• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHKOLLAT SHQIPE, TAKIM ME MINSTRAT E DIASPORES MAJKO DHE GASHI

February 5, 2018 by dgreca

Takim me ministrat e Diasporës së Shqipërisë dhe të Kosovës z. Pandeli Majko dhe z.Dritan Gashi/

1 Majko GashiNga Keze Kozeta Zylo/1 Edhe KezjaNë mjediset e Konsullatës së Kosovës në Manhattan u mbajt takimi midis drejtuesve të shkollave Shqipe “Alba Life” që operon në disa lagje të Nju Jorkut, Clifton, Riverdale, Bronx, Children of Eagle, Stamford dhe ministrit të Diaspores së Shqipërisë z.Pandeli Majko si dhe ministrit të Diasporës së Kosovës z.Dritan Gashi.

1 Treshe

Në këtë takim merrte pjesë ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara znj.Besiana Kadare si dhe përfaqsues nga Misioni i Përhershëm si z.Armand Shandro, nga Konsullata e Kosovës si z.Fatmir Zajmi dhe z.Ylber Kryeziu.

1 Kadare etj

Konsullja e Përgjithshme e Kosovës Ambasadorja Teuta Sahatqija ishte mikpritsja e këtij takimi e cila me plot përzemërsi iu tha pjesëmarrësve: “Mirë se keni ardhur në shtëpinë tuaj”!  Është një urim mirëseardhjeje, tradicional i ngrohtë dhe tejet miqësor kur përdoret nga Bijtë e Shqipes.Moderatorja e takimit ambasadorja Teuta Sahatqija pasi prezantoi të dy ministrat e Diasporës i ka dhënë fjalën z.Pandeli Majko i cili tha se takimet midis Diasporës dhe Atdheut gjithmonë sjellin progres dhe krijojnë ura bashkëpunimi.  

Thelbi i takimit tha ministri i Diasporës së Kosovës z.Dritan Gashi ishte se si të bashkërendojmë punën midis shkollave shqipe në Diasporë dhe Atdheut. Ambasadorja Besiana Kadare pasi ka përgëzuar për punën me plot përkushtim të përfaqsuesve të shkollave shqipe uroi për një vazhdimësi të mëtejshme!Kanë diskutuar me plot profesionalizëm dhe seriozitet drejtuesit e shkollave Shqipe të cilët sollën dhe shqetësimet përkatëse për shkollat ku ata drejtojnë si zotërinjtë Qemal Zylo, Shaban Gjoka, Drita Gjongecaj, Avokati Sabri Gjoni, Sakip Veliu, Mustaf Qosja etj.

Në përfundim të diskutimeve përfaqësuesit ranë dakord të marrin masa përkatëse për vazhdimësinë e mësimit të gjuhës shqipe dhe të bashkërendojnë së bashku me Ministritë e Diasporës punët që të ketë progres më shumë në të ardhmen.

Ndonëse takime të tilla te ketij niveli janë bërë dhe në të kaluarën u shprehën disa përafaqsues të shkollave shqipe dhe nuk ka pasur rezultat le të shpresojmë se vërejtjet e tyre do të shërbejnë në të ardhmen për përfafqësuesit e shteteve përkatëse.

Manhattan New York

4 shkurt, 2018

Filed Under: Komunitet Tagged With: Keze Kozeta Zylo, MAJKO DHE GASHI, TAKIM ME MINSTRAT E DIASPORES

VATRA I KËRKON QEVERISË SHQIPTARE TRANSPARENCË

February 5, 2018 by dgreca

VATRA I KËRKON QEVERISË SHQIPTARE TRANSPARENCË PËR KUFIRIN DETAR DHE ÇËSHTJEN ÇAME/

1-logo-vatra

DEKLARATË E FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS”VATRA”/

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA i ka ndjekur me kujdes dhe interes të vecantë bisedimet e Ministrave të Jashtëm të Shqipërisë Ditmir Bushati dhe atij të Greqisë Niko Kotzias, zhvilluar në Kretë dhe në Korçë,në dy raunde 3-ditore për zgjidhjen e problemeve të vjetra mes dy vendeve të mbartuara që para 70 vitesh.
Duke qenë se Qeveria shqiptare ende nuk ka dhënë detaje dhe informacionin e nevojshëm për shqiptarët rreth asaj që u quajt “Marrëveshje Historike” nga Kryeministri Rama dhe Ministri i Jashtëm Bushati, Vatra ndjehet e shqetësuar për atë çfarë deklaroi Mnistri i Jashtëm i Greqisë, Niko Kotzias se “Shqipëria ka rënë dakord që Greqia të zgjerojë kufirin detar në 12 milje.”
Mospërballja e qeverisë shqiptare me këtë deklaratë, moskundërshtimi, e shton shqetësimin e Vatrës dhe të vatranëve.
Vatra që 105 vitet e jetës së saj ia ka kushtuar mbrojtjes së tërësisë së Shqipërisë, Vatra që mbrojti Korçën dhe Gjirokastrën në kohë të vështira, në Konferencën e Londrës dhe në atë të Parisit, i apelon qeverisë që të mos hyjë në pazare që cënojnë kufijtë shqiptarë dhe t’u japi detaje shqiptarëve për marrëveshjen, që pritet të nënshkruhet në Tiranë gjatë vizitës së Kryeministrit Aleksis Tsipras në Tiranë në muajin prill.
Vatra sjell në kujtesë të shqiptarëve edhe lëshimin që ka bërë qeveria shqiptare për lejimin e ndërtimit të varrezave greke në territorin shqiptar. Do të mjaftonte një Memorial në kujtim të viktimave të asaj lufte që nuk e bënë shqiptarët, por italianët dhe grekët.
Po ashtu Vatra sjell në kujtesë edhe çështjen e pazgjidhur Çame, për të cilën Ministri i Jashtëm Grek deklaroi, në kundërshtim me atë çfarë deklaroi Ministri ynë, se nuk është shtruar fare në tryezën e bisedimeve.
Deklarata e fundit e Presidentit Grek Prokopis Pavlopulos, i cili e konsideron Çështjen Çame të pakuptimtë, e kyç problemin përfundimisht në “Kalendrat Greke”. Kërcënimi i presidenti Pavlopulos se Greqia do të bllokojë çeljen e negociatave të Shqipërisë në BE nëse shtrohet Çështja Çame, nuk përcjell frymën Europiane të një vendi anëtar i BE, siç është fqinji ynë jugor.
Vatra është e interesuar që marrëdhëniet me fqinjin jugor të jenë të mira dhe problemet e mbartuara të gjejnë zgjidhjen e duhur, por jo duke “dhuruar” hapësira detare, apo pasuri të shqiptarëve. Shqipëria nuk mund ta “blejë” votën e Greqisë për çeljen e negociatave për anëtarsimin në BE duke dhuruar pasuritë Kombëtare apo duke braktisur Çështjen Çame.

Filed Under: Featured Tagged With: ceshtja came, dalip greca, Deklarate e vatres, kufiri detar

FARI I ARBЁRISË

February 4, 2018 by dgreca

“ Qindra vjet më parë, kur Shqipëria lindte vetëm trima e luanë, në qytetin e dëgjuar të Krujës………”-Fan S. Noli/

                                                                                                                         1 eugjen merlika

NGA EUGJEN MERLIKA/Studimi i historisë, ndër të gjitha shkencat humanitare, është ai që nxit më shumë flatrat e fantazisë, për t’u shkëputur nga jeta e zakonshme e çdo dite e për t’u kredhur në kohë të tjera, të afërta apo të largëta. Në këto përfytyrime lind dëshira për t’u njëjtësuar me ato kohë, mjedise, zakone e njerëz, me të cilët do të donim të nisnim një bisedë të gjallë edhe se na duken aq të largët, por që në thelb janë si ne. Edhe se kanë jetuar qindra apo mijra vite më parë, ndërmjet tyre e nesh shumë gjëra kanë mbetur të përbashkëta.

Njeriu lind, jeton dhe vdes. Me pak fjalë kjo është historia e njerëzimit. Lindja dhe vdekja janë dukuritë më të zakonshme, ndaj të cilave, njeriu, megjithë fuqinë e mëndjes, është krejt i pazoti t’i ndryshojë. Ato dukurí janë stacionet ku nis e përfundon udhëtimi i secilit mbi këtë planet të zgjedhur e aq bujar. Mes tyre rrjedhin ditët, javët, muajt, vitet, koha, një karvan i pandalshëm, që nuk njeh fillim e mbarim, por vetëm mbart e shkarkon pa ndërprerje, pa mëshirë…

Jetët e njerëzve ngjasojnë. Të gjitha përmbajnë në vetvete kush më shumë e kush më pak gazin, dhimbjet, kënaqësitë, lotët, dashurinë, urrejtjen, vuajtjen, mundimin, sakrificat, sodisfaksionet, zhgënjimet, dëshpërimin, fitoret, humbjet… Raporti ndërmjet tyre përcakton dhe atë që quhet fat e njëkohësisht dhe vendin që ze secili në bashkësinë njerëzore. Në këtë ecje të vazhdueshme e të pafund shumica dërmuese kalon pa lënë gjurmë, si ujët e lumit që derdhet në det, ndërsa pak, shumë pak shquhen, ngrihen përmbi të tjerët për nga fuqia e mëndjes, e shpirtit e karakterit. Kështu lindin profetët, shenjtët, burrat e shtetit, ligjvënësit, shkencëtarët, filozofët, strategët, shkrimtarët… Janë ata që japin drejtimin e ecjes, që emërtojnë kohët, që përcaktojnë ritmet, që ndriçojnë rrugët, paçka se ka ende nga ata që besojnë se “masat e bëjnë historinë”. Janë farët, vepra e të cilëve është pasuria më e çmuar që trashëgon njerëzimi në përgjithësí e çdo popull në veçantí.

Për ne, shqiptarët, fari më i shndritshëm që ndriçoi mëndjet e zemrat në rrugën e gjatë e të errët të ecjes sonë, qe Gjergj Kastrioti. Pér madhështinë e Tij, fuqinë trupore, aftësitë luftarake  e shtetërore, meritat si apostull i Shqiptarizmit dhe mbrojtës i Krishterimit është shkruar kaqë shumë sa nuk mund të  shtohet asgjë.

I paisur me dhuntí të rralla e forcë të pashembullt karakteri, u shqua mbi të gjithë bashkëkombësit e Tij  për nga vlerat dhe pasojat e një veprimtarie  që, pothuajse njëzëri, është quajtur sipërnjerëzore. Sot, në largësi kohe të konsiderueshme, mbas  disa qindvjetorësh ecjeje në shtigjet e errëta e të thepisura të historisë sonë, ne kuptojmë më mirë se sa mbinjerëzore ishte gjithshka që përballoi e mposhti Gjergj Kastrioti, që nga fuqia ushtarake e Perandorisë më të madhe të kohës, në një nga kulmet e saj të forcës, e deri tek vështirësitë e formimit e të drejtimit të një kombi-shtet, të prirur më shumë për të ruajtur interesat klanore të principatave, se sa për të punuar për të mirën e tij. Kjo vepër madhështore, që bëri figurën e Tij simbolin më të spikatur të idesë së Kombit shqiptar dhe farin më të qëndrueshëm udhërrëfyes të historisë së tij, qe një epope çerek shekullore luftërash në truallin e lashtë të Arbërit, që vendosja gjeografike e kishte bërë të përballej gjithmonë me stuhitë e kohëve.

Turqit, të mahnitur nga cilësitë e princit arbër, i vunë epitetin Iskander-bej, princ Aleksandër, në ngjasim me botpushtuesin më të madh të lashtësisë. Nëse me të e bashkonte prejardhja etnike e aftësitë strategjike të luftëtarit, ndryshimet në karakteret dhe në prirjet e veprimtarive ishin të dukëshme. Aleksandri u shqua si një strateg botpushtues me aftësí të rralla që, në më pak se dhjetë vite, arriti të krijojë një nga Perandoritë më të mëdha të historisë së njerëzimit, ndërsa Skënderbeu spikati si komandant i ushtrive të vogla mbrojtëse, përballë sulmeve të fuqisë më të madhe ushtarake të kohës.

Të dy vdiqën të pathyer në beteja. Mbas vdekjes Perandoria e Aleksandrit erdhi duke humbur shkëlqimin, u coptua e mbaroi ashtu si Shqipëria që humbi lirinë e i u nënështrua natës së gjatë të pushtimit shumë shekullor. Këta fakte lartësojnë më shumë imazhin e personazheve, duke i vënë të dy në Panteonin e historisë botërore, e i bëjnë heroj kombëtarë të popujve të tyre.

Gjergj Kastrioti i u dorëzua amëshimit dhe historisë, por emri dhe vepra e Tij u bënë pjesë të indeve të shqiptarëve që, brez mbas brezi, e përcollën në këngët dhe legjendat, e ruajtën në kujtesë, në zemër, në vetëdije, në ritet e tyre në Shqipëri e kudo në botë ku vunë këmbë. Jeta dhe bëmat e Tij frymëzuan dhe shoqëruan çastet më të rëndësishme të shekujve, ngjarjet e hidhura e ditët e pakta të gazit. Figura e Tij plot shkëlqim, e përcjellë nga Barleti, ka hyrë në ndërgjegjen e Kombit shqiptar si një monument, me gjithë peshën legjendare të imazhit të shpëtimtarit të Atdheut. Por mbas këtij imazhi fshihet jeta e një njeriu, pjesa e parë e së cilës është më shumë e zhytur në mjegullën e legjendës se sa në saktësinë e fakteve të njohura.

Thuhet se lindi në qytetin e Krujës në vitin 1405, në familjen e një princi që ishte kthyer në vasal të Sulltanit si pasojë e betejave të humbura kohë më parë. Ishte mashkulli i fundit i familjes së Gjon Kastriotit dhe Vojsavës, që përbëhej nga katër djem e pesë vajza.. Duke marrë për të vërteta variantet e Barletit dhe Gjon Muzakës, në moshën tetëvjeçare së bashku me vëllezërit merret peng nga Sulltani për të garantuar besnikërinë e t’atit kundrejt tij. Ishte një goditje e fuqishme që do të rrëzonte në gjunjë edhe burra të sprovuar e jo më një fëmijë ende kërthijë, që papritmas gjëndet i vetëm, larg prindërve, vëllezërve, motrave, shokëve, vëndlindjes, në mes të një ambienti të panjohur, të cilit nuk i njeh as gjuhën. Por instikti i fortë mbrojtës i racës i jep forcën për të qëndruar.

Ishte trauma e parë e madhe që pëson në jetën e Tij. I duhet të mësohet me disiplinën e fortë të shkollës së jeniçerëve që është baza e fuqisë ushtarake të shtetit otoman. Aty mëson se jeta nuk të përkëdhel, nuk të fal asgjë, se gjithshka duhet fituar në një garë të pamëshirshme e të pafund. Episodet e ndryshme të dueleve e provave të forcës dëshmojnë për një pregatitje fizike e ushtarake të përsosur. Kështu ngjit shkallët e karjerës nën vështrimin miratonjës të Sulltan Muratit II, që i beson poste gjithënjë e më të rëndësishme, duke qënë i bindur se vitet kanë bërë punën e tyre e Skënderbeu nuk do të ketë tjetër synim veç lavdisë së Perandorisë. Gabohet Sulltani ashtu sikurse do të ishte gabuar kushdo që do të mendonte se dhjetëvjeçarët, nën trysninë e përditëshme të edukatës dhe mendësisë osmane, do të kishin mbytur në embrion çdo kujtesë të fëmijërisë, të familjes, të dheut të lindjes.

Malli dhe dashuria për familjen e shfarosur, për dheun dhe njerëzit e Arbërit ishin si prushi i mbuluar me hi, i pashuar në zemrën e djaloshit. Që këtu fillon sipërnjerëzorja në jetën e heroit, përballimi i një periudhe tridhjetëvjeçare në rolin e aktorit që duhet të rrezatojë besnikërinë për Sulltanin e, në fshehtësi, të derdhë lot të hidhur për gjithshka të dashur, nga e cila e kanë shkëputur me forcë që fëmijë. Duhej qëndrueshmëri e nerva të çelikta, por edhe një formim shpirtëror i pazakontë për t’i dalë në krye një gjëndjeje të tillë. Duhej forcë karakteri që buron nga ADN e molekulave dhe është pikërisht kjo forcë që përcakton personalitetin, i cili është në gjëndje t’i prijë e t’i paraprijë ngjarjeve me përmasa madhore. Në sajë të këtij karakteri, Skënderbeu i lavdisë otomane e i shkëlqimit të oborrit të Sulltanit ruan dhe mbron si gjënë më të shtrenjtë Gjergj Kastriotin, e lindur mes shkrepave të Krujës, duke përcaktuar si synimin kryesor të jetës jo lluksin, famën apo ofiqet vetiake por lirinë e Atdheut. Ai është i vetëdijshëm për rreziqet dhe vështirësitë e sipërmarrjes së lirisë, për të cilën ëndërron e thur plane, por karakteri e shtyn me forcë të hedhë mbas shpine dyshimet e t’i besojë Zotit në qiell dhe shpirtit liridashës të popullit të tij në tokë.

Kur i paraqitet rasti i parë për të sendërtuar ëndërrat, nuk nguron të veprojë me vrullin e një djaloshi e me pjekurinë e një të moshuari. Ishte tridhet e tetë vjeç, në kulmin e fuqisë së trupit, të  shpirtit e të mëndjes e jeta i reduktohet në një qëllim të vetëm: liria e Vendit të të parëve.

“ Lirinë nuk u a solla un, atë e gjeta këtu mes jush…” janë fjalët e para që u drejton bashkatdhetarëve, në agimin e asaj epopeje të gjatë e zulmëmadhe që u bë kuintesenca e historisë së shqiptarëve. Entuziazmi i çastit madhor të Kombit i zbeh dhimbjen për dramën e Tij të brendëshme, atë të vetmisë që e rrethon. Nuk gjen më prindërit e vëllezërit kanë vdekur në rrethana të paqarta. Pranë ka vetëm një motër të re, të tjerat janë të martuara e nga ndarja me to kanë kaluar tridhjetë vite. Legjenda na thotë se Skënderbeu gjeti nënën, Vojsavën, së cilës pritja e gjatë dhe dëshpërimi i kanë humbur arsyen, sa që të mos njohë as të birin. Kjo do të kishte qënë goditje shumë e fortë për zemrën e Gjergjit që, në përfytyresën e tij, kishte ruajtur figurën e bukur të nënës së re e të përkëdhelive të saj, që ishte rritur me to në shpirt e fantazi e tani prekte me dorë pasojat tragjike të asaj dite të mallkuar, kur i grabitën fëmijërinë.

Por koha shtërngon e nuk i le shteg për të vajtuar. Arkivon në shpirt dhimbjen e merr përsipër detyrën e prijësit, në të cilën nuk ka më vend për jetën vetiake. Betejat e pabarabarta që e presin, për të cilat Ai, më shumë se kushdo tjetër, është i vetëdijshëm në rolin e Davidit i rrëmbejnë mendimet, energjitë, shqetësimet. Duhet organizuar qëndresa mbasi mllefi i Sulltanit për “tradhëtinë” është shumë i madh dhe kundërveprimi do të ketë goditje marramendëse. Vrapon për në Lezhë ku princave kolegë e bashkëluftëtarë mundohet t’u përcjellë një të vërtetë të qartë si drita e diellit: lirinë e fituar mund t’a ruajnë vetëm nëse janë të bashkuar e nuk i besojnë sirenave të huaja apo të interesave vetiake, nëse janë të ndershëm e të vendosur për të përballuar barrën që i bie secilit. Vitet e gjata të luftërave e vunë në prova, herë herë të rënda, besën e lidhur në Lezhë.

Me mobilizimin e principatës së Tij Krujë – Mat – Dibër dhe ndihmat e princëve të tjerë në pak kohë krijoi e stërviti një ushtri që pagëzohet në Torvioll me fitoren dhe lavdinë. Betejat pasojnë njëra tjetrën e buzëqeshjeve të shqiptarëve i përgjigjet rritja e famës së prijësit e lindja e shpresës së Evropës së krishterë në mbrojtjen e qytetërimit të saj. Mbreti i Arbërvet mbulohet me lëvdata e premtime ndihmash e mbështetje, sidomos mbas rrethimit të parë të Krujës, në të cilin qëndresa shqiptare shihet si dukuria më e dobishme e shpresëdhënëse për t’i vënë fre lakmisë pushtuese të Perandorisë osmane drejt Perëndimit të krishterë. Por ndihmat janë më shumë me fjalë se me vepra e vitet e luftërave lënë gjurmët e tyre në jetën e arbërve. Çmimi njerëzor e lëndor është i rëndë e prijësi, që e kalon pjesën më të madhe të kohës pranë luftëtarëve të Tij, vuan shpirtërisht. Ai nuk mban asgjë për vete nga trofetë e luftërave, u a shpërndan gjithshka oficerëve dhe ushtarëve. Ata janë për Të familja e madhe ndërsa Ai është për ata prindi, vëllai, mësuesi, gjenerali, komandanti, Mbreti. Në këto marredhënie gjendet edhe kyçi i fitoreve në betejat e vazhdueshme, i sukseseve e i jetëgjatësisë së tyre.

Megjithatë jo gjithshka ecën përsosmërisht në ata vite luftërash e lavdije. Jo gjithmonë aleatët janë të ndershëm e korrektë me Mbretin. Princi më i fuqishëm i Lidhjes, Gjergj Arianiti, e kërcënon me prerjen e ndihmave nëse nuk martohet me të bijën, Donikën. Kështu në moshën dyzet e gjashtë vjeçare Skënderbeu ndërton çerdhen e Tij familjare, për t’i dhënë Arbërisë edhe trashëgimtarët e kurorës e për të mbajtur të lidhur aleancën luftarake për lirinë.

Cmira ngre krye në disa raste e përcakton sjellje që dëmtojnë luftën e përbashkët, madje arrin të marrë edhe trajtat e tradhëtisë së hapur e të kalimit në fushën kundërshtare. Janë të tjera goditje që merr padrejtësisht Ai që kishte përbuzur lavdinë e Sulltanit për të mbrojtur lirinë e popullit të Tij. I rëndon shumë tradhëtia e gjeneralit të Tij më të mirë, Moisi Golemi e më shumë ajo e princit Hamza. I pari u tërhoq nga premtimet e turqve për të mundur Skënderbeun e për t’i zënë vendin Atij si Mbret i emëruar nga Sulltani. I dyti pasqyron një ves të lashtë, kompleksin e Kainit që, fatkeqësisht, jo rrallë vazhdon të jetë burim dramash e tragjedish edhe në ditët tona.

Hamzai ishte njeriu më i afërt që kishte Skënderbeu në shtabin e Tij, ishte djali i vëllait Stanish, i pari i djemve tё gjon Kastriotit. Mbante ndër deje gjakun e Kastriotëve, edhe se nga nëna origjina ishte turke. Kishte ndarë me ungjin të gjitha dëshirat e projektet, që nga planet e thurura në Edërne deri tek marrja e vulës së Qatipit të Sulltanit në Nish, për t’u kthyer në “Krujën e bekuar” atë 28 nëntor 1443. Kishte luftuar me trimërí përkrah ungjit në betejat me turqit. Deri sa ungji ishte beqar Hamzai qe një djalë besnik e i qetë, kur Ai u martua në mendjen e tij filluan të shfaqen ide ogurzeza,

.Për shumë kohë, thellë në vetvete,  kishte  ëndërruar skeptrin e Mbretit të Arbërisë, por erdhi një çast në të cilin lindja e një fëmije i bëri pluhur e hi të gjitha ëndërrat. Trauma e pësuar çoi në një trallisje e çoroditje të ideve e të ndërgjegjes. Valët e fuqishme të ambicies për pushtet mbytën tek Hamzai parimet e ndjenjat deri në atë pikë sa t’i kundërvihet ungjit në krye të ushtrive armike. Sa i madh zhgënjimi e sa e thellë dhimbja në shpirtin e Gjergj Kastriotit, kur u gjend i tradhëtuar edhe nga nipi. Bota i u përmbys mbi kokë, por edhe një herë tjetër karakteri i jep forcë të përballë tragjedinë, sepse për një të tillë bëhet fjalë kur një Kastriot, gjaku i tij, pështyn mbi sofrën e të parëve e mbi sakrificat e një populli që lufton për mbijetesë deri në frymëmarrjen e fundit. Mbasi e ka thyer në betejë  dhe e ka zënë rob, ndihet i paguar por çduhet të bëjë me të? Mbas këshillimeve me gjeneralët e Tij e një lufte të brëndëshme vendos t’i falë jetën, ashtu siç kishte bërë edhe me Moisi Golemin. Po ndërsa ky i fundit u kthye me të gjitha ofiqet në rradhët e ushtrisë e mbeti besnik deri në vdekjen e llahtarëshme, për Hamzanë dielli i Arbërit perëndoi e ditët e tij u ngrysën në një burg të Italisë, në një breg deti, por nuk ishte Adriatiku. Hamzai më vonë u kthye në Shqipëri duke jetuar në vëzhgim prej njerëzve të Skënderbeut, pastaj mundi të arratiset në Turqi, ku kishte lënë gruan dhe fëmijët. Atje thuhet se jetoi edhe ca kohë i përbuzur nga Sulltani dhe i urryer nga turqit, mbasi quhej shkaktar i humbjes së turpëshme të disa viteve më parë në Albulenë. Vdiq i helmuar nga turqit.

Zemra e lënduar e prijësit të Arbërit ishte një zemër e madhe, ishte përbërësi i dytë i personalitetit të Tij së bashku me karakterin. Në një kohë kur rregullat e kodit moral e shtetëror në periudhë lufte ishin pothuajse të ngurta, Ai arrin të falë tradhëtinë e vërtetë. Instiktivisht më vjen ndër mënd krahasimi me një tjetër prijës, që për gati gjysëm qindvjeti shumkush e vuri përkrah Skënderbeut si vlerë, që “tradhëtitë” e shpikura i dënonte me vdekje në serí, madje ishte krenar se serinë e kishte hapur bash me kunatin e tij….

Luftërat e pareshtura e raskapitën Vendin. Një  brez shqiptarësh që i kishin filluar ato pa i u  dirsur mustaqja, tashmë ishin të thinjur para kohe.Tokat e mbetura djerrë ishin treguesit e pakësimit të forcave njerëzore, ndërsa hordhitë e Anadollit nuk reshtnin së dynduri drejt trojeve të Arbërit. Fuqitë e prijësit kishin filluar të ndjenin peshën e një jete të tërë të kaluar mbi shpinë të kalit me shpatë në dorë. Nga ana tjetër vitet zulmëmëdha nuk kishin qenë aq bujarë me të nga ana shpirtërore. Shumë herë ishte plagosur zemra e heroit e shumë probleme kishte përballuar mendja e Tij. Cmira, zili e intriga të princave të ndryshëm e kishin vënë në provë të fortë durimin e Tij. Nga shokët e vjetër të luftës kishin mbetur pak. Ndihmat nga Italia fqinjë, mbas vdekjes së Papës Piu II ishin pakësuar ndjeshëm dhe arka e Shtetit, nëse mund të quhej e tillë, ndjente mangësi. Kishin mbetur të paprekura aftësitë strategjike të Komandantit dhe entuziazmi i ushtarëve e, në veçantí ai i atyre të gardës.

Gjergj Kastrioti e kuptonte se qëndresës së tij po i avitej fundi. Ishte i qetë në ndërgjegje, mbasi e kish kryer detyrën që i kishte vënë vetes në të rit e vet. Por e mundonte e ardhmja e Vendit të cilit i mbrojti lirinë për gati një të katërt shekulli. Parashihte se humbja e luftës, kurdo që të vinte, do të ishte me shumë dhimbje. Bashkatdhetarët e Tij nuk do të humbisnin vetëm lirinë, por edhe pasurinë e ndoshta edhe jetën. Thellë në shpirt mendonte fatin e gruas  e të djalit, ende shumë të ri. Si prijës largpamës, të cilit i rëndonte në ndërgjegje e ardhmja e bashkëluftëtarëve që kishin ndarë me Të jo vetëm gazin e fitoreve, por edhe mundin, sakrificat e humbjet e njerëzve të dashur, kërkoi të gjejë një rrugëdalje. I drejtohet Ferdinandit, djalit të mikut të Tij Alfonsit, Mbret i Napolit, të cilit jo shumë kohë më parë i ka ndihmuar për të shuar kryengritjet e baronëve vartës të tij. Prej tij merr premtimin e mikpritjes së bashkatdhetarëve që do të braktisin Atdheun e pushtuar nga turqit.

Këto janë projekte që i përkasin një të ardhmeje kur Ai të mos ishte më në jetë, për çastin duhej vazhduar lufta, por duhej një tjetër besëlidhje, mbasi ajo e para ishte zbehur e kish humbur forcën vepruese. Thërret përsëri në Lezhë princat, mundohet të shuajë kundërshtitë e të sendërtojë një tjetër marrëveshje. Por trupi e shëndeti i Kryetrimit nuk i përgjigjen më dëshirave të Tij. Sëmuret nga malarja e në shtratin e vdekjes i buzëqesh për të fundit herë lajmit të fitores në një tjetër betejë. Fitoret vazhdojnë për inercí edhe se Ai nuk ishte më në krye. Por deri kur?

Para pak kohësh i është dashur të mundë në një betejë të përgjakëshme një tjetër arbër, që ishte vënë në shërbim të armikut, Ballaban Pashë Batrën, një tjetër bir të kësaj toke që vinte t’a shkelte atë me ushtritë e armikut.

Napoleon Bonaparti, kur u nis për në Shën Helenë, në vështrimin e fundit brigjeve të Francës, psherëtiu: “Eh Francë, të kishe më pak tradhëtarë!”. Ndoshta në netët e etheve kllapitëse të Lezhës edhe Gjergj Kastriotit i faniteshin në përfytyresë fytyrat e atyre që interesat e tyre të ngushta i vunë përmbi idealet e “shekullit të madh”. Ndoshta i vjen në mënd viti 1448, kur ngurimi i princave dhe pengesat e Gjergj Brankoviçit i bënë të humbiste mundësinë e bashkimit me Janosh Huniadin për të ndryshuar fatet e luftës se dytë të Kosovës e, ndoshta, të gjithë aventurës ushtarake turke në Ballkan.

Prijësi i Arbërisë mori një tufë thupra, i bëri bashkë e i a dha princave t’i thyenin. Mbasi asnjëri nuk arriti t’a kryejë veprimin, i ndau fije fije në mënyrë që të thyheshin lehtë. Kuptimi e morali janë ata të zakonshmit, të cilët i urti Gjergj kishte 25 vite që i përsëriste: vetëm duke qënë të bashkuar mund t’i qëndrohej së keqes, në të kundërt e keqja nuk do të kursente asnjërin. Ishte një nga mësimet e mëdha të Burrit më të shquar të kësaj toke, por që fatkeqësisht u vu në zbatim pak herë e pasojat i paguam në të gjitha kohët, deri në ato më të vonat….

Ai mbylli sytë në Lezhë duke mbjellë lotët në të gjithë sytë e arbërve, për të cilët do të fillonte periudha më e errët e historisë së tyre. U varros çuditërisht aty e jo në Krujë, ndoshta për t’i kumtuar historisë se Ai nuk kishte përkatësi krahine apo qyteti, i përkiste të gjithë atyre që flisnin gjuhën e Arbërit. Shpirti i Tij u ngrit lart në Qiell nga ku sodit me dhimbje dertet shekullore të Vendit të tij, ndërsa në të nuk i mbeti asgjë. Kockat i morën Turqit si hajmali të fuqisë mbinjerëzore të heroit, ndërsa armët përfunduan në Vjenën e largët. Për Arbërinë Ai, që ndёrroi jetё 550 vite më parë, mbeti fari i përjetshëm, i pashuar, i pakrahasueshëm.

Filed Under: Opinion Tagged With: Eugen Merlika, FARI I ARBЁRISË

Shtet pa shtet

February 4, 2018 by dgreca

1 andon dede

nga Andon Dede, Nju York/

Titulli mund të duket sikur nuk shkon, për të vërtetën e thjeshtë se dikush, me të drejtë, mund të më kthehet: ”Ore mik i dashur, ka apo nuk ka shtet?! Dy pohime të tilla nuk shkojnë se përjashtojnë njera-tjetrën”. Drejt! Le ta shtjelloj më poshtë.  

Nuk e kemi fjalën për shtetin shqiptar, si njësi territoriale-administrative por për atë sistem institucionesh që i shërben qeverisjes së këtij shteti. Prapë, dikush mund të ngelet i pakënaqur nga ky sqarim, madje edhe të revoltohet e të shtojë i ngrefosur, si të ketë zbuluar diçka të rëndësishme me të cilën do të më mbyllë gojën: “Ç’ia fut kot edhe ti?! Aty janë tërë ato ministri e zyra të tjera, nga dyert e të cilave hyjnë e dalin çdo ditë qindra apo dhe mijëra veta. Me sa kam dëgjuar apo lexuar, vetëm në Kryeministri hanë bukë më shumë se një mijë veta! Dhe ti më thua mua se nuk ka shtet?!”

Por unë, pa e prishur terezinë, sado e çuditëshme të duket, i jap të drejtë e, në të njëjtën kohë, vazhdoj me timen se Shqipëria jonë e dashur, të paktën tani për tani, është një shtet pa shtet. Mjafton t’i kujtoj lexuesit të mundshëm, se nuk ka rëndësi se sa pemë ke por sa fruta japin apo se mban një qen që nuk leh as kur të vjedhin shtëpinë. Për të mos u zgjatur, le t’i marrim me radhë disa nga institucioet më kryesore.

Parlamenti.

Dihet se ne jemi republikë parlamentare dhe si të tillë ky institucion merr një rëndësi të jashtzakonshme. Shumëkush, nga mendjet e shquara që janë marrë me shtetin, e krahasojnë atë me një tempull të shenjtë ku përfaqësuesit e popullit, të zgjedhur “me qiri” si ndër më të mençurit e më të përgatiturit, shqyrtojnë problemet e rëndësishme, diskutojnë për to dhe marrin vendime në të mirë të popullit e të vendit. Parlamentarët, normalisht, zgjidhen dhe nuk emërohen. Por ne, si dhe për çdo institucion tjetër, jemi ndryshe. Parlamenti ynë i sotëm nuk ka asgjë të përbashkët me gjitha sa thamë më lart, aq i kundërt është ai me atë që duhet të ishte. Si zor të ketë njeri që të mendojë ndryshe kur ka parasysh qoftë dhe një fakt të thjeshtë: seancat e të enjteve. Dhe s’kishte si të ndoshte ndryshe kur aty, me përjashtime të pakta, kanë hyrë njerëz fare të rëndomtë, madje edhe hajdutë, kriminelë e analfabetë, vetëm me një mision: të mbajnë në këmbë ata që i kanë sjellë aty, pra të mëdhenjtë e vendit. Unë, dhe besoj se nuk jam i vetmi, kujtoj me nostalgji parlamentin e parë pluralist kur ndiqnim me një frymë seancat e tij, nga që në foltore ligjëronin vërtet personalitete që e meritonin atë status. Por, në vend që nga një legjislaturë në tjetrën të ngrihej cilësia, siç e kërkonte logjika më elementare, me që jemi në pluralizëm e mundësitë përzgjedhëse e seleksionuese janë të pafundme, ndodhi e kundërta. Dhe sot kemi një parlament që vetëm emrin ka të tillë se në më të shumtën e seancave që shohim i ngjan një teatri grotesk që për nga humori që ngjall, ia kalon çdo estrade. S’ka si të ndodhë ndryshe me atë sistem elektoral që kemi ku listat i përgatsin kryetarët e partive me kriteret që iu shkojnë për mbarë. Dhe si qershia mbi tortë, ishte vendosja e Ruçit, ministrit të fundit të Brendëshëm të Diktaturës në krye të tij, po nga kryeministri ynë i nderuar. Kam bindjen absolute se në kushte të tjera, Rama do bënte namin për këtë zgjedhje, si i vetmi precedent në gjithë vendet ish-komuniste. Por Ruçi nuk është mbiemri i vetëm në atë parlament që na kujton nomenklaturën e vjetër, paçka se kjo është e keqja më e vogël për problemin që po trajtojmë. E keqja më e madhe e tij është gjetkë: duke qënë përfaqësuesi i popullit ai duhet të qe dhe pushteti më i lartë, prej nga e merr mandatin edhe ekzekutivi. Vërtet se kjo e fundit i përcakton vetë politikat e saj të brendëshme dhe të jashtëme, por ajo nuk mund t’i zbatojë ato nëse nuk ka besimin apo miratimin e parlamentit. Tek ne edhe kjo hierarki është përmbysur: parlamenti bën ç’i dikton qeveria apo më saktë, kreu i saj i gjithpushtetshëm. Përvoja e muajve të fundit na e forcoi edhe më tej bindjen për këtë.

Presidenti

Përsa i takon presidentit, dallojmë pak a shumë dy tipe qeverisjesh: republikë presidenciale,(apo dhe gjysëm-presidenciale) dhe parlamentare, si kjo e jona që, rolin e presidentit e ka më shumë honorifik. Atë nuk e pyet njeri, sidomos me amendamentet e fundit që bënë kryministrat apo dhe kryetarët e partive, të shtyrë nga babëzia për sa më shumë pushtet. E vetmja detyrë e presidentëve tanë, që nuk ka të sharë, është shpërndarja pa kursim e titujve të nderit, medaljeve e dekoratave, por kjo është një çështje tjetër. Ne deshëm të ndaleshim sado shkurtimisht tek presidenti aktual, zgjedhja e të cilit befasoi jo vetëm politikanët e analistët por dhe atë vetë, i cili qe betuar e stërbetuar se, hë për hë, nuk do ta pranonte atë post.

Në tërë Botën, në vartësi të formës së shtetit, presidentët zgjidhen pak a shumë në dy rrugë: me votim të përgjithshëm nga populli, (republikat presidenciale) apo me shumicë votash në Parlament. Edhe në këtë procedurë kaq të thjeshtë, ne bëjmë përjashtim, përsa i përket presidentit të sotëm: atë nuk e zgjodhi as populli dhe as Parlamenti por kryeministri ynë në një darkë të shijshmë tek Pazari i ri. Kjo dihet e nuk po themi gjë të re. Ajo që vlen të diskutohet nuk është fakti se pse e bëri Rama këtë por si e hëngri këtë kokër ulliri Meta që njihet tashmë si politikani më i shkathët e më pragmatisti e që ia ka parë hajrin politikës, mbase më shumë se kushdo tjetër. Unë nuk e kam të vështirë ta kuptoj dhe këtë: ai akoma ishte në krye të LSI-së dhe priste që të fitonte më shumë vota por, më kryesorja, se shpresonte se mik/armiku i tij Rama nuk do të arrinte të fuste në Parlament 74 deputetë. Shumë shpejt ai e kuptoi hilen e bashkëqeverisësit/kundërshtar por qe vonë. Me metodat e veta ala-Fushe, Rama arriti ta ulë në qoshe e t’i mbyllë gojën. Atë që po bën e shoqja e tij si zor ta shqetësojë sadopak Ramën. Ai e ka treguar veten se nuk do t’ia dijë sado ta ngrejë zërin Monika dhe sido që ta etiketojnë atë, qoftë edhe hajdut e kriminel, siç ndodhi pak ditë më parë, në parlament e jashtë tij. Ai, madje, nuk pyet as nga goditjet me vezë, domate apo edhe me çizme.

Qeveria – Kryeministri

Arritëm tek institucioni i tretë sipas radhës, por numuri një sipas fuqisë vepruese, tek qeveria dhe Kryeministri. Po i marr bashkë se siç thashë dhe më lart, kreministri ynë arriti të bëjë zap jo vetëm qeverinë por dhe tërë institucionet e tjera. Kjo tashmë shihet qartë e pranohet nga tërë ata që merren me  zhvillimet e brendëshme në Shqipëri, politikanë apo analistë qofshin. Mund të mos e kesh qejf Edi Ramën, apo dhe ta urresh, por këtë arritje nuk ia mohon dot.

Pavarësisht nga kjo, detyrohem të pohoj se ne kemi kryeministrin më megalloman e njëkohësisht më karagjoz në Botë, qëllimi i vetëm i të cilit është të tërheqë vëmendjen e të tjerëve. Për këtë ai është gati të bëjë çdo gjë: të shëmbë monumente kulture, të mbushë vendin me kanabis, të vejë në takime me popullin me brekushe, të shkojë në ceremonira zyrtare me atlete, paçka se disa shefa protokollash e kane kthyer mbrapsht siç kthen në shtëpi mësuesi nxënësin e parregullt. Por ai, siç thamë, as që do t’ia dijë për tërë këto dhe vazhdon i qetë qeverisje/mbretërimin e tij.

Organet e “diktaturës”: Prokuroria – Gjykatat – Policia

Një nga detyrat kryesore të shtetit është të mbrojë rendin nga keqbërësit. Ndër institucionet apo organet që e realizojnë atë janë prokuroria, gjykatat dhe policia. Për të mos u zgjatur i mora bashkë. Jo rastësisht i quajta më këtë emër: Ne vërtet e përmbysëm diktaturën në fund të shekullit të kaluar, por kjo nuk do të thotë se jemi vend demokratik. Jemi tepër larg asaj. Edhe nga sa thamë më lart del e qartë se tek ne vendos vetëm njëshi, pra mund ta quajmë monarki, nëse do të kishte fituar referendumi i disa viteve më parë. Por, për nga mënyra e qeverisjes, ne ua kemi kaluar gjithë monarkive, sidomos atyre moderne konstitucionale, që gjallojnë akoma në Europën Perëndimore, ku monarku thuajse nuk ka asnjë funksion por ruhet  si traditë, në rastin më të keq.

Fillojmë me Prokurorinë. Është thënë me të drejtë se ai që iku nuk bëri thuajse asgjë dhe i la dosjet e fryra ashtu si i gjeti. Po kjo që erdhi, në vend të tij, a thua se do t’i aktivizojë dot ato, duke futur në rrjetë të shumëpriturit “peshq të mëdhenj”?! Unë jam skeptik, jo duke pasur parasysh vetë prokuroren, që nuk e njoh fare. Por nisem nga dy tregues të thjeshtë: fakti që ajo pranoi atë detyrë në këtë situatë anarkie që po kalon vendi dhe sidomos mënyra se si kreu betimin, më krijoi përshtypjen, në mos edhe bindjen se nuk do të bëjë dot gjë. (Kam mendimin se ajo skenë është unike në Botë, e denjë për të hyrë në rekordet Guiness).

Për gjykatat është folur e po flitet aq shumë sa do të qe humbje kohe të shtjellojmë ekzistencën formale të tyre. Ato dënojnë fukarejtë e nxjerrin të pafajshëm hajdutë, trafikantë e kriminelë. Madje, edhe ata që janë futur me kohë pas hekurave, bëjnë ç’është e mundur që t’i nxjerrin jashtë, siç edhe ka ndodhur e po ndodh. Kaq mjafton që funksionimi i  tyre të konsiderohet krejtësisht mision i dështuar.

“Policia që deshëm, më e  mira e këtyre 26 viteve”- ishte një sllogan i Ramës që përsëritet si refren gjatë gjithë viteve të sundimit të tij. Mbase qe dhe vazhdon të jetë i sinqertë në atë që thotë se vetëm një polici e korruptuar kokë e këmbë mund t’i shërbejë një qeverie po aq të korruptuar. Krerët kryesorë të saj ose u shkarkuan, ose u dorëhoqën, ose u zhdukën në një drejtim të panjohur, tamam siç zhduken vrasësësit e kriminelët.

Ndërkombëtarët

Për statusin që kanë, këta mund të mos i përfshinim në institucionet tona por, për hirë të së vërtetës, duhet të pranojmë se ata janë shumë më aktivë se tërë institucionet e tjera për të cilat folëm më lart. Nga një anë kjo duhet vlerësuar pozitivisht kur kemi parasysh dështimin gati të plotë të institucioneve tona. Por, kjo nuk përbën kurrsesi një dukuri me të cilën të krenohemi e ta përdorim për të përligjur gjithë veprimtarinë e organeve tona ligjvënëse apo ekzekutive, siç dëgjojmë vazhdimisht të flitet nga kryeministri. Në të kundërt, ky realitet është një turp për ne, se ata, ndërkombëtarët, nuk i shohim në rolin e përfaqësuesvë të vendeve përkatëse apo, tek e shumta, në atë të konsulentëve por në rolin diktues dhe llogari-kërkues. E kemi fjalën si për ambasadorët e akredituar në Tiranë  dhe për ata që na vizitojnë nga BE, SHBA, e shtete të tjera të fuqishme.

Në vend të mbylljes

“Do të bëjmë shtet, që ka munguar gjatë këtyre viteve të pas-Diktaturës, në mos edhe në gjithë ekzistencën e shtetit shqiptar…”- thoshte Rama ende pa u ulur mirë në karrigen e kryeministrit, ndonëse, siç u përpoqëm ta shtjellojmë më lart, realiteti flet për të kundërtën. Por ai, pa u skuqur e zverdhur, vazhdon ta përsërisë këtë sllogan edhe në ditët tona, ndonëse jo vetëm Opozita por dhe tërë analistët, më përjashtim të “kazanit të vet”, ia kanë thënë e po ia thonë përditë. Apo, mos e kemi gabim ne, se mbase ai e ka pasur dhe e ka fjalën pikërisht për një “shtet pa shtet”, se vetëm kështu ai bën ç’të dojë, pa i hyrë gjemb në këmbë, duke ia kaluar çdo diktatori e monarku?! Mbase!?

Nju York, 3 shkurt 2018

Filed Under: Analiza Tagged With: Andon Dede, Shtet pa shtet

Dështim i plotë i Pandeli Majkos në Michigan

February 4, 2018 by dgreca

2-Alfons-Grishaj1-250x300

Nga Alfons Grishaj/Takimi i shumëpritur i Qeverisë së Socialistëve në Diasporë mori goditjen e parë. Megjithse militantë të PS bënë me qindra telefonata për të mbushur një nga sallat e Troy Community Center, organizuesit u shtrënguan të përfundonin në një klasë të vogël prej pesëdhjetë personash, përfshi këtu kameramanët dhe gazetarët. Sqaroj se, komuniteti i shqiptarëve në Michigan, numëron mëse 200 000 persona që jetojnë dhe punojnë në këtë shtet. Diaspora në Michigan preferoi ta injoronte totalisht takimin e Majkos, që përveçse një farsë politiko-mediatike nuk premtonte shprehjen e ndonjë ideje apo vizioni lidhur me raportet e ardhshme të shtetit shqiptar me pjesët dhe potencialin e shkëputur nga trungu. Për më tepër, Diaspora shqiptare këtu në Amerikë, e tradhëtuar nga vota e shtetit të origjinës kundra USA në OKB, kishte të drejtën të mbante qendrim ndaj Ministrit të “Diasporës”, si antar i atij kabineti që ka katandisur në nivelin më të ulët marrëdhëniet mes dy shteteve që prej shembjes së diktaturës. Ky qendrim, bëhet kuptimplotë kur kujton se në Amerikë jetojnë më se gjysëm milioni shqiptarë, të cilët, duke qenë nënshtetas dhe të betuar për flamurin amerikan, ndjehen historikisht në mënyrë legjitime si ura kryesore që mban të lidhura këto marrëdhënie. Para takimit në Troy Community Center, Majko u mundua që të bënte takime kortezie në institucionet fetare dhe ishte habitur për formën dhe nivelin e lartë të organizimit, duke parë me sytë e tij, që shqiptarët në Amerikë, edhe për shkak të një tradite tashmë kohëgjatë por edhe sepse kanë ndjekur modelin amerikan, janë shumë më përpara nga qeveritë e Shqipërisë në shumë aspekte, dhe përveç respektit dhe një programi demokratiko-gjithëpërfshirës, nuk presin asgjë tjetër nga shteti i tyre. Ata janë organizuar rreth institucioneve fetare dhe partive tradicionale nacionaliste pa ndihmën e askujt. E vetmja “ndihmë” e qeverive komuniste ka qenë futja elementeve  përçarëse në diasporë.

Në Troy Community Center, Majkos iu bënë disa pyetje që e vunë “me shpatulla për mur”. Atij iu kërkua llogari për votimin e shumicës parlamentare që la jashtë procesit elektoral diasporën, cilësuar si një akt pushtetmbajtës në një demokraci që vetquhet bashkëkohore dhe gjithëpërfshirëse. Në këtë takim të Majkos, ish-zv/Kryetari i të Burgosurve Politik, Gjon Kaçaj, e akuzoi atë për rikthimin e simboleve komuniste, për heshtjen ndaj 29 viktimave që vdiqën me 9 Janar 2004 në kanalin e Otrantos, për vrasjen e të riut Ben Delaj nga RENEA në sy të prindërve dhe murgeshave me këshillë të Pandeli Majkos. Kaçaj, duke analizuar qëllimin e vërtetë të vizitës së ministrit, e pyeti: “A keni ardhur këtu me fytyrën e ëngjëllit, të diallit apo të Judës, dhe a do të jeni dhe ju me Ramën, Tahirin në rrjetën e Ambasadorit Lu?”. Majko u mundua t’i dredhonte pyetjes së tij, por Z. Kaçaj, i tha se ai nuk kish kthyer përgjigje për pyetjet duke e shtrënguar atë të kthehej në mënyrë të papritur duke pohuar: “Kam bërë gabim!”

Tjetër veprimtar në diasporë (pjesëmarrës me 2 Prill 1991 dhe ish-Kryetar i Unionit Studentor i Universitetit Luigj Gurakuqi), Valentin Lumaj, kërkoi nga antari i kabinetit që qeveria shqiptare të tregohej serioze në marrëdhëniet me shtetin amerikan që të mund të gëzonte statusin për të negociuar mbi fatin e emigrantëve të palegalizuar, të cilët, në rrethanat aktuale rrezikojnë të deportohen. Z. Lumaj, pyeti: “Zoti ministër, siç e thatë, ekziston një numër i madh emigrantësh të papajisur me leje qendrimi, sidomos këtu në USA. Nuk e di a jeni në dijeni për një fushatë deportimesh të ndërmarra nga administrata amerikane për emigrantët pa leje qendrimi. Ju si ministër i diasporës, a keni mundësi nëpërmjet pozitës apo kanaleve tua politike të ndërhyni në shtetin amerikan që të ndalet ky deportim i shqiptarëve dhe paisja me dokumentacion? Unë e kuptoj pozitën tuaj të vështirë, pasi qeveria shqiptare është pozicionuar kundër administratës së Presidentit Trump”. Në sallë plasi një ilaritet, që e vuri Pandeliun në vështirësi, sa u detyrua t’i ndërpriste fjalën Z. Lumaj: “Shqiptarët në Amerikë nuk duhet të mendojnë apo të kenë frikë se qendron një përçarje mes qeverisë shqiptare dhe asaj amerikane… Mos merrni për bazë një gafë apo një qendrim emocional të çastit të kryeministrit!”. Pasi e kuptoi shkarjen e tij, Majko iu lut kameramanëve me nënqeshje, që mos të publikonin fjalët e fundit, se mund t’i sillnin problem me shefin e tij…

Pyetjet që pasuan, ishin të porositura, pyetje mikluese socialistësh, të cilët u munduan ta gicilonin nën këpucë.

Takimi u mbyll me një dështim të plotë, së pari për shkak të numrit të ulët të pjesëmarrësve, nja tridhjetë socialistë, pesë gazetarë dhe ndoshta po aq kurreshtarë e demokratë… Por sigurisht, dështimin takimit ia garantoi vetë ministri, me një vizitë pa motiv, pa axhendë institucionale, pa mesazh dhe pa ndonjë dokument paraprak, duke e trajtuar ngjarjen më shumë si një vizitë private apo turistike.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: alfons Grishaj, Dështim i plotë, i Pandeli Majkos, ne Michigan

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1562
  • 1563
  • 1564
  • 1565
  • 1566
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT