• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Serwer: Serbia, njohje Kosovës para anëtarësimit në BE

September 17, 2016 by dgreca

-Serbia duhet të kuptojë se as tash as në të ardhmen nuk ekziston shansi për anëtarësim në BE pa pranimin e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, të cilat de fakto janë të pranuara në Marrëveshjen e Brukselit, të cilën e kanë nënshkruara Beogradi dhe Prishtina/

PRISHTINË, 17 Shtator 2016-B.Jashari/ Eksperti ndërkombëtar i politikës, Daniel Serwer, ka deklaruar për shtypin në Beograd se Serbia nuk ka shans anëtarësimi në Bashkimin Evropian pa e njohur Kosovën.“Serbia duhet të kuptojë se as tash as në të ardhmen nuk ekziston shansi për anëtarësim në BE pa pranimin e pavarësisë dhe sovranitetit të Kosovës, të cilat de fakto janë të pranuara në Marrëveshjen e Brukselit, të cilën e kanë nënshkruara Beogradi dhe Prishtina”, citohet ai sot në gazetën “Blic”, e cila e prezanton ekspert botëror me ndikim i politikës.“Shtete të BE-së e kanë njohur Kosovën dhe nuk do t’i lejojë Serbisë të bëhet anëtare pa zgjidhjen e kësaj çështje”, shprehet Serwer.“Në fund të procesit, Beogradi do të jetë nën presion të madh që të heq të gjitha pengesat për anëtarësim, përfshirë edhe njohjen e Kosovës”, përfundon eksperti  për Ballkanin.

Deklaratën në gazetën e Beogradit e transmeton sot edhe media në Prishtinë duke theksuar që në titull se, “Serwer ia kujton Serbisë: Harrojeni BE-në pa e njohur Kosovën”.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: ne BE, njohje Kosovës, para anëtarësimit, Serwer: Serbia

Takim me Konsullen e Përgjithshme të Kosovës në New York

September 17, 2016 by dgreca

Gratë e “Hope & Peace” takohen me Ambasadoren Sahatqija, Konsulle e Përgjithshme e Kosovës në New York/

Nga Mimoza Dajçi/

2-grate-e-mozes

Manhattan, New York, 2016. Pak kohë kanë kaluar nga takimi që u mbajt me Ambadasoren e Republikës së Kosovës në New York Znj. Teuta Sahatqija dhe anëtaret e organizatës së gruas shqiptare – amerikane “Hope & Peace” në SHBA. Në bisedat e zhvilluara u fol për veprimtarinë humanitare e bamirëse të kësaj organizate, si dhe rolin që ato luajnë për fuqizimin e femrës shqiptare, e asaj amerikane në tëresi në dobi të familjes e komuniteteve. U fol për dhunën në familje dhe mënyrat e daljes nga kriza në situata të tilla. Bashkëpunimi që kjo organizatë ka me punonjës të rendit kryesisht në zonën 49-të në Bronx ka sjellë edhe mbështetjen e duhur përsa i përket mbarëvajtjes së jetës në familjet tona. “Hope & Peace” ka bashkëpunim të mirë me Asamblyman Mark Gjonaj dhe politikanë të tjerë të Distriktit 80 në Bronx, dhe Liderin e Stacionit Policor 49-të në Bronx Z. Joseph Thompson, Avokatin Stiven Kaufman, Presidentin e Fondacionit Shqiptaro – Amerikan Z. Esad Rizai, Presidentin e Shoqatës “Duart e Hapura” Z. Aleks Nilaj, etj.

Vajzat dhe gratë e kësaj organizate janë tepër aktive dhe japin një kontribut jo të vogël në aspektin human, bamirës dhe jetën kulturore ndër shqiptarë. Veprimtaritë që ato kanë ndërmarë janë të shumta e të larmishme, si në ndihma humanitare, me ushqime, veshje, promovime librash, promovimin e shfaqen e Filmit “Skënderbeu” me regji të Vladimir Priftit në bashkëpunim me Federatën “Vatra” dhe skenografin e njohur Z. Astrit Tota, etj. Ndër promovime librash po përmendim së fundi krijimtarinë letrare të poetes dhe humanistes shqiptare Znj. Rita Saliu, dekoruar edhe nga Presidenti Bamir Topi me Medajlen “Nënë Tereza”, që u mbajt në Monroe College në Bronx, inisiativë e përbashkët mes Organizatës “Vatra” dhe Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve shqiptaro – amerikan, Profesorit të Monroe College Z. Haxhi Berishës dhe piktorit Z. Astrit Tota.

Ambasadorja Tetuta Sahatqija si një nikoqire e mirë, u serviri kafe e çaj mysafireve, i dëgjoi dhe u dha fjalën se, do të kenë së bashku një fryt të mirë bashkëpunimi.

Gratë shqiptare anëtare të organizatës The Women’s Organization “Hope & Peace” vlerësuan takimin, dhe ndiheshin të privilegjuara që patën rast të takoheshin nga afër me një ish ligjvënëse të Parlamentit të Kosovës, me një zonjë të aftë, të kulturuar e të guximshme për tu përballur me situata jo të lehta nëpër seancat parlamentare të Kosovës. Sipas përcjelljes së lajmeve mbi Kosovën ato thanë se jemi sot këtu me një politikane dhe dipllomate të fuqishme që është ndeshur jo rrallë në momente kritike dhe të vështira për zgjidhjen e probleme shqiptare në Kosovë. Pasi si ajo ashtu edhe shumë femra të tjera atje mbartin me vete edhe mentalitetin femër mashkull që akoma mbizotëron në Shqipëri e Kosovë.

Znj. Sahatqija me mençurinë, zgjuarsinë, kurajon e forcën e saj të herë pas herëshme ka ngritur zërin për të drejtat e gruas e vajzave shqiptare në Kosovë, në të drejtën e pronës, pavarësisë ligjore ekonomike, energjinë elektrike etj.

Ambasadorja Teuta Sahatqija është njëherësh edhe një bashkëshorte dhe nënë e shkëlqyer, fëmijët e saj kanë përfunduar dhe po studjojnë me sukses studimet nëpër universitet më prestigjoze e me rezultate të larta. Ajo ndihej krenare për fëmijët e saj dhe arritjet e tyre.

Gjatë këtij takimi ato së bashku u ndalën gjatë edhe në situatën që ndodhen sot femrat e dhunuara nga lufta në Kosovë, ku u përmendën për punë të mirë disa qendra që meren me kujdesin dhe shëndetin mjekësor të tyre. Për këtë rast u fol me respekt për zonjat Flora Brovina, Veprore Shehu, Sevdije Ahmeti, Sevdije Rexhepi, etj, të cilat me vullnet e pasion vazhdojnë të ndjekin këto veprimtari humane për t’ju gjendur pranë motrave dhe femrës shqiptare që vuajti padrejtësisht vrasjet, dhunën e përdhunimet nga makineria serbe në Kosovë, ku qindra prej tyre akoma nuk u gjenden eshtrat.

Në takim me Znj. Sahatqija ishin të pranishme këngëtarja e njohur shqiptare Sebahate Berlajolli, ekonomistja shqiptare me banim në Qytetin Quenss New York Dita Leka, Nexhi Hoxha me të bijën Majlinda Hoxhën – studente e juridikut, aktivistja Drita Çarçani, infermjerja amerikane Synthia Arzu, arsimtaret Gazmenda Tapija e Ludmilla Skënderi, gazetarja Mimoza Dajçi, etj. Takimi kaloi miqësor dhe i përzemërt dhe u la i hapur për veprimtari të tjera.

 

Filed Under: Komunitet Tagged With: Hope & Peace, me Ambasadoren Sahatqija, Mimoza Dajci, takohen

SPECIALE/ SA BANORË I KA KOSOVA?

September 17, 2016 by dgreca

4-rilindja

3-regjis-Sa i kishte para më shumë se gjysëm shekulli?

-Në 6 korrikun e vitit 1962, gazeta tradicionale kosovare Rilindja shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”/

-Në regjistrimin e popullsisë të vitit 1981, ku u përfshinë të gjitha etnitë, Kosova kishte një popullsi prej 1.584.440 banorësh/

-Prof. Dr. Rifat Blaku, ekspert i çështjeve demografike, në intervistë ekskluzive në gazetën Rilindja në fundvitin 2008: Vlerësohet se aktualisht Republika e Kosovës ka rreth 2.200.000 banorë brenda Kosovës (rezidentë) dhe rreth 500.000 jashtë Kosovës/

-Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë/

-Statistika: Kosova 1,771,604 banorë rezidentë, në fundvitin 2015. Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit/

-Ministria e Diasporës e qeverisë së Kosovës në vitin 2015 ka regjistruar rreth 200 mijë bashkatdhetarë në botë. Procesi i regjistrimit vazhdon në vitin 2016 dhe pritet një publikim përfundimtar i shifrave të detajuara në fillim të vitit 2017/

Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI /

2-burri-regjistrim

 PRISHTINË, 17 Shtator 2016/ Kosova në verën e para më shumë se gjysëm shekulli arrinte numrin prej një milion banorëve. Në 6 korrikun e vitit 1962, gazeta tradicionale kosovare Rilindja shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”

Sipas statistikave kosovare, në regjistrimin e popullsisë të vitit 1981, ku u përfshinë të gjitha etnitë, Kosova kishte një popullsi prej 1.584.440 banorësh.

Kosova në vitin 2015, në 31 dhjetor, vlerësohet se kishte 1,771,604  banorë rezidentë, sipas një publikimi sot të Agjencisë së Statistikave.

Gjatë vitit 2015, kishte 31,116 lindje, 8,884 raste vdekje dhe shtimi natyror ishte gjithsej 22,232 banorë.Numri i personave që kishin imigruar (ardhur) në Kosovë ishte 18,862  banorë, derisa numri i emigrantëve (të larguarëve) kosovarë ishte  74,434  banorë dhe bilanci i migrimit për vitin 2015 ishte – 55,572 persona.Përkundër një shtimi natyror prej 22,232 banorëve, popullsia rezidente e Kosovës për shkak të emigrimit (largimit) të theksuar në vitin 2015 u zvogëlua për 33,340 banorë.Këto shifra janë dhënë në 29 qershor 2016 zyrtarisht nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila ka publikuar raportin “Vlerësim: Popullsia e Kosovës  2015”.

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825  banorë rezidentë,  92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 %  serbë, 1.08 % turqë, etj.Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.Ministria e Diasporës e qeverisë së Kosovës në vitin 2015 ka regjistruar rreth 200 mijë bashkatdhetarë në botë. Procesi i regjistrimit vazhdon edhe në vitin 2016 dhe pritet një publikim përfundimtar i shifrave të detajuara në fillim të vitit 2017.Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.

Në vjeshtën e këtij viti, edhe në veriun me shumicë serbe pritet regjistrimi i popullsisë, pasi qeveria në pranverë ka miratuar Projektligjin për Regjistrimin e Popullsisë, të Ekonomive Familjare dhe të Banesave në Komunat e Kosovës që nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011.Në vijim, nga gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja – numri i saj  fundit – i 30 dhjetorit 2008, po sjellim një entervistë ekskluzive që kam zhvilluar si kryeredaktor i gazetes me Prof. Dr. Rifat Blakun, ekspert i çështjeve demografike, kryetar i Komisionit Republikan për regjistrimin e popullsisë, njëherit zëvendësministër i Ministrisë së Shërbimeve Publike (MSHP) në Qeverinë e Kosovës, në atë kohë.

RILINDJA, 30 DHJETOR 2008: EKSKLUZIVE/ SHTETI I KOSOVËS PRET VITIN 2009 ME 2 MILIONË E 700 MIJË BANORË

 -Dr. Rifat Blaku, zëvendësministër i Shërbimeve Publike në Qeverinë e Kosovës, ekspert i çështjeve demografike, kryetar i Komisionit Republikën për regjistrimin e popullsisë, që pritet vitin 2009, në  intervistë ekskluzive/

Kosova, shteti më i ri në botë, pret Vitin e Ri 2009, të parin pas shpalljes së pavarësisë në ditën historike të 17 shkurtit 2008, me mëse 2 milonë e 700 mijë banorë. “Vlerësohet se aktualisht Republika e Kosovës ka rreth 2.200.000 banorë brenda Kosovës (rezidentë) dhe rreth 500.000 jashtë Kosovës”, tha sot Dr. Rifat Blaku, ekspert i çështjeve demografike, kryetar i Komisionit Republikën për regjistrimin e popullsisë, që pritet vitin e ardhshëm, njëherit zëvendësministër i Ministrisë së Shërbimeve Publike (MSHP) në Qeverinë e Kosovës, në një intervistë ekskluzive, intervistuar nga Behlul Jashari.

Profesor Blaku tha se “janë bërë përgatitje të mira teknike e profesionale për mbajtjen të suksesshme të Regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave”.

Sipas tij, “pritet vetëm vendimi politik për caktimin e datës optimale të mbajtjes së Regjistrimit të popullsisë”.

“Regjistrimi i popullsisë (ndërkombëtarisht i përfillshëm) është sot për Republikën e Kosovës edhe një detyrim – standard ndërkombëtar dhe se realiteti i ri shtetëror i vendit nuk mund të paramendohet pa një regjistrim të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave sipas normave dhe standardeve ndërkombëtare”, tha ai.

Duke folur për përgatitjet dhe regjistrimin testues që u zhvillua me sukses në vjeshtë të vitit 2008, Blaku tha se “sipas të dhënave preliminare (nga ESK) pjesëmarrja në regjistrimin testues ishte 93.3%. Shqiptarët 96%, Serbët 71.1%, komunitetet tjera kishin pjesëmarrje 95%.”

Në vazhdim intervista e plotë: Blaku, do ju pyetja së pari edhe si ekspert i çështjeve demografike. Kosova, shteti më i ri në botë, sa banorë ka, sipa vlerësimit të përafërt, në këtë prag të festës së Vitit të Ri, të pritur për herë të parë në pavarësi?

–Vlerësohet se aktualisht Republika e Kosovës ka rreth 2.200.000 banorë brenda Kosovës (rezidentë) dhe rreth 500.000 jashtë Kosovës. Shteti më i ri në Botë Kosova ka popullsinë më të re dhe më vitale në Evropë. Vitaliteti biodinamik bënë që popullsia e Kosovës të ketë rreth 59% popullsi të re, kontingjent pune, një energji e madhe e resurseve humane. Valorizimi i kësaj energjie mund të bëjë kthesa të mëdha ekonomiko-shoqërore.

 Dhe në këtë numër të popullsisë, po sipas një vlerësimi të përafërt, cila është përqindja e komuniteteve?

-Pjesëmarrja e komuniteteve (pakicë – plotësim yni) në Republikën e Kosovës sillet rreth 8% deri në 9%. Pra, Kosova është një shtet multietnik në aspektin politik. Ndërsa, mbi 91% të homogjenitetit demografik etnik është popullsi rrënjëse.

 Kosova ka mungesën e madhe të regjistrimit të popullsisë, një kohë të gjatë, pse ndodhi kjo?

–Deri tani në përgjithësi, (për shkaqe të njohura të së kaluarës pa fat) të dhënat dhe informatat statistikore, në masë të madhe janë jo të plota, të pakompletuara e për disa fusha edhe mungojnë (rikujtojmë se regjistrimi i fundit është bërë me 1981).

Mungesa e regjistrimit në kohën sa më të shkurtër shkakton pengesa zingjirore në shumë sfera të tjera të shoqërisë duke krijuar edhe vështirësi në strategjitë planifikuese. Po ashtu prolongimi i regjistrimit shkakton kosto të mbajtjes së personelit aktiv të Zyrës së Regjistrimit të Popullsisë (ZRP); largimi – prolongimi i disa projekteve në Entin Statistikor të Kosovës (ESK); statistikat janë më pak të besueshme; mungesa e të dhënave reale për varfërinë dhe papunësinë në Kosovë; mungesa e të dhënave për gjendjen kualifikuese ndikon në mos llogaritjen dhe projeksionet e ndryshme të popullsisë si: vitalitetit, shtimit apo rënies të numrit të popullsisë, shpërndarjen e popullsisë në hapësirë etj.

Sidomos vështirësi ka në planifikimin e projekteve të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, vështirësi në planifikimet buxhetore në ndarjen e mjeteve nëpër komuna. Mungesa e të dhënave krijon edhe vështirësi në planifikimet e investitorëve të ndryshëm.Po ashtu mungesa e të dhënave statistikore sjell kritika të shumta nga institucionet dhe personat tjerë si: shkencëtarët, hulumtuesit, institucionet tjera në adresë të ESK.

-Kur pritet një regjistrim i përgjithshëm i popullsisë në Kosovë, dhe çfarë janë përgatitjet? A do të përfshijë ky regjistrim edhe kosovarët jashtë vendit?

–Në Republikën e Kosovës nevoja për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është shumë e madhe – më e madhe se kudo në ndonjë shtet tjetër. Të dhënat statistikore të mirëfillta do t’i ofrojnë shtetit, administratës dhe publikut të gjerë shënime të besueshme për zhvillimet, transformimet dhe ecuritë administrative, demografike, ekonomike, sociale, materiale, shëndetësore, kulturore, arsimore, urbanistike, bujqësore dhe ambientale ekologjike.

Regjistrimi i popullsisë (ndërkombëtarisht i përfillshëm) është sot për Republikën e Kosovës edhe një detyrim – standard ndërkombëtar dhe se realiteti i ri shtetëror i vendit nuk mund të paramendohet pa një regjistrim të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave sipas normave dhe standardeve ndërkombëtare.

Zhvillimet dhe ngjarjet dinamike të viteve të fundit kanë sjellë ndryshime të thella edhe në shtrirjen territoriale-hapësinore të popullatës. Mobiliteti dinamik hapësinor është shoqëruar edhe me migrime të shumta brenda për brenda Republikës, po ashtu edhe jashtë vendit, ndërkohë që edhe një numër i madh i të huajve (stafi ndërkombëtar) janë vendosur në shtetin tonë. Transformimet edhe në sferën e fertilitetit dhe riprodhimit biologjik dhe ripërtëritjes demografike si dhe ndryshime të mëdha në sistemin shëndetësor nuk janë shoqëruar me përcjellje kualitative statistikore. Këto si dhe ndryshime të tjera strukturale të shoqërisë kosovare e bëjnë që regjistrimi i ardhshëm të jetë i një rëndësie tepër të madhe për çfarë duhet të bërë hapa imediat e të përshpejtuar në realizimin e tij. Për më tepër të gjitha objektivat dhe projektet shtetërore jo vetëm ekonomike, sociale e zhvillimore varen nga rezultatet cilësore të regjistrimit të popullsisë ekonomive familjare dhe banesave. Ndërsa, përfitues do të jetë e tërë shoqëria kosovare që nga komunat, administrata shtetërore, vendore si dhe ajo ndërkombëtare.

ESK deri më tani ka realizuar tri pilot regjistrime. Regjistrimet pilot kanë pasur si qëllim testimin e të gjitha instrumenteve në një pilot të vetëm. Sipas vlerësimeve që janë bërë nga Organizatat Ndërkombëtare (KMN dhe EUROSTAT) regjistrimi i parë testues (nëntor, 2005) nuk është zhvilluar sipas rekomandimeve ndërkombëtare për regjistrime pilot.

Regjistrimi i dytë pilot është zhvilluar në nëntor, 2006 ku sipas raportit të KD dhe Organizatave Ndërkombëtare që kanë monitoruar regjistrimin pilot është theksuar se piloti ka plotësuar rekomandimet mbi regjistrime dhe ka qenë i organizuar (të gjitha fazat) në nivel të pranueshëm. Duhet theksuar se në regjistrimin e parë pilot kanë participuar të gjitha komunitetet në Kosovë, derisa në regjistrimin e dytë pilot nuk kanë participuar komuniteti serb dhe romët – romët në ato zona ku flasin gjuhen serbe dhe bashkëjetojnë me komunitetin serb.

Aktivitetet tjera – ESK – ZRP ka realizuar pothuaj të gjitha instrumentet e nevojshme për regjistrim, duke përgatitur materialet e nevojshme. Janë finalizuar si drafte: formularët dhe udhëzuesit e ndryshëm, plani i logjistikës (duke përfshirë trajnimet dhe ecurinë e punëve para, në dhe pas regjistrimit) është ndërtuar programi softuerik, janë ndarë zonat kadastrale në njësi më të vogla – Qarqet Regjistruese (QR) për tërë territori e Kosovës është përgatitur një material i ndryshëm për fushën senzibilizuese (fletushkat informuese, panot, reklamat dhe materialet tjera nga fusha informuese dhe publicistike) është bërë plani i tabelimit dhe analizave – të gjitha sipas normave dhe standardeve ndërkombëtare për regjistrime.

Janë bërë përgatitje të mira teknike e profesionale për mbajtjen të suksesshme të Regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave.

Pritet vetëm vendimi politik për caktimin e datës optimale të mbajtjes së Regjistrimit të popullsisë.

Vlen për tu theksuar se në këtë regjistrim nëpërmes të një formulari të veçantë do të vjelën edhe tiparet kryesore për numrin dhe strukturat bazë të popullsisë kosovare jashtë vendit.

Cilat ishin rezultatat e test-regjistrimit të popullisë të mbajtur në vjeshtën e këtij viti, a tregojnë ato edhe për gatishmërinë e Kosovës për regjistrimin e përgjithshëm?

–Pas aprovimit të Ligjit (Nr. 2003/16) për Regjistrimin e Popullsisë, nga Kuvendi i Kosovës, Ministria e Shërbimeve Publike (MSHP) në janar të vitit 2003 ka themeluar Zyrën e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në kuadër të Entit Statistikor të Kosovës.

Duke u bazuar në Ligjin mbi regjistrimin e popullsisë është formuar Komisioni Qendror i Regjistrimit të Popullsisë (KQR). Parlamenti i Kosovës me 14 mars 2008 ka rikonfiguruar Komisionin Qendror për Regjistrim i cili do të luaj një rol të rëndësishëm rreth regjistrimit të popullsisë.

Pas përgatitjeve që ishin bërë, ESK ka organizuar dhe ka zhvilluar deri më tani 3 pilot regjistrime. Regjistrimet pilot kanë pasur si qëllim testimin e të gjitha instrumenteve që do të kryhet regjistrimi.

Regjistrimi testues ka përfshire 6 Komuna (Prizren, Mamushë, Dragash, Lipjan, Prishtinë dhe Vushtrri), 12 vendbanime dhe 14 Qarqe të Regjistrimit (QR). Në këtë regjistrim testues janë përfshirë të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Pjesëmarrja e përafërt e ekonomive familjare sipas etnicitetit është: Shqiptarë rreth 28%, Serb 25.8%, Rom 11.7%, Ashkalij 9.6%, Egjiptas 7.0%, Turq 7.0%, Boshnjak 7.1% dhe Goran 3.7%.

Sipas të dhënave preliminare (nga ESK) pjesëmarrja në regjistrimin testues ishte 93.3%. Shqiptarët 96%, Serbët 71.1%, komunitetet tjera kishin pjesëmarrje 95%.

Përpunimi dhe analizimi i të dhënave do të bëhet deri në fund të këtij viti ku edhe do të përgatitet një raport final nga ESK. Raporti i Komisionit Drejtues Monitorues do t’iu dërgohet Komisionit Drejtues Menaxhues (të EUROSTAT-it).

Vlerësohet se regjistrimi i popullsisë është shumë i rëndësishëm dhe i nevojshëm për Kosovën, pse?

–Për historinë e një vendi (shteti) regjistrimet e popullsisë paraqesin momente të rëndësishme (të shënuara), me ç’rast evidentohet gjendja e saktë e vlerave të tij më të mëdha (kapitale) – e popullatës së tij. Duke i krahasuar gjendjet në çdo njërën prej atyre momenteve nxirret pasqyra e zhvillimit të popullsisë ndër vite, dekada e shekuj.

Konstatohen rritjet e rëniet e numrit të përgjithshëm, mësohet për ndryshimet e përbërjes së saj dhe kërkohen shkaqet që ato ndryshime i sollën. Popullsia është element dhe modifikator i hapësirës dhe kohës. Njohja e mirë e saj është me rëndësi të dorës së parë, pasi ajo është pasqyrë e së kaluarës, akter i së tashmes dhe bartës i së ardhmes.

Analiza shkencore objektive e shumë të dhënave statistikore ndihmon të njihen dhe vlerësohen transformimet në një hapësirë ku një popullsi jeton e punon, prodhon e shpenzon. Sot shënimet statistikore janë me interes mbarëkombëtar e mbarështetëror dhe sa më i zhvilluar, më i përparuar dhe më demokratik që të jetë një vend aq më të zhvilluar duhet ta ketë këtë veprimtari.

Çdo regjistrim mban karakteristikat e veta të përgjithshme, por edhe të veçanta, ku potencohen disa veçanti e risi varësisht nga kërkesat e kohës dhe rrethanat politike-shoqërore. Përndryshe, edhe ashtu, çdo regjistrim mban vulën e kohës kur bëhet.

Stafi i ri menaxhues, kabineti i ri ministror në MSHP ka bërë angazhime shtesë që ti ngritë organizativisht e profesionalisht çështjet dhe faktorët që ndikojnë në kualitetin e projektit të regjistrimit, ka identifikuar masat që mund të merren për ta përmirësuar, kontrolluar dhe matur kualitetin e regjistrimit (aspektin metodologjik, aktivitetet hartografike, dizajnimi kualitativ përmbajtësor i pyetësorëve si dhe rekrutimi, trajnimi i stafit sipas rekomandimeve më të fundme ndërkombëtare). 

  1. Zëvendësministër e kryetar i Komisionit për Regjistrim të Popullsisë, faleminderit për këtë intervistë, dhe meqë jemi në përfundim të një viti historik për Kosovën e në prag të Vitit të Ri, keni ndonjë mesazh, apo cilat janë pritjet Tuaja për vitin 2009?

–Në memorien historike të shqiptarëve viti 2008 do të mbetet i regjistruar me data, ngjarje e zhvillime edhe gjeopolitike e gjeostrategjike të rëndësisë organike shtetërore e kruciale kombëtare. Urojmë që edhe viti 2009 e të tjerat vite të shoqërohen me korrigjime historike dhe gëzime të reja për shqiptarët.

***

RILINDJA NË 1962: KOSOVA FITOI BANORIN E NJIMILIONIT 

Gazeta tradicionale shqiptare në Kosovë RILINDJA e datës 6 Korrik 1962 shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”“Simbas regjistrimit të fundit të 31 marsit të vitit të kaluem, në këtë teritor ka pasë 963.551 banorë…” shkruante gazeta duke shtuar se “asht interesante” se në Kosovë “ka afër 40 mijë mashkuj ma shumë se femna”.

Filed Under: Analiza, Featured Tagged With: Behlul JashariSPECIALE/ SA BANORË, I KA KOSOVA?

Tri analogji për zgjedhjet

September 16, 2016 by dgreca

Nga   Përparim   Hysi/
Që në fillim, dua t’ju bëj të  njohur me statusin tim. Nuk jam politikan, por si qytetar kam bindjen time politike. Jam i djathtë dhe “karrriera ime si djathtist” ka shkuar deri tek kandidimi im për deputet për PD në zgjedhjet e para plurariste. Nuk fitova dhe u munda nga një  socialist që, ende, nuk kish firmosur në bordero. Nuk kish firmosur ai, por babai ishte kuadër me “vlerë” në piramidën partiako-shtetërore të kohës. Pra u provua që nuk kisha “mizurën” për poltikan dhe,edhe si kryetar pushteti pluralist nuk pata sukses, dhashë dorëheqje dhe dola njëherë  e mirë nga politika.Por kjo nuk do të thotë që”vegjetoj” dhe nuk përjetoj në gjithë dinamikën e jetës në vend. E përjetoj këtë atmosferë që ndizet  e merr zjarr nga politikanë profanë dhe inatçorë. Sherrin e kanë në majë të hundës dhe, sikur të mos ekzistonte, zënë e shpikin. Nuk ndodh vetëm me njërin, por en-bloc. Harrojnë që kështu zënë e stresojnë një popull të tërë.Rrëfenjat që po sjell, janë veç përjetime të miat dhe, tek  i sjell për lexuesitt, them që fare lehtë mund të lexojnë atë që dua  të them.

*      *     *

Kam qenë “letraxhi” i thekur. Kaq pasion e kisha lojën me to, sa cilindo mik timin që aso kohe kishte fatin të dilte jashtë shtetit, të vetmen kërkesë që i bëja, ishte të më  sillte një palë letra. Qeshë bërë gati profesionist në lojën me to dhe, tek mundja kundërshtarë me radhë, e shpalla veten “Mjeshtër”. Po si nuk isha i tillë, kur me këdo fitoja?!!! Shkoj kjo “mjeshtëria” deri sa një ditë prej ditësh, hasa në një “hundëlesh”. Qe një plak aso kohe,që diellin e kish parë shumë kohë para meje. Ky,”hundëleshi”, pasi ma bëri kapërdisjen copë, qe dhe bilbilgjyzar nga goja: “… kur unë i thosha, prit dhe një”dorë”,as që mërzitej fare, por dha e dha, dhe e zbrazi:  “Ujku ishte duke e mbaruar gomarin së ngrëni, dhe,”gomari” thoshte:- Ishalla jam në ëndërr!!!
*      *      *

Edhe loja e shahut ka qenë pasioni im. Shahu është e vetmja lojë në botë që kundërshtari nuk ka se si të  bën hile. Nëse fiton apo humb, merita dhe faji është yti. Me shahun unë harroja të kthehesha në shtëpi dhe bukuria qëndronte se shahu nuk shihej  nga “normat e asaj kohe” me syrin që shiheshin letrat apo siç e përgjithësonin me të padrejtë: po lozin kumar!

Me shahun nuk është se hasa në”hundëlesh”, por njoha një njeri të zgjuar e dinak që nuk pranonte humbjen. Sado që nuk pranonte humbjen, i kish lezet arsyetiimi. Tek e sjell rrëfenjën për ju, ende nuk më ikën buzëqeshja. Ky burrë i zgjuar, ka qenë komisari im kur kryeja shërbimin ushtarak në Shëngjin. Kish qenë shahist dhe unë, riosh në atë kohë, nuk njihja as “kufi” që vinte rregullorja  e Ushtrisë së asaj kohe. E munda komisarin dy me një dhe, tek po i jepja dorën, i thashë:- Të munda, komisar!

Ai:- Jo, mikvëllai, nuk më ke mundur, por jemi  b a r a z i m !!!

– Po  si “barazim”?- e kundërshtova.

-Dëgjo,- më tha. Ti ke fituar  dy lojë. Unë një. Pra, ti ke një fitore të madhe dhe unë  një  të vogël.Pra, jemi “barazim!!!

*     *    *

Aty, pragviteve tetëdhjetë, kur thika e varfërisë (sidomos në fshat) po shkonte në palcë, ndiheshin dhe mungesa për një higjienë vetjake  të nxënësve në shkollë. Rrezikoheshin nxënësit nga parazitë dhe, nisur nga kjo, në shkollë kish ardhur një qarkore ku porositeshim që  djemtë t’i qethnim zero si ushtarët. Pak, drastike  qe qarkorja, por qe e domosdoshme.

Në një shkollë si jona me 700  e ca nxënës, kishte prej tyre që rebeloheshin. Dhe unë pikërisht për një nga rebelët do rrëfej. Ndërsa,pak nga pak, berberi po mbaronte punën e tij (ai punoi një javë në shkollën tonë), dëgjoj që të më thërres me emër. Afrohem dhe më tregon se Gjoleka ( po si mund ta harroj unë atë, “rebelin”), nuk dëgjonte të qethej. Atëherë e mora Gjolekën, e vendosa tek karrike e berberit, dhe i thashë berberit të vazhdonte punën. Për dhjetë minuta koka e Gjolekës u bë zero. U ngrit nga karrikja, ashtu me kokën zero dhe bërtiti:- Ja, të shohim: do qethem?!!!!

Tiranë,16  shtator  2016

 

Filed Under: Komente Tagged With: perparim Hysi, tri analogji, zgjedhjet

Kostumi që i rri ngushtë Kanunit dhe traditës

September 16, 2016 by dgreca

Nga Dukagjin HATA/

 Arkitipi i keqbërjes dhe krimit, si pasojë e devijimeve dhe çrregullimeve të personalitetit, kushtëzohet nga shumë faktorë, qofshin socialë, kulturorë, ekonomikë, gjenetikë e të tjerë, qofshin të lindura në rrethana të kushtëzuara në faza të caktuara të jetës së njeriut. Por hakmarrja dhe gjakmarrja, si produkt kolektiv i një shoqërie, e kushtëzuar nga Kanuni dhe e ligjeruar në mbijetesën e maleve tona, ka të bëjë me mungesën e gjatë të shtetit në shoqërinë shqiptare. Kjo mungesë është ezauruar me anë të Kanunit të Lekë Dukagjinit, Kanunit të Skënderbeut, Kanunit të Dibrës, Kanunit të Papa Zhulit (në disa treva të jugut të vendit) si dhe disa lloj ligjësish të mishëruara në besëlidhje, karare e itifaqe, që kanë rregulluar bashkëjetesën e njerëzve në komunitet.

Në kohën e funksionimit të shtetit, qoftë dhe një funksionim i mangut e me një problematikë të mprehtë si ky i yni, Kanuni duhet të kishte vetëm vlera muzeale. Mbijetesa e Kanunit në Shqipëri, edhe në kushtet e funksionimit të shtetit dhe institucioneve, ka të bëjë me qasjen e grupeve kriminale ndaj traditës, për të   gjetur tek disa elementë të saj, strehë për vrasjet, trafiqet dhe keqbërjen e tyre.

Nevoja e bandave dhe grupeve kriminale për t’u mbështetur tek Kanuni ka qenë një nevojë e ngutshme, por ky nuk ka qenë një kanun real, por një kanun i modifikuar, sipas nevojës së tyre për të mbijetuar në terrenin e vështirë shqiptar.

Periudha tranzitive në Shqipëri, përveç zgjimit të energjive dhe resurseve të fjetura, të ndrydhura apo të keqpërdorura dikur të individit shqiptar, riaktivizoi të gjitha negativitetet e traditës, që iu kanë shërbyer dhe iu shërbejnë grupimeve të caktuara sociale dhe klaneve të aferave të ndryshme, për të mbijetuar në errësirën e botës së krimit dhe të devijimeve të tjera të arketipit social. Starti i lirisë në Shqipëri u projektua dhe funksionoi si start i më të “fortëve”, jashtë të gjitha skemave, formulimeve dhe rregullave institucionale, kodeve morale dhe atyre shpirtërore, që kanë në themel demokracinë e brendshme të individit dhe të shoqërisë, të vetëdijshëm për atë se çfarë kërkojnë të bëjnë në një stad të caktuar të mbijetesës së tyre. Një nga kodet më të keqpërdorura të kësaj tradite, siç e thamë, është Kanuni, simbolika konstitucionale e të cilit, e vlefshme në kohën kur mungonte shteti, po shndërrohet në një mjet ndëshkimi në luftën e egër të bandave të armatosura dhe elementëve të vetëpenalizuar në zeje kriminale, edhe tani, në kushtet e funksionimit të shtetit dhe të luftës së tij për të bllokuar botën e krimit. Në zonat ku kanuni ka vepruar si një rregullator i brendshëm i jetës së fisit, veçanërisht në Veri të vendit dhe në disa zona rurale të tjera, po shfaqet dukuria e shndërrimit të tij, në mjaft raste, në një selektiv të përgjakur të dimensionit kriminal të shoqërisë shqiptare. Por jo vetëm në këto zona. Ai po shndërrohet me përdhunë, në këto raste, në një keqinterpret të “së drejtës”, e cila shtegton nga njëra palë kriminale te tjetra, duke lënë prapa saga tragjike vrasjesh në errësirë që i etiketohen kanunit. Kështu, me anë të një kanuni të ri, lahen hesapet dhe qërohen llogaritë midis grupeve e bandave rivale, midis familjeve e fiseve mafioze, për interesa jashtëkanunore, që lidhen me aspekte të errëta të botës së trafiqeve, drogës, vrasjeve seriale, etj. Elementi shoqërisht i rrezikshëm në Shqipëri e ka përshtatur kështu kostumin kanunor të traditës, këtë relike që ka vetëm vlera muzeale, – dhe shteti me tërë energjinë e ligjit dhe të së drejtës lypset ta bllokojë funksionimin e kanunit me çdo kusht, – sipas qepjes së re të mafies.

Është më tepër se e dhimbshme, gati një fatalitet, të dëgjosh përditë lajme të trishta për familje të tëra që po shkojnë drejt shuarjes, për viktimat e radhës që mbushin kronikat e zeza nën okelion ” larje hesapesh”. Bie fjala, në rrethin e Tropojës, janë me qindra të vrarët në emër të këtij kanuni të ri, absurd, ku mpleksen të gjitha fijet e krimit të rëndomtë dhe atij të organizuar, me të gjitha prapavijat e hapura dhe të fshehta të segmenteve dhe klaneve mafioze, që menaxhojnë me “duar të pastra” këtë “rreth fatal”. Po kështu, në këtë “rreth fatal” të kësaj psikoze të re kanunore, janë shenjuar qindra viktima në Fushë Krujë, Mat, Vlorë, Fier, Berat, etj duke na kujtuar çdo ditë, se jetojmë në një vend ku jeta e njeriut vlen pak, shumë pak, aq sa ç´vlen një fjalë e lëshuar qesim ose një biletë e prerë për në parajsën e bardhë të drogës e të skemave të tjera mafioze.

Sot shumë krime që lidhen me luftën e trafikantëve të drogës dhe femrave i faturohen Kanunit, por për ç’Kanun bëhet fjalë kur në themel të këtij Kanuni aplikohet ligji i moscënimit të askujt për çfarëdo shkak apo arsye?! Bandat vrasin për llogari të tyre, cënojnë jetën e njerëzve, të fëmijëve dhe femrave, vrasin dhe përçudnojnë kufomën (të gjitha këto në kundërshtim flagrant me Kanunin) dhe e gjithë kjo jo se nuk kuptohet prejt tyre se është një devijim i skajshëm ndaj Kryedokumentit historik të së drejtës, por ashtu iu intereson t’i paraqesin motivimet e tyre kriminale, nën projeksionin e një tradite të cënuar e të marrë peng në mënyrën më cinike të mundshme.

Sot kur oferta e dyerve të Brukselit për Shqipërinë është më afër se kurrë, duket paradoksale dhe anakronike që fëmijë e gra në disa treva të veriut shqiptarë qëndrojnë të ngujuar nga frika e gjaksve, që fëmijët e familjeve në gjak nuk shkojnë në shkollë nga frika e hakmarrjes dhe gjakmarrjes, që familjarët në gjak nuk mund të punojnë tokat e tyre, duke rrezikuar familjet të vdesin nga uria, në kundërshtim me frymën e çdo mendësie kanunore në Shqipëri. Ky  ngërç i gjatë kriminal, ky oktopod gjigand, po mban peng rendin, stabilitetin social dhe pritshmëritë e shqiptarëve drejt BE-së. Rivaliteti mes bandave e grupeve krimnale për trafiqe droge, femrash etj, po kthehet në një përditshmëri të sëmurë shqiptare, e shoqëruar me përplasje, vrasje, inidicie dhe pasoja të rënda të veprimit të botës së krimit mbi shoqërinë shqiptare, duke ia faturuar të gjitha këto «mëkate» Kanunit.

Cinizimi dhe pafytyrësia e këtyre keqbërësve arrin deri atje sa të përfshijë në këtë soj «larje hesapesh», me anë të Kanunit, dhe individë që bëjnë punën e shtetit, qofshin në sektorët e antikrimit, qofshin në zyrat e shtetit ku iu jepet drejtim punëve të kësaj shoqërie.

Para disa kohësh, u dorëhoq nga policia efektivi i komisariatit të Rrëshenit Aranit Dedaj, i kërcënuar nga një trafikant me dy emra, ish funksionar i lartë i pushtetit vendor në  Mirditë. I akuzuar për mbjellje në sipërfaqe të mëdha dhe trafikim të lëndëve narkotike, ky person arriti ta kërcënonte punonjësin e policisë A. Dedaj brenda në ndërtesën e komisariatit si dhe në gjykatën e rrethit gjyqësor Lezhë, duke e quajtur atë fajtor për arrestimin e tij. Lënia nga Gjykata e Apelit në «gjendje të lirë» e këtij kultivuesi dhe trafikanti, i dha mundësinë këtij të fundit që të përndjekë ish oficerin e përkushtuar A. D, të cilin e akuzon me anë të «Kanunit» se i paska borxh!

Baronët e krimit, hakmarrjes dhe gjakmarrjes kanë kthyer vendin e shqiponjave në një tokë të rivalitetit të botës së keqbërjes, hashashit dhe krimit, duke e zhvendosur oferën e Bashkimit Evropian për Shqipërinë në kalendat greke.  Bota e krimit ordiner dhe atij të organizuar lyp që t’i vesh Kanunit dhe traditës një kostum moderniteti, por ky kostum iu rri atyre aq ngushtë, sa çdo përpjekje e tyre në këtë drejtim duket absurde dhe groteske.

Si pasojë e gjithë kësaj, hakmarrja dhe gjakmarrja në disa treva shqiptare ndodhin me një përpikmëri logaritmike, si vdekje të paralajmëruara nga bota e krimit dhe të pandëshkuara nga institucionet e shtetit dhe të së drejtës.

Shoqëria shqiptare, tejet e lodhur nga kjo histori, veçabnërisht familjet e përndjekura nga hijet e frikës së ndëshkimit dhe hakmarrjes, familjet në gjak dhe të ngujuara nga frika e krimit, apelon që më në fund të bllokohet nga shteti ky dimension antishoqëror me pasoja të rënda sociale, ekonomike e humane, të ndërpritet ky makth keqbërje e krimi pa alibi, që po e çon Shqipërinë vite të tëra pas në hartën e vendeve të sigurisë, të ndërpritet kjo aferë vdekjeje që kërcënon çdo ditë e me një agresivitet të rëndë rendin dhe stabilitetin qytetar.

Filed Under: Opinion Tagged With: Dukagjin Hata, Kanuni, Kostumi i ngushte

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2489
  • 2490
  • 2491
  • 2492
  • 2493
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT