• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Avioni italian në Ishëm ngre dyshime për narkotrafik

September 15, 2016 by dgreca

*“La Repubblica”: Guidi dyshime për lidhje të klaneve të drogës dhe armëve/

Prokuroria Për Krime të Rënda nis hetimet për trafik droge ndaj pilotit Italian Guido Andra Guidi 69 vjeç, i cili uli avionin në fushën e fshatit Gotull të njësisë administrative të Ishmit në Durrës. Abc News ka mësuar se drejt vendit të ngjarjes ka shkuar prokurori Përparim Kulluri i shoqëruar nga dy oficerë të policisë gjyqësore, për të kryer veprimet e para hetimore në vendin e uljes së avionit.

Mësohet se vendi ku është ulur avioni është kjo fushë në foto, që rezulton rreth 1500 metra e gjatë ku janë hedhur dyshime se është tokë e shkelur me rul, e bërë enkas për ulje avionësh. Nga ana tjetër, ekspertët në vendin e ngjarjes mësohet se kanë konstatuar gjurmë të freskëta makinë dhe zetori, çka kanë hedh dyshime se avioni mund të jetë ulur për tu ngarkuar me lëndë narkotike.

Kjo për faktin se zona ku është ulur avioni, rezulton një zonë e dyshimtë për ulje avionesh, informacion ky i dhënë edhe nga agjentët e Shërbimit Informativ  Shtetëror. Sipas këtyre burimeve, dyshohet se piloti i avionit është kontraktuar nga rrjeti i fuqishëm i trafikut të drogës në zonën e Malësisë së Krujës. Për këto dyshime, dosja i ka kaluar për hetim Prokurorisë për Krime të Rënda.

Burimet thonë se piloti Italian ka dorëzuar vetëm një aparat celular, por që po kërkohet në vendin e uljes për ndonjë aparat tjetër telefonik, pasi dyshohet se ai mund ta ketë hedhur. Nga ana tjetër, zyrtarisht nga drejtoria e Aviacionit Civil, mësohet se piloti italian gjatë fluturimit nuk është pikasur nga radarët sekondarë të aeroportit të Rinasit.

Kjo pasi dyshohet se ai mund të ketë fikur transponderin, pajisjen që diktohet nga radatrët në fluturim. Gjithashtu, këto burime thonë se nuk ka asnjë leje për fluturim brenda territorit shqiptar, çka shton dyshimet se avioni ka ardhur për t’u ngarkuar me lëndë narkotike.

Dyshohet se edhe komunikim në momentin e rrëzimit piloti i avionit nuk ka pasur me kullën e vrojtimit në aeroportin e Rinasit. I pyetur për këtë fakt, piloti Italian është justifikuar me faktin se nuk ka pas mundësi komunikimi pasi problemet e motorrit i kanë shkaktuar edhe ndërprerje të elektronikës së avionit./Abc News

“La Repubblica”: Guidi dyshime për lidhje të klaneve të drogës dhe armëve

guido-guidi-655x356

Sipas së përditshmes italaine “La Repubblica” piloti italian Guido Andrea Guidi dyshohet se ka lidhje me klanet kriminale të trafikut të drogës dhe armëve, me trafikimin e tyre me avionë përmes pistave sekrete në provincat e Barit e Brindizit.

“La Repubblica” shkruan se një avion i vogël me një pilot në bord u rrëzua në Shqipëri, pas uljes së detyruar një fushë shumë larg zonave të banuara, në një vendpushim në Ishëm që ndodhet pak më shumë se 30 km nga Tirana. Gazeta përshkruan se avioni është dëmtuar në krah, ndërsa piloti Guidi ka deklaruar se ka qenë i detyruar të bëjë ulje emergjente për shkak të një defekte. Autoritetet shqiptare, shkruan gazeta dyshonin se avioni ishte i përfshirë në trafikun e drogës edhe pse policia tha se nuk ka gjurmë të ngarkesave me drogë.Gazeta vijon më tej duke shkruar se për pilotin nuk ka asnjë masë mbrojtëse, por i është nënshtruar marrjes në pyetje nga hetuesit.Piloti italian shkuran “La Repubblica” është arrestuar në Itali në vitin 2006 për një aksident të ndodhur në 2003.Autoritetet shqiptare të aviacionit thanë se avioni nuk kishte leje për të fluturuar në hapësirën ajrore të Shqipërisë.

Filed Under: Featured, Kronike Tagged With: Avian italian, italian, let en Ishem, narkotrafik

Zonë e tregtisë së lirë në Ballkan?

September 15, 2016 by dgreca

Të paktën këtë aspiron kryeministri serb, Aleksander Vuçiç për rajonin ballkanik. Për AFP-në Vuçiç thotë se, ëndrra e tij do të ishte një “union doganor i të gjithë vendeve ballkanike.

Serbien Premierminister Aleksandar Vucic

Megjithë rritjen e tensioneve mes fqinjëve ballkanikë, kryeministri serb, Aleksander Vuçiç është shprehur për krijimin e një zone të përbashkët të tregtisë së lirë për rajonin e Ballkanit. “Nuk kam frikë nga e ardhmja nga pikëpamja ekonomike, ajo që kemi nevojë është stabiliteti politik në rajon”, është shprehur kryeministri serb, të mërkurën(15.09) në bisedë me agjencinë e lajmeve, AFP. Për këtë arsye ai thotë se angazhohet për stabilitetin në rajon, por thekson se bashkëpunimi me fqinjët është i vështirë, pas “jo vetëm dekadash, por shekujve të urrejtjeve dhe luftës”. Megjithatë ai ka shpresën për krijimin e zonës së tregtisë së lirë. “Ëndrra ime është është që të kemi një union doganor me të gjitha shtetet e Ballkanit, të gjitha zonat, me të gjithë. Po ashtu ëndrra ime është një tregti e përbashkët.” Sipas tij kjo nuk të ishte një ringjallje e Jugosllavisë, por një treg që do të favorizonte zhvillimin dhe mirëqenien në rajon.

Tension mes myslimanëve dhe të ortodoskëve në Bosnje

Po ashtu kryeministri serb ka pranuar se shumica e serbëve është e mendimit se “BE dëmton interesat kombëtare serbe”. Sipas një sondazhi, vetëm 48% e serbëve do të ishin për anëtarësimin në BE, përkundër aspiëratës së Vuçiçit. Megjithatë kryeministri serb ka siguruar se Serbia do të qëndrojë në rrugën e BE-së. Serbia nuk synon të ketë një pozicion të ndërmjetëm në Europë, megjithatë dëshiron të ruajë “marrëdhëniet e mira me rusët”.

Po ashtu kryeministri serb ka theksuar se përbën ende problem marrëdhënia mes myslimanëve dhe serbëve të krishterë ortodoksë në rajon. Marrëdhënia mes dy komuniteteve fetare brenda Bosnje-Hercegovinës, si edhe marrëdhëniet mes Sarajavës dhe Beogradit janë që nga koha e luftës së përgjakshme ende të tensionuara, ndërkohë që Beogradi vazhdon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës.

Filed Under: Ekonomi, Featured Tagged With: Ballkan, Rama, Vucic, Zone e Lire Tregetie

KOSOVA KUJTON NDRE MJEDEN NE 150 VJETORIN E LINDJES

September 15, 2016 by dgreca

– “Ndre Mjedja -150 vjetori i lindjes”-Konferencë shkencore  në Prishtinë, organizuar nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë/

-Ndre Mjedja (klerik, poet, gjuhëtar, studiues, legjislator), liriku klasik i shqipes, është personalitet i njohur i botës shqiptare, tashmë i vendosur në historinë kulturore kombëtare/

1-mjeda

PRISHTINË, 15 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, kanë organizuar Konferencën shkencore “Ndre Mjedja -150 vjetori i lindjes”. Konferenca po mbahet sot në Prishtinë, në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Dy akademitë me këtë rast kanë theksuar: Ndre Mjedja (klerik, poet, gjuhëtar, studiues, legjislator), liriku klasik i shqipes, është personalitet i njohur i botës shqiptare, tashmë i vendosur në historinë kulturore kombëtare. Protagonist i jetës kulturore shqiptare: në vendimin për alfabetin e shqipes, në kodifikimin letrar të shqipes e në hartimin e teskteve shkollore. Ligjërues i filozofisë e i metafizikës, shqyrtues teorik i fenomeneve letrare dhe i çështjeve gjuhësore.

Shqyrtimi e vlerësimi i veprës së Ndre Mjedjes në nivel akademik shtrohet sot si domosdo kulturore e komunikimit të brezave të krijuesve e të studiuesve. Në Konferencën shkencore, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë krijimtaria dhe veprimtaria e Ndre Mjedjes do të vështrohet në disa fusha themelore: Personaliteti i Mjedjes; Krijimtaria poetike; Studimet letrare; Kërkimet gjuhësore; Shkrimtaria fetare; Studimet për Mjedjen.

PROGRAMI:

Seanca e parë – e drejtojnë Sabri Hamiti, Floresha Dado.

Sabri Hamiti: Liriku klasik. Kolec Topalli: Ndre Mjeda si gjuhëtar. Floresha Dado: Mjedja – tri poetika në një!. Rexhep Ismajli: Mjedja për alfabetin e drejtshkrimin në raport me jezuitët. Dhurata Shehri: Stinët e Mjedjes. Bardhyl Demiraj: “Bassania” (një toponim në derdhje të lumit Mat, me të cilin është marrë dikur edhe Ndre Mjeda).

Seanca e dytë – e drejtojnë Rexhep Ismajli, Dhurata Shehri.

Ali Aliu: Leximi i poezisë. Shaban Sinani: Ikja prej rimës gramatikore si ikje prej rapsodisë. Nysret Krasniqi: Ndre Mjedja, vetëdija për figurën si shenjë e ideve. Gjovalin Shkurtaj: Përbashkësia e gjuhës si dëshmi e njësisë së kombit shqiptar në veprat e Ndre Mjedës. Hysen Matoshi: Veçanti stilistike te veprës letrare të Ndre Mjedes. Dom Nikë Ukgjini: Qendra Muzeore Ndre Mjeda, vend takimi gjithëkombetar.

 

Seanca e tretë – e drejtojnë Ali Aliu, Shaban Sinani.

 

Persida Asllani: Shkrimi filobiblik i Mjedjes. Kujtim Shala: Mjedja, norma e forma. Mark Marku: Përfaqësimi i botës shqiptare në poezinë e Mjedjes. Vjollca Osja: Poetika e Mjedjes mes poetikave të kodifikuara dhe idiopoetikës. Femi Cakolli: Psalmimi në veprën e Mjedës. Edlira Macaj: Shkolla Jezuite dhe vendi i Mjedjes në të (Në kërkim të një poetike jezuite?). Diskutim.

/Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës/

Filed Under: LETERSI Tagged With: -150 vjetori i lindjes, Ndre Mjedja

Kuvendi i Kosovës shënon Ditën e Demokracisë

September 15, 2016 by dgreca

-Veseli: Nuk ka forcë që na ndalë në rrugën tonë të forcimit të demokracisë e të shtetit ligjor/

1-veseli

2-veseliPRISHTINË, 15 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, si tradicionalisht, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka hapur dyert për të gjithë qytetarët, të cilët dëshirojnë të vizitojnë ndërtesën e legjislativit të vendit dhe të njihen me punën përfaqësuesve të tyre të zgjedhur, si dhe ka organizuar një varg aktivitetesh  që e afirmojnë  ndërtimin e demokracisë.Në ceremoninë qendrore të hapjes së kësaj dite, kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, theksoi se të gjithë qytetarët e Kosovës duhet të jenë krenarë që sot shënojnë Ditën e Demokracisë.

Veseli tha se Kosova ka arritur suksese të mëdha, falë angazhimit të gjeneratave të tëra dhe mbështetjes së partnerëve të qëndrueshëm të saj, SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian. Kryetari i Kuvendit shtoi se në këtë rrugë janë bërë edhe gabime, ndërsa shtroi nevojën e rritjes së përgjegjësisë kundruall qytetarëve.

“Nuk ka forcë që na ndalë në rrugën tonë të forcimit të demokracisë e të shtetit ligjor”, theksoi kryetari Veseli.

Ai falënderoi organizatat partnere të Kuvendit, me theks të veçantë USAID-in, NDI-në dhe KDI-në, të cilat, me mbështetjen e tyre po ndihmojnë në avancimin e demokracisë dhe rritjen e transparencës.

Drejtori i USAID-it në Kosovë, James Hope theksoi se hapja e dyerve të Kuvendit për qytetarët është pikërisht gjëja e duhur që duhet të bëhet në këtë ditë, duke mundësuar kështu forcimin e lidhjeve midis qytetarëve dhe përfaqësuesve të tyre të zgjedhur.

“Është ky vendi më i duhur ku duhet të shënohet kjo ditë, prandaj përgëzoj Kuvendin që ka ndërmarrë këtë iniciativë, për promovimin e pjesëmarrjes qytetare në zhvillime. Kemi një sallë bukur të madhe me shumë njerëz dhe zëra, dhe ky është një shembull tipik i asaj se si duhet të funksionojë demokracia”, theksoi Hope.

Edhe drejtori i Institutit Demokratik të Kosovës-KDI, Ismet Kryeziu, vlerësoi bashkëpunimin midis Kuvendit të Kosovës dhe organizatës që ai drejton, duke konfirmuar thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të tij.

Në kuadër të këtij aktiviteti, u ndanë edhe çmimet për nxënësit fitues në garën për pikturën më të mirë, të organizuar nga Kuvendi.

Në axhendë janë edhe: Hapja e Panairit të organizatave të shoqërisë civile; aktivitetet e Grave Deputete; promovimi i platformës “Vota ime”; Promovimi i punëtorive të demokracisë; kuizi i demokracisë “Demokracia 2030”; ekspozita e pikturës me temë “Demokracia 2030”  (u ndanë edhe çmimet për nxënësit fitues në garën për pikturën më të mirë, të organizuar nga Kuvendi); konferenca për lançimin dhe promovimin e Planit të veprimit për kuvend të hapur dhe transparent; shfaqja e filmit dokumentar “Çka do të thotë Demokraci për  ju”, të përgatitur nga OSBE; shfaqje teatrale me temë “Demokracia dhe pjesëmarrja qytetare”.

Filed Under: Politike Tagged With: diat e Demokracise, kosova, Veseli

LIQENET E LURËS – MADHËSHTIA, BUKURIA E SHËMTIMI I TYRE

September 15, 2016 by dgreca

Nga Ramiz LUSHAJ/
1-luraBukuria e Liqeneve te Lures
1-luar-sot Ne Foto:Pamja sot e liqeneve
1.Këto liqene akullnajore të Periudhës të Kuaternarit, përndryshe: “sytë e kaltër të Lurës”, mrekulli e bukuri gjeo-turistike e kësaj krahine etno-historike të veçantë, shtrihen në shpatin lindor të Kunorës së Lurës. Shpesh, në gjeo-fizikë, thirren dhe “Liqenet e Kunorës së Lurës”.
Shkrimtari i madh shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare, kandidat për Çmimin Nobel, në vitin 1967, qëndroi nji kohë të gjatë në Lurë, e cila e frymëzoi atë për të shkruar disa nga poezitë e vëllimit poetik “Motive me diell”. Se Lura merr shumë rrezatim nga qielli dhe bijat e bijtë e vet, se jep shumë rrezatim nga toka e kullat e saj. Asokohe, Kadare, tek reportazhi i tij “Një mbrëmje në Lurë” shkruante: “E vërtetë është që, zakonisht prapa fjalës tingëlluese “Lurë” shtrihen…liqenet e saj me tërë bukurinë dhe magjinë e tyre. Askush nuk mund ta ndajë Lurën nga liqenet e saj. Prandaj kush udhëton drejt Lurës, udhëton drejt liqeneve të saj”.
Kangtari kombëtar epik e lirik, Arif Vladi – nga nji derë e njohur në Krejë-Lurë, e ka nji kangë hit “Liqejt’ e Lurës” me përplot dashuri për vendlindjen e tij, me hymn për bukuritë e saj të rralla: “Je e bukur moj vendlindje/Sa të dua Lura ime./Si Liqejt e Lurës, pra /Oj, kërkund nuk ka !/”.
Kangtarja e shquar dibrane, nga Lashkiza e Dardhës, Lirie Rasha, Artiste e Merituar, me zërin e saj në rrjedhë të kohërave e çoi kangën “Shtatë liqejt’ e Lurës” në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, me refrenin: “Shtat’ liqejt’ e Lurës, o /Lart .o përmi pllaja /Prin si syt’ e shqipes, o /Hapin te kalaja/Ky Liqen i Luleve/Nën majën me borë / Dëshmorve të Lurës, o /U qëndron kunorë /.
2.
Krejt Shqipëria i ka 247 liqene të tipeve e madhësive të ndryshme, nga të cilët 12 prej tyre ndodhen në Lurë, po vetëm 7 apo 8 prej tyre kanë ujë në përhershmëri, ndërsa të tjerët periodikisht.
Shqipëria Natyrale i ka gjithsej 134 liqene akullnajore, ku ma të shumtit e tyre formojnë grupe të veçanta nga 10 deri 22 liqene si “Liqenet e Lurës”, Liqenet e Sylbicës e të Dobërdolit në Bjeshkët e Nemuna (Bekuara) në Tropojë; të malit të Balgjajt, të Malit të Lopës, të Valamarës, të Malit të Shebenikut, të Jezercës, të Runicës, etj.
Ky grup i liqeneve në Lurë janë të përhapura në një territor me sipërfaqe 20 km2 dhe shtrihen në lartësinë nga 1.500–1800 m. mbi nivelin e detit. Këto janë 12 liqene të vegjël me formë të rrumbullakosura me sipërfaqe 0.97 km2, afro 100 ha.
“Liqeni i Madh”, i cilësuem kështu nga vendasit lurjanë prej sipërfaqes së tij të madhe, kap 32 ha gjithsej, me përmasa e tij maksimale 300 m. gjerësi e 425 m. gjatësi.
Pas tij, në vargni hapësinore vijnë “Liqeni i Pishave” me sipërfaqe 13 ha; “Liqeni i Zi” me sipërfaqe 8 ha; “Liqeni i Luleve” me sipërfaqe 4 ha.
Në grupin e këtyre liqeneve hyjnë dhe të tjerë ma të vegjël, si “Liqeni i Bruçit” – që e ka marrë emrin prej vllaznisë lurase Bruçi; “Liqeni i Hotit”- prej fisit të Hotit në Borje-Lurë, “Liqeni i Rrasave”, “Liqeni i Shtatë Lopëve” (Liqeni i Lopëve), etj.
Këto liqene natyrore të Lurës ushqehen me ujë nga reshjet e borës dhe të shiut. Ato kanë një regjim tipik alpin, me lëkundje të vogla të nivelit gjatë vitit. Nivelet më të larta të tyre vrojtohen në pranverë, fill pas shkrirjes së borës, ndërsa ma të voglat në dimër, kur liqenet ngrijnë dhe mbulohen përsipri me borë. Në këto liqene ka amfibë, si tritoni, etj. tipik të trevave alpine. Ngjyra e blertë e mbyllur e ujërave të liqeneve dhe pyjet e pishës që i rrethojnë ato, krijojnë një mjedis piktoresk dhe i bëjnë “Liqenet e Lurës” një vend pushimi mjaft tërheqës. Diçka e mirë po lëviz sot. Shumçka e mirë do të gjallnojnë nesër. Në një ditë të afërt Lura do të jetë një nga destinacionet turistike botërore dhe kjo do të jetë meritë dhe e pranisë e bukurisë të “Liqeneve të Lurës”.
Në gushtin e vitit 2014 isha për herë të parë në Lurë e, sigurisht, dhe për një vizitë rasti ditore tek disa nga Liqenet e Lurës. Kena kalue një drekë të mirë në natyrë tek “Liqeni i Bruçit”. Isha i ftuar nga miku im i viteve të rinisë qyshse në Fierzë, nga biznesmeni bajemirë, Dod Doçi, në shoqërinë e tij mikpritëse. Aty kishin ardhë dhe zonja e tij e nderuar, Alda Laçi-Doçi, tre inxhinierë të talentuar të firmës “Lura”- projektues të Kishës Shën Maria në Lurë, e cila është vepër bamirëse e lurjanit të suksesshëm, Dod Doçi i Derës së Parë të Lurës.
3.
Pasaporta e Lurës i ka në identitetin e vet krahinor, natyror, turistik “Liqenet e Lurës”.
Ato liqene janë të shpallura zyrtarisht “Monumente Natyre”. Pra, të ligjëruara, të klasifikuara, të hipotekuara si pasuri elitare për kombin, të trashëgueshme për brezat shqiptar, të pacënueshme nga askush – as nga lurjanët, as nga shtetarët, as nga barbarët me keqpërdorim deri në shkatërrim të tyre.
E veçanta e “Liqeneve të Lurës” është se këto liqene përfshihen tërësisht në territorin e “Parkut Kombëtar të Lurës”.
Kjo jep ma shumë siguri për mbrojtjen e liqeneve dhe të pyjeve të Kunorës së Lurës e të krejt kësaj krahine të rrallë, nëse shteti ynë do të tregohet me të vërtetë kombëtar, nëse shteti ynë i sheh realisht këto si pasuri e madhe dhe e çmuar kombëtare.
Liqenet e Lurës kanë vlera shkencore, ekologjike dhe turistike, prandaj Tradita Shqiptare në shekuj ka pasë rregullat e veta njerëzore, kanunore e hjnore për ruajtjen e mirëmbajtjen e tyre.
Shteti ynë duhet të kujdeset çdo ditë dhe të investojnë çdo vit kalendarik, pasi liqenet po e humbin origjinalitetin e vet natyror të ujit e mjedisit, po iu damtohet barbarisht bukuria, po iu dhunohet hajnisht e harbutnisht krenaria e tyre lurjane, kombëtare e planetare. Kjo prej nga pakujdesia e banorëve e turistëve të saj dhe deri tek babëzia kriminale e keqtrajtimit e shfrytëzimit nga individë, firma e vet shteti ynë i dy shekujve të fundit. Një turist i huaj që kërkon bukurinë e rrallë në Liqenet natyrore të Lurës ka rrezik të pësojë tronditje psikologjike nga gjendja e tyre e deritanishme. Kjo për faktet se ka pasë ndërhyrje pa kriter për ndërtime të çmendura argjinaturash, për ndërtime aventureske kanalesh ujitëse, prerja pa kriter, pabesisht e poshtërisht të pyjeve, ndotjet e shumta të ujërave nga mbeturinat e vizitorëve, mospastrimi i liqeneve, moskujdesi shkencor për pyjet, etj. Të gjitha këto kanë krijue problematika ekologjike alarmante, degradim natyror kriminal të territorit të Kunorës së Lurës, etj.
At Lovro Mihaçeviq, magjistër i rishtarëve françeskanë në kolegjin françeskan të Zadrimës (1883-1892), misionari boshnjak nga Kresheva e Bosnjës, që (sëbashku me misionarin tjetër françeskan poetin Leonardo de Martino) pati ndikim të madh në jetën e udhët e të madhit Gjergj Fishta, ishte dhe në Lurë në vitin 1907. Ai u ngjit dhe në Kunorën e Lurës, tek liqenet e saj, si tek Liqeni i Madh, etj. Ky prift katolik, mik i përjetshëm i Shqipërisë, në njërin nga librat e tij për Shqipërinë e Shqiptarët, tek libri “Nëpër Shqipëri” – përshtypje udhëtimi, botue në Zagreb më 1911, shkruan tekstualisht: “Pak më lart, mbi këtë Liqen të Madh, është një tjetër më i vogël, i cili i jep ujë atij më të madhit më poshtë. Mua më interesonte gjithçka që shihja këtu në këtë lartësi prej 2.000 metrash dhe u kënaqa brenda dy orëve të plota në një qetësi idilike natyrore, por për Liqenin mund të them vetëm këtë, madhështor dhe i mrekullueshëm, por i lënë pas dore të Zotit dhe njeriut, kështuqë bukuria natyrore dhe me bukurinë e vet, e fsheh vendin e shkretë”.
Thonë e shkruajnë se nji gjerman, trajner futbolli, kur e vizitoi Lurën më 1989, kumtoi se “isha për dy ditë në Zvicrën Shqiptare, aty ku Zoti ka falur shumë, por dora e njeriut ka punuar pak”.
Unë e ndjej vetëveten si mik i Lurës e i Lurjanëve, si njohës i visareve historike, kulturore e natyrore të saj, që kam shkrue sadopak për rrugëtimet, kontribute e problematika të saj, më duket se gjendja e Lurës time/tonë ka mbetur pothuaj njëlloj, si në fillim (1907) dhe në fund (1989) të shek. XX si dhe në këtë shekullin e ri, XXI, në këtë ditë të sodit: shtator 2016.
Jo vetëm Toka e Qielli duhet t’ua ruajnë madhështinë e bukurinë “Liqeneve të Lurës” dhe vet krahinës etno-historike të Lurës, por dhe Shteti ynë duhet të jetë dalëzotës i tyre.

Filed Under: Reportazh Tagged With: Liqenet e Lures, Madhështia, Ramiz Lushaj

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2493
  • 2494
  • 2495
  • 2496
  • 2497
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT