• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sabiha Kasimati- Nderim dhe brengë

September 13, 2017 by dgreca

105-vjetori i lindjes së Sabiha Kasimatit/
1 Sabiha KasimatiNga Petro Luarasi/Sabiha Kasimati (1912-1951) po përmendet gjithnjë e më shpesh në këto dy dekada si një  ndër  gratë e shquara shqiptare  që meriton më tepër vëmendjen e studiuesve dhe të institucioneve  për t’ia hulumtuar jetën, veprimtarinë dhe veprën si dhe për ta  vlerësuar siç e meriton.
Ndonëse për atë janë shkruar me qinda faqe nga shumë autorë,   tematika paraqitet  e varfër, përsëriten tërkuzë e perifrazohen në forma të ndryshme  faktet  dhe opinionet  e dy-tre studjuesve si dhe propagandohet kryesisht aspekti politik i fundit të saj tragjik duke përçartur edhe ndonjë hipotezë ‘’bindëse’’ mbi veprën e saj të panjohur. Shkencëtarja martire Sabiha Kasimati meriton shumë më tepër studime të thelluara dhe jo hamendje.
Familja e arsimimi
Sabiha Kasimati u lind në truall të huaj, në Edërne (Adrianopojë) të Turqisë më 15 shtator 1912, në pragun e pavarësisë së shtetit  shqiptar, por u mëkua, u rrit dhe u edukua si shqiptare e kulluar  në vatrën  e një familjeje të madhe në numër dhe vlera, me  farefis të gjerë   dhe lidhje të thella, me kontribute atdhetare, kulturore e shkencore, përpara dhe pas çlrimit të Shqipërisë. Krushk i tyre qe edhe kryeministri i zgjedhur  nga Kongresi i Lushnjës,  Sulejman Delvina,  gjak i tyre qe edhe trimi i shquar antifashist Refik Refat Kasimati me pseudonimin  “Kardiaku”.
Ajo  u rrit me ngrohtësinë e tre vëllezve Hifzi, Refik e Nevzad dhe motrës Minirea, në familjen  e  kamur të doktor Abdurrahmanit, ku u mëkua me dashuri për atdheun e të parëve të saj libohovitë, diturinë dhe vlerat universal. U arsimua në liceun elitar francez të Korçës  dhe në Universitetin e Torinos me rezultate të lakmueshme. Këtu mbrojti diplomimin (‘’tesi di laura’’) me  temë ‘’Fauna ittica d’acqua dolce dell’ Albania’’. Në këtë periudhë u shoqërua me Olga Luarasin, të motrën e Migjenit, e cila studionte për matematikë  dy vite më lart dhe e vijuan miqësinë edhe si kolege në ish Institutin ‘’Qiriazi’’ në Kamëz.
Studiuesit kryesorë të saj
Për  njohjen e vlerave të  familjes Kasimati  dhe bijës së saj të denjë Sabiha, vlerësoj veçanërisht  përkushtimin dhe të dhënat e publikuara  prej tre studiuesve: Myslim Islami, Uran Butka e  Uran Asllani.
Myslim Islami me monografinë ‘’Refik Refat Kasimati: Kardiaku” (1902-1944)’’ ofron të dhëna mbi gjenealogjinë e familjes Kasimati dhe jetën e Sabihasë, së motrës  dhe të tre vëllezërve, katër prej të cilëve u arsimuan dhe kontribuan me rezultare  të lakmueshme, në sajë të shtysësekonomike e morale të babait. të tyre Dr Abdurrahman Kasimatit (1865-1943) i cili kudo ku punoi, në Korçë e Elbasan gëzoi mirënjohjen e qytetarëve, dhe ‘’miqësinë e personaliteteve si Aqif pashë Elbasanit, Lef Nosit, Visarion Xhuvanit, Et’hem Haxhiademit, Sotir Paparistos e të tjerë.
Uran Butka, në librin ‘’Bombë në ambasadën sovjetike’’,  ka  publikuar dokumenta arkivore me të cilat provohen si u zhvillua ngjarja, kush e shkaktoi atentatin, si u hartuan listat e vdekjes,  arësyet e vërteta përse u arrestuan dhe u ekzekutuan të pafajshmit  Sabiha Kasimati me shokë si dhe mënyrat e tjetërsimit të procesit hetimor. Ka ndriçuar fakte të panjohura mbi personalitetin e Sabiha Kasimatit.
Uran Asllani, me disa  artikuj në gazeta, ka publikuar  fakte e  ngjarje  interesante mbi jetën, edukimin e dhe  botëkuptimin e saj, ka  hulumtuar e analizuar   veprimtarinë dhe arritjet e saj  shkencor, me  hipoteza të guximshme,  diku  edhe të  tepruara.
Për Sabiha Kasimatin kanë shkruar  edhe mjaft  të tjerë që veçse kanë përsëritur të lartpërmendurit, me komente kryesisht në kënvështrimin politik, paksa në aspektin human   e botëkuptimor  të saj dhe pothuajse aspak për  kontributin e saj të mirëfilltë  shkencor. Studiuesja  Daniela Vathi me të drejtë  thekson:  ‘’Shumëkush mund të kujtohet për përfundimin e trishtë që ajo pati, por pothuajse askush për veprën dhe punën e saj si shkencëtare ose më mirë si gruaja e parë shkencëtare shqiptare. Historia e kësaj gruaje është shumë interesante nga shumë pikëpamje dhe mund ta quajmë pa asnjë ngurrim si “Një intelektuale perëndimore”, gjë jo shumë e zakonte për Shqipërinë e fillim shekullit të njëzetë. Natyrisht do ishte mirë që historia të mos lexohej në celës politik, pasi është absolutisht dytësore ndaj figurës së kësaj gruaje.’’ 1. (Daniela Vathi Sabiha Kasimati: Shkencëtarja e parë shqiptare) http://www.gazetaexpress.com/arte/sabiha-kasimati-shkencetarja-e-pare-shqiptare-130310/?archive=1
Sa nevojë ka shoqëria jonë për  shembuj të tillë  femrash intelektuale shqiptare që shkallmuan  frikën dhe  paragjykimet  e kohës duke  rrezatuan kulturë, dinjitet e antikonformizëm!
 
Veprimtaria shkencore
Puna shkencore e Sabiha Kasimatit shpaloset mirëfilli në studimin ‘’Fauna ittica d’acqua dolce dell’ Albania:tesi di laurea” (’’Fauna iktike e ujrave të ëmbla të Shqipërisë’’) që e  mbrojti në  Universitetin e Torinos, ‘’në vitin 1941’’.
Në këtë studim shkencor me vlera të rëndësishme për të shkuarën e të ardhmen, ajo shpalosi talentin, vullnetin, volumin e punës, risitë dhe objektivat  për të ardhmen e iktiologjisë shqiptare. Ky është  i pari studim në këtë fushë, dhe mbi të gjitha e shkruar nga një femër shqiptare. Pra Sabiha Kasimati është shqiptarja flamurtare  në  fushën e studimeve mbi iktiologjinë shqiptare.
Kam kënaqësinë të publikoj dhe analizoj   për herë të parë, pasi e kam përkthyer edhe në shqip, këtë studim që   deri më tani njihet si puna e saj shkencore  më e rëndësishme e publikuar.
Lënda përmban hyrje, listë të specieve dhe varieteteve që formojnë faunën e peshkut në ambjente të ndryshme iktiologjike, pëshkrim gjeografik dhe biologjik të mjediseve të ndryshme iktiologjike,  ekzaminim të materialit të mbledhur, analizon  7 familje peshqish (Acipenseridae, Cyprinidae,    Clupeidae, Serranidae,         Mugillidae, Salmonidae, Anguillidae) si dhe një  pëshkrim të shkurtër të industrisë së peshkimit në Shqipëri. Studimi përbyllet me një  bibliografi me 70 zëra, me  38 autorë të ndryshëm. I gjithë materiali përmblidhet në 85 faqe të daktilografuara.
S.Kasimati  i është referuar këtij studimi  në artikullin e saj  shkencor ‘’Probleme të peshkut dhe të peshkimit në vendin tonë‘’)  duke e përfshirë në tetë zërat e tij, ku e ka cilësuar ‘’tesi di laurea, dakt. 1940.’’      
Ky artikull shkecor paraqet rëndësi të madhe përsa i përket kohës kur është shkruar dhe çështjeve të rëndësishme që analizon dhe i paraqet si domosdoshmëri për t’u zbatuar. 
Pasi kaloi një sëmundje të rëndë dhe u kurua në Itali, në vitin 1947  ‘’nisi punën në Institutin e Shkencave, siç quhej atëherë bërthama e parë shkencore, që drejtohej nga prof. Selaudin Toto ku,  sipas studiuesit Uran Asllanit “Dr.Sabiha Kasimati ishte emëruar shefe e sektorit të zoologjisë, por u mor vetëm me ihtiologji. Atë fushë e kishte hulumtuar që nga koha e studimeve universitare’’
Në vitin 1949 botoi artikullin shkencor ‘’Probleme të peshkut dhe të peshkimit në vendin tonë’’ që është i pari mbi temën e iktiologjisë  për periudhën pas çlirimit të vendit.2.
(Kasimati, Sabiha,   Probleme të peshkut dhe të peshkimit në vendin tonë, Buletini i Institutit të Shkencave,  1948, nr.2-3, f.18-32. Bibliografi)
I nipi i Sabihasë,  Namik Kasimati përmend se ajo i tha shoqes së saj Durie Hulusi: “Jam e gëzuar që mbarova një studim mbi peshqit që do t’i shërbejë jo vetëm Shqipërisë, por edhe shteteve të tjera që janë në kufi me Shqipërinë”.
 
Akuza pa prova!
Prej vitesh qarkullon në mediat shqiptare, madje edhe në doktoratura e botime akademike, nga studjues por edhe zyrtarë institucionesh  të rëndësishëm,  paradoksi i pranimit apriori të akuzës pa paraqitur prova. Kjo mund të pranohet të publikohet nga ndonjë  media sensacionesh por jo nga zyrtarë institucionesh të rëndësishme apo në nivele të larta shkencore Bie fjala  një studiues shkruan:
‘’S.Kasimati në vitin 1949  kishte përfunduar librin ’’Peshqit e Shqipërisë‘’… me 100 e ca faqe e 50 e ca figura…që e dorëzoi  për botim në  dorëshkrim në janar të vitit 1950.  Sipas projektplanit të punës   të kryesisë së  Institutit të Shkencave botimi i veprës  do të kryhej  në tremujorin e dytë të vitit 1950 me tirazh 3500 ekzemplarë. Vepra e Sabiha Kasimatit “Peshqit e Shqipërisë” paraqiste para lexuesit shqiptar ihtiofaunën e Shqipërisë që përmblidhte 257 lloje peshqish. Sikurse ndodhte rëndom me autorët e dënuar, vepra e Kasimatit ‘’Peshqit e Shqipërisë‘’u botua në vitin 1958  me  emra  të tjerë.’’3.
(Dr.Leka Ndoja, Tjetërsimi i veprës intelektuale gjatë komunizmit në Shqipëri (1944/1990), Doktoraturë)
Këtë akuzë ma zuri syri edhe në ‘’Fjalorin enciklopedik shqiptar’’, zëri Kasimati, Sabiha (1912-1951). Më befasuan sidomos deklarimet e titullarëve të institucioneve tepër të rëndësushme për çështjen, zotërinjve A. Tufa e K. Dervishi, të cilët e kanë detyrë dhe përgjegjësi t’i dalin për zot barrës së provës për akuzat që shprehin.
Në fakt akuzën e ‘’ përvetësimit të punës intelektuale të Sabiha Kasimatit’’ (kinse monografisë  ‘’Peshqit e Shqipërisë“, 1958)  nga disa (2, 3 apo 4)  studjues, kolegë shqiptarë me në krye  një akademik të huaj (sovjetik) e ka shpallur i ndjeri U.A., i vetmi që  mori përsipër dhe publikoi në një gazetë  ‘’barrën e provës’’ për akuzën e rëndë: ‘’Mbas një pune shumë të madhe eksperimentale shkencore si asnjë shkencëtar tjetër shqiptar në mesin e vitit 1950, Dr Kasimati i dorezoi institutit per botim vëllimin prej rreth 200 faqesh dhe të 50 figurave me titull ‘’Peshqit e Shqipërisë’’. Në buletinin e Institutit të Shkencave, Nr 3, të vitit 1950, fq 78, në rubriken e jetës shkencore të Instituti, njoftohet se janë derguar për botim…vepra e Sabiha Kasimatit ‘’Peshqit e Shqiperise’’ e planifikuar me nje tirazh prej 3500 copesh’’
Ai shpreh edhe versionin: ”Natyrisht që mbas pushkatimit libri i përgatitur nga Sabiha Kasimati u tërhoq menjëheë nga shtypshkronja dhe u arkivua në depositën sekrete të Institutit por edhe atje nuk ndenji shumë kohë. Kryesia e Institutit nën insistimin e Kolë Paparistos i kerkojnë Akademisë së Shkencave të Bashkimit Sovjetik një specialist ihtiolog të vinte ne Shqiperi për përfundimin e botimit të veprës mbi peshqit edhe për ndonjë plotësim te mundsëm.  Anatolij Poljakovi pergjate periudhes që qëndroi në Shqiperi jo vetëm përvetësoi punën shkencore të Sabiha Kasimatit por edhe me ndihmën e dy ish-bashkëpuntorëve te saj … u shtoi 257 llojeve te peshqve te paraqitura nga Sabihaja edhe 10 lloje peshqish… Instituti i Shkencave punën e përvetësuar të Sabiha Kasimatit në fillim të vitit 1958 e botoi si vepër te Anatolij Poljakovit. 4.
http://www.panorama.com.al/sabiha-kasimati-mehmet-shehut-ne-hetuesi-jeni-kriminele-do-e-paguani/
Këtij artikulli i janë përgjigjur pasardhësit e të akuzuarve që e kanë kundërshtuar katërcipërisht me argumentat e tyre: ku ai akuzon se Sebihasë ..’’ ia përvetësuan veprën një studjues sovjetik me dy shqiptarë, ish bashkëpunëtorë të saj’’. Pasardhësit kanë thënë se prindërit e tyre  nuk kanë qenë  bashkëpunëtorë të saj dhe se kishin kryer punën e tyre të pavarur. 5
‘’20 nentor 2014, Përgjigje për  Prof.Dr.Uran Asllani nga  E. Filipi dhe   Jovan Basho’’ http://www.panorama.com.al/sabiha-kasimati-mehmet-shehut-ne-hetuesi-jeni-kriminele-do-e-paguani/
(Të akuzuarit pa prova për përvetësim të punës intelektuale të S.Kasimatit janë studiuesit  G.D.Poljakov, Ndoc Filipi, Kozma Basho, A.Hysenaj, madje  edhe Ndoc Rakaj) Në një shkrim tjetër  gazete shtohet: “botohet vepra e dr. Sabiha Kasimatit, natyrisht jo me emrin e saj, por me emrat e rusit Anatoli Poljakov dhe të dy fillestarëve në këtë lëmë, Ndoc Filipit dhe Ndoc Rakajt”. 6.
http://www.panorama.com.al/enver-hoxha-shtoi-emrin-e-sabiha-kasimatit-ne-listat-e-vdekjes/
Për të qenë i drejtë  në këtë gjykim  me pasoja ‘’morale e penale’’ ftoj këdo që është i interesuar, veçanërisht ata që kanë amplifikuar këtë version akuze, së pari, të verifikojnë burimin e informacionit. ( Buletinin e Institutit te Shkencave, Nr 3, te vitit 1950, fq 78).   Unë e kontrollova,  jo vetëm një por të gjithë serinë e Buletinit të Institutit te Shkencave, edhe në arkivin e Bibliotekës Kombëtare, por  askund nuk ma zuri syri këtë njoftim, për be.
Në akuzë muk saktësohet qartë nëse bëhet fjalë për përvetësimin e një vepre të çuar për botim apo të kontributit të pa identifikuar të S.Kasimatit, si kartela, referenca, diskutime, ekstrakte të hulumtimeve në terren, etj.
Nëse është përvetësuar e tërë vepra, pjesë të saj, etj, kjo mund të vërtetohet vetëm me prova, gjetjen e dorëshkrimeve, analizën e referencave, etj.
Për sqarimin e kësaj akuze studiuesit duhet që të interesohen dhe të thellohen  mbi punën reale të shkencëtares Sabiha Kasimati në muze, për kontributin në ekspeditat përkatëse, për kartotekën dhe ato së bashku me dy studimet që tashmë njihen,  të  krahasohen mbi kritere shkencore  me librin ‘’Peshqit e Shqipërisë‘’. Specialistët mund  të gjykojnë pjesërisht edhe në bazë të  artikullit dhe disertacionit të saj me referencat përkatëse që janë publikuar. Na ana ime, me  respektit që kam për studiuesit  e përkushtuar të iktiofanës shqiptare, shpreh keqardhjen që askush prej tyre, apo të tjerë, në botimet pas vitit 1990 nuk i janë referuar kontributit të Sabiha Kasimatit, edhe pse dihej mirëfilli. Ndoshta ka ndikuar qejfmbetja prej akuzave ‘’për përvetësim intelektual’’ që nuk ua ka qëndisur  martirja por klane të caktuara që ua ka interesi të sajojnë dhe propagandojnë  sensacionale e përbaltje. Në këtë ‘’duel’’ mes të respektuarve kontribues të iktiofaunës shqiptare mbështes aksiomën  e Aristotelit: “Amicus Plato, sed magis amica veritas’’ ( Platonin e kam mik, por më tepër kam mik të vërtetën, në këtë rast: ’’I respektoj palët, por më tepër dua të vërtetën’’.)
 
Citime të sajuara!
A duhet të publikohen citime të sajuara për ta justifikuar dhe ligjitimuar  dënimin fizik, politik e moral!
Ndër dhjetra shkrime me zbulime sensacionale gazetareske paraqiten rëndom edhe ‘’prova ‘’,  me citime të  sajuara që legjitimojnë dënimin e S.Kasimati. P.sh.
‘’Me kurajën karakteristike të madhe të saj ajo i tha këto fjale që gjenden në dosjen e saj pranë Gjykates së Kasacionit. ‘’Kam qenë kundra ketij pushteti sepse ai nuk pajtohej me ideologjinë e botëkuptimin tim evolucionist. Unë nuk kam qenë kurrë e mendimit që me një akt revolucionar të arrihej në socializëm. Unë vetë nuk kam kryer ndonjë atentat dhe as kam marrë pjesë në ndonjë mbledhje ku është marrë vendimi për akt terrorist. Ju jeni kriminelë dhe tiranë që kërkoni teë nënshtroni shqiptarët me terror por do të vije një ditë që keto mizori do t’i paguani’’ Këto fjalë ishin dënimi me vdekje i Sabihasë.7. http://www.arkivalajmeve.com/Sabiha-Kasimati-Mehmet—-Shehut-ne-hetuesi-Jeni–kriminele-do-e-paguani.1047688819/
Në një artikull tjetër me autor Agron Tufën  këtij paragrafi i shtohet edhe fjalia ‘’Jam lidhur me një grup shokësh, të cilët kanë qenë armiq të Partisë Komuniste…”. 8. http://www.panorama.com.al/profil-kush-ishte-shoqja-e-klases-e-enver-hoxhes-qe-u-pushkatua-me-urdhrin-e-tij/
Nuk ka rast më tipik se si një tragjedi të mund të kthehet në komedi satirike dhe nga një heroinë reale të sajohet  fantazma e një burrneshe mitike.
Më çudit  qëndrimi  paradoksal i disa studiues: edhe pranohet  sajesa  e deponimeve në hetuesi dhe gjyq e Sabiha Kasimatit me shokë, edhe përpiqen ‘’ta lartësojnë‘’ duke   e dënuar  me pushkatim  ‘’të justifikuar sipas ligjeve të kohës’’ kur ia pëmendin se kinse ia  paskish deklaruar në hetuesi  ‘’armiqësinë e saj’’ drejtpërdrejt Mehmet Shehut!
Personalisht më duket se e dënojnë jo vetëm me pushkatim, por edhe me groposje të gjallë, e bëjnë objekt të ballafaqimit politik e interesave klanore, e largojnë nga interesi dhe dashuria e gjithë popullit, për të mirën e të cilit punoi tërë jetën me përkushtim e dashuri.
Martirja  Sabiha Kasimati ka lënë një gjurmë të pashlyeshme në kujtesën e atyre që e kanë njohur. Këtë shkrim ua kushtoj edhe  gjithë atyre shokëve, miqve, bashkënxënës, kolegë e studiues që e kanë ruajtur në mendje e zemër kujtimin e saj edhe si intelektuale shembullore, me pikëpamje socialdemokrate ( ndonëse qe me prejardhje nga familje e pasur)  ajo mendonte për mirëqenien e gjerë të popullit shqiptar, zhvillimin e gjithanshëm të vendit. E kam përjetuar të gjallë nga vlerësimet e tim eti  Skënder Luarasi që e  ka njohur së pari në Korçë, më pas kur punonin në shkollat e kryqit të kuq Amerikan dhe pas çlirimit. Edhe bashkëshortja e tij Olga Nikolla (motra e Migjenit) e ka patur shoqe në universitetin e Torinos.
 
‘’Përse  më vrisni’’
Në hulumtimet e studiuesve për të vërtetën e arrestimit dhe vrasjes makabre të Sabiha Kasimatit   paraqet  rëndësi  thelbësore   t’i jepet përgjigje shkencore   pyetjes së saj :‘’Përse  më vrisni’’…  Në rast se provohet që është vrarë thjesht për të përmbushur një  tekë  diktatori, kjo do të ishte akuza dhe dënimi  më i rëndë që i bëhet  datij   dhe pushtetit abuzues. 
Historia na dëshmon mjaft raste  manjakësh qejflinj  të cilët  i kanë epshet  dhe hakmarrjen  pa kufi,  kur nuk e realizon qëllimin të marrin nderin  me shpifje dhe jetën me krim. E ndjera Kasimati i gëzohej bukurisë dhe inteligjencies së saj, por thuhet se fati i keq e takoi me një bashkënxënës në lice që u bë  diktator i vendit dhe pushtetin e tij absolut mund ta ushtronte kudo dhe për gjithçka. Me një urdhër dridhte dynjanë dhe taborët e tij të jeniçerëve burgosnin e internonin, torturonin  e pushkatonte.
Viktor Kasimati, nipi i Sabihasë,  dëshmon:‘’Enveri shtoi nga ana e tij emrat e Sabiha Kasimatit, Reiz Selfos, Manush Peshkëpisë, Qemal Kasoruhos, të cilët ishin nga treva e Gjirokastrës dhe ai i njihte personalisht. Bie fjala, emri i Reiz Selfos nuk ishte në asnjë nga listat. Dikur Reiz Selfo kishte pasur kurajën t’ia përplaste të vërtetën në fytyrë E. Hoxhës, i cili u hakmor ndaj tij, ashtu siç u hakmor ndaj Sabiha Kasimatit.’’9. http://www.panorama.com.al/enver-hoxha-shtoi-emrin-e-sabiha-kasimatit-ne-listat-e-vdekjes/
Ndërsa Liri Belishova ka thënë  se vetë “Stalini e qortoi Enverin për pushkatimet e 26 shkurtit 1951’’10.
Stalini e qortoi Enverin për pushkatimet e 26 shkurtit 1951 : flet shoqja e Sabiha Kasimatit / Liri Belishova ; Panorama,Nr. 1419, 6 shtator, 2006, f. 18 – 19.
Martirizimit të Sabiha Kasimatit me shokë  është i kobshëm. (Arrestohet dhe pushkatohet si e vetmja grua ne mes te 22 burrave)
Tashmë është provuar pa mëdyshje që ata u arrestuan  dhe u torturuan me qëllim,  si të pafajshëm, për një shpërthim  që e patën kryer të tjerë. Studiuesi Uran Butka e ka provuar me dokumenta arkivore se kush e organizoi dhe kush u dënua me akuzën e hedhjes së eksplozivit në Legatën Sovjetike. Atë  e hodhën dy anëtarë të organizatës “Bashkimi Kombëtar” Hysen Llulla dhe Qazim Laçi. Pjesëtarët e kësaj organizate u arrestuan dhe u mbajtën në izolim të fshehtë për 8 muaj, Gjykata e Lartë Ushtarake më 9.10.1951, me dyer të mbyllura, dënoi me vdekje: Qazim Laçin, Sejfulla Shimën, Rustem Thaçin, Zenel Rikën, Ali Voglin, ndërsa për Mark Zef Palin, Ramiz Voglin, Riza Shehun dhe Adem Kastratin, dënimi me vdekje u kthye në burgim të përjetshëm. Reshit Shima u vra në dhomën e torturave, Riza Pengili u pushkatua përpara derës së shtëpisë, ndërsa Hysen Llulla, kryetari i grupit u vra kur desh t’i ikte arrestimit prej agjentit të Sigurimit të Shtetit, Besim Selita.’’ 11
Uran Butka, Masakra e natës së 26 shkurtit 1951.  http://albdreams.blogspot.al/2014/01/bomba-ne-ambasaden-sovjetike-denimi-pa.html)
Ndërsa grupin me Sabiha Kasimatin pasi i pushkatuan për disa ditë pas arrestimit, pa prova e gjyq , ua sajuan deponimet në hetuesi dhe në seancat e gjyqit imagjinar.
Nuk evidentohen në procesverbal pyetjet që bën trupi gjykues dhe përgjigjet e secilit për pyetjet. “En block” janë shkurt “reagimet” e secilit të pandehur për akuzën.
Ish-anëtar i Gjykatës së Lartë, Mustafa Qilimi ka deklaruar: “Sa kohë isha unë në Gjykatën e Lartë nuk ka pasur dosje hetimore gjyqësore për ngjarjen e bombës në Ambasadën Sovjetike, për të cilën ekziston vendimi i pushkatimit të 22 personave”. Të gjitha janë shkelje të ligjit, që dëshmojnë se gjyqi nuk është zhvilluar fare. Procesverbalet janë plotësuar nga Gjykata e Lartë dhe Ministria e Brendshme, pas ekzekutimit të personave të arrestuar. Prova se procesverbali është falsifikuar është rasti i Jonuz Kacelit: vritet gjatë torturave, hidhet nga dritarja si i vetëvrarë – rast që merret si i pandehur në gjyq, pyetet nga kryetari, u përgjigjet akuzave dhe dënohet me vdekje, kjo provon se procesverbali është shkruar më vonë, gjyqi nuk është zhvilluar si fund të tij. Vendimi “me vdekje me pushkatim” ishte i formës së prerë, i paapelueshëm, i ekzekutuar menjëherë dhe i plotësuar me konfiskimin e gjithë pasurisë së luajtshme e të paluajtshme, deri te lugët dhe pirunjtë! 12 http://www.standard.al/2015/02/26/26-shkurt-1951-hidhet-nje-bombe-thyhen-dy-xhama-pushkatohen-22-intelektuale/
Porosia për gjyqtarët e diktaturës: “Duhet të mbyllet goja  e të mos i thuhet asnjë njeriu se është sekret i madh shtetëror”  Në vitin 1991, Gjykata e Lartë e Republikës së Shqipërisë pas kërkesës pranë Plenumit të Gjykatës së Lartë për prishjen e vendimit penal Nr.64 datë 27.02.1951 si të kundërligjshëm dhe të pambështetur në asnjë provë, u vendos prishja e këtij vendimi dhe pushoi çështjen penale në ngarkim të 22 të pushkatuarve.


“Ç’të kam bërë  o perëndi?”
Furtunën e natës  së 26 shkurtit të vitit 1951 e shqeu një klithmë therrëse femre: “Ç’të kam bërë  o perëndi…?”  sëcilës nuk po  ia grabisnin jetën plumbat por kondakë  e bajoneta ushtarësh të përçudnuar. Fshatarët e Mënikut  pëshpëritën se pranë urës së Beshirit qoftëlargu kishte kallur  njerëz dhe koha dëshmoi se ata qenë 22 viktima të pafajshme, mes tyre edhe shkencëtarja Sabiha Kasimati, së cilës natyra i dhuroi begatinë, bukurinë e mençurinë, por dhe fatin e keq të përballjes me urrejtjen  e diktatorit dhe katilëve të tij. Tashmë ka ardhur koha që në atë vend krimi të ngrihet një përmendore e cila të përjetësojë të vërtetën që krime të tilla të mos përsëriten më kurrë!
 
Kontribut për vlerësimin e Sabiha Kasimatit
Titullarët e  UT , FSHN,  të Departamentit të Biologjisë dhe Muzeut të Shkencave të Natyrës, kanë mobilizuar punonjësit e tyre përkatës që t’i përkushtohen njohjes dhe vlerësimit të martires Sabiha Kasimati. 
Në një mbledhje kolektivi i  departamentit  të Biologjisë u shpreh:  ‘’Znj. Kasimati është viktime politike e sistemit të kaluar. Kësaj zonje, nuk I është dhënë mundësia nga politika e sistemit të lërë gjurmë shkencore dhe të personifikohet si personalitet shkencor  pranë Institutit të Shkencave,  ku ajo ka punuar deri në 1951! Ky emër është i panjohur për thuajse gjithë brezat e studentëve, që kanë mbaruar pranë këtij Fakulteti. Në respekt të kontibutit dhe fatkeqësive në jetën e saj, ne jemi dakord me rehabilitimin   e   saj   nga   ana   jonë  në   një   Simposium   të   veçantë,  njohjen   e kontributit të saj shkencor, i cili ka qenë dhe mbetet i fshirë nga memoria e shkruar në vend!  Pasi   të   diskutohet   në   mjedise   shkencore,   mundet  që   në   Muzeumin   e Shkencave, pranë QKFF, ku ka një pavion Iktiologjie, këtij pavioni mund t’i vendosej emri Sabiha Kasimati, shoqëruar me fotografi dhe jetëshkrimin e saj; ose emrin e saj mund t’ ia vendosim një laboratori.’’
Në këtë mënyrë dashamirëse shprehet kërkesa dhe nevoja  për studime shkencore të thelluara për përkrahjen e studiuesve që të sigurojnë  provat përkatëse  që të përligjin vendimmarrjen. Si punonjës i fakultetit  kam dhënë kontributin modest përkatës me shkrime e organizim aktivitetesh dhe  në këtë përvjetor po publikoj edhe përkthimin tim (nga italisht në shqip) të studimit së saj:’’Fauna iktike e ujrave të ëmbla të Shqipërisë’’ (“Fauna ittica d’acqua dolce dell’ Albania, tesi di laurea”)   që deri më tani njihet si puna e saj shkencore  më e rëndësishme e publikuar ku përpjekur të ruaj formën e të shprehurit të autores si dhe të përzgjedh fjalët shqipe të ngjashme me ato të gjuhës italiane.
Në përmbyllje uroj për shumëçka  të përkushtuarën Ina Kasimati, pasardhëse e denjë e familjes, me të cilën u njohëm rastësisht dhe po bashkëpunoj me aq sa mund për të lartësuar vlerat e shkencëtares martire.

Filed Under: Histori Tagged With: Nderim dhe brengë, Petro Luarasi, Sabiha Kasimati

THACI NE UASHINGTON-MARRËVESHJE 49-MILIONËSHE ME MCC-në

September 13, 2017 by dgreca

-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi nënshkroi marrëveshjen 49-milionëshe me MCC-në: Është një ditë që ne e festojmë këtë bashkëpunim mes shumë institucioneve dhe shoqërisë civile në Kosovë por gjithashtu në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës/

1 Thaci nenshkru

-Ushtruesi i detyrës së shefit ekzekutiv të MCC-së,  Jonathan Nash:  Qeveria e SHBA-së, nëpërmjet MCC-së, do të punojë me Qeverinë e Kosovës për të zbatuar reformat politike dhe institucionale që rrisin transparencën dhe forcojnë sektorin energjetik të vendit/

1 Thaci flet

-Kongresmeni i SHBA-së, Eliot Engel: Kosova po ecën në rrugën drejt integrimit euroatlantik dhe ky partneritet i ri do të ndihmojë shtyrjen e vendit drejt këtij qëllimi/

1 Thaci1

-“Kosova kalon pragun e vlerësimit të MCC-së”, njoftonte Presidenca kosovare në 6 nëntor 2015/

UASHINGTON, 13 Shtator 2017-Gazeta DIELLI/ Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, i cili po qëndron në Uashington, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nënshkroi në emër të Kosovës marrëveshjen me  Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) për mbështetje me mbi 49 milionë dollarë, bëhet e ditur sot në njoftimin e dërguar.Me këtë rast, presidenti Thaçi tha se kjo është një ditë e madhe në Uashington DC për Kosovën.

“Ne gjithmonë kemi ditë të mira në Uashington për shkak se Kosova dhe SHBA-të, kanë një miqësi të gjatë dhe të fortë, por sot është një ditë e veçantë, sepse ne po shtojmë edhe një mik në listën e gjatë të miqve në këtë kryeqytet. Ne po nënshkruajmë këtë marrëveshje me MCC-në, dhe po hapim një faqe të re të marrëdhënieve, të fokusuara në zhvillimin ekonomik dhe sundimin e ligjit”, theksoi presidenti Thaçi.

 

Ai më tej tha se kjo marrëveshje është një mjet i ri shumë i fuqishëm i mbështetjes për qytetarët e Kosovës, dhe se do të ndihmojë Kosovën në zbatimin e projekteve me MCC-në.

 

“Kjo do të ndihmojë Kosovën të themelojë një fondacion i cili do të investojë gati 50 milionë dollarë në një mënyrë shumë të fokusuar. Këto investime do ta ndihmojnë qeverinë e Kosovës dhe bizneset kosovare të merren me furnizimin me energji elektrike, me kursimin e energjisë dhe me forcimin e transparencës qeveritare për qytetarët”, pohoi presidenti Thaçi.

 

Presidenti i Kosovës tha se që nga dita e parë e presidencës ka ndjekur procesin e MCC-së, duke shtuar se kjo marrëveshje dhe kjo ditë janë bërë të mundura vetëm me ndihmën e madhe të kongresmenit Engel dhe kongresmenëve tjerë. “Faleminderit kongresmen për përkushtimin tuaj ndaj Kosovës dhe për sjelljen e MCC-së në Kosovë. Falënderojmë anëtarët e nderuar të Kongresit dhe Senatit që kanë ndihmuar Kosovën në këtë proces. Gjithashtu falënderojmë ekipet tona, të udhëhequra nga Sarah Olmstad dhe Petrit Selimi të cilët kanë punuar shumë, dhe shumë shpejt për të krijuar projektet dhe për të sjellë këtë marrëveshje deri në këtë ditë”, shtoi presidenti Thaçi.

 

Ai më tej tha se jemi të përkushtuar që të sigurohemi që projektet të zbatohen. “Tani ne e kemi qeverinë e re, por si President i Republikës unë mund të konfirmoj që projektet e MCC-së, mbështeten nga të gjitha partitë politike dhe nga të gjitha institucionet. Shoqëria civile e Kosovës dhe sektori privat i Kosovës gjithashtu do të jenë elemente të rëndësishme të mbështetjes”, u shpreh Presidenti Kosovar.

 

Me këtë rast, Presidenti Thaçi shprehu falënderimin e tij për ish Presidenten Jahjaga dhe ish Kryeministrin Mustafa, për mbështetjen e tyre për MCC-në.

 

Duke e vlerësuar si një ditë feste, Presidenti Thaçi tha se është një ditë që ne e festojmë këtë bashkëpunim mes shumë institucioneve dhe shoqërisë civile në Kosovë por gjithashtu në mes të Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.

 

“Kjo Marrëveshje të cilën unë po e nënshkruaj sot me udhëheqësin në detyrë të MCC-së, z. Nash, është një instrument, por unë shpresoj që shumë më shumë instrumente mund të zhvillohen me mbështetjen e MCC-së, dhe do të ndihmojë në krijimin e vendeve të punës dhe uljen e varfërisë në Kosovë. Kështu, sot ne festojmë këtu në Kongresin e SHBA-ve, me miq  të Kosovës, por ne gjithashtu premtojmë se do të fillojmë të punojmë që nga nesër për ta bërë këtë Marrëveshje një arsye për festim edhe për mijëra njerëz në Kosovë”, theksoi Presidenti Thaçi.

 

Nga ana tjetër ushtruesi i detyrës së shefit ekzekutiv të MCC-së,  Jonathan Nash tha se MCC-ja u ndihmon qeverive të lidhin disa nga njerëzit më të varfër në botë me vende pune, tregje dhe mundësi.

 

“Qeveria e SHBA-së, nëpërmjet MCC-së, do të punojë me Qeverinë e Kosovës për të zbatuar reformat politike dhe institucionale që rrisin transparencën dhe forcojnë sektorin energjetik të vendit”, tha ai.

 

Ndërsa kongresmeni i SHBA-së, Eliot Engel tha se, “Kosova po ecën në rrugën drejt integrimit euroatlantik dhe ky partneritet i ri do të ndihmojë shtyrjen e vendit drejt këtij qëllimi”.

 

Kurse, Petrit Selimi  koordinator nacional për Sfidën e Mijëvjeçarit në Kosovë, tha se nënshkrimi i Marrëveshjes “Threshold” është fundi i procesit të zhvillimit të projekteve, por gjithashtu shënon fillimin e një mundësie të re emocionuese për institucionet e Kosovës, shoqërinë civile dhe sektorin privat për të bashkëpunuar në rregullimin e disa prej kufizimeve më të rëndësishme drejt rritjes në Kosovë. “Ne me padurim presim të shohim fillimim e projekteve në terren dhe të sjellin rezultate që do të ndihmojnë Kosovën në trajtimin e efikasitetit energjetik, korrupsionit dhe qeverisjes së mirë, si dhe ndotjes së ajrit”, theksoi ai.

 

Programi “Threshold” i MCC-së është përqendruar në fushat kritike për të ardhmen e Kosovës, dhe ai do të shpejtojë investimet në efikasitetin e energjisë dhe do të mbështesë përpjekjet për të promovuar një qeverisje efektive dhe llogaridhënëse, përfundon njoftimi dërguar nga Uashingtoni.

 

“Kosova kalon pragun e vlerësimit të MCC-së”, njoftonte Presidenca kosovare në 6 nëntor 2015.

 

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga mirëpret njoftimin e agjencisë amerikane Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (Millenium Challenge Corporation – MCC) se Kosova ka kaluar pragun për t’u kualifikuar për asistencë nga kjo agjenci. Ky është një moment i rëndësishëm për Kosovën, që demonstron progres të theksuar në performancën e politikave si liritë ekonomike, qeverisja e drejtë dhe demokratike dhe investimi në qytetarët e saj”, theksonte Presidenca.

 

6 NËNTOR 2015: KOSOVA KALON PRAGUN E VLERËSIMIT TË MCC-së

 

Njoftimi nga Presidenca e Kosovës i datës 6 nëntor 2015:

 

 

Kosova kalon pragun e vlerësimit të MCC-së

 

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mirëpret njoftimin e agjencisë amerikane Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (Millenium Challenge Corporation – MCC) se Kosova ka kaluar pragun për t’u kualifikuar për asistencë nga kjo agjenci. Ky është një moment i rëndësishëm për Kosovën, që demonstron progres të theksuar në performancën e politikave si liritë ekonomike, qeverisja e drejtë dhe demokratike dhe investimi në qytetarët e saj.

 

Presidentja Jahjaga theksoi se rezultatet e MCC-së njohin angazhimin e Kosovës për të përmirësuar politikat në shumë fusha, veçanërisht në adresimin e korrupsionit. Sipas ‘Treguesve Botëror të Qeverisjes’ të Bankës Botërore, Kosova këtë vit ka përmirësuar kontrollin e korrupsionit për 16% krahasuar me vitin e kaluar.

 

Rezultatet e publikuara sot vijnë pas një pune intensive të Zyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, që ka udhëhequr përpjekjet që nga muaji shkurt për të përmirësuar performancën në indikatorë, në bashkëpunim me një numër ministrive, institucioneve të Kosovës dhe agjencive të specializuara të OKB-së që veprojnë në Kosovë.

 

Kalimi i pragut të indikatorëve është komponenti më i rëndësishme në procesin e përzgjedhjes se cilat shtete marrin fonde për zhvillim nga MCC. Zyra e Presidentes do të vazhdojë përpjekjet për kualifikimin e Kosovës për programin e asistencës, deri në vendimin përfundimtar i cili do të merret në dhjetor të këtij viti në takimin e Bordit të MCC-së, që udhëhiqet nga sekretari amerikan i Shtetit John Kerry.

 

MCC është një agjenci qeveritare amerikane e asistencës së jashtme e themeluar nga Kongresi në vitin 2004. Përzgjedhja e shteteve që përfitojnë nga asistenca e MCC-së bazohet në një proces rigoroz që mat progresin e arritur në 20 indikatorë të pavarur dhe objektivë, në fushat si liritë ekonomike, të drejtat demokratike, kontrolli i korrupsionit, sundimi i ligjit, qeverisja e mirë dhe investimit në njerëz.

 

Shumica e të dhënave që merren në përpilimin e indikatorëve janë të siguruara nga agjencitë e specializuara të OKB-së dhe organizatat e pavarura. Në disa indikatorë, siç rasti me të dhënat e mbledhura nga UNESCO, nuk është matur performanca e indikatorëve për arsye se Kosova nuk është anëtare.

 

 

31 GUSHT 2017: QEVERIA PARALAJMËRONTE NËNSHKRIMIN E MARRËVESHJES PËR PROGRAMIN E KORPORATËS SË SFIDAVE TË MIJËVJEÇARIT (MCC)

 

 

Ndërsa, në 31 gusht 2017 nga Zyra e shtypit e Qeverisë paralajmërohej se, “kryeministri i Republikës se Kosovës, Isa Mustafa, më 12 shtator në Uashington, do të nënshkruaj Marrëveshjen për programin e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), program ky prej të cilit Kosova përfiton 50 milionë dollarë”.

Por, ndërkohë, në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës në 9 shtator u zgjedh Qevria e re me kryeministër Ramush Haradinajn, afër 3 muaj pas zgjedhjeve të parakoshme të 11 qershorit.

 

Në njoftimin nga Zyra e shtypit e Qeverisë theksohej se, “Qeveria e Republikës së Kosovës ka themeluar Zyrën për Sfidat e Mijëvjeçarit në Kosovë pranë Zyrës së Kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe në bashkëpunim me partnerët e SHBA-së kanë bërë të gjitha përgatitjet për finalizimin e kësaj marrëveshje, që në të ardhmen do të realizohet në bashkëpunim me organet qeveritare, bizneset dhe shoqërinë civile”. /b.j/

Filed Under: Featured Tagged With: $49 milione, nenshkruan, Thaci, Uashington

Shqiptari i Amerikës, pjesmarrës në tri luftra

September 12, 2017 by dgreca

Arben Vuthi shqiptaro amerikani që ka marrë pjesë në ushtrinë amerikane në tri luftëra nëpër botë…/

1 dy ushtaraket

Për Luftën e Kosovës s’më mbante vendi, dhe pyesja komandantët për ndonjë mundësi të shkoja në Kosovë.  Doja të shkoja vullnetar…1 ushtaraket 2

 Bisedoi Keze Kozeta Zylo/

Z.Vuthi perpara se të shkojmë nëpër luftëra le të sjellim për publikun fëmijërinë tuaj e cila duhet të ketë emërues të përbashkët paqen.  Si e keni përjetuar atë dhe na sillni disa momente të rëndësishme duke filluar me familjen?

1 Flamuri

-Fëmijëria ime ka qenë e zakonshme si çdo fëmijë shqiptar i asaj kohe.  Edhe pse ishim më të varfër, unë e kujtoj me kënaqësi kohën kur rrinim “rrugëve” gjithë ditën dhe luanim.  Për mua kështu duhet të jetë fëmijëria.  Ishim më të lumtur them unë.  Mbase të gjithë fëmijët jane më të lumtur sesa të rriturit, kush e di?

1 valle

-Kur erdhët në Amerikë dhe cili ka qenë frymëzuesi juaj për të shkelur tokën e ëndrrave?

-Në fakt s’kam pasur ndonjë pikënisje konkrete.  Çështja ishte se vetëm Amerika pranonte emigrantë të llojit tim “politik” meqë isha “arratisur”.  Çudi, nejse neve kështu na thonin nëpë zyra në Greqi.  Sigurisht Amerika kishte reputacionin e vendit të madh, të fuqishëm dhe të krijuar nga emigrantë, por mbi të gjitha jam shumë mirënjohes që ishte vendi i vetëm që na hapi derën.1 Kosova

-Cilat kanë qenë impresionet e para kur erdhët në Amerikë?

-Në fillim erdha në NY.  Kishte zhurmë e tym.  Isha si i hutuar, mbingarkim informacioni, torturë e vërtetë. Habitesha dhe me të gjitha racat dhe ngjyrat që shikoja rrugës.

-Çfarë mund të kujtoni rreth jetës suaj në Amerikë?

-Kujtime ka shumë të mira dhe të keqia si kudo, por padyshim momentet që venë në antitezë të shkuarën tonë në Evrope (përfshi këtu dhe Greqinë ku jetova 2 vjet duke pritur për vizën e Amerikës). Unë them se Amerika është më pak nacionaliste dhe të jep më shumë mundësi që të ingranohesh me jetën si një vendas.  Një shembull do te ishte të shkuarit në Universitet pa ndonjë pengesë.  Pastaj përjetimi më i fuqishëm është kur mora nështetësinë amerikane.

-Si arritët të futeshit në ushrinë  amerikane dhe cilat ishin detyrat tuaja ushtarake?

-Në ushtri kam hyrë rastësisht, pasi lexova në një lajmerim ku shkruhej: “Fito mundësi të trainohesh në një profesion, 30 ditë pushime në vit, mundësi të shkosh në Universitet, mundësi të udhëtosh nëpër botë, siguracion mjekësor dhe dentar”. Mua m’u duk si ëndërr.  U paraqita dhe më pyetën a isha jetoja legalisht në Amerikë?  Pastaj më thanë: -Do të hysh në ushtri? -Unë thashë “PO” dhe siç thonë këtu “The rest is history”.

-Si ushtarak çfarë mendoni se i keni dhënë Amerikës, Shqipërisë dhe botës?

-Në fillim i kam dhënë atë që më kërkoi, pra te mbaroj kontratën time në menyrë të rregullt, me disiplinë etj.  Shqipërinë mbase e bëra më të njohur ndër rreshtat e ushtrisë amerikane kur më pyesnin nga isha, dhe mbase duke qenë ushtar i mirë i jepja dhe Shqipërisë emër të mire.

-Cilat janë disa nga momentet më të vështira të Luftës që ju keni përjetuar së bashku me shokët tuaj?

-Pa tjetër që kur kemi humbur shokët në betejë, por edhe kur shkonin në terren duke përballuar mina apo pusi.  Por i ndanim bashkë hallet, dhe është mirë që të jesh pjesë e “skuadrës”. Ishim gati të ndihmonim njeri tjetrin.

-Keni pasur shqiptarë në krah tuaj?

-Pak, nga mesi i karrierës time njoha 3-4 përnjëhërësh.  Kam dëgjuar dhe për të tjerë.  Më vonë u bë fare diçka e zakonshme për shqiptarët të hyjnë në ushtri.  Në shumë raste kërkoja dhe gjeja shqiptarët e Kosovës ose Maqedonisë që punonin si kontraktorë civilë për ushtrinë dhe me ata rrija e haja në kohë të lirë.  Ju jam shumë mirënjohes që i kisha atje dhe më përkrahën, ma bënë më të lehtë të gjithë përvojën. Dy herë kemi organizuar përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës në Iraq dhe Afganistan.

Çfarë feste madhështore u bë!

Pastaj kam takuar ushatrë të ushtrisë shqiptare në Gjermani për manovra ushtarake.

Djem e vajza të shkëlqyeshëm.

-Po Luftën e Kosovës për Liri si e keni përjetuar?

Në atë kohë s’më mbante vendi, dhe pyesja komandantët për ndonjë mundësi të shkoja në Kosovë.  Doja të shkoja vullnetar, por nuk ndodhi se lufta më të shumtën u bë nga ajri, dhe më vonë ishin trupat rezerviste që shkuan në Kosovë. Nejse do të doja shumë të isha i përfshirë direkt.

-Keni kontakte me ish ushtarë të UCK-ës?

-Kam takuar shumë prej tyre ose fëmijët e Dëshmorëve të Luftës së Kosoves, mbaj kontakt, posi.

-Si veteran lufte i Amerikës cilat jane disa nga vlerësimet që keni marrë?

-Në fakt janë dy luftëra dhe një “konflikt” që në gjuhën e ushtrisë nuk konsiderohet zonë kombative ose përleshje, por asnjë se dinte këtë nga ushtarët dhe përgatitja ishte sikur për luftë të vërtetë.  E kam fjalën per Bosnjën.  Dy të tjerat Iraku dhe Afganistani ishin luftëra me plot kuptimin e fjalës.Për çdo betejë kam marrë medaljet që i takojnë asaj beteje.

-Cili është edukimi që keni marrë në Amerikë?

-Kam mbaruar për Physician Assistant (PA), në Akadmine e Mjekësisë së Ushtrisë Amerikane, një nga shkollat më strikte. Kam dëgjuar se ja kalon dhe Universitetit të famshëm; Yale. Tani po punoj për doktoraturë.Jam i specializuar në mjekësi të pëgjithshme dhe Psiqiatri.  Plus kurse të panumërta të mjekësisë së luftës, reanimator, dhe mjekësisë së ndërhyrjes së shpejtë (Emergency Medicine).

-Cilat janë përshtypjet tuaja për Shqipërinë gjatë vizitave tuaja në Atdhe?

-Me çdo vizitë më shtohet malli më shumë, dhe e dua ende më shumë; sikur bëhem edhe më patriot.

-Dhe së fundi na flisni për familjen që keni krijuar në Amerikë?

Jam i martur prej mbi 20 vjetësh.  Gruan e kam shqiptare nga Fieri, kam djalë dhe vajzë 18 dhe 14 vjeç.

11 shtator, 2017

Staten Island, New York

Filed Under: Histori Tagged With: Arben Vuthi, Keze Kozeta Zylo, NË TRI LUFTRA

Princi Tepelenas i Makiavelit

September 12, 2017 by dgreca

u3_gjergjlacuku

Nga Gjergj LACUKU/ Jacksonville/Florida/

Historia ka tregue se ne hapsinat e politikes shqiptare , ekziston nji amulli politike e verber , ku politikanet shkojne e vijne si te ishin ne nji harem sulltanesh .Politikanet shqiptare si te gjithe politikanet e tjere, marrin persiper rrole kyçe qe kan te bajne me fatet e popullit, me te ardhmen e tyne, dhe me perfaqesine  e shtetit ne arenen nderkombtare. Ne fakt, ato nuk dojne me e dit peshen qe ato mbajne me rrolin e tyne. Nese shoqeria jone ka prodhu  politika shterpe , tashme kjo nuk na duket çudi , por diçka e zakonshme. Perse e them kete?

Ajo çka ndodhi ne Shqipni me qeverine “Rama 2” asht  nji gjest i pashembullt  persa i perket vendeve postkomuniste. Un nuk po mundohem te sjelli diçka te re ne kete shkrim sepse faktet jane fakte dhe te gjithe i dijme. Per ato qe e kan jetu sistemin komunist, e kuptojme se sa te etun ishim per liri. Dhe kur permbysen sistemet totalitare, e para gja qe duhet te ndodhe asht largimi prej skenes politike te figurave te cilat kan ken pjese kryesore e nji mekanizmi shtypes. Mua nuk me çudit fakti se ne nji sistem pluralist ka fitue Partia Socialiste. Jo, aspak! Kjo asht pjese e randesishme e funksionimit te mendimit ndryshe. 

Sidokjofte,ne kete rast kemi te bajme me nji fenomen tjeter- ate te vendosjes ne krye te Parlamentit Shqiptar , z.Gramoz Ruçi. Edhe pse ai kurr nuk u vertetua fajtor per ngjarjet e 2 Prillit 1991 , ajo qe e çorodit politiken Shqiptare asht rikthimi ne te kaluaren e hidhun. A asht morale qe pas 27 vjetve perpjeke  te kthehemi ne nji regres politik? Mua me duket si nji vrasje e dyte qe i bahet andrres se Shqiptarve , te cilet me 1990 vendosen te i japin fund diktatures moniste.  Ne ate kohe , pothujse ne pergjithesi, i gjithe populli bante thirrje ” e duam Shqipnine si Europa.” 

Por sot , si duhet te i paraqitemi Europes , e cila edhe pse na mban peng, nuk kemi pse te ndjehemi te mashtruar. Fenomeni Ruçi tashme asht i njohun ne politiken Shqiptare si nji figure kryesore e sistemit komunist. Ai ishte Sekretar i Parë i Tepelenes, me vone Minister i Mbrendshem ne zgjedhjet e para pluraliste te fituara prej te njejtes Parti qe kishte sundue ne menyre barbare nji popull te tërë. Ruçi mund te jete nji politikan i forte, i dedikuem mbrenda partise se vet. Si deputet jemi dakord qe asht detyre e tij te punoje me perkushtim. Ai kurre nuk e ka propagandu komunizmin edhe pse vjen direkt prej atij sistemi. Me sa duket ai asht njohes i mire i “Princit” Makiavelian:”Kushdo që dëshiron të ketë sukses të vazhdueshëm, duhet të ndryshojë sjelljen me kalimin e kohës.”Por pyetja themelore asht kjo ; a asht e domosdoshme qe nji figure si ai te jete ne Krye te Kuvendit?A nuk ka qeveria Rama nji figure tjeter ,qe edhe per hir te se kalueres , mund te ishte ma gjitheperfshirese? Mbas tan atyne perpjekjeve , a asht ne moralin e nji shoqnije ,qe ne vitin 1990 e donte Shqipnine si Europa,te dalin sot para saj me nji figure politike qe perfaqesonte antieuropianizmin dhe antiamerikanizmin? 

Mua me duket e pavend. Edhe pse Makiaveli thoshte se ” politika nuk ka lidhje me moralin ” zgjedhja e z.Ruçi  nuk qendron jo vetem moralisht por as politikisht. 

Ne perfundim, tue pase parasysh te kalumen e hidhun gjate komunizmi, s’munda ta anashkaloj  nji thanje tjeter t e Machiavellit qe i shkon per shtat Princit Shqiptar;”Nëse duhet ba nji lëndim ndaj nji njeriu, atëherë ai lëndim duhet të jetë shumë i randë saqë nga hakmarrja e tij të mos kesh aspak frikë.”

Filed Under: Komente Tagged With: Gjergj Lacuku, i Makiavelit, Princi Tepelenas

BASHKIMI EVROPIAN, MISION VËZHGIMI PËR ZGJEDHJET NË KOSOVË

September 12, 2017 by dgreca

-Shefi i Misionit nga Bashkimi Evropian prezanton raportin final mbi zgjedhjet legjislative të 11 qershorit 2017 në Kosovë, thekson nevojën për përmirësime para zgjedhjeve lokale/1 Prishtine me Skenderbe

-Alojz Peterle, anëtar i Parlamentit Evropian, do të vazhdojë rolin e Shefit të Misionit për misionin e ri të vëzhgimit të zgjedhjeve për zgjedhjet komunale të 22 tetorit, që zyrtarisht u hap sot/

PRISHTINË, 12 Shtator 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Misioni për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë nga Bashkimi Evropian (EU EOM) sot prezantoi raportin final mbi zgjedhjet legjislative të 11 qershorit. Raporti përmban një vlerësim mbi procesin zgjedhor dhe ofron 26 rekomandime për përmirësimin e proceseve të ardhshme zgjedhore në Kosovë.
Misioni ishte i udhëhequr nga Shefi i Misionit, Alojz Peterle, anëtar i Parlamentit Evropian nga Sllovenia, i cili u kthye në Kosovë për dy ditë që t’ua prezantojë raportin autoriteteve në Kosovë, Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ), partive politike, shoqërisë civile dhe mediave.
Raporti final i EU EOM-it reflekton gjetjet e deklaratës preliminare, ku është gjetur se zgjedhjet ishin vërtetë konkurruese në pjesën më të madhe të Kosovës, por nevojitej vullnet politik për t’i adresuar dobësitë e vjetra si dhe problemet e frikësimit në zonat me serbë të Kosovës.
Duke theksuar nevojën për adresimin e frikësimit, Peterle bëri thirrje për “veprim më të vendosur” nga organet me ndikim, duke thënë se “votuesit nga të gjitha komunitetet meritojnë një proces të lirë demokratik.”
Peterle thekson nevojën për tu bërë përmirësime në kohë për zgjedhjet komunale. “Flas sidomos për edukimin e votuesve, trajnimin dhe caktimin e këshillit të vendvotimeve, transparencë në procesin e KQZ-së dhe rolin e Komisionit të Pavarur për Media. Inkurajoj autoritetet relevante t’i kenë parasysh këto rekomandime dhe t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm për implementimin sa më të shpejtë të tyre,” tha Peterle. Ai vërejti se KQZ ka një Plan Veprimi të dizajnuar për implementimin e rekomandimeve afatshkurtëra nga Misioni në lidhje me punën e tyre me zgjedhjet komunale.
Peterle theksoi se nevojitet vullneti politik nga i gjithë spektri politik për adresimin e rekomandimeve afatgjate, të cilat përfshijnë përmirësimin e listës së votuesve, mbikëqyrje më të mirë mbi shpenzimet e fushatës, kohën e mjaftueshme për zgjedhjet e parakohshme, përmirësime në sistemin e votimit jashtë Kosovës, përmirësimin e mekanizmit të ankesave zgjedhore, eliminimin e boshllëqeve në rregullat mbi mbulimin medial të fushatës, si dhe pjesëmarrjen më të madhe të grave në procesin zgjedhor.
Prezantimi i Raportit Final përmbyll punën e Misionit për Vëzhgimin e Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian mbi zgjedhjet legjislative, që ishte në Kosovë nga maji deri në qershor, dhe vëzhgoi të gjitha aspektet e procesit zgjedhor. Peterle do të vazhdojë rolin e Shefit të Misionit për misionin e ri të vëzhgimit të zgjedhjeve për zgjedhjet komunale të 22 tetorit, që zyrtarisht u hap sot.

Filed Under: Kronike Tagged With: -Bashkimi Evropian, Behul Jashari, Kosove, Vezhgim Zgjedhjeve

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1796
  • 1797
  • 1798
  • 1799
  • 1800
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT