• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ASNJË SHTET NUK NDËRTON VARREZA MEMORIALE PËR USHTRITË PUSHTUESE

December 23, 2017 by dgreca

– KOMENT I GAZETËS DIELLI”, ORGAN I FEDERATËS PANSHQIPTARE TË AMERIKËS”VATRA”/1 Varrezat Greke

– Ngritja e varrezave greke në Shqipëri cënon sovranitetin dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe nxit më tej nacional-shovinizmin e verbër të qarqeve antishqiptare./

         Diplomacia e Qeverisë “Rama 2″ duket se ka kapitulluar pa kushte. Ministri ynë i Jashtëm, duke përcjellë direktivat e pakonsultuara të Kryeministrit,që vetë vendos e vetë vulos(madje pa u konsultuar as me Presidentin e Republikës) ka cënuar interesat kombëtare të shqiptarëve duke lëkundur nga themelet marrdhëniet me partnerët strategjik, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.              Vota”kundër” në OKB ishte qartësisht një Akt Antikombëtar, siç e konsideron deklara e Kryetarit të Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, z. Dritan Mishto.

        Ky akt foshnjor në Diplomaci, u parapri nga një tjetër akt antikombëtar siç është Vendimi i Qeverisë “Rama 2” i 13 Dhjetorit për ndërtimin e varrezave greke në Shqipëri. Qeveria shqiptare ka deklaruar se bisedimet e fundit greko-shqiptare kanë dhënë shenja pozitive për heqjen e Ligjit të Luftës, por duket se çmimi do të jetë tepër i kripur. Qëndrimi servil i qeverisë shqiptare me lëshimet që po bën për ndërtimin e varrezave greke në Jugun e vendit do të jetë me pasoja të pariparushme. Diplomacia shqiptare duhej të kishte këmbëngula fort se Ligji i luftës është një mbetje historike e njëanshme pasi Shqipëria kurrë nuk i ka shpallë Luftë Greqisë. Nga ana tjetër ushtarët grek që ranë në tokën shqiptare hynë për ta pushtuar Jugun e Shqipërisë. A mund të nderohen pushtuesit me varreza monumentale apo mauzole?

Qeveria e Kryeministrit Rama duhet të shohë edhe pasojat e vendimit të saj antikombëtar. Mirë është që të dëgjojë dhe historianët e krahut të vet, që këmbëngulin se ndërtimi i varrezave do të ligjërojë njohjen e të ashtuquajturit Vorio Epir.

    Federata Panshqiptare e Amerikës përherë ka qenë e ndjeshme ndaj akteve të tilla që cënojnë sigurinë kombëtare dhe hapin plagë të vjetra siç janë ato të pretendimeve njëshekullore greke për Vorio-Epirin. Qëllimi strategjik i fqinjit tonë Jugor është që ta bëjë fakt të kryer atë që ajo e cilëson Vorio-Epir dhe të faktojë pretendimet e qarqeve antishqiptare, duke plotësuar me varreza kufirin e shtetit të pretenduar, një fantazmë që mbanë ngritur rrethe antishqiptare në Greqi  e brenda Shqipërisë.

Vendimi i Qeverisë që tashëm është bërë publik(Dielli e ka këtë vendim) duket se ka shumë pika të errta dhe mbjell pasiguri Kombëtare. Vendimi nuk zbardh vendgërmimet për të gjetë eshtrat e ushtarëve grekë të  rënë gjatë luftës Italo-greke, gjë që mund të çojë të përsëriten ngjarjet e turpshme të Kosinës në Përmet, ku prifti bënte pazare me eshtrat e  të vdekurëve dhe në varrezën gjoja të ushtareve grekë u gjetën eshtra fëmijësh dhe pleqësh shqiptar, pa përmendur eshtrat e kafshëve.

Qeveria lipset të jetë trasparente dhe të tregojë publikisht se ku do të bëhen gërmimet , ku do të ndërtohen varrezat e reja dhe sa do të jetë numri i tyre?!

Qeveria Rama në Vendimin e publikuar u drejtohet edhe vendimeve të qeverivë paraardhëse, duke iu referuar Qeverisë Berisha në vitet 2010, 2011 dhe në 2012-tën. Në Vendim shkruhet se ky  Vendim i tanishëm mbështetet  në neni 100 të Kushtetutës dhe u referohet neneve 4-5, të marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Greqisë, për kërkimin, zhvarrimin, identifikimin dhe varrimin e ushtarakëve grekë, të rënë në Shqipëri gjatë luftës greko-italiane të viteve 1940-1941, dhe për ndërtimin e vendprehjes për ta, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, ratifikuar me ligjin nr, 10256, datë 25.3. 2010. Në vendim janë përcaktuar detyrimet e Ministrive përkatëse si e mbrojtjes, Infrastrukturës dhe energjisë,detyrimet e pushtetit vendor, por nuk përcaktohen saktësisht vendgërmimet dhe vendvarrimet.

Vendimi i qeverisë  dikton Shqipërisë që çdo vit të organizojë me 28 tetor ceremonitë zyrtare për të nderuar  ushtarakët grekë!

 Federata VATRA i ka kundërshtuar në vijëmësi vendimet e qeveritarëve shqiptarë, qofshin të majtë a të djathtë duke këmbëngulur se pas strategjisë greke fshihen qëllime të qarqeve antishqiptare që kanë pretendime ndaj të ashtuquajturit Vorio-Epir. Është i njohur qëndrimi mospajtues i Vatrës edhe gjatë kohës kur në pushtet ishin demokratët. Në atë kohë ish kryetari i Federatës Panshqiptare VATRA, dr. Gjon Buçaj, pat shkruar një Letër publike ish presidentit  Bamir Topi, ku i kërkonte publikisht që të mos e dekretonte Ligjin e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë me 25 mars 2010 , për ngritjen në territorin e Shqipërisë të varrezave për ushtarët grekë të vrarë gjatë Luftës Italo-Greke në periudhën e viteve 1940-1941.

   Ish Kryetari i Vatrës, shkruante në letrën drejtuar presidentit se vatranët, si të gjithë shqiptarët kudo në botë, të cilët e duan kombin e atdheun, janë thellësish të shqetsuar nga ky veprim i kryer në ditën kur, gjatë paradës në Athinë duke kremtuar pavarësinë e Greqisë, njësi ushtarake greke thërrisnin se do të pinin gjakun e shqiptarëve. Ky nuk është një episod i izoluar, por nji akt i rëndë provokues, i përsëritur disa herë, edhe në 2007-ën. Qeveria dhe shteti grek nuk kanë bërë asgjë për të parandaluar përsëritjen e dukurive të tilla armiqsore kundër Shqipërisë e shqiptarëve.

      VATRA mbështet marrëdhënje të vërteta miqësie midis Shqipërisë dhe Greqisë. Ne besojmë se dy vendet dhe popujt tanë kanë shumë vlera të përbashkëta që shkojnë deri në lashtësi. Por miqësia e vërtetë vendoset në barazi, dinjitet dhe interes të ndërsjelltë. Asnjëherë dinjiteti shtetëror dhe kombëtar nuk mund t’i bëhet dhuratë një vendi të huaj, sado mik që të jetë ai.

  Asnjë shtet sovran nuk i ngre përmendore apo varreza një ushtrie të huaj pushtuese. Është fakt historik se Shqipëria e pushtuar nga Italia fashiste kishte humbur pavarësinë dhe personalitetin juridik si subjekt i së drejtës ndërkombëtare. Pavarësisht nga kjo, edhe pse dy vendet tona janë tashmë anëtarë të NATO-s, Parlamenti Grek mban në fuqi Ligjin e Gjendjes së Luftës me Shqipërinë, duke u shkaktuar dëme të mëdha pasurore shtetasve shqiptarë me interesa ekonomike në Greqi.

……….Është e vërtetë se në vitin 1940-1941 trupat greke mbrojtën me heroizën vendin e tyre nga fashistët italianë. Mirëpo ato u kthyen vetë në trupa pushtuese kur hynë në trojet shqiptare, përfshirë Korçën, Gjirokastrën, Himarën, Sarandën etj. Qeveria greke vendosi një regjim të vërtetë pushtimi në Shqipërinë e jugut, duke mos lejuar ngritjen e flamurit shqiptar, duke futur në qarkullim monedhën greke e duke ndërmarrë veprime të tjera aneksuese. Madje, qeveria greke refuzoi edhe thirrjet e Mbretit Zog dhe të patriotëve shqiptarë për krijimin e forcave të përbashkëta ushtarake që do të ndërmerrnin çlirimin e plotë të Shqipërisë nga Italia fashiste dhe rikëthimin e qeverisë së ligjshme shqiptare në vend.Shembulli më i qartë i synimeve aneksioniste të Athinës ishte vendimi i shtatmadhorisë greke për të mos tërhequr trupat pushtuese nga Shqipëria e jugut, megjithë kërcënimin që i vinte vendit të tyre nga ndërhyrja gjermane në Maqedoni. Për më tepër, edhe para kapitullimit ndaj gjermanëve, gjeneralët grekë u përpoqën të hyjnë në pazarllëk me nazistët që Shqipëria e Jugut t’i mbetej Greqisë.

            Praktika ndërkombëtare tregon se për raste të tilla do të mjaftonte një monument i thjeshtë dhe jo ndërtimi i varrezave masive në tokën shqiptare. Eshtrat e ushtarëve grekë le të varrosen me nderime në Peloponez apo Atikë, por kurrsesi në tokën tonë. Ngritja e varrezave për ta në Shqipëri cënon sovranitetin dhe dinjitetin e Shqipërisë dhe nxit më tej nacional-shovinizmin e verbër greko-madh.

Filed Under: Ekonomi Tagged With: dalip greca, Qeveria Rama 2, Varrezat greke

Zoti e ruajtë Shqipërinë dhe Shqiptarët!

December 22, 2017 by dgreca

HARAÇI PËR EUROPËN ?/

702px-Albanian_caricature_1913

Zoti e ruajtë Shqipërinë dhe Shqiptarët!/

Nga Petro Dangëllia*/

Shqiptarët dhe të parët e tyre kanë 22 shekuj që paguajnë haraçe, kanë 22 shekuj që janë pushtuar dhe dhunuar, kanë 22 shekuj që nuk jetojnë të lirë. Fillimisht, deri në shekullin e katërt pas Krishtit, për gjashtë shekuj u sunduan dhe u grabitën nga Perandoria  Romake e Perëndimit, pastaj për 11 shekuj nga Perandoria Romake e Lindjes, Bizanti, dhe në fund 5  shekuj nga Perandoria Osmane.

Cili komb i Europës do të ishte ky që është sot, sikur jo 22 shekuj, por vetëm 5 shekuj të mos kishte qënë i lirë, por nën pushtim, e zemë se do të  kishte fatin që të kishte qënë nën sundimin e Perandorisë Osmane?! Por fati ishte me Europën dhe jo me shqiptarët, pasi sikur të mos kishte qënë shqiptari i Madh, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, harta e Europës nuk do të ishte kjo që është sot, religjionet e Europës nuk do të ishin këto që janë sot.

Për këtë Europë që lulëzoi këto pesë shekujt e fundit, në shekullin e XV u sakrifikuan shqiptarët që i vunë gjoksin, luftuan dhe u përballën me një nga perandoritë më të egra që kishte parë njerëzimi në atë kohë, që u ndeshën dhe dolën triumfatorë me dy sulltanët më të fuqishëm dhe më të lavdishëm të Perandorisë Osmane gjatë gjithë ekzistencës së saj. Po të mos kishin qënë shqiptarët, pasi sërbët dhe grëket turku i vuri që në fillim nën thundër, Europianët sot do të faleshin në xhami dhe katedralet e tyre të bukura, përfshirë dhe Shën Pjetrin do të kishin fatin e Shën Sofisë duke u kthyer në xhami blu.

22 shekuj robëri. Sot në shekullin e XXI ne jemi në garë me kombet e tjerë europianë. Kuptohet që jemi shumë mbrapa dhe kjo jo për fajin tonë. Ndërkohë që kombet europianë janë të shëndetshëm dhe plot gjallëri me një start të fuqishëm në këtë vrapim modern, ne shqiptarët akoma nuk kemi hequr zinxhirët nga duart dhe këmbët dhe mezi ecim. Kyçet tona janë të enjtura dhe plot plagë nga zinxhirët shekullorë. Në këtë gjëndje ne jo vetëm që nuk vrapojmë dot, por që as mendohet se mund të futemi në garë.

Nëqoftëse kjo garë do të bëhej nga shekulli i IV deri në shekullin e II para Krishtit, kur shtetet Ilire dhe Epirote ishin njësoj me të tjerët, madje shumë më të fuqishme dhe zulmëmëdha kundrejt shteteve të Perëndimit, puna do të ishte krejt ndryshe. Në lindje ato u matën me Aleksandrin e Madh dhe fituan, në Perëndim Teuta me Gentin u ndesh me Romakët dhe Pirrua i Epirit nënshtroi gjithë Greqinë, vuri nën këmbë Maqedoninë dhe drodhi Italinë e Jugut dhe Siçilinë duke u ndeshur si i barabartë me Romën dhe Kartagjenën. Ndërkohë që për Europë në atë kohë as që mund të bëhej fjalë fare. Kjo ishte raca e jonë në antikitet.

Nëqoftëse kjo garë, do të përsëritej në Mesjetë (atëhere kur Bizanti po jepte shpirt), fillimisht me shtetin e Arbërit dhe Despotatin e Epirit dhe më vonë  me Buajt, Spatajt, Zenebishët, Balshajt, Topiajt, Aranitët, Dukagjinët, Kastriotët, Muzakajt, ku Arbëria nuk ndryshonte pothuajse fare nga shtetet e Europës për nga zhvillimi, gara do të ishte përsëri ndryshe. Kjo ishte raca e jonë në Mesjetë.

Sot jemi bërë për të qarë hallin. Kësaj po t’i shtojmë edhe një çerek shekulli errësirë, humbëtirë dhe shkatërrim nga ata që erdhën në pushtet dhe u sollën me shqiptarët si  barbarët e Xhingiz Khanit, ndërsa me të huajt puthadorë, servilë dhe sahanlëpirës. Të gjitha këto në kuriz të Shqipërisë, ku të gjitha ato që ishin krijuar për 50 dhe qindra vjet me mundim nga populli shqiptar u shkatërruan, u dogjën duke përmbysur çdo gjë me një urrejtje kaq të madhe, sa që edhe vetë Pal Emili që dogji gjithë Epirin, Stefan Dushani dhe Andartët grekë do t’ua kishin zili. Një mendje të thotë, se për këto gjëma që i kanë bërë dhe që duan akoma t’i bëjnë Shqipërisë, në vesh u kanë fryrë dhe u fryjnë në sinkron Beogradi dhe Athina. Dhe këta të shitur edhe sot që flasim në emër gjoja të patrotizmës duan ta groposin Shqipërinë.

Shqipëria sot duket si ai që sapo ka dalë nga varri dhe po përpiqet të hyjë në jetë, ngrihet në këmbë dhe rrëzohet, ngrihet në këmbë dhe puthadorët e Beogradit dhe të Athinës i venë stërkëmbsha dhe ajo e varfëra përsëri rrëzohet. Përsëri ngrihet ringjallet si Feniksi dhe mundohet të ecë përpara me sytë nga Perëndimi (nga ai Perëndim që 100 vjet përpara e copëtoj dhe e ndau në pesë pjesë, ku shqiptarëve u la një të pestën në një Shqipëri Trung, si ai trungu i zgërbonjës) në një rrugëtim pafund në një mision gati të pamundur, pasi mban mbi shpinë mallkimin e kalimit të kësaj shkretëtire me emrin tranziscion, për të shkuar në tokën e premtuar me emrin Europë.

Europa e shikon të drobitur dhe i thotë: Jo nuk të pranoj të hysh në shtëpinë time moj lypsare. Ik tutje. Thyej qafën. Dale, dale se u kujtova. Shiko, ke një shans, lutju sërbëve, jepu çfarë duan dhe po pranuan ata, bashkangjitjuni atyre në një shtet, të cilin ne të krishterët e Europës e kemi pagëzuar me emrin “Ballkani Perëndimor”. Atëhere shohim e bëjmë. Shikoni, se desh harova, i jepni edhe Greqisë çfarë kërkon ajo, ca nga toka (ku me sa di unë ca varre kërkon e shkreta), ca nga deti (ku me sa di unë ca minerale kërkon e shkreta) dhe pasi të merrni bekimin e Mitropolitit të Athinës dhe atij grek në vendin tuaj, lahuni, shplahuni, vishuni me cohëra europiane dhe bëhuni gati t’u marrim si shërbëtore për në sallonet tona.

E mjera Shqipëri në duart e kujt ke rënë; një palë të vrasin, të djegin dhe të shesin, pala tjetër të vesh dhe të zbukuron si prostitutë dhe të nxjerrë të shnderohesh. Po si more të paudhë, njësoj si të parët edhe jut ë dytët, lejoni varreza greke në Shqipëri?!!

Si more të panderë lejoni të nderoni me ceremoni të vrarët e një ushtrie pushtuese, e cila erdhi të pushtojë Vorio-Epirin. Kaq syleshë jini dhe nuk e kuptoni që ato varre janë “Guri i Sinorit” , i  Vorio-Epirit, njësoj si kishat dhe katedralet që janë ngritur nga grekët në Shqipërinë e Jugut këtë çerekshekulli për ta kufizuar këtë sinor ortodoks.

Pra haraçet e shqiptarëve nuk kanë të sosur; të krishterët katolikë dhe protestantë të Europës kërkojnë tani që haraçin tua paguajmë të krishterëve ortodoksë të Ballkazanit, sërbëve, grekëve, bullgarëve, maqedonasve dhe malazezëve.  Pra shqiptarët do të vazhdojnë të paguajnë “shinikun e priftit ortodoks”; sllavëve, duke u futur në një shtet me ta, por nën hyqmin e tyre dhe helenëve duke u dhënë hise ose një dhoro nga Vorio-Epiri. Madje me këta të fundit duke bërë edhe një traktat miqësie, i cili ka për të qënë një akt tradhëtie dhe dënimi me vdekje i Shqipërisë së Jugut, pasi Shqipërinë e veriut e kemi për sllavët.

Zoti e ruajtë Shqipërinë dhe Shqiptarët!

22 dhjetor 2017.

  • Petro Dangellia eshte bashkepunetor i Diellit. Ilustrim: Karikature nga arkivi i Diellit

Filed Under: Analiza Tagged With: Petro Dangellia, ZOTI E RUAJTE SHQIPERINE DHE SHQIPTARET!!!

Meta:Keqardhje për votën e Shqipërisë kundër mikut tonë më të madh!

December 22, 2017 by dgreca

Letër e Presidentit Meta dërguar Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump/

1 Meta Leterilir-meta-720x479

Tirane, 22 dhjetor 2017/

I nderuar Zoti President,

Ju falënderoj shumë për urimet e përzemërta që më dërguat me rastin e kremtimit të 105-vjetorit të Ditës së Pavarësisë së vendit tim!

I vlerësoj jashtëzakonisht shumë mesazhet Tuaja inkurajuese, veçanërisht për marrëdhëniet tona të forta, të mishëruara në partneritetin strategjik e dëshiroj, me këtë rast, të shpreh sërish mirënjohjen për mbështetjen e vyer që Ju dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës i jepni Shqipërisë në rrugën e reformave, në luftën kundër krimit të organizuar, trafikut të drogës e kontrollit të kufijve, sfida që lidhen ngushtë me sigurinë kombëtare të vendit tim, të rajonit të Ballkanit dhe të pellgut të Mesdheut.

Përfitoj nga rasti të shpreh mirënjohjen e thellë për miqësinë e fortë që SHBA i ka ofruar Shqipërisë dhe shqiptarëve për më shumë se një shekull dhe Ju siguroj se Shqipëria do të vijojë të jetë aleat e partner besnik në luftën kundër terrorizmit ndërkombëtar dhe ekstremizmit të dhunshëm, si dhe do të kontribuojë gjithmonë për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Evropës Juglindore. Si anëtare në NATO, Shqipëria do të vijojë të jetë aleate aktive, kudo ku kërkohet kontributi i saj.

I dashur President Trump,

Dëshiroj të shpreh keqardhjen e madhe për votën e Shqipërisë dje në OKB kundër aleatit dhe mikut tonë më të madh, Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo votë është marrë pa asnjë konsultim paraprak me institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë dhe as me Kuvendin e Shqipërisë dhe nuk pasqyron qëndrimin dhe vullnetin e popullit dhe kombit shqiptar, i cili nuk harron dhe nuk do të harrojë asnjëherë mbështetjen e SHBA në momentet më të vështira të ekzistencës së tij.

Do të kërkoj personalisht shpjegime dhe sqarime për këtë qëndrim dhe vendim të qeverisë që bie ndesh me marrëdhëniet e partneritetit tonë strategjik dhe interesat tona kombëtare.

Me urimet më të mira për festën e Krishtlindjeve dhe të Vitit të Ri 2018, për shëndetin e lumturinë Tuaj dhe të familjes Tuaj, për më shumë begati, zhvillim e përparim për Shtetet e Bashkuara dhe popullin amerikan, Ju lutem pranoni, Zoti President, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!

Me respekt,

Ilir Meta

Filed Under: Featured Tagged With: derguar Presidentit Trump, keqardhje, Leter e Presidentit Meta, per voten kunder

Shqipëria nuk është e ftuar nga Nikki Haley

December 22, 2017 by dgreca

-Ambasadorja Nikki Haley u ka dërguar ftesë të gjitha vendeve që votuan me Shtetet e Bashkuara dhe atyre që abstenuan si dhe atyre që nuk morën pjesë në votim, për të marrë pjesë në një pritje të organizuar prej saj, me 3 janar, sipas njoftimit, “Për t’i falënderuar për miqësinë e tyre me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”./

  • Dy ditë më parë ambasadorja Nikki Haley ishte mes shqiptaro-amerikaneve dhe deklaroi aty publikisht respektin për shqiptarët, dashurinë e tyre për amerikën dhe krenarinë e saj si i shoqi kishet gjak shqiptar…/

1 amb Nikki flet

VEPRIM I PABESË: SHQIPËRIA DHE VOTA NË ASAMBLENË E KOMBEVE TË BASHKUARA/

1-Frank-shkreli-2-300x183-1

Nga Frank Shkreli/ Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara votoi këtë javë me 128 vota pro, 9 kundër dhe 35 abstenime për një rezolutë që kundërshton njohjen e Shteteve të Bashkuara, të Jeruzalemit, si kryeqytet të Izraelit.   21-vende nuk ishin të pranishme në votim.  Dihet se megjith se çështja e Jeruzalemit është një çështje delikate midis palestinezëve dhe izraelitëve, Kongresi i Shteteve të Bashkuara kishte miratuar një rezolutë në vitin 1975 me të cilën bëhet thrirje për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet i Izraelit, por që administrata të ndryshme amerikane nuk kanë vepruar deri tani.  Presidenti Trump kishte premtuar gjatë fushatës se do të bënte një gjë të tillë dhe ashtu, në përputhje me premtimin e tij, njoftoi vendimin për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.

Shqipëria votoi pro-rezolutës duke u bërë një prej 128-votave në favor dhe kundër qëndrimit amerikan.   Shqipëria, nepërmjet një deklarate të Ministrisë së Jashtëme, a po të “Ministrisë për Evropën” siç e quajnë tani, përball kritikave të shumta se vota e Tiranës ishte një votë kundër SHBA-ve, e arsyeton votën e saj në favor të rezolutës kështu:

“Në politikë të jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet. Për ata që ende besojnë te faktet, vota e Shqipërisë dje në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara nuk është një votë kundër SHBA, por shprehje e qëndrimit tonë koherent, parimor e të pandryshuar në vite, bazuar në konsensusin ndërkombëtar të shprehur në dokumentet e panumërta të OKB-së dhe Rezoluta të Këshillit të Sigurimit, të cilat kanë fuqi detyruese, sikundër në linjë të plotë me qëndrimet e shumicës dërmuese të vendeve anëtare të OKB-së, NATO-s dhe BE-së, partnerë historikë të SHBA-ve”.

Unë mendoj se ky ishte një vendim i nxituar dhe i pamenduar mire, për të mos thënë i gabuar.  Hajde se nuk donte qeveria e Kryeministrit Rama të votonte kundër kësaj rezolute, ndoshta mund të kuptohet, por kush e ndalonte Shqipërinë që të abstenonte në këtë rast, ashtu siç abstenuan 35 vende anëtare të OKB-së, të cilat Ambasadorja amerikane Nikki Haley i falënderoi për abstenimin e tyre, ose të mos merrte pjesë fare në votim.  Në minimum, abstenimi do të ishte vendimi më i përshtatshëm që duhej dhe mund ta bënte Shqipëria.  Në deklaratën arsyetuese të Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë thuhet se, “në politikën e jashtme nuk e kemi luksin të mos dallojmë faktet nga trillimet”.  Plot e drejtë!  Prandaj, si rrjedhim duhej abstenuar, në minimum, duke marrë parasyshë, pikërisht, faktet e marrëdhënieve dy-palëshe, midis Uashingtonit dhe Tiranës.

E vërteta është se vota në OKB ishte simbolike dhe si e tillë as vota e Shqipërisë dhe as e 138 vendeve të tjera nuk do të ndryshojë asgjë në marrëdhëniet midis Izraelit dhe Palestinezëve dhe as nuk do të sjellë paqë në Lindjen e Mesme.  Por simbolizmat janë të rëndësishëm në zhvillimet ndërkombëtare dhe në marrëdhëniet midis shteteve dhe kombeve.  Shtetet e Bashkuara, edhe në periudhën më të errët të regjimit komunist, kur radio Tirana në shqip dhe në gjuhët kryesore të botës por edhe nepërmjet përfaqsuesve të saj po në këtë Organizatë të Kombeve të Bashkuara, i kishte hapur luftë të hapët “imperializmit amerikan” – Washingtoni zyrtar dhe populli amerikan ishin konsekuent dhe mbështetës të Shqipërisë dhe të të drejtave të kombit shqiptar, madje edhe gjatë asaj periudhe të zezë të marrëdhënieve midis dy vendeve.  Më kujtohet, gjatë viteve të luftës së ftohtë,  megjith sharjet dhe helmin që përhapte regjimi komunist i Enver Hoxhës kundër Shteteve të Bashkuara dhe demokracisë amerikane, Stejt Departmenti çdo vit na sillte në Zërin e Amerikës një deklaratë ose ofronte një zyrtar të lartë për ta intervistuar me rastin e 28-Nëntorit Ditës së Pavarësisë, me qëllim për të thekësuar miqësinë historike midis dy kombeve, ndërkohë që gjithmonë shpreheshin për marrëdhënie më të mira midis dy vendeve, në të ardhmen.  Edhe gjatë asaj periudhe të errët të një politike armiqësore anti-amerikane gjysëm shekullore në marrëdhëniet midis dy popujve, Shtetet e Bashkuara i qëndruan besnike miqësisë me kombin shqiptar  Kjo besnikëri dhe miqësi e Shteteve të Bashkuara me Shqipërinë, me Kosovën dhe me shqiptarët në përgjithsi, u shfaq shprehimisht dhe në person, jo më larg se një ditë para votimit në OKB – nga vet Përfaqsuesja e Presidentit Trump në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nju Jork, Ambasadorja Nikki Haley.  Në vazhdimësi të kësaj besnikërie dhe mbështetjeje ndaj shqiptarëve, Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, mori pjesë në një aktivitet në Nju Jork, me përfaquses të komunitetit shqiptaro-ameirkanë dhe me biznesmenë nga Shqipëria dhe Kosova.  “Arsyeja qe e bëjmë këtë është se ne kemi disa lidhje të përbashkëta”, u tha ajo të pranishëmve.

“Ne deshëm të merrnim pjesë në këtë aktivitet për disa arsye. Jam këtu me burrin tim, gjyshi i të cilit erdhi në Amerikë nga Shqipëria.  Me komunitetin shqiptar nga Kosova dhe Shqipëria ne kemi shumë gjëra dhe vlera të përbashkëta….   “Ne po përpiqemi që të gjitha vendet ta njohin Kosovën në OKB dhe këtë do ta vazhdojmë deri sa ajo ta fitojë njohjen”.

Ashtu siç kanë bërë edhe më parë dhe në çdo rast, zyrtarë të lartë amerikanë — republikanë dhe demokratë – pasi, siç e kam theksuar shpeshëherë, politika dhe mbështetja amerikane për shqiptarët, ç’prej fillim shekullit të kaluar, duke filluar nga Wilsoni – nuk ka qenë dhe nuk është e mbështetur në vija partiake, por është politikë amerikane! Anasjelltas, as politika shqiptare karshi Shteteve të Bashkuara nuk duhet dhe nuk guxon të jetë e bazuar në vija partiake, por duhet të jetë një politikë e bazuar në interesat kombtare të shqiptarëve.  Tradhëtohen ata që mendojnë se në, këtë aspekt, do të përçajnë politikën amerikane ose komunitetin shqiptaro-amerikan.  Në takimin e ambasadores Nikki Haley me shqiptarët, duke folur për marrëdhëniet midis Kosovës, Shqipërisë dhe shqiptarëve, ajo vazhdoi duke thënë: “Ne respektojmë njëri tjetrin, besojmë te njëri tjetri. Kemi të njëjtat vlera demokratike.  Janë këto gjëra që formojnë lidhje dhe marrëdhënie të forta e që nuk thyhen.  Pra, ne deshëm të jemi këtu për të respektuar komunitetin e këtushëm dhe për t’ju thënë se do të vazhdojmë të përpiqemi që Kosova të njihet si vend anëtare e Kombeve të Bashkuara.   Desha t’ju them edhe diçka tjetër nga përvoja personale.   Çdo vend pëballet me vështirsitë e veta.  Edhe Shtetet e Bashkuara patën sfida me uraganët këtë vit.   Shqiptarët e Kosovës u treguan të gatëshëm të na ndihmonin kur uragani goditi Teksasin.   Dhe kjo flet për lidhje që ne kemi dhe për vlerat që ne ndajmë.  Kemi ardhur këtu si miq dhe për t’ju uruar dhe për t’ju dëshiruar bekimet dhe gjithë të mirat për stinën e festave dhe jemi këtu për tu thënë se do të punojmë për lidhje më të forta mes komuniteteve shqiptaro-amerikane dhe Shteteve të Bashkuara”, përfundoi ambasadorja Haley fjalën e saj në takimin me shqiptarët në Nju Jork, një ditë para se Shqipëria të hedhte votën e saj kundër Shteteve të Bashkua, në Asamblenë e Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara.Një ndër çështjet madhore të kombit shqiptar në këtë moment historik, për të cilën do të kemi nevojë për mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të zyrtarëve të administratës së presidentit Trump, siç është ambasdaorja Nikki Haley — është edhe edhe njohja e Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga sa më shumë vende si dhe antarësimi i Republikës së Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Në frymën e “dallimit të fakteve nga trillimet”, siç na sugjeron Ministria e Jashtme e Shqipërisë në lidhje me votën e saj kundër Shteteve të Bashkuara, në fushatën e nesërme për këto përpjekje, kujt t’i trokasim në derë: Washingtonit, Moskës, Pekinit apo Ankarasë, të nderuar diplomatë shqiptarë.   A po do të bazoheni “në konsensusin ndërkombëtar” në lidhje me këtë çështje të rëndësishme të objektivave kombëtare?  Bazuar në fakte dhe jo trillime, a mund t’i përgjigjeni shumicës pro-amerikane të shqiptarëve kudo?  Nëqoftse deri tani nuk i dini ende faktet se në anën e kujt duhet ti rendisim interesat afat-gjata të kombit shqiptar, atëherë është tepër vonë dhe mund të konsiderohet si një pabesi ndaj një miku të madh e historik të kombit shqiptar dhe një tradhëti ndaj interesave aftagjata të kombit.

Ja dhe lajmi i fundit. Një numër medias amerikane njoftojnë sot se Ambasadorja Nikki Haley u ka dërguar ftesë të gjitha vendeve që votuan me Shtetet e Bashkuara dhe atyre që abstenuan si dhe atyre që nuk morën pjesë në votim, për të marrë pjesë në një pritje të organizuar prej saj, me 3 janar, sipas njoftimit, “Për t’i falënderuar për miqësinë e tyre me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.

Natyrisht se Shqipëria nuk është e ftuar nga Nikki Haley.  Vota e Shqipërisë nuk meriton koment tjetër!

Haley’s email invitation (pictured) asks the nations who voted with the U.S. or abstained from the vote “to a reception to thank you for your friendship to the United States.”

 

 

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, nga Nikki Haley, Shqipëria nuk është e ftuar

Turpi i votës në OKB është i qeverisë, nuk është i shqiptarëve

December 22, 2017 by dgreca

2 enver-Bytyci-1

Nga Enver Bytyçi/

Shqipëria votoi mbrëmë kundër vendimit të presidentit amerikan për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit. Rezoluta e paraqitur nga Turqia dhe Jemeni mori shumicën e votave, dy të tretat në Asamblenë e Përgjithshme. Por pati edhe vota pro SHBA-ve dhe vendimit të Tramp si dhe abstenime. Ambasadori shqiptar as votoi pro SHBA-ve, as abstenoi. Ai votoi kundër. Kundër SHBAV-ve, kundër Shqipërisë, kundër shqiptarëve, pro Lindjes, pro Erdogan, pro Vladimir Putin, pro Kinës, pro Iranit, pro Bashar Al Sadat.

Ky është një skandal diplomatik dhe politik. Eshtë papërgjegjshmëri që shkon në kufijtë e tradhëtisë kombëtare. Eshtë rrjedhojë e një mentaliteti dhe kulisave të bashkëpunimit lindor të qeverisë shqiptare. Eshtë pasqyrë e trashëgimisë politike dhe diplomatike të periudhës së diktaturës komuniste. Eshtë mendjelehtësi dhe pasojë e miqësive personale të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama me Erdogan aleat të Putinnit. Eshtë një votë që dëmton rëndë interesat kombëtare të shqiptarëve. Eshtë shprehje e urrejtjes së Edi Ramës për angazhimin e SHBA-ve në Kosovë për çlirimin e saj. Si e tillë është vote për Serbinë. Eshtë hakmarrje e Edi Ramës për atë që Amerika bëri, duke e pranuar Shqipërinë në NATO. Eshtë pasojë e luftës personale që Edi Rama ka me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump. Eshtë pasojë dhe shërbim që kryeministri i Shqipërisë i bën Georg Soros dhe ideologjisë së majtizmit ekstrem e shkatërrues sorosian për fatin e kombit shqiptar! Eshtë pasojë e djemve të bllokut komunist që drejtojnë diplomacinë dhe politikën e Tiranës zyrtare.

Kosova është distancuar nga ky vendim dhe qëndrim i Tiranës. Kosova do të duhet që këtë qëndrim ta dënojë më ashpër, duke paralajmëruar kushtëzimin e marrëdhënieve të saj me Tiranën, me atë çfarë Tirana zyrtare e çdo qeverie realizon në partneritet strategjik me SHBA-të. Kosova duhet të bëjë me dije me vepra se distancohet nga Edi Rama dhe institucionet e saj duhet të reagojnë zyrtarisht me notë protestë.

Shqipëria dhe shqiptarët po largohen nga aleanca e ngushtë nga Amerika. Ata që nuk pajtohen me këtë zhvillim, ikin e kërkojnë azil politik dhe ekonomik në Europë.Edhe nëse do të viheshin në rrezik marrëdhëniet me Bashkimin Europian për shkak të një marrëdhënieie të ngushtë, speciale e strategjike, të përhershme dhe të pakushtëzuar me SHBA-të, Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët duhet të zgjedhin Amerikën para Europës. Vërtet jetojmë në Europë, por jetojmë në një Europë që historikisht dhe gjithashtu në ditët e sotme na diskriminon në pikëpamje gjeopolitike. Ndryshe nuk do të hezitonin pesë vende të BE-së për ta njohur shtetësinë e Kosovës. Ndryshe nuk do të bllokohej Kosova në integrimet europiane dhe liberalizimin e vizave. Sa kohë që Europa, përkatësisht BE, nuk detyron Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë, Spanjën dhe Qipron të njohin Kosovën, aq kohë Brukseli ose qarqe të caktuara në Bruksel duan ta mbajnë peng integrimin e Kosovës.

Nuk ndodh kjo me SHBA-të. Edi Rama zgjodhi Erdoganin dhe përmes tij Vladimir Putin, mbështetësin kryesor të palestinezëve, Iranit, Sirisë etj, me qëllim që të japë një sinjal të qartë të aleancës së tij me Lindjen. Kjo i duhet për shkak të ruajtjes së pushtetit të tij absolut e të dhunshëm në politikat e brendshme Si të tilla, për të njëjtat arësye i ndërtonte marërdhëniet e tij me vendet e lindjes edhe diktatori Hoxha, gjithnjë në liftë me Perendimin. .

Ne duhet ta përjetojmë këtë akt antishqiptar si tragjedi, por jo pa rrugëdalje. Kjo që ndodhi mbrëmë duhet të na bëjë të vetëdijshëm se sa të rrezikuar jemi nga vetëvetja, nga drejtimi dhe qevevrisja lindore e instaluar në Tiranë. Askush nuk duhet të ketë dyshim për këtë. Shqiptarët duhet të kuptojnë më në fund se Lindja do na mbajë të përçarë, të ndarë, të prapambetur dhe të përbuzur në mesin e kombeve të tjera. Nëse vazhdojmë ta lejojmë Edi Ramën apo këdo tjetër të na përdorë si kavie eksperimentale lindore, atëherë do të pësojmë fatin e sizifit. Kurrë nuk do ta nxjerrim gurin në majë të kodrës, kurrë nuk do të bëhemi komb i zhvilluar dhe i përparuar, kurrë nuk do të kemi prosperitet dhe zhvillim. Do të mbetemi lindorë jo vetëm në koncept, mentalitet, por edhe si njerëz. Do të mbetemi qytetarë të botës së tretë e të dorës së dytë. Tamam siç na duan Rusia, Serbia dhe qendra të tjera antishqiptare në Europë. Edi Rama mbrëmë dëshmoi se i përket kësaj kategorie udhëhqësish. Duke kundërshtuar SHBA-të, ai ka vene një gur të rëndë në shpinën e shqiptarëve, i ka dhënë përparësi turpit, në vend se të respektojë vlera të tilla si mirënjohja, respekti dhe mbi të gjitha interesat e kombit të tij. Ai respektoi më shumë interesat e pushtetit të Erdogan e të Vladimir Putin, sesa interesat e shqiptarëve.

Shqipëria e ka vendin në krah të SHBA-ve. Presidenti Amerikan është përfaqësuesi i shtetit amerikan. Nuk mund të vihet Georg Soros dhe interesat e tij përpara interesave të SHBA-ve dhe gjithashtu përpara interesave të shqiptarëve dhe të Shqipërisë e të Kosovës.

 

Tiranë, 22.12.2017

Filed Under: Analiza Tagged With: Enver Bytyci, ne OKB, Turpi i votes kunder

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1624
  • 1625
  • 1626
  • 1627
  • 1628
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT