• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

KUJTOJMË VIZITËN E NËNËS TEREZË NË ARIZONË

August 29, 2016 by dgreca

 

Mother Teresa-2

Mother Teresa-4

Mother Teresa-3 (1)

Nga Hajro Hajra/Arizonë/

Në prag të shenjtërimit të Nënës Terezë, një prej personaliteteve më të mëdha shqiptare, le të jetë ky shkrim një ndihmesë e vockël për ta ndriçuar jetën e veprën e Nënës sonë të Madhe, të krenarisë së kombit tonë, figura e së cilës, me kalimin e kohës vjen e bëhet edhe më madhështore. Jemi komb me fat që kemi një ikonë si Nëna Terezë dhe është turp, është pafytyrësi të hidhet baltë mbi figurën e saj, siç po bëjnë disa trutharë shqiptarë, paçka se balta me të cilën këto pjella djalli po përpiqen të njollosin atë, por edhe figura të tjera të kombit, po bie e do të bjerë në surratet e tyre…

Pa u mbushur dy vjet nga dita kur Gonxhe Bojaxhiu kishte kaluar në amshim, fati na kishte degdisur këtu, në Amerikë, në vendin më të fuqishëm të botës, në shtetin që bashkë me aleatët e kishte shpëtuar Kosovën nga kthetrat e kuçedrës Serbi.
Që në takimet e para me mikpritësit amerikanë, të cilët bënin çmos që ta ndienim veten sa më mirë, ne bënim përpjekje që t’u tregonim atyre se kush ishim dhe, në raste të tilla, pashmangshëm ua zinim ngoje me krenari kryeheroin e shqiptarëve e të Europës, Gjergj Kastriotin, Nënën Terezë, Kadarenë e Madh dhe figura të tjera të shquara shqiptare.
Falë këtyre bisedave, falë faktit se shumë herë e kishim zënë ngoje emrin e Nënës Terezë, në maj të vitit 2000 zonja Bonnie Cottrell, mësuesja jonë e anglishtes që nga ditët e para pas mbërritjes sonë në Amerikë, na solli një dhuratë shumë të çmueshme, një videoxhirim të vizitës së Nënës Terezë në Feniks (Phoenix) të Arizonës, që miqtë e saj e kishin siguruar për ne nga arkivi i Televizionit të Pavarur të Feniksit Channel 3, i njohur si KTVK.
Në bazë të këtij dokumentari, ne arritëm ta “rikonstruktonim” këtë vizitë të Nënës Terezë, një nga vizitat e shumta që nobelistja shqiptare bënte nëpër botë në kuadër të misionit të saj të bamirësisë, të dashurisë ndërmjet njerëzve e të paqes.
Njëzet e shtatë vjet më parë, më 2 shkurt 1989, e ftuar nga ish-guvernatorja e Arizonës, zonja Rose Mofford dhe nga Dioqeza Katolike e kryeqytetit të Arizonës, Nëna Terezë kishte vizituar kryeqytetin e Arizonës, Feniksin.
Arizona Veterans Memorial Coliseum që nxë afro 20 mijë vizitorë atë ditë kishte qenë mbushur përplot njerëz, të cilët kishin shkuar për ta parë atë grua trupvogël e zemërvigane. Hyrja e saj në koloseum kishte ngritur më këmbë atë masë të madhe njerëzish, të cilët me duartrokitje të zjarrta po i uronin mirëseardhje dhe po i shprehnin dashurinë simbolit të paqes e të dashurisë. Ajo ditë shkurti e vitit 1989 kishte qenë më shumë se një festë për adhuruesit e gruas më të njohur e më të dashur të botës. Ishte si një ditë e shenjtë ajo ditë kur në mesin e atyre njerëzve kishte ardhur gruaja që, siç thotë poeti Visar Zhiti, profesion kishte dashurinë, industrialistja e mirësisë, që të vetmen pasuri kishte plagët e botës.
Përfaqësues të Dioqezës Katolike të Feniksit, duke falënderuar Nënën Terezë që kishte gjetur kohë dhe gjendej në mesin e tyre, në qytetin e tyre, e duke e cilësuar praninë e saj aty si një dhuratë Perëndie, kishin falënderuar ata mijëra njerëz, të cilët kishin ardhur për ta nderuar mysafiren e rrallë, duke shprehur në këtë mënyrë dashurinë për të dhe duke respektuar sakrificën e saj për të varfrit. Një falënderim i veçantë ishte për Guvernatoren e Arizonës, zonjën Rose Mofford, e cila kishte bërë shumë që të realizohej ajo vizitë.
– “Falënderoj Zotin për këtë dashuri madhështore që na ka bashkuar!” – ishin fjalët me të cilat i ishte drejtuar masës së popullit Nëna e Sakrificës.
Me një anglishte të rrjedhshme e të këndshme, karakteristike për të folmen e Nënës Terezë, ajo kishte vazhduar:
– “Është shumë me rëndësi që njerëzit të kenë dashuri, të kenë paqe. Dashuria fillon në shtëpi. Fëmijët janë të lindur të bëjnë gjëra madhështore, të lindin në dashuri dhe të rriten në dashuri. Dashuria është faktori kryesor që e mban familjen të bashkuar… Një gotë ujë po t’ia jepni dikujt me dashuri, do t’ia bëni jetën më të lehtë… S’është e thënë të bëni gjëra të mëdha. Secili le të bëjë të mira të vogla, por me dashuri. Njerëzit nuk vdesin vetëm për shkak se u mungon buka (pikërisht se u mungon buka, “bread”, kishte thënë Nëna Terezë, siç themi ne shqiptarët dhe jo u mungon ushqimi, siç thonë amerikanët), ata vdesin më shumë nga mungesa e dashurisë… Kur ndryhet dashuria, ndryhet paqja…”, janë vetëm disa nga thëniet margaritarë shkëputur nga fjalimi gjysmorësh i Nënës Terezë, kohë gjatë së cilës ajo kishte rrëfyer mjaft episode e përjetime të jetës së saj në shërbim të të varfërve, të të uriturve, të të sëmurëve, kur një fjalë e saj e vetme kishte ringjallur shumë njerëz me shpresa të thyera, shumë njerëz që ishin gjendur në cepin e vdekjes.
Duke folur për abortin, ndërkaq, ajo u ishte drejtuar nënave me fjalët: – “Jo abort! Lindni fëmijë e m’i jepni mua!…”
Fjalët e saj, të përshkuara herë pas here me një dozë të lehtë humori, e kishin bërë masën të shpërthente në gaz e të duartrokiste, si në rastin kur Nëna Terezë, teksa kishte folur për të varfrit (edhe për të varfrit e Feniksit), të cilët përpos që kishin nevojë për bukë, kishin nevojë edhe për strehë, i ishte drejtuar guvernatores Mofford, së cilës i kishte kërkuar shtëpi për të varfrit (shtëpi të cilën guvernatorja ia kishte premtuar Nënës Terezë gjatë takimit në mjediset e dioqezës) dhe këtë e kishte ndërlidhur me kërkesën që i kishte bërë shumë vjet më përpara Guvernatorit të Kalkutës, të cilit po ashtu i kishte kërkuar një shtëpi për të varfrit dhe me atë rast i kishte thënë: “Nëse nuk ma jep një shtëpi, do t’i sjell të gjithë të varfrit e mi në shtëpinë tënde…”
Pasi Nëna Terezë kishte përfunduar fjalën e saj me urimin: “Zoti ju bekoftë!” – të gjithë të pranishmit ishin ngritur më këmbë dhe me duartrokitje të gjata e me ovacione kishin shprehur dashurinë për gjiganden e kohës sonë, siç e ka cilësuar Nënën Terezë ish-kryetari Bill Klinton.
Teksa po e linte koloseumin përplot njerëz, Nëna Terezë po merrte me vete dashurinë dhe premtimin e heshtur të asaj mase njerëzish, se secili do të hidhte së paku një gur në kështjellën e dashurisë e të paqes njerëzore.

* * *

Premtimin që ia kishte dhënë Nënës Terezë Guvernatorja Mofford, e kishte mbajtur. Pak kohë pas vizitës së Nënës Terezë, në Feniks është ngritur Shtëpia e Bamirësisë dhe ajo edhe sot u ofron strehë e bukë të varfërve.
Vizita e Nënës Terezë është përjetësuar disa vjet më vonë me ngritjen e një shtatoreje në hapësirën e gjelbëruar ndërmjet Bazilikës së Shën Mërisë dhe ndërtesës së Dioqezës Katolike të Feniksit, fare pranë shtatores së Papa Gjon Palit II. Bazilika dhe ndërtesa e Dioqezës gjenden mu në zemër të kryeqytetit të Arizonës. Shtatorja e Nënës Terezë, me përmasa natyrore, është vepër e skulptorit amerikan Michael Myers nga qyteti Prescott i Arizonës. Është ngritur në vitin 2003 dhe, për habinë tonë, ndonëse ka 13 vjet që qëndron plot madhështi në qendër të Feniksit, nuk zihet ngoje kur flitet e shkruhet për shtatoret a bustet e Nënës Terezë ngritur në shumë shtete të botës.
Që nga viti 2004, në çdo 19 tetor, në përvjetorin e lumturimit të Nënës Tereze, shqiptarë të Feniksit takohen te shtatorja e saj, vendosin aty lule të freskëta e flamuj të vegjël shqiptarë e amerikanë dhe, me fjalë rasti, kujtojnë jetën e veprën e saj të madhe në shërbim të njeriut.

Filed Under: ESSE, Featured Tagged With: Hajro Hajra, NË ARIZONË, Nene Tereza

Kosova 1.666 të zhdukur

August 29, 2016 by dgreca

-U mbajt tryeza “Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur – rasti i Kosovës”/

-Tryeza u organizua me qëllim të sensibilizimit, ndërgjegjësimit dhe informimit të drejtë të opinionit vendor dhe ndërkombëtar, për procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë/

 PRISHTINË, 29 Gusht 2016-Gazeta DIELLI/Në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është mbajtur sot tryeza me temën: Dita Ndërkombëtare e Personave të Zhdukur – rasti i Kosovës”, për shënimin e 30- gushtit, Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur.

Tryeza u organizua nga Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione i Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshilli Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, me qëllim të sensibilizimit, ndërgjegjësimit dhe informimit të drejtë të opinionit vendor dhe ndërkombëtar, për procesin e ndriçimit të fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

Gjatë kësaj tryeze u tha se Kosova akoma pret zbardhjen e 1.666 personave të zhdukur, si pasojë e luftës së vitit 1998-1999.

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, persona të pagjetur dhe Peticione, Lirije Kajtazi, në fjalën e saj, tha se Kuvendi i Kosovës, në vitin 2011 ka miratuar Ligjin për persona të zhdukur, si dhe ligje tjera që kanë të bëjnë me kujdesin për kategoritë e prekura nga zhdukja e familjarëve, duke sqaruar se për këtë çështje Kuvendi pati nxjerrë rekomandime. Ajo tha se kryesit e këtyre krimeve duhet të nxirren para drejtësisë. Sa i përket procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, ajo tha se duhet të insistohet më tutje dhe të ushtrohet trysni më e madhe në këtë drejtim.

Kryetari i delegacionit të Kosovës, grupi i punës për persona të zhdukur, Ibrahim Makolli, ndërkaq, tha se çështja e fatit të të zhdukurve nuk ka zënë vend meritor në agjendat e institucioneve vendore dhe as atyre ndërkombëtare.

“Apelojmë te bashkësia ndërkombëtare që ta shtojë trysninë mbi Beogradin, për të hapur arkivat e ushtrisë, të policisë dhe të administratës shtetërore, sepse besojmë se aty fshihen të dhënat e plota për fatin e të zhdukurve”, tha Makolli, duke shtuar se po të kishte vullnet më të madh të faktorit ndërkombëtar, kjo çështje do të merrte një kah pozitiv.

Ndërsa, Thomas Gnocchi, përfaqësues i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, mes tjerash tha se duhet të punohet më shumë në drejtim të informatave për të zbuluar fatin e personave të zhdukur. Ai shtoi se BE-ja përpiqet të ofrojë fonde dhe mbështetje për zbardhjen e fatit të pagjeturve.

Ndërkaq, Bajram Qerkini, përfaqësues i familjeve të të zhdukurve, tha se edhe pas 17 vjetësh, ata kanë të njëjtat shqetësime, dhimbje e pritje, dhe se edhe ky gusht po i gjen në të njëjtën gjendje.

“Të sillen para drejtësisë të gjithë ata që kanë marrë pjesë në zhdukjen e  familjarëve tanë. Adresa për zbardhjen e fatit të tyre është Beogradi. Përfaqësuesit ndërkombëtarë duhet t’i bëjnë presion Serbisë dhe ta detyrojnë atë t’i hapë arkivat”, tha ai.Më pas, fjalën e morën edhe përfaqësues të tjerë të shoqatave dhe familjeve të të pagjeturve, të cilët shprehën shqetësimet e tyre që edhe 17 vjet pas luftës, fati i personave të zhdukur vazhdon të jetë i pazgjidhur, ndërsa kërkuan angazhim më të madh institucional, vendor e ndërkombëtar, që kjo çështje të zgjidhet sa më parë.

Pas diskutimeve, u lexuan konkluzionet, të hartuara nga grupi i caktuar për këtë çështje, me mundësinë që ato të plotësohen.Në konkluzionet e lexuara, kërkohej adresimi i një shkrese Komisionit për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara, me seli në Gjenevë, nga ana e Komisionit përkatës parlamentar të Kosovës, nëpërmjet të cilës të pasqyrohet çështja e fatit të të pagjeturve. U kërkua gjithashtu, që shënimi i 30-gushtit, në të ardhmen, të bëhet në formate të tjera,si dhe zbatimi i rezolutave të miratuara nga Kuvendi. Në konkluzionet e lexuara, u kërkua, po ashtu, inicimi i plotësim-ndryshimi i Ligjit për persona të zhdukur dhe bartja e përgjegjësive nga ndërkombëtarët te vendorët, lidhur me çështjen e të pagjeturve.

KOSOVË-THAÇI: TË PAGJETURIT JANË PLAGË QË DUHET TË MBYLLET SA MË PARË

-Axhenda e aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur-

Të pagjeturit mbesin një nga plagët më të rënda që ka lënë lufta në Kosovë, ndërsa zgjidhja e fatit të të pagjeturve një nga detyrat më urgjente dhe më të rëndësishme për të gjithë, është shprehur sot Presidenti i Republikës, Hashim Thaçi, në vigjilje të Ditës Ndërkombëtare të të Personave të Zhdukur, 30 gushtit.

“Lufta ka lënë shumë plagë, por ajo e të pagjeturve është ndër më të rëndat”, ka thënë presidenti Thaçi, i cili shtoi se kjo çështje “rëndon familjet e të të pagjeturve por edhe tërë shoqërinë, marrëdhëniet mes komuniteteve por edhe gjasat për një të ardhme më të mirë”.

“Është nevojë urgjente, detyrë humanitare, obligim i të gjithëve që sa më parë të zbardhet fati i të gjithë të pagjeturve, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”, tha presidenti Thaçi.

Presidenti i Kosovës theksoi se nuk kalon ditë që nuk i kujtojmë të pagjeturit. “Na shikojnë nga fotot e varura në rrethojën e Kuvendit të Kosovës. Na thërrasin familjet. Na i kujtojnë memorialët që i shohim rrugëve të Kosovës. Ndërsa, në ditët si 30 gushti, zotohemi që gjithmonë, pandërprerë, do të kërkojmë dhe do të këmbëngulim që sa më parë të zbardhet fati i secilit qytetar të Kosovës, në mënyrë që familjet e të pagjeturve të gjejnë paqen e tyre”, tha ai.

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, përfundoi se, “janë mu këto dhimbje që i ka shkaktuar lufta motivi ynë që të punojmë që të mos lejojmë që të përsëritet lufta por gjithmonë të ketë paqe, pajtim dhe bashkëpunim mes të gjitha komuniteteve”.

Në Kosovë, 17 vjet pas luftës, janë ende mbi 1660 të zhdukur të pagjetur.

Ndërkohë, Këshilli Organizativ për shënimin e 30 Gushtit – Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur, i përbërë nga përfaqësues të Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur dhe Peticione, Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur dhe Këshillit Koordinues të Asociacioneve Familjare të të Zhdukurve të Kosovës, njoftuan sot axhendën e aktiviteteve për shënimin e Ditës Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur.Aktivitetet e planifikuara për shënimin e 30 Gushtit–Ditës Ndërkombëtare të Personave të Zhdukur, janë të përshkruara në vijim:

–  29.08.2016, ora 11:55, organizimi i Tryezës me temën: ‘Dita Ndërkombëtare për Persona të Zhdukur – rasti i Kosovës’ (Tryeza do të mbahet në Kuvendin e Republikës së Kosovës).

–  30.08.2016, ora 09:30,  vendosja e luleve te ‘Përmendorja dedikuar personave të zhdukur’ (përballë Kuvendit të Republikës së Kosovës).

–     30.08.2016, ora 11:00, Tubimi Qendror, në Merdar (lokalitet i vendkalimit kufitar të Kosovës me Serbinë), Komuna e Podujevës./b.j/

Filed Under: Histori Tagged With: 1.666 të zhdukur, Behlul Jashari, kosova

Stërmbesa e Skënderbeut: Shumë e lumtur në Kosovë

August 29, 2016 by dgreca

-Stërmbesën e Heroit kombëtar, Gjergj Kastriotit – Skënderbeu, Sofie Kastrioti: Jam e ngazëllyer dhe shumë e lumtur që jam në Kosovë dhe që do të jem pjesë e HardhFest/

2 Sofia Kastrioti

Pasardhësja e Skënderbeut është pritur nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Emanuel Demaj  dhe përfaqësues të festës së vjeljes së rrushit HardhFest dhe të bodrumit Stone Castle/

PRISHTINË, 29 Gusht 2016-Gazeta DIELLI-Behlul Jashari/ Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës, Emanuel Demaj, ka pritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinë “Adem Jashari”, Sofia Kastrioti, e cila është pasardhësja e brezit XIV të heroit kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.Zëvendësministri Demaj tha se është një kënaqësi dhe privilegj i veçantë që në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të pres stërmbesën e heroit tonë Skënderbeu.

Ai i dëshiroi mirëseardhje stërmbesës së heroit tonë kombëtar dhe e falënderoi për vizitën e saj në Kosovë.  “Është kënaqësi dhe privilegj i veçantë për mua, që në emër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të pres në Aeroportin Ndërkombëtar  stërmbesën e heroit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu”,  tha zëvendësministri Demaj. Ai shtoi se vizita e saj është nder për Kosovën pasi që kjo është hera e parë që Kastrioti viziton Republikën e Kosovës. Nga ana tjetër Sofia Kastrioti u shpreh tejet e lumtur për vizitën e saj në Kosovë, duke falënderuar zëvendësministrin për pritjen që iu bë në aeroportin e Prishtinës. “Jam e gëzuar, po ndihem mirë dhe e lumtur për pritjen dhe faleminderit shumë të gjithëve”, ishin fjalët e para të stërmbesës së Skënderbeut pas zbritjes nga aeroplani dhe takimit me zëvendësministrin Demaj. Më pas zëvendësministri Demaj organizoi për mysafiren edhe një pritje në zyrën e tij. Sofia Kastrioti do të jetë mysafire e festivalit tradicional HardhFest që organizohet në Rahovec për nder të ditës së rrushit.

Pasardhësja e Skënderbeut është pritur nga përfaqësues të festës së vjeljes së rrushit “HardhFest” dhe të bodrumit Stone Castle.Vet Sofia u shpreh  e ngazëllyer që po qëndron në atdhe dhe për faktin se do të jetë pjesë e HardhFest 2016.“Jam e ngazëllyer dhe shumë e lumtur që jam në Kosovë dhe që do të jem pjesë e HardhFest”, u shpreh Sofie Kastrioti me të arritur në Kosovë.

Ndërsa, për vet organizatorët e HardhFestit si dhe Komunën e Rahovecit, vizita e saj është nder pasi që kjo është hera e parë që Kastrioti viziton Republikën e Kosovës dhe e cila do të përformojë veprat e saja.Sofie Kastrioti, do të qëndrojë deri më datë 5 shtator në Rahovec.

Festa e Vjeljes së rrushit HardhFest do të mbahet me 2,3 dhe 4 shtator, ku gjithashtu edhe këtë vit festivali mbështetet nga Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural dhe Komuna e Rahovecit. Ndërsa Partner i festivalit këtë vit do të jetë  StoneCastle, të cilët festojnë 10 vjetorin.

3 Sofia e shoqeruar

Filed Under: Featured, Reportazh Tagged With: e lumtur, ne Kosove, Rrustem Gecaj, Sofia Kastrioti

VEZHGIM-Salla shkollore për lojë apo loja me salla shkollore?!

August 29, 2016 by dgreca

Çka është në dorën e punëtorëve dhe mësimdhënësve, gjithçka do të jetë gati për fillimin e vitit të ri shkollor. Por, brengosëse është qasja e organeve komunale dhe qendrore ndaj nevojave dhe kërkesave  të nxënësve, mësimdhënësve dhe të komunitetit në tërësi./

Nga Ismet Azizi/

Në fillim të  korrikut të viti të kaluar, në oborrin e shkollës “Abaz Ajeti” të qytetit të Gjilanit, të cilin rrallë ndonjë shkollë ta ketë, dhe në atë “Liria” të fshatit Pogragjë, u vu gur-themeli për ndërtimin e sallave të kulturës fizike për këto dy shkolla, me objektet përcjellëse dhe me aneksin e dhomave për parashkollorë, të cilat nuk janë gati edhe pse ka kaluar më tepër se një vit, që kur kishin filluar së ndërtuari.Që kur isha nxënës në shkollën fillore “Liria” në Pogragjë në vitet e 70-ta flitej me të madhe se ka me u ndërtua salla e kulturës fizike e që për ne nxënësit, asokohe, ishte një atraksion. Ne fëmijët e asaj treve as që kishim pa si duket një sallë, përveç që mund të shihnim në ndonjë emision në TV. Që nga atëherë thuhej se ishte nisur kjo punë, sepse shiheshin tullat e lëna në murin ku do të  ndërtohej muri i sallës të cilët e kishte filluar drejtori i atëhershëm në zë, Ibrahim Ahmetaj nga Vuthajt.

Edhe pse nuk ishte arrite të ndërtohej salla e kulturës fizike, shumë mjete gjimnastikore të markës së njohur sllovene Elan, shkolla i kishte pas në dispozicion. Pra, qysh atëherë shkolla kishte edhe dy kabinete, atë të Gjeografisë dhe Historisë të pajisura me grafoskop dhe grafopoprojektor, dhe për lëndët Kimi dhe Biologji, të pajisura me mjete konkretizues.

Është e pabesueshme për gjeneratat e sotme, se çfarë kushte të mira kishim në atë periudhë në atë shkollë. Ishte ndër shkollat më të mira të Kosovës. Pikërisht në atë kohë nxënësit e kësaj shkolle radhitnin sukseset më të mira në garat e atëhershme kosovare. Kanë kaluar më se 40 vite nga ajo kohë, dhe edhe pse janë ndarë mjetet, më tepër se para një viti, përfundimi i sallës  nuk duket kund. Ishte premtuar të kryheshin punët për 120 ditë, por tashmë kanë kaluat 420 ditë dhe as që është kryer gjysma e punëve e lere më të kryhet e gjitha, siç patën premtuar dy ministrat, ai i Arsimit dhe të Administratës Publike.

Premtimet ishin që  pas 120 ditësh pune, salla të ishte gati dhe të hapej për nderë të 28 nëntorit, të vitit të kaluar, por nëse vazhdojnë punët me këtë ritëm, për përfundimin e sallës në Pogragjë do të duhet të kalojnë 1200 ditë.

Pak ma mirë, edhe pse ka pasur pengesa ligjore, kanë shkuar punët në ndërtimin e sallës dhe aneksit të objektit për parashkollorë në shkollën Abaz Ajeti”, por megjithatë vështirë se do të hapet objekti i ri për parashkollorë,e sa i përket sallës së edukatës fizike, shpresohet se do të jetë gati për 28 nëntorin e këtij viti.

Po them pak më mirë, por megjithatë, jemi dy-tre ditë para një shtatori, dhe sipas asaj që shihet nuk ka gjasa që nxënësit ta kremtojnë fillimin e viti të ri shkollor me sallë dhe objekt të gadimorës.

Çka edhe nëse salla e kulturës fizike kryhet  dhe inaugurohet për 28 nëntor?!

Kur është përpiluar projekti ideor, flitej se më në fund shkollat e komunës do ta ketë një objekt të përkryer shkollor të shekullit 21, i cili objekt do të mundësojë organizimin e garave shkollore të komunës. Dhe jo vetëm kaq. Është folur me pompozitet se komuniteti, pra lagjet ku është objekti i shkollës, do të kenë mundësinë ta shfrytëzojnë sallën e cila do t’i lehtësonte nevojat e tyre. Me këtë komuniteti do të ishte më i lidhur për shkolle dhe në një mënyrë do të ishte pjesë e saj.

Por çka po ndodhë? A do të jetë ashtu në të ardhmen?  Ndodhi ajo që më së paku pritej. Ndryshoi  projekti, në të vërtetë as që pat projekt me rastin e fillimit të punëve, dhe përmasat e sallës u zvogëluan gati për gjysmë, nga 46 metra gjatësi sa parashihej, kur filloi ndërtimi ajo u “zvogëlua” në vetëm 24 metra gjatësi, pjesa tjetër u “tretë”. Me këto përmasa parashihej salla në njërën anë (në pjesën e aneksit të gadimorës) të ketë ulëse-tribuna. Edhe kjo tani është e pamundur.Me këtë madhësi në sallën në fjalë, mund të zhvillohet vetëm loja e volejbollit ndërsa për lojërat tjera me top nuk eksitojnë kushte. Bile, duke marrë parasysh se në sallë do të mbajnë mësim, nga dy paralele, atëherë mundë të thuhet se nuk i plotëson standardet, as për së afërmi.

Për tu zhvilluar një lojë e basketbollit për këdo qoftë ajo, dimensionet e fushës së basketbollit janë:

28 m (gjatësia) 15 m (gjerësia), fusha medoemos i shtruar në parket. Ndërsa sa i përket parketit nuk mendoj se do të jetë i shtruar.

Në përmasat sa do të jetë salla, pa probleme të theksuara mundë të zhvillohet një lojë volejboll, për dallim nga ajo fushë çfarë mendohej para se me fillua ndërtimi, ku mund të zhvilloheshin dy lojëra në të njëjtën kohë, ashtu siç parashihet të jetë një sallë standarde. Fusha e volejbollit duhet të jetë 18 metra gjatësi, 9 metra gjerësi, po ashtu, patjetër duhet të jetë e shtruar në parket.

Ndërsa për  zhvillimin e lojës së Hendbollit dhe futsallit, nuk ka kushte elementare. Për t’iu zhvilluar loja e hendbollit duhet fusha të jetë 40 m gjatësi dhe 20 m gjerësi, Ndërsa Futsalli, loja më e popullarizuar në kohët e fundit, për tu zhvilluar një ndeshje ndërkombëtare, gjatësia më e vogël e lejuar është 38 m ndërsa më e gjata 42 m dhe gjerësia më e vogël 18 m, me e madhe 25 m. Por, vlen të themi se, dimensionet e lojës së futsallit  lejohen edhe më të vogla.

Çka është shumë brengosëse dhe se që atëherë dyshohej se do të shkonte puna mbarë, u pa me rastin e vënies së gur-themelit. Për çudi, të ngazëllyer, përgjegjësit komunal për manifestime të tilla me rastin e fillimit të punëve, kishin marrë edhe gërshërët dhe shiritin me vete, me rastin e këtij akti të fillim të punimeve.  Mandej, gjatë fjalime të ministrave dhe të tjerëve, të cilët morën pjesë në këtë manifestim, të gjithë shpreheshin me fjalët, “shpresojmë se punëkryesi do t’i kryej punët me kohë”, e askush nga ta, nuk kishte guxim të kërkonin nga punëkryesi që punët vërtetë të kryhen me kohë, e lëre më t’u tërhiqet vëmendja në pasojat që mund t’i ketë nëse punët nuk kryhen sipas afatit të paraparë.

Jam i bindur se shumë kush, edhe nga kolegët e mi, por edhe nga qytetarët të “ngjyrosur” politikisht, kam me u keqkuptua.  Përgjigjja e tyre, apo kundërshtimi do të jetë,,“eiiii s’kemi pas fare, bile tash e kemi”. Një gjë duhet ta kemi parasysh. Sallat e kulturës fizike mund të rinovohen, të kompletohen me mjet përcjellëse, por në asnjë mënyrë nuk do të mund t’i ndërrohet struktura bazë, pra dimensionet.

Na mbetët të shpresojmë, që pas përfundimit të punimeve, sallat të kompletohen me mjete sportive,si koshat, rrjetën e volejbollit, dhe ato të gjimnastikës. Nxënësit, por edhe mësimdhënësit, me padurim presin t’i zhvillojnë orët e kulturës fizike, edhe në kushte çfarë ofrojnë këto salla, që fatkeqësisht nuk po bëhen me standarde, përkundër premtimeve.

Filed Under: Komente Tagged With: Ismet Azizi, loje me salla, salla shkollore

Ndahet nga jeta bilbili i muzikës popullore Naile Hoxha

August 29, 2016 by dgreca

Nga Bepin Kolvataj/

Shkodra humb një tjetër zë të magjishëm të kënges popullore qytetare. Këngëtarja Naile Hoxha mbylli sytë në moshën 82 vjeçare në azilin e qytetit të Shkodres, ku kaloi edhe ditët e fundit të jetës, duke lënë pas një karrierë të pasur artistike dhe një vend bosh, në plejadën e atyre artistëve që ky qytet nxori ndër vite.

Me një zë melodioz, përherë me buzëqeshjen karakteristike në fytyrën e saj, ajo ishte një nga këngëtaret më të suksesshme dhe më të dashura për publikun, interpretuese e dhjetëra këngëve që në moshën 13 vjeçare kur hodhi hapat e parë të karrieres, për tu pasuar më pas në Radio Shkodra, e kompeticione të rëndësishme kombëtare.

“Xhamadanin kuq si gjaku”, “Moj e mir synin larush”, “Djal i dashtun”, “Seç po fryn fllad pranvere”, etj, janë vetëm disa nga këngët që ajo këndoi plot pasion, duke prekur edhe skenat jashtë Shqipërie.

Naile Hoxha ishte pjesë e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore dhe një ndër këngëtaret e preferuara të regjimit të asaj kohe. Ajo iku duke lënë pas një repertor të pasur dhe një origjinalitet në muziken popullore qytetare, por edhe duke mbajtur pengun se brezat e ri nuk po arrijnë të ruajnë traditën e bukur që Shkodra ka patur.

 


14089085_10210286478976746_5705456844605011815_n14089269_10210286473656613_1585786316179303932_n14183777_10210286474896644_829366479384937021_n14192167_10210286475736665_534913857694766826_n  naile hoxhaa naleja

 

Filed Under: Kulture Tagged With: Naile Hoxha, Shuhet kengetarja

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2529
  • 2530
  • 2531
  • 2532
  • 2533
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT