• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PROVOKIMET SERBE NUK KANË TË NDALUR

January 16, 2017 by dgreca

Asllani-53

NGA ASLLAN BUSHATI/Treni i palicensuar serb, i nisur nga Beogradi për në Kosovë (Mitrovicë) më 14 Janar 2017, por që nuk arriti në destinacion për arsye se në Rashkë u këthye andej nga erdhi, më kujtoi një ngjarje   nga historia e luftrave. Shtabi i Përgjithëshëm  gjerman i kohës së Hitlerit, po bëntë një stërvitje komando-shtabi me idenë se si   mund të pushtohej Austria pa paralajmërim ,pa i shpallur luftë  dhe  pa bërë bujë në botë. Kjo gjë sipas tyre mund të bëhej duke nisur natën para agresionit , me avionet e linjave dhe  me automjete private, komandantët e njesive e reparteve ushtarake të veshur civilë,  por që në  valicet e tyre të kishin uniformat ushtarake të luftës dhe kodet sekret të drejtimit. Pas sistemimit të tyre në hotele të nisej me tren një divizion tankist dhe një i blinduar për ta rrethuar Vienën natën  dhe në orët e para të mëngjezit  pushtimi të bëhej fakt i kryer. Kur stërvitja komando-shtabi mbaroi,  oficerët shkuan në shtëpitë e tyre. Në këtë moment Hitleri urdhëroi që ky plan stërvitor të këthehej në plan luftarak dhe ashtu u bë. Të nesermen institucionet kryesore  qeveritare të Vienës u  gëdhinë të rrethuara nga tanket e autoblindat gjermane dhe pushtimi u bë fakt i kryer. Për të mos i dhënë shumë rëndësi këtij fakti,   “ Fyhreri “  mbajti  në qendër të Vienës një fjalim për zhvillimin e “demakracisë në botë”.

E  solla këtë  shembull  në fokus,si një paralele me trenin serb, por aspak për të fyer austriakët, për të cilët kam një respekt të pakufishëm  në cdo drejtim. Ata bënë gjithcka për krijimin dhe mbrojtjen e shtetit shqiptar, ashtu sic kanë bërë e bëjnë edhe për miqësinë që ata kanë  treguar e vazhdojnë  të  tregojnë në vijimsi për shqiptarët. Por shembullin e solla për të vënë në dukje se historia përsëritet në një formë a në një tjetër,në një kohë a hapsirë tjetër dhe kush i  neglizhon mesimet e saj  duke  vetfshirë  kujtesën,   është  në radhë të parë viktimë e vetvehtes.

Ka më shumë se një shekull që ne shqiptarët jemi në luftë me Serbinë dhe herë- herë  në paqe shumë të pjesëshme me të. Provokimet e saj nuk kanë të ndalur e të sosur dhe prapa cdo provokimi qëndron një makineri e tërë propagande se shqiptarët  janë të këqinj, të paemancipuar si komb, me prirje kriminale, terrorista  dhe se ajo në të gjitha rastet  është viktima. Kujtoni për një moment fjalimet e Cubrielovicit e të Milloshevicit për shqiptarët dhe hiqni pararele me ato të Nikoliqit, Vucicit dhe Dacicit.

Për kujtesë, po rendis katër ngjarje të kohëve të fundit që janë provokime të hapura të Serbisë si : Muri  ndarës në Mitrovicë, vizita dhe lutjet fetare të një peshkopi  ortodokës serb para universitetit, arrestimi i Zotit Ramush Haradinaj në Francë me urdhër-arresti të lëshuar nga Serbia që në 2004-ën dhe nisja e trenit të palicensuar për në teritorin e Kosovës pa përfillur autoritetet  e Shtetit të Kosovës. Në pamje të parë këto ngjarje duket sikur  nuk kanë lidhje me njera-tjetrën ,por në brendi ata janë gatuar të gjitha  në guzhinën e shërbimit sekret dhe miratuar nga politikanët serb. Por para se të merremi me trenin serb , le ti  hedhim një shikimin  të shkurtër disa ceshtjeve të gjeo-strategjisë.

Përfundimi i Luftës së Ftohtë e gjeti  Bashkimin Sovjetik të shkërmoqur dhe Rusinë të humbur brenda shkërmoqjes. E ndodhur në një pozitë krejt të palakmueshme, Rusia u terhoq zvarrë deri sa me ndihmën e perendimit e rimori pak veten e mezi  u ngrit në këmbë, por pa ndonjë proptagonizëm të madh. Gjatë kësaj periudhe më shumë se cerek shekulli, nën rrogozë e me ndihmat e lehtësitë që asaj  ju ofruan  dhe me neglizhencën që perendimorët  treguan, ajo filloi të mendojë për rifitimin e staturës  së ish Bashkimit Sovjetik. Madje pas pushtimit të Krimesë dhe barabarizmit në luftimet në Siri vecanërisht në Alepo, kërkon rindarjen e zonave të influencës. Në kuadër të kësaj strategjie të re ajo kërkon  dobesimin ekonomik e zvogelimin e rolit amerikan ne bote,shpërbërjen ose zvogëlimin  deri maksimum të rolit të  NATO-s  në Europë dhe prezencën e Rusise   në Ballkan ( ose më saktë në  Gadishulli Ilirik) . Prezenca në këtë rajon, tashmë  është krejt e dukëshme në Serbi me ndihmat morale, material e financiare që i jep asaj,  me  instalimet ushtarake që bën, me  prezencën e skifterëve të shërbimit sekret ne udhëheqjen e bandave të drogës, prostitucionit, emigracionit etj. Po ashtu prezenca e saj tashmë është e dukëshme në Bosnje-Hercegovinë, në Maqedoni  e  në Mal të Zi , por reminishenca influence duken edhe në disa vende të NATO-s si  në  Greqi  , Bullgari e Turqi.

Një tjetër problem madhor, vecanërisht në Gadishullin Ilirik, është fakti se strategjia perendimore e mos njohjes së ndryshimit të kufijëve, ka rezultuar e dështuar duke prodhuar tensione të herë pas herëshme. Po të ishte menduar rirregullimi i shteteve sipas nocionit të kombeve: Hungaria do të kishte marrë pjesë e saj  nga Rumania(Vllahija) e Serbia (Vojvodina); Kroacia nga  Bosnje- Hercegovina; Serbia do të merrte republikën Serbskaja; Shqipëria do të merrte  Kosovën; Maqedonia do të shpërbëhej dhe ndahej midis Bullgarisë, Greqisë dhe Shqipërisë dhe mund të krijohej një federatë e vogël  Malazezo-Boshnjake.  Në gjykimin tim  kjo do të ishte zgjidhja më e drejtë, por meqë kjo nuk ekziston qoftë edhe si opsioni  më i pa përfilleshëm i zgjidhjeve të një plani  afatgjatë, le të këthehemi tek realiteti ekzistues. Ku  krahas Rusisë, rindarje të re të pasurisë botrore dhe të zonave të influencës po kërkojnë  edhe Kina,  Irani, Koreja, Indija dhe ndoshta edhe Brazili, Britania e Franca. Keto prirje për rindarje , shtoj këtu edhe problemin e rishikimit të programeve bërthamore e bëjnë situatën prag lufte.

Tani le të këthehemi tek treni  i pa licensuar serb, me ikonografi të skajëshme ekstremiste e ultra-nacionaliste, që deshi të hynte si triumfator në Shtetin e Pavarur të Kosovës  me tam-tame të mëdhaja, me parrulla  e thirrje shoviniste,  ku thuhej se Kosova është Serbi.  Tren që mbartëte një grup avanturieresh,udbashësh e paramilitarësh provokues  shoqëruar   me gazetar e njerëz të medias të karikuar në kulm e stolisur me kostume, banderola e flamurë të mbretërisë jugosllave.

Me këtë Serbia edhe një herë demostron  para opinionit botëror se nuk e njoh Kosovën, madje sic thuhej në banderolat brenda trenit (Kosova sipas saj  është Serbi). Pra ajo vazhdon të jetojë me vizionet e vteve 90-të, në një kohë që Kosova është nje realitet krejt tjeter, shtet i pavarur dhe luftën me Serbinë ajo e ka fituar. Ky është një provokim i hapur që i  bëhet Kosovës  në sytë e zyrtarëve të Brukselit dhe të të gjithë botës. Me këtë Serbia i coi në  zero nivelin e marrdhënieve Kosovë- Serbi të udhëhequra nga Brukseli. Me këto veprime të Serbisë dualën fiasko  gjithë  ecejakjet  e Edi Ramës me Vucicin  për të ashtu quajturën klimë  paqësore e bashkëpunuese me Serbinë nga një kënd shikimi i ri rajonal. Serbija nuk ka ndryshuar, ajo është një metastazë e kanserit rus në Gadishullin Ilirik.

Unë pajtohem dhe i përshëndes veprimet dhe qëndrimet e matura dhe burrërore të autoriteteve të Kosovës në mbështetje të Kushtetutës dhe ligjeve të saj. Pershendes punën e strukturave të policisë e sigurisë  si dhe atë të medias.  Kosova ka shumë halle e problem të mëdha, të cilat me një veprimtari shumë të ulët provokuese të Serbisë u cvendosën duke dalë në plan të dytë, sepse në plan të parë tashmë  kanë dalë muri në Mitrovicë, provokimet e patriarkut serb para universitetit, arrestimi i Ish Kryeministrit Ramush Haradinaj, treni  Beograd- Mitrovicë etj. S’kemi c’bëjmë edhe me keto do të merremi. Por, unë mendoj se Kosova duhet të shikojë edhe  mundësinë e ndryshimit sa më parë që të jetë e mundur , të kodit telefonik “383” i cili i mundëson Serbisë të mbajë nën vëzhdim cdo bisedë telefonike të qytetarëve të Kosovës.

Lypset të jemi të vëmendëshëm  që  të mos biem në grackate provokimeve serbe. Ato do të shtohen në të ardhmen, (mos harroni se eshte prag lufte) ,por ne jemi në hapsirën tonë që na e kanë lënë të parët tanë, jemi në të drejtën tonë, jemi përkrah Amerikës dhe NATO-s, Amerika dhe NATO-ja janë  të pranishme fizikisht edhe në trojet tona. E ardhja është me ne, por na  duhet mencuri, durim, maturi e koshiencë për punët që duhet të bëjmë.

Filed Under: Analiza Tagged With: asllan Bushati, nuk kanë, PROVOKIMET SERBE, TË NDALUR

Po vjen treni!

January 16, 2017 by dgreca

Nga Hazir Mehmeti/

Nga çerga e dhintë  ngrihej pluhuri e valët e telit të lahutës nxirrni gjamë: “Po vjen treni moj nënë…” nganjëherë,  “Vijnë vaporët moj nënë..” dhe ne strukeshim të pa fuqishëm në qoshen e errët të Kullës mbi trapazan. Përballë dridhej mustaku mbi çibukun që villte tym mbytës brenda mureve të gurta. “Treni vinte Luginës së Ibardhit ngarkuar me kuçedrën që villte zjarre e mbillte vuajtje në tokën tonë. Kështu ishte çdo dhjetëvjetësh të jetës sonë, kur vendi bëhej shkrumb e hi dhe çuditërisht ngrihej përsëri nga dheu ashtu sikur Feniksi në legjendat e lashta pellazge. Zoti e mbështet të fortin, dridhte demi veshin dhe toka lëvizte, rrëzoheshin shtëpi e kështjella shqiptare siç ishte rasti i Shkupit dhe Ulqinit, mbi to ndërtohej, përsëri me përkrahjen e “miqve” godina për kolonët sllavo-maqedon. Kështu tkurrja e jonë shekullore vazhdonte.

    “Vjen vapori moj nënë bregut të detit…” i ngarkuar me kokëkuçedra përbindësh që kafshuan Ulqinin, Tivarin, Plavë e Guci, Malësi deri në zemër të dheut shekullor shqiptar. Përsëri zoti në anën e të fortit, u ndëshkuam keq edhe pse e besuam e u lutem më shumë se të tjerët, bile në shumë gjuhë që as ne nuk i kuptonim, ashtu ishte rregulli i tyre. Dhe, ne përsëri mbushnim çibukun duhan deri në mbytjen tonë e  kullave tona. Pushka shkrepte nga shkëmbi i krenarisë ataviste dhe mbyllej lagjja e fisi derisa të hapej varri i ri tek pragu i tyre.

 Po vijnë trenat… vazhdonte refreni, me këmishëzi, kur njëri armik ia shkelte teposhtë e fill pas tij vinte tjetri më i zi se i pari, përsëri çdo gjë shkrumbohej. Dragonjtë me çetat e tyre ua bënin varrin atëherë kur nuk e pritnin: Kryekaçaku Azem Bejtë Gailica dhe Nusja e Maleve- Shotë Galica fluturonin në çdo cep atdheu të pushtuar duke mbjell pavdekësinë në legjenda të përjetshme.  

      Hasmi nuk fle, përsëri vjen treni, në vitin i fundit të Luftës së Dytë Botërore, i mbushur me çetnikë, zbraz barkun në Rrafshin e Kosovës, por të gjithë u asgjësuan sapo prekën tokën, aty ishin trimat vullnetarë drenicas, ushtarë  të Mehmeti Gradices e të Shaban Polluzhës dhe vëllezërit nga Ortakolli me Sefer Beçukin.  Kuçedrës iu thyen brinjët, i turpëruar bishtzvarrë ia mbathi nga kishte ardhur, Luginës së Ibardhit. Nuk e thoshin kot në trevat tona: “E keqja vjen nga Lindja, e mira nga Perëndimi”. Kuptimi e saj e mësuam me jetën tonë, diçka e përsëritur gjeneratave edhe më herët se sa “Shpata e Shenjtë” e Sulltan Salepit e bekuar nga “Allahu turk” për të prerë e shkatërruar qenien tonë në trevat tona shekullore.  Kuçedra mbolli farën e helmit në gjakun e prishur arbëror dhe jeton “ galuc në tamthin” e kokëprishurit akoma mes nesh duke u betuar në Baba Sulltanin e tyre.  
   “Gjergj Elez Alia.. ringjallet edhe atëherë kur Balozi tinëzar e pandeh të vdekur. Kështu ishte gjithmonë kohëve tona në truallin tonë. Legjendat janë aty në roje të Gurëve të Kreshnikëve, janë zemra e gurit, është  Adem Jashari me ushtrinë e tij dhe drangonjë me krah hekuri të miqve, ktheu mbrapsht me turp trenat e zi në rrugën e vjetër me bisht nën këmbë.    Trenat do nisen, por do kthehen gjithmonë të turpëruar me bisht nën këmbë, ashtu siç e meritojnë. Është toka jonë, jemi ne tani zot i saj.   

Filed Under: Komente Tagged With: Hazir Mehmeti, Po vjen treni!

SHBA-ja respekton të drejtën e Kosovës për ndërhyrje në veri

January 16, 2017 by dgreca

Kosovë-Shtypi 16 janar 2017 për zhvillimet e fundit/

SHBA-ja respekton të drejtën e Kosovës për ndërhyrje në veri/

Koha

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë përkrahur veprimin e institucioneve të Kosovës për t’i dërguar forcat speciale policore në pikën kufitare në veri, për ta parandaluar futjen e trenit ilegal serb.

Zëdhënësja e Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë, J. Michelle Schohn, ka thënë për “Kohën Ditore” se e respektojnë të drejtën e Kosovës që të menaxhojë kufijtë e vet.

“SHBA-ja ka njohur Kosovën si shtet sovran dhe të pavarur që nga viti 2008 dhe ne e respektojmë të drejtën e Kosovës që të menaxhojë se kush dhe çka kalon nëpër kufijtë e saj. Na vjen mirë që mbrëmë nuk kishte konfrontime në kufi”, ka thënë Schohn.

Ajo më tej ka shtuar se SHBA-ja përkrah fuqishëm dialogun e moderuar nga BE-ja “si mënyrën më të mirë për të ecur përpara në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë”.

Së fundi janë rritur zërat që thonë se obstruksionet e Serbisë vijnë pas ndryshimeve në administratën e SHBA-së, ku serbët llogarisin në përkrahjen e presidentit të ri amerikan, Donald Trump. E pyetur për mundësinë e ndryshimit të kursit amerikan në raport me Kosovën, me ardhjen e Trumpit, zëdhënësja e Ambasadës amerikane në Prishtinë ka përmendur vazhdimësinë e politikës amerikane në Ballkan.

“Politika e SHBA-së lidhur me Ballkanin në dy dekadat e fundit ka qenë relativisht konsistente pa marrë parasysh se cila parti ka qenë në Shtëpinë e Bardhë. Nuk kemi parë asnjë indikacion se kjo do të ndryshojë”, ka thënë Schohn.

KFOR-i, i gatshëm për intervenim

Zëdhënësi i KFOR-it, nënkoloneli Max Barbacini,në një prononcim për gazetën “Zëri”, u ka bërë thirrje palës serbe dhe asaj kosovare për vetëpërmbajtje dhe të angazhohen për dialog. Megjithatë, sipas tij, KFOR-i është i gatshëm për çfarëdo situate, e cila ka nevojë për intervenimin e tyre

Tentimi që treni i nisur nga Beogradi me mbishkrimet “Kosova është Serbi”, të hyjë në Kosovë, ka kaluar të gjitha kufijtë e “normalitetit” të provokimeve të deritashme nga ana e Serbisë. Ky rast, nga ekspertët e sigurisë në vend, po shihet si “luftënxitëse”, dhe që ka cenuar situatën e sigurisë në Kosovë. Madje, sipas tyre, në pikëpyetje është edhe vetë stabiliteti rajonal, transmeton zeri.info. Megjithatë, sipas Policisë së Kosovës, nuk ka vend për shqetësime në nivel shtetëror për gjendjen e sigurisë. Ata vlerësojnë se situata është e qetë dhe e “brishtë” në pjesën veriore të Mitrovicës. Për këtë arsye edhe kanë ngritur në dispozicion të gjitha kapacitetet që kanë. E presidenti serb, Tomislav Nikoliç, dje ka mbledhur edhe Këshillin e Sigurisë Nacionale, pas së cilës ka thënë se Serbia është e gatshme të nisë edhe ushtrinë në Kosovë, nëse rrezikohen jetët e serbëve.

E rreth krejt kësaj situate reaguesi i tretë për sigurinë në vend, KFOR-i, në një prononcim për gazetën “Zëri”, u kanë bërë thirrje Prishtinës dhe Beogradit që të angazhohen në dialog, duke shtuar se ata do të jenë të gatshëm për çfarëdo lloj situate që paraqitet në terren.

Qehaja: Serbia synon aneksimin e veriut

Ramadan Qehaja vlerëson se planet e mirëpërgatitura të Serbisë janë në funksion të arritjes së qëllimeve që kanë të bëjnë me aneksimin e veriut të Kosovës me mjete dhe metoda të kombinuara konvencionale e jokonvencionale

Në mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë, që është ftuar dje nga presidenti Tomislav Nikolliq, i janë dhënë detyra konkrete çdo subjekti. Toni i tyre kërcënues ngërthen në vete planet e mirëpërgatitura në funksion të arritjes së qëllimeve që kanë të bëjnë me aneksimin e veriut të Kosovës me mjete dhe metoda të kombinuara konvencionale e jokonvencionale. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ish-gjeneralmajori në Armatën Jugosllave, tanimë të shpërbërë, Ramadan Qehaja, duke shtuar se tashmë pritet të ketë edhe intensifikim detyrash dhe pranisë së agjentëve të shërbimit inteligjent civil e ushtarak serb, jo vetëm në atë pjesë të territorit, por në tërë territorin e Kosovës.

Eksperti i çështjeve ushtarake dhe të sigurisë, Ramadan Qehaja,  i rekomandon institucioneve të Kosovës që të sigurojnë gatishmërinë vepruese të Policisë së Kosovës në funksion të dekonspirimit dhe reagimit ndaj pretendimeve të cekura më lart. “Kjo punë duhet bërë në koordinim të ngushtë me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI)”, shprehet ai.

Po ashtu, sipas tij, është më se urgjente që Policia e Kosovës të furnizohet tutje me mjete të blinduara, armë të gjata krahu dhe pajisje tjera personale. Ndërsa, njësitet speciale, sipas tij, duhet urgjentisht të pajisen me helikopterë për bartjen e njësiteve në pika të caktuara dhe të zgjerohen numerikisht konform nevojave. “Zhvillimi i këtyre njësiteve duhet bërë si një proces e jo veprime ad-hoc, duke menduar në intensifikimin e tyre që tani”, shprehet Qehaja.

Filed Under: Komente Tagged With: Gazetat e Kosoves, ne veri, për ndërhyrje, SHBA-ja respekton të drejtën e Kosovës

AGIM LEKA, DOKTORI QE KORRIGJOI ENCIKLOPEDINE BRITANIKE

January 16, 2017 by dgreca

Doktori që korrigjoi  Enciklopedinë  Britanike të vitit 1961 për vërtetësinë historike të Skenderbeut/

Nga Pertefe Leka/2 Agim Leka

 

   Dr. Agim Leka  është i mirënjohur dhe i vlerësuar në komunitetin shqiptaro-amerikan për kontributin në fushën e mjekësisë.Tek doktori janë mishëruar humanizmi dhe atdhetarizmi si një e pandarë që janë pasqyruar në veprimtarinë bashkohore të tij edhe në publicistikë.Është me interes të njihen dhe të studiohen shkrimet e Dr.Lekës,për vetë tematikën që ka trajtuar.Me që në muajin Janar është përvjetori i vdekjes së Skenderbeut, për të cilën figurë ka luftuar me një këmbëngulje dhe vullnet të papërshkruar,që të shkruhej korrekt origjina  shqiptare e Heroit Kombëtar,ku përveç dokumenteve origjinale, ka edhe më shumë në memorjen e tij brilante.Edhe pse këte muaj  është  93 vjetori i lindjes se Doktorit, studiusit kanë fatin të kenë  lidhje e të marrin të dhëna për çfarë ju intereson.

Cilat janë ngjarjet që e frymëzuan.

Fillimisht publicistika e të riut Leka është bashkudhëtare me moshën e edukimit dhe formimit të tij intelektual në shkollat më të mira shqiptare dhe të Europës.

I edukuar në një familje intelektuale me tradita patriotike dhe arsimdashëse dhe i investuar nga babai,Av.Rakip Leka,(student i Zosimeas dhe i Jurisprudencës në Universitetin e Stambollit), me prioritet, arsimimin dhe ndriçimin e mendjeve të të rinjve për dituri.Kështu i Riu Leka, ishte nxënës në Liceun e Korçës,në Liceun shtetëror të Tiranës, në Prato të Firencës,  në Salcburg të Austrisë deri në Universitetin e Romës ku u diplomua në fushën e mjekësisë. Kështu  erdhi në rritje  personaliteti dhe formimi i tij si intelektual me kulturë të gjerë dhe njohës i shumë gjuhëve të huaja. Edhe pse në moshë shumë të re, kishte formuar në vetvete bindjet e tij ku ai vetë e pohon:”Në një kohë me të cilën, shumica e shokëve të mij në Liceun shtetëror të Tiranës,me idealizmin e tyre të pamohueshëm për çlirimin e Atdheut tonë dhe për ndërtimin e një “shoqërie të re”kishin përqafuar një ideologji të huaj pse gjoja”Internacionale do të jetë bota e re”,unë fillova të zhvilloja dyshimet e mija të përforcuara nga im atë,se asgjë e mirë nuk do t’i vinte kombit tonë nga bota sllavo-komuniste.”Dr.A.Leka

Me këte vendim, i Riu Leka bashkoi pikëpamjet e tij me ideologun e lëvizjes nacionaliste,Mit-hat Frashëri dhe mori pjesë aktive në demonstratat e para kundër pushtonjësit.

Në moshën 18 vjeçare,konstatoi se qëndresa e hapur kundër pushtonjësit italian filloi edhe nga penda shqiptare,nga Shkodra e Teutës,nga Dom Nikollë Mazrreku, i cili i dha përgjigjen e merituar priftit Italian Fulvio Kordiniano.

Kur prifti Italian sulmoi dinjitetin e popullit shqiptar në të përkohshmen famëkeqe”Revista d’Albania”të muajit mars 1941,e detyroi moralisht, Dom Nikollë Mazrekun,me pseudonimin,Nikë Barcolla, të shkruaj”Skandali Kordinjano dhe mbrojtja e Kombit Shqiptar”e nënshkruar edhe nga profesorët shkodranë”Kordinjano në gjyq përpara botës”

Ky qe edhe fillimi i shkrimeve të Dr.Lekes me përkthimin italisht të librit të Dom Nikollë Mazrrekut, kujtimin e të cilit e ruan me krenari edhe sot në moshën 93 vjeçare.Aty Dom Nikollë Mazrreku ka ngritur lart trimërinë dhe urtësinë e popullit shqiptarë duke kundërshtuar Kordinjanon dhe ata që e kishin nxitur  për të justifikuar pushtimin e Shqipërisë si një mision “qytetërues”.

Edhe pse priftin shqiptar e internuan në fshatrat e malësisë dhe librin ia sekuestruan,Dr.Leka në moshën e guximit nuk e ndali përkthimin dhe këmbënguljen për ta botuar në italisht me titullin “Risposta a Cordignano sui suoi giudici nei riguardi degli Albanesi”që do të thotë “Përgjigje Kordinjanos përmbi gjykimet e tij mbi Shqipërinë”.Pas shumë mundimesh përkthimi i Dr .Lekës e pa dritën e botimit nga shtypshkronja Kastrioti në 2000 kopje.Përkthimi doli më i zmadhuar nga 36 faqe në origjinalin shqip në 42 faqe, ku u inkluduan në parathënie edhe disa fragmente nga botimi i protestës të profesorëve të Shkodrës.Kopjet e librit u shpërndanë si trakte ndër konsullata të ndryshme dhe ndër italianë.Këte eksperiencë,Dr.Leka e ka paraqitur me detaje në  artikullin”Nikë Barcolla dhe profesorët e Shkodrës në mbrojtje të Kombit Shqiptar”.Përveç brendisë, Dr.Leka i ka dhënë gjithashtu vlerë titullit kushtrimdhënës të librit të Nikë Barcollës, duke vënë në dukje edhe  një fjalë të urtë të Aristotelit, që autori e kishte shkruar mbi kopërtinë,”Mos me u idhnue kur lypet, asht marri”.  Kjo vepër e parë, me pendë, e qëndresës antifashiste, në shtator të vitit 1941,meriton t’i nënshtrohet një studimi të veçantë,së bashku me parathënien e gjatë të shkruar nga përkthyesi.

Për këte Dr.Leka shkruan:”Takimi im i vetëm në fillim të vitit 1942 për t’i marrë leje Dom Nikollë Mazrrekut për botimin e librit të cilin e kisha përkthyer në italisht pa ditur se do të lejohesha ta botoja, ishte për mua një çast mallëngjyes, pse këtu isha ulur unë, një student 18 vjeçar dhe përpara meje një burrë i gjatë,i veshur me petkun e thjeshtë fetar,që me penden e tij kishte nxitur mijëra student të demonstronin për liri.Fjala e ëmbël e tij dhe idealizmi i tij për atdheun tonë të shtypur, ishin mbizotërues në bisedimin tonë. Menjëherë u kuptuam se cila ishte detyra e çdo qytetari shqiptar,cilado qofshin pasojat nga pushtuesi fashist.Asnjeri nga ne nuk kërkonte famë ose ndonjë përfitim material, ishte vetëm detyrë misionari që kërkonte vetëmohim.Siç shkrova në parathënien për lexuesit italianë me 1942,(Prefazione traduzione di Agim Leka Borshi) përkthimi i këtij libri në gjuhën italishte nuk kishte tjetër forcë shtytëse, përveç dashurisë së thjeshtë për Atdhe.”Dr.A.Leka

Me këte forcë shtytëse Ai vazhdon.

Në pranverën e vitit 1943,kur i Riu Leka  ishte në malet e Skraparit me çetën e Prof. Abaz Ermenjit, takohet me kryetarin e misionit Anglez në Shqipëri,Kolonel Mc Lean,me të cilin biseduan në frëngjisht për lëvizjen e rezistencës në Shqipëri.Më vonë  pjesëmarrja e të Riut Leka në “Konferencen e Mukjes” në Gusht të vitit 1943,është një histori e gjatë të cilën e rrefen edhe sot me një kujtesë të kthjellët,sepse tashmë është i vetmi dëshmitar i gjallë i kësaj ngjarje  të madhe,po aq edhe  tragjike nga tradhëtia komuniste.

Takimi në malet e Krujës i të rinjëve nacionalistë me heroin e rezistencës së 7 Prillit,Major Abaz Kupi me 28 Nëntor 1943,ishte bashkëpunues.Fjalimin e rastit për bashkimin e nacionalistëve shqiptar në një front të përbashkët e mbajti i Riu Leka,me këte fitoi admirimin e Majorit.Fati i bashkoi edhe në Amerikë, kur Z.Kupi ishte në fund të jetës, kërkoi asistencën e Dr.Lekës dhe në krahët e tij dha frymën e fundit.

Të gjitha këto që u shkruan më sipër,si edhe takimet me ideolog dhe personalitete të tjera nacionalistë, u bënë burim frymëzimi për të paraqitur protestën dhe rezistencën e popullit shqiptar nëpërmjet shkrimeve të tij, të cilat i botonte te gazeta “Zëri i Lirisë”që drejtohej nga Musine Kokalari.

Gjithë kjo veprimtari binte në sy të lëvizjes komuniste,ku e vunë në shenjestër për ta eliminuar,siç u bë me vrasjen e Besnik Çanos.Urtësia e babait të tij e shmangu këte katastrofë, duke e dërguar për studime në Vjenë së bashku

me 100 studentë shqiptarë.

Kjo hapi rrugën për studime universitare  të cilat i përfundoi kur ishte student në Itali.

           I diplomuar në fushën e mjekësisë në Romë,Dr.Leka afirmohet jo vetëm në fushën e mjekësisë por edhe si një intelektual me kulturë përendimore.

I ndarë prej shumë vitesh nga vendlindja, i lidhur me shumë atdhetarë në SH.B.A.vazhdoi të luftojë për të drejtat e shqiptarëve në Shqipëri,Kosovë e Çamëri. Në shtator të vitit 1957 boton në “The New York Times” me pseudonimin ,ILLYRIKUS,artikullin “Për lirinë shqiptare kërkohet një politikë pozitive Amerikane”.

Artikulli në fjalë është nxitur nga vizita e Harrison Salisbury në Shqipëri dhe intervista me kryeministrin,Mehmet Shehu.

Ja disa fragmente të shkëputura dhe të përkthyera nga Dr.Leka.

“Si amerikan me prejadhje shqiptare,e ndiej veten të gëzuar për interesimin që New York Times tregoi duke tejshpuar pjesën më të fortë të perdës së hekurt  tamam në brigjet e Detit Adriatik e cila ka qenë e mbyllur për opinionin publik përendimor për më shumë se një 10 vjeçar….Integriteti territorial dhe pavarësia e Shqipërisë, ishin ndër tiparet  themelore të politikës së shteteve të Bashkuara të Amerikës  në kohën e Woodrow Wilson,emri i të cilit simbolizon përpjekjet pionere amerikane për demokraci dhe drejtësi nepër botë,me interesim të veçantë për mbijetesën e kombeve të vogla….Kritika e Z.Shehu ndaj një miku kaq të sinqertë të popullit shqiptar,Z.Harry T. Fultz,ish anëtar i Misionit Amerikan dhe ish-drejtor i Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë,ku Z.Shehu pati privilegjin të arsimohej,është një trillim fund e krye.Kjo është tipike e demagogjisë komuniste dhe tregon një mospërfillje të turpshme të mirënjohjes tradicionale dhe të përhershme shqiptare, ndaj miqëve të saj të huaj.”Dr.A.Leka

 Kurse në artikullin “Letter to the New York Times”1969,në të cilën proteston kundër qeverisë Jugosllave për represionet që ata kryejnë ndaj demonstruesve Kosovarë.Ky artikull është shkruar nga autori edhe në gjuhën shqipe dhe është botuar në gazetën “Dielli”me 5 shkurt 1969.

Nga mund të citojmë:“Kërkesa e kosovarëve,që të lartësojë pozitën,nga një “Krahinë Autonome” brenda Republikës Serbe me një Republikë të plotë është një kërkesë e arsyeshme,e drejtë dhe e merituar,pse populli Kosovar ka vuajtur dekada nën sundimin serb.Në publicistikën e Dr.Lekës, është për t’u vlerësuar përpjekja e gjatë në lidhje me kapitullin e Skenderbeut në Enciklopedinë Britanike,që mbahej më e madhja e asaj kohe.Maratona e letërkëmbimeve, fillon me përgjigjen që merr me 21 gusht 1961 nga Fan Noli i cili e mirëpret kërkesën e Dr.Lekës  për të bashkëpunuar në korrigjimin e origjinës serbe të Skenderbeut në ate Enciklopedi.(Nga letra origjinale e Nolit:”I enclose  a copy of these two pages.As you may know,”The story of Scanderbeg”was my dissertation for my Ph.D.Degree at Boston University.It was published in 1947 by Vatra,30 Hutington Ave.,Boston 16 Massachusetts.

Another book in which the question is discussed is by Fr.Athanase Gegaj,”L’Albanie et l’InvasionTurque au xv-e Siecle.” It was a doctoral thesis,published by the University of Louvain, Belgium,in 1937.All you have to do is call the attention of the editors of the Encyclopedia Britanica to these two books,which are the latest on the subject,both of them based on archival material”.)

Me këte letër orientuese të Nolit ku përfshihet vepra “Histori e Skenderbeut”,me të cilën kishte mbrojtur disertacionin në Universitetin e Bostonit dhe vepra e Fr Athanase Gega,”Shqipëria në invazionin Turk te shek.15” me të cilën kishte mbrojtur tezen e Dokturaturës në Universitetin Louvain,Belgium,1937,Dr. Leka i drejtohet Editorit të Enciklopedisë,Nov. 13. 1961.

Në letër kërkohet korrigjimi sa më i shpejtë i këtij gabimi duke e zëvendësuar me një fakt historik,sipas orientimit të letrës së Nolit…

(“I am the subscriber of the Encyclopedia Britanica and open going over volume 20,page 726 on the topic of Skanderbeg,the national hero of the Albanias,I was surprised to read the assertion that Skanderbeg was of “Serbian origin”…)marrë nga letra origjinale e Dr.Lekës

Në Janar.8. 1962,Dr.Leka merr pergjigje nga Leona B. Kraus,Editorial Assistant ku pranohet kërkesa për ta shqyrtuar artikullin në fjalë.(”We appreciate your writing us concerning the origin of Skanderbeg in the Britannica article Skanderbeg or George Castriota (volume 20,page 726)…)

Jan.22.1962 Dr.Leka e njofton Peshkop Nolin për përgjigjen që mori nga Editori, duke inkluduar edhe letrën përkatëse.

Nov.8.1966 pas një pritje të gjatë,Dr.Leka i drejtohet përsëri editorit:Dear Miss Kraus…..duke i shprehur shqetësimin e vonesës së korrigjimit sipas letrës së Peshkop Nolit i cili kishte ndërruar jetë nje vit më parë me 1965 dhe mund t’i shkaktonte ndonjë vështirësi Dr.Lekës në zgjidhjen e problemit.

Nov.18.1966 Dr.Leka merr leter nga HelenL.Carlock,Editorial Assistant se artikulli për Skenderbeun është rishkruar,por do të botohet në janar të 1967 me autor Tajar Zavalani,(former Program Assistant,Albanian section,B.B.C.)ku është cituar the libri i Metropolitan Noli në bibliografi.(Dear Dr,Leka/ The rewritten article on SKANDERBEG has not yet been published.It will appear in our 1967 edition,to be published in January 1967, and we enclose a tearsheet of the page.The autor is Tayar Zavalani…)nga letra origjinale

Kjo e bëri krenar Dr.Lekën që realizoi të vërtetën historike të Heroit Kombëtar,Skenderbeut.

Gjithë këte letërkëmbim,Dr.Leka ia dërgon Prof.Aleks Buda,Kryetar i Akademisë së shkencave të R.P.S.SH. Duke i shkruar ndër të tjera:Kam lexuar me interes letrën tuaj në gazeten”Liria”me të cilën i bënit thirrje bashkësisë shqiptare në Amerikë në lidhje me mbledhjen e dokumenteve të jetës së Hirësisë së tij, të ndjerit Peshkop Fan S.Noli.

Unë kam patur një letërkëmbim me Peshkop Nolin në lidhje me një protestë që i bëra “Encyclopedia Britannica”Edicioni i vitit 1961,në të cilën autori e quante Skenderbeun me prejardhje serbe…..”

Letra është e gjatë dhe kërkon studim më vete,ashtu si gjithë dokumentacioni i dorëzuar nga Dr.Leka këtij institucioni, për t’i shërbyer studiusve në vazhdimësi. Me shumë interes është artikulli “Dilema Greke e Shqipërisë” botuar anglisht në gazeten “Illyria” të N.Y.dhe përkthyer e botuar në shumë gazeta shqiptare.

Artikulli në fjalë është një përgjigje dhënë Nikolas Gage,i cili botoi në “Washington Post” me 2 Prill 1995,artikullin “Kosova  fuçi baroti”.Nikolas Gage kondiciononte rivendosjen e Autonomisë së Kosovës,me dhënien e një autonomie paralele,minoritetit grek në Shqipëri.

Ndërsa Dr.Leka tërheq vëmendjen,në artikullin “Dilema Greke e Shqipërisë” se  N.Gage kur flet për minoritete etnike të Ballkanit, nuk përmend minoritetin Shqiptar në Çamëri që sistematikisht po helenizohet.Është edhe ky një studim shumë intresant dhe kurajoz për t’i shërbyer të vërtetave historike të popullit shqiptar të nëpërkëmbura.Të bukura dhe të rëndësishme janë edhe letrat dhe korrespondenca me autoritet shqiptare pas 90-tës si edhe me personalitete amerikane siç është, letra drejtuar. Ambasadorit të parë amerikan në Shqipëri Ryerson ku shpreh entuziazmin dhe shpresën  e ndryshimeve të mëdha demokratike në shqipëri.

Për kontributin e Dr.Lekës,në fushën e arsimit dhe të mjekësisë pas viteve 90 në Shqipëri kanë shkruar shumë autoritete shqiptare pa dallim ngjyre politike sepse detyrën e tij e ka drejtuar logjika e shëndoshë për t’i shërbyer popullit të shumëvuajtur.

Dr.Leka pati fatin ta përjetojë dhe gëzojë rezultatin e kontributit të tij modest që dha për pavarësinë e Kosovës,dhe kohët e fundit me një shkrim të gjatë për pafajësinë e R.Haradinajt.Kështu,Dr.Leka e ka  lartësuar veten si atdhetar i shquar në mbrojtje të çështjes kombëtare dhe të ëndërres rinore për Shqipërinë Natyrale.

Filed Under: Histori Tagged With: Agim Leka, Enciklopedia Britanike, Skenderbeu

TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE

January 16, 2017 by dgreca

Nga Dr.Nail   Draga/*Nail_DragaStudiues  profileve të ndryshme shkencore të cilët janë marrë me raportët e ndryshme shoqërore të shqiptarëve, kanë spikatur një dukuri e cila është e veçantë tek kombi ynë.Fjala është për  tolerancën fetare, qe lidhet me besimin. Pra, kemi të bëjmë me një bashkëjetesë pa armiqësi e konflikte të besimtarëve me fe të ndryshme. Dihet historikisht se besimi tek shqiptarët fillon me Ilirët, ku nga paganizmi përmes romakëve pranuan krishtërimin në shek.IV, ndërsa më pas me ndarjën e Krishtërimit në vitin 1054, shqiptarët i përkasin Bizantit, përkatësisht ortodoksizmit, ndërsa nga shek.XV, e më pas me paraqitjen e Perandorisë Osmane në Siujdhesën Ilirike, pjesa më e madhe e shqiptarëve kaluan në islamizëm. Ishin këto periudha të veçanta, me plot intriga, presione  dhe kushtëzime të ndryshme, ku për të mbijetuar shqiptarët ishin të detyruar t iu përshtatën rrethanave të kohës. Andaj, edhe dukurinë e konvertimit në fe të kohës duhet kuptuar në kontekstin kohor, për arsy politike e etnike. Pikërisht në lidhje me këtë çështje kemi raste të shumta nga klasa politike e kohës. Tashmë dihet se Balshajt në vitin 1369 nga ortodoks kaluan në katolik, pastaj ngjajshëm vepruan edhe Skurajt, Muzakët e Zahariajt. Ndërsa sipas rrethanave politike Gjon Kastrioti, i  ati i Skënderbeut, ishte katolik si aleat i Venedikut më 1407, ortodoks si aleat i Stefan Llazareviqit më 1419-1426, mysliman si aleat i Muratit II më 1430-1438 dhe vdiq si katolik më 1443.Rastet e tilla te asaj kohe por edhe më pas janë të mjaftueshme për të kuptuar tolerancën fetare e cila vazhdimisht ka qenë dhe mbetet preokupim i studiuesve të profileve të ndryshme shkencore.

Pikërisht në lidhje me këtë çështje, studiuesi i njohur i etnologjisë Kahreman Ulqini  kohë më parë opinionit  i paraqitet me librin Toleranca fetare e shqiptarëve në zigzaget e historisë, botuar nga Fiorentia, Shkodër, 2016.

Autori çështjen e tolerancës e trajton në kompleksin e organizimit të vjetër shoqëror të shqiptarët, duke filluar me familjen fshatare, dokeve, duke e  mbyllur me popullsinë qytetare dhe trajtimit të veçantë  në shqiptarizëm.Në pjesën e dytë vend të rëndësishëm zën shtojca, e cila sjell argumente nga çështjet e trajtuara nga vise të ndryshme shqiptare, që janë dëshmi të pakontestuara, për tolerancën fetare  në kohën përkatëse.

Duke parë se kemi të bëjmë me një temë komplekse me një periudhë të gjatë kohore autori me të drejt konstaton se hulumtimet rreth tolerancës fetare të shqiptarët  patjetër duhet  që argumentet dhe analizat e të dhënave  dhe metodat e punës të jenë të afërta me  ato të disa disciplinave  shkencore si historia, etnologjia e sociologjia.Vetëm në këtë mënyrë mund të arrihet në përfundime te qendrueshme shkencore, ndaj një teme e cila është intriguese për studiuesit e profileve te ndryshme shkencore.Po ashtu një qasje e tillë është me e pranushme edhe për studiuesit e huaj, të cilët këtë çështje e kanë pothuaj të panjohur sa e si duhet, sepse shqiptarët janë model për botën bashkëkohore sa i përket tolerancës fetare, si pjesë e vetëdijës kombëtare gjatë shekujve.

Autori në këto botim na sjell episode të ndryshme që tregojnë tolerancën fetare të besimeve të ndryshme, kryesisht katolikë e musliman, nga krahina të ndryshme etnografike shqiptare por edhe qytete më të kaluar të bujshme historike sikur ishte Shkodra. Ishte kjo ndjenja e solidaritetit të gjakut dhe etnisë për të përballuar rrethanat e kohës.Veprimet e tilla ishin sfidë edhe ndaj elementëve të ndryshëm konfliktuoz të cilët kishin paragjykime të ndryshme apo ishin në shërbim të strukturave të huaja në hapësirën shqiptare. Edhe pse në themel të shoqërisë shqiptare me natyrë konservatore, qendronte parimi i ruajtjës së traditës, ku toleranca fetare mbeti si kod i pranimit të te tjerëve fetarisht,mos fyerjen e besimit të tyre, respekt për praktikat e shfaqjet publike, bashkëjetesë normale në familjet me dy besime dhe pa paragjykime fetare në bashkësi të ndryshme shoqërore. Ishin këto tipare të ngulitura me shekuj në vetdijën e shqiptarëve, dukuri kjo e cila na bën të mburremi në krahasim me popuj të tjerë të cilët janë fetar me fanatizën ekstrem sikurse janë ortodokset fqinjët tanë të cilët si në të kaluarën dhe në ditët tona janë intolerant ndaj çdo kishe apo riti tjetër duke qenë përsekutues të vazhdueshëm nacional.

Me këtë botim përveç konsultimit të  literaturës profesionale selektive, autori  dëshmon se gjatë hulumtimeve të tia gjysëm shekullore  ne terren rreth organizimit të vjetër shoqëror e të drejtës popullore  të shqiptarët, ka mbledhur një lëndë me vlerë shumëplanëshe nga trashëgëmia e kultura jonë popullore, ku toleranca fetare paraqet një nder vlerat etnike me sublime të popullit shqiptar. Pikërisht kjo dukuri  është hetuar edhe nga të huajt të cilët kanë kanë vizituar viset shqiptare nga mesjeta e vonë e më pas. Madje ata kanë qenë të befasuar me ketë qendrim të shqiptarëve të cilët edhe pse popull me tre besime, ishin dhe janë edhe sot model për popujt e tjerë.

Andaj duke marrë parasysh rëndësinë qe ka toleranca fetare për të sotmën dhe të ardhmën, është  për tu përshëndetur propozimi i autorit e  qe një lëndë e tillë të mblidhet dhe të botohet në një vëllim të veçantë, si vlerë autentike e trashëgimisë sonë kulturore ndër shekuj.Një botim i tillë do të ishte si testament edhe për brezat që do të vijnë, duke dëshmuar  se shqiptarët kanë se me çka të mburrën, me një vlerë unikate e cila iu mungon popujve të tjerë.Rastet  e tilla janë të shumta, ku disa autori na i sjell episode apo fragmente që kanë vlera autentike të tolerancës fetare.Andaj iu mbetet institucioneve përkatëse shkencore  që një propozim të tillë ta realizojnë në praktikë, sepse është obligim moral dhe profesional për të kaluarën tonë gjatë zigzagëve të historisë, sepse ka ndodhur ajo që është e shkruar.

Një botim i tillë do të ishte i obligueshëm jo vetëm për studiuesit dhe individët e pasionuar pas trashëgimisë kulturore por sidomos  për  studentët e katedrave te ndryshme, ku trajtohen çështje nga antropologjia e kultura popullore. Vetëm në këtë mënyrë  toleranca fetare do të mbetet  pjesë e identitetit tonë kombëtar, si vlerë e veçantë e popullit tonë në te kaluarën dhe në ditët tona.Dhe është pikërisht kjo tolerancë fetare e cila na shfaqet kudo në të gjitha veprimtaritë e ndryshme shoqërore, duke dëshmuar në praktikë një dukuri me vlera të mëdha sa shoqërore dhe kombëtare, duke na bërë unikat për popujt e tjerë në botën bashkëkohore.

Madje ky është edhe mesazhi i këtij libri i cili do të jetë i domosdoshëm për  historianët, etnologët  e  sociologët si  dhe për të gjithë ata që dëshirojnë të kenë njohuri  për këtë dukuri shoqërore dhe kombëtare të shqiptarëve, në të kaluarën dhe në ditët tona.

*Kahreman Ulqini, TOLERANCA FETARE E SHQIPTARËVE NË ZIGZAGËT E HISTORISË, Botoi:FIORENTIA, Shkodër, 2016

Janar, 2017                                                                                                                     

 Dr.Nail   Draga

Filed Under: Histori Tagged With: DR. NAIL DRAGA, TOLERANCA FETARE VLERË AUTENTIKE E SHQIPTARËVE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2264
  • 2265
  • 2266
  • 2267
  • 2268
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT