• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kosova, mbështetje për zgjedhje të lira, të drejta e paqësore

January 9, 2021 by dgreca

 -U.d. Presidentja Osmani me përfaqësues të QUINT-it dhe BE-së, diskutoi për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më Kosovë të 14 Shkurtit 2021. Mbështetje për institucionet e Kosovës për të siguruar zgjedhje të lira, të drejta e paqësore/

PRISHTINË, 8 Janar 2021-Gazeta DIELLI/ U.d. Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim përfaqësuesit e shteteve të Quint-it dhe të BE-së.

Në këtë takim, u.d. Presidentja Osmani theksoi se mbrojtja e integritetit dhe besueshmërisë së procesit zgjedhor është qëllimi kryesor i institucioneve të vendit, duke garantuar kështu jetësimin e vullnetit qytetar të shprehur përmes votës së lirë. 

Osmani potencoi rëndësinë e përfshirjes së vëzhguesve ndërkombëtar në monitorimin e procesit zgjedhor, ndaj në këtë kontekst kërkoi mbështetjen e QUINT-it dhe të BE-së.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e Quint-it dhe të zyrës së BE-së shprehën mbështetjen e tyre për institucionet e Kosovës për të siguruar zgjedhje të lira, të drejta e paqësore, thekson njoftimi dërguar sot nga Presidenca e Kosovës.

Kosova mban zgjedhje parlamentare të jashtëzakonshme në 14 Shkurt 2021, shpërndahet Kuvendi, ka njoftuar Presidenca e Kosovës në mbrëmjën e 6 Janart 2021.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, afati i aplikimit të subjekteve politike dhe kandidatëve nis në 8 Janar dhe përfundon në 16 Janar 2021. Edhe çertifikimi i partive politike nis në 8 Janar, ndërsa zgjatë deri në 21 Janar. Tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike dhe kandidatëve në fletëvotim do të bëhet në 1 Shkurt 2021. Fushata Zgjedhore për subjektet politike dhe kandidatët nis në 3 Shkurt dhe përmbyllet në 12 Shkurt 2021. Periudha e votimit me postë fillon në 2 Shkurt dhe përfundon 24 orë para zgjedhjeve. 

Kosova në Vitin e Ri 2021 shkon në zgjedhje parlamentare  të jashtëzakonshme pas rënes së dy qeverive në vitin 2020 të pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 Tetorit 2019.

Në 2020-tën qëveria me kryeministër Albin Kurtin e Lëvizjes Vetëvendosje e zgjedhur në 3  Shkurt  u rrëzua me mocion mosbesimi të inicuar nga partneri i koalicionit qeverisës – Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila mori drejtimin e qeverisë me kryeministër Avdullah Hotin të zgjedhur në  3 Qershor, por në dhjetor Gjykata Kushtetuese shpalli të pavlefshme votën e një deputeti të minoriteteve, Etem Arifi, pasi kishte të humbur mandatin për shkak të një dënimi të formës së prerë nga gjykata, i cili tashmë ndodhet në burg. Vota e tij ishte vendimtare për zgjedhjen e qeverisë pasi mundësoi arritjen e minimumit të nevoshem  prej 61 votave të parlamentit 120 anëtarësh.

Filed Under: Kronike Tagged With: U.D. Presidente, Vjosa Osmani

KUJTESA-MITINGU I 10 JANARIT 1991

January 9, 2021 by dgreca

Nga KOLEC TRABOINI/

Duke ditur se manipulimet e historisë janë arti i fallxhorëve të politikës, prej vitesh e kisha lënë në heshtje mënyrën e organizimit e zhvillimit të mitingut madhështor të krijuesve e intelektualëve të Tiranës në kapërcyell të vitit 90-91 kur ende diktatura mbahej në këmbë, mirëpo tani që ish-kryeministri i Shqipërisë e cilësoi si “mitingun tonë”, ndërsa kryetari i PS, edhe ai nga ana e tij në librin e vet “Kurban” e konsideron si një miting partiak, unë edhe më tej nuk mund të hesht, sepse tashmë kjo heshtje do të ishte e pakuptimtë. Këta liderë partish janë në të drejtën e tyre të bëjnë kurban bëmat e veta gjatë këtyre dy dekadave, por jo të personalizojnë apo privatizojnë ngjarje në të cilat kanë qenë thjesht të ftuar e jo organizatorë. As njëri e as tjetri. Kanë aq shumë merita mbi shpatulla këta burra të telikosur shteti sa do të qe e pakuptimtë të rëndoheshin edhe si nistore mitingjesh të bëra prej të tjerëve. Mos vallë me këtë duan të nënkuptojnë se jashtë partive nuk ekzistonte asfare aspirate për liri e demokraci dhe se kurrkush tjetër veç partiakëve nuk mund të shkruajë histori? Në librin që botuesja Arlinda Dudaj përcolli me eufori në mediat televizive, “Kurban” të Edi Ramës, kryetarit të opozitës së djeshme, thuhet tekstualisht: “…pak ditë më pas kur ( nënkuptohet Sali Berisha- shënimi im K.T.) donte të na pengonte Ardianin (Klosin), Kasemin( Trebeshinën) dhe mua të flisnim në mitingun ku për herë të parë u godit në fjalën time hapur në shesh figura e Enverit, te Stadiumi “Qemal Stafa”, ku na drejtoi gishtin në sy pa u mbledhur ende njerëzit duke na thënë se “ju s’mund ta merrni fjalën sot se s’kemi kërkuar leje në polici për ju…” Këtë pjesë libri botuar në gazetën “Panorama” viti X. Nr.3248 datë 28 tetor 2011, redaksia ose autori e kanë shënuar me titull: “Si më largoi Berisha nga mitingu i PD në `91”. Ne nuk dimë çfarë t`i themi Edi Ramës, as nuk mund t`i japim ndonjë këshillë, sepse ai është në majë të piramidës socialiste e tash edhe pushtetit e zor se i shkon zëri ynë aq lart, por gjithsesi e mira do të qe që ata këshilltarë që i mban me bukë, që mesa shihet janë të painformuar, nuk lexojnë as çfarë shkruhet në gazetat shqipe, apo në TVSH pikërisht për këtë njoftim të gabuar që përcjell tek lexuesit e vet. Është shkruar në shtyp se Mitingu që përmend Edi Rama nuk është iniciuar e as organizuar nga PD dhe as ndonjë organ tjetër përpos se prej krijuesve të Kinostudios. Do ta shtjellojmë këtë ngjarje të para dy dekadave më me hollësi, por le të shohin se çfarë mendimi kanë për këtë çështje pala tjetër antagoniste e politikës konfliktuale shqiptare. Mesa duket për gjithçka janë në kundërshti këto dy forca politike që zotërojnë vendin, por në një gjë janë në një mendje, që mitingun e parë të krijuesve dhe intelektualëve të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike janë bërë nga PD. Po të mos isha unë që e kam inicuar e organizuar ketë miting, padyshim që nuk do të kisha marrë mundimin t`i përgënjeshtroj këta dy burra shteti, dy kryeministra të Shqipërisë që turp është të them se ma vodhën metingun. Mu ka mbush mendja top se në Shqipëri gjithçka vidhet, përderisa edhe mitingjet. Para se të hedhim dritë mbi këtë ngjarje, le të shohim çfarë thotë kryeministri i shkuar, që aso kohe ishte këmborë e madhe. *      *      * “Ky njeri, – thotë në një konferencë shtypi kryeministri Berisha për opozitarin e vet të kolltukut, Edi Rama, – do të vinte në vitin `90 në mitingun tonë, pas Bibliotekës së Universitetit dhe do të më thoshte se ky fjalimi yt nuk është gjë, është i butë, sepse ata duhen varur. E pashë drejt e në sy e i thashë: – kë duhet të varim? Ata, – më tha – Komitetin Qendror dhe Byronë Politike. Unë iu përgjigja se nuk kam krijuar partinë e varjeve, por kam krijuar Partinë Demokratike.” Në pikëpamje partiake e vetmja gjë që mund të them është si nistori edhe i formimit të degës së PD për Kinostudion, se as në atë kohë e as sot nuk kam qenë e nuk jam i mendimit se ne, veprimtarët e lëvizjes demokratike në terren, po formonin degët e partisë së liderëve të rinj. Ky nocion nuk ekzistonte në kokën time e të kolegëve të mi, sepse na ishte shpifur ideja e themeluesit të partisë komuniste dhe nuk na pëlqente të notonim në ato ujëra kultesh. Sa i përket bindjeve të mia, dhe besoj jo vetëm të mia, që i kam shprehur që në numrin 3 të gazetës RD, janar 1991, ku kërkoja heqjen e yllit të kuq komunist nga Flamuri dhe kallëzave të grurit nga stema e Republikës, Partia Demokratike e atyre ditëve është formuar si një imediat historik, si parti e demokracisë dhe e kurrnjë individi të përveçëm në këtë vend të rënduar nga kulti gjysmë shekullor i individit. Kulti i Enver Hoxhës,(pse jo dhe i Zogut) i kishte lodhur aq shumë psiqikisht njerëzit (flas më tepër për intelektualët e jo turmat që nëpër tërë shekujt vetëm kanë brohoritur), saqë nuk kishim dëshirë të dëgjonim për liderë në ballë të tribunave. Por kjo çështja e personalizimit të partive, tashmë nuk është në preokupimin tim, sepse nuk bëj pjesë në asnjë prej tyre, kryekreje për faktin se nuk janë ato për të cilën mendoja se do të ishin. Le ta marrë mbi shpatulla kushdo që dëshiron të bëjë karrierë e të luftojë për mirëqenie e lavdi personale, sepse tashmë partitë janë leva Arkimedi për të marrë pushtetin dhe pushteti mjeti me të cilin mund të bëhen para me bollëk duke përdorur të dyja duart, në njërën duke mbajtur pankarta kolosale të luftës kundër korrupsionit, ndërsa në tjetrën duke mbushur xhepat e vet, ndërkohë që boshatisen xhepat e shtetit. Që në atë kohë, soj-soj beniaminësh e ligavecësh të rinj të politikës, vinin rrotull dhe me lajka përpiqeshin të ngjiteshin në shkallët e pushtetit e mund të themi se ia arritën mjeshtërisht. Luftëtarët më të mëdhenj zë buçitës me bla-bla-bla oratorike gjatë daljeve nëpër podiume ishin komunistët, bijtë e rrethi i afërt i tyre, por edhe ish-spiunët e sigurimit. Ata më shumë se kushdo kishin nevojë të shfaqeshin si liderë të rinj dhe të mbulonin erën e keqe të së kaluarës së vet të palavdishme. Dihet që politikanët e interesit e jo të idealit janë si minjtë që braktisin të parët anijen që mbytet. Kështu ndodhi edhe në Shqipëri. Minjtë e kuq nisën të zhargiten e llangosen blu. Kjo blujadë nuk ishte e vështirë të binte në sy. Kushdo që ishte ndryshe, që nuk kishte të tilla orekse, por vepronte thjesht nga dëshira për të parë popullin e lirë pasi të shembej komunizmi, e ndjente veten të huaj në mjediset e këtyre liderëve të rinj që, kush e kush t’i ngrinte shpatullat më lart se njëri-tjetri. Koha e tregoi se lufta për pushtet që u bë në mes të liderëve të rinj të vetëquajtur demokratë, ishte aq e ashpër dhe e pa kompromis sa të duket se më shumë luftonin njëri-tjetrin se sa me farën e keqe të komunizmit, e cila vërtet ishte tek kuadrovikët e Partisë së komunistëve shqiptarë, por edhe këta liderë të rinj ishin të molepsur jo pak me sporet e kuqe. Tani le të shqyrtojmë shprehjen e kryeministrit që tekstualisht thotë: -“Ky njeri do të vinte në vitin `90 në mitingun tonë, pas Bibliotekës së Universitetit”.

*      *      *

Biblioteka e Universitetit gjendet pranë sheshit që tashmë quhet “Nënë Tereza“ dhe nga pas ka stadiumin kombëtar. Tërë gjasat janë që ish-kryeministri Berisha t’i referohet jo mitingjeve të Partisë që e ka formuar ai, sepse nuk dimë të ketë bërë partia e tij ndonjë miting në atë shesh, përkundrazi më i spikaturi ka qenë mitingu madhështor i intelektualëve të institucioneve artistike të Tiranës në përkrahje të zhvillimeve demokratike në Shqipëri. Mirëpo nëse është fjala pikërisht për këtë miting, ish-kryeministri është i paqartë sepse e personalizon. Madje shkon edhe më tej kur thotë se ky njeri, pra Edi Rama, atëbotë pedagog i Insitutit të Lartë të Arteve, paska shkuar në mitingun e PD-së. Përkundrazi, ishte kryepartiaku Sali Berisha që shkonte në atë miting ku Edi Rama ishte në mjedisin e vet prej intelektualësh të institucioneve artistike të kryeqytetit (ani pse në mënyrë habitore edhe vetë Edi Rama në “Kurbanin” e tij e bën kurban këtë miting duka ja faturuar PD-së dhe duke ia mohuar vetvetes), çfarë tregon se të dy këta kanë rreth vetes këshilltarë të paaftë, sepse Kryeministri dhe Kryeopozitari ( tashmë anasjelltas ne kolltuk qeveritar) sjellin referenca të gabuara në Median Publike që vetë i kanë nën pronësi e vetë i quajnë kazan e hale. Ai miting nuk ka qenë iniciativë e asnjë partie, ai është organizuar nga krijuesit e Kinostudios, por thënë saktë ka qenë nisiativa ime personale dhe nuk ka njeri që i del për zot kësaj pune veç meje. Po pse e bëra këtë? Sepse po vija re se pak intelektualë të institucioneve artistike të kryeqytetit po solidarizoheshin me partinë e re demokratike që sapo ishte formuar. Po krijohej përshtypja se intelektualët krijues ishin indiferentë, gjë që nuk ishte e vërtetë. Aq më tepër neve si kineastë na takonte të ishim nisiatorë për faktin se kushdo në Shqipëri e dinte sesi kolektivi krijues i Kinostudios e kishte përcjellë me bisht ndër shalë, sekretarin e Komitetit Qendror të Partisë dhe anëtarin e byrosë politike, Foto Çami, sa u përhap fjala nga kuadrovikët e partisë diktaturë se në Kinostudio kish bërë fole armiku. Ndër veprimtaritë që kam zhvilluar ato ditë të fundit të dhjetorit 1990, ka qenë edhe hapja e një fushate ndihmash monetare për PD-në. Mblodha një grup punonjësish dhe kërkova të krijonim degën e PD-së për Kinostudion. Për këtë kam shkuar e takuar Azem Hajdarin, i cili e pëlqeu dhe e përkrahu idenë e krijimit të degës së PD dhe më pajisi me një autorizim të posaçëm me firmën e tij. Atë ditë që e kam takuar, e kam pritur gjatë të zyrat e PD në rrugën “Fortuzi”, sepse më thanë se është në një mbledhje tek Presidenti Ramiz Alia. Kur Mark Topallaj e pyeti për Sali Berishën, Azemi na tha se “Saliun e mbajti Ramizi në zyrë”. Vërtetë nuk jam në gjendje të vërtetoj se si e pse e mbajti në zyrë Ramiz Alia Sali Berishën dhe çfarë kanë qenë bisedat e tyre, por fjalët e Azem Hajdarit i kam dëgjuar me veshët e mi. Pra takime kokë më kokë Sali-Ramiz vërtetohen në mes të dhjetorit 1990. Deri me sot nuk kam lexuar askund rrëfime të Sali Berishës për këto takime të mbyllura e biseda kokë me kokë me diktatorin Ramiz Alia. Dua të sjellë në kujtesë edhe diçka, duke i parë lëvizjet e mia, sepse edhe Kinostudio ka patur të paktën 12 spiunë me “500”, dy oficerë sigurimi të veshur civilë, kanë shkuar në Kinostudio dhe kërkuan të më takojnë, por atë ditë kam qenë me xhirime jashtë Tirane. Kanë takuar drejtorin duke kërkuar prej tij të dhëna për personin tim. Viktor Gjika më ka thirrur e njoftuar se të kanë në sy të keq ata të Ministrisë së Brendshme, ndaj bëj kujdes për vetën dhe shtoi se u përpoqa sa munda të marr në mbrojtje. Pa patur parasysh këtë presion, vazhdova punën për formimin e degës së PD-së për institucionin tonë. Fotografitë e asaj dite janë ende në fondin e kameramanit Spartak Papadhimitri në Tiranë. Kjo sa për njoftim që të mos ngrihet ndonjë i vonuar, që ka hyrë në PD nja dhjetë vjet më pas dhe brenda natës na u gjend ministër e të na thotë ky i përkëdhelur i tarafit -“Po, ne s’të njohim fare”. Se këta, fillimin e historisë së partisë blu apo rozë e llogarisin nga dita kur kanë nxjerrë lugën nga brezi e kanë nisur të hanë mjaltë qeverisje sa janë dendur mirë. Nga fundi i dhjetorit 1990 kam shkuar në Ministrinë e Brendshme dhe ata ma prenë shkurt se nuk japim leje për mitingje se ato janë ekskluzivitet i partive të miratuara me legjislacion prandaj të shkoni e të bëni kërkesën nëpërmjet tyre. Siç dukej ishin marrë të gjitha masat nga Partia Punës mbase në marrëveshje edhe me krerët e PD-s, që çdo veprimtari të mbikëqyrej duke mbyllur çdo shteg të iniciativave qytetare prej të cilave kishin frikë. Duke mos pas rrugë tjetër kam shkuar në selinë e PD ku kam takuar një dibran që rrinte në holl si punë sekretari për informacionin me emrin Zenel Hoxha, sot është drejtues i Dhomës Shqiptare Britanike të Tregtisë dhe Industrisë (ABCCI). Zenel Hoxhës i kam kërkuar ndihmë që të nxjerrë një leje për zhvillimin e mitingut, për arsye se lejet për mitingjet nuk mund tu jepeshin drejtpërdrejte qytetarëve, por duhej të kalonin për tu vërtetuar nëpërmjet zyrave të partive. Zenel Hoxha më ka kërkuar të mbush një formular ku duhej të përshkruaja qëllimin e mitingut, ditën , orën, dhe kush do të ishin organizatorët që do mbanin përgjegjësi ligjore në rast incidentesh gjatë zhvillimit të tij. Pasi e kam mbushur e firmosur formularin me kërkesën për një miting krijuesish e intelektualësh të Kinostudios, më ka kërkuar edhe emrat e dy personave të tjerë që do të shënoheshin si garant në atë letër e që bashkë me mua do të ishin përgjegjës para ligjit për zhvillimin e mitingut, fjalët e tij. Kërkesë që ai me emrat tonë do ta paraqiste në Ministrinë e Brendshme. I kërkova ndihmë regjisorit Mark Topallaj që u shpreh i gatshëm ta firmoste. Duhej edhe një i tretë, të cilin duke mos pasur mundësi ta gjeja menjëherë, sepse duhej të shkoja sërish në Kinostudio, vendosa të shënoj regjisorin Saimir Kumbaro dhe ta lajmëroja më vonë, i bindur që Saimiri nuk do të kundërshtonte vënien e emrit të tij në atë listë, ani pse pa e lajmëruar. Kësisoj si nismëtar i atij mitingu bëra dhe një akt të kundra ligjshëm, i ndërgjegjshëm se do te dënohesha penalisht, duke firmosur në vend të një tjetri. Falsifikim i dënueshëm. Ndoshta koha dhe rrjedhimet historike më shfajësojnë. Shënova datën për zhvillimit e mitingut 10 janar 1991, ora 4 pas dite, tek sheshi para stadiumit “Qemal Stafa”. Të gjitha detajet i kisha menduar më parë. Vendosa këtë orë qëllimisht sepse shumica e ndërmarrjeve e mbyllnin punën në 3 e një orë na duhet për tu mbledhur, por gjithashtu në atë orë ishin të lirë të gjithë studentët e Universitetit dhe Akademisë së Arteve.  *      *      * Tërë problemi ishte se Ministria e Brendshme në fillim rrinte duke i lëvizur datën mitingut e kur përfundimisht u caktua një datë, nisi odiseja e vendit ku do të zhvillohej. Në shtatë ditët e fundit, shtatë herë është ndërruar vendi i zhvillimit të tij. Kjo nxirrte shumë problem, sepse sa herë ndërrohej vendi, aq herë isha i detyruar të shkoja e të lajmëroja tërë institucionet artistiko-kulturore të Tiranës. Na thanë, nuk ua japim sheshin pas Bibliotekës Universitare, por do të shkoni ta zhvilloni tek Fusha e lagjes “Ali Demi”. Ditën tjetër, kërciste telefoni i Zenelit e një zë i rëndë oficeri thoshte: “Nuk do ta bëni atje, por do të shkoni tek fusha e druve në Qytetin e Nxënësve, tek kazermat e Ali Rizait”. A është e saktë? – i thosha Zenelit. “Eja nesër prapë më thoshte Zeneli, i cili bënte punën e ndërmjetësit. Pas kësaj niste vrapi im nëpër institucionet që nga Kinostudioja tek Opera, Biblioteka Kombëtare, Teatri Popullor, Estrada e Cirku, Radio Televizioni, Ndërmarrja Botuese, Instituti i Kulturës Popullore, Insituti i Monumenteve të Kulturës ku më priste me shprehjen “Prap e anulluan, derrat!”- e ndjera Fatbardha Shkupi. Pastaj me vrap tek Filologjiku, Universiteti dhe Instituti i Lartë i Arteve. Ishte një lodhje e rraskapitje e krijuar me qëllim që të na bënim të hiqnim dorë ose më e pakta, duke e ndërruar vendin shtatë here, njerëzit do të futeshin në konfuzion dhe nuk do të mblidheshin në një vend, por do të shpërndaheshin në tre vende. Ditën e fundit, datë 10 janar 1991, aty nga ora 11:00 u gjenda me një fryme tek Zenel Hoxha për të pyetur për herë të fundit ai me tha se Ministria e Brendshme na njoftoi se ishim të lejuar ta bënim atje ku kishim kërkuar, por do të mbanin përgjegjësi të plotë personale nëse devijonte nga programi. Merreni me mend çfarë tensioni. Kishin mbetur vetëm pak orë. Të gjitha institucionet e dinin se mitingu do të zhvillohej tek Qyteti i Nxënësve tek “Kazermat e Ali Rizait!. M`u krijua përshtypja se ky miting ishte paracaktuar të dështonte. Bëra vrapimin e fundit atletik, një maratonë e vërtetë nëpër Tiranë dhe si njoftova kë munda, shkova drejt e tek sheshi pas Bibliotekës Universitare. Isha i pari. Krejt vetëm. I rraskapitur dhe i pangrënë. U ula në një shkallë guri e po qetësoja frymën, kur nisen tek-tuk të duken njerëz që më pyesnin se a do të ketë këtu një miting. Më së fundi arritën të mblidhen jo më shumë se njëqind vetë. Nisën ta marrin fjalën njerëz që e kishin dhënë emrin në listën që kisha në dorë, por edhe spontanisht. Kisha ndërmend të flisja dhe unë por nuk kisha pikë fuqie, pastaj i thashë vetes, nëse ky miting zhvillohet mirë, unë e kam thënë fjalën time më mirë se më oratori në megafon. Nuk shkoi shumë dhe erdhën studentët Akademisë së Arteve dhe ata të Universitetit Politeknik. Nisa të shoh njerëz që mund të ishin çfarëdo, por jo intelektuale. I kisha thënë një të njohurit tim inxhinier në kombinatin e drurit dhe ai i kishte njoftuar të gjithë, por edhe në ndërmarrje të tjera kish shkuar fjala. Kur mitingu ishte në gjysmën e kohës së caktuar, në shesh nuk mund të lëvizje prej dendësisë së njerëzve. Më kot e mbaja letrën në dorë, kurrkush më nuk mund ta drejtonte atë miting. Çdo gjë ishte në dorën e spontanitetit. Edi Rama tha atëherë këto fjalë: “Na skuqën si indianë, na zverdhën si kineze e na nxinë si afrikanë”, por ama, ai nuk është përzënë nga ai miting. Kundërshtitë dhe meritë vetjake që kishin ata që aspironin për të ngjitur shkallët e pushtetit( a ishin caktuar për atë punë nga diktatori) janë çështje që nuk kanë asnjë lidhje me këtë miting historik, të cilin dikush mbase qëllimisht e ka harruar ngaqë nuk e kanë bërë vetë dhe as dine fare si është organizuar. Kaq shumë thirrje kundër diktaturës nisën të lëshohen nga qytetarët, sepse ata të tribunës ishin të përmbajtur, sa fjalimet u bënë jo vetëm të padëgjueshme por edhe të pakuptimta. Në mes të atyre që nguteshin për të folur vura re dy kategori, njëra përbëhej nga ata që ëndërronin të ngjisnin shkallën e karrierës, tjetra nga ata që kërkonin të mbulonin diçka pas vetës. Ky ishte stili, ky ishte e vazhdon të jetë karakteri i shumë laskandraqve që flasin nëpër foltore partish e shoqatash, madje edhe në Kuvendin e madh të Popullit, duke spekuluar me hapjen e dosjeve, kur spiunët e deklaruar i mbanin pranë vetës, i përkrahnin e ju gjenin edhe ndonjë vend të ngrohtë për të bërë allishverishe e korrupsion. Deri dhe ministra e deputetë spiunë. Mbyllja e mitingut, ishte jo fund por fillimi i shprehjes së revoltës popullore. Ishin mbledhur mijëra njerëz në sheshin para Universitetit rreth e qark shatërvanit. Kish nisur të errësohej dhe disa njerëz kishin gjetur qirinj dhe i kishin ndezur. Dikush ndizte gazeta të vjetra duke i bërë si pishtarë. Turma prej mijëra vetësh po derdhej si një lumë. Ishte një lum vigan që kërkonte shtrat dhe hapësirë për të vërshuar. Dëshira ishte që ky lumë njerëzor të vërshonte në bulevardin kryesor, mes Kryeministrisë dhe selisë së Komitetit Qendror për t’i bërë sfidë atyre që tashmë dridheshin si minjtë duke kujtuar kufomën e pushkatuar të Çausheskut të Rumanisë. Sigurimi e nuhati dhe bllokoi rrugën kryesore duke lejuar vetëm kalimin e pjesshëm në trotuar. Turma prej mijëra vetësh duke kënduar “Se mjaft në robëri,/e mjera Shqipëri,/o djem rrëmbeni pushkët-ë,/ja vdekje, ja liri”, ktheu drejtim dhe mori nga rruga e Librit Universitar drejt kryqëzimit të Tiranës së Re. E tërë Tirana buçiste. Nuk e di pse atë natë ndjehesha më i lumtur së kurrë e më dukej se kisha bërë gjënë më të mirë në jetën time. Dhe këtë mendim e ndjenjë kam edhe sot kur i kujtoj ato skena, që nuk mund të përsëritën kurrë më. Në mitingu i 10 janarit 1991 ishte pararendësi i një zhvillimi tjetër madhështor, populli, punëtoret dhe studentet e intelektualët me pas do te guxonin dhe e plandosi përdhe duke e hequr zvarrë bronzin e diktatorit më të egër e të paskrupullt të Europës pas Luftës se Dytë Botërore. Mirë të gjitha këto që i mori historia, po çfarë kanë dy kryeministra që edhe pas 27 vjetësh dalin e na e vjedhin mitingun antikomunist të Tiranës se ashtu ishte domethënia e tij? Ndoshta se ai që vidhet gjithnjë është populli. E popullit gjithherë i vidhet jo vetëm pasuria por edhe historia. Dhe ja shpërblejnë duke vënë buste e monumente sharlatanësh nëpër rruge e sheshe të cilët vjen koha prapë për ti rrëzuar. Aspirojnë bronz të lavdishëm politikanët tanë, ndaj hedhin mbi supe e veta gjithfarë historish e trimërisht të sajuara e shfaqen si Don Kishotë më armë të ndryshkura. Për të qeshur, por edhe për të qarë gjithashtu… © Kolec Traboini “Vitet 1990-1991 në memorien time”. Dorëshkrime. Në foton poshtë në Kinostudio, dhjetor 1990, me grupin e lëvizjes demokratike, Kolec P. Traboini, Reiz Cico,Vasil Tabaku e tjerë. Foto nga Spartak Papadhimitri.



Filed Under: Histori Tagged With: 10 Janar 1991, KOLEC P.TRABOINI, MITINGU

Papa Kristo Negovani, dëshmori i gjuhës shqipe, kleriku i shquar i çështjes kombëtare

January 9, 2021 by dgreca

Shkruan: Eneida Jaçaj/

   Shqipëria mbart në historinë e saj shekullore, shumë figura intelektuale, rilindas të shquar, arsimdashës e atdhetardashës, të cilët me aktivitetet e tyre përkatëse  ngrenë në altarin e nderit emrin e kombit tonë të dashur dhe gjuhën shqipe e bënë të pavdekshme. Disa prej tyre u martirizuan për të mbajtur gjallë gjuhën shqipe, kur falangat e pushtuesve të huaj kërkonin të errësonin kombin shqiptar. Martirët e lirisë i dhanë dritë shqipes sonë, kombit, duke kthyer shtëpite e tyre në fole dijesh. 

    Një ndër martirët e lirisë është Papa Kristo Negovani, prifti shqiptar i cili luftoi për çlirimin e vendit nga falangat greke, dhe punoi fort për shkrim-këndimin e gjuhës shqipe duke mbajtur zgjuar shqiptarët, se një komb pa gjuhën e vet dhe i nënshtruar, është një komb pa identitet!  

Kristo Negovani është kleriku i shquar, veprimtari shqiptar, i cili nuk u lodh asnjëherë nga përpjekjet e tij për t’u mësuar gjuhën shqipe fëmijëve dhe më të rriturve. Kristo Negovani nuk hoqi kurrë dorë nga misioni i tij, derisa ra dëshmor. Ai është martiri i gjuhës shqipe, i cili nuk iu bind asnjëherë pushtuesve grekë të hiqte dorë nga misioni tij apo të shitej për interesat e veta. Shkrimtari dhe intelektuali Kristo Negovani luftoi kundër përpjekjeve dashakeqe të qarqeve shoviniste greke, për shkombëtarizimin e kishës dhe përvetësimin e Jugut të Shqipërisë. Përpjekjet e tij për të mbajtur ndezur pishtarin e gjuhës shqipe ishin madhështore.

   Papa Kristo Negovani ishte i pari që mbajti meshën në gjuhën shqipe para peshkopit të Kosturit, gje e cila i kushtoi jetën. Me këtë veprim, prifti Kristo Negovani i dha forcë gjithë popullit shqiptar, të mos tremben për të shkruar e kënduar gjuhën e artë shqipe, edhe nëse do ua merrnin jetën, sepse një komb nëse nuk flet gjuhën e vet, është një komb i vdekur për së gjalli!!

 Papa Kristo Negovani u lind në një trevë shqiptare në Greqinë Veriore, në Negovan afër Follorinës. Pas emigrimit të tij në Rumani më 1897, ku krijoi lidhje me lëvizjen shqiptare dhe mësoi shkrim dhe këndimin e gjuhës shqipe, ai u kthye në fshatin e lindjes, ku u shugurua prift. Papa Kristo nuk hoqi dorë kurrë nga përpjekjet e tij për t’u mësuar fëmijëve dhe të rriturve gjuhën shqipe. Ai ishte i pari që mbajti meshën në gjuhën shqipe, dhe kjo bëri që më 12 shkur të vitit 1905 një grup të panjohurish e morën me zor nga kisha ndërsa shpërndante naforën. Pasi e tërhoqën zvarrë e çuan në periferi të fshatit dhe e masakruan me thika e sopata duke thënë: “Shko tani të bësh propagandë për Shqipërinë dhe të thuash ungjillin shqip”. Bashkë me të vranë edhe të vëllain, Theodosin, edhe ky patriot. Papa Kristo ka lënë mbrapa një sërë veprash letrare, si amanetet e tij të fundit për të mos harruar kurrë gjuhën shqipe.

   Sot e kësaj dite, grekët vijojnë ende të mbajnë të uzurpuar kreun e Kishës Ortodokse Shqiptare, vijojnë ende të pretendojnë për Jugun e Shqipërisë, Himarën e quajnë pjesë të Greqisë; minoritetin grek në Shqipëri e përdorin për nacionalizma pushtuese etj. Ndërsa shteti shqiptar në politiken e jashtme nuk ka bëre asgjë sa i takon pronave dhe varrezave çame. Shqipëria minoritetin grek e respekton, ndërsa të kundërtën bën Greqia. Madje, shqiptarët kanë ndërruar edhe emrat vetëm për t’u pranuar më lehtë në shtetin helen. Si për ironi të fatit, Greqia shton edhe pretendimet për dalje në Detin Jon. Skandali I turpshëm i vitit 2009 u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese, por duket se po tentohen të përsëritet për fat të keq. Kur intelektualë si Kristo Negovani dhanë jetën për kombin dhe gjuhën, “atdhetarët” e sotëm, pushtetarët po shesin interesat e vendit në dobi të pasurimit të tyre. Jane dy faqe historie që nuk përngjajnë me njëra-tjetrën. Madje, faqja e sotme nxin dhe steros dinjitetin e kombit, por kurrsesi përpjekjet e dëshmorëve të lirisë, për një Shqipëri të denjë dhe demokratike. Ata do të mbeten të gdhendur në perjetësi, në memorien e kombit shqiptar!

Filed Under: ESSE Tagged With: Eneida Jaçaj, Papa Kristo Negovanit

Përballë mjekëve

January 9, 2021 by dgreca

NGA MERI LALAJ/

Ndoshta mendimi për t’u bërë mjeke më pati lindur që në fëmijëri nga leximet e librave, madje e pata përcaktuar do të bëhesha kirurge që të shpëtoja të sëmurët duke vepruar jo vetëm me mendje dhe me zemër, por edhe drejtpërsëdrejti me duar. Dhe, unë nuk do të isha në këtë jetë në rast se Profesori kirurg, Petro Cani dhe kirurgia e mrekullueshme ruse Margarita Basha në një tryezë operacioni më shpëtuan si në përralla duke bashkuar copat e trupit tim dhe duke i spërkatur me “ujë gjallë e vdekur”. Megjithëse nuk u bëra mjeke, unë gjatë gjithë jetës kam lexuar libra që kanë lidhje me mjekësinë edhe ndiej tjetër emocion kur ndeshesh me libra të shkruar nga mjekë shkrimtarë.

Gjatë ditëve kur ishim të ngujuar nga virusi 19, vijoja të lexoja librin e Profesor Doktor Fedhon Meksit “4 Burra”, një libër i shkruar me shumë përkushtim dhe dashuri për burrat që i janë përkushtuar kombit shqiptar: Mahmud Pashë Bushati, Ali Pashë Tepelena, Naum Bredhi Veqilharxhi dhe Vangjel Zhapa. Doktor Meksi me shumë durim ka hulumtuar në mëse 100 libra dhe dokumente për të ndriçuar këto figura të vyera, të cilat i bëjnë shumë nder historisë së Shqipërisë. Detyra e çdo njeriu është të bëjë diçka për Atdheun e vet. 

Ditët e fundit lexova në dorëshkrim librin e sapopërfunduar nga Profesor Doktor Fedhon Meksi “Yjet e Mjekësisë Shqiptare”, libër që është një konstelacion i shndritshëm yjor kushtuar shtatë mjekëve të shquar të mjekësisë tonë. Ata janë: Dr. Frederik Shiroka, Profesor Doktor Selaudin Bekteshi, Profesor Doktor Petrit Gaçe, Profesor Doktor Panajot Boga, Doktor Jorgji Adhami, Profesore Doktoreshë Adelina Mazreku, U. M. Jani Basho. 

Mjeku i shquar, Frederik Shiroka është quajtur ”kirurgu me duar të arta” Unë si fëmijë i vogël e kam parë me sytë e mi doktor Shirokën hipur mbi biçikletën që nuk e ndante kurrë nga vetja dhe ajo që më bëri më shumë përshtypje ishin duart e tij të veshura me dorashka lëkure. Doktor Frederikun, kirurgun e talentuar virtuoz që pati studiuar në Austri e kërkuan për ta pasur në klinikat e tyre të kirurgjisë që nga Austria dhe deri në Amerikë, por përgjigjja e tij ishte e prerë: “Kirurgjia nuk ka atdhe, kirurgu ka.” Ai operoi me mijëra njerëz pa përfillur orarin e punës dhe ishte i vetëdijshëm teksa thoshte: “historinë e mjekësisë shqiptare / po e shkruaj me majën e bisturisë.” vdekja e zezë rrinte aty pranë, iku në një moshë të re, kur kishte aq shumë për të ndihmuar dhe shëruar të tjerët. Funerali i tij u përcoll nga mijëra njerëz dashamirë dhe adhurues të veprës së tij. 

Emrin e Profesor Doktor Selaudin Bekteshit, e kemi dëgjuar mijëra herë teksa prindër të shqetësuar tregonin probleme të shëndetit të fëmijëve të tyre dhe këshilla e miqve ishte: “Po nuk e keni shpënë tek doktor Bekteshi?”Këta mjekë të rrallë kaq të veçantë që ka pasur Shqipëria, jo vetëm kryenin me pasion e përkushtim punën e tyre, por bënin gjithçka që të aftësonin edhe të tjerët duke filluar nga studentët e duke vijuar me mjekët e rinj, jo thjesht nëpër qytete, por edhe në fshatrat më të thella të Atdheut. Në vitet që fillimisht ka punuar doktor Bekteshi: vitet 50-të, 60-të edhe problemet me sëmundjet e fëmijëve ishin të shumta duke u shtuar këtyre edhe epidemitë e ndryshme, veçse përgjegjësia për jetën, për të ulur vdekjet foshnjore i mobilizonte mjekët deri në vetëmohim.

Për Profesor Doktorin Petrit Gaçe, pata dëgjuar për operacionet e tij të suksesshme që bënte në zemrën e pacientëve, ishin rastet e para në vendin tonë dhe natyrisht që ishte risi për kirurgjinë dhe mjekësinë shqiptare. Ai u kthye prej studimeve universitare nga Shën Petërsburgu në profesionin kirurg i përgjithshëm e më tej me përkushtimin e tij të jashtëzakonshëm duke kryer operacione nga më të vështirit në kirurgjinë e enëve të gjakut, madje deri tek djegiet më të rënda që preknin sipërfaqe të mëdha të trupit të të sëmurit. Përvojën e tij ai e ndau me studentët dhe nën shembullin e tij u formuan sa e sa kirurgë.

Një përshtypje të veçantë më ka lënë puna e jashtëzakonshme e Profesor Doktorit ortoped Panajot Boga, një punë titanike të operosh mijëra fëmijë të lindur me difektin e të çaluarit tek foshnjat, veçanërisht tek vajzat. Jo vetëm kaq, ai kurrë nuk e la bisturinë nga dora duke operuar kockat e pacientëve në shtyllën kurrizore, në gjymtyrët e sipërme apo të poshtme. Ai ishte edhe një pedagog i shkëlqyer. 

Para pak vitesh, unë pësova një thyerje të kockës së thembrës dhe u takova me Doktor Panojotin, ai pa grafinë time dhe u habit: “Kam kaq vite që merrem me kocka dhe nuk kisha parë kurrë një thyerje kaq të drejtë, kaq të përpiktë, edhe sikur të doja ta prisja me sharrë a diçka tjetër nuk mund të bëhej kaq e saktë!” Ai qeshte me gaz dhe bëmë shaka sepse më tha që të bëja disa hapa të ecja dhe unë nuk çaloja, por ecja normal. 

Doktor Jorgji Adhami: thuajse nuk dija asgjë për këtë mjek dhe mësova aq shumë duke lexuar këtë libër. Dikur kur shkonim në shkollën fillore dëgjonim për raste kur për fëmijë të përcaktuar mësuesit e porositur u jepnin kinina dhe thonin se ato kokrrat e verdha ishin shumë të hidhura. Dinim fare pak, thuajse asgjë fare se ndërkaq bëhej luftë e madhe kundër malaries dhe në vendin tonë këtë luftë të pashoqe e udhëhiqte një shkencëtar i vërtetë Doktor Jorgji Adhami, i cili porsi heronjtë e mjekësisë botërore doctor Alexander Fleming, doctor Robert Koch, dhe doctor Norman Buthane e të tjerë luftonte dhëmb për dhëmb me mushkonjat i ndiqte ato kudo që ndodheshin duke e vënë veten përballë rrezikut vdekjeprurës. Punonte pa orar larg shtëpisë bënte vetë klasifikimin e mushkonjave derisa arriti në zhdukjen e plotë të malaries në vendin tonë.   

Ndërsa po mendoj për këta mjekë kaq të shquar, vura re se pesë prej tyre janë kirurgë (jo më kot paskësha menduar edhe unë dikur për t’iu kushtuar kirurgjisë!). Vetëm se këta kirurgë vepronin me bisturi e kjo ndodhte gjatë pesëdhjetë e ca viteve më parë, ndërsa tani veprohet dhe me metoda të përparuara: shumë operacione në veshka, në tëmth e të tjera kryhen direkt me rreze lazer   

Sërish një kirurge: Profesore Doktoreshë Adelina Mazreku. Unë ndihem me fat dhe e lumtur që midis këtyre burrave të renditet edhe një femër kaq e zonja si Adelina dhe jo vetëm kjo, por sepse Adelina është një nga mikeshat e mia më të mira. Ne jo vetëm që të dyja bisedojmë për letërsi, librat që lexojmë, muzikën, artet në tërësi edhe për mjekësinë, por Adelina më ka ndihmuar për dhjetëra mike të miat kur kanë pasur nevojë për vizitën e saj, operacionin apo mjekimet e ndryshme. Adelina me zërin e ëmbël, me shpjegime të përpikta të sqaron, unë i them “ shëron me psikoterapi” Dihet në të gjithë Shqipërinë puna e përkushtuar e Adelinës në specialitetin e saj: mjeke onkologe. Dihen shumë e shumë raste që gra apo burra të sëmurë me kancer kanë shpëtuar nga kjo e keqe duke e kapur sëmundjen që në fillim të herës. Me qindra janë studentët, të cilët kanë mësuar prej Doktoreshës Adelina dhe tani me përkushtim vijojnë detyrën e tyre të nderuar mjekë onkologë. 

U. M. Doktor Jani Basho. Është në nderin dhe krenarinë time si poradecare që të shkruaj pak fjalë për këtë njeri dhe mjek të jashtëzakonshëm. Meqenëse kemi patur një lidhje farefisnore emrin e Doktor Jani Bashos e kam dëgjuar që në fëmijëri kur mbesa e tij, Zugrafa, shpesh nëpër biseda e përmendte me emrin përkëdhelës “Vançi”. Ky mjek i shquar bëri sa mundi për Shqipërinë duke ngritur dy spitale: civilin dhe ushtarakun, më tej shkollën e mamive duke qenë një mësimdhënës i shkëlqyer dhe nga përvoja e tij dolën me dhjetëra e dhjetëra mami. Nuk mund të rri pa përmendur se për zotësinë e tij e kërkuan për ta mbajtur në profesionin e mjekut disa klinika në Europë madje deri në Amerikë, por zemra e tij rrihte veç për Mëmëdheun. Me kulturën e tij të veçantë ai përballoi denjësisht dallgët e jetës, mjafton fakti kur pas çlirimit i dogjën tri mijë libra në oborrin e shtëpisë, libra që kishin vlera të jashtëzakonshme edhe për studimet historike albanologjike, përveç mjekësore. 

Në një radhë me Doktor Jani Bashon renditen edhe këta poradecarë: albanologu Gjergj Pekmezi, shkrimtari dhe përkthyesi Mitrush Kuteli, poeti Lasgush Poradeci, arkitekti Kristo Sotiri, të cilët i bëjnë nder Shqipërisë.

E vlerësoj këtë libër me titullin kuptimplotë “Yjet e Mjekësisë Shqiptare” shkruar me kaq dashuri nga Profesor Doktor Fedhon Meksi. E vlerësoj sepse na rrëfen mirënjohjen e tij ndaj këtyre figurave të shquara të mjekësisë. Mirënjohja është në ballë të gjithçkaje. Detyra jonë është t’i nxjerrim në dritë t’i vemë në dukje këto figura kaq të shquara që bëjnë Kombin. Profesor Doktor Fedhon Meksi me durim e këmbëngulje duke gërmuar nëpër dokumente, duke përdorur një bibliografi të zgjeruar, duke biseduar me miq e të afërm të mjekëve, të cilët përshkruan na ka dhuruar këtë libër të veçantë. Jetojmë në vite të vështira në kohë të trazuara kur mjekët po ikin nga Atdheu vetëm për një pagesë më të lartë për punën e tyre. Më duket se shifrat janë: një mijë infermierë dhe shtatëqind mjekë të larguar.

Mjekët e përshkruar në këtë libër nuk ngurruan aspak për të vënë gjithçka në shërbim të Atdheut sepse Mitrush Kuteli ka lënë porosi në Testamentin e vet: “Atdheu është Atdhe edhe kur të vret!”  

Filed Under: ESSE Tagged With: MERI LALAJ, Perballe Mjekeve

BUNKER

January 9, 2021 by dgreca

Astrit Lulushi

Nga Astrit LULUSHI/

Stalini, Mao, Enveri, të gjithë vepruan pa shpirt; mjaft të tmerrshëm u treguan në një mënyrë apo në një tjetër, në publik ose privatisht, njëri më shumë se të tjetri. Për njeriun, jeta fillonte me dhimbje, vazhdonte me ngërdheshje dhe merrte fund me zhgënjime; përfundimi që arrinte, kur kalonte nëpër hulli dhe shihte se një fund të ngjashëm kishin të gjithë; të mirët iknin të hidhëruar, pasi kishin paguar shtrenjtë gjithçka; të këqinjtë largoheshin të lumtur, pa shlyer asnjë faj. Dhe njeriu qeshte me ironi e sarkazëm, sepse i madhi nuk ia dinte të voglit;i forti shtypte të dobtin; dhe plaku nuk ia njihte meritat të riut. 
Thuajse 100 për qind e të gjithë njerëzve të idhullizuar janë të tmerrshëm në një mënyrë ose në një tjetër: ajo që shpesh konsiderohet e madhe tek një person mund të përçmohet nga armiqtë e tij. Morali i historisë është që kurrë askush nuk duhet të adhurohet deri në idhullizim; pra,  jo më diktatorë, as tiranë apo udhëheqës absolut. Shqiptarët këtë duhet ta kishin mësuar, me siguri, nëse arsimi nuk do të kishte vepruar mbi ‘ta si makineria që shplan zhavorin. Prandaj sot, pas kaq shumë vitesh nga përmbysja e diktaturës, shqiptarët anojnë në anë e tiranisë (mund të jetë vetëm çështje konjukturash politike ndërkombëtare që kjo tirani ndjehet e butë tani), sepse diktatura me atë arsim “falas” ia nguliti mirë shoqërisë mendësinë që e mban të vetëmbyllur në bunker, duke pritur rastin e favorshëm për të dalë prej tij më e egër.

Filed Under: Analiza Tagged With: Astrit Lulushi, Bunker

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 242
  • 243
  • 244
  • 245
  • 246
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT