• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ç’KA SHKRUHET ME GJAK ATDHETARËSH ATJE, NUK SHLYHET KURRMA !

September 22, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

1-okay-shkreli-1

 Foto:PAMJE E KRAHINËS SË SHKRELIT/

■E PRA, NDER KËTO MALE QË JU SHEH SYNI KISHTE BURRA ANALFABET QË DININ PËRMENDËSH EDHE “LAHUTEN E MALCISË”…

Ndërsa sot, Shqiptarët e këtyne Alpeve pa përjashtim duhet të dijnë thanjen e Atdhetarit ■PREK CALI: “S’ka shka më duhet jeta nën hijen e trobojnicës (flamurit malazez), ma mirë me u kalbë në dhe, zotni, faji bjen mbi ju, se ju u batë aleatë me anmikun tonë shekullor, me serbin!” (Arkivi Min. Mbrendshme Tiranë) Ishte 17 Janari 1945, kur u dorzue Preka, dhe krimineli Mehmet Shehu me dredhi e pyeti: “T’u thafshin krahët o Prenkë që nuk bashkpunove me ne, do e kishe mbyllur historinë tënde me shkronja ari!”

■Atdhetari Prekë Cali, “Shtiza e Bajrakut Shqipnisë” si e thërrisnin Malësorët e Alpeve, nuk e shiti Atdheun si tradhtarët Mehmet Shehu, Enver Hoxha, Sheuqet Peçi, Koçi Xoxe e kriminelët tjerë, që per një sterlinë tradhëtuen Shqipni e Kosovë, Çamëri, Hot’ e Grudë e të gjitha Trojet tjera, bashkë me Flamurin e Gjergj Kastriotit, që e kishin zhigatë me yllin e kuq bolshevik. Aty ku u lé Besa dhe Burrnia, tash 72 vjet po mretnon tradhtia!

Tradhtia e “çlirimtarëve” të Enver Hoxhës, Koçi Xoxes dhe Mehmet Shehut ndaj Veriut, sot duhet zanë vendin kryesor në faqet e Historisë, dhe duhet ti bahet e kjartë kryesisht Rinisë Shqiptare, se “çlirimtarët” zhytën Shqipninë e Kastriotit në 1944 nën thundrat gjakatare të sllavokomunistëve jugosllavë, grekë, bolshevikët stalinistë, kinez etj.

■Kur nder krahinat e Berdicës vazhdonte qendresa antikomuniste nga Dhjetori 1944, mbas Taraboshit ishin të rreshtuem formacionet jugosllave me shtypë rezistencën…

■15 JANAR 1945: Kur krimineli Mehmet Shehu nuk ia doli me thye priten e Prekë Calit, tradhëtisht i ra mbas shpine nga krahinat e pushtueme prej forcave jugosllave, që morën pjesë në luftën kunder Malësorëve të Kelmendit perkrah “çlirimtarëve” tradhëtarë të Mehmet Shehut, e mbasi vrane 118 Burra të Malësisë, i hollën nder lumej e prroska…

■Pandi Kristo pohon: “Ato Lleshrat e Prengrat i kemi vrarë faj e pafaj vetëm sepse kanë qenë katolikë!” Kriminelët vrastarë janë ata që ka dekorue kryeministri Rama.

“Mbetën katholikë Malësorët e Veriut me armë në dorë!”…shkruente Fan Noli.

 

23 JANAR 1945: Komandanti LLESH MARASHI, plasi Kryengritjen e Burrave të BAJZËS dhe të SHKRELIT, bashkë me Pjeter Gjoken, Bajraktar’ i Shkrelit; Nikollë Prekë Gjeken – Dedajn, Kryetar i Komunes së Shkrelit; Luket Marashin, Gjergj Kolë Lucen, Zef Tomë Çekaj, Gjon Martin Lulen Ivanaj, Mirot Paloken nga Bajza. Kumonëve të Kishës urdhnoi me i ra Don Nikollë Gazulli. Kol Nik Prela u ra kumonëve!

■U mblodhën ma shumë se 100 Burra të armatosun në Stol të Zagorës. Me lirimin e Bajzës me Kryengritjen u bashkue Kastrati dhe Hoti. Pritej edhe Postriba!

Beteja per me vazhdue rrugen nga Shkodra u ba tek Ura e Rrjollit, ku Malësorët mbetën të vetmuem dhe pa ndihmesën e premtueme… Tek Kisha e Shkrelit u vra Mark Tom Gjeloshi, ndersa mbas Tij, u vrane edhe Gjon Martini e Mirot Paloka.

■Mbas masakrave të Kelmendit, komunistët vazhdojnë vrasjet, djegëjet e plaçkitjet e kullave (me porosi Jugosllave) në krahinat katolike Atdhetare, per të cilat shkruen Noli.

■U pushkatuen e ua dogjën shtëpijat me porosi të “heroit popullit”, gjen. Enver Hoxha:

Gjok Kola, Mirash Gjon Sokolaj, Pjeter Kol Sokolaj, Nikoll Prel Gjeka, Luket Marashi, Dan Coli, Prek Leka, Pashko Leka, Llesh Marashi (u var në Shkoder), Fran Pjetri, Vat Gjelosh Marvukaj, Ndue Gjelosh Marvukaj, Ndrekë Pjeter Çulaj, Mark Gjok Leknikaj,

Martin Frani Popaj, Nikoll Kolaj, Kol Tom Deda, Preç Pjeter Vulaj, Mark Tom Gjeloshaj

Makaj, Gjon Lekë Mirukaj Xhaj dhe, pabesisht vritet edhe Don Nikoll Gazulli…

■Këtu nuk perfshihen Emnat e Atdhetarëve që vuejtën disa mija vite burg e interrnime.

Fatkeqsisht, mungon edhe persekucioni barbar i atyne Trojeve, që Konferenca e Jaltës ua kthej edhe njëherë shovenistëve sllavokomunist me i shkombtarizue.

■Kush kerkon me zhdukë nga Historia e Shqipnisë, Atdhetarizmin e Maleve të Veriut,

rezistencen dhe Kryengritjet Antikomuniste të Tyne, nuk ban asgja tjeter vetem kerkon me mëshef krimet e Enver Hoxhës, por edhe me fshij nga fletët e Historisë së Popullit Shqiptar, dhunen e pashoqe të terroristëve të Sigurimit shtetit komunist.

***

■Nga majet e Atyne Bjeshkëve të Nêmuna buron një ujë i freskët dhe i kulluem…

■Ai ujë asht kenë nder Shekuj që ka ruejtë të paster Identitetin e Popullit Shqiptar!

Merrej nder ata burime nga duertë e Vashave me xhubleta, mbushej buljera dhe rrugës mund të pinte aty, vetem ndonjë udhtarë… që ishte nder Shenjat e Pushimit…

■Ishin bash Ato Burrnesha që shumë shpejtë mbas vitit 1944, u vishën me ruba të zeza dhe sermët e postavat ua plaçkitën “çlirimtarët”, që ua grabitën edhe varset me Kryqa…

■Gurtë dhe Shkamijtë mbetën aty…

■Janë të shkruem me Gjakun e Atyne Atdhetarëve, që nuk shlyhet kurrma!

            Melbourne, 20 Shtator 2016.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fritz radovani, gjak atdhetaresh, Lahuta e malcise, shkreli

Notice of the society “Albanian Roots”

September 22, 2016 by dgreca

Dear leaders of Albanian American community organizations,/

Albanian Roots would like to invite you all this Sunday September 25.2016 to unveil the statue of Mother Teresa in Brooklyn NY.

This is a joint event with Senator Marty Golden who helped sponsor the project and secure a permanent location for the statue in Brooklyn. We will be joined by his excellency President of the Republic of Albania Mr. Bujar Nishani and the Mayor of the City of New York Bill DeBlasio.

Event details are:
St.Athanasious Church
Address: 6120 Bay Pkwy, Brooklyn, NY 11204
Mass dedication to Mother Teresa 11:30AM -12:30PM
Statue Ceremony 12:30PM – 1:30PM
Street Concert 1:30PM – 4:00PM
Please rsvp if you plan on attending so we can reserve you a seat. Also if any organization would like to table during the festival you are welcomed to do so.
Marko Kepi

Filed Under: Komunitet Tagged With: albanian roots, Marko Kepi, Notice of the society

Shamia në Shkolla, debati

September 22, 2016 by dgreca

Bartja e shamisë në shkolla, mes vendimit politik dhe përcaktimit individual/

Nga Luljeta Krasniqi – Veseli/

Ilustrim

Lejimi i mbajtjes së shamisë për femrat e besimit mysliman në shkollat fillore dhe të mesme është rikthyer si një temë diskutimesh në Kosovë.

Debatet kanë nisur që para gjashtë viteve, kur fillimisht ishte vërejtur një numër i nxënëseve që kishin vendosur shaminë, teksa ishin ende duke vijuar shkollimin e ulët apo të mesëm, dhe më pas ishte Ministria e Arsimit që kishte lëshuar një udhëzim administrativ që ndalonte bartjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme publike.

Një vajzë, me inicialet A. I., nga Gjilani, (identiteti i së cilës është i njohur për redaksinë) ka tri vite që ka mbuluar kokën e saj me shami. Ajo tregohet e vendosur kur bëhet fjalë për të drejtën e mbajtjes sëshamisë në shkollë, ndërsa thekson se kjo gjë duhet lejuar të gjithëve që e ndjejnë si nevojë për të përmbushur, siç shprehet ajo, obligimin e një myslimani.

“Shaminë e mbaj që kur i kam pasur 15 vjet, që gati tre vjet. Nuk ma ka imponuar askush, e kam bërë me vetë dëshirë. Kam pasur probleme kur e kam vendosur shaminë, pasi që familja ime e ka kundërshtuar këtë, ngase në familjen tonë askush nuk mban mbulesën fetare. Edhe në shkollë nga disa jam paragjykuar. Por, unë mendoj që çdo femër myslimane e ka obligim të mbajë shaminë. Unë i jam përkushtuar fesë myslimane, kam lexuar edhe Kuranin”, thotë ajo.

Krejt ndryshe mendon J.S. nga Prishtina, për të cilën mbajtja e shamisë në shkollë të mesme nuk do duhej toleruar, për shkak të moshës së re të nxënësve që vijojnë mësimin e mesëm.

“Bartja e shamisë nëpër shkolla fillore dhe të mesme parqet problem për shoqërinë dhe ata fëmijë, pasi që ata janë ende nën moshën 18 vjeç dhe nuk e kanë moshën e pjekurisë për ta ditur se a dëshirojnë të mbajnë shaminë. Ata mund të ndikohen prej shoqërisë, familjes apo rrethit për bartjen e mbulesës”.

“Unë mendoj që duhet të ketë bazë ligjore dhe duhet të jetë e rregulluar kjo çështje që të mos i lejohet bartja e shamisë deri në momentin kur përfundojnë shkollën e mesme. Pastaj në universitet është e drejtë e secilit, pasi që konsiderohet të kenë arritur moshën madhore dhe konsiderohen se është rrugë që ata kanë vendosur vet ta zgjedhin”, thekson ajo.

Së fundi, ish- lideri i subjektit opozitar, Lëvizja “Vetëvendosje”, Albin Kurti, në një intervistë dhënë për mediet lokale në Kosovë, ka ri aktualizuar çështjen e bartjes së shamisë. Ai ka deklaruar se subjekti politik Vetëvendosje është “për bartjen e shamive prej moshës 16 vjeçare dhe me fytyrë të zbuluar”, për ato femra që vendosin vet të bartin shaminë.

Kushtetuta e definon Kosovën si shtet demokratik dhe laik, me shoqëri multi-etnike, e përbërë nga shqiptarët dhe komunitetet tjera, besimet fetare të të cilave janë të ndryshme.

Në vitin 2010, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në Qeverinë e Kosovës kishte nxjerr një Udhëzim Administrativ, i cili ndalon mbajtjen e shamisë në shkollat fillore dhe të mesme publike.

Ky udhëzim, në atë kohë, kishte nxitur reagime të mëdha të përkrahësve të idesë për mbajtjen e shamive nëpër institucione publike.

Ata patën protestuar kundër ndalimit të shamisë në shkollat publike të Kosovës dhe kishin kërkuar nga ish kryeministri i atëhershëm, Hashim Thaçi, që të shfuqizohet një vendim i tillë.

Ky udhëzim administrativ, sipas zyrtarëve të arsimit, nuk ka ndonjë efekt që nga momenti kur në vitin 2011 në Kuvendin e Kosovës ishte miratuar ligji për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës.

Faton Fetahu, këshilltar ligjor i Ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë ka thënë se në bazë të ligjit nuk përcaktohet e drejta për të bartur shaminë ose cilindo simbol fetar.

Ai thekson se shkollat publike në Kosovë janë të ndara në raport me qëndrimet fetare apo me simbolet të cilat i prezantojnë qëndrimet fetare.

“Ligji për arsimin parauniversitar përcakton që institucionet publike arsimore duhet të përmbahen nga mësimdhënia fetare dhe nga veprimtaritë tjera të cilat propagandojnë një fe të caktuar, që në rastin konkret nuk është se e mohon, por as nuk e lejon që në shkollat tona të këtë prezantim të një feje të caktuar”, thekson Fetahu.

Në Bashkësinë Islame të Kosovës thonë se bartja e mbulesës apo shamisë është obligim, përkatësisht detyrim fetar, për gjininë femërore dhe se kjo obligohet nga mosha madhore apo ndryshe, mosha e pubertetit. Kjo moshë thuhet të jetë nga mosha 14- 15 apo 16 vjeç.

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se duke pasur parasysh faktin që mbulesa është obligim fetar, vajzat nuk duhet të pengohen që të vijojnë mësimin shkollor për shkak të mbulesës, e cila është obligim fetar.

“Ne kemi pasur probleme, ku në shkollat fillore dhe të mesme vajzat nuk i kanë lejuar t’i bartin shamitë bazuar në një udhëzim administrativ të Ministrisë së Arsimit, me të cilin ndalohet mbajtja e shamisë në shkolla. Në disa komuna është respektuar e në disa ka pasur tolerime dhe nuk ka qenë pengesë bartja e mbulesës. Me ligj, shkollimi fillor dhe i mesëm është obligativ dhe nuk do të ishte mirë të ishte pengesë mbulesa në shkollimin e femrave dhe vajzave”, thekson Sadriu.

Ai thekson se mbulesa – që ata kanë kërkuar nga institucionet e Kosovës që të lejohet në shkollat fillore dhe të mesme – nuk nënkupton mbulim të fytyrës.

Problemet rreth kësaj çështjeje, tregon Sadriu, ende nuk janë zgjidhur dhe se Bashkësia Islame e Kosovës vazhdon të bëjë kërkesën e njëjtë tek institucionet e Kosovës që të mos pengohet shkollimi i vajzave të cilat bartin shaminë.

Për me keq, thekson Sadiku, çështja e bartjes së shamisë ka tendenca të politizohet, e që sipas tij, nuk do të duhej të ndodhte.

“Unë kisha thënë që çështja ka tendenca të politizohet nga ana e subjekteve politike. Kjo duhet t’iu lihet institucioneve fetare, në këtë rast BIK-ut, dhe në bazë të kërkesës sonë të merret një vendim dhe assesi të mos jetë çështje e subjekteve politike dhe të politizohet një problem i tillë”, thekson Sadiku.

Bartja e mbulesës për studiuesit e religjioneve vlerësohet se nuk mund të rregullohet as me udhëzim administrativ për heqje të mbulesës e as me udhëzime apo përkufizime se duhet të bartet. Sipas tyre, kjo është çështje personale e secilit njëri.

Ismajl Hasani, profesor i sociologjisë së religjionit, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thekson se bartja e mbulesës nuk ka mundësi të ndalohet në mënyrë rigoroze në asnjë udhëzim administrativ, siç nuk ka mundësi të paragjykohet bartja e shamisë.

“Bartja e shamisë nuk mund të rregullohet as me udhëzim administrativ për heqje e as me udhëzime, përkatësisht me përkufizime se duhet të bartet…është çështje personale e secilit njëri se çka dëshiron të mbajë në kokën e vet…është çështje se si ajo shami kompozohet edhe në aspektin estetik të dukjes e veshjes, në shkollë, shkollën laike”, thotë Hasani.

Ai sqaron se si studiues i çështjeve të religjionit nuk ka rastisur të gjejë një përkufizim të tillë që mosha 16 vjeçare është mosha për bartjen e shamisë, sepse siç thekson ai, mosha 16 vjeçare është moshë minore.

“Nuk do të duhej që një lider politik të japë verdikt se është në rregull bartja e shamisë nëpër shkolla për vajzat mbi moshën 16 vjeçare. Subjektet e ndryshme politike përmes këtyre joshjeve bëjnë përpjekje të mbledhin vota në zgjedhjet e ardhshme tek ata njerëz që mund të jenë militantë të tyre në proceset zgjedhore”,thekson Hasani.

Përveç çështjes së lejimit të mbajtjes së shamisë në shkolla, së fundi ishte iniciuar si temë debati edhe futja e lëndës së mësim-besimit në shkollat fillore dhe të mesme.

Ky debat është përcjellë me qëndrime kundërthënëse, për dhe kundër, të përfaqësuesve të institucioneve dhe shoqërisë në përgjithësi.

Lidhur me këtë, ligji aktual për arsimin parauniversitar në Republikën e Kosovës nuk lë hapësirë që të futet si pjesë e arsimit edhe edukata fetare, si lëndë e veçantë. Futja e kësaj lënde në institucionet arsimore dikton nevojën e ndryshimeve paraprake ligjore. (Kortezi: REL)

Filed Under: Analiza Tagged With: beteja, feja, Politika, Shamia ne shkolla

Gjendje e jashtëzakonshme në Sharllotë

September 22, 2016 by dgreca

Dhunë në SHBA – gjendje e jashtëzakonshme në Sharllotë /


Sharllotë, SHBA

Sharllotë, SHBA/ Guvernatori i Karolinës së Veriut ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme në qytetin Sharllotë, për shkak të përleshjeve të rënda midis protestuesve dhe policisë.

Dhuna ka vazhduar për të dytën natë, pasi protestat mbi vrasjen e një afrikano-amerikani kanë dalë jashtë kontrollit.

Një protestues është në gjendje kritike, pas një incidenti me armë midis civilëve, thanë autoritetet e qytetit.

Protestuesit janë të zemëruar me vrasjen e Keith Lamont Scott, 43 vjeç, të martën nga policia.

Policia ka thënë se Scottit i është kërkuar disa herë të lëshojë armën e dorës përpara se është qëlluar, por familja e tij ka këmbëngulur se ai ka qenë i paarmatosur dhe duke lexuar libër në atë kohë. Dëshmitarët kanë thënë se ai i ka pasur duart lart.

Guvernatori i Karolinës së Veriut, Pat McCrory, ka shpallur gjendje të jashtëzakonshme pasi protestuesit kanë sulmuar gazetarët dhe njerëz të tjerë, kanë thyer dritare dhe kanë vendosur zjarre të vogla.

Kryetarja e Sharllotës, Jennifer Roberts, apeloi për qetësi, duke thënë se Sharllota ka qenë gjithmonë vendi ku njerëzit mund të kenë dialog paqësor.

“Ne nuk jemi kështu”, tha ajo në një intervistë për televizionin CNN.

Protestuesit fillimisht kanë qenë të qetë, por më pas kanë nisur të hedhin shishe dhe fishekzjarre në drejtim të policëve, të cilët janë përgjigjur me gaz lotsjellës.

Forca vdekjeprurëse e policisë kundër afrikano-amerikanëve ka qenë shkak i protestave në gjithë SHBA-në, që dy vjet.

Një tjetër afrikano-amerikan, Terence Critcher, është vrarë nga policia në Tulsa të Oklahomas të premten.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka biseduar në telefon me kryetarët e Sharllotës dhe Tulsës.

Shtëpia e Bardhë tha se të tre liderët janë pajtuar se protestat duhet të jenë të qeta dhe se presidenti ka ofruar çdo ndihmë të nevojshme për të dyja qytetet.

Kandidatja demokrate për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton, tha se vrasjet “janë të padurueshme dhe duhet të bëhen të patolerueshme”.

Kandidati republikan, Donald Trump, reagoi në Twitter, duke thënë se “situata në Tulsa dhe Sharllotë është tragjike”. “Duhet të bëhemi bashkë për ta bërë Amerikën të sigurt përsëri”, tha Trump.

Gazeta Washington Post ka raportuar për më shumë se 700 vrasje të të dyshuarve për vepra penale nga ana e policies këtë vit; 163 prej tyre kanë qenë afrikano-amerikanë.

Aktivistët e të drejtave të njeriut kanë bërë thirrje për bojkotimin e bizneseve me pronarë të bardhë në Sharllotë.

Ata thonë se numri i madh i afrikano-amerikanëve të vrarë nga policia është simptomë e racizimit në Shtetet e Bashkuara. Po sipas tyre, afrikano-amerikanët përballen me mungesa të mëdha të vendeve të punës dhe të mundësive në arsim.

Përgatiti: Valona Tela

Filed Under: Komente Tagged With: Gjendje e jashtëzakonshme, në Sharllotë, SHBA

Normalizim në dobi të popullit të Kosovës

September 22, 2016 by dgreca

-Përfaqësuesja e BE, Apostolova shpreh pritjet se të gjitha marrëveshjet Kosovë-Serbi do zbatohen plotësisht/

-Ministrja Tahiri takon shefen e re të Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova/

PRISHTINË, 22 Shtator 2016-B.Jashari/ Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë njëherit Përfaqësuesja Speciale e BE-së,  Nataliya Apostolova, në një takim sot me ministren për Dialog në qeverinë kosovare, Edita Tahiri, e përgëzoi për punën e saj të rëndësishme dhe theksoi rëndësinë që Bashkimi Evropian i jep Dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Apostolova shprehu pritjet se të gjitha marrëveshjet do të zbatohen plotësisht, me interes parësor që të sjellin normalizim në dobi të popullit të Kosovës, si dhe për hir të bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.

Përfaqësuesja e BE-së, Apostolova theksoi nevojën për të përfshirë opozitën në procesin e dialogut, si dhe për t’i njoftuar më mirë qytetarët e Kosovës për të mirat që po sjell Dialogu dhe ndikimet e tij për përmirësimin e jetës së përditshme të qytetarëve.

Të dy bashkëbisedueset u pajtuan për vazhdim të bashkëpunimit me qëllim të avancimit të rrugës së Kosovës drejt përmbushjes së kritereve të kërkuara nga ana e Bashkimit Evropian, thekson njoftimi i dërguar.

Në takimin njohës, fillimisht ministrja Tahiri i uroi Apostolovas mirëseardhje në Kosovë dhe i dëshiroi suksese në detyrën e saj të re. “Do të vazhdojmë me bashkëpunimin e shkëlqyer që e kemi pasur me zyrën e BE-së për të arritur synimet e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian”, tha ministrja.

Duke folur për zhvillimet e përgjithshme ajo tha se Kosova ka arritur progres në axhendën demokratike të shtetndërtimit të Kosovës si dhe në planin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Ministrja Tahiri theksoi përparimet për forcimin dhe konsolidimin e sovranitetit të Republikës së Kosovës si në aspektin e brendshëm edhe në atë të jashtëm, për integrimet euroatlantike të Kosovës, duke thënë se  reformat evropiane të realizuara në Kosovë dhe angazhimi serioz në Dialogun e Brukselit kanë bërë që Kosova të hap një kapitull të ri në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian me nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.
“Kjo marrëveshje me BE-në ka qartësuar ardhmërinë evropiane të shtetit të Kosovës dhe ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara procesin e integrimit të plotë të Kosovës në BE”, theksoi ministrja Tahiri. Ajo vlerësoi lartë marrëdhëniet mes Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe kërkoi që vendimi për liberalizimin e vizave të bëhet sa më parë.

“Qeveria e Kosovës mbetet e përkushtuar për forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar, në shtimin e numrit të njohjeve të pavarësisë, anëtarësimin në BE, NATO, OKB dhe organizata tjera ndërkombëtare”, theksoi ministrja Tahiri.
Duke folur për dialogun e Brukselit, ministrja Tahiri tha se ky dialog është pjesë e politikës së jashtme të shtetit të Kosovës dhe bazohet në Kushtetutë në kuadër të politikave të fqinjësisë së mirë dhe përkundër një historie të rëndë Kosova po dëshmon gatishmëri për të normalizuar marrëdhëniet ndërfqinjësore edhe me Serbinë, sipas standardeve evropiane.

“Dialogu i Brukselit po kontribuon për integrimin e serbëve të Kosovës, për shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin e Kosovës dhe shuarjen e strukturave paralele, sfida këto të trashëguara nga ish misioni i UNMIK-ut, i cili nuk arriti ta administronte tërë territorin e Kosovës, sepse pjesa veriore e vendit mbeti peng i ndërhyrjeve nga Serbia”, tha ministrja Tahiri.

Ajo potencoi se dialogu i Brukselit ka dhënë rezultate të rëndësishme, ndërsa tha se zbatimi i plotë i disa prej marrëveshjeve të pazbatuara nga ana e Serbisë duhet të përshpejtohet. Ajo përmendi nevojën e zbatimit të marrëveshjes për kodin telefonik për Kosovën, marrëveshjen për energji, pavarësimin e Operatorit kosovar të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT, zbatimi i të cilave hap rrugë për zbatimin e marrëveshjes për asociacionin, ndërsa theksoi se revitalizimi nga BE-ja dhe hapja e urës së lumit Ibër në Mitrovicë është mirëpritur nga të gjithë qytetarët e Kosovës.

Shefja e re e Zyrës së Bashkimit Evropian/Përfaqësuese e Posaçme e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, me kombësi bullgare, vazhdon takimet njohëse të nisura me presidentin Hashim Thaçi, një ditë pasi mori detyrën në 1 shtator, kur në të njëjtën datë kanë marrë pozitat tre krerë të pranisë ndërkombëtare në Kosovë – edhe Shefja e re e Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX), grekja Alexandra Papadopoulou dhe komandanti i ri i KFOR-it, Gjeneral Majori italian, Giovanni Fungo.

Filed Under: Politike Tagged With: Apostolova dhe Tahiri, takim

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2476
  • 2477
  • 2478
  • 2479
  • 2480
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT