• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Komunitet- Lajm mortor

November 7, 2017 by dgreca

1 shenje zije

Me dhimbje te thelle dhe deshperim te madh,  njoftojme te afermit, miq e dashamiret  se  Mustaf Vraniqi nga Prizreni me banim ne  Plano Texas , SHBA, ka ndru jete 5 Nendor 2017 Mustafa ishte nje bashkeshort, babe,  gjysh, vella i mrekullueshem dhe miku me i mire i yni. Por gjithashtu ishte edhe  nje shok i vecante, nje patriot e atdhetar i flakte, bujar ne shpirt e ne veprime, i dashur dhe i respektuar me te gjithe njerezit, dhurues i perhershem i dashurise  dhe i respektuar prej gjithe komunitetit. Mustafa  lindi dhe u rrit ne Prizren dhe emrigroi ne Amerike familisht ku ka jetuar dhe punuar me nder e me djersen e ballit  dhe kudo ka  fituar respektin e nderimet e gjithe komunitetit shqiptar dhe Amerikan por edhe me gjere se aq.  Mustafa gjithmone ishte modest , por vepra e tij flet shume. Ai  do te na mungoje shume, ne familjareve te tij, gruas Medijes, djalit edhe vajzave , vellezerve,  motres, niprave e mbesave, te afermeve e krejt miqve qe e kane njohur.  U prehte ne paqe shpirti i tij.

Per sherbimet dhe vizitia  lutemi shihni informacionet me poshte:
Per te pamen adresa eshte :
1409 Glyndon Drive, Plano TX,
Tel: 214 923 9686
Sherbesa fetare ne xhamine  Abrams, ne  Richardson, TX  :
Te marten ne Ora 1.45 falja
Trupi i tij do te pushoje afer  trupit te vajzes Valona  ne Restland Cemetary in Richardson, Texas, SHBA.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Mustaf Vraniqi, nderroi jete, Teksas

Parlamenti Shqiptar- Kur kërkohej zi per Leninin, Wilsonin dhe Van Kosturin

November 7, 2017 by dgreca

Parlamenti 1924-kur J.Erebara kerkoi zi per Leninin, Fico shenje zie per Wilson, A.Kelcyra zi per Vani Kosturin/

1 parlamenti1924-300x180

Nga Gëzim Llojdia/ 

Bisedimet e Kuvendit kushtetues. Faqe 63-65.Mbledhja e VII. E hanë me 4 Fruer 1924.Ora 3 m.dr.
Në parlamentin shqiptar në vitin 1924 është mbajtur zi për tre  personazhe krejt të ndryshme me njëra-tjetrën. Reuf Fico sapo ka filluar seanca e pasdrekes ka kërkuar që të mbahen 5 minuta zi për vdekjen e  Presidentit amerikan Ëilson .Ndërkaq z.R.Fico ka kërkuar ti dërgohet një telegram në shenjë ngushëllimi familjes. Pas kësaj zie, parlamenti është mbledhur sërish. Jashar Erbera ka kërkuar që të mbahen edhe 5 minuta zi për vdekjen e Leninit. Duke e shqyrtuar këtë propozim me thëniet se Lenini  do të fliste më tepër për një Shqipëri të madhe. Ky propozim ka bërë që në sallë të dëgjohen të qeshura. Deputeti Avni Rustemi ka marrë fjalën ku midis të tjerave ka thënë se Shqipëria nuk duhet të jetë bolshevike, por sipas A.Rustemit,Lenini  ishte  i  pari që denoncoj traktatin e fshehtë të 1915 për copëtimin e Shqipërisë. Ndërhyrja e E. Vlorës kaironike : Për nderin e kaq mij shpirtrave që therri me duar të tija….replikoi ai.
Ndërhyrjet e deputetit A.Këlcyra ka qenë për të mbajtur 5 minuta zi për Vani Kosturin të cilët i ishin vrarë djali dhe nipi nga ushtritë  e huaja.

Tekësti i plotë

Bisedimet e Kuvendit kushtetues. Faqe 63-65.Mbledhja e VII. E hanë me 4 Fruer 1924.Ora 3 m.dr.

Z.Reuf Fico: Z. kryetar! Pa hy në bisedime të  rendit të ditës,dua të bëje një proponim..Me hidhërim muarrmë vesht se ish-kryetari i Shteteve të Bashkuara t’Amerikës Ë.Ëilson-i vdiqë. Duke marrë parasysh shërbimet e mbëdha që I kas bërë Shqipërisë, proponoj të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi edhe t’ i  hiqet një telegram ngushëllimi familjes së ndyerit.
Pranohet.
Bahen 5 minuta pushim dhe pas 5 minutash mbledhja mbështjellet prapë. Z. Jashar Erebara: para se të hymë në bisedim proponoj të bahen 5 minuta pushim edhe për Leninin, se në qoftë se Wilson do flitet për të mirën e Shqipnis,ma tepër do të flitte Leninin për një Shqipni të madhe.
Ilaritet.
Z. Avni Rustemi:Më vjen shumë keq Z. Kryetar, që kur përmendet emri  i Leninit, ndigjohen qeshje nga anë e disa përfaqësuesve të kombit. Nuk due që Shqipëria të jetë bolshevike, sepse gjendja dhe pozita e saj  nuk e don po për principet e larta njerëzore duhet që me një respect të zihet në gojë emri  i tij.E dini fare mirë zotërinj se qysh ay mproj  principet e larta të njerëzisë e se kje i  pari që denoncoj traktatin e mëçeft të 1915 që ishte për copëtimin e Shqipërisë. E dinja se proponini i bërë prej z Erebarës nuk do të pranohej,po neve  me gjithë atë e kemi për detyrë të proponojmë që të bëhen 5 minuta pushim si shenjë hidhërimi për vdekjen e tij.

Z.Eqrem Vlora:Për nderin e kaq mij shpirtrave që theri me duar të tija….

Z.A.Këlcyra: Z.Kryetar! Në ket rast që po nisim të bëjmë  5 minuta pushim për njerës të huaj më duket se  se do t’ishte më e drejtë të bëjmë 5 minuta pushim për ata që kanë derdhë gjakun për krijimin e Shqipërisë e që ketë tokë e kanë vaditur me gjakun e tyre .Mbasi sot po shkojmë nga jeta e armiqësisë e intrigave fqinjore, propozoj të bëhen 5 minuta  pushim për Vani Cico Kosturin të cilët i kanë dekë të vrarë i biri nga ana e Grekërve dhe nipi nga ushtrija turke dhe ti hiqet një telegram ngushëllimi familjes së tij.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Gezim Llojdia, Parlamenti, Van Kosturin, Wilsonin, zi per Leninin

Një përvjetor që nuk e tronditi botën

November 7, 2017 by dgreca

1 Andon Dede

nga Andon Dede, Nju York/

7 nëntori, në mos të gjithëve, të paktën brezit tim,  i kujton një datë apo ngjarje tepër të rëndësishme, Revolucionin Socialist të Tetorit, të 1917-ës, kur për herë të parë në histori, në krye të Rusisë, deri atëhere e njohur si “cariste”, u vendos një sistem apo pushtet, krejt ndryshe nga të tjerët, sistemi apo pushteti i sovjetëve, me në krye Leninin. Siç  shkruante analisti i njohur i çështjeve ndërkombëtare, George Friedman, – ishte një revolucion i bazuar jo vetëm në shpresën, por në sigurinë që gjendja njerëzore mund të mbushej me barazi, bollëk dhe liri. Ai krijoi një regjim që ishte i gatshëm dhe ndihej i detyruar  të bënte çdo gjë për të krijuar atë përsosmëri, por ai regjim përfundoi në vitin 1991, i rraskapitur nga mjerimi që kishte krijuar”.

Për këtë ngjarje epokale, në llojin e vet, janë shkruar e botuar qindra në mos mijëra libra. Por, në vitet që pasuan Revolucionin, libri që bëri më shumë bujë e që e njohu Botën me gjithë sa u zhvillua në Rusi, në ato ditë të stuhishme, ishte libri i gazetarit amerikan Xhon Rid: “Dhjetë ditë që tronditën Botën”. Se vërtet që Bota u trondit: për herë të parë një shtet i madh si Rusia, po qeverisej nga një ekzekutiv krejt ndryshe nga të tjerët, nga i ashtuquajturi:”pushtet i punëtorëve dhe i fshatarëve”, që simbolizohej dhe nga drapëri e çekani, i pranishëm në flamurin jo vetëm rus por dhe të shumë shteteve të tjera që do to ndiqnin shembullin e tij. Jo vetëm kaq, por me parullat që shpërndante apo programet që shpaloste, ai Revolucion bëri për vete miliona njerëz në mbarë Botën, përfshirë këtu edhe politikanë, shkrimatarë, artistë, filozofë e të tjerë personalitete të shquara të të gjitha fushave. Do të zgjateshim shumë po të merreshim me këtë aspekt, problem ky që lidhet me komunizmin, apo me socializmin real, një temë që del jashtë caqeve të këtij shkrimi.

Për të qënë më të saktë, duhet të mos harrojmë se një pushtet i tillë, qe përjetuar edhe një herë më parë, në atë që njihet si “Komuna e Parisit”, (28 mars – 28 maj 1871), ku realisht në pushtet ishin masat e popullit, por që e pati jetën shumë të shkurtër dhe tashmë i përket Historisë, si dhe Revolucioni i Tetorit, për të cilin po flasim. E vlen të theksohet edhe diçka tjetër. Gjatë Komunës së Parisit, frymëzuesit e saj, themeluesit e Socializmit Shkencor, siç i kemi njohur ne në shkollë, Marksi dhe Engelsi, ishin akoma gjallë, por në vend që të gjendeshin atje, në Paris, e të udhëhiqnin revolucionin e frymëzuar prej tyre, ata e ndoqën atë nga jashtë. Më pas, ata do ta analizonin e kritikonin atë, por tashmë qe vonë. ( Sa për kuriozitet: Në Tiranë është një rrugë që mban këtë emër ).

Dhe ja tani ne po përjetojmë 100 vjetorin e asaj ngjarjeje, që siç thamë, tronditi Botën. Për këtë përvjetor, kanë filluar të botohen prej kohësh shkrime e studime, nga analistë e autorë të tjerë me autoritet; janë organizuar konferenca akademike e lloj-lloj tubimesh të tjera. Lexuesi kureshtar, me një klikim në Internet, gjen me qindra në mos dhe me mijëra burime informacioni, për gjithë sa thamë më sipër. Unë po përpiqem, si përherë në shkrimet e mija modeste, ta shoh atë në një përjetim thjesht personal.

Nuk e di se si do të përkujtohet kjo ditë në Rusi, pse jo dhe në vendin tonë, por mund të them me bindje se si do të përkujtohej ajo sikur të mos kishin ndodhur ngjarjet epokale të fund-shekullit të kaluar që sollën pluralizmin, shëmbën Murin e Berlinit, shpërbënë Bashkimin Sovjetik dhe shënuam fillimin e një epoke të re. Përgatitjet për ta festuar atë sa më madhërishëm, do të kishin filluar prej kohësh. Propaganda për sistemin e ri, që e pat zanafillën në atë nëntor historik, do të kishte një kreshendo të ndjeshme duke kulmuar me parada ushtarake e manifestime madhështore, në Sheshin e Kuq të Moskës dhe në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, tek ne, sigurisht po të mos ishim prishur me Hrushovin. Por ja që ngjarjet rrodhën siç nuk ishin parashikuar dhe sot, ky 100 vjetor i atij Revolucioni që “tronditi Botën”, po përjetohet krejt ndryshe.

Për hir të së vërtetës, duhet pohuar se sistemi komunist, që e pati zanafillën tek ai revolucion, kishte konsoliduar një shtet apo diktaturë aq të fuqishme, sa që vështirë të mendohej se mund të vinte një ditë e të përmbysej. Këtë nuk e them unë, por e pohojnë gati të gjithë ata që janë marrë me problemet e Bashkmimit Sovjetik e të vendeve të Europës Lindore. Unë nuk do të isha i sinqertë me lexuesin po të thosha tani se e prisja një dështim të tillë. Ne, me kohë e patëm kuptuar se në zhvillimet tona kishte diçka që nuk shkonte, por as që na priste mendja se ai sistem edhe mund të merrte fund një ditë, siç e meritonte, nga që laku në qafën e popullit kishte arritur aty ku nuk mbante më, qoftë për nga ekonomia që kishte rënë në kolaps të plotë, ashtu dhe për nga liritë e munguara, një luks i harruar prej kohësh tek ne. Keq na vinte, por s’kishim se ç’të bënim. Kishim krijuar bindjen se ai qe fati ynë dhe po e përballonim atë realitet të përçudnuar në heshtje.

Por, në të tilla përfundime nuk ishim të vetmit. Bashkimi i ashtuquajtur i lavdishëm Sovjetik, tashmë ishte kthyer  në një supefuqi që vështirë të të shkonte në mendje se mund të shkërmoqej ndonjë ditë.

Kjo situatë apo dhe bindje vazhdoi deri në fund të viteve ’80, të shekullit të kaluar. Gorbaçovi, me Perestrojkën dhe Gllasnosin, krijuan një klimë krejt të re. Të krijohej përshtypja se sistemi komunist edhe mund të mbijetonte në ndonjë formë më njerëzore, siç u përpoq në Çekosllovaki i ndjeri Dubçek,  e që e pagoi aq shtrenjt. Por, siç e dimë, as ky supozim nuk u realizua.

E thamë dhe më lart se Bashkimi  Sovjetik apo dhe satelitët e tij, kshin mundur të paraqisnin një pamje të gënjeshtërt të realitetit të ashtuquajtur socialist. Në ato vite nuk kishte Internet dhe mjete të tjera të komunikimit e informimit masiv, si tani. Nga ana tjetër, diktatura e ashtuquajtur e proletariatit qe ndër më të tmerrshmet që kishte njohur historia. Por, për hir të së vërtetës, duhet pohuar se jo të gjithë mendonin kështu. Realiteti, shifrat dhe faktet tregonin krejt të kundërtën e asaj që propagandohej me aq bujë. Pikërisht në këto vite, u botua libri i Sbignev Brzezhinskit, “Dështimi i madh, Lindja dhe vdekja e Komunizmit në shekullin e Njëzetë”. (  Zbigniew Brzeziński: “The Grand Failure: The Birth and Death of Communism in the Twentieth Century The Grand Failure: The Birth and Death of Communism in the Twentieth Century is Zbigniew Brzezinski’s prescient analysis of “the terminal crisis of communism.” One of the most astute foreign policy experts of our time, Brzezinski argues that the advent of communism was a critical phenomenon in the history of the century. From the Cold War, to the building of the Berlin Wal The Grand Failure: The Birth and Death of Communism in the Twentieth Century”).

          Ia vlen të ndalem pak më gjatë tek ky libër, që, për hir të së vërtetës, ishte dhe shtysa kryesore e këtij shkrimi.

Mua më ra në dorë vetëm pak kohë pas botimit, falë një kolegu të Institutit të Studimeve M-L, ku punoja në atë kohë, aty nga fundi i viteve ’80, të shekullit që lamë pas. Librin e lexova me një frymë dhe e skedova gjithë interes, sa nga faktet e të dhënat bindëse që jepte, aq dhe nga mënyra e të shkruarit. Për temën që po shtjelloj, mund të citoja faqe të tëra për të përligjur vlerësimin tim për atë libër e sidomos për autorin e saj. Për mua ai ishte një nga mendimtarët gjenialë që jetonin akoma. Ai kishte urrejtje të madhe për komunizmin dhe, ndryshe nga shumë kolegë të tij në universitete apo dhe në Partinë Demokratike amerikane, ai nuk pati asnjë iluzion për Bashkimin Sovjetik. Me shifra dhe fakte ai tregonte dështimin e komunizmit, si një sistem shoqëror utopik por që në të vërtetë qe një diktaturë e egër, ndofta e pakrahasueshme me të tjerat. Me argumenta bindëse ai vinte në dukje se regjimi që u vendos në Rusi pas Revolucionit të Tetorit, nuk kishte thuajse asgjë të përbashkë me teorinë marksiste për pushtetin e dalë nga populli e në shërbim të tij. Autori, me të dhëna konkrete ballafaqon realitetet e dy superfuqive të kohës, Bashkimit Sovjetik dhe SHBA-së, përmes të cilave lexuesi, pa pasur nevojë për asnjë koment, e kupton se kush po jeton më mirë apo, për të qënë më të saktë, kush arrin të gëzojë e të shijojë të mirat materiale e kush i siguron ato përmes stërmundimesh raskapitëse në sasira e cilësira shumë më të ulta. Dhe vetë Hrushovi nuk e fshehu habinë kur u përball direkt me arritjet e sofistikuara teknologjike në Amerikë.

Fenomeni komunist, thekson ai, përfaqëson një tragjedi historike. Në analizë të fundit, politikat marksiste-leniniste buronin nga një keqinterpretim i historisë dhe nga një keqkonceptim fatal i natyrës njerëzore. Ai nuk mundi të marrë parasysh etjen bazë njerëzore për liri individuale, për vetëshprehje artistike dhe shpirtërore.

Por, ajo që më bëri më shumë përshtypje e m’u ngulit si thikë në mendje qe parashikimi i tij gjenial, se ai sistem, shumë shpejt, do të merrte fund. “Parashikoj një skenë të tillë, – shkruan ai, – që më 2017, 100 vjet pas Revolucionit Bolshevik, të hapet në Moskë, atje ku është Mauzoleu, një ekspozitë e përhershme: “100 vjet të humbura kot! 50 milion jetë të humbura kot!”.  Ky qe për mua një pohim tronditës, se ne akoma, siç thashë më lart, nuk besonim se do të ndodhnin ato që ndodhën. Edhe pse të gjithë e kuptonim se rruga ku kishim hyrë qe një katastrofë e vërtetë, prapë na dukej se sistemi do të mbijetonte, qoftë edhe duke u zvarritur. Nuk besoj se po shpreh vetëm mendimin tim. Madje dhe vetë Brzezhnski vë në dukje se “kriza përfundimtare e komunizmit bashkëkohor historikisht është dhe më dramatike, pikërisht për shkak të fillimit të saj të befasishëm”. Në libër tema e komunizmit trajtohet gjerësisht e në disa plane. Ai ndalet dhe tek zhvillimet e pas-Luftës së Dytë Botërore kur Bashkimi Sovjetik ua imponoi atë sistem/regjim shumë vendeve të Europës Lindore, përfshi dhe vendin tonë. “Është fakt, – shkruan ai – se asnjë regjim komunist nuk e mori kurrë pushtetin si rezultat i vullnetit të popullit të shprehur lirisht”. Në renditjen që bën përsa i përket totalitarizmit, Shqipërinë e vendos të parën.

Libri në fjalë ndikoi ndjeshëm tek unë dhe për këtë i jam shumë mirënjohës autorit të tij i cili ndërroi jetë më 26 maj të këtij viti, vetëm pak muaj para 7 nëntorit dhe nuk arriti të përjetonte apo edhe të gëzonte atë që kishte parashikuar rreth 30 vjet më parë.

Nju York, 6 nentor 2017

Filed Under: Opinion Tagged With: Andon Dede, Një përvjetor, që nuk e tronditi botën

FESTIVALI I 27-TË SHQIPTAR , NJË KURORË SHUMËNGJYRËSHE PËR HEROIN KOMBËTAR

November 6, 2017 by dgreca

Dom Pjeter Popaj:Ky Festival i dedikohet heroit tonë kombëtar Gjergj Katstriotit Skenderbe me rastin e 550 vjetorit të tij.  Ne e falënderojmë Zotin për këtë njeri të madh.Mos të ishte Ai nuk e di a do të kishte Shqipëri, nuk e di a do të flisnim shqip ndopak dhe me siguri nuk do ta kishim këtë festival sonte.  Prandaj, edhe për këtë tubim, si shqiptar, e falënderojmë Zotin në qiell e Kastriotin në tokë. Me flamurin e tij identifikohemi, me gjuhë e kulturë që na i ruajti ne krenohemi. Këtë pasuri, sonte, ky festival e qet në skenë para jush që të shijoni traditat e bukura, të lashta shqiptare.  Dhe kurrë mos t’i shmangemi porosisë së tij, “Mos harro se je shqiptar”./

 

1 ok 1 balline1 dom Pjetri1 femijet dhe Heroidritani Boston1 valltaret ok 3Valle djemte

NGA ASLLAN  BUSHATI /Lehman Center for the performing arts,- 5 Nentor 2017- Në pasditën e së  dielës  të 5-së Nëntorit 2017, drejt  sallës së madhe të performimit te artit në Lehman  Kolegj ,(Lehman Center for the performing arts),  bashkatdhetarët nga NY me rrethina, por dhe nga shtete të tjera, me fëmijët dhe familjarët e tyre,  erdhën për të qenë  të pranishëm në performin dhe shijimin  e festivalit të 27-të të Këngës  Shqiptare në Bronx NY .Organizimi i kësaj ngjarje të rëndësishme kulturoro-artistike  për komunitetin shqiptaro-amerikan, është bërë i mundur  nga Qendra “Nëna Tereze” e Kishës Katolike Zoja e Shkodrës. Rrugët që të conin për në mjediset e sallës së festivalit, ishin me një prani shumë  të shtuar të policisë së NY. Kjo gjë nuk bezdiste askënd, por përkundrazi  njerëzit ndjeheshin më të sigurtë, duke patur parasyshë ngjarjen makabre të  kësaj të diele  në Teksas dhe të para disa ditëve në Manhattan. Policët ishin shumë të sjellshën, por edhe shumë rigoroz, për të parandaluar cdo  situatë të pakëndëshme. Respekte për ata dhe punën e tyre.

23275310_10155887374623151_8517490894149523550_o1 dritani Dom Pjetri1 marku5 edhe richardi6 Mark Sh23172865_1559608507437877_2371185598600128892_n

Para fillimit të festivalit, pak nga pak, salla u mbush me kostume shumëngjyrshe të të gjitha krahinave shqiptare nga Kelmendi  në Camëri, nga Presheva e në Tivar. Fëmijët e të rinjt  shkëlqenin  me veshjet e tyre si  lule të bukura , por edhe të moshuarit “ konkuronin”  tek-tuk si për të  thënë:  se dhe ne jemi  këtu!  Të ftuarit dhe personalitetet e komunitetit  i pritën me shumë përzemërsi  drejtuesit e Kishës katolike “Zoja e Shkodrës”: Famulltari Dom Pjetër Popaj, Marjan Cubi  e Mark Shkreli, si dhe drejtuesit artistik Fran Cotaj, Gëzim Nika (Mjeshtër i Madh) etj.  Për personalitetet  e komunitetit ishte rezervuar rreshti i parë i  kolonës se mesit , në të cilën zunë vend:  Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës Vatra  Zoti Dritan Mishto , Asamblisti i NY Zoti Mark Gjonaj, drejtues të Vatrës,  Kishës Katolike, komunitetit, artit e kulturës,  biznesit etj.

Kur sipari i festivalit u hap, në sfond u cfaq hijshëm një poster madhështor i Gjergj Kastriotit – Skënderbeut,  e cila i ndjesoi të pranishmit të ngrihen në këmbë e të prisnin me duartrokitje daljen në skenë të grupit te valleve  “Rozafati”  me koreografi të Angjelina Nikës (Mjeshtër i Madh) dhe fill pas tyre grupi i konferencierëve të festivalit : Kozeta Turishta, Sebastian Tinaj, Veronika Juncaj dhe Joseph Cubi, të cilët e drejtuan me profesionalizëm dhe dinjitet. Me duartrokitje të zgajtura është pritur ngjitja në skenë e Famullitari të Kishës Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodrës”,  Dom Pjetër Popaj. Në përshëndetjen e Tij, famullitari tha se ky festival, i 27-ti që nga fillimi, i dedikohet Heroit Kombëtar të Shqiptarëve, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, në nderim të përvjetorit të 550 të largimit nga jeta! Ja pershendetja e plote e famullitarit Dom Pjeter Popaj:” Mirëmbrëma dhe mirë se vini në Festivalin e 27 shqiptar ,organizuar si për çdo vit nga Kisha e jonë shqiptare, Zoja e Shkodrës në Hartsdale, New York.

Ky Festival i dedikohet heroit tonë kombëtar Gjergj Katstriotit Skenderbe me rastin e 550 vjetorit të tij.  Ne e falënderojmë Zotin për këtë njeri të madh.Mos të ishte Ai nuk e di a do të kishte Shqipëri, nuk e di a do të flisnim shqip ndopak dhe me siguri nuk do ta kishim këtë festival sonte.  Prandaj, edhe për këtë tubim, si shqiptar, e falënderojmë Zotin në qiell e Kastriotin në tokë. Me flamurin e tij identifikohemi, me gjuhë e kulturë që na i ruajti ne krenohemi. Këtë pasuri, sonte, ky festival e qet në skenë para jush që të shijoni traditat e bukura, të lashta shqiptare.  Dhe kurrë mos t’i shmangemi porosisë së tij, “Mos harro se je shqiptar”.

Falënderojmë anëtarët e komisjonit organizativ, të cilët kanë dedikuar muaj, javë, ditë e orë, për të përgaditur një program të shkëlqyshëm për ju. Sa kënaqësi është kur i shohim të rinjt e të rejat që kanë lindur këtu, duke kënduar e vallëzuar këngë e valle shqiptare.  Këta e tregojnë se mburren që janë shqiptarë.  Gjithashtu, nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi e Çamëria kemi këngëtarë, muzikantë, instrumentalista të talentuar e të shquar, të ftuar këtu sonte në këtë festival.Mirëseardhje mysafirëve tanë të shquar nga lamitë e ndryeshme, fetare, politike, shoqërore. Pjesëmarrja e juaj na nderon.Falënderojmë gjithë ju, të pranishëm, për pjesëmarrjen tuaj, e njëkohësisht për përkrahjen tuaj tash 27 vjet me radhë.  Pa ju nuk do të ishte Festivali, prania e juaj ndihmon dhe nxiton brezin e ri, sidomos ata që kanë lindur këtu.Ju dëshiroj që s’bashku të kalojmë disa orë të këndshme ndërsa argëtohemi me këngë e valle të bukura shqiptare.Faleminderit, e kalfoshi mirë!”

Festivali i 27-të Shqiptar ishte një spektakël i bukur, ku jehuan këngët dhe vallet nga të gjitha trevat kombëtare, ku Shqipëria Etnike, ishte e gjitha në skenë.

Me këngën për Ibrahim Rugovën dhe “Kuq e zi”,këngëtarja e mirënjohur Alberie Hadergjonaj, hapi festivalin dhe si i thonë fjalës “ e tërhoqi këmbën zvarrë” që cdo gjë  të shkonte si është më e mira. Kurse kengen”Margjelo” e kendoi me shumë pasion Artur Matija e në vazhdim “Vallen e shamisë”, e interpretoi  grupi i dytë i Rozafatit me koreografi  të Angjelina Nikës (Mjeshtër i Madh),  për të cilën duhet thënë se e “lulëzoi” skenën e festivalit.

Kur konferencierët njoftuan se në drejtimin e orkestrës është Mjeshtri i Madh, Shpëtim Saraci  dhe se potpurinë me këngë korcare do ta këndojë  këngëtarja e mirnjohur (dhe bashkshortja e tij), Mira Konci, të pranishmit u ngritën në këmbë  e duartrokitën në shenjë respekti për ta:- Së pari për gjurmët që ata kanë lënë në artin shqiptar, së dyti si ndjesi,  për keqtrajtimin që shtetarët e sotëm i bënë Shpëtimit Saracit (orkestrantit më të mirë shqiptar të cerek shekullit të fundit) duke i shkurtuar vendin e punës, dhe së treti,- ata tashme do të jenë pjesë e komunitetit tonë shqiptaro-amerikan.

Në vijim festivalin e pasuroi Ansambli folklorik “Bashkimi Kombëtar”i drejtuar nga Gjergj Dedvukaj e Tomë Gjergji, të cilët interpretuan“Kombi ynë me djep mbi gurë”,”Të pa ndarë jug e veri”, valle dibrane, e pjesë instrumentale, si dhe interpretimi nga  gjashtë vjecari Joseph Juncaj, që këndoi me shumë  pasion e dinjitet këngën”O malësi të bekoftë zoti”. Me duartrokitje u përcoll edhe Valentina Ivezaj, që këndoi “Këngë për Shqiptarinë”. Programi vazhdoi me “Freski Bjeshke-Instrumentale e; Interpretuan Tonin Haxhia, Ndue Nika dhe Edmond Nikolli.

Koncerti kulmoi me këngën polifonike të Grupit të Bostonit, nën drejtimin e Petrit Alibeajt( inisiator per krijimin e deges se Vatres ne Boston) “Në Vlorë foli Prefekti”…

Në pjesën e dytë të programit të pranishmit u argëtuan  me “Moj e bukura more” kënduar nga Layla Lukaj, potpuri këngësh kosovare nga Shpresa Gojani, melodi me cifteli, monolog për Prek Cal Viganin nga Tomë Gjergji dhe vallen came të interpretuar nga grupi i valleve të Bostonit me koreogafi  të Bashkim Brahos. Në vazhdim të kësaj pjese të programit, Shoqëria klturoro-artistike “Kelmendi” solli “Kangë për Prek Calin”, “Bashkimin kombëtar”, “Shtatë malet e Malsisë” e valle tradicionale etj.

Në pjesën mbyllëse të festivalit,  u soll për të pranishmit pak humor, këngë shkodrane nga Nikoleta Vokrri, “Vajzë e bukur moj malësore” nga Elisabeta Marku dhe si qershia mbi tortë “Vallja e shqipeve “ interpretuar shume bukur nga grupi Rozafati me koreografi të Angjelina Nikës (Mjeshtër i Madh).

Festivali i 27-të,  ishte në vetvete jo vetëm një aktivitet i  rëndësishëm vjetor, por mbi të gjitha  ishte një vepër e rëndësishme e jetës kulturoro-artistike të komunitetit tonë  shqiptaro-amerikan. Ai  do të mbahet mend gjatë  si për prurjet dhe nivelin artistik. Ka qene një punë e lodhshme  për të madhin Gëzim Nika (si drejtues artistik dhe regjizor)  e për gjithë komisionin organizator, por në të njejtën kohë  një kënaqësi, dëfrim e clodhje  për ata që e panë dhe e shijuan direkt në sallë dhe për ata që do ta ndjekin në ekranet e televizionit. Respekte për Dom Pjetër Popajn dhe gjithë drejtuesit e Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” që bëjnë kaq shumë për edukimin atdhetar e fetar të komunitetit.

Komisioni Organizues i festivalit përbëhej nga : Famullitari Dom Pjetër Popaj; nga Marjan Cubi- Drejtori i Qendrës “Nëna Terezë”, Drejtor i festivalit:Fran Cotaj;  Drejtor Artistik dhe Regjia: Gëzim Nika(Mjeshtër i madh); Skenografia: Fran Shala; Gjeka Shala dhe Lisa Juncaj; konferencierët: Kozeta Turishta, Sebastian Tinaj, Veronika Juncaj dhe Joseph Cubi. Orkestra”Kastrioti” drejtuar nga Shpëtim Saraci(Mjeshtër i Madh) dhe Dritan Papa.

Këshilli Drejtues i festivalit përbëhej nga : Fran Cotaj, Ismer Mjeku, Mark Shkreli dhe Simon Vukel.

 

Filed Under: Featured Tagged With: asllan Bushati, festivali i 27, Zoja e Shkodres

“Bijtë e Shqipes”përkujtuan dy Bijat e Kombit:Sabiha Kasimati & Musine Kokalari

November 6, 2017 by dgreca

“Bijtë e Shqipes” në Philadelphia përkujtuan e nderuan Sabiha Kasimatin e Musine Kokalarin me rastin e përvjetorëve të tyre të lindjes/
1 sadik salle
Nga Sadik ELSHANI/
1 sabiha Musine
                    Ndër veprimtaritë e shumta që organizon shoqata “Bijtë e Shqies” në Philadelphia, një vend të rëndësishëm zënë edhe ato përkujtimore, në të cilat përkujtohen e nderohen figura të ndritura të historisë, artit, shkencës, kulturës e traditës sonë kombëtare. Një veprimtari e tillë u zhvillua në fund të tetorit (28 Tetor 2017), në mjediset e shoqatës, ku u përkujtuan dhe u nderuan dy mendje të bukura, dy mendje të ndritura, dy gra të jashtëzakonshme: Sabiha Kasimati (1912 – 1951), me rastin e 105 vjetorit të lindjes dhe Musine Kokalari (1917 – 1983), me rastin e 100 vjetorit të lindjes. Për të përcjellur këtë veprimtari ishin mbledhur me dhjetëra bashkatdhetarë. Në tavolinën kryesore ishin vendosur portretet e Sabiha Kasimatit e Musine Kokalarit dhe në mes tyre një vazo me lule. Veprimtarinë e hapi zoti Tajar Domi, kryetar i shoqatës, i cili u uroi mirëseardhjen të pranishmëve dhe bëri një pasqyrë të shkurtër për punën dhe veprimtaritë e shoqatës, duke theksuar rëndësinë, porosinë dhe vlerat e kësaj veprimtarie. Pastaj ai ia dha fjalen z. Sadik Elshani, i cili e mbajti materialin kryesor të kësaj veprimtarie titulluar: “Sabiha Kasimati e Musine Kokalari – dy mendje të bukura, dy mendje të ndritura, dy gra të jashtëzakonshme”.
1 Sadik Elshani
Qysh në fillim ai vuri në dukje shumë gjëra të përbashkëta që kishin në mes tyre këto dy gra të jashtëzakonshme, dy intelektuale të rralla, dy gra të guximshme: “Të dyja kishin lindur jashtë Shqipërisë, në Turqi, ishin të bukura, intelegjente, të zonjat, të parat shqiptare në limitë e tyre përkatëse, të dyja patën njohje me Enver Hoxhën dhe të dyja patën një jetë tragjike. Kur mendoj për jetën e tyre në mend më vijnë vargjet e Mjedës te vjersha “Bilbili”: “Vetë bukuria, o i shkreti/Kenka për ty nji kob””. Në vazhdim ai pastaj foli veç e veç për jetën dhe veprën e Sabiha Kasimatit e Musine Kokalarit, duke paraqitur disa të dhëna jetëshkrimore dhe duke bërë një vlerësim të përgjithshëm për rëndësinë e këtyre dy figurave të rëndësishme për shkencën dhe kulturën tonë kombëtare.
1 Bijte e shqipes
Sabiha Kasimati ishte gruaja e parë që e kishte mbaruar shkollën e lartë franceze në Korçë. Në vitin 1936 fitoi një bursë për të studiuar jashtë vendit dhe ishte përcaktuar për të studiuar në Fakultetin e Shkencave Biologjike në Universitetin e Torinos. Në vitin 1941 përfundoi studimet, ku me sukses mbrojti edhe doktoraturën. Edhe pse kishte oferta per te punuar jashtë, ajo u kthye në Shqipëri.
 Pas ardhjes së komunistëve në pushtet më 1945, ajo filloi një bashkëpunim me biologun, profesor Selaudin Toto, me qëllim të organizimit të Institutit të Shkencave në Tiranë. Këtu iu dha rasti që t’i fillonte hulumtimet ihtiologjike, duke i dhënë asaj një vend brenda Institutit në kuadër të Seksionit të Botanikës.
Më 19 shkurt të vitit 1951 ndodhi një shpërthim bombe në Ambasadën e Bashkimit Sovjetik në Tiranë. Autoritetet shqiptare të asaj kohe, pa kurrëfarë fakte, si fajtorë i konsideruan një grup prej 22 intelektualëve, përfshirë këtu edhe Sabiha Kasimatin (si e vetmja grua). Këta u pushkatuan pa gjyq në natën e 26/27 shkurtit 1951. Jeta e Sabihasë u shua në mënyrën më barbare në kulmin e pjekurisë së saj shkencore e intelektuale, duke lënë një zbrazëti në jetën arsimore e shkencore të Shqipërisë, pikërisht kur Shqipëria kishte nevojë për njerëz të kalibrit të Sabiha Kasimatit e shumë të tjerëve. Vepra e saj shkencore, punimet në fushën e florës e faunës së Shqipërisë, u botua në vitin 1955, por nën emrin e shkencëtarit sovjetik, Anatolij Poljakov, si dhe dy studiusve shqiptarë.
Sabiha Kasimati ishte e para femër shqiptare që mori doktoraturën, e para shkencëtare shqiptare. Ishte një grua e jashtëzakonshme, një intelektuale e rrallë që me tërë përkushtimin e saj iu përvesh punës për zhvillimin e shkencës shqiptare, ndërtimin e institucioneve të larta shkencore. Ajo jo vetëm që ishte një shkencëtare e një kalibri të lartë, por ishte edhe një intelektuale e angazhuar me ndërgjegje të lartë kombëtare, e shqetësuar për fatin e kombit, vendit të saj. Ajo u indinjua pa masë kur regjimi komunist kishte filluar të eliminonte elitën kombëtare. Meqënëse e kishte shok shkolle Enver Hoxhën, ajo kërkoi një takim me të dhe me guxim e kishte ballafaquar diktatorin: “Kam ardhur të të them se ti po vret gjithë intelektualët. Dua të të pyes se me cilët ke ndërmend ta ndërtosh Shqipërinë, me teneqexhinjtë apo me këpucëtarët?!” Kuptohet, ky ballafaqim e kishte zemëruar shumë Enver Hoxhen dhe ky ballafaqim njëherësh kishte qenë edhe nënshkrimi i dënimit të saj me vdekje.
Edhe në hetuesi Sabihaja mbajti qëndrim burrëror dhe nuk u përkul para xhelatëve të kombit. Me hetuesinë e shkurtër të Sabihasë u angazhua personalisht edhe Mehmet Shehu, asokohe ministër i Punëve të Brendshme, të cilit ajo me kurajon karakteristike të saj, ndër të tjera ia tha këto fjalë që tingëllojnë edhe profetike: “Ju jeni kriminelë dhe tiranë, që kërkoni të nënshtroni shqiptarët me terror, por do të vijë dita që këto mizori do t’i paguani.” Dhe këto fjalë të Sabihasë tani i ka dëshmuar edhe vetë historia.
Shkencëtari i vërtetë është edhe trim, i guximshëm dhe nuk pranon asgjë përveç të vërtetës. E tillë ishte Sabiha Kasimati, ajo nuk mund të qëndronte indiferente para një katastrofe njerëzore që ishte duke e kapluar Shqipërinë.
Në vazhdim të kësaj veprimtari Zoti Elshani foli edhe për jetën dhe veprën e Musine Kokalarit, duke theksuar se ajo ishte e para shkrimtare femër në Shqipëri, intelektuale, disidente dhe e para femër shqiptare që formoi një parti politike, Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë. Studimet për letërsi i përfundoi në Rome në vitin 1941 me një studim për Naim Frashërin. Ka botuar tri permbledhje me tregime: “Siç më thotë nënua plakë” (Tiranë, 1941), “… sa u tunt jeta” (Tiranë, 1944), “Rreth vatrës” (Tiranë, 1941). Gjatë studimeve ka mbajtur edhe një ditar, i cili do të botohet së shpejti. Ndërsa ka lënë një dorëshkrim për jetën e vet: “Mbi jetën time”. Brenda një kohe të shkurtër Musineja u afirmua si një shkrimtare serioze, me brumë, si një mjeshtre e tregimit dhe sipas Lasgush Poradecit, ajo kishte sjellur diçka origjinale, nje stil të ri në letërsi dhe ishte një talent i pamohueshëm. Veprimtarinë e saj letrare e politike Musineja e filloi në një periudhë të turbullt, të trazuar, gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aty nga fundi i luftës komunistët i kishin pushkatuar dy vëllezërit e saj pa gjyq  dhe për këtë ajo ishte e mllefosur, e indinjuar dhe kërkonte drejtësi e shpagim. Për këtë shkak dhe për shkakun se ajo më 1944 ishte themeluese e Partisë Socialdemokrate Shqiptare dhe organit të saj, “Zëri i lirisë”, ajo u arrestua më 17 janar 1946. U dënua me 20 vjet burg dhe për 18 vite qe burgosur në burgun famëkeq të Burrelit. U lirua më 1964 dhe menjëherë u internua në Rrëshen, ku u caktua të punojë si fshesare. Aty edhe vdiq nga kanceri në vitin 1983. Dikur e dënuar si armike e popullit, ajo sot është shpallur Qytetare Nderi e Qytetit të Gjirokastrës, nga Presidenti i Shqipërisë është shpallur Martire e Demokracisë, ndërsa një shkollë fillore në Tiranë e mban emrin e saj.
Në gjyq Mysineja mbajti një qëndrim dinjitoz, të përjetësuar me atë foton me velin e zi në kokë, vel që nuk do t’i hiqej kurrë gjatë tërë jetës së saj tragjike. Është ai qëndrim i grave burrnesha shqiptare: “Unë s’jam fajtore. S’jam komuniste dhe ky s’mun të quhet faj. Ju fituat në zgjedhje, por në burg nuk duhet të jem… Unë jam nxënëse e Sami Frashërit. Me mua ju doni të dënoni Rilindjen” – ajo deklaroi në gjyq.
“Çfarë tmerri, çfarë trishtimi, çfarë zhgënjimi, kur një intelektuale si Musine Kokalari përfundon fshesare në Rrëshën?!” – u shpreh z. Elshani dhe vazhdoi: “Shpesh mendoj sesi Musineja ka mundur t’i përballojë këto tmerre, një grua që tërë jetën kishte studiuar, kishte punuar për të arrirur diçka, një grua me plot ëndrra, shumë plane për te ardhmen, për zhvillimin e kulturës në Shqipëri, emancipimin e vendit. Por ja që fatin e saj e kishin në dorë injorantët, të padijshmit, cinikët, kriminelët. Si ka mundur të qëndrojë Musineja pa u çmendur?! Siç duket ajo kishte krijuar disa mekanizma mbrojtës, duke jetuar fizikisht në një botë të tmerrshme dhe shpirtërisht në një botë tjetër, në botën e saj, ku ndihej e qetë.”
Zoti Elshani e përfundoi paraqitjen e tij duke bërë një vlerësim të lartë për këto dy gra të jashtëzakonshme, shembëlltyrë e intelektualit të angazhuar me ndërgjegje të lartë kombëtare e vlera të larta njerëzore: “Janë përmendore, simbole të qëndresës, fisnikërisë, trimërisë shqiptare. Janë mishërim i fjalës “burrneshë”, që populli ynë e ka krijuar për gra të tilla… Ato e meritojnë nderimin dhe adhurimin e çdo shqiptari, jo vetëm për të arriturat e tyre profesionale, por edhe qëndresën, guximin e tyre për t’u përballuar me diktaturën dhe vetë diktatorin. Kur diktatura i kishte gjunjëzuar edhe burrat, intelektualët e shquar të Shqipërisë, ishin pikërisht këto dy gra që e sfiduan regjimin komunist, duke e sakrifikuar edhe jetën e tyre… Populli ynë i ka borxh Sabiha Kasimatit, Musine Kokalarit dhe shumë të tjerëve. Le të jetë kjo veprimtari e shoqatës sonë një shënjë mirënjohje e respekti për jetën dhe veprën e tyre të ndritur.”
Meqënëse më 2 tetor ishte ndarë nga jeta albanologu i njohur, Robert Elsie (1950 – 2017), organizatorët vendosën që në këtë veprimtari të thuhen disa fjalë edhe për këtë ambasador të kulturës shqiptare. Për jetën dhe veprën e Robert Elsie-t foli gazetari i njohur dhe ish kryetari i shoqatës “Bijtë e Shqipes”, zoti Llazar Vero. Figurën e Robert Elsie-t ai e vlerësoi lart, duke e radhitur atë në mesin e albanologëve më të njohur, më punëtorë, më prodhimtarë e më të përkushtuar. Robert Elsie ka dhënë një ndihmesë të jashtëzakonshme për ta bërë të njohur letërsinë dhe kulturën shqiptare në botë. Duke gjurmuar nëpër arkivat e qyteteve të njohura të botës, Robert Elsie ka zbuluar shumë materiale të panjohura për historinë e Shqipërisë, letërsinë dhe kulturën shqiptare. Robert Elsie përktheu mjaft vepra letrare të letërsisë shqiptare, përfshirë këtu edhe “Lahutën e Malcis”, që ishte një punë  mjaft e vështirë. Për punën e tij madhështore në fushen e albanologjisë, Zoti Vero e cilësoi Robert Elsie-n si një institucion, akademi më vete.  Për ta përjetësuar dashurinë e tij për Shqipërinë dhe shqiptarët, Robert Elsie kishte lënë testamentin që të varrosej në Alpet Shqiptare, në Theth. Tani ai është bërë pjesë e përjetshme e botës shqiptare.
Për ta bërë këtë veprimtari sa më cilësore, organizatorët kishin bërë edhe një përzgjedhje me disa video ku flitej për jetën dhe veprën e Sabiha Kasimatit e Musine Kokalarit, si dhe kronikat për veprimtaritë që ishin zhvilluar në Tiranë e Prishtinë me rastin e këtyre përvjetorëve. Jo rastësisht ishte përzgjedhur edhe “Sonata e dritës së hënës” (“Moonlight Sonata”) e Betovenit. Kur më 1931, me rastin e 40 vjetorit të themelimit të Institutit Qiriazi, mësuesja e pianos, Aferdita Osmani, kishte lozur këtë pjesë muzikore, Musineja kishte mbetur e mahnitur, ishte frymëzuar nga kjo pjesë. Shkrimtarja Eglantina Mandia librin për jetën e Musine Kokalarit që është një rrëfim artistik, e ka quajtur “Sonata e hënës”. Kjo pjesë e veprimtarisë u mbyll me këngën “Nuse e panusëruar”, kënduar nga grupi Argjiro dhe i kushtohet Musine Kokalarit me rastin e 100 vjtorit të lindjes së saj. I tillë ishte fati i jetës së Musinesë, ajo kurrë nuk e vuri velin e bardhë të nusërisë, por tërë jetën e mbajti velin e zi  të trishtimit.
Veprimtaria u mbyll me koktejlin tonë tradicional: “Bukë e kripë e zemër”. Gjatë veprimtarisë si dhe gjatë koktejlit bashkatdhetarët këmbenin mendime për jetën, veprën e Sabiha Kasimatit, Musine Kokalarit e Robert Elsie, shprehini adhurimin për veprën e tyre dhe shprehnin keqardhje për fatin tragjik të Sabiha Kasimatit e Musine Koikalarit.
Sadik Elshani
Filadelfia, Tetor 2017

Filed Under: Emigracion Tagged With: bijte e shqipes, Musine Kokalari, perkujtim, Sabiha Kasimati, Sadik Elshani

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1694
  • 1695
  • 1696
  • 1697
  • 1698
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT