• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHËNOHET SHEKULLI I REVISTËS“DJALËRIA” NË VJENË

February 13, 2021 by dgreca

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Moisiu” në Austri, shënon shekullin e gazetës “Djalëria” me botim të numrit festiv të saj./

Shkruan: Hazir MEHMETI, Vjenë/

Para një shekulli Shoqëria Studentoree Shqiptarëve “Albania” në Vjenë, nxori në dritë revistën e saj “Djalëria” e cila tani mbushi një shekull. Ajo ishe vepër e figurave madhore kombëtare të kohës  JaniBasho, Xhevat Korça, Fuad Asllani, Nush Bushati, KolëMirëdia (Helenau), Raku Buda, Gjovalin Gjadri e shumë tjerë. Në rrugën e progresit kombëtar  “Djalëria” e Vjenës, ka peshën e saj historike e cila u bë strehë e mendimit shqiptar në përpjekjen për të ndihmuar nxjerrjen e kombit nga gjendja e rëndë e pushtimit pesëshekullor turk me moton e saj, S.K.S.K  ( Sa Kam Shpirt, Kam Shpresë). Ajo frymoi krahas simotrave të saja siç ishin revistat “Shqiptari” e NikollaNaços e vitit 1888 e pasuar nga revista e Faik Konicës “Albania” e vitit 1897; revista “Drita” e më vonë “Dituria” e Stambollit; revista “Dielli” në Boston, revista “Drita” e Sofjes etj.

Vjena si qendër e kulturës dhe politikës evropiane, u bë vendstrehimpër shqiptarët të cilët kishin nevojë të madhe për shkollim në universitetet austriake  të njohura në Evropë e botë. Ndjenja e miqësisë e shprehur nga vendorët ndaj kulturës e historisë shqiptare bëri që Austria të jetë një qendër e preferuar shekuj më parë për shqiptarët. Qe në vitin 1914 themeluesi i studimeve albanologjike NorberJokl bëri incizimin në pllakë gramafoni tingëllimet e fjalëve në shqip, e para gjuhë e incizuar e cila ruhet në fonotekën e Vjenës. Pak vite më vonë Shoqëria Studentore “Albania” e Vjenës mori rol me rëndësi në ecje drejtë aspiratave kombëtare. Studentët shqiptarë në Austri jetonin me hallet e Atdheut të tyre të copëtuar nga pushtuesit fqinj dhe nisur nga këto rrethana ata nga Vjenai shkruan letër në shqip dhe anglisht presidentit amerikan Z. Woodrow WILSON, të nënshkruar nga RemziBaçe, JaniBasho, H. Hifzi, Nush Bushati, Xhevat Korça, Luigj Kakarriqi, Gjovalin Gjadri, Raku Buda dhe Fuad Asllani ku i luteshin atij që ta marrë në mbrojtje Shqipërinë nga zhdukjanë Konferencën e Paqes në Paris. Kjo letër është e botuar në versionin shqip në “Djalërinë” festive. Pak rreshta nga letra: “Vërtet Konferenca e Londrës më 22 Janar 1913 njohu si shtet më vete Shqipërinë, por po thuaj se dy të tretat e vendeve që sipas drejtësisë duhej të njiheshin si Shqipëri, u lanë të vuajnë nën zgjedhën e huaj. Serbët morën gjithë Kosovën shqiptare dhe u munduan me çdo mënyrë të shuajnë në ato vende të gjithë njerëzit jo-serbë. Mali i Zi u rrit edhe dy herë më shumë se ç’qe, vetëm me shqiptarë e me toka shqiptare, ku malazezët nuk numëronin 1/1000 të vendësve”, thuhet mes të tjerash në letrën e studentëve shqiptarë nga Vjena. Nga njohësit e rrethanave të asaj kohe kjo letër u quajte “Letra e cila shpëtoi Shqipërinë”.

                 Pa dyshim revista “Djalëria” u bë tribunë e shkrimeve të botuara nga studiues shqiptarë, por edhe e të tjerëve. Pas një shekulli po shkëpusim disa thënie nga numri i parë i revistës me titull: “Me rastin e lindjes së “Djalërisë”: “Dëshira më e madhe e çdo shqiptari të vërtetë duhet të jetë lumturia e Shqipërisë. Gjithë ajo lumturi është edhe e studentëve shqiptarë. Djalëria shqiptare e sotshme nuk është në gjendjen e këndshme të asaj te kombeve të tjerë dhe nuk e ka trashëguar prej të parëve të saj bashkimin e plotë të kombit të vet, as lirinë e tërë tokave shqiptare… Zgjedha e rëndë dhe robëria e gjatë na bënë të mbetemi aq prapa, sa në ditë kritike kur ndahesh fati i kombit tonë nuk u dëftuam të zotët e kohës. Popujt e tjerë fqinjë në kondita të ngjashme, po edhe më të dobët se ne, por të ndihmuar prej fatit, na shkelën e këputën prej trupit të gjallë të kombit tonë pjesë, të cilat edhe sot i mbajnë ndër thonjtë e rëndë”.  Veçojmë shkrimet tjera: nga Kolë Mirëdita (Helenau) novela ”Burbuqet e trëndafilit”;  Xhevat Korça me shkrimin “Skënder Beu” dhe shkrimi nga redaktori i revistës, Nush Bushati, “Populli nerteorina e trajta shtetnor”.

       Numri i parë i “Djalërisë” mbyllet me  fjalimin nga JaniBasho: “Pse është karakteristike për ne, si shqiptarë, dita e themelimit të shoqërisë, se në atë duket një pjesë e psikologjisë së shqiptarit, i cili është gati kurdoherë për punë që kanë për qëllim të mirën e përgjithshme…”

       Padyshim “Djalëria” mbetet një shkëndijë në historinë e kulturës sonë. Shumë nga bashkëpunëtorët e saj aty e provuan artin e të shkruarit dhe parashtrimin e problemeve të shumta që e rëndonin shoqërinë shqiptare e cila i  vuante pasojat e një robërie të gjatë. Ky grup i studentëve shqiptarë që studionin në gjendje të vështirë ekonomike pjesërisht u përkrah nga qeveria shqiptare e drejtuar nga Ahmet Zogu dhe nga veprimtarë tjerë siç ishin Hasan Prishtina e Bajram Curri.  Në vitin 1919, kur “Albania” bënte aktivitete me rëndësi, HasanPrishtina “kishte gjetur në studime një grup shqiptarësh të rinj, të cilët kishin mbetur në gjendje të keqe nga pamundësia për t`i mbuluar shpenzimet e shkollimit. Atyre ua heq shpenzimet dhe ishte i interesuar për t`ua zgjidhur problemin e shkollimit në tërësi”. Shekulli i “Djalërisë” së Shoqërisë “Albania” erdhi me lajmin e mirë të riformimit të Shoqatës Studentore “SocietasAlbania” në Austri e drejtuar na kryesia e saj me kryetar studentin e dalluar FrancJakova. 

Nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë “Aleksandër Mosiu” në Austrikjo ngjarje me rëndësi u shënua duke botuar numrin shënjues të revistës “Djalëria” në rrethana të renduara pandemie. Në përmbajtjen e saj gjejmë tema nga botimet e numrit të parë dhe shkrime tjera. Prej tyre shkrimi nga Dr. KurtGostentschnigg, albanolog dhe studiues i njohur me temën: “Shoqëria Studentore “Albania” në Vjenë dhe revista e saj “Djalëria”. Shkrime nga: PjetërLogoreci, VioletaAllmuça, ReshatSahitaj,Anton Marku, Shpresa Musaj, FrncJakova, Hazir Mehmti,  Shkrimi nga miku i madh i shqiptarëve të asaj kohe LeoFreundlich: “ Si përfunduan përkrenarja dhe shpata e Gjergj Kastriotit –Skënderbeu në Vjenë”.  Pas një shekulli zbulohet letra e studentëve shqiptarë në Austri dërguar Presidentit Amerika Wilson, në versionin shqip.  Materiale tjera interesante janë fotografi të figurave madhore kombëtare që studiuan në Austri. biografia e shkurtër e themeluesve të “Djalërisë” JaniBasho, Nush Bushati, Fuad Asllani, Xhevat Korça. Në faqet e fundit botohen poezi nga disa numra të “Djalërisë” të shkruara nga Gjergj Fishta, HilëMosi, Helenau (Kolë Mirëdita) dhe LasgushPoradeci. Krejt  në faqen e fundit poezi aktuale nga disa autore/ë që krijojnë aktualisht në Austri.  Sot kemi arsye të ligjshme që të vlerësojmë me krenari veprën e tyre të madhe e brumosur në themelet e kombit dhe shtetit shqiptar.

Filed Under: Kronike, Kulture Tagged With: DJALERIA, Hazir Mehmeti, nje shekull

Shkodra nën ujë dhe rilindja urbane

February 13, 2021 by dgreca

Nga Ilir Levonja/

Sot Shkodra është totalisht nën pushtetin e ujit. Më shumë se një 1 muaj. Dhe parë në aspektin e shtetit është një dështim total, jo i Edi Ramës por i gjithë shqiptarëve. Edi Rama është zorraxhiu i radhës që ka fillur të praktikoj luftën frontale me vendet e Europës a Komunitetit Europian. Identike siç edhe bënte Enver Hoxha me vendet kapitaliste. Me shefat a vendet që nuk i vinin pas midesë.

Kur një stacion televiziv kombëtar del me ulërima mbi shkresa, mendje mbushur se ka bërë zbulimin që Europa është xheloze me ne për shkak të raporteve të mira me Amerikën, ndaj nuk na jep ndihma etj., mos prisni progres social. Një individ i cili në 2013-tën garantonte futjen në Europë brenda vitit, duke u çarë veshët shqiptarëve se fajin e ka gjyshi Saliu, sot pas plot 8 vjetëve, i ka kthyer ata në shqiptarët e viteve 70-80 kur përballonin bllokadat. Referuar rubrikave video që i keni me shumicë në internet, kthejeni nga të doni, është dështim total i konceptit që kemi në raportin shtet qytetar. Eshtë dështim edhe për ata që përmendin një fakt se përse nuk përmbytej Shkodra në kohën e qeverisë komuniste. Nuk mund të risjellësh me qejf komunizmin e mencave dhe punës vullnetare. Bonifikimi nuk u shpik nga komunistët por nga nevojat. Ndryshe vende nën nivelin e detit si Hollanda, do ishin sot modeli i internacionalistëve proletarë. Problemi jonë qëndron në suportimin e teknikave për shkak se edhe ato teorizohen. Problemi jonë qëndron se presim gjithnjë me sytë nga bota. Kur duhet të jenë raporte të ndërsjella dhe të parashikueshme, në mënyrë që dëmi të mos jetë i pariparueshëm. Kur themi faji jonë është pjesë atij informaliteti skuthësh në në raport me ato pak fonde a donacione. Merreni me mend vetëm një fakt të thjesht, ndërhyrja në qëndrat historike të të gjithë qyteteve të Shqipërisë. Apo Rilindja urbane. Sot qëndrat janë me plot gojën një vaposje prej guri dhe një ekstazë vijëzimesh duke shkelur brutalisht mbi të shkuarën. Sikur ato fonde t’i adresoheshin infrastrukturës së bonifikimit, argjinaturave, rrugëve në zonat e thella ku plot shqiptarë janë kthyer të investojnë etj., Shkodra dhe Lezha nuk do të ishin nën ujë. Por që janë dhe është normale që një mbret i informalitetit dhe i dështimit të mos duket për plot 1 muaj në rrethinat e nën Shkodrës. Madje ka luksin të jap intervista denoncimesh, gjumashësh, kazanësh, europianësh xhelozë, investime dhuratë nga turqit duke i bërë shqiptarët invalidë pa pension. Shkodra është një nga perlat e Shqipërisë. Do me Liqen, e do me det apo e do me lumenj. E do me malësi apo e do me fushëri. Një aset kombëtar gjeografik, pa përmendur historinë e madhe. Duhet të ishte nj basen të ardhurash kombëtare e një turizmi katër stinor. Por nuk është. Madje të jeni të bindur se sot nën ujë mund të jetë kthyer edhe një fushë e trafikut të drogës me gomone dhe kamuflazhe ushtarake. Dëmet janë kolosale…., një tokë nën ujë për 5 javë qelbëzohet. Ta gëzojmë rilindjen urbane, rroftë kingu i dështimit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ilir Levonja, shkodra, Shkodra nen Uje

Stefanoviqi mund ta shuajë ushtrinë e vet, por JO Ushtrinë e Kosovës !

February 13, 2021 by dgreca

Shkruan:Prof.Dr.Mehdi HYSENI/

*** Nebojsha Stefanoviq (minister i Mbrojtjes së Serbisë)  ka deklaruar se “Kosova nuk mund të ketë ushtri, përpos KFOR-it” (http://radiomitrovicasever.com/2021/02/12/stefanovic-kosovo-ne-moze-da-ima-vojsku-stalnim-izborima-izbegavaju-preuzete-obaveze//.

Mesazhi i kësaj deklarate është kërcënim i hapur ndaj shtetësisë dhe popullit shqiptar të Kosovës. Kjo është përzierje direkte e Nebojsha Stefanoviqit në punë të brendshme të Republikës së Kosovës, që si pikëmbështetje ka theksuar Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën (https://undocs.org/S/RES/1244(1999), e cila pas pavarësimit të Kosovës, më 17 shkurt 2008, nuk është e vlefshme  (as de fakto e as de jure) për shtetin e ri të pavarur dhe sovran të Republikës së Kosovës, të njohur nga më se 100 shtete të OKB-së.

Për më tepër, kjo deklaratë e ministrit të Mbrojtjes së Serbisë, Nebojsha Stefanoviq paralajmëron  shtetin e Kosovës, që të heqë dorë nga Ushtria legjitime dhe legale e saj, në mënyrë që një ditë të afërt a të largët, ushtria pushtuese dhe gjenocidale e Serbisë të rikthehej në Kosovë pa asnjë “ferrë në këmbë” (në emër të “shpëtimit” të minoritet serb),  ashtu sikurse gjatë shekujve XIX dhe XX për t’i shfarosur dhe për t’i shpërngulur  sistematikisht shqiptarët nga Kosova e Shqipërisë Etnike, ashtu sikurse bëri me gjenocidin e saj të fundit, të drejtuar nga Slobodan Milosheviqi (1989-1999).

Mirëpo, harron Nebojsha Stefanoviq, se sot nuk jemi në vititn 1878, kur ushtritë serbe pushtuan Nishin, Vranjën, Prokuplen, Bllacën, Leskocin, Kurshumlinë…etj. GJithashtu, harron Nebojsha Stefanoviq vitetet 1912-1918-1945, kur ushtritë gjenocidale serbe e pushtuan jo vetëm Kosovën, por të gjitha territoret e Shqipërisë Lindore dhe Veriore, duke i aneksuar dhe kolonizuar për të zgjeruar territorin e Serbisë së Madhe.  Gjithashtu, harron ministri Stefanoviq, se nuk jemi në vitin 1989, kur soldateska dhe policitë vrastare e pushtuan Kosovën, duke vrarë dhe bërë masakra dhe terror ndaj shqiptarëve, jo më pak se një dekadë (1989-1999). -Por, jemi në fillim të dekadës së tretë të shekullit XXI, kur Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, që ka polici, forca të sigurisë dhe Ushtrinë e vet, si dhe forcat e aleatëve evropianoperëndimorë (AMERIKËN dhe NATO-n).

E gjithë kjo do të thotë se Kosova është e blinduar dhe e mbrojtur me çelik, që ushtritë dhe policitë e Serbisë  kolonialiste dhe gjenocidale nuk kanë asnjë shans, që të shkelin në territorin e Kosovës sikurse 200 vjet më parë, sepse i gjithë populli është i armatosur dhe i mbrojtur nga forcat e veta policore dhe ushtarake, si dhe nga Amerika dhe nga NATO-ja. Ky është realiteti i sotëm i Kosovës.  Kush e kupton ndryshe, mund të digjet në këtë realitet.

Prandaj, nëse Serbia dëshiron  që ta mbrojë minoritetin serb në Kosovë, nuk parapëlqehet që ushtria, kisha dhe policia e saj të përzihen në çështje të brendshme të Kosovës, sepse kjo vetë me ligje dhe me kushtetutë, si dhe me të gjitha ligjet  ndërkombëtare mbron të drejtat dhe liritë e të gjitha minoritetve në Kosovë, jo vetëm të serbëve (2008-2021).

           Serbia ta harrojë Kosovën si koloni të dikurshme

Serbia  si shtet i dikurshëm kolonialist nëse dëshiron të ketë marrëdhënie të mira, konstruktive  dhe bashkëpunim reciprok me fqinjtë, patjetër, do të duhej ta shuante ushtrinë e saj, sepse ajo së bashku me Kishën Ortodokse Serbe, si “Vullkani i Vezufit” rrezikon vendet fqinje  në Ballkan, në veçanti Kosovën dhe Kroacinë, duke pretenduar RICOPËTIMIN territorial të tyre, ashtu sikurse edhe në dekadën e fundit të shekullit XX (1990-1999), që kishte për qëllim  spastrimin etnik të shqiptarëve, të kroatëve dhe të myslimanëve boshnjakë, që me çdo kusht t’i zgjeronte kufijtë territorialë dhe shtetërorë të Serbisë së Madhe (Velika Srbija).

Prandaj, në këtë kontekst, popat, ministrat, kryeministrat dhe presidentët e Serbisë, mund të flasin dhe të merren vetëm me ushtrinë e tyre serbe, jo me USHTRINË E KOSOVËS, sepse  kjo është çështje e brendshme e Kosovës, ashtu sikurse që ushtria serbe, është çështje e brendshme e Serbisë.

                     Milosheviqi ka “ngordhur”, s’ka më Kosovë nën Serbi, e as ushtri serbe në Kosovë! – “E ka hanger ujku gomarin”!

Pikësëpari për vetë serbët  dhe për të gjithë popujt e  Ballkanit, është shpëtim dhe fatbardhësi,  që ka bërë vetëvrasje Slobodan Milosheviqi në burgun e Shevingenit të Tribualit të Hagës në Holandë, më 11 mars  të vitit 2006, mbase ai kryekriminel ishte racist  fashist dhe vrasës masiv  i kroatëve, i myslimanëve boshnjakë dhe i shqiptarëve (1990-1999).

Prandaj, duke mbajtur parasysh atë tragjedi   të rënë mbi shqiptarët e Kosovës,  realisht, kurrë më nuk do të shkelë këmbë ushtari, as polici dhe as paramilitari serb në tokën e Kosovës, sepse Kosova ka USHTRINË E VET TË FUQISHME DHE MODERNE, që do të përballojë çdo armik, që tenton për të pushtuar Kosovën.

-Nebojsha Stefanoviq nuk ka se çfarë të kërcënohet dhe të përzihet në punë të brendshme të Kosovës, duke ndërlidhur kinse “mbrojtjen” e minoritetit serb me shuarjen e USHTRISË së Kosovës!?

Ky është vetëm një absurd politiko-propagandistik, sepse minoritetet në Kosovë nuk i  gëzojnë të drejtat dhe liritë e tyre në varësi direkte os indirekte nga  ushtria, por nga ligjet dhe nga kushtetuta në fuqi tështetit të pavarur të Republikës së Kosovës.

Për më tepër, kjo ndërlidhuri e “mbrojtjes” së minoritet serb nga Beogradi, është një lloj paralajmërimi provokues jo vetëm politik, por edhe  i llogaritur gabimisht dhe naivisht nga logjika e politikës së përdorimit të forcës parashikuese serbe (duke shfrytëzuar si pretekest “mbrojtjen e interesave” të minoritet serb në Kosovë), se Kosovës nuk i nevojitet USHTRIA  e saj, por ajo duhet të shuhet, se gjoja po e “kërcnuaka” minoritetin serb në Kosovë!?

Mirëpo, logjika e shëndoshë e thotë ndryshe, USHTRIA e Kosovës,  do të jetë jo vetëm në GARANT i mbrojtjes së territorit të saj, por edhe i mbrojtjes së shtetit, si dhe të  të gjithë qytetarëve të saj pa dallim, ashtu si thotë ligji dhe kushtetuta e Republikës së Kosovës.

Prandaj, as minoriteti serb e  as populli serb në  Serbi nuk kanë pse të frikësohen nga USHTRIA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS, sepse nuk do  të jetë sikurse ushtritë vrastare famëkeqe  pushtuese dhe gjenocidale serbe, të cilat për t’ua pushtuar tokat dhe për t’ua plaçkitur dhe djegur shtëpitë dhe pasurinë e luajtshme dhe të paluajtshme  kanë vrarë dhe masakruar me qindra e mijëra shqiptarë  (1878-1999).         Kosova pa ushtrinë e vet, nuk është kurrfarë shteti !
 Prandaj, si shteti serb, ashtu edhe minoriteti i tij në Kosovë, duhet të jenë të vetëdijshëm se Kosova nuk është pjesë e Serbisë, por e Shqipërisë Etnike (edhe pse dikur ishte koloni e Serbisë-1912-1999), prandaj, edhe ka USHTRINË E VET MBROJTËSE derisa Kosova të bashkohet me SHQIPËRINË.

Këtë të vërtetë, duhet ta ketë mbajtur parasysh çdo prift, çdo lider politik dhe çdo qeveri e Serbisë, që të mos përzihet në çështje të brendshme të Republikës së Kosovës, sepse kjo, kurrë më nuk do të jetë plaçkë koloniale e Serbisë, as e Malit të Zi, as e Maqedonisë Veriore, por vetëm pronë dhe tapi e ligjshme dhe legale e shqiptarëve dhe e SHQIPËRISË ETNIKE.

          Kosova ka Ushtrinë e vet, Serbia le ta  mbajë ushtrinë e saj  brenda territorit të vet, JASHTË REPUBLIKËS SË KOSOVËS !

Prandaj, ministri Nebojsha Stefanoviq, të kujdeset për ushtrinë e vet, jo të përzihet në çështjet e brendshme të shtetit të ri të Kosovës, duke  i diktuar, se duhet ta pezullojë UAHTRINË e vet, sepse sipas logjikës së tij militariste dhe hegjemoniste, gjoja kjo po “rrezikuaka ekzistencën e minoritetit serb në Kosovë” !?Megjithëkëtë “dëshirë”  të shkretë të N. Stefanoviqit me prapavijë të rrezikshme për: mbrojtjen, sigurinë, rendin dhe paqen e Kosovës,  Ushtria e Kosovës mund të shuhet vetëm nëse Kosova  bashkohet me Shqipërinë një shtet unik, i cili, natyrisht se,  do të ketë vetëm NJË USHTRI KOMBËTARE SHQIPTARE.  Pra, vetëm në këtë rast  Kosova nuk do të ketë  nevojë të ketë Ushtrinë e saj, mbase shqiptarëve nuk u duhen “ushtri mbi ushtri”, por vetëm NJË USHTRI DHE NJË SHTET I FUQISHËM I PËRBASHKËT-SHQIPËRIA ETNIKE NATYRALE.                Të  gjitha ushtritë serbe ishin pushtuese të territoreve të SHQIPËRISË ETNIKE

Këtë tragjedi shekullore  e dëshmon edhe historia kombëtare shqiptare, qysh nga pavarësimi i  Serbisë në Kongresin e Berlinit (maj 1878) e deri në dekadën e fundme të  shekullit XX (1990-1999), e cila ka pasur dhe, edhe sot ka në Platformën e saj shfarosjen e kombit shqiptar në Ballkan. Prandaj, shqiptarët, duhet të kenë USHTRINË e vet KOMBËTARE, që të mbrohet nga çdo ushtri e huaj agresore qoftë e Serbisë, apo ndonjë shteti tjetër fqinjë.

Këtë të vërtetë e dokumenton edhe akademiku ynë ( i ndjerë)  i shquar dhe patriot i madh shqiptar, Mark Krasniqi  se “Qëllimi i përerhshëm i Serbisë është zhdukja fizike e popullit shqiptar nga trojet e tij shekullore, duke zbatuar terror, gjenocid shtetëror dhe msakra me përmasa shumë të gjera, si në të kaluarën, ashtu edhe sot, kështu do të vepronte edhe në të ardhmen…” ( Mark Krasniqi: 1992: 36).

Kjo është një nga arsyet kryesore, pse   Kosova  sine qua non , duhet të ketë Ushtrinë e vet, që të mbrohet nga ushtritë, nga policitë dhe nga  paramilitarët vrastarë të Serbisë kolonialiste , e cila historikisht dhe praktikisht ka dëshmuar se me rastin e çdo ndërhyrjeje dhe çdo pushtimi të Kosovës dhe të territoreve të tjera të Shqipërisë Etnike, së pari ka  çarmatosur  me dhunë, me terror dhe me gjenocid shqiptarët, sepse vetëm në këtë mënyrë, duke ua grabitur armët shqiptarëve, ia kanë arritur që t’i vrasin, t’i masakrojnë dhe t’i dëbojnë nga shtëpitë dhe nga tokat e tyre autoktone. Kjo është “ABC-ja” e kolonializmit gjenocidal serb ndaj shqiptarëve dhe  SHQIPËRISË ETNIKE! Kjo është një nga shkaqet, pse, edhe sot ( 12 shkurt 2021) Nebojsha Stefanoviq (minister i Mbrojtjes së Serbisë) kërkon që  Republika e Kosovës, të mos ketë Ushtrinë e saj .

Mirëpo, këtë “ëndërr strategjike” tejet provokuese dhe të rrezishme të ministrit serb të Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviq për ripushtimin e Kosovës shqiptare, nuk do t’ia plotësojë  Qeveria e Republikës së Kosovës e as populli shqiptar i Kosovës, edhe sikur të ringjallej  ndonjë  “sejdo bajramoviq” ose “rrahman morinë”,  i nënshtruar regjimit policor dhe militarist shtetëror të Serbisë pushtuese të Slobodan Milosheviqit.

Filed Under: Analiza Tagged With: Prof.Dr. Mehdi Hyseni, Stefanoviqi, uck

FRANCEZ HENRI CARTIER-BRESSON PËR GJON MILIN

February 13, 2021 by dgreca

HENRI CARTIER-BRESSON-

FOTOGRAFI I FAMSHËM FRANCEZ HENRI CARTIER-BRESSON : “GJON MILI, MJESHTËR I FOTOGRAFISË.”/

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 13 Shkurt 2021/

Në faqen n°254 të librit “Gjon Mili : photographs & recollections”, botuar në vitin 1980 nga New York Graphic Society (Boston), gjejmë shkrimin (mendimin) e fotografit të famshëm francez Henri Cartier-Bresson për fotogfrafin shqiptar me famë botërore Gjon Milin, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

“Meqenëse jam fotograf, do ta përdorja aparatin tim për të fotografuar Milin; dhe në mbishkrimin (epitafin) tim do të shkruhej se sa mirënjohës i jam atij për gjykimin e tij të mprehtë dhe krijues.

Kur bëjmë shaka, siç bëjmë shpesh, ai më quan “një amator i thjeshtë”, ndërsa unë i referohem atij, “se jam një profesionist i vërtetë”.

E vlerësoj përkushtimin e tij për profesionin në të cilin ai hyri si në urdhrat e shenjtë, gati një mijë vjet më parë; sepse mësojmë aq shumë nga kjo aftësi teknike për të cilën Mili është mjeshtër.”( Dars (Klos), Mat – Albania)- https://www.darsiani.com/la-gazette/fotografi-i-famshem-francez-henri-cartier-bresson-gjon-mili-mjeshter-i-fotografise/. 

Filed Under: Kulture Tagged With: Aurenc Bebja, GJON MILI, Henri Cartier-Bresson

VAKSINAT ANTI COVID-19

February 13, 2021 by dgreca

VAZHDIMI I MASAVE PARANDALUESE DHE BESIMI SE JETA DO NORMALIZOHET PERSERI /

Shkruan:Dr. ALI LUSHNJA-Jacksonville-Florida/

Te dashur bashkeatdhetare .

Deshiroj te ndaj me Ju, disa informacione rreth Pandemise COVID-19 per ta perballuar dhe luftuar sa me lehte.

Perdorimi i Vaksinave Virale dhe Bakteriale kane luajtur dhe luajne nje rol te rendesishem ne luftimin e semundjeve infektive , te tilla si, vaksinat virale te : Poliomieliti, fruthi, lise, hepatitit B etj. dhe ato bakteriale si: Tetanozi, pertusi (kolla e mire), difteria etj. 

Gjithmone kane ekzistuar kendveshtrime te kunderta njeresor ndaj vaksinave, por shumica kane menduar dhe mendojne se vaksinat kane qene nje arritje e madhe e shendetesise te shekullit te 20-te.

Vaksinat kunder COVID-19, me aplikimin e teknologjive te reja dhe te arritjeve te  shkences ne ditet tona, po bejne te mundur qe dhe ky virus, edhe ne se bashkejeton me ne per disa vite , do te perballohen me me lehtesi sikurse semundjet e tjera virale. Vaksinat e COVID-19 , mundesojne mbrojtjen e individit dhe jane nje element I rendesishem i nderprerje se perhapjes te ketij virusi. Vaksinat anti-covid-19 te bera nga : Moderna Inc., Pfizer Inc- BioNTech SE, dhe AstraZeneca Plc administrohen me dy doza . Distancat e kohes nga berja e dozes se pare dhe kryerjes se dozes se dyte jane te ndryshme per secilen nga keto tre vaksina.  Te gjithe individet , pasi te bejne dozen e pare ju caktohet data per te bere dozen e dyte. Duke u vaksinimit dhe u krijuar  imuniteti i popullates ne pergjithesi arrihet qe rastet me COVID-19 te rrallohen. Vaksinat e perdorura aktualisht, ketu  ne U.S.A. nuk permbajne virusin e gjalle Covid-19.  Vaksinat mbartin material gjenetik (mARN) qe lejon sistemin tone imunitar te krijoje antitrupa qe do te luftojne virusin COVID-19. Vaksinat bashkepunojne me sistemin tone imunitar qe do te thote se trupi yne eshte gati te luftoje virusin ne rast se ne biem ne kontakt me te. Keto vaksina nuk shkaktojne infektim me COVID-19 . Sipas studimeve te fundit, vaksinat nuk krijojne imunitet te mjaftueshem me berjen e dozes se pare prandaj eshte e domosdoshme vaksinimi me dosen e dyte. Mendohet se imuniteti me perfundimin e kohes se dozes se pare per vaksinen Pfizer eshte 21 dite, dhe per vaksinen Moderna eshte 28 dite dhe arrin rreth 50 % mbrojte. Kur behet doza e dyte , pas 21 ditesh per vaksinen Pfizer , mbrojtja imunitare arrin pas 7 dite ne 95 %; per vaksinen Moderna, doza e dyte behet pas 28 ditesh dhe pas 14 dite mbrojta imunitare arrin 94.1 % . Nuk eshte ende e qarte se sa do te vazhdoje mbrojtja imunitare mbas kryerjes se vaksines, por kjo varet nga individi dhe eshte akoma heret te flitet. Ka mendime se mbrojta vazhdon per disa vite . Dihet se  viruset krijojne mutacione. Ne se kjo ndodh, teknologjite e reja shkencore jane te afte te bejne vaksina te reja te Coronavirusit per t’u pershtatur lehtesisht ndaj varianteve te reja. 

Elemente te tjere te rendesishem per te mos transmetuar infeksionin te individet e tjeret, si : mbajtja e maskave , distancimi social, higjena e duarve ,izolimi ne shtepi dhe zbatimi i te gjitha rregullave higjeno – sanitare , kane vlere te rendesishme per t’i dhene fund kesaj Pandemie Boterore. 

Shpesh njerezit mendojne se mbas vaksinimit nuk eshte e nevojeshme te mbajne maske . Kjo nuk eshte teresisht e sakte. Maska eshte e nevojeshme te mbahet per te mos transmetuar virusin ke te tjeret. Edhe pse i vaksinuar nje person mund te jete mbartes  i virusit dhe t’ua transmetoj te tjereve pa e kuptuar. Keto raste quhen mbartes asimptomatik, paraqiten pa shenja klinike te virust  por duke qene mbartes virusi ekziston ende ne hunde dhe gjate kollitjes, teshtitjes dhe bisedave ne distance te afert mundeson perhapjen. Po ashtu duhet te kemi parasysh qe vaksiat e Covid-19 , nuk na mbrojne 100 %  dhe se krijimi i varianteve te reja (mutacioneve), duhet to na bejne vigjilent deri sa studimet dhe analizat shkencore ne vitet ne vazhdim te percaktojne vijueshmerine dhe rezistencen e virusit. 

Ne keto kushte te krijuara , ne duhet qe te ndryshojme deri diku  mendimet tona rreth perballimet te situatave dytesore te krijuara nga virusi. Se pari te menduarit me pozitivitet dhe krijimi i besimin se cdo gje do kthehet gradualisht ne normalitet. 

Per kete arsye duhet durim dhe edukim I vazhdueshem. Sipas CDC (Center for Diseas Control and Prevention) Qendra per kontrollin dhe Parandalimin e semundjeve ne USA keshillohet qe :

.   Te shmangim kontaktet e aferta , dhe te mbajme distance ne 6 feet/2 metra larg nga njeri tjetrit . 

.   Te mbajme masken ne vendet publike . Maskat na krijojne mbrojtje te mire sidomos ne qendrat tregetare , ku eshte e veshtire te rruhet distancimi mbi 2 metra/6 feet me individe te tjere

.   Te praktikojme higjene te mire si larja e duarve me sapun dhe uje te bollshem per te pakten 20-30 sekonda. Ne pamundesi te larjes se duarve me uje, te behet disinfektimi me disifektant me baze alkoholike me mbi 60%.

.   Te mbulojme gojen dhe hundet me bryl ose peceta kur kollitemi ose teshtisim.

.   Te bejme larje te kujdeseshme dhe te vecante te eneve , shtratit  dhe gjithe sendet personal,  ne qofte se kemi nje person te infektuar ne shtepi.

.   Te pastrojme dhe dezinfektojme , cdo dite , siperfaqet qe prekim me shpesh. 

.   Te qendrojme ne shtepi ne qofte se jemi te semure . Te mos shkojme ne pune , shkolle dhe te shmangim frekuentimin e vendeve publike, me perjashtim te rasteve te marrjes se ndihmes mjekesore.

. Te shmangim perdorimin e transportit publik si trena, taxi, autobus nese kemi simptomat e virusit. 

Me zbatimin e masave te larte permendura ne do te bejme te mundur qe COVID-19 dhe mutacionet e tij te zvogelohen dhe perballen me efikasitet. 

Njerezit duhet te kene besim tek vetja e tyre dhe te shkenca mjekesore. Eshte e rendesishme qe te ulim nivelin e stresit, sepse stresi eshte po aq i rrezikeshem sa edhe vete Virusi. Stresi ul imunitetin, shkakton ankth dhe depresion. 

. Stresi shkakton luhatje te forta te humorit ne cdo grup moshe.

.  Krijon ndenjen e frikes, zemerimit, trishtimit, mpirjes ose zhgenjimit.

.   Shkakton ndryshime ne oreks, energji, deshires dhe interesit per te bere dicka.

.   Veshtireson gjumin e rregullt dhe krijon makthe (ankthe), dhimbje koke , dhimbje te trupit , problem te stomakut , etj . 

Cfare duhet te bejme per te permiresuar shendetin mendor per te ndihmuar vehten , familjen  dhe te tjeret? Ne duhet te ndjekim keto praktika te shendeteshme:

.   Te shikojme emisione argetuese ne TV dhe shmangim lajmet dhe programe me karakter negativ.

.  Te kryejme teknikat e kontrolluara te frymemarrjes, te bejme gjimnastike ose ushtrime ne kushtet e shtepise dhe daljet jashte shtepise si ecje ne park per 30 minuta kur respektohet distanca. Te bejme meditime te rregullta, ushtrime te Yoga, degjim muzike, ecje me biciklete, ushtrim te kopshtarise etj. 

.   Te rruajme higjenen e gjumit. 

.   Te perpiqemi te hame ushqime te shendeteshme, te evitojme pirjen e teperuar te alkoholit dhe duhanit .

. Te kryejme vaksinen kunder COVID-19 apo griprave sapo te na krijohet mundesia.

Te besojme se me  zbatimin e masave te mesiperme dhe vullnetin e gjithesecilit do te arrihet mbrojtja ndaj kesaj Pandemie.

Te gjithe se bashku do ta fitojme kete beteje ndaj COVID-19 !

Doktor i Shkencave Mjekesore, Ali Lushnja .

Jacksonville, Florida  02 / 12 / 2021 .

Filed Under: Analiza Tagged With: Anti Covid-19, Dr. Ali Lushnja, Vaksinat

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 195
  • 196
  • 197
  • 198
  • 199
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT