• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Urim i At Liolin për Librin e i ri për “Vitin Skënderbeu 2018”

January 1, 2018 by dgreca

1 LiolinE botuar në kuadrin e Vitit Skënderbeu dhe të 110 vjetorit të çeljes nga Fan S. Noli të Kishës Autoqefale “Shën Gjergji”, Boston, Vepra  është përshëndetur me një letër të posaçme për lexuesin shqiptar nga At Artur Liolin.

1 gjergj kastrioti

Nga Fotaq Andrea :  “Skënderbeu,  Album – Antologji (1413-2017)”./ 

Këto ditë, Shtëpia Botuese “Zenit Editions” ka botuar librin e studiuesit Fotaq Andrea “Skënderbeu, Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës”. Është një vepër voluminoze me format të madh mbi 500 faqe, që përfshin mbi 200 autorë, kryesisht të huaj, shoqëruar nga 930 ilustrime nga më të hershmet për Heroin tonë kombëtar dhe me një aparat shkencor mjaft të gjerë e të hollësishëm. Vepra, me karakter gati enciklopedik, fokusohet në mjaft prurje të reja për figurën e Skënderbeut nën penën dhe penelin e autorëve të huaj që ndjekin përgjithësisht rendin kronologjik, duke filluar që nga shekulli XV e deri në ditët tona. E botuar në kuadrin e Vitit Skënderbeu dhe të 110 vjetorit të çeljes nga Fan S. Noli të Kishës Autoqefale “Shën Gjergji”, Boston, Vepra  është përshëndetur me një letër të posaçme për lexuesin shqiptar nga At Artur Liolin. Është botuar në tirazh mjaft të kufizuar, vetëm 20 kopje, për koston e larte që ka botimi në katër ngjyra dhe në pritje

Te ndonjë sponsorizimi të mundshëm. .

 Letër përshëndetëse e At Artur Liolin me rastin e botimit të librit “Skënderbeu, Album-Antologji – 1413-2017” nga Fotaq Andrea. Kjo letër çel këtë libër dhe po e botojmë të plotë ditën e parë të Vitit  të Ri dhe Vitit Skënderbeu 2018.

 November 6, 2017

Të nderuar bashkë atdhetare dhe lexues,

U bë gati një vit që Fotaq Andrea na befasoi kur na dërgoi në Boston projektin e Antologjisë së Skendërbeut, me dorëshkrimin e tij, fill pas simpoziumit të Faik Konicës në fund te nëndorit nga Vatra, New York.

Tani që projekti u kthye në vepër, me mirënjohje i percjell autorit përgëzimet e mia më të sinqerta për këtë punë serioze nga hulumtimi i letrave më të njohura botërore për figurën e heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Në libër figura e Heroit tonë Kombëtar shfaqet në përmasa të thella humane e shpirtërore, si luftëtar i lirisë dhe mbrojtës i Krishtërimit, që realizoi deri në fund bekimin e Kishës si “Ushtar e Atlet i Jezu Krishtit”, si mbrojtës i pavarësisë arbërore e europiane.

Historikisht, Kisha e parë Ortodokse Shqiptare në Boston jo pa qëllim u emërtua “Shën Gjergji”, duke perjetësuar emrin e heroit mbarëkombetar Gjergj Kastrioti këtu në diasporë nga Fan Noli e Faik Konica.

Me këtë rast, Fan S. Noli mbajti më 1908 në Kishën tonë ligjëratën e mirënjohur për Skënderbeun, e cila çel këtë libër nën titullin “Himn për Skënderbeun” : “O Mbreti ynë i dëgjuar, o trim mi trimat Gjergj Kastriot! Ti na e shkëlqeve Historinë me aq faqe të arta.”

Me idealin e Skënderbeut, Noli kreu studime e kërkime shkencore në Universitetin e Boston-it dhe më 1945 mbrojti disertacionin “George Castriot Scanderbeg, 1405-1468”, për gradën “Doktor në Filozofi”, një vepër e cila sot mban titullin “Historia e Skënderbeut – Kryezotit të Arbërisë”.

Së fundi, “ritakimin” përkujtimor të “Nolit dhe Skënderbeut në Shën Gjergj” – 2018, vetë Zoti e donte. qëkurse 550 vjetori i vdekjes së Gjergj Kastrioti- Skënderbeut mrekullisht përkon me 110 vjetorin e themelimit të Kishës ortodokse shqiptare në Amerikë nga Fan S. Noli.

Në këtë jubile të dyfishtë, është nder i veçantë për Katedralen tonë “Shën Gjergji – Boston” e për mua personalisht të përshëndesim mbarë kombin tonë dhe t’i falemi Zotit që ta bekojë e t’i ndrisë udhën drejt përparimit dhe integrimit europian.

Sinqerisht,

Juaji,

firma

At Artur Liolin.

 

 

 

Po botojmë po ashtu nga ky libër edhe dy epigrafet që shoqërojnë përmbajtjen e tij në dy pjesët kryesore që e përbëjnë si Antologji dhe si Album, epigrafe nga shkrimtari Ismail Kadare dhe Prof. Sami Repishti :

 

 

Skënderbeu është figura më imediate e sotme, më e nevojshme për Shqipërinë. Është figura të cilën shqiptarët duhet ta kenë flamur kryesor për të hyrë në Europë. Është figura që tregon se si shqiptarët janë ndjerë europianë nëpër shekuj… Ata nuk e braktisën asnjëherë këtë figurë. Pra, nuk braktisën asnjëherë aspiratën europiane, dëshirën për të qenë në Europë. Skënderbeu është argumenti i parë, flamuri i parë që plotëson e hedh poshtë çdo etiketim kundëreuropian të shqiptarëve. Do ta kishin zili  shumë popuj në Ballkan po ta kishin këtë figurë.

Ismail KADARE.

 

 

 

 

Epoka e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, bashkë me lavdinë e rezistencës kundër agresionit osman, ka përmbajtë në vetvete edhe nji dëshirë, nji nxitje të brendshme, të papërmbajtur, logjike ose instinktive, me u orientue katërcipërisht, qoftë edhe me sakrificën e jetës, kah Bota Perëndimore – natyrisht, në ato kohë – kah Krishtënimi Perëndimor, me epiqendër Vatikanin. Ky orientim i ndjemë thellë nga luftëtarët shqiptarë, që nga Skënderbeu deri tek ushtari ma i thjeshtë, që e ndoqi për 25 vjet me radhë, parashikonte triumfin e luftës së ndërmarrun si nji kryqëzatë që luftonte jo vetëm për mbrojtjen e Shqipnisë, por edhe kundër orientimit kah shoqnia osmane, rivale e Perëndimit.

Prof. Sami REPISHTI, Washington DC.

 

 

Nga Fotaq Andrea :  “Skënderbeu,  Album – Antologji (1413-2017)”.

 

Këto ditë, Shtëpia Botuese “Zenit Editions” ka botuar librin e studiuesit Fotaq Andrea “Skënderbeu, Heroi Kombëtar shqiptar, Atlet i Krishtit, Mbrojtës i Europës”. Është një vepër voluminoze me format të madh mbi 500 faqe, që përfshin mbi 200 autorë, kryesisht të huaj, shoqëruar nga 930 ilustrime nga më të hershmet për Heroin tonë kombëtar dhe me një aparat shkencor mjaft të gjerë e të hollësishëm. Vepra, me karakter gati enciklopedik, fokusohet në mjaft prurje të reja për figurën e Skënderbeut nën penën dhe penelin e autorëve të huaj që ndjekin përgjithësisht rendin kronologjik, duke filluar që nga shekulli XV e deri në ditët tona. E botuar në kuadrin e Vitit Skënderbeu dhe të 110 vjetorit të çeljes nga Fan S. Noli të Kishës Autoqefale “Shën Gjergji”, Boston, Vepra  është përshëndetur me një letër të posaçme për lexuesin shqiptar nga At Artur Liolin. Është botuar në tirazh mjaft të kufizuar, vetëm 20 kopje, për koston e larte që ka botimi në katër ngjyra dhe në pritje

Te ndonjë sponsorizimi të mundshëm. .

 

 

Letër përshëndetëse e At Artur Liolin me rastin e botimit të librit “Skënderbeu, Album-Antologji – 1413-2017” nga Fotaq Andrea. Kjo letër çel këtë libër dhe po e botojmë të plotë ditën e parë të Vitit  të Ri dhe Vitit Skënderbeu 2018.

 

 

 

 

 

 

November 6, 2017

 

Të nderuar bashkë atdhetare dhe lexues,

 

U bë gati një vit që Fotaq Andrea na befasoi kur na dërgoi në Boston projektin e Antologjisë së

Skendërbeut, me dorëshkrimin e tij, fill pas simpoziumit të Faik Konicës në fund te nëndorit nga Vatra, New York.

 

Tani që projekti u kthye në vepër, me mirënjohje i percjell autorit përgëzimet e mia më të sinqerta për këtë punë serioze nga hulumtimi i letrave më të njohura botërore për figurën e heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

 

Në libër figura e Heroit tonë Kombëtar shfaqet në përmasa të thella humane e shpirtërore, si luftëtar i lirisë dhe mbrojtës i Krishtërimit, që realizoi deri në fund bekimin e Kishës si “Ushtar e Atlet i Jezu Krishtit”, si mbrojtës i pavarësisë arbërore e europiane.

 

Historikisht, Kisha e parë Ortodokse Shqiptare në Boston jo pa qëllim u emërtua “Shën Gjergji”, duke perjetësuar emrin e heroit mbarëkombetar Gjergj Kastrioti këtu në diasporë nga Fan Noli e Faik Konica.

 

Me këtë rast, Fan S. Noli mbajti më 1908 në Kishën tonë ligjëratën e mirënjohur për Skënderbeun, e cila çel këtë libër nën titullin “Himn për Skënderbeun” : “O Mbreti ynë i dëgjuar, o trim mi trimat Gjergj Kastriot! Ti na e shkëlqeve Historinë me aq faqe të arta.”

 

Me idealin e Skënderbeut, Noli kreu studime e kërkime shkencore në Universitetin e Boston-it dhe më

1945 mbrojti disertacionin “George Castriot Scanderbeg, 1405-1468”, për gradën “Doktor në Filozofi”, një vepër e cila sot mban titullin “Historia e Skënderbeut – Kryezotit të Arbërisë”.

 

Së fundi, “ritakimin” përkujtimor të “Nolit dhe Skënderbeut në Shën Gjergj” – 2018, vetë Zoti e donte. qëkurse 550 vjetori i vdekjes së Gjergj Kastrioti- Skënderbeut mrekullisht përkon me 110 vjetorin e themelimit të Kishës ortodokse shqiptare në Amerikë nga Fan S. Noli.

 

Në këtë jubile të dyfishtë, është nder i veçantë për Katedralen tonë “Shën Gjergji – Boston” e për mua personalisht të përshëndesim mbarë kombin tonë dhe t’i falemi Zotit që ta bekojë e t’i ndrisë udhën drejt përparimit dhe integrimit europian.

 

Sinqerisht,

Juaji,

 

firma

 

At Artur Liolin.

 

 

 

Po botojmë po ashtu nga ky libër edhe dy epigrafet që shoqërojnë përmbajtjen e tij në dy pjesët kryesore që e përbëjnë si Antologji dhe si Album, epigrafe nga shkrimtari Ismail Kadare dhe Prof. Sami Repishti :

 

 

Skënderbeu është figura më imediate e sotme, më e nevojshme për Shqipërinë. Është figura të cilën shqiptarët duhet ta kenë flamur kryesor për të hyrë në Europë. Është figura që tregon se si shqiptarët janë ndjerë europianë nëpër shekuj… Ata nuk e braktisën asnjëherë këtë figurë. Pra, nuk braktisën asnjëherë aspiratën europiane, dëshirën për të qenë në Europë. Skënderbeu është argumenti i parë, flamuri i parë që plotëson e hedh poshtë çdo etiketim kundëreuropian të shqiptarëve. Do ta kishin zili  shumë popuj në Ballkan po ta kishin këtë figurë.

Ismail KADARE.

 

 

 

 

Epoka e Heroit tonë Kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, bashkë me lavdinë e rezistencës kundër agresionit osman, ka përmbajtë në vetvete edhe nji dëshirë, nji nxitje të brendshme, të papërmbajtur, logjike ose instinktive, me u orientue katërcipërisht, qoftë edhe me sakrificën e jetës, kah Bota Perëndimore – natyrisht, në ato kohë – kah Krishtënimi Perëndimor, me epiqendër Vatikanin. Ky orientim i ndjemë thellë nga luftëtarët shqiptarë, që nga Skënderbeu deri tek ushtari ma i thjeshtë, që e ndoqi për 25 vjet me radhë, parashikonte triumfin e luftës së ndërmarrun si nji kryqëzatë që luftonte jo vetëm për mbrojtjen e Shqipnisë, por edhe kundër orientimit kah shoqnia osmane, rivale e Perëndimit.

Prof. Sami REPISHTI, Washington DC.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: At Artur Lilien, per librin, uron Fötaq Andrea

Kosova në 2018-tën, fëmija i parë djalë, edhe në Shqipëri

January 1, 2018 by dgreca

-2018-ta në Kosovë, vit i pritjes për liberalizim vizash dhe aplikim për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian/
1 Gezuar
-Emrat e fëmijëve më të shpeshtë nëpër vite në Kosovë/

 Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

 PRISHTINË, 1 Janar 2018/ Në Kosovë Viti i Ri 2018, në të cilin pritet liberalizim vizash dhe aplikim për statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, u prit me koncerte në sheshe plot njerëz në festë, në një natë me dritë hëne e fishekzjarrësh, me shumë stoli e bredhe.

Në kryeqytet Prishtinë djalë lindi fëmija i parë në Qendrën Klinike Universitare, në këtë vit të ri, në momentet e ndërrimit të moteve. Bëhet e ditur se nëna ka vendosur që djalin ta pagëzojë me emrin Ajn.

Sipas Statistikave të Lindjeve, të publikuara në verën 2017 nga Agjencia e Statistikave të Kosovës, brenda një viti – në 2016-tën në Kosovë ishin 23.416 lindje,  kurse jashtë vendit 6.915. Binjakë u lindën 722 foshnje ndërsa trenjakë e më shumë u lindën 30 foshnje.

Në Kosovë, emrat më të shpeshtë, të rekordit, për fëmijtë e lindur në vitin 2016, për vajza ishte Alea me 169 pagëzime dhe Sara me 134, ndërsa për djemtë Ajan me 218 dhe Noar me 195 pagëzime.

Edhe për fëmijtë e lindur në vitin 2015, emri më i shpeshtë për vajza ishte Alea me 223 pagëzime, e pastaj ishte Erina me 146, ndërsa për djemtë Diar me 214 dhe Ajan me 205 pagëzime.

Dy emrat më të shpeshtë për vajzat ishin të njëjtit edhe në vitin 2014, por nën një ishte Erina me 199 pagëzime e nën dy Alea me 182.

Në 2015-ën emri për vajzat Alea rikthehet në vendin e parë ku ishte edhe në 2013-ën me 154 pagëzime, e që pasohej nga Tuana me 118.

Për djemtë edhe në 2014-tën emri më i shpeshtë ishte  Diar me 215 pagëzime, e pas tij Amar me 180. Edhe në 2013-tën për djemtë emërat e njejtë Diar me 122 dhe Amar me 117 pagëzime ishin më të shpeshtit.

Statistikat për 2017-tën priten në verën 2018.

Kosova në 2018-tën, në 17 Shkurt, feston 10 vjetorin e pavarësisë së njohur deri tani nga 115 shtete anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara.Në 17 Shkurtin historik 2008 në Kosovë fëmija-vajzë që lindi pesë minuta pas shpalljes së shtetit të ri – pavarësisë u pagëzua me emrin Pavarësia.

***

Edhe në Shqipëri fëmija i parë lindi djalë. Në natën e vitit të Ri në dy maternitetet e Tiranës lindën 16 fëmijë. Dy fëmijëve të parë në dy maternitetet përkatëse kryetari i Bashkisë Erion Velia dorëzoi nga një çek shpërblyes.

Filed Under: Politike Tagged With: djale, Lindja e pare, Prishtine

VATRA JU URON GEZUAR VITIN E RI 2018!

December 31, 2017 by dgreca

HAPPY NEW YEAR!

1 GEZUAR

FEDERATA PANSHQIPTARE E AMERIKES VATRA DHE GAZETA E SAJ “DIELLI” UROJNE VATRANET DHE TE GJITHE SHQIPTARET: GEZUAR VITIN E RI 2018!1 Gezuar

2018- ARTDHTE I MBARE PER KOMBIN SHQIPTAR!

 

Filed Under: Vatra Tagged With: dielli, Vatra, Viti i Ri 2018

SHSHA NË ÇIKAGO URON PËR MOTMOTIN E RI GAZETËN ,,DIELLI,,

December 31, 2017 by dgreca

SHSHA NË ÇIKAGO URON PËR MOTMOTIN E RI GAZETËN ,,DIELLI,,/

1-karacica
E nderuara Redaksi,
 
Tash një shekull Gazeta,,Dielli,,ishte një zë i fuqishëm për çështjen shqiptare në Ballkan dhe ,,senatore,,për Diasporën Shqiptare në Amerikë.
 
Bota lajmit shqip nga Amerika,u nis udhëve të Atdheut me mesazhin se diaspora shqiptare nuk ka tjetër Atdhe pos Tokës së Shqiptarizmës dhe,nëpër vite ajo u bë gardiane për çështjen shqiptare dhe për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
 
Gazeta ,,Dielli,,në Amerikë në mëngjeset e jetës për mërgimtarët shqiptaro-amerikanë,foli shqip përmes botës së lajmit për ty Shqipëri etnike dhe për atdheun tonë të dytë Amerikën e lirë dhe mikja e përjetshme për kombin shqiptar në Ballkan.
 
Me Gazetën,,Dielli,,dhe për Diellin shqiptar që në kahet e demokracisë diaspora në Amerikë uron që në këtë Motmor të Ri 2018,suksese të reja në kërkim të lajmit shqip për diasporën,për kombin shqiptar dhe për ty Shqipëri!
 
Me ty gazetë,,Dielli,,shohim më mirë mëngjeset e jetës së diasporës shqiptare në Amerikë!
 
Me respekt,

Skënder Karaçica

 Executive Director

Albanian-American Association 
of Intellectuals Businessmen and Activists
Phone: +1 (708) 983-5394  | Email: S_Karaqica99@Hotmail.Com

Filed Under: Komente Tagged With: dielli, Gezuar 2018, SHSHA Cikago

MISTERI I NJE NATE NE FRANKFURT

December 31, 2017 by dgreca

2 avdulla kenaci

 Tregim Nga Avdulla Kënaçi/

Kur udhëtoj, asnjëherë nuk harroj të marr me vete një libër. Është shoqëruesi im më besnik që nuk më lë kurrë në baltë, për asnjë çast,  nuk më lë të mërzitem apo të kotem gjatë fluturimit. Kështu edhe herën e fundit, nga Rinasi në drejtim të  Kanadasë. Pasi kishim udhëtuar ca, duhet të isha diku nga faqja shtatëdhjetë e romanit, kur dikush nga ana tjetër e rreshtit tim, më thirri në emër, edhe pse matanë korridorit. Nuk donte t’ia dinte se mos shqetësoheshin udhëtarët e tjerë. Ishte nga ana e dritares. Me sa duket ai i kishte sosur bisedat me gruan që kishte përkrah, apo ajo ishte treguar indiferente ndaj tij dhe ai m’u lëshua mua, pa treguar asnjë lloj takti. Si të thuash ishte nga ata tipa që hyjnë pa trokitur në bisedë, ose nga ata që fluturojnë për herë të parë me aeroplan dhe duan të shquhen midis udhëtarëve të tjerë. Pasi i dhashë shpjegimet e duhura për pyetjet që më bëri, iu ktheva përsëri librit. Me cep të syrit, pa ngritur vështrimin nga faqet e kapitullit të tretë, anash, shikoja një palë duar të bardha, si alabastër, pa asnjë rrudhë, fine dhe delikate, si duar fëmije. Të kujtonin duart   e Mona Lisës në pikturën e famshme të Da Vinçit. Gishtrinjtë e saj herë pas here lëviznin me nervozizëm; mpliks-çpliks lidhëzat e pafajshme të çantës së saj të cilën e mbante mbi gjunjë, duke  shprehur kështu një lloj pakënaqësie ndaj bashkëudhëtarit në sediljen pranë.  Dhe ishte e habitshëme se ajo i lëvizte gishtërinjtë sa herë bashkëbiseduesi që më pyeti mua, nginte zërin si në një klub bilardoje. Duket që atë burrë me fytyrë hiri dhe gruan me duart si në portretin e Mona Lisës, nuk i lidhte asgjë veç rastësisë së atij udhëtimi. U zhyta përsëri në lexim. I  rrëmbyer nga subjekti,  i harrova të dy.

Ishim nisur me vonesë nga Rinasi dhe ishte vështirë të arrinim linjën e Torontos. Me të mbrritur në Frankfurt, stjuardesat na dhanë një tufë udhëzimesh si mund t’i binim shkurt që të mund të arrinim në kohë në bording pass. Bëheshim nja 7-8 vetë për në Kanada. Fuguam pas dy shoqërueseve të aeroportit. Burri me fytyrë ngjyrë hiri nuk i ndahej për asnjë çast bashkudhëtares së tij. I kishte varur plotësisht shpresat tek ndihma dhe orientimi që duhet t’i jepte ajo. Dhe unë pashë se si ajo kujdesej që ai të mos humbiste midis turmës apo të merrte ndonjë drejtim të gabuar. Ai shikonte me sy të çakërryer njerëzit që mbushnin apo zbraznin terminalet, por gruaja, edhe kur ai nuk e kishte mëndjen, e kapte nga cepi i xhaketës dhe e tërhiqte pas vetes. Gjatë kontrollit kufitar u shpërndamë në pika të ndryshme për të mbaruar sa më shpejt. Gruaja me duart si të Mona Lisës qëlloi përpara meje. E shikova me kujdes. Ishte veshur fare thjesht, me një palë xhinse blu, tip streçe dhe një xhup të kuq, të shkurtër. Nuk kishte bërë asnjë lloj grimi mbi fytyrë. Flokët ngjyrë bakri, me rrënjët çokollatë, i vezullonin nën dritat e forta të aeroportit të Frankfurtit. Nga mënyra si ecte, si fliste me punonjësit e shërbimit dhe përdorimi i anglishtes, dukej që kishte udhëtuar shumë. Ajo ngadalësoi hapat dhe me sy kërkonte burrin me flokët e qethur shkurt si marinarët amerikanë dhe fytyrën ngjyrë hiri. Ai po vonohej. Sigurisht, pa ditur asnjë gjuhë të huaj, është njësoj sikur të pengohesh me këmbët e tua. E nxita të bënte përpara dhe më shumë për edukatë, nuk desha ta parakaloj. Gruaja eci edhe pesë-gjashtë hapa më tutje  dhe nuk lëvizi më. Ishim fiks katër hapa tek porta hyrëse e fluturimit për në Kanada.

–         Ec se e humbëm avionin, – i thashë i nervozuar.

–         I kam dhënë fjalën, do ta pres, çudi, nuk po duket ai shoku, – u përgjigj me një zë të butë si të zënë në faj duke hetuar me sy rreth e rrotull.

–         E ke tëndin, e ke të njohur?

–         Jo, nuk e kam asgjë, në Rinas e njoha. I kam dhënë fjalën, ju mund të shkoni, – më tha me mirësjellje. Realisht më erdhi marre nga vetja që desha të shkëputesha nga grupi. Vendosa të qëndroj edhe unë. Më në fund, në horizont u duk burri me fytyrë ngjyrë hiri…Ndërkohë nga bording pass, një punonjëse me uniformë, bëri tre hapa përpara dhe kryqëzoi duart sipër kokës për të njoftuar se porta e aeroplanit të linjës së Torontos u mbyll.

–         Për fajin e atij Burrit mbetëm edhe ne, – i thashë i indinjuar. Ajo më vështroi me ca sy lutës.

–         Unë për vete po humbas një ditë konferencë ndërkombëtare në Otava.

–         Kush jeni ju? – e pyeta me një zë më miqësor, plot kërshëri.

–         Jam pedagoge në Fakultetin e Historisë, por drejtoj edhe një shoqatë të arkeologëve të rinj, – tha me një zë të qetë e të sigurtë. E zbuta shikimin dhe e vura re me kujdes nga flokët gjer tek atletet blu, të errëta. Në vështrimin tim ndjehej një lloj respekti.

Ndërkohë u mblodhëm të gjithë, ne, shqiptarët që humbëm fluturimin. Të dëshpëruar sa më s’ka. Ishim gjashtë vetë, vetëm një çift kishte kaluar. Realisht unë e Profesoresha mund të kishim kapërcyer portën sepse ishim mbrapa tyre, por mbetëm peng i fjalës së dhënë prej saj. Ajo, se po të kishte qenë për mua….Dyshova se Profesoresha duhet të ishte me origjinë nga Veriu, pikërisht prej sakrificës që bëri. Si mund të humbiste ashtu me vetëdije një ditë fluturim, një Konferencë Ndërkombëtare? E përse? Për një fjalë të dhënë ndaj një njeriu të njohur disa orë më parë. Dhe nuk dihej se kur mund të niseshim. Nuk kisha gabuar. Ajo ishte me prindër nga Mirdita por lindur e rritur në Tiranë. Nuk kishte qejf t’i thërrisje Pofesoreshë edhe pse kishte botuar disa libra për arkeologjinë, kishte mbrojtur një pas një të tri shkallët e titujve shkencorë dhe ishte e njohur nga media, por jo nga unë që banoj prej kohësh në Kanada.

–         Po tani?, – pyetëm të gjithë gati në një zë.

–         Duhet të paraqitemi në recepsionet e shërbimit, nuk ishte për gabimin tonë, – tha Profesoresha me një ton të sigurtë. Desha t’i them se unë dhe ajo vetë e arritëm bording pass, por nuk kishte më kuptim ta zgjatja.

Ishim të gjithë të çakorduar, me të njëjtin fat. Mësova se burri me fytyrë ngjyrë hiri paskish qenë polic, ndërsa një çift nga fshatrat shqiptare të Prespës, banonin afër meje në Kanada, por nuk kisha pasur rast t’i njihja më parë, ndërsa një durrësak  me një fytyrë si brumë i ardhur, banonte në periferi të Torontos. Na bashkoi i njëjti hall dhe dalngadalë po e mblidhnim veten, po njiheshim më shumë me njeri-tjetrin dhe jepnim e merrnim se si do të dilnim nga ajo situatë. Profesoresha quhej Brikena, por për arësyet që do të tregoj këtu më poshtë, unë do t’i thërres Kena, ashtu si motrat e prindërit e saj. Ishim në një mëndje që ajo të na udhëhiqte në labirinthet e aeroportit të madh të Frankfurtit. Secilit, ajo i mblodhi pasaportat dhe biletat, gjarpëroi përgjatë platformës dhe sa hap e mbyll sytë pronotoi hotelet, gjuajti fluturimin e parë për të  solli njëfarë paqeje midis nesh. Vetvetiu u vu në krye të grupit. Dhe gjithçka e bënte me një përkushtim dhe vendosmëri sikur të ishte punonjëse e aeroportit. Kur përpara na dolën policët me ato portat e ngushta pranë tyre, e kuptuam se po dilnim jashtë, në qytet. Ata na vulosën pasaportat dhe ne u gjendëm në një stacion të zhurmshëm autobusësh. Duhet të prisnim edhe dy orë të mira gjersa të riniste punë linja që mund të na çonte në hotelet përkatëse. Kishim edhe dy orë kohë dhe unë u shkëputa nga grupi. Kisha nevojë të kthjellohesha e të mendoja ndaj kësaj kthese të papritur gjatë këtij udhëtimi me telashe. Kisha qenë në Tiranë vetëm për një javë. Unë drejtoj një grup valltarësh amatorë në Toronto dhe më duhej të porositja kostume popullore shqiptare të cilat nuk gjenden në treg, jo vetëm kaq, por duhen qepur sipas masës së çdo valltari…

I vetëm, zura vend në një stol tek stacioni i autobusave. Sidoqoftë, të gjithë do të mblidheshim aty. Ishte akoma ditë, por retë ngjyrë plumbi ishin ulur fare poshtë duke uzurpuar cep më cep qiellin e Frankfurtit. Aeroporti herë pas here, si një grykë vullkani, zbrazte pasagjerë të të gjitha moshave dhe racave. Shumica duke tërhequr valixhe, rrotat e vogla të cilave kërkëllinin me një zhurmë acaruese në trotuar. Shoferë që u serviloseshin pasagjerëve për ndonjë bakshish, mbërrinin dhe zhdukeshin njeri pas tjetrit. Fytyra të lodhura e të drobitura  nga udhetimet e gjata parakalonin para syve të mi. Pastaj mendova përsëri për bashkatdhetarët. Ku ishin zhdukur ata? Mjergulla po shtohej së bashku me afrimin e mbrëmjes. Fenerët e ndezur të makinave shquheshin që larg. Dritat e qytetit vezullonin ngado,  nga të katër anët e horizontit. Fytyra e Kenës, edhe pse nuk ishte aty, më shfaqej pas çdo drite. Kishte në sytë e saj një qetësi olimpike dhe një saktësi të çuditshme. Të jepte përshtypjen se e kishe njohur prej kohësh. Si humbi ashtu fluturimin për një fjalë të dhënë? Çudia më e madhe ishte se ajo sapo e kishte njohur besmarrësin. Mos kishte këtu diçka tjetër që unë nuk e dija? Kurrsesi, u pa se si ajo, më vonë, i ndihmoi të gjithë pa asnjë dallim, pa më të voglin interes, madje edhe çiftin nga Liqeni i Prespës së Maqedonisë. Atë që më vonë unë do ta quaja me shaka Haxhi Halit nga që mbante rrasur në krye një kapuç të bardhë të thurur me grep. Si ka mundësi që Shqipëria të ketë njerëz humanë, kaq të mirë, kaq të sakrificës? Unë kisha menduar se “kjo është një specie në zhdukje”. Por Kena dëshmonte tjetër gjë.

Nata ra plotësisht mbi rrugë e qytet dhe unë u ktheva brenda aeroportit. Edhe pak e po shkonte ora tetë e mbasdites. I gjeta gjithë bashkatdhetarët njësh duke diskutuar plot gjallëri. Kena nuk kishte qëndruar “rehat”, kishte gjetur një police të aeroportit dhe i tha se kishin dy orë që prisnin për autobuza. Në fillim policja nuk e kishte besuar, por kur e verifikoi, mobilizoi dy taksi që të na përcillinin për në hotel i cili ishte nja njëzet minuta larg. Pikërisht në ato momente u gjenda edhe unë aty. Haxhi Haliti nuk di përse i bërtiste të shoqes, pa marrë parasysh se ndodhej në një mjedis publik.

–         Ku ishe, nga nuk të kërkova… – më tha Kena e pezamtuar kur po shpërndaheshim nëpër taksi. Mua më takoi të udhëtoja në sediljen e pasme vetëm me atë. Nuk fola asnjë fjalë, shoferi, një pensionist, i mbante të fikura dritat brenda makinës për ta parë më shquar rrugën. Megjithatë  profili i Kenës dukej qartë nga ndriçimi i fenerëve. Mbi të binte një dritë e ngrohët, e butë, ngjyrë portokalli. Plot admirim, nuk ia ndaja sytë. Sa e mirë, sa njerëzore që ishte. Jeta dhe profesioni im më ka bërë që të dalloj karakteret. Ajo ishte pa dyshim një njeri pozitiv, modeste dhe humane. Nuk kërkonte asnjë shpërblim për mundin që bënte. E matur, plot dinjitet dhe edukatë. Më hipi një dëshirë e marrë për ta përqafuar. Nuk di si m’u duk ashtu, aq e afërt, aq e ëmbël, aq njerëzore. Por nuk guxoja. Ngrita dorën disa herë, pastaj e tërhoqa i penduar. Nuk mbaj mend çfarë i thashë dhe ajo ktheu kokën ndaj meje. M’u duk aq e bukur, si një zanë. Lehtë, me katër gishtërinjtë e preka në faqe. I mbulova gjithë mollëzën e djathtë. Kishte një lëkurë të butë si sfungjer. Tek ajo perkëdhelje e pafajshme unë desha t’i them se ti je një njeri i mrekullueshëm. Desha ta falënderoj në emër të të gjithë bashkudhëtarëve shqiptarë. A kanë fuqi ta përcjellin katër gishtërinj këtë mesazh? Besoj se po.

***

Zbritëm nga taksia dhe  u drejtuam për nga hoteli. Duhet të ishim të parët. Unë dhe ajo ecnim përkrah njeri tjetrit, si dy miq të vjetër. M’u krijua një ndjesi e rreme sikur kishim mbaruar shkollën së bashku, ishim rritur në  një lagje dhe zotëronim shumë sekrete të përbashkëta. Një bashkëkombase në një vend të huaj, për ata që e kanë provuar, do të thotë shumë. Por për mua që kisha shumë kohë i larguar nga Atdheu, një pedagoge nga Tirana, fliste edhe  më shumë. Po mendoja se ajo ka ecur në të njëjtat shkallë të universitetit që kam ecur edhe unë, ajo e ka pritur pranverën në Parkun e Liqenit siç e kam pritur edhe unë. Ndoshta sytë tanë janë kryqëzuar tek Pesëmbëdhjetëkatëshi, Blloku apo tek Piramida, ndoshta kemi qenë tek marshimi në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, apo jemi ulur së bashku në shkallët e Korpusit të Universitetit. Ku ta dish?… Gati po i prekja krahun duke u ngjitur në ashensor. Dhe doja që ajo makineri e hekurt të ngjitej e të ngjitej pa mbarim, gjer në qiell. Asnjeri prej nesh nuk thoshte asnjë fjalë. E kisha përballë, tani po i dalloja sytë e mëdhenj ngjyrë gështenjë dhe po vija re se si prej thellomave të tyre dy vija të holla varashin nëpër faqe gjer në cep të buzëve. Dy sy të ndezur si prush…

Qëlloi që dhomat i kishim përballë. Secili shkoi në të vetën. Edhe kur u futa në dush, më dukej sikur sytë e saj më ndiqnin me një lloj pezmi, me një lloj kurioziteti. U kujtova, kur në një moment gjatë pritjes, në se na premtonte koha,  ajo kishte propozuar të merrnim një taksi për të vizituar qendrën e Frankfurtit. Oh, e zbulova arësyen si ta takoja përsëri, mendova. Thava flokët dhe shpejtova për ta njoftuar. U vesha dhe sa hap e mbyll sytë u gjenda tek dera e dhomës së saj. Trokita lehtë dhe  për çudi e gjeta duke punuar në laptopin që kurrë nuk e ndante nga supi. Laptopi ishte i hapur përmbi tavolinë. As atletet nuk i kishte hequr nga këmba. Në ajër ndjehej një puhizë e lehtë parfumi. Rrotullova vështrimin përreth dhe vura re krevatin që nuk ishte prekur fare. Abazhuri bënte roje mbi tastierën e laptopit.  Ishte gjysëm errësirë. Përpara kisha një krijesë nazike e delikate. Ajo rrinte si një vajzë gjimnaziste, e ndrojtur. Goditjet e zemrës po më shtoheshin, ndjeja të rrahurat e çekiçit në kraharor. Dridhesha si ndër ethe, nuk isha në gjendje t’i përgjigjesha  me asnjë fjalë. Kush na kishte hipnotizuar kështu? Çfarë ishte ajo pelerinë rozë që na kishte mbështjellë dhe nuk na lejonte të bënim një hap, vetëm një hap përpara? Harrova përse kisha ardhur. U hutova si një fëmijë i lumtur. Diçka kishte ndodhur midis nesh. As ajo nuk fliste. Nuk do ta harroj kurrë magjinë e atij çasti. Me një zë keqardhës, heshtjen e prishi ajo e para:

–         Më duhet të punoj, më duhet të plotësoj raportin, – kaq tha dhe uli sytë përtokë si e zënë në faj. Nuk i thashë fare përse kisha ardhur, as ajo nuk më pyeti. Duhet të largohesha. E  preka lehtë mbi sup dhe ajo më shoqëroi deri tek dera. Akoma nuk e kuptoj se si i rrëmbeva dorën e bukur si të Mona Lisës, u rrotullova dhe me intuitë i kërkova buzët. Pak, fare pak, ishte një puthje e lehtë, ashtu si një flutur ulet mbi një lule. “Oiii…”, thirri ajo me një zë të mekur, duke u lëkundur. Gati sa nuk i ra të fikët. Dola. Pas krahëve të mi u mbyll dera dhe unë përfundova në dhomën time. Veshët po më buçisnin dhe më ngjante sikur kryet m’i shtërngonte një rreth i hekurt. Qëndrova ashtu për disa çaste, pastaj u ngrita përsëri, afrova veshin tek dera. Ajo ishte katër hapa larg meje, por na ndanin dy mure dhe një korridor. Çfarë mendonte vallë? Çfarë nuk do jepja në ato momente sikur ta shihja përsëri, edhe sikur të bërtiste, vetëm ta shihja. Eca si i çmendur nëpër dhomë, hapa e mbylla sirtarët, çvendosa kolltukun, por nuk mund të qetësohesha. Çfarë më ndodhi kështu? Ishte një ditë e ndarë në njëmijë dromca. Një grua më kishte ngitur në ajër dhe unë akoma nuk kisha prekur tokën. Ishte një pedagoge nga vendi im. Ishte një zë i butë e i ëmbël që më mungonte prej kohësh në Kanada. Me sa duket kisha rënë në dashuri. Po, po, kisha rënë kryengulthi. Me çfarë më bëri ashtu për vete, cila ishte ajo fuqi manjetike që më tërhiqte aq fort, aq fuqishëm?

Ndërmend më erdhën të njohurat e mia në Toronto. Kujtova Odrin me të cilën isha miqësuar nga leximet në bibliotekë. Ishte një beqareshë e satazhionuar me të cilën shpesh bënim biseda intime, por ajo asnjëherë nuk më kishte bërë të ndjehesha si atë natë në Frankfurt. As edhe kur ajo më tha se më pëlqente, nuk më lëvizi qerpiku. Atëherë mendova se unë isha një dru që po i mbaronte lëngu i jetës, prandaj nuk e përfilla propozimin e Odrit. Po kjo natë e Frankfurtit? Cili ishte misteri i kësaj nate? Dafni, një tjetër kanadeze, ishte edhe më e re se Odri, ajo punonte në bankë dhe pëlqente eskursionet në mal. Kaq herë më ishte lutur të bashkohesha me grupin e saj, do flinim në një çadër, do ecnim nëpër pyll e do ndiznim zjarre… Por ato shëtitje mua më dukeshin si punë adoleshentësh dhe disa herë e kisha refuzuar. Dafni ishte shumë e bukur, me sy të kaltër dhe kurm të hollë. Kasten, për të më tërhequr vëmendjen më tregonte një tufë propozimesh nga meshkujt, madje kishte vetinë t’i imitonte mtuesit një nga një dhe duke e dëgjuar shkriheshe së qeshuri. Kjo vajzë nga vendi im, me çfarë më rrëmbeu dhe më bëri për vete? Kjo vajzë që frymonte në dhomën përballë katër hapa më tej, me çfarë më hipnotizoi? Gjumi më ishte arratisur nuk di se ku. Shkova pranë dritares dhe shikova përjashta. Një autobus dhe disa vetura ishin parkuar në oborr të hotelit. Dritat e zbehta të restorantit ndriçonin një radhë pemësh mbi të cilat shkëlqenin bulëza uji. Mjergulla ishte ulur gati përdhe. Vura ballin mbi xhamin e ftohtë të dritares dhe po ndjeja se po qetësohesha. Po sikur të trokisja përsëri në dhomën përballë dhe t’ia tregoja asaj një më një ato që ndjeja? Po sikur unë t’i dukesha si një manjak dhe të mos e hapte fare derën? Më mirë të prisja mëngjesin. Hoqa vetëm këpucët. U shtriva i veshur, përmi batanije. E gjithë dita, deri në hollësi më parakalonte parasysh sikur të ndodhte në atë çast. Dy sy dhe dy duar nuk më shqiteshin nga truri. Ishin sytë dhe duart e Kenës, duar si ato të Mona Lisës.Vazhdimisht shikoja orën, më bëhej se akrepat nuk bënin përpara. Sa ngadalë që lëviznin, më ngadalë se kurrë ndonjëherë. Mezi kaloi mesi i natës. Mora librin nga çanta dhe nisa të lexoj. Nuk mbarova dot asnjë faqe. Të më pyesje çfarë lexove, nuk isha në gjendje të riprodhoja asnjë fjalë. E lashë librin në vetminë e tij përmbi komodinë. Nisa të përfytyroj takimin e nesërm. Si do të sillej ajo me mua, çfarë do më thoshte?….

Brofa përnjëherë më këmbë. Ajo po vraponte përgjatë korridorit të hotelit. Ishte vonë dhe mund të humbisnim edhe fluturimin tjetër. Fërkova sytë. Qënkisha në ëndërr. Ora ishte tre pas mesnate. Ngadalë, ngadalë nisa nga ritet e mëngjesit. U futa në dush, hoqa mjekrën, thava flokët, kontrollova ato pak bagazhe, sistemova dhomën dhe ja ku isha gati. Kishte shkuar ora katër e mëngjesit. Dhe sa duhet të prisja për ta parë? Ora shkoi katër e gjysëm. Le të dalë ku të dalë, nuk duroj më, mendova, do t’i trokas në derë. Më mirë një fund i tmerrshëm se sa  një tmerr pa fund.

Dera u hap dhe unë vura re një fytyrë të zbehtë, një bluzë apo këmishë nate, nuk isha në gjëndje ta dalloj, vetëm di se ishte në ngjyrë banane të hapur. Presioni i ajrit që hyri nga korridori pas çeljes së derës, e bëri që të valëzojë mbi dy gjinj të vegjël e të bukur. Desha t’i marr leje për të hyrë, por në çast u pendova. Mund të humbisja gjithëçka.

–         Është herët, – tha me një zë të ëmbël, pak  qortues.

–         Erdha të të zgjoj, – i thashë unë duke belbëzuar.

–         Mirë, prit sa të bëhem gati, – dhe u zhduk pas derës. U lumturova që e pashë përsëri.

Nuk prita shumë. Doli. Ecëm përgjatë korridorit dhe aty u kujtova për ëndrrën që kisha parë. Në ashensor qëndroi larg meje, në cep. I kërkova sytë, m’u dukën ngjyrë ulliri dhe jo gështenjë ashtu si mendoja se i kisha parë një ditë të shkuar. Kishte lyer qerpikët dhe ata ia tregonin sytë edhe më të bukur. Po e përpija të tërën me vështrim dhe ajo e ndjente plotësisht këtë. Tmerrësisht isha i pushtuar nga një fuqi e mistershme.Gjatë mëngjesit në bar-bufe u takuam të gjithë shqiptarët së bashku, ashtu si një ditë më parë. Të gjithë flisnin, diskutonin, ndërsa unë asnjë fjalë. E ndiqja me sy kudo që shkonte. Në një moment pyeta se ku janë frutat.

–         Shiko tek proshutat, ke pjepër, –  më tha Kena. Me sa duket edhe ajo i ndiqte lëvizjet e mia. Dolëm jashtë, në rrethrrotullimin nga do të nisej autobusi drejt aeroportit. Një ajër i lagësht, i ftohtë m’u përplas në fytyrë. Në autobuzin që do të na mbartëte drejt aeroportit, u ulëm pranë njeri tjetrit. Do të ishte një mrekulli në se gjatë fluturimit do të ishim kështu, së bashku. Në se është dikush që na dëgjon, bëje që të jemi pranë e pranë edhe në fluturim, u luta unë pa zë, por me shpirt. Mbrritëm. Secili zuri nga një vend në kolltuqet para portës së fluturimit. Ne ishim të parët. Haxhi Haliti ishte pajtuar me të shoqen dhe bisedonte me të me këmbë e me duar, durrësaku me fytyrë si brumë i ardhur ishte në merak mos i prisheshin ullinjtë në çantën që kishte lëshuar një ditë më parë me  bagazhet. Kena, duke qëndruar më këmbë,  diçka i shpjegonte burrit me të cilin kishte udhëtuar nga Rinasi, ndërsa unë mezi prisja të hapej porta e të hynim në aeroplanin boing 777 që kishte radhën e fluturimit.

***

Zumë vëndet, siguruam bagazhet e dorës dhe prisnim të ngriheshim nga aeroporti i Frankfurtit drejt qiellit. Shqiptarët, ulur në vënde të ndryshme ishin tretur midis 400 pasagjerëve të tjerë. Asnjeri nuk po dukej në horizont. Sikur e kishin bërë me fjalë të na linin vetëm. Përpara kishim për të “gëlltitur” tetë orë fluturim. Unë isha përkrah Kenës, ashtu siç isha lutur e kisha ëndërruar. Nuk folëm fare për çfarë na kishte ngjarë natën e shkuar. Ajo më pyeti për jetën time dhe unë i shpjegova se si isha gjendur në Kanada. I tregova me një zë të ulët e të shtruar. Disa herë vura re se si i buisën lotët nga sytë lozonjarë. I tregova dramën e jetës sime ashtu si nuk ia kisha treguar askujt në botë. Nuk di, por ajo më ngjallte një besim të jashtëzakonshëm. Në përgjithësi unë jam tip i mbyllur. As vetë nuk e kuptoj se si më kishte hyrë aq shumë në zemër dhe se si i besova aq shumë të fshehta e sekrete nga jeta ime. Heshtëm të dy për një copë herë. Ngrita mbajtësen anësore të kolltukut dhe iu afrova më shumë. Nuk bëri asnjë lloj lëvizje për të kundërshtuar. I mora dorën në pëllëmbën time, atë dorë të bukur e nazike. I vura re ballin e gjerë e fisnik. Pashë si fytyra i mori një ngjyrë të purpurtë. Pastaj me takt e tërhoqi dorën nga pëllëmba ime. Isha mbështetur pas saj dhe ndjeja se zemra i rrihte fort, ashtu si e imja. Në buzë i lexohej një buzëqeshje e lehtë. E ndjeja se ishim bërë njësh dhe gjaku i saj qarkullonte në trupin tim, me të njëjtin ritëm, me të njëjtat goditje. Shpirti im fërgëllinte nga lumturia. Isha i magjepsur i tëri. E kuptova se nuk mund të rroja pa të. Unë dashuroja çdo fije floku të saj, sytë, duart, gojën, kurmin, të gjitha të gjitha….Dhe të gjitha këto ndodhnin në qiell, në dhjetëmijë metra lartësi mbi oqeanin Atlantik, në aeroplanin boing 777.

Pastaj i mbështeta kryet mbi sup. Ndoshta isha në parajsë. Udhëtim më misterioz e më të shkurtër, nuk kam bërë kurrë në jetën time.

                                                ***

       Kaq tha miku im, Besim Ndroqi duke psherëtirë thellë nga shpirti, pastaj heshti. Ishte e kotë ta vazhdoja bisedën më tej, apo t’i bëja ndonjë pyetje. Shkova në shtëpi, u ula në kompjuter dhe pikë për pikë shkrova ngjarjen të cilën ua tregova këtu më lart.

Fund

30 dhjetor 2017

Filed Under: LETERSI Tagged With: Avdulla Kenaci, MISTERI I NJE NATE, NE FRANKFURT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1613
  • 1614
  • 1615
  • 1616
  • 1617
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT