• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Presidenti Thaçi përmbylli vizitën në Nju Jork

September 24, 2017 by dgreca

–Kreu i shtetit ka takuar liderë botërore nga vende që e kanë njohur dhe që nuk e kanë njohur Kosovën/

1 Thaci 7Nju Jork, 23 shtator 2017-Gazeta DIELLI/  Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka përmbyllur vizitën e tij pesëditëshe në Nju Jork, ku ka zhvilluar takime të shumta bilaterale me krerë të shteteve dhe të organizatave të ndryshme ndërkombëtare në javën e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Gjatë qëndrimit të tij në Nju Jork, me ftesë të Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, presidenti Thaçi, bashkë më Zonjën e Parë të shtetit, Lumnije Thaçi, u pritën nga çifti presidencial amerikan, presidenti Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump. I pari i vendit pati edhe një takim të shkurtër me presidentin Trump.

Kreu i shtetit ka takuar liderë botërore nga vende që e kanë njohur dhe që nuk e kanë njohur Kosovën, ku ka kërkuar mbështetje për konsolidimin e pozitës së shtetit në skenën politike globale, për njohje të reja të vendit dhe për anëtarësim në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.

Presidenti Thaçi ka zhvilluar takime bilaterale me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, me Ushtruesen e Detyrës së Ndihmës-Sekretares për Çështje Evropiane në Departamentin amerikan të Shtetit, Elizabeth Millard, Zëvendës-Ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee, me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor në takimin e organizuar nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politika të Sigurisë, Federica Mogherini, Presidentin e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, Mirosllav Llajçak, Mbretin Abdullah II të Jordanisë, Presidentin e Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, Ministrin e Jashtëm të Greqisë, Nikos Kotzias, Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Pllenkoviq, Kryeministrin e Sllovenisë, Miro Cerar, Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev, Kryeministrin e Maltës, Joseph Muscat, Presidenten e Estonisë, Kersti Kaljulaid, Kryeministren e Bangladeshit, Sheikh Hasina, Ministrin e Jashtëm të Singaporit, Vivian Balakrishnan, Ministrin e Jashtëm të Sudanit, Ibrahim Ghandour, Sekretarin e Organizatës së Bashkëpunimit Islamik, Dr. Yousef bin Ahmad Al-Othaimeen, Sekretarin e Përgjithshëm të Ligës Arabe, Ahmed Aboul Gheit, Sekretarën e Përgjithshme të Organizatës Ndërkombëtare të Frankofonisë, Michaëlle Jean, Kryeministrin e Andorrës, Antoni Martí, Presidenten e Mauricius, Ammenah Gurib, Presidentin e Gajanës, David Arthur Granger, Presidentin e Sao Tome dhe Principe, Evaristo do Espírito Santo Carvalho, Kryeministrin e Togos, Komi Sélom Klassou, Kryeministrin e Ishujve Solomon, Manasseh Sogavare, Zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Saint Vincent dhe Grenadines, Sir Louis Straker.

Presidenti Thaçi takoi në Nju Jork zyrtarë të lartë të Departamentit amerikan të Shtetit

23 shtator 2017 – Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka takuar në Nju Jork Ushtruesen e Detyrës së Ndihmës-Sekretares për Çështje Evropiane, Elisabeth Millard, dhe Zëvendës-Ndihmësin e Sekretarit amerikan të Shtetit, Hoyt Brian Yee.Kreu i shtetit, i falënderoi sekretaren Millard dhe zëvendës ndihmës-sekretarin Yee për mbështetjen e fuqishme dhe marrëdhëniet speciale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Kosovën.

“Ne jemi të vendosur të punojmë së bashku me SHBA-në, për të konsoliduar pozitën e Kosovës në komunitetin ndërkombëtar, duke forcuar raportet tona strategjike me komunitetin euro-atlantik, duke fituar më shumë njohje dhe anëtarësime në organizata ndërkombëtare”, ka thënë presidenti Thaçi gjatë takimit.

Ai tha se Kosova po punon që të përmbush prioritet kryesore qe ndërlidhen me zhvillimin ekonomik, forcimin e sundimit te ligjit, plotësimin e kritereve për anëtarësim ne BE dhe NATO.

Ne takim u diskutua edhe për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Presidenti Thaçi theksoi se përfshirja direkte e SHBA-së në këtë fazë përfundimtare është e domosdoshme për të siguruar një marrëveshje përfundimtare të pranueshme dhe të zbatueshme për të dy palët e cila do të forcoj paqen dhe stabilitetin ne rajon dhe me gjerë./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Presidenti Thaçi përmbylli, vizitën në Nju Jork

KONFERENCË NDËRKOMBËTARE NË PRISHTINË

September 24, 2017 by dgreca

2017_09_23_Nga punimet e Konferencës “Kultura dhe Paqja në Ballkan - Roli i Parlamentarëve” - 2-Sot dhe nesër, konferenca ndërkombëtare “Kultura dhe Paqja në Ballkan – Roli i Parlamentarëve”/

1 Jakupi

-Ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, diskutuan lidhur me trashëgiminë e përbashkët kulturore, si një bazë e përbashkët për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

2 salle-Nga konferenca lançohet Iniciativa e Parlamentarëve për Paqe në nivel të rajonit të Ballkanit/

3 konfPRISHTINË, 23 Shtator 2017-Gazeta DIELLI/ Në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë,  sot dhe nesër zhvillohet konferenca ndërkombëtare me temën “Kultura dhe Paqja në Ballkan – Roli i Parlamentarëve”.

Ish-presidentë, kryetarë dhe ish-kryetarë parlamentesh të vendeve të ndryshme të rajonit, deputetë, përfaqësues të shoqërisë civile nga Evropa dhe Bota, janë mbledhur sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Konferenca, në temën “Kultura dhe Paqja në Ballkan – Roli i Parlamentarëve”,

u organizua nga Federata për Paqe Universale (FPU), e cila ka një status të veçantë konsultativ në Komitetin Ekonomik dhe Social të OKB, në partneritet me Shoqatën Ndërkombëtare të Parlamentarëve për Paqe (SHNPP), e cila ka për qëllim krijimin e një forumi për parlamentarët përtej kombësive, identiteteve fetare ose përkatësive partiake.

 

Fjalën përshëndetëse të kësaj konference e mbajti kryetari i Federatës për Paqe Universale (FPU) Thomas Walsh.

 

Në panelin e parë, tre ish-presidentë të vendeve të rajonit: ish-presidenti i Shqipërisë, Alfred Moisiu, ish-presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu dhe ish-presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq, diskutuan lidhur me trashëgiminë e përbashkët kulturore, si një bazë e përbashkët për paqen dhe stabilitetin në Ballkan.

 

Gjatë fjalimeve të tyre, ish-presidentët vlerësuan të arriturat, por njëherësh adresuan edhe problematikat të cilat vazhdojnë t’i përcjellin marrëdhëniet midis popujve dhe shteteve të rajonit. Ata theksuan domosdoshmërinë e një angazhimi më të madh të udhëheqjeve të të gjitha vendeve në Ballkan, për të përmirësuar më tej këto raporte dhe për të forcuar urat e bashkëpunimit midis njerëzve, në funksion të paqes, stabilitetit dhe mirëqenies më të madhe në rajon.

 

Në panelin e dytë, ndërkaq, në temën Diplomacia Interparlamentare dhe Bashkëpunimi Rajonal: Parlamentarët për Iniciativën e Paqes, folën: ish-kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Jakup Krasniqi, kryetari i Parlamentit të Maqedonisë, Talat Xhaferi, deputeti i Kuvendit të Kosovës, Sllobodan Petroviq, ai i Parlamentit të Shqipërisë, Dashamir Shehi etj.

 

Ish-kryeparlamentari Krasniqi  foli për rolin konstruktiv dhe përcaktues që shqiptarët kanë luajtur në vendosjen e lidhjeve dhe raporteve të reja midis popujve në Ballkan, në frymën e bashkëpunimit e të fqinjësisë së mirë. Ai tha se shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës ka prodhuar stabilitet politik dhe siguri në rajonin tonë. Krasniqi shtoi se shtetet dhe popujt e Ballkanit tani kanë shansin të hapin një faqe të re të historisë së tyre, gjurmëve të themeltarëve të Bashkimit Evropian.

 

Konferenca ndërkombëtare “Kultura dhe Paqja në Ballkan – Roli i Parlamentarëve” vazhdon punimet nesër.

Nga kjo konferencë do të lançohet Iniciativa e Parlamentarëve për Paqe në nivel të rajonit të Ballkanit. /b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: Behlul Jashari, Konferencë ndërkombëtare, ne Prishtine

Gjethet e Arta

September 24, 2017 by dgreca

Gjethet e Arta/1 Ilustrim

Poezi Nga Gilbert Keith  Chesterton/

1 Merita

Pershtati ne shqip  per Gazeten Dielli-Merita B. McCormack –Vjeshte 2017/

Shih! Unë paskam mberritur në vjeshtë,

Kur të gjitha gjethet janë te arta;

Kur thinjat mbi koke dhe gjethe-artat bërtasin:

Viti dhe unë jemi tashmë te plakura .

Në rini kërkoja  te isha princ  mes njerëzve,

Kapiten në luftërat kozmike,  nje Titan ,

Madje edhe “barërat e këqija”

ishin sfiduese për yjet, une ndjehesha luan.

 

Por tani , kjo gjë e mrekullueshme në rrugë

Duket  si një dicka  shume njerëzore sot

Qe  shperndare si demokraci e papare

Shperndan miliona imazhe të  se madhit Zot

 

Në rini kërkoja lulen  e florishte,

Shtrire mbi toke a fshehur mes pemesh te larta ,

Por  tash, shoh se  paskam ardhur në vjeshtë,

Kur  te gjitha lulet dhe gjethet janë  te arta .

 

~ G.K. Chesterton: në “Princi i shthurur  dhe poezi të tjera”.

Arti :  “Vjeshte”, nga Frederic Edwin Church. Vaj  mbi kanavacë, 1875;

Museu Thyssen-Bornemisza, Madrid.

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Gilbert Keith Chesterton, Gjethet e Arta

Shtëpia muze e artistit shkodran

September 24, 2017 by dgreca

1 shtepia e zef

Nga Pjeter Logoreci/Vjene/

Gjatë shetitjes në qytetin verior të Shkodres, syrit të vizitorit nuk i shpëtojnë ndryshime të shumta në rrugët kryesore të qytetit (që tashti janë të gurta), po ashtu edhe në stilin e ngjyrën e fasadave të reja, të rikonstruktuara apo të përshtatura nga arkitektët, në mes tradicionales dhe modernes.  Në rrugicat e ngushta që degëzojnë nga shetitorja në drejtim të periferisë, vazhdojnë, aty këtu, të qëndrojnë në këmbë mure të lartë, të mbuluar me shermashek apo lule vile, karakteristike për shtëpitë qytetare shkodrane. Dyer të vjetra e të mëdha prej druri, mbyllin oborre të mbushur me trëndafila e lule të shumëllojshme e shumëngjyrash, apo ndonji cardak karakteristik i cili “vuan” nga  pesha e kohës apo nga mungesa e banorëve, të cilët kanë emigruar.

SONY DSC
Ndërsa pres kafen e mëngjezit, në një lokal pothuejse në pikën zero të qytetit,  më kuriozon “misteri” i një shtëpie tradicionale catia e së cilës shihet pas murit të lartë me gurë zalli në krah të kafenesë. Kjo ndertesë, e cila mban mbi kurriz peshën e dy shekujve, është foleja ku lindi dhe u rrit ylli i skenës teatrore, aktori shkodran Zef Jubani. Shtëpia edhe pse me vlera të mëdha etnografike, historike e arkitekturore, sot, nuk është një muze i hapur për të gjithë, por një banesë normale private, pjesë e inventarit të objekteve me vlerë dhe të mbrojtura të qytetit, qysh prej viteve 60-të.Përballja me derën e madhe të oborrit dhe avullinë e lartë shekullore, deshmitare të shumë ndryshimeve historike në qytet, më zgjuan dëshirën që ta vizitoj këtë shtëpi, që të shkruaj dicka për të sjell në kujtesën e bashkëqytetarëve këtë vlerë pothuajse të lënë në harresë. Edhe më përpara kam shkruar për disa shtëpi karakteristike të Shkodres, të ciIat i kam njohur privatisht në periudha të ndryshme të jetës, si: shtëpinë e Pashko Vasës, shtëpinë e familjes Ceka apo atë të Gurakuqit. Kësaj here, i shoqëruar nga të zotët e shtepisë, nipat e aktorit Zef Jubani, Cini dhe Viktori (të cilët i falenderoj miqësisht), pata mundësinë të përjetoj momente të bukura e krenari për këto vlera që Shkodra ka trashëguar nëpërmes këtyre familjeve në zë.

Shtëpia Muze Zef Jubani/

SONY DSC

Shtëpia Muze Zef Jubani, që gjindet në rrugën kryesore të qytetit ose në rrugicën Ndoc Coba, ka një histori afro 200 vjecare dhe është ndërtuar për ti shërbyer familjes shkodrane të Zef Mesit. Sipas familjareve, tregëtari Mati Mesi (pasardhësi i Zefit), i cili vazhdoj traditën e familjes së tij,  bënte tregëti me shumë vende në rajon. Ai ishte një burrë me kulturë përendimore pasi ishte i shkolluar në Venezia. Përvec se tregëtar, Matia njihej dhe si koleksionist i librave dhe fotografive me vlerë të cilat i blinte gjatë udhetimeve të tija jashtë vendit. Ai zotëronte disa gjuhë dhe instrumenta muzikorë dhe ishte ndjekës e pjestar i ahengut dhe grupeve muzikore shkodrane, ku më vonë do të bënte pjesë dhe dhëndrri i tij Cin Jubani. Pas vdekjes në moshë të re (nga zemra) të Matisë,  vajza e tij e vetme Roza, nëna e aktorit Zef Jubani, u martua me Cin Jubanin që vinte nga një familje e mesme qytetare, i cili e trashëgoj shtëpinë në fjalë.

Që në pamje të parë kuptohet se për mirëmbajtjen e shtëpisë nuk është bërë shumë nga shteti. Vetëm pullazi i shtëpisë është rikonstruktuar nga ndërmarrja e Monumenteve të Kulturës në vitin 2005-së, por në pjesët e mbrendëshme edhe pse ka disa probleme, nuk është punuar. Kati i sipërm i ndërtesës ka 5 dhoma të cilat ndërlidhen njëra me tjetrën nëpermes një cardaku i cili deri nga fillimi i shekullit të kaluar ishte i hapur, por për nevojat e familjes është mbyllur dhe përdorur si sallon. Sipas kujtimeve të piktorit të madh Simon Rrota në ditarin e tij, shkruhet se pas termetit të vitit 1905, u bë e domosdoshme riparimi i shtëpive. Shumë familje shkodrane duke parë nga ana praktike shfrytëzimin sa më të mirë të hapsirave të shtëpive (edhe si pasojë e rritjes së fëmijëve), mbyllen hapsirën e stërmadhe të cardakut duke e ndarë atë në siperfaqe të banueshme e dhoma për familjarët.

Nga kujtimet e Simon Rrotes: “Rindërtimi vazhdonte gjithnji, por jo ma me atë stilin e vjetër, e nevoja e madhe për ambiente bani me transformue shtëpitë, tue mbylle cardaqe të kotme, tue hjekë musandra e trapazana (Musandra: rafta të mdhej në qoshe të dhomës për me vendose dyshekë, jorgana, shilte, jastëke etj., gjana për fjetje. Trapazan: lloj mensolete druri e gdhendun qi zente pjesën e sipërme të nji faqe muri, përmbi musander, për me vendosë rraqe të ndryshme qi ka shpija, faqja e përparme e mbyllun me drrasë bojë të mbylltë të gdhendun), qi nuk nepshin kurrfarë dobije. “

Në një pikturë të varur në sallonin e shtëpisë me autor  vëllaun e aktorit, Mati Jubanin, vërehet pamja e plotë dhe origjinale e ndërtesës, ashtu sic ishte ndërtuar në fillim, ku për tu ngjitur në katin e sipërm shërbente një shkallë me gurë të latuar me harqe e qemerë.

Kati përdhes është ndërtuar për të shërbyer si bodrum ose ahur dhe komunikon me pjesën e banuar me një shkallë të mbrendëshme. Ahuri është i ndarë në disa pjesë, për ti mundësuar familjarëve vendosjen e objekteve të përdorimit shtëpijak, ushqimeve, pijeve, e sendeve të tjera. Në mes mureve të lartë, gjëlberon një oborr i mbushur me lule dhe pemë, ku dikur nuk mungoni dhe objekte të tjera si: kulla e sanës, jerevija, pusi apo lugu për larjet e rrobave.

Pesë dhomat (odat) e shtëpisë janë: oda e zjermit, oda e bukës e tri oda gjumit, të gjitha të stolisura me punime druri (lisit apo qershije) të gdhendur. Nga druri i gdhendur janë: raftet e murit (musandrat), kapaket e dritareve, pjesët e sipërme të murit (sergjijat) dhe tavanet ku varen ndricues plot elegancë, të një cilësie të lartë, të prodhuar në perëndim. Dy nga odat janë paisur me oxhakë të bardhë tradicional të punuar me mjeshtri në gips. Po ashtu nuk mungojnë objekte të tjera karakteristike si djepi në dru të gdhendur e ngjyrosur me motive të ndryshme  ku u rriten të gjithë fëmijët e familjes, por edhe arka e pajës prej drurit me motive të pikturuara.

Nga kujtimet e Simon Rrotes: “Dishmohet që punëtorët që ndërtuen këto shtëpi ishin muratorë ose mjeshtra dibranë të cilët ishin shumë të njohur. ….Këto ustallarë ishin të veshun me dollama (veshje kombëtare, në formë pantallonash të gjana deri pak nën gju), me fesa tanuz në krye (fesa të kuq ngjyrë të mbylltë, jo të naltë, me nji tufë ngjyre blu të mbylltë qi ishte e kapun në majën e nji kordoni jo të trashë në të njajtën bojë si tufa), këpucë të kuqe. Karakteristika më e madhja e tyne ishte qeseri qi e mbajshin në brez. Ata ndërtojshin shtëpijat krejtësisht, pa inxhinier, ashtu në stilin e tyne (si i shohim edhe sot). Mjaftonte qi i zoti i shtëpisë tu diftonte dishirin dhe sasinë e odave, për me pasë nji shtëpi të ndërtueme. Ndër ustallarët që më bien ndër mend mue janë kenë të famshëm, ustah Jashari, ustah Muharremi, ustah Isaku, të cilët ishin teknikë të mirë në ndërtim muresh edhe me latue gurët me mjeshtri të madhe. Ndër katolike janë kenë vetëm Zef Marndreu, Pjeter Gjura, Lazer Sekuj, Mark Dibrani.

Duket se të parët tonë i kanë dhanë randësi të madhe dyerve të oborrit tue shpenzue shumë për punimin e gurëve (të latuem) e të harqeve të bukur, qi sot napin karakteristikën ma të madhe kur i shohim rrugës. Gjithashtu dyert i kanë ba të gjana sa me hi qerrja për cdo nevojë qi ishte p.sh. me shti arkën e nuses, dru zjerrmi, bastan, rrushin prej vneshtet etj.

…nji kujtim i mirë që ka mbetë ndër shtëpijat shkodrane janë punimet me daltë, të bame prej dibranëve tonë sidomos prej mjeshtrit qi ia mbaj mend emnin: Dan Celiketa, i cili ka punue shtëpinë të Sahati i Inglizit, të Lord Pagjot-it. Këto punime gdhendje në dru paraqiten shumë të bukura dhe ekzakte në pikpamje të vizatimit si dhe simetrike si në tavane, trapazana, rafta, dyer. Kto lloj punimesh gjinden ndër shumë shpija të vjetra të Shkodres megjithëse stili i tyne perkon i gjithi me stilin Arab, Persian, Turk Oriental, me nji fjalë nji Bizantinizëm i plotë, qi me kohë vendi jonë i bani për vedi, i edukuem në atë mënyrë mbasi kishin kontakte të ngushta me popuj në kohnat e Turkisë.

Familja Jubani, e cila gëzonte reputacion të mirë dhe kulturë e shkollim përendimor, bëri ndryshime cilësore duke futur elementë dhe objekte moderne në hapsirat e banesës së tyre. Vëndosja e dyerve, dritareve, orendive cilësore e të kushtueshme të firmave të njohura europiane, i dha shtëpisë pamjen e një epoke e kulture tjetër,  ndryshe nga stili oriental i banesës dhe ambienteve për rreth shtëpisë. Familja pat kontakte dhe miqësi me përsonalitete të vyer. Pjestarët e familjes kujtojnë që shpesh ndër odat e mëdha të shtëpisë, ku mblidheshin miq e të njohur, shfaqej film, ndigjohej muzikë e diskutohej për të rejat kulturore të kohës.

Edhe mjeshtri Simon Rrota në kujtimet e tija, shkruan për ndryshimet, modernizimin e ambienteve të mbrendëshme të shtepijave karakteristike të Shkodres.

…disa prej familjeve pasanike, tue kenë se shkojshin në Venedik (Venezia), mundoheshin me stilizue jetën me ndoj send tjetër qi shifshin atje si p.sh. ndonji pasqyrë të madhe me korniqe stilit barok etj. …Por ma vonë, të rijtë qi delshin jashtë për studime e panë vedin se sa mbrapa ishim prej popujve tjerë, athere filluen me ba martesa “alla franca”, me stolisë odat me mobilje, me ndërtue shpija moderne, tue lanë menjanë musandrat e trapazanat e tue marrë nji drejtim tjetër e ma të përparuem, simbas kohnave qi jetojmë sot.

Një vlerë tjetër e shtëpisë muze Jubani është se në këtë shtëpi lindi me 2 dhjetor 1910 Artisti i Popullit, aktori  Zef Jubani, i njohur si Harpagoni shqiptar. Zefi ishte fëmija i katërt i Cinit dhe Rozës Jubani. I rritur në një ambient familjar ku muzika, letërsia e arti ishin pjesë e jetës, Zefi u bë një nga korifejtë e skenës teatrore shqiptare duke arritur kulmin me realizimin e roleve më të vështirë nga dramaturgjia kombëtare dhe botërore.

Në një nga odat e shtëpisë muze ruhen shumë objekte me vlerë muzeale që përfaqësojnë aktivitetin në skenë të këtij personaliteti, trofe të ndryshëm, dekorata, fotografi historike e artistike, dëshmi e tituj nderi. Por, ndër objektet e vecanta që i perkasin jetës së tij artistike është paruka që ai mbajti kur luajti në mënyrë brilante, në teatrin e Shkodres, rolin e Harpagonit si dhe titulli ARTIST I POPULLIT, i shoqëruar me medaljen perkatëse. Në qëndër të dhomës, në mes të ralikeve të familjes, më tërheq vemendjen një bust i aktorit i punuar me mjeshtri nga artisti shkodran Kolec Ljarja. Për ato që e kanë njohur Zef Jubanin, ngashmëria është e përkryer. Ndërsa, mbi dyshemenë e vjetër, përballë Zefit – Bust, bri oxhakut karakteristik oriental, i ruajtur në mëndyrën më të mirë të mundëshme, ndodhet  djepi-shtrat ku u rritën pjestarët e familjes së Cinit, ndër to edhe Zefi.

Në muret e odës varen perlat e fisit, foto të vjetra, që janë historia e familjes e që duhet të jenë nga fillimet e fotografisë Marubi. Më e hershmja është ajo Zef Mesit me grue,  më pas Matia i biri i Zefit me grue Ninen (viti 1878) dhe me familjen e tij e ndjekur nga fotoja familjare e Cin Jubanit me Rozen e fëmijet (ndër to edhe aktori Zef Jubani). Natyrshëm, po e mbyll këtë shkrim, duke pasë bindjen e krenarinë, që në Shkoder qytetaria jeton, në shumë familje të cilat janë dhe mbesin elitare, për kulturën e traditat familjare që trashëgojnë.

Vjene, me 18.09.2017

 

Filed Under: Histori Tagged With: Pjeter Logoreci, Shtepia muze, ZEF JUBANI

POETI FASLLI HALITI SJELL 15 POEZI NE SOFREN E DIELLIT

September 24, 2017 by dgreca

  F A S L L I  H A L I T I/

1-faslli-haliti-188x300 

  Viz. S.Kamberi “Artist i Popullit”/

 NDËRSA…./                                 

                                 Migjenit /      

1-migjeni

Ndërsa të tjerët mërmëritnin

Migjeni buçiste,

Zgjonte

Të përgjumurit

Ndizte vatrat e shuara.

Kur të tjerët qëndisnin mandilet

Migjeni qepte, arnonte  zhelet e mjerimit

Sapo feks agu gjer në rrezet e mbrame të perëndimit!

 Tetor,  2016

MË HËNGRËT TË GJALLË 

 Erdhi vdekja e uritur

Të më hante

Me uri 

Por më gjeti të tretur

Kockë 

Dhe lëkurë

Ç’të hante e zeza tek unë ?

 1998-2017

 S’PO SHOH ENDE        +

Dëgjoj të këndojnë

Gjelat

Mbi mur,

Mbi gardh

Për çdo natë,

Po dielli s’po lind.

Dita e re ende s’po zbardhë …!

 Korrik, 2016

 PLASËN BUBULLIMAT 

Plasën bubullimat qiejve

Duke bubulluar,

Megjithatë, 

Asnjë pikëz shiu

Mbi tokat e lënë djerrë

Mbi arat e pambjella, të palëruara  

Asnjë pikëz shiu s’bie mbi arat, mbi fushat,

Asnjë pikë shiu s’ua njomë buzët shkrumbuara…!

Korrik, 2016

QENKE BOSHATISUR…

Eh moj fushë,

Fushë,

Fushë,

Qenke zhuritur,

Të shoh gjithë frikë,

    Hambar buke ti i atdheut tim dikur,

Sot hambar kanabis, hashashi me narkotikë…!

     Gusht 2016

EDHE UNË

Kështu janë njerëzit e kësaj bote!

       S’ka njerëz

Pa cene,

Pa vese

Pa të meta,

S’ka

Njeri ëngjëll

S’ka njeri Zot,

Edhe unë njeri jam,

Njeri si çdo tjetër njeri,

Pse kërkoni që unë të jem engjëll, perëndi?

  Shtator 2016

 KAM QENË EDHE UNË… 

Kam qen dhe unë si ju deputet në kuvend,

Por nuk leha

Nuk kafshova

Nuk  rrëmbeva

Nuk u korruptova

Hyra me peshën time

Me  peshën që hyra dola…

*** 

Ju deputetët e kohës së korruptuar

Ju deputetët e kriminalizuar

Po vini bark mish, 

Pasuri…

Por

Shekspiri

Mirë e ka thënë,

Mirë e thotë edhe sot:

Si i pasuri dhe i varfëri,

Si i shëndoshi,

Si i dobti

Kockë 

Dhe lëkurë,

Dy gjellë për kribin janë” përsëri

Krimbi i Vetingut, do t’ju hajë

Me shije, me uri…

***

 Kam qen dhe unë si ju deputet në kuvend,

Por nuk leha

Nuk kafshova

Nuk  rrëmbeva

Nuk u korruptova

Hyra me peshën time

Me  peshën që hyra dola…  

Shtator 2016

SHOH   

Shoh

Ata

Që vjedhin,

Por jo ata që mbjellin!

  Prill, 2011

 MOS U MBAJ  

 Mos u mbaj engjëll…

Engjëll jam !

Engjëll linda, 

Engjëll u rrita,

Engjëll kam qenë,

Engjëll jam prapë !

Dhe engjëll do të jem!

Engjëll ?!

Si kështu, si?

Engjëll pa seks

Dhe ke një lagje me fëmi…?!

Dhjetor 2016

 KËSHTU DERI VONË

I binim

Pragut

Të dëgjonte dera

Dera nuk dëgjonte

I biem

Pragut  

Të dëgjojë dera

Dera nuk dëgjon prapë

Dhe ne mbetemi përjetësisht në prag…

 Mars , 2017

 PO  E ARDHMJA JONË

 E djeshmja

Juaja

E sotmja

Juaja 

E ardhmja

Juaja gjithashtu

Po jona ku qenka kështu ?

 CMIRËZIU

Spiuni

Është si qeni

E gjuan gjahun për tjetrin

Me  devotshmëri, besnikëri,

 Ti nuk je spiun, ti je cmirëzi.

Veҫ ti

Bëhëhesh 

Spiun i zoti

Veҫ si macja

Ti e zë gjahun për vete

E zë për veten tënde miun e zi.

Ti  s’je spiun, je më i keq, je cmirëzi.

 2005

 MË FRIKËSOHESHIN N ZOGJTË

 Në fëmijëri kam qenë terrorist,  kriminel

S’kam lën zog pa vrarë

S’kam lënë harabel.

Edhe sot më friken zogjtë

Edhe pse

I dekriminalizuar

Edhe pse s’jam më

Kriminel

Prapë

Më frikesohen zogjtë

       Jo zogjtë e urtë, por zogjtë rebelë…!

        31 mars, 2017

 VIZA  IME

 Po

Si deputet

Kam nxjerr viza

Viza për njerëz me halle

Jo viza për të ndjekur sportin 

Jo viza për koncerte, shfaqe teatrale.

Jo viza me euro,

Me dollarë

Viza fri

Për t’i shpëtuar verbimin syrit

Dhe jo t’i  nxjerrja sytë

Të dy.

Viza ime:

Vizë që të nxirrte

Nga halli e mjerimi,

Jo  vizë që të zhyste në mjerim, varfëri… 

Viza ime ishte vizë për hall, për fatkeqësi…

 Shtator,  2017

Ҫ’I KËRKOJI JEZUSIT

 Ҫ’i kërkoi

Krishtit 

Ai

Dhe ҫ’i tha

Jezuesi Krishti atij,

Atij që donte të ecte mbi ujë

Siҫ eci vetë Jezusi mbret, Perëndi?

Po

Mund

Të ecësh

Dhe ti si unë,   

Nëse beson si unë Jezusi në Qiell

Nëse beson si unë në Zot,

Nëse beson si pjos… 

Besoj!

Si s’besokam unë?

Mësuesi im! 

Dhe

Vuri

Këmbën e majtë

Dhe vuri këmbën e djathtë mbi ujë

Si mbi një asfalt blu ujor.

Plot

Siguri

Plot besim

U përpoq të ecë mbi ujë,

Por

Besimi

Nuk qe i plotë,

U zhyt në ujin e rimë të qelqtë 

Arriti në bregun tjetër jo me këmbë, por me not. .. 

Tirane, 2017

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: 15 Poezi, Faslli Haliti, Migjeni

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1779
  • 1780
  • 1781
  • 1782
  • 1783
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT