• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në 80 vjetorin e Bibliotekës së qytetit të Vlorës

December 16, 2016 by dgreca

BASHKËPUNIM KORREKT DHE I DOBISHËM I DY BIBLIOTEKAVE NË QYTETIN E LIBRIT/

1-habazaj

Nga MSc. Albert HABAZAJ*/Ndihem dy herë i vlerësuar që marr pjesë në këtë festë kaq të bukur letrare – kulturore të Vlorës sonë, edhe si njeri i letrave, edhe si specialist biblioteke dhe i punës me librin. Sot kemi gëzim të veçantë, se festojmë ditëlindjen e Bibliotekës së qytetit, festojmë 80 vjetorin e shtëpisë së Librit në Vlorë, cilësuar në rang republike si qyteti i Librit. Në emër të Bibliotekës së Universitetit “Ismail Qemali” përshëndes Bashkinë e Vlorës dhe kryetarin e saj dr. Dritan Leli, që është sot me ne, Qendrën e Kulturës dhe Artit të Vlorës dhe drejtorin e saj të përkushtuar Dhimitër Furrxhi, si dhe uroj nga zemra Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj”: Gëzuar ditëlindjen! Paç jetë të gjatë, o shtëpia e shpirtit dhe e fjalës së shkrimtarëve dhe artistëve të qytetit! Dritërofsh dituri, qytetërim, kulturë e progres gjer në pafundësi!

Në mënyrë lakonike po tregoj pak mikrohistorik: me një vështrim të shpejtë retrospektiv, këtu në Vlorë, kthehemi 22 vite më parë. Qe Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë, që, me propozim të Ministrisë së Arsimit, më 28. 02.1994, me vendimin nr. 105 vendosi të krijohet Universiteti Tekonologjik “Ismail Qemali” në qytetin e Vlorës. Godina e ish –  Komitetit të Partisë dhe ajo e ish – Shkollës Mjekësore u përshtatën në funksion të Universitetit të ri, që hapi dyert më 10 tetor 1994 për 162 studentët e parë të shpërndarë në tre fakultete, të cilët janë simbolika e dallëndysheve të para universitare në Vlorën e historisë, kulturës dhe librit. Me çeljen e Universitetit, filluan përpjekjet për krijimin e bibliotekës dhe në mes të nëntorit 1994 mori formë edhe Biblioteka shkencore universitare në Vlorë. Më 28 nëntor 2005, Biblioteka e Universitetit mori emrin “Nermin Vlora Falaschi” për të nderuar kulturologen dritërore Nermin Vlora, mbesë e Ismail Qemal Vlorës. Rritet universtieti, rritet dhe biblioteka e tij. Kemi mbushur 22 vjeç e kaluar, jemi pjekur profesionalisht dhe qytetarisht, duke krijuar profilin tonë në krahë të bibliotekave si motra të Universiteteve shqiptare, atyre në rajon e më gjerë, pa tjetër dhe me bibliotekave publike më të përparuara, sidomos me bibliotekën publike të Vlorës. Është një udhëtim simbolik, profesional, qytetarisht i duhur dhe me mesazhe, i bukur, harmonik e dashamirës, ku mbesa 22 vjeçare respekton dhe nderon gjyshen 80 vjeçare. Stafeta ruhet duke e kaluar nga njëri brez tek tjetri.  Ne jemi sot. Çimi këtu dhe unë në Skëlë. Se, sa e kemi për nder e krenari qytetare, aq e ndjejmë si përgjegjësi profesionale dhe detyrim moral. Ngaqë (si kudo) bibliotekat ngelen, se ne jemi të ikshëm. Nesër vijnë të tjerë…

Biblioteka e Universitetit të Vlorës ka patur një bashkëpunim profesionalisht korrekt dhe qytetarisht të dobishëm me bibliotekën e qytetit, ku, për një kohë 35 vjeçare (1974 – 2009) ka punuar dhe për gati 20 vjet (1991 -2009) ka drejtuar me kulturë dhe dashamirësi zonja Liliana Lako Gjika, sa që i dha kësaj zonje të rëndë e fisnike  80 vjeçare, bibliotekës së nderuar të qytetit tonë fytyrën e saj me dritë, imazhin e saj me dashuri për librin dhe ëmbëlsi për njeriun, duke u shndërruar në ikonë të bibliotekave tona, si drejtoresha historike e bibliotekës së Vlorës. E përkushtuara Lilianë e bukur na dhuroi ne dhe brezave 3 njësi bibliografike që do të kujtohen me nderim: 1- “Guidën për Bibliotekën Publike “Shevqet Musaraj’, në 17 faqe, (Tiranë, 2006); 2- “Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj” në 70 vjetorin e themelimit të saj”, Tiranë, 2006, në 117 faqe dhe 3 – Kartolina “Biblioteka Publike “Shevqet Musaraj”, Vlorë, Albania, që s’ bëhet dy herë. Pas daljes në pension të “klloçkës së zogjve” të shkrimit të botuar, bashkëpunimi ynë ka marrë një formë tre planëshe me shkrimtarin Çlirim Hoxha, si përgjegjës i këtij institucioni të dashur kulturor. Plani i parë është në rrafshin profesional, midis dy kolegësh; plani i dytë është në aspektin krijues, midis dy shkrimtarësh, që ka nëndarjet e saj në publicistikë dhe gazetari dhe vija e tretë, ajo që sot kumbon e duhet të kumbojë fortë, qartë, kthjellët është studimtaria shkencore, ku Çimi feks me punimet e studimet e pavarura për të parët e të parëve tanë pellazgët, që verbojnë ligësinë dhe të verbërit e botës njerëzore që jetojmë. Çimi sapo ka botuar dhe romanin historik “Kodi i baltës së pjekur”, i pari në llojin e vet si specie e veçantë e prozës së gjatë. Por kaq vlen sa për t’u përmendur, se nuk mund të diskutohet më tepër sot, ngaqë kemi ditëlindjen e Gjyshes. Ne si Bibliotekë e Universitetit me Bibliotekën e qytetit kemi realizuar këmbim përvoje, në furnizimin dhe ndërrimin e librave, për huazimin ndërbibliotekar si dhe në përhapjen e librit, gjithçka  në funksion të detyrës sonë qytetarin e sotëm, për studentin bashkëkohor, i cili në mënyrë të shpejtë dhe të lehtë të përvetësojë njohuritë e duhura me ndihmën e fjalës së shkruar dhe me teknikat e format e sotme të popullarizimit dhe përhapjes së librit. Biblioteka  e universitetit në bashkëpunim me Bibliotekën e qytetit ka bërë përurime librash dhe diskutime krijuese të autorëve studentë, pedagogë apo shkrimtarë  të njohur të Vlorës, si dhe përkthimeve që kanë bërë jehonë, të cilat janë pasqyruar dhe nga mediat on line e manuale, të shkruara e vizive, ndërkombëtare, kombëtare e lokale, (ndoshta falë dhe aftësive e mundësive shkrimore të dy drejtuesve) si dhe i kemi të pasqyruara në stendat e veprimtarive të bibliotekave tona. Janë bërë dhe konkurse të fjalës artistike, si dhe inkurajime të talenteve të reja, duke ndihmuar edhe në botime poetike të studetëve me talent e të pasionuar  në thurjen e vargjeve. Pa u futur në statistikat e vijueshme e korrekte, do të përmendja faktin, që studentja jonë e dalluar e masterit shkencor për Gjuhë Shqipe – Letërsi në Universitetin “Ismail Qemali”, Xhiliola Lamaj, pas përurimit të librit të parë poetik “Filozofia e shpirtit” para dy vitesh (2014), duke patur si logjistikë promovimi dy bibliotekat tona, po përgatitet për të na gëzuar me librin e saj të dytë me poezi e me prozë,  më e pjekur, më e arrirë artistikisht, dinjitoze krahasimtarisht me të tjerët dhe me identitet origjinal. Ja kështu, thjeshtë, pa u dukur, bukur e dobishëm bashkëpunon biblioteka e universitetit me bibliotekën e qytetit. Gëzuar ditëlindjen e bardhë o shtëpia jonë e dashur e librit, biblioteka që mban emrin e shkrimtarit Shevqet Musaraj, shkrimtarit emblemë, idealist, revolucional, interesant dhe i dalluar i progresit për kohën që jetoi dhe në vijim!

*) Kumtesa e drejtorit të Bibliotekës “Nermin Vlora Falaschi”, Universiteti “Ismail Qemali”, Vlorë. Kumtuesi është edhe kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë

 

Vlorë, 16. 12. 2016

Filed Under: Komente Tagged With: 80 vjetori, Albert Habazaj, biblioteka e Vlores

Engjell i Mirësisë, Shën Nënë Tereza, lartëson emrin e popullit shqiptar

December 16, 2016 by dgreca

1 nene Tereza shenjte

Nga Prof. Gjon Frani Ivezaj, New York/Festa për përkujtimin e Shën Nënë Terezës, është nder e krenari të thuhet qysh në hyrje të kumtesës sime, se ilirët të parët tanë, ishin ndër të parët banorë të pellgut të Mesdheut që përqafuan me dëshirë dhe praktikuan krishtërimin. Nga burimet historike, Krishtërimit ndër shqiptarët janë të mbushur me shumë ngjarje të rëndësishme historike.
Trojet iliro­shqiptare kanë qenë, një nga vendet e Europës ku u përhap me herët krishterimi. Historiani, i shquar i Mesjetës së Ballkanit albanologu kroat Dr. Millan Shuflaj, në veprën: “Serbët dhe Shqiparët”
është shprehur se: “Fillimi i Krishterimit ndër keto vise (Iliri) bën pjesë ne historinë e shekullit të parë të këtij besimi.” Vetë Shën Pali shprehet: “Nga Jeruzalemit e perqark në Iliri e kam përhapur
Ungjillin e Krishtit.” (Rom.15:19)
Shën Nënë Tereza duke qëndruar pranë më të varfërve të planetit bëri mrekullitë, gjë e cila bëri që Selia e Shenjtë në Vatikan të filloj procedurat e Shenjtërimit të saj. Ajo sot është e Lumtur prej vitit 2003, dhe sot do të bëhet Shenjtëresh në mbreterinë qjellore mbas dy mrekullive të cilat janë vërtetuar nga ekspertët mjekë më të mirë të botës.
Mrekullia e parë e Shën Nënë Terezës habiti të gjithë botën, por në veçanti Kalkutën e Indisë, ku një grua 30­vjeçare që vuante nga kanceri ishte shëruar plotësisht nga mrekullia e Nënë Terezës, të cilën fakt ajo e deklaroi edhe para Komisionit të ekspertëve mjekësorë të ngritur nga Vatikani.
Gjatë gjithë kohës që vuante nga sëmundja ajo ishte lutur Nënë
Terezës, që ta shëronte. Dhe një ditë mrekullia ndodhi! Si mrekulli të dytë të Nënë Terezës, është vërtetuar nga një komision ekspertësh mjekësor shërimi papritmas i një braziliani, i cili vuante nga një infeksion viral në tru, që i kishte përfshirë të gjithë trupin.
I sëmuri ishte një besimtar i devotshëm i Nënë Terezës, dhe gjatë vuajtjes lutjet e tij ia kishte dedikuar bamirëses nenes Tereze, ku ai sherohet. Sipas mjekëve të famshëm që janë marrë me hulumtimin e mrekullisë së dytë të Nenë Terezës, kjo mrekulli është e pamundur të shpiegohet shkencërisht.
Sot 4 shtatori 2016, është dita më e shënuar në historinë e Kishës Katolike Universale dhe për shqiptarët pa dallim besimi fetar. Kjo ngjarje e madhe historike perkon me Vitin Jubilar të Mëshirës për Kishën Katolike dhe Selinë e Shenjtë në Vatikan. Gonxhe Bojaxhiu e njohur sot si Shën Nënë Tereza, ishte fëmija i tretë i Kolë Bojaxhiut me origjinë nga Mirdita dhe e Drane Bojaxhiut.
Ajo mësimet e para i mori në një shkollë shqipë në Shkup, ku po ashtu e kreu dhe gjimnazin në gjuhën serbo­kroate. Pasionet e rinisë së Gonxhes ishin tre: të bëhej mësuese, të shkruante dhe recitonte poezi dhe të kompozonte e të luante muzikë. Emrin Tereza e mori kur ishte ne moshen 18 vjeçe dhe u dorëzua murgeshë.
Murgesha shqiptare u largua më 26 shtator 1928 nga Shkupi në drejtim të Dublinit, Irlandë, ku më vonë ajo u vendos në Kalkuta (Indi), dhe fillimisht u bë mësuese, e shumë shpejt drejtore e shkollës së vajzave.
Nënë Tereza e Kalkutës, u quajt kur themeloi urdhrin Misionaret e Dashurisë (1951) për t’u shërbyer më të varfërve dhe më të pashpresëve të Kalkutës, së Indisë dhe gjithë botës.
Nënë Tereza, është një Shenjt i madh, që tani ka pushtuar kohrat dhe kontinentet si mishërim i lartësisë kulmore dhe gjerësisë humane të pakrahasueshme të njerëzimit.
Figura e Shën Nënë Terezës sa tokësore dhe qiellore është shqiptare, e gjakut dhe frymës sonë. E përgatitur nga rrënjët tona hyjnore pelazgjike, ajo u ngrit si nga lartësia e shpirtit shqiptar, duke kaluar nëpër të gjitha rrugët e kontinenteve, dhe shteteve, nëpër tërë mjerimet e njerëzve, duke përhapur dashuri dhe humanizëm me frymën e Zotit në shpirtin e njeriut.
Sa shenjtore aq dhe shqiptare, me përpjekjet e flijimit sublime, Ajo krijoi një univers human të ri të saj, botën me të madhe të humanizmit në shekullin me të trazuar.
Bamirësja trupvogël krijoi një urdhër fetare, që u shtri mbi 100 vende të kontinentit, duke ndërtuar institucione për me të varfërit, gjymtuarit, leprozët, jetimet, të braktisurit, të sëmuret etj. Ajo sakrifikoi veten e saj për të varfërit, dhe me sa duket Ajo ka patur fuqi të mbinatyrshme, për të përballuar atë punë të jashtëzakonshme që bëri gjatë jetës së saj plot përkushtim.

Miliona njerëz nëpër botë e kanë konsideruar atë si Shenjtneshë. Shumë mendojnë se Zoti e dergoi atë për tu shërbyer të varfërve nëpër botë. Ajo erdhi në këtë Planet, duke u kujtuar njerëzve rrugën e sakrificave dhe mundimeve plot vuatje të Krishtit, sikurse Krishti qe erdhi ne bote tu kujtoj njerezve rrugen e Zotit.
Ashtu si Krishti që lindi në një grazhd, pra në rrethana të thjeshta, në varfëri; ashtu dhe Nënë Tereza doli nga gjiri i popullit më të varfër në Europë.Historia e njeriut tregon shembuj të fisnikërisë supreme dhe shembuj të njerëzimit të plotë.
Niveli më i lartë i fisnikërisë arrihet nga herojtë dhe nga shejtorët me punë, me lutje, ose me studime. Kjo bijë e racës shqiptare, kur hyri në përjetësi tërë bota i ra në gjunj, Nënës Shenjtneshë së parë në histori që u nderua me titullin Qytetare e Globit.
Ajo i shpjegoi botës se shqiptarët janë populli i lashtë, i shejtë I(mbushur me qindar shenjtorë), populli i Biblës, dhe populli i historisë.
Për njerëzimin mbarë, Nënë Tereza është një vlerë për të gjithë racat, kombet, dhe besimet fetare.
Për ne shqiptarët ajo është më tepër, një vlerë etnike: frymë prej trojeve tona, lënde prej dheut tonë, pjesë e
pastër prej gjakut tonë, dashuri prej gjoksit të fisit tonë.
Kjo Nënë e dashur ishte dhe mbeti simboli i dashurisë për të gjithë njerëzit e botës. Ajo ia kushtoi jetën e saj njerëzve të thjeshtë, mbushi me dashuri fëmijët me të meta fizike e mendore, për ata të varfër, për ata që pritin vdekjen nëpër rrugë, për të braktisurit, për të gërbulurit, dhe për të sëmuret.
Ajo rriti besimin ndaj Zoti, luftoi armiqesinë e hakmarrjen, inkurajoi virtytet e mira. Kujtimi për këte Nënë do të jetë shekullor për çdo njeri të çdo kombësie dhe besimi.
Humanistja e madhe ishte një shenjtore mbi tokë, ndërsa tani është një shenjtore në qiell. Zemrat e foshnjeve, fëmijëve, të rriturve e pleqëve do të përulen me respekt e nderim para figurës e portretit të
saj që nuk njeh kufi.
Eshte e qartë se Nënë Tereza kishte përkrahjen e Shën Papa Gjon Pali II, Papa Benedikti, Papa Franceku, kardinalëve, presidentëve, mbretërve, princerve, diplomatëve të huaj, fituesve të Çmimeve Nobel në fushat të ndryshme humane dhe shkencore, bisnesmenëve më të fuqishëm të globit,
Në çastin e marrjes së Çmimit Nobel në Oslo (Suedi) më 1979 Nënë Tereza deklaroi: “Kam lindur në Shkup, jam shkolluar në Londër, jetoj në Kalkutë dhe punoj për të gjithë njerëzit e varfër në botë. Atdheu
im është një vend i vogël me emrin Shqipëri”. Ajo ishte nënë kujdestare e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, ishte nënë që mjekonte 960,000 të sëmurë në 213 dispanseri, ishte e vetmja në botë qe trajtonte 47,000 viktima të lebrozës në 54 klinika, kujdesej për 3,400 pleq të braktisur e të lënë rrugëve, në 20 shtëpi pleqsh.
Në vitin 1991, Nënë Tereza kthehet për herë të parë në vendlindjen e saj dhe hapi shtëpinë e Vëllezërve Misionarë të Bamirësisë në Tiranë, Shkodër, Kukël (Bushat) etj. Deri më 1996, Nënë Tereza ishte duke punuar në 517 misione në më shumë se 100 vende të botës.
Sot Shen Nene Tereza eshte shejte ne mbrterine qjellore, ne mesin e apostujve, shenjtorëve e shenjtereshave, dhe martirëve të tjerë të Kishës Katolike, të cilët ndër shekuj kanë bërë mrekulli dhe ndodhen
në kalendarët e Kishës ku përkujtohen çdo vit.
Shën Nënë Tereza rreshtohet pranë dy gurgdhendësve nga Ulpiana e Dardanisë Shën Florid dhe Shën Lauri të cilët anti të krishterët paganet Romak i mbytën në uje. Shën Niketa, Shën Helenës, Shën Kostandini, Shën Dardanit, Shën Lefterit, Shën Angjelines (motra e Gjergj Aranitit dhe e Donika Kastriotit), Shën Dhimitrit, Shën Xhakoni i Vlorës, Shën Frani, nga Durrësi, Shën Gjergji i Janinës, Shën Joani i Konicës, Shën Kristo kopështari i Përmetit, Shën Kristo nga Perveza, Shën Marini i Sarandës, Shen Demetri nga Vlora, Shën Naumi i Ohrit e dhjetra shenjtorë të tjerë me origjinë shqiptare.
Simbas dëshmive historike, kultura e pasur dhe pozitive e krishtere eshte pervetsuar me dashuri nga shqiptaret nder shekuj. Ata nxoren njerëz të shquar në historine e lavdishme te krishtërizmit, me figura
të shquara si. Shën Jeronimi i Ilirise enciklopedistin e famshem që bëri perkthimin e parë të Biblës latinisht, duke i dhenë botes për herë të parë librin e shenjtë, në mesin e shek. IV. Heroi Kombëtar
Gjergj Kastrioti Mbrojtësi i Krishtërimit dhe i Arberisë nga invazioni barbar islamik otoman, dhe Shën Nënë Tereza, si mishërim i idealeve të krishtera.
Kleri Katolik Shqiptar, është përpjekur ndër shekuj për të sjellë në Shqipëri frymen civilizuese të Europës. Mendjet e ndritura te klerit, arritjet e pakrahasueshme në fushën e mëndimit njerëzor, krijimtarine letrare artistike, shkencës dhe teknologjisë, organizimin politik të shtetit modern, që siguron zhvillimin dhe përparimin e njeriut të lirë, janë vlera të rëndësishme, që kemi trashëguar ne shqiptarët. Si të tillë me krenari mund të përmendim gjuhën shqipe, një nocion i ndarë politikisht, gjeografikisht, i cili ka ruajtur të paprekur pasurinë e përbashkët të gjuhës shqipe.
Kësisoj kemi të bejmë edhe me klerin e doktorinës teologjike, që kanë ndikuar në historinë nacionale shqiptare. Në rastin konkret qytetrimi shqiptarë, është një fragment, pjesë e spirales historike të
qyteterimit botërore.
Së fundi duke u përshendetur të gjithëve në këtë ditë të madhe të shenjtërimit të Nënë Terezës, shëjtnesha dhe figura me e njohura në Botën njerzore, fjalë të ngrohta nga zëmra ju përcjellim të gjithëve juve, po ashtu klerikëve të gjithë besimeve fetare.

Filed Under: ESSE Tagged With: emrin e popullit shqiptar, Engjell i Mirësisë, Gjon Fran Ivezaj, lartëson, Shën Nënë Tereza

TAKIM ME KRYETARIN E VATRES

December 16, 2016 by dgreca

1-gjoni-me-ekipin-e-mozes

Nga Mimoza Dajçi/New York, 15 Dhjetor 2016. Mot i ftohtë, temperaturat shënonin minus nën zero gradë. Në një nga ambjentet e Federatës Pan Shqiptare “Vatra” në Bronx, Kryetari i saj Dr. Gjon Buçaj, priti në një takim pune Organizatën e Gruas The Women’s Oragnization “Hope & Peace”, (me kërkesën e tyre) të përfaqësuara nga zonjat Katerina Cima, Violeta Miraka, Drane Gjergji dhe Mimoza Dajçi. Kryetari “Vatrës” pasi i bëri një ekspoze të shkurtër veprimtarisë së “Vatrës” dhe mundësinë për anëtarësime të reja, foli për degët e reja të saj që janë ngritur edhe në shtete të ndryshme të Amerikës, si dhe përpjekjet që bën “Vatra” për të mbajtur gjallë frymën e atdhedashurisë, gjuhës dhe traditave të mira të popullit tonë. Z.Buçaj përmendi vitin e Faik Konicës dhe veprimtaritë që u mbajtën për nder të figurës së tij gjatë të gjithë vitit 2016, si dhe veprimtaria finale në Selin e “Vatrës”, me simpoziumin, Konkursin dhe Ekspoziten kushtuar Faik Konices. Ai u ndal tek Festa e Pavarësisë së Shqipërisë, që si traditë organizohet çdo vit nga “Vatra”, si një festë mbarë kombëtare e që ka vlera absolute për tu festuar së bashku si komunitet nën ombrellën historike të “Vatrës”. Organizata e Gruas “Hope & Peace” me një aktivitet tashmë të njohur në mbrojtjen e të drejtave të grave dhe fëmijëve New York e më gjerë, vlerësoi pritjen e rezervuar nga ana e Kryetarit të “Vatrës” Dr. Buçaj, si dhe mirëpriti e dëgjoi me vëmendje bisedën e zhvilluar prej tij. Ato ishin të një mendimi se Festa e Pavarësisë duhet të jetë një festë e përbashkët pasi historikisht është festuar nga “Vatra” dhe paraardhësit e saj themeltar Noli dhe Konica. Më pas gratë përfaqësuese të organizatës së gruas parashtruan mundësinë e një Sesioni Përkujtimor të përbashkët me rastin e 100 vjetorit të lindjes së Martires shqiptare Musine Kokalari. Dr. Buçaj e miratoi në parim si ide dhe premtoi se këtë aktivitet do ta mbështesi “Vatra”, do të zhvillohet në Selinë e saj dhe u caktua data 11 Shkurt 2016 për tu zhvilluar.  Znj. Dajçi i kërkoi gjithashtu Kryetarit të “Vatrës” që brënda mundësive dhe njohjve që kanë me njerëz të njohur të biznesit shqiptaro – amerikan në SHBA, ti vinë në ndihmë për punësim grave dhe vajzave të komunitetit që ndodhen në vështirësi ekonomike.

Kryetarja Dajci, në emër të Organizatës së Gruas  “Hope & Peace”,  i dorëzoi Kryetarit të Vatrës tri “Mirënjohje” ; për Kryetarin Bucaj, zonjën e Tij Nikoleta dhe një për vatranin Zef Përndocaj.

Bronx, 15 Dhjetor 2016

 

Filed Under: Vatra Tagged With: Mimoza Dajci

NJOFTIM SHUMË ME VEND NGA ARKIPESHKVIA TIRANË-DURRËS

December 15, 2016 by dgreca

1-franku-300x150Nga Frank Shkreli/Çdo vit gjatë 25-viteve të fundit për Krishtlindje, për Pashkë dhe për Bajram, si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë, politikanët në detyrë dhe ata në rezervë rreshtohen para qendrave fetare për tu takuar me udhëheqësit fetarë shqiptarë me qellim për tu uruar festat.  Ishte kjo një pamje e përvjetshme që nuk e kuptoja, madje kishte raste që asnjëra palë nuk dukeshin shumë të kënaqura nga ato takime. Ndoshta edhe dukej më shumë si një detyrë që duhej bërë.  

Ndoshta është influenca e jetës këtu në Shtetet e Bashkuara, ku një paradë si kjo nuk ndodhë në raste të tilla.  Ajo që ndodhë këtu në Amerikë është se politikanët në nivel kombëtar, shtetëror dhe vendor, i kujtojnë këto festa, por krejt ndryshe: jo duke u takuar me udhëheqësit fetarë, por duke marrë pjesë në shërbime të ndryshme që organizohen për të ndihmuar të varfrit nepër të ashtuquajturat “kuzhina supe” dhe duke shpërndarë dhurata për nevojtarët, përveç aktiviteteve të tjera që organizohen nga qendëra të ndryshme fetare dhe nga organizata jo-qeveritare të cilat kujdesën për të varfërit e shoqërisë.     

Por sot e kësaj dite, kur i shikoj vizitat e politikanëve shqiptarë me udhëheqsit fetarë në televizion ose lexoj për to në media të ndryshme shqiptare me rastin e festave fetare, e rrahi mendjen dhe pyes veten, për çka, çfarë qëllimi kanë këto vizita të udhëheqësve politikë, të cilët mund të besojnë ose jo në Perëndinë, sipas fesë së tyre? Por kjo nuk ka rëndësi, pasi sot për të besuar ose jo është e drejta e të gjithëve!  Deri më sot nuk kam mundur t’i justifikoj këto vizita për veten, por as për nga këndvështrimi i politikanëve dhe as nga pikpamja e udhëheqsve fetarë, se çfarë qëllimi ose përfitimi kishin ata nga këto takime, përveç një mundësie ndoshta që politikanët të dalin në televizion duke shtrënguar duarët me udhëheqësit fetarë, një herë ose dy herë në vit.  

Por duket se shqetësimit tim për këtë fenomen të klasës politike shqiptare po i vjen fundi.  Më duket se nuk do t’a rreh më mendjen time të vogël se pse e tek kanë ndodhur këto vizita të politikanëve shqiptarë me rastin e festave fetare gjatë 25-viteve të fundit, sepse po i vjen fundi kësaj “tradite”, të pakën përsa i përket Arkipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës.  Nepërmjet një njoftimi për shtypin në portalin peregrinus.alb, zëdhënësi i Arkipeshkvisë Metropolitane Tiranë-Durrës, Dom Gjergj Meta thotë se këtë vit nuk do të ketë takime të udhëheqësve fetarë me politikanët.  Dom Gjergji në njoftimin e tij shkruan: “Festat e fund vitit janë gjithmonë një motiv gëzimi për ne të gjithë.  Për ne të krishterët, Krishtlindja është festa në të cilën ne kremtojmë hyrjen e Krishtit në historinë e jetës njerëzore me brishtësinë e një fëmije. Në këtë kuptim, Krishtlindja është sigurisht festa e të gjithëve, por veçanërisht e të varfërve dhe të atyre që janë në kufijtë e shoqërisë tonë.”

Zëdhënsi i Kishës Katolike Shqiptare, Dom Gjergj Meta, thekson në njoftimin e tij për median, të datës 15 dhjetor se, “Është ky motivi pse Arkidioqeza ka vendosur që në Krishtlindjen e këtij viti, në vend të pritjes zyrtare për pushtetarët, politikanët, ambasadorët e të tjerë, të organizojë një drekë për të varfërit, në ambjentet e Arkipeshkvisë Tiranë-Durrës.  Kjo do të thotë”, thekson Dom Meta në njoftimin e tij, “që këtë vit nuk do të ketë pritje zyrtare si çdo vit tjetër, ditën e Krishtlindjes” duke u shprehur se shpreson në mirëkuptimin e të gjithëve për këtë vendim. Vendim shumë me vend, në mendimin tim.

Fetë kryesore ndër shqiptarët e kanë në besimin e tyre si thelb kryesorë dashurinë për njeri tjetrin dhe ndihmën për të varfrit.  Le të shërbej pra ky fund viti, por edhe tani e tutje — që politikanët shqiptarë si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë — në vend të vizitave zyrtare me përfaqsuesit e lartë të feve kryesore të shqiptarëve, që me rastin e festave fetare të mirëpresin sugjerimin e Arkipeshkvisë Metroplitane Tiranë – Durrës.   Ashtuqë të tregojnë me shembull  dashurinë dhe respektin për më të varfërit e shoqërisë duke përvjelur mëngët dhe duke veshur një përparëse të bardhë dhe të shkojnë e të kalojnë për disa orë me më të varfërit në ambjentet e Katedrales Shën Pali, ose kudo tjetër, këtë fund viti, në vend të vizitave me udhëheqsit e komuniteteve fetare.  Kjo është edhe një mundësi shumë e mire për të parë nga afër realitetin e jetës së tyre të përditshme dhe të familjeve të tyre.Fetë na mësojnë gjithashtu se përveç kujdesit dhe ndihmave që duhet tu ofrojmë “të varfërve më të varfër”, siç i ka cilësuar Shën Nëna Tereze dhe më të nevojshëmve midis nesh, jo vetëm gjatë festave por gjatë gjithë vitit — ndoshta urdhëri më domethënës i Perëndisë është të duam njëri tjetrin.  Por nëqoftse është vështirë të duam njëri tjetrin, ashtu siç na mësojnë fetë tona, atëherë të gjithë ne, përfshirë politikanët — e sidomos politikanët — të tregojnë më shumë respekt për njëri tjetrin në komunikimet e përditshme dhe të jenë më të njerëzishëm dhe më të kuptueshëm ndaj nevojave të bashkatdhetarëve të vet, të cilët ndoshta fati dhe rrethanat nuk u kanë dhënë të njëjtat mundësi, bekime dhe pasuri që gëzojnë vetë politikanët dhe mbështetsit e tyre biznismenë.  Kjo është mënyra më e mirë për të kujtuar rendësinë dhe mesazhet e fesë për çdo shoqëri – në rast festash dhe përherë –dhe jo takimet artificiale “zyrtare” midis udhëheqsve politikë dhe fetarë.  Madje, sa më pak kontakte zyrtare midis përfaqsuesve të feve dhe politikës, aq më mirë – jo vetëm në raste festash por gjithmonë!

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Arkipeshkevia, Frank shkreli, Njoftim, Tirane-Durres

ME 15 DHJETOR NDERROI JETE FAIK KONICA

December 15, 2016 by dgreca

1-faik-konica-6

Ne Foto: Faik Konica ne tetor 1909, i veshur me kostumin toske, me fustenelle, zbriti ne Boston…./

Ishte e hënë, ora 5 pasdite e datës 14 dhjetor, kur Faiku pësoi papritur hemoragji cerebrale. Hattie, që i kishte shërbyer prej vitesh, e gjeti të rrëzuar në hapësirën e ngushtë të banjës dhe e ndihmoi të shkonte në shtrat. Faiku kërkoi të telefonohej sekretarja dhe ajo arriti pas 30 minutash.

Charlotte ishte një grua e përpiktë dhe e sjellshme dhe Faiku i besonte ashtu si vetes së tij. I tha se kishte një dhimbje të fortë në sy dhe Charlotte propozoi të thërrisnin mjekun, Robert Oden.

Megjithë kundërshtimet e Faikut, mjeku u thirr. Dr. Oden, ndër më të njohurit e Uashingtonit dhe mik i vjetër i Faikut, e kuronte nga hipertensioni kronik prej 14 vjetësh. Dr. Oden i mati tensionin. Aparati tregonte 250/140 dhe mjeku tha se Faiku ishte në rrezik prandaj duhet të merrej një infermiere ose të dërgohej në spital. Në atë kohë hipertensioni nuk njihej mirë si sëmundje, por as Faiku nuk i dëgjonte këshillat e mjekut dhe nuk mbante dietë. Veç kësaj, pinte deri në tre paketa cigare në ditë.

Charlotte vendosi ta kalonte natën në apartament. Vonë në mbrëmje Faiku e thirri nja dy herë, pastaj kërkoi ujë. Para mesnate, kur Charlotte kishte filluar t’i shkruante një letër të shoqit, i cili shërbente në Forcën Ajrore, vuri re se Faiku kishte vështirësi në frymëmarrje por nuk dukej dhe aq keq. Sekretarja shkoi të marrë një sy gjumë në divanin e dhomës së ndënjes dhe u zgjua në 5 të mëngjesit. Ai dukej se flinte i pabezdisur, i shtrirë në kurriz me krahun e majtë nën kokë.

Nga ora 8, Charlotte shkoi ta shohë përsëri. Ai nuk kishte lëvizur fare dhe sytë i kishte paksa të hapur dhe të përhumbur. I telefonoi Dr. Odenit, i cili e udhëzoi t’i prekte dorën. Ajo ishte e ftohtë dhe e sertë. E kuptoi se Faiku ishte shuar.

Marre nga: Ilir Ikonomi “Faik Konica, Jeta ne Uashington”

Filed Under: Featured Tagged With: Faik Konica, Ilir Ikonomi, ME 15 DHJETOR, nderroi jete, Si Sot

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2323
  • 2324
  • 2325
  • 2326
  • 2327
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike
  • Lirizmi estetik i poetit Timo Flloko
  • Seminari dyditor i Këshillit Koordinues të Arsimtarëve në Diasporë: bashkëpunim, reflektim dhe vizion për mësimdhënien e gjuhës shqipe në diasporë
  • Ad memoriam Faik Konica
  • Përkujtohet në Tiranë albanologu Peter Prifti
  • Audienca private me Papa Leonin XIV në Selinë e Shenjtë ishte një nder i veçantë
  • PA SHTETFORMËSINË SHQIPTARE – RREZIQET DHE PASOJAT PËR MAQEDONINË E VERIUT
  • “Ambasador i imazhit shqiptar në botë”
  • “Gjergj Kastrioti Skënderbeu në pullat shqiptare 1913 – 2023”
  • Albanian American Educators Association Igli & Friends Concert Delivers Electrifying Evening of Albanian Heritage and Contemporary Artistry

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT