• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Faslli Halti sjell ne Sofren e Diellit: BODLER, BUNIN,MAJAKOVSKI,KËNGË ESKIMEZE

July 18, 2017 by dgreca

SHARL BODLER/

cce05ef85cc3fbf0d734beec82494d22--baudelaire-famous-people

(Charles  Baudelaire)  1821- 1867. Baudelaire fotografi da Étienne Carjat, rreth 1862.Charles Pierre Baudelaire (Paris, 1821-Paris, 1867) ishte një poet, shkrimtar, kritik letrar, kritik arti, gazetar, aforist, eseist dhe përkthyes  francez.

MOESTA ET ERRABUNDA/

noell-oszvald-e1498665327873

Thuamë, Agatha, s’të fluturon ndonjëherë zemra larg

larg nga oqeani i zi i qytetit të pistë

drejt një oqean të ndryshëm të ndezur prej shkëlqimit,

më i qartë, i kaltër dhe fundi i virgjërisë?

Thuamë, Agatha, s’të fluturon ndonjëherë zemra larg

Deti, deti e pafund, ngushëllon problemet tona!

Nga cili demon e mori detyrën  sublime

të na përgjumë, këngëtar i ngjirur që shoqëron

erërat e ashpra organi i paanë ?

Deti, deti i pafund, ngushëllon problemet tona!

Tren, ҫomë larg! anije rrëmbemë!

Larg! larg! këtu balta e bimëve tona është bërë llum.

Nuk është e vërtet që ndonjëherë zemra e trishtuar

e Agathas thotë: Krimeve, pendimeve, dhembjeve,

tren, merrmë me vete, anije rrëmbemë!

Ah! sa larg je, parajsë e aromave

ku nën kaltërsi nuk ka veҫse dashuri dhe gëzim,

ku janë të denjë për dashuri krejt ata që duhen mes tyre;

dhe në kënaqësi të pastër mbytet zemra!

Sa larg je, parajsë e aromave!

Por parajsë e blertë e dashurive infantile,

garat, puthjet, lulet e këputura, këngët,

violinat që vibrojnë përtej kodrës

dhe në mbrëmje, nën pemë, vera në kana qelqi

por parajsë e blertër e dashurive infatile,

të pafajshme e plot kënaqësi dinake,

tashmë është më larg se India dhe Kina?

Ne mund ta risjellim atë me keqardhjet tona,

ajo mund të na japë një jetë të re një zë të argjendtë

parajse të pamëkatë, plot me kënaqësitë fshehta?

Përktheu: Faslli Haliti

***

8c3db706d1c0

IVAN ALEKSEEVIČ BUNIN  (1870 – 1953)/

Ivan Aleksejeviç Bunjin, (rus. Ива́н Алексе́евич Бу́нин, Voronjezh, 22 tetor 1870 – Paris, 8 nëntor 1953), ishte shkrimtar rus. Ishte fitues i Çmimit Nobel për letërsi, për vitin 1933.

Ishte poet, romansier, dhe novelist. Pas Revolucionit të tetorit ikë në emigrim. Për përkthim nga gjuha angleze, (Longfellow, Byron) shpërblehet me preminë e Akademisë ruse të shkencave,  më 1933 e fiton Çmimit Nobel për letërsi. Individualizmi e karekterizon veprën e tij, duke kërkuar dhe kultivuar bukurinë, fshatin rus, pas vitit 1905, të cili e shef vetëm me ngjyra të errta.

 ASGJË NUK KA KUPTIM,

Asgjë s’ka kuptim,

Asnjë qëllim.

Për  ç’arsye, pra, me qepalla të rënda,

Të infektoni ju bimët, lulet, pemët,

Kafshët, gjallallesat e tjera, qiellin dhe yjet,

Me boshin kalimtar, seriozitetin tënd,

Sikur veprimi të kishte pak kuptim

Ose qëndrueshmëri të vërtetë?

Hap qepallën e rëndë,

Dorëhiq maskën e rrudhur të seriozitetit tënd budalla,

Që aq i pashpirt, mizor, i pamëshirshëm, indiferent,

Të tregon të pandjeshëm, budall, qesharak, meskin,

Dhe me një sy të qartë vë re thelbin e të ekzistuarit:

Asgjë nuk ka kuptim,

Asnjë qëllim.

Përktheu: Faslli Haliti

***

untitled

VLADIMIR MAJAKOVSKI 1893-1930/

Vladimir Vladimirovich Majakovski (ˌmɑːjəkɔːfski, -kɒf ;  rusisht: Vladimir Vladimirovich Mayakovsky, 19 korrik [O.S. korrik 7] 1893 – 14 prill 1930) ishte një poet rus sovjetik , dramaturg, artist, dhe aktor.

LILIÇKA

( Në vend të një letre )

Një tym duhani shqeu ajrin.

Dhoma

është një kapitull i ferrit të Kruçjenihit.

Kujtohu –

pikërisht në këtë dritare

për herë të parë

i magjepsur përkëdhelja duart e tua.

Dhe ja sot ulur.

Zemra mbyllur brenda një parzmoreje.

Edhe një ditë dhe pastaj

do të më përzësh,

sigurisht edhe duke mallkuar

pas shpinës sime.

Në paradhomën e errët dora

s’do të ngurrojë më

të futet në mëngë e deformuar nga dridhja.

Do të vrapoj tutje

dhe do ta flak në rrugë trupin tim.

Kafshë pylli

do të çmendem

nën një kamxhik dëshpërimi.

Por s’duhet kështu,

e shtrenjta ime,

e dashura ime,

më mirë të ndahemi tani,

S’ka rëndësi-

dashuria ime

është një shkëmb i rëndë

që rri varur mbi ty

kudo që ti të më ikësh.

Lëre që në një klithmë të skajshme

të derdhet hidhërimi i ankimeve dhe i ankthit.

Edhe një buall, kur është i rraskapitur nga lodhja,

edhe ai do që të shkojë të hidhet nën ujërat e ftohta,

në kërkim të çlodhjes.

Por det tjetër nuk ka

për mua

përveç dashurisë tënde,

s’ka prehje, as në dashuri, as në vajtim.

Nëse një elefant i lodhur kërkon qetësi,

ai do të shtrihet madhërisht në rërën përvëluese.

Por diell tjetër s’ka

për mua

përveç dashurisë tënde,

edhe pse unë s’e di ku , ose me kë je.

Po qe se mundohet kaq nga dashuria

një poet,

në lekë dhe famë e kthen atë,

por tingull tjetër s’ka

që të më japë gëzim,

përveç tingullit të emrit tënd.

Dhe s’do të hidhem poshtë tubit të shkallëve,

dhe s’do pi helmin,

as nuk do të tërheq këmbëzën e armës në tëmth,

Dhe s’ka teh thike

që të ketë mbi mua pushtet,

veç në qoftë tehut i shikimit tënd.

Ti do të harrosh nesër

që unë të kurorëzoja,

me një dashuri përvëluese shpirti të digjja

dhe një festë e përkohshme ditësh të zjarrta

do të shpërndaj  faqet e librave të mi të vegjël…

Gjethet e thata të fjalëve të mia,

a do të munden vallë të qetësojnë ndonjë

që të marrë frymë ankthshëm ?

Së paku lëre që një dhimbsuri e skajshme

të mbulojë largimin

e hapave tua.

 

( 26 maj, 1916. Petrograd )

***

KËNGË ESKIMEZE

NJË NJERI ISHTE DUKE ECUR NË TË FTOHTË

Një njeri po nisej,

po nisej vetëm,

ecte në të ftohtë,

ecte në erë,

shkonte në Malin e Madh.

Pa diçka në borë

nuk ishte një lepur,

nuk ishte thëllëzë,

as diçka e ftohtë.

Ca duar dilnin nga bora,

Duar të kafshuara nga dhelpra,

këmbë të kafshuara nga ujqërit.

Babai pa

pa folur.

Fsiu borën nga rrobat,

fryu në sy,

fryu në gojë,

mbështeti zemrën e tij,

zemrën  e  tij mbi zemrën e djalit,

Por djali mbeti i ftohtë,

mbeti i ngrirë si gur,

i ngrirë si akull,

edhe për tre net

babai s’mendoi më,

humbi rrugën,

harroi udhën,

nuk kishte më dritë,

më dritë në kokë.

Tani babai këndon.

këndon  nën tendë,

këndon me eskimezët,

të gjithë së bashku këndojnë,

këndojnë për djalin e tij.

***

Me ҫfarë shprehje të thjeshtë këndohet ankthi i babait i cili gjeti fëmijën të vdekur nga të ftohtit. Bëri ҫmos që ta sillte në jetë me frymën e tij, por djali mbeti i ngrirë nga të ftohtit. Atëherë babait nuk i mbetet tjetër veҫ të këndojë në çadrën e vet, të këndojë për birin e tij, dhe shkarkoi kështu,dhimbjen.

 

KËNGË PËR TË TJERËT

Të gjitha këngët lindIn

për njeriun

në mes të një shkretëtire të paanë

Herë  lindin si një dënesë

nga thellësia e zemrës sime në dhimbje,

herë  si një e qeshur e gëzueshme

si shkulm nga gëzimi

që s’mund të mos ndjehet

për jetën dhe bukurinë e botës.

Pa e ditur se si

lindin me frymën

fjalët dhe tonet

që nuk janë

biseda  të përditshme

dhe bëhen gjë e vet atij

që di se si t’i  këndojë ato për të tjerët.

DUKE KËNDUAR NE SHI

VAJTIM

Është i rrumbullakët ai

Është i shkëlqyer,

Është si rruzul i vogël akulli në ujë.

Hidhet,

Valëzon,

Luan,

Si një rruzull i vogël akulli në ujë.

Jek jek jek

Ngrij sytë e tu,

Shikomë

Ruzull i vogël akull  në ujë.

Përktheu: Faslli Haliti

 

      

 

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Bodler, Faslli Haliti, Kenge Eskimeze, Majakovski, sofra poetike e Diellit

DioGuardi: Rama 2, shans për reformë në drejtësi…

July 18, 2017 by dgreca

1 Joe DioGuardi 2

….shpresoj që opozita të mos zhduket/

Nga Saimir Sulaj, Washington/

Ish-kongresmeni Joe DioGuardi është i vetëdijshëm se të gjithë e njohin si njeriun që hap telashe. Për të tillë e njohin në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, por edhe në Kongresin amerikan apo në Departamentin e Shtetit. Kjo, sepse është i drejtpërdrejtë dhe sulmon atë që mendon se nuk po punon siç duhet. Këtë herë e takojmë në Washington, ku flet pa dorashka, specifikisht për zgjedhjet në Shqipëri dhe për fatin e Partisë Demokratike pas humbjes dërmuese në zgjedhjet e fundit parlamentare. Për DioGuardin, mandati i dytë i kryeministrit Rama, këtë herë pa nevojën e një koalicioni, është një mundësi për zbatimin e reformës aq të nevojshme në drejtësi. Ai zotohet, megjithatë, se do ta vëzhgojë me shumë kujdes punën e kabinetit “Rama 2”. Përsa i takon Partisë Demokratike, ish-ligjvënësi amerikan këshillon që të ngutet në riorganizim dhe t’i bëjë pyetjen vetes se çfarë nuk bëmë siç duhet, që njerëzit nuk dolën për t’i votuar. 

Kongresmen DioGuardi, në Shqipëri u zhvilluan zgjedhjet e përgjithshme parlamentare pak javë më parë. Partia Socialiste e kryeministrit Edi Rama mori një mandat të dytë qeverisës. Këtë herë, zoti Rama mund ta formojë i vetëm qeverinë e re. Çfarë mendimi keni për zgjedhjet dhe cilat janë pritshmëritë tuaja për qeverinë e re?

Së pari, mendoj se është shumë pozitive që në Shqipëri do të ketë reformë në drejtësi. Prej shumë vitesh, SHBA ka kërkuar që të kryhet reforma në drejtësi. Unë kam kërkuar që të kryhet reforma në drejtësi. Kemi kërkuar që të ketë drejtësi dhe që gjithsecili të trajtohet njësoj, qoftë kur bëhet fjalë për të blerë prona apo kaluar tituj pronësie. Askush nuk duhet të jetë në gjendje që të korruptojë një prokuror a gjykatës që ka edhe lidhje me qeverinë, apo të korruptojë dikë në qeveri. Kjo ka ndodhur shumë shpesh në të shkuarën dhe njerëzit nuk kanë më besim në qeveritë shqiptare.

Unë njoh një biznesmen shumë të madh, që ka koorporata të mëdha në Ballkan, në Serbi, Bullgari, etj. I kam thënë përse nuk investon në Shqipëri. Ai m’u përgjigj se nuk mund të bëjë biznes në Shqipëri. Atje nuk ka sundim të ligjit. Prit një moment, i thashë. E pe se çfarë ndodhi në zgjedhjet e fundit? Ai që fitoi, nuk ka shumë rëndësi se cilës parti politike i përket, po ngulmon për reformën në drejtësi. Dhe reforma do të kryhet. Njerëzit e duan dhe e kanë të nevojshme.

Pas kryerjes së reformës, do të ketë investime reale dhe vende të reja pune, jo vetëm vende pune në administratë. Kjo është e rëndësishmja e këtyre zgjedhjeve. Që kemi një fillim të ri për transparencën në Shqipëri. Transparenca është që ti merr atë që sheh dhe jo për të paguar dikë nën tavolinë apo t’i pëshpëris diçka dikujt në vesh, në mënyrë që të marr ndonjë përfitim për veten dhe familjen. Duhet të nisim të mendojmë për popullin shqiptar.

Rama erdhi në pushtet katër vjet më parë duke bërë premtime shumë të mëdha. 300 mijë vende të reja pune, shëndetësi falas, luftë kundër korrupsionit. Premtime të shumta. Katër vjet më vonë, ai doli me çështjen e timonit. I harroi të tëra premtimet që kishte bërë katër vjet më parë dhe tha se çfarë ka ndodhur ka ndodhur dhe ne tashmë do të përmbushim gjithçka. Po sikur edhe pas katër vjetësh do të kemi të njëjtën situatë? A mund t’i besojmë atij edhe për katër vite të tjera?

Ju keni jetuar në Shqipëri apo jo? Përse njerëzit votuan për të? Nëse ata menduan se Rama nuk mbajti premtimet për katër vjet, përse ai mori mandatin e dytë, me aq shumë vota aq sa nuk ka nevojë për koalicion. Ky mbase është mendimi juaj dhe i shumë njerëzve të tjerë, por ndoshta shumica e njerëzve e sheh atë si alternativën më të mirë krahasuar me qeverisjet paraardhëse, të cilat nuk e donin reformën në drejtësi. Ju e dini që kryetari i qeverisë paraardhëse, thuhet se ka bërë miliarda dollarë me të bijën dhe të birin. Si i bëri ai ato para? Nga paga e tij në qeveri? Kjo nuk është e drejtë.

Unë mendoj se të gjithë politikanët duhet të deklarojnë vlerën e shtëpive të tyre dhe se sa para kanë në banka, ashtu siç bëjmë ne këtu në SHBA, në mënyrë që njerëzit ta dinë se paratë e taksave të tyre nuk shkojnë për qeveritarët apo për njerëzit e partive të tyre, por po shkojnë te qytetarët. Ne do ta vëzhgojmë nga shumë pranë punën e qeverisë së re dhe të kryeministrit Rama dhe do të sigurohemi që do të mbajë premtimet. Unë ju siguroj për këtë sepse dua ta shoh Shqipërinë si një shtet që rritet ekonomikisht prej investimeve, jo prej tutelës së politikanëve apo miqve që kanë njohje. Është e nevojshme të krijojmë vende të vërteta pune për shqiptarët në shtetin mëmë dhe mbase ato do të përhapen përtej kufijve te shqiptarët në Maqedoni, Kosovë, Preshevë dhe Malin e Zi. Kjo është ajo çka kemi nevojë dhe shpresoj që kjo do të ndodhë dhe do ta ndjek çdo gjë nga shumë afër.

Opozita shqiptare, Partia Demokratike, pësoi humbjen më të madhe në zgjedhje, në historinë e saj gati 27-vjeçare. Tani po zhvillojnë një garë për kreun e ri të partisë. Çfarë mendoni se do të bëhet me këtë parti?

Ajo që ndodhi me Partinë Demokratike në Shqipëri, është e ngjashme me atë që ndodhi me demokratët këtu në Amerikë. Ata humbën çdo gjë. Ata nuk kanë shumicë në Dhomën e Përfaqësuesve dhe nuk kanë shumicën as në Senat. E humbën besueshmërinë në popull.

Kjo i ndodhi edhe Partisë Demokratike në Shqipëri. Çfarëdo që ata po premtonin, populli u zgjua nga gjumi dhe ata nuk ta thonë në sy, por kur shkojnë te kutitë e votimit, kur askush nuk i sheh se për kë po vendosin, ata thonë të vërtetën. Dhe e vërteta është se mbështetësit e mëparshëm të Partisë Demokratike, nuk morën energjinë e duhur. Ata nuk panë ndonjë arsye që të dalin dhe të votojnë për PD-në. Por nga ana tjetër, mbështetësit e Partisë Socialiste – pak rëndësi ka etiketimi, i urrej etiketimet, harrojini etiketimet partiake, ato nuk kanë më rëndësi, as në Amerikë –  ata mbështetës dolën dhe votuan. Kishin energjitë e duhura. Kjo është politikë. Përse dolën kaq shumë njerëz për të votuar për Edi Ramën dhe kaq pak për Partinë Demokratike?

Opozita po thotë se Edi Rama dhe Partia Socialiste përdorën paratë e drogës për të blerë zgjedhjet.

Duhet ta provojnë këtë. Me sa u pa, njerëzit nuk e besojnë këtë gjë. E di që është folur shumë, por përse njerëzit nuk e besojnë këtë? Gjithçka varet te njerëzit që votojnë. Çfarë besojnë ata. Nëse ju nuk mbani premtimet në një afat të caktuar kohe, herët a vonë nuk do të marrësh rezultatet që dëshiron. Tashmë mbetet të shohim se çfarë do të ndodhë.

Ata pësuan këtë humbje të madhe, por çfarë mendoni se duhet të bëjë kjo parti në mënyrë që të organizohet dhe të forcohet sepse një opozitë e fortë është shumë e shëndetshme për vendin?

Po, është shumë e vërtetë. Shpresoj që opozita të mos zhduket. Vendi ka nevojë për opozitë. Çdo vend ka nevojë. Ju nuk doni të keni një diktaturë, kur një person i vetëm thotë se çfarë duhet bërë. Partia Demokratike në Shqipëri duhet të shohë se çfarë ndodhi dhe të analizojë se çfarë ndodhi me votat. Gjithashtu duhet të analizojnë se çfarë lanë pa bërë, që njerëzit nuk dolën të votojnë për ta. Dhe ata kanë njerëz profesionistë që e bëjnë këtë.

Duhet po ashtu t’i drejtojnë pyetjen vetes: ndoshta na duhet të ndryshojmë platformën për partinë dhe duhet të kemi një plan më të qartë për krijimin e vendeve të punës dhe thithjen e investimeve të huaja. Mbase nuk duhet të mendojnë që të punësojmë bijtë e bijat tona dhe miqtë. Duhet të tregojnë që janë me të vërtetë të pavarur në mënyrë që të bindin popullin që do t’u sjellin drejtësi dhe barazi. /tesheshi.com/

Filed Under: Politike Tagged With: DioGuardi: Rama 2, ne Drejtesi, Saimir Sulaj, shans për reformë

Zgjedhjet lokale, regjistrim i votuesve jashtë Kosovës

July 18, 2017 by dgreca

-Periudha e aplikimit për regjistrim si votues jashtë Kosovës 16 korrik – 23 gusht 2017/

RISHTINË, 18 Korrik 2017-Gazeta DIELLI/ Në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke bërë përgatitjet për organizimin e Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Asamble Komunale, të cilat do të mbahen më 22 tetor 2017.

Në kuadër të këtyre përgatitjeve, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjithë votuesit që jetojnë jashtë Kosovës se ka filluar periudha e aplikimit për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës. Kjo periudhë do të zgjasë deri më 23 gusht 2017.

Zgjedhjet-ne-Kosove-12Formularin e plotësuar, së bashku me dokumentet e bashkëngjitura, duhet të arrijnë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve deri më 23 gusht 2017.

Për më shumë informacione vizitojeni ueb faqen e KQZ-së:

http://www.kqz-ks.org/sq/votimi-jashte-vendit

Filed Under: Emigracion Tagged With: jashtë Kosovës, regjistrim i votuesve, zgjedhjet lokale

Shqipëri- Përcillet kontigjenti i 5-të në operacionin “Sea Guardian”

July 18, 2017 by dgreca

IMG_3716Grupi Detar SNMG2, pjesë e të cilit është edhe anija shqiptare, përbëhet nga anije Gjermane, holandeze, britanike, greke dhe turke./

Nga Shefqet Kërcelli/

IMG_3663

U zhvillua sot në Komandën e Forcës Detare Plepa, ceremonia e përcjelljes së kontingjentit të pestë në operacionin e NATO-s, “Sea Guardian”. Në këtë ceremoni morën pjesë Zv.Ministri i Mbrojtjes, Petro Koci, Zv.Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA, Gjeneral brigade Dedë Prenga, Prefekti i Durrësit, zoti Emiljano Jani, Komandantët e Forcave dhe Komandave ushtarake të Forcave të Armatosura, Drejtorë të Drejtorive në Shtabin e Përgjithshëm, Drejtori i Qendrës Ndërinstitucionale Operacionale Detare, kuadro dhe detarë të Shtabit e reparteve të Forcës Detare, si dhe familjarë të ekuipazhit të anijes “Oriku”, pjesëtarë të operacionit.

Ceremonia u hap nga Zv.Komandanti i Forcës Detare, Kapiten i Rangut të I-rë Subi Zenelaj, i cili fillimisht i uroi ekuipazhit të “Orikut”, pjesë e kontigjentit të 5-të, mision sa më të mbarë. Në vijim Kapiten Zenelaj theksoi se, ndjehem krenar për faktin se, katër kontigjentet e para paraardhëse realizuan me sukses misionin e ngarkuar. Me profesionalizmin dhe përkushtimin e spikatur, ekuipazhet tona treguan se janë të barabartë krah aleatëve, në realizimin e misionit të vëzhgimit, monitorimit dhe raportimit të trafikut të emigrantëve në zonën e përgjegjsisë, sipas detyrës së vënë nga Komanda Detare e NATO-s, theksoi Zv.Komandanti i Forcës Detare.

Më pas, Zv.Ministri Koci vlerësoi kontributin e vendit tonë në këtë operacion specifik nëpërmjet pjesmarrjes së Forcës Detare si dhe arritjen e standarteve të kërkuara në këtë fushë duke u shprehur se, “Pjesëmarrja në operacionin e Detin Egje është një përvojë e vyer që do ti shërbejë më së miri rritjes së kapaciteteve operacionale, ndërveprimit me NATO-n dhe profesionalizmit të Forcës Detare”.
Ceremonia vijoi me dorëzimin e Flamurit Kombëtar nga Zv.Ministri i Mbrojtjes komandantit të  kontingjentit të  5-të,  Kapiten i Rangut të III-të Ilir Cobo, i cili do të drejtojë kontingjentin  për dy muajt në vazhdim dhe përfundoi me një foto të përbashkët me ekuipazhin e anijes.

Ky kontingjent zëvendëson kontigjentin që u dislokua në Detin Egje në muajin qershor të këtij viti, si pjesë e operacionit “Sea Guardian” të NATO-s, në kuadër të përpjekjeve ndërkombëtare për të ndaluar trafikimin ilegal dhe emigricionin në këtë rajon.

Grupi Detar SNMG2, pjesë e të cilit është edhe anija jonë, përbëhet nga anije Gjermane, holandeze, britanike, greke dhe turke.

 

Filed Under: Politike Tagged With: “Sea Guardian”, kontigjenti i 5-të në operacionin, Përcillet, Shefqet Kercelli

Shoferi i autobuzit që u bë president

July 18, 2017 by dgreca

Nga Ilir Levonja/ Dielli/

1) Nga vendet e Amerikës Latine, venezuelianët, kilianët, argjentinasit. Deri diku edhe uruguajanët. Seç kanë një sharm europian. Gjë që nuk e shikon tek të tjerët si ekuadorianët, kolumbianët, meksikanët, hondurasit, panamezët e me radhë. Brazilianët janë dy ekstreme. Aq sa vajza të bukura kanë, një lloj tipizimi i epshit amazonas me ritmin e sambas. Aq edhe vajza apo djem të lodhur që i ngjasojnë robëve të minierave të karbonit. Venezuelianët dallojnë. Jo rastësisht ishin ata të parët që u shpallën të pavarur nga Spanja më 1811-ën. Ndaj gjithmonë kam bërë habi se si është e mundur që një vend si ai, me sharm europiani, me pasuri nëntokësore si ari apo nafta, vendi me rezervat më të larta të hidrokarbureve, të vuaj nga politika të çmendura shtetarësh. Si politika e kopoerativave të Hugo Çavezit. Apo koha shortage, ose mungesa e madhe e gjërave të së përditshmes. Deri tek letra higjenike. Tregjet socialiste ishin, bosh. Sa Maduros iu desh të urdhëronte tregtarët private, pasi në Venezuelë operon edhe tregu privat, një lloj ekonomie kineze, të mbushnin marketet e punëtorëve. Dhe kjo jo më larg se dy vjet më pare.

2) Një kolegia ime, të shtunën mbrëma, më kërkoi me shumë mirësjellje që të lutesha për vendin e saj. Si katolik të thekur që janë, ata e besojnë zotin e tyre, si njeriu i kthjellët dashurinë. Të dielën e kaluar më 16 korrik vendi i saj mbante një referendum popullor. Arsyeja, presidenti kërkon të ndryshojë kushtetutën e vendit. Me qëllim që të ndërrmarri disa reforma. Por që në fakt nuk janë të tilla. Pavarsisht se zgjidhet nga populli, presidenti nuk ka pushtet absolut. Eshtë edhe asambleja kushtuese si një lloj balance. Kësisoj Nikolas Maduros, presidentit me profesion shofer autobuzi, që të vrasi e presi sipas qejfit i duhet pushtet. I duhet të mos ndaj pushtet. Apo t’i marri dorën asamblesë kushtetuese.

Vet ajo do shkonte në një fushatë sensibilizimi pro Jo-së. Pasi në rrethinat e Miamit jeton një komunitet i madh venezuelianësh. Afro 100 mijë votues në shtetin e Floridës. Do ndihmojmë atdheun në rrugën e demokracisë. Kanalet lokale, mediat, webe, blogje, shfaqnin pamje venezuelianësh me ngjyrat e flamurit, dekoruar me kapele e bojra fytyre që shkonin drejt jo-së gjithë hare. Nga Venezuela vinin lajme me shumicë, stacionet televizeve më në zë trasmetonin njerëz nga rrugët e Karakasit. Opozita bënte thirrje për jo, e quante një marrëzi jo referendum kushtetues. Në fund rezultati erdhi. Jo-ja fitoi. Rreth 7.2 million votues i thane jo ndryshimeve kushtetuese. Kjo do të thellojë krizën politike në vend, e për rrjedhoj ekzistencën e sojit të presidentëve të tillë. Ca diktatorë që kalojnë pushtetin nga vetja, tek besnikët e tyre. me vjedhje votash dhe manipulime popullore, duke përdorur shtresat e varfëra.

3) Ndofta dikujt i duket për të qeshur, por me të vërtetë Nikola Maduro ka qenë shofer autobuzi. Ka bërë vetëm një vit shkollë partie, në Kubën e Fidel Kastros. Eshtë rreth 56 vjeç. Në vitin 2006 Hugo Çavez e bëri minister të jashtëm. Do mbahet mend se deri atë botë, ishte i pari minister i jashtëm i Venezuelës që nuk fliste asnjë gjuhë të huaj. Por fliste gjuhën e partisë, dhe besnikërisë së lakejve karshi diktatorit. Unë e shpesh e kam theksuar se, diktaturat nuk bëhen vetëm. Madje lakejtë janë më të rrezikshëm se shefat e tyre. Kjo vlen edhe për diktaturën tone. Ai u përzgjodh nga Hugo Çaves për të vazhduar revolucionin idiot, të ashtuqujtur bolivarian, që veç emrit nuk asgjë të përbashkët me heroin latino-amerikan, Simon Bolivar.

Eshtë një revulocion fallco, gjoja me politika sociale të mahnitshme, si banesat shtetërore, shëndetësia falas. Apo kooperativat e klasës punëtore. Një lloj ekonomie e dështuar që thith nga fitimet e eksportit të naftës, aluminit dhe metaleve të tjera. Ose zhvat tregtarët e mëdhenj dhe mbush mapot e punëtorëve. Qysh nga viti 2013 që ai ka ardhur në pushtet, pas një fitoreje të disktutuar. Të ngushtë… nga ruralistët. Një lloj si ndodhi pak muaj më pare me diktatorin e Turqisë Erdogan. I cili u refuzuan nga metropolet dhe fitoi me votën e rretheve. Pra që nga ardhja e tij në pushtet, e shoferit të autobuzit, në Venezuelë nuk kanë pushuar një ditë revoltat. Kjo ka domethënien se vendi ndodhet në një lloj lufte nervash. Që një fije peri e ndan nga lufta civile. Ndaj kolegia ime më kërkoi të lutesha për vendin e saj. Dhe sot kur e takova gëzonte si fëmijë për fitoren e jo-së.

4) Çfarë lidhje kanë të gjitha këto me Shqipërinë.

E para ne vimë nga një kohë diktatoriale të katastrofës së ekonomisë së përbashkët. Të zhvatjes së pronave private. Të shtetëzimit të tyre. Dhe luftës pa kompromis të mendimit ndryshe. Kjo për shkak të etjes për pushtet të njëshave. Për pushtet të pakufizuar. I cili tek ne qëndron tek ekzekutivi dhe dështimi i tij me luftën karshi informalitetit. Edhe ne jemi një vend i pasur në burime natyrore, por nga më të varfrit në raport me rajonin. Për shkak të paaftësisë për shfrytëzimin e tyre. Politikës së dështuar. Kemi përvojën e kuadrove me kurse partie, që i bëm deri ministra. Me kurse 6 mujore drejtësie etj. Por asesi se kemi vënë mend…

E dyta, po shohim me sytë tanë, përditë se si deformohet demokracia. Me vote. Me mënyrat më të pista. Të njëshave që kanë për model Fidel Kastron e Bosforit. Rexhep Taip Erdoganin. Aq sa pa frikë mund të themi se jemi vendi i absurdit njerëzor. Kur shqiptarët festojnë të ashtuqujturin grusht të shtetit të vitit të kaluar në Turqi. Një sajesë e revolucionit të Hugo Çavez-it, Kastros, Maduros, Kim Yongut… Dhe aq më absurde në Kosovë. Të festosh a celebrosh ergonazmin aty, në Kosovë, është dyfish absurditet. Figurat më të rëndësishme të shqiptarëve në luftën për shkëputjen nga Turqia, ia ka dhënë Kosova. Si Sulejman Vokshi, Isa Boletinin, Hasan Prishtinën etj. Megjithatë në Kosovë dalin e festojnë për Turqinë. Eshtë pjesë e mendësisë së diktatorit me lakejtë. Edhe Enver Hoxha modelet andej i kishte. Nga Beogradi, Moska, Pekini, Laosi…., kështu edhe bijtë.

Dhe e treta një e përbashkët e kundërt, një peng emigranti, fakti që emigrantët venezuelas votojnë. Kudo që janë…., ashtu si shumë kombësi të tjera, kurse ata shqiptarë, jo. As që e çon kush në mëndje.

Filed Under: Opinion Tagged With: Ilir Levonja, që u bë president, Shoferi i autobuzit

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1904
  • 1905
  • 1906
  • 1907
  • 1908
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT