• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ambasadori Mal Berisha promovon në Durrës Herman Bernstein

April 17, 2018 by dgreca

1 Herman bernstein.JPG

Herman Bernstein, Ambasador i SHBA-ve, në Mbretërinë Shqiptare, 1930-1933/

1 berishe e salle1 salle2 salle1 mal mirush2 mali dyshe1 mal

Nga Shefqet Kërcelli/

Mbrëmjen e datës 13 prill 2018, në klubin e arteve “Sigal” në Durrës, u organizua promovimi i librit më të fundit të Ambasadorit Mal Berisha, me titull”Herman Bernstein”, Ambasadori Amerikan në Shqipëri. Në këtë aktivitet morën pjesë shumë qytetarë durrsakë, intelektualë, studius, gazetarë, krijues, miq të botuesit, etj.  Fillimisht shkrimtari i mirënjohur  durrsak Hoxha bëri një prezantim të shkurtër të aktivitetit studimor dhe botues të autorit, ambasadorit Mal Berisha, duke u ndalur në vitet e fundit, ku spikasin studimet dhe botimet rreth perceptimit të popullit shqiptar nga studiuesit anglo-saksonë. Jeta e zotit Mal Berisha në këto vite ka ecur në dy shina paralele, ajo e hulumutuesit pasionant dhe diplomatit. Si botues, veçojmë veprat  “Shqiptarët, lisa mbi truallin ilir’, “Shqiptarët, europianët më të lashtë dhe më të rinj”, “Charles Telford Erickson, amerikani që i kushtoi jetën Shqipërisë”, “Realitete shqiptaro-britanike”, dhe së fundmi monografia e ambasadorit Herman Bernstein. Shkrmtari Hoxha theksoi se, krijimtaria dhe puna studimore e zotit Berisha, ka njohur rritje, në cilësinë dhe interpretimin shkencor të ngjarjeve e fakteve historike, duke i bërë bindës librat e tij tek lexuesit. Pikërisht botimi i tij i fundit Herman Bernstein, shpreh qartë aftësinë dhe pjekurinë e tij si studjues i plotësuar tashmë dhe i profilizuar në këtë fushë të bukur të historisë. Punë kërkimore shkencore për ta sjellë të plotë figurën e ambasadorit Bernstein dhe familjes së tij, është një tregues i formimit të gjithanshëm të autorit Mal Berisha, si studjues, diplomat, publicist dhe krijues. Ndërsa si diplomat ai ka zhvilluar teorinë Soft Power, për prezantimin e vlerave më të mira të popullit shqiptar në disa universitete, forume dhe auditoriume ndërkombëtare. Diplomati Berisha ka shërbyer si diplomat i vendit tonë fillimisht në Stamboll, Konsull i Përgjithshëm, dhe pastaj në Londër, si ambasador në Mbretërinë e Bashkuar, Irlandën e Veriut dhe Irlandës.

Mbas këtij prezantimi të shkurtër të karrierës diplomatike dhe studimore, zoti Berisha shjegoi para pjesmarrësve motivin dhe qëllimin e krijimtarisë së tij, sidomos veprave për amerikanët që kanë shërbyer në Shqipëri, të cilët e dashuruan popullin tonë në limitetet e njerzores e punës së tyre diplomatike. Duke u lidhur ngushtësisht me jetën, hallet e traditën e Shqipërisë së kohës, këta diplomatë bënë të pamundurën për të mbrojtur kombin shqiptar në opinionin dhe kancelaritë ndërkombëtare, që kulmon me shpëtiin e Shqipërisë në Konferencën e Paqes në Paris. Por mos harrojmë se situatën paraprake, punën në terren dhe përgatitjen e presidentit Uilson për të mbrojtur çështjen shqiptare ja dhanë këta diplomatë amerikanë të shqiptarizuar dhe mërgata brilante shqiptare e kohës në SHBA. Pikërisht ndriçimin e këtyre figurave amerikane para opinionit shqiptar në gjithë dimesionin e vet, e ka mision parësor studiuesi dhe diplomati Mal Berisha. Kërkues ndaj vetes, hulumutues i arkivave brenda dhe jashtë vendit, deri tek YIVO Institute of Jewish Research, NYC. Lëvrues i shqipes dhe anglishtes, mëndje e hapur në cekjen dhe trajtimin e fakteve jetësore, Mali, në librin e tij prej 334 faqesh na sjell me gjithë thjeshtësinë dhe madhështinë e tij, figurën e Ambasadorit Herman Bernstein.

Po kush është Ambasadori Bernstein, sipas zotit Berisha?

Këtë na e shpjegon faqe mbas faqe, kapitull mbas kapitulli, pjesë mbas pjesë në këtë libër që nuk të le pa e lexuar në kohën sa më të shkurtër. Ja çfarë shkruan autori për përfaqësuesin zyrtar fuqiplotë të SHBA-ve në Mbretërinë Shqiptare të viteve 1930-1933, Herman Bernstein, mik i tre presidentëve amerikanë: Theodore Roosevelt, Uoodrou Uilson dhe Herbert Hoover.Ardhja e një figure kaq të lartë, si Herman Berstein në postin e ambasadorit përbën një ndër nderimet më të mëdha që shteti dhe qeveria amerikane i bënë shtetit shqiptar. Po ashtu, edhe hebrenjtë e Amerikës ndjejnë se ky ishte një vlerësim për ta. Teksa krijohet kështu, një lidhje mes këtyre tre kombeve, përfaqësuar nga një figurë e tillë e lartë siç ishte Herman Berstein. Një njeri i cili kishte pasur kontakte me njerëzit më të shquar të botës, të tillë si Leon Tolstoi, Leo Trocki, August Rodi, Leon Andrejevi, George Bernard Shou, Sheik Ul Islam, Sigmund Freud, Aleksandër Moisiu dhe mbi të gjitha, ai kishte miqësi personale edhe me vetë Albert Ainshtajnin. Teksa pas ardhjes në Shqipëri shohim se si vetë Bernstein vlerëson Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai i çmoi lart traditat e mrekullueshme shqiptare, tolerancën fetare, besën shqiptare, hebrenjtë dhe trajtimin e tyre. Dhe vlerësimet e tij janë aq të larta sa sot, pavarësisht distancës kohore, ndjehemi krenarë për trashëgiminë e tij…

Si hebre, ai la një trashëgimi të jashtëzakonshme edhe rreth historisë së pranisë hebraike në Shqipëri. Gjithsesi, identiteti hebraik i Bernsteinit nuk mund të veçohet nga kontributi i tij si përfaqësues i një kombi të madh, atij amerikan. Vetëm dhjetë vite para se Bernsteini të emërohej në Shqipëri, vendin tonë e kishte mbrojtur Presidenti Uilson, ndërsa Bernsteini kishte njohje personale me të, qëkur ai ishte guvernator i Nju Xhersit. Madje, ai kishte organizuar edhe takime të tij me gazetarët më të famshëm të Amerikës në fushatën elektorale të vitit 1912. Një ndër veçoritë që duhen vënë në pah më shumë është se ai ishte një mik i ngushtë edhe i Presidentit Hoover. Siç do të shohim, ai kishte kontribuar shumë në zgjedhjen e këtij Presidenti duke mbuluar si gazetar për shtypin amerikan ngjarje të cilat kanë tronditur njerëzimin, siç është revolucioni i sovjetëve. Fjala e tij pati peshë të madhe në zgjedhjen e këtij burri të madh në krye të Shtëpisë së Bardhë, sidomos me botimin e librit “Njeriu që e solli Amerikën në Botë”. Së dyti, nga urimet që Bernstein mori me rastin e emërimit në Shqipëri, do të shohim qartë se ai kishte një ndikim të jashtëzakonshëm te lobi hebraik në SHBA, i cili ka luajtur përherë një rol shumë të rëndësishëm në zgjedhjen e presidentëve amerikanë, të paktën prej asaj periudhe. Duhet thënë se Amerika e atëhershme nuk ishte ajo e sotmja, ku respektohen të drejtat e bashkësive të ndryshme. Gjurmët e antisemitizmit në Europë kishin filluar të shfaqeshin dukshëm. Edhe Amerika vetë, edhe pse vend i formuar nga emigrantët, ka dhënë shembuj që nuk e bëjnë të ndihet mirë në raport me hebrenjtë e asaj kohe. Një ndër rastet fatkeqe që e ilustron këtë më mirë është ai i anijes St. Louis. Dhe nëse nuk dihet fati i çdo individi të asaj anijeje, fati i hebrenjve në vendet europiane deri në fund të luftës së Dytë Botërore tashmë dihet. Edhe vende të tjera me prirje më të pakta antisemitiste nuk kanë qenë gjithsesi kaq dashamirëse ndaj hebrenjve, siç ka ndodhur me Shqipërinë…

Studimi i jetës së Herman Bernsteinit 

Studimi i jetës së Herman Bernsteinit përbën në vetvete një sipërmarrje shumëplanëshe. Është i rrallë dhe i admirueshëm fakti sesa shumë mund të bëjë njeriu gjatë një jete jo aq të gjatë, sa ajo e tij. Sa udhëtime të gjata ndërkontinentale, në kushtet e lëvizjes së ngadalshme të kohës, sa artikuj gazetash, sa ngjarje të përshkruara drejtpërdrejt nga terreni ku ndodhnin, sa vepra letrare të shkruara, sa polemika të publikuara, sa përkthime veprash në disa gjuhë, rusisht, anglisht, gjermanisht, frëngjisht, hebraisht, polonisht, madje edhe esperanto janë dashur. Ai ka botuar 14 vepra dhe fatmirësisht të gjitha mund të gjenden lehtësisht të ribotuara sot. Veprat e përkthyera nga Bernstein-i janë 17, që të gjitha kryevepra të autorëve të mëdhenj. Megjithëse, zanafilla e këtij studimi ishte periudha e jetës së Herman Bernstein-it në Shqipëri (1930-1933), densiteti i jetës së tij paraprirëse intelektuale përfshiu me interes një pjesë të madhe të punës sime. Prandaj, ashtu si në rastin e studimit të jetës së amerikanit Charles Telford Erickson, që i kushtoi jetën Shqipërisë, apo në ato të udhëtarëve të “The National Geographic Magazine”, që e paraqitën Shqipërinë me tërë bukuritë e saj dhe gjithashtu, si në rastin e studimit të “Racave dhe Feve në Europë” si raca më e vjetër dhe më e bukur në kontinent, po kështu, shkrimet e udhëtarëve britanikë në trojet shqiptare, që e përshkruajnë Shqipërinë dhe shqiptarët me nota ekzotike, edhe në jetën e Herman Bernsteinit, në përmbledhjen e parë dhe në këtë të tashmen, ndjej se ndikimi i gjithë atyre aspekteve, që plotësojnë njohjen e figurave të mëdha, apo një periudhe historike, ka qenë shumë i madh.Në një kapitull të veçantë autori shpjegon dhe kontaktet e para shqiptaro – amerikane.

Historia e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane  fillon përpara krijimit të vetë shtetit shqiptar. Gjurmët e para të vëmendjes amerikane ndaj historisë së kombit shqiptar i gjejmë te poema e Longfellout “Përrallat e Bujtinës ndanë Udhës”, në të cilën i këndohet heroit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Përkthimi i kësaj vepre është bërë nga Fan Noli (1916):

Banorët e parë amerikanë në Shqipëri

Ndërkohë që emigrantët shqiptarë shkonin e vinin përtej oqeanit, në Shqipëri u shfaqën banorët e parë amerikanë. Ungjillorët. Ata arritën në Korçë në fillim të viteve 1900 dhe bashkëpunuan me motrat Qiriazi dhe familjen Cilka. Ishin kenedët që u bënë shumë të njohur në atë qytet. Në Korçë, Shoqëria Biblike kishte kohë që e kishte filluar veprimtarinë e saj. Aty përdorej Bibla e përkthyer në gjuhën shqipe me iniciativën e Robert Pinkertonit nga Shoqëria Britanike Biblike shkruar më 28 gusht 1816. Në vitin 1855, Konstandin Kristoforidhi, Aleksandër Thomson dhe Shoqëria Biblike publikuan Biblën e plotë në shqip, në dialektin geg. Kjo ndodhi për herë të parë në historinë tonë, çka e bëri librin e shenjtë të përdorej nga shqiptarët dhe ndihmoi në identi-fikimin e tyre bazuar në një gjuhë të përbashkët. Më 23 tetor 1891, Gjerasim dhe Sevasti Qiriazi themeluan të parën shkollë për vajza në Shqipëri, e cila kishte modelin e shkollave të tilla protestante të hapura nën Perandorinë Osmane që nga viti 1800. Më 14 nëntor 1892, Gjerasim Qiriazi me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tij themeluan Vllazërinë Evangjelike me qëllimin e vetëm, që të zhvillonin dhe përhapnin gjuhën shqipe dhe njohuritë rreth Biblës. E tillë ishte gjendja në Korçën e asaj kohe, kur në vitin 1908 arriti edhe familja prej pesë anëtarësh e Charles Telford Ericksonit. Ata nuk qëndruan aty, për shkak se gjetën një Korçë shumë më të zhvilluar nga ajo që përfytyronin. Ata ishin në kërkim të një vendi më të pazhvilluar, i cili, siç thotë Ericksoni, të plotësonte një standard tjetër, atë që ai më vonë e përshkruan kështu: “Nëse do të kërkoja një vend, ku të mos kishte asnjë prej elementeve të jetës së rehatshme, kurrë nuk do të kisha gjetur një vend më të mirë se Shqipëria”. Ndikimi i këtij amerikani në historinë e Shqipërisë tashmë është bërë i njohur dhe nuk do të ndalemi aty, por ngjizja, vendosja e themeleve, hapja e udhës së një marrëdhënieje të kombit më të varfër e më të vuajtur të Europës me kombin më të madh dhe më të fuqishëm të globit, që po formësohej, është një rast unik që vlen për t’u studiuar me shumë vëmendje dhe respekt. Ashtu si kish bërë Longfellou me poemën “Skënderbeg” disa dhjetëvjeçarë më parë dhe siç do të bënte Bernsteini më pas edhe Ericksoni i kushtoi heroit tonë poemën e mëposhtme:

“Skënderbeg,

Ti dorën nuk e zgjate drejt skeptrit njollagjak,

As i trishtë nuk kërkove të shprishurën kurorë,

Përballë i dole që vetë të merrje hak,

Ndaj atij tirani djemrrëmbyes e idhnak,

Që dheun tënd kishte shtënë në dorë.

I flake tej nderet e pafundme imperiale,

Dhe lavdinë ndër vite të fituar,

Të mbroje folenë e vendit tënd, trazuar,

Si shqipe-shqiptare gjokszbuluar,

Prej morisë së pafund të shigjetave, i sulmuar.

U zhveshe nga një fe që të kishte ndarë,

Nga shtëpia, babai, nëna dhe altari,

Dhe varrose një dashuri,

Tinëzare, por të bukur, tretur, ëmbëlsi,

Për at’ dhe, fe e truall që t’ la i pari.

Si dikur Zoti yt, drejt vdekjes t’i shkove,

Ndërsa bota krejt e qetë të kundronte,

Pa luajtur qoftë dhe gishtin për shpëtim,

Pa rrahur një herë duart për tëndin guxim,

Kur kombit tënd si shi gjaku i kullonte.

Shpirt martir, eja prapë dhe hakmerru!

Nga pluhuri ngrije atë flamur, në lartësi!

Bëhu edhe një herë për ne, frymëzim,

Për Kryqin e Ndritur deri në amshim,

Dhe pamjes së largët të Lirisë, silli përjetësi!”.

Ambasada e SHBA-ve në Tiranë

Për t’u theksuar është edhe fakti se Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, e inauguruar më datën 27 nëntor 1930, është e para ndërtesë në historinë e Amerikës, e ndërtuar enkas për ambasadë. Ajo përfshihet në historinë e selive diplomatike të ndërtuara më vonë në shumë vende tjera të botës dhe shquhet si pioniere e këtyre ambasadave për arkitekturën dhe funksionalitetin e saj. Inaugurimi i saj bëhet pikërisht nga ambasadori Herman Bernstein.

Rëndësia e emërimit të Herman Bernsteinit

Emërimi i Herman Bernsteinit si Ministër Fuqiplotë në Mbretërinë Shqiptare, kishte rëndësi për Shqipërinë, për Vatrën në Boston dhe për vetë lobin hebraik në SHBA-të e asaj kohe. Vetë “Vatra”, e cila kishte vepruar si “qeveri shqiptare në mërgim”, e priti emërimin e tij me gëzim të veçantë, siç vihet re nga njoftimi i botuar për në gazetën “Dielli”: “Ministri i ri i Amerikës Herman Bernstein lindi më 21 shtator 1876 në Vladislavov sipas rusishtes, Neustadt – Schirmuindt, në gjermanisht, ose Naishtot në hebraisht, në atë kohë një vend në kufirin midis Gjermanisë dhe Rusisë, sot territor lituanez”, citon ai. Duke shtuar më tej detaje se ai ka  shkruar për “Neu York Evening Post”, “The Nation”, “The Independent”, teksa ka themeluar gazetën “The Neu London Day”, ka qenë edhe botues i “The Jeuish Tribune”, apo i  “Jeuish Daily Bulletin”. Ndërsa si korrespondent i “Neu York Times”, Bernsteini udhëtoi rregullisht në Europë, kur në vitin 1915 shkoi atje për të parë në terren situatën e hebrenjve në zonat e luftës. Më pas ai mbuloi si gazetar Revolucionin Socialist të Tetorit të vitit 1917 për gazetën amerikane “Neu York Herald”, çka e çoi atë drejt Siberisë dhe Japonisë me forcat amerikane të ekspeditave. Ai hartoi artikuj mbi Konferencën e Paqes në Paris në vitin 1919, po për të njëjtën gazetë. Gjatë udhëtimeve Bernsteini mori intervista nga disa prej njerëzve më të shquar të Europës, përfshirë Kontin Uitt, Metchenikoff, Bergson, August Rodin, G.B Shau, Tolstoin dhe mblodhi materialin e librit “Me mendjendriturit” botuar në vitin 1912. Teksa vepra e Herman Bernsteinit gjendet në arkivën e Institutit të Hulumtimeve Hebraike “YIVO”, në Nju Jork. Ku hapjen e këtij instituti e mbështetën intelektualët më të shquar, përfshirë Ajnshtainin dhe Sigmund Freud-in. Ndërkaq, në një shkrim me titull “Koleksioni i Herman Bernsteinit për Shqipërinë”, dr. Elez Biberaj shkruan: “Ky koleksion përfaqëson një burim të vlefshëm për studiuesit e interesuar për zhvillimet e Shqipërisë në fillimin e viteve 1930. Ai është relativisht i pasur dhe përbëhet nga tetëmbëdhjetë dosje të vendosura në katalogë, sipas subjekteve që përmbajnë. Ai përmban informacion interesant mbi aktivitetin e Bernsteinit në Shqipëri, marrëdhëniet e tij me shumë shqiptarë, intervista me burrështetas dhe një dorëshkrim bibliografik për Mbretin Zog si dhe informacion tjetër përkatës. Ambasadori Bernstein duket se ka qenë shumë i interesuar rreth Shqipërisë dhe historisë së saj. Ai shkroi disa artikuj për luftën e shqiptarëve për mbijetesë në një vend sovran. Gjatë qëndrimit të tij në Shqipëri ai u bë një figurë shumë e njohur dhe mik i ngushtë i shumë shqiptarëve përfshirë Mbretin Zog, Faik dhe Mehmet Konicën”.

Mbrojtja e hebrenjve në Shqipëri

Me përkeqësimin e pozicionit të hebrenjve dhe ardhjen në fuqi të Hitlerit, Bernstein-i mori përsipër të bisedonte me Mbretin Zog çështjen e vendosjes së një numri të madh hebrenjsh si emigrantë në Shqipëri. Si rezultat i këtyre diskutimeve, në qershor të vitit 1933 ai u dërgoi një ftesë zyrtare biznesmenëve hebrenj të vendoseshin në Shqipëri dhe u premtoi “të ndihmonte me çdo mjet sipërmarrjet tregtare të ndërmarra nga të ardhurit e rinj, të tillë”. Më datën 29 gusht 1934, një zyrtar shqiptar në një dokument të nënshkruar e informon Bernstein-in rreth mundësisë së vendosjes së hebrenjve në Shqipëri. Kjo cështje u konkretizua dhe me kontributin e qytetarëve durrsakë në mbrojtjen e hebrenjve.

Marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë

Gjithashtu, koleksioni i Bernsteinit përmban informacion të rëndësishëm edhe mbi marrëdhëniet e Shqipërisë me Italinë dhe varësinë e saj kronike nga ndihmat e huaja. Në një letër të datës 28 maj 1930, H.T. Fultz, i cili drejtonte Shkollën Teknike, i raporton ambasadorit të sapoemëruar në Shqipëri, një memorandum marrëveshjeje për ndihmat që i ofronte Italia Shqipërisë dhe një bisedë që kishte bërë me një ministër shqiptar të paidentifikuar. Ai përmend bisedën shumë miqësore që ministri kishte pasur me të dhe që i kishte thënë se Shqipëria i kishte jetike ndihmat e huaja dhe se, tani për tani, e vetmja ndihmë që merrte Shqipëria, vinte nga Italia. Aty gjendet edhe një raport konfidencial i datës 3 shtator 1930, i ambasadorit Bernstein pas një vizite në shtëpinë e dr. Terenc Toçit, i cili hedh edhe më shumë dritë mbi varësinë e Shqipërisë nga Italia. Ai thotë se Shqipëria është në prag të shkatërrimit dhe se është shumë kritik ndaj Zogut, i cili i ka orientuar marrëdhëniet vetëm drejt Italisë, duke injoruar Greqinë dhe Jugosllavinë dhe se “Mbreti është i rrethuar nga dhjetë ose dymbëdhjetë vetë që e keqorientojnë atë”. Teksa një prej dokumenteve më të rëndësishme të koleksionit është edhe një material në shtatë faqe, i cili përmban intervistën që Mbreti Zog i ka dhënë gazetarit amerikan Pouell. Intervista duhet të jetë dhënë në fillimin e vitit 1931. Në këtë intervistë Mbreti Zog shpreh pikëpamjet e tij për ekonominë shqiptare, bujqësinë, si dhe marrëdhëniet e vështira të Tiranës me Beogradin dhe Athinën.

Bernstein, personalitet që promovoi shqiptarët

Ai ishte mik i tre presidentëve amerikanë: Theodore Roosevelt, UoodroU Uilson dhe Herbert Hoover. Ai kishte pasur kontakte me njerëzit më të shquar të botës si me Leon Tolstoi, Leo Trocki, August Rodi, Leon Andrejev, George Bernard Shou, Sheik Ul Islam, Sigmund Freud, Aleksandër Moisiu dhe mbi të gjithë, ai kishte miqësi personale me Albert Ainshtajnin. Një personalitet i tillë, për mua, në kontekstin shqiptar, është promovim i Shqipërisë, pasi përfaqëson dikë që ka përmasa universale. Ky është edhe qëllimi, misioni i veprës sime: Të zbulohet Shqipëria dhe shqiptarët, siç e kanë parë njerëz të tillë të mëdhenj. Kjo është pjesë e asaj që bota sot e quan “Pushteti i butë” i kombeve të vegjël, në marrëdhëniet ndërkombëtare. Një njeri që i “këndoi” Shqipërisë, lavdisë së saj antike, Skënderbeut, konsolidimit të shtetit të pavarur shqiptar, tolerancës fetare, virtyteve tona, besës dhe mikpritjes shqiptare.

Në gjithë këtë rrugë të gjatë studimore dhe shkencore, që i ka marrë disa vite kohë, zoti Berisha nuk la pa vlerësuar ndihmën dhe inkurajimin që i ka dhënë familja e tij, vecanërisht gruaja Donika, që meriton një falenderim të vecantë.

Gjithashtu gjatë shpjegimit të përmbajtes së librit të tij, autori Berisha solli në vemendjen e pjesmarrësve kontributin e qytetarëve durrsakë në strehimin dhe mbrojtjen e hebrenjve gjatë luftës së IIB, konkretisht familjes së vjetër durrsake, Stratti. Në vijim shkrimëtarë dhe krijues të qytetit në diskutimet e tyre sollën vlerat e këtij libri, si një kontribut i vecantë në historinë e popullit shqiptar, që duhet të zerë vendin e duhur dhe në programet mësimore te shkollave tona. Zoërinjtë Hysen Haxhia, Nikollaq Spathari, Eqrem Shehu, zonja Adelina Hoxha dhe studjuesi nga Kosova, Isak Guda evidentuan ceshtjet kryesore të librit, që nëpërmjet një personazhi si Herman Bernstein, evokon e lartëson miqësinë tradicionale midis dy popujve tanë, atij amerikan e shqiptar, ku diplomatët e dy vendeve kanë rol e mision  të rëndësishëm. Ndërkohë u evidentua dhe puna e zotit Mal Berisha, si diplomat dhe historian. Gjithashtu diskutantët i uruan autorit vazhdimësi në krijimtarinë e tij në këtë gjini të historisë, pra, librit biografik e monografi. Aktivitetit nuk i munguan ngjyrat artistike dhe emocionet qe të jep recitimi i poezisë nga aktori i madh Mirush Kabashi. Kështu mjeshtri Kabashi recitoi disa poezi të krijuara nga H.Bernstein dhe përkthyer me mjeshtëri nga zoti Mal Berisha, të cilat merituan duartrokitjet e auditorit. Në fund të promocionit Zoti Mal Berisha falenderoi pjesmarrësit dhe qytetarët durrsakë për pritjen dhe vlerësimin që i bënë në këtë mbrëmje të vecantë. Aktiviteti u monitorua nga Klub ART “Sigal” Durrës.

Filed Under: Featured Tagged With: Ambasadori Mal Berisha, Herman Bernstein, Shefqet Kercelli

Merkel-Thaçi: Kosova, rol konstruktiv

April 17, 2018 by dgreca

-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, bisedë telefonike me Kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel/

1 Thaci-Mderkel

PRISHTINË, 17 Prill 2018-Gazeta DIELLI/  Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kancelaren e Republikës Federale të Gjermanisë, Angela Merkel.Temë kryesore e bisedës ndërmjet presidentit Thaçi dhe kancelares Merkel ishin forcimi i marrëdhënieve bilaterale ndërmjet dy shteteve dhe domosdoshmëria e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

 Presidenti Thaçi ka theksuar se Kosova mbetet e përkushtuar për zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të arritura deri më tani, si dhe për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Ndërsa, kancelarja Merkel e ka përgëzuar presidentin Thaçi për rolin konstruktiv të Kosovës në procesin e dialogut me Serbinë, për ratifikimin e marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi dhe për funksionalizimin e Ekipit Menaxhues, që është kompetent për hartimin e draftit të Statutit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.Presidenti Thaçi e ka falënderuar kancelaren Merkel për mbështetjen që Gjermani i ka dhënë Kosovës në të gjitha periudhat./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, merkel-Thaci

FAN S. NOLI: SI E DUAM QEVERINË DHE QEVERISJEN

April 17, 2018 by dgreca

Duam ti japim popullit liri e jo tirani.Duam ta shtrojmë vendin tonë jo me dru po me Kanun e Drejtësi…/

1 Noli2

FAN S. NOLI: SI E DUAM QEVERINË DHE QEVERISJEN(DIELLI)/

…Duam një Qeveri të popullit, prej popullit, për popullin, të përbërë prej njerëzve më të ditur, më patriotë, më të zotërit, e më të nderçmit.

Në të emëruarit e nënpunësit duam të merret parasysh dituria, patriotizma, zotësia e nderit. Nuk duam të përjashtojmë asnjë qytetar i cili ka dituri, zotësi e vullnet të mirë…Duam të lartësojmë racën tonë, jo ta skllavërojmë. Duam të respektohet nderi, liria dhe kryelartësia tradicionale e popullit shqiptar. Duam ti japim popullit liri e jo tirani.Duam ta shtrojmë vendin tonë jo me dru po me Kanun e Drejtësi…

(Pjesë nga fjalimi i Fan S. Nolit në Kopështin e Themistokli Germenjit më 19 gusht 1923, në Korçë.)

Filed Under: Emigracion Tagged With: Fan S Noli, Si e duam Qeverine

Mogherini… vendimin e merr Merkel në qershor…?

April 17, 2018 by dgreca

Moherini MerkelPër shumë arsye, sot në Tiranë, Frederica Mogherini dhe Hahn do të tregojnë me fjalë të bukura se Komisioni Europian do të kërkojë që Këshilli Europian që mblidhet në qershor të “hapë negociatat me Shqipërinë”.

Arsyet e vërteta të këtij qëndrimi të Mogherini lidhen më shumë me arsye gjeopolitike. Rreziku i faktorëve të tretë i ka shtyrë burokratët e Komisionit Europian të japin mendim pozitiv për hapjen e negociatave, duke lënë mënjanë të gjithë problemet e mëdha që kanë këto vende, me korrupsionin, krimin, trafiqet e drogës, mos ngritjen e shtetit ligjor, me administratën e paqëndrueshme publike, me të drejtat e njeriut, me marrëdhëniet me fqinjët, e tjerë e tjerë pafund.

Sepse Mogherini dhe të gjithë ata burokratët që punojnë në Bruksel, e dinë sa e korruptuar është qeveria Rama, çfarë lidhjesh ka kjo qeveri me krimin dhe kriminelët. Dinë me saktësi, madje më mirë sesa ne në Shqipëri se si kanë qenë e angazhuar policia dhe Saimir Tahiri në kultivimin masiv të kanabisit. Sesi Shqipëria është shndërruar në trampolinën kryesore të trafikut të drogave të forta në Europë, dinë se në ç’gjendje të rrënuar është ekonomia. E dinë me saktësi, edhe nga FMN, se PPP dhe koncesionet po e zhysin ekonominë në kolaps; se Shqipëria po grindet e nuk po bën marrëveshje me Greqinë për shkak të njërit nga faktorët e tretë; dinë se sa të korruptuar janë Ahmetaj, Gjiknuri, Beqaj; dinë se kush është Xhafaj dhe çfarë bën vëllai i tij; dinë se Rama ka një pasuri 200 milionë euro të fshehur në llogari “off shore”; dinë se sa i implikuar është vëllai i tij Olsi Rama….

Dinë gjithçka ndodh në Shqipëri dhe kanë informacion më të plotë, me fakte e prova, për situatën në Shqipëri. Deri edhe që Rama e ka quajtur popullin e tij “organ seksual që nuk ngrihet dot…”.

Por pavarësisht gjithë këtyre, Mogherini dhe Hahn, do të thonë se Shqipëria ka bërë progres, se kjo qeveri ka bërë reforma të guximshme, se ka pasur rezultate në luftën kundër kanabisit, se ekonomia po ecën në rrugën e duhur e tjerë e tjerë fjalë të bukura, më shumë që shqiptarët të jenë optimistë dhe të mos dëshpërohen e pastaj të emigrojnë. Kaq është detyra e Mogherini.

Ajo e ka të qartë se vendimi nuk është në dorën e saj, Madje ajo e ka shumë të qartë se vendimi i Merkel është ndryshe nga çfarë ajo mendon. Madje as në Italinë nga ajo ka ardhur, mendojnë ndryshe. Madje edhe ajo vetë mendon ndryshe por puna ia do të flasë sot ndryshe në Tiranë. Kjo është e vërteta. Dhe kaq.

Merkel është një politikane që zgjidhet me votat e qytetarëve gjermane, prandaj mendon dhe vendos ndryshe nga një burokrate siç është Mogherini. Po ashtu Merkel është drejtuese e shtetit më të fuqishëm të Europës e cila ka mbi kurriz të gjithë shqetësimet që vijnë edhe nga shtetet e tjera, anëtare apo kandidate të BE. Pra ajo mendon dhe vendos ndryshe edhe nga një drejtues tjetër i një vendi tjetër të BE, që nuk është po aq i madh dhe po aq i rëndësishëm në BE, sa Gjermania.

Merkel ka edhe një situatë të brendshme specifike, me koalicionin qeverisës, ku anëtarët e koalicionit kanë qëndrime të ndryshme për zgjerimin dhe emigrantët. Prandaj Merkel para se të marrë vendimin për Shqipërinë, pavarësisht se e një situatën në BE, në Ballkan dhe Shqipëri shumë më mirë se burokratët e Brukselit, ndryshe nga burokratja Mogherini, i peshon të gjithë faktorët pozitivë dhe negativë në një peshore farmacie.

Pastaj vendos. Dhe prandaj vendimi në këto raste i është lënë Kryeministrave të vendeve të BE të vendosin me konsensus nëse do të hapen apo jo negociatat, edhe me Shqipërinë. Prandaj shqiptarët nuk duhet të mashtrohen sot nga fjalët e bukura të Ramës apo “lëvdatat” e Mogherini. Ata bëjnë detyrën. E vërteta është ndryshe. Vendimin e merr Merkel në qershor. Vendimi i saj ka peshë vendimtare dhe gjasat janë që Merkel të jetë realiste.

Prandaj, shqiptarët duhet të presin qershorin. Që të mos thonë se Mogherini ishte e mirë, por Merkel…

Shqiptarët duhet të kuptojnë se me qeverinë Rama rruga drejt Europës është jo vetëm e gjatë, jo vetëm e vështirë, por mundet edhe dera të mbetet mbyllur…dhe nuk i ndihmojnë as fjalët e ëmbla të Mogherini dhe realizmi i Merkel.

Filed Under: Editorial Tagged With: Angela Merkel, Be, Mogherini, shqiperia

BE: Shqipëria me rekomandim, Kosova duhet të presë

April 17, 2018 by dgreca

KE do të aprovojë “Paketën e zgjerimit”, raporte për përparimin drejt BE. Shqipëria e Maqedonia pritet të marrin rekomandim për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit, Kosova pret kritika për ngadalësimin e reformave.

1 Ballkani

Nga Marina Maksimoviç/Në prag të publikimit(sot) më 17 prill të raportit të përparimit për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Brukseli bëri të ditur se mbështetja dhe fokusi i Brukselit për procesin e zgjerimit nuk do të ndikojë në asnjë formë vlerësimin për gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit, të të drejtave të njeriut, ekonomisë dhe përputhshmërinë me standardet e BE në secilin nga gjashtë shtetet partnere në rajon. Sipas informacioneve që ka DW për raportin e këtij viti për paketën e zgjerimit, sundimi i ligjit, krimi i organizuar dhe korrupsioni, liria e shprehjes dhe konfliktet bilaterale janë vlerësuar sërish si “çështjet më të dhimbshme” për të gjithë rajonin.

Shqipëria dhe Maqedonia të gatshme për një hap të mëtejshëm drejt BE

Shqipëria dhe Maqedonia, sipas informacioneve të para nga raporti vjetor i Komisionit Evropian, do të marrin rekomandime për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE. Eduard Kukan, anëtar i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe kryetar shumëvjeçar i Komitetit për Bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor i tha DW se ai beson se të dyja vendet kanë bërë përparim të qenësishëm në rrugën drejt BE.

“Shqipëria ka bërë një reformë të thellë juridike, e cila, pasi të zbatohet do të jetë reforma më e rëndësishme e zbatuar midis shteteve në procesin e zgjerimit, dhe do të thosha edhe më serioze se në rastin e disa shteteve anëtare të BE.”

Në vlerësimet e tij Komisioni Evropian nënvizon se Shqipëria po ecën përpara në të pesë prioritetet kyçe që janë thelbësore për integrimin në BE – nga reforma e administratës publike, reforma juridike, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut.

Në krye të këtij viti, Presidenti i Komisionit Evropian Jean-Claude Juncker tha se nëse Shqipëria vazhdon në këtë mënyrë në rrugën e reformave, Komisioni do t’i japë një rekomandim për të nisur negociatat e anëtarësimit brenda gjashtë muajve të parë të 2018-ës. Dhe kjo me sa duket do të ndodhë.

A do ta “zhbllokojnë” shtetet anëtare Maqedoninë?

Ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë ka pritur për një kohë të gjatë për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE. Në 2005 Maqedonia mori statusin e kandidatit për anëtarësimin në BE. KE e rekomandoi dy herë hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë, në 2009 dhe në 2012. Të dyja herët Maqedonia nuk mori mbështetjen e nevojshme nga shtetet anëtare, në radhë të parë për shkak të konfliktit për emrin me Greqinë. Pas zgjedhjeve të fundit, në Maqedoni ndodhën ndryshime dramatike me ndërrimin e qeverisë. Vlerësimi i Brukselit është se Maqedonia e ka “kapërcyer krizën politike” dhe ka treguar “një vullnet të qartë politik për progres”.

Eduard Kukan thotë se Maqedonia ka bërë një progres të konsiderueshëm në vitin e fundit. Ai shton se kryeministri aktual Zoran Zaev po drejton një politikë të jashtme dinamike dhe po përpiqet t’i zgjidhë çështjet e hapura.

“Ndodh shpesh që shtetet anëtare nuk i bazojnë pozicionet e tyre në rezultatet që arrin një shtet në procesin e integrimit evropian, por në çështje politike dhe bilaterale. Unë do t’i bëja thirrje Këshillit që t’i vlerësojnë në mënyrë objektive rezultatet e arritura nga Shqipëria dhe Maqedonia në rrugën e tyre drejt BE,” tha Kukan.

Jo zyrtarisht, DW mësoi nga burime diplomatike të Brukselit se zyrtarë të lartë të BE kanë zhvilluar diskutime me shtetet anëtare për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën praktikisht deri në momentin e miratimit të raporteve.

Në Kosovë gjërat nuk ecin si duhet

Sipas Eduard Kukanit, Kosova, ashtu si Bosnjë-Hercegovina nuk duhet të presin raporte pozitive nga Komisioni Evropian këtë vit. Sundimi i ligjit dhe aspekte ekonomike të vendit janë ende nën një pikëpyetje të madhe, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është në stanjacion, me shkallëzime të herhershme dhe tensione në të dyja palët. Komisioni Evropian beson se reformat në Kosovë janë ngadalësuar në sajë të periudhës së zgjedhjeve vitin e fundit në Kosovë. Autoriteteve të Prishtinës do t’u kërkohet që të punojnë në mënyrë me efikase për zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, por edhe që të angazhohen më fort në dialogun me Beogradin. Në këtë kuadër përfshihet zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani në radhë të parë ngritja e Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë.

“Besoj se ky raport nuk do t’i sjellë shumë inkurajim Kosovës, sepse mund të kishin bërë shumë më tepër. Sa kohë iu desh Parlamentit të Kosovës që të aprovojë marrëveshjen e demarkacionit me Malin e Zi? Kjo është një provë se gjërat në Kosovë nuk ecin si duhet të ecnin. Unë pres një sërë rekomandimesh të ashpra në raport për atë si duhet ecur dhe çfarë duhet bërë në të ardhmen në rrugën evropiane,” tha Kukan.

Përsa i përket liberalizimit të vizave, ai nuk do të jetë pjesë e raportit për Kosovën. Pas një kohe të gjatë, Prishtina plotësoi njërën nga dy kushtet e mbetura për liberalizimin e vizave dhe aprovoi një marrëveshje demarkacioni me Malin e Zi. Në Bruksel dëgjon të thonë se në mënyrë që të mbështesë liberalizimin e vizave për Kosovën, së cilës ende i duhen viza për të hyrë në Shengen, Komisioni Evropian mund të paraqesë disa aspekte pozitive në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë, i cili është kushti i fundit që ka mbetur. Në anën tjetër, për shkak të imigrimit të madh nga Kosova, shtetet anëtare janë më shumë se të kujdesshme kur vjen puna për ta përfshirë Kosovën në listën e bardhë të Shengenit.

Serbia dhe Mali i Zi – kryesojnë, por me probleme të dukshme në sundimin e ligjit

Vitin e kaluar, Serbia dhe Mali i Zi morën nga Komisioni Evropian titullin e “pararojës” në rrugën drejt BE.

“Është e qartë se këto vende do të marrin mbështetje nga KE për të hapur dhe për të mbyllur me shpejt kapitujt e anëtarësimit, shoqëruar me këmbënguljen për plotësimin e të gjitha kritereve pa lëshime,” thotë Eduard Kukan.

Ajo që është e qartë është se një nga pjesët më të rëndësishme, nëse jo më e rëndësishmja e raportit të Komisionit Evropian për Serbinë, do të jetë procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Ka një vonesë në zbatimin e marrëveshjeve të arritura, por edhe në normalizimin e marrëdhënieve midis të dyja vendeve.

Në këtë raport, KE do t’i kujtojë Serbisë se përparimi i saj në rrugën drejt BE do të varet nga reformat e brendshme po kaq sa nga normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën, duke përfshirë zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani në dialog, në radhë të parë në fushën e energjisë.

Megjithë vlerësimet e mira që merr për reformat e saj ekonomike dhe për rolin pozitiv në marrëdhëniet rajonale Serbia po përballet sërish me kritika për reformën juridike, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe lirinë e shprehjes. Këto janë elementë të dhimbshëm në të gjithë rajonin, të cilat vazhdojnë të ekzistojnë që prej nisjes së procesit të integrimit e´në BE.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ftesa ne BE, Kosova prit, Shqiperia PO

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1451
  • 1452
  • 1453
  • 1454
  • 1455
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT