-Presidenti Thaçi: Komisioni për të Vërtetën dhe Pajtimin, që të mbyllim kapitullin e luftës dhe të hapin atë të paqes për gjeneratat që do të vijnë. Në thelb të punës së Komisionit do të jenë viktimat e luftës, njohja e vuajtjes së tyre/

PRISHTINË, 13 Dhjetor 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka themeluar Ekipin Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin. Këtë ekip të prezantuar sot, presidenti Thaçi e ka cilësuar si hap të parë konkret drejt konkretizimit të kësaj iniciative të rëndësishme për shoqërinë dhe të ardhmen tonë.“Ndër iniciativat e para që kam ndërmarr si President i Republikës së Kosovës, ka qenë edhe iniciativa për themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin. E kuptoj qartë se është një iniciativë që ka zgjuar reagime të shumta. I kemi pritur këto. Por, nuk e kemi pritur që kjo iniciativë do të marrë aq shumë përkrahje nga pjesa dërrmuese e shoqërisë dhe institucioneve kosovare. Kjo na ka inkurajuar, por edhe na ka obliguar që të lëvizim me hapa të kujdesshëm dhe të sigurt”, ka thënë ai.
Presidenti Thaçi është shprehur se ndonëse kanë kaluar gati dy dekada që nga përfundimi i luftës dhe më nuk shihen nëpër rrugë gjurmët e konfliktit, megjithatë ende kanë mbetur plagë në zemrat e viktimave.“Këto shpesh bëhen pengesë për të ardhmen e vendit tonë, prandaj kam iniciuar themelimin e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, që të mbyllim kapitullin e luftës dhe të hapin atë të paqes për gjeneratat që do të vijnë. Në thelb të punës së Komisionit do të jenë viktimat e luftës, njohja e vuajtjes së tyre”, ka thënë ai.Kreu i shtetit i ka falënderuar veçanërisht përfaqësuesit e shoqatave të familjeve të të pagjeturve.“Me punën e tyre, me bashkëpunimin në mes tyre, me përkushtimin që të mos lejojnë që të përsëriten më dhimbjet e luftës, ata janë bërë inspirim për të gjithë ne. Inspirim janë edhe të gjitha viktimat që kanë gjetur forcë që të tregojnë për vuajtjet e tyre, por edhe të shikojnë përtej dhimbjes së tyre, drejt të ardhmes. Ajo që synojmë me Komisionin është të ndërtojmë një narrativ të unifikuar për të kaluarën tonë. Të pajtohemi për të kaluarën, e jo të luftojmë për të kaluarën.Kështu do të pajtohemi edhe për të ardhmen”, ka thënë presidenti Thaçi.
Duke falënderuar pjesëtarët e Ekipit Përgatitor që kanë shprehur gatishmërinë të jenë pjesë e kësaj iniciative fisnike, serioze dhe jo të lehtë, presidenti ka thënë se mirëpret angazhimin dhe rezultatet e punës së tyre.Ekipi Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin do të përbëhet nga 9 anëtarë, ku 2 përfaqësues do të jenë nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës, 1 përfaqësues nga Qeveria e Republikës së Kosovës, 1 përfaqësues nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe 5 anëtarë nga shoqëria civile. Ky ekip do të përkrahet edhe nga ekspertë ndërkombëtarë, që do të angazhohen nga OSBE-ja, Ambasada e Zvicrës dhe Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Detyrë e Ekipit Përgatitor është që brenda një viti të përgatisë infrastrukturën teknike e ligjore për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin, që pritet ta themelojë presidenti Thaçi.
DEKLARATË E KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS RAMUSH HARADINAJ: PAJTIMI ËSHTË VLERA MË E LARTË NJERËZORE
Ideja dhe vendimi i Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, për themelimin e Ekipit Përgatitor për Komisionin për të Vërtetën dhe Pajtimin është hapi i parë drejt zbardhjes të së vërtetës, që është po ashtu një hap përpara drejt pajtimit që mundëson të ecim përpara, për hir të brezave të tashëm dhe të ardhshëm.Së këndejmi, kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, e mbështetë pa hezitim themelimin e një institucioni të tillë, i cili do të shquajë sensin e drejtësisë për viktimat dhe njëherësh të vlejë si udhëzues se si të mbrohet shoqëria nga mbjellja e urrejtjes që shpie rëndom në konflikte të hapura dhe fatkeqe për jetët e shumë njerëzve të pafajshëm.
Pajtimi është vlera më e lartë njerëzore dhe virtyt i të gjithë atyre që plagët nuk i kanë mbyllur përgjithmonë.Sado i vështirë dhe i rëndë, pajtimi është hapi i duhur përpara që i hapë rrugën të tashmes për ta ndryshuar të nesërmen.
Më këtë rast kryeministri Haradinaj zotohet se do ta ndihmojë Komisionin që do të themelohet nga Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, me të gjitha kapacitetet qeverisëse./b.j/


Skënder Karaçica/Çikago/




Qendra PEN e Shqipërisë, qendër e PEN International në Tiranë, zhvilloi në Bibliotekën e Librit Akademik, ceremoninë e Çmimeve PEN Albania për letërsinë, përkthimin dhe studimet Albanologjike. PEN International, Organizata ndërkombëtare e shkrimtarëve , me seli në Londër e themeluar në vitin 1921 nga autoritetet e letërsisë botërore ushtron veprimtarinë e saj bazuar në parimet dhe Kartën e PEN International. Kjo organizatë e cila promovon letërsinë dhe garanton të drejtën e lirisë së shprehjes ka status bashkëpunimi dhe konsultativ me OKB, UNESCO, Amnesty International, dhe të tjera organizata ndërkombëtare për kulturën. Aktiviteti i përvitshëm I Qendrës PEN të Shqipërisë është pikërisht edhe ceremonia e Çmimeve PEN Albania për letërsinë. Laureatët e PEN Albania 2017 u shpallën : Ylljet Aliçka : Shkrimtari shqiptar i vitit 2017, Ilirian Zhupa – Poeti shqiptar i vitit 2017, Romeo Çollaku – përkthyes i vitit 2017. Prof. Dr. Fatmir Sulejmani nga Universiteti Shtetëror i Tetovës u shpall laureat i çmimit PEN Albania 2017, në fushën e studimeve Albanologjike. Qendra PEN e Shqipërisë si çdo vit shpalli autorin e ri të vitit 2017, poetin dhe eseistin Akri Çipa, I cili është aktualisht me studime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. PEN Albania gjithashtu ndau titujt honorifike për kontribute të çmuara në kulturën kombëtare dhe promovimin e urave kulturore pavarësisht kufijve etnikë, politikë, dhe gjuhësorë. Me titullin e lartë të Mirënjohjes për kontribute të çmuara në kulturën kombëtare u vlerësua Z. Zef Mark Zeka, studiues, i cili ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm për shpëtimin e Kambanës së Kishës së Pogut, e cila sot ndodhet në Muzeun Dioqezan të Shkodrës. Mirënjohja u takon atyre burrave të malësisë së Dukagjinit të cilët mundën ta shpëtojnë këtë dëshmi autentike të kulturës së Shqipërisë mesjetare nga shkatërrimi – u shpreh studiuesi Zef Mark Zeka gjatë ceremonisë së PEN Albania. Me titullin e lartë të Mirenjohjes për kontribute të çmuara në kulturën kombëtare dhe promovimin e gjuhës shqipe në hapësirat mbarëshqiptare dhe diasporë u vlerësua Z. Ali Daci, intelektual, krijues, veprimtar politik dhe aktualisht kryetar i Lidhjes Demokratike në Malin e Zi. Z. Ali Daci u shpreh se ky është vlerësimi më i lartë që i bëhet nga Shqipëria, vendi me të cilin e lidh identiteti nacional. Titullin e mirënjohjes për promovimin e urave të kulturës në botë përmes letërsisë Qendra PEN e Shqipërisë ia akordoi shkrimtarit Safet Vrbički Hadrović, dhe po ashtu u promovua vepra e tij letrare ‘ Viktima’ për të cilën referuan Dr. Sadik Bejko, si dhe Smajl Smaka përkthyes i autorit në gjuhën shqipe. Shkrimtari Safet Vrbički Hadrović në fjalën e tij të rastit theksoi rëndësinë e komunikimit përmes letërsisë. Ai u shpreh se ky do të mbetet në kujtesën e shkrimtarit si një prej ditëve më të rëndësishme. Qëllimi i PEN është promovimi i letërsisë dhe garantimi i të drejtave gjuhësore por edhe i lirisë së shprehjes. Letërsia është atdheu universal i njerëzimit, është përmasë dhe dimension lirie , u shpreh presidentja e Qendrës PEN Albania znj. Entela Kasi. Në këtë ceremoni u anëtarësuan edhe autorët e rinj, e po ashtu u zgjerua bordi i Qendrës PEN. Aktivitetin e përshëndeti deputetja e Kuvendit të Shqipërisë Znj. Kejdi Mehmetaj e cila theksoi rëndësinë e investimeve për kulturën. Shkrimtarja Flutura Açka, drejtuese e komitetit të shkrimtareve femra në PEN Albania, theksoi faktin se kultura dhe letërsia kanë nevojë për mbështetjen e institucioneve të shtetit. Ceremoninë e çmimeve PEN Albania e drejtuan Dr. Sadik Bejko, I cili bëri një paraqitje të aktiviteteve të PEN në Shqipëri dhe botë, Çerçiz Loloci, Kryetar I Bordit të PEN Albania, i cili theksoi motivacionet për laureatët, dhe Z. Dorian Koçi, Drejtore I Muzeut Historik Kombëtar, njëkohësisht anëtar i Bordit Drejtues të Qendrës PEN të Shqipërisë. Këtë aktivitet e përshëndeti z. Flamur Shala, Dekani i Fakultetit Filologjik, të Universitetit Shtetëror ‘ Ukshin Hoti’ , Prizren. Laureatët e Çmimeve PEN Albania 2017 për letërsinë falenderuan PEN Albania, për vleresimin ndaj veprës letrare dhe theksuan rëndësinë dhe rolin e PEN Qendrës së Shqipërisë dhe PEN International për ndërtimin e urave të komunikimit dhe dialogut brenda vendit dhe promovimin e letërsisë shqipe në arenën ndërkombëtare. Shkrimtari Ismail Kadare është President Nderi i Qendrës PEN të Shqipërisë. PEN International në arenën ndërkombëtare aktualisht drejtohet nga autoritetet e letërsisë botërore midis të cilëve janë shkrimtarët e Çmimit prestigjioz Nobel në fushën e letërsisë dhe Çmimit Nobel për Paqe. Entela Kasi Presidente e Qendrës PEN të Shqipërisë Tiranë , 13. 12. 2017