• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MUZEU I NJË HISTORIE TË DHIMBSHME…

September 18, 2016 by dgreca

1-muzeu-afrikanFOTO:MUZEU KOMBËTAR I HISTORISË DHE KULTURËS AFRIKANO-AMERIKANE NË WASHINGTON/ Nga Frank Shkreli/Dhe realizimi i një ëndërre 100-vjeçare.  Bëhet fjalë për Muzeun Kombëtar të Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane në qendër të kryeqytetit të Shteteve të Bashkuara, Washington DC, jo larg Shtëpisë së Bardhë dhe afër monumenteve dhe muzeve kryesore të kryeqytetit amerikan, përfshirë monumentin e babait të kombit, George Washingtonit. Presidenti Barak Obama, i pari president i Shteteve të Bashkuara me origjinë afrikano-amerikane, do të hapë zyrtarisht muzeun kombëtar kushtuar historisë afrikano-amerikane në këtë vend, në fund të kësaj jave, të premtën më 24 shtator, 2016.  

Përpjekjet për ndërtimin e këtij muzeu, të cilat e kanë origjinën e tyre në fillim shekullin e kaluar, ishin të gjata dhe të mundimshe, por përpjekjet serioze legjislative të Kongresit amerikan për themelimin e një muzeu të tillë, në të vërtetë, mund të thuhet se   filluan në fund të çerek shekullit të kaluar.  Ishte, pikërisht deputeti demokrat afrikano-amerikan nga shteti Georgia dhe njëri prej aktivistëve më të dalluar i të drejtave civile në Shtetet e Bashkuara, ai që pasi u zgjodh deputet në Kongresin amerikan në vitin 1988, John Lewis, ai që mori përsipër seriozisht realizimin e themelimit të këtij muzeu duke sponsorizuar projektligje të cilat më në fund çuan në nënshkrimin e projektligjit përfundimtar – nga presidenti republikan George W Bush në vitin 2003 – që përfundimisht autorizoi  ndërtimin e këtij muzeu.  Kongresi amerikan autorizoi gjysmën e shpenzimeve prej 500-milion dollarësh për ndërtimin e muzeut të ri ndërsa pjesa tjetër e fondeve është mbledhur nga donatorë privatë.

Burime të medias, të cilat kanë vizituar muzeun para se të hapet zyrtarisht për publikun të premtën e kësaj jave, njoftojnë se muzeu ve në dukje dhe nderon arritjet e afrikano-amerikanëve në fusha të ndryshme gjatë shekujve në këtë vend, ndërkohë që njëkohsisht tregon edhe të vërtetën “lakuriq”, mbi vuajtjet e komunitetit afrikan-amerikan gjatë shekujve, përfshirë skllavërinë.  Sekretari i Institutit Smithsonian, pjesë e të cilit është edhe Muzeu Kombëtar i Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane, David Skorton u shpreh për median se gjatë planifikimit të muzeut, ishim të mendimit se,  “Është jetike dhe tepër e rëndësishme që të ndërtonim një muze i cili do t’i mundësojë Amerikës të kujtojë dhe të ballafaqohet me të kaluarën dhe historinë e saj raciste… por edhe që muzeu të shërbejë gjithashtu edhe për të zbuluar gëzimin dhe shpresën, ringjalljen dhe frymëzimin”,  që ndër të tjera, përveç vuajtjeve, ishin gjithashtu pjesë e historisë së komunitetit afrikano-amerikan, gjatë shekujsh.

Presidenti Obama dhe Drejtori i muzeut, Lonnie G. Bunch III  përmendën, me rastin e dedikimit të muzeut në vitin 2012 historinë e tmershme të skllavërisë dhe të racizmit të këtij vendi, por ata theksuan gjithashtu edhe atë që ata cilësuan si triumfin e shpirtit amerikan, duke nënvijuar se muzeu i ri në kryqetetin e Shteteve të Bashkuara nuk i dedikohet vetëm kulturës dhe historisë së komunitetit afrikano-amerikan në këtë vend, por i kushtohet gjithashtu edhe historisë së Amerikës në përgjithësi, me të mirat dhe me të këqiat, ashtu siç kanë ndodhur dhe siç i ka shënuar historia e vërtetë.  Presidenti amerikan, Barak Obama tha se duke vizituar këtë muze, “Brezat e ardhëshëm do të kujtojnë rolin, nganjëherë të vështirë dhe shpesh frymëzues, por gjithmonë jetik dhe tepër të rëndësishëm që kanë luajtur afrikano-amerikanët në jetën e vendit tonë.” 

Presidenti Obama, i cili do të hapë zyrtarisht të premten Muzeun e ri kushtuar Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane, në të vërtetë muzeu i ka dedikuar atij një ekspozitë të posaçme si president i parë afrikano-amerikan i Shteteve të Bashkuara. Muzeu i ri ekspozon jetën dhe historinë e tmershme të skllavërisë dhe shtypjeve, por edhe historinë frymëzuese të kësaj pakice amerikane.  Afrikano-amerikanët kanë mbijetuar skllavërinë, kanë luftuar dhe kanë dhënë jetën për lirinë e vet dhe të tjerëve, jo vetëm në Luftën Civile, por edhe në lufërat e tjera të Amerikës, përfshirë Luftën e Dytë Botërore dhe gjatë historisë së kaluar. Ndërsa sot kanë krijuar një jetë domethënse dhe të lumtur për veten dhe familjet e tyre dhe kanë dhënë dhe vazhdojnë të japin kontribute të vlefshme për mirëqenjen e përgjithshme të këtij vendi. 

Amerika i kishte borxh brezave të ndryshëm të komunitetit afrikano-amerikan një muze të tillë.  Kjo për hir të së vërtetës së vet historisë së dhimbshme të këtij komuniteti, por edhe për arsye të rëndësisë që ka historikisht — për Amerikën si komb tani dhe në të kaluarën — ekspozita e vërtetë e historisë plot vuajtje të komunitetit afrikano-amerikan, në një muze siç është muzeu i ri kombëtar i Historisë dhe Kulturës Afrikano-Amerikane.  Muzeu i ri nuk do të mund të shlyej historinë as vuajtjet e afrikano-amerikanëve që e pësuan keq gjatë asaj historie të tmershme por njëkohsisht edhe frymëzuese.  Por ajo që bën muzeu i ri është fakti se  muzeu do të jetë aty në kryeqytetin amerikan me një prezencë të përhershme, si një kujtesë për krimet që janë bërë ndaj popullësisë afrikano-amerikane dhe njëkohsisht detyron brezat e tanishëm dhe të ardhëshëm të amerikanëve të të gjitha racave, që të mos e harrojnë atë histori të tmershme, me shpresë që një histori e tillë të mos  përsëritet kurrë më.

Frank Shkreli

 

 

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Frank shkreli, Muzeu i dhimbjes, Washington

Albanian Excellence ju fton në natën e magjishme të zonjave

September 18, 2016 by dgreca

* Zonjat shqiptare të Shtunën me 24 Shtator 2016, në një mbrëmje Gala, do të vlerësohen për cilësitë e tyre të intelektit dhe dinjitetit që mundësuan integrimin e tyre në këtë kontinent të largët./

* I pranishëm do të jetë Presidenti i Republikës, Shkëlqesia e Tij Bujar Nishani…./

* Do të performojnë në skenën e teatrit Simphony space, Gjilberta Lucaj , Merita Halili, Hermira Gjoni , Xheni Rroji , Ida Tili Trebicka, Deshira Ahmeti Kërliu, Lindita Lole, e të tjerë artistë, që do të jenë surpriza por edhe magjia e kësaj nate  historike/

24 shtatori 2016 do të jetë një datë e paharruar për shqiptarët e New Yorkut ku për herë të parë zonjat shqiptare do të vlerësohen për cilësitë e tyre të intelektit dhe dinjitetit që mundësuan integrimin e tyre në këtë kontinent të largët. Ky vlerësim ju vjen atyre nga Shqipëria amë, përmes Albanian Excellence projekt ky i cili vjen në këtë stad të katërt të jetës së vet por tashmë në New York duke ngjitur në Simphony Space Theater zonjat shqiptare si modelin e gruas së shekullit 21. Drejtuesit e këtij eventi që do të nderohet nga pjesmarrja e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, shprehen se është hera e parë që kjo skenë mu në zemër të Manhattanit do të ketë kaq shumë zonja. Presidentja e Albanian excelence zonja Flora Nikolla është shprehur per Albanian Culture TV  në Nju Jork se hapat e këtij projekti jo të lehtë për tu realizuar do të kurorëzohen me një botim ku historitë e integrimit do të shërbejnë si frymëzim për gratë dhe familjet shqiptare kudo ku ato jetojnë e punojne. Ndërsa drejtori i Bordit zoti Andis Gjoni, njëkohësisht regjizor i mbrëmjes Gala, falenderon artistët që do të performojnë në skenën e teatrit Simphony space, nga ku emra si Gjilberta Lucaj , Deshira Ahmeti Kërliu, Lindita Lole, e tjerë artistë, do të jenë surpriza por edhe magjia e kësaj nate  historike që nderon Zonjat shqiptare, ato që mbajnë gjallë e zbukurojnë jetën tone .

Rrugëtimi i Albanian Exellence do të vazhdojë, kështu shprehen dy nga organizatorët e natës Gala ,Zonja Nikolla  e Zoti Gjoni të cilët ftojnë komunitetin shqiptar të New Yorkut që të bëhet pjesë e kësaj nate të paharruar të 24 shtatorit 2016.

Filed Under: Featured, Komunitet Tagged With: Albanian Excellence, Flora Nikolla

DIASPORA-Ta duam dhe ta mesojme gjuhen shqipe, gjuhen e zemres

September 18, 2016 by dgreca

 

1-puthjePrinder te ndergjegjshem, te perkushtuar e atdhetare – nxenes te rregullt e te perkushtuar/

 Nga Sadik ELSHANI/*

Lexova diku nje thenie te bukue dhe shume me vend: “Gjuhen shqipe e duam se eshte gjuha e zemres, gjuhen tjeter e mesojme se eshte gjuha e bukes”. Une do te shtoja se te dish me shume gjuhe te tjera eshte kulture, eshte tregues i nivelit intelektual te nje njeriu. Ta ruash gjuhen tende, ta flasesh e ta shkruash bukur, nuk eshte vetem kulture, por eshte nje detyrim, eshte atdhedashuri. Na duhen te dyja, edhe gjuha e zemres edhe gjuha e bukes. Njera na siguron jetesen ne vendet ku jetojme, ndersa gjuha shqipe na mban gjalle shpirtin, qenjen tone shqiptare. Shkollat dhe familja jane vatrat ku mesohet dhe ruhet gjuha shqipe. Ketu ne Amerrike dhe ne diaspore ne pergjithesi, na shqeteson numri shumer i vogel i shkollave shqipe. Kemi shume femije te moshes shkollore, kemi hapur pak shkolla shqipe, dhe ato shkolla i ndjekin pak nxenes – shume pak.

Sami Frasheri ka thene per gjuhen: “Shenja e kombesise eshte gjuha, cdo komb mbahet nga gjuha. Kur nje komb e humb gjuhen, humb edhe veten”. Ndersa dicka te ngjhashme ka thene edhe profesor Eqrem Cabej: “Gjuha pasqyron nje kombesi, ajo eshte pasqyra me e qarte e kombesise dhe e kultures se saj”. Ajo eshte identiteti, leternjoftimi yne, AND-ja jone qe nder shekuj tejcon, ruan qenjen tone shqiptare. Pa shqioptare nuk ka gjuhe shqipe dhe anasjelltas, pa gjuhe shqipe nuk ka shqiptare.Sa perpjekje mbinjerezore kane bere Rilindesit tane mendjendritur per ta ruajtur e per ta perhapur gjuhen shqipe ne te gjitha trevat dhe ngulimet (kolonite) shqiptare, per t’ua ngjalle shqiptareve dashurine per gjuhen e tyre, dashurine per Shqiperine. Me sa dashuri e adhurim poetet dhe atdhetaret tane: Naim Frasheri, Dom Ndre Mjeda, At Gjergj Fishta e shume te tjere, vargjet me te bukura ia kushtuan gjuhes sone, gjuhes se zjarrte. Shume atdhetare shqiptare e flijuan edhe jeten e tyre, vetem per arsyen se kishin hapur shkolla shqipe dhe u mesonin femijve abc-ne, gjuhen amtare, gjuhen shqipe, sillnin ne atdhe libra shqip dhe mundoheshin te shtypnin libra shqip. Te kujtojme Dhaskal Todhrin, Petro Nini Luarasin, Papa Kristo Negovanin e shume te tjere. Per kete gjuhe te bekuar eshte derdhur edhe gjak! Ishte e vetmja gjuhe ne Europe qe ishte e ndaluar dhe e mallkuar. Dhe vetvetiu te shkon mendja te perpjekjet, veprimtarite e ketyre atdhetareve qe vepruan ne kushte e rrethana teper te veshtira. E ne ne diaspore c’bejme sot per gjuhen tone? Ne qe sot jetojme ne kushte dhe rrethana shume me te pershtatshme se bashkatdhetaret tane te shekujve te kaluar. C’ ben Shqiperia, shteti i shqiptareve? Fatkeqsisht, shume pak, apo thene me mire, aspak. Jo me kot At Gjergj Fishta e ka leshuar nje mallkim per te gjithe shqiptaret, per te gjitha koherat:

“Pra, mallkue njai bir Shqyptari

qi kete gjuhe te Perendis’,

trashigim, qe na la i Pari,

trashigim s’ia len ai fmis’,

edhe atij, poi u thafte goja,

qe perbuze kete gjuhe hyjnore;

qi n’gjuhe t’huej, kur s’asht nevoja,

flet e t’veten e len mbas dore”.

(At Gjergj Fishta, “Gjuha Shqype”)

Pra t’i hapim shkollat shqipe, t’ua mesojme femijve tane gjuhen tone, te mos na ze mallkimi i At Gjergj Fishtes!

Me 11 shtator shoqata jone, “Bijte e Shqipes” ne Filadelfia i hapi dyert per femijet e bashkesise sone per te trembedhjetin vit. Ende pa mbaruar mire viti shkollor, ne mendojme per vitin e ardhshem shkollor dhe gjithmone kemi shqetesimin se, a do te na vijne nxenesit perseri ne vitin e ardhshem, sa nxenes te rinj do te na vijne? Me 11 shtator ndoshta numri i nxenesve nuk ishte ne nivelin e lakmueshem, por pervoja jone na tregon se ky numer vjen duke u rritur ne ditet ne vijim. Nga te gjitha veprimtarite tona te shumta: atdhetare, kulturore e sportive qe organizon shoqata, ne gjithmone e vecojme funksionimin e rregullt te shkolles sone si kryeveprimtarine tone. Misioni i shoqates sone eshte: ruajtja e trashegimise, gjuhes, tradites e kultures sone kombetare. E ku ka mision me te shenjte se kujdesi per gjuhen shqipe, ruajtjen dhe mbajtjen gjalle te saj?! E kush mund ta kryeje kete mision me mire se shkolla shqipe?! Nuk ka kenaqesi me te madhe se kur i sheh femijet tane duke folur shqip, duke recituar vjersha shqip, duke kenduar shqip, duke lozur shqip! Shkolla shqipe per femijet tane eshte nje kenaqesi shpirterore, nje pervoje jetesore, ku pervec njohurive qe marrin per gjuhen, letersine, artin, kulturen, historine tone, ata brumosen edhe me ndjenjat e atdhedashurise. Njihen me figurat e ndritura te kombit tone, me shqiptaret qe kane bere emer ne fusha te ndryshme te artit, shkences, sportit. Te ndihen krenar per prejardhjen e tyre, per kombin e tyre e jo te vuajne nga kompleksi i ultesise (inferiotetit). Se kombi qe ka dhene Skenderbeun. Shen Terezen, Aleksander Moisiun, Ferid Muratin, Ismail Kadarene e shume te tjere, permban ne vete dicka te madherishme. Shkollen shqipe duhet pare edhe ne rolin pak me te zgjeruar, jo vetem si mjedis ku mesohet gjuha ne menyre mekanike, por edhe si nje vater ku ngritet nderrgjegja kombetare dhe mbillet fara e atdhedashurise. T’ua mbajme te gjalle dashurine per Shqiperine, vendin e te pareve te tyre, vendin e tyre. Dhe nje dite, pse jo edhe te ndihmojne vendin e tyre. Edhe te merguar, kur kujdesemi dhe nuk e harrojme gjuhen tone, traditat, vlerat tona kombetare, atehere na duket sikur nuk e kemi lene atdheun prapoa shpines, por ate e kemi marre me vete. Ndoshta  kjo na ngushellon pak.

Per funksionimin sa me te mire te shkollave shqipe eshte i nevojshem, i domosdoshem angazhimi maksimal i te gjithe faktoreve te perfshire ne kete proces: drejtuesve te shkollave, mesueseve, prinderve, nxenesve. Pervoja jone ka treguar se prindi eshte faktori kryesor, pa perjashtuar faktoret tjere. Prinderit jane ata qe duhet t’i drejtojne femijet e tyre ne kete moshe te njome. Kur prinderit jane atdhetare, arsimdashes, te vendosur e te perkushtuar, edhe femijet e tyre jane nxenes te rregullt, nxenes te perkushtuar. Padyshim qe kjo eshte nje sackifice per prinderit qe jane te angazhuar me pune dhe te ngarkuar me detyrimet tjera familjare, por eshte nje sakrifice qe ia vlen te kryhet per te miren e femijve, per te miren e kombit tone. Kur femijet verejne se prinderit e tyre, bashkesia shqiptare i kushton kaq rendesi mesimit te gjuhes shqipe, atehere edhe te ata, qe ne moshe te njome do te lindin ndjenjat e atdhedashurise, pergjegjesise, sakrifices.

Bashkesia jone shqiptaro – amerikane ka nje potencial te madh njerezor, intelektual e profesional, prandaj duhet te jemi me te organizuar dhe t’i bashkerendojme me mire veprimet, punet tona. Ta shfrytezojme kete potencial per te miren e kesaj bashkesie, per te miren e kombit tone. Ajo qe po na mungon eshte perkushtimi, kembengulja, vendosmeria, vullneti i mire, ndjenja e sakrifices per te bere dicka me shume se vetja jone, per te ecur perpara. Pra, edhe per te hapur shkolla shqipe. Te perpiqemi qe shkollat qe jane hapur, te zgjerohen e te vazhdojne me sukses punen e tyre, duke mos i ndalur perpjekjet per te hapur edhe shume shkolla te reja. Gjithmone duke patur ne mendje rolin e familjes. Familja eshte e para, nuk ka shkolle qe mund ta zevendesoje familjen. Funksionimi i rregullt i shkollave, organizimi i veprimtarive te ndryshme, organizimi i nje rrjeti per te ndihmuar bashkatdhetaret tane, vendlindjen tone, pasqyrojne nje bashkesi te organizuar mire, nje bashkesi qe rrezaton vlera kombetare e njerezore. Brezat e rinj edukohen duke pare vepra te mira e jo duke degjuar fjale te kota.

Pune te mbare e suksese!

Filadelfia, 17 shtator, 2016

Sadik Elshani eshte doktor i shkencave te kimise dhe veprimtar i bashkesise shqiptaro – amerikane.

Filed Under: Emigracion, Featured Tagged With: Gjihen shqipe, Sadik Elshani, Te mesojme gjuhen e zemres

Shi në Nju Jork

September 18, 2016 by dgreca

(Mbresa )/

Nga Albana Lifschin*/

Ditë stuhie në Nju Jork. Erë e rrëmbyer dhe shi bashkë.

E para që e pësoi ishte çadra. Iu thyen  telat, u mblodh e pastaj u var si një plaçkë pa vlerë. M’u kujtua buzagazi i Lumes në Tiranë kur i thashë se do të marr edhe çadrën me vete.” “Vërtet, do të  duhet  çadra në Nju Jork?”

Kur niset njeriu prej andej për të ardhur këtu, përcillet nga vështrime lakmitare, si për në parajsën e ëndërruar që jo gjithkush e ka për fat. Varfëria e madhe, trysnia psiqike prej kohësh i ka shtyrë njerëzit të ikin, të ikin… duke e  menduar Amerikën si stacionin e fundit të prehjes, të qetësisë së shumëdëshiruar. Mjerisht edhe pas fitores së Demokracisë, ky mendim i përbindshëm që i rrëmben nënës fëmijën, familjes babain, gruas burrin, motrës vëllain, është ende prezent.

Stuhia vazhdon. Televizioni i këtushëm transmeton lajme e  pamje përmbytjesh, makina të zhytura në ujë, njerëz të futur në ujë deri në gju, por pa viktima si në Lezhë, Malbardhë në Shqipëri. Spikeri paralajmëron njerëzit të mos dalin nga shtëpia, vetëm në raste të domosdoshme. Nuk di pse padashur buzëqesh me vete. Televizioni ynë në Tiranë nuk bën përkujdesje të tilla. Tek ne kur ka shi dridhen xhamat dhe era e fortë shkakton një farë frike. Njerëzit vështrojnë vrundujt e erës që pështjellin lagjen, shtëpitë, çatitë. Shiu hyn nga dritaret jo të puthitura mirë, duke krijuar shpesh herë rrëkera uji. Më e tmerrshme është kur ke ndonjë xham të thyer. Kurse këtu nga nga dritarja, stuhia shihet, por nuk ndihet. … Përgatis një kafe me qumësht. E shoqëroj me “Stella d’oro”-një mëngjes i lehtë si kundër i thonë këtu. Janë ditët e para dhe sa herë ulem për të ngrënë, mendja më shkon tek njerëzit e mi në Shqipëri. Po ata çfarë kanë ngrënë sot? Të ketë ardhur vallë rracioni i sheqerit që kanë dy muaj pa e parë me sy?

Televizioni flet tani për Somalinë. Somalia, Somalia, Somalia. Skelete anatomike që zgjasin gavetat për të marrë pak ushqim.  Zë fytyrën me duar.  Ruajna o Zot!

Radioja   jep lajme në gjuhën shqipe ; “ Janë sulmuar dy italianë, pronarë të fabrikës së këpucëve… Nuk ka drita… “ Familja ime banon po në atë rrugë ku banom edhe presidenti Berisha. Është një rrugë fare e thjeshtë, por ne ishim më të privilegjuarit se nuk kishim gjithnjë errësirë. Dritat tek ne qëndronin më gjatë se të tjerët. Këtu  mungesa e dritave dhe e energjisë elektrike është një absurditet, diçka e pakonceptueshme.

Këpus disa kokrra rrushi të verdhë. Tek ne dikur ky quhej rrush tajg. Dikur, pasi prej kohësh nuk e ka parë njeri me sy. Rrush i blerë në “Little Italy”, në Bronks. Përmasat e frutave, kokrrat e genjtenjave, arrat e stërmëdha( sa shumë i kërkojnë këto muaj në Tiranë per të bërë bakllavanë e vitit të ri) të portokalleve, bollëku i paimagjinuar i ekspozuar nëpër vitrina e tegzat jashtë dyqaneve, këto forma fantastike më bëjnë ta ndjej veten sikur më kanë hedhur këtu për të jetuar përallën e Shllafarisë. Kur ishim të vegjël e kishim shumë qejf këtë përallë, pasi na dukej se kullufitnim njëherësh të gjitha llojet e ëmbëlsirave, frutave e gjithë të mirat e kësaj bote.

Këtu ndodhet edhe  redaksia e gazetës shqiptaro-amerikane  ILLYRIA. Gazetarët e Ilirisë janë mjaft të interesuar  për gjendjen në Shqipëri. Pyetjet e tyre janë të panumërta. Të interesuar, të shqetësuar, të përmalluar. Ç’tu them për një mbijetesë të dhimshme atje! Demokracia do ende punim,durim, tolerancë. Ajo nuk e gjen rrugën të shtuar me lule. Dhe biseda mbyllet me fjalët optimiste: “Do të rregullohet.” Dhe vështrojnë njeri-tjetrin në sy. Dhe përbrenda meje  mbetet varur e shqetësuese pyetja: Po kur vallë?

Dhjetor,1992. Botuar tek gazeta ILLYRIA

Filed Under: ESSE Tagged With: Albana Lifschin, Shi në Nju Jork

Kryeministri i Kosovës, Mustafa në Nju Jork

September 18, 2016 by dgreca

-Takime me përfaqësues të administratës amerikane, me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të saj, drejtuesit më të lartë të Kombeve të Bashkuara si dhe me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës/

NJU JORK, 18 Shtator 2016-Gazeta DIELLI/ Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka udhëtuar për në Nju Jork, ku do të zhvillojë takime me liderë të shteteve të cilët janë pjesë e aktiviteteve në kuadër të zhvillimit të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.Njoftimi i dërguar nga Nju Jork thekson se, kryeministri Mustafa, gjatë vizitës do të marrë pjesë edhe në evente të veçanta të organizuara nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama, nga Fondacioni Clinton si dhe do të takojë shumë presidentë, kryeministra dhe udhëheqës të delegacioneve shtetërore e drejtues të organizatave ndërkombëtare.

Gjatë qëndrimit në Nju Jork, ku shoqërohet nga ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, kryeministri Isa Mustafa do të zhvillojë takime me përfaqësues të administratës amerikane, me përfaqësues të Bashkimit Evropian dhe vendeve anëtare të saj, drejtuesit më të lartë të Kombeve të Bashkuara si dhe me përfaqësues të shteteve që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës.

Kryeministri Mustafa do të kërkojë mbështetjen e vendeve partnere për fuqizimin e mëtejmë të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, për anëtarësim në organizata ndërkombëtare si dhe do të lobojë për njohjen e Kosovës nga shtete që ende nuk e kanë marrë këtë vendim./b. Jashari/

Filed Under: Kronike Tagged With: Mustafa në Nju Jork

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2486
  • 2487
  • 2488
  • 2489
  • 2490
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT