– “Ndre Mjedja -150 vjetori i lindjes”-Konferencë shkencore në Prishtinë, organizuar nga Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë/
-Ndre Mjedja (klerik, poet, gjuhëtar, studiues, legjislator), liriku klasik i shqipes, është personalitet i njohur i botës shqiptare, tashmë i vendosur në historinë kulturore kombëtare/
PRISHTINË, 15 Shtator 2016-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Seksioni i Gjuhësisë dhe i Letërsisë i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë, kanë organizuar Konferencën shkencore “Ndre Mjedja -150 vjetori i lindjes”. Konferenca po mbahet sot në Prishtinë, në ambientet e Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Dy akademitë me këtë rast kanë theksuar: Ndre Mjedja (klerik, poet, gjuhëtar, studiues, legjislator), liriku klasik i shqipes, është personalitet i njohur i botës shqiptare, tashmë i vendosur në historinë kulturore kombëtare. Protagonist i jetës kulturore shqiptare: në vendimin për alfabetin e shqipes, në kodifikimin letrar të shqipes e në hartimin e teskteve shkollore. Ligjërues i filozofisë e i metafizikës, shqyrtues teorik i fenomeneve letrare dhe i çështjeve gjuhësore.
Shqyrtimi e vlerësimi i veprës së Ndre Mjedjes në nivel akademik shtrohet sot si domosdo kulturore e komunikimit të brezave të krijuesve e të studiuesve. Në Konferencën shkencore, organizuar nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës dhe Akademia e Shkencave e Shqipërisë krijimtaria dhe veprimtaria e Ndre Mjedjes do të vështrohet në disa fusha themelore: Personaliteti i Mjedjes; Krijimtaria poetike; Studimet letrare; Kërkimet gjuhësore; Shkrimtaria fetare; Studimet për Mjedjen.
PROGRAMI:
Seanca e parë – e drejtojnë Sabri Hamiti, Floresha Dado.
Sabri Hamiti: Liriku klasik. Kolec Topalli: Ndre Mjeda si gjuhëtar. Floresha Dado: Mjedja – tri poetika në një!. Rexhep Ismajli: Mjedja për alfabetin e drejtshkrimin në raport me jezuitët. Dhurata Shehri: Stinët e Mjedjes. Bardhyl Demiraj: “Bassania” (një toponim në derdhje të lumit Mat, me të cilin është marrë dikur edhe Ndre Mjeda).
Seanca e dytë – e drejtojnë Rexhep Ismajli, Dhurata Shehri.
Ali Aliu: Leximi i poezisë. Shaban Sinani: Ikja prej rimës gramatikore si ikje prej rapsodisë. Nysret Krasniqi: Ndre Mjedja, vetëdija për figurën si shenjë e ideve. Gjovalin Shkurtaj: Përbashkësia e gjuhës si dëshmi e njësisë së kombit shqiptar në veprat e Ndre Mjedës. Hysen Matoshi: Veçanti stilistike te veprës letrare të Ndre Mjedes. Dom Nikë Ukgjini: Qendra Muzeore Ndre Mjeda, vend takimi gjithëkombetar.
Seanca e tretë – e drejtojnë Ali Aliu, Shaban Sinani.
Persida Asllani: Shkrimi filobiblik i Mjedjes. Kujtim Shala: Mjedja, norma e forma. Mark Marku: Përfaqësimi i botës shqiptare në poezinë e Mjedjes. Vjollca Osja: Poetika e Mjedjes mes poetikave të kodifikuara dhe idiopoetikës. Femi Cakolli: Psalmimi në veprën e Mjedës. Edlira Macaj: Shkolla Jezuite dhe vendi i Mjedjes në të (Në kërkim të një poetike jezuite?). Diskutim.
/Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës/