• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Prelec: Fitorja e Kurtit lë mënjanë dialogun me Serbinë

February 15, 2021 by dgreca

Marko Prelec, analist i lartë në Grupin Ndërkombëtar të Krizave, ka thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit, përbën diçka gati revolucionare. Sipas tij, nëse Albin Kurti do të jetë kryeministër i ri i Kosovës, ai do të përballet me shumë sfida, në krye të të cilave do të jenë korrupsioni dhe dialogu me Serbinë. Sa i përket procesit të dialogut, Prelec beson se për aq kohë sa Kurti mund të jetë në pushtet në Kosovë dhe Aleksandar Vuçiq në Serbi, marrëveshja përfundimtare është vite larg. I pyetur për marrëdhëniet me SHBA-në, Prelec ka thënë se nuk e di deri në çfarë shkalle mund t’i bëjnë presion Kurtit zyrtarët amerikanë.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Prelec, Lëvizja Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, pritet të shënojë fitore të madhe në zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Krahasuar me vitin 2019, dallimi është i madh. Çfarë mendoni se ndodhi ndërkohë?

Marko Prelec: Mendoj që njerëzit nuk kanë qenë të kënaqur me mënyrën se si është rrëzuar qeveria e kaluar e Kurtit. Ka ekzistuar ndjenja që diçka nuk është në rregull lidhur me këtë gjë. Më pas ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi është paditur dhe është tani në Hagë në gjykim, bashkë me një numër liderësh nga partia e tij, por edhe nga Vetëvendosje. Një tjetër gjë që është rëndësishme është se zyrtarët e një prej partive kryesore në opozitë tashmë, partia e kryeministrit në shkuarje, Avdullah Hoti, Lidhjes Demokratike e Kosovës, i janë bashkuar partisë së Kurtit në listë. Po flas për Vjosa Osmanin, ushtruesen e detyrës së presidentit. Pra, janë mbledhur një varg faktorësh, mirëpo ne duhet të kemi parasysh se ka diçka gati revolucionare në këtë moment. Asnjë parti nuk ka fituar kurrë një përqindje kaq të madhe në Kosovë, kurrë. Është një referendum i qartë për njerëzit që e kanë udhëhequr Kosovën në pjesën më të madhe të 20 vjetëve të fundit dhe kjo ka qenë si deklaratë që ‘mjaft më, nuk ju duam më, duam dikë ndryshe’.

Radio Evropa e Lirë: Kurti po ashtu i ka cilësuar këto zgjedhje si referendum. Por, a mendoni se ai mund t’i ndryshojë gjërat rrënjësisht? Kosova po përballet me pasojat e pandemisë ashtu sikurse secili shtet në botë.

Marko Prelec: Po, ai do të përballet me shumë sfida, disa prej të cilave janë relativisht më të lehta dhe disa më të komplikuara. Është shumë herët të flasim për këtë. Ai me shumë gjasë do të jetë kryeministër dhe do të ketë shumë rol në marrëdhëniet me jashtë. Pikëpamja e tij për dialogun me Serbinë do të jetë ajo që do të ndodhë. Mendoj se dialogu, në thelb, do të ndalet për disa vjet.

Radio Evropa e Lirë: Ju besoni se mund të ndalet për disa vjet?

Marko Prelec: Mund të mos ndalet formalisht, mund të ketë ende takime në Bruksel, mirëpo asgjë e rëndësishme nuk do të ndodhë. Ajo që është më e vështirë për ta refomuar është sistemi në Kosovë. Kjo është diçka që mbetet të shihet, por është diçka për të cilën janë zotuar Kurti dhe Vetëvendosje. Mirëpo pushteti gjen mënyra të të korruptuarit. Mbetet të shihet deri në çfarë shkalle do të ecin përpara me premtimet e tyre kundër korrupsionit. Mund ta luftoni korrupsionin duke gjykuar ata që tashmë nuk janë nëpër pozita, dhe kjo është gjë e lehtë, apo mund ta luftoni korrupsionin duke mos u korruptuar vetë, që është më e vështirë. Shpresoj shumë që Vetëvendosje do të bëja të dyja këto gjëra. Ka nevojë për llogaridhënie, por ka edhe nevojë për të vazhduar pastër rrugën drejt së ardhmes.

Radio Evropa e Lirë: Ju përmendet dialogun, prisni përfshirjen më të madhe të Bashkimit Evropian në këtë proces, edhe pse ju e thatë që mund të shtyhet për disa vjet?

Marko Prelec: Mendoj që nuk kemi të bëjmë me shtyrjen, por mendoj se pozicionet mes palëve janë aq të largëta. Kurti nuk ka pasur kurrë qasje pozitive ndaj dialogut. Deri më tani, komentet e tij kanë qenë negative për gjërat të cilat nuk i pëlqejnë për këtë proces. Dhe kjo qasje ka përjashtuar pothuajse gjithçka që ka qenë në tavolinë sa i përket çështjes së madhe të arritjes së marrëveshjes me Serbinë dhe nëse Serbia do ta njohë Kosovën. Kjo pyetje pritet të jetë jashtë tavolinës së negociimit për disa vjet, për aq kohë sa (presidenti serb, Aleksandar) Vuçiq është në pushtet në Serbi dhe Kurti është në pushtet në Kosovë. Atyre do t’iu duhet kohë që të gjejnë gjuhë të përbashkët. Nuk është e pamundshme që ata të pajtohen për një varg gjërash praktike, natyrisht kjo është e mundshme, dhe do të ishte gjë e mirë. Një gjë e cila është shumë e rëndësishme dhe të cilën pres ta shoh unë dhe shumë persona tjerë është se si Kurti do të veprojë me popullsinë serbe në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Mendoj se ai ka thënë se do t’i mbështesë dhe do të punojë për mirëqenien e tyre..

Marko Prelec: Po, mirëpo përfaqësuesit e tyre politikë që janë zgjedhur tani, janë në fakt shumë besnikë ndaj Beogradit, dhe Serbia ka ende disa institucione që i funksiojnë brenda territorit të Kosovës. Se a do ta vazhdojë ai politikën e qeverisjes së kaluar, duke i injoruar dhe duke lejuar që të vazhdojnë përpara, apo nëse do të ketë qasje më konfrontuese, kjo gjë mbetet të shihet. Nuk pres që të ndodhë diçka urgjentisht, sepse ai mund të gëzojë mandat të gjatë, mirëpo mendoj se ka arsye për shqetësim. Mendoj se marrëdhëniet do të jenë më të tendosura sesa në të kaluarën.

“LDK dhe PDK, në krizë ekzistenciale”

Radio Evropa e Lirë: Le të kthehemi në Kosovë. Çfarë mendoni për Lidhjen Demokratike të Kosovës, apo edhe Partinë Demokratike të Kosovës. Çfarë do të thotë kjo humbje për ta, që është e konsiderueshme në përqindje?

Marko Prelec: Po, lë shije të keqe. Nuk e di, nëse unë do të isha në pozitat e tyre, do ta shihja këtë situatë si krizë ekzistenciale. Nuk është tani puna si të përmirësojnë pozicionet e tyre, por pyetja është nëse vërtet mund të mbijetojnë si lëvizje politike. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me Kosovën. Në gjithë Evropën ne kemi parë disa raste të partive që dikur kanë udhëhequr, sidomos të së majtës, të cilat janë zvogëluar në 5 ose 6 për qind të popullaritetit, dhe për kohë shumë, shumë të vogël, pothuajse brenda natës. Prandaj ato duhet të vendosin se çfarë mund të ofrojnë te votuesit. Qartazi sfida e radhës do të jetë përgatitja për zgjedhjet lokale dhe të tentojnë të fitojnë të paktën disa komuna. Mendoj se PDK-ja është pak në pozitë më të mirë në krahasim me LDK-në. Mirëpo përshtatja në rolin e opozitës dhe përshtatja në rolin e të mos pasurit fuqi, kjo do të jetë gjë e vështirë për ata.

Radio Evropa e Lirë: Duke pasur paraqysh rivalitetin e madh politik, a do të jetë sfidë për Kurtin që të arrijë marrëveshje me ndonjërën parti nëse i duhet për të formuar qeverinë. Deri më tani, Partia Demokratike e Kosovës, ka thënë se nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re.

Marko Prelec: Mendoj se është shumë herët që të flasim. Nuk pres që Kurti të synojë koalicion. Ai mund të ketë një lloj ujdie me disa parti politike opozitare për çështjen e presidentit, gjë që duhet të ndodhë shpejt, pothuajse menjëherë. Edhe nëse do të mund të zgjidhte presidentin vetëm me votat e minoriteteve, pra nëse ka më shumë se 60 ulëse (në parlament) dhe 20 vota të minoriteteve janë mjaftueshëm. Është pak e pakëndshme që të mbyllen të gjitha mundësitë për partitë me shumicë shqiptare. Mendoj se do të ketë negociata interesante për këtë çështje.

“Sa u përket marrëdhënieve me SHBA-në, nuk janë më vitet e 90-ta”

Radio Evropa e Lirë: A keni parashikuar ju diçka të tillë? Ju i njihni çështjet e Ballkanit, kjo duket se është fitore e madhe për Lëvizjen Vetëvendosje?

Marko Prelec: Nuk dua të pretendoj se kam parashikuar fitore kaq të madhe. Sikurse të gjithë të tjerët kam pritur që Vetëvendosje të rritet për dallim nga hera e kaluar. Mirëpo sinqerisht nuk e kam pritur që do të fitojë kaq shumë. Jam pak i befasuar, por jo në mënyrë të pakëndshme. Fitorja mund të jetë edhe më madhe, ne ende jemi duke pritur për votat e diasporës.

Radio Evropa e Lirë: T’iu kthehemi marrëdhënieve me jashtë. Qeveria e kaluar e Kurtit nuk është pëlqyer shumë nga administrata e kaluar amerikane. Cilat janë mundësitë e tij me administratën e presidentit amerikan, Joe Biden?

Marko Prelec: Ata nuk janë pëlqyer nga askush në komunitetin ndërkombëtar. Vetëm disa vjet më parë ka ekzistuar një lloj embargoje joformale kur ka qenë fjala për ta, gjë për cilën si Kurti, ashtu edhe (Vjosa) Osmani, kanë punuar shumë për ta tejkaluar, me sukses të konsiderueshëm. Ai e ka mbështetur Bidenin. Mendoj se Shtetet e Bashkuara do të kenë gatishmëri për të punuar me të. Mendoj se SHBA-ja do të ushtrojë presion për të qenë më fleksibil në dialog, mirëpo nuk e di sa i madh do të jetë ai presion. Dhe në fakt nuk e di se sa do të ketë mundësi SHBA-ja ta bëjë Kurtin që të ndryshojë pozicionet e tij. Nuk janë vitet e 90-ta më, kur Uashingtoni ka mundur të ndërhyjë. Do të mbetet të shihet, por mendoj se marrëdhëniet do të jenë të sinqerta.(Kortezi: krenare Cubolli-Evropa e Lire)

Filed Under: Interviste Tagged With: Albini Kurti, Dialogu me Serbine, Marko Perlec

GJUHA, KULTURA, TRADITA DHE FOLKLORI SHQIPTAR NË ITALI

February 15, 2021 by dgreca

Neat Marku kryetar i shoqatës atdhetare “Ilirida” Itali, rrëfen ekskluzivisht për gazetën “Dielli”, Organ i Federatës Panshqiptare të Amerikës VATRA, New York, ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve si dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme për kultivimin e kulturës, traditës, gjuhës shqipe dhe vlerave të tjera kombëtare shqiptare në Itali. Sipas Neat Markut, shoqata “Ilirida” ka për detyrë që të prezantojë para opinionit publik italian dhe komunitetet e tjera që jetojnë e punojnë në Itali, me kulturën tonë kombëtare, me traditën dhe folklorin tonë shqiptar, nëpërmjet organizimit të shumë takimeve e manifestimeve kulturore e artistike. Me Neat Markun bisedoi gazetari i “Diellit” Sokol PAJA.

GJUHA SHQIPE NË THEMEL TË KOMBIT SHQIPTAR

Çdo intelektual apo çdo mësues i gjuhës shqipe në mërgim, kur i përkushtohet rëndësisë së gjuhës shqipe në Diasporë, ideal të vetmin ka shprehjen shpirtërore: “Në gjuhë të tjera edhe mund të flas, por kur më dhemb shpirti shqip bërtas”. Duke u nisur nga kjo shprehje dinjitoze, mësuesit e Diasporës i kanë dhënë vetes një detyrë, një obligim të madh, një mision dinjitoz e atdhetar në hapjen e shkollave shqipe, për të qenë pishtar të shenjtë e mësues të devotshëm në nxënien e mësimit të gjuhës shqipe tek fëmijet tanë, tek nxënësit tanë. Ne mësuesit e kemi për obligim moral e patriotik që nxënësve t’u mësojmë gjuhën e mëmës, lexim e shkrim e t’i aftësojmë që të zotërojnë normën e sotme letrare të shqipes së njëhsuar. Për intelektualët dhe mësuesit e Rilindjes Kombëtare, gjuha ishte “themel i kombit shqiptar”. Pra, gjuha është një trashëgimi e përcjellë brez pas brezi. Prandaj, vetëm gjuha i bën ballë asimilimit. Gjuha është Atdheu ynë i vetëm i përbashkët që nuk njeh kufinjë politik e shtetëror, me të cilët mjerisht akoma ballafaqohet populli ynë, tragjikisht i ndarë më dysh. Poeti ynë i madh Naim Frashëri shkruante se: ” gjuh’ e Shqipërisë është gjuhë e Perëndisë” dhe, ” gjuhë e mëmëdheut është gjuhë e Skënderbeut”.

SHKOLLAT SHQIPE “ILIRIDA” DHE “ACAS SKËNDERBEG”

Shkolla jonë “Ilirida” së bashku me shkollën e Shoqatës “ACAS Skënderbeg” në Spoleto (PG), të udhëhequr nga Presidenti i saj z. Kol Marku nga Lezha, njëri ndër studiuesit e mirënjohur e të denjë të etnokulturës shqiptare që nga 2002, kemi arritur të realizojmë detyrat, obligimet, qëllimet dhe synimet e lartpërmendura, duke prezantuar me nxënesit tanë shumë aktivitete: recitale, këngë e valle folklorike të traditës, gara sportive e të tjera. Këto aktivitete të nxënësve tanë, për çdo vit stolisin mbrëmjet tona gazmore, 28 Nëntorin – Pavarësinë e Shqipërisë, 17 shkurtin – Pavarësinë e Kosovës dhe për çdo vit tubimin Përkujtimor kushtuar dëshmorëve tanë me moton : “Ata një jetë për Ne, ne një ditë për Ta!” Shkolla jonë ” Ilirida ” në bashkëpunim me nxenësit e shkollës së Shoqatës Acas ” Skënderbeg” në Spoleto(PG), kemi organizuar në Peruxha edhe Përvjetorin e vdekjes misterioze të Ismail Qemalit, mu në sallën e Hotel ” Brufanit” ku Plaku i Shqipërisë do të dalë në një konferencë për shtyp. Sa për t’ju përkujtuar: Më 1917 Partia Kombëtare Politike e Shqiptarëve të Amerikës e caktoi delegat të saj për në Konferencën e Paqës në Paris 1919 – 1920. Ismail Qemali kishte mision: ftoi më 23 janar 1919 në Hotel “Brufani ” në Peruxha, ku edhe kishte buajtur, korespondentët e disa gazetave italiane që ndodheshin në Peruxha. Sipas të birit, Et’hemit, kur Ismail Qemali pasi kishte ngrënë drekë doli para gazetarëve që po e prisnin, sapo filloi të fliste u zverdh dhe filloi të dridhej e të belbëzonte dhe e mbyti shkuma e të vjellët. Mësuesit e Mërgatës sonë, me plotë gojën mund të them se janë ata që vazhduan Rrugën e shkronjave duke mbajtur premtimin e rilindasve për gjuhën dhe identitetin kombëtar. Shkolla jonë “Ilirida” është e hapur edhe për fëmijët jo shqiptarë, si në rastin tonë, ku së bashku me nxënësit shqiptarë vijnë edhe shokët e tyre për të mësuar gjuhën dhe kulturën shqipe, edhe atë nxënës nga komuniteti italian , rumun e maroken. Unë shkollat shqipe në Diasporë i konsideroj si një ” Institucion” më vete që angazhohen për ruajtjen dhe mbarëvajtjen e gjuhës dhe identitetit kombëtar. Në bankat e kësaj shkolle, nxënësit marrin njohuri për gjuhën, letërsinë dhe artin, për historin dhe gjeografinë e atdheut tonë, për kulturën, traditën dhe zakonet e popullit tonë, dhe me atë se si duhet të integrohen në vendin ku jetojnë me jetën dhe kulturën italiane. Të gjitha këto mësime janë shumë të rëndësishme për intelektin e nxënësit, ku vetvetiu do të arrijë të vetëdijësohet, të krijojë besim për kënaqësinë që ndjen.

LIDHJA E MËSUESVE SHQIPTARË NË ITALI

Mësuesit e gjuhës shqipe të Mërgatës në Itali, e panë mëse të nevojshme bashkimin dhe kordinimin e ndërsjelltë të të gjitha shkollave me mësim plotësues në Itali që të themelojnë Shoqatën e Lidhjes së Mësuesve Shqiptarë në Itali. Kjo Lidhje është Asociacion, Shoqatë profesionale jo fitimprurëse. Është një organizatë që mbështet organizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe dhe të kulturës shqiptare në Itali. Lidhja bashkëpunon me institucionet e Italisë dhe me ato të atdheut: me Ministritë e Arsimit dhe institucionet e tjera të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë etj., ambasadat dhe me përfaqësitë konsullare në Itali. Pra, ne si Lidhja e Mësuesve Shqiptarë në Itali, të udhëhequr edhe nga kryetarja jonë e mirënjohur për punën, angazhimin dhe vendosmërinë e saj, Ariana Hoxha Kosova, në bashkëpunim të ngushtë me Shoqatën Lidhja e Avokatëve Shqiptar në Itali, të përfaqësuar nga Avokati i mirënjohur në Mërgatë z. Gentian Alimadhi, kemi marrë një nismë shumë të vyer për fëmijët tanë që rriten në mërgim. Sot më shumë se kurrë kemi nevojë për firmën, nënshkrimin tuaj të nderuar miq, për të përkrahur gjuhën shqipe në mënyrë institucionale që të përfshihet nëpër shkollat shtetërore italiane. Pra, gjërat e mira bëhen dhe realizohen vetëm kur jemi bashkë. Firmat, nënshkrimet e shqiptarëve kudo që janë, nën mbrojtjen ligjore të Lidhjes së Avokatëve Shqiptarë në Itali, do të nisen për në Strazburg, për t’u shqyrtuar në Parlamentin Evropian. Besojmë, shpresojmë dhe urojmë që t’ia dalim. Është vërtetuar se gjuha shqipe është gjuha mëmë. Rilindasit na kanë mësuar se gjuha shqipe është në themel të kombit shqiptar. Nuk ka gjë më të bukur, sesa kur takohemi me kolegët tanë nëpër tubime e seminare për gjuhën shqipe, është gjuha shqipe standarti që na bashkon, pa marrë parasysh se cilit dialekt, nëndialekt apo të folur i takon. Të njejtën kënaqësi e krenari ndjej edhe me nxenësit në shkollë, të cilët kur janë bashkë kuptohen mirë mes tyre duke përdorur gjuhën e njëhsuar standarte edhe pse në shtëpi përdorin dialektet dhe të folurën e tyre krahinore. Por, me keqardhje po e them se më sëmbon shpirti kur shoh një pakujdesi, një painteresim nga prindërit për gjuhën shqipe përkundër asaj italishte, ashtu sikur më vjen në kujtesë parimi i përmbytjeve të mëdha: “shpëto ç’të shpëtosh”. Prandaj ne mësuesit nuk do të reshtim së lodhuri për të shpëtuar gjithçka kombëtare. Unë nuk jam kundër mësimit të gjuhëve të huaja, ngaqë të mësosh gjuhë të huaja si anglishten, italishten etj., nuk do të thotë të mos vlerësosh gjuhën tënde. Të huajën mësoje, por tënden mos e harro. Mund të themi se diaspora e hershme e ka ruajtur me dinjitet identitetin shqiptar, siç janë arbëreshët e Italisë, të cilët që në shek. XV. dhe akoma sot e gjithë ditën, ruajnë dhe kultivojnë gjuhën dhe traditat arbërore.

THEMELIMI I SHOQATËS ATDHETARE “ILIRIDA” NË FOLIGNO (PG) TË ITALISË

Shqiptarët të mërguar ndër shekuj, sa herë qe janë përballur me halle e probleme të mëdha apo të vogla, shpëtim kanë gjetur në idenë e organizimit dhe të bashkimit të tyre. Gjithçka përballet me vullnet, vendosmëri dhe besim në realizimin e ideve të përbashkëta duke respektuar fjalën dhe punën e njëri tjetrit. Duke u nisur nga ky slogan, më 25 tetor 2001 një grup bashkatdhetarësh që vepronin më parë si një Këshill Organizues, morën përsipër themelimin e Shoqatës rreth së cilës do të mblidheshin mërgimtarët tanë që bashkërisht të zgjidhnin nyjen e kurbetit. Pra, ideja për themelimin e kësaj Shoqate u lind nga vetë situata e vështirë që përjetonim në mërgim, përballë shumë sfidave e probleme komplekse juridike, ekonomike, kulturore, arsimore, morale e të tjera. Shoqata pikësynim të vetin ka ruajtjen e identitetit kombëtar të shqiptarëve si dhe organizimin e aktiviteteve të ndryshme për kultivimin e kulturës, traditës, gjuhës dhe vlerave të tjera kombëtare.
Pra, qëllimi i shoqatës është të ndihmojë integrimin e mërgimtarëve në jetën italiane dhe të jetë një urë e kontakteve kulturore me tokën mëmë. Shoqata jonë ka për oblogim e synim që të prezantojë e njoftojë opinionin politik italian dhe komunitetet e tjera që jetojnë e punojnë në Itali, me kulturën tonë kombëtare, me traditën dhe folklorin tonë shqiptar, përmes organizimit të shumë takimeve e manifestimeve kulturore e artistike.

MESAZH PËR DIASPORËN SHQIPTARE NË AMERIKË

Çdoherë kur përmenden mërgimtarët e Amerikës më kujtohen vargjet e Fan Nolit , që jehuan edhe nëpër këngët e kengëtares së madhe Shkurte Fejza: “Mbahu nënë mos ki frikë, se ke djemtë në Amerikë”. Gjithçka e mirë na vinte nga mërgimtarët, Shqiptarët e Amerikës dhe nga vetë Shtetet e Bashkuara të Amerikës falë juve bashkatdhetarë të nderuar. Shqiptarët e Amerikës gjithnjë kanë dëshmuar dashurinë për Atdheun. Dhe sot e dëshmojnë krenarinë që kanë për mëmedheun dhe flamurin tonë kombëtar. Gazeta “DIELLI” e Vatrës në Sh.B.A., është zemra e kombit shqiptar, e cila u lind nga Rilindja Kombëtare në krye me Fan Nolin dhe Faik Konicën. Çdo fitore e jona e ka nismën tek Ju. Puna juaj ka qenë gëzimi jonë, krenaria jonë ngaqë vlerat dhe sukseset tuaja kanë qenë udhërrëfyes për misionet tona, për angazhimet dhe qëllimet tona. “DIELLI” juaj na ka ndriçuar rrugën dhe na ka ushqyer me frymëzime e dituri për t’u bërë ballë sfidave të jetës dhe për të lartësuar idealin tonë, Bashkimin Kombëtar. U jam mirënjohës shqiptarëve të Amerikës për kontributin e tyre në mbeshtetje të tre Luftërave çlirimtare në Kosovë, në Iliridë e në Luginen  Preshevës që luftuan në ” Bataljoni Atlantiku” ku ranë edhe shumë dëshmorë duke luftuar kundër okupatorit barbar sërb dhe atij sllavomaqedonas. Andaj, ju shprehim shumë fjalë mirënjohëse për Dëshmorët e rënë në altarin e lirisë, “Qoftë i përjetshëm kujtimi për to “, lavdi edhe gjithë luftëtarëve, heronjëve të gjallë të Diasporës shqiptare në Amerikë. Si mësues i gjuhës shqipe në mërgim prej 30 vitesh në Itali, po ju përkujtoj edhe një herë: fëmijëve ju flituni vetëm shqip. Mos harroni, vetëm shqip. Ju faleminderit për mirëkuptimin. Në fund kam një faleminderim të veçantë për mikun tim, gazetarin e mirënjohur të Gazetës “Dielli”, i cili me largëpamësinë e tij arrin të zbuloje veprimtarinë dhe të shpalos vlerat atdhetare të çdo personaliteti apo të çdo Shoqate që vepron në Diasporë e Mërgatë. Urime dhe suksese Gazetës “Dielli” pranë Vatrës së Shqiptarisë.

KUSH ËSHTE PROFESOR NEAT MARKU?

Neat Marku u lind më 22 janar 1958 në Dibër, Republika e Maqedonisë së Veriut. Shkollën fillore dhe Gjimnazin e ka kryer në Tetovë. Studimet në Letërsi dhe Gjuhë Shqipe i ka mbarur në Fakultetin Filologjik, Universiteti i Prishtinës. Më 1982, akoma pa u diplomuar filloi të punojë si arsimtar i gjuhës dhe letërsisë shqipe nëpër shkollat e malësisë së Tetovës, në fshatin Grupçin dhe fshatin Cerovë. Më 1985 merr titullin Profesor i Letërsisë e Gjuhës Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Konkuroi nëpër shumë shkolla të qytetit të Tetovës, por më kot, shpallet i papëlqyëshëm (“nepodoban” – në gjuhën zyrtare maqedone) nga inspektoriati i Arsimit të Maqedonisë, me pretekst se ishte student i Prishtinës, dhe se ishte i indoktrinuar me nacionalizëm e iredentizëm nga demostratat e 1981 në Prishtinë. Mbetet akoma mësues i malësisë së Tetovës, për të udhëtuar në këmbë 10 Km në ditë, plotë 10 vjet me rradhë. Më 1987 dënohet nga Inspektoriati i Arsimit të Maqedonisë, me vërejtje e parapërjashtim nga vendi i punës si arsimtar i gjuhës shqipe, me pretekst se ka shkelur ligjin e arsimit: nga se administratën edukativo – arsimore e ka mbajtur vetëm në gjuhën shqipe, dhe më e keqja, lëndën e gjuhës shqipe e ka ushtruar në një klasë ku nuk ishte e varur fotografia e Titos (absurditet i rradhës). Më 1989 ishte bashkëthemelues i trupës së parë teatrale “Studioja e dramës” në Tetovë, së bashku me Regjisorin e mirënjohur Refet Abazi, të ndjerët Shpend Pustina, Naim Kasapi, Murtezan Arifi, mandej Fatmir Sulejmani, Ylber Pustina, Irfan Muslia, Nebi Jusufi, Sulejman Mehazi e shumë të tjerë.

Filed Under: Komunitet Tagged With: Gjuha shqipe ne Itali, Neat Marku, Sokol Paja

ELMI BERISHA: GAZETA “DIELLI”, URIME DITËLINDJA E 112-TË!

February 15, 2021 by dgreca

“Dielli”, gazeta më e vjetër në botën shqiptare feston 112 vjetorin e themelimit të saj. Sot është një ditë gëzimi e krenarie për Vatrën, vatranët e çdo shqiptar. “Dielli” i Vatrës, “Dielli” i botës shqiptare, “Dielli” i diasporës, “Dielli” i kombit shqiptar vazhdon të ndriçojë, shkëlqeje e vezullojë edhe në shekullin e dytë të themelimit të tij. Ditëlindja e gazetës Dielli përbën gjithmonë një ngjarje kulminante mediatike, kulturore, historike, patriotike e politike në diasporën shqiptare të Amerikës e më gjërë. Në këtë ditë të shënuar për “Dielli”-n tonë të bukur e të shtrenjtë, nga zemra ju shpreh mirënjohjen time më të thellë: analistëve, studiuesve, gazetarëve, historianëve, politikanëve e veprimtarëve kombëtar që nuk kursejnë asgjë për të ndihmuar “Dielli”-n me eksperiencën dhe ekspertizën e tyre të vyer. “Dielli” erdhi si nevojë shpirtërore, informuese, kulturore dhe patriotike për shqiptarët e Amerikës duke vazhduar pa u ndalur në misionin e tij të shenjtë patriotik. Sot “Dielli” është kthyer në një ndër mediat më të nderuara dhe serioze në botën shqiptare. “Dielli” sot është një emër potent në botën e komunikimit dhe informimit masiv. Me veprimtarinë atdhetare, “Dielli” është kthyer në një monument historik, një memorie e çmuar kombëtare, një dritë e pashuar në qiellin e kaltër të shqiptarisë. “Dielli” ka vlera të pazëvëndësueshme në historinë e kombit tonë pasi ishte shkolla e parë e shqiptarëve të Amerikës për të mësuar shkrim e këndim dhe Abetarja për mësimin e Atdhetarizmit. Në këtë ditë speciale për “Dielli”-n përkujtojmë, shprehim falenderim, mirënjohje e konsideratën më të veçantë editorëve të “Dielli”-t ndër vite duke filluar nga: Fan S Noli, Faik Konica, Efthim Natsi, Kristo Dako, Kostë Çekrezi, Kristo Floqi, Loni Kristo, Andrea D. Elia, Bahri Omari, Aqile Tasi, Andon Frasheri, Refat Gurrazezi, Nelo Drizari, Petër Tiko, Qerim Panariti, Peter Prifti, Dr.Athanas Gegaj, Bilal Xhaferri, Xhevat Kalljaxhiu, Dr.Eduard Liçaj, Din Derti, Prof. Arshi Pipa, Anton Çefa e deri te Dalip Greca. Mirënjohës kurdoherë dhe i përulur me nderim si unë, çdo vatran e çdo shqiptar përpara kontributit tuaj të vyer e punës së jashtëzakonshme që është gdhendur në historinë e mrekullueshme të kombit tonë. Në këtë ditëlindje të veçantë për gazetën “Dielli” kam një thirrje të hapur për të gjithë vatranët, për shqiptarët e Amerikës dhe për çdo shqiptar kudo në botë që të kontribuojë në mbajtjen gjallë të kësaj gazete, këtij pishtari të pashuar atdhedashurie dhe kësaj pasurie të çmuar historike, mediatike, kulturore dhe patriotike. Kontributi për “Dielli”-n është kontribut për atdheun, për kombin tonë. Gëzuar përherë “Dielli” ynë. Shkëlqefsh e ndriçofsh në shekuj të shekujve.

Mirënjohës

Kryetari i VATRËS

 Elmi BERISHA

New York, 15 Shkurt 2021

Filed Under: Opinion Tagged With: Elmi Berisha, Urime 112 vjetori

NORD STREAM 2 DHE PESHA E HISTORISË

February 15, 2021 by dgreca

Nga PAOLO VALENTINO-PERKTHEU EUGJEN MERLIKA/Historia vërshon në krizën me Rusinë, të  shkaktuar nga rasti Navalny. Por këtë rradhë është rrahje mendimesh në fushën perëndimore. Qeveria e Ukrainës ka sulmuar ashpër presidentin e Republikës federale Frank – Walter Steinmeier. Objekt i kundërshtisë është Nord Stream 2, gaz-sjellësi ruso – gjerman në rrugë përfundimi nën Detin Balltik, që SHBA dhe shumica e Vëndeve të BE duan t’a ndalojnë si hakmarrje kundër Kremlinit, por që Berlini nuk ka ndërmënd t’a braktisë duke këmbëngulur se bëhet fjalë për një vepër ekonomike të ndarë nga tema e të drejtave njerëzore.

            Simbas Steinmeier-it, një nga arsyet për të cilat Nord Stream 2 duhet përfunduar është edhe borxhi historik i Gjermanisë kundrejt Rusisë, për shkak të mizorive të kryera nga nazistët gjatë luftës së Dytë botërore: “Më 22 qershor do të jetë përvjetori i 80 i mësymjes gjermane ndaj BRSS, që i kushtoi atij Vendi më shumë se 20 milionë të vdekur. Kjo nuk përligj asnjë veprim të keq politik të kryer sot në Rusi, por ne nuk duhet të humbasim kurrë nga vështrimi kuadrin e historisë”.  

            Fjalët e Steinmeier-it janë pritur me tërbim në Kiev, që me hyrjen në veprim të gaz-sjellësit, mund të humbasë deri në 1,5 miliard euro në vit nga “taksat e kalimit” që arkëton sot nga tubat ruse që përshkojnë truallin e tij. “Habi dhe zëmërim” ka shprehur ambasadori ukrainas në Berlin, simbas të cilit Nord Stream 2 është një projekt gjeopolitik i Putinit dhe “është cinike të nxirren në bisedë krimet naziste dhe t’i vishen viktimat vetëm Rusisë”. 

            Në të vërtetë, Steinmeier-i ka folur vetëm për viktimat e BRSS, në të cilin Ukraina ishte njëra nga republikat. Tashmë që Kievi të jetë kundër Nord Stream 2 është e kuptueshme dhe e ligjësueshme, edhe se Angela Merkel ka vepruar në mënyrë që Moska të japë siguri për furnizimet. Por nuk ka dyshim që motivacioni i presidentit gjerman është i fuqishëm e po aq i ligjëruar.

“Corriere della Sera”, 12 shkurt 2021       Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Paolo Valentino

RAKETAT RUSE DHE STUDENTËT KËRCËNOJNË REXHEP ERDOGANIN

February 15, 2021 by dgreca

Nga FRANCO VENTURINI-PERKTHEU: EUGJEN MERLIKA/Raketat ruse kërcënojnë Rexhep Taip Erdoganin. Nuk do të deshim të ishim keqkuptuar: edhe se kundërshtarë në Libi. Rusia dhe Turqia kanë marrëdhënie shumë të mira. Raketat në fjalë, shumë të rrezikëshmet kundëajroret S – 400, janë blerë nga Ankaraja me përpikmëri të dorëzuara nga Moska. Por efekti I tyre, më parë se të jenë rrjeshtuar, ka qënë shpërthyes.

            SHBA të Trump-it e kanë përjashtuar Turqinë nga zhvillimi i bombarduesve gjuajtës F 35(të porositura edhe nga Italia), aeroplanët që pjesërisht Ankaraja i kishte paguar nuk janë dorëzuar, e tani Erdogani druan se Bideni do t’a përforcojë ndëshkimin. Aq më tepër se turqit po trajtojnë me Moskën të tjera blerje, pa çarë kokën se janë antarë të NATO-s dhe as papërputhshmërinë e hamendësuar mes S-400 dhe armatimeve të Aleancës Atlantike.

            Erdogani, duke e parë punën pisk, ka kërkuar mirëkuptim n’Evropë, duke ndërprerë  menjëherë polemikat e madje dhe sharjet e shkëmbyera me Parisin kohët e fundit. Të dërguarit turq nuk kanë lënë pa i u kujtuar bashkëbiseduesve të tyre (kjo gjë intereson edhe Italinë) që tre milion të ikurish sirianë dhe afganë, janë “mikpritur” në Turqi në shkëmbim të financimeve bujare. Porta mund të hapet… Por evropianët nuk janë joshur duke i kujtuar Erdoganit veprime konkrete të pajtimit.

            E si të mos mjaftonte, i forti i Turqisë duhet të bëjë hesapet tani  edhe me trazirat në frontin e brëndshëm. Gjithshka filloi kur një korier politik është emëruar rektor i Universitetit të çmuar Bogazici. Demostratave të studentëve policia i u përgjigj me qindra ndalime, dhe nja njëzet djemsh e vajzash janë vënë nën hetim me padinë “pjesëmarrje në manifestime të paligjëshme dhe qëndresë kundër arrestimit”. Kërshëri, akuzat janë të njëjta me ato të sanksionuara në Rusi kundër demostruesve pro-Navalny. Nga ana tjetër raketat S-400 nuk janë lidhja e vetme ndërmjet Putinit dhe Erdoganit.

            “Corriere della sera”, 12 shkurt 2021    Përktheu Eugjen Merlika

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Franco Venturini

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 191
  • 192
  • 193
  • 194
  • 195
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT