• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Drejtesi per Astritin-Kuvendi me mungesa kuorumi edhe sot në seancë

November 30, 2016 by dgreca

-Kuvendi i Kosovës me 20 pika në axhendë miraton Ligjin për Obiliqin, në mungesë kuorumi votimet tjera nesër/

1-parlamenti-bosh-Grupi parlamentar i partisë më të madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, që nga fillimi i seancës para foltores mbante një pankartë të madhe me mbishkrimin “Drejtësi për Astritin!”/

PRISHTINË, 30 Nëntor 2016-B.Jashari/ Me mungesa kuorumi, Kuvendi i Kosovës po zhvillon sot në një seancë plenare me 20 pika në axhendë, ku janë renditur 10 projektligje, 7 në shqyrtimin e parë e 3 në të dytin. Në nisje të seancës, me propozim të grupit parlamentar të PDK-së, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për zonën e rrezikuar mjedisore të Obiliqit dhe rrethit të tij, si u tha për rëndësinë që ka, nga pika e 13-të që ishte u vendos si pikë e parë dhe ligji u miratua me shumicë votash.

Grupi parlamentar i partisë më të madhe opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, që nga fillimi i seancës para foltores mbante një pankartë të madhe me mbishkrimin “Drejtësi për Astritin!”,  aktivistit të këtij subjekti politik që humbi jetën në paraburgim në Prizren. Kryetar i grupit parlamentar të VV-së, Glauk Konjufca, që e mori fjalën para deklarimeve jashtë rendit të ditës kërkoi seancë të jashtëzakonshme për Astrit Deharin. Propozimi për seancë të jashtëzakonshme sot nuk kaloi.

Pas kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, seanca e Kuvendit vazhdoi me shqyrtimin e parë të Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. Për ratifikimin e kësaj marrëveshje kërkohen të paktën 80 vota pro të Kuvendit të Kosovës 120 anëtarësh.

“Nesër në orën 10:00 bëhet votimi, debati konsiderohet i përfunduar”, tha kryesuesi i seancës, nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, derisa në sallë nuk kishte kuorum për këtë votim.

Kuvendi i Kosovës do vazhdojë punimet edhe pasdite me pikën e 10-të pas pushimit që u dha ndërsa edhe për pikat tjera që u shqyrtuan u paralajmërua votim nesër, kur pritet të ketë kuorum.

Për miratimin e Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Kosovë, i cili poashtu është në shqyrtim të parë, kërkohen të paktën 61 vota pro, prej tyre 11 vota pro të komuniteteve pakicë. Ky projektligj pritet se nuk do mund të kalojë pasi grupi Parlamentar i Listës Serbe me 11 deputetë vazhdon me “ngrirjen” gati dymuajëshe, nga 9 tetori, në Kuvendin e Kosovës, ku pakicat kanë gjithësej 20 deputetë.

Në shqyrtim të parë, sipas axhendës, janë edhe projektligjet për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës penale, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore, për kontrollin e brendshëm të financave publike, për Inspektoratin Shëndetësor, si dhe për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme në Kosovë.

Në shqyrtim të dytë janë edhe Projektligji për performancën energjetike në ndërtesa dhe Projektligji për akreditim.

Më tej në axhendë janë shqyrtimi i Raportit vjetor të Auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2015, i Raportit vjetor financiar të  Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm  për vitin 2015 dhe i Raportit për gjendjen e mjedisit në Kosovë për vitin 2015.

Shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2017, është pika vijuese që pasohet me shqyrtimin e Propozim-vendimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e pagës së kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Drejtorëve, të kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit, të Operatorit të Sistemit,  Transmisionit dhe Tregut-KOSTT, si dhe i Propozim-vendimit të Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e kompensimeve për kryetarin, nënkryetarët dhe anëtarët e Këshillit për Trashëgimi Kulturore.

Zgjedhja e 2 anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës, që bëhet me votim të fshehtë, është pika e fundit, e 20-ta, e seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës.Axhenda e seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës u vendos në mbledhjen e  Kryesisë me shefat e grupeve parlamentare, të mbajtur në mbrëmjen e 17 nëntorit pas tre takimeve me mungesa kuorumi. Kryesia u mblodh në fund të ditës kur në Kuvendin e Kosovës punimet e  vazhdimit të seancës plenare të 28 tetorit, të ndëprprerë në mungesë kuorumi, janë përmbyllur përsëri me mungesë kuorumi.

Një orë para Kuvendit u takua qeveria  e Kosovës në mbledhjen e 118-të të rregullt, të 50-ën në 2016-tën.Kuvendi i Kosovës i përbërjes aktuale pas pak më shumë se një jave mbushë dy vjet nga konstituimi në 8 dhjetor 2014, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.Po ashtu mbushë dy vjet qeveria e Kosovës, e koalicionit të dy partive më të madha, PDK e LDK, ku përfshihen edhe parti të vogëla dhe minoritetet, e zgjedhur në 9 dhjetor 2014 nga Kuvendi i konstituuar një ditë më parë.

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, Mungesa korumi, Parlamenti i kosoves

“Zemërgjërsia” paraelktorale e Qeverisë për pensionistët

November 30, 2016 by dgreca

nga Majlinda BUSHJA/
1-majlinda-bushjaKoha për t’i shpërblyer si duhet/

Tri përqind pritet rritja e pensioneve për vitin 2017, për pensionistët në fshat dhe qytet. Pranvera e vitit që vjen do t’i gjej pensionistët me pensione më të larta, dhe kjo është gjë e mirë për këtë shtresë të harruar, të lënë mënjanë e të vetmuar, dhe të braktisur në kohën e sotme. Na pëlqen apo jo ta pranojmë, kjo është e vërteta.

Por, kjo “zemërgjerësi” e qeverisë në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 nuk përmirëson realisht gjendjen ekonomike të pensionistëve, pasi këto dy vitet e fundit rritja e pensioneve nuk e ka kaluar masën 2 përqind. Një rritje e papërfillshme që nuk është se ka ndryshuar gjë deri më tani, (por që në vetvete tregon shumë). Madje, qeveria në mars të vitit që vjen pritet të rris edhe pagat e mjekëve dhe infermierëve  me 10 %, nga ku përfitojnë 4 650 mjek dhe 13 765 infermier, por edhe pagat e mësuesëve dhe të pedagogëve në masën 10%, ku përfitojnë rreth 34 630 mijë persona, madje ajo nuk ngurron të jetë zemërgjerë edhe me punonjësit e policisë ku pagat e nivelit bazë do të shkojnë nga 57 100 lekë në rreth 69 000 mijë lekë, ose do të rriten me 17% për 11 mijë punonjës të Policisë së Shtetit, dhe si për çudi në mars të vitit 2017, tre muaj para zgjedhjeve parlamentare. Por nuk është aq zemër gjerë me pensionistët, ku masa 3% nuk është se ngroh mirë portofolin e tyre.

Pavarsisht zhurmës mediatike që bën qeveria kur rrit pensionet, përqindja që vendos është e papërfillshme ose thënë shkurt, shumë zhurmë për asgjë. Kështu ndodhi edhe në korrik të këtij viti ku pensionet u rritën në masën 1.6%, thënë ndryshe, 130 lekë për pensionistët në fshat dhe 230 lekë për pensionistët në qytet. Një rritje e papërfillshme për rreth 635  000 pensionistë ku çmimet nuk janë rritur në të njëjtat nivele. Madje disa muaj më parë u fol në media dhe vazhdon të flitet se do të rriten pensionet e viteve 93’-96’ për disa kategoti të caktuara, si punonjësit e industrisë metarlugjike, saldatorët, industrisë së naftës, tekstileve, tezgjahistëve etj, por askush nuk është kujtuar për pensionistët në fshat që kanë dalë në pension në këtë periudhë, të cilët edhe këta kanë punuar në kushte të vështira ditën dhe natën dhe sot kanë një pension minimal, thënë shqip qesharak. Një pension që nuk i kalon 100 mijë lekë të vjetra në muaj, ose rreth 70 euro. Të ndërshkuar në atë kohë, por jo më pak tani, sepse ndërshkimi ekonomik është skllavëria e kohëve moderne. Të privon nga liria e vërtetë, por ta lë atë në parim.

Jam e bindur që sot pensionistët, veçandërisht në fshat konsideron një nga shtresat më të nëpërkëmbura për shkak të kushteve ekonomike në të cilat ndodhen, pavarsisht se është folur për të barazuar pensionin e fshatit me të qytetit asgjë nuk është bërë konkretisht. Nuk e ekzagjeroj po të them se gëzimi i vetëm i tyre është të mbushin barkun, e të mbyllin muajin pa lista borxhesh nëpër dyqane, pasi me pensionin që marrin ju duhet të paguajnë faturën e dritave, të ujit, të telefonit, ilaçet, veshjet, të jenë prezent në gëzime dhe hidhërime, etj, ndërkohë që për pushime as që mendohet. Dhe të bësh një llogari të thjeshtë me laps e letër, nuk është se mbet gjë sendi për konsum. Por këtë askush se vë re, pasi luksi i qeveritarve tanë, por jo vetëm, nuk i  lë kohë të reflektojnë, udhëtime të shpeshta jashtë vendit, qendrim nëpër hotele luksoze, dreka- darka  në restorantet nga më të shtrenjta, pushime përrallore. Madje Sekretarja e Përgjithshme e Kuvendit znj. Shtylla bën me dije duke informuar Byronë e Kuvendit se për vitin 2016 (periudha janar-tetor) janë kryer 362 udhëtime jashtë vendit, nga të cilat vetëm 70 me makinë, dhe për pjesën e mbetur të vitit  fondi që do të shpenzojë Kuvendi është 3 600 000 milionë lekë për udhëtime ndërkombëtare të deputetëve. Pra, koha dhe koka është shumë e zënë me axhendën e ngjeshur të përditshme, që lë vend pak për t’u marrë me pjesën më të diskriminuar ekonomikisht në shoqëri, siç është mosha e tretë.

Ndërkohë, nga ana tjetër pensionistëve ju duhet të jenë korrekt me faturat dhe detyrimet e tjera të përmuajshme, ju duhet të punojnë të sforcuar dhe të sëmurë për të siguruar asgjë më shumë se mbijetesën. Rastet nuk janë të paktë, por në të njëjtën kohë janë dëshmi e asaj që pensionistët po përjetojnë kudo ndodhen, veçandërisht në fshat. Ndërkohë, politikanët të të dyja kaheve gjuajnë njëri-tjetrin me llumin e fjalëve në rastin më të parë, në vend që të ulen të shtrojnë probleme për diskutim e të japin zgjidhje konkrete, të prekshme dhe efikase, për gjithçka ata kanë marrë përsipër, dhe që është emergjente.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: e qeverise, Majlinda Bushja, pensionistet, zemergjersia elektorale

Gjermani i fundit

November 30, 2016 by dgreca

Nga Ilir Levonja/1-ilir-levonja-2-288x300-11)Sherrin më të madh ne shqiptarët e kemi me gjermanin e fundit.1-nazistet

Kur iku. Kur e kapërceu gardhin aty në fushën e Shtojit. Një soj argumenti që mund të bëj qesharak çdo kastë akademikësh. Sidomos kur nxjerrin ca korrespodenca me letra nga fretërit katolikë.

1-ushtari-nazist-euml-plagosur-n-euml-1918-emri-i-tij-ishte-adolf-hitler_hd-1200x630

Këtej themi iku? Këtej flasim për fitore. Pa vënë re se shprehja na e vë në dyshim triumfin.
2)Në luftën e dytë botërore shqiptarët u gjënden gafil. Edhe pse kishin një shtet të tyre. Megjithatë dolën disa oficerë që duam apo nuk duam ne. Zbrasën armët. Edhe pse mbi koka kishin zhurma të hekurta të një superfuqie që i ishte drejtuar jugut të mesdheut.
Njëri nga këta doli armik, tjetri hero.
Më vonë ndryshuan raportet por sherri nuk u shua.
3)Ato dështime, apo kapitullime aleatësh. Sidomos në Abisini dhe Greqi. Të fashistit Duçe. I mori përsipër sivllau nazist. Siberia e madhe iu kthye një varr. Aq sa urrejtja mes popujve kaloi në një kafshëri njerëzore. Në drejtim të krimeve dhe shfarosjes. Ku nuk munguan edhe eksperimentet me qëniet e gjalla. Dhe ku padyshim edhe ne kishim rriskun tonë.
4)Në këtë kohë lufte. Edhe ne krijuam frontet. Që më pluset apo minuset. U përfshinë në ato grindjet tekash prej bejlerësh dhe pashallarësh. Tipare që i shohim edhe sot.
Njëra palë mendonte ashtu. Tjetra kështu. Në fund të gjithë flisnin për vendin e çliruar. Për luftë pushtuesit etj. Në fund, gjysma dolën armiq, gjysma u harruan. Gjysma u skllavëruan. Gjysma e gjysmës u dënua me gjyqe publike. Madje po publikisht u demaskuan në sheshe kryesore. Ca si tradhtarë, ca si kuislingë, ca si bashkëpunëtorë të italianëve, gjermanëve, inglizit, asfalisë, udbës, simit, inteligjent servisit etj.
Ndjeshmëria kombëtare u bë aq elektrike sa pretenca armik i popullit mund të priste koka me bollëk dhe bindje kristiane.
Tradhtia kombëtare u bë modë e ditës.
5)Megjithatë si me pushtuesin e parë, si me të dytin. Shqiptarëve iu dha rasti të ndiheshin komb. Një Shqipëri që sot tërbon fashistët moderne. Po ashtu dhe nazistët me kostume pushtetarësh pluralist.
6)Dhe sikur të fitonte boshti. Mbase sot do kishim heronjë të tjerë.
7)Në fillimet e qeverisjes, fitimtarët u thanë njerëzve që, me që Skëndërbeu ngriti flamurin më 28 nëntor. Po kështu edhe Ismail bej Vlora. Edhe ne po i bëjmë dy gëzime në një ditë. Flamur e çlirim.
Pastaj në një entuziast pijesh dhe internocialistësh, miqësish me Beogradin. Për nder të datëlindjes së Jugosllavisë, 29 nëntor 1943.
E bënë dhe shqiptarët si aleatët.
Megjithëse praktikat e shteteve në vende të rajonit argumentohet ndryshe. Deri me datën e çlirimit të kryeqytetit. Por jo me togfjalshin gjermani i fundit. Por kjo nuk ka asnjë rëndësi.
Rasti jonë është unik. Vetëm ne dimë ta bëjmë mizën buall.
Për dyzet vjetë nuk e diskutuam. Vendosëm dhe pikë.
8) Në demokraci na u shpik kjo sëmundje. Gjermani i fundit.
9)Dhe me që e kemi me gjermanin. Ky 28 e 29 nëntor i 2016-ës është më ironiku i fatit tonë. Brenda dy tre ditëve u shqyem duke sharë një gjerman. U shqyem duke mallkuar Gjermaninë pushtuese. Dhe bashë kësaj Gjermanie po i lutemi.
Madje kësaj here një femre me emrin Angela Kasner Merkel.
Një bashkëkombase me atë gjermanin e fundit në fushën e Shtojit.
10)Sapo erdhi nga lëpirjet e shtetarit radhor, shqiptar.
Kyeminstri më i paftë i ballkanit perëndimor. Një pinjoll i atyre që pretendojnë se i panë shpinën gjermanit të fundit. U dha një darkë me shishe plastike. Nga ato të shumicës. Me Fanta, cola e sprite.
Një grupi gjysmë gjumë dekoratash kallpe. Atyre që pak vite më parë i konsideronte si shkaktarë të një lufte vëllavrasëse.
Duke kërcyer bythësh, i mburrej se si ia mori premtimet sundimtares së re. Atë që e kërkonin ”tradhtarët” e kombit vite më parë.
I dha darkë e i ngopi me demagogji gjysma gjumët. Të cilët në vend që t’ia derdhni shishet e shumicës në kokë. Dëndën veten me premtimet perverse të shtetarit të radhës. Ndofta mbase dhe u pëlqen të kështu. Të ndarë në një vend të ndarë. Në një vend plot heronjë sa për aspirina e fenaskonë. Dhe plot me tradhtarë.
11)Kur ia thanë Angela Kasnerit. Apo Angela Merkelit historinë e sherrit të shqiptarëve me gjermanin e fundit. Qeshi dhe tha:
-Shqiptarët vdesin për dashnoren e fundit. Më qëlloi të shihja edhe një lokal me emër të tillë.

Filed Under: Opinion Tagged With: Gjermani i fundit, Ilir Levonja

VDEKJE FASHIZMIT, RROFTË FASHISTJA!

November 29, 2016 by dgreca

1-djalli-ne-histori

Nga Frank Shkreli/

1 Frank shkreli (2)

Historiani shqiptar Kastriot Dervishi ka botuar ditët e fundit një dokument, sipas të cilit provohet se Nexhmije Hoxha, bashkshortja e diktatorit komunsit shqiptar, Enver Hoxha, në rininë e saj, para se të behej komuniste e devotshme, na paska qenë e regjistruar në Partinë Fashiste.  Megjithëse dokumenti konsiderohet original, disa janë shprehur se Nexhmije Hoxha nuk ka qenë fashiste por vetëm e regjistruar në Rininë Fashiste.  Ky pretendim është sikur të thuash se “pionerët e Enverit” nuk ishin komunistë dhe nuk mbështesnin regjimitin e tij brutal. Dihet se organizata të tilla kishte nën fashizëm dhe nën komunizëm.  Më kujtohen zgjedhjet e para “pluraliste” të vitit 1991, kur isha në Tiranë me delegacionin e parë të Departmentit të Shtetit për të hapur ambasadën e parë amerikane atje dhe për të marrë pjesë si vërejtës në ato zgjedhje.  Kujtoj rastin kur për herë të parë, me të arritur në Tiranë, na ra në dorë lista e partive të regjistruara që do të merrnin pjesë në zgjedhje, ku përveç Partisë së Punës, Partisë Demokratike dhe Partisë Republikane ishin të renditura edhe Fronti Demokratik, Bashkimi i Grave, Bashkimi i Rinisë, Partia Agrare, Komiteti i Veteranëve dhe kandidatë të “pavarur”.  Reagimi i parë i kolegëve të mi amerikanë ishte pozitiv se në sipërfaqe dukej si një garë elektorale me të vërtetë pluraliste, por entuziazmi i tyre u shua shpejt kur u thashë se këto organizata ishin satelite të Partisë së Punës dhe se garonin me të njëjtit kandidatë koalicioni të PPSH-së dhe si të tilla ishin krejtsisht të varura nga PPSH-ja.  Me këtë dua të them se në këtë mënyrë vepronte edhe fashizmi në rininë e Nexhmijes, ndërsa krijonte organizata të ngjashme satelite si këto të Partisë së Punës së Shqipërisë më vonë për tu dukur më “demokratike” dhe më “gjithëpërfshirëse”. Nuk ka aq shumë rëndësi nëse Nexhmije Hoxha e pranon vërtetësinë e dokumentit që provon antarësimin e saj në Partinë Fashiste, ose jo. Është e natyrshme që ajo do të përgnjeshtrojë një gjë të tillë. Ç’pret tjetër. Por ajo nuk mund të mohojë gjërat e përbashkëta që, sipas studiuesve dhe historianëve perëndimorë, ekzistojnë midis komunizmit dhe nacizmit.  Me Nexhmijen dhe me antarsimin e saj në Partinë Fashiste le të merren historianët, por deshta vetëm të ve në dukje atë që me qindra historianë dhe ekspertë perëndimorë, të cilët me librat, me dokumentarët, me studime dhe analiza të ndryshme kanë dokumentuar historikisht dhe shkencërisht, se këto dy regjime ekstremisht brutale të shekullit të kaluar, kanë shumë gjëra të përbashkëta dhe si diktatura, pavarsisht se përpiqen të dallohen nga njëra tjetra, në të vërtetë janë njësoj, sidomos për nga brutaliteti qqë kanë përdorur ndaj kundërshtarve të vet dhe të tjerëve.  Prandaj nga ky këndveshtrim nuk është vështirë të shihet se kalimi i Nexhmije Hoxhës nga Partia Fashiste në Partinë Komuniste, duhet të ketë qenë një vendim jo vetëm oportunist, por edhe krejtsisht i natyrshëm për të, kur të merren parasyshë ngjashmëritë midis dy ideologjive totalitare, komunizmit dhe fashizmit.  Siç thashë më lartë, në botën perëndimore ka një literaturë të pasur, librash, studimesh dhe analizash mbi baraz-vlerat dhe ngashmëritë – si në teori ashtu edhe në praktikë — midis këtyre dy ideologjive radikale të cilat gjatë shekullit të kaluar sollën pasoja të tmershme katastrofike për Europën dhe për mbarë botën, me pasoja të cilat shihen edhe sot e kësaj dite në shumë vende ish-komuniste, përfshirë edhe Shqipërinë.  

Një ndër këto studime akademike është edhe libri i botuar para dy tre vitesh nga Profesori i Shkencave Politike të Universitetit Maryland këtu në Shtetet e Bashkuara, Vladimir Tismeanu, me titull, “Djalli në Histori – Komunizmi dhe Fashizmi”.  Në këtë studim, Profesori amerikan Tismeanu, me origjinë nga Rumania, krahason komunizmin me fashizmin, si dy sisteme garuese me njëri tjetrin, por gjithashtu edhe si dy sisteme që për nga zhvillimi dhe ushtrimi brutal i pushtetit, puqen në ideologjinë e tyre të totalitarizmit djallëzor, në emër të parimit të një nështrimi të përgjithshëm skllavërues të njeriut ndaj regjimit.   Profesori Tismeanu krahason ngjashmëritë midis këtyre dy sistemeve politike më të përgjakshme që ka njohur historia.  Në librin e tij, “Djalli në Histori”, Profesori i Universitetit Maryland shqyrton, ndër të tjera, se si është e mundur që frymëzimet utopike që u propaganduan nga regjimet komuniste dhe fashiste në Europë fillim shekullin e kaluar për një revolucion botëror dhe rilindje kombëtare, të këtheheshin në regjime vrasëse.  Si është e mundur që një gjë e tillë të ndodhte?  Si është e mundur që dy sisteme, që në sipërfaqe dukeshin si krejtsisht ndryshe nga njëri tjetri, të bënin krime të përmasave të tilla kundër njerëzimit, duke krijuar Auschwitzin nazist dhe gulage komuniste anë e mbanë Europës.   Libri në fjalë u përgjigjet disa pyetjeve themelore mbi moralin dhe politikën, që do e s’do, janë pyetje që rrjedhin nga krahasimi i ngjashmërive midis nacizmit dhe komunizmit, dy sisteme që më në fund, nënvijon autori, dështuan mizorisht ekonomikisht dhe politikisht, por që përfunduan në humbje të mëdha në jetë njerzish të pafajshëm.  Një ndër shqetësimet e tij është përballimi ose mungesa e përballimit me historinë.  Profesori Tismeanu shkruan se është me rëndësi të përballohemi me të kaluarën.  Për tu marrë me të kaluarën, sado e vështirë të jetë ajo, është një lloj terapie për individët dhe për shoqërinë, thotë ai. Tismeanu thekson se nuk mund të ketë heshtje ose të ndërtohet një mur që të ndajë të tashmen nga e kaluara e turbullt, nëqoftse një shoqëri  është seriuoze dhe dëshiron t’a distancojë veten nga tmerret e nacizmit dhe të komunizmit.  

Profesori Tismeanu shkruan se megjithëse regjimet totalitare të shekullit të kaluar identifikohen me emërat e Leninit, Hitlerit, Stalinit dhe adhurueseve të tyre komunistë anë e mbanë Europës dhe ndonëse këta ishin të pa moral dhe vrarës psikopatë, është e vështirë, thotë ai, të shpjegohet mbështetja ndaj këtyre diktatorëve të cilët konsideroheshin si perendi nga turma të mëdha të popullit.  Është vështirë të shpjegohej, jo vetëm atëherë, por edhe sot, përkrahja që vihet re nga një numër nostalgjikësh, sidomos ndaj komunizmit dhe ndaj këtyre diktatorëve të mëdhej dhe atyre më të vegjël, si Enver Hoxha dhe Nexhmije Hoxha.  Për të kuptuar barbarizmin e këtyre dy regjimeve – komunizmit dhe nacizmit – profesori Tismeanu thotë se është e nevojshme që sot të përballemi me teoritë dhe praktikën e këtyre regjimeve si dhe me mendimet dhe ideologjitë që frymëzuan një shkatërrim të tillë në masë, nga dy sisteme: komunizmi dhe nacizmi, njëri i të majtës ekstreme dhe tjetri i të djathtës ekstreme, por të cilët në fund të fundit, kanë aq shumë gjëra të përbashkëta midis tyre.

Prandaj, debati aktual nëse Nexhmije Hoxha ishte anëtare e Partisë Fashiste, e Rinisë Fashiste a po e Partisë Komuniste, nuk ka asnjë rëndësi fare, pasi këto sisteme nuk dallohen shumë nga njëri tjetri. Njëri sistem nuk ishte më i mirë se tjetri, përkundrazi, ata puqen me njëri tjetrin për nga brutaliteti dhe për nga krimet kundër njerzimit.  Shoqja Nexhmije duket se e paska ndjerë veten rehat si në njërën ashtu edhe në tjetrën.  Më rëndësi ka zhvillimi i një debati serioz se si të shkëputet Shqipëria dhe shqiptarët njëherë e mirë nga trashëgimia e regjimit komunist të Enver Hoxhës dhe Nexhmije Hoxhës. Kur do të marrë marrë fund periudha e ashtuquajtur “post-komuniste”?  Kur do të ndahet kjo klasë politike, qeveritë dhe autoritetet post-komuniste shqiptare të 25-viteve të fundit nga sjelljet autoritare të para-ardhësve të tyre komunistë?  Kur do të hapen dosjet, që e vërteta të dalë në dritë, që e bardha të ndahet nga e zeza, më në fund. Njëri nga deputetët socialistë shqiptarë u shpreh ditët e fundit se anti-fashizmi është një vlerë perëndimore, gjë që është e vërtetë.  Por deputeti socialist dështoi të thonte njëkohsisht se edhe anti-komunizmi është një vlerë perëndimore. Pa vlerat perëndimore anti-komuniste dhe anti-fashiste dhe pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara, zor se ishte fituar lufta kundër fashizmit dhe komunizmit. Vlerat perëndimore nuk mund të pretendohen duke ruajtur me fanatizëm trashëgiminë e regjimit diktatorial komunist të Enver Hoxhës.  Për hir të vlerave perëndimore, kemi nevojë për pak më shumë dritë nga ajo periudhë e errët, ju lutem!  

 

                                Ballina e librit “Djalli në Histori” e autorit amerikan me origjinë rumune, V. Tismeanu

Filed Under: Politike Tagged With: Frank shkreli, RROFTË FASHISTJA!, VDEKJE FASHIZMIT

SHPIRTI VATRAN DHE FESTA E 28 NENTORIT 2016 NË NJU JORK

November 29, 2016 by dgreca

NGA DALIP GRECA/

1-albnainan-hymn-asll-bucaj4

Presidenti i Nderit i Vatrës, 91 vjeçari Agim Karagjozi dhe Jonuz Ndreu(i paralizuar) sfiduan pleqërinë dhe sëmundjet dhe erdhën në Festën e Flamurit. Ata ishin “heronjët” e festës së Flamurit këtë radhë. Që të dy, ikona të nacionalizmit shqiptar, që përfaqësojnë shpirtin e qëndresës vatrane. Nju Jorku pati dy manifestime kryesore për 28 nëntorin e këtij viti, një me 26 Nëntorit, ku u tubuan ata që për dy vite i bashkohen ansambëlmenit Mark Gjonaj, një nismë që mbushi 2 vjetë- dhe ai tradicionali, 104 vjeçar, tubimi i Vatrës dhe Bashkësisë shqiptare( Komunitetet Fetare, Vatra, Legaliteti, Rrenjët Shqiptare(Albanian Roots), Shoqata “Rugova”, Shoqata “Miqtë e Korçës”, “Albanian Ameican Open Hand Association INC”) etj.Në mbrëmjen e Vatrës ishin të pranishëm te tre brezat,- të rinjët dhe fëmijët e panë me sytë e tyre se ç’është magjia e Flamurit Kombëtar; ata përjetuan në shpirtrat e tyre, dashurinë për Flamurin dhe përlotjen para Flamurit të dy vatranëve veteranë. Ç’magji veproi tek këta dy vatranë të moshuar e të sëmurë, që të braktisin shtratin për të ardhë në Festën e Flamurit? Ky është sekreti i Vatrës, që nuk arrijnë ta kuptojnë disa, natyrisht të vonuar në festa të tilla. Kështu e kanë ruajtur jetëgjatësinë e Federatës vatranët e dimrit dhe të beharit. Ata qëndruan edhe atëherë kur shteti komunist u kundërvinte “militantët” që valonin Flamurin me yll(Beogradi dhe Tirana, në këtë pikë bashkoheshin). Vatranët nuk u dorëzuan; e mbajtën fort Flamurin kuq e zi. E mbajnë edhe sot. Do  ta mbajnë edhe nesër.

1-alb-dom-pjeter1-agimin1-a-nuzi-torte1-ambasad-besiana1-ambasad-teut-2

***

Nuk ka qenë i lehtë hartimi i kronikës së Festës të Flamurit, Organizuar nga Federata Panshqiptare e Amerikës VATRA, mbrëmjen e së Dielës, 27 Nëntor 2016 në EastWood Manor në Bronx, NY. Sa herë e skicoja në mendje kompozicionin e kronikës,më prishej rregulli tradicional i ndërtimit të një kronike klasike, ku nisja duhet bërë nga Hymnet, bekimi i festës, prezantimi i të ftuarëve kryesorë; ambasadorëve, politikanë, përfaqësuesëve të organizatave, fjalimmbajtësit  etj… E nisja kronikën dhe e fshija sërish nga kompjuteri sepse  më dilnin përpara dy simbolet e Vatrës,protagonistët e Festës, që kishin ardhë me sakrifica të mundimshme deri aty; njëri (Jonuz Ndreu) i ulur në karrocë (Welchair) pas paralizës që ka pësuar prej kohësh dhe i ndihmuar nga vajzat e tij Desi dhe Xhemilja,Sokoli, Astriti,Çezari, Fatbardhi,  Kastrioti, Shpetimi dhe të afërmit e dashur të tij,përfshi dhe një tavolinë me miqtë e tij, si dhe Agim Karagjozi i ndihmuar nga i biri Zyhdi Karagjozi dhe nipi…

dsc012821-ansambel-flet-mark1-gjoni-flet1asllan-salle1-a-salle-polt-valle

Ata ishin protagonistët e mbrëmjes. Shumë prej të pranishmëve në festë nxitonin të kishin një foto kujtimi me Inxhnier Agim Karagjozin, president Nderi i Vatrës, drejtues i saj për dy dekadash, dhe Jonuz Ndreun, ish ushtarak amerikan, pinjoll i Ndrejëve, nip i Elez Isufit,piramidës së kufijëve të Atdheut, vatran deri në kockë. Ata ishin “heronjët” e festës së Flamurit këtë radhë. Që të dy, ikona të nacionalizmit shqiptar, që përfaqësojnë shpirtin e qëndresës vatrane.

1-dega-queensdsc01230dsc013411-albanian-salledsc01595

…Nuk e di nëse mund t’ia ofroj përfytërimin e atmosferës lexuesve të largët, që nuk ishin natën e festës me vatranët. Askush prej organizatorëve nuk mund të arrijë që të sjellë në Festën e Flamurit burra të tillë, që e kanë në shpirt Flamurin si simbol të Kombit. Çdo llojë organizatori, mund të bashkojë qindra, ndoshta dhe mijëra pjesmarrës në një festë, por nuk mund të sjellë burra të atillë që  Flamurin e kanë të shenjtë dhe për të kanë luftuar tërë jetën, dhe në nder të Flamurit Kuq e Zi, braktisin shtratin, ku shtyjnë sëmundjen dhe vijën e bashkohen me brezat e vatranëve. Ata që në karrierën e tyre janë “takuar” vonë me Flamurin Shqiptar, e kanë të pamundur t’i kuptojnë se çfarë i detyron ata për të qenë pjesë e Festës së Flamurit, edhe kur shëndeti nuk i lejon, edhe sëmundja i tërheq nga vetja… Duhet ta kesh në gjak atdhetarizmin, ja kështu si këta….shpirtrat e këtyre burrave atdhetarë janë të njësuar me Flamurin si akt patriotizmi dhe atdhedashurije.Vatrani veteran Jonuz Ndreu ka porositë edhe një tortë me Flamurin Kuq e zi. Ç’dhuratë më të bukur do të kishte ajo mbrëmje përveçse asaj torte me Flamurin kuq e Zi?

Dikush më pyeti në mbrëmjen e darkës së Flamurit: Përse nuk u bashkuat me manifetsimin e Bruklinit?Ç’ti thosha? Ajo traditë e re bashkimi nisi vjet,ndërsa këta vatranë dhe bashkësia shqiptare kanë 104 vjet bashkë që mbahen pas atij Flamuri. Ata ishin tek Flamuri,kush guxon t’u thotë: Lereni se tash do ta marr unë Flamurin?!Ta fillosh tani traditën do të thotë të fshishë nga kujtesa 104 vite! Po atëherë përse i numërojmë vitet nga 28 Nëntori i 1912 deri më sot? Kur shoqatat e  katundeve dhe krahinave në Amerikën e Veriut u bashkuan më 28 Prill 1912 në Vatër, Faik Konica tha: Tash do të bëhet Shqipëria! Po mos vallë, 104 vite më pas, duhet të kthehemi sërish tek shoqatat krahinore për të bashkuar Kombin?

Në mbrëmjen e Vatrës ishin të pranishëm te tre brezat,- të rinjët dhe fëmijët e panë me sytë e tyre se ç’është magjia e Flamurit Kombëtar; ata përjetuan në shpirtrat e tyre, dashurinë për Flamurin dhe përlotjen para Flamurit të dy vatranëve veteranë. Ç’magji veproi tek këta dy vatranë të moshuar e të sëmurë, që të braktisin shtratin për të ardhë në Festën e Flamurit? Ky është sekreti i Vatrës, që nuk arrijnë ta kuptojnë disa, natyrisht të vonuar në festa të tilla. Kështu e kanë ruajtur jetëgjatësinë e Federatës vatranët e dimrit dhe të beharit. Ata qëndruan edhe atëherë kur shteti komunist u kundërvinte “militantët” që valonin Flamurin me yll(Beogradi dhe Tirana, në këtë pikë bashkoheshin). Vatranët nuk u dorëzuan; e mbajtën fort Flamurin kuq e zi. E mbajnë edhe sot. Do  ta mbajnë edhe nesër.

Bashkë me Vatrën në Nju Jork edhe degët e saj në Amerikë e Kanada organizuan festimet e Pavarësisë. Vetëm në Florida Vatra kishte tri manifestime. Dega e Tampës mblodhi 650 vetë ën manifestimin e saj, por ambasadorja e shtetit shqiptar, nuk iu përgjigj ftesës së Vatrës. Vatarnët nuk mërziten ata i kanë bërë festat e Flamurit pa ambasadorë për 50 vitet e  Komunizmit, kështu që mund ti bëjnë edhe tani. Gjithësesi gazeta Dielli e pasqyroi aktivitetin, ku shkoi ambasadorja.

Vatra e organizon Festën e Flamurit si detyrim shpirtëror të parardhësve të vet, ndërkohë që sot përpiqen që ta shfrytëzojnë këtë ditë edhe për të bërë para’, edhe për të bërë karrierë, ca janë kthyer në “tregtar Flamujsh”. Për këtë ditë të shënuar duhet jo vetëm të festojmë, por edhe të reflektojmë.Siç thoshte luftëtari i lirisë, një ndër ata që qenë krah Ismail Bej Qemal Vlorës në aktin historik të ngritjes së Flamurit me 28 Nëntor, tribuni  Luigj Gurakuqi:” E kremtja e 28 Nândorit duhet të jetë për né të gjithë, jo vetëm nji ditë gëzimi e dëfrimi, por edhe nji ditë pendimi në të cilën të mbledhim mendjen e të bâjmë sqyrtimin e vetdijes s’onë. Në këtë ditë duhet të vêmë të gjithë dorën në zemër e të pyesim veten t’onë ndë a kemi bâmun gjithkund e gjithmonë detyrën qi kishim përpara Atdheut.?”

Shembulli i dy vatranëve na dikton respekt: Faleminderit Agim Karagjozi! Faleminderit Jonuz Ndreu! Na  e hijeshuat Festën e Flamurit!Po kjo diasporë,a  do ët reflektojë ndonëjherë se si po e kryen misionin e saj për të frenuar asimilimin e shqiptarëve, veçanërisht në Mal të Zi, Luginën e Preshevë-Bujanoc, detyrimin që ka ndaj Çamërisë, apo do të vazhdojë me folklorizëm derisa të asimilohen fare vëllezërit tanë ? Ja ky do të përbënte aktin e Pendimit tonë për detyrën e moskryer, qoftë dhe në Samitin e Kryeminsitrit në Tiranë.

KRONIKA E FESTIMIT

Manifestimi i përvitshëm i Festës së Flamurit nga Vatra dhe Bashkësia shqiptare në Nju Jork, u mbajt të Djelën me 27 Nëntor 2016 në EastWood Manor. Një sallë e madhe me kapacitet prej rreth 600 vendesh, hijeshuar me flamuj kombëtarë dhe ngyrat kuq e zi, ishte e mbushur plot. Tre breza festuan bashkë. Fëmijët dhe të rinjët ishin veshur me simbole kombëtare.Manifestimin e Vatrës e nderuan:Ambasadorja e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Besiana Kadare, Konsullja e përgjithshme e Kosovës në Nju Jork, ambasadorja Teuta Sahatçiu,ansambëlmeni i shtetit të Nju Jorkut Mark Gjonaj, Famullitari i kishës “Zoja e Shkodrës” dom Pjetër Popaj, Imam Muhamet Osmani i Qendres Islame Shqiptaro-amerikane ne Garfield dhe Xhamine e Brooklynit,  dhe nje grup përfaqësues nga Qendra Islame Shqiptare në Garfield, NJ, Imam Edin Gjonaj nga Qendra Shqiptaro-Amerikane Islame në Queens, si dhe ligjëruesit e Simpoziumit për Faik Konicën, studiuesit Fotaq Andrea dhe Arjeta Ferlushkaj.

Festën e ka hapë zv/kryetari i vatrës Asllan Bushati. Në fjalimin e tij z. Bushati tha: Të nderuar bashkatdhetar, përfaqesues të komuniteteve fetare, diplomatë, vatranë, përfaqesues të medias, artistë dhe të rinj të komunitetit shqiptar  në NY dhe më gjërë. Më lejoni që në emër të organeve drejtuese të Vatrës ( të Këshillit Drejtues dhe të Kryesisë), të Kryetarit Dr.Gjon Buçaj dhe të komisionit të organizimit të përvjetorit të 104 të pavarsisë t’ju uroj mirseardhjen.

Vatra jonë e dashur  gati 105 vjeçare, si asnjë institucion ose organizëm shtetror, për të 104-tën herë në vazhdim të traditës së trasuar nga korifejt e saj Faik Konica e Fan Noli, vazhdon të festojë ditën e Flamurit tonë Kombetar dhe ditën e Pavarsisë. Këto festime do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, jo 104 por ndoshta edhe 1004 vite të tjera, sepse Vatra është simbol i bashkimit për çuarjen përpara të çeshtjeve e të punëve të mëdha kombëtare.Parlamentarët, qeveritë e të zgjedhurit vendor e qëndror shkonë e vijnë, por Vatra jonë e dashur do të ndjek traditën dhe do të jetë oponencë e qeverive e personaliteteve të larta të zgjedhura, për të çuar gjithnjë përpara kauzën kombëtare shqiptare.Te nderuar bashkatdhetar, në një periudhë të shkurtër kohore, Vatra ka organizuar aktivitete të rëndësishme kushtuar figurave të  madhore të Kombit si Fan Noli, Arshi Pipa, Akademik Mark Krasniqi, por më e rëndësishmja ka qenë ajo e këtij viti (2016), “Viti Konica”, e cila u mbyllë dje me një konferencë shkencore, promovim librash, konkurs  letrar dhe ekspozitë. Në këtë aktivitet morën pjesë me libra, studime, ese, artikuj studimor etj, personalitete të ndryshme dhe njohës të mirë të të madhit Faik Konica, një prej të cilëve është sonte midis nesh, Zoti Fotaq Andrea të cilin gjej rastin ta  përshëndes përzemersisht. Por një punë të madhe dhe të mundimëshme ka bërë edhe grupi i  punës i Vatrës  ku dëshiroj të veçoj “trup vogëlin e punëmadhin “, anëtarin e Kryesisë dhe Editorin e “Diellit”, Zotin Dalip Greca ,pa të cilin do të ishte i pamundur përfundimi me sukses i aktivitetit.Me këtë rast e përshëndes atë me shumë respekt. Po ashtu dëshiroj të përshendes edhe anëtarin e Kryesisë së Vatrës Prof. Mithat Gashi dhe antarin e Keshillit Drejtues gazetarin e studiuesin e nderuar Idris Lamaj per ndihmesen qe dhane.

Aktivitetet e Vatrës janë të shpeshta, por ato  do të ishin të vakta e deri të pamundura për t’ja bërë me dije publiku, pa ndihmesën e madhe që na ka dhënë TV Kultura Shqiptare me të nderuarin Adem Belliu, Gazetarin e TV 21  Halil Mula, gazetari e fotografi i talentuarin Dritan Haxhia dhe miku i  Vatrës gazetarin Beqir Sina, të cilët i përshëndes  gjithashtu përzemërsisht.

Të nderuar pjesëmarrës më lejoni që si moderator të kësaj mbrëmje   t’ju praqes artistin shumë të mirnjohur të të gjithë trevave kombëtare dhe vatranin e nderuar Frederk Ndoci, i cili me zërin e tij brilant, me kolegët e tjere këngëtar dhe me orkestrën e tij, do te na argëtojë me këngë e valle nga gjithë trojet kombëtare.

BEKIMI I FESTËS, MESAZH DASHURIE PËR KOMBIN DHE FLAMURIN

Në traditën e Vatrës,janë pjesmarrës të tre besimet fetare, ku çdo vit e mbanë fjalimin njëri prej klerikëve. Këtë festë e bekoi famullitari i Kishës Katolike Shqiptare dom Pjetër Popaj. Me një gjuhë të bukur shqipe, me fjalë të zgjedhura, ai përcolli mesazhe kombëtare.Duke iu drejtuar personaliteteve të ftuara; klerikëve, ambasadores Kadare, Konsulles Sahatçija, Kryetarit të Varës dr. Gjon Buçaj, vatranëve,të gjithë pjesmarrësve, dom Pjetër Popaj uroi Festën e Flamurit! Për çdo vjet, tha Ai, e kremtojmë këtë festë duke falenderuar Zotin, dhe duke kujtuar e nderuar heronjët tanë, që kanë dhënë jetën për këtë ditë. Dita e Pavarësisë është edhe dita e përgjegjësisë. Në këtë përkujtim mbajmë gjallë ndjenjat tona kombëtare, dashurinë tonë për Atdhe e histori.

Më tej ai citoi Faik Konicën:”Kujtimi i 28 nëntorit të 1912-ës, nuk është një goditje kundra fqinjëve tanë, jo lakmimesh e rrëmbimesh por kujtime për vetmbrojtje me mundime të palodhura dhe me trimërira të gjata e të forta, që kanë lënë gjurmë në letërsitë e gjithë popujve të qytetëruar.”

Kjo ditë do të ishte edhe më e gëzuar po të valvitej Flamuri i Kastriotit, Ismail Qemalit,Dedë Gjo Lulit,  At Gjergj Fishtës, mbi truallin e Shqipërisë së bashkuar. Ne kemi Kosovën shtet të dytë shqiptar, por pjesë të tjera janë akoma të cunguara: Çamëri, Maqedoni, e Mal të Zi.Por megjithëse nuk i kemi trojet e bashkuara, ne e kemi Kombin të bashkuar. Kur komunikojmë me njëri tjetrin, nuk pyesim se prej nga është personi, por kush është. Ai apo ajo, është vëllai apo motra jonë, janë shqiptarë.Kjo është një dhuratë prej zotit që armiku nuk mundet kurrë me na e marrë.

Ne tha Dom Pjetri, respektojmë ndryshimet krahinore, fetare, partive, moshave, nivelit edukativ etj; këto nuk janë përçarje, por pasuri.Janë sikur ngjyrat të bukura të luleve që hijeshojnë kopshtin. Janë sikur thotë Shën Pali:Shumë gjymtyrë që përbëjnë një trup të vetëm.

Armiqtë tanë, duke okupuar trojet shqiptare, kanë menduar se do të na përçajnë si komb. Bashkimi me njëri tjetrin ka qenë bekim prej Zotit dhe na ka ruajtur ndër shekuj. Kjo është porosia e baballarëve tanë:Mos harro se kush je dhe se kujt i përket!

Dom Pjetër Popaj bëri apel për mosasimilim:Mos asimilohemi menjëherë, duke mësuar gjuhë të huaja e të harrojmë gjuhën tonë, se kemi për të harruar edhe njëri tjetrin. Të sjellim ndër mend vargjet e poetit Kombëtar At Gjergj Fishta:

….mallkue njai bir Shqyptari,
qi kete gjuhe te Perendis’,
trashigim, qe na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thafte, po, goja,
qe perbuze kete gjuhe hyjnore;
qi n’gjuhe t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e len mbas dore…

Kremtimi i kësaj feste tha dom Pjetër Popaj, nuk është vetëm përkujtim i ngjarjes së 28 Nëntorit të vitit 1912, por është ditë ripërtëritje të dashurisë për Atdheun tonë, Kombin tonë e për Historinë tonë të përgjakur. Duke u përngja dëshmorëve të Kombit, të punojmë së bashku panda për të mirën e përbashkët sepse duke ruajtë identitetin tonë, ne ruajmë vetëveten.

Famullitari dom Pjetër Popaj do të mbyllte fjalimin e tij me urimet:

Gëzuar Dita e Pavarësisë!

Zoti e bekoftë Shqipërinë, Kosovën e trojet etnike shqiptare!

Zoti e bekoftë Amerikën

Zoti e bekoftë popullin shqiptar.

Zoti na bekoftë të gjithë neve, këtë tubim, si dhe ushqimin që po marrim prej bujarisë së Tij, Amen!

Imam Osmani që e ka marrë fjalën pas, tha s enuk kishte çfarë t’i shtonte bekimit të dom pjetër Popaj, por Falenderoj Zotin,që e ka ruajtë Kombin shqiptar.

 

PËRSHËNDETJET E MYSAFIRËVE

Mysafirëve të nderuar ua uroi mirëseradhjen Kryetari i Federatës Panshqiptare të Amerikës”VATRA”  dr. Gjon Buçaj. Ai i prezantoi me radhë: Ambasadoren e Shqipërisë në Kombet e Bashkuara Besiana Kadare, Konsullen e përgjithshme të Kosovës në Nju Jork, ambasadoren Teuta Sahatçiu,ansambëlmenin e shtetit të Nju Jorkut Mark Gjonaj, Famullitarin e kishës “Zoja e Shkodrës” dom Pjetër Popaj, Imam Muhamet Osmani i Qendrës Shqiptaro-Amerikane në Nju Xhersi dhe Xhamise se Brooklynit, si dhe një përfaqësi e  Qendres ne Garfield NJ,  Imam Edin Gjonaj nga Qendra Shqiptaro-Amerikane në Queens,si dhe ligjëruesit e Simpoziumit për Faik Konicën, studiuesin Fotaq Andrea dhe Arjeta Ferlushkaj.

Dr. Buçaj i falenderoi të gjithë pjesmarrësit dhe në mënyrë të veçantë dy vatranët veteranë,që ia kishin shtuar vlerat këtij manifestimi, z. Agim Karagjozi dhe Jonuz Ndreu.

Një përshëndetje të veçantë u drejtoi të pranishmëve  Shefja e Misionit Shqiptar në Kombet e Bashkuara, ambasadore Besiana Kadare. Ajo përgëzoi Vatrën dhe Bashkësiën Shqiptare për këtë manifestim dhe foli për vlerat e Diasporës, duke i dhënë rëndësi të veçantë Samitit të Diasporës, si i pari manifestim i bashkuar i Diasporës. Më pas ajo vlerësoi hapat e shtetit shqiptar drejt marrjes së Ftesës për anëtarsim në Bashkimin Europian.Në përshëndetjen e saj Konsullaj e përgjithshme e Kosovës, Ambasadorja Teuta Sahatçiu, ka falenderuar Vatrën, për mbajtjen gjallë të traditës shekullore, dhe ka folë për arritjet e deritanishme të shtetit të Kosovës.Një përshëndetje të veçantë u ka drejtuar pjesmarërsve edhe ansambëlmeni i nju Jork-ut Mark Gjonaj.

Shumë emocione u krijuan kur vatrani veteran Jonuz Ndreu preu Tortën me Flamurin Kuq e Zi, porositur nga Familja e Tij. E gjithë salla shpërtheu në duartrokitje.Po ashtu u duartrokit edhe takimi e ndarja i dy vatranëve veteranë Agim Karagjozi dhe Jonuz Ndreu.Artisti brilant Frederik Ndoci i ndihmuar nga grupi i artistëve të sjellë nga Shqipëria, e ka mbajtur të ndezur atmosferën festive gjatë të gjithë darkës. Me repertor të zgjedhur nga të gjitha trevat Kombëtare, është kënduar e vallëzuar deri në orët e vona. Një manifestim i shkëlqyer i Vatrës në 104 vitet e egzistencës së saj, në 104 vitet e Pavarësisë së shtetit shqiptar. Mirë u takofshim me Vatrën dhe Bashkësinë Shqiptare në 28 Nëntorin e vitit 2017, kur Vatra dhe shteti Shqiptar festojnë 105 Vjetorin, Vatra me 28 Prill, dhe Shteti Shqiptar me 28 Nëntor!

Filed Under: Featured Tagged With: dalip greca, shpirti vatran, Vatra Festoi 28 nentorin

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2359
  • 2360
  • 2361
  • 2362
  • 2363
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT