• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FYTYRE E KOMBIT- GJENIU SHQIPETAR -MIT’HAT FRASHËRI

March 25, 2021 by dgreca

Nga Eduard M.Dilo/

25 Marsi është dita e përkujtimit të Mit’hat  Frashërit (Lumo Skëndo-s).      Lindi në Janinë në 25 Mars 1880, plot 141 vite më parë.Ndërroi jetë në New York në 3 Tetor 1949.

FEMIJËRIA, EDUKIMI, AKTIVITETI I TIJ

Djalë nga dera e shquar e Frashëllijve,i biri i Abdyl Frashërit. Mit’hati e njohu shumë pak Babanë e tij, pasi babai ishte i burgosur dhe vdiq i ri  duke  e lënë të vogël, kështu që u rrit nën kujdesin e xhaxhallarëve, Samiut dhe Naimit.

I Ati, Abdyl Frashëri, kur u pyet para ekzekutimit, nëse dëshironte të thoshte diçka, ai është përgjigjur:- “Po, unë kam një djalë të vogël. I thoni atij se në qoftë se dëshiron të ketë bekimin tim, duhet të vazhdojë punën që unë nisa, por mjerisht nuk e çova deri në fund dhe të sillet kështu siç po sillem unë”.

Mbaroi shkëlqyeshëm gjithë  vitet e studimit që nga fillorja, në të mesme, ndërsa edukimin Akademik e mori në Stamboll, nën kujdesin e xhaxhallareve. 

Filloi të shkruante në shtypin periodik dhe me veprimtari letrare qysh në moshë të re, kur ishte 18 vjeç(1897). Botoi në atë kohë dhe e vazhdoi botimin deri në vitin 1928 të” Kalendari Kombiar”.

Ishte njohës i shumë gjuhëve të huaja, perveç atyre orientale të mësuara në Stamboll, dinte  frengjisht, anglisht, gjermanisht, turqisht, italisht etj. duke botuar shumë artikuj në keto gjuhë.

 Ai bashkëpunoi me revista të huaja, të Francës, të Anglisë, të Zvicrës etj., si: “Mercure de France”, “Les peuples Libres”, “Revue Politechnique”, “Revue de Geneve”, “Le Monde”, “La Mercure Suisse”, “The New Stratesman”, “Foreing Affairs” etj.

Punoi në administraën turke në vitin 1905, dhe më pas në administratë shtetërore në Selanik, ku emërohet drejtor për punë politike të vilajetit të Selanikut.

U aktivizua në politikën shqiptare në fund të shek. XIX dhe gjysmën e parë të shek.XX.

Në vitin 1908, boton në Selanik gazetën Liria. Bashkëpunoi ngushtë me mikun e tij Kristo Luarasi.

 Më 1908, kryesoi Kongresin e Manastirit( u zgjodh kryetar i Kongresit dhe nënkryetar i hartimit të komisionit të alfabetit, kryetar u zgjodh At Gjergj Fishta ). 

Ka patur lidhje me Bajo e Çerçiz Topullin si dhe Adem Eminin, të cilët bashkepunuan e përgatitën kongresin dhe filluan botimin e një reviste javore.

Më 1912 pjesmarrës dhe nënshkrues në Shpalljen e Pavarsisë, ishte deputet i Elbasanit, Ipekut (Gjakovës, Plavës, Gucisë) dhe Përmetit. U zgjodh Minister i Botores në qeverinë e Ismail Qemalit. 

Në ato kohë (20/1/1914),sëbashku me zotnijtë G. Cilika dhe  Taq Buda, i dërguan një letër gazetës “Përlindj’ e Shqipëniës”, ku i shkruanin: “…duam të blejmë një kalem të florinjtë dhe t’ia dhurojmë Zj. Edit Durhan për shërbimet që i ka bërë kombit tonë me shkrimet e botimet e saj”.

Më 1918 Ministër në Qeverinë e  Turhan Pasha Përmetit  dhe antar i dërgatës në Konferencën e Paqes. 

Pas largimit të Princ Vidit, të cilin e mirëpriti dhe ndihmoi në Ministrinë e Punëve të Jashtëme, u largua nga Shqipëria dhe deri në vitin 1918 jeton në disa shtete ballkanike.

Në vitin 1916 arrestohet dhe internohet në Moldavi. Kur mbaroi Lufta e Parë Botërore, lejohet  të largohet dhe vendoset përsëri në Lozanë, Zvicër. 

Aty, ai, i drejtohet me një promemorie konferencës në të cilën po përgatitej krijimi i Mbretërisë Serbo-Kroate-Sllovene. 

Në promemorje ka deklaruar se: “Pa zgjidhjen e problemit shqiptar nuk do të ketë as Jugosllavi të re dhe as një zgjidhje përfundimtare të kufijve në Ballkan”.

Në vitin 1920 vendoset në Amerikë ku u caktua Përfaqësues i Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.

Në Gusht 1921, ai lajmëroi Lidhjen e Kombeve për barbarizmat e bëra nga Serbia në Shqiperine e veriut. 

Në  vjeshtën e tretë e të po atij viti ishte Kryetar i dërgatës Shqiptare, dhe si i tillë  protestoi në Konferencën e Ambasadorëve kundër vendimit të marrur për kufirin e Shqiperisë me Jugosllavinë. 

Ky propozoi të caktohej një komision nga të  dy palët dhe një i dërguar nga Lidhja e Kombeve në përcaktimin e kufijve. 

 Në 1923, Ai u caktua në Greqi, Ministër Fuqiplotë i Qeverisë, ku punoi me përkushtim e zotësi të rrallë.

Më 1926, Mit’hat  Frashëri hoqi dorë nga zyra në Athinë dhe ju përkushtua veprimtarisë letrare.  

Në vitin 1926-1939,  themeloi librarinë Lumo Skëndo dhe boton po në Tiranë ku hapi dhe librarinë,  Revistën “Diturija” më 1927.

Duhet përmemdur se libraria që hapi në Tiranë e kishte konceptuar si janë libraritë moderne që ka sot Evropa dhe bota e kulturuar: librari dhe bibliotekë ku studjuesit, studentët dhe lexuesit jo vetëm blenin libra por dhe lexonin dhe diskutonin për libra e mbaheshin reçesione e kritika letrare në sallën e krijuar posaçërisht për këto aktivitete. 

Libraria e Lumos kishte gjithashtu një përparësi tjetër; kishte një fond librash që lexuesi mund ta merrte me vehte për ta lexuar dhe e kthente prapë pa kurrfarë shpërblimi.

Në 4-4-1929, shkroi testamentin e Tij: “Çë kam pasuri të tundëshme ose të patundshme, libra,mobilla, karta, plaçka etj. I lë për krijimin e një “INSTITUT ALBANOLOGJIE”, që të jetë një qëndër e studimevet shqiptare, të mprojë, të shvillojë,të qendrësojë dhe të udhëheqnjë studimetë që përkasin Shqipërinë dhe Shqipëtarëtë “

Shkroi, hartoi si dhe shqipëroi disa vepra shkollore. Kish dashuri të madhe për librat. Ishte poliglotist dhe gjithë dijet i vuri në shërbim dhe ndriçim të kombit.

Ka rreth njëzetë vepra origjinalesi dhe me dhjetra të shqipëruara.  

Në 1939, kur u pushtua Shqipëria, ju rikthye aktivitetit politik. U bë kryetar i B.K. dhe është autor i Dekalogut. 

Merr pjesë në Marrveshjen e Mukjes 1943.

Ai shkriu gjithë pasurinë për të  pasuruar e ndriçuar Kombin.        

Dashuria e tij ishte shumë e madhe për Atdheun dhe Librin. Atyre ua kushtoi jetën.

Vdes në New York në 3 Tetor 1949, nga -atak kardiak-.          

VEPRAT LETRARE TË TIJ: 

    **************

Ka përdorur pseudonime Lumo Skëndo dhe Mali Kokojka si dhe në botime të ndryshme Ismail Malosmani. 

-1897 boton”Kalendari Kombëtar”

-1901, ka shkruar jetshkrimin për Naim Frashërin.

Ka shkruar novelat “Hi dhe Shpuzë”, studimin mbi shqiptarët dhe të ardhmen e tyre të titulluar:” Pritmi i Shqipërisë “, ese’ socialpolitike dhe etnike” Plagët tona, (1924)

Ka botuar vepra në frëngjisht :

-“L’affaire de l’Epire”, “La population de l’Epire”(1915).

-“Les Albanais chez eux et a la  l’Etranger”,

“Albanis er Slaves”(1919).

Eshtë marrë me përkthime:

-“ Guillaume Tell” të Lamartine (1898).

-“Bëje të mirën pa hidhe në det” e Franc Hofman-(1900).

-“Robinson Crusoe” e Defo( 1909)

-“Psikologjia e edukatës” e G. LeBon(1923)

Rreth 40.000 vëllime të bibliotekës së Lumo Skëndos ruhen dhe janë pjesë e Bibliotekës Kombëtare në Tiranë. 

  I dekuruar e cilësuar “Nderi i Kombit, “Babai i Shqiptarizmës”,“Shërbetori i Shqipërisë”, është  një Flamur i qëndisur me mall lirije, psherëtimë robërije, me shkabën mbi tise gjaku, me gjak ndër zemra shkabash.  

Flamur -Komb që  kërkon të vërë në vënd padrejtësitë  që i janë bërë kombit tonë, nëpër shekuj, në gjurma gjaku, gjurmë historie. 

Një Flamur Liri që çel sy, hap gojë e puth me rreze dielli agimin që fillon ditën, ditën që nis jetën, pa ndrizat e hekurta të  tiranit ” e të tiranve të tiranisë.       

  Ai zbriti në Vlorë bashkë  me Flamur! 

E lidhi jetën krejt me Atdheun, Kombin që e deshi më shumë se jetën e vet.                                  Nuk ka ngjarje me rëndesi Kombëtare të asaj kohe që të mos dëgjohej fjala e mendimi i Tij ideal. 

Ndoqi me besnikëri e përpikmeri rrugën e të Atit,(Abdyl Frashërit), të  Xhaxhallarëve( Sami dhe Naim Frashëri)dhe eci shumë më shumë e më lart se Ata. 

Ju zbardhën flokët mes librarash, mes dishepujsh, mes vuajtjesh e sakrificash pa u ankuar kurrë; kurdoherë parimi i tij ishte: -jemi lindur shqiptarë, duhet të punojmë vetëm  për të, duhet të përkushtohemi deri në flijim të çështjes kombëtare.  

  “Mit’hat Frashëri i madh që ne përkujtojmë sot, kur fliste të jepte zemër, të frymëzonte, të idealizonte, dhe kur shikoje që  ishte pranë  Tij, ai dukej më i bukur, më i mrekullueshëm! “         

Në Paris, kur u shpall Komiteti Kombetar ” Shqipëria e Lire”, një korespodent, ndërsa po merrte shënime mbi jetën e Presidentit( Mit’hat Frashëri-t),  e pyeti:” Çfarë ishit më 1939?”…, Mit’hat  Frashëri u -përgjigj-” Isha vetëm Shqiptar” Dhe  u shua  vetëm Shqiptar…, vetëm Shqiptar-“.        

      Ai u largua nga Atdheu jo për t’ju shmangur rrezikut komunist, por për të vazhduar luftën për liri të  Atdheut të robëruar nga kundershtaret e tij që do  skllavëronin vëndin.    

Ishte shumë i matur dhe i arsyeshëm, ishte i durueshëm në vuajtje dhe mjerimet që  i binin dita-ditës mbi fatet e Atdheut. 

Ishte një personalitet i madh. 

Mit’hati është  një shkemb që nuk lëviz.

 ” Ai pra nuk është një Patriot i madh; Ai është “PATRIOTI”,  Ai nuk ishte i guximshëm, por ishte “GUXIMI”, Ai nuk ishte siç thuhet për dikë “Çfarë  njeriu”, por Ai ishte “NJERIU” !”     

Mit’hat Frashëri, i cilësuar ndryshe dhe “FYTYR  E KOMBIT” ende po i mungon Atij.

Mit’hat Frashëri është i pavdekshëm se shqiptarët e vërtetë e kanë në zemër, dhe Ai : -Ja! ecën në stuhi/ e në tufan e bor’  e shi, / Fytyrë tretur, pa zë / Si sot, si mot, si gjithnjë …”.   

Dhe vazhdon poeti dhe patrioti Bardhyl Pogoni:                                                   

” Shndrit Fytyra jote,/ Fatlum, O Lumo, Drita jote/ Ti Frym e fundit Frashelli / Vakëf për ne,  për Shqipëri!”

BIBLIOGRAFI: 

-GAZETA  FLAMURI

-WIKIPEDIA

-FYTYR E KOMBIT( B.Pogoni) 

Filed Under: Histori Tagged With: Eduard M Dilo, Mithat Frasheri

GJENERALI WESLEY CLARK: SIMBOL EDHE I TRIUMFIT TË PAQËS

March 24, 2021 by dgreca

(Me rastin e 22-vjetorit të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë)/

   Nga Frank Shkreli/

24 Marsi i vitit 1999 është dita që shënon 22-vjetorin e bombardimit të Serbisë nga Aleanca më e fuqishme ushtarake që ka njohur ndonjëherë bota, NATO –të çlirimit të Kosovës nga regjimi terrorist i Sllobodan Millosheviçit. Është kjo një datë historike që do të mbetet përgjithmonë e shënuar me shkronja të arta në historinë e Kombit shqiptar – por edhe një datë që do tu kujtojë përgjithmonë brezave të ardhëshëm të shqiptarëve — miqtë perëndimorë me në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës — që i erdhën në ndihmë shqiptarëve, në një kohë të vështirë të historisë dhe të ekzistencës së tyre si komb. 

Shumë burra dhe burrëresha nga politika amerikane dhe Forcat e Armatosura të Shteteve të Bashkuara kanë qenë pjesëmarrës në përgatitjet e gjata e të vështira politiko-diplomatiko-ushtarake si dhe në ekzekutimin e sulmeve të NATO-s kundër Serbisë – përvjetor ky që shënohet çdo vit me 24 mars. Njëri prej këtyre burrave që luajti një rol kryesor në këtë fushatë ushatarake për çlirimin e Kosovës, pa dyshim është Gjenerali amerikan Wesley Clark.  Gjenerali Clark, ish-komandanti suprem i Aleancës së NATO-s, në vitin 1999 ka udhëhequr fushatën e Aleancës së Atlantikut verior kundër forcave serbe të regjimit terrorist të Millosheviçit, në përgjigje të një fushate të egër ushtarake serbe – ku makineria e forcave ushtarake të ish-Jugosllavisë (Serbisë) sulmoi shqiptarët e pafajshëm dhe të pa armatosur, me qëllim të një spastrimi etnik të shqiptarëve nga trojet e tyre shekullore në Kosovë. 

Sulmi kundër Serbisë, ishte i pari sulm i tillë në historinë e Aleancës së NATO-s, një angazhim luftarak ky që është drejtuar mjeshtërisht dhe vendosmërisht nga Gjenerali Clark. Shumë ekspertë ndërkombëtarë e kanë konsideruar fushatën ushtarake të NATO-s për çlirimin e Kosovës, si një ngjarje që mund të kishte shkaktuar një luftë midis NATO-s dhe Rusisë, përfshir ndër ta edhe ish-Këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Amerikës, Z. Zbigniew Brzezinski, i cili ka shkruar se kishte bindjen se në fund të luftës në Kosovë, organizata NATO dhe Rusia, mund të ishin në prak të një konflikti serioz, pikërisht për arsye të planeve dhe përpjekjeve ruso-serbe, për të ndarë Kosovën. Siç ka shkruar edhe vet Gjenerali Clark në librin e kujtimeve të tija, “Waging Modern War”, lufta në Kosovë ishte më tepër se një ndërmarrje luftarake. Por ai është shprehur se përveç strategjisë ushtarake të Aleancës NATO, si Komandanti Suprem i Nato-s, që drejtoi fushatën ushtarake kundër Serbisë – atij i duhej që njëkohësisht të bashkrendonte edhe përpjekjet dhe strategjitë politiko-diplomatike, marrëdhëniet ndërkombëtare, politikat e vendeve anëtare të NATO-s dhe politikën e mbrendshme amerikane, përfshirë konfliktet dhe mosmarrveshjet amerikano-evropiane dhe konfliktet midis zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe diplomatikë të shumë vendeve anëtare të aleancës që kundërshtonin një ndërhyrje të tillë. 

Ishte pra, Gjenerali Wesley Clark ai i cili duhej t’i bashkrendonte të gjitha këto politika — konflikte pothuaj të gjitha niveleve, kombëtare dhe ndërkombëtare — për një ndërhyrje të suksesshme dhe efektive ushtarake të Aleancës së NATO-s në Kosovë, që më në fund çoi në suksesin përfundimtar dhe në triumfin e fushatës ushtarake perëndimore kundër forcave serbe dhe në triumfin e tij personal ushtarak dhe paqësor — në çlirimin dhe në pavarësinë eventuale të Republikës së Kosovës. Ndonëse kanë kaluar më shumë se dy dekada kur Gjenerali Clark, si Komandanti Suprem i NATO-s drejtonte sulmet kundër Serbisë për Çlirimin e Kosovës, ai mbetet gjithnjë i interesuar për Kosovën dhe për fatin e saj në kohë paqeje, si shtet i pavarur dhe demokratik.

Në një intervistë me “Zërin e Amerikës”, gjatë një vizite në Kosovë në vitin 2018, Gjenerali Clark ka thenë se ndonëse në paqe, Kosova përballet me sfida dhe kërcënime të brendshme dhe të jashtme, me ndërhyrjen e influencave të huaja, përfshir atë ruse, në rajon. Në lidhje me sfidat dhe me rreziqet e brendshme të Kosovës në kohë paqeje, miku i Kombit Shqiptar Gjenerali Clark është shprehur, duke i dërguar një mesazh kuptimplot dhe miqësor klasës politike aktuale mbarëshqiptare, jo vetëm në Kosovë, por edhe në Shqipëri e më gjerë, me qëllim që politikanët shqiptarë të punojnë në një demokraci të vërtetë, për të mirën e përbashkët.  Duke iu përgjigjur një pyetjeje për kërcënimet ndaj Kosovës, Gjenerali Clark u përgjegj kështu:

“Mendoj se njerëzit këtu duhet të luftojnë për ta vendosur demokracinë, votimi është thjeshtë pjesë e demokracisë. Pjesë më e thellë e demokracisë është etika e shërbimit publik, ideja që kur merr një vend pune është me misionin e vetëm për të rritur të mirën e përbashkët, pothuajse sikur të jesh në një nga kuvendet fetare, ku merr para të mjaftueshme për të jetuar, por kurrë nuk do të jesh i pasur, dhe e bën këtë gjë për një kohë të caktuar e pastaj kthehesh në sektorin privat dhe pastaj mund të provosh veten në biznes dhe të bëhesh i pasur. Është një trashëgimi e komunizmit që njerëzit në pushtet të kenë privilegje ekonomike, ky ishte sistemi i nomenklaturës së vjetër dhe ishte ironike, sepse komunizmi thoshte se qeveria i takon çdokujt, por nën komunizëm njerëzit në pushtet kontrollonin qeverinë dhe ekonominë dhe të gjitha privilegjet. Ndërsa demokracia është të kujdesesh për të gjithë. Në administratë, si shërbyes i thjeshtë, në një demokraci duhet ta kesh vullnetin të jetosh në mënyrë modeste. Nëse doni një shtëpi në Monako, një anije të shpejtë, një shtëpi të dytë në mal, pushime një mujore të skijimit, mos hyni në qeveri, por filloni një biznes, bëjini paratë tuaja, bëjeni në mënyrën e duhur dhe ndershmërisht. Mendoj se kjo është gjëja më e rëndësishme të arrihet sot në Kosovë — krenaria për të shërbyer në sektorin publik, krenaria për sakrificën në shërbim të publikut”, ka thënë Gjenerali Wesley Clark për “Zërin e Amerikës”, në një intervistë të vitit 2018.  

     Clark briefs U.S. airmen from the 510th and 555th Fighter Squadrons at Aviano Air Base, Italy in May 1999.

Gjenerali amerikan Wesley Clark është njëri prej personaliteteve në listën e gjatë të politikanëve, diplomatëve dhe ushtarakëve amerikanë, të cilët për disa dekada kanë kontribuar aq shumë për drejtat e shqiptarëve dhe për mbijetesën e kombit shqiptar, në përgjithësi – në kohë lufte dhe në kohë paqeje. Gjenerali Clark vazhdon të jetë gjithashtu mik i çmuar i diasporës shqiptare këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.  Si i tillë, sidomos në këtë përvjetor të sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, të drejtuara nga gjenerali Wesley Clark 22-vjet më parë ia vlen që të dëgjohen këshillat e tija e tija – sidomos të dëgjohen nga klasa aktuale politike –përfshir mesazhin e tij më sipër, në lidhje me demokracinë, me zgjedhjet e lira dhe për privilegjin që politikanët duhet të ndjejnë, kur i shërbejnë publikut dhe që të mos përdorin postet publike për tu pasuruar vet, në kurriz të popullit të varfër.Kjo datë dhe ky përvjetor i sulmeve të NATO_s kundlr Serbisë është vërtetë historik në marrëdhëniet midis dy kombeve tona – por lind pyetja nëse klasa aktuale politike është vërtetë e ndërgjegjëshme për rëndësinë e kësaj historie dhe e kuptimit që ka për marrëdhëniet midis popullit amerikan dhe shqiptarëve. 22 vjet pas sulmeve të NATO-s kundër Serbisë, që çuan në çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës — shqiptarët duhet të pyesin veten, nëse janë të denjë të kësaj miqësie dhe sakrificave të aleatëve tanë — por edhe të atyre bijëve dhe bijave të Kombit që dhanë jetën për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Besoj se është e nevojshme që në këtë përvjetor, sidomos politikanët shqiptarë kudo që janë – në Shqipëri dhe në Kosovë — të reflektojnë seriozisht mbi fjalët dhe këshillat e mikut të shqiptarëve, Gjeneralit Wesley Clark, këtij simboli të vërtetë, jo vetëm të të triumfit ushtarak në Kosovë por edhe triumfit të paqës, lirisë dhe demokracisë në trojet shqiptare dhe në rajon. 

                 Autori me Gjeneralin Wesley Clark në një prej takimeve të komunitetit shqiptaro-amerikan të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan

See the source image

Filed Under: Featured Tagged With: 22 Vjetori, Frank Shklreli, NATO-Kosove, Wesley Clark

COVID-19, NJË INTERPRETIM PSIKOLOGJIK

March 24, 2021 by dgreca

Natalja Marolli, Long Island University of Brooklyn, në një bashkëbisedim me gazetarin Sokol Paja, analizon për Diellin e Federatës Mbarëshqiptare të Amerikës VATRA në New York, përjetimet e kategorive të ndryshme shoqërore në këtë kohë pandemie, transformimin e përditshmërisë së njerëzve dhe tronditjen psikologjike që Covid -19 solli në jetën e gjithësecilit prej nesh.

COVID -19 KAPËRCEU TERRITORET GJEOGRAFIKE

Covid -19 tronditi botën teksa kapërceu territoret gjeografike në një kohë rekord dhe u shpall Pandemi nga Organizata Botërore e Shendetësisë në Mars të vitit 2020. Pandemia ishte një koncept i padëgjuar për shumë njerëz dhe për shumë të tjerë një fjalë e harruar. Gripi Spanjoll dukej si një ngjarje e largët edhe pse miliona njerëz humbën jetën gjatë asaj periudhe. Pandemia shpesh përceptohej si diçka që nuk mund të përsëritej në shoqërinë e zhvilluar dhe moderne në të cilën jetojmë. Pavarësisht përceptimeve të gabuara, pandemia u bë pjesë e përditshmërisë sonë duke paralizuar jetën ekonomike, politike dhe sociale të të gjitha vendeve në mbarë botën. Jeta jonë ndryshoi rrënjësisht në një periudhë shumë të shkurtër kohore. Ndërkohë që numri i përsonave të infektuar dhe viktimave rritej në mënyrë marramendëse, paralelisht rriteshin dhe masat shtërnguese nga vende të ndryshme për të parandaluar përhapjen e mëtejshme të virusit. Sirenat a ambulancave zëvendësuan zhurmat e trafikut monoton të qyteteve. Ekonomia botërore u gjunjëzua para virusit dhe statistikat e njerëzve që humbën punën u rritën frikshëm. Sistemet më të mira shëndetësore në mbarë botën pësuan kolaps dhe vërtetuan se sa të papërgatitur ishim për tu përballuar me këtë pandemi. Distancimi social u bë pjesë e përditshmërisë për të frënuar përhapjen e virusit. Njerëzit filluan të mos takohen, të mos përqafohen, hoqën dorë nga gjera të vogla të përditshmërisë por në të njëjtën kohë shumë domethënëse për ta.

VIRUSI VRAU JETËN SOCIALE

Virusi vrau jetën sociale, shtoi më shumë dyshimet dhe frikërat në jetën tonë të përditshme. Kishat dhe xhamitë mbyllen dyert dhe besimtarët kthyen sytë drejtë qiellit dhe menduan se apokalipsi ishte më afër se sa e kishin menduar. Lutje të thëna nën zë, heshtje dhe deri diku dyshim i ligjëruar për ekzistencën e Zotit që braktisi njerëzimin atëherë kur ata kishin më shumë nevojë për të. Të braktisur nga Zoti njerëzit filluan të ndihen të vetmuar e gjithnjë e më shumë të izoluar. Bashkë me gjithë ndryshimet e reja që ndodhën për t’ju përshtatur jetës së re, filluan të bien dhe këmbanat e para të shëndetit mendor. Ankthi, depresioni dhe stresi postraumatik u rritën në menyrë domethënëse gjatë kësaj periudhe dhe për fat të keq shumë pak vëmendje iu kushtua gjatë pandemisë. Distancimi social, kaq shumë i vlerësuar në këto kohë pandemie, anashkaloi rëndesinë e socializimit të qënies njerëzore dhe impaktin që izolimi social do të kishte në mirëqënien psikologjike të individit. Mungesa e informacionit dhe shpesh herë abuzimi i mediave me lajmet në lidhje me pandeminë gjeneroi më shumë panik tek njerëzit. Frika për humbjen e njerëzve të dashur, frika për shëndetin personal, frika për humbjen e vendit të punës dhe për më teper frika e të ardhmes së pasigurtë shkaktuan dhe vazhdojnë të shkaktojnë ende pasiguri.

KUSH E PËRJETOI DHE PO E PËRJETON MË KEQ PANDEMINË?

Më të rinjtë duket se janë disi më të shqetesuar për të moshuarit dhe shpesh virusi ju duket si diçka inekzistente. Të moshuarit mendojnë se sa keq ju vjen për brezat më të rinj që po kalojnë këto kohë të vështira. Të ngujuar brenda apartamenteve të tyre me sytë nga dritarja shpresojnë të kenë mundësinë të përqafohen sërish me nipërit dhe mbesat.

PO FËMIJET SI PO E PËRJETOJNË KËTË PERIUDHË?

Ata duken pak si më të shpenguar por sërish mund ta kuptosh e s’ke se si të mos e vësh re një trishtim të lehtë në vështrimin e tyre kur shohin këndin bosh të lojërave dhe shokët që mungojnë aty. Pastaj nuk është vetëm loja dhe shokët realë që mungojnë, po në pandemi ata mësuan se si të bëjnë mësim onlinë, duke u ulur ashtu para kompjuterit për orë të tëra dhe duke e zëvendësuar atë botën e tyre të bukur reale me botën e ftohtë virtuale.

BLUZAT E BARDHA, HERONJTË E HESHTUR

Herë pas here mendoj se sa e vështirë duhet të jetë të shohësh njerëz që mposhten, njerëz që dorëzohen dhe nuk ja dalin mbanë e ndërsa çdo ditë sheh pacientët e tu të vdesin, shpirtërisht vdes dhe ti, çdo ditë pak e nga pak bashkë me ta. Mendoj gjithashtu se sa e vështirë duhet të jetë të vendosësh në kushte të vështira se kujt do ti japësh respiratorin e fundit, kujt do ti japësh dorën dhe do ta ndihmosh dhe kujt për fat të keq nuk ja del ta ndihmosh. Mendoj edhe për agoninë në momentet e fundit të jetës së pacientëve. Të mposhtur nga virusi tinezak, rrethuar nga tuba dhe aparatura që ju mundësojnë të marrin frymë, rrethuar nga njerëz të huaj për ta që në mungesë të familjes ju shtrëngojnë duart dhe ju përgjërohen të mos dorëzohen. Për fat të keq vdekja triumfon, pacientët bëhen numra dhe numrat statistikë dhe beteja bëhet gjithmonë e më e vështirë ndërsa ditët kalojnë. Sa vështirë duhet të jetë të duash ti japësh lamtumirën e fundit njeriut të zemrës dhe të mos mundesh dot. E megjithatë jeta vazhdon, duhet të vazhdojë.

TEORI KONSPIRATIVE DHE MENDJE SKEPTIKE

Shpesh dëgjojmë se asgjë nuk do jetë si më parë pas kësaj pandemie. Kjo pandemi na ka ndryshuar, na ka bërë më vulnerable, na ka tjetërsuar. Izolimi social na ka bërë më të vetmuar dhe më dyshues. Njerëzit e kanë humbur besimin tek shkenca, tek humanizmi dhe në gjithë këtë situatë kaotike duket sikur teoritë konspirative japin gjithnjë e më shumë një shpjegim të kënaqshëm për mendjet më skeptike. Aludimet për kontrollin e njerëzimit nga të plotëfuqishmit e botës jehojnë në shtypin e ditës dhe ndërkohë njerëzit bëhen akoma dhe më shumë dyshues dhe irracionalja mposht arsyen. Sa të vërteta janë këto konspiracione? Jane këto konspiracione të frymëzuara nga një grup i caktuar njerëzish apo janë skenare të vërtetë të periudhës që po jetojmë? Dilema ka gjithashtu dhe në lidhje me vaksinimin dhe sigurinë e këtij procesi. Sa mundësi do të kemi të kthehemi sërish në normalitet? A do munden vendet e varfëra të vaksinohen në kohë? Për fat të keq askush nuk di të japë një përgjigje dhe shpresojmë që për herë të parë bota të solidarizohet dhe të kuptojë që për ironi të fatit, të varfër dhe të pasur jemi një dhe se vdekja nuk di të bëjë dallime. Ndërkohë që ende nuk dihet se kur kjo pandemi do përfundojë, duhet që në këto kohë të vështira të mos humbasim kurrsesi shpresën tek shkenca, tek ajo shkencë që udhëhiqet nga etika dhe humanizmi njerëzor. Besimi se do ja dalim duhet të na bashkojë të gjithëve më shumë se kurrë. Kemi kaluar ditë shumë të vështira, mbase do na duhet të kalojmë ditë të tjera dhe më të vështira. E megjithatë ka ende shpresë.

MALL PËR NDJESINË E LIRISË

Shpesh mendoj për ditët e bukura që lamë pas. Kujtimet e ditëve normale duken të largëta në këto ditë pandemie. Kam nostalgji për kohën kur mund të përqafoje nënen, kohën kur mund të kaloje orë të tëra në shoqërine e miqve dhe mund të ecje e shkujdesur rrugëve të qytetit pa patur frikën e distancës fizike. Më ka marrë malli për ndjesinë e lirisë që ndjen kur je në aeroport në pritje të udhëtimit të radhës apo kur rri e pret e përmalluar njerëzit që vijnë dhe të vizitojnë nga larg. Sa mall kam për të qënë sërish e lire, mall për tu rikthyer në normalitet. Ndërsa mendoj këto, kthehem sërish dhe mendoj rutinën e re, tashmë të përditshme. Klasa onlinë, takim me doktorin onlinë, intervista pune onlinë dhe për ta permbyllur ditën me pak argetim një vizitë në muzeum dhe kjo sigurisht onlinë. Të gjithë këto aktivitete ndodhin në tavolinën e punës nëpërmjet kompjuterit, a nuk duket paksa absurde? Megjithë shqetësimet dhe pyetjet që kam në kokë shpeshhere mendoj që sërish ka dritë në fund të tunelit. E në fund të fundit a nuk është e krijuar e tillë qënia njerëzore, të shpresojë edhe atëherë kur nuk ka shpresë? Dëshira për jetën më bën të shpresoj se do ja dalim, do mbijetojmë ashtu siç kemi mbijetuar që nga fillesat e jetës njerëzore. Çdo gjeneratë ka patur sfidat e veta dhe ne do na duhet të përballemi me këtë sfidë. “E gjithë kjo do kalojë” thotë një shprehje e vjetër persiane, çdo gjë është kalimtare dhe ne duhet të mos dorëzohemi. Ne mund të humbasim disa beteja por ne nuk do humbasim kurrsesi luftën.

Filed Under: Politike Tagged With: COVID-19, Interpretim Psikologjik, Natalja Marolli

QEVERIA E RE E KOSOVËS FILLIM TË MBARË TË PUNËS…

March 23, 2021 by dgreca

-Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, pranon detyrën e kreut të Qeverisë/

-Qeveria e re zhvillon mbledhjen e parë ceremoniale. Kryeministri Kurti: Kjo është mbledhja e parë e Qeverisë së Republikës së Kosovës të zgjedhur mbrëmë, që mbahet më datë 23 mars 2021, mbledhje ceremoniale e cila shënon fillimin tonë të mbarë të punës së kësaj qeverie, e cila u votua dje, bazuar në vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e parakohshme, të lira e demokratike të 14 shkurtit/

-Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës urojnë qeverinë e re dhe Kuvendin dhe i nxitin të gjitha partitë politike të luajnë rol të përgjegjshëm në njohjen e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit si mandat i dhënë nga populli për qeveri efektive/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*

PRISHTINË, 23 Mars 2021/Pas votimit të Qeverisë së re mbrëmjen e djeshme në seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit, sot paradite Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti ka pranuar edhe zyrtarisht detyrën e kreut të ekzekutivit nga ish-kryeministri Avdullah Hoti. Sipas ceremonisë shtetërore dhe pas nderimit të himnit shtetëror, Kryeministri Albin Kurti dhe ish-Kryeministri, Avdullah Hoti kanë parakaluar para Gardës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti dhe ish-kryeministri Hoti vazhduan në ambientet e zyrës së Kryeministrit, ku ish-Kryeministri i uroi mirëseardhje dhe suksese në punën e tij, si dhe ia dorëzoi raportin e punës së deritashme të Qeverisë.

Ceremoni të dorëzim-pranimit të detyrës kishte edhe në ministritë e Qeverisë së Republikës Kosovës. 

Po sot, Qeveria e re e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga Kryeministri Albin Kurti ka zhvilluar mbledhjen e parë ceremoniale, në të cilën është zotuar për angazhim dhe veprime konkrete në përballje me sfidat që po kalon vendi ynë dhe qytetarët e Republikë së Kosovës.

Kryeministri Albin Kurti ka uruar kabinetin e tij për marrjen e përgjegjësive në drejtimin e vendit, duke shprehur besimin e tij në kapacitetin e të gjithë anëtarëve të këtij kabineti dhe ka kërkuar angazhim të menjëhershëm të kabinetit për identifikim të masave për përballje me situatën e pandemisë me COVID-19 dhe me recesionin e shkaktuar nga kjo gjendje në ekonominë e vendit.

Në vijim fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti:

Të nderuar zëvëndëskryeministra Bislimi,  Gërvalla dhe Rexhepi,

Të nderuar ministra të kabinetit qeverisës,

Kjo është mbledhja e parë e Qeverisë së Republikës së Kosovës të zgjedhur mbrëmë, që mbahet më datë 23 mars 2021, mbledhje ceremoniale e cila shënon fillimin tonë të mbarë të punës së kësaj qeverie, e cila u votua dje, bazuar në vullnetin e popullit të shprehur në zgjedhjet e parakohshme, të lira e demokratike të 14 shkurtit.

Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,

Së pari, urime për mandatet që keni marrë secili. Ju dëshiroj suksese dhe punë të mbarë.

Po e fillojmë këtë mbledhje ceremoniale të qeverisë në një kohë të shqetësimeve të mëdha për qytetarët e si rezultat edhe i pritjeve të mëdha për punën e këtij kabineti tonë.

Jemi ende në një krizë shëndetësore dhe ekonomike. Deri sot kemi mbi 83 mijë persona të infektuar dhe 1,776 të vdekur deri dje zyrtarisht. Vetëm në 24 orët e fundit kishim 827 raste të reja dhe 16 të vdekur. Këto nuk janë thjesht numra dhe statistika por janë jetë njerëzish, janë familjarë, vëllezër e motra, prindër e gjyshër të cilët do të mungojnë në tavolinat e ushqimit në secilën shtëpi.

Andaj duhet të veprojmë me urgjencë që të ulim rastet dhe të eleminojmë vdekjet e reja si rezutat i virusit Covid-19, por duhet të ketë plane të zbatueshme të cilat marrin parasysh shëndetin fizik dhe mendor të qytetarëve si dhe shëndetin e ekonomisë së vendit tonë. Balancimi i këtyre duhet të bëhet përmes një plani që duhet të hartohet me urgjencë nga Ministria e Shëndetësisë, e Ekonomisë dhe ministrive tjera.

Kërkohet punë konkrete dhe rezultate sa më të shpejta.

Këtu do të punojmë si ekip, por rezultateti i këtij kabineti varet nga puna e secilit nga ju dhe ekipit që ju ndërtoni. Ju takon juve që problemet që janë brenda ministrisë tuaj t’i ktheni në projekte për zgjidhje.

Nga zyra ime do të ketë bashkëpunim në çdo kohë por do të ketë edhe veprim.

Qytetarët presin punë dhe angazhim, përfaqësim të dinjitetshëm dhe udhëheqje përmes shembullit.

Në ditët në vazhdim pres që secili nga ju të vini me propozime për vendime konkrete të cilat i kemi identifikuar me vite e të cilat kërkojnë zgjidhje.

Unë besoj në dijen dhe kapacitetet tuaja, por tash është koha që ju ta dëshmoni para qytetarëve se në pozitat që jeni vendosur, që jemi vendosur, jemi meritor. 

Sfidat janë të mëdha.

Përtej veprimeve urgjente në menaxhimin e pandemisë, duhet të veprojmë shpejt që të ndalim humbjet financiare nga kompanitë publike por edhe të ndalim recesionin ekonomik duke ndihmuar sektorin privat që të shpëtojmë vendet e punës dhe prodhimin.

Në ndërmarrjet publike duhet të ketë auditime dhe vlerësim të performancës. Aty ku gjejmë shkelje të ligjit dhe performancë të dobët duhet të veprojmë shpejt në kthimin e ligjshmërisë por edhe në vendosjen e një menaxhmenti i cili ka aftësinë dhe vullnetin dhe vizionin që të kthejë ndërmarrjet publike në mbështetës të ekonomisë.

Pres që në tavolinën time të vij urgjent si plani për menaxhimin të pandemisë po ashtu edhe plani për ringjalljen ekonomike.

Le të punojmë me nder dhe përgjegjësi.

Të udhëhiqemi nga parimet më të mira, nga zotimet tona dhe nga interesat e qytetarëve,

Të kërkojmë ndihmë dhe bashkëpunim nga të gjithë, dhe le t’i përvjelim mëngët e të fillojmë punët e mëdha që na presin neve dhe angazhimin e përditshëm që pritet prej nesh.

Urime dhe suksese të gjithëve dhe secilit. Na priftë e mbara. 

Ju faleminderit. 

AMBASADORËT E QUINT: KOSOVA KA NEVOJË PËR UDHËHEQËSI TË VENDOSUR

Nga Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë u dërgua sot kjo Deklaratë e ambasadorëve në Prishtinë të vendeve të QUINT-it:

Deklaratë e shefave të misioneve të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës  

Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës urojnë qeverinë e re dhe Kuvendin dhe i nxitin të gjitha partitë politike të luajnë rol të përgjegjshëm në njohjen e rezultateve të zgjedhjeve të 14 shkurtit si mandat i dhënë nga populli për qeveri efektive. Në këtë kohë të pandemisë dhe sfidave ekonomike, Kosova ka nevojë për udhëheqësi të vendosur dhe institucione qeverisëse funksionale që sigurojnë stabilitet, përfshirë edhe presidencën. Adresimi i këtyre sfidave do të kërkojë që prijësit e partive politike dhe deputetët e zgjedhur tani t’i vënë nevojat e qytetarëve të Kosovës mbi çështjet partiake politike dhe që opozita dhe qeveria të punojnë për prioritetet e përbashkëta, e detyra e parë është zgjedhja e presidentit të ri.  

*Per me shume fotografi shih ne FB

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Qeveria e re

HARRY BAJRAKTARI: URIME KOSOVE, QEVERIA E RE!

March 23, 2021 by dgreca

            New York-23 Mars 2021- Konstituimi i Kuvendit te Kosoves dhe formimi e Qeverise se re, u pershkua nga nje proces demokratik,ashtu sic u zhvilluan edhe gjedhjet e pergjithshme parlamentare ne shkurt te ketij viti. Kosova eshte bere shembull ne rajon ne organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve te lira dhe demokratike, si dhe ne transferimin e pushteteve nga nje qeveri ne tjetren. Kjo kulture politike e qytetareve tane do te ndihmoje Kosoven ne integrimin me te shpejt e ne rrjedhat e proceseve demokratike ne Bashkesine evropiane dhe ne strukturat tjera ne vendet demokratike ne bote.

Me kete rast, pergezoj kryetarin e Parlamentit te Kosoves z. Glauk Konjofca,kryetarin e Qeveris se Kosoves z. Albin Kurti dhe ju uroj sukses per detyrat qe kane marre para qytetareve per udheheqjen e dy prej institucioneve me te rendesishme te Kosoves ne zhvillimin e pergjithshem te vendit dhe te demokracise parlamentare.

Uroj gjithashtu te gjithe qytetaret e Kosoves per kontributin e jashteza konshem qe dhane per zgjedhjet e lira e demokratike,konstituimin e kesaj ligjislature te re, formimin e qeverise dhe ministat e zgjedhur ne sektore te ndryshem duke·u deshiruar sukses ne punet tejet te rendesishme qe i presin ata.

            Ne menyre te vecante dua ta pershendes dhe t ‘i uroj shume sekses zonjes Donika Gervalla ne zgjedhjen e saj Minstre e Puneve te Jashtme dhe e Diaspores te Republikes se Kosoves. Donika Gervalla ne zgjedhje e shkurtit,doli femra me e votuar nga qytetaret,pas Vjollca Osmanit, e cila eshte pretendente per kryetare te Kosoves.

            Zgjedhja e saj ne kete post, ku do te perfaqesoje diplomacine e vendit tone ne boten e jashtme ,eshte nder per Kosoven, ngaqe ajo eshte bija e veprimtarit dhe patriotit te shquar Jusuf Gervalla,i cili veproi ne rrethana tejet te veshtira per liri dhe pavaresi te Kosoves deri ne renien e tij nga sherbimi sekret serb e jugosllav.

   

Qeveria Kurti do te kete pergjegjesi te madhe ne zgjidhjen e shume problemeve te grumbulluara ne Kosove,te cilat nuk durojne zvaritje tjera. Qytetaret me voten e tyre i dhane besimin ketij ekzekutivi, prandaj ata presin zhvillime me fatlume, me te shpejta per jeten dhe perspektiven e tyre.

Nga Harry Bajraktari

NY, USA

*Harry Bajraktari është themelues dhe botues i gazetës Illyria (1991-1998), një drejtues i komunitetit shqiptaro-amerikan, filantrop dhe përfitues i shumë çmimeve, duke përfshirë Nderin e Urdhrit të Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medaljen Presidenciale të Kosovës për Meritat & Bardhë Thirrja Presidenciale e Shtëpisë për Amimin e Shërbimit.

Filed Under: Politike Tagged With: Albin Kurti, Donika Gervalla, Glauk Konjufca, harry bajraktari, Urim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 143
  • 144
  • 145
  • 146
  • 147
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT