• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

13 MARS 1965 U SHUA IMZOT NOLI- VATRANËT 40 DITË ZI….

March 13, 2021 by dgreca

*Vatra”, Dielli dhe përcjellja e Imzot Nolit 56 vite të shkuara: Pusho në Paqe, At i dashur! Sa të rrojë raca shqiptare, aq do të rrosh dhe Ti në zemrat e popullit shqiptar.


* Misioni shqiptar në New York u ndalua që të merrte pjesë në varrimin e Imzot Nolit. -*Telegrami i Mehmet Shehut dhe i Halim Budos, tendenca për përçarjen e shqiptarëve të Amerikës.


* Shteti komunist i kërkoi Amerikës trupin e Nolit, por kerkesa u refuzua.

NGA DALIP GRECA


Shenjat ishin dhënë më herët. Edhe ai ishte vdekshëm si gjithë të tjerët. Jeta e Imzot Nolit kishte marrë goditje në vjeshtën e vitit 1964. Më 2 Nëntor u operua. Mjekët kur e hapën panë se brenda ishte shfaqur e keqja, sëmundja kanceroze që do t’i merrte jetën. E mbyllën sakaq. Pas 2 javësh doli nga spitali. Më 20 Dhjetor u nis drejt shtëpisë dimrore që ia kishte blerë Vatra dhe Kisha në Florida. Atje, nën diellin e Floridës do t’i shtynte çastet e fundit të jetës. U shua më 13 mars, në orën 11 të ditës, kur Meri Xhons e kishte nxjerrë në kopësht për të marrë rrezet e diellit të ngrohtë. Por gjithçka mbaroi aty. Ai u shua. Lajmi tronditës është përcjellë në Gazetën Dielli të 17 Marsit 1965, e mërkurë me titullin: Shqiptarë a e dëgjuat? 

IMZOT NOLI NUK ËSHTË MË MES NESH!


Në komentin hyrës shkruhej me shkronja të zeza: Njeriu që përfaqësoi racën shqiptare si kryetar Fetar, si shkrimtar, si studiues, si poet, si udhëheqës, nuk është më.Ati i shqiptarëve, që kishte personifikuar të gjithë gjërat e shenjta të gjakut e të traditave shqiptare, vdiq me 13 Mars 1965 në momentin më të vështirë për komunitetin shqiptar në Amerikë dhe në tërë Botën e Lirë si dhe për shqiptarët në Shqipëri. Vatra e shqiptarëve të pastër përulet përpara trupit të kryetarit të saj të djeshëm dhe të sotshëm dhe i puth ato duar të bekuara, që lartësuan Kombin shqiptar dhe Vatrën tonë.
Komisioni i Vatrës urdhëroi 40 ditë zije për të gjithë vatranët për humbjen e prijësit shpirtëror. Përmes lotëve ata ngushëlluan njëri-tjetrin dhe pranë arkivolit të Atit të Kombit vajtuan: Pusho në Paqe, At i dashur! Sa të rrojë raca shqiptare, aq do të rrosh dhe Ti në zemrat e popullit shqiptar. Vatra do të qajë me lot, por edhe do të mburret në çdo kohë, që pati fatin të ketë si Atë, si themelonjës, si prijës, TY- Atin Shqiptarëve!
Në kohëndarjen nga jeta të atij që editoi i pari Diellin, Gazeta e Vatrës kishte për editor Athanas Gegën, një diejtar i kohës, një nacionalist antikomunist ndër më të betuarit, ndërsa kryetar i Vatrës ishte James Thanas.
Në faqen e parë të Gazetës DIELLI publikohej shkrimi i Editorit Gegaj:VATRANË: VDIQ ATI YNË!, ndërsa kryetari i Vatrës në të njëjtën faqe botonte përcjelljen zyrtare të lajmit tronditës:VDIQ ATI I TË GJITHË SHQIPTARËVE. Po në faqen e parë të Diellit, botohej edhe shkrimi”VATRA NË ZI”, një shënim shpirtëror i Antoni Athanans në gjuhën angleze, një esse nga Peter D. Peterson, si dhe mesazhe nga personalitete të botës shqiptare dhe të huaj.

VATRA E MORI LAJMIN TË NESËRMEN

Drejtuesit e Vatrës e kishin marrë lajmin e hidhur, të nesërmen e vdekjes, me 14 mars, ndërkohë që ishin në mbledhjen e bordit. Nga rekordet e Vatrës sjellim reagimin: I hidhëruar thellsisht nga kjo humbje e madhe, Komisioni ndërpreu rendin e ditës, mbajti një minut heshtje dhe më pas filloi nga përgatitjet për përcjelljen e Atit shpirtëror. Vendimi: I gjithë numri i Diellit do t’i kushtohej Nolit!Numri u përgatit në një kohë rekord: U punua të dielën, të hënën, të martën u dërgua në shtypshkronjë dhe u shpërnda të mërkurën. Të gjitha degëve iu përcoll me telefon e telegrame lajmi i vdekjes dhe botimi i Diellit. Ky edicion, që pati dhe një ribotim, u dërgua në të gjitha kolonitë shqiptare edhe në Europë e Australi.

LAMTUMIRË KRYEZOT!

Vdekja e imzot Nolit i pikëlloi thellë shqiptarët e Amerikës. Kryetari i Vatrës shkruante:”Ati i të gjithë shqiptarëve, kryetari ynë shpirtëror, u nda nga ne e na la të shkretë dhe të varfër. Me vdekjen e Tij mbyllet një kapitull i historisë shqiptare, sepse ne humbëm udhëheqësin tonë dhe themelonjësin e Kishës Kombëtare, Federatës Vatra, si dhe të parin prift shqiptar e të parin editor të Diellit. Kryezot dhe metropolit i Kishës sonë, burrë shteti, diplomat,shkrimtar i mbaruar, theolog, muzikant, orator i shquar, poet, studiues i çështjeve shqiptare.
Lamtumirë o Kryezot!
Lamtumirë Ati Ynë, vendin që leni bosh është e vështirë dhe e pamundur ta zërë ndonjë tjetër. Lamtumirë At, se po vete të shlodhesh nga puna e gjatë dhe nga zhurma e kësaj Bote duke u çliruar nga vargonjtë e kësaj jete dhe nga pamarrveshjet që ngjajnë në çdo shoqëri njerëzore. Po ndarja jote, na shqetësoi shumë e na la të shkretë. E të kërkojmë ndjesë se si bijtë e tu nuk e kemi bërë përherë detyrën tonë.
Veprat tuaja, At i dashur, do të çmohen më tepër paskëtaj. Është shumë zor që ta gëlltitim këtë hidhërim, se jemi në mes të valëve dhe s’ka kush të na dërgojë më, të na japë Këshilla për problemet e vështira, që kemi përpara. Ju keni qenë shtylla e fortë ku mbështetej i tërë komuniteti ynë, ju keni qenë shtylla jonë, dhe e popullit shqiptar.
Lamtumirë, o Ati ynë, se ti e kreve punën si një nga njerëzit më të përsosur të racës dhe gjakut shqiptar: Well done! We Will miss You very much!
Çlodhu në qetësi!
“Fortesa e Shqiptarizmës u përmbys”-Kështu e qau ikjen e Noli, dishepulli i tij, editor për 18 vjet i gazetës Dielli,sekretari i Vatrës Qerim Panariti. 

UDHËTIMI I FUNDIT NGA FLORIDA NË BOSTON

Noli u shua me 13 Mars. Trupi i Hirësisë së Tij udhëtoi nga Miami i Floridës drejt Bostonit më 15 Mars.Shoqëruesi i tij në udhëtimin mortor drejt Bostonit ishte Geri Riska.Po atë ditë, pra të Hënën e 15 Marsit, në orën 3 e 30 minuta arriti në aeroportine Bostonit. Vatra dërgoi në aeroport që ta prisnin arkivolin: anëtarin e Bordit të saj z. Anthony Athanas, Barny Kirka-arkëtar i Vatrës, dhe Peter Chikos, Mangar i Diellit. Arkivoli me trupin e Imzot Noli nga aeroporti u dërgua në Funeral Home, ku e veshën me rrobat peshkopale. Me 16 Mars arkivoli u dërgua në Kryekishën e Shën Gjergjit. Trupi u ekspozua për vizitorët në mjedisët e KryeKishës së Shëngjergjit me 17, 18, 19 Mars 1965. Shqiptarët e shumtë që kishin ardhë edhe nga kontinete të largët, përuleshin me nderim para arkivolit dhe qanin me lot të nxehtë ikjen e prijësit. Drejtuesit e Vatrës i shprehën ngushëllimet para arkivolit të kryetarit të tyre, të mërkurën e 17 Marsit.
Editori Athanas Gegaj shkruante:”I veshur me rrobat e praruara episkopale, i mbuluar me Flamurin Kombëtar, …Ai dukej se po flinte gjumin e përjetshëm.Fytyra si në bronx, e zbehtë, pa shumë rudha.” Mbi arkivolin e Nolit u përulën mbi 5 mijë shqiptarë. 

PËRCJELLJA NGA KRERËT FETARË
Lamtumirën ia dhanë me lutje e fjalime të zjarrta Ikonom Sokrat Sotiri, i cili foli në gjuhën shqipe dhe Atë Sotir Dilogjika në gjuhën angleze.
Në Kishën e Shëngjergjit u organizuan ceremonitë e rastit. Krerët fetarë nuk i kursyen vlerësimet dhe lutjet. Imam Vehbi Ismaili, e cilësoi ikjen e Nolit si një fatekqësi, që goditi gjithë koloninë shqiptaro-amerikane, e mbarë popullin shqiptar, pse me këtë fatkeqësi shqiptarët humbën frymëzuesin e parë të ndjenjave kombëtare, udhëheqësin dhe Kryemësuesin e të gjitha Lëvizjeve Patriotike, fetare e kulturore në këtë vend të bekuar. Me këtë humbje, tha ai, shuhet një kandil që ndriçoi dhe udhëhoqi me sukses Lëvizjen e madhe kombëtare në SHBA.
Dijetari tjetër fetar, Baba Rexhepi, e konsideroi Nolin si një pishtar që ndriçoi botën shqiptare për gjysëm shekulli, njeriu që krijoi Atdhe, aty ku s’pat, këtu në Amerikë. Me ikjen e Nolit,tha ai, fiket një pishtar i ndritun që për më se një gjysmë shekulli i dha dritë botërisht Atdheut të largët me pendën e tij fatlume në lami të ndryshme të diturisë. Emigracioni shqiptar, i hershëm dhe i ri, humbi pionierin që u mundua dhe ia doli më së miri për të krijuar Atdhe aty ku s’pat. Në Amerikë Imzoti, mbas përpjekjeve të tij politike, me suskes e pa sukses- të kohës së rinisë,e zhvilloi veprimtarinë e vet të shumanshme në lëmin e diturisë, që spikati në tre drejtime kryesore: Histori, Liturgji dhe Muzikë. Por ajo që do ta bëjë të pavdekshëm Imzot Nolin në Historinë e hershme dhe të vonë të Diasporës shqiptare, është krijimi mes vështirësive i Kishës Orthodokse Metropolitane Shqiptare në Amerikë: Luftë nga të Huajtë dhe moskuptim nga të vetët!
Monsinjor Zef Oroshi, shkruante në ngushëllimin përcjellës:” Me rastin e humbjes së pazëvendësueshme të Metropolitit të Madh, dëshiroj t’u parqes bashkëvllaznve Orthodoks të Amerikës, në emën të Grupit Katolik Shqiptar- teksa të formuem, dhe timin personal, përdhimtuninat ma të thellat e ma të ndieshmet, njëheri tue i lutë Zotit të gjithëpushtetshëm, që t’i ndrisi Për zgjedhjen e Pas-Ardhsit dhe vijimin e veprës së pavdekshme të Metropolitit Fan Stylian Nolit: Për Fe e Atdhe!-R.I.P
At. Dr. Zef Oroshi.

NDARJA E FUNDIT- 20 MARS 1965 NË FOREST HILLS

Varrimi u krye të premten me 20 Mars 1965. Lulet dhe lotët e shqiptarëve të Amerikës i dhanë lamtumirën e fundit në një ditë të ftohtë, ditë me borë. Vatra kishte porositur të gjitha degët të përfaqësoheshin në përcjelljen e Atit, ata që s’kishin mundësi të porositnin kurora me lule. Në krye të kortezhit mortor printe Governori i Shteti z.John Volpe me krerët fetarë. Bota shqiptare përfaqësohej jo vetëm nga të gjitha orgnanizata në SHBA, por edhe nga Kanadaja, Evropa e Australia. Ishin mijëra qytetarë shqiptarë dhe amerikanë që e përcollën kryeprijësin e shqiptarëve të Amerikës.
Në varrezat e Forest Hills, të mbuluar nga dëbora, arkivoli u ndal. Imam Vehbi Ismaili dhe Baba Rexhepi do të mbanin fjalime lamtumire.
Bashkë me Nolin po mbyllej aty në Forest Hills epoka mëse 50 vjeçare Noliane.Sami Repishti në përcjelljen e imzot Nolit shkruante në Dielli: Tetëdhjet e sa vjetë ma parë, kur Shqipnia s’ishte zojë dhe shqiptarët s’ishin zotë, lindi Noli. Në gji të ngrohtë familjesh arbnore Ai mësoi Shqipen, kur shqipja s’shkruhej, desht Shqipninë kur ajo fyhej, desht shqiptarin, kur ai përbuzej, desh të vorfnin për ç’ka s’kishte, desh vëllaun pse s’pati vlla, desh njeriun si krijesë të Zotit….E kishte thanë Zoti që Noli të flasë gjuhën e shqiptarëve…Vdekja e mori Nolin, por Noli vetë, na la Nolin përjetë mes nesh!
Degët e Vatrës dhe vatranët nga të gjitha anët ngushëllonin për ikjen e kryetarit të tyre. Arkëtari i i asaj kohe i Vatrës, Barney Kirka vajtonte:” Imzot, shtjerrë sytë nga qielli e vështro dhe vizito këtë vreshtë që e ka mbjellë dora jote, dhe na ndriço që të plotësojmë porosinë tënde të çkëlqyer. Nga Ohio përcillej vaji i kryetarit të degës 54, ndërsa Ingj. Mahmut Cungu, e cilësonte imzot Nolin si “Ylli i fundit dhe më i shkëlqyshmi i Rilindjes Kombëtare….
Nga Nju Jorku në emër të degës 29 ngushëllonin Kryetari Shazuvan Pashun dhe Sekretari Agim Karagjozi.
Degët e Vatrës nga Chikago, Detroit, Meriland, Pitsburgh, PA, Ontario-Canada, e shumë të tjrea ngushëllonin me telegrame.

NOLI DHE TESTAMENTI SHPIRTEROR

Edhe organizatat e tjera u bënë pjesë e dhimbjes së kolonisë shqiptare për Ikjen e Imzot Nolit. Familja Mbretërore ngushëllonte me 17 Mars, që nga Madridi:” Lajmi i idhët i humbjes të patriotit të madh Imzot Nolit na shqetësoi së tepërmi. Shërbimet e mëdhaja që i ka sjellë Atdheut kanë qenë dhe mbeten gjithmonë të çmushme. Si unë dhe Mbertnesha bashkohemi me Vatrën në këtë zi të madhe. Shpirti i Tij u qetësoftë në Paqe e qetësi!
Leka I
Në emër të Komitetit Shqipëria e Lirë, ngushëllonte Prof. Rexhep Krasniqi: “Thellësisht të prekur për humbjen e madhe që ka pësuar Kombësia e Shqiptarëve me vdekjen e Imzot Fan S. Nolit, udhëheqësit të ndritshëm shpirtëror, letrarit gjenial, mbrojtësit të shquar të shqiptarizmit në Botë,bashkëthemeluesit dhe Kryetar Nderi i Vatrës famëmadhe, në emër të Komitetit Shqipëria e Lirë, ju shpreh ngushëllimet më të ndjeshme.”- Rexhep Krasniqi, Kryetar.
Në emër të Asmblesë së Kombeve të Robëruara ngushëllonte kryetarin e Vatrës James Thanas, Z.Vasil Gërmenji-Kryetar dhe Brutus Coste, sekretar i përgjithshëm. Për Hasan Dostin, vdekja e Peshkop Nolit, patriot i madh, themelonjës i Kishës Autoqefale, Kryetar Nderi i Federatës Vatra, ishte një humbje e rëndë për të gjithë Kombin Shqiptar. “Shoqërohem në zinë që goditi Vatrën dhe shfaq ndjenja të simpatisë së sinqertë. Populli Shqiptar është i sigurtë se Vatra do të vijojë mbushjen e Misionit të mbrojtjes së Lirisë, indipendencës së tërësisë toksore të Shqipërisë dhe mbajtjes së presitigjit të Kishës Autoqefale Orthodokse që përfaqësojnë Testamentin shpirtëror të Përjetshëm të Kryeprijësit të Madh që varroset sot jashtë Atdheut në tokën e Georgë Washngtonit.”- Hasan Dosti Los Angeles.
Në emër të Ballit Kombëtar të Bashkuar ngushëlonin Theodor Papalilo dhe Halim Begeja, nga Blloku Independent Kol Çuni, në emër të Partiasë Katundare Organizata e Bashkimit Shqiptar dhe Heroizma Shqiptare, ngushëllonte Isa Elez Ndreu, në emër të Lidhjes së tretë të Prizrenit ngushëllonte Ismet Ukë Sadiku, nga Australia ngushëllimet e shqiptarve i përcillte Safet Aliaj, nga shqiptarët e Turqisë ngushëllonte kryetari i Kolonisë Shqiptare të Stambollit dr. Tare Libohova.
Për vdekjen e Nolit shkroi edhe shtypi amerikan: The New York Times, Boston Globe, The Evening Gaztte- Worcester, Boston Herald,The Boston Sunday Globg, Post Journal-Jamestown, Worcester Daily Telegraph, Miami Herlad etj.

MISIONI SHQIPTAR ANKOHET NË OKB 

Misioni Shqiptar kërkoi leje tek Qeveria Amerikane që të shkonte në ceremoninë e varrimit të Nolit në Kryekishën e Shën Gjergjit, që t’i bënte nderet në emër të Shtetit Shqiptar, por nuk u lejua. Shefi i Misionit Shqiptar u ankua me anë të një proteste drejtuar sekretarit të përgjitshëm të Kombeve të Bashkuara. Përgjigjen e dha publikisht në media në emër të autoriteteve amerikane Mr. Stefenson, kryetar i misionit Amerikan në OKB. Ai shprehu nderim për Peshkop Nolin në emër të qeverisë amerikane, por tha se nuk mund ta kuptonte se si mund të nderohej një fetar si Noli nga Kryetari i Misionit Shqiptar, që përfaqësonte një qeveri ateiste”! Ja si e komentoi DIELLI refuzimin e amerikanëve: “Përfaqësuesit e Misionit Permanent të Qeverisë Komuniste të Tiranës, për arsye diplomatike, nuk u lejuan të vinë në Boston. Kurora lulesh të dërguara nga autoritetet komuniste të Tiranë figuronin në Shën Gjergj. Gjesti i Qeverisë amerikane, nuk ka të bëjë me popullin shqiptar; ky është vetëm një akt diplomatik mes Tiranes e Washingtonin, janë masa reciproke e asgjë tjetër.”
Gjithësesi qeveria e Tiranës nuk e gëlltiti lehtazi masën ndaluese të amerikanëve, por shkoi më tej: Kërkoi trasportimin e trupit të Kryepeshkop Nolit në Shqipëri. Këtë kërkesë të Qeverisë së Tiranës e konfirmon Dielli në kronikën e shkurtër me titull”Trupi i At Nolit Pushon në Amerikë”, publikuar me 24 Mars. Dielli shkruan: Sipas informatave që kemi, Qeveria Komunsite e Tiranës kërkoi transportimin e trupit të Kryepeshkopit tonë në Shqipëri. At Noli që nga viti 1932, kur mori pasaportën amerikane, jetoi vazhdimisht në Amerikë dhe qe një nështetas amerikan. Gazeta jonë nuk bën asnjë koment më shumë për këtë çështje.
Megjithatë, duket se editori dhe Vatra ndërrojnë mendje për të mos e komentuar faktin, aq më shumë kur Shefi i Misionit Permanent Shqiptar dhe Kryeministri Mehmet Shehu, dërgojnë telegrame ngushëllimi (Ia dërguan Kishës), që tentojnë të përçajnë shqiptarët e Amerikës. Thënë më shqip, Qeveria e Tiranës bënë prova nëse mund ta shkëpusë Nolin nga Vatra pasvdekjes. Në numrin e Diellit të 7 prillit 1965, Vatra i rikthehet problemit të Mehmet Shehut dhe Halim Budos. Dielli merr shkas nga një telegram që kryeministri i atëhershëm i Shqipërisë Mehmet Shehu, i dërgonte Kishës Orthodokse Shqiptare në Amerikë. Dielli korrekton Mehmet Shehun dhe Halim Budon, përfaqsuesi i Shqipërisë në Kombet e Bashkuara, për formulimin gabim të emërtesës së Kishës shqiptare në Amerikë dhe për togfjalshin që përdor Mehmet Shehu, vëllezërve patriotë. Dielli shkruan” Gabon rëndë Mehmet Shehu kur na drejtohet me fjalët”Vëllezër patriotë”, ne nuk jemi vëllezër të atyre që shtypin popullin. Gabon rëndë edhe kur e kërkon trupin e Hirësisë Noli drejtëpërdrejtë nga Kisha kombëtare -amerikane. Ai harron se -Kisha, duke qenë një institucion amerikan nuk ka të drejtë të vendos në një çështje kaq delikate e që është kompetencë e autoriteteve amerikane, dhe vetëm i atyre, sepse At Noli është nënshtetas amerikan. Këto gjëra Mehmet Shehu i din, por nuk i dijnë”patriotët vëllezër”(këtu është fjala për anëtarët e Organizatës Shqipëria e Lirë, që bashkëpunonin ngushtësisht me regjimin e Tiranës), që duke qenë amerikanë, lipset që të mos çajnë fare kokën për shokun Mehmet Shehu, qesëndis Dielli. Shqiptaro-amerikanët kanë për Kryetar presidentin L. B.Johnson. Pra Mehmet Shehu na fyen rëndë duke kërkuar të na ndajë dhe të themelojë këtu në Amerikë një kollonë të pestë me’vëllezërit patriotë”.
Dielli merret gjatë me telegramin e Halim Budos, me tituj kilometrikë.
“Amerika bëri mirë, që e ndaloi diplomatin sepse Halim Budo mbron Kinën, Vietnamin e Veriut, Kubën dhe atakon Amerikën. Kësaj i thonë përfaqësi e popullit shqiptar? “. Budo-, shkruan Dielli, që është njeri me kulturë, por janë kanë larë trurin me doktrinën e Marksit, Englesit, Leninit, Stalinit e Maos, – citon Nolin më së pari në”Kryetrimat që çliruan Shqipërinë” e harron se kjo shprehje ishte e mirë në atë kohë, por pastaj nuk pinë më ujë , sepse Amerika i konsideronte si aleatë ata që u fshihnin nën maskën e Frontit Nacionalçlirimtar, çpikje si ato të gjitha vendeve komuniste, që përmbysin një regjim e ngrinin një tjetër dhe më të zi.
Dielli komenton një shprehje të Budos në telegramin ngushëllues, ku shkruante:” Fronti Demokratik i Shqipërisë e Qeveria e Republikës së Shqipërisë kanë parë gjithëmonë te personi i Nolit patriotin e madh e të palodhur.”
“Akoma nuk janë mërzitur me këto shprehje?” shkruan Gazeta e Vatrës: Sa për At Nolin, po ta kishte pasur në dorë Qeveria e kuqe, Ati Ynë sigurisht do të kishte mbaruar në burg ose edhe në litar, ku kishin shkuar shokët e tij. Një njeri, siç ishte Peshkop Noli, do të kishte protestuar me tërë afshin e zemrës së tij kundër gjaksirave që ngjanë nën regjimin komunist gjer në ditët e sotme. Tani kërkojnë të na e grabisin për së vdekuri, e të lavdërohen me emrin e tij.
Dielli replikon gjatë me telegramin propagandistik të kryediploamtit komunist në New York, që përpiqej t’i hidhe benzinë zjarrit të përçarjes, duke i ndarë shqiptarët e Amerikës në armiq dhe vëllezër patriotë.
Sigurisht qëllimi i Qeverisë komuniste nuk u relaizua, Kryetari i Vatrës mbeti përjetë me Vatrën.(Dieli-Arkiv)

Filed Under: Featured Tagged With: 13 Mars 1965, dalip greca, Vdiq Noli

VARIANTI I RI, NË TRUNGUN E VJETËR

March 13, 2021 by dgreca

Shkruan:Prend Ndoja, SHBA/

Që nga fillimi i udhëheqjes së LDK-së nga Isa Mustafa, Kalaja (LDK-ja) ka filluar të rrënohet nga brenda. Këta “atdhedashës” e “biznesmenë”, me dinakëritë e tyre të turpshme e fundosën vizionin rugovian, duke i dhënë kahje në dy pole të ndryshme. Nën emrin e ish- LDK-së së vërtetë, e përdornin emrin e dr. Rugovës si pasaportë për të qëndruar si pasardhës të vizionit të tij.

Nga një diplomaci parimore, u shndërruan në një diplomaci mafioze, me ekonomistë të profesionalizuar që të ndanin llogaritë me PDK-në, e më pak me të tjerët. Ndonjë anëtar që pretendonte t’u qëndronte besnik bindjeve rugoviane, degradohej, zhveshej nga çdo funksion, apo detyrohej të largohej nga partia. Pra, shkatërrimi më i madh LDK-së i erdhi nga brenda, nga disa anëtarë të saj. Vjosa nuk mori udhën e ikjes nga LDK-ja me dëshirë, por ngaqë nuk gjente hapësirë për të vazhduar aty ku e kishte lënë Rugova. Vjosa nuk bëri aleancë me VV-në ngaqë kishin parime identike, por ishte e vetmja zgjidhje për ta ndaluar  grupin “Al Capone”. Pas vdekjes së dr. Rugovës, bota e përparuar kërkonte njerëz të denjë e të vendosur në bindjet dhe qëndrimet e tyre, me të cilët mund të bashkëpunonte me një saktësi të plotë; njerëz që janë të përkushtuar në krijimin e shtetit ku funksionon ligji. Por, pas të gjitha përpjekjeve, më në fund rezultatet nuk u arritën dhe gjithçka dështoi.

Vitet kalonin, e në kohën kur bota hapëronte më shpejt se kurrë më parë pas sukseseve, ne mbetëm në vend, të izoluar nga jashtë dhe të gërryer përbrenda nga korrupsioni.

Shtetet me ndikim në politikën botërore e përdorin një metodë mjaft diplomatike duke i nxitur dhe përkrahur partitë e ndryshme politike; duke i mbajtur pezull, në pritje edhe me vite të tëra. Kur është në interesin e tyre, i ndezin, i përdorin këto parti që të shkaktojnë rrëmujë, që në anën tjetër idetë dhe planprogrami i tyre të depërtojnë më lirshëm, për të realizuar qëllimet e veta. Ata e zbatuan këtë metodë edhe në zhvillimet politike në Kosovë. Para shumë vitesh përgatitën lëndë gjyqësore, pothuajse gati për çdo figurë politike. Këto lëndë i mbanin në heshtje. Figurave politike që nuk favorizonin politikën e këtyre shteteve dhe nuk sillnin progres në vend, u aktivizohej lënda në gjykata të ndryshme.

Kështu ndodhi me zhvillimet politike në Kosovë. Për ta thyer akullin mbi 20 vjeçar, është dashur që më parë të mbyllen dhe pastaj të ndodhin fitoret që i pamë më 14 shkurt. Duhet ta kemi parasysh se kjo diplomaci politike është edhe për fituesit e tashëm të zgjedhjeve. Pra, nëse devijoni politikisht, do të jeni jetëshkurtër në politikë, do t’ia merrni edhe disa vite popullit të Kosovës. Por, shpresoj dhe kam bindje që do të jenë të suksesshëm dhe të kenë mësuar nga përvoja e tyre.

Uroj që të mos e devijojnë vizionin politik rugovian, të përmbahen dhe të jenë në harmoni dhe mirëkuptim me SHBA-në, BE-në dhe me të gjitha shtetet e përparuara të botës; ta fshijnë dhe ta largojnë atë shprehjen e gabuar “Amelik, Amelik”, por me një përulje të sinqertë të jenë falënderues ndaj Amerikës. Nuk është e nevojshme të jesh në LDK, që të zhvillosh politikën rugoviane, por është e nevojshme që të jesh atdhedashës dhe diplomat i shquar për të realizuar projektin e duhur politik.

Shpresojmë që të mos na zhgënjejnë, por të na trajtojnë siç e meritojmë. Urime, pra, fitoren!   

Filed Under: Analiza Tagged With: ne trung te vjeter, Prend Ndoj, Variant I ri

ISHTE NJËHERË HONGKONGU I LAVDISHËM

March 13, 2021 by dgreca

Nga Danilo Taino-Perktheu;Eugjen Merlika/

Një qytet i lavdishëm është zhdukur nga harta e ekonomive më të mira të botës. Për një të katërt shekulli  ishte ai në të cilin ishte më e lehtë për të bërë biznes: mund të hapej një i tillë e t’ishe i sigurtë në mënyrë t’arsyeshme që gjykatat vigjëlonin mbi korrektësinë e nevojshme për të bërë të shkonin mbarë gjërat. Papritmas Hongkongu është fshirë  nga Treguesi i Lirive Ekonomike që Heritage Founation përpilon çdo vit. Arsyeja e zhdukjes nga shkallëzimi është se tani nuk është më e pavarur nga Pekini, se parimi “Një Vënd, dy sisteme” ka humbur pjesën e dytë të fjalisë, se të bërët ekonomi në Hongkong nuk është e ndryshme se sa të bëhet në Shangai dhe në Shenzhen. Të njëjtat rregulla, të njëjtat metoda, të njëjtët rreziqe. Për 25 vjet ish kolonia britanike ishte gjithmonë e pra në Treguesin e Lirive Ekonomike, të llogaritur mbi bazën e faktorëve që shkojnë nga pesha e ndërhyrjrve shtetërore deri tek pavarësia e gjykatave.

            Në 2019 kishte zbritur në vendin e dytë, i kaluar nga Singapori. Këtë vit, në shkallëzimin që i referohej 2020-ës ishte zhvendosur (së bashku me Makaon), në fakt të përfshira n’ekonominë e Republikës Popullore Kineze, që në Tregues është në vendin e 107(në 178), në përkeqësim kundrejt 102 të vitit të shkuar. Në dhjetëvjeçarët e shkuar, më parë e më pas kalimit  nga Mbretëria e Bashkuar tek Kina më 1997, Hongkongu ka qënë qëndra e vetme për hapjen e saj, dera e hyrjes së ndërmarrjeve perëndimore drejt Azisë. Shumë sipërmarrje, edhe italiane duke filluar nga ato të modës, gjatë viteve e kanë bërë bazën e tyre në Lindje. Tani , nën drejtimin e Xi Jinping-ut, Pekini në fakt ka shfuqizuar autonominë dhe jashtzakonshmërinë e tij.Për një ndërmarrje demokracia dhe liria e shprehjes janë të rëndësishme. Por dyshimet e biznesit kanë të bëjnë veçanërisht me gjykatat, tradicionalisht ndër më të pavarurat nga pushteti politik, por sott ë nënështruara ligjit të sigurisë t’imponuar nga Pekini. Ishte njëherë Hongkongu.

          *  “Corriere della Sera”, 5 mars 2021      Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Danilo Taini, Eugjen Merlika, Eugjen Merlika-Danilo Taini, Honkongu, Na ishte

VIRUSI, VAKSINAT, ZGJEDHJET: ÇFARË PO NDODH NË GJERMANI?

March 13, 2021 by dgreca

Nga WOLFGANG MÜNCHAU – Përktheu Eugjen Merlika/Era ka ndryshuar. Gabimet rendore të kryera nga qeveria gjermane në mbarështimin e pandemisë kanë çmontuar siguritë e hershme mbi efektshmërinë dhe sipëraninë e Gjermanisë. Gjatë një debati televiziv javën e shkuar me një grup analistësh, u fol për dështim të shtetit, pasojë e kushteve çrregulluese në të cilët kanë rënë drejtuesit e Vendit, qeveria dhe parlamenti.

            Angela Merkel, e pajisur me forcën e formimit të saj shkencor, është më shumë e prirur të dëgjojë mendimin e ekspertëve, e ndoshta kupton më mirë hollësitë e këshillave që i jepen. Por edhe ajo nuk është e paprekur nga paniku, siç ndodh tek të gjithë politikanët kur gjënden nën trysni. Javën që shkoi u detyrua të kthehej mbrapsht. Këshilltarët e saj më të besuar donin që qeveria t’I përmbahej cakut të paracaktuar të 35 infektimeve çdo 100.000 banorë, si parakusht për t’I dhënë fund lockdown-it. Merkeli adaptoi një pozitë kompromisi, duke e ngritur cakun në 100 infektime, aktualisht më shumë se sa mesatarja kombëtare që vërtitet rreth 60. Kjo do t’u lejojë disa guvernatorëve të heqin shtrëngesat, nëse do t’a quajnë me vend, megjithë vonesat në vaksinimet. Në këtë fund jave vetëm gjashtë përqind e gjermanëve janë vaksinuar, kundrejt 40 përqind të anglezëve.

            Nuk habit fakti që në Mbretërinë e Bashkuar simpatitë politike janë zhvendosur vendosmërisht në drejtimin e kundërt. Hulumtimi i fundit YouGov i jep 13 pikë më shumë konservatorëve mbi laburistët. Në fund të janarit – jo shumë kohë më parë –  e majta ishte 4 pikë përpara. Edhe këtu fatet janë ndryshuar. Por ndoshta mund të jenë të përmbysura. Këto zhvendosje masive politike duhet të na shtyjnë në përsiatje. Anglezët kanë vendosur se qeveria e tyre është duke bërë një punë të mirë, e ndërmjet tyre ka edhe shumë që kanë votuar kundër Brexit-it. Gjermanët kanë vendosur se qeveria e tyre ka gabuar gjithshka në fushatën e vaksinave. Ndërmjet tyre ka edhe shumë mbështetës të CDU-së. Vaksinat do të jenë të gatëshme, me pak durim. Pritet që nga prilli e tutje vaksinat do të shtohen në të gjithë Bashkimin Evropian. Nëse gjithshka shkon mirë, nga fundi i verës mund të arrihet një imunitet i parë e i pjesëshëm i tufës. Madje edhe në Mbretërinë e Bashkuar, me shërbimin e saj shëndetësor kombëtar, janë dashur tre muaj deri sa ingranazhet të fillonin të punonin me regjim të plotë. Të vaksinohet një popullsi e tërë përfaqëson një sipërmarrje prapavije me të vërtetë titanike, sidomos n’ata Vende, si Gjermania që kanë një sistem shëndetësor të shqëndralizuar.

            Sondazhet gjermanë kanë filluar të regjistrojnë kritikat e para për mbarështimin e krizës që nga nëntori i shkuar. Në janar, kur qëndrimi filloi të ndryshojë hulumtimet për zgjedhjet politike jepnin  një shumicë të pastër CDU/CSU-së. Ata numura sot janë në rënie. Këtë të djelë janë zhvilluar dy votime  të rëndësishme vendore në Baden – Würtenberg   dhe në Renania – Palatinato. Hulumtime e fundit zbulojnë një rënie të miratimeve për CDU-në. Nëse mbahen të qëndrueshme, këto shifra do të jenë zhgënjyese, por jo katastrofike. Nuk është ende shumë e qartë se çfarë efekti mund të kenë mbi Armin Laschet, udhëheqësi i ri i CDU-së dhe dëshirës së tij për t’u bërë kandidati i partisë së tij për kolltukun e kançelarit. Nëse përfundimet zgjedhore të kësaj fund jave nuk do të jenë në dobi të CDU-së, fati mund t’i buzëqeshë Marcus Söder-it, kryeministrit bavarez e kryetar i CSU-së, duke i siguruar trashëgiminë e Angela Merkel-it. Kush e di se shortet e CDU-së do të përmbysen përsëri sapo programi i vaksinave të marrë revanin e tij? A do të jenë të gatshëm votuesit të falin gabimet e qeverisë apo do të mbeten të bindur se gjëndja e saj është tashmë e dështuar? Kur programet e vaksinave do të kenë arritur masën kritike, qytetarët  do të qetësohen nga fundi i krizës e mund të jenë të tunduar të harrojnë të shkuarën. Megjithatë në këtë pikë do të mund të mateshin gabimet e qeverisë mbi baza statistike, duke numëruar të vdekurit. Prandaj edhe se don t’i kthejë kurrizin një viti dramatik, nuk është e qartë plotësisht nëse gjindja dëshëron të zgjedhë të njëjtët politikanë. Simbas mendimit tim, kriza pandemike do të ketë rrjedhime të gjata edhe në fushën politike.

            Analistët politikë gjermanë kanë shpikur një term të dobishëm, edhe se të vagët, Wechselstimmung, për të treguar ndiesinë e përgjithëshme që përhapet në një Vend mbi veprën e keqe të qeverisë së tij, të binjakëzuar me shpresën që një qeveri e re do të sjellë ndryshime ndjellamira. Për herë të parë nga zgjedhja e Angela Merkel në  2005, kam përshtypjen se kjo gjëndje shpirtërore po vërshon sot në Gjermani. Gjatë zgjedhjeve të vitit 2017 e djathta kishte mbetur mjaft e zhgënjyer nga politika e saj për refugjatët, por qendra e kishte mbështetur. Sot qendra dhe e djathta janë të dyja të pakënaqura, dhe e majta as nuk e çon nëpër mënd që të formojë një koalicion me të.

            Është e çuditëshme të gjindemi sot në muajin e tretë të 2021, e duke kthyer shikimin mbrapa, të kujtojmë kohët e bukura të shkuara, kur kançelarja gjermane ishte universalisht e admiruar për drejtimin e saj në atdhe e jashtë tij, për numurat e infektimeve e të viktimave të Covid 19 të cilat ishin më t’ulta nga gjithë Vendet e tjera evropiane. Kjo ndoshta vlen të na kujtojë që Gjermania nuk është aq e ndryshme: është vetëm që shmangia nga përceptimi i vetvetes dhe i së vërtetës është pak i tepruar. E që të jetë një paralajmërim se sa rrënuese mund të jetë ndeshja me ngjarje të paparishikueshme.

            “Corriere della Sera”, 9 mars 2021       Përktheu Eugjen Merlika 

Filed Under: Politike Tagged With: Eugjen Merlika, Wolegang Munchau

Përfaqësuesit tanë..!

March 13, 2021 by dgreca

Nga Nebil Çika * /

Dua të bëj një sqarim për të gjithë: Qëndrimi im kritik ndaj perfaqesimim te pa mjaftueshëm tonin nga PD, është në përmbushje të detyrës si përfaqësues i zgjedhur nga të perndjekurit politikë antikomunistë të Shqipërisë Midis nesh ka pasur gjithnjë disa të kënaqur nga ajo që na ka dhënë PD ,pjesa më e madhe e të cilëve kanë përfituar personalisht prej sajë. Me bëhet shumë qejfi që midis nesh ka të kënaqur edhe tani ,pasi qëllimi im është që të perndjekurit politikë të jenë të gjithë të kënaqur e të mos ankohen për mungesën e përfaqësimit, pranisë me votat tona në PD8,grupin parlamentar dhe qeverinë e sajë persekutorë komunistë e pinjollë të tyre . Kam kërkuar dhe kërkoj që që PD ti japin të përndjekurve politikë antikomuniste aq sa i japim ne e asajë. Kur flas për të perndjekur nuk kam para sysh ata qe kane pasur apo kanë një shans karriere e punësimi apo interesa të tjerë në PD por për qindra mijë nga ne që nuk i kanë apo nuk duan këto mundësi por që kërkojnë,liri demokraci dhe veçanërisht drejtësi, për krimet komuniste mbi shtresën tonë dhe shumicën e shqiptarëve. Që duan të zbardhen ,hetohen e dënohen krimet komuniste . Që duan të gjejnë eshtrat e të afërmve të tyre të zhdukur nga komunistët. 8Që duan tu kthehen pronat e grabitur . Që duan të dekomunistizohet vendi e të rishikohet e të shkruhet drejtë historia etj. Kur flas përpërfaqësim politik ,nuk kam parasysh përfaqësues tanë gjenetike që nuk guxojnë të thonë qoftë edhe një fjalë për të përndjekurit dhe kauzen e hallet tona në se nuk marrin urdhër apo leje nga partia dhe shefi i sajë. Dua përfaqsues politikë ,që midis partisë dhe familjeve të tyre pjesë e shtresës sonë të zgjedhin ne . Prandaj jam i pa kënaqur nga ajo që PD na dha si përfaqësim politik. Nga përvoja 30 vjeçare e dimë mirë që po nuk i vendosën vete nuk janë tanët politikisht. Se midis neshdhe partisë shumica e tyre do të zgjedhin partinë. Ka pasur raste kur ata kanë votuar për xhelatët e sigurimit të shtetit,madje hetuese që u kishim torturuar e dënuar baballarët e tyre, për interesa të PD dhe qeverisë së sajë. Ka pasur përfaqsues tanë gjenetike në poste drejtues në nivel të lartë të shtetit që kanë ermtuar drejtorë në institucionet e tyre ish shefa të sigurimit të shtetit e kanë votuar si antarë të gjykatës kushtetuese atje persekutimet tanë. Më shumë se me masën ,numrin e tyre, jam i pakënaqur nga mënyra e përzgjedhjes së njëanshëme të tyre . Personalisht kam pasë mundësi pafund të përfitoj nga PD shumë .Me shume se shumë të perndjekur në se nuk do të isha identifikuar publikisht si pjesë e kësaj shtrese. Por nuk e kam dashur kurrë këtë !!! I jam përkushtuar kauzës sonë antikomuniste se nuk mund të shkel mbi gjakun e njerzve të mi. Nuk më eshte dashur kurre pushteti politik per te plotesuar veten . Me ka mjaftuar pushteti moral dhe fati i madh e përgjegjësia e rëndë të jem përfaqsues i zgjedhur i shtresës, familjeve e qytetarëve me fisnike të Shqipërisë: të perndjekurve politikë antikomunistë ! Kam besuar e besoj se ne të perndjekurit antikomunistë kemi në dispozicion vetëm një alternativë e mundësi:Të fitojmë të gjithë bashkë, atë që na takon ,veç e veç jemi të humbur të gjithë. Prandaj do t’iu lutesha shumë atyre nga ne,që kanë zgjedhur të jenë “derra të kënaqur “e që kanë vendosur në mos të jenë me ne ,në luftën tonë për të drejta themelore dhe dinjitin njerëzor, të na lënë të qetë në hallin tonë ,neve që kemi zgjedhur te jemi “sokratë të përvuajtur “që ,të fiksuar tek drejtësia njerzore e të frymzuar nga ajo hyjnore ,nuk kënaqemi dot më kockat lëmoshë te politikes, përfshi edhe ato të PD -së * Kryetar i Shoqatës Antikomunistë e të Përndjekurve Politikë të Shqipërisë.

Filed Under: Featured Tagged With: Nebil Çika, Përfaqësuesit tanë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 156
  • 157
  • 158
  • 159
  • 160
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT