• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Thaçi: Rajoni është i kërcënuar, Kosovës i duhet ushtria

March 14, 2017 by dgreca

Themelimi i ushtrisë së Kosovës është domosdoshmëri për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon, ka deklaruar presidenti i Kosovës Hashim Thaçi.

Këto komente, presidenti Thaçi i bëri sot gjatë një tryeze diskutimi të organizuar nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë, në lidhje me procesin e formimit të ushtrisë së Kosovës.“Transformimin e bëjnë të nevojshme edhe zhvillimet në rajon dhe nevoja që Kosova t’i forcojë mekanizmat mbrojtëse të vendit. Kurse ngurrimi i Bashkimit Evropian që të përshpejtojë integrimin e Kosovës dhe shteteve tjera të Ballkanit Perëndimor, u ka hapur rrugë ndikimeve tjera në rajonin e Ballkanit”, ka thënë Thaçi.

“Këto ndikime tjera, janë kërcënim për paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, prandaj është urgjente që FSK të avancojë në misionin dhe detyrat e saj”, ka thënë Thaçi.

Formimi i ushtrisë, sipas tij, bëhet për ngritur kapacitetet dhe për t’u mbrojtur nga kërcënimet e ardhshme për Kosovën dhe rajonin.“Pavarësisht dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, Serbia po e ruan armiqësinë e saj në raport me Kosovën”, tha Thaçi.Presidenti Thaçi tha edhe këtë herë se Serbia ka plane për aneksimin e pjesës veriore të Kosovës, ngjashëm me veprimet e Rusisë në Krime.“Serbia ka plan për ndarjen e Kosovës, për aneksimin e pjesës veriore, sikurse Rusia Krimenë. Kjo është e vërtetë. E ka planin. Këtë plan e dinë edhe ndërkombëtarët. Unë nuk po them ta bëjmë ushtrinë dhe të përgatitemi për luftë, por ta bëjmë ushtrinë, të jemi më të fortë për paqe, stabilitet dhe natyrisht t’i dalim zot vendit tonë”, është shprehur Thaçi.Po ashtu, Thaçi përsëriti se transformimi i FSK-së në ushtri përmes ndryshimeve kushtetuese është bërë i pamundur, për shkak të kundërshtimeve të Listës Serbe, e cila përfaqësohet në Kuvendin e Kosovës me 11 deputetë.

Thaçi tha se kundërshtimi i Listës Serbe është i ndërlidhur me qëndrimin dhe vullnetin politik të Beogradit.

Andaj, si zgjidhje alternative, Thaçi tha se ka vendosur që transformimi nga misioni civil në atë ushtarak, të bëhet përmes ligjit.

Por, shndërrimi i FSK-së në forcë ushtarake përmes ligjit, nuk është mbështetur nga NATO- dhe Ambasada Amerikane në Prishtinë. Të dyja, kanë inkurajuar institucionet e Kosovës që transformimi të ndodhë përmes ndryshimeve kushtetuese.

Megjithatë, Thaçi tha se i garanton partnerët ndërkombëtarë se i gjithë procesi i transformimit do të zbatohet në koordinim me NATO-n, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerët ndërkombëtarë.

Ky transformim, shtoi Thaçi është në përputhshmëri me politikat e administratës së presidentit amerikan, Donald Trump.

“Propozimi për themelimin e ushtrisë, apo Forcave të Armatosura është në përputhshmëri me orientimet e administratës së re të presidentit Trump i cili thotë se shtetet e pavarura e sovrane duhet t’i rrisin kapacitetet e tyre mbrojtëse”, ka thënë Thaçi.

Ndërkohë, Burim Ramadani nga Qendra Kërkimore për Politika të Sigurisë tha se “Kosova duhet ta ketë edhe ushtrinë edhe përkrahjen ndërkombëtare”. Njëherësh, ai e ngriti si çështje edhe arritjen e konsensusit të brendshëm politik, sidomos ndërmjet forcave politike shqiptare. Përderisa për komunitetin serb, Ramadani tha se tash për tash nuk mund të llogaritet në mbështetje.

Me projektligjin e ri, Forca e Sigurisë së Kosovës merr përgjegjësi të reja ushtarake, tha presidenti i Kosovës. Një forcë e tillë, vijoi ai, do të jetë e gatshme për angazhim në funksion të paqes në rajon dhe më gjerë.Projektligji për FSK-në është ende në duart e Qeverisë së Kosovës. Aktualisht, mendimin për këtë projektligj e ka dhënë Ministria për Forcën e Sigurisë të Kosovës.Ministria për FSK-në ka shprehur pajtimin e plotë dhe ka thënë se mbështet miratimin e Projektligjit për Forcën e Sigurisë së Kosovës. Ky transformim, sipas kësaj Ministrie, do të rezultonte me krijimin e bazës ligjore me qëllim të përmirësimit dhe ndërtimit të një sistemi të mbrojtjes dhe sigurisë me kapacitetet e nevojshme shtetërore, në mbrojtje të sovranitetit, integritetit territorial dhe interesave shtetërore, si dhe përmbushjen e synimeve për integrime euro-atlantike.Pritet që mendimet e tyre për këtë projektligj, ta japin edhe Ministria e Financave si dhe ajo e Integrimeve Evropiane.Më pas, Qeveria e Kosovës do të vendosë nëse do ta procedojë atë për në Kuvendin e Kosovës, ku do t’i nënshtrohej procedurave të shqyrtimit dhe miratimit. (Zijadin Gashi REL)

Filed Under: Politike Tagged With: kosova, Presidenti Thaçi, Rajoni, Ushtria

FAIK KONICA, ATDHETAR I DENJË I KOMBIT SHQIPTAR

March 14, 2017 by dgreca

FAIK KONICA:(15.03.1876 = 15.12.1942)/

“Një nga pionierët më të shquar të pavarësisë së Shqipërisë…”/

Shkruan: Safet N. Ramolli/

   Është një nga vlerësimet e shumta që Fan Noli formulon për Faik Konicën. Po cila është skematikisht biografia e tij? Bashkatdhetari dhe bashkëshoku i tij Qamil M. Panariti, që duhet të jetë autobiografi më i besueshëm, pohon se Faiku u lind në Konicë të Shqipërisë, prej nga mori edhe mbiemrin, fshat ky i lënë jashtë trojeve të trungut shqiptar nga viti 1912.

   Qysh kur ishte fëmijë i vogël filloi mësimet e arabishtes në vendlindje. Kur ishte 9 vjeç shkoi pas të motrës, e cila ishte martuar me një oficer, në Shkodër. Kështu iu krijua mundësia që të vijojë një vit në Shkollën e Jezuitëve. Mandej do të vijojë një vit në një shkollë greke, por njëherësh vijonte të merrte mësime intensive në greqishten e vjetër dhe në latinishte. Në vitin 1889, djalosh 14-të vjeç, do të shkonte në Francë, ku studjoi në një lice e kolegj. Inteligjent nga natyra, por edhe këmbëngulës e me vullnet të pazakontë për studime, do të përfitonte nga dy klasë në një vit. Në të pastajman vazhdoi studimet në Liceun Perandorak të Galata Serajit, një shkollë kjo me prirje frenge, ku edhe mësoi frengjishten. Kështu F. Konica do të zotëronte gjuhën gotishte, sanskrishte, frëngjishte, gjermanishte, italishte, dhe gjithë gjuhët e Ballkanit.

   Më 1895, pra kur ishte njëzetvjeçar, pranohet në fakultetin e letërsisë në Universitetin e Dizhonit, duke iu krijuar kështu mundësia, që jo vetëm të njihte mirë historinë e popullit frances, por edhe të thellohet sidomos në njohjen e letërsisë së gjerë e të begatë franceze. Pas provimeve që dha, fitoi gradën “Bachelor i Letrave dhe i Filologjisë”. Njëkohësisht vijoi studimet e filologjisë romane.

   Tip i veçantë, studiues i etur për të fituar me studime intensive, vijon studimet në Universitetin e Harvardit të Kembrixhit në Masaçusets të SHBA-së, ku në vitin 1912, kur ishte 37-të vjeç, fitoi gradën e Mjeshtrit të Arteve në Letërsi (“Master of arts”).

   Si rrallëkush “zhytet” në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare që kur ishte i ri, vetëm 22 vjeçar, por me pseudonimin Trank Spiro Beg për t’i shpëtuar survejimit të administratës turke. Bashkëshoku i tij Fan Noli formulon vlerësimin se, nga viti 1897 deri më 1912, dy nga pionierët më të shquar të Pavarësisë së Shqipërisë kanë qenë Konica dhe Shahin Kolonja. Gjatë këtyre viteve (1896-1909 S.R) boton në Bruksel revistën e mirënjohur “Albania”, përmes së cilës mbron si rrallëkush me argumente dhe pathos patriotik çështjen e drejtë shqiptare. Ai tashmë ka të konsoliduar sentencën: “Çdo popull të përpiqet të çlirohet, të qytetërohet, të përparojë për hesap të tij, që të mos mbetet asnjë element i errët në faqe të dheut…”.

   Në vitin 1912, së bashku me Nolin dhe udhëheqës të tjerë, themelon Federatën Gjithëshqiptare të Amerikës “Vatra”, e cila në vitet që do të pasonin, do të luante një rol të madh për mbrojtjen e pavarësisë dhe të tërësisë territoriale të Shtetit të Ri Shqiptar të sapokrijuar. Me cilësinë e drejtuesit të “Vatrës”, por edhe me atdhetarizmin e zjarrtë që e karakterizonte, në vitet 1912-1921, do të ndërmerrte një veprimtari të dendur diplomatike në vende të ndryshme të Evropës, duke u përpjekur për çështjen kombëtare. Mesa duket, jo kudo gjeti dëshirën e mirë për të ndihmuar popullin shqiptar, prandaj me një farë deziluzioni shprehet se, ndërsa “Ne (shqiptarët S.R) kemi shkruar me gjakun tonë mjaft faqe të historisë së Evropës…”, disa herë Fuqi të Mëdha kanë bërë lojë të rrezikëshme në kurriz të popullit tonë. Në kuadrin e kësaj veprimtarie diplomatike, më 1913 viziton edhe Shqipërinë, por mbeti i pakënaqur nga puna e qeverisë së I. Qemalit, ish-kryetar i përkohshëm i shtetit të vogël që po lindëtte. Analistët dhe biografët, e vlerësojnë “gabim të hidhur” vendimin e Konicës për të bashkuar forcat me Esat Pashë Toptanin, “… njeri tiran i egër ky…”. Me sa duket nuk u orientua drejt me situatën dhe realitetin shqiptar. Më 1914, edhe pse ishte vlerësuar si “udhëheqësi shqiptar më i shquar dhe eksponenti më agresor për një Shqipëri Demokratike”, nuk pranoi asnjë pozitë në qeverinë e Princ Viddit. Po këtë vit takon në Vjenë për herë të parë Ahmet Zogun, me të cilin u bë mik për shumë kohë. Në zhvillimet e viteve 1920-1924, mori pjesë aktive duke kontribuar fuqishëm për krijimin e shtetit modern shqiptar. Po në dhjetor të vitit 1924, me sa duket bije në gabimin e dytë: pranon humbjen e nacionalistëve progresivë në lojën me A. Zogun, ashtu si deklarohet, se lufta e mëtejshme kundër Zogut nuk kishte kuptim, dhe se nuk ishte në interes të vendit. Si shpërblim, thonë analistët, Zogu do ta emëronte Konicën të dërguarin e Qeverisë Shqiptare në Uashington, ku do të qëndronte deri në pranverën e vitit 1939, kur vendi ynë do të pushtohej nga Italia. Ky qëndrim do t’u jepte shkak shumë shqiptarëve liberalë, që F. Konicën të mos e shikonin më “si kampion të lirisë e të demokracisë”, besim të cilin ai nuk do ta fitonte më kurrë në të ardhmen. Megjithatë, kontributi i Konicës në Uashington për propagandimin dhe mbrojtjen e çështjes shqiptare, do të mbetet me vlerë. Një gazetar amerikan, pesë ditë pas pushtimit të Shqipërisë më 7 prill 1939, shprehet edhe sa vijon: “Si përfaqësues i një vendi të vogël pakkush nga diplomatët i ka bërë vetes një vend kaqë të rëndësishëm në Uashington sa Faik Konica, ministër i qeverisë së rrëzuar të Shqipërisë”.

   Jetoi shkurt, vetëm 66 vjet, por ishte një jetë e tejmbushur me veprimtari sa personale, aqë edhe mbarëkombëtare. Në përgjithësi mbetet një bashkëkombas jo i zakonshëm, prandaj dhe ka tërhequr mjaft vëmendjen e studjuesve të veprës dhe të biografisë së tij, të cilët janë më të shumtët të huaj, por edhe shqiptarë. Bëri një jetë të pazakontë, i pakujdesshëm ndaj shëndetit, duke mbetur në përgjithësi një njeri i palumtur, pasi edhe nuk konkludoi asnjëherë që të ndërtonte një jetë familjare. Gjithësesi, si jetë u shua i nderuar dhe i respektuar. Më 14 dhjetor 1942 pati një goditje, dhe ditën tjetër vdiq nga hemoragjia cerebrale duke mbyllur karrierën e shquar të një prej bijve më të përmendur të Shqipërisë. Nderimet e fundit iu bënë më 20 dhjetor 1942 në sallën New England Mutual Hall, në zemër të Bostonit. Edhe pse ishte mot i ftohtë, kishin ardhur qindra adhurues të tij të afërt e të largët. Kishin ardhur edhe përfaqësues nga Miduesti, Detroiti, Miçigani, Ohajo dhe Virxhinia Perëndimore. Një kurorë me lule dërgoi mbreti Zog nga Anglia, të cilën e pagoi shoqëria “Vatra”. Fjalën e përzishme, në një mjedis të trishtuar e të pikëlluar, e mbajti bashkatdhetari, bashkëluftëtari dhe bashkëshoku i tij, Fan Noli, i cili në fund u lut: “Zoti i Plotfuqishëm i dhëntë paqen e përjetëshme!”.

Faik Konica është anatemuar nga qeverisja e viteve 1945-1990

   Edhe pse ka qënë një personalitet madhor i politikës dhe i letrave në periudhën midis shek. XIX dhe XX, me kontribute të çmuara, ai nga qeverisja e dalë pas përfundimit të Luftës II Botërore është përbaltur me dashakeqësi deri në kufijtë e mënjanimit dhe të mohimit. Nuk është rastësi që në periudhën e mësipërme, vepra e tij nuk gjen pasqyrim në asnjë tekst shkollor të të gjitha niveleve të ndryshme, as edhe në ndonjë antologji apo botim tjetër shtetëror. Njëherësh, në asnjë veprimtari që ka të bëjë me letrat shqip, qofshin ato përkujtimore, muaji i letërsisë dhe arteve, simpoziume të ndryshme etj.etj. emri i tij nuk zihej ngojesh. Në se i referohemi Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, botim i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë, viti 1985, edhe ky shpreh qëndrimin zyrtar ndaj Konicës (nuk e kuptoj se si mund të titullohet i tillë një punim nga institucioni më i lartë shkencor në vend, por që s’ka asgjë të përbashkët me shkencën, veçse bën biografinë e drejtuesve të partisë-shtet, edhe kjo e deformuar dhe larg së vërtetës S.R), personaliteti shumëdimensional i Konicës sulmohet në mënyrën më anakronike dhe më barbare të mundëshme. Akuzohet sikur gjatë gjithë jetës së tij, u përpoq të mbronte interesat e bejlerëve, po edhe sikur lëvizjen patriotike u përpoq ta kufizonte vetëm në kërkesa kulturore, kur dihet fare mirë se populli shqiptar atëmot nuk e kishte parësore çështjen e kulturës, por probleme të tjera madhore që kishin të bënin me sigurimin e lirisë dhe tërësisë territoriale, ndërkohë që Konica është mjaft kritik ndaj bejlerëve të tipit “bejlurçina”, duke shkarkuar mbi ata fshikullime sarkazme të ashpra. Mandej akuzohet sikur ishte kundër organizimit të kryengritjeve më 1906-1807, duke mohuar qëllimin e tyre për sigurimin e lirisë dhe pavarësisë, dhe sikur ka propoganduar idenë e autonomisë por nën Perandorinë Austro-Hungareze, dhe që pas përfundimit të Luftës I Botërore, Shqipëria të ishte nën protektoratin italian. Është një akuzë pa asnjë bazë, sepse përgjatë gjithë veprimtarisë së tij, ai spikat mes bashkëluftëtarëve për atdhetarizëm të zjarrtë, duke sulmuar ashpërsisht shtetet që synonin copëtimin e territoreve shqiptare, por edhe duke u bërë thirrje të drejtpërdrejta shqiptarëve të bashkohen rreth çështjes kombëtare. (kujtojmë vjershën “Avropi”). Më tej akoma, akuzohet sikur Luftën e Vlorës më 1920, e vlerësoi si shprehje të “verbërimit” politik, por edhe sikur në vitet 1921-1924, mbrojti interesat e çifligarëve e të bejlerëve, duke u përpjekur të ulte vrullin e lëvizjes demokratike antifeudale. Por është krejt i qartë qëndrimi i tij për ruajtjen dhe sigurimin me çdo kusht të tërësisë territoriale, ndërkohë që në lëvizjen politike në vitet 1921-1924, ai i bashkua me krahun më progresiv të politikës, duke u rreshtuar me luftëtarë atdhetarë si F. Noli, H. Prishtina, B. Curri etj. Akuzat nuk kanë të sosur, sikur pas dështimit të lëvizjes së armatosur në qershor 1924, u vu në shërbim të A. Zogut duke pranuar emërimin ambasador i kësaj qeverie reaksionare në Uashington, por edhe sikur në revistën e mirënjohur “Albania”, të cilën e drejtoi në vitet 1896-1909, mbisundonte toni i sarkazmës dhe fyerja ndaj kundërshtarëve politikë personalë, por edhe sikur në disa vepra letrare shprehte mosbesimin për aftësitë e popullit shqiptar për t’u integruar në rrugën e përparimit ekonomik e shoqëror. Qëndrimi i F. Konicës pas dështimit të qeverisë jetëshkurtër të F. Nolit, të dalë pas lëvizjes së armatosur të qershorit 1924, nga analistë dhe biografë në zë,por edhe nga autoritete të huaja, është vlerësuar i drejtë. Në thelb ai u përkiste intelektualëve që bënin thirrje për pushimin e grindjeve dhe të luftës “brenda llojit”, dhe të bashkoheshin për të ngritur kombin shqiptar në lartësinë e kombeve të tjera të Evropës. Ndër të rrallët, Konica e ka stigmatizuar portretin e A. Zogut me epitete therës pejorativë, ndërsa ka gjetur bashkëpunëtorë atdhetarë pa dallim krahinor në gjithë Shqipërinë. Për atë çka ishin vëllezërit Frashëri ishte edhe At Gjeçovi, At Gjergj Fishta, Bajram Curri, Hasan Prishtina etj. Konica ishte një evropian i vërtetë, i kompletuar me dije të qëndrueshme, njihte shumë mirë historinë e zhvillimit të shoqërisë njerëzore, dhe e dëshironte administrimin e popullit shqiptar brenda ligjeve dhe të drejtave themelore si popujt e tjerë të Evropës. Nuk mund të pajtohej me punonjës të administratës që s’kishin haber për këtë shërbim, dhe për më tej që shpërdoronin besimin e ngarkuar nga populli, prandaj edhe shprehej me tone të larta kundër tyre. Por gjejmë edhe mjaft akuza të tjera të tipit “sikur”, që sipas akuzuesve “cënonin interesat kombëtare”.

   Po, a mund të akuzohet një intelektual kompetent dhe brilant, një personalitet që përfaqësoi qeverinë shqiptare në opinionin botëror me diapazon kulturor të gjerë, me argumente bindëse dhe me guxim si rrallëkush?!!! Për habinë edhe të opinionit botëror, kjo ngjau për këtë personalitet poliglot, i cili nuk kishte asgjë të përbashkët me akuzat monstruoze të montuara me dashakeqësi të skajshme.

Po, kush ishte në fakt Faik Konica?

 Veprimtaria e Faik Konicës në fushën e krijimtarisë.

I kompletuar me kulturë oksidentale, por edhe me aftësinë për t’u shprehur jo vetëm verbalisht, por sidomos me shkrim, fillon të botojë që herët kur ishte akoma student. Ishte tepër i gjerë dhe i thellë në mendime. Realitetin e përceptonte me lehtësi, ashtu si e pasqyronte me vërtetësi dhe kurajo atë. “Trokiti” në dyertë e poezisë, të prozës poetike, të portretit dhe të prozës së shkurtër; të kritikës e të essesë; të përkthimeve, ashtu sikurse provoi me sukses edhe lëvrimin e prozës së gjatë. Por, gjithësesi studjuesit e biografisë dhe të krijimtarisë së tij, kanë rënë “në emërues të përbashkët” se, ndërsa kishte horizont të gjerë dhe në krijimtari rrokte tematikë të larmishme dhe interesante, në përgjithësi nuk kishte durimin e duhur për t’i çuar punët deri në fund. Megjithatë, Ai spikat ndër bashkëkohësit si një ndër etërit e artit e të kulturës moderne.

   E donte atdheun dhe popullin, prandaj i grishte bashkëqytetarët e tij, që të krenoheshin me vlerat patriotike dhe morale të të parëve të tyre, duke e stigmatizuar popullin e tij si: “… një komb trimash…”, i cili ngrinte flamurin në ballë të betejave sa herë që armiku e kërcënonte. Lirinë e bashkëkombësve dhe të kombit nuk e gjykon si një sofist, por me realizëm. Ai mendon se, s’mund të ketë komb të lirë pa qytetarë të lirë. Për lirinë e individit formulon këtë frazeologjizëm të artë filozofik: “Liria është e drejta e çdo njeriu për të besuar atë që dëshiron, për të folur atë që ka në zemër, për të shkruar atë që ka në mendje dhe për të bërë atë që i pëlqen, me kusht, që të mos e dëmtojë asnjeri tjetër”. Konica pranon, që atdheu dhe malli për atë është i shtrenjtë dhe i dhembshëm, prandaj i revoltuar nga qëndrimet e disa turkomanëve, dhe të tjerëve që pranojnë shtypjen, shkruan edhe me mllef të mbingarkuar dhe me keqardhje përmes vargjeve: “…Është turp prej kësij krimbash, / Të mundohet një komb trimash…”, ose “… As nder, as turp, as gjak s’kini, / Unjni kryet dhe po rrini…”.

   U është mirënjohës paraardhësve dhe bashkëkombësave, të cilët çështjen shqiptare e bënë dhe e quajtën gjithmonë të tyren. Avdyl Frashërin e lartëson, kur në kujtimet për atë, posë të tjerash, shprehet edhe sa vijon: “… Tepër i papjekur, mjerisht, nuk kuptoja në ato ditë të lumtura për mua, fjalët që dilnin si zjarr i qëruar nga goja e tij”. Për Naim Frashërin veçon epitetet e spikatura: “… zemërqëruar, mendjehollë, fjalëkripur, ndjesëhollë”, e të tjera si këto. Për Ali Pashë Tepelenën veçon togfjalëshin: “… luani që i vuri shpatën Turqisë…”. Jeronim De Radën e kualifikon ndër shqiptarët, që e kanë dashur vendin e tyre me zjarr, që nuk janë vetëm shqiptarë por edhe atdhetarë. Atë Gjeçovin e veçon midis të tjerëve si një njeri me mendje të ndritur, me zemër të mirë, me fjalë të paka por me vend, si “… një nga njerëzit më të lartë…”, që ka patur Shqipëria; “…një lartësi e përulur, … një lartësi shpirti dhe mendjeje e panjohur…, një njeri që shpërndante veç fjalë të urta dhe ngushëllime njerëzore, i ditur me një dituri pa tingëllim, por edhe shqiptar i kthjellët”. Për Bajram Currin veçon të tjera epitete, të cilat shprehin thelbin e kodit moral të shqiptarit, duke e paraqitur si njeri fisnik, të mençur nga natyra, trim, etj., “… liberal në mes të despotizmës, patriot në mes të tradhëtisë…, i patrembur në armët…, një besnikëri e patundur në fjalën që jepte…”. Është fakt historik që, Fan Nolin e ka patur bashkëshok e bashkëpunëtor, por edhe kundërshtar, por e vlerëson si një fytyrë historike, që ka luajtur rol të madh në lëvizjen patriotike shqiptare. Prandaj edhe do të shpalosë mendimin se është: “…mendjehapur…, që nga kultura, nga mendësia dhe nga karakteri i tij më kujton shpesh kishtarët e Përlindjes italiane…”, vlerësim që rrallë tjetërkush e ka bërë për këtë figurë madhore të politikës, të letrave e sidomos të klerit.

   Si për të mbyllur portretizimet, të cilat Konica i bën me aqë finesë, aqë të goditura, të artikuluara mjeshtërisht dhe besnikërisht, le të nënvizojmë, se si e dëshironte ai portretin e shqiptarit në përgjithësi. “Vetëm një gjë duam të shtojmë: Shqiptarët njohin e duhet të njohin për të tyre vetëm ata që, kudo, kundër të gjithëve, janë, thuhen, rrëfehen e provohen: SHQIPËTARË! Thënie e mençur kjo, që ngërthen më së miri çështjen kombëtare.

   Disa nga krijimet dhe thëniet e Konicës mbeten margaritarë të rrallë për gjuhën shqipe. Kjo jo vetëm për problemet që servir, për mënyrën si i koncepton dhe i trajton, por sidomos për mënyrën e paraqitjes. Nën okelion “Çipi i palaçove”, në mënyrë shumë konçize dhe me një satirë tepër të goditur, fshikullon lojën e rrezikëshme që kanë bërë disa herë Fuqitë e Mëdha në kurriz të popullit shqiptar. Përmes lojës së fjalëve “Avropa” dhe “Evropi”, ai bën prezent faktin, që të mëdhenjtë kanë luajtur me të vegjëlit lojën e “Maces me miun”. Konica ndërmjet “Avropit” dhe “Evropit” vë një top, për të cilin ata gjoja zihen dhe goditen, por që tek e fundit: “Bam “Avropa”, bam “Evropi”, / Ulurijnë: ku ishte topi? / Evropa bën sehir… / Dhe pastaj na rrëmben shkopin…”. Të rrallë janë personalitetet shqiptare në historinë e kombit që të sintetizojnë me kaq zgjuarësi, mprehtësi dhe elokuencë, sjelljet dhe qëndrimet e Fuqive të Mëdha ndaj popullit shqiptar.

   Në artikullin “Ca këshilla mbi artin e shkrimit”, Ai prezantohet si një estet i mirëfilltë dhe i kompletuar si kritik letrar. Kështu, vlerëson vëllezërit Frashëri, Kristoforidhin. Pashko Vasë Pashën, Thimi Mitko, De Rada, e të tjerë, të cilët hapin rrugën ”… për përparimin e gjuhës shqipe…”. Artin e të shkruarit e krahason me mjeshtërinë e ndërtuesit, sepse që të ndërtosh një shtëpi duhet “… t’i vësh gurët radhë me radhë që të lidhen dhe të qëndrojnë shëndoshë e bukur”. Letrari, nënvizon Konica, e ka domosdoshmëri, që para se të marrë penën e të shkruajë, duhet të ketë të qartë objektin e shkrimit, mënyrën si do ta ekspozojë, rrëfimin pjesë-pjesë, dhe konkluzionin apo përfundime.

   Një perlë e vërtetë e krijimtarisë së Konicës është shkrimi: “Lutja e shkrimtarit”. Në pamje dhe në përmbajtje i ngjan një epitafi. Në jo më shumë se 7-8 rreshta shpaloset një filozofi e tërë. Prandaj për të mos i prishur bukurinë po e citojmë ashtu si e ka shprehur autori. Ja si pohon Konica: “Ati ynë që je në qiell. Jepna fuqinë të mbajmë gojën mbyllur kur s’kemi gjë për të thënë! Falna durimin të thellojmë një punë përpara se të shkruajmë në të! Frymëzona me një ndjenjë të mprehtë të drejtësisë që të flasim jo vetëm me paanësi, por edhe të sillemi ashtu! Shpëtona nga grackat e gramatikës, nga shtrembërimet e gjuhës dhe nga lajthimet e shtypit! Ashtu qoftë!”, e mbyll “lutjen” me shpresë e besim, se atë e dëgjojnë ata që kanë veshë por edhe dëshirë për të dëgjuar.

   Sikurse mund të gjykohet, edhe nga sa evidentuam më sipër, Konica është një figurë mjaft komplekse. Në ndonjë rast gjykimi i tij për Shqipërinë dhe shqiptarët i ngjason paragjykimit të një Kasandre. Në raste të tjera paraqitet eklektik, sidomos në gjykimin e dyzuar që bën ndaj A. Zogut, por edhe ndaj Fan Nolit. Por gjithësesi ai meriton plotësisht epitetimet që i janë rezervuar si: “… një enciklopedi e gjallë për njohuritë e gjera dhe fushat e ndryshme të njohjes…”, apo “… ambasador i kulturës dhe i letërsisë shqipe në botën e huaj… Princ i gjuhës shqipe…, kryelëronjës i gjuhës sonë…”, dhe shumë të tjera si këto. Më 20 shtator 1938, At Gjergj Fishta i dhuron librin “Lahuta e Malëcis”. Në kopertinë shkruan dedikimin: “Njeriut më të ditur, Faik Konicës, gjykatësi i letërsisë shqipe më elegantë, me miqësi të përherëshme e të përulur!”. Fan Noli nënvizon se: “… Të gjithë autorët shqiptarë që vijnë pas Konicës janë nxënësit e tij, duke përfshirë edhe shkruesin e këtyre radhëve”.

   Biografi i tij më i besuar, Qamil Panariti, nënvizon se Konica ishte një pamfletist i tipit të këndëshëm por të ashpër, “… një lloj Volteri shqiptar me sarkazmin e tij të hidhur…,  ka qenë burrë i përsosur, një pritës i pakapërcyeshëm, një rrëfimtar i rendit të parë dhe zotëronte një kujtesë të shkëlqyer e të fortë… të gjithë të huajtë e quanin “Faiku i butë” … Atë e kanë çmuar të huajtë më tepër se sa shumë nga bashkëatdhetarët e vet”.

   Anglezi H. Breislford, një mik i popullit shqiptar për afër një shekull në librin e tij “Makedonia” për Konicën shprehet edhe sa vijon: “… Një dijetar e studjues, njohuritë e të cilit në filologji janë po aqë të shënuara sa edhe toleranca dhe qartësia e tij në politikë… Filolog që dinte gotishten dhe sanskrishten, ashtu siç dinte frëngjishten, gjermanishten, italishten dhe gjithë gjuhët e Ballkanit…”.

   Tek e fundit, vlerësimi i lartë që Konica i bënte Shqipërisë dhe vendit të vet, do të shprehet në Testamentin që i drejton Fan Nolit dhe Sejfulla Malëshovës (Lame Kodrës S.R) në prag të ndarjes nga jeta në vitin 1942, kur shprehet se “…Ndërroj jetë me mejtimin se ju jeni njerëzit që më keni kuptuar në këtë dhé. Nuk do të më tretë dheu, në se ti imzot Noli dhe ti Lamja im i vogël dhe gjithë ata që e quajnë vehten shqiptarë, nuk do të çojnë kufomën time të më tretet në tokën mëmë. Kam lënë mënjanë edhe harxhimet e rrugës për trupin pajetë dhe shumën për dy metra vend në Shqipëri. Mbyll sytë se ti i nderuari Noli dhe ju të nderuar shqiptarë e ti Lamja im i vogël në Paris do të ma kryeni këtë amanet!”

   Ishte një amanet i dhembshëm si gjithë amanetet e tjera në përgjithësi, por që për kushtet e të qenurit në luftë, e sidomos për rrethanat që u krijuan në përfundim të saj, nuk do të realizohej. Duhej të vinte viti 1995 që eshtrat e shqiptarit të nderuar Faik Konica të shkelnin në tokën e amëshuar shqiptare. Ato prehen në Parkun Kombëtar pranë Liqenit Artificial në Tiranë.

   Ja kjo ishte motua e një jete të madhe, që mendoi e punoi vetëm për Atdhe e Komb.

Safet N. Ramolli, Mars, 2017

Filed Under: Vatra Tagged With: Atdhetar i denje, Faik Konica, Safet Ramolli

KUR SPORTI I BOKSIT U SHPALL I NDALUAR

March 14, 2017 by dgreca

Në vjeshtën e vitit 1963 ,sporti i boksit u ndalua, një vjeshtë e hidhur e rëndë me shenjat paralajmëruese që i dha koha./1-Gezim-Llojdia-240x300Nga Gëzim Llojdia/

 1.Ai  quhej Njazi Hamzaraj Gjyqtari i boksit, dhe tashmë nuk është më prezent në këtë botën tonë.Gjyqtari i boksit në banesën e vetë ka të shpalosura medaljet dhe titujt e fituar si gjyqtar në sportin e boksit amator dhe profesionist. Ja disa:-në kampionatin Europian në 22 korrik në Perm,afër Uraleve.

-Në tetor 2005 në Shkup merr kupën”Zllatni gong” për gjyqtar,ose brezi i artë.

-Gjyqtar i Evropës për sportin e boksit amator.

-Medalje në Greqi në kupën “Aleksordin2003,medalje në kupën Akropolis. Thesaloniki 2004 si dhe medalje në Beograd me 37 shtete.

-Mirënjohja e Kosovës,medalje në shtetin rumun si gjyqtar në ring ,gjerdani i artë 2002.

2.Disa vite më parë zhvillova me gjyqtarin e boksit këtë bisedë:Zbret natyrshëm në thënien e tij Njaziu,për sportin e boksit. Në 7-8 dhjetor 2002 në San Nicola,pranë Napolit ,Presidenti i kampionatit italian të këtij sporti mori 3 gjyqtar të huaj për gjykim mes tyre ishte një polak dhe 1 austriak,thirrja e këtyre gjyqatrëve të huaj ishte për të mos ju dorëzuar kthetrave të jashtë objektivitetit. Njaziu mbrinte në Napoli një ditë të zymtë dimri të ftohtë në qytetin e Vezuvit,por më pas dy vite më vonë, në kupën Herkules në Traklo një eveniment evropian ku marrin pjesë 20 shtete,ishte në të dy pozicionime,gjyqtar ringu dhe gjyqtar që jep pikët.

Njaziu me Kreshnik Qaton në një kampionat në pjesën e ngrysur të Ballkanit.Por zanafillën me sportin e boksit e ka në vitet ’61 me P.Dautin,R.Cunin në dyert e llonxhës atyre u vinte nga pas një djalosh.Për këtë sport,që më tepër e luanin ata që ishin të varfër. Qyteti detar kishte një ekip boksi dhe ishte furnizues i rregullt i Partizanit.B.Zoga 2 herë kampion,L.Krutaj 2 herë kampion me Partizanin. T.Truja,I.Rama emblema e boksit vlonjat dhe P.Dauti, A.Kasemi .Y.Arapi, B.Bute.

Si hyri në sportin e boksit?Gati thjeshtë: Do të vish në boks,i thanë  profesor Burhani dhe P.Pina, ke disa cilësi në përpunimin teknik. Kam bërë 8-12 ndeshje kur kundërshtarët e mi ishin 2-4 herë më të mëdhenj. Si shenjë treguese për sportin e boksit ishin duart e gjata që kishte  duke i mbajtur në një farë mënyre larg kundërshtarët.

Toli Truja një trajner kampion në këtë sport i arsimuar me një kulturë qytetare kërkonte

a-statizmin,

b-paraqitjen,

c- veshjen.

Foton e Muhamed Aliut e ruante  ende si atë ditë kur e pikasi me dorën, që grushtonte rëndëshëm. Në radion e R.Mustafajt kishte  dëgjuar atë ditë Olimpiadën e Romës.

Ku përvec  M.Aliut ishte Nino Benvenuti.

Kur L.Kruta ishte shef fizkulture u arit të ngrihej një palestër e kohës tek shkolla mjekësore,sot është abadionuar.Bilanci:8 ndeshje me të rinjtë,në Durrës 6 ndeshje 5 fitore,1 e humbje.Në vjeshtën e vitit 1963 ,sporti i boksit u ndalua, një vjeshtë e hidhur e rëndë me shenjat paralajmëruese që i dha koha. Atë vjeshtë gjethet binin në rrugë dhe në trurin e tyre e fiksua ngrirja, që ndoshta u shfaq si e përkohshme,por zgjati vite të tëra.

3.Në ’91 në Vlorë u formua shoqata e boksit në pallatin e sportit. U mblodhën ditën  e rikthimit si dikur Idai Rama,Ramadan Cuni,Toli Truja,Pajtim Dauti,Muharrem Veshi,Sadedin Gjoka. Kampionati i parë nisi në dimërin e vitit’92 në Tiranë.Njaziu ka gjykuar ndeshjen  e parë në Shkodër midis Besnik Gjetjes me nënkampion europe,malazez. Ishte me emocione,shqiptari ishte sallakës,i shkurtër,malazezi i gjatë ndërkohë që punonte si shef stërvitje në ushtrinë e Malit të Zi.

Ndeshja ishte e pastër,dhe gjykimi erdhi duke u lehtësuar. Gjetja shqiptari fitoi 58-60. Në Permë të Rusisë afër Uraleve në një pallat sporti me 3 ringje njëhershëm u mbajt kampionati 34 europian i boksit. Ai ruante ende këmishën e bardhë të ringut. 54 shtete pjesëmarrëse.

3000 rusë bërtisnin:”Rasia.Rasia” me megafon. Një hungarez u nxeh dhe kërkoi pezullimin duke thënë se rusët s’kanë të drejtë të bëjnë këtë reklamë. Gjykoi disa ndeshje. Kur priste sekondi-sekondën në ring ishin ngjitur  izraeliti Teofik dhe një bjellorus. Të dy boksierët kishin këto parametra.I shin mbi 2 m të gjatë .Ishin mbi 120 kg. U quajt ndeshja e gjigantëve, që po e gjykonte një xhuxh,Hamzaraj.Duke qenë në punë 3 ringjet,vëmendja ishte përqendruar tek ringu jonë. Në raundin e dytë bjellorusi bënë faull e goditi nën brez,unë i dhashë faull pa paralajmërim.Ringu gumëzhiu dhe më vonë e mësoi  se bjellorusi ishte vëllai i Presidentit të Permës,ku u zhvillua europiani i boksit.Në dimrin e vitit 2002 Presidenti italian i boksit Franko Fracineli dhe zv presidenti Giuzepe Minutoli  e caktuan për të gjykuar në Caseuita. Në ring kishte përball 2 bokësierët ,1 maqedonas dhe 1 grek, që kishin problemet e tyre në atë kohë për emërtimin e Maqedonisë.

Të dy bokësierët respektuan shtetin e tyre duke mos i dhënë dorën njeri-tjetrit.Ndonëse fliste  anglisht ,gjyqtari shqiptar i foli grekut në greqisht:”Dhosto to peri!jepi dorën dhe maqedonasit, maqedonisht :” Zemaj tvot ruka!”ata e panë në sy,hezituan ,por i dhanë dorën njeri-tjetrit. Në Itali,boksonte Roberto Kamarele, një boksier me 91 kg.Në dy rastet ky goditi për ta çarë kundërshtarin me qëllim për ta dëmtuar.I thirri:”Attenti riski fauli”,mirëpo trajneri i tyre ,që deri atëherë kishte qëndruar i kthjelltë protestoi,por ai  i tha në kohë:”Perfavora,cioza la boks.

Nga boksierët shqiptarë ai sëbashku  me Kreshnik Qaton në vitin ’96 me të rinjtë e Teutës në Beograd në Pançevo,ku Kreshniku regjistroi dorezën e artë.

Federata e boksit shqiptar  ku kishte  qenë anëtar kryesie kishte  formuar  lidhje me federatën kosovare të boksit. Sekretari i kësaj federate Mehmet Bukujeci ka qenë kampion i Jugosllavisë dhe  kishte  ardhur në qytetin tonë si ekip kombëtar i këtij sporti dhe janë nderuar nga skuadra e këtij qyteti dhe bashkia u ka dhënë shenjën e mirënjohjes.”Memoriali i Vllaznisë”, që ka filluar në shkurt të viti ‘92 organizuar nga sportklubi “Vllaznia” e Shkodrës ishtë një shenjë mirënjohje in-memorial për boksierët, që nuk jetojnë më si Dervish Efovia,Ndoc Gjoni, vrarë në burg, Kolec Ashiku,Nazmi Halili,Fadil Efovia,Lem Kosovari.Çdo vit atje mërijnë me familjet e tyre dhe zhvillohet  një kampionat boksi. Madje ishte zhvilluar me 12 ekipe të huaja të boksit pjesmarëse dhe është planifikuar nga federata e boksit europian në kalendarin e saj vjetor në 2005 .Cdo shkurt- mars dhe për të 14 herë në qytetin verior lexohet “Memoriali Vllaznia i boksit”.Ka një Memorial tjetër të shpërngulur në jug të vendit. Në Ballsh është zhvilluar kupa Skënder Kalenja,sekretar i federatës së boksit ish i persekutuar vrarë në vitin ’98.N.q.s politikanët zbatojnë rregullat e boksit ,bota s’do të kishte luftë. Skënderi do të ruhet në mëndje sepse ka sjellur në Shqipëri,specialistë më të mirë të boksit si gjermanin Hans Petter Tomas, Detorin,Franko Fracinelin,Xhorxhi Luciano.Kur u hoq boksi ose më mirë u kurthua nga forca e shtetit në vitin ’63 u nxuar një shkak revolucioni kulturor kinez dhe u quajt sport borgjez,u ndalua në Kinë dhe gjithashtu edhe në vendin tonë,ishin 10 sportistë në gjimnastikë  të qytetit tonë  kur 8 prej tyre përfunduam universitetin.

Ndalese e madhe e boksit ose shurdhëria e plotë e tij përvijoi nëpër vite të gjata.Por njeriu i hekurt Ahmet Golemi,autor i libri: “Fundi i dorezave të zeza”u dënua me 8 vjet burgim. Golemi kishte shkuar në Durrës për të parë një ndeshje boksi midis të mëdhenjve të këtij sporti, Kleit dhe Aliut,kur për ironi të fatit,M.Aliu boksieri i madh kishte shkuar si misionar në Rusi dhe Kinë për paqen e Vietnamit.

6 herë kampioni i vendit, Golemi i vitlindjes ‘34,pësoi këtë fat.

Shumë sportistë të kësaj fushe kaluan në sporte të për afërt.

Hamdi Uka,15 vjeç ishte,kur rrëzoi kamponin e botës një korean.

Ekipi shqiptar i boksit ka qenë në maja të larta përpara rrëzimit me dekretin e rëndë shtetëror.Në kampionatet në Rusi dhe R.D.Gjermani në Laipcig shkëlqyen boksierët shqiptar si Teodor Janku, Idai Rama, Fag Alushi,Martin Ceka, Hysen Sharra.Periudha post-mortum  boksi regjistroi dhimbje për disa sportistë të mirëfilltë të këtij sporti burrëror.Bujar Orizaj e hoqën si arsimtar e dërguan mekanik në kombinat,Ali Shënpremten nga mësues në punëtor gurore me vare.Dhori Gërnjotin 18 vjeç e kurthuan në burg. 27 vjet burgim bëri Gërnjoti,tentoi edhe arratisjen ku i vranë shokun. Nga kjo familje ka një pemë të gdhendur mirë me sportin e boksit. I ati i Dhorit,Refael Dishnica ishte kampion i Amerikës së Jugut,e çuditshme por një shqiptar kampion në vendet e Amerikës latine. Vajza e Dhorit është kampione boksi në Greqi. Gërnjotat u hoqën  nga Tirana u dërguan në Korçë.Në postëkohë e 90 ,Xehvat Muhedini vuri në teori dhe praktikë leksionet e kësaj disipline,u shfaqën librat  e parë të boksit shqiptar. Agron Haxhihyseni ka qenë sekretar i federatës së boksit ka botuar librin si mund të bëhesh kampion. Vetë Hamzaraj përktheu  librat Primo Carnera dhe 10 boksierët e shekullit.

 

Filed Under: Sport Tagged With: Gezim Llojdia, i ndaluar, KUR SPORTI I BOKSIT, U SHPALL

DELIRI I EDI RAMËS DHE “BANDAT SHQIPTARE”

March 14, 2017 by dgreca

Opinion nga Asllan Bushati/

Sa herë kam patur rastin kohët e fundit të takohem e të bisedoj me ndonjë përfaqësues të Partisë Republikane, këtu në SHBA si në nivel shtetëror, por dhe me përfaqësues të Kongresit, jam ndier  keq se biseda fillon me ndonjë romuz për Kryeministrin Shqiptar Edi Rama, duke sjellë ne fokus deklaratën skandaloze të tij,( gjatë fushatës zgjedhore), për Presidentin Trump. Pa qenë vetë aspak fajtor, befas jam ndierë  si i tillë, se e ka thënë (jo i biri i Kristaq Rames para shokve të tij), por njeriu numër një i ekzekutivit të vendit tim, i përdorur në mënyrën më të keqe të mundëshme nga sorosianët e këtushëm. Kjo shije e keqe më ka ardhur mu ( dhe shumë të tjerëve), mendoj, vetëm nga deliri falls dhe manjakllëku  për tu dukur, i nje njeriu tipik avanturjer. Nuk është hera e parë që Edi Rama e bën një gjë të tillë, madje e disata herë, kujtoj këtu rastin e armëve kimike siriane, problemin e Kosovës gjatë vizitës në Beograd dhe kjo e fundit me partitë shqiptare në Maqedoni. Për këtë të fundit do të shpreh një konsideratë, që ndoshta tingëllon pak e cuditëshme nga opinionet e tjera të hedhur nga media për konsum publik. E them këtë se dyshoj se vizita e Ramës në Stamboll para një muaji dhe takimi e bisedimi me Erdoganin të ketë qenë thjeshtë për ndërtimin e një aeroporti  në Vlorë (sic u tha në media). Jo. Më së pari Rama besoj se i ka kërkuar ndihmë Erdoganit që të mund të ndërmjetësojë  në administratën e Presidentit Trump, që të mos e marrin për të madhe deklaratën e tij, duke u premtuar me shumë  përulësi  bashkpunim në të ardhmen si ta  dojë e përse ta dojë  administrate e re. Nga ana tjeter do ti ketë marrë përsipër Erdoganit se do të bisedojë me Kancelaren Gjermane Merkel ,nevojat  e ngutëshme që  Turqia ka aktualisht me BE-në dhe Gjermaninë në vecanti (vizitë  të cilën  Rama  e  realizoi  javën e kaluar). Por, po ashtu mendoj se nga ky takim, me porosi të Erdoganit (duke ditur lidhjet që ka Partia Shqiptare Besa me islamizmin dhe me ndihmat financiare të Turqisë), Rama ka marrë përsipër  ti thërras Partitë Shqiptare në Maqedoni  në Selinë e Kryeministrisë Shqiptare që  të firmosin një dokument politik ,duke bërë në të njejtën kohë skandalin politik të radhës me avanturizmin që e karakterizon.

Ajo shprehja e tij  kundër opozitës  në Parlament  se:”s’keni parë gjë akoma” rezulton të ketë qenë pothuaj  e vërtetë se  paska pasur brenda shumë delire të  protagonizmit tij individual. Delir për fitoret “madhështore” në zgjedhjet vendore në Korcë dhe vecanërisht në Dibër e Kolonjë ( pa cka se për to ka ca filmime e regjistrime  pak të sëkëlldisëshme). Delir për vetingun para dhe pas 22 korrikut, sikur ai të ishte vepër personale e tij ( p. sh  pikturë surealiste),  por që rezultoi  jo funksional  pas prishjes marrveshjes së konsensusit  me opozitën, duke vonuar e dëmtuar rëndë reformën në drejtësi. Delir për politikë të “madhe” të jashme , por që fatkeqësisht coi  pa asnjë arsye  në  keqësimin e marrdhënieve me fqinjët . Largimi para dy javësh nga detyra pa asnjë arsye dhe pa asnjë shpiegim  për publikun  i Ministrit Manjani, vetëm se ai i tha të  vërtetën  se policia është e pa aftë të shkatërrojë kanabisin, prandaj duhet përdorur edhe ushtria . Këto ditë  shkarkoi nga detyra  katër ministrave të tjerë me spjegimin “fantastik” se këta të fundit na duhen për fushatën zgjedhore të 18 qershorit  në bazë, (sikur shqiptarët janë të varfër jo vetëm ekonomikisht por edhe mendërisht). Të gjitha këto dhe shumë të tjera më cojnë tek përfundimi se  opozita ka plotësisht të drejtë në qëndrimet e veprimet e saj dhe se  deliri, protagonizmi vetiak, mendjemadhësia, fodullëku, mos përfillja dhe arrogance e cfrenuar e Edi Ramës, kanë dëmtuar rëndë interest kombëtare .

E kam thënë edhe në një shkrim tjetër se meqënëse disa ministra të LSI-së kanë bërë kritika për Qeverinë, më të ashpra  e më të rënda se opozita, kjo që sot quhet “Qeveria Rama” faktikish ka rënë nga fuqia. Cdo ecja më tutje e bashkqeverisjes PS-LSI,  është më shumë një zhgarravitje qeveritare se sa drejtim i planifikuar i programit miratuar para elektoratit dhe parlamentit. Ministrat e LSI-së  kam bindjen e plotë  se nuk flasin e veprojnë pa marrë urdhër nga Ilir Meta, por ky i fundit për mendimin tim po e keqpërdor Ramën më keq se sorosistët. Mendoj  kështu se Meta,  në gjykimin tim i  bën presion Ramës cdo ditë me largim të menjëherëshëm  nga koalicioni qeverisës dhe  shkuarjen në zgjedhjet e reja vec e vec. Duke qenë të vecuar në zgjedhjet e ardhëshme , Rama pret humbjen e sigurtë dhe fundin e hidhur të karierës së tij politike. Duke e ditur këtë gjë  Meta i ven kushte akoma më të rënda si p.sh:”jam dakort për koalicion para zgjedhor PS-LSI me kusht që kryeministri i ardhëshëm të jetë Ilir Meta”. Ata zërat e LSI-së  poshtë e përpjetë për ”Meta kryeministër” pas zgjedhjeve të ardhëshne, janë trysni drejt per drejt mbi Ramën duke i thënë  hyr e zgjidh , o me këtë variant dhe del pak i humbur në fitoren e përbashkët ose i humbur fare përballë opozites me në krye Lulzim Bashën. Në këto rrethana, zgjedhja që i mbetet Edi Ramës është të pranojë vullnetin e Metës  për kryeministër dhe vetë  të kërkojë të zgjidhet President po me vullnetin e Metës ose të tërhiqet i vetmuar e pa protagonizëm  në qoshen e kryetarit të PS-së. Por a do të jenë dakort ndërkombëtarët me kalkulime të tilla Rama –Meta, pa parë në to interest e tyre, të vetingut të ardhshëm (se kush do të shkojë në burg) dhe të opozitës që tashmë nuk është e vënë në vështirësi  në qoshe të ringut, si më parë. Por ajo pas 18 shkurtit, është  në fushbeteje me kredite të brendëshme e të jashtme  më të medha se dyshja Rama –Meta. Për këtë le të presim, por dhe të shohim më në detaje edhe qëndrimin e opozitës.

Lulzim Basha sic dihet,  ka bërë një betejë të lavdrueshme dhe  vërtetë burrërore për ligjin e dekriminalizimit dhe largimin e të inkriminuarve nga Parlamenti,qeverisja qëndrore e vendore, duke i dhënë  kështu një ndihmes të vyer të  sotmes dhe të ardhmes së Shqipoërisë në rrugën e demokracisë e të shtetit ligjor. Ka bërë një betejë të fortë për reformën në drejtësi (edhe kundër ndërkombëtarëve të korruptuar), duke mos lejuar që ajo të vihej nën këmbët e Edi Ramës, por të vihej në funksion të  ligjit dhe së drejtës. Kurse demostratën për zgjedhje të lira e të ndershme e ka ngritur në nivelin e kërkesave më të larta euro-perendimore, duke e prezantuar vetë para vendasve dhe ndërkombëtarëve si lider i matur, paqësor, largpamës, vizionar dhe i vendosur.

Largimin nga detyra të katër ministrave të PS-së, Basha  e quajti  fars dhe  dhe të vonuar. Tani tha ai është koha e largimit  të vetë Ramës dhe kalimi pa asnjë mëdyshje në qeveri  teknike te pranuar nga të gjithë aktorët politik. Kurse zëvëndësimin e Ministrit të Brendëshëm Saimir Tahiri me Fatmir Xhafën, e quajti zëvëndësohet banda Tahiri që mbronte Shullazët me shokë dhe kanabistët, me bandën Xhafa që mbron Hakmarrja për drejtësi dhe tregun e drogës Shqipëri- Itali e deri në Kolumbi me vëllain e Xhafës. Shkurt zëvëndësim bandash se atij i duhen parat e drogës për zgjedhjet e ardhëshme. Për ish Ministrin e Shëndetësisë Beqja tha  fytyra më e urryer e popullit shqiptar, hajduti më i pa skrupullt që edhe me gjakun e të sëmurëve kërkon të pasurohet duke u dhënë koncesionet miqve e shokëve të tij dhe të Ramës. Këto banda janë rrezik serioz për jetën e cdo shqiptari- shtoi Basha. Asnjë Pazar nuk ka e nuk do të bëhet me Edi Ramën,përvec qeverisë teknike që do të krijojë kushtet për zgjedhje të lira të nderëshmë dhe të barabarta. Ne nuk bëjmë asnjë kompromis në kurriz të inreresit publik të shqiptarëve.

Si përfundim, po bëj një “skandal të vogël” duke përsëritur pjesë nga artikulli”Situate politike në Shqipëri-dëshpëruese” shkruar nga unë (pra po përsëris vehten), disa javë më parë ku tregoj se cfarë këshillash morën politikanët shqiptar nga administrate e re amerikane:”Edi Rama: je i pa besueshëm për ne.Zollumet që ke bërë janë të shumta (jo vetëm me deklaratën kundër Presidentit Trump), prandaj këshillohesh të  mos shkosh  më tutje në rrugën e gabuar që ke zgjedhur. Për Ilir Metën:Edhe më parë, por vecanërisht këto tetë vitet e fundit je baltosur shumë.Ka ardhur koha të dalësh në opozitë, ku të keshë kohë të merresh me pastrimin e vehtes dhe të partisë, pa hyrë në koalicion parazgjedhor me askënd. Për Lulzim Bashën:Vazhdo të ecësh përpara duke insistuar në zgjedhje të reja  të lira e të nderëshme dhe minimalja me numurim elektronik. Ne po ju vëzhgojmë nga afër dhe në cdo rast do të keni ndihmesën tonë”.Mendoj se këshilla e më sipërme vazhdon të qëndrojë në fuqi, lum ai që e kupton dhe e merr para syshë dhe mjerë ai ai që e kupton por nuk e merr parasysh.

Filed Under: Opinion Tagged With: asllan Bushati, bandat, Edi Rama

Kosova themelon Çmimin Ndërkombëtar “Letërsia Shqipe”

March 14, 2017 by dgreca

PRISHTINË, 14 Mars 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e qeverisë së Kosovës, ka themeluar një çmim të veçantë për personalitet, të cilët, me veprën e tyre, kanë ushtruar një ndikim esencial në emancipimin e shoqërisë, ngritjen dhe vetëdijesimin e përgjithshëm për vlerat emancipuese, me theks të veçantë, përmes fushës së letërsisë, duke ndikuar kështu në njohjen e saj në përmasa ndërkombëtare.

Bëhet e ditur se, Çmimin mban emrin “Letërsia Shqipe”, ndërsa vlera monetare e këtij Çmimi është 10 mijë euro dhe u jepet personaliteteve, shtetas të Republikës së Kosovës, Shqipërisë apo ndonjë shteti tjetër, që kanë dhënë kontribut të çmuar për letërsinë shqipe.

Ky çmim, sipas Rregullores, jepet nga ministri, në bashkëpunim me Këshillin e Librit.

Ministri Kujtim Shala e vlerësoi këtë çmim si një ndihmesë për pranimin, njohjen dhe afrimin e mëtejmë të letërsisë shqipe, dhe shtoi se një çmim dhe vlerësim i tillë i ka munguar letërsisë shqiptare.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Çmimin Ndërkombëtar, kosova, Letersia shqipe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2137
  • 2138
  • 2139
  • 2140
  • 2141
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT