• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kauza dhe misioni i Lulzim Bashës!

February 28, 2017 by dgreca

2-enver-Bytyci-1

Nga  Enver Bytyçi/

Nesër bëhen dhjetë ditë që kur opozita filloi protestën e saj kundër qeverisë së rilindjes së krimit. Dhjetë ditë nuk janë shumë, por nuk janë as pak për të kuptuar trendin e zhvillimit dhe përfundimit të kësaj proteste. Kreun e opozitës e kemi parë çdo ditë e dy herë në ditë të përballet me realitetin dhe të bëjë thirrje për rezistencë. Dy herë në ditë me një zë disi të ngjirur ai ka shpalosur gjithashtu alternativën e partisë që drejton si dhe të opozitës shqiptare. Një shembull i papërsëritshëm ky në realitetin shqiptar të këtyre 26 viteve. Kreu i opozitës në kulmin e një konflikti shfaqet para protestuesve i qetë, aspak i shtrënguar e nën presion, flet me pasion, por dhe me maturi duke na kujtuar se ai është ndryshe nga të gjithë paraardhësit e tij. Lulzim Bashën nuk e kemi dëgjuar, as nuk do ta dëgjojmë të kërcënojë për “kapërcim kufomash”, as për “përmbysje regjimi”, as për ndonjë akt tjetër që tremb dikë. Edhe ndërkombëtarët që nuk e duan thjesht i kërkojnë t’i japë fund bojkotit të parlamentit. Lulzim Basha dhe opozita kanë formuluar një kauzë për t’i dalë zot protestës. Ajo është kauzë politike dhe bota shqiptare duhet të kuptojë që zgjidhja e krizës së sotme është e duhet të jetë politike. Zgjedhjet e lira janë kauza e protestës së Lulzim Bashës dhe Partisë Demokratike. Ato i japin zgjidhje të gjitha kauzave të tjera, kauzës së dekanabizimit të vendit, asaj të dekriminalizimit të parlamentit, politikës e administratës shtetërore, medias së kapur në grykë nga mafia e pushtetit, si dhe dekriminalizimit ose vetingut të drejtësisë. Pa zgjedhje të lira muk ka drejtësi, nuk ka shtet të së drejtës, nuk ka dekriminalizim të politikës dhe segmenteve të tjera të shoqërisë. Zgjedhjet e lira janë dhe mbeten në pikëpamje universale themeli i demokracisë. Demokracia është e papajtueshme me shtetin autoritar e diktatorial, me rritjen e rolit të individit dhe dobësimin e institucioneve, me mashtrimin dhe hipokriizinë. Të gjitha këto fenomene kanë qenë prezent në gjithë harkun kohor të një çerek shekulli në Shqipëri, ndërkohë që rilindja i dhjetë ose njëqind fishoi ato. Demokracia nuk ka të bëjë me diskriminimin dhe diskriminimi është e do të mbetet tipari kryesor i rilindjes, i krahasueshëm me shtetin e diktaturës komuniste në Shqipëri. Zgjedhjet e lira janë kushti kryesor i ndryshimit të regjimit të sotëm, nëse do të duhej të perifrazonim retorikën e ish-opozitarit, sot kryeministër i Shqipërisë. Lulzim Basha, opozita, shqiptarët në protestë janë aty prej dhjetë ditësh me këtë mision, në shërbim të kësaj kauze, vendosjen në Shqipëri të standardit të zgjedhjeve të lira, që në parlament të shkojë ajka e Shqipërisë dhe jo llumi i shoqërisë, që vota e shqiptarëve të lexohet me transparencë dhe jo të manipulohet, vidhet e blihet, që ata që zgjidhen të kenë legjitimitet e si të tillë, të kenë integritetin që në bërjen e ligjeve të jenë zë i pavarur. Vetëm kështu vendi do të fillonte kthesën e madhe. Shumëkush e konsideron këtë mision të Lulzim Bashës si të pamundur. Në një farë mënyre është e arësyeshme të dyshosh për disa arësye: Arësyeja kryesore ka të bëjë me miliardat e eurove ose dollarëve, të cilat i numërojnë dhe bankojnë në skuta mafiozët, kriminelët, trafikantët, ata që shpirtin ia kanë shitur djallit dhe mendojnë e besojnë se me mbështetjen e qeverisë së rilindjes do t’i mbrojnë këto para nga ligji, e drejta, sekuestro dhe ndëshkimi. Që të mbrojnë tre milliard euro, krimi dhe kriminelët e përkëdhelur nga pushteti do të hedhin në tregun zgjedhor së paku një milliard prej tyre. Por me një milliard euro përmbys rezultatin çdo parti e president në botë, përfshirë dhe presidentin ose partitë në SHBA. Ndërsa në Shqipëri rezultati do të dilte së paku tetë me dy në favor të mafies dhe kriminelëve në pushtet. Edi Rama na thotë se nuk ka lidhje me krimin dhe kriminelët. Por Elviz Roshi, Armando Prenga, si dhe Armandot e tjerë në grupin parlamentar të rilindjes e nxjerrin atë zbuluar. Ai që bërtet çdo ditë e çdo orë për vetingun, nuk është dukur qoftë edhe njjë moment i shqetësuar për lirimin e Lulzim Berishës, për krimet e Emiljano Shullazit, për lirimin e terroristëve të “Hakmarrjes për drejtësi” e të tjera vendime, të cilat janë marrë nga gjykatat nën presionin e Gjushëve dhe vetë Edi Ramës. Ky lloj vetingu uroj të mos vijë kurrë në këtë vend. Nëse do ta bënte këtë Lulzim Basha, nesër kryeministër, edhe pse nuk më shkon, do ta gjuaja me gurë. Ndërsa Edi Ramën nuk do ta gjuaj me gurë, por së paku do të doja që gjithkush që beson te e drejta dhe e vërteta të shohë se protesta e opozitës është opsioni i vetëm për ta nxjerrë këtë vend nga moçali ku ka rënë. Ky moçal, në të cilin na ka shtyrë dhe na ka futur kjo qeverisje kriminale ka marrë erë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Europë e përtej Adriatikut. Dikush më tha sot se “Plasa, nuk po mundem të plotësoj dokumentet për vizë britanike, sepse e kanë futur Shqipërinë në vendet me rrezikshmëri të lartë kriminaliteti dhe si vend që eksporton terrorizëm”. Nuk desha të besoj, pasiqë në prill të vitit 2015 kisha aplikuar vetë vizë për në Britani dhe nuk pati të tilla probleme. Si u bë që në më pak se dy vjet vendi im të konsiderohet si “vend i rrezikshëm kriminal e eksportues i terrorizmit”?! Kësaj pyetje duhej t’i jepte përgjigje kryeministri Rama. Por ai është i zënë më vetingun dhe ua paraqet shqiptarëve atë si shkopi magjik për ardhmërinë e vendit. Në fakt problem nuk është drejtësia, nuk është as vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve. Problemi më i madh në këtë vend është qeveria e kapur nga krimi, bashkëpunimi i saj me kriminelët. Kontrolli, vetingu i qeverisë do ta shpëtonte Shqipërinë nga e keqja që e ka mbërthyer. Opozita e Lulzim Bashës këtë po bën. Kush e kupton duhet t’i bashkohet atij, kush nuk e kupton jeton ëndërrën e gomarit. Nga ana tjetër ve re se Lulzim Bashën nuk e kuptojnë shumë deputetë demokratë. Disa prej tyre janë në hall, duhet të ruajnë e të fshehin paratë e korrupsionit e trafiqeve, edhe pse këto para nuk kapin as shumën e 5 përqind të parave që ka grumbulluar rilindja nga mafia e korrupsioni. Po në fund të fundit për atë grusht demokratësh të korruptuar nuk janë pak para. Kjo kategori deputetësh e arrogantësh të tjerë duken ndonjëherë ose nuk duken fare të Çadra e Lirisë. Edhe kur duken, nuk duan të bien në sy, sidomos të medias. Një kategori tjetër e këtyre deputetëve demokratë me pasues nga mbrapa janë ata që nuk kanë besuar asnjëherë se Lulzim Basha një ditë do të bëhet lider. Këta, janë joshur nga komplimentet e Edi Ramës, të cilat ai nuk i kursen. Bëjnë opozitë me gojën vesh më vesh, hiqen se “mbrojnë interesat e shqiptarëve”, kur dalin në mbrojtje të krimit qeveritar, pasi, sipas tyre, “konsensusi për integrimin është në interes të kombit”. Pra operojnë me “nacionalizmin” dhe e gjejnë këtë si strehë të opozitarizmit kundër Bashës. Të tjerë deputetë janë të paaftë, janë numra me zero pa njësh përpara, ndaj dhe mund të konsiderohen “të pafajshëm” për “rolin” që luajnë në protestën e opozitës. Lulzim Basha duket i vetëm, edhe pse lideri historik, Berisha, i gjendet herë pas herë në krah. Por edhe pse i vetëm, ai ka mundur në dhjetë ditë të rezistojë dhe t’i frymëzojë shqiptarët, të japë shpresë e alternativa. Ka rezistuar përballë lukunisë së pushtetit mashtrues edhe pse në shpinë ka deputetë e demokratë të kapur, të paaftë e të pazotë të drejtojnë familjen e tyre. Ndërsa partitë aleate në opozitë kanë deri tani vetëm një meritë: Nuk kanë folur ende kundër protestës në mediat shqiptare. Ndërkaq mediat mbajnë si lajm të fundit protestën, ndërkohë që kryeministri, lali, Sajmua, Klosi janë në krye të lajmit. Pikërisht për këto arësye Lulzim Basha duhet komplimentuar. Rezistenca e tij është epike. Së paku deri më sot. Çfarë strategjie do të ndjekë nesër, këtë le ta shohim. Me rëndësi është të mos dorëzohet! Kauza dhe misioni i tij një ditë do të fitojnë.

Filed Under: Politike Tagged With: Enver Bytyci, Kauza dhe, misioni i Lulzim Bashës!

Kërcënimi i Gruevskit dhe e vërteta për shqiptarët në Maqedoni

February 28, 2017 by dgreca

Nga Çerçiz Loloçi/

Nuk ka asnjë dyshim se shqiptarët në Maqedoni janë popullsia shumicë më homogjene përballë asaj maqedonase që herë ndihet serbe, herë bullgare, herë greke, herë sllavo-ruse, apo pakicave të tjera që kanë mbetur pas shpërbërjes së perandorisë turke dhe të ish-Jugosllavisë

Natyrisht atje ka edhe popullsi të tjera, të cilat nuk kanë aq peshë sa mund të kenë patur në këto 27 vjet të përmbysjeve të mëdha në shkallë botërore dhe rajonale

Mbijetesa e gjatë e Gruevskit është karta e nacionalizmit të shtirur dhe dobësia permanente e forcave të tjera politike (kryeisht shqiptare), përfshi edhe partinë tjetër më kryesore maqedonase të Zajevit që kërkon të krijojë qeverinë e re.

Në këtë atmosferë politike shqiptarët kanë qenë më të duruarit, më bashkëpunuesit, më shtetmbajtës dhe shteformues, paçka se në bashkwsinw e tyre etnike e tyre ka pasur edhe elementë të radikalizmit islamik, që janë financuar fuqishëm nga shtete dhe bashkësi të fuqishme antishqiptare.

Shqiptarët në të gjitha viset autoktone kanë pasur përherë një busull kombëtare që i ka mbajtur me identitet të fortë pro-europian. (Xhami pa fund, qindra-mijëra libra tërësisht fetarë, ceremoni dhe përkujtimore të përvitshme përkundër shkollave të pakta, përkrahja e nacionalistëve marksistë-leninstë “pa din e iman”, nuk kanë qenë akte që nderojnë shqiptarët në Maqedoni, por kjo është një pjesë fare e vogël dhe e pak e përfillshme përballë identietit euro-atlantik, kundruall lidhjeve të forta me SHBA dhe Europën).

Natyrisht se në zhvillimet e fundit shqiptarët nuk kanë qenë ëngjëjt përballë djajve të shumëfishtë, por koha ka kohë që punon për ta për t’u rreshtuar masivisht në boshtin euroatlantik.

Pikërisht ky nerv perëndimor do ta detyronte Ali Ahmetin dhe BDI për të mos qenë një parti tribu, do ta ndwrgjegjwsonte rivalin tjetër në opozitë Mendu Thaci, (mjerisht ende në listën e zezë të Departamenti të Shtetit të SHBA), që të silleshin si perëndimorë, pra të dorëhiqeshin në orë e më parë si një proces normal që ndodh zakonisht në vende të qytetëruara duke i hapur rrugë konkurencës, ardhjes në skenë të një klase të re politike.

Ndërsa për kërcënimin e Gruevskit se “pranon më mirë në burg se sa zyrtarizimin e shqipes”, kjo duhet marrë si një grahmë e fundit e nacionalistëve, sepse asnjë shtet në Maqedoni nuk mund të qëndrojë pa praninë e shqiptarëve.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Cerciz Loloci, e vërteta për shqiptarët, Kërcënimi i Gruevskit

Kosovë-Imami Shefqet Krasniqi nën akuzë

February 28, 2017 by dgreca

 Ka shtyrë të rinjtë t`u bashkohen ISIS-it dhe Al Nusra-s/

1 Imam shefqet Krasniqi

Venera Ademi kishte fituar tri çmime në fushën e muzikës, derisa ishte duke ndjekur mësimet në shkollë fillore. Kishte ndjekur edhe shkollën e pianos. Mirëpo, sjellja e saj kishte filluar të ndryshonte në shkollë të mesme.

Bashkë me disa shokë e shoqe të klasës kishin filluar të shkonin rregullisht në Xhaminë e Madhe në Prishtinë. Për dy muaj rresht nuk kishte dalë nga shtëpia dhe vazhdimisht kishte dëgjuar në kompjuter ligjëratat e imamit të kësaj xhamie, Shefqet Krasniqi. Pas një kohe ajo ishte arratisur në Siri, shkruan sot Koha Ditore.

Kjo është vetëm një pjesë e rrëfimit të nënës së Venerës, e përfshirë në aktakuzën kundër imamit Krasniqi, e cila u ngrit të hënën nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Krasniqi, sipas këtij dokumenti që e ka siguruar “Koha Ditore”, gjatë viteve 2013-2014, në cilësinë e imamit të Xhamisë së Madhe “Mehmet Fatih” në Prishtinë, në vazhdimësi kishte shpërndarë mesazhe për publikun, kryesisht në mënyrë indirekte. Përmes tyre, sipas prokurorisë ai ka shtyrë qytetarët që të marrin rrugën drejt zonës së konfliktit në Siri dhe Irak, duke kryer kështu vepra terroriste.Si pasojë imami është akuzuar për veprën penale: shtytje për kryerjen e veprave terroriste. Po ashtu, akuzohet edhe për dy vepra të tjera penale: nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, si dhe për shmangie nga tatami.

Filed Under: Komente Tagged With: Imami, nen akuze, Shefqet Krasniqi

Musine Kokalari- Pseudonimet e 20 sigurimsave

February 27, 2017 by dgreca

HAPET DOSJA E MUSINE KOKALARIT:20 bashkëpunëtorët e ish-sigurimit të shtetit, që për 40 vjet përndoqën e spiunuan Musine Kokalarin, së shpejti do të kenë një emër dhe RRUFEJA,BESA, “Shkëndija”,NJË-ZAMBUTKA,MEDIKAMENTI, ,.SORKADHJA, apo “Piktori”,”MUNELLA”, MALI etj… do të përballen me të vërtetën publike./

Musine Kokalari u përndoq për gati 4 dekada. Por nga 10 shkurti, dosja e saj u hap me kërkesë të vetë familjes, për të hedhur dritë mbi ata që e survejuan dhe ata që e dënuan gjatë regjimit komunist. Top Channel hap për herë të parë dosjen dhjetëra vjeçare të disidentes së burgosur dhe internuar nga diktatura.Për mbi 20 vjet dosja e saj qëndronte në arkivin qendror të shtetit, mes mijëra dosjeve e miliona faqeve te shkruara për ata që u përndoqën dhe u dënuan gjatë regjimit komunist. Por në 10 shkurt, në 100 vjetorin e lindjes, dosja e Musine Kokalarit u hap e para, për të hedhur dritë mbi të shkuarën, për të mësuar emrat e atyre që e dënuan përjetë në vetmi, për ta zhytur në dhimbje e vuajtje, ata që për 38 vjet e përndoqën në çdo moment të jetës.
Kjo është dosja e Musine Kokalarit, disidentes së burgosur e internuar nga diktatura. Historia rikthehet, këtë herë me kërkesë të vetë familjes, si e para dosje që hapet në sagën e mijëra të tjerave që për dekada u pluhurosën në arkivat e shtetit. Është dosje e vjetër, e paruajtur mirë, ka shkrime të saj, biografinë, shënime, raportime, relacione.
Detajet janë ato që e bëjnë atë të jashtëzakonshme, mbushur me foto e përshkrime të ditëve të saj, aktiviteti para dënimit nga gjykata, koha e burgut apo edhe ditët kur ajo u internua në Rrëshen, madje edhe shëtitjet që ajo bënte për orë të tëra e vetme në këmbë, ku shoqëri i bënte vetëm lapsi dhe letra. Shkruante kudo, edhe në copa fare të vogla letre, për të mos harruar në asnjë moment se ishte e vetme dhe këto copa letre do të mbeteshin kujtimi i saj i vetëm në botë. Mbi njërën prej tyre shkruante:
“Njoha 16 vjet burg dhe 22 vjet internim me përplasje sa andej këtej”.
“Ç´fat tragjik. Më doli edhe sëmundja kundër. Të paktën të kisha pak qetësi në vitet e fundit të jetës sime”.
Gjithë materiali është i ndarë në 2 dosje, në njërën përshkruhet i gjithë procesi gjyqësor ndaj Musine Kokalarit, dhe tjetra është kjo dosje, me etiketimin “Top Sekret”. Në të përshkruhet mënyra se si Musineja është përndjekur për gati 4 dekada nga ata që njihen si bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit. Dhe janë 20 të tillë qe kane pseudonime nga me te ndryshmet:
Pseudonimet e bashkëpunëtorëve
1.BAMJPJEKUR
2.SORKADHJA
3.LULE ZAMBAKUT
4.ÇAJUPI
5.REFERATI
6.NJË-ZAMBUTKA
7.SHKËNDIJA
8.BRISKU
9.KALAJA
10.RRUFEJA
11.BESNIKU
12.PIKTORI
13.LISI
14.MEDIKAMENTI
15.MOTORRI
16.BESA
17.MUNELLA
18.MALI
19.APARATI
20.PLLUMBI
“Musineja kishte një vizion tjetër për të ardhmen dhe ky ishte ai konflikti për të cilën ajo u arrestua. Aty gjenden të gjithë bashkëpunëtorët e ish sigurimit të shtetit. Zakonisht këta bashkëpunëtorë ishin mbi 18 vjeç, por ka patur raste që ishin edhe më të vegjël. Janë pseudonime dhe emra. Me aprovimin e këtij ligji, do griset ajo perdja e këtyre njerëze. Kanë qenë afro 20 ata që kanë survejuar Musinenë. Ka pas edhe Brenda në burg, por edhe pas burgut, kur u internua në rrëshen. Ajo ka bërë jetë të mbyllur, njerëzit kishin frikë ta takonin, edhe familjarët. Mund të kishin pasoja, edhe familjarët nqs shkonin ta takonin, do kishin pasoja. Ka qenë një luftë e tmerrshme klasash. Ajo bënte një rrugë të gjatë, shëtiste vetëm sepse shihej si armike e partisë”, shprehet Simon Mirakaj, Anëtar i Autoritetit për Hapjen e Dosjeve të Sigurimit.
Musineja njihen ndër radhët e bashkëpunëtorëve me epitetin “Armike e Rrezikshme’.
“Se çfarë rreziku vjen nga intelektuale si Musineja, vetëm ai lloj sistemi bën të tilla arsyetime”, vë në dukje Mirakaj.
Vdekja e saj ishte ashtu si vetë jeta:
“Ajo ka vdekur në 1983, ashtu sic jetoi e vetmuar edhe vdekja e saj ishte e vetmuar. E kanë hipur në një riportabël, është makinë me një karroceri prej hekuri që ngarkon beton për ndërtime. Është varrosur nga njerëzit e komunales”, shton Mirakaj.
“Kjo dosje, që është dosja formulare e Musinesë, është hapur nga sigurimi shtetit në 1945, për 39 vjet ajo është ndjekur, para bugrut, në burg dhe pas, gjatë periudhës së internimit në Rrëshen, shprehet Altin Hoxha, anëtar i Autoritetit të Hapjes së Dosjeve të Sigurimit.
Ajo çka familja kërkon të dijë është kush e ka përgjuar Musine Kokalarin, kush e ka përndjekur hap pas hapi për gati 4 dekada? Ishin të afërm, miq të saj?
“Përgjithësisht bashkëpunëtorët zgjidheshin nga të afërm, rrethi i miqve sepse ishin ata që kishin akses dhe mund të informonin për aktivitetin e saj”, thotë Altin Hoxha.
Dosja e Musine Kokalarit ka vetëm 119 faqe. Nuk përbëhet vetëm nga raportet e hartuara në ato vite nga bashkëpunëtorët e ish sigurimit por edhe nga detyra, plane biografi, një sërë metodash të përdorura në atë kohë për ndjekjen e personave. Top Channel publikon për herë të parë atë çka në dosjen për Musine Kokalarin njihet si “Koncepti i Social-Demokracisë”, material që përmblidhet në 23 faqe, që ishte edhe platforma që Musineja kishte hartuar për vendin.
“Njerëzit që duhet të qeverisin vendin duhet të vijnë nga rradhët e arsimtarëve, mjekëve, artistëve….për 6 muaj me rradhë një grup prej tyre, duhet të shkojnë në terren, në cdo cep të Shqipërisë, të takojnë njerëzit, të njohin realitetin e tyre, pastaj të ulen të gjithë bashkë dhe të hartojnë një platformë të përbashkët. Më pas, po aty të shkojë një grup tjetër, të bëjnë të njëjtën gjë për 6 muaj, të kthehen dhe vetëm kështu mund të kemi një program të denjë politik dhe ekonomik”, citat nga dorëshkrimi i Musinesë.
Për këtë platformë Musineja u dënua me burg.
Pas dënimit, e internuar në Mirditë, ku nisi të punonte me beton tulla e llaç. Një koleg i saji, spiun e bashkëpunëtor i shtetit, i kërkonte gjatë orarit të punës, për të bërë pushim, duke i thënë “mjaft se u lodhëm, fundja ne shumë pak paguhemi”. Dhe Musineja, shkruhet më tej në dosje, I citon një fjali të shkrimtarit francez Zhan Zhak Ruso: “Papunësia është shkak për vese të këqija”. Bashkëpunëtori i sigurimit edhe në raportin e bërë për atë ditë shkruante, Musineja më foli më një Zhak, por nuk e di për kë e kishte fjalën.
“Ju patë platformën e Musinesë për social demokratët. Material 23 faqe, iluminues dhe I pjekur. Është për tu admiruar se si një vajzë vetëm 28 vjece, ishte në gjendje të artikulojë aq mirë. Kërkesa tjetër e familjes ka të bëjë me materialin tërësor, ato duan nëj kopje. Bëhet fillimisht një process kërkimor pëtr gjithë personat e përmendur në dosje dhe më pas fshirja e emrave të personave që janë palë të treta, që sjanë përfshirë në raportin prekur-bashkëpunëtorë. Ishin disa dhjetëra persona. Identiteti i tyre bëhet i palexueshëm. Kemi bërë disa axhustime të shpejta. Hapi tjetër, zbulimi i identitetit të bashkëpunëtorëve”, shprehet Genta Sula, kryetare e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve.
“Misioni hnë kryesor është që s’do ketë më të fshehta, që të keqpërdoren. Familjarët do njihen me dhimbjen dhe ata që kanë shkaktuar dhimbjen. Dosjet s’do përdoren më as për shantazh, as për të trilluar dhe as për inskenime”, thotë Altin Hoxha.
Por në qoftë se për familjarët apo vetë Autoritetin për hapjen e dosjeve, ky proces do të hedhë dritë mbi të shkuarën qe vijon te mundoje edhe sot, Fatos Klosi, ish kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, thotë se përveç shuarjes së kuriozitetit, hapja e dosjeve nuk shërben për asgjë.
“Dosjet po të ishin hapur dhe të kishin efekt për shoqërinë shqiptare, duhet të ishin hapur që në vitin 1991-1992. Që mbase kishte efekt direkt. Por sot, hapja e dosjeve ka vetëm natyrën e shuarjes së një kurioziteti. Nuk mund të influencojë në shoqërinë shqiptare, çfarë do bëjë? Ja u hapën dosjet…ja dolën dhe ca pseudonime. Edhe pastaj? Nëse ata bashkëpunëtorë, duke qenë në shërbim të atij regjimi, thjesht kanë thënë të vërtetën, unë nuk shoh ku është krimi. E vërteta, hap dosjet, kanë thënë kështu kështu. Asnjë se di, përveç Musinesë vetë, cila është e vërteta. Bashkëpunuesit s’kanë ç’duhen për t’ju mësuar emrat, ata nuk dënohen dot as me ato ligje, as me këto që kemi sot. Ligjet nuk kanë fuqi prapavepruese”, shpjegon ish- kreu i SHISH.
Për Fatos Klosin, ata që njiheshin si bashkëpunëtorë të sigurimit, në atë kohë ishin njerëz të nderuar.
“Kush ishte bashkëpunëtor, regjimi e konsideronte të nderuar, njeri që i shërbente shtetit, që e ndihmonte shtetin në luftën kundër gjithë armiqve që ishin turrur atëherë. Kjo ishte propaganda”, shton Klosi.
Klosi thotë se një pjesë e dosjeve ende sot nuk duhen prekur.
“Dosjet e zbulimit si ka ngarë njeri. Ato janë të rëndësishme se lidhen me aktivitetin e botës kundër Shqipërisë. Dosjet e kundërzbulimit janë edhe më interesante se është lufta e bërë nga shërbimet e huaja brenda Shqipërisë. Nuk do hapen këto, do ishte një gafë shumë e madhe të prekeshin ato”
Por si e kujton sot familja e Musien Kokalarit këtë “kundërshtare të regjimit komunist”?
“Unë e kam njohur Musinenë pak por e kam njohur shumë nga tregimet e gjyshes time. Ajo fliste përditë, pra ky lloj edukimi ka qenë i përditshëm. Ajo më fliste përditë për gjyshin, për Musinenë, për jetën që ata kishin përpara tragjedisë, pra para vitit ’44”, tregon Linda Kokalari, mbesa e Musine Kokalarit.
Linda kujton takimin e parë me të pas shumë vitesh, kur ajo dergjej në spital nga sëmundja, sërish e vetme.
“Në atë takim u përqafuam gjatë të dyja. U përqafuam shumë gjatë. U emocionova. Ajo më tërhoqi vërejtje. Më tha asnjëherë mos të të shoh me lot në sy. Kishte ndryshuar sigurisht por më shumë kisha ndryshuar unë. Unë e njoha menjëherë”, thotë ajo.
Mbesa e Musinesë, vajza e të vëllait me të cilin shkëmbente vazhdimisht letra dhe ishte shumë e lidhur kujton një fjali të shkrimtares, kur ajo ka qenë vetëm 20 vjeç.
“Lirinë unë e kërkova gjithandej dhe e gjeta Brenda vetes. Pra flasim për vitet 1940-1942. Parakohshmëria e Musine Kokalarit është e pakrahasueshme. Ajo ishte shumë para kohës së vet. Musine Kokalari qëndron diku lart, është një figurë e përkryer, e paatakueshme, sipas mendimit.”, shprehet Linda Kokalari.
Linda, në emër të familjes Kokalari i ka kërkuar Autoritetit për hapjen e dosjeve të ish-sigurimit të shtetit, zbardhjen e të vërtetës për jetën dhe vdekjen e saj. Por a do të mjaftojë kjo për të shuar dhimbjen e familjes?
“Nuk di të them do shuhet dhimbja apo jo. Të dalë e vërteta. Të dihet se kush është kush”, shprehet ajo.
20 bashkëpunëtorët e ish-sigurimit të shtetit, që për 40 vjet përndoqën e spiunuan Musine Kokalarin, së shpejti do të kenë një emër dhe “Shkëndija” apo “Piktori” do të përballen me të vërtetën publike.
Ky është një proces që sapo ka nisur dhe duket se do të ketë një rrugë të gjatë edhe pse është me shumë vonesë tek ne.
Debati për hapjen e dosjeve e ka shoqëruar politiken dhe shoqërinë shqiptare gjatë këtyre 27 viteve të demokracisë. Në disa vende ish-komuniste dosjet u hapën dhe u panë si çlirim nga e shkuara.
Ndërkohë në Shqipëri dosja e Musine Kokalarit është e para. Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit sapo ka nisur grumbullimin e të gjitha materialeve.
Koha do ta tregojë se sa i vështirë apo i lehtë do të jetë ky proces dhe cilat dosje nuk janë prekur deri më sot dhe mbi to do të mësohet e vërteta, apo cilat dosje janë zhdukur ndër vite dhe a do të ketë çlirim për shoqërinë gati 3 dekada pas rënies së Komunizmit. /Top Channel/

Filed Under: Histori Tagged With: e 20 sigurimsave, Musine Kokalari- Pseudonimet

ÇEKU NJË MILION

February 27, 2017 by dgreca

1 agim deshnica

Nga Agim Xh. Dëshnica*/

.Mbarim dhjetori 1998, thëllimi i maleve nën borë, përhapej mbi qytet, në pullaze e taraca, në oborre, rrugë, sheshe e parqe. Dielli i mesditës i ngjante hënës, ndërkohë në kafen e ngrohtë e të mjegulluar pranë Sahatit të Xhamisë së Et’hem Beut, tek dëgjoheshin vetëm zëra burrash e trokitje gotash, qenë ulur dy miq të vjetër. Njërin e quanin Memli, Memli Kalaja. Vite e vite mësues, të ngratin e kishin hedhur tutje Matit, mbi Macukull, Komsi, Lis e Gurrë. Më së fundi i lodhur e thuajse i plakur, doli në pension. Tjetri, Rudini, Rudin Toshkëzi, i zbardhur ekonomist nëpër kantiere ndërtimi në baltë e pluhur, sado i aftë, lumëmadhi, kurrë nuk pati ndonjë post me rëndësi. Me atë shtatin e hedhur ai, njihej në mjedise klubesh e mencash, për zërin e lartë e pakëz si të ngjirur, kur hahej sidomos për sport e kulturë. Si plot të tjerë, edhe ai kishte dalë para kohe në pension. Po rinia? Bota e ëndrrave të tyre, qe vërtitur vetëm përbrenda kufirit, Memli.i frymëzuar nga bukuritë natyrës si poetet e lirisë; Rudini bredharak anës detit, me vështrimin për nga horizonti. Shpeshherë sodisnin ajrorët, teksa ngriheshi në qiell e humbisnin mbi re, ose me një farë trishtimi lundrimin e anijeve, që zhdukeshin dalëngadalë përtej valëve. E kështu, duke shpresuar në diçka të brishtë, fluturake e të pakapshme, në atë jetë tronditjesh, punuan për një fund pa fund e befas u zbardhën.

Tashmë, të enjteve e të shtunave, të dy miqtë, zinin vend në kafe, me filxhanët e gotat e ujit mbi tryezë. Ndjehej atje erë kafeje përzier me duhmë duhani, po miqtë të mësuar me atë gjendje, nuk donin t’ia dinin e nuk i trazonte asgjë. Teksa shijonin kafen, biseda e tyre, shtruar e shtruar pleqërishte, si përherë, përveç kujtimeve, sillej rreth shëndetit e parave.

– Eh, mor, Rud!  E ku mbahesh dot me pensionin sot.

-Mos pyet! Gjithsesi, meqë gruan e kam ende në punë mësuese, muajin e përballojme me aq sa mundim.

-Edhe unë punoj, herë marangoz, herë elektriçist, edhe hidraulik.

-Pra, nga mësues tani na je bërë, si usta Sadiku.

Qeshën të dy, pastaj Memli tha:

-Meqë ra fjala për zanate, do të të rrëfej një histori për të qeshur e për të qarë. Pardje dhashë e mora në shtëpi, me një mekanizëm të sajuar enkas për mbushjen e njëkohëshme të dushit e të lavatriçes, në orët, kur na vjen uji. Veçse për atë shpikje më duheshin katër bulona me dado. Kërkova hipur mbi stol, në raftin e aneksit, në qeset e kutitë e vjetra. Ishte një punë e kotë. Para se të nxehesha me veten edhe me gruan, meqë edhe koha dukej e mirë, e pashë  të udhës të hidhesha ca  andej,  nga Pazari i Ri, ku shiten hekurishte të vjetra, nga ishmagazinierë a kapterë  pleq e aty-këtu, edhe nga ndonjë i ri,  përbri tendave me fruta, zarzavate, peshk e ngjala.  U ndala para një burri të thyer në moshë e nursëz që rrinte ulur në një stol druri, pas një zgare të hekurt, me gjithëfarë vidash, gozhdësh e bulonash, bravash e kyçesh e ku di unë! Të gjitha të veshura me një shtresë ndryshku, ngjyrë kafe në të zezë. Mora në dorë një bulonë, që sipas mendjes sime, mund të më hynte në punë.- Sa bën kjo, usta? – e pyeta.–300 lekë të vjetra, – më tha.

“Ah! këta lekë, të vjetër  e të rinj”, rënkova. “Cilët qenë ata dritëshkurtër që e çuan ndërmend të na i ndryshonin lekun dhe ata kokëboshë, që miratuan ndryshimin!?” Gjithmonë pyesim: “të vjetra apo të reja?” Bëj hesap, edhe pse kanë shkuar tërë ato vite as sot, s’ka zot që e ndreq atë prapësi.

-Ke shumë të drejtë,-ia ktheu Rudi,–na u paksua një zero në llogaritë tona, por na u shtuan fjalët, hamendjet e vlerave e shpjegimet. E pësuam si francezët, “frank vjô, frank nëvë.” Si duket, kjo flame zhvlerësimesh apo rivlerësimesh, do të na jetë ngjitur si rodhe, ndoshta nga krizat financiare franceze, qysh nga Luigjët e parukeve e shpatave. Ndaj, shpesh ndërhyrja e ekonomistëve të shquar nga Anglia e shpëtonte Francën nga katastrofat. Ose kjo flamë do të na jetë shpifur nga reforma monetare “çervonc” e rusëve bolshevikë, pas revolucionit, se prapësitë politike dhe ekonomike e kanë kaluar kufirin tonë,  jo vetëm nga Parisi i komunarëve, por edhe nga Moska. Në kohën e Zogut, librat e Marksit i kishim peshqesh jo vetëm nga Berlini e Londra, por edhe nga Parisi. Pas luftës pushteti, që u shfaq në emër të popullit, me reformën  agrare e  la vetë popullin me gisht në gojë. Pra, nga fqinjët e veriut mori thonjtë e bufit e nxorri njërin sy. Me reformën monetare fshatarët, pasi sollën  në  banka  paratë  e kursyera, ngarkuar me hejbe mbi gomarë, pas këmbimi morën nga një trastë  me letra. E njëjta gjë ndodhi me ndryshimin e lekut nga i vjetër në të ri. Të gjithë u hutuan, sidomos udhëheqja, që miratonte si pa te keq kërkesa fondesh me lekë të reja, në dukje më të ulta. Pra, pushteti i popullit duke dashur të vërë vetullat e bufit, nxorri syrin tjetër me rrjedhje shpenzimesh për rrush e kumbulla, me dështime e varfëri. Mirëpo në qytet e në fshat, siç ndodh edhe sot, populli i bënte hesapet me të vjetra, ashtu si për një kohë të gjatë shumë vetë, në vend të 100-lekëshit ta prisnin shkurt: 1 napolon.

-Ashtu vërtet, ndaj edhe unë vrava mendjen me shifra e çmime. “Pra për dy bulona, thashë me vete, u dashkan 600 lekë, ose që të mos ngatërrohesha, 60 lekë të reja.”  Po, për dreq, duke rrëmuar nëpër xhepat e palltos të sapoblerë në pazarin me tenda, gjeta vetëm një monedhë metalike, 5O lekëshe!  Pra, paratë nuk do të më mjaftonin për të blerë ndonjë send tjetër. Si t’ia bëja? -Shtrenjtë i paske! – i thashë atij burri nursëz.. Ai më pa me mërzi…- Në daç merri, në daç lëri! – m’u përgjigj pa ngritur kokën. – Aq i shes!

Bëra më tutje…Ndalova para një banaku “all’ aperto” prej llamarine mbi këmbëza hekuri “L” ose siç thonë në Gjirokastër, pafidhe.

– Ou, prit! Me atë pafidhen, -ia preu fjalën me të qeshur Rudi,- më kujtove një ndodhi furnizimi, kur kryeministër ishte Mehmet Shehu. Nga drejtoria e Punishtes, që bënte kova e gjyma në Gjirokastër, mbërriti papritur në kryeministri një telegram urgjent, tek thuhej: “Pafidhe koqe, plani rrezik!“ Nëpunësit mbetën gojëhapur e s’po mundnin ta deshifronin atë telegram enigmë.  Kush tallej ashtu dhe si guxonte!? Vajti puna deri te zv.kryeministri Haki Toska. Ky e pa, mblodhi vetullat e zeza dhe si gjirokastrit i ra në të, ndaj urdhëroi: “U dërgoni menjëherë llamarinë, se atje mo shokë, po rrezikohet pllani i shtetit!’’ Siç dukej po bëhej hataja. Djalli e merrte vesh, mbase po rrezikohej ujitja e misrit me kova e gjyma ose Kina për orizin.

– Ha, ha, ha! – u gajas Memli, pas tij iu ngjit edhe Rudit. Pasi u mbushën me frymë, pinë nga një gllënjkë ujë e pak kafe.

-Pra, ku e lamë fjalën?

– Te banaku me llamarinë.

-Ah, po! E pyeta të zotin e dyqan-banakut mbushur me një mori sendesh të ndryshkur:- Sa e jep këtë bulonë? Ndërkaq, një të dytë si ajo e mbaja në dorën tjetër.-100 lekë,- më tha mesoburri me kasketë.- A m’i jep të dyja aq?- Ai në ato çaste po merrej me një tel të sertë e të përdredhur. Pa më hedhur sytë më tha:- Hajt, merri! – I zgjata 50 – lekëshin “nëvë”. – Oh, po ku kam të vogla!… Pa i lëshuar bulonat nga dora, ia ktheva: si t’ia bëjmë?  Unë vetëm këtë kam!…-A e di çke? Merri dhe mbaro punë! Kur të bëhesh me të holla, m’i sill!

E falenderova e në çast ndërsa largohesha, vrava mendjen sesi ta thyeja atë monedhë të rrallë. Ndalova para disa çikrimave të tjera e po i vëreja me kujdes. Më zunë sytë tri bulona të gjata. -Sa bën një nga këto, të lutem?- Tri copë-njëqind lekë, -ma ktheu një djalosh kokorodhe që rrinte ulur përbri nja dy pleqëve me mall të pakët. I tregova 50 -lekëshin…-Nuk kam të holla zotni. Po edhe këtej rrotull asnjë nuk ka.- Kaloi një hop në heshtje. Papritur, ai shtoi:- merri të trija pa para, zotni!  S’ka problem!…

Dija se sllavët thonë nema problema, kurse amerikanët dhe europianët no problem. Neve në kësi rastesh themi, nuk prish punë. Mos ishte djali ndonjë mërgimtar i kthyer? -Jo, jo! Do t’i bije paratë patjetër, -fola i vendosur. Ai buzëqeshi e tha: Ç’të mundohesh, zotni!

-Falemnderit e mirë u pafshim! –Dhe e mbylla bisedën me aq.

Teksa rrotulloja nëpër duar 50- lekëshin, që nisi të më bezdiste, iu drejtova një fshatari që shiste vezë aty afër:

-A ke të ma shkoqësh këtë? – Jo, nuk kam! – Ma preu shkurt; iu afrova një gruaje bullafiqe, që kishte vënë mbi një shtroje domate, speca e spinaq. – Me gjithë qejf ta shkoq, o xhaje, por s’kam, e shkreta!

Më vajti mendja te një dyqan në kënd të rrugës, që mbante gozhdë, vida, vegla lloje – llojesh, rrjeta për miza, etj. Sa hyra i thashë:-Tungjatjeta!-Mirë se erdhe!

-Urdhëro,- ma  priti një burrë i shkurtë e vetullzi.- Më pesho, të lutem, njëqind lekë nga ato gozhdët  e vogla atje, se i dua  për të  mbërthyer një xham,  që m’u thye dje, – e gënjeva. -Si urdhëron! – Mori një dorë gozhdë, i peshoi, i mbështolli me një copë gazetë dhe i shtyu në banak drejt meje. I zgjata 50- lekëshin e dëgjova të njëjtën  përgjigje:- Nuk kam të thyera, zotni!- Ç’bëhet kështu!?-  fola majë  buzëve  me zë të lodhur,  pa ditur se kujt poi drejtohesha. Shitësi i dyqanit më pa të merakosur.

-Merrini, s’ka gjë! M’i sillni paratë, kur të kaloni këndej nesër a pasnesër!- Qëndrova një çast si i hutuar, pastaj e falënderova dhe dola. Pra, m’u shtua dhe një kreditor.

.U hodha një sy dyqaneve përballë. Mbi një derë dukej qartë me shkronja të bardha emri “Bukë!” Kalova në trotuarin matanë. U përkula para dritares së ulët me atë qerrata 50-lekësh në dorë e po vështroja bukët. Por edhe shitësi po më shikonte nga brenda.-Sa kushton kjo simite e vogël? – e pyeta.- Njëqind të vjetra! – “Të blej diçka, mendova apo t’i lutem të më thyejë këtë metal rrumbullak banke?”-Më jep një simite si kjo, të lutem!- Ai kërkoi në raft, zgjodhi një të butë dhe ma zgjati të mbështjellë te një qeskë të bardhë, i zgjata 50-lekëshin. Shitësi vuri buzën në gaz. – S’kam të holla, po nuk ka gjë! Merre simiten! Paratë – nesër! Ai vazhdonte të më buzëqeshte miqësisht, si të kishte para një të njohur prej kohësh. Mos ishte nga një lagje me mua!?

Memli heshti, zgjati dorën, mori gotën e ujit, piu gjysmën e vazhdoi -Rashë në mendime sërish: “Ç’dreqin po më ndodh sot!? 50-lekëshi më kishte mbetur në xhep dhe unë kisha hyrë në borxh te katër vetë! Ku ta thyeja atë 50-çe të mallkuar, për të hequr qafe borxhlinjtë dhe për të qetësuar ndërgjegjen? Ku qenë zhdukur të hollat që kishin dalë më 1995 dhe 1996!? Ç’bënte Banka e sotme e mbushur me nëpunës të rinj? Po Qeveria?”

Vijoja t’i hidhja hapat duke u lëkundur e duke u nxehur me veten. Ndërkaq, nuk po pikasja “Dremler- Benzet” e përdorur e me frena të prishur, që nxitonin poshtë e lart pranë këmbëve të mia, nëpër atë rrugë të ngushtë, duke ngrënë, edhe trotuarin. Për më zi, nuk kisha me vete as letërnjoftimin. Në çast më ra ndërmend tregimi i Mark Tuenit për fatin e djaloshit Henri, që për pak do të mbytej në det, gjatë shetitjes me velier, por për mrekulli i shpëtuar nga një anije, që kalonte atypari, doli gjallë në Londër. Duke u endur vetëm nëpër atë qytet të madh, me rrobet copë, me pare sa për një ditë, ishte aq i uritur saqë një dardhë të kafshuar plot lëng të hedhur në kanalin me baltë nga dikush, pa një pa dy e mori dhe e hangri menjëherë. Në ato çaste, ngjau mrekullia e dytë, djaloshi papritur u bë zotërues i një dokumenti banke me vlerë, i çekut një milion, dhuruar nga disa xhentëlmenë thatimë që merreshin me baste. Veçse çekun për habi nuk ia thyente dot askush, si 50-lekëshn tim! Më tej me varg robaqepsish, me bodigardë e veturë, kryq e tërthor nëpër Londër. Në hotele luksoze, me kryehotelierë, me dama, reporterë të shumtë, plot pyetje e aparate fotografike me flesh! Më së fundi skandali! Natyrisht, nuk më ndodhi ajo që pësoi ai, se metalin tim, nuk ma mori era. Pra, nuk m’u desh të kërceja para e prapa, lart e poshtë, apo të shtrihesha për ta kapur. Ai qerrata nuk donte që nuk donte të binte as nga dora, që të vrapoja pas tij në rrokullimë e sipër e ta kapja para se të binte në ndonje pusetë pa kapak në trotuar!

Rudi dëgjonte e qeshte me gjithë shpirt, ndërsa Memli fliste i nxehur:-Nuk po ia gjeja fillin asaj pune. Më merrnin për mësues të vjetër, në gjendje jo të mirë, pa më respektonin? Apo mos më pandehnin të pasur, por kurnac e plakush? Jo, jo, se i atillë as kam qenë e as jam! Nga ky hutim më zgjoi një lypës i ri sakat, shtruar shesh në një qoshe, pak më sipër Poliambulancës së madhe, me moneha metalike para, që nuk reshtte refrenin migjenian:

-Më fal ndonjë lekë, zotni, të faltë Zoti! –.Dhe befas si vetëtimë më erdhi një mendim. Shkova drejt tij, i hodha një sy dhe i tregova paren time, “Njëmilionshin e Henrtt”. -Unë po të jap pesëqind lekë, – i thashë, – dhe ti do më kthesh vetëm katërqind! Të shkoqura, ama, qindshe! Mirë? Ai më vërejti ngultas, pastaj buzëqeshi aq ëmbël, saqë e gjithë ajo pamje e përvuajtur iu zhduk si me magji. Pranoi në çast. I lëshova 50-lekëshin në dorë dhe mblodha nga coha e shtruar-përtokë katër qindshet e mia!

-Faleminderit shumë!  – i fola më në fund tepër  i kënaqur.

-Zoti të ruajtë!- më tha ai.- M’u bë sikur degjova: “Zoti të ruajtë mendjen!…” Ika pothuaj me vrap, me përshtypjen se kalimtarëve kureshtarë u kishte kapur syri çudinë më të madhe të asaj dite, se si një burrë i mbajtur me flokë të bardha e me pamje profesori qe përkulur e kishte marrë paratë e një lypësi fatkeq…Mbërrita me një frymë te bukëshitësi.- Urdhëro  njëqind  lekët dhe faleminderit! – Asgjë dhe eja prapë, kur të duash!  Do t’ju shërbejmë me qejf!- Shkova te dyqani në kënd të rrugës.- Urdhëro  njëqind  lekët dhe më fal, hë? Burri i shkurtër më hodhi një sy, më kujtoi, e mori monedhën metalike dhe e hodhi në sirtar.-Mirë ardhsh!

I lashë dyqanet dhe kërceva në sheshin e pazarit.

-Faleminderit! – i thashë burrit me kasketë! – Ja, njëqind lekët e tua! Ai i mori dhe qeshi.- Nuk përtove  që u ktheve!? -Më fal, po nuk kam përtuar kurrë në jetë. Pazari, pazar! – Nga aty, drejt e te djaloshi kokorodhe.

-Urdhëro njëqindlekëshin për tri bulonat!- i thashë. Më pa me mirësi dhe buzëqeshi.- Unë e kisha harruar fare. Mbaje, nuk e dua!- Jo, jo! – ia prita. – Tregtia pa para s’ecën përpara! Meqenëse po më dukesh djalë për së mbari, dua të të pyes, a fiton gjë me këtë sojë tregtie?- Eh! ka ndryshuar koha.- Më tha si burrë i pjekur dhe heshti, nuk e mbaroi  fjalën.- Kohën mos e lër të iki kot djalosh! Pse nuk merresh me një punë më fitimprurëse? Fytyra iu çel e tundi kokën me miratim.- E përshendeta: Mirëupafshim! -Rrofshi!- më tha buzëgaz.

Pas kësaj, mora frymë lirisht dhe preka në xhepa bulonat, gazetën me gozhdë dhe simiten e butë në qeskë. Tashti të gjitha ato ishin të mijat. Para s’kisha më. Mirë thonë gjirokastritët: “e thieve, vate!” Nisa të filozofoja përsëri për çekun e bastet e pasanikëve londinezë, që talleshin me  milionat e bankave.

-Ashtu siç ndodhi me thesarin e Bankës Shqiptare dhe gjermanët, – shtoi Rudini.- apo Europa, që nguroi t’ia kthente Shqipërisë edhe pas vitit 92. Nuk thonë kot se floriri i huaj, pasuron bankat e mëdha.

-Mirë thua! E ç’është një pensionist si unë? Herë zanatçi e filozof, por edhe i zemëruar me ata që punojnë në Bankë, të cilët nuk e vënë ujët në zjarr e na lënë pa të holla, pa lëre pastaj me ato vonesa e pagave tona të ulta, pas vjedhjeve misterioze, edhe ditën në rrugë!…

Bisedat e zgjatura mbaruan. Në mes të zhurmës, vetëm tani dëgjoheshin, pak si tepër, krismat e gotave prej qelqi e filxhanëve në pjata porcelani dhe fërshëllima e avullit të ekspresit. Të dy miqtë paguan kafenë e ujin. U ngritën, veshën palltot dhe dolën. Bënë disa hapa në trotuar, pastaj ndaluan, i dhanë dorën njëri – tjetrit dhe u ndanë disi më të lehtësuar se herëve të tjera.

Në qiell dielli mbërdhinte, në tokë drurët e zhveshur kishin ftohtë.

* Variant i përmirësuar nga autori.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Xh Deshnica, ÇEKU NJË MILION.

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2170
  • 2171
  • 2172
  • 2173
  • 2174
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT