• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ARIZONA,SHQIPTARET NE PRITJE TE 10 VJETORIT TE KOSOVES

February 8, 2018 by dgreca

NE ARIZONA,ORGANIZOHEN DY KONCERTE FESTIVE PER 10- VJETORIN E PAVARESISE SE KOSOVES/

1 Lulzim Mulliqi

NGA LULZIM MULLIQI/SHBA/

Meqe jemi ne vigjilje te pervjetorit te dhjete te shpalljes se Pavaresise se Kosoves,ku nje dekade me pare shpallja e Pavaresise se Kosoves me 17 shkurt  2008,ishte kurorezimi i nje rrugetimi te gjate te sakrifices se popullit shqiptar te Kosoves deri te krijimi i shtetit me te ri ne Evrope.Keshtu pak dite me vone,nje grup vendesh qe e njohen pavaresine e Kosoves, themeluan Grupin Drejtues qe do te mbikqyrte shtetin e ri.Ndersa  me 22 korrik 2010,edhe Gjykata Nderkombetare e Drejtesise konfirmoi permes mendimit keshilldhenes se Pavaresia e Kosoves eshte plotesisht e drejte dhe e ligjshme dhe nuk ka shkelur asnje nen te Ligjit Nderkombetar.Keshtu qe Pavaresia e Kosoves u pa si nje mundesi e mire per integrimin e vendit ne mekanizmat nderkombetare.Megjithate,edhe ne prag te shenimit te 10-vjetorit te shpalljes se Pavaresise se Kosoves,sfide e shtetit te ri ende mbetet liberalizimi i vizave,ceshtja e demarkacionit te kufirit me Malin e Zi,aspirata per hyrje ne NATO dhe integrimin ne BE,si dhe anetaresimi i saj ne OKB.Zyrtatrisht qe nga shpallja e Pavaresise se  shtetit te ri te Kosoves e kane njohur 116 shtete te ndryshme  te botes.Kjo feste e rendesishme shteterore dhe kombetare kremtohet me dinjitet dhe manifestime te nduarnduarta ne te gjitha trevat tona etnike  shqiptare ashtu edhe ne diasporen tone ne SHBA.Ka dite qe ne komunitetin shqiptaro-amerikan te shtetit te Arizones, kane filluar pergattitjet per kete date te rendesishme te shtetit te Kosoves.Keshtu edhe kete vit sikurse ne vitin pararendes,komuniteti shqiptaro-amerikan i Arizones do te organizoj dy koncerte festive me 18 dhe 19 shkurt 2018.Sipas nje njoftimi te publikuar ne rrjetin social-fejsbuk,Shoqata kulturore shqiptaro-amerikane “Shqipe e Arizones” me daten 18 shkurt ne Embassy Suite ne Tempe te Arizones do te organizoj nje koncert festiv me kengetaren e mirenjohur nga Kosova,Gili e cila do te vij enkas per bashkeatdhetaret tane ne shtetin e Arizones.Kengetarja Gili,e cila do te qendroj per nje turne koncertal ne SHBA,ajo zoteron ne repertorin e saj disa kenge hite ,te cilat ajo do te na i  rikujtoje nepermjet performances se saj ne kete koncert festiv qe do ti kushtohet 10 -vjetorit te shpalljes se Pavasresise se Kosoves.Gjithashtu ne kete koncet festiv do te marrin pjese edhe  vellezerit, Edi dhe Edmond Nikolla.Nderkaq me daten 19 shkurt 2018,me iniciativen e instrumentistit te komunitetit shqiptaro-amerikan, Murat Rama do te organizohet edhe nje koncert tjeter festiv kushtuar 10-vjetorit te Pavaresise se Kosoves.Ky koncert do te mbahet ne Embassy Suite ne Scottsdale te Arizones,ku per here te pare do te marre pjese kengetari i mirenjohur i muzikes poppullore,Afrim Aliu.Kesaj radhe komuniteti shqiptar i Arizones per ndere te 10-vjetorit te Pavaresise se Kosoves do te organizoje dy koncerte madheshtore per bashkeatdhetaret tane ne kete shtet te larget te Amerikes,ku do te marrin pjese kengetare te zhanreve te ndryshme muzikore nga trevat  tona etnike shqiptare si dhe nga komuniteti yne.

Filed Under: Komunitet Tagged With: 2 KOncerte 10 Vjet pavaresi, Arizona, Lulzim Mulliqi

Shqiptarët në Kroaci, të fuqishëm ekonomikisht

February 8, 2018 by dgreca

-Kryeparlamentari Veseli takon komunitetin shqiptar në Kroaci/

1 shqipot ne Kroaci Veseli.jpg

 PRISHTINË, 8 Shkurt 2018-Gazeta DIELLI/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, i shoqëruar nga ambasadori i Kosovës në Zagreb, Gëzim Kasapolli, ka takuar përfaqësuesit e bashkësisë shqiptare ne Kroaci.Në këtë takim, kryeparlamentari Veseli u njoftua nga përfaqësuesit e komunitetit shqiptar për të arriturat e tyre dhe për mundësitë e lidhjes më të madhe mes tyre dhe institucioneve të Kosovës në të gjitha fushat.

Kreu i Kuvendit të Kosovës i njoftoi përfaqësuesit e bashkësisë shqiptare për të arriturat e Republikës së Kosovës dhe për mundësinë e thellimit të bashkëpunimit me shtetin kroat, për tu krijuar qytetarëve kosovarë që jetojnë në Kroaci mundësi të reja, si në fushën e arsimit, po ashtu edhe në integrim më të madh në institucionet kroate.“Biseduam për fuqizimin e lidhjeve midis institucioneve të Kosovës me qytetarët tanë që jetojnë dhe veprojnë në Kroaci. Komuniteti shqiptar në Kroaci është i fuqishëm ekonomikisht dhe punëson mijëra punëtorë. Ata shprehën gatishmërinë të gjejnë mënyra që bizneset e tyre t’i shtrijnë edhe në Kosovë”, tha kryeparlamentari Veseli pas takimit me përfaqësuesit e bashkësisë shqiptare në Kroaci.

Filed Under: Kronike Tagged With: Shqiptarët në Kroaci, të fuqishëm ekonomikisht, Veseli

VAÇJA ENDE KËNDON

February 8, 2018 by dgreca

 

1341 a vacezelaVace-Zela-IBNAkryesore21 nderi Komb1 a kostum1 Vace 2

 

VAÇJA ENDE KËNDON

NGA FASLLI HALITI/ ese /

Sapo kishte  kënduar në Orën Gazmore të qytetit, Vaçja erdhi  në shtëpinë tone. Ne kishim  hyrje-dalje me Zelët. Që  në moshën dymbëdhjetë vjeçe, Vaçja ishte  bërë e njohur  në gjithë  qytetin e Lushnjes. Xhaxhesha kërkoi  që ajo të  këndonte një këngë. Vaçja  që e kishte  këngën të  gatshme, si gjinkalla, filloi të këndonte, pa pritur që  t’i thoshin për së dyti. Bukur, bukur, tha  xhaxhesha, po jo si në radio (altoparlant),  jo si në skenë. Atje duket  tjetër, këtu tjetër. Eh,  dhe ti moj  Shahe, i  thonë nëna, po  kjo atje  e ka vendin dhe jo këtu  në mes të tymit, afër vatrës, ku piqen  bukët. Çdo gjë  në vendin e vet.

Ndërkaq Vaçja  e vogël  çau  dritaret e shtëpisë  së  bukës  me zërin e saj të madh  dhe kënga u përzie  me erën e bukës së djersitur që avullonte  në qoshe të hambarit dhe që  ne fëmijët  s’mund  ta hanim  pa u  ftohur  gjersa  avulli  i bukës  të arrinte  në arën  më të  largët. Zia e bukës ishte në vitin  më të zi  dhe buka duhej  kursyer  duke u ngrënë e ftohtë, sepse e ftohtë hahej më pak. Vaçja  që sapo  kishte hequr  biberonin  nga  goja, na ngopte shpirtin  me këngën  e saj të ngrohtë  avulluese  që  ne e përpinim  ashtu të  avullt.

Ora Gazmore  jepej një  herë në javë, çdo ditë  të diel  me  altoparlant. Të gjithë njerëzit grumbulloheshin  rreth shtyllës së drunjtë, në majë  të së cilës  ishte  vendosur  altoparlanti. Këndonte  treshja  e këngëtarëve  pionierë.

Vaçe Zela, Flora  Mebelli  dhe Ajete Nepravishta (Brahimi), por njerëzit  veçonin Vaçen  mes treshes  duke thënë: po këndon  Vaçja  dhe nxitonin  drejt sheshit  me  kalldrëm të qytetit  për të dëgjuar  Vaçen  dhe e  dëgjonin  gojëhapur  duke u grumbulluar  rreth  shtyllës  me altoparlant. Si ftesë  kishin zërin e Vaçes, këngën e saj. Ishte  një treshe  këngëtaresh të vogla, pioniere. Kulmi  i këtij  trekëndëshi  këngëtaresh  ishte Vaçja që shumë shpejt  do të bëhej  kulmi i këngës së lehtë  shqiptare  të të gjitha  kohërave.

Flora  Mebelli ishte  më e bukura, më e  veshura nga të tria  këngëtaret e vogla. Ajetja ishte  më e  bukur  dhe më e veshur  se Vaçja, por të  gjithë, i madh e i  vogël  sytë  dhe veshët  i kishin ngulur vetëm  te  Vaçe Zela, te zëri  i saj,  te kënga e saj si Hirushe,  si mis e vogël, si zanë e vogël mali.  Kjo treshe  këngëtarësh ishte një  zë që  vinte nga  Evropa, për  ne. Kjo  në vitet  pesëdhjetë, ishte një  pranverë  me fllad  evropian  që përcillte blerim, lulëzim  për shpirtrat tanë dhe sythi, lulja  e kësaj  pranvere ishte  Vaçja që po  shpërthente  në ngjyra  dhe fëshfërima  melodish. Ajo  mori njerëzish rreth shtyllës  së drunjtë, rreth  shtyllash  me altoparlant, ka  mbetur  kaq e gjallë, kaq e  bukur  në përfytyrimin  tim sa s’e  ka zbehur  asnjë  ekran  televiziv  gjer sot.  Dhe kur  dikush  në vitet  nëntëdhjetë  e dy tha  për Vaçen, të mos  e ngrinim në qiell  duke caktuar  dhënia e  çmimit vjetor  kombëtar  «Vaçe Zela», për muzikën  sepse ajo,  tha ai,  i ka kënduar  komandantit, diktatorit, ata që  e dëgjuan, s’e  mbajtën  dot veten; mbylle  mor buqen, i thonë, se zëri  i Vaçes  është më i madh se gjithë  komandantët  dhe diktatorët  e kësaj bote. Në ndërgjegjen  e popullit  ka mbetur  kënga vaçjane, zëri vaçjan dhe jo  vdekësirat  që i flak  tej  si bëzhdila  uragani i  zërit të  Vaçes.

Ajo shtyllë  me altoparlant mes kalldrëmit të qytetit  meritonte  të ruhej  në muze  si obelisku i Vaçes. Por  ne jemi  ende pa  kulturën e  nevojshme  të ruajtjes  së relikave. Sepse aty  pranë asaj  shtylle  mbiu  fidani  i blertë i Vaçe Zelës,  fidan  që u bë  lisi  më i lartë  në pyllin  shushuritës  e gjëmues  të këngës  shqiptare.

Pas debutimit  në orën  gazmore  që e organizonte  popullori, elitari  pasionanti  aktori,  piktori impresionant  Ilia Shyti, Vaçja  vazhdoi  të këndonte e s’e pushoi  më këngën. Kudo që ndodhej  asaj  s’i  rrihej pa kënduar  dhe këndonte  me shpirt. Njerëzit  e donin këngën e Vaçes  dhe ajo s’ua kurseu  atë,  por e jepte me shpirtin  e gjeneshës  adoleshente. Kujtdo  që do t’i binte rasti  të njihej  me Vaçen do të kërkonte  që ajo të  këndonte të paktën  një këngë ose  një pjesë të  këngës  me të cilën  ajo kishte pasur sukses. Dhe Vaçja s’kursehej  ta përshëndeste  të saponjohurin me një këngë  të re  ose  me një  këngë për të  cilën ajo  kishte dobësi.

Qëlloi  që erdhi në  shtëpinë e pionierit Sekretari i Parë  i Komitetit të partisë  Petraq Magjistari, babai i Rudina Magjistarit. Ai  na  përshëndeti të gjithëve ne fëmijëve  që ndiqnim rrethet  dhe kurset  në Shtëpinë e Pionerit.  Udhëheqësja e pionierëve e  prezantoi  sekretarin  me këngëtaren  e vogël Vaçe Zelën, me të vetmin fëmijë  të njohur  midis gjithë  nesh që s’ishim veçse korniza e gjallë  e saj.

Kjo është Vaçe Zela, shoku Sekretari i parë, i tha udhëheqësja e pionierëve, sekretarit.

Ti qenke Vaçja? tha sekretari i habitur.

Po, unë jam! Ta këndoj  këngën  O  Azerbajxhan?  e pyeti  Vaçja, e gëzuar nga që  ai e njihte.

Pa ta dëgjojmë  një herë !  i tha sekretari…

Dhe Vaçja  shpërtheu….

Oborri  i shtëpisë së pionierit, në çast  u shndërrua në sallë koncerit.Vaçja  krijonte  kudo salla  koncerte  të befta  që në fillimin e karrierës së saj.

Në  vitin 1956, e takoj  Vaçen  para  bibliotekës  së qytetit. Në këtë  kohë Vaçja  i kishte  kaluar kufijtë  e Lushnjes. E njihte e gjithë Shqipëria. Diskutohej  shumë për të, bëheshin  shumë thashetheme  e  cirkonin me baltë.  Por cirkat  e baltës  nuk zinin  në  trupin e bukur  të pastër, të kulluar  të këngëtares, sepse Vaçja  dhe kënga  ishin një dhe s’ka baltë që e cirkos  këngën  që pastron  shpirtrat dhe vetëpastrohet  si uji  gurrës.

Të keqen motra, më thotë, Vaçja, futu pak  në sallën  e bibliotekës  mbi tavolinën, te dritarja e fundit kam  lënë revistën  italiane. Noi  donne  e cila  në brendësi  të saj, ka faqet e modës. Unë po vij  te dritarja, më  tha  dhe ti  ma jep  revistën. Më fal që po të mundoj !

Kur e mori  revistën  u gëzua shumë. I pëlqente  moda. Vishej  me copa të lira, por  i priste  dhe i  qepte bukur, krijonte  modele të reja. Vishej  me shijen e top modeles  më të mirë. Por kjo  ishte e parakohshme  për qytetin tonë, madje  edhe për  Shqipërinë  e atëhershme  që sapo  kishte dalë  nga zija e bukës. Vaçja  me revistën  në sqetull  unë me  një fletore  vizatimi në  dorë, bisedonim në trotuar  larg bibliotekës. Vaçja kishte veshur  një fund  të kuq  basmeje. Një gisht poshtë  fundit të kuq, dukej  një rrip i bardhë. Kalojnë pranë nesh  dy gra.  Njëra  i thotë  shoqes, qyqja  shiko, dy pëllëmbë e ka nxjerrë këmishën  dy pëllëmbë  poshtë fundit. Është  zhypon  mos të plaçin  sytë, nuk  është këmishë, iu shkreh  Vaçja  me indinjatë , gruas injorante  dhe cinike.

Mirë ia bëre, i thashë  Vaçes duke i dhënë  të drejtë.

Vaçe  Zela  s’ia  përtonte  askujt që i binte më qafë  sikur  dhe mbret të ishte.

Pas lirimit  nga ushtria  fillova  studimet  në Liceun  Artistik  për pikturë.

Në lice ishte edhe Vaçja, e cila studionte për kanto. Pashë se s’ishte e qetë. E axhituar shpirtërisht.

E di si po qarkullon një fjalë e dalë nga goja e pedagoges sime Marie Krajës, sikur ajo më paskësh thënë që, «Ti Vaçe çdo gjë mund të bëhesh, po vetëm këngëtare nuk bëhesh».

Po ti këngëtare je, i thashë unë që kisha një adhurim hyjnor për zërin e Vaçes. Janë në vete këto, apo flasin kuturu?!

E po ik dhe mbushu mendjen pa, më thotë Vaçja dhe kërciti gishtat e dorës me nervozizëm.

Vaçja u largua nga Liceu. Largimi i saj ishte gati një protestë memece ndaj kësaj thashethemnaje që spo shuhej. Vaçja ishte një artiste që rebelonte.

Më vonë në Lice u fol, se nuk ishte e vërtetë ajo që qarkullonte sikur gjoja se Vaçes çdo gjë mund të bëhej, por këngëtare nuk bëhesh kurrë. Kjo thënie ishte gjysmë e vërtetë. Pedagoget e kantos kishin thenë se Vaçja nuk mund të bëhej këngëtare opere, sepse këngëtare e muzikës së lehtë ajo ishte dhe këtë pedagoget s’e mohonin, por e pohonin jo vetëm me zë të lartë, por edhe me kompetencë. Ato s’mund të injoronin veten.

Me këtë thënie u spekulua shumë. Por e vërteta është se Vaçja u largua nga dega e kantos në formë proteste, pa bujë. Për ikjen e saj u fol shumë pro e kundër. Kundër flisnin cmirëzinjtë, mediokrit. Pjesa e talentuar e profesorëve dhe e nxënësve ishin pro Vaçes.

Pas kësaj Vaçe Zela vari kitarën në qafë dhe vazhdoi të këndojë lirisht, pa semaphore e vija të bardha. Këndonte këngë spanjolle, italiane. Muzika jonë e lehtë ende nuk ishte e nivelit që është sot.

Në pushimet e verës e takoj Vaçen në Lushnjë. E pyes se si ndihej në shtëpinë e kulturës.

Mizerje, më thotë.

Pse mizerje?

Po ja… Patëm një koncert në sallën e kinemasë së qytetit. Merrte pjesë sekretari i Parë me suitën e tij. Këndova me gjithë shpirt. Dhashë maksimumin. Pas shfaqjes më thërret sekretari i Parë. Po prisja të më thoshte fjalë të mira. E di ç’më tha: Mirë moj Vaçe, mirë. Bukur këndove, po pse përdridheshe si çingi…

Ç’t’i thosha Buzos. T’ia përmblidhja të merrja veten më qafë?

Të shkretët ne ia ktheu Vaçja thellësisht e trishtuar …

Më vonë takohem befas në Vlorë me Vaçen. S’e mbaj mend pse gjendesha në Vlorë,kurse Vaçja kishte ardhur për koncert me ansamblin e ushtrisë. Viti s’më kujtohet.

Të keqen motra, thotë Vaçja. Shko pak në shtëpinë time. Lajmëroji ata të shtëpisë sime se këta shokët e ansamblit duan të më bëjnë një vizitë. Ti e di si jemi ne të shkretët në shtëpi. Së paku ato pak lecka të rregullohen pak.

Vaçja ishte tepër krenare. Megjithëse nuk pyeste, prapë dëshironte që miqtë ta gjenin në rregull. Ata e nderonjin dhe ajo donte t’i nderonte dyfish kolegët.

Të talentuarit janë mirënjohës dhe etikë të mëdhenj. Vaçja edhe pse e thjeshtë, prapë në thellësi të sja, flinte dhe zgjohej shpirti aristokrat. Sidoqë të ishin njerëzit që njihte, ajo i takonte me shumë përzemërsi pa asnjë përpjekje për shmangie edhe kur ata ishin me qeleshe ose opinga. Një herë u sëmur një kushëri i saj. U shtrua në spitalin e Tiranës. Vaçja e vizitonte gati çdo ditë. Mjekët shtuan përkujdesjen. Ata e prisnin me padurim ardhjen e këngëtares magjike. Sapo hynte në korridorin e spitalit artistja e madhe, të sëmurët thoshin se po vinte sorkadhja.  Kishte ecje të lehtë prej sorkadheje prandaj të sëmurët e quanin ashtu.

Nuk mbaj mend nëse Vaçja këndoi me zë të ulët ndonjë këngë spanjolle apo italiane të sëmurëve. Mbase edhe u ka kënduar por unë s’e mora vesh. Po ku i rrihej Vaçes pa këngë?

Një ditë Vaçja po më tregonte për suksesin e saj në sallën e estradës së Tiranës. Më tregonte se si e ndërprisnin me ovacione në mes të këngës. Ishin duartrokitje frenetike. Thirrje të stuhishme: Bravo, bravo, braaaaavo! E irrituar pse duartrokitej Vaçja që këndonte këngë të huaja, këngëtarja popullore Fiqirete Rexha i thotë: – Epo s’jemi në Italie këtu … Epo edhe në Turqie nuk jemi, de – i thotë Vaçja koleges.

Ishin vite disi liberale. Bashkimi Sovjetik po bënte kthesa të mëdha të çuditshme. Ndeshej liberalja me konservatoren. Në një dhomë të shtëpisë së Vaçes, në vitin 1963, banonte një ish e burgosur politike që dinte shumë mirë italisht. Unë shkoja tek ajo për të mësuar italisht me të. Një ditë takon Vaçen afër derës së ish të burgosurës së bashku me gjyshen që e donte jashtëzakonisht shumë. Aq shumë e donte saqë gjyshja përkëdhelej si fëmi. Vaçja sapo ishte kthyer nga një koncert në Rumani. E pyes se si kishte shkuar koncerti e ç’kishin thënë rumunët. Isha së bashku me Luçie Milotin, më thotë. Pas mbarimit të koncertit na çuan në një bar-lulishte. E di ç’i thanë rumunët ambasadorit tonë në Rumani?

Çfarë? Nëse Luçie Miloti është bilbili i këngës shqipe, Vaçja është surpriza shqiptare.

SHTËPIA NË LUSHNJË, KU KA LINDUR VACE ZELA

Vaçja jetonte vërtet në Tiranë, por Lushnjën e vizitonte për çdo rast të gëzimi apo hidhërimi. Ajo kishte njerëzit e saj në Lushnjë dhe kur vinte, shkonte e bënte vizita në shtëpitë e tyre. Një herë më qëlloi ta gjej Vaçen te mamaja e piktorit Luan Boriçi të cilën ajo e kishte vajzë xhaxhai. Piktorri Luan Boriçi po bënte një kompozim për Luftën dhe na ftoi të shikonim kompozimin e tij të cilin do ta dorëzonte në ekspozitën kombëtare. Shkuam për ta parë kompozimin, së bashku me shkrimtarin Halil Jaçellari dhe poetin e shkrimtarin Fatbardh Rustemi. Aty gjetëm Vaçen të ftuar për drekë nga kushërira e saj, Zenepe Boriçi.  U gëzuam që po takoheshim me Vaçen me idhullin tonë. Bëmë shumë biseda për artin, por ajo që më ka mbetur në mend është habia që shprehu Vaçja, kur mori vesh se Kadareja kishte ardhur në Lushnjë, i ftuar nga poeti dhe shkrimtari  Fatbardh Rustemi i cili hynte e dilte më shpesh në shtëpinë e Kadaresë nga ne dy të tjerët. Ishte koha kur shtëpia botuese «Naim Frashëri» i kishte dhënë Kadaresë për reçencë, romanin e H. Jaçellarit: «Nesër është e diel». Por habinë më të madhe,Vaçja e shprehu, kur mësoi se Kadareja, jo vetëm kishte ardhur në Lusnjë bashkë me Helenën, por edhe kishte fjetur një natë në shtëpinë e shkrimtarit, Fatbardh Rustemi. Kurse kur Halil Jaçellari i tha Vaçes se Kadareja kishte shkruar një ese për librin tim të parë poetik «Sot», tha: kjo është mrekullia vetë, gjeniu i letërsisë shqipe, ka shkruar për një lushnjar, sepse sheh ecje tek ai, sheh që ai është  hapgjatë në rrugën e vështirë të artit që, siç thotë vetë Kadareja, «në të ka dhe ujqër dhe ditë dhe natë», Vetëm me gjestin e Lushnjës, tha Vaçja, Kadareja i paska larë të gjitha gjynahet që ia veshin padrejtësisht, gjoaja sikur ai, nuk çan kokën për asnjë krijues në botë, përveç vetes së vet,

Vaçja i gëzohej çdo talenti të ri, kudo që ai të çelte, veçanërisht u gëzohej talenteve që çelnin e lulëzonin në Lushnjë. Ajo i gëzohej dhe fliste me fjalë sipërane për këngëtaren Elida Korreshi

( Gjermeni) dhe këto fjalë i thoshte kur Elida hidhte hapat e para të karrierës si këngëtare.

Një herë tjetër, kur Vaçja, mësoi se djali im Helidoni u nderua me Çmim të parë, për punime në akuarele në ekspozitën ndërkombëtare në Oslo të Norvegjisë, erdhi në studion e djalit që të shihte akuarelet, për të cilat kishte dëgjuar fjalë të mira. Pasi i pa me kujdes punimet tha me përkëdheli, natyrisht: «Po si mor Helidon, nuk ke vënë dy – tre karrige për t’u ulur të tjerët që të vinë në studio. Ja, unë jam plak, nuk qëndroj dot në këmbë»

Ju plak? Ç’thua kështu, Vaçe!. Plaket mbretëresha e këngës? Qeshëm… Ndërkaq djali hoqi nga muri akuarelet të cilat Vaçja i kishte pëlqyer dhe ia dhuroi nënës së saj Vajës, të paketuara. Ato akuarele janë ende në shtëpinë e saj në Tiranë.

***

Të mëdhenjtë janë të sinqertë dhe s’druhen se mos i marrin si mburravecë. Unë u gëzova shumë që rumunët e kishin quajtur Vaçen surpriza shqiptare. E urova. Më thotë gjithë entuziazëm:

Do të përgatis një recital që …

Ashtu?

Po!

Ç’është ky cital moj bijë, e pyet gjyshja.

Jo cital, moj gjyshe. Recital, – i thotë Vaçja gjyshes duke qeshur e duke e përkëdhelur sikur të ishte gjyshja mbesa, dhe jo Vaçja.

Recitali moj gjyshe është …

Hë? Si është, thuaja gjyshes…

Është …, e di si? Që, pasi të kem kënduar, mua të më nxjerrin me tezgë nga skena …

E pse?

Aq shumë do të këndoj, sa do të bëhem telef….

Po qe kështu, lëre lanetin …

Po Vaçja s’e la këngën.

***

Biseda ime e fundit në telefon me Vaçe Zelën, ka qenë para një viti, kur ajo mori vesh për operacionin tim në zemër dhe më merr në telefon nga Zvicra. Më një zë disi të shuar, më uroi të shkuara dhe shërim të shpejtë. I them faleminderit Vaçes, po me një zë disi të vakët dhe unë, nga emocioni e mallëngjimi. A më more në telefon ti Vaçe, a u interesove ti, për mua, le të vdes tani…! «Ç’më thua, unë të telefonova të të uroja shërim të shpejtë, shëndet e jetë të gjatë, e jo që ti të vdesësh…!», më qortoi Perëndesha jonë.

***

Kur mësova shuarjen e Vaces, vetvetiu perifrazova dhe unë me vete, qortimin që i bën Montago Romeos, birit të vdekur:

« O bir pa edukatë! / Ç’është kjo sjellje / Të  hysh në varr më parë se yt atë?»

Lushnjë, 2016                                                           

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Faslli Haliti, VAÇJA ENDE KËNDON

NJOFTIM PER TE PAME

February 7, 2018 by dgreca

ILIR BUÇPAPAJ ME FAMILJE PRET NGUSHËLLIME PËR NËNËN/

2 Fatime Bucpapaj1

Njoftohet Komuniteti Shqiptar në Nju Jork me rrethina se gazetari Ilir Buçpapaj me Familjen hapin të Pame dhe presin ngushëllime me rastin e ndarjes nga Jeta të nënës së tij të dashur Fatime e Buçpapaj.

Varrimi i së ndjerës u bë me 24 Janar 2018 në varrezat e qytetit Bajram Curri, me një pjesmarrje të madhe të bashkëvendasve.

E pamja hapet me datë 11 Shkurt 2018 nga ora 11 deri në 4 e 30 PM në lokalin që ndodhet në adresën: 621 Crescent Avenue, Bronx NY- 10458

Me respekt: Ilir Buçpapaj, Shpresa Buçpapaj!

 

Filed Under: Histori Tagged With: ILIR BUÇPAPAJ ME FAMILJE PRET, NGUSHËLLIME PËR NËNËN

Homazh për të rënët e lirisë

February 7, 2018 by dgreca

Mehmet Babani- 70 vjet më parë/

1 kripaaa-c1200x600

Nga Reshat Kripa/

Më 25 janar 2006 Asamblea Parlamentare e KE-së, me 99 vota pro, 42 kundër dhe 12 abstenime, miratoi rezolutën Nr. 1481 (2006) “ Mbi nevojën për dënimin ndërkombëtarë të krimeve të rregjimeve komuniste “. Pro kësaj rezolute votoi edhe delegacioni parlamentar shqiptar.  Dhe nuk mund të ishte ndryshe. Por, për një vend të tillë si Shqipëria, ku diktatura komuniste ekzekutoi mbi 6.000 persona,  burgosi mbi 17.000 nga të cilet mbi 1000 ndërruan jetë në qelitë e burgjeve, dhe internoi mbi 22.000 familje ku humbën jetën mbi 10.000 burra, gra dhe fëmijë, është absurde të besosh se vendi ynë ka zbatuar vendimet e marra nga kjo asamble.

Ja si i përshkruan këto krime iniciuesi i rezolutës së mësipërme, suedezi Goran Linblad:“Një tipar i rëndësishëm i krimeve të komunizmit, ka qenë represioni i drejtpërdrejtë kundra gjithë njerëzve të pafajshëm, krimi i të cilëve ishte vetëm prania në këtë kategori. Në këtë mënyrë,   në  emër  të  ideologjisë,  rregjimet  kanë  vrarë dhjetra milionë kulakë, fisnikë, borgjezë dhe grupe të tjera.“

Ky tmerr ndodhte në shekullin e njëzetë, në “Shekullin e Megavdekjes“ , siç do ta quante Zbigniev Brzhezhinski në librin e tij “Jashtë kontrollit“ botuar në vitin 1993. Në librin e mësipërm paraqet shifrat e viktimave civile të shkaktuara gjatë shekullit të kaluar.Sipas këtij libri, Lufta e Parë Botërore shkaktoi 13 milion viktima, ajo e dyta 35 milion, ndërsa holokausti komunist 65 milion njerëz., shifër kjo që, sipas të dhënave të fundit të Organizatës së Kombëve të Bashkuara, arrin në gati 100.000.000 vetë Vini veshin. Ndërsa në të dy luftrat botërore u zhdukën 48 milion njerëz, gjatë periudhës së sundimit komunist kjo shifër arriti dyfishin e të dy luftrave.. Dhe, ç’është më e rëndësishmja, këto vrasje kryheshin   në   periudhë   paqeje,   me   gjakftohtësi    dhe cinizëm,   me   ndërgjegje  të  plotë  prej  sadisti,  vetëm  e vetëm se dikush mendonte ndryshe nga sundimtari.

Të flasësh për genocidin komunist të ushtruar nëpër burgje dhe kampe, është njëlloj sikur të përshkruash tmerret e ferrit. Pyetini ata që kanë mundur të shpëtojnë gjallë nga këto tmerre dhe do të mësoni ngjarje të padëgjuara ndonjëherë, të pakonceptuara për një mendje të shëndoshë. Do të mësoni për burgje dhe kampe të krijuara posaçërisht për shfarrosjen e njerëzve, për tortura të lemerishme të ushtruara mbi nacionalistë të shquar dhe intelektualë demokratë që jetën e tyre ia kushtuan atdheut.Lufta kishte mbaruar. Krismat e armëve kishin pushuar. Por jo gjuetia e njerëzve. Ajo vazhdonte me gjithë egërsinë e saj. Viktima të kësaj në rradhë të parë ishin mendjet më të ndritura të vendit, intelektualët më të shquar të kohës, të diplomuar në universitetet më në zë të kohës së atëhershme. Dhe tragjedia e këtyre njerëzve të shquar ishte se gjykoheshin nga njerëz inkopetentë, që ishin të aftë vetëm për krime dhe jo për drejtësi. Kështu jo në pak raste teneqexhiu gjykonte mjekun apo avokatin, nallbani profesorin apo shkrimtarin, kovaçi inxhinierin apo klerikun e nderuar. Një gjë e tillë ndodhte në të gjitha qytetet e vendit.

Turma injorantësh endeshin rrugëve të qytetit, plot urrejtje për bashkatdhetarët e tyre, të etur për gjak të pafajshmish. Një luftë e re kishte filluar, lufta kundër çdo shenje të nacionalizmit shqiptar. Pothuajse në çdo qytet zhvilloheshin gjyqe speciale. Vendimet ishin monstruoze. Me dhjetra të pushkatuar. Me qindra të dënuar me dënime të rënda. Me mijra të internuar  në  kampet e çfarrosjes. Shoqëria shqiptare ishte ndarë në dy kampe armike, në proletarë që duhej të sundonin dhe në borgjezë që duhej të çfarroseshin.

Studiuesi i njohur Giovani Sartori në studimin e tij “Edhe një herë për teorinë e demokracisë“, botuar në vitin 1987, shkruan:”Njerëzit që kurrë  nuk  e  kanë  njohur  diktaturën  dhe  tiraninë  e  kanë  të  lehtë  të  jepen  pas retorikës për lirinë duke harruar fare realitetitn  e thjeshtë dhe  të  tmerrshëm  të  shtypjes  së  njimendtë atje ku ekziston përnjimend“.

Sot, në emër të lirisë, flasin dhe rrahin gjoksin, më tepër se kushdo tjetër, pikërisht ata që e ndihmuan sistemin totalitar të qëndronte në këmbë për një periudhë aq  të  gjatë.  Këta  korba  të zinj janë pikërisht ata që nuk e kanë ndjerrë kurrë mbi shpatullat e tyre peshën e rëndë të diktaturës. Janë ata që nuk kanë provuar kurrë çdo të thotë të humbasësh një familje të tërë, në holokaustin më të egër që ka parë bota

Dëgjoj faqet e shtypit të përditshëm nëpër organet televizive dhe nuk shoh asnjë lajm, sikurse edhe shumë herë të tjera, mbi një masakër të zhvilluar në qytetin e Korçës më 4 shkurt 1948. Duket sikur autorët e këtyre krimeve apo pinjollët e tyre përpiqen t’i kalojnë në heshtje këto krime monstruoze deri sa të harrohen. Por ne nuk harrojmë. Ne do t’i kujtomë vazhdimisht ato mendje të ndritura, madje do t’ua lemë trashëgim edhe bijve tanë që të njihen me historinë e vërtetë të këtij vendi.

Le të hyjmë në ngjarjet për të cilat bëhet fjalë.

Pas goditjes që iu bë të ashtuquajturit “Grupi i Deputetëve“, një raprezalje e tmerrshme nisi në të gjithë Shqipërinë, që nga Shkodra deri në Vlorë dhe që nga Tirana në Korçë duke përdorur të njejtin skenar të së ashtuquajturës lidhje të elitave kundërevolucionare me grupin e cituar më lartë, gjoja për të rrëzuar pushtetin popullor. Një numër i madh pushkatimesh apo dënimesh me afate të gjata burgu deri në burgim të pëtjetshëm zhvilloheshin në të gjithë vendin

Po cilët ishin të ashtuquajturit kundërevolucionar të grupit Korçës?

Qazim Frashëri, një pinjoll i familjes së madhe të frashërllinjve, vëllai i Faslli Frashërit që kishte udhëhequr demostratat antifashiste në Korçë. Ishte një intektual i shquar dhe një patriot i vërtetë.

Bexhet Frashëri edhe ky një pinjoll tjetër i asaj familje edhe ai gjithashtu intelektual i njohur.

Mehmet Rushan Babani, noter në qytetin e Korçës. Kishte përfunduar studimet e larta juridike në Stamboll. Pjesëtar i revolucionit xhonturk në vitin 1908. U rezistoi me armë në dorë andartëve grekë që, si hakmarrje, i dogjën shtëpinë në Baban në vitin 1914. Mori pjesë në drejtimin e Republikës Autonome të Korçës në vitet 1916-1918. Më vonë, i zhgënjyer nga politka në Ballkan, ishte tërhequr duke u kthyer në profesionin e tij. Gjatë Luftës së Dytë Botërore nuk mund të rinte sehirxhi por u përfshi në vorbullën e ngjarjeve. Nuk mund të shkëputej nga ndjenjat atdhetare por filloi të ushtronte ndikimin e vetë në dobi të unitetit kombëtar. Ishte koha kur forcat balliste bashkëpunonin me ato të Frontit Nacionalçlirimtar. Ishte ndërmjetës për sigurimin dhe bashkëpunimin ndërmjet çetës komuniste të komanduar nga Fuat Babani dhe asaj balliste me në krye Safet Butkën. Kjo vërtetohet edhe me faktin se një pjestar i familjes së tij, Sedat Babani, që rezulton dëshmor partizan, u vra në rrethana të dyshimta  në betejën për çlirimin e Krujës. Në kohën që  me vdekje me pushkatim dënohej Mehmet Babani në Korçë, njëri nga djemtë e tij, Fiqiret Babani, ishte  mjek  ushtarak, shef  i  shëndetësisë  së divizionit të Gjirokastrës.  

Faik Rushan Babani, vëllai i Mehmetit, edhe ky jurist studiuar në Stamboll. Kishte  marrë

pjesë, bashkë me të vëllanë, në revolucionin e xhonturqve dhe në ngjarjet e vitit 1914 kundër andartëve grekë. Pjesëmarrës i lëvizjes së Fan Nolit dhe  më vonë, pas amnistisësë së shpallur nga mbreti Zog, kthehet në Shqipëri dhe përfshihet në administratën shtetërore.

Nafiz Babani (Mero), nip i Mehmetit dhe Faikut (djali i kushëririrt të tyre) kishte mbaruar akademinë ushtarake të Modenës në Itali. Më 7 prill 1939 ishte komandant dhe udhëheqës i luftëtarëve që mbronin qytetin e Sarandës.. Pas pushtimit fashist u largua jashtë shtetit. Në atë periudhë mbreti Zog u bëri thirrje gjithë ushtarakëve të larguar nga atdheu të ktheheshin në Shqipëri për të mos lejuar që xhandërmaria kombëtare të binte në duart e italianëve. Kësaj thirrje iu bashkua edhe Nafizi. Gjatë luftës italo-greke, duke qenë ne krye të një batalioni shqiptar nxiste dhe ndihmonte shumë ushtarë që të dezertonin nga rradhët e ushtrisë dhe të ktheheshin në vendet e tyre. Qëndrimin e tij në atë detyrë e justifikonte me qëndrimin besnik të betimit që kishte bërë si ushtarak.  Pas vitit 1944 u tërhoq nga karriera ushtarake dhe u kthye për të jetuar në Progër të Korçës.

Qani Sulejman Vinçani, avokat, dikur protagonist në ngjarjet e Republikës së Korçës në mitingun e fundit të zhvilluar në vitn 1920. Ishte kunati i Mehmetit dhe Faikut. Ka qenë deputet opozitar në parlamentin e mbretërisë së Zogut. Dy djemtë e tij, Vandush dhe Valter Vinçani kanë qenë aktivistë të lëvizjes nacionalçlirimtare. Në kohën që Qaniu dënohej, i biri Vandushi vazhdonte të ishte në organet drejtuese të Partisë Komuniste Shqiptare dhe vetëm pas ngjarjeve të Konferencës së Tiranës në vitin 1956 u dënua.

Fadil Garo, tregëtar në Korçë, një person i afërt me familjen Babani.

Nexhip Lamçe, një fermer i zakonshëm nga Starova e Pogradecit.

Këta dhe disa të tjerë nga Devolli i Korçës ishin protagonistët e kësaj tragjedie të madhe.

Arrestimet e të mësipërmve filluan më datën 17 maj 1947 dhe përfunduan në fund të muajit korrik të atij viti. . Më datën 22 nëntor 1947 u dha vendimi i gjyqit të tyre. Gjyqi i zhvillua nga një bandë terroriste dhe e pashkolluar e përbërë prej Bexhet Memës, Agush Gjergjevicës dhe Loni Dimoshit, asistuar nga një kapter, Shaban Pogradeci dhe me prokuror Aranit Çelën.

Akuzat ishin fare qesharake. Ndërmjet të tjerave përmenden gjoja marrja e të hollave nga jashtë shtetit për t’i përdorur për përgatitjen e kryengritjes dhe se gjoja paskan dhënë  të holla edhe nga xhepet e tyre për t’ia arritur këtij qëllimi. Akuza të tjera ishin terrorizmi dhe vrasjet që paskeshin bërë. Po kë kishin vrarë? Trupi gjykues nuk paraqiti asnjë emër pasi asnjë prej tyre nuk kishte vrarë.

Cili ishte vendimi i gjyqit?

Qazim Frashëri nuk arriti të dilte para gjyqit. Atë e kishin mbytur në tortura qysh në organet e sigurimit dhe kishin hapur fjalën se gjoja ishte vetëvrarë. Por me se?

Mehmet Babani, Fadil Garo, Nafiz Babani (Mero) dhe Nexhip Lamçe me vdekje me pushkatim

Të tjerët me burgime që fillonin nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.

Vendimi u zbatua plot 70 vjet më parë më 4 shkurt 1948.

Për ironi të fatit një pasardhës  i fisit Babani, i pyetur nga një ish-partizan për fatin e Nafiz Babanit (Meros), duke mos dashur që t’i thotë se e kishin pushkatuar i thotë:

  • Ka vdekur.

Dhe ish-partizani i hidhëruar i ishte përgjigjur:

  • E kam pasur komandant batalioni kur isha ushtar  në  luftën  italo-greke. Ishte  trim,  i

zgjuar dhe na nxiste që të dezertonim. Vete nuk erdhi me ne pasi kishte bërë betimin ushtarak. E shihni sa e mirë është partia jonë? Atë njeri nuk e paska dënuar.

Fatkeqi nuk e dinte se si kishin rrjedhur ngjarjet dhe indoktrinimi e bënte të besonte në drejtësinë e një partie kriminale dhe kriminelëve që i shërbenin asaj me nje bindje prej skllavi.

Kanë kaluar 70 vjet nga ngjarja e mësipërme. Nuk kam degjuar asnjë President të Republikës të nderojë veprën e tyre të pavdekshme me ndonjë dekoratë, titull apo medalje. Me rastin e 100 vjetorit të krijimit të Krahinës Autonomike të Korçës, Këshilli i Qarkut në vitin 2016 i ka dhënë Mehmet Babanit titullin “Personalitet i shquar“ me motivacionin:

“Personalitet i Qarkut të Korçës, pjesëmarrës dhe aktivist në ngritjen e Krahinës Autonome të Korçës gjatë periudhës së funksionimit të saj (dhjetor 1916-shkurt 1018) dhe organizimin e administratës shqiptare“

Unë mendoj se kjo nuk është e mjaftueshme. Veprimtaria e tyre nuk i shërben vetëm Qarkut të Korçës por gjithë Shqipërisë, madje të gjithë kombit shqiptar. Ai dhe shokët e tij a nuk do të ishin në nderin e Presidentëve të Republikës të vlerësoheshin për aktivitetin e tyre kombëtar? Po të munden le të përgjigjen.

Filed Under: Histori Tagged With: Kujtese, Mehmet Babani, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1557
  • 1558
  • 1559
  • 1560
  • 1561
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT