• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

VENDI QË IKËN

December 31, 2016 by dgreca

Shkruar nga Sheila Kamerman, Nrc Handelsblad, Hollandë/

1-eugjen-merlika-225x300E përktheu nga italishtja  Eugjen Merilka/

Ilir Cani, 22 vjeç, arrin me motorrin e kuq të vëllait të madh. Është gjithë muskuj e i nxirë nga dielli, jo sepse shkon në plazh apo në palestër, por sepse punon si murator shtatë ditë në javë. Ulet në një karrige plastike para një kafehaneje të ndotur të Kamzës, një lagje e kryeqytetit Tirana. Si je ? Kërkon të iki.

Në maj Cani hipi në një aeroplan  nga Rotterdami në Shqipëri. Në fluturimin çarter të organizuar enkas për ta ishin tridhjetë shqiptarë që kishin kërkuar të punonin ilegalisht në Vëndet e Ulta apo në Britaninë e Madhe. Cani ishte arrestuar në Europort, porti i Rotterdamit, ku po hipte në një kamion të drejtuar për n’Angli. Në aeroplan çdo shqiptar ishte i shoqëruar nga dy policë, madje kishte edhe një skuadër policësh të stërvitur për të mbajtur në fre cilindo që kundështonte. Deri atëherë asnjëri nuk bëri qëndresë, por nuk dihet kurrë.

Qëllimi i fluturimit dhe i reklamës që i u bë ishte të shërbente si frikësues. Në tetë muajt e parë të 2016, së paku 1351 shqiptarë kanë kërkuar strehim në Vendet e Ulta, grupi më i madh mbas sirianëve dhe eritreasve. Por nuk kanë të drejtë t’a fitojnë, sepse Shqipëria quhet një Vend i sigurtë ku nuk ka as luftëra dhe as përndjekje.Bën pjesë në Nato dhe është kandidate të hyjë në Bashkimin evropian. Për shqiptarët, ashtu si edhe për të tjerë evropianë të Lindjes, kërkimi i strehimit në muajt e fundit është bërë pothuaj i pamundur. Kthehen mbrapsht me një proçedurë të përshpejtuar dhe, gjatë qëndrimit në qendrat e grumbullimit, kanë vetëm ushqim e banesë, jo para. Së fundi Qeveria hollandeze ka vendosur të përjashtojë shqiptarët nga shuma prej dyqind eurosh, që ishte një nxitje për t’u kthyer n’atdhe, e me të cilën mund të paguanin fluturimin e kthimit.

Për shqiptarët dhe të tjerë strehimkërkues t’ardhur nga Ballkani Perëndimor, ishte fshirë një kontribut që jepej për të rifilluar jetën në Vendin e origjinës. Shqiptarët që arrijnë në Vendet e Ulta në kërkim të punës si Cani, me gjasë janë shumë më tepër se shtrehimkërkuesit. Mbi puntorët e parregullt nuk ka të dhëna sepse nuk janë të regjistruar.

Dyqind euro

Por përse kaqë të rinj lënë Vendin ? Shqipëria është vërtetë një vend kaq i frikshëm ? Për Canin përgjigja është e thjeshtë. Në Shqipëri nuk mund të bësh asgjë nëse nuk ke paratë ose miqtë e duhur. Gjëja më absurde, thotë, është fakti se askush nuk zemërohet. Duket se të gjithë janë nënështruar ndaj faktit se vetëm me paratë apo njohjet mund të gjindet ndonjë punë, e se aftësitë vetiake nuk vlejnë aspak. Shqipëria është një vend i varfër : ka afër 2,7 milion banorë, pak a shumë sa të njëjtët e provincës së Amsterdamit, por PPB i saj është sa një e dhjeta. Në treguesin e korrupsionit të përceptuar nga Transparency international, që mat besimin e qytetarëve në qeverinë e tyre, Shqipëria është pothuaj në vëndin e fundit ndër Vendet evropiane : vetëm 33% e shqiptarëve beson tek politikanët, kundrejt 83% të hollandezëve.

Simbas Canit do t’ishte e lehtë të ndalohej ikja e të rinjve shqiptarë : “Nëse do të fitonin të gjithë dyqind euro më shumë në muaj, askush nuk do të ikte”. Ai e don Vendin e tij. Gjindja është shumë më e përzemërt se n’Evropën perëndimore. Klima është e butë, plazhet janë të bukur e peisazhi i shkëlqyer. Është krenar që është shqiptar. Por problemi është e ardhmja : nëse njeriu mund të ketë projekte nuk mund t’i sendërtojë. Cani fiton gati dhjetë euro në ditë.

Të rinjtë shqiptarë thonë të gjithë të njëjtën gjë : politikanët mendojnë vetëm për interesat e tyre. Një shëmbull është sheshi qëndror i Tiranës, një hapësirë vezake e bllokuar nga një trafik histerik. Duket se nuk ka një kod rrugor, vlen vetëm ligji i më të fortit. Gjatë rrugëve që çojnë në shesh janë edhe pistat e kuqe të biçikletave, të sapondërtuara, të kopjuara nga ato të Vendeve t’Ulta, përfshirë edhe biçikletën e famshme të bardhë të vizatuar me bojë vaji n’asfalt. Pistat fillojnë diku nga asgjëja dhe kur arrijnë në shesh, pikërisht aty ku do t’ishin më të dobishme, papritmas ndërpriten : më tutje çiklistët duhet të rregullohen vetë. Si gjithë të tjerët.

Shqiptarët flasin me ironi dhe nënështrim. Pistat çiklistike janë një ndër aqë projekte, që përdorin politikanët për t’u reklamuar, por që nuk duhen gjë. Megjithatë nuk janë të hidhëruar. Në trafik askush nuk shan. Shoferi i taxisë sonë ngre gishtin e madh të dorës kur ndonjëri i kalon para pa i gërvishtur karrocerinë. “Me një shtet më pak të korruptuar mund të ishim si Zvicra”, thotë. Punon dymbëdhjetë orë në ditë. Kur zbret nga taxia hipën vëllai i tij, që bën dymbëdhjetë orë të turnit të natës. Mbas një jave shkëmbehen. Për të fituar mesatarisht treqind euro në muaj.

Prapambetja e Shqipërisë varet, mbi të gjitha, nga e shkuara komuniste. “Pesëdhjetë vite kemi jetuar n’errësirë”, thotë Simon Mirakaj, 72 vjeç. Është i ulur në tryezën e tij të punës, në një zyrë me pluhur në qendrën e Tiranës, muret e së cilës janë të mbushur me portrete gjysëm trupi. Është kryetari i një shoqate të viktimave të diktaturës së Enver Hoxhës, që u ngjit në pushtet mbas luftës së dytë botërore dhe nuk kishte mëshirë për kundërshtarët e tij, siç ishte babai i Mirakajt që iku në male.Dy javë mbas lindjes Simoni hyri në një kamp riedukimi komunist së bashku me nënën e tij. Kur doli nga kampi ishte 44 vjeç.

Komunizmi ka lënë trashëgim një etikë të mangët politike e, për pasojë, korrupsion. Mbas dhjetëvjeçarësh, në të cilët fati i njerëzve  kishte qënë në dorën e shtetit, në vend mungon një shoqëri civile, një shtyp vërtetë i paanshëm, organizata të vullnetarizmit, një kulturë me peshë dhe një elitë intelektuale e politike, e vendosur  të luftojë për idealet.

Kalimi nga komunizmi në kapitalizëm në fillim, të viteve nëntëdhjetë nuk ka qënë aspak pozitiv. Shqiptarët vunë të gjitha kursimet e tyre në fonde investimesh të një origjine të dyshimtë, që premtonin interesa prrallore. Në fund të djetëvjeçarit sistemi u shëmb dhe Vendi u zhyt në një kaos të tillë sa që qe e nevojshme ndërhyrja e një fuqie ndërkombëtare ushtarake, për të rivendosur rendin e për të shpërndarë ndihmat ushqimore.

Kështu Shqipëria hyri në shekullin e njëzetenjëtë pre e një zhgënjimi, me pothuaj asnjë reformë shoqërore të kryer. Ishte një shoqëri kryesisht bujqësore, ku ligjet diktoheshin nga klanet. Një pjesë e vogël e popullsisë është pafundësisht e pasur, shumica dërmuese zotëron pak ose asgjë.

“Në Shqipëri pasuria varet ende nga prejardhja e familjes”shpjegon Mirakaj. “Klasa drejtuese rrjedh e gjitha nga të njëjtat familje. Me rrogat e tyre politikanët nuk mund të kishin vilat e shkëlqyera në të cilat banojnë. Por në këtë Vend paraja u shkon atyre e gjitha, jo për të siguruar rroga më të larta e pensione më të mira”. Për të ndryshuar këtë gjëndje, thotë Mirakaj,  duhet një brez i ri politikanësh guximtarë e të drejtë.

Në shërbim

Ata politikanë të drejtë duhet të godasin edhe trafikun e drogës. Malet, thotë Mirakaj, janë të mbushura me plantacione mariuhane, të mbarështuara nga banda kriminelësh, shpesh të lidhur me familjet më të fuqishme. Në fshatra të gjithë shohin mikrobusët që sjellin puntorët në male në mëngjez e i marrin në mbrëmje. Por banorët bëjnë sikur nuk i shohin , kur nuk hipin edhe ata vetë në to. Në fshatrat mungojnë ende kanalizimet e ujrave të zeza dhe korrenti elektrik, dhe nuk ka shumë alternativa.

Mirakaj i është nënështruar faktit se nuk do të jetë i pranishëm në reforma serioze. Shpreson që i biri 21-vjeçar, në vitin e tretë të juridikut, të shohë përmirësimet. Por tani të rinjtë shqiptarë me ndonjë synim gjinden përballë zbrazësirës së lënë nga komunizmi. Janë të gjithë krenarë që janë shqiptarë, por ky patriotizëm nuk mjafton për të shpërblyer mungesën e mundësive.

Fjorida Dida dhe Genada Xurre, 18 vjeçe, janë shtrirë mbi barin e një parku të Tiranës. Mbas pushimeve verore do të shkojnë në universitet, Fjorida të studjojë kimi dhe Denada psikologji. Natyrisht, do të donin të studionin jashtë, por është e pamundur ekonomikisht : vetëm më të mirët mund të synojnë në një bursë studimi. Ҫfarë duan të bëjnë më vonë ? Buzëqeshin me një vështrim të humbur. Sigurisht, nuk presin të gjejnë punë si kimiste e si psikologe. Këtu vajzat bëhen operatore kall centeri dhe djemtë kamarierë, shpjegon Fjorida. “Pjesa dërmuese e taxistëve kanë dy mastera “.

Edison Shahu, 22 vjeç, punonte në një bar, por tani kalon tetë orë në ditë në një agjensi bastesh, duke futur parashikimet në kompiuter. Banon në të njëjtën lagje të Ilir Canit. Edhe ai në maj ishte në atë fluturim kthimi nga Vendet e Ulta. Po kërkon një punë të dytë : mendon të arrijë të punojë 16 orë në ditë. Kështu, së paku, mund të verë mënjanë ndonjë gjë për një tjetër udhëtim n’Evropën Perëndimore e për të larë borxhet e udhëtimit të shkuar. Shahu e Cani, për disa ditë, kanë ndarë së bashku qelinë në një komisariat të Rotterdamit. Shahu kishte ardhur në Hollandë duke fluturuar nga Tirana në Bruksel së bashku me dy kushërinj. Dy ditë më vonë janë kapur ndërsa kapërcenin rrethimin e Europortit. Ishte përpjekja e tyre e dytë. Në Mbretërinë e Bashkuar do të kishin kërkuar punë në ndërtim.

Në gjithë kafet e hapura në Kamëz të rinjtë flasin për alternativat që kanë. Të shkojnë në Vendet e Ulta është mjaft e lehtë : nuk duhet të ndërmarrin asnjë rrugëtim të rrezikshëm si sirianët, thjesht mund të marrin një autobuz. Por parapëlqejnë të shkojnë në Mbretërinë Bashkuar. Gjetja e një pune në të zezë në Hollandë është e vështirë, sepse punëdhënësit janë më të matur se kolegët e tyre britanikë. Gjobat për sipërmarrësit e zënë në faj janë të larta.

Të kaluarit ilegalisht të La Manche-it po bëhet gjithënjë e më i vështirë. Kudo ka më shumë kontrolle, jo vetëm për shkak të puntorëve jo në rregulla, por edhe për frikën e terrorizmit. Të gjithë kanë ndonjë kushuri, një shok apo një të njohur që ja ka dalë mbanë sipërmarrjes, por ka qenë kohë më parë me ndihmën e ndonjë trafikanti ose një fati të mbarë. Të gjithë njohin ndonjë që fushon prej muajsh në Dieppe, në Francë, në pritje të ndonjë mundësie. Ka kohë që Calais nuk është më një opsion.

E pra, para një gote rakije tregohen qyfyre dhe hartohen plane të marra. Të martuarit me një grua hollandeze apo britanike është në krye të listës. Metoda më e fundit është të gjindet një patentë e rreme kamionisti dhe të kalohet La Manche si shofer rezervë mbi një tir. Pastaj kamioni kthehet me vetëm një shofer, por asnjëri nuk i vë re. Shahu njeh njerëz të ndryshëm që i kanë dalë mbanë me këtë sistem. Pastaj është historia e tifozëve të futbollit : pesëdhjetë shqiptarë kanë shkuar në Londër, duke bërë sikur donin të shihnin ndeshjen Itali – Angli. Ka ndodhur vite më parë, por tregohet ende.Për t’organizuar gjithshka i kishin paguar trafikantëvet nga dymijë deri në tremijë euro. Sot punojnë të gjithë n’Angli, thotë Shahu me pamje triumfuese. Ose së paku kështu thuhet. Këtë verë, mbas evropianit në Francë, kishte menduar të përzihej me tifozët anglezë gjatë rrugës së kthimit, por nuk kishte para.   

Edisoni llogarit se pesëdhjetë shokë të tij e kanë lënë Shqipërinë. “Shpesh kur dal nuk e marr celularin, këtu nuk ka më asnjeri” thotë. Zgjedhja është ndërmjet mërgimit dhe kriminalitetit. Ai parapëlqen mërgimin, kriminaliteti i duket më i rrezikshëm. Po të hapë një ndërmarrje të tijën ? Përgjigjet me një buzëqeshje të çiltër : në këtë Vënd as nuk mund të bisedohet. Në pak ditë konkurrenca të hedh n’erë lokalin, e ndërkaq mund të besojë në mbrojtjen e ndonjërit.

Por në Shqipëri ka ende ndonjë që ka besim në t’ardhmen. Shkojmë në Bashkinë e Tiranës për të folur me kryetarin. Para derës janë dy roje t’armatosura. Njëra hyn për të paraqitur kërkesën. U desh të prisnim pak minuta në karriget e hyrjes, më pas u futëm në zyrën e madhe të bojatisur me ngjyrë të verdhë në okër të qytetarit të parë.

Shumë filozofë

Erion Veliaj, 37 vjeç, ka pamjen e një djaloshi dhe, gjë shumë e rrallë në Shqipëri, flet përsosmërisht gjuhën angleze. Ka studjuar shkenca politike në Shtetet e Bashkuara. Gjëja e habitëshme, thotë, është se pastaj u kthye në Shqipëri. Përse ? Sepse beson tek Vendi.

Veliaj është socialist dhe kërkon të arsimojë popullin e tij. Është i bindur se duhet të kthehemi e të mësojmë zanatet : hidraulik, elektriçist, zdrukthëtar, guzhinier, pastiçier. Prandaj është e nevojshme të krijohen përsëri shkollat profesionale. Sot të rinjtë studjojnë filozofi ose sociollogji : “Për çfarë do të filozofojnë të gjithë ata ?” Shqipëria është e mbushur me universitete, nga më të këqijat. Shumë prej tyre janë mbyllur dhe të tjerët do të kenë të njëjtën fund.

Kryebashkiaku don të mbështetet mbi brezat e rinj. Nuk është aspak i kënaqur për sistemin e ndërresave mësimore para dhe mbas dite në shkollat, sepse mungojnë godinat. Nuk duhet të mësojnë vetëm gjuhën shqipe dhe matematikën, por edhe të mos hedhin plehrat në rrugë, të thonë “të lutem” e “faleminderit”, të ndalohen kur semafori është i kuq.

Veliaj beson se jeta në bashkësi është thelbësore. Don që njerëzit të çojnë përsëri në rrugë karriget për të biseduar me gjitonët. Kujton se nën karrigen e sallës së ngrënies së prindërvet ishin gdhendur shkronjat e para të emrit e mbiemrit të babait, kështu sillej në shtëpi ajo e duhura. Jeta në bashkësi ishte dhe Veliaj don t’a risjellë. Po korrupsioni ? Ai ka të bëjë me sistemin e pushtetit, jo me karakterin e njerëzve, thotë kryebashkiaku. “Un dua të përballoj sistemin. Të gjithë duhet të paguajnë taksat, të gjithë. E gjithshka duhet të bëhet me kompiuter, kështu asnjeri nuk do të mund të favorizojë shokët. Por duhet kohë. Më jepni kohë”.

Shkrimtarja dhe gazetarja Flutura Açka, 50 vjeçe, do të donte t’i besonte fjalëve të bukura të kryetarit të bashkisë. Në fillim i ka besuar atij, siç i kishte besuar parardhësit të tij, Edi Rama, piktori që në 2000 u zgjodh kryetar bashkije i Tiranës e sot është kryeministër. Janë njerëz që me karizmën dhe optimizmin e tyre i kanë dhënë shpresa shqiptarëve. “Ne ishim të gatshëm t’i jepnim kohë”, thotë Açka. “Por  na kanë zhgënjyer. Kryeministri banon në një gated community jashtë qytetit. Janë vila të rrethuara që kushtojnë milionë. Shumë politikanë  jetojnë në vende të tilla”.

Açka përmend rastin e ndërmarrjes së grumbullimit të plehrave të Tiranës, që bën pjesë në një sistem të ri të pastrimit qytetar e për të cilën kryebashkiaku është krenar. U zbulua se punonin në të të mitur, kur një djalë 17 vjeç u vra nga një eskavator. Gazetarja që botoi lajmin u hoq nga puna menjëherë. Edhe Açka që ka një blog shumë të njohur, pengohet në të gjitha mënyrat, tregon. Por është e martuar me një hollandez e kështu e gjen rrugëdaljen : gjysmën e kohës banon në Utrecht. Të tjerë zëra kritikë e kalojnë shumë më keq.

Megjithatë Açka nuk është vetëm pesimiste. Me brezin e ri do të vijnë edhe mundësi të reja. Biri i saj, gjashtëmbëdhjetë vjeç vazhdon Shkollën Ndërkombëtare të Hilversum-it në Vendet e Ulta. Nëse nga brezi i tij do të dalë një grup politikanësh të ndershëm, gjërat mund të fillojnë të ndryshojnë.

Një javë mbas bisedës Shahu më dërgoi një mesazh në Whatsapp : “A mendon se mund të më gjejsh një grua hollandeze ?”.

Marrë nga e përjavëshmja italiane “Internazionale” 1180 , 18 nëndor 2016

E përktheu nga italishtja  Eugjen Merilka/

***

NJË PASQYRIM OBJEKTIV

Shkrimi i gazetares hollandeze Sheila Kamerman, i botuar në një nga katër gazetat më të njohura  të Vendeve t’Ulta, Nrc Handelsblad, me një tirazh prej 200.000 kopjesh, i përkthyer e botuar në revistën e përjavëshme italiane të politikës ndërkombëtare, “Internazionale”, mendoj se vlen të lexohet edhe nga shqiptarët, si një pasqyrim objektiv i realitetit shqiptar të ditëve tona. Është shëmbull i gazetarisë hetuese, që kërkon t’a prekë të vërtetën me dorë e t’a paraqesë pa e gjykuar, mbasi misioni i gazetarit nuk është ai i gjykatësit por i treguesit të saktë të ngjarjeve, mjediseve, dukurive.

Sheila Kamermani takon vetë personazhet e realitetit për të cilin është e interesuar, bisedon me ta, përpiqet të hyjë në psikologjinë e tyre, të bindet për vërtetësinë e pohimeve, t’i verë përballë njëri tjetrit argumentët, të hyjë në brendësi të tyre, për të dhënë të plotë idenë. Për t’arritur synimin ajo zgjedh një rreth të gjërë bashkëbiseduesish të moshave e profesioneve të ndryshme. Krahas të rinjve që janë objekti kryesor i hetimit të saj, për të zhbiriluar t’ardhmen, ajo bisedon me Kryetarin e njërës nga shoqatat e ish të përndjekurvet politikë, me një shkrimtare e blogere 50 vjeçare, me Kryetarin e Bashkisë së Tiranës, me një shofer taksije, të dashuruar me një lidhje të lashtë përfytyresash Shqipëri – Zvicër, duke përcaktuar jo vetëm konturet e Shqipërisë bashkëkohore, por duke u munduar të depërtojë, qoftë edhe vetëm me mendim, në t’ardhmen e saj. Përfundimi është zhgënjyes deri në dëshpërim.

Edhe mbas një të katërt shekulli regjimi mbetet i pranishëm në jetën reale, jo vetëm nëpërmjet njerëzve që drejtojnë, por edhe të mendësisë e të metodave. Pasojë e këtij vendqëndrimi është klientelizmi, që trashëgohet e zhvillohet në të njëjtin hullì, n’atë të parapëlqimit të pushtetit, i cili si dikur, ka në dorë gjithshka. Prandaj, simbas të riut murator Ilir Cani, që me punën e tij fiton vetëm 10 euro në ditë, “Në Shqipëri nuk mund të bësh asgjë, nëse nuk ke paratë dhe miqtë e duhur”, mbasi ”…. aftësitë vetiake nuk vlejnë aspak”. A është kjo vetëm një përshtypje vetiake e një djali të ri, që ëndërron një punë të thjeshtë në zanatin e tij n’Evropë, apo një tregues i së vërtetës shqiptare ? Vështirë të kundërshtosh djaloshin kur, në të gjitha hallkat e jetës politike e shtetërore, janë gjithmonë të njëjtat fytyra që prej 25 vitesh.

Cili është ndryshimi i këtyre 25 viteve në treguesit ekonomikë e shoqërorë ? Po të bëjmë krahasimin me 1990, sigurisht ai është i madh, sepse n’atë fund regjimi ishte arritur edhe fundi i honit. Por a duhet të mjaftohemi me këtë lloj krahasimi, nëse duam të jemi të vetëdijshëm për aftësitë tona në arritjen e synimeve të standarteve të një bote,  të cilën, fatmirësisht, e kemi pranuar të gjithë si objektivin tonë ? Gazetarja hollandeze na ve përpara shifrat që, në lakuriqësinë e tyre, nuk na lenë shteg vetëkënaqësie : “Shqipëria është një vend i varfër : ka rreth 2,7 milion banorë, pak a shumë sa ata të provincës së Amsterdamit, por Ppb i saj është një e dhjeta”. Për pasojë edhe t’ardhurat janë n’atë raport. Pa u zgjatur në arsyet e kësaj dukurie, që janë të hershme, por edhe të vona, kjo prapambetje e theksuar ka në psikën e përgjithëshme të banorëve efektin e saj, i cili shprehet në prirjen për t’ikur, por edhe në mosbesimin e tyre kundrejt poltikës, që, me të drejtë apo jo, mbetet në përfytyresën e përgjithëshme përgjegjësja kryesore. Simbas Trasparency international, vetëm 33% e shqiptarëve shprehin besim tek politika, kundrejt 83% të hollandezëve. Gazetarja hollandeze duket se i jep të drejtë atyre, sepse treguesit e korrupsionit  e rendisin Shqipërinë në vendin e parafundit n’Evropë.

Sheila Kamerman bisedon në një zyrë të njërës nga shoqatat e ish të përndjekurve politikë, me Kryetarin e saj, një njeri që ka thyer “rekordet” e qëndrimit në kampet e internimit të socializmit shqiptar me 44 vjet të pandërprera!!! Ndër të gjitha bisedat që zhvillon në kryeqytetin shqiptar, ajo me Simon Mirakajn konsiderohet prej gazetares si më interesantja, jo vetëm për përmbajtjen e saj por edhe për faktin se prek me dorë një relike të gjallë të përbindshmërisë së regjimit komunist në një Vend evropian. Kryetari i ish të përndjekurve mundohet t’i argumentojë një përfaqësueseje të shtypit të lirë evropian se sa vazhdon të peshojë e shkuara mbi Shqipërinë e sotme e sa shumë e kushtëzon ecjen e saj përpara sepse “… mungon një elitë intelektuale e politike e vendosur të luftojë për idealet”    

Në krahasim me të shkuarën komuniste, shoqëria shqiptare ka bërë një hop të madh përpara, nëpërmjet shkollimit të rinisë së saj. Por ky hop gjen një pasqyrim shumë të zbehtë në hallkat e ndryshme të Shtetit e të politikës, ku meritokracia është një mizë e bardhë. “Në Shqipëri pjesa më e madhe e taksistëve ka dy mastera” thotë Fjorida, një aspirante kimiste. Nuk dij sa është i vërtetë ky pohim, por mbiprodhimi i kuadrove të larta është një fakt, që mund të interpretohet në mënyra të ndryshme, simbas këndvështrimit nga i cili shihet. Nuk e di sa ka të drejtë Kryetari i bashkisë, kur vërsulet kundër “universiteteve shumë të këqija” e kur ve në thumbin e kritikës studentët e filozofisë e të sociologjisë, sigurisht ka të drejtë kur kërkon ringritjen e arsimit të mesëm profesional.

Mungesa e drejtpeshimit mes aftësive dhe mundësive që ofron tregu dhe shteti, pa dyshim është një tjetër pamje problematike e realitetit shqiptar. Në përballjen mes sfinksave të shtetit dhe një brezi, të cilit ëndërrat i janë reduktuar në “mrekullinë” e kalimit të La Manche-t, ngrenë krye dukuri që shumëzojnë me zero ëndërrat e synimet fisnike. Paligjshmëria, pasurimi i marramendshëm nëpërmjet trafiqeve, ligjësimi që tërthorazi politika i njeh këtyre imituesve të pjesës më të keqe të shoqërisë së globalizuar në rang botëror, përbëjnë jo vetëm pengesën më të madhe që gjen formimi moral i rinisë së sotme shqiptare, por edhe pikëpyetjet më të forta për qëndrueshmërinë e vetë sistemit.

Sheila Kamerman ka meritën të mos tërhiqet në diagnozën e saj nga këto dukuri, aq më pak t’i përgjithësojë, por as që t’i quajë anësore e të parëndësishme. Në vlerësimin e saj ajo është shumë dashamirëse me shqiptarët, mbasi përceptimi i opinionit që fiton nga bisedat me të rinjtë, i krijon bindjen se shumica dërmuese e tyre janë njerëz të ndershëm e të punës. Ka një evolucjon të dobishëm mendimi në këta 25 vite, në të cilët shqiptarët janë shpërndarë nëpër botë, mbasi ata i a kanë arritur të përmbysin përshtypjet e viteve të para, kur njëjtësoheshin me parazitë, dembelë, trafikantë, keqbërës, kontigjente të krimit, në faqet e shtypit evropian. Ilir Cani, Edison Shahu, Fiorida Dida, Denada Xurre e bashkëmoshatarët e tyre janë të rinj që e duan Vendin e tyre e janë krenarë për vlerat e tij. Por nuk mjafton vetëm atdhedashuria, për të ndërtuar jetën në të, duhet edhe baza konkrete e mundësive për të sendërtuar projektet jetësore të s’ardhmes. Atyre do t’u mjaftonin edhe vetëm dyqind euro më shumë në muaj, për të jetuar në Vendin e tyre, pa kthyer sytë nga bota e madhe.

Por…. përfundimi i gazetares është se për ta “zgjedhja është ndërmjet mërgimit dhe kriminalitetit”. Është një pohim tepër i hidhur, pika kulmore e rrëfimit të saj mbi Shqipërinë e ditëve tona. Akoma më i hidhur bëhet ai konstatim kur të tjerë të mërguar edhe më të hershëm se shqiptarët, sot kthehen në Vendet e tyre që quhen Poloni, Republika Ҫeke, Hungari, Sllovaki. Në ndryshim nga Erjon Veliaj apo shkrimtarja Flutura Açka, gazetarja hollandeze nuk sheh dritë në fundin e tunelit të kalesës shqiptare dhe largohet me dhimbje nga ata njerëz “që janë shumë më të përzemërt se sa gjindja në Evropën Perëndimore”. Por, si një vërejtëse e hollë e atij realiteti, nuk mungon të verë pikat mbi “i”, të ngacmojë me brishtësinë e evropianes së kulturuar, klasën politike shqiptare që mbetet arkitektja  kryesore e godinës së Shqipërisë pas komuniste.

Dhjetor 2016 Eugjen Merlika    

Filed Under: Analiza Tagged With: Eugjen Merlika, Nrc Handelsblad, Sheila Kamerman, VENDI QË IKËN

Duke “vrapuar” pas Dollarit edhe shqiptaret e Amerikës po e “harrojnë” familjen

December 31, 2016 by dgreca

-Në meshën e madhe të Krishtlindjeve në Jacksonville Florida Dom Anton Kcira mundohet që ti “shëroi” shqiptaret nga “sëmundja” e Dollarit dhe ti kthehen familjes dhe besimit./

1-leka-2-Nga Lek Gjoka/Jacksonville Florida,/1-dolarVërtetë ardhja e ditës së shenjtë të Krishtlindjeve është një feste e madhe për gjithë njerëzimin. Edhe për kombin e vuajtur shqiptar është një rreze shprese. Shqipëria për ditë përlotet nga personazhet e Migjenit që po mbijetojnë në çdo cep të Atdheut ndërkohë që politikanet ngatërrohen dukë numëruar pasurinë e vjedhur. Me rroba firmato edhe këto politikane të korruptuar i presin plot gëzim Krishtlindjet jo vetëm për dhuratat e shtrenjta që do të iu dhurojnë të afërmeve dhe klanit të tyre por edhe për reklamën televizive që i bëjnë vetvetes nëpër kanalet shqiptare në vizitat në selite e kishave katolike dhe ortodokse. Por ketë vit kisha Katolike doli publikisht dukë vendosur një “Veting” ndaj politikes shqiptare , dukë mos organizuar asnjë pritje zyrtare për to por dukë shtruar një dreke për njerëzit e varfër që po shtohen çdo dite. Sinjali i dhëne nga kisha Katolike në Shqipëri i ka shqetësuar shumë politikanet shqiptareve sepse nuk është vetëm një termet shpirtëror por një minus i madh para masës popull që do ti votoje në 2017. Madje Vetingu i kishës Katolike po tremb jo vetëm politikanet por edhe drejtësinë që e kanë dërguar Shqipërinë drejt humnerës se shumë shpejt do ti drejtohen ferrit të gjalle.Përveç shqiptareve të Shqipërisë edhe shqiptareve të diasporës së Amerikës iu bie ndërmend ta festojnë festen e Krishtlindjeve. Është dita që ka ma shumë shqiptare në meshën e shenjtë. E njëjta klime është edhe në Jacksonville Florida. Në mesnatën kur akrepat trokitën orën 12 dhe lajmëruan lindjen e Jezu Krishtit në San Jose Catholic Church komuniteti shqiptar u mblodh për meshën e madhe kjo fale edhe rrjeteve socialeve si facebook etj. që lajmëruan se Dom Anton Kcira dhe Dom Abroz Demaj do të drejtojnë meshën në gjuhën shqipe.

Pasi nisi riti normal i një meshe e mori fjalën Dom Anton Kçira i ardhur enkas nga Detroiti nga kisha shqiptare e Shën Palit për  të drejtuar ketë meshe të shenjtë ngaqë në Jacksonville nuk ka ndonjë prift që celebron meshe në gjuhën shqipe.

Ndër të tjera Dom Antoni që u lut për shpirtrat e të vdekurve nga terrorizmi në Gjermani foli me force për familjen. Ai tha se familja në Amerikë po shkatërrohet fale politikave të Partisë Demokratike dhe presidentit Obama që gjoja në emër te Lirisë ekstreme po shkatërrojnë familje, po vrasin fëmijët para së të lindin dukë ligjëruar abortin. Me pas ai iu drejtua besimtareve katolike në sallën e kishës se edhe shqiptaret e Amerikës po shkojnë drejt shkatërrimit të familjes . Për to vlera kryesore tha ai është Dollari dhe punojnë nga dy-tre punë. Blejnë shtëpi të shtrenjta, makina të shtrenjta pa pasur mundësi. Atëherë për të mos i humbur ato e vetmja mënyre është të punosh shtate ditët e javës dukë mos pasur kohe për familjen ku në mjaft raste burri i lodhur nga puna apo gruaja nuk ka as forcën fizike për ti plotësuar dëshirat seksuale njëri-tjetrit dhe fillon tradhtia në çift pra mëkati me i madh që shkatërron familjen. Vërtetë në salle u dëgjuan mjaft fjale nëpër dhembe se si një prift katolik flet pa doreza një realitet që e jetojmë për ditë por është akoma tabu për moshën që ka jetuar dhjetëra vite në diktaturën komuniste. Madje ndonjëri edhe mund të mendoje së çfarë i duhet një prifti për dashnoret apo dashnoret e të tjerëve (tjerave) sepse gjithkush ka lirinë ta jetojë jetën sikur të ia doje zemra deri në shthurje . Madje me ato fjale djegëse për shumë veta iu ka prekur edhe privativë  por mesazhi i Dom Antonit është mese i qarte. Familja është e shenjtë dhe tradhtia në çift përgatit terrenin e keq për divorcin ku fëmijët duhet të rriten jetime me nënë e baba gjalle pse jo nesër të ndjekin të njëjtën rrugë. Gjithashtu ndër të tjera ai tha se duhet ti kushtohet shumë kujdes edhe fëmijëve jo vetëm ti dërgojnë në sport por edhe në kishe sepse dukë u rritur me klimën e jetës amerikane fare lehte mund të bien viktima të drogës, prostitucionit etj. Por si mund të kujdesen shqiptaret e Amerikës kur nuk iu del koha as për gjumë sepse dukë e shtrire hapin me shume se kanë mundësi do harrojmë gjithçka fëmijët, besimin dhe do ti përkushtohemi vetëm Dollarit .

Pak para mbarimit të meshën se shenjtë vjen çasti i kungimit ku Dom Antoni me ironi iu tha se kush ka bërë mëkat të mos ngrihet për të marre kungimin. Pasi ra një heshtje varri ndoshta të paret ishin mëkataret që u lëshuan me një fryme drejt altarit. Megjithëse me rregullin kishtar të kishës katolike që të marrësh kungimin duhet të paktën një here në vit të rrëfehesh por valle kush po pyet sot për rrëfime mëkatesh. Një pjese kanë ardhur në kishe thjeshtë se janë Krishtlindje ose të detyruar nga gratë si në festimet e festave ku iu japin “urdhra” burrave për të blere biletën si të vetmin argëtim sepse fatkeqësisht Amerika është pagëzuar me emrin e keq për shqiptaret sepse “Në Amerikë ka vetëm dy pale rrobash, për punë dhe për gjumë”. Megjithëse jo për të gjithë shqiptaret Amerika është e tille sepse është vendi ku për fëmijët janë të hapur të gjithë rrugët e jetës . Sigurisht mosha e madhe do ta jetoje me dhimbje jetën Amerikane sepse shpirti është i ndare midis dy kontinenteve por po qe se e kuptojnë ashtu sikur duhet edhe mesazhin e Dom Antonit që ti kthehen me shumë forcimit të familjen , të mos përdorin fatkeqësitë e të tjerëve për realizimin e epsheve jeta në Amerikë do të jete edhe me e bukur dhe fëmijët do të kenë të hapura të gjitha dyert e jetës.

Jacksonville Florida

Dhjetor 2016

Filed Under: Komente Tagged With: Anton Kqira, Lek Gjoka, vrapim pas dollareve

Ne Sofren e Diellit:Hermann Hesse: NJË BOTË TJETËR

December 31, 2016 by dgreca

 

Ã

H E R M A N N H E S S  1877 – 1962/Hermann Hesse lindi më 2 korrik 1877 në një qytet pranë Calw dhe vdiq më 9 gusht 1962 në Lugano të Zvicrës. Hermann Hesse është njëri nga shkrimtarët më të shquar gjermanë të shekullit të njëzet. Përveç shkrimeve në prozë, Hermann Hesse shquhet si poet me më shumë se 680 poezi të përmbledhura në 12 vëllime./

NJË  BOTË TJETËR/

Në gjoksin tim ndizet

në vetmi dhimbja e madhe e poetit,

shpejt do të jem i lodhur nga këngët,

sepse e shoh kaq të zymtë botën.

 

Vizioni im njeh një tjetër botë,

ku lule të kuqe janë në stuhi

dhe një stinë e vërtetë me dritë të zjarrtë.

 

Të lumtur pashë ata

që në këtë botë të zymtë

i kam njohur si shumë meskinë.

Si zota ecnin të lirë dhe krenarë,

dhe mbanin kurora në flokët e tyre.

Dhe pashë veten të shkoja duke qeshur bashkë me ta

i lirë dhe krenar mes luleve të kuqe.

Kur i tharë dhe i vdekur

do t’më sjellin në arkivol të ngushtë,

atëherë do të dëgjoj njerëzit të thonë:

tani është mirë, u kthye në shtëpi.

 

Pa e ditur thonë të vërtetën.

Atëherë dëshira ime për dashuri

me krahë të përjetshëm do të shtrëngojë në zemër,

jetën e dashur, atëherë do të këndoj

këngë të reja dhe do të luftoj me stuhitë,

duke mbajtur mbi flokë kurora të zjarrta,

të rrethuara nga një dritë tingëlluese.

 

Digjet ende në gjoksin tim

në vetmi dënimi i madh i poetit,

s’kam më dëshirën për të kënduar,

sepse e shoh kaq të trishtuar botën.

 

nuk e di ç’të bëj me dëshirën për të kënduar,

Duke gënjyer më duhet të kaloj ditët e mia,

nuk duhet të besoj, as në dashuri, as në vetëpërmbajtje

deri sa i vdekur dhe faqebardhë

do të më sjellin në arkivol.

 

Atëherë njerëzit do të thonë:

tani është mirë, u kthye në shtëpi.  

NATË  ME RE

O ti e dashura nata ime me re

me majat e tua të tronditura nga stuhia,

si djegiet papritur madhështia

e vdekjes në ritmin tënd frenetike.

 

O ti, kënga e mundimit, o ti, këngë e dënimit,

e dridhmave dhe mendimeve të vdekjes,

e njoh mirë stimulin e ashpër, tinëzar

të melodive të tua të përditshme të nostalgjisë së sëmurë!

 

Si atëherë në fëmijërinë time

mbusha me pikëllim të mugët zemrën time.

Dhe dhimbja e vjetër shumë e njohur e atëhershme,

është brengë e vjetër,

vetëm më trishtë dhe pa ëmbëlsi.

 

NË RRUGË

Dhe duke ecur e duke u ngjitur  mbi retë,

deri lart në mbi mal, në arjrin e hollë,

para meje hapej mbretëria e të vdekurve:

një re parardhësish të largët,

një vetëtimë shpirtrash të panumërt,

dhe i çuditur e pata perceptimin

që unë nuk jam as një i izoluar, as një i huaj,

që  shpirti im, e shikimi i syve të mi,

goja ime dhe veshi dhe kadenca e hapave të mia

nuk janë as të rinj dhe as tamam të miat,

as nuk është i imi vullneti që e pandehja sovran.

 

Një rreze e dritës jam, një gjethe mbi pemë

e fiseve të panumërta, njerëzit e parë të të cilëve

jetonin në pyll dhe emigruan,

dhe fise të tjera u hodhën nga lufta në luftë,  

dhe fise të tjerësh, banesat e të cilave

të ndërtuara me dru të çmuar, ar dhe xhevahire

shkëlqenin mrekullisht në qytete të bukura.

 

Që nga ata e deri në vështrimin e heshtur

të nënës sime, që më ka vdekur,

ka pasur vetëm një rrugë të pashmangshme dhe të sigurt

dhe i njëjti shteg largohet nga unë

në kohë pa ndenje në tokë,

drejt njerëzve stërgjysh të largët i të cilëve janë a

dhe jeta e të cilëve përfshin edhe timen.

 

Dhe duke ecur mbi retë, lart mbi mal,

në ajër të lehtë, jeta ime,

vështrimi im soditës dhe rrahja e zemrës sime,

ishin për mua një mbështetje të cilën e pranova me mirënjohje,

Vlera dhe bukuria e së cilës, megjithatë, s’janë të miat

dhe për këtë arsye nuk do të harrohen.

Dhe fllad i butë malor

më fshiku ballin.

 

Përktheu: Faslli Haliti

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: Faslli Haliti, Herman Hesse, NJË BOTË TJETËR

SINAN KAMBERAJ:TRE BREZAT E TRIMAVE KOSOVARË

December 31, 2016 by dgreca

1-sinanTRE BREZAT E TRIMAVE KOSOVARË/

Nga Sinan KAMBERAJ/
_______

I Pari nis nga Dy Vëllezër/
Mustaqepërdredhur
Kallushanë si Arusha t’Malit/
Që ishin zënë fytafyt/
Për një bagël nē udhë -/
Nëse ishte e Lopës a e Kalit …/

Dhe, sakaq e kishin lënë fshatin
Po atë natë tërë inat
Pa lamtumirë!

E hajt – hajt, e hajt – hajt!

Mbas pesëdhjetë vjetësh
Na ishin takuar sërish

Për ta përsëritur marrinë
Secili në të vetën:
– E lopës ka qenë! – çartej njëri
– Jo e lopës, po e kalit! – tjetri!

Po, tashmë s’kishin takat për luftë

Kishin vdekur Vëllezërit e Marrë
Pa lënë gjë kryeshpirti
Përveç Anekdotës …

E hajt – hajt, e hajt – hajt!

Erdhi Brezi i Dytë –
Bijtë e vëllezërve legjendarë
Të varfër e të rrjepur
Gjithë ditën në hije dardhe
Rronin me të vetmën drojë
Të mos i mundte Qyqja
Ditën e Shëngjergjit
Dhe të mos i hynin n’hak hyqymetit!

Mbrëmjeve mbas iftarit
Kur binte Tupani i Ramazanit
I Madhi mësyente drejt Xhamisë
Tjetri që shquhej për shkrim cirilicë
Çante udhën për dritë hane
Drejt Stacionit t’Milicisë …

E hajt – e – hajt, e hajt – e – hajt!

***
Erdhi koha e Stërnipërve
E “kumandantëve” – brez i tretë
Që i konvertojnë toskërisht
Nazalet e gegnishtes
Kur e rrjepin serbisht
Kosovënënën
Që e kanë çliruar
Me magji prej Rognerit
Larg – larg fronteve tê luftës!

As troku i Kalit të Anekdotës
Së Stërgjyshërve ahmakë
S’ua vret ndërgjegjen!

Sojsuzë!

Filed Under: Sofra Poetike Tagged With: E TRIMAVE KOSOVARË, Sinan Kamberaj, TRE BREZAT

FLAS NË EMËR TË DHIMBJES PËR ATË QË SHKAKTOI TRAGJEDINË E DJALIT TIM…

December 30, 2016 by dgreca

atjoni

Ne FOTO: ATJON ZHITI/

Nga Eda ZHITI/Serxho Martiniani, u bënë dy vjet nga tragjedia, që na shkaktoi rruga dhe njerëzit e saj. Jam e ëma e Atjon Zhitit, që edhe pse i kam dhënë fjalën se do ta shoqëroj në paqe dhe në shenjtëri shkuarjen e Tij në Qiell, jo gjithmonë ia dal, sado që mundohem tmerrshëm për të mbytur ulërimat e mia të brendshme, që ato të mos dalin jashtë meje… Po qëllimi im në këtë shkrim nuk është të tregoj për vete, por që të të përgjigjem, kultura e dialogut, na mëson Papa Françesku. Miqtë në Tiranë na treguan me kujdes se kishe arritur të dilje në ekranin e një televizioni, punë e Klanit, në një emision që… menjëherë mendova se do të kishe diçka me rëndësi për të kumtuar, që lidhet me të vërtetën dhe përgjegjësinë, sepse… sepse deri tani nuk kishe ditur të gjeje rrugën njerëzore për të ardhur tek rrëfimi i asaj që duhej dhe tek ata që duhej, te prindërit e Atjonit. E ke detyrë!

Fill pas aksidentit fatal, ti re në koma. Dhe ne në ditën e tretë të tragjedisë tonë, ne, unë me tim shoq, guxuam dhe patëm forca të të shihnim në spital, sepse jemi prindër të Atjonit dhe zëri i tij na prin drejt së mirës e mëshirës. Pas operimeve në Gjermani, kur ti u ktheve dhe po kishe kujtesë, prapë nuk u the gjë prindërve të Atjonit, natyrisht që e ke të vështirë, por e ke detyrë, e përsëris, është më lehtë se vrasja, mund t’u shkruaje… dhe rrëfimi yt s’ka nevojë për dëshmitarë e ndërmjetës, ti, ne, pra dhe prinderit e tu dhe ndëgjegjia. Por bërë të kundërtën, heshtje ndaj nesh, si ende i pa aftë, ndërsa në gjyqin tend, besoj e di që nuk të kemi hedhur ne, por ajo që bëre ti, ndodhte e kundërta: shmangie e zhurmë,  zvarritje, ndërrime avokatësh, mungesa të tyre, humbje e qëllimtë kohe, etj, etj, kur tragjedia që shkaktove, kërkon të paktën dinjitet.

Nuk po zgjatem, megjithatë unë vendosa të të dëgjoj ç’i kishe thënë në emisionin e pronarit të Klanit, asaj Magjistarit. Ishte e vështirë të dëgjoheshe… Pas dy ditësh të ndoqa sërisht me zemrën e trupin që dridhej e dridhet, ndërsa shkruaj këto fjalë. Ti fajëson rrugën, sinjalistikën që mungonte në atë mëngjes dhjetori, bllokun e betonit, etj. Po, duhet të jetë dhe është dhe kështu. Po a e ke pyetur veten, blloku i betonit, i vendosur në rrugë keq e që duhej të ishte plastik, u ngrit vetë kundër teje apo ti shkove drejt tij, verbërisht si i marrë? Ndërkaq askujt para teje dhe pas teje që kaluan aty, nuk i ndodhi ndonjë gjë, vetëm ti u përplase keqas duke I shkaktuar vrasjen atij që kishe marrë pas në motor dhe plagosjen rëndë të vetes. Ekspertët dëshmuan me përgjegjësi se ishe me shpejtësinë 160 km në orë, kur duhej të ishe me 20 km në orë në atë vend. Nuk e di a e mban mend se ç’shpejtësi kishe në të vërtetë, por kishe aq sa duhej për të shkaktuar një aksident me humbje jete të tjetrit. E besojmë që nuk doje, por edhe si “vrasës pa dashje” u shkaktove tragjedinë më të madhe prindërve të atij që në emision thua se e kishe shok të shokëve të tu, që e doje dhe vlerësoje. Ku është dhëmbja dhe pendimi para tij e para vetes dhe botës? Përgjegjësia jote së pari? Duke patur dhe një tjetër në motorr përgjegjësia jote duhej të dyfishohej, kurse ti s’pranon asgjë fare, ia vë fajin rrugës që është pa ndërgjegjegje. Po kështu dhe drejtuesit e emisonit tend.

Ne mundohemi të të kuptojmë. Ndjejmë dhimbje të thellë. Ju mund të thoni se ky ishte fati. Por ne nuk duhet të jemi si fati, kur ai është i mbrashtë, tragjik. Ti a mundohesh të më kuptosh mua, ne? Ti dhe ata të shtëpisë tënde?  Mbylle padrejtësisht, tragjikisht një derë… Në emisionin tënd the, ndër të tjera që për prindërit e atij që vrave, më mirë të mos flisje(?!). Pse? Nga që të erdhën dhe në spital dhe të panë, e përsëris, ty shkaktarin e tragjedisë së tyre? Isha unë me tim shoq, babain e Atjonit. Ta kanë thënë, besoj, kur i hape sytë? Madje të kemi dërguar mesazhe e të kemi pyetur të na thuash, të na tregosh… ti je i fundit që ishe me djalin tonë… e ke për detyrë rrëfimin ndaj nesh së pari… ku po shkonit atë mëngjes dimri dhe pse dhe si ndodhi… në prag të Krishtlindjes dhe të Vitit të Ri… që ti i nxive… Ju keni dhe një filmim, të kameras para portës kur moret motorrin para lokalit tuaj e vutë kaskat mbi krye, dorashkat… dhe rezultoi që nuk kishit konsumuar akool… në rregull deri këtu… Po pastaj… s’flas dot… e pse nuk na i jepni atë filmim të fundit?… E tani flet në media për të tjerët, gjykon të tjerët, madje na thanë se ke shkuar dhe në Vlorë te një aksident ndryshe dhe ke folur pa qenë ekspert para gropës së rrugës? E ke për detyrë të mbash përgjegjësinë që të takon para gropës që hape ti. A di të çosh lule atje ku duhet? Nëse s’ke ditur, hesht dhe prit… mos ua shkel plagët Atjonit dhe prindërve të tij. Më oshëtijnë veshët nga shprehja jote, kur ke shkatërruar një familje dhe thua publikisht se “po përpiqem të rehabilitohem vetëm pa ndihmën e mamit, sepse mami është shumë e re…”. Shumë mirë bën që po rehabilitohesh, por përpara se t’i tregosh Klanit se si bën palestër për të rehabilituar trupin, tregoi opinionit çfarë i bën zemrës dhe ndërgjegjes tënde. Dhe mëndjes. Kanë kaluar dy vjet… Egiozmi nuk duhet  nuk duhet lejuar që të jetë vrastar… Ishe ti që ngisje motorin atë natë apo djalli i futur brenda teje? Si do ta nxjerrësh djallin, duke shmangur përgjegjësinë, duke mos u rrëfyer atje ku duhet? Por nuk i shmangesh dot gjykimit në tokë dhe Qiell, ligjeve të shkruara e të pa shkruara,  opinionit qytetar jo antikapat, që edhe nëse nuk ka televizor, ka ndërgjegjen, dhimbjen, etikën, të vërtetën, ndjesën, mirëkuptimin, respektin, dashurinë njerëzore edhe në fatkeqësi, etj, etj.

The se kishe shkruar: Mirupafshim, Atjon. Si do të shihesh me atë? Ç’do t’i thuash për tragjedinë dhe veten?

 Im bir, moshatar me ty, a nuk ishte shumë i ri për t’u ndërprerë? A s’është krim që u shkëput nga jeta këtu, nga dëshirat e gëzimet, nga projektet dhe ëndrrat, nga universiteti? E ke parë librin e tij, ekspozitën, gazetat që shkruajnë për to edhe tani, ç’shkruajnë miqtë e tij të shumtë nga e gjithë bota, ishte antar dhe i Paralamentit Europian Rinor, donte të studionte dhe të punonte për vendin, për një jetë më të mirë… jepet dhe një çmim ndërkombëtar me Emrin e Tij. Dhe Bashkia e Tiranës i ka dhënë emrin një rruge: “Rruga e Atjonit”, jo ajo ku bëre përplasjen fatale ti. Që jam mamaja e Atjonit, më vjen mirë… Dhe po të them ty, që edhe unë jam shumë e re e ti më dënove të jetoj pa të. Asnjë nënë, asnjë prind nuk e meriton atë që ndodhi prej teje. E ti si do të më përgjigjesh? Çfarë i ke thënë vetes në këto dy vjet mynxyre? Apo do dalin të tjerë që të shkruajnë për ty në fb, që të bëjnë zhurmë e fyerje apo magjistarë të klaneve të pa ndjeshme televizive? Ky është nderimi yt e i atyre për shokun që vrave? Ç’do të bësh me djallin brenda vetes, që e ushqejnë e ta përkëdhelin ata që ke përreth? Dëgjo, nga vrasës pa dashje mund të shndërrohesh që të të ndjejmë ne e i gjithë opinioni, në vrasës të rëndomtë. Zgjidhe rrugën, shikoje mirë sinjalistikën se po rivret… Dhe faji s’është i rrugës, por i atij që i futet kësaj rruge… Isha e detyruar të shkruaja kështu, mes dhimbjes më të thellë dhe indinjatës. Dhe ka plot që thonë se se është më e durueshme të jesh nëna e të vrarit se sa e vrasësit…

Mamaja e Atjonit si çdo mama, përveç ndonjërës…

Filed Under: Opinion Tagged With: Eda Zhiti, Flas ne emer te dhimbjes

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2294
  • 2295
  • 2296
  • 2297
  • 2298
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT