• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Romë e Rrymë

February 23, 2018 by dgreca

1 astrit LULUSHI

Nga Astrit Lulushi/Washington/
Fjalët janë vetëm emra për gjërat që ekzistojnë pavarësisht nga fjalët. Ky është kuptimi i sipërfaqshëm që njerëzit i japin fjalës, thotë Saussure. Sepse në thellësi, shumica e fjalëve u referohen emrave që janë koncepte abstrakte.

Emri Romë, pêr shembull, besohet se ka ardhur nga themeluesi i qytetit dhe mbreti i parë, Romulus. Megjithatë, ka mundësi që emri Romulus të rrjedhë nga vetë Roma. Po Roma nga erdhi? Që në shekullin e 4, ka pasur teori teori alternative. Disa hipoteza janë avancuar duke u përqendruar në rrënjët gjuhësore të cilat megjithatë mbeten të pasigurta:
* nga Rumoni ose Rumeni, emri arkaik i lumit Tiber, i cili nga ana tjetër, ka të njëjtin rrënjë si greqishtja “rho” dhe të dyja mund të shpjegohen me shqipen “rrymë” e “rrjedhë”.
* nga fjala etruske “ruma” (shq. “rrufisje”), me referencë të mundshme për ulkonjën nga kanë thithur binjakët Romulus dhe Remus, ose për formën e kodrave Palatine dhe Aventine;
* nga një greqishte e vjetër “rhomë”, që do të thotë rrënim, rrëmim, shkatërrim.

Historitë e traditës që vijnnë nga romakët e lashtë shpjegojnë origjinën më të hershme të qytetit të tyre në kuptim të legjendës dhe mitit. Më i njohuri nga këto mite është historia e Romulus dhe Remus, binjakët që u mikluan nga një ulkonjë. Ata vendosën të ndërtonin një qytet, por pas një grindjeje, Romuli vrau vëllanë dhe qyteti mori emrin e tij. Sipas analistëve romakë, kjo ndodhi më 21 prill 753 pes. Por që legjenda të pajtohej me një traditë të dyfishtë – sipas së cilës Aenias i refugjatëve të Trojës gjeti strehim në Itali dhe nëpërmjet djalit të tij Iulus, krijoi dinastinë Julio-Claudian – poeti romak Virgil, krijoi Aeneidën, në shekullin e parë pes.

Filed Under: ESSE Tagged With: Astrit Lulushi, Romë e Rrymë

A ka nevojë Shqipëria për një politikë të jashtme (të përbashkët)?

February 23, 2018 by dgreca

1 Albulenë Halili ok

Nga Albulenë Halili/

Shqipëria ka DY ministra për punë të jashtme: një për shqiptarët dhe një për të huajt. I pari është ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, ndërkaq tjetri është ministër vetëm i punëve të jashtme. Një vizitë në uebfaqen e ministrisë e vërteton këtë. Edhe në të gjitha forumet ndërkombëtare por edhe në artikujt e tij autorialë, Ministri Bushati prezantohet vetëm si ministër për punë të jashtme.  

Shqipëria ka NJË Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme. Andaj natyrshëm lindin pyetjet: përse një vend evropian do të duhej të kishte një ministri për Evropën?! Në cilën hemisferë ndodhet Shqipëria?! A nuk jemi ne ndër popujt e parë që kanë banuar në kontinentin më të vjetër të botës?! A nuk jemi ne vetë Evropa?! Përse atëherë vallë një ministri për Evropën?!

Shqipëria ka synime të ndryshme në programin qeverisës për politikën e jashtme.

Në uebfaqen e Kryeministrisë ky program synon “jo vetëm të korrigjojë gabimet e së shkuarës që kanë rrezikuar të ardhmen euro-atlantike të Shqipërisë, por të rrisë cilësinë dhe të përshpejtojë ritmin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, besueshmërinë në rajon dhe strukturat euro-atlantike.”

Ndërkaq, në uebfaqen e Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, programi qeverisës për politikën e jashtme synon “të konsolidojë ankorimin euro-atlantik të vendit, të përshpejtojë dhe konkretizojë ritmin e procesit të integrimit në Bashkimin Evropian, të forcojë miqësinë dhe marrëdhëniet tërësore me fqinjët si dhe të rrisë rolin, kontributin dhe besueshmërinë tonë në rajon në kuadër të zgjerimit dhe thellimit të bashkëpunimit rajonal.”

Vizioni i politikës së jashtme të Shqipërisë është i dykuptimshëm. Kryeministria i jep përparësi mbështetjes mbi partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkaq Ministria, atij me Bashkimin Evropian. Kryeministria inkurajon rritjen e shkëmbimeve dypalëshe, në mesin e të tjerave edhe me Mbretërinë e Bashkuar, Ministria për Evropën, në vend të saj, me Vendet e Vishegradit. Ministria dëshiron rritjen e shkëmbimeve me vende të rëndësishme në rrafshin global si me vendet e Gjirit Persik, Kryeministria në vend të tyre ka Brazilin.

Politika e jashtme e një shteti përbëhet nga strategjitë e interesit vetjak të zgjedhura nga shteti për të mbrojtur interesat e saj kombëtare dhe për të arritur qëllimet brenda mjedisit të marrëdhënieve ndërkombëtare.

Që të dyja konceptet që përshkojnë strategjinë kombëtare të politikës së jashtme të Shqipërisë, integrimi në Bashkimin Evropian dhe partneriteti strategjik, nuk janë elemente që përbëjnë sovranitetin e një shteti, por koncepte që duhet të jenë të zbatueshme atëherë kur ai të ushtrojë sovranitet të plotë. Përndryshe kemi të bëjmë me sovranitetin nominal a relativ siç e quan Brzezinski apo edhe me doktrinën e Brezhnjevit për sovranitetin e kufizuar.

Është e natyrshme për vendet anëtare të një organizate të tillë që të japin pjesë të sovranitetit, por kjo nuk do të thotë se aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian duhet të shërbejnë si shkas që një shtet të heqë dorë apriori nga sovraniteti i tij. Aq më pak kur në dokumentin zyrtar të BE-së për Ballkanin Perëndimor, atë të një perspektive të besueshme për zgjerim, të publikuar para ca ditësh, për Shqipërinë nuk parashihet anëtarësimi as në 2025, siç parashihet në rastin e Serbisë dhe Malit të Zi.

Lënë mënjanë specifikat dhe sfidat e vetë kësaj organizate, e cila deri tani nuk arriti të bëhet një organizatë e njëmendët supranacionale politike, integrimi duhet të jetë pjesë e prioriteteve të Shqipërisë në veçanti dhe i tërë hapësirës shqiptare në Ballkan përgjithësisht, por nuk duhet assesi që ai të zërë vendin e parë në prioritetet e politikës së jashtme të Shqipërisë, aq më pak që integrimi të vendoset përpara sovranitetit.

Kështu duhet të veprohet edhe në rastin e partneriteteve strategjike. Vetë fjala partneritet nënkupton një raport të ndërsjellë mes dy palëve sovrane dhe tërësisht të barabarta. Partneriteti strategjik në asnjë mënyrë nuk duhet të jetë vizion i politikës së jashtme të një shteti.

Vizion i politikës së jashtme të Shqipërisë do të duhej të ishte aspirata për t’u bërë fuqi rajonale dhe të fitojë vendin e saj në arenën ndërkombëtare. Ndërkaq, ky vizion duhet të arrihet përmes partneriteteve strategjike, pra, marrëdhënieve politike, diplomatike, ushtarake apo ekonomike me shtete apo subjekte të tjera të së drejtës ndërkombëtare. Kështu, partneritetet strategjike duhet të shërbejnë si një lloj instrumenti për arritjen e vizionit dhe qëllimeve të politikës së jashtme të një shteti, e kurrsesi si qëllim më vete.

Në qoftë se vazhdojmë të humbim: sovranitetin territorial, me anë të marrëveshjeve me fqinjët për cedim të sovranitetit, si parakusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian, sovranitetin ekonomik, duke u vënë në varësi të drejtpërdrejtë nga Serbia, Turqia dhe Greqia, në mungesë të prodhimeve vendore dhe importeve; sovranitetin ushtarak, duke u mbështetur vetëm në sigurinë kolektive, atë të NATO-s; dhe së fundmi, sovranitetin politik, një pjesë vetë BE-së, akoma pa filluar negociatat për anëtarësim dhe përfaqësuesve diplomatikë, në fund në Ballkan do të krijohet edhe një e ashtuquajtur “Banana republic” e cila jo vetëm që s’do të jetë e aftë për të qenë partnere strategjike me SHBA-të e BE-në, por edhe do ta bëjë shumë të vështirë ruajtjen e sigurinë dhe stabilitetit të Ballkanit si prioritete strategjike të strukturave euro-atlantike të sigurisë.

Këtë herë, për nevojën e Shqipërisë për një politikë të jashtme të përbashkët midis Kryeministrisë dhe Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme. Për nevojën e një politike të jashtme të përbashkët shqiptare, në shkrimet e radhës…

Filed Under: Analiza Tagged With: (të përbashkët)?, A ka nevojë, Albulene Halili, Shqipëria për një politikë të jashtme

KRENARI KOSOVARE: NASA- ASTEROIDI ME EMRIN”PRANVERA HYSENI”

February 23, 2018 by dgreca

Vajza nga Kosova, Pranvera Hyseni shpërblehet nga SHBA me çmimin ’24 Under 24”/

1 Pranvera HyseniPranvera-HyseniSolar-outreach-event-at-Gym2 Pranvera

-Ministria për Inovacion do të kujdeset që t’i shumëfishojë rrëfimet e suksesit që dalin nga Kosova/

Pranvera Hyseni, është bashkëthemeluese e Klubit“Astronomy Outreach of Kosovo”, e cila ështëthemeluar nëvitin 2015 dhe tashmë ka më shumë se 100 anëtarë, në mesin e tyre edhe shumë vajza të talentuara.

Tashme ajo eshte bere teper e njohur per median dhe opinionin publik pasi  është shpërblyer nga SHBA me çmimin ’24 Under 24”, i cili  ndahet për të rinjtë që arrijnë të bëjnë ndryshimin në botë dhe si rezultat një asteroid ka marrë emrin Pranvera Hyseni. Këtë emër e ka marrë nga Administrata Kombëtare Aeronautike Hapësinore Amerikane (NASA) në nderim të kosovares 22-vjeçare Pranver Hysenit.

Me këtë rast Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në Qeverinë e Kosovës Besim Beqaj e ka vlerësuar lartë këtë arritje të Pranverës, duke shprehur përkushtimin e tij dhe të ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë në mbështetje të fuqishme të te rinjve dhe ideve të tyre inovative.

“Si Ministri për Inovacion, ne do të kujdesemi që t’i shumëfishojmë rrëfimet e suksesit që dalin nga Kosova. Sepse të rinjtë tanë janë aseti më i çmuar që ne kemi, dhe ne do të investojmë fuqishëm në të rinjtë tanë dhe idetë e tyre”, ka thënë Besim Beqaj, Ministër i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë.

Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë si ministri e re e Qeverisë së Republikës Kosovës, fushë veprimtari dhe prioritet të saj të rëndësishme e ka përkrahjen e inovatorëve dhe ndërmarrësve, veçanërisht të rinjtë dhe gratë.

Por cfarë thotë vete Pranvera?:  “Shkuarja ime në NASA do të mbetet një nga kujtimet më të bukura të jetës sime, meqenëse për këtë moment, kisha ëndërruar qysh në fëmijërinë time”, ka thënë mes tjerash Pranvera, e cila e entuziazmuar shpalosi emocionet e këtij takimi, në të cilin marrin pjesë vetëm shkencëtarët e autorizuar të NASA-s.

Në mesin e 24 studentëve nga e mbarë bota që mirren me shkenca të ndryshme dhe i promovojnë ato, Pranvera e cila ka përfaqësuar Kosovën atje, është shpërblyer me çmimin “Steam and Space”.

Kosova ndjehet krenare me Pranverën.

 

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Krenari Kosovare, Nasa-Asteroidi, Pranvera Hyseni

Puka dhe eksodi human

February 23, 2018 by dgreca

1-leonora-laci

Nga Leonora Laçi/

“Mos pyet se çfarë bëri vendi yt për ty, por çfarë bëre ti për vendin tënd”- këto rreshta më nxitën për të bërë një shkrim që shumëkujt i sjell ndërmend një qytet të vetmuar, mes maleve i bekuar, e nga dora e  natyrës krijuar.

Vetmi e frikshme, rini që synon metropolet, të etur për dije, njohje e emancipim, që më nuk kthehen.

Shpesh në artikujt e mi e kam parë “gotën gjysmë boshë”, këtë herë do e lë pesimizmin tutje dhe të përfshihem në emocionet e ndjenjat pozitive që më paraqet qyteti im.

Udhëtimet fizikisht nuk i kam pasur të shpeshta, por në mendjen time ruaj pafund kujtime por ndjej dhe dhembje njëkohësisht për eksodin e heshtur të pukjanëve. Rrugëtimi Shkodër-Pukë më pështjellon zorrët e mendjen por prapë gjejë kohë për meditimin tim, meditim i vonuar në kohë. Gjarpërimet e rrugës janë të lodhshme, por rruga ka fund, mendimet e mija jo, janë më të gjata se rrugët…

Babai më pyeti një ditë papritur:- Pse nuk shkruan për Pukën? E pashë: -Pukën?!- gëlltita fjalët, nuk ishte një pyetje sa për të kaluar radhë, por qëndronte. Nuk kisha asnjë arsye për të mos shkruar për Pukën, dhe kam 1001 arsye për të shkruar për të. Puka meriton shumë më tepër,  këto rreshta nuk ja zgjidhin problemet e shumta.

1001 arsyet e mia, fillojnë që nga fakti se Puka është vend-origjina ime. Kam nostalgjinë fëmijërore atje, në një fshat të fshehur mes shkrepave që quhet Kabash. Drejt tij duhet të ecje në këmbë një copë rruge të mirë. Përtej kësaj, ishte i bukur, është, ndonëse ka vite që nuk kam qenë më. Kishte një urë kalimi sfiduese, por ne fëmijëve na pëlqenin sfidat, bora shpesh ishte prezent dhe na nxirrte kokën deri në dritare për ditë të tëra, si në një garë me diellin, por bora e fitonte betejën.

Ura me siguri nuk është më aty…as njerëzit.

Përroi po, ajri brisk të fishkëllente fytyrën në dimër e verë. E adhuroja eksplorimin e maleve përreth. Urat ishin i vetmi mjet lidhës për të shkuar drejt shtëpisë sonë, sepse përroi në dimër  vërshonte i tërbuar e në verë ndërronte fytyrë, i qetë dhe i pakësuar, a thua se nuk ishte i njëjti…

Kabashi, fshati ku gjyshi im i ndjerë jetoi e punoi pa u ndjerë. Ndjej mirënjohje për gjyshin e për punën e tij, gjyshërit tanë ishin heronjtë e heshtur real, biografia e keqe i solli dëme, por nuk i’a thelloi dëmet vetës, nuk ankoi, pranoi fatin e tij dhe familjes së tij. Kokulur punonte arën e vet, që nuk ishte më e tija, ani, sa për dy punonte. Bindjet nuk  iu lëkunden, vdiq si fanatik i mbretërisë.

Dheu, malet, uji, dielli, ajri, njerëzit,  janë ndryshe atje, sepse ende nuk kanë hyrë vinçat për të prishur atë çfarë natyra i ka fal.

Puka dhe njerëzit e saj nuk dëgjohen për gjakmarrje e kriminalitet, të gjithë e njohin njëri-tjetrin dhe gëzojnë respekt.

Feja asnjëherë nuk ka qenë mollë sherri, të krishterë e myslimanë festonin e festojnë Shën sebastianin( shmasjanin), Shëngjergjin e Shenkoll, bajram e pashkë së bashku, i gjenden njeri- tjetrit për të mirë e të keq, pa dallim.

Puka, ka dhe gatime tradicionale të mrekullueshme. Ndjej shpesh nostalgji për ato gatime të shijshme dhe për të hequr mallin vizitoj Hanin e Perparim Laçit që i gjej të gjitha gatimet bio.

Shpesh mendoj, kur do të vij dita që Pukës ti rikthehen bijtë e saj dhe ta shfrytëzojnë atraksionin natyrorë për turizëm në verë e dimër ?! Pukës si krahinë nuk i mungon potenciali njerëzor për ta bërë këtë, por duhet vullnet politik e qytetar, duhet solidaritet sëbashku me vizionin afatgjatë.

Pukës i thuri vargje Dom Ndre Mjeda e Migjeni, pa lënë anash Shtjefën Gjeçovin që i mblodhi e përcolli zakonet e traditat e zonës. Pukën e përjetësoi të varfërueshme vepra e Migjenit.

Puka migjeniane nuk ka ndryshuar shumë  që atëherë, duket sikur është lënë qëllimisht e tillë që të mbetet si model unik frymëzimi për migjenianët e tjerë.

Ndonëse investimet infrastrukturore ndjehen, por prapë janë të pamjaftueshme për t’i kthyer mendjen njerëzve për të jetuar atje.

Rrugëtimi im filloi me gjarpërimet e rrugëve, të njëpasnjëshme, faqet e malit më humbin para syve, pishat kundërmonin teksa kuptoj se po i afrohesha qytetit, një tabelë teneqeje më uron mirëseardhjen. Por, mirëseardhja e vërtetë gjendet në zemrat e banorëve të cilët të mirëpresin qofshin të njohur e të panjohur duke të hapur derën me fjalët -“ Hajde Bujrum”.

 

 

 

Filed Under: Histori Tagged With: Leonorea Laci, Puka dhe eksodi human

PËRSËRI SHTYRJE SEANCËS PËR DEMARKACIONIN

February 23, 2018 by dgreca

-Shtyhet për herë të tretë seanca e Kuvendit të Kosovës për demarkacionin me Malin e Zi, në pritje të konsensusit dhe së paku 80 votave të nevojshme të parlamentit 120 anëtarësh/

 1 Kuvendi shtyrje prapeGazeta-DIELLI-Behlul-Jashari-Kuvend-Kosove-22-shkurt-2018-

 -Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari/

PRISHTINË, 23  Shkurt 2018/ Shtyhet për herë të tretë, për të mërkurën e javës së ardhshme,  seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për shqyrtimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.  Nisi sot rreth orës 10:20, e  thirrur për dje në orën 11:00, por e shtyrë pa filluar e pas më shumë se dy orë qëndrimi të deputetëve në sallë në pritje të sigurimit të votave, ndërkohë që edhe gjatë mbrëmjes së kaluar deri vonë kanë vijuar përpjekjet për një koncensus të partive parlamentare nga maxhoranca e opozita, ku janë përfshirë edhe diplomatë të akredituar në Prishtinë.Seanca sot që në fillim nuk kishte kuorum, meqë në sallën plenare nuk ishin deputetetët e Lëvizjes Vetevendosje dhe të Listës Serbe, prandaj kryatari i Kuvendit Kadri Veseli dha pushim në pritje të ardhjes së deputetëve që mungonin.“Për të vijuar seanca na duhen 2/3 e deputetëve në sallë (së paku 80)”, tha kryeparlamentari.“93 deputetë janë në sallë”, konstatoi Veseli kur deputetë që mungonin, jo të gjithë, hynë në sallën plenare.Seanca vijoi me deklarimet e kërkuara nga kryeparlamentari për “shmangie nga rregullorja”  të shefave të grupeve parlamentare, duke nisur me VV dhe LDK. “Nuk kemi kolegë nga Lista Serbe”, konstatoi më tej kryetari i Kuvendit kur erdhi radha të deklarohet përfaqësiuesi i grupit parlamentar të komunitetit serb, pasi u deklarua edhe grupi parlamentar i PDK.

Seanca vijoi me deklarimet e AAK-së e Nismës për Kosovën.Më pas kryeministi Ramush Haradinaj tha se ka dy vjet e gjysmë që skena politike kosovare  është ndarë për një temë që ka të bëjë me territorin vendit, me kufirin  me Malin e Zi,  ndërsa duke iu drejtuar LDK-së tha se “asnjë germë nuk i hiqet” asaj që ka proceduar qeveria për Projektligjin, nuk hiqet as Dokumentacioni i Komisionit Shtetëror për shënimin e Kufirit Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.“Projektligji për demarkacionin ratifikon marrëveshjen e 26 gushtit 2015. Për të parë dilemat, qeveria ka formuar një komision, i cili ka nxjerrë një raport”, tha kryeministri.Pasoi replika e shefit të grupit parlamentar të LDK, Avdullah Hoti dhe kundër-replika e kryeministrit, ku kishte edhe ashpërsi.Grupi parlamentar Gjashtë Plus përmbylli deklarimet e grupeve parlamentare  “për shmangie nga rregullorja”, që shqyrtimi të ishte me procedurë të përshpejtuar.Kryeparlamentari dha përsëri pushim për konsultime për vijimin e seancës më tej. Ai i ftoi në takim shefat e grupeve parlamentare në kabinetin e kryetarit të Kuvendit.Pas pushimit për konsultim, ku nuk ka marrë pjesë shefi i grupit parlamentar të VV-së, seanca vijoi përsëri  me deklarime të grupeve parlamentare për  çështje procedurale, ku u theksua dakordimi i LDK, PDK, AAK, Nismës për Kosovën e grupit parlametar Gjashtë Plus të pakicave që seanca të shtyhet në pritje të një konsensusi për kalimin e projektligjit.  Deputetët votuan me shumicë pro që seanca të shtyhet për të mërkurën e javës së ardhëshme në orën 10:00.Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Republikës së Kosovës, ishte ftuar edhe për  18 shkurt 2018, në orën 18:00,  por po në atë mbrëmje u njofua se nuk do të mbahet.Në një adresim para deputetëve, dje pasdite, ku njoftoi shtyrjen e seancës, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shprehu optimizmin për arritjen e një konsensusi lidhur me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi. Partia Demokratike e Kosovës, më e madhja e koalicionit qeverisës me grup parlamentar prej 23 deputetësh, e drejtuar nga Veseli, mbrëmë vonë deklaroi se, vlerëson lart angazhimin e partive politike parlamentare për arritjen e konsensusit nacional për ratifikimin e Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi.

“Arritja e konsensusit, për të cilin sot kishte përpjekje, është e domosdoshme dhe duhet të ndodhë”, theksonte deklarata e dërguar.PDK shpreh bindjen e plotë se subjektet politike janë shumë afër arritjes së unitetit ndërpartiak që Marrëveshja për Shënimin e Kufirit mes Kosovës dhe Malit të Zi të ratifikohet sa më shpejtë.

“PDK do të angazhohet edhe nesër që të arrihet ky konsensus. PDK falënderon përfaqësuesit e subjekteve të tjera politike parlamentare për dialogun konstruktiv lidhur me gjetjen e zgjidhjes për çështjen kryesore në raport me liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët tonë”, përfundon deklarata.

Poashtu  në mbrëmjen e djeshme, partia opozitare Lidhja Demokratike e Kosovës deklaroi se, në takimet me partitë e koalicionit qeverisës, ka ofruar zgjidhjen më të arsyeshme, e cila i hap rrugë ratifikimit të Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

“LDK-ja u bën thirrje partive të koalicionit qeverisës që të dakordohen me zgjidhjen e propozuar nga LDK-ja dhe t’i sigurojnë votat e shumicës qeverisëse. LDK-ja i siguron qytetarët se vullneti i saj është në përputhje të plotë me vullnetin e tyre për lëvizje të lirë dhe se grupi jonë parlamentar është unik në këtë qëndrim”, theksonte deklarata.

 Për kalimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi duhen së paku 80 vota nga 120 deputetët sa janë gjithësej, derisa koalicioni qeverisës ka 61 vota, 10 prej të cilave janë të Listës Serbe, tre ministrat e së cilës në qeveri kanë abstenuar në votimin për këtë projektligj. Dje rreth mesditës, derisa vononte nisja e seancës së ftuar, Lista Serbe, e cila mungonte në sallën e Kuvendit,  deklaroi përmes një komunikate se nuk do ta votojë Projektligjin për demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi.

Ratifikimi nuk mund të ndodhë pa votat e opozitës, por Lëvizja Vetëvendosje, që është edhe grupi më i madh parlamentar me 32 deputetë ka paralajmëruar votim kundër, madje ka bërëbërë “thirrje për mosvotim”. Lëvizja Vetëvendosje u pa dje në sallën e seancave planare të Kuvendit e “armatosur” jo me gaz lotsjellës siç ka ndodhur viteve të kaluara, por me pako të mbushura me peticionin me mbi 200 mijë nënshkrime të qytetarëve kundër demakacinit të organizuar në kohën kur edhe  partia e kryeminisrit të tashëm ishte në opozitë.

Lidhja Demokratike e Kosovës, që është grupi i dytë parlamentar me 27 deputetë, në seancën e ftuar për dje e që u shty për sot shkoi me qëndrimin se është unanimisht pro, por “nuk mund të mbështesë ratifikimin e Projektligjit nëse i bashkëngjiten dokumente kontradiktore”.

Qeveria në mbledhjen e pasditës  së të martës së 20 shkurtit miratoi plotësimin dhe ndryshimin e Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi dhe e procedoi në Kuvend për miratim.

“Pjesë përbërëse të këtij Projektligji janë: 1.Marrëveshja për kufirin shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi, e nënshkruar në Vjenë me datë 26 gusht 2015; 2.Dokumentacioni zyrtar i Komisionit Shtetëror për shënimin e Kufirit shtetëror; dhe 3.Deklarata e përbashkët e presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentit të Malit të Zi, Filip Vujanoviç, e datës 16.02.2018”, theksonte qeveria.

Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit kosovar, nëse do mbahet pa arritjen e një konsensusi, pritet shumë debat dhe me replika, por Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi pritet të mos hidhet në votim derisa të sigurohen  së paku 80 votat e nevojshme për ta kaluar.

Në mbledhjen e paraditës së 20 shkurtit 2018 qeveria mori vendimin për tërheqjen nga procedurat e miratimit në Kuvend Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror në mes të Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Procedimi më i ri, me vendimin e  mbledhjes së pasditës së 20 shkurtit 2018, i projektligjit për ratifikimin e demarkacionit nga qeveria në Kuvend është i treti.

Procedimi i dytë ishte me vendim të mbledhjes së qeverisë të 4 dhjetorit 2017.

Procedimi i parë ishte në 4 gusht 2016  me vendim të mbledhjes së qeverisë së udhëhequr atëherë nga kryeministri Isa Mustafa me miratim njëzëri të Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi.

Por, në 1 shtator 2016, në seancën plenare të Kuvendit, të zhvilluar mes kundërshtimeve nga opozita, tensioneve e protestave, qeveria e Kosovës e tërhoqi nga rendi i ditës dhe procedura Kuvendore.

Më pas, qeveria Mustafa u rrëzua në 10 maj 2017 në seancën e Kuvendit të Kosovës me 78 vota pro mocionit të mosbesimit, 34 kundër e 3 abstenime, derisa në sallë  ishin 115 deputetë të parlamentit 120 anëtarësh. Ky votim në Kuvend u pasua me shpalljen e zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare për datën 11 qershor 2017.

Plot tre muaj pas zgjedhjeve, në ditën e parë të punës të qeverisë së re, në 11 shtator 2017, njoftohej se kryeministri Haradinaj i ka propozuar qeverisë së re shkarkimin e Komisionit Shtetëror për Demarkacion dhe njëkohësisht e ka caktuar ekspertin e njohur të Kosovës, profesor Shpejtim Bulliqin, që ta krijojë ekipin për të marrë përgjegjësitë për krijimin e Komisionit të ri Shtetëror për Demarkacion.

Marrëveshja për Kufirin Shtetëror mes Kosovës e Malit të Zi është nënshkruar në 26 gusht 2015 në Vjenë. Për palën kosovare e ka nënshkruar atëherë zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, dhe ministri i atëherëshëm i Brendshëm, Skender Hyseni, ndërsa për palën malazeze, zëvedëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Igor Llukshiç dhe ministri i Brendshëm, Rashko Konjeviç.

 Dëshmitarë të nënshkrimit ishin atëherë kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, presidenti i Malit të Zi, Filip Vujanoviç, si dhe ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, demarkacioni, shtyhet serish seanca

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1530
  • 1531
  • 1532
  • 1533
  • 1534
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT