• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARRZITË POLITIKE NË SHQIPËRI VAZHDOJNË

December 22, 2017 by dgreca

Asllani Portret-81

NGA ASLLAN BUSHATI/Këto ditët e fundit  masmedia  (stimuluar nga  qeveria dhe qarqe të afërta me të), parapëlqeu  të vinte në një plan të dukshëm  takimin dhe  bisedimet e Ministrit tonë të  Jashtëm Bushati  me homologon e tij  grek Kotzias . Dhe më pas me shumë kujdes e me një farë “krenarie” të heshtur, vuri në gojën e këtij të fundit  se: është rënë dakort  që pala greke të heq “ligjin e luftës” me Shqipërinë.  Pra, me fjalë të tjera , prapa bisedimeve  na qenka  një “fitore e  madhe” e politikës sonë të jashtme. Madje duke cituar  në ligjiratë të drejtë ministrin  e jashtëm grek, vihen ne dukje  se kjo ceshtje na qenka e përfunduar, vetëm se duhet të zgjidhet një nga   dy opsionet e mundëshme : njeri me anë të një dekreti presidencial ,ose (varianti tjetër jo i pëlqyer prej tij) nëpërmjet një vendimi të Parlamentit të Greqisë. Më pas me shumë hile e mungesë sinqeriteti  lëshohen nja dy fraza se : po ashtu ”është rënë dakort edhe për ngritjen e varrezave të reja  të ushtarakëve grek të  rënë në teritorin shqiptar në Luftën e Dytë Botërore(LBD), sic ka qenë dakort edhe Qeveria e mëparshme, (pra qeveria e PD-së). Tek kjo fraza e fundit  fshihet gjithë llumi  e ndotësi  e marrëzisë së re  politike.

Që ligji i luftës i Greqisë me  Shqipërinë duhet të hiqet, kjo ishte dhe është një domosdoshmëri midis dy vendeve normale, demokratike e  fqinje  dhe  aq më tepër midis dy antarve të NATO-s, sepse mbajtja më tej e tij është një turp për Greqinë dhe jo për Shqipërinë. Por puna e varrezave greke ne teritorin shqiptar është një maskaradë e re politike  që dëmton rëndë interesat e sigurisë tonë kombëtare sot e në të ardhmen, duke bërë tramkë  të turpshme varrezash e ligje lufte.

Federata  Panshqiptare e Amerikës Vatra ( përfshi dhe mua  personalisht), edhe më para ka folur hapur e me shume forcë kundër këtij fenomeni, duke e konsideruar atë  anti kombëtar. Madje i është  drejtuar me  një ftesë të  hapur publike edhe ish Presidentit Topi që të mos e dekretojë se (në gjykimin e Vatrës), kjo është tradhëti e re  kombëtare.

Tani, ky problem ka eskaluar  shumë , është “maisur”, është bërë i rrezikshëm  dhe  është koha t’ju  thuhet hapur  e  pa as më të voglin  ekuivok  grekëve se : Shqipëria nuk ka asnjë përgjegjësi  për sulmin që Italia fashiste i  bëri Greqisë  nga teritori shqiptar në kohën e LDB-së. Sepse  sic dihet botërisht , Shqipëria ishte e pushtuar para Greqisë, pra nuk ishte  një vend i lirë që mund te merrte vendime të lira. Por vendimet i merrte Jakomoni- mëkëmbësi i Mbretit të Italisë  (pra pushtuesi Italian). Ne e respektojmë luftën vetmbrojtëse të Greqisë kundër pushtuesve italianë dhe shprehim respekt për të rënët e saj në LDB brenda kufijve territorial të Greqisë. Por për të rënët grek  brenda kufinjeve të Shqipërisë, problemi  është shumë  më kompleks. Në se ju grekët keni  respekt për to , varrezat e tyre duhet ti trasferoni  në Greqi në mënyrë që të afërmit të kenë mundësi që t’ju shprehin atyre nderimet  e duhura dhe jo të ngreni komplekse memoriale  në teritorin e Republikës së Shqipërisë.

Edhe varrezat e mëparëshme ( vecanërisht në Kosinë të Përmetit ), kanë ngjallur shqetësime të medha publike në Shqipëri ,se me to është abuzuar deri në ekstrem. Kujtoj këtu deklaratën e mjekut të nderuar Dr.Meksi, i cili gjatë ekzaminimit të eshtrave të varrezave të sipërpërmendura , konstatoi se jo vetëm ishin grumbulluar eshtra të të afërmve të  disa familjarëve përmetar, por, në ato të ashtuquajturave “ushtarë grek”, kishte eshtra plakash(femrash), një fëmije femër gjashtë vjecare, madje edhe eshtra kafshësh.  Pra t’ju thush grekëve sot, hajdeni e ngrini edhe ca varreza të reja në teritorin e Shqipërisë është, marrëzi e re politike me kosto të madhe  për të ardhmen.

Edi Rama, me” delirin e tij prej  gjoja lidershipi ndryshe nga të tjerët” dhe me  idenë se do të ndjellte pas qerres se tij politike një pjesë të të përndjekurve politik të regjimit komunist, sajoi një  “bunker” sipërfaqsor  pranë Ministrisë së Brendëshme në qendër të Tiranës . Ai  e  quajti atë veper arti kushtuar anti komunistëve, por që  në të vërtetë  jo vetëm që nuk ishte vepër arti për këtë shtresë të shoqërisë, por një tallje e radhës me to. Ka plot vende që me të vërtetë e meritojnë të kthehen në vepra arti dhe muze kombëtar për të përndjekurit politik si: Spaci, Qafbari, Kampi i Tepelenës, Porto-Palermos etj, për të cilat nuk është  bërë asgjë.

Por nuk mjaftuan këto, se” i nderuari  Kryeministër”, u tallë  publikisht dhe shpalli , ish Vend-Komandën e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare (në veri të Qytetit të Tiranës- afër  Shtisht-Tufinës), “bunker art”, vend peleglinazhi për vizitorë shqiptar e të huaj. Kjo Vend-Komandë nuk ishte e diktatorit Enver Hoxha, sic u reklamu (se diktatori ka shkelur në atë hapsirë vetëm një herë në jetën e tij  për 15-20 minuta), por ajo ishte një objekt me  vlera të pazëvëndësueshme për Ushtrinë Shqiptare në rast lufte dhe specifikisht në rast të përdorimit të armëve të dëmtimit në masë(ADM).

Tani kam rastin ta pyes publikisht të nderuarin Kryeministër Rama se :Kur ndodhi sulmi terrorist mbi SHBA  më 11 Shtator  2001 mbi (Pentagon, gradacelat e NY, e Pensilvani) a e dini se ku e strehu personeli i Shtëpisë Bardhë (Zëvëndës Presidenti e personeli  tjetër madhor) se Presidenti  ishte jashtë Uashington DC me shërbim?  Ju a them unë: në tunelin (ose sic mund ti thoni Ju bunkerin) kundër berthamor, si ai i Shtabit Përgjithshëm Shqiptar që ju u tallët me të. Po në rast sulmi bërthamor nga i cmenduri i Koresë së Veriut ? Ju a them une : në tunelin kundër bërthamor, pa as  më të voglin dyshim. Po a e dini i nderuar Kryeministër se i gjithë Kremlini (kryeqendra e Rusisë), është i fortifikuar me strehime kundër bërthamore të nëndheshme dhe i lidhur po  me rrugë të nëndheshmë kundër bërthamore  me objektet strategjike  rreth tij?  A e din se objektet themelore të qendrës së Pekinit në Kinë (Komitetit Qendror i PKK-së, Parlamenti, Ministritë e institucionet kryesore), kanë strehime kundër bërthamore nën objekt dhe dytësore të gjitha kundër bërthamore si ai shqiptar me të cilin u tallët Ju? A e dini i  nderuar se të tilla objekte kanë edhe UK-ja, Franca, Gjermania, Italia, Suedia, Norvegjia… etj etj.

More i nderuar  kryeministër avanturier (e ke pak nofkën avanturier) ,a i ke “ti Edi Rama” në dorë kodet dhe celsat e ADM-ve të  të gjithë  botës? A mendon ti se bota pa urdhërin tënd nuk ka për ti përdorur ADM-të?  A mendon ti se rreziku i ADM-ve është zhdukur (përfshi dhe terrorizmin)?  Në se mendon se këto pyetje dhe shumë të tjera si këto janë inekzistente, atëherë unë si qytetar shqiptar, si  ish specialist dhe drejtues i fushës së ADM-ve, si  ish ushtarak i lartë i Ushtrisë Shqiptare më e pakta gjë që mund të të them është:” je i cmendur”. Veprimet tuaja po i shtojnë popullit shqiptar  marrëzi pas marrëzie.

Duke e parandjerë se një marrëzi e re shqiptare do të ndodhte në selinë e OKB-së në NY, më 21 Dhjetor 2017, para disa ditësh pata publikuar në shtyp një shkrim me titull:”Deklarata e Presidentit Trump për Jeruzalemin” ku ndër të tjera theksoja (citoj):“Po shqiptarët në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi, si ta  vlerësojnë  deklaratën e Presidentit Trump, në një kohë që kerkojnë ti bashkangjiten BE-së dhe kjo e fundit nuk e mbështet atë. Mendoj se nuk duhet të ketë asnjë dyshim për rrugën dhe qëndrimin  pro amerikan. BE-ja ka punët e veta dhe vështirësitë e panumërta, sic shpesh është e pa zonja të marrë vendime të shpejta, të drejta e të bashkrenduara me të gjithë partnerët. Por BE-ja është hapsira të së cilës i përkasim, gjeografikisht, politikisht, kulturalisht etj, pra është shtëpia jonë natyrale”.

Tani që kjo ndodhi ,dhe Shqipëria votoi kundër SHBA-së, mikut tonë më të madh dhe kontribuesit më të madh për ruajtjen e integritetit territorial shqiptar në Lidhjen e Kombeve dhe në realizimin e pavarsisë së Kosovës, mund të them se është marrëzia e radhës e Edi Ramës.

Pa e zgjatur  më, do të theksoj edhe një marrëzi  të fundit.  Ramiz Alija dhe Nexhmije Hoxha, u përpoqën për shumë kohë  që ta nxirrnin të larë e të pa përlyer në asnjë gjë të keqe diktatorin Enver Hoxha  për gjithë kohën e sundimit të tij. Megjithëse  ai  sundoi  me dorë të hekurt e si  një diktator mizor , vrau, preu e shtypi popullin shqiptar pa as më të voglën mëshirë, Ramizi e Nexhmija  ja faturuan kriminalitetitn e tij , të tjerëve (grupeve armiqësore). Por kjo nuk qe e mjaftueshme për ta mbrojtur atë dhe  Nexhmija u distancu nga Ramizi duke thënë se edhe ai e njollosi qëllimisht  figurën e Enver Hoxhës, dhe se Enveri ishte krejt i pastër. Tani kohët e fundit del i biri i diktatorit (Sokoli me të shoqen Liliana), të cilët thonë se fajtoret kryesor  janë Nexhmije Hoxha e Ramiz Alija (madje sipas tyre të dy këta kanë qenë pjesë e agjenturës jugosllave që në kohën e LDB-së). Pra  arma e fundit e përdorur për mbajtjen gjallë të ndonjë gjëje nga Enver Hoxha ,është edhe sakrifikimi i Nënës (vjehrrës) tyre Nexhmije Hoxha. Këto lloje përpjekjesh unë i quaj shkurt –marrëzi, megjithëse nuk shoh asnjë politikan që ti kundërvihet kësaj prirje mediatike të kohëve të fundit.

Shpresoj e dëshiroj që marrëzitë e politikës shqiptare të ndalohen këtu, megjithëse ajo (politika) është inkubator ose edhe mitër e marrëzive.

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan Bushati, MARRZITË POLITIKE, NË SHQIPËRI VAZHDOJNË

Kantautori Vlashent Sata shkëlqen në Nju Jork

December 22, 2017 by dgreca

1 ok VlashentMbrëmjen e së Enjtes të 20 Dhjetorit 2017, në Scandinavia House – Park Avenue, Manhattan, koncerti i kantautorit, pedagogut në Paris, Vlashent Sata, ka arritur të bëjë për vete shqiptaro-amerikanët.Një koncert i shkëlqyer, kur artisti shqiptar me performancë pariziene, nga minuta e parë ka qenë në rezonancë me sallën e mbushur plot dhe ka lënë “peng” shpirtin e tij për spektatorin e përzgjedhur me ftesa nga konsullata e Kosovës në Nju Jork dhe me kontribut nga Studio e Fadil Berishës.1 ok Teuta

Mbrëmjen koncertale e ka celë konsullja e përgjithshme e Republikës së Kosovës në Nju Jork, zonja Teuta Sahatciu.

1 agimiKantautori pas një vetëprezantimi origjinal,ia ka nisë koncertit me këngën “Këmbëzbathur”, duke udhëhequr orkestrën unike(që ishte nga kënga e pare deri tek fundit tepër e unifikuar) fillimisht duke luajtur në kitarë e më pas në piano.Koncerti rrjedh ëmbël në shtratin që nga “Këmbzbathur”, “Celesh”, “E di unë”, “Djemtë e Balonave”, “Lule-Lule”,” Bab”, “Kasollja”, “Në Botën Tonë”, “Embël”, “Hana”, deri tek kënga e fundit”Erdhi dita”.

Gjatë të gjithë koncertit Vlashenti komunikon me sallën jo vetëm me këngën por edhe me rrëfimet e tij emocionuse rreth jetës dhe karrierës së tij.

Edhe në bisedën që zhvilloi në fund të koncertit me TV Kultura Shqiptare dhe Gazetën Dielli, kantautori, u shpreh se ndjehej I lumtur, që bashëkatdhetarët e tij e kishin duartrokitur nxehtësisht.

Vlashent Sata ka nisë të fluturojë në krahët e muzikës që në moshën 5 vjecare, tek lunate në piano dhe e regjistronte i ati… Edhe pse është larguar nga Shqipëria sapo kishte përfunduar Liceun Artistik, ai nuk I ka munguar spektatorit shqiptar në Tiranë e Prishtinë. Pas përfundimit të Liceut ai studio për piano në Francë me mjeshtra francezë si Romano Pallottini e Denis Pascal.

Ai ka rrëfyer se vjen nga një familje artistësh: I ati I tij, Loro Sata,që është mentari dhe udhëheqësi I tij në botën e magjishme të muzikës,këngëtar lirik, ka qenë nxënës i Lukë Kaçajt, një nga basët më të mëdhenj që ka njohur konservatori i Moskës në vitin ‘68. Motra e Vlashentit Mariena, është violinë e parë në orkestrën simfonike të Bilbaos në Spanjë, ndërsa motra tjetër Reksi ka mbaruar për violonçel dhe kanto klasike dhe ka qenë pjesë e Operës së Liezhit, në Belgjikë.

Formatin e lartë muzikor dhe talentin Vlashenti e shpalosi gjatë koncertit e mbrëmjes magjike në Scandinavia House – Park Avenue, Manhattan.

Koncertin e ndoqi dhe kryetari I Vatrës, Dritan Mishto, zv. Kryetari Agim Rexhaj me zonjën Laura, anëtarët e kryesisë Zef Balaj dhe Besim Malota, koordinatori I medias Dritan Haxhia e të tjerë.(dalip Greca)

Filed Under: Featured Tagged With: koncert, Konsullata e Kosoves, Vlashent Sata

Presidenti Meta: Vota kundër në OKB nuk pasqyron qëndrimin shtetëror

December 22, 2017 by dgreca

1 Meta Betohet

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës komenton votën e djeshme të Shqipërisë në OKB/

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, zoti Tedi Blushi, i pyetur mbi votën e djeshme të Shqipërisë kundër SHBA-së pohoi se:Presidenti i Republikës nuk është konsultuar dhe informuar paraprakisht lidhur me qëndrimin që do të mbahej ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme, jo vetëm për politikën e jashtme të Shqipërisë, por për mbarë kombin shqiptar.

Presidenti vlerëson se ky qëndrim dhe kjo votë kundër, tërësisht e panevojshme, nuk pasqyron një qëndrim shtetëror dhe aq më tepër një qëndrim e konsensus mbarëkombëtar.

Presidenti thekson se nuk duhet të harrojmë se SHBA mbetet aleati dhe partneri më i rëndësishëm strategjik, ndaj qëndrime e vendime të tilla duhet të jenë të mirë koordinuara.

Populli dhe kombi shqiptar nuk e harrojnë kurrë dhe i janë mirënjohës vendimeve historike të SHBA-së lidhur me ekzistencën jetike të kombit dhe të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë dhe të Kosovës.

 

Filed Under: Politike Tagged With: kundër qeverisë, per voten antiamerikane, Presidenti Ilir Meta

VATRA- VOTA ANTIAMERIKANE E QEVERISE SHQIPTARE NE OKB, KUNDER INTERESAVE TE KOMBIT SHQIPTAR

December 22, 2017 by dgreca

DEKLARATE E FEDERATES PANSHQIPTARE TE AMERIKES”VATRA”/

1-logo-vatra

Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA ka ndjekur me një interes të lartë cështjen e transferimit të ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Jeruzalem dhe ka mbështetur qëndrimin e Presidentit Trump pa asnjë rezervë.

Federata Vatra, mbështetësit dhe simpatizantët e saj në SHBA dhe mbarë botën janë ndjerë tejet të zhgënjyer nga votimi kundër i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për Rezolutën e paraqitur në OKB.

Kjo votë kundër SHBA e Kryeministrit Edi Rama është jo vetëm mosmirënjohje për gjithë mbështetjen amerikane ndaj Shqipërisë përgjatë shtetformimit, e deri më tash, si edhe për rolin vendimtar në krijimin dhe procesin e njohjes së Republikës së Kosovës, por është edhe një mesazh tejet i rrezikshëm për vazhdimësinë e marrëdhënieve mes SHBA dhe Shqipërisë. Votimi i Qeverisë Shqiptare kundër SHBA është akti i dytë publik i Kryeministrit Edi Rama, pas deklarimit të tij të mëparshëm se zgjedhja e Trumpit President të SHBA “Zoti na ndjeftë, do të dëmtonte botën demokratike”.

Parë në zhvillimet më të fundit të diplomacisë amerikane, sa i përket anëtarësimit të Kosovës në OKB, vota e Qeverisë Shqiptare kundër Shteteve të Bashkuara konsiderohet nga Federata Vatra  si një Akt Antikombëtar.

Duke përfituar nga ky moment krycial i diplomacisë botërore, VATRA shpreh publikisht  mbështetjen më të thellë për Presidentin Trump dhe përpjekjet e tij për të rritur autoritetin e SHBA në botë. Gjithashtu, Federata Panshqiptare Vatra vlerëson jashtëzakonisht prezantimin tejet professional dhe mbrojtjen dinjitoze të kësaj nisme në OKB nga Ambasadorja Nikki R. Haley.

Së fundi, Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, si organizatë shekullore dhe më e madhja e diasporës shqiptare rikonfirmon qëndrimin e saj të palëkundur në mbështetje të Presidentit Trump dhe dënon me ashpërsi sjelljen antikombëtare të Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama.

Vatra i bën thirrje ndërgjegjes shqiptare kudo në botë që në këto momente delikate të rrisë dashurinë dhe besimin tek SHBA, si vendi më mik i kombit tonë.

Federata Panshqiptare e Amerikës Vatra po ndjek me vëmëndje situatën dhe do të paraqesë shqetësimin e saj në instancat më të lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

President

Dritan Mishto

Filed Under: Histori Tagged With: deklarate, dritan Mishto, qendrimi antiamerikan i qeverise shqiptare, Vatra

Lotët e asaj vajze

December 21, 2017 by dgreca

1-reshat-kripa

Reshat Kripa*/Vjeshtë 1992. Në një nga ditët e  asaj  vjeshte, nga Ministria e Arsimit,  erdhën disa kërkesa për të drejta studimi për në arsimin e lartë, për të përndjekurit politikë.  Duhej të zgjidheshin personat që do të vazhdonin studimet. U mblodhën kërkesat dhe kryesia e shoqatës së të përndjekurve politikë filloi diskutimin për të caktuar kush do të përfitonte dhe në cilin fakultet. Pasi kishin diskutuar disa nga anëtarët e kryesisë, u ngrit Fatosi:

– Gjithmonë kam patur një ëndërr. Desha të studioja. Desha të bëhesha dikush. Por regjimi nuk më lejoi. Tani jam në moshë të thyer. Megjithatë këtë dëshirë vazhdoj ta kem dhe më duket se sot ka ardhur dita që ta realizojë. Ndaj ju drejtohem juve, të dashur miq, po e  patë  të  arsyeshme,  më   jepni  njërën  nga  të drejtat e studimit.

Asnjë nuk foli. Për disa minuta mbretëroi heshtja. Së fundi u ngrit  Visari:

– Unë jam dakord dhe kam besim të plotë se  do  të  na  nderojë.

Nuk   kundërshtuan.  Miratuan   listën  e  emrave fitues   dhe   ngarkuan   Fatosin,  si  sekretar,  që  të  bënte shkresën përkatëse.

Kaluan disa ditë. Ishte përpiluar  shkresa  dhe  po pritej që të vinte kryetari për ta nënshkruar. Fatosi qëndronte në zyrën e shoqatës dhe priste të  përndjekurit që kishin probleme.

Trokiti porta.

– Hyni! –  tha ai.

Në zyrë hyri një vajzë. Fatosit iu duk si  një  fytyrë e njohur por nuk i kujtohej se ku. I zgjati dorën, e ftoi të ulej dhe i tha:

– Përse jeni munduar?

Vajza vuri buzën në gaz.

– Nuk po më njihni?

Fatosi qëndroi i habitur. Iu duk sikur  në  ato  çaste kujtesa i  kishte fluturuar. Ajo e kuptoi dhe foli:

– Jam Sandra Mino.

– Sandra? Vajza e mikut tim?

U ngrit, e përqafoi fort dhe e puthi në ballë.

– Xhaxhai si është? –  pyeti.

– Xhaxhai nuk jeton më, – u përgjigj ajo. – Ka disa vjet që i ka mbyllur sytë.

Për një çast Fatosi e ndjeu veten  ngushtë. I erdhi shumë keq që nuk  e  kishte  marrë vesh këtë lajm më parë.

– Përse je munduar, moj bijë? – e pyeti.

– Kam  dëgjuar  se  ju  kanë ardhur disa  të  drejta studimi. A e mbani  mend  se ç’më  thatë  ditën  e  fundit kur u takuam para disa  viteve? Mendova  se  erdhi  dita  e plotësimit të ëndrrës sime.

Fatosi mbeti keq. Listat ishin përfunduar dhe  bërë gati për t’u nënshkruar. Si t’ia bënte? A mund të hiqte ndonjë dhe të shkruante emrin e saj? Nuk e kishte atë të drejtë.

– Po   je   kujtuar    vonë,   moj   vajzë  –   i   tha.  –  Tashmë listat janë miratuar.

– Tani e  mora  vesh  –  tha  ajo  dhe  nga  sytë  i  rrodhën  disa  pika  lot.  

Fatosit  iu  kujtua  ngjarja  e  disa viteve më parë, kur nga sytë  e  saj  kishte  parë  të  rridhnin të njëjtët  lot si sot.

Atë   mëngjes   ishte    ngritur    herët.  Duhej   të  kapte trenin e orës 6.oo. I ishte bërë zakon që kur kishte ndërmend të udhëtonte të ngrihej disa orë para kohës së caktuar. Duhej të shkonte në Tiranë. Vëllai i tij, Kreshniku, ishte shtruar në spital dhe i duhej të  interesohej për të. Në pasdite duhej të kthehej përsëri se të nesërmen detyrimisht duhej të paraqitej në punë.

Mbërriti në stacion dhe shkoi te biletaria. Një radhë e gjatë ishte para sportelit. Ishte e diel dhe njerëzia kërkonin t’i zgjidhnin problemet e tyre në të vetmen ditë pushimi. Në radhë pa Astritin, një shokun  e  tij. I dha lekët dhe ai i preu biletën.

– Eja, –  tha Astriti  pasi  doli  nga  radha. –  Kam dërguar gruan dhe djalin të zenë vendet.

– Ku do të shkoni? – e pyeti Fatosi.

– Në Fier.

Hipën në tren dhe filluan të kërkojnë vagon më vagon, ku ishin gruaja dhe djali i tij. Së fundi i gjetën. Astriti u ul në vendin që i kishin ruajtur ato. Vendet e tjera ishin të zëna. Madje kishte edhe një shumicë njerëzish që qëndronin në këmbë.  I vetmi mjet për trasportin e udhëtarëve ishte i tejmbushur.

Ndërkaq sirena oshëtiu dhe treni u nis duke rrëkëllitur rrotat sipas ritmit.

– Ku   shkoni? –  i   tha  një  burrë  që  qëndronte pranë tij.

– Në Tiranë, – iu përgjigj.

– E paskemi rrugën bashkë, – vazhdoi – por, si duken bathët, do ta bëjmë të gjithë më këmbë.

– Mos  u   merakos,  –   iu  përgjigj  Fatosi  –  Në Fier  do të zbresë ky miku  im  me  gjithë

familjen  dhe   ulemi   në  vendet e tyre.

– Po ti rrofsh se më hoqe sikletin! – tha me një zë që shprehte kënaqësi i  panjohuri. – Nuk kam hallin tim, por të kësaj kërthisë që kam me vete.

Fatosi hodhi vështrimin nga drejtimi  që  tregoi  ai  dhe dalloi një vajzë që nuk duhej të  ishte  më  shumë  se tetëmbëdhjetë vjeç. Ishte një bukuri e rrallë. Sytë e zezë, vetullat në formën e hënës së porsalindur, hunda  e  vogël dhe buzët e kuqe i jepnin një hijeshi të veçantë asaj fytyre.

Ndërkaq mbërritën në Fier. Astriti zbriti dhe ata u ulën. Fatosi në një anë dhe i panjohuri përballë tij, së bashku me vajzën.

– Vajza jote? – e pyeti.

– Jo, mbesa, – u përgjigj dhe me një zë të ulët, që të mos e dëgjonte ajo, vazhdoi – Është jetime. Dy muaj më parë i vdiq i ati, vëllai im.  Tani kujdesem unë për të.

I panjohuri ishte nga ata tipa që zinin miqësi menjëherë.

– Do të shkojë në Tiranë të interesohem për t’i nxjerrë të drejtën e studimit për shkollën e lartë.

– Nuk i paska  dalë?

– Jo

– Përse?  – e shtyu kureshtja Fatosin ta pyes.

I panjohuri hapi  çantën që mbante në duar  dhe  i tregoi  deftesën   e  pjekurisë. Fatosi  shtangu. Të  gjitha notat ishin dhjeta. Si kishte mundësi? Hodhi vështrimin nga vajza dhe pa sytë e saj  të bukur dhe iu duk sikur  prej tyre rridhnin dy pika lot. Mendoi se me siguri ajo duhej të kishte diçka në biografine e saj.

– Ngrihe  kokën,  vajzë! –  i   tha  për  ta  qetësuar.  –  Të  siguroj se së shpejti do të shkosh në universitet

Ajo  fshiu lotët dhe pëshpëriti:

– A thua?

Në ato dy fjalë Fatosi dalloi dëshirën për të studiuar dhe për të dalë në jetë. Xhaxhai hodhi një vështrim dhe bëri një shenjë që ai nuk e mori vesh se ç’donte të thoshte. Nuk e zgjati më. Ktheu vështrimin nga dritarja dhe po shikonte drurët e pemëve që fluturonin në drejtim  të kundërt me lëvizjen e tij. Papritur pranë  veshit   dëgjoi  një zë që pëshpëriti:

– Eh, or mik! Nuk rri dot pa jua thënë dy fjalë.

Fatosi ktheu kokën dhe pa xhaxhanë që  ishte afruar pranë veshit të tij dhe pëshpëriste me zë të ultë që të mos e dëgjonin ata që ishin aty pranë.

– Kam  frikë! Kam  frikë  se  do  të  na  dalë  rruga bosh.

– Përse?

Nuk u përgjigj. Qëndroi disa minuta në heshtje, pastaj vazhdoi:

– Të dalë, ku të dalë. Do t’jua them.

– Si është puna? – pyeti Fatosi.

– Babai i saj dhe  vëllai  im  ka qenë në burg për politikë. U dënua me  njëzet vjet. Pasi  u lirua e martuam me një të rradhës së tij. U lindi kjo vajzë. Para dy muajsh tim vëlla e zuri sëmundja e keqe që e hoqi nga kjo jetë.

Fatosi u bë kureshtar të mësonte se në çfarë periudhe ishte burgosur i vëllai.

– Kur është burgosur?

– Në vitin 45.

– Si e quanin?

– Josif Mino

Fatosit i çeli fytyra. E kishte njohur. Fati e  kishte sjellë që të endeshin bashkë nga njëri kamp në tjetrin.  Ishte një intelektual i vërtetë, por edhe nje njeri i veçantë.  I  erdhi shumë keq kur mësoi se nuk jetonte më.  

– Ngushëllime! – i tha mikut.

Ktheu vështrimin nga vajza. Ajo ishte zhytur në leximin e një libri dhe nuk dëgjonte se ç’pëshpëritej rreth e rotull.

– Më vjen shumë keq, – vazhdoi –  e kam njohur. Kemi qenë së bashku.

– Ashtu?  Ma   ndolli   zemra!   –  klithi   ai   dhe  i  qeshi  fytyra. Pastaj vazhdoi:  –  Josifi ishte djali i madh i shtëpisë. Babai, bëri si bëri, dhe mundi të siguronte një shumë të hollash  dhe ta dërgonte për studime në Romë. E  mbaroi   me   rezultate   të   shkëlqyera.   Sandra,    kështu

quhet vajza, atij i ka ngjarë.

– Ku do të shkoni?

– Kam një kushëri në Ministrinë e Arsimit.  Nuk   e di   në  se  do  të  mbarojë  punë   por,  sidoqoftë,  do  e  hedh edhe këtë zar.

Fatosi hodhi vështrimin nga vajza dhe para syve i doli rinia e tij. Kishte mbaruar shkollën e mesme me rezultate të larta. Kishte bërë  kërkesë për vazhdimin e studimeve, por i ishte refuzuar.   Një   mik   i kishte  sugjeruar   të   shkonte  të  takonte Ministrin e Arsimit në Tiranë.

– Shpresoj të të ndihmojë, – i  kishte  thënë  miku. –  E  kemi patriot. Ai e njeh familjen tënde.

Kishte shkuar. Ministri  nuk  ndodhej në Tiranë. E kishte  pritur zëvendësi i tij. I kishte  treguar  gjithçka, edhe  për  burgun  që   kishte  bërë. Së fundi,  i kishte treguar dëftesën e pjekurisë. Si e kishte vështruar  mirë  e mirë, zëvendësministri kishte thënë:

– Djalë i mirë, shko puno dhe jeto i qetë. Mos u mundo të kërkosh më tepër.

Ato fjalë i kishin dhënë të kuptonte se rrugët  për të vazhduar më tej ishin të mbyllura.

Këto gjëra mendonte duke vështruar vajzën me dy pika lot në sy. Në ndërgjegjen e tij ndiente se edhe ajo do të merrte të njëjtën përgjigje. Ishte koha e zhgënjimeve të mëdha, e ëndrrave të parealizuara, ëndrrave të kyçura.

Ndërkohë u ndie një zë  nga qendra e zërit të trenit:

– Po mbërrijmë në stacionin e Tiranës. Ju  lutemi pasagjerëve të mos harrojnë plaçkat.

U ngritën dhe dolën. Udhëtuan një copë rrugë së bashku, pastaj u ndanë, ata për te kushëriri i tyre, ndërsa ai  për në spital.

Pas    ndonjë    muaji    Fatosi     e    takoi    vajzën rastësisht.

– Fillove? –  e pyeti me kureshtje.

– Jo, – u përgjigj ajo me një zë të dridhur dhe lotët i rrodhën përsëri nga sytë.

– Mos u mërzit, – i tha ai për ta qetësuar, –  je  e  re dhe do të vijë dita që të plotësosh ëndrrën tënde.

U ndanë. Ajo iku  me  kokën  e  ulur  dhe  atij  i dukej sikur vazhdonte të lotonte.

Pikërisht këta lot iu kujtuan në ato çaste. Iu duk sikur vajza vazhdonte të jetonte atë kohë të zymtë.

E mblodhi veten. U mendua një çast dhe më në fund vendosi. E kishte një mundësi për ta ndihmuar atë vajzë. Dhe ajo mundësi ishte ai vetë. Ajo do të zinte vendin e tij në listë. Ishte e re, plot energji, ndërsa ai pothuajse në fund të rrugës së tij. Si mund të dilte para saj?

– Leri lotët, – i tha. – Ti do të jesh në krye të listës

– Vërtetë? – thirri ajo pa arritur të  kuptojë se çfarë kishte ndodhur.

– Mos pyet më tepër. Mëso që të shkëlqesh si në gjimnaz dhe të bëhesh e vlefshme për këtë vend. Atdheu ka nevojë  për  njerëz  si ti.

U ngrit dhe e përqafoi. Lotët vazhdonin të mbulonin fytyrën e saj. Por këtë herë ishin lot gëzimi.

*Fragment nga romani “Në kërkim të lirisë”

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Lotët e asaj vajze, reshat kripa

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1625
  • 1626
  • 1627
  • 1628
  • 1629
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT