• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Natyrshëm

March 9, 2021 by dgreca

Nga Astrit Lulushi/ Feja është i lashtë. Shkenca është e re. Njerëzit që besojnë vazhdojnë të besojnë. Shkenca i ndryshon vazhdimisht vlerat e veta. Gjithashtu, njerëzit kërkojnë të vërtetën më të thellë për të mbushur boshllëqet e lëna nga shkenca. 600 vjet më parë të gjithë ishin të sigurt se bota ishte e sheshtë dhe se shushunjat ishin forma më e mirë mjekimi. 50 vjet më parë, kishte shkencëtarë që thonin se sot të gjithë do të fluturonim me makina, dhe parashikonin se në të gjithë botën nuk do të kishte nevojë për më shumë se 4 kompjuterë. Edhe sot shkencëtarët nuk mund të kuptojnë se si funksionon graviteti ose si disa peshq mund të migrojnë mijëra kilometra për t’u kthyer përsëri në vendin e saktë ku kanë lindur. E njëjta shkencë që hodhi poshtë Adamin dhe Evën si përrallë të largët, na dha teorinë Bing Bang të krijimit, apo të efektit të pavarur, ose të pasojës pa shkak.
Shkenca është e re. Feja është traditë. E reja, në sulm. Tradita është në mbrojtje.  Kahjet nuk mund të jenë ndryshe, pasi do të kundërshtonin vetë natyrën e tyre. Ka shembuj të panumërt të shkencëtarëve të shquar, të kaluar dhe të tanishëm, që besojnë në Zot.
Bertrand Russell, matematikan dhe filozof i famshëm britanik, nuk besonte në Zot. Një herë u pyet nga një grua – “Z. Russell, ju nuk besoni në Zot, por çfarë do të bëni nëse, pasi të vdisni, papritur e gjeni veten para Zotit për gjykim?” Russell u përgjigj – “Në atë rast zonjë, unë do të jem i lumtur të ndryshoj mendim”.
Sondazhi i parë lidhur me besimin në Zot mes shkencëtarëve në Amerikë u krye më 1916, dhe krahasuar me rezultatet e një sondazhi të ngjashëm vitin e kaluar (2020) nga PEW, numri ishte njësoj: rreth 50 përqind e shkencëtarëve thanë se besojnë në Zot. Duket se 50 përqindshi tjetër pret ditën e gjykimit të fundit për të ndryshuar mendje. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Natyrshëm

Gëzuar prej Stone Castle me një dolli për të gjitha gratë!

March 8, 2021 by dgreca

       Gëzuar prej Stone Castle me një dolli për të gjitha gratë!/

Gëzuar prej Stone Castle, me një dolli për të gjitha gratë dhe të drejtat e barabarta!/*

Gazeta Dielli- Me datë 8 mars 2021, pranë verarisë Stone Castle në Rahovec është kremtuar Dita Ndërkombëtare e Gruas, nën moton “Në jetën e çdo gruaje, arrin momenti kur gjëja e vetme që ndihmon është një gotë e verës”. 

        Dita Ndërkombëtare e Gruas, përveç punonjësve të Kompanisë, i gjeti të mbledhura përreth gotës së verës edhe gra dinjitarë nga misione të ndryshme diplomatike dhe organizata ndërkombëtare në Kosovë, së bashku me përfaqësueset nga shoqëria civile. Në event ishte e pranishme edhe Zonja Atifete Jahjaga, Presidentja e katërt e Republikës së Kosovës. 

       Gjatë mbledhjes dhe drekës tradicionale, gratë diskutuan rreth temave dhe çështjeve të ndryshme që lidhen me pozitën e gruas, si nga këndvështrimi i punësimit, ashtu edhe për nga pozitat e punës, që në ditët e sotme për fat të keq në shoqërinë kosovare ende nuk gëzojnë nivelin e duhur.

       “Stone Castle”, e privatizuar në vitin 2006 nga ana e biznesmenit kosovar-amerikan z. Rrustem Gecaj, në ditët e sotme gëzon reputacion ndërkombëtar për shkak të investimit të madh në teknologji bashkëkohore të prodhimit dhe të cilësisë së padiskutueshme të produkteve. Përveç kësaj, njihet si kompani më e madhe prodhuese e produkteve alkoolike në Kosovë dhe botërisht është e njohur dhe e shpërblyer me çmime të ndryshme për cilësinë e verës. Ajo që e karakterizon dhe shquan është edhe punësimi i numrit të konsiderueshëm të grave në poste udhëheqëse dhe në administratë.

       Qëllimi i mbledhjes së sotme ishte që të dëshmohet se bota e verës, në çdo aspekt, i përket edhe gruas, duke filluar nga vjelja e rrushit e deri tek degustimi. Me urimin që ky lloj i mbledhjeve të shndërrohet në tradicionale, duke promovuar vlera, tradita dhe cilësi, do duhej të theksohet sa më shumë roli i gruas në promovimin e produkteve vendore.        

       Gëzuar prej Stone Castle, me një dolli për të gjitha gratë dhe të drejtat e barabarta!

*Per me shume informacione, intervista, histori, jete te komunitetit, ju mund ten a ndiqni ne gazeten Dielli online www.gazetadielli.com

Filed Under: Komunitet Tagged With: Gezuar 8 marsin, Stone Castle

HARTA DIXHITALE E KRIMEVE TË KOMUNIZMIT

March 8, 2021 by dgreca

-HARTA QË RIKTHEU KUJTESËN E FSHIRË SHQIPTARE-

Blerina Gjoka, drejtoreshë e Fondacionit “Kujto” – Arkiva online e viktimave dhe krimeve të komunizmit, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, krijimin e Hartës Digjitale të Kujtesës ku shënjohen në hartën e Shqipërisë të gjitha vendet që janë përdorur si burgje, kamp-burgje, kampe pune apo kampe internimi, me qëllim për të rikthyer kujtesën e fshirë shqiptare për periudhën më të errët që ka kaluar Shqipëria. Fondacioni “Kujto” ka si synim kryesor dixhitalizimin e memories së komunizmit duke sjellë dëshmi dhe dokumente për krimet e komunizmit në Shqipëri. Me gazetaren Blerina Gjoka bisedoi gazetari i Diellit Sokol PAJA.

Nga e djathta: Blerina Gjoka, Agron Shehaj dhe Luli Progni.

NJË HARTË DIGJITALE E BURGJEVE DHE KAMPEVE TË DIKTATURËS KOMUNISTE NË SHQIPËRI

Kampi i Goses ne Kavaje…

Projekti për ndërtimin e hartës digjitale ku të shënjohen në hartën e Shqipërisë të gjitha vendet që janë përdorur si burgje, kamp-burgje, kampe pune apo kampe internimi, lindi si nevojë për të rikthyer kujtesën e fshirë shqiptare për periudhën më të errët që ka kaluar vendi në historinë e tij shekullore. Ky projekt u realizua nga fondacioni “Kujto”, i cili është themeluar 3 vite më parë me iniciativë dhe mbështetjen financiare të z.Agron Shehaj, një biznesmen i suksesshëm shqiptar dhe politikan i së djathtës. Fondacioni “Kujto” kishte si synim kryesor dixhitalizimin e memories së komunizmit duke sjellë dëshmi dhe dokumente për krimet e komunizmit. Gjatë këtyre viteve në Kujto.al janë publikuar profilet e më shumë se 50 mijë viktimave të diktaturës komuniste, të ekzekutuar, të burgosur dhe të internuar gjatë 45 viteve. Çdo ditë ne shtojmë profile të reja në bazë të dokumenteve apo dëshmive të familjarëve. Janë mbledhur dhe publikuar qindra dëshmi të ish-të përndjekurve politikë apo familjarëve të tyre në shërbim të ndërtimit të platformës së kujtesës për komunizmin. Janë dëshmi të gjalla të vuajtjeve dhe persekutimit nën terrorin komunist. Janë publikuar një mori dokumentesh arkivore që vërtetojnë krimet e komunizmit mbi popullsinë e pafajshme. Janë realizuar 9 dokumentarë mbi ngjarje dhe personazhe që kanë shënuar qëndresën antikomuniste. Kemi mbështetur dhe të rinjtë që t’i nxisim drejt njohjes së të vërtetës duke financuar një bursë master në Degën e Historisë për studimin e krimeve të komunizmit etj. Fondacioni ka financuar dhe ndërtimin e një memoriali përkujtimor në kamp-burgun e Qafë-Barit me rastin e 35-vjetorit të revoltës së këtij kamp-burgu duke marrë dhe inciatën për emërtimin e një rruge në qytetin e Fushë-Arrëzit “Revolta e Qafë-Barit” në kujtim të djemve që u vranë pas kësaj revolte. E bëra këtë panoramë për punën e fondacionit për të kuptuar qëllimin e punës tonë për të bërë atë që nuk e kanë bërë dot, ose nuk ka pasur vullnet për ta bërë, as institucionet shtetërore të ngritura për këtë qëllim.

TERRORI KOMUNIST I SHTRIRË NË TË GJITHË SHQIPËRINË

Gjatë punës tonë kuptuam se terrori komunist ishte shtrirë në të gjithë territorin e vendit duke e kthyer Shqipërinë në një burg të madh, ku përveç burgjeve klasike, funksiononin kampet e punës së detyruar që zhvendoseshin në çdo front pune ku regjimi kishte nevojë,  kamp-burgjet statike, si dhe kampet e internimit, fillimisht me tela me gjemba dhe më pas të hapura, të cilat i kishin kthyer të dënuarit politikë në skllevër pune. Harta e vendeve të vuajtjes lindi kësisoj si një projekt i ri i Fondacionit “Kujto” për të realizuar një punë të detajuar të skemës së internimeve dhe burgosjeve dhe për të shenjuar në hartë vendet që u përdoren për persekutimin komunist.  Me mbështetjen e Fondacionit Konrad Adenauer harta dixhitale e burgjeve dhe kampeve është bërë realitet me një website të dedikuar në shqip dhe në anglisht duke u bërë dhe një udhërrëfyes për studiuesit dhe lexuesit e huaj që kanë interes për periudhën e komunizmit në Shqipëri. Hartaekujtesës.al  sjell një hartë interaktive të burgjeve dhe kampeve të internimit, duke shënuar çdo vend vuajtje dhe përshkrimet përkatëse.

NGA BURGJET, TE KAMPET E PËRKOHSHME TË PUNËS DHE VENDET E INTERNIMIT

Mbi hartën gjeografike të Shqipërisë janë shënuar me simbolet përkatëse: Burgjet, Kampet e Përkohshme të Punës dhe Vendet e internimit. Duam të theksojmë, që duke qenë që flitet për një hartë, kriteri gjeografik ka qenë parësori në plotësimin e saj. Kështu, edhe pse në Shqipëri në vitet ’50, u krijuan Repartet e Riedukimit, të cilat emërtoheshin me një numër dhe i zhvendosnin të dënuarit sa nga një kantier në tjetrin, në Hartën e Kujtesës janë shënuar vendet ku kanë punuar të dënuarit politikë të këtyre reparteve që me emërtesën zyrtare numerike, publikut nuk do i thoshin asgjë. Në kategorinë Burgje bëjnë pjesë Vendet e Izolimit, “burgjet klasike”, ku të dënuarit nuk dilnin të punonin dhe Kamp-Burgjet, stacionet e përhershme të reparteve të punës, të cilat u ngritën përgjithësisht pranë minierave. Në kategorinë Kampet e Përkohshme të Punës, janë vendosur Kampet e Para të periudhës komuniste para krijimit të reparteve të riedukimit dhe Repartet e Punës, stacionet e përkohshme të periudhës së reparteve të riedukimit, ku ato merreshin me ndërtimin e një fabrike, blloku banesash, aeroporti etj. Megjithëse nga ana administrative, është po Kampi Nr. 2 që ndryshoi emërtimin në Reparti Nr.303, i cili fillimisht bëri punime, për një periudhë të shkurtër, në Peqin dhe, si përfundim, ndaloi përgjithmonë në Spaç, këto dy vende dënimesh, janë vendosur në kategori të ndryshme: Peqini, si një nga kampet e para të kampeve të përkohshme të punës, kurse Spaçi si kamp-burg. Dhe ky kriter është zbatuar në çdo rast, sipas specifikave përkatëse. Kategoria e tretë është Vende Internimi, që përmbledh vendet gjeografike ku dërgoheshin të internuarit dhe jo emërtesën zyrtare “vend internimi” që zëvendësoi në disa raste emërtesën “kamp internimi”. Kjo kategori përmban Kampet e Rrethuara të viteve të para dhe vendet e Hapura, ku internoheshin të dënuarit pas mbylljes së kampeve me tela me gjemba.

DOKUMENTE DHE DËSHMI E TË BURGOSURVE DHE TË INTERNUARVE

“Harta e Kujtesës” sjell gjithashtu Dokumente dhe Dëshmi të të burgosurve dhe të internuarve për ta bërë sa më të saktë dhe sa më të gjallë përfytyrimin për këto vende dënimi. Të dhënat për burgjet, kampet e punës dhe vendet e internimit janë mbledhur duke shfletuar Arkivën e Ministrisë së Punëve të Brendshme, disa fonde mjaft të pasura arkivore për këtë tematike në arkivin qendror të shtetit, studimet e deritanishme në këtë fushë, ku veçojmë autorin Kastriot Dervishi, botime të ISKK dhe shtëpive botuese me autorë ish-të dënuar politikë dhe dëshmitë e shumta që Kujto.al ka mbledhur gjatë këtyre viteve. Kjo veprimtari është gjithmonë në proces për ta pasuruar nga ana e përmbajtjes dhe për ta modernizuar nga ana e paraqitjes, Hartën e Kujtesës, hartën që nuk duhej t’i mungonte Shqipërisë. Fraza postulat, “Shqipëria ishte një burg i madh, nga i cili nuk dilje dot e në të cilin nuk hyje dot”, bëhet e prekshme kur sheh mbi hartën e vendit, vend-dënimet, kampet dhe burgjet. Shqipëria ishte një burg i madh, dhe qelitë e tij ishin shtrirë kudo. Anekënd në të gjithë hartën e vendit. Nga burgu i Pleqve në Zejmen tek ai për të miturit në Shën Koll. Nga Shën Vasili në jug te burgu i grave në Belsh, Harta e Kujtesës, shënjon të gjitha vendet që u harruan në 3 dekada, nga nevoja njerëzore për të harruar dhimbjen e nga dëshira çnjerëzore për të mohuar dhimbjen e të tjerëve. Ky projekt është ambicioz, nuk është afatshkurtër. Ai kërkon punë shkencore në vazhdimësi, mbledhjen e dëshmive dhe dokumenteve që vërtetojnë përmasat e paimagjinueshme të një krimi shtetëror që mbajti të burgosur shqiptarët për afro gjysëm shekulli. Informacionet historike krijojnë një imazh të qartë, se ku ishin vendosur, në çfarë kohe funksionuan dhe si ishte jeta dhe kushtet e vështira të punës në këto kampe.

30 VITE PAS RËNIES SË REGJIMIT KOMUNIST, ISH- TË PËRNDJEKUR E ISH- PERSEKUTORË PËRSËRI NË SKENË

E para, kjo hartë kujtese i duhet Shqipërisë për shenjën e pashlyeshme që diktatura komuniste ka lënë në shoqërinë dhe historinë tonë. E dyta, kur në sistemin arsimor në Shqipëri mungon tërësisht edukimi mbi diktaturën komuniste, po rritet një brez që nuk njeh të shkuarën dhe kujt më shumë se sa të rinjve u vjen në ndihmë kjo platformë online ku ata do të përballen me të vërtetën që u është mohuar në shkolla. Dhe e treta, dhe që është më e rëndësishme na duhet një hartë e tillë për të mos harruar. 30 vite pas rënies së regjimit komunist, shumë prej ish- të përndjekurve kanë ndërruar jetë. Vendet e kujtesës, janë zhbërë herë nga padija e herë nga mungesa e vizionit. Në një anë nevoja për të harruar, e në tjetrën nevoja për të mohuar, e ka kthyer vendin tonë në një skenë ku ish- të përndjekur e ish- persekutorë, janë pothuaj sërish në të njëjtat kushte; persekutorët si mohues të asaj që ka ndodhur e ish- të përndjekurit të pafuqishëm për ta ndryshuar realitetin. Para disa vitesh pati një debat publik për kampin e Tepelenës, ku historianë me emër dhe grada shkencore u munduan të relativizojnë përmasat e së keqes që kishte ndodhur në këtë kamp, ku me dëshmi është vërtetuar se kanë vdekur rreth 300 fëmijë, nga uria dhe sëmundjet. Ky debat tregoi se për një pjesë të shoqërisë, ai kamp nuk ka ekzistuar. Ajo që mohohej para ‘90-ës, vijon të mohohet edhe 30 vite pas lirisë. Në mungesë të vendeve të kujtesës e muzeve që e dëshmojnë të shkuarën e afërt, jo vetëm si respekt për viktimat, por edhe si ngjarje historike, me zhbërjen e vendeve të kujtesës, me shkatërrimin  e dëshmive, duket se 47 vitet e persekutimit u fshinë përgjithnjë. Me to, edhe varret.

HARTA E KUJTESËS SI DOMOSDOSHMËRI PËR TË MOS HARRUAR KURRË

“Harta Digjitale e Kujtesës” synon të krijojë një panoramë të qartë për të rinjtë shqiptarë, studiuesit vendas dhe të huaj, pasardhësit e të persekutuarve politikë, dhe për këdo që është i interesuar që të njohë dhe të krijojë një perceptim të saktë për këtë periudhë të errët të historisë së Shqipërisë. Shumë kampe janë sot pa asnjë gjurmë fizike, por ky udhëtim virtual e ndërton imazhin e tyre, duke u shënuar gradualisht si shenja vuajtjeje në të gjithë hartën e Shqipërisë. Në një kohë afatgjatë projekti synon të sjellë dhe një panoramë të jetës në burgje dhe kampe, ku sipas dëshmive dhe dokumenteve jeta e të dënuarve politikë ishte skllavëruese, ushqimi ishte i keq, ata nuk gëzonin asnjë të drejtë bazë të njeriut, ku fëmijët që lindnin ishin të dënuar që në djep të ishin “armiq të popullit”, etj.

Filed Under: Interviste Tagged With: Blerian Gjoka, Harta e Krimeve, komunizmit, Sokol Paja

8 MARS, – 8 GRA + 1….OSE DHËMBJEN PA FUND

March 8, 2021 by dgreca

– nga Visar Zhiti – botoi Gazeta DIELLI/

S’e di si u përzgjodhën, janë shumë, por më erdhi mrekullia e buzëqeshjeve të tyre, të parat gra, që do të ishin shkrimtare, shkencëtare, juriste, muzikante, piktore, të laureuara dhe universiteve të Europës, morën dhe rrugën e shenjtërimit, por që diktatura e atdheut të tyre i kishte dënuar internimeve, burgjeve, deri dhe në pushkatim.

O tmerr, që ia kalon dhe ferrit!

Të përkushtuara si është nëna, të afërta si motrat, të bukura si e dashura, që bëhet gruaja, ikona, ku bien në gjunjë me trishtim çdo festë, datëlindje, çlirim, jubile, 8 Mars, yje që vështrojnë nga lart me sytë e tyre plot dritë…

Po përkujtojmë 9 zonja të jetës në nderim të të gjithave.

1- Musine Kokalari,

shkrimtarja e parë grua në letrat moderne shqipe, studioi për letërsi në Universitetin “La Sapienza” në Romë, disidentja e parë grua në perandorinë komuniste. Bëri 18 vjet burg në Burrel dhe vdiq në internim në Rrëshen, e braktisur.

2- Sabiha Kasimati,

shkencëtarja e parê grua, studioi për Shkencat Biologjike në Universitetin e Torinos, iktologe. U pushkatua nga regjimi komunist bashkë me 21 intelektualë të tjerë, e vetmja grua mes tyre, me shkak të shpikur, hedhjen e nje bombe në ambasadën sovjetike në Tiranë.

3- Erifili Bezhani,

avokatja e parë grua shqiptare, shkon bashkë me të motrën në Francë, ku studion fillimisht për Letërsi frënge dhe më pas në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin Alix-en- Provence, në Montpelier dhe Paris. Në Atdhe e dënojnë me 20 vjet burg me “Grupin e deputetëve”. Poliglote, merrej me përkthime në burgun e Burrelit. Kur doli, punoi si fshesare rrugëve të Tiranës…

4- Dhora Leka,

kompozitore e këngëve partizane dhe e operas së parë shqiptare të një gruaje. Studioi në Universitetin “Çajkovskij” në Moskë. Nga pedagoge në internime deri sa bie perandoria komuniste.

5- Adivije Alibali,

balerinë dhe aktore e njohur, luan motrën e Skënderbeut, Mamicën, në filmin “Skënderbeu”, e internuan sepse i dënuan bashkëshortin, që i qëndroi besnike.

6- Elena Gjika- Merlika,

gjuhëtare, studio për letërsi në Universitetin e Napolit, bashkëpunoi me vjehrrin e saj, patriotin Mustafa Kruja -Merlika, nderkohë dhe kryeministër, për hartimin e Fjalorit të Gjuhës Shqipe, që, pasi ia përvetësuan, e zhdukën. Ajo perfundoi internimeve gjatë gjithë sundimit të diktaturës, një gjysmë shekulli.

7- Marie Tuci

donte të bëhej murgeshë, t’i përkushtohej Zotit dhe popullit. Studioi në Kolegjin e Shkodrës të “Motrave Stimmatine”, e arrestojnë dhe vdes mes torturave të llahtarshne.

Është shpallur “E lume” nga Vatikani në 2016, e vetmja grua mes 39 martirëve të Kishës Katolikë.

8- Tefta Tasi,

e arrestojnë në internim dhe e dënojne me tre vjet burg, nxënëse, se nuk donte të shkruante në hartim për Enver Hoxhen.

Në liri do të shkruante një libër me përralla dhe kujtimet do ia linte të vëllait dhe të ardhmes.

9- Suhade Cakrani,

e bija e firmërarit të Pavarësisë, Hajredin Cakranit, ministër në qeverinë e parë, do të studionte për Artet e Bukura në Firence, piktore…

Mbas Luftës II Botērore fitimtaret do ta shkatërronin dinastinë e familjes së saj, do t’i varnin vëllanë në mes të qytetit dhe ajo do të çante turmën e do binte më gjunjë para tij, duke i puthur këmbët. E mbyllin në çmendinë, ku dhe shuhet atje.

Në foto është me kalin e saj, kalorëse e bukurisë, me Pegasin me flatra, i cili të gjitha ato gra martire çon qiejve parajsorë.

AVE të gjithave!

Ne foto:

  1. Musine Kokalari
  2. Sabiha Kasimati
  3. Erifili Bazhani
  4. Dhora Leka
  5. Advije Alibali
  6. Elena Gjika-Merlika
  7. Marije Tuci
  8. Tefta Tasi
  9. Suhade Cakrani

Filed Under: Featured Tagged With: - 8 GRA + 1, Dhembje pa fund, Visar Zhiti

INTERVISTA E DIELLIT- 7 PYETJE PËR IRIS HALILI

March 8, 2021 by dgreca

Në intervistën e radhës, gazetarja Marjana Bulku, sjell historinë e intelektuales Iris Halili, e cila si qindra mijëra shqiptarë la Atdheun për një jetë më të mirë, duke emigruar në Florida, SHBA. Iris ka përfunduar studimet me Medalje Ari në Fakultetin e Letërsisë, Fakulteti Histori Filologji. Pas studimeve ajo u emërua pedagoge e Letersise Moderne aty ku studio. Po si rrodhi jeta e saj më pas? Ndiqeni intervistën:

Marjana Bulku- Zonja Iris, ju e keni lënë Shqipërinë në vitin 2009 të. Çfarë do të thotë për dikë që ka invenstuar aq shumë intelektualisht ta nisë jetën në një tjetër vend?

Iris Halili- Historia e ardhjes sime në USA është më shumë një imponim i fatit sesa një zgjedhje e shumë kërkuar. Në vitin 1994 pasi përfundova me medalje ari studimet në Fakultetin e Letërsisë, Fakulteti Histori Filologji u emërova pedagoge e Letërsise Moderne po aty. Ishte realizimi i asaj që unë kisha ëndërruar përpara se të hyja në fakultet, vite kur babai im mjek përpiqej të më mbushte mëndjen të studioja mjekësi, por unë ndoqa pasionin e letërsisë pasi e dija që do shkëlqeja në këtë degë te cilën e kisha dhe e kam vërtet për zemër. Në vitin 1996- të një mikja ime e ngushtë që kishte ardhur në NY, SHBA më ofron mundësine të vija këtu me studime masteri në kuader të projekteve për Europën Lindore, studime që ajo vete kishte mundur t’i realizonte. Unë nuk e mora seriozisht në konsideratë këtë ftesë pasi në atë kohë nuk mendoja të vija në Amerikën që më dukej shume e largët. Aq e vërtetë është kjo sa edhe kur mu dha mundësia  të zgjidhja një qytet të botës për të studiuar në kuadër të bursës një vjeçare që fitova si ambasadore e Rotary Club për vitet 1999-2000 unë zgjodha Romën (Italinë) dhe jo SHBA. Ishin vite të bukura për Shqipërinë fillimet e viteve 90, ishin vite me shpresë, me idera  utopike dhe optimiste për një Shqipëri për të cilën të gjithë mendonim se shumë shpejt do të bëhej si gjithe Europa. 

Por sikur sygjerojnë teoritë e fateve, çfare do të besh nuk i shpëton dot destinit tënd të shkruar. Në vitin 1998,  babai im me thote “Provoje dhe ti fatin e llotarisë amerikane moj bijë:”. Kështu në vitin 1999 unë e fitova “Green Card” dhe ardhja ime ne SHBA u nis si për të provuar fatin. E konsiderova këtë shans për gati 9 vjet  si një vizë turistike që më sillte shpesh tek vendi i parë i botës , por pa menduar se do jetoja në të, ndonëse djali i vetëm kishte lindur këtu. Por ja që në 2009 erdha ku destini kishte vendosur tashmë. Nëse në 1998 applikova jo se nuk shihja shpresa tek vendi im, në 2009 ika pa pasur ndonje  iluzion se ai po përparonte  me hapet që ne kishim ëndërruar; ika me shpresa të vrara.  Une isha 37 vjeç kur lashë vendin. Jo shumë e re për ta nisur nga hiçi por jo aq e vjetër për të mos patur ambicje vazhdimësie. Emigrimi kudo të jetë është një aventurë e njerzve të guximshëm, pasi ne dime se çfarë lëmë por ne nuk dimë se çfarë gjejmë. Çështja është se kur shkon vizitë turistike në një vend të huaj apo jeton dy a tri muaj atje, njeriu njeh vetëm majën e ajsbergut të kulturës së vendit mik, atë anë të dukshme dhe që në përgjithësi është eksituese, por kur fillon dhe jeton, atëherë ndeshesh me dy anët e tjera të ajsbergut kulturor që antropologu Eduard Hall do t’i quante pjesën e padukshme kulturore dhe bërthamën kulturore. Janë pikërisht këto dy anë të panjohura të kulturës së vendit mik/pritës që e bëjnë emigrimin shumë të vështirë. Kultura që ne mbartim që kur lindim së bashku me gjuhën që ne flasim përbëjnë shumatoren thelbësore të asaj si ne reagojmë apo realizojmë vetveten në një mjedis si të njohur si të panjohur. Të emigrosh do të thotë të shtypësh dhe ndrydhësh pak nga pak forma të kultures tënde dhe të fillosh të reagosh sipas kulturës/kulturave dominuese të vendit mik, dhe kjo është pak a shumë hapi i parë që të bën të mbijetosh larg vendit tënd. Këto “shtypje” nëse do të përdornim këtu gjuhën Frojdike, janë eksperienca të provuara prej çdo emigranti.

Marjana Bulku-E integruar më së miri në jetën amerikane a mund të na përshkruani këtë proces parë nga prizmi personal?

Iris Halili- Emigrimi të le mundësinë të zgjedhësh një nga tri rrugë:  Ose do të asimilohesh, ose do të margjinalizosh, ose do të  integrohesh. Asimilimi është qesharak dhe nëse do të duhet të dallojmë një emigrant të tillë pikasim ata indvidë që hiqen sikur kanë ardhur nga një planet tjetër. Këta besoj unë kanë edhe neurozat më të larta pasi është krejt e pamundur të përthithësh kulturën e vendit mik deri në bërthamë  apo të “shtypësh” në maksimum kulturën tënde pa pësuar apo provuar një stres të brëndshëm. Nga ana tjetër margjinizuesit janë ata që përçmojnë  vendin mik/pritës nga mëngjesi deri në mbrëmje. Edhe këta janë në dramë neurotike pasi janë as këndej as andej dhe bëhen të besdisur jo vetem me veten por dhe me të tjerët rreth e qark, pasi edhe ata vetë nuk i besojnë ata që thonë dhe mbi te gjitha edhe po të shihet në aspektin etik apo moral nuk funksionon asnjëherë të urresh mjedisin ku pi ujë, pasi asnjëri nuk të ndalon të kthehesh atje ku uji të duket më i pastër dhe njerzit më të mirë. 

Une mendoj se integrimimi është edhe hapi më i arrirë që duhet të realizojë çdo emigrant dhe besoj se integrim do të thote adaptim me kulturën vendase por pa përjashtuar as kulturën tënde. Në proçesin e integrimit transferojmë natyrshëm kulturën e vendit nga vijmë por njëkohësisht përpiqemi të adaptohemi me kulturën ku jetojmë dhe punojmë pa mohuar dhe përjashtuar vlerën e asnjërës, pasi nuk ka kulturë të mirë apo të keqe, ka vetem kulturë që e kuptojmë apo jo. Këtu do të shtoja se për një emigrant në SHBA integrimi nuk është më pak i vështirë se një vend tjetër. E di që kjo do të duket paradoksale, por le të marrim një shembull që besoj do tju bind. Çështja është se emigrantit nuk ja lehtësojnë jetën aq shumë ligjet antiraciste dhe gjithëpërfshirëse të qeverive sesa kontakti i përditshëm me njerzit. Kjo do të thotë se duke qenë një vend ku jetojnë qindra kultura, sapo del nga dera do të ndeshësh jo me një kulturë por me gjithçfarë lloj kulturash që kanë emigruar këtu. Kjo të çon në konkluzionin se “shtypja” e kulturës mëmë dhe konflikti mes kulturave tek një emigrant që jeton në SHBA është shumë më i madh se e një tjetri që jeton fjala vjen në Greqi.  Mua më qëllon të punojë me më shumë se 15  kultura të ndryshme dhe të ndaj mënyrën si shpreh mendimin në forma të ndryshme pasi ajo që quhet normë për amerikanët nuk është për latinot, apo zezaket apo aziatikët. Dhe i gjithe ky adaptim është në veprim 24/7 në çdo ditë të vitit, jetës, punës , shoqërimit, komunikimit, etj. 

Nga ana tjetër duhet thënë se ka dy kategori emigrantësh, ata që kanë emigruar duke lënë një të shkuar të arrirë në vendin amë dhe ata që nuk e kanë lënë një të tillë.  Kur emigron ti sjell me vete gjithë çke qënë, por drama që përjeton në fillesat e emigrimit është se ti duhet të njehsohesh si gjithë emigrantët e tjerë paçka se çfarë ti apo ata përfaqësoni individualisht !! Kështu që rrjedhimisht të duhet shumë punë, investim tek vetja dhe familja apo vite shkolle dhe rritje profesionale që të imponohesh në realitetin e ri. Çdo gjë qe ke bërë më parë është në letra e respektuar, por vetem kaq. 

Integrimi është proçes i gjatë që nuk rresht kurrë dhe të suprizon në çdo çast. Sikur fëmija që çdo ditë që rritet mëson diçka të re edhe emigranti sa më shumë jeton në një kulturë tjetër ndeshet me diçka të re krejt të paditur më parë. Emigranti është kështu një adult që kur emigron i duhet të ripërsëris në një farë mënyre proçesin e fëminisë së tij pasi çdo ditë i duhet të mësoje diçka të re nga kultura e vendit mik/prites apo kultura e njerzve përreth.  Sot flitet apo vlerësohet por edhe anatemohet shume globalizmi, por në thelb çdo emigrant nuk është gjë tjetër vetëm se një globalist që në momentin që ka vendosur të ndërtojë jetën e tij përtej asaj ku është rritur, vendos t’i bashkojë/pranojë kulturat dhe jetojë mes tyre në harmoni. Globalizmi është pranim, afrim, sheshim por edhe shtypje se nuk mund të pranosh tjetrin por nuk hoqe pak nga vetja. Unë mendoj se kjo botë e sheshtë në të cilën po jetojmë do i afrojë njerzit më shumë se çdo kohë e mëparshme dhe mendoj se kështu si po ndërtohen hapjet mes kulturave dhe vendeve emigranti i pas 100 viteve nuk do i ketë më veçoritë e emrit që sot e përcakton si të tillë.  

Ndërkohë pyetjes a kam bërë mirë që kam emigruar, do ti përgjigjesha pozitivisht, pasi unë mendoj se në SHBA konkurrenca funksionon në një hapësirë më të madhe se në Shqipëri, ose të paktën krahasur me si po funksionojnë gjërat së fundmi atje. Si rezultat edhe mundësitë individuale ne SHBA janë më të mëdha. Plus komoditetet, mundësitë dhe dijet që të ofron jeta këtu janë padiskutim më të arrirat në botë, kështu që edhe shpresat duket sikur nuk vdesin kurrë.  

Duhet pranuar se ne këtë jetë gjithkush lufton me të përditshmen, dikush për mbijetese fiziologjike, dikush për atë psikologjike e dikush për atë të vetëafirmimit personal, seicili sipas fatit të tij, llojit të tij apo zgjedhjes së tij. Unë mendoj se plotësimin final në jetë nuk ta jep vetem vendi ku jeton por më shumë ajo çka çdo njeri ka ndërtuar apo ndërton brenda vetes, ka vendosur në raportin me veten, të tjerët dhe botën e jashtme si dhe sa mundohet ti shmanget faktorëve determinues që tentojnë të pengojnë progresin e tij personal. 

Marjana Bulku-Iris, studente ekselente, pedagoge, këshilltare në qarqet më të larta të politikës, studiuse e letërsisë. Çfare ka mbetur vitale tek ju nga këto fusha që ju i keni ezauruar në Shqipëri? 

Iris Halili- Të gjitha kanë mbetur vitale, asgjë nuk është shuar. Unë nuk besoj tek teoria e shuarjes por thellësisht besoj tek teoria e transferimit. Dashuria për letërsine është trensferuar në çdo gjë timen, në pasionin që unë kam për çdo disiplinë humane dhe për humanizmin si të tillë, apo në  mënyrën si jetoj, mendoj, flas, shkruaj, komentoj,ndiej etj ejt.  Prej saj duket të jetë marrë përshëmbull rëndësia që unë i vë detajeve, kuptimi dhe interpretimi që u bëj karaktereve jetësore dhe mbi të gjitha shfaqet tek natyra ime pasionante të cilën kurrë nuk e kuptova nëse  ishte kjo natyrë që më çoi tek letërsia apo ky ishte një proçes i kundërt. Po kështu puna në qeveritë shqiptare dhe pranë presidentit si dhe mundësia që mu dha kësisoj për të takuar shumë liderë botërorë dhe qenë e pranishme në shumë tavolina ku luhej politika më rriti kërshërinë të studioja master dhe doktoratë për lidership në SHBA. Falë këtyre studime isha në gjëndje të hyja në tregun e punës amerikane duke realizuar kështu aspiratat që kisha. Tek këto studime hasa gjithashtu se letërsia dhe teoritë e lidershipit kanë një të përbashkët thelbësore: të dyja merren me karakterin e individit apo natyrën e rrethanave që përcaktojnë zgjedhjet apo vendimet e tij, si dhe të dyja përpiqen të zbulojnë edhe detajet më të vogla pas të cilave fshihen veprimet më sinjifikante. Të gjitha këto dije apo eksperienca janë transferuar dhe transferohen tek unë në forma nga me të ndryshmet, herë vetvetishëm e herë pavetvetishëm. Në rastin tim une as nuk dua te shkëputem nga a shkuara ime, por as nuk dua të jetoj me të; sikur nuk dua të jetoj duke bërë planifikime të detajuara për të ardhmen. Unë ndjek porosinë e Virginia Vulfit: jetoj momentin, pasi jeta në fund përmblidhet si një grusht momentesh, përqëndrohem tek e tashmja dhe mendoj se çdo ditë e jetuar me dashuri për jetën është një ditë e bekuar. 

Marjana Bulku -E bindur që jeni nga ato që i mbani sytë nga Shqiperia, si do na i përshkruani atë që sheh sot syri juaj i mprehtë, kritik , vizionar?

Iris Halili- Shqipëria sot është në një stanjaçion korruptiv. Kjo ka shumë arësye: nga të gjitha anët kemi një lidership të dështuar që ka ndërtuar një mjedis  të korruptuar; një lidership aspak frymëzues apo transformues. Nga ana tjetër kemi një shoqëri shqiptare që prej shumë vitesh është  gënjyer dhe zhgënjyer deri ne palcë. Kjo ka ashpërsuar zemrat e shqiptarëve dhe i ka bërë ata të bien në apati, pasi duket se çdo zgjedhje e tyre përfundon po njëlloj në qeveri të korruptuara.  Shqiptaret janë dorëzuar ndaj çdo lloj force për veprim apo aq më keq akoma kanë humbur dëshirën për veprim, shtoji këtu faktin që si kulturë ne kemi qënë gjithmonë të ngadaltë në pranimin e ndryshimit dhe e kemi parë veten shumë larg nga pushteti. 

E hapur tashmë tërësisht ndaj botës, realitetitit shoqëror shqiptar i është imponuar edhe një fenomen bashkëkohor. Njerzit sot kudo që jetojnë duket sikur shqetësohen  vetëm për suksesin, famën , dukjen  personale dhe sillen të gjithë sikur të jenë zotër,  por në fakt më shume janë kthyer në sende pasi ajo çka i frymëzon apo i bën të veprojnë është posesimi i sa më shumë sendeve. Njerzit kanë humbur komunikimin shpirtëror mes njëri- tjetrit. Teknologjia ka pjesën e vet të përgjegjësise në këtë dramë kolektive. Gjithkush nga ne e vërtit jetën e tij tek drejtëkëndëshi kompjuterik, apo drejtëkëndëshi telefonik !!! Sapo ngrihemi në mëngjes gjeja e parë që ne bëjmë është t’i drejtohemi telefonit drejtëkëndës; pyesim Aleksën si është moti pasi përtojmë të dalim deri ne ballkon e ta vlerësojmë vetë atë !!!  Shkojmë në zyrë dhe përpara se të përshëndesim kolegët hapim fillimisht kompjuterin po drejtëkëndësh.  Kthehemi në shtëpi dhe komunukimin e parë e kemi tek hapim TV po drejtëkëndësh. Lidhemi me të dashurit apo miqtë, të afërmit apo kolegët sërisht e gjithmonë e më shumë me tekste nëpërmjet hapjes së nje drejtëkëndëshi telefonik që duket sikur mbart brenda gjithë jetën tonë inorganike, që në fakt është jeta e cila drejton gjithë ditën tonë dhe të cilës ne i kushtojmë pjesën më dërmuese të kohës.  Vetvetishëm jeta jone është futur në një drejtëkëndësh nga i cili unë se di se si do të mund të dalim dot. Ne rendim të ushqehemi me ushqime organike, kur ndërkohë  kemi humbur të komunikuarit apo reagimin organik. Ne të gjithë këtë përqëndrim drejtëkëndor ajo që ka humbur më shumë është dashuria organike në çdo drejtim të fjalës, ajo vëllazërore, miqësore, për fqinjin, për vendin, për kolegun, për tjetrin, etj etj.  Kjo mos kërshëri ndaj dashurisë organike i ka kthyer  njerzit në makina, i ka bërë ata  apatik. Çdo gjë e zgjidh një algorithëm, një inteligjencë artificiale që e ben mëndjen humane dembele dhe jo pjesëmarrëse.  Mbi të gjitha këto forma kanë zbehur dashurinë njerzore, pasi dashuria pikë së pari është emocion gjallor, komunikim real me shumë se virtual. Ne jemi kthyer padashur në sllever të atyre institucioneve apo normave që i kemi krijur apo lejuar po vetë të na drejtojnë dhe sot institucioni qëndror që determinon jetën tonë është teknologjia dhe social mediat që ajo ka prodhuar.  Kriza e pandemisë së Kovidit i dha një shtysë edhe më të fortë kësaj jete mekanike pasi e largoi edhe më shumë njeriun nga njeriu. Sado i madh determinizmi që na ofrohet ne duhet të dalim nga kjo gjendje dhe të mos lejojmë të humbin njeriun brenda nesh dhe te mos lejojmë zvetnimin e tij.  Sot ndoshta askush nuk e parashikon qartazi si do të jetë e ardhmja, por unë i besoj teorisë  që njerzit që të arrijnë një farë ekuilibri në ekzistencen e tyre kurrë nuk duhet të heqin dorë apo humbasin atë çka e bën njeriun – njeri dhe  ky është vetëm humanizmi si i tillë, veprimi i zemrës dhe shpirtit njerzor ku dashuria ka vlerën më të lartë.Në çdo shkallë që ka arritur  njeriu është shoqëruar gjithmonë me shumë hapa të panjohur dhe shumë kundërshti ambigue, por sërisht ai ja ka dalë dhe kjo kur ka vendosur pikë së pari si prioritet ruajtjen e species së tij. 

Po ti kthehemi rastit shqiptar duhet thënë se vendi nuk ishte apo është i përgatitur për këtë krizë post moderne të komunikimit pasi ai ende nuk i ka kaluar fazat e kapitalizmit modern apo post- modern. Ka shumë shance që edhe si rezultat i kthesave  te tilla që po jeton,  shoqëria shqiptare të jetë bërë edhe më apatike dhe njëkohësisht edhe më ashpër sikur ndodh shpesh kur të duhet të hasesh me eksperienca jetike të parakohshme, apo të menjëhershme apo që nuk kalojnë natyrshëm të gjitha fazat.    

Une mendoj se për aq kohë sa shoqëria shqiptare nuk do të dalë nga apatija, të sfidoje ashpërsimin që i ka pllakosur zemrat dhe të mos shkojë në zgjedhje për të vendosur “të keqen e mirë”, fatkeqësisht këtë situatë do të duhet ta shikojmë gjatë. 

Marjana Bulku – Zonja Iris, mjaft prej brezit tonë, le ta  quajme ‘ të humbur’ I ’90, ka një rol të madh në shembjen e komunizmit. A mendoni se ka ende hapësire dhe mundësi për ta zhvilluar vizionin e mbetur përgjysem?

Iris Halili- Unë nuk besoj se ne jemi një brezi i humbur,  përderisa me kohën tonë lidhen shumë momente kyçe të historisë botërore dhe ne nuk ishim thjesht spektatorë por aktorë aktive të saj.   

Ne jemi gjenerata X (1964-1980), pikërisht ajo gjeneratë që pasuam të ashtuqujtëren gjeneratë të “baby boomers”. Ne u rritëm në paqe me prindërit qa na varrnin çelësin në qafë!  Kjo na bëri një gjeneratë të përgjegjshme, që di si ta ruajë çelësin dhe si të hapë derën atëherë kur dhe si duhet. Në 1990 ne dolëm të gjithë në sheshe dhe kërkuam “Shqipërinë si e gjithë Europa”; ne hapëm derën e Shqipërisë së lirë dhe ky mbetet akti ynë më i arrirë dhe me sa duket në Shqipëri kjo mbeti fitorja jonë më e madhe, pasi më pas duket sikur ne i lëshuam fatet në dorë të “baby boomers”, ndoshta ngaqë  ata na u duken më të përgjegjshëm.

Ne jemi brezi që mbijetuam në te gjitha  shkallët e revolucionit teknologjik. Shkollën e ndoqëm duke marrë leksione me penë në fletore 5 lekëshe, por punën e filluam kur u desh të shkruanim me kompjuterin që sapo ishte zbuluar, dhe më pas vazhduam pa ndërprerë kur na u desh të komunikonim me email dhe tani jemi forcë e rëdësishme e integruar e tregut të punës dhe në gjëndje të aplikojmë çdo të re teknologjike që na ofrohet. Të mos harrojmë se dhe kokat e teknologjisë post- moderne jane të gjithë pak a shumë nga gjenerata X. 

 Ndonëse ne jemi sërisht të lidhur shpirtërisht me vendin, unë mendoj se tashmë më e mira për Shqipërinë është të vijnë në drejtim, gjeneratat e reja pasi janë ata që nuk mbartin zhgënjimet dhe ashpërsinë e të shkuarës dhe si rezultat do i bashkojnë më shumë shqiptarët drejt nje të ardhmeje të shumëpritur dhe do te mund të sjellin një lidership transformues.    

Marjana Bulku -Sa herë ka festa unë hedh sytë nga Irisi, zonjë, amvisë, klas, plot shije e sharm ku nuk është vetëm cilësia e jetës ajo që bie në sy. Është gjithë ky rregull, finesë e trashëguar apo kultivuar? 

Iris Halili- Këtë model e kam parë tek gjyshja, e kam parë tek mamaja ime dhe mundohem ta përcjell në familje si tradite dhe dhunti. Mua gjithmone më kanë pëlqyer mjediset klasike pasi mendoj se mbartin apo janë në gjëndje të shprehin shumë histori dhe shume kujtime në të njëjtën kohë.  Më pëlqen të udhëtojë dhe të them të drejtën edhe kam patur fatin të vizitoj në shumë vende të botes. Gjithmonë kam patur kërshëri të njoh traditat dhe zakonet e ndryshme dhe mendoj se ana festive e çdo vendi rrëfen shumë për nivelin e ndjeshmërsie në atë kulturë.   

Përpiqem që çdo festë ta konsiderojë dhe organizojë deri në detaj dhe tek çdo e tillë  përpiqem të vendos një mendim apo ndjenjë. Shpesh edhe mënyra si e vendosim pecetën në një tryezë flet sa dashuri dhe mikpritje ka ne të. Festat janë pothuaj çdo vit po të njëjtat, por jo çdo vit ka qënë i njëjti për nga kujtimet që na le apo çastet që na ka sjell. Kjo do të thotë që çdo trapezë duhet të jete autentike e atij viti. Përshëmbull tavolinën në darkën e Thanksgiving 2020 unë e realizova me motive druri, dhe për këtë kisha një mesazh. Në një vit Kovidian si 2020-ta ne patëm edhe më shumë shanse të rrinim pranë dhe vetëm me natyrën dhe kështu të kuptuam edhe një herë sa e papërsëritshme mbetet ajo në energjinë që të jep dhe paqen që të afron. 

Marjana Bulku – Studentëve shqiptarë jam e bindur që u mungon metodika, mjeshtëria komunikative, elokuenca brilante, polemika dinamike. Si mund ta plotësoni këtë boshllëk ?

Iris Halili- Unë gjithmonë e kam dashur audiencën dhe e kërkoj atë kudo të jem. Lidhjet me studentët i mbaj të gjalla pasi ishte një kohë që si të thuash ishim gati moshatarë dhe ne zbulonim së bashku magjinë e shpjegimit apo interpretimit letrar. Une jam shumë krenare për ta dhe gëzohem kur i shoh të realizuar në jetë dhe karrierë dhe e lumtur vë re sesi letërsia i ka ndihmuar të mbeten gjithmonë intelektualë me njohje mbi dijet humane dhe mbi të gjitha njerëz me zemër të madhe. Ndërkohë përpiqem të jem aktive në shyp dhe botoj më shumë me drejtim nga lidershipi por edhe mbi probleme sociale, politike, letrare. Përpiqem modestisht të jem prezente me artikuj, libra, analiza jo për famë por për të thënë sinqerisht mendimin tim. Nese ikën nje apo dy ditë pa shkruar, mëngjesin e tretë e ndiej se nuk kam qënë vetvetja. 

Unë besoj tek shprehja hapur e të vërtetës dhe mendoj se njerzit lartësohen sa herë nuk rreshtin së thëni atë. Këtë parim e konsideroj si shtysën kryesore në çdo rresht që shkruaj, në çdo hap që hedh apo dhe komunikim që bëj. Sikur na mëson edhe Erik Fromi: “Gënjeshtrat mund të na bashkojnë në një parti, por përfundimisht vetëm e vërteta mund ta udhëheqë njeriun drejt lirisë”. Dhe unë mendoj se vetëm një njeri i lirë është një njeri i realizuar për veten, ata që e rrethojnë si dhe mjedisin ku jeton. 

Mars, 2021

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Intervista, Iris Halili, Marjana Bulku

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 165
  • 166
  • 167
  • 168
  • 169
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT