• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MJEKJA TURKO-SHQIPTARE QË TRAJNOI SHËRBIMET E URGJENCËS ME 32 SHTETE

February 26, 2021 by dgreca

Nga Sokol PAJA/ Dr. Esen Uysal mjekja turko-shqiptare në Izmir të Turqisë ka arritur të përfundojë me sukses dhe profesionalizëm të lartë trajnimin dhe kordinimin e Urgjencave me 32 shtete e mbi 1000 përfaqësues të këtyre shteteve. Në kohën që pandemia globale futi botën dhe sistemin shëndetësor në kolaps, shërbimit të emergjencës në të gjitha shtetet iu dha një rëndësi specifike trajnimi dhe përgatitjeje pasi emergjencat kishin një rol të madh pasi rastet më flagrante të të prekurve paraqiteshin në urgjencë.

Dr. Esen Uysal shprehet për “Dielli”-n e “Vatrës” në New York se ka qenë një kënaqësi e madhe dhe një lumturi të punoje e trajnojë mjekë nga 32 shtete të botës. Ajo shprehet se kënaqësinë më të madhe e ka ndjerë kur ka punuar me kolegët shqiptarë që janë emrat më të spikatur të mjeksisë në Shqipëri dhe Kosovë. Dr. Esen Uysal tregon se në vitin 2014 Ministria e Shëndetësisë së Turqisë filloi trajnimet e Urgjencës Ndërkombëtare ku u përfshinë mjeke nga Shqipëria ku kanë ardhur 5 grupe me nga 20 mjekë. “Kolegët e mi nga Shqipëria e Kosova më kanë befasuar në të gjitha aspektet si mjekë profesionistë, si njerëz të mrekullueshëm, si njerëz të kulturuar, për të cilët do të ruaj gjithmonë respekt, vlerësim, dashuri e mirënjohje. Ministri i Shëndetësisë së Shqipërisë më ka dërguar letër faleminderimi çka për mua ka qenë nder i veçantë dhe vlerësim” kujton Dr. Esen Uysal. Pas grupit të mjekëve nga Shqipëria edhe Kosova ka dërguar 5 grupe mjekësh për trajnim. “Kam qenë e nderuar të punoj ngushtë me profesor Basri Lenjanin, Skender Brataj, Agron Dogjanin me të cilët patëm bashkëpunim të shkëlqyer, mendime për projekte të ardhshme se si mund të rrisim në një nivel më të lartë Shëndetësinë në Shqipëri e Kosovë, me staf më të përgaditur dhe të trajnuar. Mjekja shqiptare Dr. Esen Uysal përgjatë gjithë pandemisë Covid-19 ka qenë në kryesi të Komitetit Infektiv në qytetin e Izmirit në mbikqyrje të shërbimeve të ambulancës. Ajo shpjegon se detyra e saj dhe e Komitetit ka qenë që të vlerësojnë dhe të merren kryesisht në trajtim të nevojshëm specifikisht edhe të rasteve që nuk kanë qenë të infektuar me Covid-19 por që kanë pasur të nevojshme në mënyrë urgjente trajtimin shëndetësor si pasojë e sëmundjeve të tjera bashkëshoqëruese. Ajo ishte pjesë e Komitetit Infektiv në të cilin punonin 1200 specialistë të shëndetësisë si mjekë, infermierë, personel mjeksorë, personel ndihmës etj që vepruan intensivisht në përballje të pasojave nga Covid dhe ndjekjen e shëndetit të qytetarëve që kishin sëmundje të tjera. Ajo shpjegon se puna përgjatë pandemisë ka qenë tepër e vështirë. Përveç se ndiqej personi i sëmurë, ekipi i mjekëve ka mbajtur nën kontroll intensiv çdo pacient dhe madje e kanë ndjekur deri në familje në riaftësimin e shërimin e plotë të tij. Pas shpërthimit të pandemisë në Turqi, Dr. Esen Uysal shpjegon se autoritetet krijuan Bordin  Shkencor, trajnuan stafet, botuan guidën në ndihmë të stafit mjeksor, u shtuan kapacitete mbështetëse, baza materiale dhe e gjithë puna ka qenë shumë e organizuar në shërbim të pacientëve dhe menaxhimit të pandemisë globale. Gjatë pandemisë në Turqi u krye hospitalizim pa probleme i pacientëve dhe gjithmonë kishte vende në spitalet turke me ventilator dhe ekipe shërbimi në këmbë ndaj pacientëve. Turqia përgjatë pandemisë formoi ekipe mjeksore për pacientët që e kalonin në shtëpi pa shkuar në spital Covid-19. Falë masave rigoroze të marra, Turqia e përballoi me shumë sukses pandeminë dhe Shërbimi i Shëndetësisë së Turqisë jo vetëm që nuk përjetoi kaos e kolaps si në vendet tjera, por dëshmoi se ishte një ndër shërbimet mjeksore më të mira në botë, arsyeton Dr. Esen Uysal. Ndikimi i Covid në psikologjinë e njerëzve është pa diskutim i rëndë dhe sipas Dr. Esen Uysal nevojiten masa emergjente nga institucionet përgjegjëse në mënyrë që shëndeti i njerëzve dhe popullatës të jetë më i sigurtë. Dr. Esen Uysal shpjegon se grupet shoqërore që përpara pandemisë kanë qenë psikologjikisht apo fizikisht në kushte jo optimale, pas pandemisë globale kanë qenë më të ekspozuar dhe më të rrezikuar nga sëmundjet mendore. Për shkak të ndryshimeve rrënjësore që solli pandemia, njerëzit do të përballen për kohë të gjatë me simptomat e ankthit, stresit post traumatik, humbjes së vetbesimit dhe depresionit si pasojë direkte Covid-19. Dr. Esen Uysal tregon se pandemia i bëri njerëzit më të përgjegjshëm për vetën dhe jetën. U kujtoi atyre vlerën e vërtetë që kanë njerëzit e afërt, familja e miqtë. Pandemia sipas Dr. Esen Uysal tregoi se para se ti qajmë njerëzit që na ikin, duhet të gjejmë kohën ti duam e ti respektojmë sa i kemi pranë nesh. Mjekja Dr. Esen Uysal me baba turk dhe nënë shqiptare ka një karrierë të gjatë në fushën e mjeksisë dhe të trajnimeve në fushën e urgjencave. Ajo ka kryer Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Prishtinës në janar të vitit 1992. Pas mbarimit të studimeve deri në vitin 1995 ka mbaruar specializimin e mjeksisë në departamentin e Sëmundjeve Infektive. Dr. Esen Uysal që prej vitit 1999 ka punuar si mjeke e Urgjencës në İzmir të Turqisë. Nga viti 2012 Dr. Esen Uysal ka punuar si Menaxhere e Standarteve të Cilësisë dhe kordinatore për trajnimet ndërkombëtare. Në tetor të vitit 2020 ajo doli në pension dhe merret në mënyrë aktive me projekte private trajnuese me Qëndrën e Trajnimeve në Kosovë. Në fund të prononcimit të saj për “Dielli”-n e “Vatrës”, Dr. Esen Uysal ka një thirrje dhe lutje për të gjithë shqiptarët e Amerikës dhe çdo shqiptar kudo në botë: “ Sa të mundeni përkraheni Shqipërinë dhe Kosovën, duajeni njëri-tjetrin kudo ku jeni, bëni investime në Kosovë e Shqipëri. Ndihmoni sektorin e shëndetësisë se keni ndihmuar shëndetin dhe sigurinë e jetës në atdheun tuaj. Të gjithë shqiptarëve kudo nëpër botë ju dëshiroj shëndet dhe jetë të lumtur” përfundoi për “Dielli”-n e “Vatrës” mjekja turko-shqiptare Dr. Esen Uysal.  

Filed Under: Featured Tagged With: Mjekja ne Izmir, Sokol PAJA/ Dr. Esen Uysal

ALBIN, NGUTU NGADALË!

February 25, 2021 by dgreca

–Letër e hapur kryeministrit në ardhje, z. Albin Kurti/

NGA ALBAN KRASNIQI/

I nderuari z. Kryeministër në ardhje,/ Më në fund jenifituesi plebishitar i zgjedhjeve të fundit. Fitorja Juaj, më shumë se e mirëpritur, është më se e nevojshme. Shtegtimi Juaj politik nuk ishte shtegtim dallëndysheje, por ishte shtegtim zgalemi.Me një fjalë, aktiviteti juaj nuk qe mund Sizifi.

U bënë të gjithë kundër Jush: pozitë e opozitë, medie elektronike dhe medie të shkruara, analistë e opinionistë. Ata ju akuzuan, ashtu siç akuzonte Katilini Ciceronin. Sa herë mundoheshin t’ju deformonin, Ju krijonit formë më të veçantë; sa herë tentuan t’ju thyenin, Ju nxirrni tshkëndija. Kurrë nuk arritën t’jua japin formën e dëshiruar. Përballë këtyre akuzave, fyerjeve e sharjeve,Ju parapëlqyet të mbeteni një Sokrat i vuajtur e jo derr i kënaqur.Edhe përkundër kësaj fushate, qytetarët ju deshën dhe ju përkrahën, sepse, siç thoshte Kanti, Ju vepruat “gjithmonë në atë mënyrë që njerëzit i ke vetëm si qëllim dhe asnjëherë vetëm si mjet”.

Tani, kur Ju qëndroni aq lart, sa që lihet përshtypja se të tjerët i kundroni nga maja e Olimpit, s’do mend se përgjegjësia ju shtohet edhe më tej. Nevoja për ndryshim dhe plotësim të nevojave të qytetarëve ju bëjnë të nguteni më shumë, sesa realizimi i premtimeve. Ngutuni ngadalë e mos u ngadalësoni nxitimthi. Siguronivaksinën dhe vaksinoni qytetarët, vini drejtësinë në vend dhe promovoni shtetin e së drejtës, rritenipunësimin dhe udhëhiqe dialogun. Dialogu të bëhet për interesa të shtetit e të qytetarëve e jo për interesa tëndonjë diplomati, qëprioritet ka karrierën politike apo pasurimin e CV-së së tij; bëje dialogun në emër të së drejtës e jo në emër të “miqësisë së përjetshme me aleatët tanë”.Përveç këtyreveprimeve, mos lini pa lëvizur gurë e dru për t’ua prishurfurrikun komuniteteve që mos të kenë vende të rezervuara, por veç sa mund të marrin në zgjedhje.

Këto prioritete janë edhe shumë, edhe pak; janë edhe të mëdha, edhe të vogla. Janë shumë për politikanët tjerë, por jo për Ty; janë të mëdha për të tjerët, por jo për Ty. Ti, që theve bastione, zhveshe mite e shembe idhuj, mund ta bësh edhe këtë. Intuita dhe mendja jote i përballon pa kurrfarë telashi dhe pa kurrfarë zgjatjeje kohore. Nuk do t’ju duhet më shumë se një mandat.

I nderuari z. Kryeministër në ardhje,

Përfundoni këto punëdhe drejtohu andej Drinit. Edhe andej është si mos më keq. Vendi dhe qytetarëtvazhdojnë tësundohen prej një kaste narkomanësh dhe hajdutësh, aq sa i Gjatii vogël silletsi Qesari. (Kur fitoi veshgjati, trupgjati desha të them, të gjithë shpresuam përnjë dritë e ngrohtësi, por ajoshpresëevyshkursot na i kujton vargjet rrëqethëse të epikës sonë legjendare: “drita a dalë e dritë s’po bân, ka lé dielli e s’po nxeh”).Bëhu Augusti! Bashko shqiptarët! Kjo është dëshirë e jona e kamotshme, që buron nga ati, biri dhe shpirti. Mos i lini të tjerët të na nëpërkëmbin! Është turp se si një komb kaqi vjetër, një komb që i ka dhënë aq shumë jo vetëm rajonit, por edhe globit tëkatandiset në këtë mënyrë prej të vetëve dhe prej të huajve. Dikur Lamartini pati thënë: “Ky komb e ky popull nuk merret nëpër këmbë… Kjo është toka e heronjve të të gjitha kohëve… Homeri aty gjeti Akilin, grekët Aleksandrin e Madh, turqit Skënderbeun, njerëz këta të së njëjtës racë, të të njëjtit gjak”. Shpresojmë që me Ty në ballëdo të ringjallet Moti i Madh. Ti mund ta bësh këtë. Ti duhet ta bësh këtë, sepse i ke dy cilësi praktike të dëshmuara: gjakftohtësinë në kohë rreziku dhe shpejtësinë rrufe në veprime; ke furtunën në kokë dhe zjarrin në kraharor. Të gjithë politikanët tanë pretendojnë se i dinë gjërat e mira, por vetëm Ti mund t’i bësh ato. Me një fjalë, jeni personi i duhur për ta rihapur Kutinë e Pandorës, që të rishfaqet shpresa për këtë brez të nëpërkëmbur. Mendo dhe vepro për to! Kujtoje Arkimedin, kur kërkonte një levë! Përmbyse këtë botë të çmendur e të shthurur! Përmbyse këtë pushtet narkomanësh dhe çoje atje ku Ali Podrimja e çoi hasmin, kur lypi me ia nda një copë tokë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Alban Krasniqi, Albin, NGUTU NGADALË

Bennet Nura, një nga të përzgjedhurit për të jetuar në Planetin MARS

February 25, 2021 by dgreca

17-vjeçari nga Prishtina i cili është përzgjedhur nga Nasa për t’u bërë banor i Marsit/

-Bennet Nura, është në mesin e 100 mijë njerëzve të përzgjedhur nga NASA, për të bërë jetë në planetin Mars në të ardhmen./

17-vjeçi tha se gjithmonë ka ëndërruar të bëjë një hap më shumë për shkencën, pasi interesi për të ka qenë i madh. Pasi dëshira e tij ishte të bëhej astronaut, emisionet shkencore kanë qenë pika më e dobët e tij.

Ndërkohë që për të qenë pjesë e konkursit të fundit të NASA-s për planetin Mars, plotësimi i disa kritereve ka qenë i domosdoshme.

Sipas Bennetit, gjithçka çka është dashur për të aplikuar në atë konkurs ka qenë, interesimi dhe njohuritë për shkencën.

Ndonëse jetën në Mars e sheh si të vështirë, 17-vjeçi thotë se një mundësi e tillë është e madhe për njerëzimin.

Pas këtij lajmi, Benneti ka marrë edhe shumë komente pozitive nga familjarët dhe miqtë e tij.

Ndryshe, Bennet Nura është student i shkencave kompjuterike në Holandë./GazetaExpress/

Filed Under: Kronike Tagged With: Bennet Nura, MARS, NASA

Shtëpia e vjetër

February 25, 2021 by dgreca

Shtëpia e vjetër- Shtëpia e vjetër/

-SOFRA POETIKE- Për Gazetën DIELLI Cikël me poezi nga Mëhill VELAJ-/

Shtëpia e vjetër-/

Harrova që ishte ende pranverë,/

Ecja i heshtur në dhomën e rrënuar/

të shtëpisë së vjetër. Poshtë këmbëve/

ndjeja t’i kërcisnin kockat, por nuk rënkonte,/

Në xhamet e plasaritur nga erërat dhe rrebeshet, Drita e hënës strukej e brishtë,/

Hija e saj m’i thinjte krejt flokët./

. -.

Si ngaherë, bisedoja me shtëpizën e vjetër,

Luaja me gishtat “sinfoninë e dhimbjes” mbi pluhurin e pianos,

Ashtu e vjetëruar, e pluhurosur qëndronte

kryelartë dhe e heshtur në qoshkën e errët,

Tek unë vinin tingujt e përhumbur nga askundi!

. -.

Nga muret e shtëpisë suvaja vazhdonte

të binte pa u ndjerë, dhe bashkë me to

edhe foto e zverdhura mbetur ende në mure,

si kapela e të vdekurit varur në gozhdën e heshtjes, diku në korridorrin e errët!

. -.

Vecse drita e hënës binte mbi pianon e vjetër!

Si djalli nga temjani braktisa shtëpinë e vjetër,

Pashë dritat e qytetit, i shëmbëlleja me hënën,

Era pranverore frynte ngado në qytet,

Që cdo ditë betohej me dorën zgjatur për bukë,

Dëgjova melodinë e fluturimit të krahëve të fortë të shqiponjës…

. -.

Vështrova zogjtë që mbaheshin fort,

pas muskujve të erës, në ikje e kthim!

Qyteti që bartte gjurmët e dhimbshme të luftës,

Me mëkatet dhe mplakjen tonë shpërfillëm vdekjen,

Qyteti që bartte simbolikën e njerëzores

dhe kuptimin e jetës,

Me zërin e fortë të arsyes dhe identitetit!

Aty ku ende rrjedhin plagët e pellazgëve…

Sa herë sjell ndërmend, më shfaqet në kujtesë,

ndër sytë e mij; udhëtimi biblik i të dëbuarve!

Më shfaqen turmat e njerëzve të drobitur e të tjetersuar ,

Nënat e reja flokëlëshuar e të tmerruara,

Që mbartnin në kurriz djepin e përcëlluar me foshnjën e porsa lindur,

ndërsa të moshuarit e sakatosur dhe të ngrysërit jetimë shtrëngonin fort duart,

hiqnin këmbët zvarrë, mes breshërisë së plumbave, tymit lotues dhe flakës përpirëse!

Vraponin të coroditur e të frikësuar,

mes ikjes, braktisjes dhe shpëtimit,

Vatani mbeti djerr mes dhimbjes dhe trishtimit!

Ata që erdhën nga stepat e Karpateve murgërore, të etur e të shkujdesur,

si morrcakët e shpërndarë erërave të shekujve,

edhe pse e dinin se nuk ishte ajo që kërkonin,

gllabëruan tokën e Ilirisë, sikur të ishin zotërit e saj,

aty ku ende rrjedhin plagët e pellazgëve!

Loti i dhimbjes ngashërente thellë shpirtit,

për atdheun fatkeq, klithmat e psallteve dëgjoheshin mbrëmjeve të mugëta,

bashkë me trokun e hapave të fundit,

e të gjallëve dhe të vdekurve,

Grahmat e tyre mbytëse që vinin

nga varret e lashta!

Shqipet, bijtë e pellazgëve ecnin

vetëm ecnin,

u nisën për në fushbetejën e historisë,

aty ku luhej pokeri i tmerrëshëm i fateve të Ilirisë!

Me lotët e valë të dhimbjes dhe të vdekjes,

Vaditëm tokën që përkundej dhe digjte zjarr,

Me hirin e eshtrave të heronjve dhe gjakun e dëshmorëve, ende i patharë, e përziemë

Dhe hodhëm themelet e vatanit,

Me guxim, durim, dhimbje dhe shpresë marshonim

në udhëtimin biblik drejt Lirisë!

“…ku flejnë ëngjëjt…”

Në prehërin e lëndinës së blertë,

një gur qëndron kryelartë,

mbi supet e tij një pëllumb i bardhë,

që lodhje kurrë s’ndjen,

pëshpërin paqësisht dashurinë,

e atij qyteti të heshtur nën lëndinë,

ku flejnë ëngjëjt, së bashku me puthjet e rrënjëve,

të ledhatimeve, përkëdheljeve dhe fjalët e shënjta:

Të pastë nana!

. -.

Guri i fortë në përballje me rrebesh shiu

e turfan bore,

ku ndritin si kristale të arta,

emrat dhe shpirti i nënave.

. -.

Dhe qyteti i pagojë nxjerr vetëm një zë,

zërin e nënë Zojës e të nënë Arfës,

(E ç’rëndësi ka emri që kanë!)

Dhe kur mëngjesi vesh shaminë e bardhë,

Shqipton emrin më të bukur në botë;

Emrin NËNË,

dalë prej qumështit t’saj!

. -.

Në prehrin e shekujve të lashtë,

Mbështesim kokën të na ngrohë kujtimi,

i fjalëve të shenjta:

Të lëntë nëna mbrapa!

. -.

Qëndroj në heshtje e vështroj gurin,

hëna lëshon dritë argjendi,

në thellësi të lëndinës së praruar,

aty ku prehen shpirti e zemra e ëngjëllit…

. -.

Emër baladash e përjetësie,

që mërmëritet,

në bëlbëzimin e foshnjës së sapolindur,

në trokun e kuajve,

në cicërimën e zogjve,

në tingujt e çiftelisë,

në melodinë e sonetave,

në sinfoninë e gurgullimës së ujit,

në caf-cuf-in e trenave,

në mbylljen e syve, dhe përsërit çdo ditë,

togfjalëshin e përshpirtur:

Oh, Nëna Ime!

Më kapni, do t’u rrëfehem…

Si “fajtor” i prapë, u hoqa zvarrë,

rrugëve pakrye të qytetit.

Gurët nxirrnin kokën nga terri,

kryqëzonin vështrimin nga

frika, zjarri e tmerri….

. -.

Ata që gatuan mëkatet, apo

çudinë e të çuditshmes,

masakrën e përvuajshme

të epsheve, të fajit, të vrasjeve.

Ata që ditën numëronin kufomat,

natën varrosnin të gjallët.

Ata që mëkatet kërkuan në qiell, por

i gjetën këtu

në tokë, nën këmbët, aty

në djepat e trojeve tona…

. -.

Në sytë e trishtë të njerëzve përreth,

shihja lotët gri, plasaritjet e buzëve,

që paralajmëronin përballjen me mëkatet,

se një ditë kurrë nuk do t’i shpëtonin

ndëshkimit!

. -.

Po, kjo ishte e vërtetë,

E vërteta e së vërtetës,

Si shpirti ynë vetë!

Dhe unë si një “fajtor” i prapë,

kur të më kapin, do t’u rrëfehem…

për qiellin, tokën, lulet, ëndrrën,

ngjyrat, tingujt, këngën, vajet, puthjet…

. -.

Me gjakun e eshtrave vaditëm Lirinë

Dëgjoja klithmën e erës, që oshëtinte ,

në çdo gjymtyrë të atdheut,

Si një ninullë e trilluar në lumin e lotëve,

Mbi kurrizin e dorës që përkundte djepin.

. -.

Sytë mjegullonin në sallat e errëta,

Me aromën e pështirë të tymrave,

Që tymosnin llullat e trasha,

Të intrigave dhe mashtrimeve,

Dhe ngrinin dollinë për fatin e atdheut tim!

. -.

Në maskaradën e rrugicave të errëta,

Derdhej gjaku i luftëtarëve në emër të lirisë!

Derdhej Gjaku i Pellazgëve

në tokën e të parëve të mi, dhe ngriheshin

Mitet e legjendat në pemishten e Ilirisë!

. -.

Me ankthin e trishtë, i dëshpëruar,

I rraskapitur dhe gjymtuar,

Endesha në ndërrimin e stinëve,

Duke hapur dritaret e mallit.

Udhëtoja ndër kujtimet dhe ëndrrat e mia…

Udhëtoja brigjeve të Dardanisë, se NE

nuk ishim skllevër të armiqve tanë,

Ne nuk pranonim poshtërimin, mjerimin e gjakderdhjen.

Ne vetëm këndonim këngët e trimërisë,

Me gjakun e eshtrave vaditëm Lirinë,

Në tabanin e përjetshëm të atdheut tim!

Fluturimi hyjnor i BACALOKUT!

(Dedikuar Poetit Din Mehmeti)

U drodha atë mëngjes, kur qyqja ia dha vajit,

Pikëllimin e treta tutje në horizont,

Nuk e pashë të ndriçonte yllin polar,

Pashë diellin po lotonte,

Pashë qiellin u bë gri,

Pashë pëllumbat e trishtuar,

Që gugisnin me oi, oi…

. -.

U shua poeti Din Mehmeti, tha dikush,

Romantiku i pandreqshëm, tha një tjetër,

Udhëtari i kahershëm i penës së artë, shtova unë dhe

Ndjeva sytë të më digjnin nga lotët,

Ndjeva parzmin të dhimbte e zemrën të tkurrej,

Hiri i cigares m’u tha ndër buzë!

. -.

I vetmuar endem rrugëve të Gjakovës,

Shkel mbi gjethet e zverdhura,

Vështroj zogjtë që largohen,

Dhe me vete mërmërij si vetw poeti:

”Fatin tim nuk e nënshkruaj”.

. -.

Lart në qiell retë ikin e vijnë,

Unë akoma çapitem gurë më gurë,

në kalldrëmet e qytetit të heshtur,

me shpresën e kujtimin.

Dhe në hapësirën e agimit të ditës së re

Zëri im grish copëzat e kohës,

Jo nuk ka vdekur BACALOKU!!!

.-.

Në cepin e horizontit të bardhanës përqark,

Një zog shtegtar fillon të fluturojë,

Para rrezeve të diellit e qiellit të kujtimeve,

Është fluturimi hyjnor i poetit!

Ndër Sytë e POETIT

(Dedikuar Poetit Luigj CEKAJ)

Ndër sytë e poetit endet një engjëll i bardhë,

Që rri zgjuar dhe flet me gjuhën e hyjnisë,

Jashtë errësirë, era fishkëllen e çmendur,

Vajton për zemrën e poetit,

Që mbytet nga heshtja,

Ndërsa nata lexon mijëra fjalë,

Me gjuhën e engjujve të lashtë

që veç poetët i kuptojnë!

Ndër sytë e poetit endet shpirti binjak,

Herë shfaqet si simbiozë, herë zhduket,

Herë shfaqet i mjegulluar nga lëngimi

i plagëve në tokën mëmë,

Kroi i lotëve shterri fjalët,

Shpirti i poetit gjen prehje në fluturimin hyjnor!

Më pëshpëriste historia…-

Dua të flas lirisht me gjuhën e nënës ,

Edhe ato fjalë që shpirti mban fshehur,

Kam folur mbrëmë në ëndërr,

Me gjurmët e heshtura, me etërit e zemrës.

.-.

Por dhimbja dhe vdekja ishin frika ime,

I kemi besuar lirisë, pritjes së gjatë,

Për të ngritur atë flamur kuqezi!

.-.

Më buzëqeshi ëndrra në fytyrën time,

Më pëshpëriste historia;

Amanetin e etërve dhe tëbijve,

Për të mbrojtur tokën amë,

Për t’i dhënë blasfeminë e paqes!

.-.

Ndërsa unë trokisja në derë të kujtesës,

Shkruaj fjalët e shpirtit, i hedh në varg,

Klithmat dhe lotët i mbaj në zemrën time,

Mundohem t’i bëj dritë amanetit në çdo stinë,

I ndriçoj rrugën e lirisë;

Pemës që çel petale çdo ditë!

.-.

Dua të flas lirisht me gjuhën e nënës,

Trishtimin, dhimbjen dhe vdekjen,

T’i  tresim në epokat e kohës,

Të endemi me shpirtin në ëndërra e shpresa.

.-.

Ka ardhur koha për të hyrë në ëndrra,

Të nesërmen të zgjohemi nga tingujt e zogjve,

 Edhe me buzëqeshjen e fshehur e të malluar,

Të dëgjojmë zërin e amanetit  të etërve:

“Mos kini frikë dhimbjen e vdekjen,

Hapini portën së ardhmes,

Aty do të gjeni Shpresën dhe  PAQEN”.

Mëhill VELAJ

Stamford CT

2021

Filed Under: LETERSI, Sofra Poetike Tagged With: Mehill Velaj, Shtëpia e vjetër

Këndi i vaksinimit

February 25, 2021 by dgreca

Nga Ilir Levonja/Sapo hyra në një ushqimore, vura re një kënd të improvizuar mbi vaksinimin. Aty shpërndahej një formular për t’u plotësuar dhe më pas të caktohej data. Kuptohet sipas grup moshave. Me që e kam afër dhe Bashkinë e qytetit shqyva sytë se mos po shihja kryetarin. Mos po shihja lali Erin tim me atë buzëqeshjen shabllone duke më thënë mirë se erdhe. Dhe kuptohet, duke sharë e bullizuar kryetarin e opozitës. Do ishte një emcion i veçantë për faktin se kam mbi 15 vjet këtu, si nuk njoha një kryetar? Qoftë ky i majtë apo i djathtë. Por qe vetëm një vajzë me uniformë që i përkiste personelit të farmacisë. Madje nuk pashë as banderola më mbishkrimin Amerika, a Florida buzëqesh. Nuk pashë as ndonjë ish personalitet ku kryeministri t’i afrohej e t’i thoshte, ku je o gjigand? Dhe me që ra fjala tek personalitetet, mos u përfshini në bullizmën e Edi Ramës. Ai po t’i donte artistët (personalitet) nuk ua shëmbte në kokë Teatrin Kombëtar. Një Teatër Kombëtar është Historia kombëtare. Kush i vë zjarrin Historisë është një covid më vete për vendin. Si nuk pashë një shtetar. Një si Edi Rama, lideri botëror që po na mahnit të gjithë. Shkon vet, nuk përton dhe pret vaksinën në aeroport. Jo pak por 8190 doza, jo kutia. E keni tek faqja e tij në fb, 8190. Nuk i shpëton asnjë kokërr konçize shifre. Sikur të ishin 8191 e gjysëm. Ai do ta postonte. Poston video avionësh mallrash që sjellin plot, dy kuti. Liderit botëror i duhen mbi dy milon e ca vaksina si dorë e parë, por ai është i lumtur edhe me dy kuti. Kur rrëzoheshin avionë në Gjadër e Divjakë, atë të drogës, nuk postonte video. Na thoshte që janë mushkonja. Kurse tani, mesnatë e ftohtë, hapen zgafellat e avionit, plot dy kuti. Lajm i madh edhe për pika mediat shqiptare. Dy kutia, na i dhuruan, mos na pyesni se kush, por janë nga Pfizer. Lideri botëror që nuk ka ngelur bankë, a fondi arab, a sulltanatit të Stambollit pa i lypur, i bënte dëm oferta e Rusisë. Madje nisi një luftë verbale karshi saj deri në shpalljen të pa dëshiruar të një atasheu. Lideri gogol i televizioneve, nuk i duheshin vaksinat e Rusisë, paçka se gjoja e do popullin e vet. Paçka se numrat kanë porropinë, janë bërë dyshifrorë, vatrat me qytetet ja dyfishuar, lideri botëror e gogol, e sheh me përçmim ofertën ruse. Biles edhe grupet emergjencës për përballimin e covid-19, skuthen brenda vetes me pretekse të kujdesshme politike se mos i mbetet qejfi shefit. Pika specialistët. Këtej nuk kanë shtretër, këtej presin gjoja Pfizer-in nga Amerika. Vajza me uniformë më solli në vete duke më pyetur nëse kisha nevojë për ndonjë shpjegim. Çfarë të t’i thosha. Ku e ke Kryetarin e Bashkisë? Po Guvernatorin e Shtetit? Presidentin e Amerikës? Thjesht një mirupafshim, ato që i përkasin Shqipërisë janë dhembje e imja.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, Këndi i vaksinimit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 180
  • 181
  • 182
  • 183
  • 184
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT