-Sa i kishte para më shumë se gjysëm shekulli?
-Në 6 korrikun e vitit 1962, gazeta tradicionale kosovare Rilindja shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”/
-Në regjistrimin e popullsisë të vitit 1981, ku u përfshinë të gjitha etnitë, Kosova kishte një popullsi prej 1.584.440 banorësh/
-Prof. Dr. Rifat Blaku, ekspert i çështjeve demografike, në intervistë ekskluzive në gazetën Rilindja në fundvitin 2008: Vlerësohet se aktualisht Republika e Kosovës ka rreth 2.200.000 banorë brenda Kosovës (rezidentë) dhe rreth 500.000 jashtë Kosovës/
-Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë/
-Statistika: Kosova 1,771,604 banorë rezidentë, në fundvitin 2015. Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit/
-Ministria e Diasporës e qeverisë së Kosovës në vitin 2015 ka regjistruar rreth 200 mijë bashkatdhetarë në botë. Procesi i regjistrimit vazhdon në vitin 2016 dhe pritet një publikim përfundimtar i shifrave të detajuara në fillim të vitit 2017/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul JASHARI /
PRISHTINË, 17 Shtator 2016/ Kosova në verën e para më shumë se gjysëm shekulli arrinte numrin prej një milion banorëve. Në 6 korrikun e vitit 1962, gazeta tradicionale kosovare Rilindja shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”
Sipas statistikave kosovare, në regjistrimin e popullsisë të vitit 1981, ku u përfshinë të gjitha etnitë, Kosova kishte një popullsi prej 1.584.440 banorësh.
Kosova në vitin 2015, në 31 dhjetor, vlerësohet se kishte 1,771,604 banorë rezidentë, sipas një publikimi sot të Agjencisë së Statistikave.
Gjatë vitit 2015, kishte 31,116 lindje, 8,884 raste vdekje dhe shtimi natyror ishte gjithsej 22,232 banorë.Numri i personave që kishin imigruar (ardhur) në Kosovë ishte 18,862 banorë, derisa numri i emigrantëve (të larguarëve) kosovarë ishte 74,434 banorë dhe bilanci i migrimit për vitin 2015 ishte – 55,572 persona.Përkundër një shtimi natyror prej 22,232 banorëve, popullsia rezidente e Kosovës për shkak të emigrimit (largimit) të theksuar në vitin 2015 u zvogëlua për 33,340 banorë.Këto shifra janë dhënë në 29 qershor 2016 zyrtarisht nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK), e cila ka publikuar raportin “Vlerësim: Popullsia e Kosovës 2015”.
Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, 92.93 % shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë, 1.58% boshnjakë, 1.47 % serbë, 1.08 % turqë, etj.Por, numri i banorëve-shtetasëve të Kosovës është më i madh, meqë regjistrimi i popullsisë nuk ka përfshirë një të tretën e kosovarëve që vlerësohet se jetojnë e punojnë jashtë vendit.Ministria e Diasporës e qeverisë së Kosovës në vitin 2015 ka regjistruar rreth 200 mijë bashkatdhetarë në botë. Procesi i regjistrimit vazhdon edhe në vitin 2016 dhe pritet një publikim përfundimtar i shifrave të detajuara në fillim të vitit 2017.Përqindja e komunitetit serb do ishte më e lartë me përfshirjen e veriut në regjistrim. Në veri të Mitrovicës dhe tre komuna tjera veriore – Leposaviç, Zubin Potok e Zveçan, ku është refuzuar regjistrimi i popullsisë, sipas një shifre që e kanë përmendur autoritetet kosovare, jetojnë rreth 40 mijë serbë.
Në vjeshtën e këtij viti, edhe në veriun me shumicë serbe pritet regjistrimi i popullsisë, pasi qeveria në pranverë ka miratuar Projektligjin për Regjistrimin e Popullsisë, të Ekonomive Familjare dhe të Banesave në Komunat e Kosovës që nuk kanë marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë në vitin 2011.Në vijim, nga gazeta tradicionale e Kosovës Rilindja – numri i saj fundit – i 30 dhjetorit 2008, po sjellim një entervistë ekskluzive që kam zhvilluar si kryeredaktor i gazetes me Prof. Dr. Rifat Blakun, ekspert i çështjeve demografike, kryetar i Komisionit Republikan për regjistrimin e popullsisë, njëherit zëvendësministër i Ministrisë së Shërbimeve Publike (MSHP) në Qeverinë e Kosovës, në atë kohë.
RILINDJA, 30 DHJETOR 2008: EKSKLUZIVE/ SHTETI I KOSOVËS PRET VITIN 2009 ME 2 MILIONË E 700 MIJË BANORË
-Dr. Rifat Blaku, zëvendësministër i Shërbimeve Publike në Qeverinë e Kosovës, ekspert i çështjeve demografike, kryetar i Komisionit Republikën për regjistrimin e popullsisë, që pritet vitin 2009, në intervistë ekskluzive/
Kosova, shteti më i ri në botë, pret Vitin e Ri 2009, të parin pas shpalljes së pavarësisë në ditën historike të 17 shkurtit 2008, me mëse 2 milonë e 700 mijë banorë. “Vlerësohet se aktualisht Republika e Kosovës ka rreth 2.200.000 banorë brenda Kosovës (rezidentë) dhe rreth 500.000 jashtë Kosovës”, tha sot Dr. Rifat Blaku, ekspert i çështjeve demografike, kryetar i Komisionit Republikën për regjistrimin e popullsisë, që pritet vitin e ardhshëm, njëherit zëvendësministër i Ministrisë së Shërbimeve Publike (MSHP) në Qeverinë e Kosovës, në një intervistë ekskluzive, intervistuar nga Behlul Jashari.
Profesor Blaku tha se “janë bërë përgatitje të mira teknike e profesionale për mbajtjen të suksesshme të Regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave”.
Sipas tij, “pritet vetëm vendimi politik për caktimin e datës optimale të mbajtjes së Regjistrimit të popullsisë”.
“Regjistrimi i popullsisë (ndërkombëtarisht i përfillshëm) është sot për Republikën e Kosovës edhe një detyrim – standard ndërkombëtar dhe se realiteti i ri shtetëror i vendit nuk mund të paramendohet pa një regjistrim të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave sipas normave dhe standardeve ndërkombëtare”, tha ai.
Duke folur për përgatitjet dhe regjistrimin testues që u zhvillua me sukses në vjeshtë të vitit 2008, Blaku tha se “sipas të dhënave preliminare (nga ESK) pjesëmarrja në regjistrimin testues ishte 93.3%. Shqiptarët 96%, Serbët 71.1%, komunitetet tjera kishin pjesëmarrje 95%.”
Në vazhdim intervista e plotë: Blaku, do ju pyetja së pari edhe si ekspert i çështjeve demografike. Kosova, shteti më i ri në botë, sa banorë ka, sipa vlerësimit të përafërt, në këtë prag të festës së Vitit të Ri, të pritur për herë të parë në pavarësi?
–Vlerësohet se aktualisht Republika e Kosovës ka rreth 2.200.000 banorë brenda Kosovës (rezidentë) dhe rreth 500.000 jashtë Kosovës. Shteti më i ri në Botë Kosova ka popullsinë më të re dhe më vitale në Evropë. Vitaliteti biodinamik bënë që popullsia e Kosovës të ketë rreth 59% popullsi të re, kontingjent pune, një energji e madhe e resurseve humane. Valorizimi i kësaj energjie mund të bëjë kthesa të mëdha ekonomiko-shoqërore.
Dhe në këtë numër të popullsisë, po sipas një vlerësimi të përafërt, cila është përqindja e komuniteteve?
-Pjesëmarrja e komuniteteve (pakicë – plotësim yni) në Republikën e Kosovës sillet rreth 8% deri në 9%. Pra, Kosova është një shtet multietnik në aspektin politik. Ndërsa, mbi 91% të homogjenitetit demografik etnik është popullsi rrënjëse.
Kosova ka mungesën e madhe të regjistrimit të popullsisë, një kohë të gjatë, pse ndodhi kjo?
–Deri tani në përgjithësi, (për shkaqe të njohura të së kaluarës pa fat) të dhënat dhe informatat statistikore, në masë të madhe janë jo të plota, të pakompletuara e për disa fusha edhe mungojnë (rikujtojmë se regjistrimi i fundit është bërë me 1981).
Mungesa e regjistrimit në kohën sa më të shkurtër shkakton pengesa zingjirore në shumë sfera të tjera të shoqërisë duke krijuar edhe vështirësi në strategjitë planifikuese. Po ashtu prolongimi i regjistrimit shkakton kosto të mbajtjes së personelit aktiv të Zyrës së Regjistrimit të Popullsisë (ZRP); largimi – prolongimi i disa projekteve në Entin Statistikor të Kosovës (ESK); statistikat janë më pak të besueshme; mungesa e të dhënave reale për varfërinë dhe papunësinë në Kosovë; mungesa e të dhënave për gjendjen kualifikuese ndikon në mos llogaritjen dhe projeksionet e ndryshme të popullsisë si: vitalitetit, shtimit apo rënies të numrit të popullsisë, shpërndarjen e popullsisë në hapësirë etj.
Sidomos vështirësi ka në planifikimin e projekteve të ndryshme kombëtare e ndërkombëtare, vështirësi në planifikimet buxhetore në ndarjen e mjeteve nëpër komuna. Mungesa e të dhënave krijon edhe vështirësi në planifikimet e investitorëve të ndryshëm.Po ashtu mungesa e të dhënave statistikore sjell kritika të shumta nga institucionet dhe personat tjerë si: shkencëtarët, hulumtuesit, institucionet tjera në adresë të ESK.
-Kur pritet një regjistrim i përgjithshëm i popullsisë në Kosovë, dhe çfarë janë përgatitjet? A do të përfshijë ky regjistrim edhe kosovarët jashtë vendit?
–Në Republikën e Kosovës nevoja për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave është shumë e madhe – më e madhe se kudo në ndonjë shtet tjetër. Të dhënat statistikore të mirëfillta do t’i ofrojnë shtetit, administratës dhe publikut të gjerë shënime të besueshme për zhvillimet, transformimet dhe ecuritë administrative, demografike, ekonomike, sociale, materiale, shëndetësore, kulturore, arsimore, urbanistike, bujqësore dhe ambientale ekologjike.
Regjistrimi i popullsisë (ndërkombëtarisht i përfillshëm) është sot për Republikën e Kosovës edhe një detyrim – standard ndërkombëtar dhe se realiteti i ri shtetëror i vendit nuk mund të paramendohet pa një regjistrim të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave sipas normave dhe standardeve ndërkombëtare.
Zhvillimet dhe ngjarjet dinamike të viteve të fundit kanë sjellë ndryshime të thella edhe në shtrirjen territoriale-hapësinore të popullatës. Mobiliteti dinamik hapësinor është shoqëruar edhe me migrime të shumta brenda për brenda Republikës, po ashtu edhe jashtë vendit, ndërkohë që edhe një numër i madh i të huajve (stafi ndërkombëtar) janë vendosur në shtetin tonë. Transformimet edhe në sferën e fertilitetit dhe riprodhimit biologjik dhe ripërtëritjes demografike si dhe ndryshime të mëdha në sistemin shëndetësor nuk janë shoqëruar me përcjellje kualitative statistikore. Këto si dhe ndryshime të tjera strukturale të shoqërisë kosovare e bëjnë që regjistrimi i ardhshëm të jetë i një rëndësie tepër të madhe për çfarë duhet të bërë hapa imediat e të përshpejtuar në realizimin e tij. Për më tepër të gjitha objektivat dhe projektet shtetërore jo vetëm ekonomike, sociale e zhvillimore varen nga rezultatet cilësore të regjistrimit të popullsisë ekonomive familjare dhe banesave. Ndërsa, përfitues do të jetë e tërë shoqëria kosovare që nga komunat, administrata shtetërore, vendore si dhe ajo ndërkombëtare.
ESK deri më tani ka realizuar tri pilot regjistrime. Regjistrimet pilot kanë pasur si qëllim testimin e të gjitha instrumenteve në një pilot të vetëm. Sipas vlerësimeve që janë bërë nga Organizatat Ndërkombëtare (KMN dhe EUROSTAT) regjistrimi i parë testues (nëntor, 2005) nuk është zhvilluar sipas rekomandimeve ndërkombëtare për regjistrime pilot.
Regjistrimi i dytë pilot është zhvilluar në nëntor, 2006 ku sipas raportit të KD dhe Organizatave Ndërkombëtare që kanë monitoruar regjistrimin pilot është theksuar se piloti ka plotësuar rekomandimet mbi regjistrime dhe ka qenë i organizuar (të gjitha fazat) në nivel të pranueshëm. Duhet theksuar se në regjistrimin e parë pilot kanë participuar të gjitha komunitetet në Kosovë, derisa në regjistrimin e dytë pilot nuk kanë participuar komuniteti serb dhe romët – romët në ato zona ku flasin gjuhen serbe dhe bashkëjetojnë me komunitetin serb.
Aktivitetet tjera – ESK – ZRP ka realizuar pothuaj të gjitha instrumentet e nevojshme për regjistrim, duke përgatitur materialet e nevojshme. Janë finalizuar si drafte: formularët dhe udhëzuesit e ndryshëm, plani i logjistikës (duke përfshirë trajnimet dhe ecurinë e punëve para, në dhe pas regjistrimit) është ndërtuar programi softuerik, janë ndarë zonat kadastrale në njësi më të vogla – Qarqet Regjistruese (QR) për tërë territori e Kosovës është përgatitur një material i ndryshëm për fushën senzibilizuese (fletushkat informuese, panot, reklamat dhe materialet tjera nga fusha informuese dhe publicistike) është bërë plani i tabelimit dhe analizave – të gjitha sipas normave dhe standardeve ndërkombëtare për regjistrime.
Janë bërë përgatitje të mira teknike e profesionale për mbajtjen të suksesshme të Regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe të banesave.
Pritet vetëm vendimi politik për caktimin e datës optimale të mbajtjes së Regjistrimit të popullsisë.
Vlen për tu theksuar se në këtë regjistrim nëpërmes të një formulari të veçantë do të vjelën edhe tiparet kryesore për numrin dhe strukturat bazë të popullsisë kosovare jashtë vendit.
Cilat ishin rezultatat e test-regjistrimit të popullisë të mbajtur në vjeshtën e këtij viti, a tregojnë ato edhe për gatishmërinë e Kosovës për regjistrimin e përgjithshëm?
–Pas aprovimit të Ligjit (Nr. 2003/16) për Regjistrimin e Popullsisë, nga Kuvendi i Kosovës, Ministria e Shërbimeve Publike (MSHP) në janar të vitit 2003 ka themeluar Zyrën e regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në kuadër të Entit Statistikor të Kosovës.
Duke u bazuar në Ligjin mbi regjistrimin e popullsisë është formuar Komisioni Qendror i Regjistrimit të Popullsisë (KQR). Parlamenti i Kosovës me 14 mars 2008 ka rikonfiguruar Komisionin Qendror për Regjistrim i cili do të luaj një rol të rëndësishëm rreth regjistrimit të popullsisë.
Pas përgatitjeve që ishin bërë, ESK ka organizuar dhe ka zhvilluar deri më tani 3 pilot regjistrime. Regjistrimet pilot kanë pasur si qëllim testimin e të gjitha instrumenteve që do të kryhet regjistrimi.
Regjistrimi testues ka përfshire 6 Komuna (Prizren, Mamushë, Dragash, Lipjan, Prishtinë dhe Vushtrri), 12 vendbanime dhe 14 Qarqe të Regjistrimit (QR). Në këtë regjistrim testues janë përfshirë të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë. Pjesëmarrja e përafërt e ekonomive familjare sipas etnicitetit është: Shqiptarë rreth 28%, Serb 25.8%, Rom 11.7%, Ashkalij 9.6%, Egjiptas 7.0%, Turq 7.0%, Boshnjak 7.1% dhe Goran 3.7%.
Sipas të dhënave preliminare (nga ESK) pjesëmarrja në regjistrimin testues ishte 93.3%. Shqiptarët 96%, Serbët 71.1%, komunitetet tjera kishin pjesëmarrje 95%.
Përpunimi dhe analizimi i të dhënave do të bëhet deri në fund të këtij viti ku edhe do të përgatitet një raport final nga ESK. Raporti i Komisionit Drejtues Monitorues do t’iu dërgohet Komisionit Drejtues Menaxhues (të EUROSTAT-it).
Vlerësohet se regjistrimi i popullsisë është shumë i rëndësishëm dhe i nevojshëm për Kosovën, pse?
–Për historinë e një vendi (shteti) regjistrimet e popullsisë paraqesin momente të rëndësishme (të shënuara), me ç’rast evidentohet gjendja e saktë e vlerave të tij më të mëdha (kapitale) – e popullatës së tij. Duke i krahasuar gjendjet në çdo njërën prej atyre momenteve nxirret pasqyra e zhvillimit të popullsisë ndër vite, dekada e shekuj.
Konstatohen rritjet e rëniet e numrit të përgjithshëm, mësohet për ndryshimet e përbërjes së saj dhe kërkohen shkaqet që ato ndryshime i sollën. Popullsia është element dhe modifikator i hapësirës dhe kohës. Njohja e mirë e saj është me rëndësi të dorës së parë, pasi ajo është pasqyrë e së kaluarës, akter i së tashmes dhe bartës i së ardhmes.
Analiza shkencore objektive e shumë të dhënave statistikore ndihmon të njihen dhe vlerësohen transformimet në një hapësirë ku një popullsi jeton e punon, prodhon e shpenzon. Sot shënimet statistikore janë me interes mbarëkombëtar e mbarështetëror dhe sa më i zhvilluar, më i përparuar dhe më demokratik që të jetë një vend aq më të zhvilluar duhet ta ketë këtë veprimtari.
Çdo regjistrim mban karakteristikat e veta të përgjithshme, por edhe të veçanta, ku potencohen disa veçanti e risi varësisht nga kërkesat e kohës dhe rrethanat politike-shoqërore. Përndryshe, edhe ashtu, çdo regjistrim mban vulën e kohës kur bëhet.
Stafi i ri menaxhues, kabineti i ri ministror në MSHP ka bërë angazhime shtesë që ti ngritë organizativisht e profesionalisht çështjet dhe faktorët që ndikojnë në kualitetin e projektit të regjistrimit, ka identifikuar masat që mund të merren për ta përmirësuar, kontrolluar dhe matur kualitetin e regjistrimit (aspektin metodologjik, aktivitetet hartografike, dizajnimi kualitativ përmbajtësor i pyetësorëve si dhe rekrutimi, trajnimi i stafit sipas rekomandimeve më të fundme ndërkombëtare).
- Zëvendësministër e kryetar i Komisionit për Regjistrim të Popullsisë, faleminderit për këtë intervistë, dhe meqë jemi në përfundim të një viti historik për Kosovën e në prag të Vitit të Ri, keni ndonjë mesazh, apo cilat janë pritjet Tuaja për vitin 2009?
–Në memorien historike të shqiptarëve viti 2008 do të mbetet i regjistruar me data, ngjarje e zhvillime edhe gjeopolitike e gjeostrategjike të rëndësisë organike shtetërore e kruciale kombëtare. Urojmë që edhe viti 2009 e të tjerat vite të shoqërohen me korrigjime historike dhe gëzime të reja për shqiptarët.
***
RILINDJA NË 1962: KOSOVA FITOI BANORIN E NJIMILIONIT
Gazeta tradicionale shqiptare në Kosovë RILINDJA e datës 6 Korrik 1962 shkruante se Kosova “fitoi këto ditë banorin e njimilionit…”“Simbas regjistrimit të fundit të 31 marsit të vitit të kaluem, në këtë teritor ka pasë 963.551 banorë…” shkruante gazeta duke shtuar se “asht interesante” se në Kosovë “ka afër 40 mijë mashkuj ma shumë se femna”.