• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Paul Ryan, lëvizje më të shpejtë për sanksionet ruse

June 23, 2017 by dgreca

E66C11DA-B25C-4CE8-9809-B6BF6F48196C_w1023_r1_sSHBA: Kryesuesi Ryan dëshiron lëvizje më të shpejtë për sanksionet ruse/Kryesuesi i Dhomës Përfaqësuese të Shteteve të Bashkuara, Paul Ryan, ka thënë se dëshiron lëvizje më të shpejtë për legjislacionin e Senatit, me të cilin imponohen sanksione të reja kundër Rusisë dhe Iranit, derisa komitetet e Kongresit punuan për zgjidhjen e çështjes proceduarale që e kishte bllokuar këtë dokument.

“Ne vetëm dëshirojmë që të lëvizim”, u tha gazetarëve zoti Ryan, republikan nga Viskonsini, dhe ka shtuar se “i mbështes sanksionet”.

Mëtutje ai theksoi se kryesuesi i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dhomës Përfaqësuese, Ed Royce, “ka indikuar se dëshiron të lëvizet shpejtë dhe ne dëshirojmë ta respektojmë këtë”.

Ky legjislacion në Senat ka kaluar bindshëm: 98 vota për dhe vetëm dy kundër, por hasi në pengesë në Dhomën Përfaqësuese këtë javë, kur ligjvënësit gjetën se me këtë dokument shkelet parimi në Kushtetutën amerikane se çfarëdo legjislacioni, me të cilin rriten të ardhurat e Qeverisë, duhet ta ketë origjinën në Dhomë.

Ndihmësit në Kongres thanë se sanksionet ose gjobitjet kundër vendeve të tjera, sikur ato në këtë legjislacion, mund të interpretohen se kanë ndikim në të ardhurat e Qeverisë amerikane.

Zoti Ryan tha se çështja procedurale duhet të zgjidhet para se Dhoma të ndërmarrë aksion për këtë legjislacion.

Republikani Kevin Brady, kryesues i Komitetit për mënyrat dhe mjejet e Dhomës Përfaqësuese, u tha gazetarëve se Senatit i ka dërguar sugjerim për ndryshim në legjislacion, i cili do ta zgjidhë problemin procedural.

Sipas tij, ndryshimi do t’i lejoj Senatit fillimin “e një procesi shumë të thjeshtë për ta tërhequr prapa legjislacionin, ta ndryshojë atë dhe pastaj ta dërgojë për procedurë të mëtejshme”.

Liderët e Komitetit të Punëve të Jashtme të Senatit thanë se ndryshimet nuk duket se e ndryshojnë në mënyrë substanciale legjislacionin dhe se ekipet e tyre po e rishqyrtojnë atë për të vendosur se si të lëvizet përpara.

Disa ligjvënës thanë se Shtëpia e Bardhë ishte e shqetësuar për dispozitën në legjislacionin e Senatit sekërkohet që presidenti, Donald Trump, të sigurojë miratim të Kongresit, para se eventualisht t’i lehtësojë çfarëdo sanksionesh kundër Rusisë.

Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, javën e kaluar, ka kërkuar nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara të siguroj se pakoja e sanksioneve i mundëson zotit Trump fleksibilitet për harmonizim të sanksioneve, nëse përmirësohet sjellja e Rusisë në Ukrainë, Siri ose hapësirat e tjera, që janë në shënjestër të sanksioneve.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Sean Spicer, tha se administrata synon të punojë me Kongrsin për disa pjesë të legjislacionit.

Por, demokratët janë shprehur kundër zbutjes së legjislacionit, me të cilin synohet ndëshkim i Moskës për dyshime lidhur me përzierje në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar dhe për agresionin e Rusisë në Ukrainë dhe armatimin e Sirisë.

“Përpjekjet e republikanëve në Dhomë për ta penguar dhe dobësuar legjislacionin dypartiak për sanksione kundër Rusisë në Senat, nuk është vetëm papërgjegjësi; kjo e rrezikon sigurinë tonë kombëtare dhe e kërcënon demokracin tonë”, tha liderja demokrate në Dhomën Përfaqësuese, Nancy Pelosi.

Zoti Ryan tha se ai nuk e din nëse Dhoma do ta dërgojë legjislacionin nëpërmjet një debati formal të korrigjimit dhe procesit të amandamentimit.

Një proces i tillë do të zgjaste disa muaj.

Dhoma Përfaqësuese ka të drejtë që ligjvënësit eventualisht ta përpilojnë një legjislacion të tyre, nëse e dëshirojnë një gjë të tillë.

Së bashku me imponimin e sanksioneve kundër Rusisë, për dyshime lidhur me përzierjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale amerikane, pastaj për ndërhyrjet në Ukrainë dhe Siri, legjislacioni i Senatit do t’i forcojë sanksionet ekzistuese kundër Rusisë, duke i shndërruar në ligj.

Ky legjislacion, po ashtu, do të impononte sanksione të detyrueshme kundër njerëzve të përfshirë në programin e raketave balistike iraniane dhe zbatimin e sanksioneve për terrorizëm kundër njësiteve të Gardës Revolucionare Islamike të Iranit.Përgatiti: Fatmir Bujupi

Filed Under: Opinion Tagged With: lëvizje më të shpejtë, për sanksionet ruse, Ryan

Maqedoni, S’ka ende aktakuza ndaj deputetëve të përfshirë në incidentin e 27 prillit

June 23, 2017 by dgreca

1 Maqedoni 27 prill 2017Ne Foto: Eskalimi i situatës në Parlamentin e Maqedonisë, 27 Prill/

 Kanë kaluar afërsisht dy muaj nga ngjarjet e dhunshme në Kuvendin e Maqedonisë, por ende nuk është njoftuar zyrtarisht të kenë nisur hetimet ndaj deputetëve që dyshohet se ishin përfshirë.Kryesisht bëhet fjalë për deputetë të VMRO DPMNE-së, së Nikolla Gruevskit, të cilët dyshohen të kenë ndihmuar protestuesit që më 27 prill, ‘pushtuan’ Kuvendin duke sulmuar fizikisht deputetët e shumicës parlamentare pas zgjedhjes së kryetarit të ri të Kuvendit, Talat Xhaferi.

Nga Prokuroria Publike nuk kanë dhënë detaje rreth nisjes eventuale të procedurave hetimore edhe pse raportet e Ministrisë së Punëve të Brendshme flasin për përfshirjen e të paktën gjashtë deputetëve të VMRO-së në trazirat në Kuvend.

Disa prej tyre, dyshohet se kanë hapur dyert e Kuvendit për protestuesit, ndërsa të tjerët i kishin udhëzuar protestuesit për tek salla e konferencave për mediat, ku ndodheshin deputetët e shumicës të cilët më pas iu nënshtruan dhunës së ashpër.

Disa deputetëve të sulmuar, iu rrezikua edhe jeta nga plagët e marra. E gjithë skena e dhunshme ishte regjistruar nga kamerat brenda Kuvendit të cilat edhe janë treguar në opinion.

Njohësit e çështjeve juridike, thonë se hezitimi i gjyqësorit për nisjen e hetimeve për këtë rast të rëndë, edhe një herë vërteton gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet drejtësia, e cila sipas tyre, ka nevojë për ndryshime rrënjësore.

“Duhet bërë një revidim rrënjësor të rregullativës ligjore, por gjithsesi se reformat më të mëdha duhet të bëhet në pjesën e sistemit të drejtësisë për të funksionuar sistemi gjyqësor i cili, siç duket, nuk është në nivel të detyrës dhe është i politizuar në nivelin më të lartë të mundshëm. Pa një sistem gjyqësor të pavarur nuk mund të ketë sundim të ligjit në vend”, thotë Nikolla Tupançevski, profesor në Fakultetin e Drejtësisë në Shkup.

Lidhur me dhunën në Kuvend, gjykatat kishin ndaluar rreth 20 persona, por vetëm nëntë prej tyre ishin dënuar, ndonëse edhe ata morën dënime me kusht, duke nxitur kështu reagime të shumta në opinion.

Në rast të mungesës së vullnetit të prokurorisë së rregullt për të hetuar rastin, nuk përjashtohet mundësia që këtu të përfshihet edhe Prokuroria Speciale, e themeluar pikërisht për shkak të politizimit të institucioneve aktuale gjyqësore.

Kjo prokurori, ndërkohë është në përfundim të hartimit të akuzave ndaj dhjetëra zyrtarëve të akuzuar për shpërdorim të detyrës. Prokurorja Speciale, Katica Janeva, tha se paditë pritet të zyrtarizohen javën e ardhshme.

“Mendoj se shumë nga hetimet që janë hapur do të përfundojnë me padi penale. Ka edhe për zyrtarë të lartë, por edhe për personalitete tjera që kanë qenë pjesë e aferës së përgjimeve nga periudha 2008-2015”, ka thënë ajo.

“Për disa nga personat e dyshuar do të ketë padi penale, për disa do të ketë ndërprerje të procedurës. Shpresoj se gjykatat do të marrin në konsideratë dëshmitë tona lidhur me paditë që do të paraqesim dhe të njëjta do të marrin edhe epilogun konkret”, ka deklaruar prokurorja speciale, Katica Janeva.Megjithatë, ajo nuk ka saktësuar emra konkret, por në mesin e tyre, besohet se do të gjenden ish-ministra të Qeverisë së Nikolla Gruevskit, përfshirë edhe vet ish kryeministrin.(RFL)

Filed Under: Politike Tagged With: 27 Prill 2017, deputetet, e incidenteve, ende pa akuza, maqedoni

KAMZA, NJË SHEMBULL AMERIKAN PËR SHQIPTARËT

June 23, 2017 by dgreca

KAMZA
 Nga Ramiz LUSHAJ/
           Kamza, kjo bashki e madhe e Qarkut të Tiranës, nga ma të mëdhatë në Shqipëri, për nga mënyrat, ritmet e hapësirat e ndërtimit e të zhvillimit të gjithanshëm dhe në rritje, më përngjason me një “Shembull Amerikan” i dallueshëm në dy shtetet e në treva etnike panshqiptare. Përndryshe: si të thuash, Kamza, është një “qytet amerikan” i vogël, si ato qytetet e reja amerikane, të shpirtit praktik amerikan, të kohënave amerikane. Në Kamëz pothuaj gjithçka është në një ndryshim të madh, po merr lartësime të reja, po sjell e përcjell integrime kulturore ndërkrahinore e ndërqytetëse, qytetërim shqiptar dhe euro-atlantik. 
Njerëzit e Kamzës, të ardhur ma së shumti nga Veriu i Shqipërisë, janë sakrificë e sfidë, janë sipërmarrës individual dhe familjarë të pazakonshëm. Pikërisht në atë thjeshtësinë e tyne ka madhështime reale. Këtë e ndjen realisht vetëm kur je pak ditë pranë tyne, kur e mëson historinë e vjetër e të re të Kamzës. Duket kjo: në ndërtimin e shtëpive të tyre private deri dhe vila të bukura e kulla të larta, për të cilat vet e bajnë projektin, vet i hapin themelet, vet ua lartojnë katet. Me duart e mendjet e tyre, me dijet e kursimet e tyre. Si në qytetet e reja në Amerikë.  Një shembullim amerikan i Kamzës. Natyrisht ka edhe ndërtime pa leje, pasi shteti ynë, jo vetëm në Kamëz, nuk iu paraprini në kohën e duhur me plan urban rregullues. Kamza ka dhe diçka ma tepër e ma keq: iu banë shpesh herë pengesa me gjoks e stërkambça politik. Ndaj, ende edhe në ditë të sodit, ndeshet filozofia njerëzore e ish-kryeministrit demokrat Berisha për legalizim e pastaj urbanizim me filozofinë e sotme dëmtuese ndaj njerëzve nga kryeministri socialist në ikje, Rama, për të krye urbanizim e pastaj legalizim. Qendra e Kamzës, si kino-teatri i madh, bashkia, komisariti i policisë nr. 5, godina ku tani është përkohor Shtabi Elektoral i PD për Fushatën e 25 qershorit 2017, etj. janë godina të qelqta, të cilat të ngjasojnë sikur të ishe në ndonjë qytet amerikan. Kamza ia ka mbrri një rekordi të ri: të jetë e pesta bashki në Shqipëri për nga numri i banesave.
Kamza trupohet likpërmjet nga një rrugë (ndër)kombëtare, si në disa qytete amerikane. Aty qarkullojnë vargavijë mijëra makina e autobuza. Drejt “Udhës së Kombit” deri në Kukës e Kosovë. Drejt Shkodrës e Malësisë së Madhe në Mal të Zi (Ulqin, Podgoricë, Tivar, Plavë-Guci). Drejt Dibrës dhe rrjedhës së Drinit e Vardarit deri në Shkup (Maqedoni). Nga qendra e Kamzës drejt Tiranës janë autobuzat e shpeshtë urban ndërqytetës të kompanisë “Shpresa-Al”. Edhe brenda Bashkisë të madhe të Kamzës kam pá të lëvizin autobuza të vegjël të linjave të brendshme, tashma në rrugë të asfaltuara. E, për ma tepër e ma mirë, po punohet që qyteti i Kamzës përgjatë rrugës ndërkombëtare e në tanësi të qendrave të banuara të saj të jetë e planimetruar në të ardhmen e afërt e të largët si një kuti shahu me rrugët e saj. Kamza, gjithkund, në hapësirat e saj administrative, ka plot gjallëri në udhët e veta, ndër njerëzit e saj, nga lëvizjet e njerëzve të saj. Ndaj, edhe për këto, urbanizime në ardhmëri, popullsi në rritje, me gjallërinë e njerëzve e të makinave, them se Kamza më përngjan sikur të ishte një qytet amerikan. Kamza – si bashki e madhe (sëbashku me Paskuqanin, etj.) po shkon në rreth 200 mijë banorë, tue shenue një rekord të ri: e gjashta bashki në Shqipëri për nga popullsia e saj.
Kamza, jo vetëm përngjan me shembëllim amerikan në historinë e saj të re, por bashkia e drejtuesit e saj, njerëzit e saj, duan të jenë edhe vet një shembull i lidhjeve të shumanshme me Amerikën, i mirënjohjeve ndaj Amerikës– aleati ynë strategjik e miku i madh i Shqiptarëve. Vet Kamza, për nga madhësia gjeofizike-administrative e saj, është pak ma i vogël se Manhatani i hartës amerikane të Nju Jorkut dhe një nga kryeqendrat e botës së sotme globale. Qyshce shekullin e kaluar, në vitet 1922-1933, ishte në Kodër Kamëz një shkollë amerikane-shqiptare: Instituti i njohur “Kyrias” (i Kristo Dako, Sevasti Qiriazi-Dako, Parashqevi Qiriazi) po ka sot, në shekullin tonë të ri dhe një shkollë 9-vjeçare “Hillary Clinton”. Kaherit, në Kamëz, në Valiasin e minatorëve e të demokracisë, është një rrugë me emrin e “Woodrou Wilson”– presidentit të 28-të të SHBA (1913-1921)– mik e mbrojtës i madh i Shqipërisë. Në Bashkinë e Kamzës  gjendet një tjetër rrugë me emrin e mikut të madh të shqiptarëve, Xhorxh W. Bush, që dha kontribute për antarësimin e Shqipërisë në NATO dhe për Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. E majta shqiptare, e frymëzuar në ide e veprimtarim nga lidershipi i PS e kryeministri socialist në ikje- Edi Rama, dhe disa rryma antishqiptarie, e sulmuan Kamzën e drejtues të saj jo vetëm mediatikisht kur Kamza– e para dhe e vetmja- ia dhanë titullin e lartë “Qytetar Nderi” i Kamzës Presidentit të 45-të të Amerikës, presidentit të sotëm, Donald Trump, si dhe një bulevard në qytetin e ri të Kamzës e pagëzuan me emrin “Donald Trump”.
Kamza ka gjithato shembullime amerikane. Po, në këtë Elektoriadë të Qershorit 2017, edhe kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë, kryesuesi i Listës së PD për Kamëz e Paskuqan, juristi, veprimtari shoqëror e politik, biznesmeni dinjitar Flamur Lutfi Hoxha është senator i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike në Tiranë, një anglo-sakson me shpirt e ndër brezni, që në vjeshtën e vonë, nëntor 2017, do të jenë me  diplomatë e akademikë të kësaj qendre në një vizitë në Amerikë, në takime e biseda me senatorë e kongresmenë amerikanë, etj. Në këto zgjedhje, më 25 qershor 2017, deputeti i ri Flamur Lutfi Hoxha do të shënojnë fitoren ma të madhe ndër demokratët e Listës së PD, pasi Bashkia e Kamzës ka 93 mijë votues, nga të cilët mbi 60 mijë janë në Kamëz e mbi 32 mijë në Paskuqan, të cilët në historinë e re të Demokracisë kanë votuar masivisht e maksimalisht për Partinë Demokratike. Kjo fitore e thellë për PD vjen dhe nga fakti se kryeministri socialist Edi Rama në katër vite të drejtimit të tij politik e ekzekutiv, nga 123 projekte të paraqitura nga Bashkia Kamëz nuk e ka miratue asnja prej tyne për ndërtimin e zhvillimin e Kamzës së re, e cila tashma mbahet ma së forti me fondet e saj lokale, pa fonde e investime nga Qeveria e Tiranës, ndonëse ndodhet pak kilometra larg selisë së saj. Përkundrazi, Qeveria sociliste e Ramës ka përdorë mijëra masa të dhunës policiore, gjoba e padi ligjore ekstreme deri në arrestime e burgosje ndaj njerëzve të Kamzës, ka krye heqje masive nga lista e ndihmës ekonomike për njerëzit në nevojë, ka praktikuar pengesa të gjithfarëshme për legalizimet, etj. Tashti, Kamza, nga një qendër fshatare, nga një ndërmarrje bujqësore nga një qendër e madhe e prodhimeve bujqësore e blegtorale për kryeqytetin e Tiranës,  është një nga bashkitë ma të mëdha të Shqipërisë. Kamza është e re, ka moshën tre dekadore të Demokracisë, ka frymë nga vlerat e larta të Demokracisë, ka shpirtin praktik amerikan në ndryshimet e zhvillimet e saj, ka dashurinë e madhe për Amerikën, për “planetin” Amerikë, për këtë Tempull të Demokracisë. Kamza, në ecjen, ndryshimet e zhvillimet e saj përditnore e në shumanshmëri është një shembull amerikan në tokën shqiptare, për shqiptarët.

Filed Under: Analiza Tagged With: Kamza, NJË SHEMBULL AMERIKAN, per shqiptaret, Ramiz Lushaj

NDERIM PËR BINDJET E TË TJERËVE

June 22, 2017 by dgreca

Shkruan:Fritz RADOVANI/Australi/

Anton_Harapi

ÁT  ANTON  HARAPI  O.F.M.1944/

At Anton HARAPI para gjyqit komunist: “MOS HARRONI JU, QË UNË JAM SHQIPTAR !”

 “ÁT ANTON HARAPI O.F.M.

ASHT MENDJE DIALEKTIKE,

QI SHKRUEN KRYARTIKUJ ,

NDËR TË CILLTË DISA JANË KRYEVEPRA.

DIJA E THELL, ARSYETIMI I LIDHUN, ANALIZIMI I HOLL, STILI I PESHUEM, DALLOJNË GJITHË SHKRIMET E TIJA.

MUND TË JETË I THATË, I FTOFTË,POR  AI ASHT I DREJT’ E I PAFAJSHËM.”

 Don Kolec PRENNUSHI

(Hylli i Dritës, 1936, fq. 583.Shkoder)
NDERIM  PËR  BINDJET  E  TË  TJERËVE

 Më falni për guximin: Due të përballoj çeshtjen ma delikate në jetën Shqiptare.

Kush e kishte zanë besë?.. Antagonizmi fetar qiti kryet dhe mizorisht u fut edhe ndër ateistët e ditës. Egërsitë e bame në Jug, midis djelmënisë shqiptare, vetëm pse muhamedanë e kristianë, janë fakte që nuk lanë me luejtë, por janë prova të tmerrshme për jetën tonë fetare, shoqnore e kombtare.

Përsa di unë deri më sot, kjo çeshtje kurrë nuk kjé përballue kjartë e mirë, sa herë kjé kallë, menjëherë edhe kjé mbulue si gaca nën hi. T’i mbetët hatri kujt të duejë, unë due me e thanë mendimin tem haptas; marrë në shumicë, muhamedani shqiptar asht fanatik, ortodoksi fanatik, katoliku fanatik, e këta jo për besim, se sa për inat e për parti. Ndër çastët ma të vështirë të jetës sonë kombtare, njëmend se shpëtuem format e bashkimit shoqnor e të qetësisë ndër elementa, porse në fund të punës mbeti një tharm, një fond rryme e partie, sa me të trembë e demoralizue.

Tue prekë me dorë plagën, vjen pyetja: A do të mund të rrojnë në qetësi tre elementat fetarë ndër né? Ateistët me të gjithë skeptikët, indiferentët, natyralistët, aventurierët e oportunistët, thonë se jo: Né shqiptarët nuk mund të rrojmë të qetë, as nuk mund të formojmë shtet, për pa i zhdukë të gjitha besimet, pse besimi i shqiptarit asht shqiptarizma!

Këta shpresoj t’i përballoj njëherë tjetër, këtyne tash po u thom vetëm se Shqipnia nuk asht vend i pa Zot; e se shqiptarët as nuk janë, as nuk duhet të jenë të patënzonë.

Fjalën këte herë e kam me besimtarët e tre elementave.

Pa kontenstim né jemi një komb, një shtet e një popull me një shpirt, me një gjuhë e me një histori, e po të ishim edhe të një besimi, patëm me kenë edhe ma të bashkuem, ma homogjen, dhe as nuk patëm me bjerrë mund e kohë për t’u kuptue ndër shumë punë. Por fakti asht ky, se né jemi pra muslimanë, ortodoksë e katolikë, e si të tillë duem të rrojmë në një harmoni vllaznore. Unë thom se për këte punë nuk asht nevoja me shue besimet, pse po të duem, mund të rrojmë vllaznisht, sikurse kemi shembullin ndër sa shtete të tjera të qytetnueme.

Pra, tezën time e vé kësodore: Shqiptarët, po të jenë vërtetë të qytetnuem e nacionalistë të sinqertë, besues edhe përnjëmend në një Zot të vërtetë, nuk ka se si të mos rrojnë vllazënisht shoq me shoq; përkundrazi, derisa të mos kenë kulturën njerzore në shpirt, ndërgjegjen kolektive kombtare, e derisa t’u mungojë kultura fetare, ata kanë me kenë të damë e të pëçamë, jo pse janë tri besimesh, por pse nuk kanë bazat e jetës shoqnore, kombtare e fetare.

PENGIMI I MADH: FANATIZMI

 Pengim i madh për jetën shoqnore, pra, për qetësinë e vllaznimit tonë, asht fanatizmi, i cili asht një turp për personin, turp për besimin të cilit i përket personi e turp për jetën shqiptare. Besimi që mbahet për pasion, pra me fanatizëm, nuk asht besim i arsyeshëm, as faktor i jetës; ai nuk nalton por poshtnon, e ma tepër rrënon se sa trajton.

Besimi në një Zot të vërtetë, Ati i të gjithë njerëzve, nuk do ta shtojë antagonizmin, por do ta pakësojë; besimi do ta zbusë njeriun për ndjesi e jo ta egërsojë, do t’i rregullojë prirjet e instiktit, ndër të cilat asht egoizmi, që don të justifikohet me shkakun e besimit.

Këtu asht nevoja ta dalloj njeriun fanatik nga njeriu me karakter: Të dy ngulin kambë për një bindje të vetën, të dy tregojnë fuqinë e vullnesës deri në kulm, por me këte ndryshim, se njeriu me karakter ngul kambë për një parim të arsyeshëm, ndësa fanatiku don t’i rrijë asaj së vetës arsye e pa arsye: Njeriu me karakter tregon një zotësi morale, ndërsa fanatiku dëshmon një dobësi personale, pse ai, edhe po ta shohë të paarsyeshme atë të vetën, nuk asht i zoti ta mundë pasionin dhe egoizmin; brutalisht mund të jetë i fortë, por njerëzisht asht i ligësht, karakteri moral ka caqet e arsyes, fanatizmi nuk ka cak, ai të verbon, të shtyn deri në vés e në egërsi. Fanatizmi asht antinjerëzor, prandej edhe antifetar e antishoqnor.

Pra, për të rrojtë vllaznisht nuk asht nevoja të hjekim besimin, por kusht i parë asht të hjekim fanatizmin në besim.

Shqiptari mund të zbutet tue marrë kulturën vërtet njerëzore, kulturën e shpirtit, domethanë nuk mjafton të ketë sjelljen e mirë, paraqitjen e njerzishme, format e përshtatshme , mënyrët e hijshme, e në shpirt të rrijë i egër, por duhet të jetë edhe përnjëmend në veté, ashtu si mbahet e duket përjashta, atëherë ka me u ba i zoti të rrojë në harmoni me vllaznit e vet shqiptarë të çdo kondicioni shoqnor edhe të çdo besimi.

Ngjitas me kulturën njerzore, shqiptari do të marrë kulturën fetare. Kaloi koha që ta mbajmë besimin pse na e kanë lanë të parët, pse ashtu e kemi gjetë, pse besojnë të tjerët, ase për një çdo tjetër arsye të jashtme sot duhet të dijmë çka të besojmë dhe pse të besojmë lypet ta justifikojmë; nëmose para vetés, besimin tonë. Por nuk mjafton kaq: Besimin nuk do ta mbajmë as për etiketë, as për një gja vetëm teorike; besimi duhet të jetë faktor i jetës; parimet e besimit duhet të përftojnë në bindje të plotë, ndjesi të gjalla, lëvizje, shprehje, fjalë e punë, drejtue në një sistem jete. Kjo domethanë kulturë fetare.

TË  RROJMË  SHOQNISHT  E  VLLAZNISHT

  Jo se kërkohet prej shqiptarëve kristjanë e muslimanë të jenë të gjithë Shenjtën e Peigamberë, por po deshëm të jemi komb e shtet, lypet me doemos të jemi në atë shkallë kulture njerëzore e fetare, sa mjafton të rrojmë shoqnisht e vllaznisht.

Pa kulturën njerëzore, nuk jemi pjekun të rrojmë si njerëz e si shokë; pa kulturën fetare, besimi nuk na formon për jetë, por ma tepër na pengon.

Kam pa muslimanë dhe kristjanë që me vetmohim mbërrijnë deri në heroizëm për të mbajtë ramazanin e kreshmët, por prejse nuk e kanë kulturën fetare, ata me atë vepër, sado heroike, nuk shfaqin një madhni shpirtnore të cilën nuk e kanë, pse qëndresa e tyne, të shumtën e herës, bazohet, thjesht, në një zakon, në një traditë, në një moskuptim të jetës fetare që e zhvleftëson motivacionin edhe veprën e tyne.

Një kusht tjetër që rrjedh prej kulturës së shpirtit, asht nderimi për bindjet e të tjerëve. Po t’ia bajmë dignozën shpirtit të shqiptarit në skajin ma të fundshëm, kemi për të gjetë këte fenomen të çuditshëm: Kush nuk mendon si unë, thotë, ai asht kundërshtari im. Ky paravendim antishoqnor shfaqet jo vetëm në lamën fetare, politike e shoqnore, por edhe deri në lamën ditunore.

Më ka ra rasti për vjetë e vjetë të marr pjesë ndër shoqni, mbledhje, nisma e shkoqitje çeshtjesh ndër shqiptarë, edhe do të thom se, me pak ndryshime e me forma ku ma shumë e ku ma pak egoiste, si ndër njerëz me shkollë, kam gjetë e prekë me dorë se mjaft me tregue kush një mendim a parim të kundërt apo edhe të ndryshëm, për me u shikue shtrembët e me u ba shenjë antagonizmi e luftimi.

Shkakun e këtij fenomeni të paarsyeshëm prap e gjejmë në gabimin trashanik, pse shqiptari edhe po të mbahet se ka kulturë, kujton se me ndjekë arsyen e një tjetri, asht dobsi. Historia e djeshme e trysnia e sotshme na e vërtetojnë këte përbindësh të individualizmit egoistik.

Për të rrojtë vllaznisht nuk lypet të mendojmë të gjithë me një kokë, as nuk kërkohet të kemi të njejtat parime ase të jemi të pagabueshëm, por medoemos duhet t’ua njohim të tjerëve të drejtën e arsyetimit e të bindjes, por në atë mënyrë si kërkojmë që të tjerët të respektojnë mendimet tona. Do ta dijmë se secili njeri, edhe pa dashtë, mund të ndjekë një rrugë a një parim të gabuem, prandej, sikurse nuk duem  të na përbuzë kush né edhe po t’ jemi gabim, ashtu as né mos të përbuzim askënd. Themeli i shoqnimit, prandej, edhe i harmonisë shoqnore midis shqiptarëve, qofshim edhe besimesh së ndryshme, asht në mbajtjen e sinqertë të parimit: Mos i ban kujt, shka nuk don me ta ba kush ty; banu të tjerëve si kërkon me ta ba ata ty. As në këte pikë besimet nuk pengojnë, por e kanë detyrë të ndihmojnë.  

SHKAQET  E  DASISË

Mbasi vumë kushtet pa të cilat nuk ka si mbahet jeta shoqnore e fetare, vijmë ndër parime: E parimisht secili besim ka dogmat e veta, por dogmat nuk ndrrojnë, prandej, sikurse besimet janë të papërshkueshme me njeni-tjetrin për shkak të dogmave, ashtu besimtarët, në themel të dogmave, nuk kanë si afrohen e puqen njeni me tjetrin.

E ja se dasia asht e detyrueshme, shqetësimi i domosdoshëm. Nuk ka si shkohet jeta vllaznisht! Kështu arësyetojnë ata që besimet i kanë ferrë në sy!

Problemi vërtetë asht i vështirë, por  zhvillimin e vet e gjen të plotë ndër tri parimet që janë: 1. Intoleranca dogmatike, 2. Toleranca shoqnore-qytetare, 3. Toleranca shoqnore-politike.

Nuk e kemi shqip fjalën tolerancë, por i afrohet kuptimit me bartë, me durue, si bie fjala na durojmë e bartim (kemi tolerancë) kur na fyejnë fëmijtë, i dejuni, i marri, i gabuemi, por nuk barim, as nuk durojmë kurrsesi (jemi intolerantë) kur ndokush me të mendueme na merr nderin.

Parimisht lypet ta kemi e ta mbajmë intolerancën teorike-dogmatike, due me thanë që në punë të besimit secili ta mbajë bindjen për atë dogmë që ndërgjegja ia urdhnon për të drejtë, as mos të durojë t’i thotë tash zi e tash bardhë një parimi, të cilin e ka për ideal të parë.

Intolerancë! Fjalë e fortë, fjalë që nuk baret as nuk durohet, pse nuk ban as nuk duron as sa të zitë e thoit. Fjalë që me të parën përshtypje tregon fanatizëm, mentalitet të ngushtë, regres, mosafrim me kurrnjë mënyrë. Por edhe fjalë e sinqertë e arsyeshme, e drejtë: E vetmja fjalë e mënyrë për me zhvillue problemin shoqnor-fetar.

Ja edhe arsyeja e thanies sime: Një besimtar, i cili lavdohet se besimi i tij asht i vërtetë, po nuk desh me mohue veten edhe besimin e vet kundrejt një çfardo kredoje tjetër, do të përgjegjet me një “jo” kategorike të preme.

Indiferenti fetar, prejse ai vetë nuk mban kurrnjë besim përnjimend, thotë se besimet janë njënjë të vërtetë, si t’ ishin besimet etiketa e kostume të ndryshme, të cilat vlejnë njënjë për të plotësue një nevojë të jetës. Po kjé si njëna dogëm tjetra, edhe pse të kundërta, atëherë asht njënjë si e vërteta si e kundërta, atëherë Zoti asht “hartuesi” i gabimit, i rrênës, dhe i përçamjes.

Duen me thanë se kjo intolerancë dogmatike nuk baret, nuk durohet në një shtet, në një popull, pse asht tepër refraktare, e ngushtë e fanatke.

Lëne, e për njëherë ashtu po e zamë, edhe po i vemë për bazë të kundërtën, due me thanë tolerancën dogmatike. Në këte themel, bie fjala, Krishti kjé a s’ kjé Zot, Muhamedi kjé a s’ kjé Profeti i Zotit, në këte rast për mue do t’ ishte një për një; unë bart e toleroj të thohet në daç kështu, në daç ashtu: Si Krishti e Muhameti të kenë pasë punë me Zotin, si të kenë punë me djallin, si të kenë kenë hipokritë e mashtrues, si të kenë kenë të ndershëm e të drejtë.

Kush nuk e sheh këte dobësi mendore a morale? Njeriu, të cilit i vjen era njeri, mosbindjen kurrë nuk e tregon për bindje dhe atë për çka asht i bindun se asht gabim, kurrë nuk e pranon për të vërtetë. Kjo nuk asht vetëm një detyrë e fetarit, por një detyrë e secilit njeri të ndershëm e të arsyeshëm.

Në emën të së vërtetës, pra, e për hir të sinqeritetit: Luftë çdo gabimi, kudo që t’a gjejmë, edhe ndër kërkime shkencore, edhe ndër interpretimet e dogmave.

Për këte intranzigjencë ideale, shpirtnore, teorike jemi të paditun na besimtarët, sidomos na katolikët, ndësa këte intolerancë e gjejmë edhe ndër njerzit e ditunisë, të artit e politikës, për shka u përket parimeve të tyne. Këta, e dijmë të gjithë, se as sa çon miza në krah nuk lëshojnë në sistemin e vet porsi bazë.

Këte po e thomi në lamën parimore e ideale, pse mandej tjetër gja asht praktika si për shkencëtarë, e si për besimtarë.

NJË  FORMË  E  INTOLERANCËS:  POLEMIKA

 Në formën e intolerancës asht polemika, e cila po kjé serioze, ditunore, e paanshme, e bashme ndër sfera të nalta, vërtetë ndrit, nalton e trajton. Rrallë më ka ra me pa ndër shqiptarë polemikë pa pasion. Me nivel kulture njerzore e fetare që kemi, thom se polemika nuk asht për né. Edhe po patëm arsye e të drejtë në çeshtje,  kurrë nuk kemi arsye e të drejtë të kapërcejmë caqet e njerëzisë, të shajmë shoqi-shoqin, të përdorim rrênën, të falsifikojmë historinë, të shtijmë në punë motive të ulta, të polemizojmë me pasion.

Tjetër mandej asht toleranca shoqnore, qytetare, praktike. Nëpër këte parim, na dallojmë kjartë se tjetër asht gabimi e tjetër gabuesi, tjetër asht përsoni e tjetër asht vepra: Personin e falim, veprën e gabueme e dënojmë; këté e mënijmë; atë e bartim, këté nuk e durojmë. Ky asht parim bazë që na shoqnon: Me kurrnjë gabim as kompromis as shoqni, por me të gjithë atdhetarët edhe të jenë të gabuem, afrim, dashni, vllaznim.

Natyra na mëson këte parim: Ajo me gjithë ndryshime e kontraste, e patrandshme  mban një harmoni të çuditshme; jeta njerzore na imponon: Si, bie fjala, ndër né të marrunit me ndoré, besa, mikpritja, kjé se shumë herë e mbrojmë si fajtorin si të pafajin.

Këte shoqni që na mëson natyra, na imponon jeta; po njëkëte na urdhnon besimi, cilido të jetë. Shpirti i shqiptarit, me gjithë besimet e ndryshme, e ndien fuqishëm se një i njëjti Zot i vërtetë asht Zoti i muhamedanëve, Zoti i ortodoksëve e Zoti i katolikëve. Në saje të një Zoti, Babë i mirë, i drejtë për të gjithë, na jemi vllazën, pse jemi të gjithë bijtë e një Zoti që na ka falë. Pra, Zoti i të gjithë néve, e na të gjithë të Zotit. Në themel të këtij imperativi na jemi një. Ja, pra, se kurrgja nuk vllaznon ma fort se Zoti.

Zoti asht visari i përbashkët i të gjithë Shqiptarëve pa ndryshim.

Në themel të këtij parimi rrjedh toleranca fetare, e cila mbështetet në kuptimin e kjartë: Muhamedani i biri i Zotit, kristjani i biri i Zotit, pra, vllazën; mbështetet ndër ndjesi të sinqerta : Porsi vllai për vllain të ndjejmë njeni për tjetrin; mbështetet në nderimin reciprok për bindjet fetare të shoqi-shoqit: Për kurrnjë arsye nuk kemi të drejtë të përbuzim kënd; porsi me të drejtë kërkojmë të na kuptojnë, ashtu kemi detyrë t’i kuptojmë të tjerët. Kjo tolerancë fetare kështu e naltueme deri në fisniki, sa asht e bukur, aq asht e vështirë. Kush e ushtron këte asht me të vërtetë i madh. Toleranca qytetare – shoqnore e gjenë plotësimin e zbatimin e vet në tolerancën shtetnore-politike. Statuti themeltar i njeh e i respekton njëpërnjë të tria besimet në Shqipni; shteti njëmend asht afetar, d.m.th. asnjanës, por jo antifetar, as ateist, as indiferent; shteti shqiptar e njeh Zotin, por nuk anon për kurrnjë besim ma fort se për tjetrin; hartuesit e Statutit u shtynë deri në ma të naltën shkallë të lirisë e të të drejtave të besimit: Ata pranuen tri besimet në themel të barazimit të plotë; para shtetit e zyrtarëve të tij nuk ka as ndryshim, as pengim ndër të drejta të kurrnjë elementi; të gjitha ligjët, masat, vendimet dhe mënyrat zyrtare synojnë aty: Të forcohet e të sigurohet sa ma mirë qetësia fetare në Shqipni. E tanë puna mbetët ndër zyrtarët, sa ata punojnë apo jo me shpirtin e këtij parimi e me drejtësi.

Pra, për me mbajtë qetësinë midis elementave fetarë: 1. Duhet të kemi për bazë të vërtetën kundrejt parimeve. E vërteta nuk lot: Intoleranca teorike-dogmatike; 2. Duhet të kemi dashninë e sinqertë midis përsonave: Toleranca shoqnore-qytetare; 3. Duhet të mbahët drejtësia me ndërgjegje ndër ligjë e ndër zyrtarë: Toleranca shtetnore-politike.

Arsyeja e këtyne udhëzimeve asht kjo: Na duhet të rrojmë së bashku, jo si përdhuni, por me vetëdashje; këte punë do të na e thotë mendja, do ta duejë vullnesa, do ta ndjejë shpirti; mendjes do t’i flasë e vërteta, vullnesën do ta vendosë e drejta, ndjesitë do t’i shtyjë dashunia. Toleranca qytetare asht një virtyt, për ushtrimin e të cilit krejt njeriu, ndër të gjitha fuqitë kryesore do të jetë i prekun e i tërhjekun. E tanë puna asht këtu: Me dijtë me kenë të zotët ta bartim shqiptarin, jo si të huej, por si vlla.

Kështu, pra, nuk janë besimet ato që e shqetësojnë jetë vllaznore në Shqipni, por gabimet, pasionet e padrejtësia e besimtarëve shqiptarë janë ato që krijojnë çeshtjen fetare në vendin tonë.

PENGESA  QË  DUHEN  KAPËRCYE

 E mjaft me teori. Kush don, ja ka marrë vesh me kaq, ja nuk ka me marrë vesh kurrë. Tash të vijmë tek praktika. E praktika asht kjo: Me muhamedanët nuk bahet, ortodoksët janë grekomanë, katolikët janë italofilë. Kështu që nuk mbetet kush shqiptar, as nuk mbetet kund shpresë për Shqipni; kështu nuk bajnë për Shqipni as Ismail Qemali as Bajram Curri pse janë muhamedanë, as Gërmenji as Negovani pse janë ortodoksë, as Gurakuqi as Ded Gjo’Luli, pse janë katolikë; kështu kemi ardhë ndër përfundime qesharake e do të vemi ndër konsekuenca rrënimtare!

Për të rrojtë vllaznisht na shqiptarët do t’i mbajmë, thamë, disa kushte, do t’i vendojmë disa parime, por edhe do t’i hjekim disa pengesa.

  1. Pengesa e parë, për shërimin e kësaj plage të kobshme që e shqetëson jetën ndër shqiptarët, asht gabimi i madh i disa udhëheqësve të cilët duen ta mbulojnë edhe ta mohojnë plagën, e cila, mjerisht, ekziston dhe do të shkojë në gangrenë po nuk u shërue me dorën e një kirurgu të aftë e të ndërgjegjshëm. Çka asht gabim e kalbësinë, fanatizëm e pus, ves e dobësi, lè të qitet në shesh, lè të thohet kjartë, pa ia shikue hatrin askujt. Pse ta mohojmë? Një pjesë e mirë, muhamedanë a kristjanë, ortodoksë e katolikë nuk shikohen me sy të mirë; një antagonizëm shoqnor qendron në mes tyne; ata nuk kanë mbërrijtë endè t’i rregullojnë relatat fetare, shoqnore e civile që do të kenë.

Duhet ta pohojmë botnisht, se për mungesë kulture jemi këtu. Ky do të jetë hapi i parë i përmirësimit: Ta njohim e ta ndiejmë sa duhet këte plagë shqiptare.

  1. Me e shikue hollë, aty ku duket se ndeshen muhamedanë e kristjanë, nuk hyjnë në lojë parimet dogmatike; ato populli nuk i din, as nuk i merr aq në kujdes; sigurisht as për hatër të Krishtit, as për hatër të Muhamedit sot nuk ban kush parti as nuk ngre ngatërresa.

Shkaku i parë do të kërkohet ndër faktorë historikë, ndër tradicione mënie midis elementave; na trashiguem ekzaltime, përbuzje, paragjykime e zemërime kundrejt shoqi-shoqit; me këta lindim, me këta rritemi, me këta edhe vdesim. Vetëm koha e kultura mund të na çrranjosë. Do të kalojë edhe ndonjë brezni që muhamedani ta harrojë tradicionin e të parëve, ta zhdukë krejt idenë “kaurr”, ashtu për një predispozicion të bamë petk, si kristjani i sotëm edhe i nesërmi kenë e pa kenë për çdo punë që nuk i bie për shtat, ka me kujtue e me u ankue: Po më bahet e padrejtë pse jam ortodoks, pse jam katolik. Me atë masë që të marrim kulturën e shpirtit e të hjekim shkaqet e pretekstet, po me atë masë kanë me u dyndë edhe këto rê të helmueme.

 FAKTORI  PSIKOLOGJIK

 Edhe faktori psikologjik ka të bajë shumë me këte dasi shpirtënsh. Shqiptari si tip asht madhështor. Ai ndien për vete edhe përtej se duhet. Mirëpo kjo veti instiktive që kohët e kalueme ndihmoi shumë për me shpëtue shpirtin, gjuhën, zakonet e traditat tona, nëse kjé fat i madh asohere, sot, për jetën tonë kombtare mund të bahet rrezik i parë. Kam pa e shoh përditë shqiptarë edhe me kulturë, të cilët nuk janë të zotët të çveshen prej vetës së vet, ata e dijnë fare mirë çka do me thanë jetë e përbashkët e jetë individuale, i kuptojnë kjartë kontrastet e sakrificat që lypen për me u kapë me jetën e vërtetë shoqnore, megjithëkëte, hir e pa hir, duen të bajnë të vetën; duen vetëm ata me kenë të mendshëm, ata gjela që këndojnë. E po gjetën injorantë, trashamanë, hipokritë, servilë, fanatikë, po edhe njerëz në të mbarë e pa të keq, more t’i shfrytëzojnë pa dhimbje, pa shpirt, edhe ngrehen kapadainj, udhëheqës, pionjerë a shka po di unë. E ja klanet, partitë prej nga rrjedhin dasitë e kontrastet shoqnore: Hallet shqiptare. Këta njerëz të besueshëm, mandej, si ta kenë ba një grimë pozicion me taktikë vërtetë djallëzore, sa herë t’u nevojitet, mjaft ta prekin apo sa ta çekin sustën e besimit, se janë gati një turmë për t’i ndjekë; e ja, se me njëherë qiti krye çeshtja e besimit ndër shqiptarë me mëni, me shpifje, me dasi, grindje e luftime.

Ku asht faji? Sigurisht nuk asht zelli i besimit, por asht zekthi i egoizmit. Unë, së mbrami, nuk i ve faj fare muhamedanit apo kristjanit pse asht fanatik; ai nëmose asht i sinqertë; fajin e parë pse shqiptari ka mbetë fanatik e ka hoxha, prifti a popi, këtyne – po nuk patën vetë aq kulturë njerzore edhe fetare, sa me u dalë për vete e me ua dhanë të tjerëve – u do hjekë e drejta të mësojnë. Por fajin pse fetari e ushtron fanatizmin e ka ai liberali universitar, i cili, që me sa macja e qeni, nuk e beson as Krishtin as Muhamedin, por formon klane për Dinin si për Fenë e Krishtit, jo pse i intereson Dini a Feja, por pse me atë formë – gjen kush e ndjek për me kenë ai në krye. Derisa të mos zbulohen e të mos qiten sheshit këta njerëz të rrezikshëm nuk ka qetësi në Shqipni!

 INTELEKTUALË  TË  KACAGJELUEM

 Prapë fjalën e kam me gjysmakët, intelektualët e kacagjeluem; Çeshtja e besimit ndër né nuk studjohet si duhet e sa duhet. Me një lehtësi të pandërgjegjëshme i bihet nëpër té, merret nëpër kambë, shahët e poshtnohet njeni a tjetri besim. Nuk do, nuk di ose nuk del kohë me e studjue thëmelisht çeshtjen e besimit, nuk ké të drejtë me folë, as me dhanë gjykim. Po fole në këte rast, ké qitë tharmin e shqetësimit, jé atentator i vllaznimit, i rrezikshëm për besimin e për shtetin; sikurse do t’ ishem unë mizor po të jepja receta baresh vetëm pse diku kam lexue diçka apo i kam pa ndër reklama fletoresh.Ambienti, dispozitat atavike të trashëgueme, shpirti refraktar, botkuptimi i ngushtë, rritja familjare mbrenda një rrethi plot paragjykime e sa shkaqe të tjera këso dore bajnë që, përgjithësisht, muhamedani shqiptar disi e ndjen veten ma afër muhamedanit, ashtu ortodoksi afron ortodoksin, katoliku katolikun; këte e sheh dhe e njeh ma shumë se të vetin, ndërsa atë tjetrin e mban si të huej. Nuk asht besimi që ia detyron këte sjellje, por asht shpirti i klanit antishoqnor i paformuem që e shtyn të rrojë me vllaznit e vet si me të huejtë. Fakti asht se jemi të formuem kështu; detyra e sejcilit asht të naltohemi mbi vetén e mbi klanin e rrethit tonë e të kapemi në jetën e vërtetë shoqnore. Mos të më thotë kush se nuk asht e vërtetë, se unë jam tue e teprue; shkoni e hyni ndër shtëpia private, ndër rrethe intelektuale e dita me ditë keni me gjetë se po në ketë mënyrë e me këto dispozita bahen mbledhje të përzemërta, sajohen klane, vendosen punë edhe me randësi, as nuk po e çoj ma gjatë për mos me e zbulue të gjithë vobeksinë e shpirtit tonë të kufizuem. Mos t’i lavdohemi shoqi – shoqit për atdhetarizëm, për kulturë e për kontribute, as mos t’ ua vejmë kandarin mungesave e dobësive të njenit e të tjetrit element, pse sejcili element ka kontributet e veta e ka edhe dobësitë ndër besimtarët e vet; mos të lavdohet kush se porsi element asht ma shqiptar se tjetri! Superioriteti i besimtarëve, edhe në lamën atdhetare – kulturore, do të tregohet me fisnikinë e ndjesive, me naltësinë e jetës, me zemër të gjanë e me zotësi për ta mundë të keqen me të mirë.

Nuk asht numri as pasunia që e ban superioritetin kulturor e kombtar, por personalitetet që me cilësitë e nalta morale e me zotësi ditunore janë ata, që bajnë pikën e gravitetit në një popull.

Derisa të jenë kush që kujton se myslimanët shqiptarë janë Shqipnia, apo se vetëm kristjanët janë nacionalistët e vërtetë, nuk kemi bashkim kombtar, nuk kemi jetë vllaznore, na jemi thikë e brisk. Historia asht histori, dhe do të mbetet histori! Jeta e Krishtit e vepra e krishtënimit, si dhe jeta e Muhamedit e vepra e muhamedanizmit janë të dokumentueme botnisht. Na shqiptarët as nuk mund t’ ua hupim, as nuk mund t’ ua shtojmë dritën, as hijet dy besimeve. Ashtu edhe historia e ortodoksisë dhe e katoliçizmit nuk ka mbetun vetëm te né shqiptarët. Prandej, historia ja mos të prekët aspak, ja nuk ka kush të drejtë t’a falsifikojë e t’a sajojë vetë, për pa shkaktue zemërime, shqetësime e polemika, që nuk ndërtojnë, por prishin e rrënojnë. Mos të rrijmë tue njehsue e tue theksue shka na dallon, por ma fort të ngrehim për shka na bashkon: Na bashkë e kemi një Zot në të cilin besojmë, kemi dhjetë urdhnimet që Ai na ka vue, kemi detyrë morale, shtetnore e kombtare të perbashkëta, kemi historinë, kemi idé, ndjesi, jetesë, zakone, kangë, festa, shpresë, shpirt, interesa, gjuhë e të tjera visare e nevojë, nëpër të cilat ne jemi një në mënyrë të pandashme. Në vend që të shikojmë në çka e ku të ndeshemi, të shikojshim e të anojshim  me kujdes në ate çka përpiqemi. Shumë puna e mirë pat me u ba, shumë qetësia pat me u gëzue!

A nuk mund të përmbahemi pa e vu në veprim atë shpirtin kundërshtar që e kemi në palcë e në lëkurë? Ta kundërshtojmë terrorizmin, imoralitetin, luksin e alkoolin, vesin, dhunën, pasuninë e padrejtë etj., e jo, të kapemi për punë feje. Të na mbushet mendja mirë, se sikurse nuk janë fajtorë myslimanët pse janë shumicë në Shqipni, ashtu nuk kanë ma pak të drejtë kristianët, vetëm pse numri i tyne asht ma i vogël.

TË HUEJT KURRË NUK E KANË DASHTË BASHKIMIN TONË

 Të huejt nuk e kanë dashtë vërtetë bashkimin e shqiptarëve; ata si njëherë përherë kanë veprue për të krijue e për të mbajtë në Shqipni një gjendje kaotike, përçamjesh e dasishë, që të dilnin në përfundim se shqiptarët nuk e kanë ndërgjegjën e përbashkët të kombësisë e të shtetit, nuk janë një popull, nuk e ndiejnë sa duhet nevojën e solidarësisë shoqnore! Me mënyra e taktika të ndryshme, për këte qellim shtinë në punë e përdorën sa herë edhe ndikimet fetare.

Vetëm bindja intime e tanë popullit shqiptar në një drejtim të vetëm, tue u naltue  mbi të gjitha brêngat e vështirësitë tona të mbrendshme, vetëm ky hap fisnik do të mund ta përballojë mjaftueshëm këte sulm e këte rrezik.

Këte kontrast jete ndër né e ushqen fort edhe heterogjeniteti i familjes shqiptare. Derisa nana vetë të rritet me një mendësi antishoqnore e t’i rrisë fëmijët vetëm për katër muret e shtëpisë, derisa familja shqiptare mos të shpirtnohet vetë tue marrë poezinë e madhninë e jetës e grueja mos të ketë formue ndërgjegjen për misionin e naltë që ka në familje dhe në shoqni, shqiptarët kurrë nuk kanë për të kenë elementa të aftë për jetën e përbashkët, jo për shkak të besimit, por pse pa pasë edukatën familjare në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, né nuk mund të jetojmë si na përket as si person, as si kolektivitet.

Besimtarë, të çdo feje të jeni, në emën të besimit tuej po ju thom: Shtërngonju, se një mision i madh u endèt përpara. Ju për detyrë e ndërgjegje e për urdhën të Atij Zot që besoni, duhet ta shpëtoni Shqipninë, tue u tregue vërtetë vllazën, jo me forma e për dukë, por me bindje e me ndjesi, me sakrifica e me jetë të shkueme në themel të përpjekjeve vërtetë vllaznore.

A e duem një Shqipni me të gjithë Shqiptarët? Të marrin fund njëherë e përgjithmonë fjalët e frazat: Muhamedanët refraktarë! Katolikët antishqiptarë! Ortodoksët grekomanë! Kemi pasë, po, mjerisht, muhamedanë, ortodoksë e katolikë të dobët, dhe kemi pasë e kemi muhamedanë, ortodoksë e katolikë vërtetë shqiptarë, të vërtetë e të mëdhej, por as muhamedani nuk ka arsye të rrijë sherbez, as kristiani nuk do të kujtojë veten të marrun nëpër kambë.

Me gjak të vét e shuguroi Lterin e Atdheut katoliku, ortodoksi e muhamedani: Gjeçovi e Gurakuqi, Çerçiz Topulli e Bajram Curri, Gërmenji e Negovani nuk kanë ndryshim, por janë një në mendim e një në vendim, në vepër e në vdekje. Ata e kryen detyrën e vet, tue e vulosun me gjak atë shka jemi: Vllazën të një gjaku!

Mirditasit e dukagjinasit, kosovari e dibrani, kurveleshasi e kolonjari,  për vjet e vjet hoqën keq me ruejtë të njëjtën gjuhë, të njëjtin shpirt, të njëjtat zakone shqiptare, ngase ata kjenë një në sakrificë e në drejtim, në saje të tyne trashëguem visarët tona kombtare.

Me gjak e ndasi jemi ngopë. Kemi provue edhe se shka asht kthetra e huej. Jemi rysë tashma me të gjitha provat e egoizmit vetjak e kolektiv të partive, dhe kemi pa e prekë me dorë se një popull i përçamë me grindje të mbrendshme asht i gjykuem me mbarue. Rreziku që na rri mbi krye të bjerrim Shqipninë, idealet e interesat që na rrijnë përpara, gjamët e shpirtit shqiptar e aspiratat e të gjithëve për gjithshka asht për të mbarë e të mirë, vlerë e nderë për popullin e kombin, për historinë trashëgim të breznive shqiptare, janë arësye e shkaqe që na imponojnë të lidhemi e të mbahemi nji ballë i çeliktë pa ndryshim besimi, partie, krahine a privilegji. Do të ishte një tradhëti e naltë për brezninë tonë që tashti këtij blloku të çimentuem t’ia ndezim bombën e dasisë me shkëndinë e përçamjeve fetare.

Prite, Zot, që populli ynë besnik e fisnik, për shkak të besimit fetar mos ta ketë ma besimin shoqnor njëni me tjetrin; në vend që të bashkohet më një, të përçahët trish; jo, mos e thantë Zoti që shqiptarët besimtarë, në vend që t’i afrojë dashunia, t’i përçajë mënia, e po njata çka duhet të na afrojë, besimi në një Zot të vërtetë, të na shtijë grindjen e armiqësinë; jo, kurrnjë mos pritshim t’ ia mërrijmë asaj ditë, kur për shkak të dasive, të shkrihemi porsi krypa në uji e të zhduket prej fytyrës së dheut  Vatra Shqiptare, mos të jehojë ma ndër kombe zani i Arbnorëve. 

TË HEQIM DORË NGA ÇDO NDRYSHK ZEMRE

Sot në këte krizë të tmerrshme besimtarëve të të tré elementave na përket, për hatër të Zotit e të Shqipnisë, të heqim çdo ndryshk zemre, t’i japim dorën shoqi – shoqit  e të vllaznohemi në Atë Zot që besojmë e në Atë Shqipni që e duem me gjithë zemër.

E po e patën detyrë besimtarët një herë, kleri shqiptar, muhamedan, ortodoks e katolik, dhjetë herë ma tepër e ka detyrë të shtërngohët doradoras, e pa vonesë të dalë në lamën e luftimit për t’ ia shpëtue shqiptarit besimin në një Zot, shpresën në një Shqipni.

A sot, a kurrë, të mobilizohemi për Fé e Atdhé!

Ja, ky asht besimi e kjo asht Shqipnia që po na zhduket ndër duer.

Bashkimi i tré klerëve në ketë drejtim e veprim asht leva ma e fuqishme për të sigurue bashkimin e shpëtimin. Nuk shpëton, jo, sot as Xhamia pa Kishën, as Kisha pa Xhaminë, por as njena as tjetra pa Shqipninë.

Të ngrihemi në kambë! Për një Zot të vërtetë për një Shqipni të lumtun, na jemi vllazën!”

Korçë, Korrik 1944.

*Marrë nga libri: “Çashtja e elementavet fetarë në Shqipni”, Tiranë, 1944, fq. 5 – 22.

**Shenim nga Fritz Radovani: Materiali i At Anton Harapit O.F.M., botue në vitin 1944, më asht      dhurue nga Prof. Ndue Zef Toma, i cili e ka redaktue, pa ndryshue asnjë fjalë nga origjinali.

      Nënvizimet janë të Autorit, simbas origjinalit, për të cilin, Ju lutëm, të mos bani ndryshime.

Melbourne, Nandor 2014.2AtAntonHarapiPSHAT ANTON HARAPI O.F.M.(Vepër e piktorit Pjerin Sheldija – bojë vaji) (5 Janar 1888 – 20 Shkurt 1946)

 ■“At Anton Harapi ka kenë antiitalian, prandej u zgodh At Antoni në dergatën e

12 prillit 1939, për me u tregue atyne qendrimin e klerit katolik.” At Justin Rrota O.F.M.

■At Anton Harapi e pranoi detyren në Rregjencën Shqiptare (1943) “me kusht: Mos me nënshkrue ASNJË DËNIM ME VDEKJE!”

■Një parashikim i saktë i Tij: “SHQIPNIJA U FITUE ME GJAK; ME GJAK , EDHE PO MBAHET E ROBNUEME. DO TË VIJ DITA E, ME PAQË E DREJTËSI DO TË FITOHET !” (Thanje e At Antonit, para gjyqit komunist në muejn shkurt 1946, Tiranë)

■At Antoni përfaqsonte për gjermanët, mendsinë e një inteletuali Perëndimor, europjano qendror, i formuem në Austrinë e para Luftës së Dytë Botnore, dhe nga ana tjetër, si meshtar katolik, paraqitej virtualisht i paprekshëm prej korrupsionit tradicional oriental e prej bizantizmit aziatik.

■Me 4 shkurt 1944 hyni tek Xhafer Deva, dhe i tha: “Mosni bre kështu, o Xhafer, edhe komunistët janë vllaznit tonë, po a bahet kështu?!” …Dhe prani pushka… “Vllaznit” nuk e harruen! Porsa e pushkatuen, Enver Hoxha njoftoi Titon: “E vrame Patër Antonin!”

■At Antoni refuzoi largimin nga Shqipnia para vitit 1944, dhe mbas, kur Cafo Beg Ulqini i propozoi të shkonte në një streh nga Mali i Zi… “Kam punue per Shqipni e ballafaqas.

Nuk pres shpërblim, por as dënimi nuk ka pse më pret! Bashkatdhetarët e dijnë se kurrë nuk i tradhëtova, me ta vuejta, për ta punova, me ta qindrova. Me ta edhe do t’ vdes!”

■“Shpirtin Zotit, trupin Tokës”… Pikrisht asaj Tokë Amtare, për të cilën u ba flij…

Edhe pse i pat të gjitha mundësitë mos me u ra në dorë komunistëve vllavrasës.

■Drejtë bregut të lumit Lana… Tiranë, 20 shkurt 1946..: Binte shi. Disa gropa ishin kthye në brraka ujë… “Frati hidhte hapat me kujdes, duke ngritur herë – herë kindët e zhgunit, për të mos iu stërpikur nga baltat… Njëni prej ekzekutuesëve e shikoi dhe i tha:

Mos ki dert, o prift, se tek balta ke për të përfunduar!..Frati vazhdoi rrugën dhe ia këthei:

“Atje tek po shkoj, due të shkoj i panjolla, ashtu siç kam kenë tanë jeten time!”…

Shkoi pranë gropës, dhe tha: “I bekoi vrasësit e i fali për aktin që do të kryejnë!”.

 

■“Ndalnju! Ku véni Burra?!”

■■“Ndalnju! Ku véni Burra?!”

■■■“MOS HARRONI JU, QË UNË JAM SHQIPTAR !”

 

 ■Melbourne, 2014.

Filed Under: Histori Tagged With: e të tjerëve, Fritz radovani, Nderim per bindjet, pater Anton Harapi

MBËSHTETJE THIRRJES SË EDI RAMËS DREJTUAR EMIGRANTËVE

June 22, 2017 by dgreca

Në një postim televiziv, të ditëve të fundit , Edi Rama krahas të tjerave, ju bëri  një  thirrje publike interesante gjithë emigrantëve të Shqipërisë  kudo që ndodhen. Në të theksohet fort që askush të  mos lodhen duke biseduar me familjarët e tyre për zgjedhjet e 25 Qershorit të këtij viti, dhe ti bindin ata të votojnë Edi Ramën dhe PS-në  edhe për një katër vjecar tjetër , për ti mundësuar kështu atij të ketë gjithë pushtetin e nevojshëm për të realizuar” Shqipërinë që duam” (vetkuptohet që do Edi Rama).

Unë si emigrant, personalisht e pranoj  dhe e mbeshtes thirrjen e  Kryeministrit tonë të nderuar, madje  mendimet e mija nuk do t’ju a dergoj vetëm familjarëve e miqve të mi të ngushtë ( sic bën thirrje Zoti Rama), por nëpërmjet këtij shkrimi  po ju a përciellë  gjithë shqiptarëve.

Kështu të nderuar  vllezër, motra, nipa e mbesa, kushërinj, miq, shokë e dashamirë, meqënëse për katër vjecarin që kaloi Edi Rama nuk ka asnjë bilanc pozitiv për  asnjë gjë, ka treguar diletantizëm  foshnjarak në drejtimin e punëve të shtetit, ka prodhuar kontradikta cdo ditë dhe atë që thotë sot e ndryshon nesër, e megjithatë  me qënëse sic thotë vetë ai: “ndiehet  krenar për gjithcka ka bërë… vecanërisht reformat për të bërë shtet”, nëse doni një qeverisje të tillë, ju ftoj të votoni prap Edi Ramën.

Me qënëse borxhin  publik e shtoi me  një milliard euro dhe është bërë rrush e kumulla për fasada, zyra, palma, kulla (e Korcës), shkatrrimet në Durrës etj, meqenëse  premtoi  taksë progresive me objekt uljen e tyre për 90 përqind të popullatës dhe në fakt e shtoi atë, premtoi 300 mijë vende pune dhe nuk hapi asnjë, madje më shumë se 100 mijë të rinj u larguan nga vendi si rezultat i papunësise dhe keq qeverisjes ,meqenëse premtoi shëndetësi falas dhe e shkatërroi edhe  atë që ishte, premtoi  ri imbulsime dhe nuk bëri asgjë, atherë për këto balance, votojeni përsëri atë që të shkoni jo në buzë të greminës por në theqafje personale e familjare.

Duke qenë se dha me  koncesione  të pa studiuara , jo transparente dhe pa produktivitet , shumë pasuri  të  mbi e nëntokës, duke krijuar një tip piramide të re po kaq të rrezikëshme sa ato të 1997-ës , duke qenë  i pa zoti tu priste rrugën vjedhjes së bankave  dhe se krijoi me dijeninë e tij një grup oligarkësh në krye të koncesioneve, votojeni përsëri Edi Ramën për shkatërrimin e mëtutjeshëm të pasurisë kombëtare.

Në se deri  në vitin 2013 nuk pati kriminelë në Parlament, bashki e struktura drejtuese të shtetit,  në  katërvjecarin e tij  Rama e mbushi plot  me të tillë. Madje bandat u lidhën ngushtë edhe me segmente të policisë në shumë veprimtari të paligjëshme (sic është rasti i shtrirjes së  kanabizimit në të gjithë Shqipërisë ) duke i vënë një njollë të madhe vendit para gjithë botës. Në se kjo ishte normale për ju  o miqt e mi, votojeni përsëri Edi Ramën që të bashkjetoni me krimin e kriminelët në një shtet bandash , jo demokratik ,jo funksional ,jo normal si gjithë vendet e tjera .

Në se Edi Rama pati frikë të bënte zgjedhje në partinë e tij të PS-së , se mendonte se do ta mundëte Ben Blushi, ju mendoni se ai nuk ka frikë nga zgjedhjet  parlamentare në shkallë vendi? Gaboheni miq. Ai nuk e pranon dot ballafaqimin, konkurencën, konceptin e humbjes në zgjedhje, sepse e mendon atë si një gjë anormale, madje deri  katastrofë personale, prandaj  shpik thirrje për “ timona “e “ tepsi”. Ai nuk mund të pranojë ballafaqim me marrveshjet e firmosura, sepse për të besa e besueshmëria janë anakronike, kurse pabesia e paqëndrueshmëri janë  instrumenta të prakticitetit. Në se doni aktorin, hokatarin, batutaxhiun, kryeministër drejtues cirku,shoumenin, brekushe madhin e sharlatanin, ju siguroj se keni bërë zgjedhjen e duhur.

Ju njerëz të masmedjas , që Kryeministri ynë i nderuar ju ka quajtur “kazani”,( në se larg qoftë nuk ka patur në mendje plehrat); ju student që humbët një vit shkollë nga një ligj arsimor antistudentor; ju ushtarakë e pensionistë që menduat se do të keni shtesë të rrogave e pensioneve  mbi përqindjen e inflacionit vjetor; ju të rinj që menduat se do të gjenit qoftë edhe një punë të rëndomtë për të ushqyer veten dhe familjen, në se doni të jetoni në ëndërr (jashtë kohës e realitetit), votoni  Edi Ramën që të kënaqeni edhe në katër vjecarin e ardhëshëm me ëndërra në diell.

Ju te tjerët që nuk do të keni “kënaqësinë” të votoni Kryeministrin tonë të nderuar, votoni  programin e Zotit Lulzim Basha dhe ecni me kembe ne toke.

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan Bushati, DREJTUAR EMIGRANTËVE, MBËSHTETJE THIRRJES SË EDI RAMËS

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 1943
  • 1944
  • 1945
  • 1946
  • 1947
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT