• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Disidenca e dritës

May 18, 2018 by dgreca

Nga Gladiola Jorbus/

Pa ndrojë mund të themi se çdo autor, në vetvete është sui generis. Profesorit Vaso Papaj, ndashtimi i paveçuar profesor, besoj se i shkon për shtat. Vazhdimisht, ai shfaqet si intelektuali që rravgon dhe përsiatet në mugëtirë e mugëllimë, në dritë e terrinë, në tejskajshmërinë e odisesë së një kërkimi shpirtëror që shkon drejt katharsisit. Por a do të arrijë ndonjëherë, ndërgjegjja e shoqërisë sonë shkallën sipërore të purifikimit?!

Çdo vend që ka vuajtur nën një regjim diktatorial, karakterizohet nga një e kaluar e errët, që i ka lënë plagë të vështira për t’u shëruar. Përkujtimi i personazheve që provuan në lëkurën e tyre ç’do të thotë privim nga të drejtat dhe liritë themeltare të jetës, veçse të fisnikëron e të shndërron në një person që kontribuon për ndërtimin e kujtesës historike; pasi njohja dhe trumbetimi i të vërtetës është një e drejtë e domosdoshme.

E si të mos konsiderohet shkrimtari, një krijesë misionare e flijëplote që kërkon të mbështetet mbi të drejtat njerëzore e thëniet hyjnore; në emër të jetëve të pajetuara, të dashurive të paplotësuara, të prezencave të munguara, të ëndrrave rinore të thërrmuara?!

Profesor Vaso, një përfaqësues dhe praktikant i shkencave ekzakte deri në krijimin e metaforave, me përmbajtje fotonike. Dihet rëndom që shpejtësia e dritës është 300.000 km/s në vakum, pra në hapësirën boshe. Këtë shpejtësi nuk e sfidon dhe as nuk e superon asgjë; duke u cilësuar kështu  më e madhja në Univers. Ndërsa në mjediset optike më të dendura, kjo shpejtësi nis e zvogëlohet.

Ashtu ndodh dhe me humbëtirën e autorit Papaj. Dritën mund ta ndiejnë vetëm kush e ka bukurinë në shpirt, qofshin këta dhe në abis, në humnerë a në ferr. Kurse të tjerë, mjeranë e bilmezë, edhe pse rrethohen nga drita, nuk mund ta prekin atë, as të përndriten, sepse zymtësia dhe shëmtia shpirtërore u ka veshur shpirtin.

Autori i rritur brigjeve të Adriatikut, pasi ka pirë njelmësinë e ujit të detit e të lotëve, imponon dhe pretendon vëmendje e respekt. Zëri i shkrimtarit që lutet për një botë më të mirë është vox Dei –zëri i Zotit.

Gjithashtu, Vaso Papaj provokon dhe një trajtim antikonformist të veprës së tij. Shpresa, e vetmja që mund të zbusë ekzistencën e padurueshme dhe të bëjë të mundur mbijetesën e pamundur në një kalvar Golgote, regëtin në grahmat e saj të fundit.

Edhe këtu, gjuha shqipe duket sikur na ka punuar një trill sa cinik, aq dhe fonetik, përmes  formave të ndryshme gramatikore. Shpeshherë, ne formojmë çifte antonimike duke iu referuar bashkëtingëlloreve të zëshme e të shurdhëta (sh, zh, ç) dhe përfitojmë fjalë si: dëmtoj – zhdëmtoj, liroj – çliroj, palos – shpalos.

Kur shqiptojmë emrin shpresë, ë –ja fundore shurdhohet, dhe duket sikur folja pres, përcjell fjalën shpres(ë); pres- shpres. Një gaz- maraz apo paradoks ?! Gjithsesi, edhe nën përmasat më të humnershme të horizonteve që s’premtonin ardhmëri, shpresa shpërthen brishtësisht dhe tenton të çlirohet nga vargonjtë e realitetit mbytës, në veprën e autorit të sipërpërmendur.

Konceptet e formuluara nga mendimet origjinale, empirizmi, kujtimet dhe empatia kohë – autor; ripërmasojnë tranzicionin e ekzistencës dhe vështirësinë maksimale në një shtet, ku ligji sipas Thomas Akuinit do të përkufizohej: “Lex malla, lex nulla” – “Një ligj i keq nuk është ligj”.

Prof. Vaso, përmes triologjisë së tij “Dritë në humbëtirë” aktualizon fort, kumtin e pavdekshëm shekspirian, të verbalizuar nga Hamleti unikal:

“Në kohën ku jetojmë, u dashka që vetë virtyti t’i kërkojë ndjesë vesit”.

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Disidenca e dritës, Gladiola Jorbus

Urrejtje patologjike e akademikëve memurë ndaj gegnishtes

May 18, 2018 by dgreca

nga Kolec Traboini/

1 Kolec urrejtja

Problemi më i madh gjuhësor në rrafshin e sotëm kombëtar qëndron tek alergjia që kanë disa gjuhëtarë të ashtuquajtur akademikë ndaj çdo gjëje që quhet Gegnishte. Janë sëmurë psiqikisht prej kësaj urrejtje. Kanë futur në Fjalorët e miratur akademikë ( botimet to ena to dhio to tria) me mijëra fjalë të huaja turqisht e sërbisht a më gjërë dhe tregohen agresivë të pandreqëshëm (lloshizmi – e kam quajtur ) ndaj formave dialektale të trungut kombëtar. Kjo është një debilëri e zyrtarizuar për të cilat paguhen me miliona nga taksimet e përbindshme që bën shteti në një vend shumë të varfër e në mjerim si ne (20%). Kur pensionet në Shqipëri janë sa dieta ushqimore mujore e një qeni (dëgjoje ti Alfret Peza, milioneri i kazanit që llomotit përnatë në TV duke i lëpirë b… qeverisë). Është katandisur fjalori GJLSH pra, si gjeldeti i rjepur në prag të vitit të ri, i eksportuar ky nga turko-serbia.

Fjala e parë e Iliadës ështe MENI, e të parës vepër letrare në botë, dhe e gjen vetëm e vetëm ( e përsëris jo pa qëllim) në gjuhën shqipe e këta gjuhtarët e Enver Hoxhës, vetëm se është Gegnishte, e kanë zhduk nga fjalori duke vënë vetëm fjalën MËRI, çfarë të huajt e konsiderojnë fjalë tjetër sepse ndryshimi i një gërme i ndryshon kuptimin çdo fjalë. 
Këta akademikë janë një bandë me ndërgjegje të kalbur që një qeverisje me mend në kokë do ti hidhte në kosh të plehrave e jo ti ushqente si vemje vegjetuese. Dhe pse flenë gjumë edhe Akademikët e Kosovës; edhe kjo është një fenomen i çuditshëm vegjetativ që ka kapluar rrafshin tonë kombëtar në të cilin kudo paraqitemi në bjerrje.

Kolec TRABOINI

18 maj 2018

Filed Under: Komente Tagged With: akademikët memurë, GEGNISHTJA ?, Kolec Traboini

Çadra/Ombrella e turpit

May 18, 2018 by dgreca

Nga Andon Dede, Nju York/

Prej kohësh më kishte bërë përshtypje një fakt apo dukuri fare e rëndomtë: shihja kryqeveritarët shqiptarë, apo dhe politikanë të tjerë të rangjeve të larta, në ceremonira të ndryshme, apo edhe thjesht kur dilnin nga zyrat apo Kuvendi dhe, po të ishte duke rënë shi, dikush ua mbante çadrën/ombrellën.( i përdor të dy sinonimet që të mos ngatërrohet me çadrat e protestës). Më dukej një ritual shumë i shëmtuar, si diçka që nuk shkonte e më linte një shije të keqe: tamam anadollakë, thosha me vete, edhe një veprim kaq të thjeshtë, personal, e duan nga të tjerët?! Po kur ndryshuan kaq shpejt këta zotërinj apo shokë, kur vetëm pak kohë më parë, ishin njerëz fare të zakonshëm, si ne të gjithë?! Unë, edhe më parë, e kisha vënë re tjetërsimin që pësojnë njerëzit kur bëhen me pushtet: atyre iu dukej se, me që po i ngrejnë në pozitë, nuk janë më si më parë, por iu ka ndryshuar edhe truri, janë bërë më të mënçur e, për pasojë, nuk janë më ata që ishin por të tjerë, të një rangu më të lartë. Dhe e shihja këtë ndryshim në çdo veprim të tyre. Kush nuk e ka përjetuar një dukuri të tillë mund të mos më besojë kur t’iu them se ata dhe një “Mirëmëngjez!”, nuk ta jepnin më si më parë. Por, të kthehemi tek tema e çadrës.

Edhe pse e vlerësoja si një gjë që stononte, madje të shëmtuar, nguroja të shkruaja diçka, nga droja se dikush mund të më thoshte: “Ama dhe ti me se po merresh?! Punë çadre…A e vlen, kur ka kaq shumë gjëra më të rëndësishme…”. M’u kujtua, me këtë rast, thënia e një burri të mënçur se “në gjërat/veprimet e vogla të njerëzve mund të zbulosh tipare të rëndësishme të karakterit të tyre”.

Fati e desh që të vija me banim në Amerikë. Dashje apo pa dashje, në kronikat televizive, pata rastin të shihja shpesh edhe presidentët e poltikanë të tjerë të rëndësishëm, që në kohë me shi, hapnin çadrat për të mos u lagur. Disa herë kam parë Klintonin, Obamën e së fundi dhe presidentin miliarder, Trumpin. Përsëri mu ngacmua tema e vjetër, por siç na ndodh shpesh, prapë e lashë.

Pak ditë më parë, ndoqa në Televizion tek emisioni provokativ i K. Myftarit: “Ju flet Moska”, pikërisht këtë temë. Më në fund mu mbush mendja që të shkruaj dhe unë këto rreshta. Autori i emisionit nuk ndalej vetëm tek kjo dukuri por e ngulte bisturinë edhe më tej: se në ceremonira të tilla përkujtimore, si ajo që paraqiti ai tek Varrezat e Dëshmorëve, as nuk vihet fare me çadër, siç na e ilustroi dhe me një ceremoni të tillë në Francë. Për më tepër që ne kemi dhe vetë një “traditë” të tillë: më kujtohet që në manifëstimet apo parakalimet e 1 Majit, kur binte shi dhe i afroheshin tribunës, nuk na lejonin të mbanim çadra. Lageshim e shpesh, uji na hynte deri në palcë, por kjo mbase nuk lidhet me temën që nisëm. Mirëpo, ja që kujtesa nuk më lë rehat se, siç thashë, autori Myftaraj ndalej dhe në detaje të tjera domethënëse: se çadër-mbajtësi qe një goxha intelektual dhe i biri i një prej përkthyesve më të spikatur, sidomos nga Gjermanishtja. Kjo bëri që të më vërshojnë në mendje tërë ato përjetime nga Diktatura dhe konkretisht nga Lufta e Klasave, dukuria më e tmerrshme e atyre viteve. Shumë nga të ashtuquajturit reaksionarë, edhe pse njerëz të ndershëm e me kulturë, shumë syresh me universitete perëndimore e zotërues të disa gjuhëve të huaja, detyroheshin të bënin punë krahu. Shefat apo bosat e tyre, po të shprehemi me teriminologjinë e kohës, as që mund të krahasoheshin me ata, për nga formimi intelektual e kulturor. Por ja që atyre duhet t’iu shërbenin intektualë me formim perëndimor e shpesh herë, siç kam qënë vetë dëshmitar, edhe njohës e ushtrues të muzikës apo arteve të tjera. Më dhimbseshin mu në shpirt, por as që guxoja të shprehesha publikisht. Me ndryshimin e sistemit, menduam se dukuri të tilla, që stonojnë e të kujtojnë të kaluarën e largët anadollake, do të merrnin fund, por ja që nuk ndodhi kështu. Dhe kush i manifeston këto “spektakle”, duke u krekosur? Të ashtuquajturit “intelektualë” apo dhe “modernë”, siç përpiqen ta shesin veten, paçka se si zor t’ua pranojë njeri një status të tillë.

Edhe nga ky shembull i vogël del mesazhi aktual: se sa larg jemi Europës ku po përpiqemi të shkojmë, sa haraç të madh na duhet të paguajmë në çdo drejtim.

Nju York, 17 maj 2018

 

Filed Under: Opinion Tagged With: And on Dede, Cadra, Ombrella e turpit

Kulla, Vdekja e Enver Hoxhës dhe Realitet butaforik i shoqërisë shqiptare

May 18, 2018 by dgreca

*Romani i Kullës “Vdekja e Enver Hoxhës”, -një shëmbull i bukur se si historia bëhet drith, për mokrat e krijimtarisë letrare/

*Vdekja e diktatorit i ka shërbyer Kullës si një prozhektor i fuqishëm për të ndricuar tërë shtresat e shoqërisë shqiptare të fundshekullit që kaloi: veteranë të devotshëm dhe anëtarë të Byrosë Politike, artistë, poetë, ushtarakë…/1 vdekja e Enver HoxhesNga Dalip Greca/*

Një dhuratë të hidhët i ka rezervuar shkrimtari Pëllumb Kulla diktatorit Enver Hoxha, në përvjetorin e 100 të lindjes, tetor 2008. Ndërkohë që e veja e Hoxhës rreket që të arrijë qëllimin e një rehabilitimi vlerësues historik, sic e proklamoi në intervistën e shumëpërfolur me Rudina Xhungën, Kulla sjell një realitet butaforik, ku parakalon shoqëria shqiptare, e shformuar, militante, e shtirur, dyfytyrëshe, që duket e shushatur nga vdekja e diktatorit dhe ku secili vrapon që të përlotet e të duket i pikëlluar. Kulla nën titullin “Vdekja e Enver Hoxhës – shumë romane në një”, na çon 23 vite të shkuara, kur diktatori sapo ka vdekur, por Shqipëria nuk është gati që ta gëlltisë lajmmortin dhe partia ende nuk e ka përgatitur opinion që ta përcjell me ligjërime vaji, ku tekstet i përgatit ajo vetë me militantët. Kulla nuk shan në roman, nuk mallkon, nuk përqesh, por ka arritur, që edhe pa këto, t’na japë një shoqëri kufomë, ku frika e mban në këmbë ngrehinën që ka ngritur partia-shtet dhe i pari i saj, që vajtohet. Pasi e lexon romanin krijon përshtypjen se shkrimtari Kulla nuk merret me karikaturizimin as të diktatorit as të ngrehinës së frikshme që ngriti ai brenda telave me gjemba të 28 mijë kilometrave katrore, ku e ndërtoi Mbretërinë e tij gjysëm shekullore. Natyrisht Kulla nuk zë në gojë as mbret as mbretëri, as diktaturë as diktator. Nuk është e nevojshme: diktatura jo vetëm nënkuptohet, por ajo është e pranishme kudo. Autori nuk shpenzon asnjë fjalë për analizën e mbretërimit enverist. Rrëfimi i tij nis në kufirin historik, kur mbreti sapo ka mbyllur sytë. Natyrshëm derdhet në roman imponimi i një pikëllimi të përgjithshëm, gati ushtarak në qendër dhe në provincë. Ashtu sic ndodhte me cdo direktivë të Partisë, ku nga qendra-kryeqyteti, vraponin kasnecët në provincë, po ashtu zbret dhe direktiva e shfaqjes së pikëllimit për udhëheqësin. Në roman tekstet e vajtimit dhe të dhimbjes zbresin nga Tirana nëpër rrethe ose e kundërta nga rrethet në qendër, ku bashkë me ata që do të vajtojnë kanë ardhë edhe ata që thurin vargjet e vajit. Për këtë qëllim mobilizohen poetët e Realizmit Socialist, të cilët prodhojnë vargje, fraza të ngarkuar me dhimbje, që ua vënë në gojë të përzgjedhurve, që natyrisht janë edhe ata me biografi të skanuar mirë e mirë. Për të shmangur keqkuptimet, autori na ndihmon me nje shënim të shkurtër, që në hyrje të librit: “Ky libër tregon për Shqipërinë, por nuk është histori. Është një sprovë mbi një nga temat e saj qëndrore, morale. Kam përdorur vetëm dy emra të vërtetë: atë të sovranit dhe të gruas së tij. Emrave të sundimtarëve nuk ke se si t’u shmangesh. Është një lloj haraçi që ata u paguajnë krijuesve, kur rrinë aq gjatë në krye të vendit. Për vërtetësinë e ngjarjeve unë ve dorën në zjarr dhe ndryshe nga të tjerët, unë e ve edhe sikur ai të jetë i ndezur! Vetëm titulli i librit mund të shkaktojë diskutime. Sepse ka gjithnjë e më shumë zëra, që thonë se Enver Hoxha nuk ka vdekur ende”. Megjithatë Kulla na e sqaron njëherë e mirë se Enveri vdiq, por udhëheqja e lartë ka vendosur që ta mbajë sekret derisa të rivendosë sigurinë e plotë të vazhdimësisë dhe deri sa Shqipëria të bëhet gati që ta përcjellë atë me madhështi e pikellim. Romani nis me përgatitjet që bëhen në shtëpinë e grimjerit, që pret të shoqen, që të festojnë së bashku me djalin, përvjetorin e martesës. Grimjeri krejt papritur, e le festën në familjen e tij dhe rrëmbehet për një shërbim të pazakontë: zbukurimin për publik të fytyrës së udhëheqësit të vdekur. Mjeshtrin e makiazhit vijnë dhe e marrin njerëz të panjohur, që u heq udhën drejtori i Kinostudios, ku ai punon. Askush nuk di gjë për vdekjen e madhe deri në atë çast. Madje në sheshin e Universitetit vazhdojnë të bëhen prova për koncertin me këngë e valle, ku flitet që do të marrë pjesë edhe vetë …Enver Hoxha! Valltarë e këngëtarë janë në errësirë të plotë për gjëmën. Makina me xhama të zinj që sjell grimierin te shtrati i të vdekurit të madh, kalon mes sheshit, teksa nga jashtë hyn zëri i këngëtares: “Kush më merr mua/Merr yll, jo grua…” Duket se asgjë nuk ka ndodhur, jeta vazhdon, por sapo grimjeri ka hyrë aty ku mbahet kufoma, njeriu të cilit i është besuar sekreti, jep njoftimin e mortit: “Duhet të ta themi dhe ty një lajm të hidhur, që pak e dinë: Enver Hoxha nuk është më! U nda nga ne! Komandanti na la! Mua m’u mor fryma. Sikur m’u shemb tavani përsipër. – Komand… Koman… – përsërisja unë i mekur. – Po, po – tha Teloja. – Gjëmë e madhe u gremis mbi atdhe. U nda nga gjiri ynë. Ja, siç e pe, atje, nën çarçaf! Unë kisha ngrirë i tëri. – Këtë gjë e di vetëm familja. E dinë anëtarët e Byrosë Politike. Dhe ata, jo të gjithë. Vetëm Sekretariati. E kupton? Askush tjetër. – Mjekët! – më shpëtoi mua. – Më të besuarit – plotësoi ai. – Kirurgu që bëri zbrazjen e trupit nuk e di se cili është i vdekuri. Ai nuk e di se kujt ia hoqi të brendshmet. Ne i hapëm dhe i shfaqëm atij vetëm pjesën që i duhej për punë. Ty po ta themi të fshehtën, se na duhesh. Atdheu përgatitet. Lajmi nuk është i lehtë. Armiqtë e brendshëm dhe ata të jashtmit duhet ta marrin këtë lajm atëherë, kur gjithçka të jetë bërë gati, që jeta e vëndit dhe fatet e popullit të mos kenë asnjë rrezik edhe pa shokun Enver. E kupton tani, se çfarë lloj të fshehte të kemi besuar ty?”… Romani rrjedh lirshëm, rrëfimi është i natyrshëm, dramatik, dialogu dinamik dhe ngjarjet rrokullisen marramendshëm. Gjithandej bëhen përgatitje, tamam si në një shfaqje për të cilën punojnë skenaristë, regjisorë. Partia në provincë, ashtu si edhe në qendër, teston se si do ta presin vdekjen e të madhit. Secili nga ata që pyeten e quan provokim testimin dhe betohet se për të Madhin nuk ka vdekje kurrë. Madje të gjithë ata që dalin nga takimi me sekretarin e parë të Partisë shkojnë dhe e denoncojnë atë në Degën e Punëve të Brendshme. Skenat e krijuara janë thurur mjeshtrisht në funksion të idesë të zbërthimit të butaforisë kolektive të udhëhequr nga partia, asaj të paradës së pikëlluar, që i parapriu dhe e shoqëroi vdekjen e liderit komunist. Kulla operon bukur me detajin: Në provat gjenerale për vdekjen e mundshme të udhëheqësit, Komiteti i Partisë ka dërguar në Shtëpinë e Pushimit mjetin që të marrë poetin, që do të krijojë vargjet elegjiake që populli ia thur udhëheqësit të madh. Poeti ndodhet me pushime së bashku me të shoqen. Autori i elegjisë është figurë e realizuar artistikisht.Atë e ndeshim edhe në kapitujt më pas, ku poetët e rretheve janë thirrur që të furnizojnë me fraza pikëllimi e qëndrese bashkëkrahinarët e tyre. Vargjet e gatshme, që thurin muzat e vjershëtorëve, plotësojnë dekorin e vdekjes dhe ushqejnë turmën me pikëllimimin e nevojshem. *** Direktiva për thirrjen e grumbullimin poetëve lokalë ka ardhur nga Komiteti Qendror. Komitetet e Partisë në rrethe shpallin mobilizimin e tyre të përgjithshëm. Grimjeri bëhet dëshmitar i ngjarjeve që zhvillohen lart, tek shtëpia e zotave, nga dalin edhe udhëzimet se sa pikëllim do të shfaqin fytyrat e anëtarërve të Byrosë Politike. Grimjeri do të vizatojë e pikturojë faqet e tyre, aq sa pikëllimi të duket i besueshëm sipas shkallëve dhe posteve që mbajnë. Nga ana tjetër, udhëzimet përmbajnë edhe detaje të tilla, si kush do të qajë i pari, kujt do t’i bjerë të fikët, kush do të qëndrojë më gjatë para arkivolit. Vdekja që përgatitet të shpallet është në dorën e një super-regjisori, që natyrisht, publiku mund ta ndjejë, por nuk do ta shohë. Të tërë ata që e dinë të vërtetën u duhet ta mbajnë sekret. Edhe grimeri nuk duhet t’ia tregojë as të shoqes kur kthehet në shtëpi, por e ka të vështirë ta ruajë të fshehtën. Ndërkohë, në ndihmë të fshehtësisë, televizori përcjell kronikën e po asaj mbrëmje, në të cilën Enver Hoxha sapo ka pritur një delegacion nga Brazili. Edhe vetë grimjeri habitet: ”Nuk po e kuptoja isha në ëndërr tani, apo kisha qenë në ëndërr tërë ato orë që kalova pranë të vdekurit. Enver Hoxha dukej i hequr, fytyra e tij shfaqej mjaft e tretur, megjithëse jo aq sa ishte para një ore, kur unë e prekja me gishta duke bërë plane të merresha me të. Ishte një efekt i çuditshëm, si një shaka e egër. Dukej sikur ai pat pritur sa të zhdukesha unë nga porta e sallës së nëndheshme, pat palosur çarçafin e në majë të gishtave kish nxituar të përgatiste pritjen e brazilianit. Një ndjenjë e çuditshme, kjo. Isha si i çakërdisur nga ajo që po shihja”… Situata të tilla e bëjnë tërheqës romanin. Më pas mësojmë se ata që po organizojnë skenën e madhe të homazheve, shohin në video ceremoninë e varrimit të Josif Stalinit, dhe e marrin andej përvojën për përcjelljen e nxënsit të tij besnik. Skenari tirret me vizitën në ekspozitë, ku i pari i partisë zëvendësohet nga sozia, dublanti, i tij. Sozia do të asistojë dhe në koncertin e të rinjve, ku do të duket pak si i sëmurë. Plani është që të ikë para se të mbarojë shfaqja, dhe të nesërmen të jepet lajmi zyrtar se ndërroi jetë. Grimjeri merret gjatë edhe me fytyrën e atij që po zëvendëson në detyrat e mbrame liderin e vdekur. “Në mes të programit, shoqja Nexhmije e thirri edhe një herë Telon. Këtë radhë dukej se ishte diçka serioze, që nuk kish të bënte … Ajo i shprehu njeriut me mustaqe të hijshme një shqetësim. Ne e pamë se si, ai, i alarmuar, foli me dikë në radio. Disa trupruajtës erdhën me një frymë, e rrethuan udhëheqësin (lexo: dublantin) dhe e morën atë për krahësh, duke i bërë me shënjë veturës kryesore të afrohej deri afër tribunës. Gruaja u ngjit me të shoqin në veturë, ndërsa kryetari i Presidiumit të Kuvendit Popullor i u drejtua zyrtarëve të lartë, që qenë ngritur në këmbë të shqetësuar. Ai i bëri ata me dije, se nuk ish gjë për t’u alarmuar dhe i siguroi se shoku Enver do ta merrte veten menjëherë. Ata nuk kishin shkak të krijonin panik të panevojshëm e të turbullonin me rrjedha të pakëndëshme atë koncert të bukur rinor. Bile ata duhet të vazhdonin të vallëzonin tok me artistët. Këtë porosi pat lënë dhe shoku Enver, ndërsa ish duke hipur në veturën e tij….” Në kapitullin e dytë me titull “Vargje për gra që dinë të vajtojnë”, përcillet për lexuesit atmosferën se si u punua në rrethe për të përgatitur masën që të vajtonte udhëheqësin. Përgatitja, që u bën Sekretari i parë i rrethit atyre që do të mbajnë peshën e inskenimit dhe zbatimit të pikëllimit të turmës, ku është thirrur edhe poeti, është nga pjesët më të bukura të librit. Përmes dialogut, ai përcjell thelbin e militantizmit. Kur sekretari pyet se si do të pritej vdekja e udhëheqësit, ata reagojnë: – Vetëm ai nuk vdes! – ia ktheu Namiku me zë shpelle. – Nuk ka vdekje për Enver Hoxhën, shoku Aziz! – kish menduar një përgjigje edhe poeti, Moisi Dhëmblani. – Për ne, po. Për të, jo! Sekretari i Parë pa të dytin. I dyti qeshi dhe ia mori fjalën. – Hë, mo, lerini folklorizmat, tani! – Ligoraqi i ftoi të qetësoheshin. – Le që ju të tërë të zanatit të folklorit jeni. Mirë e ka pyetjen shoku Aziz. Ja, i mbylli sytë! Me folklore do të mburremi?! Të papërgatitur do të na zerë gjëma?! Kurrë mos vdektë, me ju jam dhe unë! Po ja, ta zemë, vdiq?! Poeti, rebelohet, dhe betohet: “E thyej penën dhe nuk shkruaj për vdekjen e Udhëheqësit!” – thotë. Është po ai, që më pas do të krijojë elegjinë: Si t’i ngrë ligjet e tua,/nga t’i nisim ligjërimet?!/ “’të janë hapur kështu duart/sa s’t’i mbajnë më dot gjëmimet/o baba e o biro! Oi, oi! Ai që si unë, merr përsipër të rrëfejë tërë shtjellën e ngjarjeve në libër, do të riskojë të zbulojë të papriturat e shumta që janë përgatitur për lexuesin dhe kurrsesi, nuk do të arrijë, në dy faqe, atë, që një autor i njohur për rrëfimin mjeshtëror, për pikturimin e karaktereve tërheqës dhe për stilin e tij të veçantë ka bërë përgjatë romanit të tij. Vdekjen e Enver Hoxhës ai nuk e ka keqpërdorur dhe nuk ka abuzuar me të, siç mund të mendojë çdokush sapo sheh mbi ballinën e librit emrin e një profesionisti të satirës dhe humorit. Vdekja e diktatorit i ka shërbyer Kullës si një prozhektor i fuqishëm për të ndricuar tërë shtresat e shoqërisë shqiptare të fundshekullit që kaloi: veteranë të devotshëm dhe anëtarë të Byrosë Politike, artistë, poetë, ushtarakë, të deklasuar dhe martirë të ndryrë burgjeve. Kolonat e gjata të vajtonjsve të ndërtuara nga organizatat e masave gjarpërojnë nga viset më të largëta drejt kryeqytetit për t’i lënë lamtumirën udhëheqësit. Përcjellja për varreza është dhënë në libër si një rit religjoz: “Atë ditë në orën njëmbëdhjetë, ranë për pesë minuta në gjunjë dhe në heshtje gjithë shqiptarët, jo vetëm në Tiranë e jo vetëm në sheshin Skëndërbej, por kudo ku i zuri ajo orë: në fabrika, në rrugë, në ara, në klasa shkollash, në vagonët e trenave, në stallat e bagëtive, në radhët ushqimore, në qelitë e burgjeve. Lajmet televizive i treguan gjerësisht këto pamje në orët e mbrëmjes”. Me këtë vepër Pëllumb Kulla shënon një rritje të mëtejshme në krijimtarinë e tij dhe jep një shëmbull të bukur se si historia bëhet drith, për mokrat e krijimtarisë letrare. Libri është realizuar nga Shtëpia Botuese Arbëria. Redaktor është Roland Gjoza ndërsa ballina mban emrin e piktorit të njohur Maks Velo. …
*E risjellim në Dielli online për shkak të aktualitetit, folklorizmit dhe butaforizmit të shoqërisë shqiptare e cila luftën kundër komunizmit, diktatorit e bën me fushata, sa herë i duhet politikës aktuale për të larguar vëmendjen nga  realiteti i sotëm….Marre prej Gazeta 55 Online-11-10-2008 /

Filed Under: Politike Tagged With: dalip greca, pellumb Kulla, Vdekja e Enver Hoxhes

Kosovë-Thaçi në Sofje, takim me Mogherini e Vuçiç

May 17, 2018 by dgreca

PRESIDENTI THACI LIDERËVE EUROPIANË E BALLKANIKË:KOSOVA EVROPIANE KËRKON TRAJTIM TË BARABARTË DHE LIBERALIZIM TË VIZAVE/

1 Thaci-Mogherini-Vucic-sot-Sofje

-Presidenti Thaçi: Përfundimi i procesit të dialogut do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi ynë në OKB/

 2 Thaci Moherini

PRISHTINË, 16 Maj 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi,  bën të ditur se sapo ka mbërritur në Sofje, ku takimin e parë e ka zhvilluar me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini.3 Thaci-Mogherini-sot-Sofje-1

“Me të kemi biseduar për rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në Samitin historik të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor dhe perspektivën e qartë evropiane të Kosovës dhe fqinjëve tanë. Kemi folur për procesin e liberalizimit të vizave dhe pritshmëritë e qytetarëve të Kosovës për të lëvizur këtë vit të lirë në zonën Shengen”, thekson Thaçi.

Me zonjën Mogherini, vijon ai, po ashtu biseduam për domosdoshmërinë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

“Me këtë rast, me iniciativën e zonjës Mogherini kam zhvilluar një takim të përbashkët me të dhe me presidentin e Serbisë, Aleksander Vuçiç.

U pajtuam që faza përfundimtare e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë të fillojë në një të ardhme të afërt, me një mbështetje unike të BE-së, SHBA-së dhe aktorëve tjerë”, shprehet Thaçi.

Prandaj, vlerëson ai, është një momentum i ri që kërkon mobilizim të të gjitha forcave politike, shoqërisë civile dhe mediave në Kosovë, sepse përfundimi i procesit do të jetë njohja e Kosovës nga Serbia dhe anëtarësimi ynë në OKB.

“Ky takim është dëshmi e përkushtimit të Kosovës për dialog dhe fqinjësi të mirë, vetëm një ditë para fillimit të Samitit në Sofje”, përfundon presidenti  Thaçi.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka udhëtuar për në Sofje-Bullgari, ku merr pjesë në punimet e Samitit të BE-së dhe të Ballkanit Perëndimor bashkë me kryeministrin Ramush Haradinaj  dhe ministrin e Jashtëm Behgjet Pacolli./b.j/1 Thaci Sofje1.JPG

KOSOVA EVROPIANE. TRAJTIM TË BARABARTË/

-Presidenti Thaçi u kërkon liderëve evropianë trajtim të barabartë për Kosovën dhe liberalizim të vizave/

 SOFJE, 17 Maj 2018-Gazeta DIELLI/ Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, në hapjen e punimeve të Seancës Plenare të Samitit të Sofjes, ku u trajtua tema “Fuqizimi i të gjithë dimensioneve të ndërlidhjes (socio-ekonomike, fizike, digjitale dhe njerëzore)”, ka thënë se ky samit po zhvillohet në një moment të rëndësishëm për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor.“Ky samit midis Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor është një sukses i jashtëzakonshëm i përbashkët, por në veçanti i nikoqirëve tanë, presidencës bullgare. Suksesi i këtij samiti bazohet në ruajtjen e angazhimit me shtetet e Ballkanit Perëndimor përmes një qasjeje gjithëpërfshirëse dhe të barabartë, si dhe mbështetet në parimin e rëndësishëm sipas të cilit i gjithë Ballkani Perëndimor gëzon një perspektivë evropiane”, ka thënë presidenti Thaçi.

Kreu i shtetit ka thënë se kjo përfshinë strategjinë e muajit shkurt të Komisionit Evropian për Ballkanin Perëndimor, si dhe angazhimin tonë përmes nismave të shumta, në mesin e tyre edhe Procesi i Berlinit, agjenda e ndërlidhjes dhe Plani shumëvjeçar i Veprimit për Zonën Ekonomike Rajonale, si dhe forume të tjera që synojnë t’i afrojnë shtetet e Ballkanit Perëndimor me njëra-tjetrën dhe më pranë Bashkimit Evropian.

“Kam kënaqësinë që gjithashtu personalisht të konfirmoj mbështetjen e Kosovës për përmbajtjen e deklaratës së këtij samiti dhe të agjendës prioritare të Sofjes. Ne i mbështesim plotësisht parimet kyçe të bashkëpunimit të forcuar, marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe nevojës për zgjidhje të qëndrueshme dhe të detyrueshme të mosmarrëveshjeve dypalëshe”, ka thënë presidenti Thaçi.

 Para liderëve evropianë e ballkanikë, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është dhe do të mbetet plotësisht e përkushtuar ndaj këtyre qëllimeve, duke përfshirë dialogun e lehtësuar nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.“Kosova është e gatshme të hyjë në fazën përfundimtare të dialogut me Serbinë për arritjen e një marrëveshjeje ligjërisht detyruese për normalizimin e marrëdhënieve dhe pajtimin. Më lejoni të theksoj nevojën për rregulla të barabarta të lojës tani që po lëvizim drejt zbatimit të mëtejshëm të temave që po diskutojmë në këtë samit, dhe në rastin e Kosovës kjo përfshin një përmbyllje të shpejtë të procesit të liberalizimit të vizave për të cilin Kosova ka përmbushur të gjitha 95 kriteret e kërkuara”, tha ai.

 Presidenti Thaçi ka shtuar se nëse vërtet duam një ndikim të qëndrueshëm në afrimin e rajonit, kjo duhet të nënkuptojë edhe heqjen e barrierave të ndryshme të pranishme aktualisht.Kjo përfshin, por nuk kufizohet, sipas presidentit Thaçi, në njohjen e kualifikimeve, certifikatave dhe dokumenteve të tjera, uljen e kohës së pritjes në kufi, ndërveprimin në fushën e energjisë, sigurimin e lirisë së lëvizjes për njerëzit brenda rajonit duke hequr vizat, por edhe jetësimin e zotimeve të tjera që kemi dhënë më parë si rajon./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Kosovë-Thaçi në Sofje, me Mogherini e Vuçiç, takim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1415
  • 1416
  • 1417
  • 1418
  • 1419
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT