në Shqipëri”. 

   Pa dyshim orientimi i sotëm drejt zgjedhjeve me lista elektorale të përgatituna nga kryesitë e partive politike që synojnë forcimin e pozitës politike të nji grupi udhëheqës ashtë i gabuem, veçanërisht në nji vend tarafesh e interesash të shumëllojta siç ashtë vendi i jonë. Qytetari shqiptar i Iirë e votues, duhet të dij se kush ashtë përfaqsuesi i tij  dhe, në se ai që ka marrë votën e tij nuk eliminohet për arsye të rreshtimit në listen elektorale. Ndryshimi i këtij sistemi zgjedhor ashtë me randësi kapitale dhe duhet të kryhet sa ma shpejt, aq ma mirë.

    Pushtetarët duhet t’i rezistojnë kerkesave që vijnë nga individë ose grupe të vogla për zgjidhje   problemesh gjithëpërfshirëse me shpejtësi. Ajo që nevojitet ashtë nji studim i thuktë e serioz i përgjigjes që mendojmë me dhanë, tue u mbështetë në evidencën ekzistuese. Faktet janë kokëfortë dhe nuk lëvizin dot për dëshirën ose urdhnin e personave tekanjoz e arbitrarë. Gjithashtu , aksionet tona të ndërmarruna mbas nji katastofe, shpesh herë janë të motivueme ma shumë nga emocionet që përjetojmë se nga logjika e llogaritjet racionale. Dhe në se merren, ata kthehen mbrapa me shumë vështirësi! Ashtë nji problem që duhet marrë parasyshë!

     Rreziku i madh vjen nga grupe të vogla, ose individë aventurierë që janë tërheq nga apeli i dhunës dhe aventurës, të armatosun dhe të motivuem me veprue nën influencën e bindjeve të tyne ideologjike, nji vendosmëni me mbrojtë nji identitet  që bashkëndahet me të tjerët, ose nga frika se do të anashkalohen. Nji hap me randësi në vendosjen e legjitimitetit historik do të bahet vetëm atëherë kur bashkësia e shoqënisë së cilës  ata i takojnë marrin inisiativën me i nxjerrë jashtë radhëve të saj!

    Unë pres që zgjedhjet e 25 prillit të shenojnë fillimin e nji epoke të re politike dhe sociale në atdheun tonë të trazuem nga aventurat politike, tue fillue me nji respekt për dinjitetin e barazisë së çdo qytetari, qoftë në marrëdhanjet ndernjerëzore, qoftë në marrëdhanjet me pushtetin. Nji qendrim i këtill nuk imponohet; ai ashtë i ndiem thellë nga cilido nga ne. Ky qendrim përbuzë përpjekjet civile  ose zyrtare me dehumanizue çdonjenin, në çdo kohë e çdo vend. Përbuzëja e nji sektori të shoqënisë ashtë thjesht racizëm, dhe racizmi ashtë ma shumë se nji problem: ai ashtë nji mëkat!

    Reparimi i së keqes kërkon nga ne me thanë “të vertetën mbi mëkatin”. Lufta e çdonjenit kundër “mëkatit” ashtë nji përpjekje personale e vazhdueshme. Martin L. King, Jr. spjegonte:” Ai/ajo që ashtë pa frymë falje, ashte pa fuqi me dashtë. Na nuk mund të kufizohemi me ‘faljen e mëkateve’; duhet shkue nji hap përtej: me përqafue pajtimin dhe afrimin njeni me tjetrin”.

   Ashtë vendi i jonë i përgatitun për nji rigjenerim mendor dhe shpirtënor, mbas kaq  vuejtjesh?

   Unë shpresoj !

Filed Under: Ekonomi Tagged With: 25 Prill 2021, Prof.Sami Repishti, Votimet Parlamentare

DIASPORE SHQIPTARE – PERGJIGJU CENSUSIT!

March 29, 2021 by dgreca

Majko me Grubin: Bashkë për të nxitur Diasporën të regjistrohet në Census/Ministri i Shtetit për Diasporën, Z. Pandeli Majko priti me 23 Mars në takim zëvendëskryeministrin e parë të Maqedonisë së Veriut, Artan Grubi. Në takim u fol për rëndësinë e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut dhe u theksua rëndësia që ka përfshirja sa më e madhe e Diasporës shqiptare në këtë proces. Zv/kryeministri Grubi u shpreh se kush më mirë se Ministri Majko mund të luaj një rol kyç për të ndihmuar në regjistrimin e mërgatës së Maqedonisë se Veriut, duke sjell në vëmendje gjithashtu kontributin e Ministrit Majko gjatë luftës së Kosovës.

“Kënaqësi e veçantë të takohem me mikun tim, Ministrin Pandeli Majko. Të gjithë e kujtojnë kontributin e tij në Kosovë. Jam këtu sepse mendoj se Zoti Majko ka rolin kyç për të ndihmuar në regjistrimin e mërgatës sonë. Ky proces regjistrimi është jetik në Maqedoninë e Veriut, sepse të drejtat e komuniteteve në Maqedoni varet nga përqindja në të cilën ato janë të regjistruar në Censius. Pas 20 viteve kemi marrë përgjegjësinë për të realizuar regjistrimin e popullsisë, në vitin 2021 kemi qenë 25.7 për qind, ndërsa tani do të varet nga puna që ne do ta bëjmë bashkërisht për të nxitur mërgatën tonë që të regjistrohen përmes aplikimit online, proces që merr vetëm pak minuta kohë. Zoti Majko nuk heziton asnjëherë të na ndihmojë dhe të japë kontributin e tij dhe e falenderoj shumë”, u shpreh Zv/kryeministri Grubi.

Ndërsa Ministri Pandeli Majko në thirrjen e tij drejtuar Diasporës, vuri theksin te rëndësia e këtij procesi, një proces që do tí japë mundësi shqiptarëve në Maqedoni të përdorin gjuhën dhe flamurin e tyre kombëtarë.

“Ka 24 orë që fushata elektorale është gjysmë e pezulluar, sepse të gjithë faktorët politik në Shqipëri janë të orientuar nga bashkimi dhe thirrja e të gjithë shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për regjistrim. Ky nuk është një proces burokratik. Shqiptarët janë një popull i refuzuar, një popull që i janë refuzuar të drejtat, i është refuzuar edhe numërimi. Numërimi për shqiptarët nuk është një proces burokratik, por është një proces që ka të bëj me të drejtat, në shtetin e tretë që ka më shumë shqiptarë në trojet e veta etnike, Maqedonia e Veriut. Maqedonisë së Veriut nuk i vjen asnjë rrezik nga regjistrimi real i shqiptarëve, por e bën Maqedoninë e Veriut shtet më të vërtetë. Në Maqedoninë e Veriut shqiptarëve deri vonë i është refuzuar numërimi. E theksoj numërimi nuk është proces burokratik, është një proces i cili ka të bëjë me të drejtën. Në qoftë se në një hapësirë ka më shumë se 20 për qind të regjistruar, atëherë i jepet e drejta e përdorimit të gjuhës shqipe, zyrës zyrtare. Në qoftë se nga numërimi, i cili nuk është burokratik, numërohen më shumë se sa 50 për qind e shqiptarëve në një hapësirë të caktuar, shqiptarëve i jepet e drejta e përdorimit të flamurit kombëtarë. Ky nuk është një numërim thjesht matematikorë, ky është një numërim që i bën shqiptarët kudo që janë, që më anë të regjistrimit do i japin të drejtën e përdorimit të gjuhës dhe flamurit shqiptarëve, ndaj ashtu siç thoshte Çajupi i madh “Shqiptar mos rri po duku”. Kam vetëm një thirrje: Ju lutem, ju lutem të qenit shqiptar, të numëruarit si shqiptar nuk është një proces burokratik, por është një akt i madh patriotik”, u shpreh Ministri Majko.(Kortezi- Gazeta e Diaspores)

***

Maqedoni i Veriut/ Probleme me regjistrimin, ja kush ju ndihmon në Diasporë

Në Maqedoninë e Veriut që prej fillimit të muajit mars ka nisur procesi i regjistrimit të popullsisë , përkatësisht i personave që janë në vuajtjen e dënimit, personave të pastrehë, si dhe i shtetasve që momentalisht jetojnë jashtë vendit. Ky proces do të zgjasë deri më 21 prill, kur edhe përfundon i gjithë procesi i regjistrimit, i cili për shtetasit që jetojnë brenda vendit, do të nis më 1 prill.

Regjistrimi i shtetasve që jetojnë jashtë Maqedonisë së Veriut bëhet përmes një aplikacioni të posaçëm, ose në adresën elektronike https://census.stat.gov.mk/al/ ku çdo i interesuar mund të fusë të dhënat, të cilat do të përpunohen së bashku me të dhënat tjera të shtetasve brenda vendit.

SHBA (USA):
Jasmin Miftari +14012121846
Valdet Zuteja
Vullnet Dervishi
Shoqata “USKANA” USA (online regjistrime, dergo mesazh per ndihme te https://www.facebook.com/Uskana.org)
Arben Kasa (Wisconsin) +19205428423 https://www.facebook.com/arben.kasa.161
Ilir Zenku

Pak ditë më parë Zëvendësdrejtori i Entit të Statistikës, Ilmi Selami  tha se e shtetasit që jetojnë jashtë vendit “nuk duhet të shqetësohen” në rast se kanë probleme me regjistrimin, pasi ata do të kenë edhe një mundësi të dytë në rast se nuk arrijnë të regjistrohen përmes sistemit online.

“Kjo është mundësia e parë, por mërgata ka edhe mundësinë e dytë, do të thotë nëse nuk arrin të regjistrohen online për shkak të pengesave të natyrave të ndryshme, të dhënat e tyre mund t’ia japin ndonjë të afërmi të tyre që jeton në Maqedoninë e Veriut, i cili gjatë periudhës prej 1 prill deri më 21 prill kur do të bëhet regjistrimi i popullatës rezidente, të cilët përveç veten e tyre do të mund të regjistrojnë dhe të afërmit e tyre që nuk jetojnë në vend” sqaroi ai.

Ky është regjistrimi i parë i popullsisë në 19 vite në Maqedoninë e Veriut. Një përpjekje ka pasur në vitin 2012, por regjistrimi ishte ndërprerë dhjetë ditë pasi kishte nisur, për shkak të dallimeve mes partive dhe anëtarëve të regjistruesve në terren lidhur me regjistrimin e Diasporës, e cila luan rol të rëndësishëm në numrin e përgjithshëm të popullsisë në Maqedoninë e Veriut.

Filed Under: Mergata Tagged With: Censusi ne Maqedonine e Veriut, Majko & Grubi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 135
  • 136
  • 137
  • 138
  • 139
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT