• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova pret Mikun e Madh Amerikan Eliot Engel

November 17, 2017 by dgreca

-Kongremeni amerikan Eliot Engel mbërrin në Kosovë, i vlerësuar mik i madh pritet në Aeroport/

Eliot Engel-Kosove-18nentor2017

-Veseli-Engel: Miqësia me SHBA-të, vlerë e madhe për Kosovën/

-Nesër, në ditën e balotazhit në 19 komuna e të rivotimit në një komunë në zgjedhjet lokale 2017, të zhvilluara në raundon e parë në 22 tetor, kongresmeni amerikan, Eliot Engel do të vizitojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve/

2017_11_18_Veseli- Miqësia me SHBA-të, vlerë e madhe për Kosovën (1)

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 18 Nëntor 2018/ Mbërriti sot për vizitë në Kosovë përfaqësuesi në Kongresin e SHBA-së, demokrati nga New York-u, Eliot Engel, i pritur në Aeroport nga zëvendëskryeministri Enver Hoxhaj.Ai bëri të ditur se,  së bashku me zëvendësambasadoren e SHBA-së në Kosovë, Colleen Hyland, i uroi mirëseardhje në Prishtinë mikut të madh të Kosovës, Eliot Engel.“Engel është prej njerëzve që ka besuar fuqishëm në pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës dhe e ka mbështetur konsolidimin ndërkombëtar të shtetit tonë. Jam i lumtur dhe shumë mirënjohës që kjo përkrahje e tij vazhdon të jetë e madhe”, shprehet zëvendëskryeministri Hoxhaj.

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka pritur sot nw mbrwmje në takim kongresmenin amerikan, mikun e madh të Kosovës, Eliot Engel. Kryeparlamentari Veseli e falënderoi kongresmenin Engel për kontributin e tij të madh për sensibilizimin e çështjes së Kosovës dhe mbështetjen e vazhdueshme e të pakursyer ndaj kauzës së popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi, duke u bërë kështu zëri i saj në politikën amerikane dhe më gjerë.

 Veseli konsideroi se Engel do të vazhdojë të jetë edhe në të ardhmen avokues dhe përkrahës i madh i Kosovës, tashmë në kauza dhe sfida të reja, siç është ajo e integrimit euro-atlantik dhe e zhvillimit të gjithmbarshëm të saj.

 Kryetari i Kuvendit vlerësoi se bashkëpunimi i shkëlqyer midis Kosovës dhe SHBA-së tashmë është kthyer dhe kultivuar në një miqësi midis dy popujve, të cilën ai e konsideroi vlerë të çmuar për vendin tonë.Anëtari i Kongresit Amerikan, Eliot Engel, shprehu kënaqësinë për arritjen e Kosovës në shumë fusha, ndërsa konfirmoi se do të vazhdojë të mbetet një mik dhe mbështetës i saj.

Gjatë këtij bashkëbisedimi të ngrohtë e miqësor, Engel u interesua për një varg zhvillimesh në Kosovë, ndërsa kryetari Veseli theksoi përkushtimin e institucioneve të Kosovës për të çuar përpara agjendat shtetërore, në funksion të zhvillimit të vendit dhe në interes të qytetarëve.

 Nesër, në ditën e balotazhit në 19 komuna e të rivotimit në një komunë në zgjedhjet lokale 2017, të zhvilluara në raundon e parë në 22 tetor, kongresmeni amerikan, Eliot Engel do të vizitojë Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.Me rastin e vizitës së kongresmenit amerikan në Kosovë, Eliot Engel,  në axhendën e dërguar  nga qeveria të kryeministrit Ramush Haradinaj, për datën 20 nëntor janë paraparë, mes tjerash, këto ngjarje:Homazhe tek Pllaka përkujtimore për viktimat hebraike në Kosovë- në oborrin e qeverisë së Kosovës – ora 07:45; mbledhja solemne e qeverisë së Kosovës – ora 08:00; konferenca e përbashkët për shtyp e kryeministrit Haradinaj dhe kongresmenit Engel – ora 09:00.Demokrati nga New York-u, Komisioni për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, në vizitën e në Kosovë pritet të  zhvillojë takime edhe me drejtues tjerë institucionalë e politikë.Ambasada e SHBA në Kosovë në njoftimin e dërguar paralajmëron edhe një ngjarje të hapur për median të hënën në 20 nëntor, në orën 15:15 – vizitën e kongresmenit Engel fabrikës së paneleve solare “Jaha” afër Aeroportit të Prishtinës.

***

Kongresmeni amerikan Eliot Engel, Sërish në Kosovë/

-Demokrati nga New York-u, Komisioni për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve në vizitën në Kosovë do zhvillojë takime me drejtues institucionalë e politikë/

1 Ok Elot Rugova

-Në 7 korrik 2005, kur në Kosovë qëndron kongresisti amerikan Eliot Engel Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova e nderoi me Medaljen e Artë të Lirisë për kontributin për Pavarësinë e Kosovës/

2 engel 2015

SPECIALE-Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

3 engel 2 korrik 2015PRISHTINË, 17 Nëntor 2017/  Përfaqësuesi në Kongresin e SHBA-së, Eliot Engel (Demokrati nga New York-u, Komisioni për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve) do ta vizitojë Kosovën.Lajmin e bëri të ditur sot Ambasada e SHBA në Kosovë. Njoftimi i dërguar paralajmëron një ngjarje të hapur për median të hënën në 20 nëntor, në orën 15:15 – vizitën fabrikës së paneleve solare “Jaha” afër Aeroportit të Prishtinës.Ndërsa,  nga Kuvendi i Kosovës në njoftimin e dërguar bëhët e ditur se kryeparlamentari Kadri Veseli pret në takim kongresmenin amerikan, Eliot Engel, të shtunën në orën 16:30.

 Në axhendën e dërguar  nga qeveria të kryeministrit Ramush Haradinaj, për datën 20 nëntor, siç theksohet, me rastin e vizitës së kongresmenit amerikan në Kosovë, Eliot Engel, janë paraparë këto ngjarje:Homazhe tek Pllaka përkujtimore për viktimat hebraike në Kosovë- në oborrin e qeverisë së Kosovës – ora 07:45; mbledhja solemne e qeverisë së Kosovës – ora 08:00; konferenca e përbashkët për shtyp e kryeministrit Haradinaj dhe kongresmenit Engel – ora 09:00.

Në axhendën e njoftuar nga qeveria është edhe pjesëmarrja kryeministrit në konferencën për lansimin e fondacionit Sfidat e Mileniumit në Kosovë – ora 10:00 dhe takimi me Jonathan Nash, kryeshef ekzekutiv i MCC (Sfidat e Mijëvjeçarit).
Bëhet e ditur se pas takimit do të ketë konferencë për shtyp.

Demokrati nga New York-u, Komisioni për Punë të Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve, Eliot Engel, në vizitën në Kosovë pritet të  zhvillojë takime edhe me drejtues tjerë institucionalë e politikë.

Në 7 korrik 2005, kur në Kosovë qëndron kongresisti amerikan Eliot Engel Presidenti historik Dr. Ibrahim Rugova e nderoi me Medaljen e Artë të Lirisë për kontributin e tij për Pavarësinë e Kosovës. Në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, Engell tha se Kosova do të jetë shumë shpejt e pavarur.

 Në 5 shkurt 2014 kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës,  Ramush Haradinaj, në vizitën zyrtare që zhvilloi në SHBA, me ftesë të Kongresit Amerikan, mori sot pjesë në ceremoninë e organizuar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, në ndarjen e Urdhrit të Flamurit për kongresistin amerikan, Eliot Engel.

Me rastin e shënimit të 25 vjetorit të miratimit të Deklaratës Kushtetuese për Pavarësinë e Kosovës të 2 Korrikut 1990, Kuvendi i Kosovës mbajti një seancë solemne në 2 Korrik 2015. Në seancën solemne, për rëndësinë e miratimit të kësaj Deklarate folën edhe senatori amerikan Eliot Engël dhe kryetari i Legjislaturës dhjetor 1989-maj 1992, Ilaz Ramajli, i kohës kur u shpall Deklarata Kushtetuese e 2 Korrikut e e Kushtetuta e Republikës së Kosovës e 7 Shtatorit 1990, kur u mbajt Refrendumi për Kosovën Shtet Sovran dhe i Pavarur në fundshtatorin 1991, kur u mbajtën zgjedhjet e para pluraliste parlamentare e presidenciale të 24 Majit 1992, e kur u zhvilluan edhe ngjarje të tjera historike për Kosovën e shqiptarët.Kongresmeni Eliot Engel duke çmuar të arriturat e Kosovës premtoi se do të vazhdojë të angazhohet për të mirën e Kosovës edhe në të ardhmen.
Engel tha se Qeveria, Kongresi dhe populli amerikan, do të vazhdojnë të jenë përkrah Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit euro-atlantik.

 NGA ARKIVI-7 KORRIK 2005: Kongresisti Engell tha se Rugova është një patriot i madh dhe Kosova është fatlume që ka atë si lider

PRISHTINË, 7 Korrik 2005/  President i Kosovës Ibrahim Rugova në një ceremoni rasti i dorëzoi sot kongresisti amerikan Eliot Engell Medaljen e Artë të Lirisë me të cilën e ka dekoruar vitin e kaluar, në 5-vjetorin e çlirimit të Kosovës.

“Presidenti i Kosovës e dekoron me Medaljen e Artë të Lirisë, kongresmenin Eliot Engel për meritat e tij në afirmimin dhe mbrojtjen e çështjes së Kosovës dhe të çështjes së shqiptarëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe për përkrahjen e fuqishme të lirisë dhe pavarësisë”. Kështu shkruan në motivacionin e Presidentin Rugova për ta dekoruar zotin Engell.

Presidenti Rugova, ndërkaq në një takim pati me kongresistin Eliot Engell, atë e cilsoi si mikun e madh të Kosovës dhe të shqiptarëve dhe për të cilin tha se më shumë se 15 vjet punon për çështjen e Kosovës. Në këtë takim është biseduar progresin e shënuar në Kosovë, për gjendjen e sigurisë që është e mirë, për stabilittetin e përgjithshëm, si dhe për vlerësimin që do të bëhet për bisedohet për të ardhmen e Kosovës, për të cilën Presidenti Rugova tha se do të jetë pavarësia.
Edhe me këtë rast Presidenti kërkoi për një njohje direkte të pavarësisë së Kosovës nga SHBA të, Unioni Evropian, në mënyrë që Kosova të jetë një vend i integruar në Bashkimin Evropian në NATO dhe në strukturat euroatlantike dhe në miqësi permenanete me SHBA të.

Presidenti Rugova falënderoi të gjithë miqtë e Kosovës në Amerikë dhe SHBA-në që e ka ndihmuar Kosovën dhe po e ndihmon edhe pas luftës, në liri, në rindërtimin e saj, me prezencën ushtarake, civile, diplomatike. Ai shprehu bindjen se Kosova është në rrugë të mirë për ta ndërtuar lirinë, të ardhmen dhe pavarësinë e saj.

Nga ana e tij, kongresisti Engell tha pas takimit se sa herë që vjen në Kosovë e ndien veten si në shtëpi, ngase, siç u shpreh: “Jam këtu me miq për të diskutuar për të ardhmen e vendit. Jam këtu së bashku me djalin tim, sepse ai ka dëgjuar shumë për Kosovën kur ishte fëmijë, për përpjekjet e saj për liri e pavarësi”. Kongresisti Engell tha se Rugova është një patriot i madh dhe Kosova është fatlume që ka atë si lider.Duke krahasuar vizitën e tij të fundit para disa vjetëve, ai tha se sheh shumë ndryshime që e bëjnë optimist. “Kur kamë ardhur këtu pas bombardimeve në vitin 1999 kamë parë vdekje, shkatërrime etj. Tani në vitin 2005, shoh jetë, shpresë, energji shoh fillimin e një shteti të lirë dhe të pavarur”.
“Jam i sigurt, ashtu siç marr frymë, se Kosova do të bëhet një shtet i lirë, i pavarur dhe demokratik, sepse qytetarët e Kosovës nuk meritojnë më pak, sepse qytetarët e Kosovës duan t’i bashkohen demokracive të të gjithë botës”, u shpreh Engell, duke i vlerësuar marrëdhëniet e popullit amerikan dhe të Kosovës të mrekullueshme dhe të fuqishme.”Kur Kosova të bëhet e lirë dhe e pavarur, atëherë SHBA dhe Republika e Kosovës do të kenë një bashkëpunim të gjatë mes vete”, nënvizoi ai, duke shtuar se në SHBA e dinë se qytetarët e Kosovës janë miqtë e amerikanëve.Engell tha se ka ndjekur përpjekjet e shqiptarëve të Kosovës për liri dhe pavarësi. “Kjo nuk ndodhi brenda natës, sipas meje madje zgjati shumë”, tha ai.”Unë e kam thënë shumë herë se njëqind për qind e mbështes pavarësinë e Kosovës. Do të jem i lumtur kur kjo do të ndodhë dhe do të ndodhë shpejt, dhe unë do të jem në Prishtinë për ta festuar së bashku shtetin e lirë dhe të pavarur”.
Engel premtoi se do të vazhdojë me përpjekjet e tij në Uashington, për të ndihmuar popullin e Kosovës.

“Unë do t’i them edhe UNMIK ut edhe BE së se standardet para statusit janë të papranueshme. Ne duam standardet bashkë me statusin dhe që ky status të zgjidhet shpejt. Ne duam një datë për këtë.

Ne duam që kosovarët të udhëheqin me qeverinë e tyre, me ministritë, me jetën e tyre. Ka gjëra të dhimbshme gjatë rrugës, por kur ta shihni rrugën e gjatë nëpër të cilin ka ka kaluar Kosova është një mrekulli”, u shpreh në fund Eliot Engell. Pesidenti Rugova dhe kongresisti Engell pastaj vizituan varrezat e hebrenjve afër lagjes Velania në Prishtinë.

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Kongresmeni amerikan Eliot Engel, Sërish në Kosovë

Kosova, perspektivë të qartë e të hapur evropiane

November 17, 2017 by dgreca

1 Haradinaj-Mogherini-17 11 2017

-Kryeministri i Kosovës Haradinaj u takua sot në Bruksel me Përfaqësuesen e BE-së, Mogherinin/

1 Haradina diaspora-Takim edhe me bashkatdhetarë: Diaspora në Belgjikë është lidhja e Kosovës me Evropën/

1 ok Diaspora Harad

BRUKSEL, 17 Nëntor 2017-Gazeta DIELLI/Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, u takua sot në Bruksel me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, me të cilën bisedoi për perspektivën dhe rrugën evropiane të Kosovës. Kryeministri Haradinaj theksoi se me dinamikën e përcaktuar me qeverisjen e re është përshpejtuar edhe procesi i përmbushjes së Axhendës së Reformave Evropiane dhe kriteret e përcaktuara me Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit.Kryeministri Haradinaj tha se Kosova është e përkushtuar dhe po punon në reformat në fushën e sundimit të ligjit, në zhvillimin ekonomik, në arsim e shëndetësi dhe synon që të arrijë deri në fund të vitit 2018 statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Ai tha se perspektiva evropiane e Kosovës duhet të jetë e qartë dhe e hapur dhe nënvizoi rëndësinë e përmbylljes së procesit të liberalizimit të vizave me BE-në. Ai tha se Kosova ka mbetur vendi i fundit dhe i vetmi në Evropë pa lirinë e lëvizjes dhe përshpejtimi i këtij procesi do të ndihmonte qytetarët dhe vendin.

Kryeministri Haradinaj theksoi se Kosova ka përmbushur obligimet e saj në këtë proces dhe tha se kriteri i mbetur i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi ka nis të adresohet me fillimin e punës së Komisionit të ri shtetëror.Ai tha se gjetjet e komisionit në raportin përfundimtar do të analizohen dhe pas kësaj do të procedohet më tutje.Kryeministri Haradinaj tha se anëtarësimi i Kosovës në të gjitha organizatat ndërkombëtare duhet të bëhet pa pengesa.Ai theksoi se Kosova është faktor stabiliteti dhe po dëshmon përkushtim në ndërtimin e marrëdhënieve të mira me fqinjët përfshirë edhe Serbinë, me të cilën po zhvillon dialog për normalizim marrëdhëniesh.Kryeministri Haradinaj theksoi se dialogu duhet të riformatohet të afatizohet dhe të përfundojë me një rezultat konkret, të njohjes reciproke ndërmjet dy shteteve.Në takim me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së, Federica Mogherini, morën pjesë edhe zëvendëskryeministri dhe ministër i Jashtëm, Behgjet Pacolli, dhe ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha.

 DIASPORA, EDHE ZHVILLIM PËR KOSOVËN

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, mbrëmë në ambientet e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Bruksel, ka takuar bashkatdhetarët që jetojnë në Belgjikë.
Diaspora kosovare në Belgjikë është lidhja e Kosovës me Evropën dhe puna e tyre për vendlindjen është e madhe dhe e pakursyer.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se mbështetja për diasporën do ta ndihmojë zhvillimin e vendit dhe do ta forcojë rrugën e Kosovës drejt integrimeve.
“Në përgatitje për takimin e Këshillit të Stabilizim Asociimit këtu në Bruksel, është e pashmangshme të mos takojë edhe njerëzit tanë që e duan dhe jetojnë me atdheun e tyre”, ka thënë kryeministri Haradinaj./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, diaspora, Haradinaj takim Bruksel, Mogherini

Më raftë pika…

November 17, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

5-Ilir-levonja-2-288x300-1-250x260Sapo mësoi që isha shqiptar, Xheni më thirri e më tha se dinte shqip. Nuk kish më shumë se dy orë që u njohëm. Do punonim bashkë. Mosha ime, flokë verdhë, sy bojëqelli, një përmbledhje mes vajzës gjermane dhe asaj irlandeze. Çova buzën në gaz duke i thënë se duhej të vinte nga New Yorku, aty ka shqiptarë në kuptimin e komunitetit. Dhe mua më ka rastisur shpesh me njujorkezë të më thonë që fqinji im është shqiptar, shoku i shkollës, i fëmijërisë etj. Kjo më ka krijuar një pandehmë të gjetur se ata amarikanë që vine nga New Yorku medoemos duhet të dine diçka më shumë për ne. Xheni (Jennifer) pohoi me kokë dhe pa gajle më foli se si i dashuri i saj i pare kish qënë shqiptar. Tashmë jam mësuar me këtë që, i dashuri i pare apo i dytë. Qesha sërisht pasi në kohën time dhe andej nga vija unë ishin kocepte që kishe frikë t’i çoje nëpër mend, jo t’i aplikoje. Nuk kishte dhe nuk ka femër në këmbë të flasi për të dashurin e pare. Sigurisht ka meshkuj me shumicë, por ata i përdorin në variantin e meritës, rrahjes së gjoksit. Shët, mbylle mëndjen dhe gojën. Një nga ato perversitet e kulturës sonë që, mbajmë mbuluar si puna e maces të pëgërat me hirin e vatrës. Po nejse, nuk është kjo tema e rrëfimit. Xheni më zbrazi një vargan fjalësh të sojit, o trap, pelë trutharë, dreq, buqe, kurva, koqja etj. Një arsenal nga ai koloriti me pështyma i joni për të rrëzuar tjetrin. Ngriva në vend. Kisha rastisur edhe më pare kur një vajzë e re me prindër…, babai nga Shqipëria dhe mamaja amerikane, që një e më dy më thoshte o zagar, o buqe.

(Me të qeshura) Si përvojë nga grindjet e të mëdhënjëve. Dhe…, edhe pse kishin kaluar plot njëzetë e kusur vite, nga ndarja me sukses të plotë e shqiptarit me amerikanen, zagari dhe buqja nuk i iknin memories së saj.

Sa të kem frymë më tha, nuk kam për t’i harruar. Biles kur dua t’i zbrazem ndonjë shoku a shoqe shkolle, kështu e mbyll…, ik moj buqe e dreqit. Ose, pusho ti zagar. Ndjeva një lloj përhumbje me përfundimin, se, ku mbaron të të mbajturit mend puna e shqiptarit. E burrit a njeriut të rracës sonë. Ku mbarojmë e mbahemi mend si soj. Tek kjo lërishte poronomesh plot mllefe e pështyma. Kur e pyeta Xhenin se, po ndonjë fajlë tjetër, më të hajrit, si mund ta them, a dinte. Dhe ajo mu përgjigj se, duke më thënë shpit. Mbeta, nuk po e gjeja. Më shkoi pandehma tek ajo sharja me rob a prag shpie. Shpit, me një fjalë shtëpitë. Po desh e i dha udhë vet ajo duke shtuar, shpit i im. Atëhere u kthjellova, e kuptova e kishte fjalën për dhelet, o shpirt, shpirti im etj. Dhe vuri dorën tek gjoksi duke më folur anglisht my hart, zemra ime, ë? Pohova me kokë dhe kurioz e pyeta se, edhe kështu, shpirt im a zemra ime, i dashuri shqiptar i fliste? Jo, mu përgjigj dhe më shpjegoi se ishte gjyshja e tij. Biles nuk e kishte kuptuar dot asnjëhere faktin shprehimor të saj, kur sa here që grindej me djalin dhe kjo mbyllej e mërzitur, rrinte pa ngrënë, gjyshja i afrohej dhe i thoshte, eja se ke gjithë ditën pa ngrënë. Kjo nuk pranonte. Kurse gjyshja duke e parë të mërzitur në kulm, ngulte këmbë, duke i thënë . Të mërziti që më rëntë pika mua. Dhe e fërkonte nga koka. Çfarë ishte kjo më rëntë a më raftë pika që gjyshja e merrte tek vetja. Ose e donte tek vetja si e si sytë e Xhenit të qeshnin? Kjo i kishte mbetur peng. Çfarë ishte kjo pika që gjyshja donte t’i binte pikërisht asaj për shkak të zënkave të tyre?! Kurrë nuk ia kish mësuar domethënien. Sigurisht në anglisht nuk ja përktheja dot pa i shpjeguar konceptin që kemi ne mbi pikën e diellit, kokës. Dhe që herë e përdorim si mallkim për tjetrin, por herë edhe për veten në kuptimin e një pendese. Dhembshurie me plot keqardhje. Me një fjalë gjyshes i vinte keq për ty, të donte të shihte të qeshur, i shpjegova unë. Ndaj i merrte mbi vete fyerjet e nipit. Mallkonte veten si e si ti dhe nipi të ishit të lumtur. Xheni u gëzua si fëmijë dhe mbushi sytë me lot.

Kurse unë me mendjen time thashë shkoqur. Dhentë Zoti e Xheni nga sot e tutje të na mbaj mend për gjyshet e mira se sa fjalorin vulgar të nipave tanë.

Filed Under: Komente Tagged With: Ilir Levonja, Më raftë pika

Dezertojnë katër ushtarë të Forcave Komando

November 17, 2017 by dgreca

logo e MMZyra e shtypit në Ministrinë e Mbrojtjes bën me dije se: Katër ushtarë të Forcave Komando, që kishin shkuar për një trajnim në Britaninë e Madhe, kanë qëndruar në Londër, duke mos u kthyer në Shqipëri me pjesën tjetër të grupit. Ushtarakët duhet të ktheheshin nga misioni në fund tetorit, por kjo gjë nuk ka ndodhur. Në momentin kur është konstatuar se ushtarakët nuk janë kthyer, janë njoftuar autoritetet britanike. Eshtë bërë shpallja në kërkim e 4 komandove, Ylber Tokrri, Aleksander Shkulaku, Klevis Lamkaj dhe Reni Ajazi. Më tej është bërë kallëzimi në prokurori. Prej disa javësh, mbeshtetur ne “Kodin Penal Ushtarak”, ndaj 4 efektivëve është depozituar kallëzim penal “Për dezertim”, pranë Prokurorisë së Rrethit Tiranë. Katër komandot shqiptarë që dezertuan duke mos u kthyer nga trajnimi në Londër, rrezikojnë deri në 5 vite burg, bazuar tek Kodi Penal Ushtarak. Në nenin 33 të Kodit, theksohet se shmangia nga shërbimi ushtarak ose dezertimi dënohet me 5 vite burg.

foto ilustruese

Shprehimisht:

Kodi Penal Ushtarak

SHMANGIA NGA SHERBIMI USHTARAK
Neni 33
Dezertimi Largimi nga reparti ose vendi i shërbimit, i ushtarëve dhe nënoficerëve, me qëllim shmangie përgjithmonë nga shërbimi ushtarak, si dhe mosparaqitja e tyre me të njëjtin qëllim në repartin ose vendin e shërbimit me rastin e emërimit, transferimit, kthimit nga misioni, nga spitali ose nga leja, dënohet me burgim deri në pesë vjet.

Po kjo vepër e kryer në kohë lufte ose në gjendje të jashtëzakonshme, dënohet me burgim nga pesë deri në pesëmbëdhjetë vjet dhe, kur ka sjellë pasoja të rënda, me burgim jo më pak se dhjetë vjet. {Sh.K}.

Filed Under: Kronike Tagged With: dezertojne, katër ushtarë, Shefqet Kercelli, të Forcave Komando

100 vjetori i Revolucionit Bolshevik-Meditime të nji viktime

November 17, 2017 by dgreca

48-repishti-300x212

Shkruan: Sami Repishti, Ph.D. */

Ridgefield,CT.- Me 7 nandor 2017 u mbushën plotë 100 vjet nga data kur komunistët bolshevikë, nen drejtimin e V.I. Leninit përmbysën rregjimin e Carit Nikolla II dhe filluen ndertimin e ish Bashkimit Sovjetik, tue ndryshue kështu fatin e botës mbar, përfshi edhe Shqipërinë tonë.

Ky “revolucion” që shumë historianë e konsiderojnë si nji nga ngjarjet ma të randësishme të historisë moderne filloi me 23 shkurt 1917, me protesta popullore në rrugët e Petrogradit/Shën Petersburg ish kryeqytet i Rusisë cariste për 200 vjet. Protestuesët e uritun dhe të lodhun nga lufta me Gjermaninë, kerkuen “bukë e paqë”. Autokrati Car Nikola II preferoi me dergue trupat ushtarake për paqësimin e gjendjes. Në përpjekje u vranë 40 demonstrues. Ushtria u trondit dhe filloi “mosbindjen” e autoritetit carist. Shumë ushtarakë u bashkuen me popullin. Kjo shkaktoi abdikimin e Carit Nikolla II me 2 mars 1917. Nji qeveri e re civile u formue e kryesueme nga Aleksander Kerensky.

Në ndërkohë, V.I.Lenini. emigrant në Svicër, me 3 prill 1917 u kthye në Petrograd me ndihmën e sherbimeve të mshehta gjermane që llogaritshin në premtimin e Leninit se do te bante paqë të ndame me Gjermaninë. Kjo  lejonte Gjermaninë me luftue vetëm kundër frontit të Perëndimit. Llogaritjet gjermane u vertetuen. Lenini nenshkroi Traktatin e Brest-Litovskit (1917): paqë me Gjermaninë!

Me arritjen e tij ne Petrograd, Lenini mori drejtimin e grupeve komuniste/bolshevike. Ai deklaroi se nuk njihte Qeverinë e Kerenski-t dhe proklamoi parullën “Paqë, bukë, tokë!” si pikënisje për revolucion. Për nji kohë të shkurtë Lenini fitoi përkrahjen e madhe të nji popullsie të lodhun. Ky ka qenë fillimi i “revolucionit të tetorit” në Rusi. Menjiherë, komunistët filluen përgatitjen e nji force ushtarake efektive, dhe naten 6-7 nandor 1917, nen komanden e Leon D.Trotsky-t, forcat revolucionare morën në dorë ndertesat qeveritare të kryeqytetit, dhe pushtetin e vendit. Kongresi i Dytë Panrus i Sovietëve, i mbledhun në Petrograd, formoi qeverinë e re nen drejtimin e V.I.Leninit, e perbame me shumicë “komisarësh  politikë”.

Qeveria e re me operacione ushtarake të përgjakëshme vendosi “diktaturën”, (ma vonë diktatura e proletariatit) e plotë në vitin 1922, datë në të cilën u formue Bashkimi Sovjetik që mbijetoi afër 70 vjet (1990). Mbrenda pakë muejve, Lenini forcoi disiplinën në rradhët e klasës punëtore; në Rusi gjendja u ba shumë e randë. Bashkimi Sovjetik, për arsye të krizes ekonomike dhe luftës u ba skena e shtypjeve të pamëshirëshme dhe vuejtjeve të pa kontrollueshme Diktatura tregoi forcën e vet.

Edhe sot, Presidenti Putin deklaron se për arsye të ndasive të medha në Rusi “…vendi ka nevojë për nji qeveri të fortë” Fatkeqsisht, liria e demokracia e pritun nga miljonët e shtypun nuk u realizue në Rusi. Por. gjatë kësaj periudhe, Bashkimi Sovjetik deshmoi nji rritje të madhe industriale, të arritun me çmim të naltë: miljona qytetarë të kombeve të ndryshme vdiqën nga shtypja dhe uria…!

Revolucioni ka qenë edhe arsyeja e shumë luftave kombëtare për çlirim në shumë vende të botës, që banë njikohësisht shekullin njizetë shekullin ma të përgjakshëm në historinë moderne.

Kush ishte udheheqsi “Bolshevik” V.I.Lenini? Condoleesa Rice, profesor dhe ish Sekretar i Shtetit, spjegon: ”Kur u kthye Lenini nga emigracioni, ai shfrytëzoi situatën që solli lufta në popullsi dhe ushtri, tue predikue nji shkëputje të plotë me të kaluemen. Ai ishte nji revolucionar deri në palc; që në fillim, ai u shpreh me nji retorikë të zjarrtë  dhe me nji fjalor politik që këshillonte ‘luftën’ deri në ekstrem.”  Ajo spjegon se “për Leninin ‘modaliteti’ nuk duhet të mbështetet mbi bazat e standardeve idealiste që ushqejmë; nuk duhet të bajmë kurrë kompromis, dhe duhet të jemi përherë ekstremistë…. Në mes të nji shoqënie vizionarësh, Lenini përqendronte vemendjen e tij në nji objektiv dominant që zakonisht nuk ashtë objektivi i klasave intelektuale: marrjen e pushtetit me çdo mjet”.

Ky qendrim anti-moral dhe plotësisht i pa skrupull solli rregjimin e “hurit dhe litarit” në ish Rusinë cariste, të vendosun nga Lenini- e të njohun eufemikisht si “diktatura e proletariatit”, dhe nuk pushoi asniiherë deri në vitet 1989-90 me ndryshimet radikale të fillueme nga reformisti Mikhail Gorbaçev…reforma që përfunduen me zhgënjimin e madh: Presidentin Putin. Shpresa për demokratizim dhe integrim në Botën e Lirë të Perëndimit nuk u realizue, dhe sot në shumë vende ish-komuniste, mbeturinat e së “keqes së madhe” vazhdojnë me helmue atmosferën e shoqënisë civile  ….. tue përfshi edhe Shqipërinë tonë!

Shprehja “revolucion” në shkencat shoqënore dhe politike përdoret me përcaktue nji lëvizje të madhe, të papritun, dhe tipikisht violente- zakonisht me gjak- që përmbysë rendin ekzistues dhe strukturat e shoqatat   e lidhun me këte rend, dhe  formon nji rendi të ri.

Sa e përgjakëshme ka qenë veprimtaria e Leninit? Nji shembull: Në mars 1922, ai shkruente: “Ashtë pikeëisht tani, dhe vetëm tani, kur në krahinat ku popullsia vdes nga uria dhe njerëzit ushqehen tue ngranë mishin e njeni tjetrit (kanibalizëm) dhe qindëra, ndoshta mijëra kufoma mbushin rrugët tona, që na mundemi (dhe prandej duhet) me zbatue konfiskimin e pasunisë së Kishës me egërsinë ma të madhe, dhe energji pa asnji mëshirë…Pikërisht në këte moment na duhet të luftojmë klerin në mënyrën ma të pamëshirëshme e vendimtare, dhe të dërmojmë rezistencën e tij, me nji brutalitet të atillë që kleri nuk duhet të harrojë në dekadat që vijnë…Sa ma i madh të jetë numri i  fetarëve reaksionarë dhe i borgjezisë reaksionare që ne do të ekzekutojmë për këte arsye, aq ma mirë për ne!”  (Martin Amis)

(Shenim: Arkivat kishtare tregojnë se në vitin 1922, V.I.Lenini ekzekutoi 1.962 murgjë, 2.691 priftën, 3.441 murgesha. Pse? “besimi ashte pjesë e natyrës njerëzore, kështu që bolshevikët ishin të detyruem me e shtypë në të gjitha format e tij, dhe të gjithë denominacionet tue përfshi islamizmin e budhizmin.”(po aty). “Nji tragjedi e vertetë, nji ngjarje që shkaktoi vuejtje të mëdha, shkatërrim dhe degradim”(Prof. Orlando Figes)

Akti i fundit: Lenini vdiq në 1924 e la trashëgim për Stalinin nji shtet policor, funksional, që ai perdori pa mëshirë (1924-1953) në asgjasimin e miljona qeniesh  njerëzore të pafajshme. (Vetëm vdekja e J.V.Stalinit shpëtoi nga asgjasimi fizik pesë miljonë jahudije në kampet e akullta siberiane të përgatituna nga Stalini)

Vazhduesi i Leninit, kryekrimineli J.V.Stalin (që ka qenë dhe mbetet personi i idealizuem edhe nga shumë komunistë shqiptarë!) ishte nji monstër i vertetë. Kush ishte Stalini?

Historiani i njohun Sebastian S. Montefiore në studimet e tia e përshkruen kështu: ”Deri në vitin 1917, J.V.Stalini ka qenë nji disident carist, rrugaç, pijanec, kangëtar, dashnor që vraponte mbas vajzave, dhe nji imitues i shkelqyeshëm” .

Prof. Stephen Kotkin, Princeton U., spjegon:” Diktatori Stalin ka qenë nji udhëheqës kontradiktor, ideolog e oportunist njikohësisht, njeri me vullnet të hekurt dhe krijesë e sistemit sovjetik, njeri pa karakter që shpërdoroi bashkëshorten e vet deri në vetëvrasje (dhe nuk e percolli në varr!) dhe nji udhëheqës që frymëzoi popullin e vet. Stalini bani ate që edhe udhëheqës të tjerë të dalluem kanë ba. Ai artikuloi dhe punoi me kambëngulje për nji qellim; në rastin e tij, nji shtet të fuqishëm, të mbështetun nga nji shoqëni e unifikueme që çrranjosi kapitalizmin dhe ndërtoi socializmin industrial. Metodat e tia anti-njerëzoe janë asgja ma pak se nji apokalips për popullsinë e vendit. Uria e madhe në fshat vrau ma shumë se shtatë miljonë qytetarë rus e të tjerë, pesë miljonë “kulakë” u arrestuen, deportuen, ose u ekzekutuen. Kambëngulja e tij mund të spjegohet me idenë e tij fikse të ndryshimit ‘me çdo çmim’ të gjendjes shoqënore dhe ekonomike në modernitet, që ai e pau si rruga e marrun nga fuqi tjera të mëdha: prodhim masiv, konsum masiv, kulturë masive dhe politikë masive. Anglia dhe Gjermania janë dy shembujt që ai imitonte. Arrestimi i miljona anëtarë partie, në mes të vitit 1931, tregon fatin e atyne që guxuen mos me u bindë, ose me kundërshtue “udhëheqsin”, “gjyqet spektakolare” të qytetarëve të pafajshëm- ma vonë të pakësueme- shpesh mbas torturash të randa që detyruen me   rrfye “anmiqt imagjinarë…”. Për Stalinin, terrori “përbante nji formë sundimi, nji mjet i artit të qeverisjes shtetnore.”

Edhe fakti që Stalini aplikoi metodat tronditëse në shtypjen e nji opozite të dobët, metoda që sollën ferrin mbi tokë për bashkatdhetarët e vet, spjegohen me nxitjen e shtypjes me shperblimeve byrokratike nga nji system represiv formidabel, dhe nga monopoli i pushtetit të nji partie të vetme në jetën politike të vendit. “ Ai merrte fuqi nga adhurimi i klasave të ulëta me imponue gjithçka nga nivelet e nalta. Në marrëdhanjet e politikës së jashtëme, sjellja e tij pa busull orientuese dhe pa parime të caktueme e paraqesin ate nji oportunist me eksperiencë, dhe ideolog me aftësi mendore të kufizueme”.(S. Kotkin)

Si Lenini ashtu edhe Stalini kanë vuejtë nga paranoia e vrasjes, deportimeve, asgjasimit të popullsive të tana. Si përfundim ata ndertuen nji rregjim, shovinist dhe ekspansionist, shtet policor, sundimin e nji njeriu të vetëm, kultin e individit, dhe gjetën mbështetje në terror, kampe përqendrimi dhe në “Big Lie!” (gënjeshtrën e madhe)

“E meta themelore e programit marksist ka qenë përballja pikë për pikë e ideologjisë me natyrën njerëzore,- shkruente shkrimtari izraelit Martin Amis- Udhëheqsit komunistë e kuptuen këte kontradiktë, por vendosën me lanë programin të paprekun dhe me ndryshue natyrën njerëzore, Në terma praktike ashtë ajo që na quejmë “totalitarizëm”  e që do të thotë nënshtrim total të qytetarëve ndaj politikës zyrtare.” Dhe mjerë ai/ajo që ka pasë guximin me devijue nga versioni zyrtar. Vetëm “gardianët e revolucionit” mund të ndryshojnë këte situatë. Kjo spjegon se përse pozita e Stalinit si gjysëm-perendi zbritet nga froni dhe përfundon sot në nji shenim negativ e pa randësi historike…!

I pyetun në se Qeveria ruse do të festojë 100 vjetorin e Revolucionit, zadhanësi qeveritar u përgjegj: “Qeveria nuk ka nji plan festimi”. Gazeta e njohun “Pravda” komentoi: “Ç’farë kemi këtu për festim?” Vitin e kaluem, Presidenti Putin inauguroi “Murin e Rihabilitimit” dhe në mes tjerash, ai tha: ’”Kjo e kalueme shumë e tmerrshme nuk duhet në asnji mënyrë të fshihet nga kujtesa e jonë; sepse, nuk mund të justifikohet, në asnji mënyrë e gjithë ajo që ka ngjarë’” Vetëm nji ‘guardian i revolucionit’ guxon me ndryshue historinë.  Lavdi e përkohëshme…..!

Disidenti i madh dhe shkrimtari rus Vladimir Nabukov, në nji artikull të vitit 1948, shkruente: ”Nen sovjetët, që në ditët e para, e vetmja mbrojtje për disidentët ishte shpresa se kapriçet e qeverisë do ti kursejnë pa shpresë në drejtësi ose ligjë. Asnji  parti e dytë nuk u lejue përveç pushtetit komunist. Byrokracia dominoi që në fillim. Opinioni publik u dërmue. Klasa intelektuale u eliminue. Çdo ndryshim që bahej ishte nji dekorim i skenave të shemtueme të nji grope të thellë e të zezë ku mbretnoi shtypja dhe terrori.”

Ashtë kjo shoqëni e re dhe e pabesë që u adoptue nga udheheqja gjysëm analfabete e vendit tonë – studentë të falimentuem, teneqexhijë, karrocierë, mjelse lopësh, shoferë, aventurierë pa busull morale…!

“As prindëve, as fëmijve të tyne nuk u besohet. Të gjithë janë të tmerruem ditë e natë, në çdo nivel tue përfshi edhe vetë Stalinin që jetonte me frikën e vrasjes çdo minut të jetës së tij” shkruen Nabukov.

(Nji shembull: kur Stalini udhëtoi për Teheran (Persi, 1942) në takimin me Churchillin dhe Rooseveltin, aeroplani i tij shoqënohej nga 27 avionë luftarakë. Kur udhëtoi për Potsdam (Gjermani, 1945) truproja e tij kishte 18.500 ushtarë e policë) (sic!)

Në Bashkimin Sovjetik nji popullsi e tanë ka qenë e traumatizueme …..Posa u hapen arkivat (mbas vitti 1990) u zbulue mënyra mospërfillëse me të cilën udhëheqsit sovjetikë, nën Stalinin, firmojshin vendimet për dënime me vdekje të qindëra mijëra qytetarëve – para se ata vetë të ekzekutoheshin gjithashtu, nji atmosferë e imortalizueme nga shkrimtari ish komunist Arthur Koestler në librin e ti “Errësinë në Mesditë”.

Tashti , “…me urdhën te Presidentit Putin arkivat janë mbyllë përsëri! NJi represion emocional i fortë ashtë zhvillue me qellim të mbulohen bremjet e ndërgjegjes për vuejtjet në Rusinë e sotme. Kjo ashtë plotësisht ajo që rregjimi Putin dëshiron dhe paraqet: nji shoqëni te tanë psikologjikisht e ndryshueme, dhe pa dëshirë me kthye kohën kah e kaluemja e vet, me përfundim të pa evitueshëm në nji depresion të hapun gjanësisht, dhe me besimin se vendi nuk ka nji të ardhme” përfundon Francis Fukuyama, Stanford…. Shqipëria me 2017 ?

Kjo spjegon me hollësi sa larg janë në gjendje me shkue demagogët ideologë, me zhdukë ose me shtrembnue të vërteten; me mshehë atrocitetet, vorfëninë, urinë lokale të fshatit, ekzekutimin fizik të klasës intelektuale, ndalimin “zyrtar” të ushtrimit të fesë, klerikëve e mbylljen e faltoreve, shuemjen e traditave –besë, nder, burrëni, mikpritje etj -dhe të jetës tradicionale e kulturore në qytet e fshat- popullsi e terrorizueme nga frika vetem sepse kërkon liri e demokraci…!

*****

Në Shqipëri ka pasë dhe ka edhe sot qytetarë të ndershëm që besojnë se “totalitarizmi” ka ngritë kokën përsëri mbas 27 vjetëve tranzicioni kaotik, tue përfshi presionin politik, mungesën e plotë të shoqënisë civile koshiente e gjendjes në vend dhe jashtë kontrollit qeveritar, nji arsim të pa organizuem me i përgjegjë nevojave të kohës dhe që nuk sherben interesat e studentëve as edhe ekonomisë së vendit që vuen nga papunësia e madhe, korrupsioni i shfrenuem që ka kapë për fyti edhe kuadrot drejtuese, dhe veprimtari mafioze pa frikë ndeshkimi…!

Por unë dyshoj se gjendja e sotme ashtë e pa shpresë! Sepse nuk ekziston akoma ne vendin tonë nji ideologji “zyrtare” që mobilizon masat e gjana  … …esenciale për nji shoqëni “totalitariste…! “

Nji njohës i mirë i sistemit sovjetik, dhe rregjimit të kuq në Shqipëri, analisti Dr. Janos Bugajski, në nji intervistë me Zërin e Amerikës (9 nandor 2017) bani këte deklaratë: “Përsa i përket trashëgimisë komuniste (në Shqipëri) kjo çfaqet në mes tjerash tek gjëra të këtilla si varësia tek Shteti për punësim dhe për ndihmë, tek nji farë tolerance ndaj shtypjes shtetnore, tek vazhdimi i lidhjeve dhe interesave speciale që vazhdojnë qysh nga koha e komunizmit dhe tek përfshirja e pamjatueshme e publikut në aktivitetet shoqënore; publiku akoma nuk e sheh veten si subjekt por si objekt politik, dhe kjo duhet ndryshue… (Megjithate)…as që mund të bahen krahasime me të kaluemen komuniste…Absolutisht duhet nji rihabilitim moral- sepse ish përndjeksit komunistë shetisin lirisht në rrugët e Tiranës….Mendoj se duhet të ketë ma shumë vemendje nga media dhe nga sistemi arsimor, më shumë informim publik rreth atyne që vuajtën nen komunizëm…” Dr. Bugajski quen viktimët e komunizmit “heroj” dhe kundërshtimin e tyne “heroizëm” i treguem nga këta persona gjatë periudhës së shtypjes…!

Në nji intervistë të njikohëshme për Zërin e Amerikes, e dha edhe Zonja Gentiana Sula, drejtoreshë e Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit. Ajo mendon se “…moshapja e arkivave u ka mohue njerëzve të drejtën për të njohë të vërteten.,. (sepse) shumë plagë të së kaluarës ende janë të pambyllura. Në Shqipëri, vendi në disa raste e gjen veten në nji kontradiktë me brezat e rij (të painformuem), nji pjesë ka nostalgji; të tjerë që ende nuk janë shkëputur dot nga mentaliteti i së kaluarës- Shqipëria vlerësohet nga të huajtë ekspertë se ende nuk e ka përfunduar periudhën e tranzicionit nga diktatura në demokraci…”

Unë do të shtojshe: ” nga skllavëria komuniste në nji jetë të lirë; nga frika e ushqyeme, në guxim me farkëtue fatin me duart e veta”.

Le të zbulohen të gjitha krimet e kryeme kundër qytetarëve shqiptarë, le të demaskohen të gjithë kriminelet, dhe të gjinden të gjitha vendet ku janë krye këto krime të pabesueshme dhe makabre të regjimit komunist në Shqipëri; le të zbulohen të gjitha varret individuale e varrezat kolektive dhe të bahen ata vende pelegrinazhi, “vende të shenjta” për adhurim nga të gjithë- veçanërisht për nxanësit e shkollave tona; le të  kthehen ata në objekte frymëzimi dhe subjekte meditimi të thellë.

Sepse vetëm, nji ndërgjegjsim i plotë i së kaluemes sonë tepër tragjike, do të pengojë përsëritjen e saj.

Nga vorret e harrueme, viktimat akoma të shqetësueme, kërkojnë me za të naltë: Vllazën, motra! Mos na harroni! Mos harroni mesazhin tonë: kurrë ma diktaturë në Shqipëri, kurrë ma ideologji të hueja në Shqipëri, kurrë ma “gënjeshtrat e mëdha” në Shqipëri ….!

=======================================================

* ish i burgosun politik në Shqipërinë komuniste (1946-56), dhe në Jugosllavinë komuniste (1959-60)

 

Filed Under: Opinion Tagged With: 100 vjetori, i Revolucionit Bolshevik, Meditime, Sami repishti, të nji viktime

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1677
  • 1678
  • 1679
  • 1680
  • 1681
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT