• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KOSOVA, NJË LEKSION EDHE PËR SHQIPËRINË

February 16, 2021 by dgreca

Sokol PAJA – DIELLI/

Kosova na dha një leksion të pastër demokracie, kulture politike, ndërgjegjësimi qytetar dhe shtetformimi.

Zgjedhjet në Kosovë ishin model edhe për botën e qytetëruar. Fushata, përgatitjet parazgjedhore, votimi, kontrolli paraprak i kandidatëve, administrimi i votës dhe pranimi i rezultatit ishte një model fantastik duke pasur parasysh moshën dhe eksperiencën e institucioneve të Kosovës. Zgjedhjet në Kosovë na dhanë një leksion shumë dimensional. Kosova hapi një faqe të re në rrugëtimin e saj europian dhe konsolidimit të shtetit demokratik. Kosova na dha jo vetëm një shembull por mbi të gjitha tregoi një kulturë demokratike, votuesi shqiptar i Kosovës po ashtu. Kosova na mësoi si fitohet, si numërohet, si votohet, si pranohet rezultati, si humbësi merr përgjegjësi, si fituesi duhet të shërbejë, si i përzgjedhuri nuk udhëhiqet nga arroganca por nga thjeshtësia dhe shërbesa ndaj qytetarëve. Përpara shpalljes së datës së zgjedhjeve, shkuarja në ballafaqim elektoral, ishte një mësim i fuqishëm institucional, sesi gjykatat në shtetin e Kosovës nuk i komandon, drejton, apo shantazhon politika e ditës. Gjykata supreme rrëzoi qeverinë që mbahej në këmbë nga një votë e paligjshme. A ka ndodhur ndonjëherë në Shqipëri kjo? Kurrë. A do të mundet të ndodhë ndonjëherë, kategorikisht jo. Maturia e institucioneve në Kosovë është fantastike edhe pse numërojnë pak më shumë se një dekadë jetë. Pa mbaruar numërimi i votave, humbësi uron fituesin dhe mban përgjegjësi për rezultatin. Lidershipi i Kosovës na dha leksion, institucionet na dhanë leksion por mbi të gjitha votuesi shqiptar i Kosovës, mërgata shqiptare në çdo cep të globit krijoi një model fantastik ndërgjegjësimi patriotik. Mërgimtarët sfiduan kushtet atmosferike të jashtëzakonshme, nuk pyetën për distancat gjeografike, nuk pyetën për kostot ekonomike por morën pjesë masivisht për ti hapur atdheut të tyre një dritë shpresë, një të ardhme më të mirë, një qeverisje më të përgjegjshme. Mësimi më i madh që na dhanë shqiptarët e Kosovës, ndryshe nga shqiptarët e Shqipërisë, është fakti se ata erdhën e votuan të gjithë për të ardhmen e Kosovës, ndryshe nga shqiptarët e Shqipërisë që ikën. Kosova na tregoi se duhet ta luftojmë të keqen në vend dhe në mergatë, kudo ku atdheu ka nevojë bijtë e vet duhet të jenë aty për ta shpëtuar mëmëdheun. Votuesi në Kosovë por mbi të gjitha votuesit e mërgatës e tronditën themelin e politikës së vjetër. Çmontuan një sistem që kishte konsoliduar rreth vetes gjithçka. Kjo frymë dhe ky mësim duhet të merret si etalon nga shqiptarët në Shqipëri dhe mërgata me banim jashtë atdheut që të shkojnë më 25 prill në Shqipëri, nga çdo cep i botës për të bërë përmbysjen e madhe, për të shkërmoqur me votë të lirë dhe demokratike qeverinë më të shëmtuar në 30 vite tranzicion. Mërgata shqiptare duhet të ndërgjegjësohet më shumë se asnjëherë, nëse neokomunistët marrin një tjetër mandat, pas disa vitesh nuk do të ketë më Shqipëri. Ndryshimi i elitave drejtuese dhe politike është një domosdoshmëri jetike për Shqipërinë. Vetëm në 8 vitet e fundit si pasojë e keqqeverisjes janë detyruar të largohen nga Shqipëria 600 mijë shqiptarë. Qeveria Rama kreu një genocid ekonomik, politik, social mbi shqiptarët e ndershëm e të pamundur. Fatkeqësisht është krijuar një Shqipëri e të pasurve, e oligarkëve e klaneve mafjoze politike, një atdhe që bëhet i pajetueshëm për bijtë e tij, të varfrit, njerëzit e thjeshtë, të ndershmit nuk kanë më akses në atdheun e tyre. Shqipëria nuk u përket më shqiptarëve por një grushti politikanësh që dominojnë skenën tash 30 vjet dhe pasunarësh të pasuruar mbi kurrizin e shqiptarëve të ndershëm e patriotë. Në Shqipëri ka humbur shpresa, është vrarë ideja se një ditë Shqipëria do të bëhet. Qeveria me qëllim që ta mbajë të nënshtruar dhe ta përdorë e shantazhojë më lehtë votuesin para zgjedhjeve, i ka lënë shqiptarët në varfëri dhe të lidhur pashmangshmërisht e ngushtësisht me pushtetin e ditës. Shqipëria ka nevojë urgjente ndryshimin e filozofisë së të bërit shtet dhe të qeverisjes ndaj njerëzve. Shqipëria ka nevojë të ndryshojë urgjent qasjen ndaj institucioneve, votuesve, ndaj ligjit, ndaj përgjegjësive. Shqipëria ka nevojë mbi gjithçka e çdo gjë për shqiptarët e saj, për bijtë në mergatë që të kthehen në atdhe si në Kosovë e të ndryshojnë me votë fatet e një atdheu të rrezikuar dhe të shkëpusin një herë e mirë Shqipërinë nga kthetrat e lugetërve politik, përbindshave të pashpirt që e shvasin, copëtojnë dhe poshtërojnë çdo ditë Shqipërinë.

Filed Under: Analiza Tagged With: kosova, Sokol Paja

Shqiptaro-egjiptianët

February 16, 2021 by dgreca

Nga Astrit LULUSHI/ Gjurmët e shqiptarit në lashtësi kanë humbur. Regjistruar herë si grek, herë si osman ose dikush tjetër, sot mundi i tij është shpërndarë, ka shkuar në të mirën e dikujt tjetër.
Aleksandria, qytet i themeluar nga maqedonasit e lashtë në Egjipt në 331 pes, për nder të Aleksandrit te Madh,  ishte një nga qytetet më të mëdha në botën antike. Si rrjedhim, qyteti ka një histori të lashtë maqedonase, greke, armene, hebraike. Shumë biznese në Aleksandri drejtoheshin nga maqedonas e grekë. Shqiptarët dhe grekët, secili, i konsiderojnë maqedonasit e lashtë si të vetët. 
Zakonisht, egjiptianët kanë një mendim të lartë për grekët pasi ata ishin pjesë e indit egjiptian për qindra vjet dhe shihen si të ngjashëm me egjiptianët në shumë aspekte. Egjiptianët, posaçërisht Egjiptianët e Veriut, ndajnë shumë aspekte kulturore, ushqime dhe histori me Grekët. Grekët ishin të pranishëm në Egjipt që nga shekulli i 7-të pes; ata ndërtuan qytete e koloni dhe kontribuan shumë në kulturën, ekonominë dhe ushtrinë egjiptiane. Ky kontribut arriti kulmin gjatë periudhës ptolemeike, kur gjenerali maqedonas Ptolemeu mori në zotërim pjesën e tokave të pushtuara nga Aleksandri i Madh, dhe krijoi dinastinë e  vet. Kjo periudhë ishte një nga pikat më të ndritshme në historinë e Egjiptit kur kulturat e pasura të egjiptianëve dhe maqedonasve u përzien.
Në kohët moderne, një diasporë greke u themelua në Egjipt në 1843. Muhamed Ali (shqiptar), sundimtari i Egjiptit, inkurajoi emigrimin e punëtorëve të kualifikuar në Egjipt nga e gjithë Evropa dhe u ofroi atyre privilegje dhe mbrojtje. Në atë kohë, ekonomia egjiptiane po lulëzonte (Kanali i Suezit, industria e pambukut dhe sektori bankar). 
Shqiptarë e grekë jetonin kudo në Egjipt, por numri më i madh ishte në Aleksandri, Kajro, Port Said, Mansoura dhe Minia. Është vlerësuar se 400,000 grekë e shqiptarë jetonin në Egjipt deri në vitin 1950, para Eksodit pas grushtit të shtetit të Nasserit kundër mbretit Faruk, pasardhësit të fundit të dinastisë së shqiptarit Muhamet Ali. 
Shqiptarë e të tjerë nga Europa në Egjipt erdhën për të jetuar dhe punuar dhe nuk dëshironin të ishin qytetarë të privilegjuar. Ata bënë çdo lloj pune, ndërtuan spitale, kisha,shkolla e jetimore, institucione, hodhën bazat e Egjiptit si shtet modern, dhe për këto ruhen në kujtesë.

Filed Under: Fejton Tagged With: Astrit Lulushi, Shqiptaro-egjiptianët

DIASPORA KËRKON ZGJIDHJE – JO MË ME BLLOKIME

February 16, 2021 by dgreca

Këshilli Koordinues i Diasporës është tejet i shqetësuar për vonesat dhe bllokimin e qëllimshem të procesit për realizimin e votës së Diasporës për Zgjedhjet e përgjithshme Parlamentare të 25 Prillit 2021 në Shqipëri. 

Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme nga ana e institucioneve përkatese se do të punohet pa rreshtur që ti mundësohet e drejta kushtetuese e votes secilit shtetas Shqiptar, brenda dhe jashtë vendit, KQZ edhe njëhere po zvarrit të gjithe procesin me arsyetimin se nuk ka konsensus politik që ky projekt të realizohet. 

Për këtë arsye, ne po ju nisim letrën e cila i adresohet të gjitha palëve të përfshira në procesin e realizimit të votës së diasporës, në të cilën kërkojmë takim urgjent për të sqaruar ngecjet dhe bllokimet e qëllimshme që pamundesojnë votën e diasporës. 

MJAFT MË ME BLLOKIME E JUSTIFIKIME – NE DUAM ZGJIDHJE.

Ne kërkojmë që kërkesat tona të respektohen dhe ti vihet fund njëherë e përgjithmonë lojërave politike që lëndojnë dinjitetin e diaspores Shqiptare.

Përfshirja e Diaspores Shqiptare në proceset demokratike në Shqiperi është në interes kombetar mbarëshqiptar, dhe pengesat e tilla dëmtojnë rëndë lidhjen mes mërgatës tonë dhe vendit amë. 


Shpresojmë të na mbështesni,

Ju faleminderit,

Me respekt,

Mark Gjonaj

Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës

markgjonaj1@gmail.com

****.

KËSHILLI KOORDINUES I DIASPORËS FTESË PËR TAKIM

Z. Ilirjan Celibashi, Kryetar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Z.Ilir Meta, President i Shqiperisë
Z. Edi Rama, Kryeministër i Shqiperisë
Z. Lulzim Basha Kryetar i Partisë Demokratike

Znj. Monika Kryemadhi, Kryetare e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim
Z. Pandeli Majko, Ministër i Shtetit për Diasporën
Znj. Erinda Ballanca, Avokate e Popullit
Z. Bledar Milaqi, bashkëthemelues i Lëvizjes “Diaspora për Shqipërinë e Lirë” Z. Lirim Krasniqi, Drejtor Ekzekutiv i Germinit

Z. Marin Nati, përfaqsues i Shoqatës së Avokateve Shqiptaro-Kanadez Përfaqësisë së OSBE-së në Shqipëri, Ambasador Vincenzo Del Monaco

Të nderuar

Çështja e të drejtës së votës së Diasporës ka qenë rregullisht prioriteti i të gjithë grupeve të interesit në Diasporë. Me krijimin e Komisionit Qendror te Zgjedhjeve (KQZ), Keshilli Koordinues i Diasporës (KKD) së bashku me grupet e tjera të interesit në Diasporë, ka marre pjesë aktive në procesin e realizimit të votës së Diasporës për zgjedhjet e 25 prillit 2021.

Megjithë ndihmën që kemi dhënë qoftë në konsultimet me grupin e punës të KQZ-së ashtu dhe me propozime dhe zgjidhje konkrete për finalizimin e kuadrit ligjor, konstatojmë zvarritje dhe mungesë vullneti për realizimin e votës së Diasporës.

Në situatën ku ndodhemi sot, sipas KQZ-së kuadri ligjor është i bllokuar me arsyetimin se mungon konsesusi politik.

Nuk pajtohemi me vonesat e shkaktuara dhe përmes kësaj letre ju ftojmë në një takim virtual me qëllim për të zhbllokuar ngërçin e konstatuar në proçes.

1

15 Shkurt 2021page2image20955968

KËSHILLI KOORDINUES I DIASPORËS

Duke marrë parasysh kohën e shkurtër në dispozicion për realizimin e kuadrit të nevojshëm ligjor, ky takim duhet të kryhet sa më shpejtë, mundësisht në një nga datat 15-19 Shkurt.

Në pritje të konfirmimit tuaj.

Mark Gjonaj
Kryetar i Këshillit Koordinues të Diasporës (917) 731-6850
Markgjonaj1@gmail.com

Filed Under: Politike Tagged With: Daspora kern Zgjidhje, Leter drejtueseve ne Shqiperi, Mark Gjonaj

E PERSEKUTUAR E REGJIMIT KOMUNIST

February 16, 2021 by dgreca

Nga Alma LIÇO/

Dëshpërimisht mendoj se konsiderohem dhe jam e tillë dhe kjo lidhet në mënyrë të pashmangshme me trashëgiminë antikomuniste. Katër breza të familjes sime janë goditur/masakruar nga barbarizmi i kuq. Eshtë një përkatësi e përgjakur, e përlotur, mbuluar me vrasje, burgime, internime, përjashtime, konfiskime, shantazhime…etj…etj…të shtrira këto nga viti 1944 e në vazhdimësi, për të cilat kurrë nuk u bë drejtësi.

Por vitet e post komunizmit gjithnjë e më shumë po më konfuzojnë nëse duhet të konsiderohem e tillë!!!

“ Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë”!!!… Ky sllogan absurd e mirëmenduar u servir menjëherë pas rënies së regjimit. Cili është kuptimi i tij…mos vallë viktimat dhe xhelatët janë një???

E persekutuar e regjimit komunist!! – Vetëshpallet  me pompozitet bashkëshortja e Taulant Ballës, numrit dy ose tre të Partisë Socialiste, vazhdueses së drejtpërdrejtë të Partisë terroriste të Punës,  Parti  e cila kurrë nuk u distancua e dënoi krimet e Partisë amë.  Vërtet rezulton që stërgjyshi i saj të jetë ekzekutuar me urdhër të Enver Hoxhës, por kjo ka ndodhur se teksa i shërbente atij në mënyrë të fshehtë, mësoi disa sekrete të cilat i pagoi me jetë. Për më tepër kjo familje në rrjedhën e viteve, jo vetem që nuk pati asnjë pasojë për këtë, por përkundrazi ishte një ndër të besuarat e regjimit.

E persekutuar e regjimit komunist!! – rezultoka edhe e motra e ish-kryeministrit Fatos Nano. E bija e Thanas Nanos,  njërit nga besnikët më të ngushtë propagandistikë të Enver Hoxhës. “E gjora” ajo. Ish martuar me një person me biografi të cënuar, me pasojë  transferimin me punë nga Tirana në Lezhë. 

Vërtet konsiderohen të persekutuara zonjat e sipërcituara???…Cinike…Qesharake…e papranueshme dhe fyese. 

I lutem gjuhëtarëve të gjejnë dhe konfirmojnë emërtimin e duhur për këtë kategori, pasi një gjë është e sigurtë: UNE NUK JAM ATO…e sa të tjerë si unë ndjehen pjesë e kësaj përdhosjeje. 

Filed Under: Analiza Tagged With: Alma LIÇO, E persekutuara

Isa Mustafa do të largohet nga drejtimi i LDK-së

February 15, 2021 by dgreca

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, tha të hënën se do të tërhiqet nga drejtimi i partisë pas humbjes në zgjedhjet parlamentare të së dielës.

Kur janë numëruar mbi 99 për qind të votave të hedhura në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, lëvizja Vetëvendosje është fituese e thellë e tyre.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve lëvizja Vetëvendosje ka fituar 47.88 për qind të votave, e pasuar nga Partia Demokratike e Kosovës me 17.36 për qind, Lidhja Demokratike me 13.08 për qind dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 7.40 për qind.

Zoti Mustafa tha pas mbledhjes së kryesisë së partisë së tij se rezultati është shumë i keq për Lidhjen Demokratike.

“Vota e qytetarëve është ajo e cila respektohet dhe në shenjë të respektimit të kësaj vote dhe të hapjes së rrugëve mëtutjeshme për riorganizim të LDK-së, unë sot e kam njoftuar kryesinë se do ta thërras Kuvendin e LDK-së për zgjedhjen e kryetarit të ri të LDK-së në një periudhë të shpejtë kohore. Me statut e kemi 60 ditë që ta bëjmë këtë, por do ta bëjmë shumë më shpejt në mënyrë që LDK-ja të ketë së shpejti kryetarin e ri. Në ndërkohë ne do të bëjmë të gjitha përgatitjet përmes kryesisë në mënyrë që ky proces të kryhet sa më me sukses. Unë vlerësoj se barti një përgjegjësi objektive si kryetar i LDK-së për këtë që na ka ndodhë pavarësisht se vet nuk kam qenë në proces të zgjedhjeve por dua ta ruaj të LDK-në, dua që LDK të forcohet dhe të rikthehet si forcë e rëndësishme politike sepse i nevojitet Kosovës dhe na nevojitet neve”, tha zoti Mustafa.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se në zgjedhjet e së dielës morën pjesë 47 për qind e 1 milion e 794 mijë votuesve rë regjistruar, një pjesëmarrje më e lartë sesa ajo në zgjedhjet e vitit 2019 kur votuan 44 për qind e votuesve të regjistruar.

Fitorja e lëvizjes Vetëvendosje është më e thella që ka shënuar ndonjë parti politike të tetë palë zgjedhje që nga përfundimi i luftës në Kosovë.

Mbështetës të kësaj lëvizjeje kremtuan mbrëmë pas publikimit të rezultateve të para me gjithë thirrjet e këtij subjekti që të mos kremtohet për shkak të motit të ligë dhe drojës nga pandemia Covid-19.

Kryetari i kësaj lëvizjeje, Albin Kurti dhe udhëheqësja e listës Guxo, Vjosa Osmani thanë mbrëmë se zgjedhjet e së dielës ishin një referendum.

“Nuk do të hakmerremi ndaj askujt por do të kërkojmë përgjegjësi ndaj secilit dhe kudo, pra drejtësi pa hakmarrje. Kjo fitore nuk është për mua dhe as për lëvizjen Vetëvendosje, kjo është fitorja juaj prandaj secili prej nesh duhet të marr përgjegjësinë që ta bëjmë vendin tonë një vend të jetueshëm për të gjithë ashtu siç i dashur për të gjithë”, tha zoti Kurti.

“Ky assesi nuk është një mandat për hakmarrje e po ashtu nuk është një mandate i kthimit prapa. Ky është kapitull i punëve që do të kryhen, është mandate kur ne nderojmë historinë tonë të përbashkët kur ne e garantojmë mirëqenien, e luftojmë me ngulm dhe pa kompromis korrupsionin, sigurojmë drejtësisë dhe punojmë me zell të madh për barazinë”, tha zonja Osmani.

Zoti Kurti tha ndërkaq se nuk do të jenë përparësi e punës së tij bisedimet me Serbinë.

“Nuk do ta kemi prioritet ne formimin e ekipit të dialogut me Serbinë, ju e dini shumë mirë që në të gjitha matjet e opinionit publik dialogu me Serbinë është herë në vendin e gjashtë e herë në vendin e shtatë, neve na kanë zgjdhur këta qytetarë dhe ne u përgjigjemi atyre, prioritet e kemi drejtësinë dhe punësimin”, tha zoti Kurti.

Por këto bisedime bashkë më rimëkëmbjen nga pasojat e pandemisë së COVID-19 që çoi në rënie ekonomike dhe rritje të papunësisë, pritet të jenë ndër sidat e para të institucioneve të reja të Kosovës.

Procesi i formimit të institucioneve

Në pritje të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Kosovë, debatet tash janë përqendruar në procesin e formimit të institucioneve të reja, posaçërisht zgjedhjen e presidentit të ri për çka kërkohen dy të tretat e votave të parlamentit 120 vendesh.

Por, si mund të rrjedhë ky proces?

“Faza tjetër tani është certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve, pas kësaj normalisht vjen konstituimi i parlamentit që nënkupton emërimin e kryetarit të ri, pesë nënkryetarëve dhe betimin e deputetëve. Pas kësaj fillon faza për formimin e qeverisë së re, ku partia fituese, në këtë rast Vetëvendosje, duhet të dërgojë të nominuarin te presidenti, presidenti e dërgon pastaj te kryetari i parlamentit ku brenda 15 ditëve duhet që i nominuari t’a dërgojë për miratim kabinetin qeveritar”, thotë Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi.

Sipas Kushtetutës, deri në formimin e qeverisë së re, detyra e presidentit që aktualisht ushtrohet nga Vjosa Osmani, duhet t’i kalojë kryetarit të ri të parlamentit të Kosovës, thotë ai.

Në bazë të Kushtetutës duhet që deri me 6 prill të këtij viti parlamenti ta ketë emrin e presidentit të ri të Republikës, nëse kjo nuk do të ndodhë atëherë do të shkeleshin afatet ligjore që të cilat përcaktojnë që së paku 30 ditë para datës së skadimit të, në këtë rast ushtruesit të detyrës së presidentit, të kemi presidentin e ri, vendi lehtësisht mund të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, thotë zoti Miftaraj.

Jehona Lushaku, profesoreshë e studimeve politike, i tha Zërit të Amerikës se pas formimit të qeverisë sfida do të jetë në sigurimin e shumicës parlamentare për zgjedhjen e presidentit të ri.

“Normalisht që ky proces kërkon gatishmëri për kompromis edhe kërkon harmonizim të prioriteteve ndërmjet partive politike. Në këtë rast Vetëvendosje ka një përparësi të dukshme krahasuar me partitë e tjera për shkak se ka një shumicë të konsoliduar dhe i duhet një partner që jo domosdoshmërisht është i madh për nga numrat. Unë pres që Vetëvendosje të ketë këtë gatishmëri dhe në një të ardhme shumë të afërt të formohen institucionet e Kosovës”, tha zonja Lushaku.

Bashkimit Evropian tha të hënën se pret formimin sa më të shpejtë të institucioneve të Kosovës dhe përfshirjen e saj në bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.Analistët thonë se qeveria e re do të ndodhet përballë trysnisë për këtë çështje.

“Edhe pse Vetëvendosje, ka deklaruar se dialogu me Serbinë nuk është prioritet, kryeministri i ardhshëm do të jetë nën trysni për të formuar një platformë e cila do t’i përgjigjej dialogut me Serbinë dhe do të duhej që të jetë pjesëmarrës në dialogun i cili do të ndërmjetësohet nga Bashkimit Evropian, kjo për shkak se Bashkimi Evropian dëshiron të përmbyllë këtë çështje por është edhe jetike që secila qeveri që ka legjitimitetin nga qytetarët e Kosovës të jetë përgjegjëse dhe të marrë pjesë në këtë dialog”, tha zonja Lushaku.

“Ne duhet ta kemi një gjë të qartë, Kosova është një vend i vogël i cili varet nga mbështetja, ndihma dhe bashkërendimi me bashkësinë ndërkombëtare posaçërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Kosova nuk është shtet i cili mund ta orientojë politikën e jashtme në kundërshtimet me zotimin ndaj marrëveshjes për Stabilizim Asociim, apo zotimet për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë”, thotë zoti Miftaraj.

Qëndrimet e lëvizjes Vetëvendosje rreth bisedimeve kanë nxitur vazhdimisht debate rreth mundësisë së ndërlikimit të përpjekjeve ndërkombëtare për t’i dhënë fund procesit të zgjidhjes së problemeve ndërmjet dy vendeve që aspirojnë integrimet evropiane.(Kortezi: Leonat Shehu-VOA)

Filed Under: Analiza Tagged With: doreheqja, Isa Mustafa, LDK

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 190
  • 191
  • 192
  • 193
  • 194
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT