• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

U përurua libri me kumtesa për Eposin e Kreshnikëve

March 21, 2017 by dgreca

Në Institutin Albanologjik të Prishtinës, më 17 mars 2017, u përurua libri Eposi i Kre­shnikëve: monument i tra­shëgimisë kulturore shqiptare, dy vëllime me kum­te­sa, me 1249 faqe, krye­reda­k­to­rë prof. dr. Zymer Ujkan Neziri dhe prof. dr. Sha­ban Sinani, botim i Ins­titutit Alba­nologjik të Prishtinës dhe i Qendrës së Stu­di­meve Al­ba­­no­lo­gji­ke në Ti­ranë, Pri­­­­shtinë, 2016. /

2 eposi ok1 eposi ok

Nga Zymer Ujkan Neziri/

Në sallën e mbushur përplot dhe në praninë e shumë studiuesve e pro­feso­rëve uni­versitarë nga Tirana, Pri­sh­tina e Shkupi, përurimin e librit Eposi i Kre­shnikëve: monument i tra­shëgimisë kulturore shqiptare, e hapi prof. dr. Zymer U. Neziri dhe i përshëndeti të pra­ni­sh­mit: zëv­endës­mi­­ni­strin e Arsimit, të Shkencës e të Teknologjisë, z. Agim Bërdyna me bashkëpunëtorë, am­ba­sa­dorin e Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, z. Qemal Minxhozi, deputetët e Kuvendit të Ko­so­vës: dr. Flora Bro­vina e prof. dr. Shpejtim Bulliqi, rektorin e Univer­site­tit të Prish­tinës, prof. dr. Mar­jan Dema, aka­­demikët Floresha Dado, Mark Tirta, Mare­n­glen Verli, Meh­met Halimi, profesorët veteranë Agim Vela, Agim Vinca, Ali Muriqi, Hajrullah Gruda, Hakif Bajrami, Mehmet Rukiqi, Mujë Ru­go­va, Riza Smaka, Shekfi Sejdiu, si dhe Agron Isa Gje­dia, Blerta Kra­s­niqi, Fitim Çaushi, Mark Palnikaj, Ragip Begaj, Skënder Asani, mulla Xhevat Kryeziu. Ai i për­shën­de­ti edhe lahutarët dhe bartësit e njohur të tra­di­tës së epikës go­jo­re, e sidomos të Epo­sit të Kre­­sh­ni­kë­ve: Hajri Is­ma­nin, Fehmi Ni­she­fcin, Isë Ele­zin, Imer Se­fë Mle­­ça­nin, Januz Mu­sh­­kolajn, Na­­zmi Hajdarin, Rrustem Ba­j­ra­min. Sylë Mush­ko­­lajn. Ai për­shëndeti të pranishmit edhe në emër të Re­da­ksisë së kë­tij libri, të profesorëve: Adem Ze­jnu­llahu, Agron Xha­go­lli, Ar­b­nora Du­shi, Ardian Ah­me­daja, Ar­d­i­an Marashi, Hy­sen Matoshi, Mark Ti­rta, Miaser Di­b­ra, Nicola Scal­da­ferri, Sha­b­an Sinani, She­f­kije Is­lamaj, Ze­qi­rja Neziri.

Libri mban të njëjtin titull me atë të konferencës shkencore ndërkombëtare, mba­j­t­ur në Prishtinë, më 28-30 gusht 2010, ku­sh­tuar Eposit të Kreshnikëve, orga­ni­zuar nga Ins­tituti Al­ba­nologjik dhe Qendra e Studimeve Al­ba­nologjike, në të cilin janë botuar referati dhe kumtesat (77), paraqitur nga studiues vendës e të huaj. Aty janë kumtuesit nga shumica e qendrave tona studimore dhe universitare në Ballkan dhe nga studi­uesit tanë në Itali (Antonio Bellusci, Nicola Scaldaferri), Austri (Ar­di­an Ahme­daja, Ina Arapi), Francë (Fotaq Andrea, Red Radoja), Po­loni (Rigels Ha­lili). Aty janë edhe ku­m­­te­­sat e stu­diuesve të huaj, të pra­ni­shëm në këtë kon­­fe­rencë, nga Evropa, Ame­rika dhe Az­ia: Mirsad Kunić (BeH), Andrej Faj­gejl (Francë), Gerd-Dieter Nehring e Karl Reichl (Gjermani), Antonia Young, Angela Selmani, Justin Elli­ott, (Bri­tani e Ma­dhe), John Kolsti, Stephen Schwaratz (SHBA), Kazuhiko Yamamoto (Ja­poni), Robert Elsie (Kanada).

Agim Bërdyna, zëvendësministër i Arsimit, i Shkencës dhe i Teknologjisë, përshëndeti në emër të ministrit Arsim Bajrami e të MASHT-it dhe tha: për këtë libër i përgëzoj studiuesit Zymer Neziri e Shaban Sinani, sepse Eposi i Kreshnikëve është vlerë e rën­dë­si­shme kombëtare, përballë globalizimit, dhe se ai duhet të ketë ve­n­din e vet të merituar edhe në programet tona shkollore.

Qemal Minxhozi, ambasador i Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, në fjalën  e tij për­shën­de­të­se, ndër të tjera tha: etnokultura jonë ka ekzi­stuar edhe para se të vendoseshin këta kufij që kemi sot në Ballkan, kurse kryeqyteti ynë është al­ba­no­lo­gjia, ndërsa institucionet tona duhet të ndajnë fonde për vepra të këtilla, sepse Eposi i Kreshnikëve dëshmon identitet kombëtar dhe me të dre­jtë është kandidat për UNESCO, kurse Kosova duhet të bëhet pjesë e UNESCO-s.

Në emër të Akademisë së Shkencave  të Shqipërisë, fjalë përshëndetëse pati akad. Floresha Da­do, kryetare e Seksionit të Shkencave Shoqërore dhe Albanologjike, që duke e vlerësuar lart këtë ndërmarrje të madhe të përbashkët të dy institucioneve tona në Prishtinë e në Tiranë për Eposin e Kreshnikëve, tha se ky epos gjigant në këto këto dy vëllime me kumtesa është dokument se­ri­oz që sho­që­ron dosjen për UNESCO. Në këtë libër ka qasje të reja dhe rezultate të reja për këtë epos të ja­shtë­zakonshëm, që ka nivel të vlerave universale.

Një përshëndetje pati edhe prof. dr. Marjan Dema, rektor i Universitetit të Pri­sh­tinës, dhe për këtë libër me kumtesa të konferencës 2010 tha se kjo vepër e nderon albanologjinë për Eposin e Kre­shnikëve. Kjo poezi epike e popullit shqiptar, që, me të drejtë quhet monument i etnokulturës shqi­p­tare, por që është në rrezik, vendin e ka edhe në UNESCO, prandaj i përgëzoj Institutin Al­ba­nologjik dhe Qendrën e Studimeve Albanologjike për këtë ndërmarrje kaq të madhe.

Në emër të  Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, që është bashk­org­a­ni­zuese e kon­fe­re­ncës më 2010 dhe bashkëbotuese e këtij libri, përshëndeti akad. Marenglen Verli, drejtor, e  ndër të tjera tha: fillimisht dua të them se kjo punë kaq e madhe është proces që lidhet me te­rre­nin, pra­ndaj puna jonë varet nga autoritetet qeveritare dhe vëmendja e tyre duhet të jetë e va­zh­du­e­sh­me, sepse nevojat janë të domosdoshme, sidomos tash kur jemi në prag të përvjetorëve të datave të mëdha të historisë për Skënderbeun e Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.

Përshëndetja e fundit në këtë përurim ishte nga Dega e Folklorit e Institutit Al­ba­no­lo­gjik, ku  fil­l­oi baza e këtij projekti shumë të madh në fushën  e epikës legjendare, më 2009. Në emër të De­gës foli prof. dr. Arbnora Dushi, redaktore, sekretare shkencore e Redaksisë dhe bashkë­për­ga­ti­të­se e li­brit. Ajo përmendi konferencën më 2010, që kishte 100 kumtues nga viset tona e nga bota, dy ditë në Prishtinë e një ditë në Rugovë, si dhe punën në vijim për mbledhjen e kumtesave dhe për redaktimin e tyre, por për edhe vonesën e botimit, tha se nuk ka të bëjë me fajin tonë e të au­to­rëve.

Në vijim, Z. U. Neziri, tha se urime për këtë përurim kanë mbërritur nga: Britania e Madhe: An­to­­­­nia Jung, An­ge­la Selmani, Justin Elliott; nga Austria: Ardian Ahmedaja; nga Franca: Fotaq An­­­drea, Andrej Fajgel; nga Gjermania: Karl Reichel; nga Italia: Nicola Scaldaferri, si dhe nga viset e tona: Shkodra, Tirana, Shkupi, Tetova, Gjirokastra, Vlora, natyrisht, edhe nga Pri­shtina. Por, sot i kujtojmë me respekt, tha ai, edhe dy autorë të kumtesave të këtij libiri, që tashmë nuk je­tojnë: profesorët Alfred Uçi dhe Zenun Gjocaj.

    Prof. dr. Shaban Sinani, në cilësinë e kryeredaktorit të librit, tha: për herë të tretë për Eposin po mblidhemi në këtë auditor, në dy konferenca, 2010 e 2014, dhe në këtë përurim. Pas konfe­re­ncës më 1983, kjo e vitit 2010 ka një cilësi të lartë e të thelluar. Janë autorët që i kanë thelluar dhe e kanë përmirësuar cilësinë, por edhe drejtori i projektit, prof. Zymer Neziri. Këtu dua të për­mend edhe përkrahjen e prof. Ardian Marashit, drejtor i mëparshëm në QSA, inkurajues i punës sonë, e tash prof. Marenglen Verlin, drejtor. Për punën e zellshme në këto dy vëllime do të për­mend edhe prof. Arbnora Dushin. Në këto dy vëllime u zbatua kri­teri i rigo­ro­zi­tetit. Ki­shte edhe kumtesa të kthyera pas. Ky është kontribut për depozitimin e dos­jes në UNESCO, do­sje e shken­corizuar. Rë­ndësia e botimeve në këtë kohë të globalizimit është e ma­dhe. Në këtë bo­tim janë së paku tre breza studiuesish të epi­kës legjendare. Botimi tregon se epo­si ynë heroik legjendar është poli­ce­ntrik: janë vatrat Nikajt e Mërturi, siç dihej nga vitet ’30 të shekullit të ka­lu­ar, po edhe Ru­gova, e tash edhe Maqedonia Perëndimore. Eposi ynë është edhe policiklik, se pos ciklit të Mujit e të Halilit, është edhe cikli i Gjergj Elez Alisë. Tashme dihet se krahas sho­që­rimit me instru­m­ent të këtyre këngëve, kemi edhe formën recita­ti­ve të tyre. Kreshnikët janë he­ronj kulturorë, e jo his­to­rikë, se ndryshe do të bënim atentat mbi ta. Me interes janë edhe kum­tesat e studiuesve të huaj, por pati edhe të ati­lla që nuk kishim dëshirë t’i dëgjonim. Për studimin e vargut do të veçoja Ni­cola Scalladferrin, se vargu matet vetëm i kënduar. Eposi shqiptar ka tip­are origjinale et­no­da­llu­ese dhe se konfuzioni në mendimin shkencor tani u tejkalua.

Zymer U. Neziri, po ashtu kryeredaktor i librit, tha se sot po përurojmë librin, më të madhin e këtij lloji, me mbi 1200 faqe kumtesa të konferencës më 2010, të përgatitur gjatë katër vjetëve të pu­­nës së pan­dër­prerë dhe, pas pritjes edhe të tri vjetëve të tjera për mjete për shtyp, tashmë u fin­a­­li­zua kjo ndërmarrje e madhe në fushën  e studimeve epike. Libri Eposi i Kre­shnikëve: mo­nu­ment i tra­shëgimisë kulturore shqiptare është i ndarë në tetë grupkumtesa nga fushat: teorike-pro­blemore, rajonale, kra­ha­sim­tare, koleksione, kontribute, etno­mu­zi­ko­lo­gji, etno­logji, gjuhësi. Me këto kumtesa do të pasurohen studimet epikologjike me të dhëna të reja për analiza të më­te­jme lidhur me çë­sh­­­tjet madhore për Eposin e Kre­sh­ni­këve, ashtu siç janë projektuar edhe në ko­n­fe­­re­­­­­ncat shkencore ndërkombëtare më 2010, po edhe më 2014, në IAP dhe QSA, siç janë: za­na­fi­lla e eposit shqiptar; autoktonja në eposin shqiptar; funksioni etnik sipas simboleve mitologjike-përrallore; temat dhe motivet e konfliktit shqiptar-sllav; vlerat aute­n­tike të eposit: mitologjia, figuracioni e vargëzimi; shtresime krahasuese me eposet evro­piane: krahasimet në aspektin te­­matik dhe motivor; shtresime të lashta etno­ku­ltu­rore: paralele të jetës së kodifikuar sipas Ka­nunit shqiptar me epokën homerike; si­nonimia historike: Muji e Halili-sinonim i qën­d­resës kufitare; konteksti ball­ka­nik: përkime dhe ndikime të ndërsjella me epikat go­jo­­re të Ballkanit; këngëtarët dy­gjuhësorë (bilingualë); teoria formulaike e Perry-Lordit si një nga bazat për stu­di­min e ep­o­sit; interpretimi i këngëve epike: rrugët e zhvillimit; lahuta: instrumenti për­cjellës për interpretimin e eposit; gjendja e sotme në arkiva dhe në terren; de­ty­rat e stadit aktual të studiuesve dhe të insti­tu­ci­oneve kundrejt Ep­osit të Kre­sh­ni­këve.

Dhe, në fund, Z. U. Neziri tha: dua të them se tash, me këtë botim, jemi më mirë me veten e me bo­­tën, me qendrat studimore në Evropë, Azi, Amerikë e gjetiu. Eposi me këto kumtesa të kon­fe­re­­­ncës më 2010 do të po­pu­lla­ri­zohet më shumë, bota do të na njohë më ndryshe për etnokulturën to­në kaq të pa­sur dhe për vlerën e saj që pak shoqe ka, për rrënjët e vjetra, që tashmë na ra­dhi­sin në grupin e traditave më të vjetra në Evropë e në botë.

Eposi i Kreshnikëve: monument i tra­shëgimisë kulturore shqiptare, I dhe II, Pri­sh­tinë, 2016, bo­t­im i Institutit Albanologjik të Prishtinës dhe i Qendrës së Studimeve Albanologjike në Tiranë, është libër ­në dy vëllime të përgatitura për shtyp sipas sta­n­­dardeve të larta për botime të këtilla shke­­­n­core. Kumtesat janë re­daktuar nga redaktorët për­katës dhe janë plotësuar nga autorët. Te­ksti përfundimtar është ri­shikuar disa herë, sipas nevojës, në pesë versione të paralibrit. Edhe gju­­­hë­sisht, libri është ri­le­k­tu­ruar, për herën e dytë. Të gjitha kum­tesat kanë shkurtore (abs­t­rakt), bi­b­liografinë dhe re­zy­menë në gjuhën angleze, për­kthyer nga Justin Elliott, Londër. Referati, nga Z. U. Ne­ziri e Sh. Sinani, është shqip e anglisht. Libri ka fjalën e hapjes (H. Matoshi), fjalën për­fu­­­ndimtare (Z. U. Ne­ziri), regjistrin e em­rave dhe fo­tografi nga ky aktivitet shumë i madh shke­ncor ndërkombëtar për epi­kën tonë heroike legjendare, më 2010, në Prishtinë e në Drelaj (Ru­­go­vë). Pas mbylljes së përurimit, Agron Isa Gjedia, kryetar i shoqatës mbarëkombëtare ”Bytyçi” ndau mirënjohje për Shaban Sinanin dhe Zymer U. Nezirin, për kontributin e tyre në etnokulturë.

 

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Eposin e Kreshnikëve, libri me kumtesa për, u perurua, Zymer Ujkan Neziri

GJENERATA JONË

March 21, 2017 by dgreca

NGA HASAN KOSTRECI/

1-hasan-kostreci Shpesh e kemi dëgjuar dhe vazhdojmë ta dëgjojmë shprehjen, se nuk është më ai njeriu i parë’, apo ka ndryshuar bota dhe megjithëse të thëna këto nga goja e popullit, kanë një vërtetësi, të cilën ç’dokush, nëqoftëse bën një krahasim me një periudhë prej disa dekadash përpara, varet, sigurisht edhe nga mosha, them se e aprovon e bije dakord dhe nëqoftëse po, pse atëhere të ndodhë ky fenomen dhe kush ka influencuar që jemi në ketë gjëndje, te cilën nëqoftëse brezi i ri s’e kupton dhe thotë se kështu kemi qënë, ndofta, gjithmonë, gjenerata e jonë e konstaton, e ndjen dhe jemi ne pikërisht që e themi.

Viti 2017, që sapo filloi na kujton edhe njëqind vjetorin e fitores së revolucionit bolshevik në Rusi, kur dinastia shekullore e Carëve u përmbys dhe me propogandën se ky do ishte një pushtet i sovjetëve, do me thënë i puntorëve dhe i fshatarëve, nxiti dhe ngriti më këmbë edhe mjaft popuj të tjerë si në Amerikën Latine, në Azi, në Europë dhe për fatin tonë të keq, edhe në Shqipëri dhe se ç’ndodhi me to, shëmbull le të marim përsëri vëndin tonë, ku jo vetëm që pushtet i puntorëve dhe i fshatarëve, siç u premtua, ai nuk u bë kurrë, por përkundrazi duke u kapur nga një grup mafiozësh, të cilët rreth vetes grumbulluan pjesën më ordinere dhe kriminelët e shoqërisë, instaluan atë diktaturë aqë të egër, e cila gjeneratës sonë, sidomos, i kushtoi aq shumë dhe numuri i krimeve në këto vënde të dala mbas vitit nëntëdhjetë, si në Rusinë e Leninit e të Stalinit; Të Maos në Kinë, të Potit në Kamboxhia apo edhe të Enverit ne Shqipëri, janë të llahtarëshme dhe të pabesueshme.

Brezi i ynë mban mënd dhe kujton mjaft mirë gjithashtu se si zhvilloheshin gjyqet në atë kohë, ku me motivet agjent, tradhëtar apo armik i popullit pushkatoheshin, burgoseshin apo internoheshin njerëz të pafajshme dhe kur vegjëlia, te cilës iu premtua se do hante me lugë floriri, thërriste dhe çirrej me histerizëm ‘Me varje, me varje”

Ishin ditë të vështira që kombi ynë s’i kishte parë ndonjëherë, kur injoranti u bë prokuror; krimineli hetues apo kryetar dege, ndërsa mafiozi lider dhe ndërsa ky kontigjent sa vinte e më shumë shtohej, njeriu i mirë, i ndershëm dhe fisnik po shkonte drejt zhdukjes dhe me këtë proces të tillë që sistematikisht vazhdoi për gati dyzet e pesë vjet, ishin më se të mjaftueshëm për ta shpërbërë këtë komb të vogël siç jemi neve dhe prurë në këtë gjëndje ku aktualisht jemi sot. “Kemi bërë detyrën”, shprehen disa nga ata që kanë patur ato pozicione, po pjesa tjetër që jo vetëm s’pranoi të angazhohet në ato “detyra”, por përkundrazi i kundërshtoi, qënkan, sipas tyre, fajtorë! Kjo tematikë, edhe pse deklarata e lëshuar nga shteti shqiptar qysh me atë fillim  “Se të gjithë jemi fajtorë dhe të gjithë bashkëvuejtës’, jo vetëm që s’u mbyll, por përkundrazi ka vazhduar dhe do vazhdojë deri sa ajo periudhë një ditë të zbardhet plotësisht. Ky fenomen u pa edhe para pak kohësh në diskutimin mbas vdekjes së poetit D. Agolli apo edhe rreth shkrimtares Diana Çuli më pas, e akuzuar kjo e fundit për pushkatimin nga regjimi i atëhershëm i dy poetëve të rinj, Leka dhe Vilson Blloshmi.

Emrin e kësaj zonje, në fakt, e kam hasur para disa vitesh në promovimin e librit kushtuar pikërisht atyre dy martirëve e organizuar nga organizata shqiptaro – amerikane, ‘Shtëpia e Lirisë” në Washington dhe si drejtuese e gazetës “Drita” në atë kohë, lexova njëkohësisht edhe komentin që ajo kishte bërë rreth poezive të tyre. Koment i cili fare qartë ua rëndonte akoma edhe më shumë akuzën. Si fytyrë e pashë para disa javësh tek “Top Stori”, ndërsa si natyrë dhe karakter e përcaktova nga diskutimi i saj, ku jo vetëm që deri në vitin 94, ajo nuk dinte asgjë rreth fatit të tyre, por me përgjigjen, që ishte sistemi që i pushkatoi dhe jo ajo, më la të dyshoj se ende nuk ishte penduar.

Sistemi që shpesh përmëndet, me të cilin këta lloj lloj mundohen që të justifikojnë bëmat e tyre, nuk ishte diçka abstrakte, por përkundrazi ai u ndërtua, funksionoi dhe u mbajt më këmbë në sajë të këtyre personave, të cilët o të indroktinuar, o për interes, o për karakter dhe moral të dobët apo edhe nga injoranca bashkëpunuan me atë regjim dhe ishin një kontigjent i gatshëm që diktatura i përdorte sa herë që u duhej të sajonin ndonjë grup kompllotist e të pushkatonin dikë, siç është rasti në fjalë apo të burgosnin apo të internonin individë e familje dhe me dëshmitë e tyre, sigurisht të rreme, dihet, që kanë marë më qafë qindra e qindra njerëz të pafajshëm, por nëqoftëse shteti në këto njëzet e gjashtë vjet demokraci në këtë drejtim s’ka bërë asgjë, por dhe hakmarrje individuale, për fat të mirë gjithashtu s’kanë ndodhur,  nuk do të thotë që edhe viktimat ato i kanë harruar, prandaj persona të tillë, mendoj, që sa më pak të ekspozohen dhe jo pastaj, si rasti i zonjës Çuli që organizon takime dhe u flet audiencës për ndershmëri dhe moral apo të gazetarit, zotit Hila, i cili krenohet me pozitën e të atit, ish oficer i lartë i minitsrisë së brendëndëshme në atë kohë, pozicion nga ku pikërisht organizoheshin dhe kurdiseshin akuzat ndaj njërit që vihej në shënjestër dhe duhej të eleminohej. Këta lloj individësh duhet të dinë gjithashtu se populli ynë, si i vogël në numur, i ka njohur dhe i mban mënd mirë si persekutorët ashtu edhe kriminelët e asaj periudhe dhe nuk ka aq shumë nevojë për të hapur dosjet. Njeh njëkohësisht trashëgimtarët dhe pozicionet e pa merituara që ata mbajnë sot, di njëkohësisht dhe arësyen se pse këto punë përfunduan kështu dhe demokracia tek ne nuk funksionoi, por një acarim dhe revoltë nga këta, ndryshe nga këto brënda llojit që kanë ndodhur në këto njëzet e gjashtë vjet, do jetë, mendoj e rrezikshme dhe me pasoja për vëndin, por mos dënimi i krimeve të komunizmit, mos dhënia e pronave ish pronarërëve të vërtetë e deri në mos realizimin e vetingut dhe reformës në drejtësi që aktualisht kërkohet sot, nuk është se shtetit shqiptar dhe atyre që e kanë përfaqësuar, u ka munguar dhe u mungon vullneti, siç shpesh këta akuzojnë njëri tjetrin në parlament, por e një vyrtuti të rëndësishëm, i cili brënda tij ka edhe moralin, edhe karakterin, edhe humanizmin, që quhet “GENIE”, i cili as nuk shitet dhe as nuk blihet në pazar, por vetëm trashëgohet.

 

Filed Under: Komente Tagged With: GJENERATA JONË, Hasan Kostreci

VIZITA NE FRANCE TEK HEROI HARADINAJ DHE ÇMIMI NE NJU JORK

March 21, 2017 by dgreca

Nga Rajmonda Maleçka/

hui

*Gjaku i Boletinit që ke në damare të bën si ato shqipet e maleve që i rrin karshi Kombit që i don bijtë e vet pranë.

*Asambleisti Mark Gjonaj dhe gjesti i tij fisnik!/

image-0-02-01-0d41e90620d558a601140b99de48f8f69ed7d3bbcdac4e88129ff876c78269de-V

Udhëtimi për në Francë për të asistuar në gjyqin që u zhvillua në 2 Mars, në Colmark  ndaj ish Kryeministrit të Kosovës Z. Ramush Haradinaj bëri të pamundur pjesëmarrjen time në ndarjen e Çmimeve në Neë York,  për femrat e suksesshme nga shqiptari i nderuar Assamblisti Mark Gjonaj.  Ku në mesin e pesë  amerikaneve ishte nominuar edhe mikja ime dhe gazetarja e guximshme Mimoza Dajçi. Ftesa më kishte ardhur nga Znj. Dajci, por kisha planifikuar të jem atë ditë pranë Komandantit Ramush Haradinaj. Isha mes dy ngjarjeve të rëndësishme,  sepse edhe Mimoza rrjedh nga familje e njohur e heroit të kombit Isa Boletini, ka shumë heroizëm e patriotizëm edhe brenda familjes së saj. Mikja ime e dashur më mirëkuptoi.

Jemi mike të hershme, kemi kaluar së bashku shumë sfida të kohërave që kaloi Shqipëria, përjetuam dhe  vitin  1997,  kur Tirana dhe e gjithë shqiptaria u tronditën nga ato ngjarje të asaj kohe. Dhe Mimoza ishte nga të paktat femra, mund të them e vetmja që diti ti rezistoi demokracisë e nuk ju nda për asnjë moment Partisë Demokratike deri në pushimin e saj nga puna nga socialistët në pushtet edhe pse ish e persekutuar politike nga rregjimi komunist në Shqipëri.

Mimoza kujtohet gjithmonë me respekt nga ne që e deshëm dhe na deshte.  Kontributi i babait të saj, i vetë Mozës dhe vajzës së vogël ku ishte nxënëse në Liceun Artistik, në të njëjtën kohë  dhe koordinatore në Lice, la gjurmë që nuk shlyen, për demokracinë e vlerat e saj.

U gëzova, dhe u emocionova për Mozën, jam gëzuar edhe për arritjet e tjera që ka pasur mikja ime, duke marrë  Çmime të ndryshme që i janë dhënë asaj ndër vite, por në rastin konkret kur të nderon e dekoron i joti,  zemra ngrohet më shumë.

Rrallë jemi mësuar me këto dekorimet veçanërisht  ne shqiptarët në Shqipëri.Ndihem e privilegjuar që jam mikja e shoqja e saj e hershme dhe ia njoh nga afër vyrtytet e larta të saj, shpirtin e saj human e të palodhur për të ngritur në piedestalin e harresës shtresën e persekutar politike e në veçanti gruan,  ish të burgosura dhe persekutara poltike, shtresë nga e cila vinte edhe vetë Mimoza. Të rralla janë si ajo, i mungojnë Shqipërisë, e me të drejtë pas largimit të saj nga Shqipëria për në SHBA, Kryetarja e Shoqatës së Gruas ish të persekutuara politike e paharruara Lefteri Dvorani dhe miket e saj të persekutuara politike, më thonin ikja e Mozës në Amerikë na thau krahët, e kishim në krye të çdo nisme e veprimtarie tonën, nuk dimë se çfarë do të bëjmë pa atë. Kishin të drejtë. Mimoza e themeloi atë Organizatë të Gruas, se ish e persekutar politike, i mbrojti të drejtat e asaj shtrese që vuajti padrejtësisht në komunizëm.Mimoza Dajçi ka qenë anëtare e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe më kujtohet rasti ku në një nga protestat e vitit 98, duke folur kundër Diktaturës arrestohet së bashku me dy deputetë të PD-së.Më riktheve vite pas mikja ime e dashur, po sot unë dua të uroj për sukseset tua. Edhe pse je në Amerikën e largët,  gjaku i Boletinit që ke në damare të bën si ato shqipet e maleve që i rrin karshi Kombit që i don bijtë e vet pranë.Urime të Bekoftë Zoti, mikja ime, duke të dëshiruar të marrësh sërisht Çmime të tjera. Rajmonda Maleçka -Anëtare e Akademisë së Shkencave-Shqiptaro-Amerikane

2image-0-02-01-d9e5044a5df5ff7b535297b5d28b1ceddf8e89d0c42bef487b45f2b696f46441-V (1)3

Filed Under: Komunitet Tagged With: DHE ÇMIMI, ne Nju Jork, Rajmonda Maleçka, VIZITA NE FRANCE TEK HEROI HARADINAJ

KUR BOTA FILLOJE TE MENDOJE SHQIP

March 21, 2017 by dgreca

Parafjala e Ditarit/

“Gjithë atyre që dhanë mundin, gjakun dhe jetën e tyre për liri e pavarësi të Kosovës”. I.Gashi/

1 Ismail Gashi-Sllovi

Nga Ismail GASHI/Pas Demonstratave të 1981, shtypjes me dhunë të kërkesave shqiptare nga pushteti serbë. Pranvera e Madhe Shqiptare 1981, sikur pushoi së vepruari. Megjithatë, ringjallja, zgjerimi e këmbëngulësia shqiptare në kërkesa, masovizimi e përfshirja e gjithë hapësirës shqiptare moiri rrugën e pavarësimit, më 1988, kur politika serbe në hakmarrje të ngjrjeve te 1968, planifikonte pezullimin e autonomisë së Kosovës, përmes akteve ligjore e “shprehjes së lire” të popullit, filluan Kuvendimet Kushtetuese për ndryshimet në Kushtetutën e 1974. Këto kuvendime mundësuan e formësuan kontakte me masat popullore, hapen rrugë që edhe në këto rrethana të niset fjala dhe mendimi i lirë demokratik i masës së shtypur shqiptare. Në këto tubime nëpër gjitha vendbanimet shqiptare në Kosovë, për herë të parë u  ringjall si feniksi shpërthimi e forcës akumuluese e cila shqetësoi politikën serbe. Shqiptarët pas shumë përpjekjeve  për liri në tetor-nëntor 1988 me Grevat e Minatorëve si dhe demonstratat e janar-shkurt dhe të nëntorit 1989  dhe janar-shkurt 1990 u shprehen dhe dolën hapur kundër ndryshime që rrezikonin autonominë e Kosovës.

            Në shkurt të 1989 filluan grevat e minatorëve më këmbëngulëset në kërkesa e më rrezistentët në kohë, të cilat më vonë u përkrahën edhe nga studentët dhe masat e gjëra të shqiptare. Grevat morën jehonë të madhe ndërkombëtare dhe lëkundën këmbët e sëmura të shtetit serbë. Në vjeshtë të 1989 shqiptarët e Kosovës organizuan protesta gjithëpopullore. Turmat e mëdha të popullit kalonin këmbë edhe qindra kilometra, Protestuesit vazhduan me ditë e net të tëra të qëndrojnë nëpër sheshet e qendrave të qyteteve, me pikësynim të përqendruar në Prishtinë. Më 23 mars 1989 Kuvendi i Kosovës me skenar e veprim mashtrues e të  dhunshëm, dha pëlqim për ndryshimet në Kushtetutën e Kosovës. Ndryshime të cilat më 28 mars 1989 Serbia i aprovoi në Kushtetutën serbe dhe definitivisht arriti të heq atë pjesë të autonomisë së Kosovës të cilën deri atëherë garantonte Kushtetuta e 1974. Në vazhdim shqiptarëve nuk ju mbeti opsion tjetër artikulimi, përveç organizimit politik dhe sakrificës së hapur e të zyrtarizuar me kërkesat e qarta politike, shtetërore e  kombëtare. Më 14 nëntor 1989 u themelua KMDLNJ, subjekti parë shqiptarë në Kosovë që mbrohen të drejtat njerëzore e kombëtare të shqiptarëve të rrezikuar. Në dhjetor të 1989 Veton Surroi në bashkëveprim me Branko Horvatin formuan UJDI, parti politike e nivelit jugosllav. Kurse më 23 dhjetor 1989, intelektualët e atdhetarët shqiptarë, formua LDK-në, parti politike shqiptare, kur zu fill ndërkombëtarizimi i çështjes shqiptare në Kosovë. Në vazhdim u formuan disa parti politike, subjekte tjera humanitare e shoqëri civile. Vitin  1990/91 nga itelegjenca  dhe rinia atdhetare shqiptare veproi Lëvizja për Pajtimin e Gjaqeve, Lëvizje që kreu pajtimin e disa qindra e mija familjeve shqiptare, të cilat deri atëherë ishin në hasmëri për shkaqe të  ngarkesave e gjaqeve  që kishin pasur gjatë kohës dhe okupuesve nga e kaluara e tyre historike. Kjo Lëvizje e Pajtimit të Gjaqeve barti në vete fenomenin e unitetit kombëtar, sa brenda një viti, sa zgjati Aksioni për Pajtimin e Gjaqeve, siç e quanim këtë Lëvizje asaj kohe, u mbajtën qindra takime e tubime masive në përgëzim dhe manifestim të pajtimeve të gjaqeve. Praktikisht kryhej një proces integrues shpirtëror  kombëtar. Serbia përkundër masave të dhunshme, nuk arriti të ndal pajtimin kombëtar të kësaj Lëvizje masive kombëtare të shqiptarëve. Pas formimit të subjekteve partiake e shoqërive civile, organizimi politik i shqiptarëve në Kosovë mori formë dhe përmbajtje institucionale, veprim të cilin Serbia e shikonte me shqetësim. Andaj, kundër këtyre veprimeve politike shqiptare administrata e shtetit serb filloi të ndërmerr masa represive të cilat pushteti serb do ti zyrtarizon në shkallë shtetërore e kushtetuese.
Kështu, më 2 korrik 1990, delegatët e Kuvendit të Kosovës, pas shumë përpjekjeve rezistuese ndaj dhunës serbe, aprovuan Deklaratën Kushtetues, dhe më 7 shtator 1990, pjesa shqiptare e këtij Kuvendi, në Kaçanik  aprovon Kushtetuta e Kosovës, Aktin themelor shtetëror, nga i cili në tetor 1991, mundësoi organizimin dhe mbajtjen e Referendumit për Pavarësi të Kosovës, në mbështetje të të cilit Kosova organizoi dy herë zgjedhjet Parlamentare e Presidenciale, të parat më 26 maj 1992. Parlamenti dalur nga këto zgjedhje, sikur edhe nga zgjedhjet e dyta të 22 marsit 1998, asnjëherë nuk u mbajt. Zgjedhjet e dyta të mbajtura në rrethana jo normale, kur më shumë se gjysma e Kosovës ishte në flakën e luftës. 
            Pas një vazhdimësie disa vjeçare të rezistencës e veprimit politik pasiv të udhëhequr nga  partitë politike. Më 1 Tetor1997, Demonstratat e Studentëve lëkundën çështjen, prishën rehatinë e përgjumjes dhe kthjelluan amullinë nga ai pozicion inert. Paraqitja me veprime ushtarake të UÇK-së, bashkëveprimi i saj me Unionin e Studentëve, ngritën edhe më lartë ndërkombëtarizimin i çështja së Kosovës, me përcaktim bindës e të qëndrueshëm trokitën në qendrat ndërkombëtare politike e ushtarake të vendosjes. Këto ishin ditët kur bota fliste e vepronte shqip për Kosovën, kur ishin shqetësuar jo vetëm okupuesin barbar serbë, por shqetësoi edhe forcat e veprimit politik shqiptar, të cilat i frikësoheshin shkallëzimit të mundshëm nga radikalizmi i formës së veprimit të hapur me demonstrata e veprime ushtarake. Madje, një ditë para daljes në demonstratat e studentëve, doli zëri i politikës paqësore, se për të gjitha këto veprime të organizuara nga Unioni i Studentëve, përgjegjësinë e bartin vet organizatorët e demonstratave, duke u çfajësuar kështu para okupatorit se kjo politikë në vazhdimësi i qëndron besnike parimeve të veta të deri tashme.
            Fundi i vitit 1997 dhe fillimi i atij 1998, Kosovën e gjeti nën tensionin më të ashpër të dhunës ushtarake e policore serbe. Sulmet e forcave serbe dhe rezistenca e armatosur e UÇK-së në Kullën e Parë të Jasharajve në Prekaz, nga zënë fill e merr kahe  historia më e lavdishme kombëtare e cila do ti ndërron rrugë fatit të shqiptarëve në Kosovë. Praktikisht fillon lufta mes forcave të dhunës serbe dhe forcave të lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Paraqitja publike e UÇK-së më 28 Nëntor1997, luftimet heroike dhe sakrifica historike në Prekaz e Komandantit të shndërruar në legjendë, Adem Jashari më 5, 6 e 7 mars 1998, luftimet në Likoshan, Qirez e Laushë, ngarkuan me urrejtje të tërbuar lubinë serbe, që ndaj shqiptarëve, popullatës civile, vendbanimeve, përgjithsisht qenies shqiptare t’ia mësyjnë me gjitha forcat. Kështu pasuan ndjekjet gjenocitale duke vrarë, kallur e ndjekur masovikisht popullin nga vendbanimet e trojet e tyre etnike. Nga zonat e luftës u larguan qindra mija gra, fëmijë e pleq, në hapësirat e luftës ngelën vetëm ata që ishin të aftë për luftë me armikun serb. Treva komunale e Lypjanit nëpër vendbanimet e veta pati mbi 20.000 të strehuar për të cilët u përkujdes për strehimin e tyre, ushqimin dhe përkujdesën shëndetësor. Kjo gjendje vazhdoi kështu edhe gjatë ofanzivës së parë korrik–tetor 1998 dhe shkallëzohet tejmase në Ofanzivat e filluara më 24 mars e të përfunduara më 12 qershor 1999, gjatë 87 ditëve të bombardimeve të NATO-së, sulmeve tokësore nga ushtria, policia dhe grupet terroriste serbe në popullatën civile shqiptare dhe në anën tjetër  luftimeve mbrojtëse të UÇK-së.
            Ofanziva e parë serbe në popullatën shqiptare, sikur mori një miratim të heshtur nga qendrat politike ndërkombëtare të vendosjes, e ndihmuar edhe nga disa zëra të mekur të politikës paqësore të shqiptarëve në Kosovë, të cilët veprimin ushtarak të UÇK-së e shikonin për rrezikim të humbjes së prestigjit të tyre, edhe pse atë e thonin me versionin e zbutur paqësor, se nuk janë për luftë të armatosur, por për rezistencë paqësore dhe pa përdorimin e dhunës. Andaj, në programin e tyre e përjashtonin versionin e veprimit ushtarak. Këtë kundërshtim, këto forca politike shqiptare në Kosovë, e ngritën deri në atë shkallë, sa veprimet ushtarake shqiptare në Kosovë ti quajnë krijesa të huaja, të shtyra nga nëntoka serbe dhe të paguara nga spiunazhi ndërkombëtar. Mu për atë, çdo sulm që bënte UÇK-ja, këto forca politike e dënonin politikisht, ashtu siç e dënonte edhe vet pushteti okupues serbe. Madje, për disa raste “paqësorët shqiptar”, kërkuan edhe intervenim ndërkombëtar të Interpolit. Këto kundërveprime e përçarje ndërshqiptare në Kosovë, populli shqiptar i Kosovës i pagoi shtrenjtë, si në ofanzivën e parë, kur serbët për pësimet përjetuar nga UÇK-ja, edhe në ofanzivën e dytë, sulmuan popullatën civile e vendbanimet shqiptare të cilat nga këto pësuan shumë vrasje, plagosje kallje masive të vendbanimeve, vlerave materiale e shpirtërore të shqiptarëve dhe ndjekjen masive të popullatës civile nga ato zona të luftës. Të gjitha këto kryheshin në emër të një mbrojtjeje të shtetit serb dhe integritetit dhe tërësisë tokësore të Serbisë. Këto veprime ushtarake e policore të dhunës serbe kryheshin në heshtje jo të natyrshme të diplomacisë ndërkombëtare dhe politikës paqësore shqiptare në Kosovë. Ofanziva e parë zgjati deri më 15 tetor 1998, kur Serbia nga vetëkënaqësia e shpalli të likuiduar UÇK-në,  e cila realisht kontrollonte afro 40% të hapësirës së Kosovës, hapësirë që deri në korrik të 1998 mbikëqyrej nga forcat e UÇK-së, kontrollonte akset rrugore  Prishtinë-Pejë dhe Shtime-Prizren e shumë zona,  qytete e vendbanime të Drenicës Qendrore, Drenicës së Epërme, Trevës komunale të Malishevës, Rahovecit, Deçanit, Suharekës, Skenderajt, Gllogocit, hapësira të mëdha të Istogut, Klinës si edhe pjesë nga trevat komunale të Lypjanit dhe të Shtimes. Veprimi ushtarak i UCK-s, kushtëzoi faktorin ndërkombëtar për organizimin e Konferencës ndërkomëtare në Rambuje e Paris, nga e cila doli urrërrtia politike faktorin shqiptar dhe shkaktoi sulmet e NATO-s, nga 24 mars deri më 10 qershor 1999. Kur Kosova u liruar nga okupimi barbar shekollor serb.
 Në këtë ditar të thjeshtë, të mbajtur autentik me ngjarjet dhe kohën, shënojmë ngjarjet më esenciale të këtyre vlimeve, që nga fillimi i vitit 1998, të cilat janë mbajtur dhe me të cilat është informuar opinioni lokal i trevës së Lypjanit e më gjerë dhe me të cilat është sensibilizuar popullata shqiptare e kësaj hapësire. Këto janë ngjarje që kanë ndodhur, të cilat janë evidentuar ashtu siç kanë ndodhur, nga se në kohën kur mbaja detyrën e personit të autorizuar për informim, gjatë kohës së Ofanzivës së parë dhe ofanzivës të dytë, të cilat janë historia më e re e shqiptarëve të ndjekur dhe tokës së djegur të Kosovës martire të kësaj hapësire komunale.

Filed Under: ESSE Tagged With: Ismail Gashi, KUR BOTA FILLOJE, TE MENDOJE SHQIP

Basha: Zgjedhje me Ramën kryeministër- as më 18 nëntor

March 20, 2017 by dgreca

Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha në një lidhje të drejtpërdrejt për Tonight Ilva Tare në Ora News ka sqaruar se çfarë është republika e re e propozuar prej tij.Ai thotë se nuk do të ketë dialog me kryeministrin Edi Rama pa qeveri teknike dhe se zgjedhjet nuk do të zhvillohen duke qenë ai në krye të qeverisë.Basha tha se zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë jo vetëm më 18 qershor, por më 18 nëntor.

Inva Basha

Biseda:

Tare: 31 ditë në çadër. Çfarë keni arritur?

Basha: Asgjë nuk është më siç ka qenë para 18 shkurtit. Gjithçka është ndryshe. Frika është vrarë. Kurajoja qytetare është ngritur në këtë shesh. Është një projekt që sot quhet Republika e Re që gjen mbështetje gjithnjë e në rritje jo vetëm tek mbështetësit e opozitës, por mes mbështetësve anë e mbanë Shqipërisë. Asgjë nuk do të jetë si më parë.

Tare: Çfarë është republika e re?

Basha: Një nga produktet e Republikës së re është që pushtetari ul kokën përpara qytetarit dhe jo qytetari para pushtetarit. Do të thotë një shtet ligjor për të gjithë. Një demokraci e vërtetë, jo fasadë ku qytetarët kanë të drejtë të emërojnë dhe të shkarkojnë pushtetarët në çdo nivel. Do të thotë një drejtësi e vërtetë ku gjyqtarët dhe prokurorët nuk mbrojnë krimin dhe korrupsionin në nivele të larta qeveritare.  Do të thotë konkurrencë e vërtetë, ku çdo qytetar ecën përpara, ndjek fatin e tij dhe jo vetëm një grusht njerëzish që gdhihen dhe ngrysen para dyerve të pushtetit, kontrollojnë gjithë asetet kombëtare, tenderat publikë dhe tregun e zi të drogës.

Luarasi: A nuk mendoni se juve do t’ju shkonte më përshtat një komunikim i ri pa gjuhën e përdorur nga çadra me ato fjalitë që kemi dëgjuar, sepse gjuha e vjetër i takon xhaketave të vjetra….

Basha: Çështja e komunikimit politik është çështje estetike, por sot nuk është më çështje estetike. Ju kujtoj se si kryetari i opozitës në fjalimin tim të parë i kam uruar suksese Edi Ramës dhe i kam ofruar mbështetjen time dhe të PD-së në gjithçka që lidhet me integrimin e vendit. E kam bërë këtë nisur nga koncepti im për demokracinë, për rolin e opozitës, qeverisjes. Është një koncept komplet i ndryshëm nga ai i kundërshtarit tim politik. Përgjigja ka qenë barbare; shkelje e Kushtetutës, shkelje e ligjeve, shkelje e konsensusit duke filluar me nëpunësit civil, futja e kriminelëve në politikë, kthimin e Shqipërisë në hambar droge. Kur i thoshim ne, thonin pse nxini imazhin e Shqipërisë. Sot ke Departamentin amerikan të Shtetit, ke Europolin, që është e zezë mbi të bardhë atë që kemi denoncuar prej fillimit. Çështja këtu nuk është estetike, por etike, morale.Gjuha jonë prej momentit të parë ka denoncuar rrezikun e jashtëzakonshëm që i kanoset Shqipërisë jo vetëm për zgjedhjet e ardhshme, por gjeneratave të ardhshme në qoftë se vendi kthehet në bastion të krimit të institucionalizuar. Jo thjesht 30 kriminelë deputetë, kryetar bashkish, drejtorë administrate, por në një Republikë ku krimi zgjedh Parlamentin, krimi zgjedh qeverisjen, zgjedh administratën dhe kjo është gati të ndodhë në qoftë se do ta lejojmë jo Partinë Socialiste, pasi është në koma, por Rilindjen e kriminalizuar të zëvendësojë zgjedhjet e lira me një përballje midis politike në një anë dhe krimin në pushtet në anën tjetër.Në qoftë se Elvis Roshi ka përdhunuar në grup një minorene, unë do ta them këtë dhe të skuqen ata që e kanë bërë kryetar bashkie dhe jo unë. Në qoftë se Armando Prenga ka plagosur 4 qytetarë me armë pa leje para komisariatit si cub, unë do ta them këtë dhe le të skuqet ai që e ka bërë deputet.

Tare: Mbani afër zonja dhe zonjusha. E keni për estetikë këtë?

Basha: Këto zonja dhe zonjusha janë ditë për ditë këtu dhe mjafton që media ta hapin pak hapësirat dhe jo vetëm kur flet kryetari. Këto zonja dhe zonjusha për një orë janë shprehur më mirë, më bukur se sa jam shprehur unë për Republikën e Re.

Tare: Rama e ka thënë dje që qeveri teknike nuk ka, shtyrje zgjedhjesh nuk ka…

Basha: Edi Rama është në krizë të thellë politike, psikike dhe morale. Edi Rama ka vetëm një rrugëdalje; të japë dorëheqje. Qeveria teknike është e vetmja garanci për zgjedhje të lira, jo se duam ne, por sepse kështu e solli punën Edi Rama, me krimin në pushtet. Me pesë palë zgjedhje të prishura dhe me asgjësimin e reformës zgjedhore, nuk la asnjë tullë për vete jo për mua. Ikja e Edi Ramës është çështje kohe dhe ne jemi këtu të garantojmë që ikja e tij të jetë me sa më pak kosto për Shqipërinë. Ndërkohë që ai bën thirrje për dhunë duke kërcënuar protestuesit paqësor si në vitin 1997.

Tare: Rama tha dje se jam i gatshëm edhe në çadër të vijë dhe të dialogojë me ju.

Basha: Të vij këtu vetëm pasi të japë dorëheqjen. Dialog për t’i hedhur hi sy qytetarëve dhe për të vazhduar avazin e vjetër nuk ka për të patur.

Tare: Për të mbërritur në qeveri teknike ju duhet marrëveshje me Partinë Socialiste..

Basha: Do të qëndrojmë këtu dhe do të rritemi gjithnjë e më shumë, gjithmonë e me të vendosur derisa qeverisja, vaji i së cilës ka mbaruar, ta kuptojë se nuk është më qeverisja e shqiptarëve dhe nuk është më asgjë përveçse qeverisja e klaneve kriminale që ka sjellë në pushtet.

Tare: Me LSI ka komunikim?

Basha: Nuk ka asnjë komunikim. Komunikim për telenovelë me Lulzim Bashën nuk ka. Nuk ka asnjë komunikim të nëndheshëm apo të mbidheshëm, negociatë e kam fjalën.

Tare: Udhëtimi në SHBA…zyrtare apo private..Do keni takim me zyrtarë të lartë të DASH?

Basha: Bilal nuk do të ketë në mes. Një Bilal ke të dënuar dhe një kryeministër, të cilit duhet t’i hiqet viza. Bilali i shkretë e hëngri, ky qëndron këtu. Do të kem takime në Evropë dhe në SHBA në funksion të agjendës për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe do t’ju informoj për këto takime.

Tare: Çfarë ju kanë kërkuar ambasadorët, por edhe ai amerikan gjithashtu? Një nga kërkesat e tyre është që të ktheheni në Parlament dhe të miratoni Vettingun.. Do të ktheheni në Parlament?

Basha: Vetëm nëse ka një pakt kombëtar për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ka disa ambasadorë që janë shprehur publikisht për zgjedhje të lira dhe të ndershme si çështja më akute e Shqipërisë që humbasin pak në mediat e kontrolluara nga qeveria. Përfitoj nga ky ekran për të thënë mendimin tim. Kjo nuk është furtunë në gotë uji, është një krizë e thellë që vlonte dhe papritur ka dalë në sipërfaqe. Është kriza e një shteti kriminalizuar në palcë ku krimi dhe droga kërcënojnë fondamentin e bazamentit të demokracisë që janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.

Tare: Çfarë parashikon pakti kombëtar?

Basha: Një pakt politik të të gjitha partive politike për një qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Tare: Jemi tre muaj nga 18 qershori. Mos po humbisni kohë për të bërë fushatë?

Basha: Zgjedhje fasadë, zgjedhje me drogën, zgjedhje me krimin, zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk do të ketë as me 18 qershor dhe as me 18 nëntor. Standardet do të zbatohen. Shqiptarët do të kenë vetëm zgjedhje të lira dhe të ndershme. Vetëm zgjedhje sipas standardit evropian, zgjedhje të tjera nuk do të ketë.

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Basha, Cadra, Rama, zgjedhjet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2124
  • 2125
  • 2126
  • 2127
  • 2128
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT