• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“PSE NA VRATË O VËLLAZËN SHQIPTARË?”

November 1, 2016 by dgreca

Lumturimi i heronjve martirë të Kishës Katolike dhe të kombit shqiptar të shtunën që vjen, shënjtërimi i bijës së kombit Nënë Tereza fillim shtatorin që kaloi dhe emërimi kardinal nderi i Dom Ernest Troshanit kohët e fundit, janë një njohje nga ana e Vatikanit e vuajtjeve çnjerzore dhe e shfarosjes së një numri të madh të viktimave të pafajshme të regjimit komunist në Shqipëri. /

1-lumnimi2

Nga Frank Shkreli/

1 Frank shkreli (2)Siç është njoftuar tanimë nga Vatikani si edhe nga Kisha Katolike Shqiptare, ceremonia e lumturimit të 38-martirëve katolikë do të celebrohet në Katedralen “Shën Shtjefni” në Shkodër më 5 nëntor 2016.    Aktivitete të ndryshme kulturore dhe fetare prej pothuaj një jave, po i paraprijnë ceremonisë solemne.  Ceremonia fetare do të kryesohet nga përfaqësuesi i posaçëm i Vatikanit, Hirësia e Tij Kardinali i Kongregatës për Çështjen e Shenjtërve, Angelo Amato.  Në këtë ngjarje historike për Shqipërinë dhe shqiptarët do të marrin pjesë zyrtarë të lartë të Kishës Katolike nga Europa dhe mbarë bota.  Në një shënjë ringjalljeje të Kishës Katolike shqiptare, do të jenë të pranishëm në ceremoni mbi 300 meshtarë nga të gjitha trojet shqiptare në Ballkan si dhe nga diaspora.  Në shënjë simbolike të unitetit kombëtar janë ftuar të marrin pjesë në këtë ceremoni edhe udhëheqsit më të lartë politikë dhe shtetërorë të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës.  Kisha do të jetë e hapur për të gjithë pa dallim dhe përveç mediave të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare që do të mbulojnë këtë ngjarje, pritet që i gjith ky kremtim të transmetohet aty për aty nga televizioni publik shqiptar, TVSH.

Lumturimi i këtyre heronjve martirë të Kishës Katolike dhe të kombit shqiptar të shtunën që vjen, shënjtërimi i bijës së kombit Nënë Tereza fillim shtatorin që kaloi dhe emërimi kardinal nderi i Dom Ernest Troshanit kohët e fundit, janë një njohje nga ana e Vatikanit e vuajtjeve çnjerzore dhe e shfarosjes së një numri të madh të viktimave të pafajshme të regjimit komunist në Shqipëri.  Këto tre vendime historike të Vatikanit ndaj Kishës Katolike shqiptare, në të vërtetë, janë një njohje edhe nga mbarë bota e dhunës dhe e shkeljeve që i janë bërë këtij kombi të vogël  për pothuaj një gjysëm shekulli nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, pa dallim feje ose krahine, megjithëse proporcionalisht, kleri katolik e pësoi rëndë  nga ky regjim duke pasur numrin më të madh të viktimave.

Në të vërtetë,  me njohjen dhe me kurorërzimin e heroizmit fizik dhe shpirtëror të këtyre klerikëve katolikë shqiptarë duke i shpallur të lumtur, Kisha Katolike si një institucion botëror, siç thuhet edhe në një njoftim të Radio Vatikanit, akordoi këtë njohje të merituar jo vetëm martirëve katolikë, por është njëkohsisht edhe një shënjë simbolike mirënjohjeje nga ana e Vatikanit për të gjithë ata burra, gra, pleq e fëmijë, të cilët, si pasojë e një ideologjie ateiste, krejt të huaj për botën shqiptare, u dënuan padrejtësisht gjatë pothuaj një gjysëm shekulli, duke pësuar si pasojë torturat nga më çnjerëzoret që kishte njohur shekulli i kaluar.  Si të tillë, këta të lumtur nuk i përkasin vetëm Kishës Katolike por janë edhe heronjë të Kombit shqiptar, të cilët trimërisht, në heshtje dhe plot dinjitet i qëndruan dhunës së bishës së kuqe komuniste sllavo-aziatike të imponuar mbi shqiptarët.  Ata ishin dhe janë simbol i qëndresës kombëtare — atëherë dhe sot — ndaj të keqes që i është kanosur këtij kombi të vogël të shumë-vuajtur, i përbuzur dhe i sulmuar gjithmonë nga të huajt, por i cili dijti që përballë sfidave të mëdha historike gjatë shekujve të ruante vlerat dhe virtytet më të larta njerëzore, traditën, gjuhën dhe kulturën, jo vetëm në fushën fetare por edhe atdhetare.

Por megjith këtë histori të tmerrshme dhune, madje edhe sot 25-vjetë post-komunizëm, në nivelet më të larta të institucioneve të qeverisë dhe të shtetit shqiptar, ka ende individë, përfshirë pseudo-historianë dhe grupe të ndryshme të shoqërisë, të cilët vazhdojnë të fshehin të vërtetën dhe ex-catedra arsyetojnë gjithnjë viktimizimin e këtyre të pafajshëmve dhe të tjerëve si këta se gjoja, sipas tyre, ata kanë na paskan bashkpunuar me pushtuesin dhe si rrjedhim i meritonin mundimet dhe vuajtjet dhe asgjë më pak se zhdukjen e tyre fizike nga shpellarët e ish-regjimit komunist.   Është thekësuar shpesh, por më kot, nga shumë vërejtës vendas dhe ndërkombëtarë gjatë 25 viteve të kaluara, sidomos nga miqtë e Shqipërisë dhe të shqiptarve, se autoritetet shqiptare dhe shoqëria në përgjithsi duhet pa tjetër të përballen me të vërtetën e kësaj historie tragjike duke u ërë thirrje që të hapin dosjet e ish-Sigurimit famëkeq të shtetit, me qëllim që të mësohet e vërteta e kësaj historie tragjike.  

Para disa ditësh, Zëri i Amerikës, nepërmjet korrespondetit Ilirian Agolli, në një kronikë nga Tirana raportoi se apeli më i fundit drejtuar pushtetarve të Tiranës në lidhje me këtë çështje, erdhi nga Kryetari i Zyrës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Bernd Borchardt.  Në takimin, “Hapja e dosjeve të Sigurimit – Sa më shpejt aq më mirë”, organizuar nga Fondacioni Konrad Adenauer, ambasadori Borchardt u shpreh se vetëm zbulimi, trajtimi dhe diskutimi i padrejtësive të shkuara, nuk lejon që e kaluara të bëhet barrë për të ardhmen.   Çfarë të ardhme duan për vendin e vet, autoritetet shqiptare që për 25 vjetë tani kanë refuzuar hapjen e dosjeve të komunizmit për të zbardhur krimet e komunizmit, përfshirë vrasjet e 38-martirëve që do të lumturohen këtë fund jave në Shkodër.   Zëri i Amerikës njoftoi gjithashtu nga konferenca se “Politikanë dhe zyrtarë, socialistë dhe demokratë, morën fjalën për të bërë një mori sqarimesh ligjore dhe procedurash parlamentare, pa mundur të shpjegojnë se si ka ndodhur që pas 25 vjetësh demokraci, përsëri ka mbi një vit që nuk zbatohet as ligji i moderuar i hapjes së dosjeve, që i ofron ato vetëm për studime dhe jo për lustrime”.   Një shënjë tjetër  kjo e arrogancës dhe e mos-veprimit të autoriteteve shqiptare për një çerek shekulli post-komunizëm, në lidhje me hapjen e dosjeve të komunizmit. Ky nuk është vetëm një qëndrim arrogant i Tiranës zyrtare, por është edhe një sjellje fyese dhe përbuzëse ndaj të gjitha viktimave të komunizmit në veçanti dhe ndaj publikut shqiptar në përgjithësi dhe është një faqe e zezë në biografinë e këtyre pushtetarëve të cilët kanë patur përgjegjësinë,  mundësinë dhe autoritetin për të bërë një gjë të tillë.

Prandaj për derisa autoritetet shqiptare nuk hapin dosjet ashtu siç kanë bërë ish-vendet komuniste të Europës Lindore dhe për derisa disa pseudo-historianë shqiptarë vazhdojnë të hedhin baltë mbi viktimat e pafajshme të një regjimi kriminal të cilit ata i shërbyen gjithë jetën, Shqipëria as shqiptarët nuk do të ecin përpara.  Por ama, duan a s’duan këto mbeturina të regjimit komunist, bota po e zbulon të vërtetën.  Këta martirë shqiptarë që sot i njeh bota si të tillë, si dhe pasardhësit e tyre të gjallë, janë vëllezër e motra, pjesëtarë të denjë të një Atdheu të përbashkët i të gjithë shqiptarëve pa dallim.  Publiciteti që u jepet në media mendimeve të këtyre nostalgjikëve të shëmtuar dhe të diskredituar të komunizmit në këtë kohë, nuk është diçka e rastit.   Këta apologjetë të regjimit vëllavrasës, madje edhe 70-vjetë pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, vazhdojnë të mbjellin urrejtje dhe inate midis shqiptarëve duke e mbajtur shoqërinë shqiptare peng dhe në një konflikt të përhershëm, trashëgimi e një regjimi diktatorial dhe të një ideologjie të vdekur.  Por këta nostalgjikë të komunizmit ende nuk e kanë kuptuar se e vërteta dhe idetë e mëdha nuk mund të mbahen të mbyllura për gjithmonë në çmendurinë e metalitetit të Enver Hoxhës, ku ata gjithnjë mendojnë, veprojnë dhe jetojnë.  Mos mashtroni veten se ju nuk jeni aspak më të mirë e më të denjë të Shqipërisë së Gjergj Kastriotit Skënderbe, të Shqipërisë së Ismail Qemalit, të Fan Nolit, Bajram Currit, të Luigj Gurakuqit e shumë të tjerëve — në krahasim me këta martirë dhe të persekutuar të tjerë të atij regjimi komunist diktatorial që ju gjithnjë gjeni forcën morale ta mbroni.  Jo, jo mos e gënjeni veten se nuk jeni aspak më të mirë.  Përkundrazi, me qëndrimet tuaja, me shkrimet dhe deklaratat tuaja, ju nuk i bëni nder as vetes as kombit shqiptar, por jeni duke mbajtur pengë Shqipërinë e mjerë, ndërkohë që viktimat e komunizmit po i vrisni për së dyti, për së treti e për së katërti, në të vërtetë sado herë që hapni gojën. Dhe jo vetëm këta të lumtur të Kishës dhe të Kombit, por të gjitha viktimat e komunizmit në Shqipëri të cilët nëpërmjet historisë së këtyre 38 martirëve, tani kundër vullnetit tuaj, bota e njeh sadopak më mirë të vërtetën e krimeve të tmerrshme të burgut të regjimit të Enver Hoxhës ndaj popullit të vet të pafajshëm, në përgjithësi.  

Jo vetëm historia e kombit shqiptar pret përgjigje për 25 vjetë tani prej autoriteteve zyrtare të shtetit dhe mbështetësve të këtyre krimeve të insitucioneve të dhunës komuniste, por presin përgjigje edhe martirët që do të lumturohen në Shkodër këtë fund jave.  Ata duan dhe kërkojnë të dinë psehen.  Duan të dinë se pse u vranë atëherë nga regjimi enverist dhe institucionet e tij të dhunës dhe pse vazhdojnë të vriten edhe sot nga  autoritetet e vendit dhe nga nostalgjikët e regjimit enverist. E gjithë kjo në një shtet që pretendon të jetë demokratik dhe i cili mburret me anëtarsimin në Aleancën Ushtarake të Atlantikut, NATO.  Vet martirët e Kishës Katolike Shqiptare por as pasardhësit e tyre, ditën e lumturimit të tyre më 5 nëntor në Shkodër, nuk kërkojnë as hakmarrje as dënime kundër askujt, pasi në prak të martirizimit të tyre, ata i kishin falur xhelatët komunistë. Por u kërkojnë autoriteteve shqiptare zbulimin e të vërtetës të së kaluarës komuniste dhe njëkohësisht – para Kombit dhe para botës –kërkojnë njëzëri nga bashkatdhetarët e tyre sot, një përgjigje ndaj këtyre pyetjeve:

“Pse na vratë, o vëllazën shqiptarë; cila ishte e keqja që ju bâmë me misionin tonë, o stërnipa të Kastriotit, ku ua shkelëm doket e zakonet tueja, ku e përdhosëm kanunin tuej, o mbasardhës të Lekës; thue gabuem që ju mësuem ‘Hymnin e Flamurit’ të ngritun në bjeshkët e Dedë Gjo’ Lulit; gabuem, thue, se ecëm ndër gjurmë të opangëve të tija për me mbledhë ushtarë për Krishtin? … Me ruejtë fenë e Tij në tokën tonë të Arbënit? Thue nuk i ndejëm besës suej ndër votrat e sofrat e shtrueme e të çueme prej atyne burrneshave fisnike, që në djep druni përkunden dikur foshnje Nanë Terezën?  Gabuem, thue, se kënduem në ‘Lahutë të Malcís’, kangën e Atë Gjergjit e diftuem si vdes shqiptari për Fé e Atme, ashtu si vdiq Gjeçovi? … Por nuk ka gjâ… mbasi na jemi këtu… këtu âsht toka jonë, këtu âsht trupi ynë, këtu âsht edhe gjaku ynë, që u derdh për jú, për idealin ma të naltë, për të cilin vdes shqiptari. Një ditë kemi për t’u ringjallë  s’bashkut!  (Shënim nga vepra “Çinarët” e Françeskanit shqiptar Konrad Gjolaj, marrë nga Radio Vatikani)

Ka ardhur koha për veprim.  Mjaft më me rezoluta dhe projekt-rezoluta boshe që nuk çojnë askund. Tregojeni veten burra se më në fund pas 25 vjetë post-komunizëm jeni gati — institucionalisht dhe moralisht – të zbuloni dhe të njoftoni të vërtetën mbi krimet çnjerzore të regjimit të Enver Hoxhës, duke hapur dosjet e regjimit famkeq.  Sepse për shqiptarët, trajtimi i krimeve të komunizmit, sipas ish-ambasadorit gjerman Helmut Hoffman në Tiranë, është një doemosdoshmëri që viktimave të regjimit komunist— të gjallë e të vdekur – në mos asgjë tjetër, të paktën – “T’u këthehet një pjesë e dinjitetit të tyre.”

Këthejani pra dinjitetin dhe nderin jo vetëm viktimave të komunizmit, por mbarë kombit shqiptar.  Hapni dosjet e Sigurimit famkeq!

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, prifterinjte martire, pse na vrate o vellezer, shqiptare

BALLISTȄT E MYZEQESȄ 1943, VIKTIMA APO MARTIRȄ?

November 1, 2016 by dgreca

….Ata kishin shkabȅn nȅ ballȅ, shoku Mehmet kishte yllin me drapȅr e ҫekan. Edhe flamuri Brigadȅs sȅ Parȅ ishte me ngjyrat e flamurit jugosllav. E keni nȅ Arkiv. Pse nuk na thonȅ sot veteranȅt e Brigadȅs legjendare se e ҫ’flamur kishin? Nuk kishin nȅ ballȅ njȅ flamur sllav? Ata fshatarȅ tȅ Myzeqesȅ qȅ i braktisi komandati i tyre Isa Manastiri, thanȅ qȅ “derr bȅhemi e komunistȅ nuk bȅhemi”. Vetȅm njȅri ta ketȅ thȅnȅ kȅtȅ frazȅ, na flet se aty u ndeshȅn jo njerȅzit por simbolet, u ndesh ylli, drapȅrҫekani qȅ Mehmet Shehut i lexohet nȅ ballȅ me shkabȅn e nacionalistȅve .Myzeqarȅt vdiqȅn, i shqyen ҫakenjtȅ e ujqit e pyjeve, por nuk e ndȅrruan shkabȅn me yllin internacionalist. A janȅ ata martirȅ? Me kȅtȅ titull i dekoroi Presidenti. Unȅ them ata janȅ martirȅ. Njeriu qȅ vdes pȅr atȅ gjȅ qȅ e beson dhe e vlerȅson mȅ shumȅ se jetȅn e tij, ȅshtȅ martir./1-sadik-bejko

Nga Sadik Bejko/ Mȅ 21 tetor 1943 partizanȅt e Mehmet Shehut vranȅ 67 ballistȅ nȅ fshatin Golem tȅ Lushnjes. Thuhet se gjithsej ishin 3000 ballistȅ (jo pak) qȅ vepronin nȅ zonȅn e Myzeqesȅ. Thuhet se kȅta qȅ i kapi robër Mehmet Shehu, ishin 200. Pastaj disa nga kȅta burra qȅ u kapȅn rob, shqiptarȅ qȅ nuk zbrazȅn asnjȅ pushkȅ kundȅr Mehmet Shehut, u ҫarmatosȅn, u zhveshȅn lakuriq, u seleksionuan sipas asaj qȅ ishin apo nuk ishin synetllinj, dhe…u pushkatuan pa gjyq. Nuk u lejuan familjarȅt qȅ t’i varrosin. U lanȅ nȅ mȅshirȅ tȅ dheut e tȅ natȅs, tȅ zhavalitjes si mish i kalbur nȅ gojȅn e nȅ dhembȅt e egȅrsirave. Kȅtȅ shkollȅ tȅ shnjerȅzisȅ, tȅ terrorizmit M. Shehu e pat mȅsuar nȅ Spanjȅ ku tȅ dhjathtȅt e tȅ majtȅt e kishin masakruar kafshȅrisht njȅri-tjetrin. Dhe njȅ poet si F. G. Lorka thonȅ se u pȅrҫudnua nga tȅ djathtȅt, vdiq i vrarȅ e i dhunuar me njȅ hu tȅ ngulur nȅ fund tȅ shpinȅs. Dushan Mugosha, alias Sali Murati, jugosllavi qȅ Enver Hoxha si komisar i ushtrisȅ NÇl i kish dhȅnȅ tȅ dejtȅ tȅ merrte vendime nȅ shtabin e Brigadȅs sȅ Parȅ Sulmuese, ky komunist internacionalisti sllav, herȅ–herȅ kur pushkatonin shqiptarȅ armiq, merrte thikȅn dhe demostronte dhunimin, pȅrҫudnimin e kufomave, manifestonte ‘virtytet’ e tij nȅ prerjen e gjenitaleve, tȅ veshȅve e tȅ gjymtyrȅve tȅ shqiptarȅve. Trimi Mehmet bȅnte sehir, kȅnaqej. Tani pas kaq vitesh disa analitȅ shqiptarȅ, disa politikanȅ shqiptarȅ, disa historianȅ, shkrimtarȅ, njerȅz tȅ nivelit akademik, dituror japin mendime mbi kȅta tȅ therur, tȅ lakuriqur, tȅ djegur nga plumbat, tȅ shqyer nga bishat, tȅ mbetur pȅrjetȅsisht pa njȅ varr. Mȅ ngjajnȅ si ca kokȅmisha, kokȅbosha e kokȅtula tȅ rȅndomtȅ. Kush ua jep tȅ drejtȅn tȅ gjykojnȅ apriori? Kȅta burra tȅ sȅ sotmes , politikanȅ, historianȅ, shkrimtarȅ, poetȅ tȅ viteve 2016, me njȅ arsim jo tȅ keq, jo pa pȅrvojȅ jetȅsore dhe politike, jo pa njȅ njohje tȅ natyrȅs shkrimore tȅ asaj qȅ quhet njerȅzore, jo pa njȅ njohje juridike tȅ asaj qȅ ȅshtȅ e drejtȅ natyrore dhe njerȅzore… pra, kȅta burra jo tȅ paditur, i japin vetes tȅ drejtȅn tȅ na thonȅ ҫfarȅ ȅshtȅ e moralshme e ҫfarȅ nuk na qenka e moralshme politikisht , njerȅzisht nȅ vitin 1943, i japin vetes tȅ drejtȅn se si duhet tȅ sillet e sesi duhet tȅ mendojȅ e tȅ veprojȅ ai fshatari i Myzeqesȅ nȅ vitin 1943. Ata kanȅ tȅ drejtȅ qȅ tȅ na thonȅ se si duhet tȅ silleshin ballistȅt … madje t’i gjykojnȅ e t’i rivrasin si Mehmet Shehu, po vallȅ a i pyesin, a ua marrin dorȅn, ai pȅrfillin nȅ mȅnyrȅn se si sillen e sesi veprojnȅ fȅmijtȅ a familjarȅt e tyre tani nȅ vitin 2016? Me siguri, nuk ua varin shumȅ torbȅn. Medet pȅr kȅta analistȅ, politikanȅ mȅndjemȅdhenj qȅ pȅlqejnȅ e vetȅpȅlqehen nga mendja e vet. Disa thonȅ se M. Shehu ishte burrȅ shteti, tjetri ia kthen se ai ishte i ҫmendur. Me tȅ vȅrtet? Mehmet Shehu ishte njȅ burrȅshtetas i profilit tȅ vet. Njȅ komunist terrorist. Jo njȅ i ҫmendur. Ai dhe nȅ rastin e masakrȅs sȅ “hedhjes sȅ bombȅs nȅ ambasadȅn sovjetike” vret pa gjyq, vret si terrorist komunist. Koministi terrorin e pȅrdor si mjet tȅ pushtetit. Jugoslavȅt Ali e Sali i mȅsuan komunistȅt shqiptarȅ se eliminimi nȅ radhȅt e komunistȅve e forcon partinȅ, se terrorizmi ȅshtȅ nȅ metodikȅn e tȅ vepruarit komunist. Njȅ pjesȅ e popullit duhet tȅ skartohet qȅ tȅ vihet nȅ udhȅn e revolucionit e tmerruar pjesa tjetȅr e popullatȅs. Pjesa e pagȅdhendur, mjerane, mendjemadhe, kokȅmishe e mendimit tonȅ politik i fyen dhe tani mbas 70 vjetȅsh ata fshatarȅt e Myzeqesȅ tȅ vitit 1943. Ka njȅ varg nȅ folklor: “Sa shumȅ po vritemi/ s’ka kush me dek”. Njȅ poet, Vorea Ujko, thotȅ: “Ju lutem, ma mbroni vdekjen”. Vdekja ȅshtȅ e respektueshme, ȅshtȅ pjesȅ e jetȅs. Mbyll ciklin. Vrasja ȅshtȅ e fȅlliqur. Dhunon natyrȅn, ndȅrpret ciklin natyror. Nȅ Ungjill thuhet: Kalliri duhet tȅ vdesȅ qȅ tȅ lidhȅ shumȅ frute. Vdekja ȅshtȅ e frutshme. Vrasja ȅshtȅ e dhunshme. Ata qȅ i vranȅ, pra, komunistȅt, partizanȅt ishin kriminelȅ. Edhe sot, kushdo qȅ vret pa gjyq, ȅshtȅ kriminel. Dȅnimi me vdekje nuk ȅshtȅ mȅ normȅ juridike. Ballistȅt, si gjithȅ tȅ djathtȅt nȅ arealin ballkanik, ishin pjesȅ e pejsazhit politik tȅ kohȅs. Dhe ishin antifashistȅ deri nȅ tetor tȅ vitit 1943. Po pse u vranȅ? Kȅtu kokȅtrashȅt tanȅ bȅhen bashkȅ. Ata ishin tȅ pa shkollȅ, na thonȅ. Sikur partizanȅt nuk ishin 90 pȅrqind analfabetȅ. Ata nuk kishin ideale a ndȅrgjegje jete, ndȅrgjegje politike. Sikur partizanȅt na ishin tȅ ndriҫuar nga zjarret e kȅngȅt legjendare partizane, sikur na ishin tȅ yshtur, tȅ urtȅsuar profetikisht nga politika e komunistȅve idhujtarȅ. Ata myzeqarȅt na ishin ballistȅ, vetȅm ballistȅ, ca fshatarȅ dhe aq… E kjo politikisht pȅr kundȅrshtarȅt ȅshtȅ si tȅ ishin mȅ pak se njerȅz. Se po tȅ ishin partizanȅ (sic! ) do tȅ na ishin pak mȅ shume sesa njerȅz. Kȅto janȅ pȅrralla Mund tȅ ishe partizan, e mund tȅ ishe njȅ plehurinȅ, njȅ shȅmti njerȅzore si qe komandanti i pȅrgjakur Mehmet. Ata ballistȅt e Myzeqesȅ vdiqȅn me dinjitet. Nuk u bȅnȅ partizanȅ, kur i ftoi tȅ bȅhen me tȅ shoku Mehmet. Ata kishin shkabȅn nȅ ballȅ, shoku Mehmet kishte yllin me drapȅr e ҫekan. Edhe flamuri Brigadȅs sȅ Parȅ ishte me ngjyrat e flamurit jugosllav. E keni nȅ Arkiv. Pse nuk na thonȅ sot veteranȅt e Brigadȅs legjendare se e ҫ’flamur kishin? Nuk kishin nȅ ballȅ njȅ flamur sllav? Ata fshatarȅ tȅ Myzeqesȅ qȅ i braktisi komandati i tyre Isa Manastiri, thanȅ qȅ “derr bȅhemi e komunistȅ nuk bȅhemi”. Vetȅm njȅri ta ketȅ thȅnȅ kȅtȅ frazȅ, na flet se aty u ndeshȅn jo njerȅzit por simbolet, u ndesh ylli, drapȅrҫekani qȅ Mehmet Shehut i lexohet nȅ ballȅ me shkabȅn e nacionalistȅve .Myzeqarȅt vdiqȅn, i shqyen ҫakenjtȅ e ujqit e pyjeve, por nuk e ndȅrruan shkabȅn me yllin internacionalist. A janȅ ata martirȅ? Me kȅtȅ titull i dekoroi Presidenti. Unȅ them ata janȅ martirȅ. Njeriu qȅ vdes pȅr atȅ gjȅ qȅ e beson dhe e vlerȅson mȅ shumȅ se jetȅn e tij, ȅshtȅ martir. Mȅ pesȅ nȅntor nga Papa Franҫesku nȅ Shkodȅr do tȅ shpallen 38 martirȅ tȅ fesȅ katolike. Ata shpallen martirȅ se vdiqȅn si besnikȅ tȅ besimit tȅ tyre, tȅ besimit nȅ Krishtin. Kushdo qȅ vdes, jep jetȅn pȅr njȅ gjȅ qȅ e beson si tȅ shenjtȅ, qoftȅ fetar a qoftȅ laik, ȅshtȅ martir. Politikanȅt tanȅ do tȅ marrin pjesȅ nȅ lumnimin e martirȅve në Shkodȅr. Shumȅ mirȅ. Do tȅ ishte nȅ nderin e tyre sikur tȅ merrnin pjesȅ dhe nȅ njȅ memorial tȅ tȅ pushkatuarve mȅ 21 prill 1943. Le ta ngrejȅ politika shqiptare atȅ memorial. Nuk ka punȅ ta ngrejȅ memorialin e Myzeqarȅve shȅnjtȅria e tij papa Franҫesku. Pak shenjtȅrim qoftȅ dhe i vonuar, nuk i bȅn keq askujt.

Filed Under: Politike Tagged With: BALLISTȄT E MYZEQESȄ 1943, Sadik Bejko, VIKTIMA APO MARTIRȄ?

MARRËZIA E MADHËSHTISË NUK ËSHTË VETËM MARRËZI

November 1, 2016 by dgreca

– Kryeministri flet në Parlament si Dushan Mugosha në Mukje/

1-don-kishoti-i-rilindjes

NE FOTO: Don Kishoti i Rilindjes….Ngjashëm kjo me Nanon kur puthabrekej me Millosheviqin në Kretë.  Kur e kam dëgjuar të thotë ne parlament, jam partizan e jo ballist që ha pula( për mua si partizanët e ballistët kanë qenë bij të Shqipërisë tragjike)…/

– Nga KOLEC TRABOINI/ Gjithmonë ja kam pas frikën atyre që janë ne pushtet (jo frikë personale por sociale)  dhe fakti që ka 25 vjet që gjithmonë i luftoj pa kompromis pushtetarët, tregon, sipas intuitës sime, se rreziku i kthimit të kohës së mallkuar të regjimit diktatorial i konglomeratit të dhunshëm tipik si Zog-Enver gjithmonë ekziston. Nuk kam asnjë aludim apo simpati për revanshistet (kthimi i se mbrapshtës në pushtet) por dhe të ngrihet ky farë Rame me një mediokritet të pashoq ( edhe si artist është një mjerim i gjallë) e të barrikadohet si të ishte jugosllavi Dushan Mugosha në Mukje, kjo nuk qëndron. Kjo kalon çdo kufi. Kjo është marrëzi. Ngjashëm kjo me Nanon kur puthabrekej me Millosheviqin në Kretë.  Kur e kam dëgjuar të thotë ne parlament, jam partizan e jo ballist që ha pula( për mua si partizanët e ballistët kanë qenë bij të Shqipërisë tragjike), i kam hequr vizë përfundimisht dhe e konsideroj tru shkarë dhe ajo çfarë ka thënë një hajvanllëk. Ky njeri, duke qenë pjesë e nomenklaturës familjare komuniste kërkon të los edhe rolin e garipit popullor me morinë e fjalëve që veç një rrugaç i mjerë e pa strehë mund ti fliste. E njohur kjo si veçori e pinjollëve të bijve të oborreve të autokratëve. Ky kryeministër me oratori brutale, tip tallava,është një individ pa asnjë intuitë politike megjithëse makina ideologjike e propagandon dhe e shet në media si një gjeni. Mekanizëm i vjetër sa bota ky i sahanlëpirësve të pushteteve autokratike apo totalitare. Mekanizëm që dështoi e u shkërmoq në 1997,  por që kryeministri i sotëm e paska harruar e dosido duhet t’ia kujtojmë.  Të gjithë totalitarët kanë pasur pas vetes legenë të propagandës. Po nga do që ta lustrojnë dhe e pudrosin  kot e kanë. Shembujt se si spekulohet me idetë e majta socialiste prej atyre që inspirojnë të vendosin pushtet absolut kemi  plot në histori.  Duçja pasi manipuloi turmat me ide socialiste si gazetar (ngjashmëri e rastësishme apo rregull i përgjithshëm për kapje pushteti kjo) kaloi në fashizëm. Nuk ka gjëra të pangjashme në këtë botë te vjetër. Mjafton të mos i harrojmë. Prandaj qëndron përherë aktuale ajo shprehja proverbiale e Julius Fuçikut para se të ekzekutohej nga nazistët: Njerëz ju dua. Jeni vigjilent!

Filed Under: Komente Tagged With: Kolec Traboini, kryeministri, Marrezia e madheshtise

Kristalet e Trepçës në Kuvendin e Kosovës

November 1, 2016 by dgreca

ne-kuvend-u-hap-ekspozita-kristalet-e-trepces-3– Në ambientet e Kuvendit të Kosovës sot pasdite u hap ekspozita “Kristalet e Trepçës”/

kristal-trepca-kosove-1kristal-trepca-kosove-4-1

-Veseli: Nga nesër hyn në fuqi Ligji për Trepçën, pasuria e nëntokës së Kosovës nuk do të mbetet më në zgafella/

ne-kuvend-u-hap-ekspozita-kristalet-e-trepces-8

 

-Numri i kristaleve të nxjerruar nga minierat e gjigandit metalurgjik Trepça është i madh dhe nuk dihet saktë sa është/

ne-kuvend-u-hap-ekspozita-kristalet-e-trepces-9PRISHTINË, 1 Nëntor 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Në ambientet e Kuvendit të Kosovës sot pasdite u hap ekspozita “Kristalet e Trepçës”.

ne-kuvend-u-hap-ekspozita-kristalet-e-trepces-7

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, sot, në hollin e Kuvendit, bëri hapjen e ekspozitës “Kristalet e Trepçës”, në të cilën janë ekspozuar minerale të ndryshëm të nxjerrë nga nëntoka e Kosovës. Në ceremoni morën pjesë edhe studentë të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë.Ditën e sotme, kryetari Veseli e konsideroi të jashtëzakonshme. Ai tha se tani të gjithë ndihen të lehtësuar, pasi që një gjigant ekonomik dhe krenari e Kosovës, siç është Trepça, tanimë e ka të sigurtë rrugëtimin dhe transformimit e vet, duke u vënë në shërbim të të gjithë qytetarëve të Republikës sonë.Kreu i Kuvendit tha se që nga dita e nesërme, kur hyn në fuqi Ligji për Trepçën, pasuria e nëntokës së Kosovës nuk do të mbetet më në zgafella, por do të jetë pjesë e të mirave materiale, në shfrytëzim të qytetarëve tanë.
“Kosova është jashtëzakonisht e pasur. ne-kuvend-u-hap-ekspozita-kristalet-e-trepces-5Pasurinë më të madhe e ka rininë, resursin human të saj. Rinia është ari dhe diamanti i Republikës së Kosovës. Njëkohësisht, Kosova ka resurse të pasura natyrale, të cilat, me forcën e mendjes, duhet të vihen në zhvillim të vendit tonë. Pikërisht ky është edhe mesazhi i kësaj ekspozite në mjediset e Kuvendit”, theksoi kryetari Veseli.Muzeu i Kristaleve të Trepçës në Stantërg, ku është miniera më e madhe, është themeluar në vitin 1964.Në qershorin e vitit 2012 në Stantërg është përuruar ndërtesa e re  e Muzeut të Kristaleve të Kosovës  “Trepça”, për të cilën u investuan 560 mijë euro.Në fondin e Muzeut të Kristaleve të Kosovës janë të ekspozuara mëse 1560 eksponante  të zgjedhura.Numri i kristaleve të nxjerruar nga minierat e gjigandit metalurgjik Trepça është i madh dhe nuk dihet saktë sa është.Për zhvillimin e xehetarisë në territorin ku gjenden minierat e Trepçës dihet që nga koha ilire e romake, sipas historikut të publikuar nga ndërmarrja.Trepça është pasuri e madhe shumëmiliardëshe e Kosovës, me minera plumbi, zingu, argjendi e ari. Kuvendi i Kosovës në muajin tetor ka miratuar Ligjin për Trepçën, i cili është nënshkruar dje nga Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, menjëherë pasi Gjykata Kushtetuese shpalli se “është kushtetues përnga përmbajtja dhe përnga procedura e ndjekur për miratim”.

 

Filed Under: Ekonomi Tagged With: Behlul Jashari, e kosoves, Kristalet e Trepçës, NË KUVENDIN

SHQIPTARËT E ARIZONËS NDEROJNË SHËN TEREZËN

October 31, 2016 by dgreca

1-murgeshaMë 23 tetor 2016, Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Grave të Arizonës organizoi manifestimin jubilar, që u mbajt për të dhjetin vit me radhë, kësaj here në nderim të shenjtërimit të Nënë Terezës./2-hajraNga Hajro HajraArizona, SHBA/

Janë jo më shumë se dy-tri ditë të vitit kur shqiptarët e Arizonës organizojnë manifestime masive, kur takohen e bëhen bashkë për të festuar ditët e shënuara kombëtare. Që nga viti 1993, kur është mbajtur i pari takim i organizuar për të kremtuar Ditën e Pavarësisë së shtetit shqiptar, asokohe me një numër relativisht të vogël pjesëmarrësish, 28 Nëntori ka qenë e vetmja ditë që ka tubuar shqiptarët e Arizonës.3-hajra

Me nismën e zonjave Lule Lane e Jeta Hajra, shqiptarët e   këtushëm u bënë edhe me një festë. Në nderim të figurës së Nënës Terezë, në vitin 2006 u organizua manifestimi i parë për Nënën Terezë. Ishte një manifestim modest, me një pjesëmarrje jo të madhe shqiptarësh, por  që u bë tradicional dhe nga viti në vit shënon rritje të numrit të pjesëmarrësve.4-hajra

Pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, 28 Nëntorit dhe Ditës së Nënës Terezë iu shtua edhe 17 Shkurti, kështu që prej këtij viti tri janë ditët që i bëjnë bashkë shqiptarët e Arizonës.1-hajraMë 23 tetor 2016, Shoqata Shqiptaro-Amerikane e Grave të Arizonës organizoi manifestimin jubilar, që u mbajt për të dhjetin vit me radhë, kësaj here në nderim të shenjtërimit të Nënë Terezës.

Fjalët Mirë se vini! dhe Welcome! me të cilat u dëshiruan mirëseardhje mbi 150 pjesëmarrësve vogëlushi Dion Bejta dhe vogëlushja Era Misini (që të dy me prejardhje nga Ferizaj, por lindur në Amerikë), shënuan fillimin e manifestimit të sivjetshëm. Fill pas kësaj fjale të mirëseardhjes, në sallë hynë fëmijët, të cilët parakaluan pranë fotografive të Shën Terezës, vendosur në të dyja anët e podiumit. Më pastaj u ngjitën në podium Adriana Bendo e Anton Gegaj, të cilët e shpalosën, shqip e anglisht, qëllimin dhe karakterin e këtij manifestimi: arsyet e këtij organizimi për 10 vjet me radhë, me punë vullnetare, janë të shumta. Karakteri i këtij manifestimi kuturor është universal, i kushtohet bamirësisë dhe sakrificës së thellë të Shën Terezës, si dhe tolerancës fetare. Po ashtu, për ne shqiptarët, ky manifestim ka edhe karakter kombëtar, sepse Shën Tereza është shqiptare, është Nëna Jonë, është gjaku ynë. Tereza e Shenjtë (Gonxhe Bojaxhiu) qysh si e vogël qe frymëzuar nga bujaria familjare për t’i ndihmuar të tjerët dhe këtë virtyt nga vendi i saj i vogël e vazhdoi si murgeshë deri në vdekje për ta ndihmuar botën e madhe.6-hajra

Ne si nëna përpiqemi që fëmijët dhe rinia jonë shqiptare, të rriten në frymën bamirëse të Shën Terezës dhe të frymëzohen nga vepra madhështore e saj, të mos gjykojnë qorrazi, të jenë më tolerantë në përgjithësi dhe të kenë tolerancë fetare në vaçanti. Të ndihmojnë kurdo që munden dhe të falin buzëqeshje ngado që shkojnë.  Ndonëse Shën Tereza ishte katolike shumë e devotshme dhe, ndonëse ne shqiptarët kemi përkatësi të ndryshme fetare: katolike, myslimane, ortodokse, bektashiane e të tjera (edhe udhëheqëset e këtij manifestimi janë të përkatësive të ndryshme fetare), megjithëkëtë, falë veprës së madhe që ka lënë pas, ajo është ikona që bashkon të gjithë shqiptarët e të gjitha feve nën hijen e mirësisë dhe me shenjtërimin e saj po shenjtërohet i gjithë kombi ynë.

7-hajraPër Shën Terezën foli në emër të të rinjve Xhesina Fidani. Pasoi lutja e Nënës Terezë në gjuhën shqipe (projektuar në ekran), pastaj një pikë baleti interpretuar nga DanielaKalaj dhe Xhesina Fidani, për t’ua lënë vendin recituesve Klevis e Andi Lasku, Dion Bejta, Tana Griffin, Daniela e Joseph Kalaj dhe Anxhelina Gegaj, të cilët, ndonëse lindur e rritur në Amerikë, recituan në gjuhën shqipe.Kujtime nga takimi me Nënën Terezë evokuan Lule Lane e Diana Shehu- Griffin.Një pikë teatrore përgatitur nga aktorja profesioniste Rina Hajra, e cila dhe interpretoi rolin e Shën Terezës me thënie të saj në anglisht (thënë shqip nga Jeta Hajra), emocionuan publikun dhe bënë që disa prej tyre të derdhnin dhe lot.

Pikë e fundit e programit ishte ajo e Grupit të Valleve “Ora”, me valltaret e reja Xhesina Fidani, Arba e Rina Hajra, Mjellma e Erza Gashi, Qëndresa e Vlera Syla, Mirjada Jaku, Anxhela Fidani dhe Daniela Kalaj, të cilat interpretuan disa valle burimore shqiptare.Njëra nga udhëheqëset e bordit të grave, aktivistja shumë e zellshme Marinela Papa, në mbyllje të programit falënderoi organizatoret e këtij manifestimi, me fjalët: ne si shoqatë falënderojmë dy themelueset dhe shtyllat kryesore të këtij aktiviteti vullnetar për 10 dhjet me radhë, zonjat Jeta Hajra dhe Lule Lucaj – Lane, falënderoj për kontributin rreth organizimit edhe Kristina Këlliçin, e cila veshjet tradicionale të Shqipërisë së Mesme nga koleksioni i saj ua ka lënë në dispozicion valltareve, një falënderim për ndihmën teknike, për përzgjedhjen e muzikës e të videoxhirimeve, me të cilat u rrumbullakësuan të gjitha pikat e programit shkon për çiftin Adriana  e Edmond Bendo, falënderoj po ashtu zonjën Fiqrete Zela, e cila po ua mëson fëmijëve gjuhën shqipe në shkollën shqipe, nën përkujdesjen e Elonia Laskut (ishin fëmijët që recituan ata që ndjekin orët e mësimit të shqipes), e një falënderim i veçantë shkon për valltaret, të cilat për tre muaj me radhë ushtruan vullnetarisht valle përgatitur nën përkujdesjen koreografike të Xhesina Fidanit e nën mbikëqyrjen e zonjës Jeta Hajra.

Filed Under: Emigracion Tagged With: Hajro Hajra, nderojnë, Shen Tereezen, shqiptaret e Arizones

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2398
  • 2399
  • 2400
  • 2401
  • 2402
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT