• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Si duhet të duket një organizate Atdhetare!!!

August 3, 2017 by dgreca

1Kaltrina-Hoti-215x300Nga Kaltrina Hoti/Njeriu është qenie me vetëdije. Çdo qenie ka një qëllim që i lëvizë si ëndërr nëpër shpirt dhe mundohet me të gjithë forcën për ta realizua. E ushqen çdo ditë me punë dhe mësime të ndryshme, qoftë nga përvoja e vete apo nga dështimet e të tjerëve. Nganjëherë nga dështimet e veta dhe përvoja e të tjerëve, por me këmbëngulje se ai qëllim e udhëheq në jetë. Çdo atdhetar sado i zgjuar, i përkushtuar apo i kalitur që të jetë pa rreth ku të veproj mbetet një zë i vetëm pa jehonë. Andaj ai është në kërkim të një Organizate e cila ka po të njëjtat bindje atdhetare, po të njëjtin qëllim. Por si duhet të duket një Organizatë Atdhetare?! Të gjithë e dimë se guri më shumë peshon në vend të vetë. Kjo thënie është përsërit në mënyra të ndryshme, por është edhe thënia tjetër shumë domethënëse dhe që mban në vete një simbolikë tejet të çmuar për historinë tonë kombëtare. Nuk do e citoj se kush e ka thënë pasi që e dinë të gjithë; “Mbahu nënë mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë”! Por vetvetiu bije pyetja këto djem e vajza që kanë Atdheun në zemër e dashurinë për atdhe në shpirt ku duhet të marrin frymë, kush i ushqen, ku duhet të marrin këshilla e detyra?! Patjetër që atyre iu duhet një mësues i mirë ku është shtruar “Tryeza e Kuvendit”. Kjo tryezë duhet të udhëhiqet nga dashuria për Atdhe, nga fuqia e fjalës. Po a kemi në një Organizatë të tillë me program e platformë, që do i mbledh atdhetarët e vërtetë, që çdo ditë të japin kontributin e tyre?! Unë vetëm e bëra pyetjen se çështjet duhet të marrin një drejtim të duhur dhe jo të iu lihen stuhive të momentit. Sot nëpër botë kahdo që jemi të shpërndarë kemi shumë Organizata që veten e kanë shpallë si konak i Atdheut. Por çfarë kanë shtruar në sofrën e tyre që të joshin atdhetarët? Disave u është tharë aq shumë buka sa të mbetet në fyt! Dhe nëse janë atdhetare përse i kemi aq shumë, për bindjen, udhën apo e bëmë Shqipërinë… Njeriu i ditur e din udhën që shpije ka qëllimi ynë i përbashkët, udha është synimi ynë, e i dituri këtë e di, sepse ai di të lexoj programe e platforma, madje ai sheh dhe me sy të mbyllur. Duket se nëpër këto Organizata ka një egoizëm të theksuar, dhe nuk bëjnë dallim shumë nga njëra tjetra andaj dhe nuk ka vepra që do t’i nderonin në një periudhë të kohës. Unë mendoj se një Organizatë atdhetare duhej që të ketë një program atdhetar me një synim të caktuar atë të bashkimit tonë shpirtëror dhe fizikë dhe për të arrit deri te kjo platforma duhet të jetë shumë e pasur që të afron  familjen, rininë, studentët, intelektualët, artistët, shkrimtarët… thjeshtë ajo me programin e saj t’iu bëjë ftesë të gjitha kategorive intelektuale e njerëzore, se punë ka për çdo njërin. Atdheu ka nevojë për çdo njërin që i rreh zemra për te, atdheu është një Kështjellë e madhe që do mbrojtjen e çdo njërit. Organizata atdhetare duhet të ketë një zë, korin dhe muzikën. Të gjitha këto bëhen nëse ajo Organizatë i ka dyert e hapura për të hyrë brenda dhe dritaret e çela për të marr frymë. Cila Organizatë atdhetare sot ka tryezën ku ka shtruar gjuhën, kulturën, traditën, historinë, artin, autoktoninë… cila është ajo ku në muret e sajë ka Shqipërinë tonë që nuk kufizohet me shqiptarë?! Të bësh luftë sot për karrige kur nuk ke

fron është një histori pa histori, është emër që nuk do shënohet askund. Njeriun e bënë të përmendur vepra, Organizatën veprimet në kohë të caktuar, por veprimtaria e përhershme e rrit, e nderon dhe e fut në arkivin kombëtar. Nuk mund të themi se nuk kemi atdhetar, as edhe Organizata atdhetare por krijohet përshtypja se ne sikur i kemi punët aq mirë sa nuk duhet të veprojmë dhe e kemi vënë në gjumë elementin atdhetar duke mos i hap udhë, duke mos e frymëzuar të riun, studentin… të gjitha këto Organizata a thua nuk kanë ndonjë pikë të përbashkët që të bëjnë një punë të përbashkët, apo dirigjohen gabim. Nëse e themi sërish; “Mbahu nënë mos ki frikë se ke djemtë në Amerikë” me çka në luftën e fundit e dëshmoj Batalioni “Atlantiku”, përse të mos e kemi një Qendër Kulturore ku çdo njëri do gjejë veten, do shpreh talentin e vetë, do dëshmojë Shqipërinë e vete që ka në zemër dhe do mundet të thotë: “Mirëmëngjesi Bashkimi Kombëtar”!

 

Filed Under: ESSE Tagged With: Kaltrina Hoti, organizate Atdhetare!!!, Si duhet të duket një

KUVENDI I KOSOVËS-SEANCA KONSTITUIVE FILLON E NUK PËRFUNDON

August 3, 2017 by dgreca

-Betimi i deputetëve: Punë në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj/
1 Kuvendi Hapja-Koalicioni fitues i zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma kërkoi 2 orë shtyrje të pikës së tretë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës – Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit. Ky propozim u rrëzua me barazim. Pas kësaj, deputetët e PDK-AAK-Nisma lëshuan sallën e seancës. Më pas edhe deputetët tjerë. Nuk është e qartë kur do vijoi seanca/

  • SEANCA KONSTITUIVE E KUVENDIT TË KOSOVËS VAZHDON SOT NË ORËN 15:00

Vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, të nisur paradite, është ftuar për në orën 15:00 të pasditës së sotme.

Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit, është në axhendë, u njoftua zyrtarisht.

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI/

PRISHTINË, 3 Gusht 2017/ Në seancën e sotme konstituive të Kuvendit të Kosovës, fillimi i së cilës u vonua derisa në sallë nuk kishte ardhë ende koalicioni fitues-PDK-AAK-Nisma, kishte disa pritje e ndërprerje, ndërsa ende nuk ka përfundim.“Çfare jam unë e nisi pa ata”, tha kryesuesi- deputeti më i vjetër, Adem Mikullovci i VV-së, derisa në seancën  konstituive ende nuk kishin ardhë deputetët e koalicionit fitues-PDK-AAK-Nisma. Kryesuesi mengjithatë tha se do presë “edhe 5 minuta”, ndërsa priti edhe më shumë kohë.Pasi kaluan minutat kryesuesi Mikullovci e nisi mbledhjen, ndërsa konstatoi se ndihmësja – deputetja më e re, Teuta Rugova e LDK ende nuk kishte ardhur në seancë në vendin e kryesimit.  Deputeti kryesues, aktori Mikullovci, pasi recitoi një vjershë, tha se në sallë janë të pranishëm 73 deputetë.“Forumi ekziston, PAN-i nuk ekziston”, tha Mikullovci dhe vazhdoi me pikën e parë të rendit të ditës të seancës konstituive të Kuvendit.Ai konstatoi se nuk ka ardhur në seancë as Lista Serbe. “Qendron Kastrati e zëvendëson Teuta Rugovën që nuk ka ardhur”, tha kryesuesi për zëvendësimin me deputetin tjetër të ri të deputetes më të re në kryesimin e seancës. Qëndron Kastrati është deputet i VV dhe me bashkëpartiakun Mikullovci tashmë ishte në kryesim të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës që po zhvillohej pa koalicionin fitues.

Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, që ishte pikë e parë, u bë me shumicë votash me 72 vota pro të 73 deputetëve të pranishëm. Komisioni pas pushimit 30 minutësh që u dha i raportojë seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

LISTA SERBE NË SEANCËN E KUVENDIT TË KOSOVËS

Pas pushimit kryesuesi i seancës konstituvie të Kuvendit të Kosovës, Adem Mikullovci, konstatoi se në seancë kishte ardhur Lista Serbe dhe përfaqësues të minoriteteve tjera,  të cilët propozuan kandidatët për formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Komisioni i plotësuar u votua me 80 vota pro-të gjithë deputetët e pranishëm, derisa koalicioni fitues PDK-AAK-Nisma edhe më tej nuk kishte ardhur në seancën që shkoi në pushimin e dytë, tash 15 minutësh.

EDHE KOALICIONI PDK-AAK-NISMA NË SEANCËN E KUVENDIT TË KOSOVËS

Pas pushimit të dytë në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës në sallën plenare ardhi edhe koalicioni fitues i zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma dhe propozoi kandidatin e vet për formimin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve. Pas votimit për kandidatin përsëri u dha pushim derisa Komisioni i plotësuar të vinte për të dhënë raport në seancën e Kuvendit.

U BË BETIMI I DEPUTETËVE: PUNË NË INTERES TË KOSOVËS DHE TË GJITHË QYTETARËVE TË SAJ

Në seancën e sotme konstituive të Kuvendit të Kosovës, pas pushimit të tretë u konstatua se janë të gjithë 120 deputetët në sallë, e më pas u paraqit raporti i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, i cili u miratua unanimisht. Seanca vijoi me dhënin e betimit të deputetëve, që ishte pikë e dytë e axhendës, dhe sipas nenit 10  të Rregullores u bë me këtë tekst deklarate:

“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë qytetarëve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit dhe me standardet evropiane.” Betohem!

Deklaratën e betimit e lexoi kryesuesi i mbledhjes. Deputetët u betuan duke e shqiptuar në fund të deklaratës fjalën “Betohem!”. Secili deputet e nënshkroi deklaratën e betimit. Betimi u bë pas verifikimit të mandateve.

RRËZOHET PROPOZIMI I PDK-AAK-NISMA ME BARAZIM VOTASH

Pas betimit të deputetëve, koalicioni fitues i zgjedhjeve PDK-AAK-Nisma kërkoi 2 orë shtyrje të pikës së tretë të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës – Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit. Ky propozim u rrëzua me barazim votash pr 60 edhe kundër 60. “Kur është rezutati i barabartë propozimi bie poshtë dhe nuk aprovohet”, tha kryesuesi i seancës, Adem Mikullovi, deputeti më i vijetër, që po ndihmohet nga deputetja më e re, Teuta Rugova.Pas kësaj, deputetët e PDK-AAK-Nisma lëshuan sallën e seancës. Më pas edhe deputetët tjerë. Nuk është e qartë kur do vijoi seanca.

MBLIDHET PËR SEANCËN KONSTITUIVE KUVENDI I KOSOVËS ZGJEDHJEVE TË 11 QERSHORIT

-Legjislatura e gjashtë në liri nga viti 1999, e treta pas pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008-

PRISHTINË, 3 Gusht 2017-Behlul Jashari/ Kuvendi i Kosovës i zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit u mlodh sot në seancën konstituive, ndërkohë që dje përfundoi regjistrimi i 120 deputetëve të çertifikuar në 8 korrik nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, i cili më parë në 29 qershor shpalli rezultatet përfundimtare, sipas të cilave 100 mandate i kanë shumica shqiptare e 20 pakicat.Në axhendën trepikëshe të seancës janë: Formimi i Komisionit të përkohshëm për verifikimin e kuorumit dhe të mandateve të deputetëve, Dhënia e betimit të deputetëve dhe Zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit dhe e nënkryetarëve të Kuvendit.

Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, deri në zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve, kryesohet nga deputeti më i vjetër, aktori Adem Mikullovci, nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili është firmëtar i Deklaratës Kushtetuese për pavarësi të 2 Korrikut 1990 si delegat i Kuvendit të Kosovës atëherë, ndërsa do ndihmohet në kryesim nga deputetja më e re, Teuta Rugova, e bija e presidentit historik Ibrahim Rugova, nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila më e reja ishte ishte edhe në legjislaturën e kaluar, kur u zgjodh për herë të parë.

“Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve”, ndërsa “mandati i deputetit të Kuvendit të Kosovës fillon ditën e çertifikimit të rezultatit të zgjedhjes”, përcakton Kushtetuta.

Poashtu përcakton se, “Kuvendi i Kosovës nga radhët e veta zgjedh kryetarin dhe pesë (5) nënkryetarë” dhe se, “kryetari i Kuvendit propozohet nga grupi më i madh parlamentar dhe zgjedhet me shumicën e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit”, sikurse edhe nënkryetarët, 3 të propozuar nga tre grupet më të mëdha parlamentare dhe 2 nga pakicat, 1 nga serbët e 1 nga komunitetet tjera që mbajnë vende të garantuara.

Grupi më i madh parlamentar është koalicioni parazgjedhor PDK-AAK-Nisma, fitues i zgjedhjeve me 39 mandate deputetësh, ndërsa për zgjedhjen e krytetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit e mandej edhe të qeverisë për të bërë shumicën e nevojshme duhen së paku 61 vota.

Në anën tjetër, 61 vota i kanë së bashku grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje me 32 deputetë dhe koalicioni LDK-AKR-Alternativa me 29, të cilat tashmë kanë zhvilluar takimet e para për mundësitë e një koalicioni paszgjedhor me synim krijimin e qeverisë së re në pritje të mosvotimit të qeverisë së të nominuarit të parë, duke deklaruar edhe voten kundër ndonjë kandidati për kryeparlamentar të propozuar nga koalicioni fitues i zgjedhjeve.

Në votimet në konstituimin e Kuvendit dhe për zgjedhjen e qeverisë, si dhe në vendimmarrje tjera parlamentare, pjesë e rëndësishme e procesit janë edhe 20 deputetët e komuniteve pakicë. Komuniteti serb ka 10 vendet e garantuara, 9 të Listës Serbe dhe 1 të Partisë së Pavarur Liberale, ndërsa edhe 10 deputetë janë të komuniteteve tjera pakicë.

Në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit të Kosovës të  legjislacionit të kaluar me përfaqësuesit e partive parlamentare të zgjedhjeve të parakohshme të 11 qershorit është përcaktua edhe ndarja e ulëseve të deputetëve në sallën e mbledhjeve plenare, e cila do ketë një pamje e renditje të re.

PDK nuk ndërron vend, deputetët e saj bashkë me të AAK e Nisma si grupi më i madh parlamentar i koalicionit parazgjedhor do të ulen në qendër të sallës plenare. Por, në këtë grup vend ndërrojnë deputetët e AAK-së që në legjislaturën e kaluar uleshin pas VV-së, derisa ata të Nismës uleshin pas PDK-së.

Grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje do të ulet në krahun e djathtë të kryesuesit të seancës së Kuvendit, ku në legjislaturën e kaluar ulej Lidhja Demokratike e Kosovës. Në anën e majtë, atje ku më parë uleshin deputetët e VV-së, tash do të ulen deputetët e grupit parlamentar të koalicionit parazgjedhor LDK-AKR-Alternativa.

Rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit nuk i mundësojnë asnjë subjekti të vetëm ta krijojë qeverinë e re, prandaj koalicionet paszgjedhore, që nuk janë bërë ende, janë të domosdoshme si e vetmja alternativë për të mos shkuar sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme paralamentare, ndërkohë që Kosovën e presin edhe zgjedhjet e rregullta lokale këtë vit, në 22 tetor, katër vjet pas zhvillimit të tyre në 3 nëntorin 2013.

Një muaj para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, në 10 maj,  Kuvendi i Kosovës u vetëshpërnda me kalimin me shumicë votash, të opozitës e edhe të partisë më të madhe të maxhorancës – PDK, të  mocionit të mosbesimit për qeverinë e udhëhequr nga LDK, të zgjedhur në 9 dhjetor 2014 në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë me vonesë gjashtë muajshe pas zgjedhjeve të 8 qershorit.

Në Kosovë, zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit 2017 ishin të gjashtat në liri, të tretat pas pavarësisë së shpallur në 17 Shkurtin historik 2008 të njohur deri tani nga 114 shtete anëtare të OKB-së, ndërsa u zhvilluan tre vjet pas zgjedhjeve të kaluara që ishin poashtu të parakohshme pas vetëshpërndarjes së Kuvendit.

Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, të parat zgjedhje parlamentare u mbajtën në 17 nëntor 2001.

Ndërsa, zgjedhjet e para pluraliste në Kosovë ishin parlamentare dhe presidenciale, të mbajtura para 25 vitesh, në 24 maj 1992, si pjesë e lëvizjes për liri e pavarësi, në rrethana të rënda të okupimit. Raportimet nga ato zgjedhje të para çerek shekulli, që bëheshin me lidhje telexi, e vetmja e mundshme atëherë nga Prishtina në Tiranë, shënonin fillimet e korrespondenturës së ATSH në Kosovë.

Ishin ato zgjedhje të rezistencës gjithëpopullore kosovare të shqiptarëve që krijuan një rend demokratik dhe forcuan institucionalisht Republikën e shpallur të Kosovës në zhvillime historike, që pasonin Deklaratën e Pavarësisë të 2 Korrikut e Kushtetutën e 7 Shtatorit 1990, si dhe Referendumin e 26 deri 30 shtator 1991, në të cilin për shtet sovran dhe të pavarur u deklaruan 99,87 për qind e qytetarëve pjesëmarrës masivisht në votim – 87,01 për qind.

Në mbledhjen 2 majit 1992 Kuvendi kosovar shpalli zgjedhjet shumëpartiake, në të cilat partitë politike angazhoheshin jo për rivalitete mes tyre, por të gjitha së bashku për vendosjen e pushtetit të Kosovës në Kosovë, të lirisë e demokracisë, në vend të pushtetit të Serbisë, të okupimit e imponimit.

Filed Under: Kronike Tagged With: -SEANCA KONSTITUIVE FILLON, Behlul Jashari, E NUK PËRFUNDON, Kuvendi i kosoves

FEJA E SHQIPTARIT ËSHTË SHQIPTARIA

August 3, 2017 by dgreca

-Si duhet ta kuptojmë Pashko Vasën? /Kolec_Taboini_31_korrik_2017_3Nga KOLEC TRABOINI/Në një debat për një çështje serioze, veçmas ato që janë kombëtare e të nxehta, është e nevojshme të jemi të qetë, të shuajmë pasionet e dominimit dhe përdorimit të sofizmit dhe dogmave. Përballimi i historisë do kurajë. Të vërtetat duan guxim. Analizat duan mendje të kthjelltë e jo stuhi në gotë. Aq më tepër retorika fetare në mediat sociale nuk i sjellin asnjë dobi shqiptarëve. Ndërsa futja e mësimeve fesë në shkolla pa tjetër një absurditet dhe do të funksionojë si një minë me sahat me veprim të vonuar.

Nëse përdoret një stigmatizim për njerëz të kategorisë së Haxhi Qamilit apo Beqir Grebenesë,  kjo nuk do të thotë se ata sillen në shëmbëllesë si fetarë, por si një tufë demagogësh që duke shfrytëzuar fanatizmin fetar të masave injorante, kërkonin të kthenin mbrapsht rrotën e historisë shqiptare, për ta venë sërish Shqipërinë nen suazën e perandorisë së shembur turko-osmane.

Kur nis një diskutim (që mjerisht shumë shpesh degradon në polemika të forta e me një fjalor mjeran nga pamundësia e argumentimit),  që në krye duhet ndare fjala se kush është objekt i stigmatizimit e në këtë rast që sollëm  si shëmbëllesë,  është ajo kategori që Faik Konica i konsideronte “Muhaxhirë”, pra qe kanë ardhur si mish i huaj ne këtë popull shqiptar dhe bëjnë punën e të huajve për ta shkatërruar këtë komb. Një marrëzi e vjetër por e shfaqur dhe artikuluar gjoja si risi është edhe ajo e pjelljes së kombit të ri kosovar, çmenduri me kulisa shovene në Beograd, Athinë e në Ankara. E kush tjetër e dëshiron copëzimin e shkatërrimin e kombit shqiptar më shumë se këta? Lexoni kauzat e tyre shqiptar vrasëse të deklaruara botërisht: “Kosova është Serbi/ Shqipëria e jugut është Greqi /Shqipëria është Turqi.”

Duhet bërë e qartë se është e drejtë të stigmatizohet çdo përpjekje e të huajve që afrojnë me para apo teknike, institucione, me mjete monetare a mënyra të tjera duke përdorur edhe fenë, për të nxitur veprime që çojnë drejte humbjes se identitetit kombëtar dhe drejtpeshimin shoqëror. Nuk ka pse merren nën mbrojtje  edhe kur ato shfaqen nën petkat fetare por kanë qëllime të mbrapshta antishqiptare. Dhe çfarë është më kryesorja, kur flasim për shqiptarë nuk bëhet asnjë dallim fetar sepse fjala ka plotkuptimin e saj. Tendenca e dikujt që të paraqesë fenë para kombit tregon shumëçka e nuk meriton ti jepet vëmendje edhe tendencës së tij për tu paraqitur në rolin e viktimës. Paraqitja e agresorit si viktimë është e njohur edhe në konflikte të mëdha botërore. Hitleri në kërkim të një shkaku për të pushtuar Poloninë përgatiti disa reparte speciale, u mësoi gjuhën polake, i veshi dhe i armatosi si ushtarë polake dhe i dërgoi në territorin polak. Nga atje gjermanët sulmuan postat kufitare gjermane, u vranë sa mundën, gjermanë me gjermanë, por në lajme u dha se trupat ushtarake polake sulmuan Gjermaninë. Duke luajtur rolin e viktimës ushtria naziste e pushtoi Poloninë. Bota bënte sehir.

Prandaj të bëhemi të zgjuar e ti shmangemi një kategorie të tillë njerëzish që shtiren si shqiptarë, por bëjnë punën e armiqve të Shqipërisë, që për hir të parave apo të fanatizmit  fetar kërkojnë të sjellin panik e krisje në mes të shqiptarëve.

Dihet se shqiptarët tashmë kanë familje të përziera sa i përket religjionit, dhe nuk mund ta shtrojmë problemin se po sulmohet një religjion apo një tjetër, sepse kryekreje kjo  nuk është e vërtetë. Nga një anë thonë me mburrje se jemi shumicë, e kur ja do puna thonë se po na persekutojnë. Po nga kush? Nga vetvetja? E përtej kësaj si mund të sulmohet vetvetja pa u quajtur vetëvrasje. Nga ana tjetër  nuk i interesojnë askujt fërkimet mbi baza religjionesh sepse e vërteta është se ata që sulmohen më shumë në Shqipëri prej fanatikeve fetarë janë Gjergj Kastrioti, Nënë Tereza, Dedë Gjo Luli, Idriz Seferi e tjerë që kanë qenë shqiptarë të mëdhenj pavarësisht religjionit fetar që i përkisnin. Të gjithë jemi dëshmitarë për këtë dhe shembujt janë të panumërt kur atdhetarët kanë vënë përpara kombin e jo religjionin. Por çfarë ndodh sot që po sulmohen këta atdhetarë të mëdhenj që përcaktojnë identitetin tonë si shqiptarë? Nuk mund ti fshehim veprimet individuale pas fjalëve e nocioneve të përgjithshme. Krimi ka një emër kur ndodh e ai është emri i autorit të krimit.

Së pari ne jemi të gjithë shqiptarë dhe përkatësia fetare nuk duhet të jetë shenjë e identitetit, por thjeshte çështje besimi. Të mos harrojmë se grupimet e ekstremisteve fetare (që në të vërtetë ekzistojnë, përbëjnë pakice por janë te rrezikshëm) pikërisht atë dëshirojnë, që veprimet e tyre ti kamuflojnë si veprime të gjithë komunitetit ku bëjnë pjesë. Nëse ne do të shkelnim në dërrasë të kalbur duke thënë se Skënderbeun e Nene Terezën, por edhe Dedë Gjo Lulin e sulmojnë myslimanet do të bënim një gabim shumë të madh, që do të thosha tragjik për ardhmërinë e kombit tonë.  Sepse kësisoj do tu krijonim mundësinë këtyre fanatikeve ekstremiste të pështirë në qëllimet e tyre, pra të shfaqeshin si përfaqësues të tërë shqiptarëve të besimit mysliman. Kjo nuk duhet të ndodh. Duhet ta kuptojmë se kjo është një platforme e atyre që duan destabilizimin e Shqipërisë, prishjen e raporteve, shkallmimin e tolerancës. Se kush e dëshiron këtë po dihet. Janë ata që na shtiren si miq ditën e  punojnë si armiq natën, që i ftojmë si historianë e na shfaqen si mercenar idesh të dalë kohe.  Nuk ka nevojë të kërkohet shumë larg, e tregoi këtë agresivitet emisari i errësirës anadollake, një pseudo historian që erdhi nga Turqia për të na sharë e anatemuar Gjergj Kastriotin këtu në Shqipërinë tonë, madje atje ku ndodhet varri i tij pa eshtrat, se eshtrat ja bënë turqit hajmali. Po këtë nuk e bënë shqiptarët myslimanë. Të mos bëjmë lojën e atyre që nuk na duan të mirën duke treguar njeri-tjetrin me gisht, ndërkohë që armiqtë tanë gëzojnë për çdo incident i kësaj natyre që ndodh këtu mes nesh. Armiqtë tanë rrojnë me shpresën e marrë se kjo do të kthehet në një konflikt ndërfetar dhe kështu të realizohen qëllimet që duan. Por tek ne kjo nuk duhet të kalojë. Do të thosha se, para së gjithash njerëzve ndjellakeq brenda apo jashtë nesh duhet tua tregojë vendin se pari vetë komuniteti mysliman shqiptar, por dhe komunitetet e religjioneve të tjera. Është në interesin e tyre por e mbarë shqiptarëve që të mos përlyhet emri i asnjë prej komuniteteve tona fetare prej atyre që nxisin urrejtje dhe shpresojnë të ndezin konflikte ndërshqiptare.

Sa i përket historisë, ajo mund të diskutohet në të gjitha këndvështrimet me qellim që të dalë e vërteta, por jo që të bëjmë transplantime absurde. Nëse marrim si shembull luftën që i bëri komunizmi klerit katolik e ka shpjegimin e vet si nga pikëpamja fetare po aq intelektuale, sepse klerikët katolikë ishin ndër personalitetet më të mëdha të kulturës shqiptare. Pra ngërthehet urrejtja e Enver Hoxhës ndaj çdo gjëje katolike me një urrejtje e frikë nga drita e mendjes dhe aspiratat për liri e të drejta që ata mund të përhapnin në popull. Ndaj mendoj se ata janë martirë jo thjeshtë të fesë, por edhe nga pikëpamja kombëtare. Atdheu ka qenë pjesë e qenësishme e idealit për të cilin i pritën plumbat në gjoks klerikët atdhetarë katolike. Por njëkohësisht ne kemi edhe pjesëtarë të klerit mysliman që janë ekzekutuar si atdhetare prej pushtuesve të huaj. Shembujt janë të shumtë në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Personalisht kam bërë një shkrim dekada më parë për Hasan Muglicën e Okshtunit, i ekzekutuar nga serbët më 1915. Ai ishte një mësues e një atdhetar para se fetar. Nuk e vranë se ishte hoxhë por se ishte një shqiptar i madh dhe i tillë mbetet në historinë tonë. Prandaj pavarësisht besimit që kemi, figurat kombëtare duhet ti respektojmë pa dallim.  Heronjtë tanë nuk i përkasin religjioneve por panteonit kombëtar. Kjo e vërtetë mund të mos i pëlqej ndokujt që është mësuar ti shoh realitetet me syze fetari fanatik, por kushdo që para së gjithash ndjehet shqiptar, e ndjen të vetën çdo figurë atdhetare pavarësisht se çfarë besimi fetar ka pasur dhe cili ka qenë religjioni si trashëgim i tij familjar.

Ka plot për të diskutuar, por dua të shprehem hapur se nuk i hyj asnjë debati publik nëse që në krye nuk biem në një mendje se fjalët popull shqiptar, katolik apo mysliman, ateist apo monoteiste nuk do ti tollovisim siç bën ajo kategoria e atyre që punojnë si kamikazë të falangave të huaja dhe duan që ta kthejnë Shqipërinë në një fushë beteje të luftërave të tyre idiote, por edhe vrastare së shumti duke u fshehur pas predikimeve fetare. Personalisht në vështrim shoqëror, i mbetem besnik Pashko Vas Shkodrani në thënien e tij monumentale që nuk e di pse nuk gjendën në ndonjë lapidar në qendër të Tiranës “Feja e shqiptarit është shqiptaria”. Por paradoksalisht kemi një shtatore qesharake të Sulejman pashës si themelues i Tiranës me ferman të sulltanëve të Stambollit, çfarë rrënon me themel kujtesën historike dhe kauzën tonë si popull arbëror me prejardhje ilirike.

Çfarë duan të thonë me këtë shtatore anadollaku këta mendje mykurit e Tiranës që ju ka bërë truri Turqi e sulltan. Mos duan të na thonë se  para se të vinin osmanët nuk ka pasur histori në trojet arbërore. Mos vallë gjithçka fillon nga ardhja e turqve pushtues, kur me shpatë e me zjarr erdhën Mahmutat, Mehmetat e Mustafatë? Pse nuk ka një rrugë me emrin 300 djemtë martirë të Drishtit që ju prenë kokat prej turqëve në Shkodër në rrethimin e vitit 1478, apo emrat e Llesh e Nikoll Beganit, komandantit trim Jakob Moneta, apo emri i kryearkitektit të kështjellës Donatit, që luftuan e dhanë jetën duke e mbrojtën Shkodrën për dhjetë vjet përballë mizorisë së hordhive të lindjes. Mos vallë jemi mbetje biologjike të pushtuesve barbare të orientit. Pjellë përdhunimesh. Bastardë të huajsh. Kjo tutkunëri ndër disa mendje anadollake djallëzore duhet të marr fund. Ballkanasit po krijojnë histori aty ku nuk kanë, sepse kanë ardhur tejet vonë, ndërsa ne, që na buçet historia nën këmbë, as që duam t’ia dimë apo e harrojmë për qëllime strategjike të atyre që duan që populli shqiptar të mos ketë kujtesë historike, çfarë e bën të lehtë zhbërjen e tyre.

Ajo që na bashkon është historia, erërat le të fryjnë si e ku të duan, shqiptari ka ditur gjithmonë ti presë me gjoks. Thashë shqiptari, sepse për mua asnjë prapashtese, cilësor, apo nuance tjetër bashkangjitur pas këtij emri nuk qëndron. Pashko Vasa nuk ishte katolik. Nuk ishte as mysliman. Nuk ishte ortodoks. Nuk ishte as ateist. Ai kur i shkroi ato fjalë lapidare “Feja e shqiptarit është shqiptaria!”, ishte thjeshtë një shqiptar. E kush është shqiptar i vërtetë e jo i hallakatun, jo tinëzar i shitun por atdhetar i vërtetë, i ndjen thellë në shpirt ato fjalë. Kështu duhet kuptuar Pashko Vasa, e kur them Pashko Vasa kam parasysh çdo shqiptar tej e përtej besimit. Problemi është sa jemi të zot ta meritojmë atë titull nderi.

 

Gusht 2017

Filed Under: Opinion Tagged With: ËSHTË SHQIPTARIA, feja e shqiptarit, Kolec Traboini

DIASPORA: Lobi Euro-Atlantik shtrihet edhe në Itali

August 3, 2017 by dgreca

1 Lobi1Me datë 23 korrik 2017 në qytetin e Breshjas Itali krijohet dega e Lobit Euro-Atlantik Shqiptar.Është një arritje e justifikuar për faktin se Brescia është provinca me numërin më të madh të shqipfolësve në Rajonin e Lombardisë e krejt Italinë. Respektivisht nga 29 mijë bashkëkombas 9277 janë shtetas nga Kosova. Papërfshirë bashkëkombasit tanë nga Maqedonia e Mali i Zi, të cilët janë të rregjistruar me pasaportat e teritoreve nga vijnë.
Pas pregatitjeve disa mujore,e falë angazhimit të veprimtarit të shquar Petrit Aliaj nga Durrësi, i cili në forma të ndryshme ka mbështetur luftën për çlirimin e Kosovës u arrit mbajtja e kuvendin themelues të degës së Lobit Euro-Atlantik Shqiptar në Brescia ku përveç mjaft bashkëkombësve që jetojnë në këtë provincë por edhe nga provinca të tjera morën pjesë edhe përfaqësuesit e kryesisë qëndrore të këtij Lobi:Kryetari Shukri Ymeri,Musa Tolaj dhe Feride Acar .
Në kuvend morën pjesë aktivistë nga shoqatat “Drita”-“Interaction”-“Rinia”-“Shqiponja”Lidhja e shkrimtarëve dhe artistëve shqiptar në Itali ,mësuses të shkollave shqipe e drejtues org.vullnetare e social kulturore nga provinca të ndryshme të Italisë si Novara,Milano,Trento,Monza  ,Brianza ,Verona ,Piacenza e Brescia.                             
Në hapjen e këtij kuvendi, pjesëmarrësit i përshëndeti kryetari i Lobit Euro-Atlantik Shqiptarz,Shukri Ymeri .Ai me këtë rast u përqëndrua në pasqyrimin e gjithëanshëm të veprimtarisë së deri tanishme të Lobit ,sidomos të aktiviteteve të shumta në disa vënde të europës perëndimore .Zoti Ymeri e vlerësoi në përgjithësi këtë veprimtari
si një nga projektet më të mëdha për kombin Shqiptar. Me këtë rast edhe një herë i ftoi bashkëkombasit tanë
në Itali e kudo në Botë që ti bashkangjiten Lobit Euro-Atlantik Shqiptar për të kontribuar në zhvillimin
dinamik të Atdheut në të gjitha segmentet.
Ndër shumë diskutantë folën ; z,Erio Korani,president i organizatës internacionale “Rinia“dhe sekretar i Federatës së shoqatave Shqiptare
Zoti ,Sherif Nuredini president i shoqatës “Shqiponja”Bergamo.Shkrimtaria Lumturi Plaku,zv/presidente  e lidhjes së shkrimtarve dhe artistave në Itali.                                                                                    
Zonja Marsela Koçi ,gazetare në Milano e dr.Ramazan Baja të cilët vlerësuan inisiativën për bashkëpunim në plan mbarëkombëtar e gjithë përfshirës të ndërmarrë nga L.E.A.SH , me selinë Lorah( Lörrach )të Gjermanisë të cilat i përgjigjen interesave mbarë kombëtare shqiptare.
Edhe presidenti i lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptarë në Itali z.Skënder Lazaj në përshëndetjen e tij,vlerësoi përpjekjet e drejtuesve të Lobit Euro-Atlantik Shqiptar për realizimin e projekteve të ndryshme mbarë kombëtare .Ai u ndal në veçanti në mundësinë e një bashkëpunimi më të gjërë në drejtim të organizimit të takimeve për shkollat shqipe.                                                                                         
Me këtë rast përshëndetën pjesmarrësit edhe z.Musa Tolaj dhe zj.Feride Acar,antarë të kryesisë qëndrore të Lobit.                                      Në vazhdim z,Petrit Aliaj lexoi emrat e e personave të zgjedhur të cilët do të jenë në drejtimtë degës së Lobit E.A.SH. në Itali. Alketa Delishaj kryetare ,Marsela Koçi n/kryetare ,sekretar Petrit Aliaj ,arkëtare Trandafile Molla e anëtarë Gjergj Harka,Fabiola Sali.e Julian Xhahysa.
Kryetarja e porsa zgjedhur zj.Alketa Delishaj,falenderoi të gjithë ata që i dhanë votë besimin në drejtim të
kësaj dege për një periudhe 4 vjeçare.                      
Në përfundim të këtij takimi me mjaft vlera z .Shukri Ymeri  i u përgjigj pyetjeve të shumta ,të cilat kishin karakter informimi e shtrirje në funksion të aktivitetit që përcakton statuti dhe platforma e Lobit,dy elementë  kryesorë në zhvillimet e veprimtarisë mbarë kombëtare shqiptare,dhe jashtë ndikimeve partiake e fetare. Ai u përqëndrua në rëndësinë e unifikimit të të gjitha potencialeve të mërgatës Shqiptare në Botë në funksion të ndërtimit e të ardhëmes së kombit Shqiptar.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Brescia, LOBI, shtrihet ne Itali

GAZETA”VULLNETARI” NE BOSTON DHE TRUPAT VULLNETARE TË VATRËS

August 2, 2017 by dgreca

Aqif Përmeti, komandanti i 200 Trupave të Vatrës, që shkuan në Shqipëri për të zmbrapsur Vorioepiriotet të mbështetur nga ushtria greke në Jug, u shpërblye nga Enver Hoxha, …me pushkatim!/

IMG_2872 (2)

Nga Dalip Greca/

Gazeta”Vullnetari” e Kol Rodhes, që botohej në Boston në vitet 1916-1918, ka përcjellë stërvitjen e Trupave Vullnetare të Vatrës, që nga momenti fillestar e deri në nisjen e tyre për në Shqipëri, shkurt 1920. Është fakt historik se këto trupa u stërvitën në SHBA dhe së bashku me Komandantin e tyre, Kolonel Aqif Përmeti, shkuan në Shqipëri dhe kontribuan për forcimin e sigurisë të kufijëve jugor të Shqipërisë, madje së bashku me Bandën Muzikore të Vatrës,e drejtuar nga Thoma Nasi) arritën deri në Luftën e Vlorës. Muzika e Himnit të Luftës së Vlorës ka për autor kompozitorin vatran Thoma Nasi.

Thoma Nasi u kthye ën SHBA, ndërsa Aqif Përmeti, u “shpërblye” për luftën kundër  trupave greke dhe për kontributin e ngritjes së Gardës Kombëtare Shqiptare, duke u pushkatuar nga diktatuar e Enver Hoxhës.

Trupat Vullnetare të Vatrës u bënë më pas themeli i Gardës Kombëtare, ndërsa Banda Muzikore “VATRA”, u bë Banda Kombëtare e Shtetit Shqiptar.

Fotografia shoqëruese është marrë nga Gazeta “Vullnetari”, numër 12, e datës 20 Gusht 1916(kopje të koleksionit të kësaj gazeta e kam siguruar nga nipi i Kol Rodhes Emil Nace, që jeton në Chikago).

Personat që shihni në fotografi janë vatranë që nisën aso kohe stërvitjen pas pune për t’u përgatitur si oficerë me qëllim për t’i shërbyer Shqipërisë. Në qendër, personi me uniformë të zezë, me mustaqe, është komandanti amerikan i Trupave vullnetare në Natick, z. Charles Green. Ushtarët e identifikuar janë: Rako Katundi, Zaharia Chekani, Koli Kuqali(që më pas u kthye në Shqipëri dhe shërbeu si përkthyes në ambasadën amerikane në Tiranë), Koli Bodi, Rako Panariti, Lambi Jorganxhi, Toli Prifti, G. John, Sotir Andrea, Filip Thodor, Koli Nochka,  Nake Treska, Ilo Burgaleci, Kocho Sterio, Rako S. Treska, Aleks Frashëri, Mihal Gërmenji,Gjimi Katundi, Kristo Lara, Vani Grechko, Nasi Dishnica, Naum Pojani, Kristo Trebicka, Idemene Bratko, Pando Kondili dhe Gjimi Panariti.(Për më shumë do të lexoni në Diellin e printuar specialen e përgatitur me rastin e përvjetorit të Lindjes së Kol Rodhes, i nderuar nga Presidenti i Shqipërisë me Urdhërin e Artë të Shqiponjës.)

Filed Under: Featured Tagged With: AQIF PËRMETI, dalip greca, Gazeta Vullnetari, Kol Rodhja, Trupat e Vatres

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1874
  • 1875
  • 1876
  • 1877
  • 1878
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT