• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHBA-Kosovë, Kuvendi ratifikon Marrëveshjen Fulbright

August 4, 2016 by dgreca

-Në 8 korrik 2016, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë nënshkruajti Memorandumin e Mirëkuptimit me qeverinë e Kosovës për programin Fulbright, në një ceremoni në Bibliotekën Kombëtare/

PRISHTINË, 4 Gusht 2016-Behlul Jashari/ Kuvendi i Republikës së Kosovës, në mbledhjen e sotme plenare, ka miratuar Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes ndërmjet Ambasadës së SHBA-ve në Prishtinë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të Republikës së Kosovës, Programi Fulbright i Shkëmbimit Akademik, i cili mundëson bursa studimore për studentët nga Kosova në SHBA.

Miratimin e kësaj marrëveshje e ka përshëndetur kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, duke e konsideruar atë të një rëndësie të veçantë për të rinjtë e Kosovës.

“Fulbright kaloi. Studentët dhe studiuesit tanë, do të kenë mundësi të studiojnë në Universitetet më prestigjioze amerikane, përmes bursave gjatë pesë viteve të ardhshme, falë marrëveshjes Fulbright mes Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kjo marrëveshje, do të thotë shumë për bashkëpunimin dhe ndihmën e Shteteve të Bashkuara, për të rinjtë tanë, të cilët pas shkollimit kthehen dhe japin kontribut në shtet-ndërtimin e Kosovës”,  tha kryparlamentari Veseli.

Projektligjin e ka prezantuar ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, i cili para deputetëve ka shkoqitur aspekte përmbajtësore të tij.

Në 8 korrik 2016, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë nënshkruajti Memorandumin e Mirëkuptimit me qeverinë e Kosovës për programin Fulbright, në një ceremoni në Bibliotekën Kombëtare, ku morënë pjesë edhe kryeministri Isa Mustafa e kryeparlamentari Kadri Veseli.

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Greg Delawie dhe Ministrisë i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë në qeverinë kosovare, Arsim Bajrami, nënshkruan Memorandumin e Mirëkuptimit në mbështetje të programit Fulbright për shkëmbim akademik.

Ky Memorandum i Mirëkuptimit po vijon mbi bazat e një programi të vazhdueshëm dhe të suksesshëm të shkëmbimit akademik që ka përfshirë mbi 80 studentë dhe studiuesë nga Shtetet e Bashkuara dhe Kosova prej vitit 2008.

Qeveria e Kosovës zotoi 1.5 milionë euro përgjatë pesë viteve të ardhshme në mbështetje të programit Fulbright – kontribut ky që pritet të fillojë gjatë vitit akademik 2016-2017 dhe të vazhdojë deri në vitin akademik 2020-2021.

Njoftimi dërguar nga Ambasada e SHBA në Prishtinë theksonte se, e mirëpresim këtë nismë për zgjerimin domethënës të numrit në dispozicion të bursave studimore dhe besojmë se ky zotim do të ndihmojë në zhvillimin e prijësve të ardhshëm të Kosovës.

Në fjalën e tij, Ambasadori Delawie uroi qeverinë e Kosovës për këtë investim të rëndësishëm, duke shtuar se, pas shumë dekadave, do të shikojmë kah kjo ditë si një ditë e rëndësishme për të ardhmen e Kosovës – me qindra të diplomuar përmes programit Fulbright, të cilët kanë fituar njohuri të reja domethënëse në fushën e tyre të ekspertizës, si dhe që kanë ndërtuar ura të qëndrueshme të bashkëpunimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës.

Programi Fulbright është program i çmuar ndërkombëtar i shkëmbimit akademik, i sponzorizuar nga qeveria amerikane dhe i përpiluar për të rritur mirëkuptimin e ndërsjellë ndërmjet popullit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe popujve të vendeve tjera.

Ky program është themeluar në vitin 1946 në bazë të legjislacionit të paraqitur nga senatori i ndjerë, J. William Fulbright nga Arkanzasi, financohet kryesisht nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara dhe zbatohet nga Zyra për çështje arsimore dhe kulturore e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, Kuvendi ratifikon, Marrëveshjen Fulbright, SHBA- KOSOVE:

Irini Qiriako: Maratona e Këngës Popullore është unike në gjithë rajonin

August 4, 2016 by dgreca

Intervista/ Flet  Qirjako “Mjeshtre e Madhe”/

– Maratona e Këngës Popullore, është unike në gjithë rajonin/
– Maratona e këtij viti tregon se kënga popullore, është kënga e shpirtit të popullit/

– Maratonë vulosi atë që, populli gjithmonë e ka dashur këngën popullore/

– “Bejke e bardhë”.dhe “Ç’po qëndis moj Marigo” janë këngët më të pëlqyera/

–  Maskilizmi është shumë i fuqishëm në Shqipëri dhe dominon/

– Të punoj dhe vë në skenë këngë të reja, ky është pengu im/

Nga Albert  Z. ZHOLI

Edhe në këtë Maratonë të këngës Popullore, Irini është nga këngëtaret më të duartrokitura. Zëri i saj perfekt dhe melodioz, tekstet e veçanta, mënyra e interpretimit e kanë bërë atë një këngëtare që koha për çdo ditë e lartëson. Ajo dhe pse s’ka lidhje me Labërinë pasi është nga minoriteti grek i Sarandës, shpesh është identifikuar si këngëtare tipike e këngës së polifonisë labe. Irini është një dashamirëse e madhe e librit. Ajo së fundi mori pjesë në promovimin e librit publicistik të poetes Vitore Stefa Leka me titull “Publicistika që ka vetëm një emërtim kombi”. Edhe ën atë aktivitete ajo ishte e qeshur dhe interpretoi disa këngë me karakter patriotik. Irini thuajse i ka shëtitur të gjitha shtete Evropiane ku zëri i saj i veçantë por sidomos kënga e bukur labe e ka bërë të marrë miliona duartrokitje që nga Izmiri dhe deri në Paris. Nga jeta e saj artistike jashtë atdheut ajo ndan dy momente kyçe, herën e parë kur doli jashtë atdheut në Turqi dhe Festivalin e Dizhonit në Francë ku Asamble i Këngëve dhe Valleve shkëlqeu në mënyrë të befasishme.
– Ju si gjithmonë edhe këtë vit jeni pjesë edhe e Maratonës së Këngës Popullore. Cilat janë të veçantat e këtij eventi?
Unë kam marrë pjesë rregullisht në të gjitha vitet e zhvillimit të Maratonës së Këngës Popullore. Nga viti në vit ky event është bërë më i pasur, më i bukur, më i shtrirë dhe më profesional. Sigurisht eksperiencat e viteve të kaluara, vënia në pah e mangësive të viteve të kaluara, eksperienca e stafit realizues, ka bërë që ky event të jetë ndër më të suksesshmit dhe më të ndjekurit. Pse e them këtë? Pasi në këtë event marrin pjesë këngëtarët dhe këngëtaret më të mira shqiptare të gjitha kohërave dhe nga të gjithë trevat shqiptare. Pra ky event nuk ka kufizime moshe dhe gjeografie dhe është bërë pjesë e gjithë kombit shqiptar, për të përcjellë më së miri tek publiku këngën e bukur popullore shqiptare. Shihet se nga viti në vit është rritur pjesëmarrja, është rritur kërkesa ndaj pjesëmarrësve, por është rritur dhe numri I publikut. Madje do të thosha se në shumicën e rasteve publiku këndon ose kërcen gjatë gjithë interpretimit të këngëve. Maratona kalon dhe rrugëton cilësisht dhe emocionalisht në të gjitha trevat ku ka popullsi shqiptare që nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe deri në Sarandë. Pra ajo kalon në të gjitha qytetet e kombit tonë duke dalë jashtë kufijve të Shqipërisë. Pritja që na është bërë është e madhërishme dhe nuk mund të mos veçoj se në shumë raste jo vetëm që publiku këndon me ne por ka të veshur, veshje me motove kombëtare ku flamujt janë pjesë përbërëse e çdo koncerti. Këtu zbulohen talentet dhe këngëtarët e vërtetë. Maratona është shumë e lodhshme sepse duhet të bredhësh në të gjithë trevat shqiptare, jashtë atdheut, por është një lumturi e jashtëzakonshme. Sepse në çdo qytet që shkojmë mblidhen një mori njerëzish me mijëra njerëz. Atje shikohet se sa shumë e do populli këngën e vet. Në ato këngë është “geni i popullit”. Është vetë populli në këngë. Është jeta e tij në vargje. Është muzika e tij, gjithçka që ka një popull në poezi, histori, muzikë.
Po pesha më specifike e këtij koncerti, cila është?

Për mendimin tim pesha specifike është se ky koncert është unik në vendin e vet dhe nuk e ka kush nga vendet e tjera të rajonit. Pra as Greqia, as Jugosllavia, as Bullgaria apo Mali i Zi nuk e kanë të organizuar një event të tillë. Kjo ka bërë që të ndizet më shumë ndjenja patriotike, ajo ndjenjë e pastër që forcon miqësinë me fqinjët. Ju bashkëpunëtor kryesor si kompozitor keni Edmond Zhulalin?
Po! Në shumicën këngëve të mia në koncertet e Maratonës, këngët e mia janë kompozuar nga kompozitori me emër Edmond Zhulali, por në Maratonë këndohen dhe këngë të vjetra, për vetë specifikën e këngës popullore ku dalin thesaret e folkut popullor. Në Maratonë nuk është domosdoshmëri paraqitja me një këngë të re, por me një këngë me motive popullore që të ketë lënë mbresa. P.sh. në Maratonën para këtij viti kam kënduar këngën “Bejke e Bardhë” me vargjet e çmuara të Lefter Çipës. Bejke e bardhë/,Borë e pashkelur.
– Po kënga që të ka zgjuar më shumë kujtime vitet e fundit?

Ka qenë kënga e kompozuar nga Enver Shëngjergji dhe që kisha mbi 30 vjet pa e kënduar. Kjo është kënga “Ç’po qëndis moj Marigo”, të cilën e këndova para 5 vjetësh në TKOB në recitalin e kompozitorit Enver Shëngjergji. Gjithmonë
e kam pasur ëndërr që ta rivendosja përsëri në skenë. Unë këtë këngë e kam bërë për herë të parë në kohën e monizmit në vitin 1985. Kjo këngë pati një sukses të jashtëzakonshëm në publik sepse është këngë e bukur. Kjo këngë ka një ndjeshmëri të arrirë. Nuk e di pse nuk është kënduar asnjëherë kjo këngë në vitet e tranzicionit! Erdhi momenti që atë që doja unë u realizua. Enverin e vlerësoj dhe e respektoj si krijues. Ka një repertor shumë të madh, orkestral, koral, solistik, kjo është një domosdoshmëri që të gjithë këta kompozitorë që kanë një emër një karrierë duhet që e gjithë kjo veprimtaria e tyre të rijepet në skenë. Për të rikujtuar spektatorin sepse mosha e mesme i kanë të qarta dhe i dëgjojnë dhe lumturohen me këta kompozitorë. Aq më shumë për Enverin që është shumë muzikal me ndjeshmëri të jashtëzakonshme dhe po më bëhet shumë qejfi që ai po realizon dëshirën e tij dhe po e rifreskon dhe po e rishfaq për publikun që jam e bindur që do e dojë shumë këtë recital.

– Si je ndjerë me tekstin dhe muzikën e kësaj?

E mrekulluar. Kanë një harmoni perfektë. Teksti dhe muzika ecin si valë. Si puhizë. Kanë një ëmbëlsi që të befason. Bëhet fjalë për qëndistaren e flamurit. Kjo këngë i kushtohet pavarësisë së Shqipërisë kur u ngrit flamuri. Marigoja është qëndistarja e saj. Jam munduar ta këndoj me shumë dashuri këtë këngë. Jam lumturuar kur ma besuan ta këndoj. Ajo më jep forcë. E kam në imagjinatën time Marigonë. Atë femër vitale, të fortë, që me ditë e net të tëra qëndisi flamurin e pavarësisë. Ajo përjetësoi pavarësinë, por më shumë se aq, Pavarësia e bëri të pavdekshme atë. Lexo tekstin, dëgjo muzikën dhe shkon në qiellin e shtatë. E këndoj shpesh me vete këtë këngë, në shtëpi, në rrugë, kur jam në lëvizje… Ç’po qëndis moj Marigo, Nën qerpik të syrit, Në dorën e zemrës, Lule fushe e lule mali, Lule që një prill i fali, Shoqe moj, motra moj

–         Kjo Maratonë e këtij viti a ka vulosur përfundimisht, se tashmë kënga popullore ka vendin e saj të padiskutueshëm tek populli dhe nuk mund të zëvendësohet nga tallavaja?

E padiskutueshme. Kjo Maratonë vulosi shumë gjëra. Populli gjithmonë e ka dashur këngën popullore. Ai e ka këtë këngë si ushqimi i përditshëm. Por ky tranzicion solli shumë gjëra të këqija, por me kalimin e kohës shumë gjëra po sqarohen. Kënga po zë vendin e saj të merituar. Pa këngë populli është si i heshtur. Këngën kur din t’ia servirësh popullit ai e rrëmben. Ai atë e ka të parën në jetën e përditshme. E ka relaks, e ka etje për qetësi.

 –         Ju jeni pjesë e shumë promovimeve të librave. Konkretisht ishit pjesë e promovimit të librit të Vitore Stefa Leka “Publicistika që ka vetëm një emërtim kombi”. Si jeni ndjerë në këtë promovim?

Në këtë promovim jam ndjerë se kurrë ndonjëherë për shumë arsye. Së pari se ajo është një grua e rrallë, një patriote e madhe. Ajo ka ndihmuar me qindra emigrant në Itali dhe me personalitetin e saj e ka ngritur lart emrin e Shqipërisë në sytë e popullit Italian. Në shumë aktivitete ku kam shkuar në Itali, Vitorja na ka pritur dhe na ka përcjellë duke na dhënë kurajë për të qenë sa më rezultativ. Pastaj ajo ka një jetë interesante. Një jetë të shumëvuajtur. Që fëmijë i pushkatuan babanë një patriot i madh. Vitorja ka qenë e internuar në disa vende dhe kurrë nuk është ankuar. Me ardhjen e demokracisë, ajo nuk vuri si qëllim në vetvete hakmarrjen por ecjen përpara, faljen, vëllazërimin. Këtë mund ta bëjë një grua me virtyte që del mbi kohën, del mbi veten dhe shikon larg. Janë të rralla gra të tilla që falin ata që e dënuan familjarisht. Kjo tregon qytetarinë, tregon emancipimin, tregon nivelin e lartë kulturor të kësaj grua heroike. Atë e shikon gjithmonë në lëvizje, në aktivitete me karakter kombëtar, e shikon në Kosovë, tek shqiptarët e Maqedonisë. Ajo ka qenë pjesë e luftës së Kosovës dhe njihet me të gjithë ish-drejtuesit ushtarakë të kësaj lufte heroike. Vitorja është një grua ikonë, zemërgjerë, patriote, e civilizuar. Gra si ajo janë të rrallë dhe unë e kisha për nder të këndoja në aktivitetin e promovimit të librit të saj aq të bukur dhe me titull domethënës.

-Mendon se femra shqiptare e ka zënë pozicionin e duhur në jetë?

Akoma nuk e ka zënë vendin e duhur në jetë, sepse maskilizmi është shumë i fuqishëm dhe dominon. Duhet akoma shumë. Femra duhet të jetë vetë e fuqishme. Unë si person nuk e ndjej vetinë e maskilizmit sepse e përballoj çdo gjë vetë sepse edhe skena më lartëson aq shumë saqë unë ndjehem në vendin tim të duhur. Ka shumë femra që janë shumë të talentuara që janë shumë të zonja por që nuk kanë mundësi. Fajin kryesor ia vë vetë femrës. Ajo duhet të luftojë. Në qoftë se ne nuk luftojmë vetë në maksimum.

– Kush është problemi më i madh që ka femra shqiptare sot?

Problemi më i madh është edhe punësimi. Nuk ka hapësira të nevojshme. Prandaj duhet të bëhen ligje të fuqishme siç i ka bota. Politikat janë gjithmonë në shërbim të vetvetes dhe jot ë femrës. Femra në çdo kohë vihet në plan të dytë.

-A ke ndonjë peng në këtë rrugëtim kaq të bukur?

Artisti ka shumë pengje dhe është shumë i pangopur, por unë kam realizuar shumë gjëra në drejtim të profesionit tim, por unë nuk do të rresht së punuari sa të kem zërin. Edhe tani në verë unë nuk kam bërë asnjë ditë pushim. Kam punuar me ditë të tëra dhe muaj të tërë dhe kam realizuar dy albume polifonike. Të punoj dhe të vë në skenë këngë të reja, ky është pengu im. Maratona 2016

Spektakli veror i Televizionit Klan, Maratona e Këngës Popullore është rikthyer sërish pas 4 vitesh mungesë duke na ri sjellë përsëri emocionet e këngëve folklorike të interpretuara nga artistët më të dëgjuar të muzikës popullore. Me prezantuese Klea Hutën, Maratona e Këngës do të udhëtoj në qytetet kryesore të Shqipërisë, duke gjallëruar jetën artistike të qytetit. Ndalesa e parë u bë në Elbasan, më 11 Korrik ku më pas qytetet e radhës që mirëpritën Maratonën ishin qyteti bregdetar i Vlorës më 14 Korrik dhe ai i Pogradecit më 18 Korrik. Spektakli është transmetohet gjithashtu edhe në TV Klan, dy herë në javë, të Mërkurën dhe të Shtunën ora 21.00.

30 këngëtarë pjesëmarrës

“Maratona e këngës popullore e qytetare” është një manifestim muzikor, që është në sezonin e 6 në RTV Klan. Ai është një spektakël udhëtues i interpretuesve më të suksesshëm të muzikës popullore e qytetare shqiptare. Ky spektakël ka linçuar përgjithësisht hitet e reja të muzikës popullore, gjatë sezonit veror. Janë rreth 30 artistë të këngës popullore të cilët po sjellin këngët dhe hitet më të famshme të Shqipërisë nga të gjitha trevat – Veri, Shqipëri e Mesme, Jug, madje dhe ato shqiptare në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi. Kjo Maratonë ka karakterin e një feste që do të lëvizë në dhjetë qytete shqiptare. Ky është edicioni i 6-të i “Maratonës së Këngës popullore e qytetare”. Por këtë herë synohen të sillen emrat më të suksesshëm të kësaj gjinie siç janë –Eranda Libohova, Ramadan Krasniqi, Frederik Ndoci, Bujar Qamili, Irini Qirjako, Selami Kolonja , Endri&Stefi, Maya, Grupi i Beratit, Grupi “Pleqtë e Krujes”, Grupi i burrave të Kavajës, “Karafilat që ka Shkodra”, Fatmira Breçani, Liri Rasha, Grupi i Përmetit, Petrit Lulo, Rosela Gjylbegu,Ylli Baka, Grupi “Ali Pasha”, Grupi çam dhe Enkelejda Arifi etj. Këngët janë pjesë të historisë, emocione, melodi të kënduara me pasion dhe ndjenjë  dhe ndoshta është e vështirë të cilësosh se cila është “Kënga e shekullit”.

Filed Under: Interviste Tagged With: Albert Z. Zholi, e Këngës Popullore, është unike, Irini Qiriako: Maratona, në gjithë rajonin

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë z. Greg Delawie viziton Kishën Protestante Ungjillore të Kosovës

August 4, 2016 by dgreca

Prishtinë, 4 gusht 2016 -I nderuari ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë z. Greg Delawie së bashku me zyrtarin politik pranë kësaj ambasade z. Scott Lang vizitoi Kishën Protestante Ungjillore të Kosovës (KPUK). Në selinë e KPUK-ut Ambasadori Delawie u prit nga kryetari Pastor Driton Krasniqi me anëtarët e Këshillit të Shërbestarëve pastorët Femi Cakolli dhe John Chesnut.
Ambasadori u interesua për fushëveprimin, angazhimin e Komunitetit Protestant në shoqërinë kosovare dhe marrëdhëniet mes KPUK-ut me shtetin dhe rolin e saj në vendin tonë.
Nikoqirët e njoftuan ambasadorin me traditën 200 vjeçare të kishës protestante ndër shqiptarë duke përmendur me theks të veçantë angazhimin e pastorëve vendorë dhe misionarëve amerikanë në thirrjen dhe organizimin e Kongresit të Manastirit dhe hapjen e shkollave shqipe dikur dhe sot. Mysafirët u njoftuan me angazhimin e komunitetit protestant për ndërtimin e Kosovës si shoqëri e hapur si dhe lidhjet tradicionale dhe zhvillimin e marrëdhënieve të zgjeruara të Kosovës me shoqëritë perëndimore.
Kryetari Driton Krasniqi nga ana e tij nënvizoi pengesat që komuniteti protestant ndesh në mosmarrjen e lejeve të ndërtimit për objektet kishtare si dhe shprehu shqetësimin e tij për mospërfilljen që po hasim nga komunat për ndarjen e parcelave për varreza të Kishës Protestante. “Mosmiratimi i amendamenteve të Ligjit për Lirinë e Fesë ka sjellë pengesa për komunitetin tonë dhe për të gjitha bashkësitë fetare në Kosovë”, nënvizoi Pastor Krasniqi. Ambasadori Delawie theksoi se Qeveria e SHBA-ve angazhohet vazhdimisht për promovimin e lirisë fetare dhe të drejtat e për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.

Filed Under: Komente Tagged With: ambasadori, Greg Delawie, te Kosoves, viziton Kishën Protestante Ungjillore

PO,“ÇLIRIMI I TRETË I SHQIPËRISË”,KUR DO TË BAHET ?!

August 4, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 NE FOTO: SELIA E PARË…/

■Lexova këto ditë këta rreshta: “Kthehemi tek realiteti ynë i kohëve të fundit. Ç’po vihet re tani, pas miratimit të Reformës, “revolucionit” të 21 korrikut apo “Çlirimit të dytë të Shqipërisë”, siç u vlerësua me zë të lartë, nga shumë syresh?…”

Mendova pak çaste, po nuk po hezitoj per me dashtë me thanë të vertetën: “Po, çlirimi i parë kur pat ndodhë, që nuk po e mbajmë nder mend asnjë shka mbushëm 75 vjetët!?”

Per me kenë objektiv në percaktimin e këtij dyshimi, nuk do të shpjegoj mendimet e pleqve tanë dhe as, shka kujtojmë si fëmijë, nga ngjarjet e mnershme të atyne viteve kur zgjoheshim nga gjumi prej krizmave të automatikëve në Zallin e Kirit të Shkodres, po do të paraqes vetem dokumentin e shkruem nga z. Henry Kissinger, në librin Diplomacia, botue në Tiranë, në vitin 1999, ku shenon në fq. 443: “Stalini mundi të impononte kufijtë e Europës Lindore pa ndërmarrë një risk të tepruar… Dy vitet e para pas luftës, vetëm Jugosllavia dhe Shqipëria vendosën diktatura komuniste.” Dhe vazhdon në fq. 438: “Prandaj ai e mbajti ushtrinë e tij në qender të Europës, ku gradualisht ai imponoi qeveri kukulla.” Në fq. 434: “Stalini ngulte këmbë të mos pranonte kërkesën e demokracive për zgjedhje të lira në Europën Lindore.”

***

JANAR 1945 Enveri i jep urdhën me shkrim trupave që ndodheshin në Veri:
■“Të asgjësohen pa mëshirë nacionalistët dhe reaksionarët shqiptarë brenda dhe jashtë kufinjve, pa treguar as më të voglën tolerancë!..”

■1 korrik 1946, Enver Hoxha, i pari i huej që dekorohet “Hero i popujve të Jugosllavisë”.

■15 Dhjetor 1947, Enver Hoxha deklaron në mbledhjen Komitetit Qendror të PKSh: “Duhet t’a fitojmë kohën e humbur e të bëjmë sa më shpejtë bashkimin DE FACTO të Shqipërisë me Jugosllavinë në të gjitha fushat, (parti, ekonomi, ushtri, etj.), se Shqipëria, nuk mund të qëndrojë si shtet i pavarur  dhe  aq më pak të ndërtojë Socializmin, PA U BASHKUAR ME JUGOSLLAVINË …” (1947)

***

■“Deputetët” tanë endè nuk e kanë marrë vesht se “nder tavolinat e Kuvendit Popullor” nuk flitet me hamendje, as me rrena apo si i thoni ju “shokë e zotrinjë” me “gjuhën e njësuar” pra, me gënjeshtra… Por, vetem, me fakte dhe dokumenta!

■Janë ba plot 25 vjetë që flisni per “pastertinë e figurës”! A e kujton veten o Sali Berisha, perballë të Madhit Isa Boletini në Shkoder…kur pate thanë: “Të gjithë jemi bashkvuejtës dhe bashkfajtorë, per çka ka ngja!”, dhe të gjithë duertrokitëm, tue “kujtue” se ti me të vertetë, ishe tue tregue të vertetën… A të kujtohet data, apo e ke harrue!? – Nuk janë aq shumë vite sa kujtojnë disa… Plot 25 vjetë, “para çlirimit të dytë!”…

 

 

■Mësuesi i juej, diktatori anadollak Ramiz Alia, Sekretar I i KQ. PPSh, President i RPSSh., ka mbajtë një fjalim në Byronë Politike të KQ të PPSh, në vitin 1989, në Tiranë, të cilit, me shumë djallëzi po vazhdoni ti përmbaheni ju pasuesit e tij, andrrimtarët e “rilindjes” së kasaphanës së re të Popullit Shqiptar. Ai ju la një “testament”:

■“Ne, komunistët reformatorë, do të zbatojmë strategjinë tonë në ekonomi, sipas së cilës kapitalistët dhe pronarët e ardhshëm në një vend socialist të jemi ne apo njerëzit tanë. Me strategjinë tonë të re, brenda dy-tre legjisaturash do të arrijmë që nga klasa komuniste të krijojmë klasën kapitaliste, e cila do të na përjetësojë në pushtetin politik të së ardhmes. Të jeni të sigurtë që e ardhmja do të jetë jona. Kurrë nuk do të lejojmë restaurimin e pushtetit politik të armiqëve tanë. E ardhmja e fëmijëve tanë do të jetë e mrekullueshme, gjithnjë e sigurt, sepse për këtë kemi derdhur kaq gjak dhe do të derdhim përsëri po të jetë nevoja. Shqipërinë do ta gëzojmë ne dhe pasardhësit tanë… ■Ne jemi të përgatitur për të dyja rrugët; kemi njerëzit e vendosur dhe guximtarë, të cilët i kemi përgatitur me sakrifica e mund për vite me radhë, por kemi edhe organet tona të dhunës. Ndaj, mjerë ata që do të guxojnë të na kundërvihen. Jua them këtë që të mbani lart moralin dhe asnjëri prej jush të mos ketë frikë…

Mbajeni mend: Fitorja dhe pushteti do të jenë përjetësisht tona!”

***

■Si bre “burra”, po edhe 25 vjetët e “demokracisë s’uej” paskan kenë robni komuniste!? 

… E prap tashti, po mendoni me fillue nga fillimi me “çlirimin e dytë”?!

■Të mjerët ata që do ti besojnë komunizmit e pjellës së mallkueme të Tij !..

■Edhe lumejt rreth Shkodres kanë ma pak ujë se lotët që kanë derdhë sytë e Nanave tona nga fjala e mnershme nder shekuj të shekujve: “Çlirimtarë komunistë”!..

            Melbourne, 4 Gusht 2016.

Filed Under: Opinion Tagged With: “ÇLIRIMI I TRETË I SHQIPËRISË”, Fritz radovani, KUR DO TË BAHET ?!, PO

Intervistë për Diellin me ish Sekretarin e Mbrojtjes të SHBA Z. William Perry

August 4, 2016 by dgreca

William Perry- Ish Ministri i ndjerë Safet Zhulali nuk kishte background profesional ushtarak, por ishte shumë inteligjent dhe njeri me integritet. Kemi punuar shumë nga afër së bashku. Ishte një eksperiencë e mirë të mësuari për të, se si të bëhej Ministër i Mbrojtjes së vendit meqënëse nuk kishte background të tillë. Ai punoi shumë në atë drejtim. Kisha një opinion të lartë për të. Përveç marrëdhënies të mirë profesionale kishim gjithashtu edhe një marrëdhënie të mirë personale./…

Nga Mimoza Dajçi/

Kaliforni, Korrik 2016/

 –Përshëndetje Z. Perry!/

-Përshëndetje!/

 –Ju falenderoj që jeni sot i pranishëm në faqet e shtypit shqiptar!/

-Faleminderit edhe juve!/

Si ish Sekretar i Mbrojtjes Amerikane, si i shikoni sot raportet e SHBA me Shqipërinë në fushën e mbrojtjes?

Z. Perry- Kur isha Sekretar i Mbrojtjes, para shumë vitesh, Shqipëria sapo kishte evoluar nga pjesë e Paktit të Varshavës, në një shtet me çështjet e veta të pavarura të sigurisë. Në atë periudhë, shpenzova një kohë të konsiderueshme duke punuar me Presidentin e Shqipërisë si dhe Ministrin e Mbrojtjes, në mënyrë që të ndihmonim Shqipërinë të arrinte një mbrojtje kombëtare të pavarur, partnershipin me NATO-n dhe atë çka quhej Partnershipi për Paqe.

Shqipëria mori pjesë në disa ushtrime paqeruajtëse me forcat e NATO-s. NATO ndihmoi në profesionalizimin e ushtrisë sipas standardeve të shteteve demokratike. Shqipëria dërgoi individë, oficerë të rinj, në shkollat tona për trajnim në SHBA. Në atë kohë Shqipëria ishte duke avancuar në mënyrë të pëlqyeshme drejt krijimit të një ushtrie të përshtatshme për një shtet demokratik. Gjatë këtij proçesi, pata rast të vizitoja Shqipërinë tre herë, gjë që është e pazakontë për një Sekretar Amerikan të Mbrojtjes.

Nëse më lejohet, a shikoni tek Shqipëria një partner të sigurtë dhe aleat të mirë përsa i përket strategjisë ushtarake?

Z. Perry- Kam bindjen se po. Vendi juaj ka qenë definitivisht një partner shumë i mirë gjatë kohës që unë isha në këtë detyrë. Kishim marrëdhënie të afërta dhe oficerët shqiptarë vinin për trajnim në SHBA e oficerët amerikanë punonin me ta për të krijuar një program trajnimi të ngjashëm me programet tona në Fort Benning, Georgia. Më duhet të përmend këtu se nuk jam shumë i azhornuar me zhvillimet e 5 apo 10 viteve të fundit, por Shqipëria ka qenë një partner shumë i mirë në atë kohë dhe nuk ka arsye pse të mos vazhdojë të jetë kështu.

Sa dhe në çfarë mënyre SHBA, e ka mbështetur Shqipërinë në aspektin ushtarak?

Z. Perry-Në kohën që isha në atë post, kishim një program shumë të fuqishëm për pjesëmarrjen shqiptare në programe ushtarake. Përfshi këtu oficerë shqiptarë që vinin për trajnim në USA si dhe oficerë amerikanë që punonin me ushtrinë shqiptare për programe trajnimi. Kishim një program të fortë Amerikë-Shqipëri, si dhe një program akoma më të fuqishëm ku Shqipëria mori pjesë në programin e NATO-s që quhej Partnershipi për Paqe. Marrëdheniet midis dy vendeve kanë qenë shumë të afërta në ato kohë. Nuk mund të komentoj se si gjërat janë zhvilluar ndër vite, si dhe për gjendjen e tashme, pasi informacioni im nuk është i azhornuar.

Në një nga vizitat e mia në Shqipëri, mora me vete edhe bashkëshorten time. Ndërkohë që unë kryeja vizitat e mia me Presidentin dhe Ministrin e Mbrojtjes, ajo kryente gjithashtu vizita me zyrtarë të tjerë e bashkëshortet e tyre. Vizituan një spital ushtarak që ishte në gjendje të mjerueshme për sa i përket pajisjeve dhe riparimeve. Kur ime shoqe u kthye në Amerikë, ajo u interesua që garda kombëtare amerikane, të shkonte në Shqipëri gjatë trajnimit të tyre veror. Kështu që ata shkuan për gati 6 javë, me sa mbaj mend dhe ndihmuan në rehabilitimin e spitalit duke e konvertuar kështu nga një spital që kishte shumë nevojë për pajisje, në një spital modern. Pajisjet e radiologjisë erdhën nga bazat amerikane në Gjermani. Kjo nuk ishte një iniciativë zyrtare, por akte individuale qytetarie dashamirëse humane, duke përdorur pajisje zyrtare të forcave Amerikane që kishin tepruar në Gjermani, në kohën kur trupat amerikane po largoheshin nga Gjermania. Kështu që pajisjet i transferuan në Shqipëri. Garda amerikane që punonte atje, veproi nga zemra dhe bashkë arritën të transformonin spitalin ushtarak, në një spital efektiv funksional modern. Qeveria shqiptare ishte shumë e kënaqur me atë çka arritëm të bënim në atë kohë dhe i dhanë sime shoqe medaljen “Nënë Tereza”, për të cilën ajo është shumë krenare. Ky ishte një nga kontaktet tona më të afërta me Shqipërinë ndër vite. Me siguri kjo nuk figuron nëpër rekorde zyrtare, pasi siç ju tregova, gjithçka u krye në mënyrë dashamirëse humane. Shqiptarët dhe amerikanët punuan nga afër për të arritur këto rezultate. 

Kush ja akordoi Çmimin Zonjës tuaj?

Z. Perry- Çmimi u lëshua nga Presidenti i Shqipërisë, i cili ngarkoi Ministrin e Mbrojtjes për akordimin e tij. Ministri erdhi në SHBA dhe gjatë një ceremonie që u mbajt në Pentagon, në emër të Presidentit të Shqipërisë e nderoi bashkëshorten time me medaljen “Nënë Tereza”.

Kur ka qenë vizita juaj e parë në Shqipëri?

Z. Perry- Hera e parë në Shqipëri ishte në 1994, pasi isha emëruar Sekretar i Mbrojtjes së SHBA.

 Kosova sot është e pavarur, por përsëri ka probleme madhore në veri të vendit veçanërisht në Mitrovicë. Ju personalisht si i shikoni zhvillimet në Kosovë, sa është e gatshme SHBA për të qetësuar situatën atje dhe si janë raportet e mbrojtjes SHBA – Kosovë.

Z. Perry- Nuk jam një burim i mirë për të përshkruar situatën e tashme atje, pasi nuk jam në qeveri tani, ndaj nuk marr informacione të detajuara siç merrja kur isha Sekretar i Mbrojtjes. Çfarë di, janë ato që lexoj nëpër gazeta. Kështu që nuk mund t’ju jap një koment të mirë-informuar.

Gjatë kohës që ishit Sekretar i Mbrojtjes Amerikane keni patur rast të vizitonit Kosovën?

Z. Perry- Jo, nuk kam patur rast me sa mbaj mend.

 Po në Shqipëri kur keni qenë për herë të fundit? 

Z. Perry- Gjatë kohës që isha ende Sekretar i Mbrojtjes së SHBA, në vitin 1996.

Keni plane ta vizitoni përsëri Shqipërinë?

Z. Perry- Nuk kam plane për në Europë. Mosha bën të vetën dhe tashmë nuk udhëtoj më aq shpesh.

 Dr. Perry, gjatë kohës kur ishit Sekretar i Mbrojtjes, keni kontaktuar disa herë me ish ministrin shqiptar të Mbrojtjes, Safet Zhulali. Ç’mund të na thoni me konkretisht, se si e keni njohur Zhulalin?

Z. Perry- Zhulali nuk kishte background profesional ushtarak, por ishte shumë inteligjent dhe njeri me integritet. Kemi punuar shumë nga afër së bashku. Ishte një eksperiencë e mirë të mësuari për të, se si të bëhej Ministër i Mbrojtjes së vendit meqënëse nuk kishte background të tillë. Ai punoi shumë në atë drejtim. Kisha një opinion të lartë për të. Përveç marrëdhënies të mirë profesionale kishim gjithashtu edhe një marrëdhënie të mirë personale.

Sipas jush, cili ishte roli i Zhulalit në transformimin e ushtrisë shqiptare drejt një ushtrie të standardeve të NATO-s?

Z. Perry- Ai ishte Ministri i Mbrojtjes së vendit, kështu që ishte në krye të këtyre përpjekjeve. Por duhet përmendur këtu se ishin edhe individë të tjerë ushtarakë profesionalë, gjeneralë, kolonelë, të cilët ishin shumë të vendosur të transformonin ushtrinë shqiptare në një ushtri moderne dhe efektive, e me padurim prisnin të shihnin këto ndryshime. Ata punonin nën liderishipin e Ministrit, por ndërmerrnin edhe iniciativa gjithashtu. Pra ishte përpjekje e përbashkët me ushtarakët profesionistë, të cilët punuan shumë në këtë drejtim.

Përveç Ministrit e Presidentit, u takova dhe krijuam relata të afërta edhe me shumë profesionistë të tjerë të fushës së mbrojtjes, që nga gjeneralët deri tek oficerët më të rinj. Vizitova disa nga bazat e tyre ushtarake disa herë. Fola me trupat e mbajta fjalime. Pra marrëdhënia jonë nuk ishte vetëm me Ministrin por edhe me ushtrinë.

Me Zhulalin keni nënshkruar Dokumentin e Partneritetit për Paqe. Si u arrit deri këtu?

Z. Perry-Partnershipi për Paqe erdhi shumë herët në mandatin tim. Objektivi ynë kryesor ishte që të arrinim që shtetet e europës lindore që kishin qenë anëtare të Paktit të Varshavës, të bëheshin anëtare aktive në Partnership. Kështu që i vizitova të gjitha këto shtete dhe u takova me Presidentët përkatës, si dhe Ministrat e Mbrojtjes, e gjeneralët, që t’i inkurajoja jo vetëm t’i bashkoheshin Partnershipit, por edhe të bëheshin anëtarë aktiv. Për disa nga këto vende, si psh për Shqipërinë në veçanti, qëllimi ishte edhe të sillnin disa nga oficerët e tyre të rinj më të mirë për trajnim në SHBA.

Mbaj mend se një oficer i ri shqiptar, mbase kapiten apo major (nuk më kujtohet emri pasi kanë kaluar shumë vite), ndoqi një trajnim rigoroz “Rangers” në Georgia, SHBA. Ky është trajnim për ushtarakët elitë dhe i riu shqiptar e përfundoi kursin shkëlqyeshëm. Pasi u kthye në Shqipëri, implementoi një program trajnimi të ngjashëm për ushtaret shqiptarë. Gjatë njërës prej vizitave të mia në Shqipëri, më ftoi në një demonstrim. Ai mblodhi të gjithë të rinjtë që po trajnoheshin dhe më kërkoi që të mbaja një fjalim për ta. Në momentin që unë u ngrita për të marrë fjalën, edhe ata brofën në këmbë e më përshëndetën me të njëjtën mënyrë tipike siç bëjnë edhe Rangers në Amerikë. Ai i kishte trajnuar më së miri. Ndoqa nga afër një nga trajnimet e tyre që ishin gjithashtu shumë rigoroze dhe preçize si në Amerikë. Mbeta shumë i impresionuar.

Sot këtë bisedë po e zhvillojmë në një nga universitetet më prestigjoze në Kaliforni dhe Amerikë. Ç’farë detyre mbuloni ju pranë këtij institucioni?

Z. Perry- Prej 20 vitesh punoj këtu si profesor, minus 4 vite që shkova në Washington, DC për të shërbyer si Sekretar i Mbrojtjes së SHBA. Jam Profesor Emeritus pasi jam tërhequr nga detyra aktive. Vazhdoj të jap lektura por jo më rregullisht siç bëja më parë. Stanford-i është një vend shumë i dashur për mua. Këtu kam studjuar edhe unë. Siç e shihni edhe ju, është një kampus i mrekullueshëm. Zë një vend të veçantë në zemrën time.

Kam jetuar këtu pothuajse gjithë jetën time së bashku me familjen, me dy shkëputje, e para në vitet 70-të për të shërbyer si NënSekretar i Mbrojtjes në fushën kërkimore dhe inxhinieri, dhe pastaj në vitet 90-të ku mora postin e Sekretarit të Mbrojtjes së SHBA. Përndryshe kam qenë gjithnjë këtu, qoftë në krye të një kompanie mbrojtjeje elektronike që kam krijuar (me seli jo larg prej këtu) ose duke punuar si profesor.

Dmth pasi kryet studimet e larta, iu dedikuat fushës së mbrojtjes pasi e ndjetë se mund të jepnit më shumë në këtë fushë?

Z. Perry- Ishte viti 1954 me sa mbaj mend, gjatë kohës së Luftës së Ftohtë. Ishin vite të rrezikshme. Unë kisha qenë në ushtri dhe ndjeva një obligim për të shërbyer më tej, kështu që ju dedikova kësaj fushe.

A keni studentë shqiptarë pranë këtij universiteti? 

Z. Perry- Nuk kam të dhëna për këtë, por me siguri që po. Kemi shumë studentë të huaj. Ecën nëpër kampus gjatë vitit akademik dhe të duket sikur je tek kombet e bashkuara, pasi ka njerëz nga mbarë bota këtu.

Në SHBA po zhvillohet fushta për zgjedhjet e ardhshme Presidenciale. Si e shikoni situatën?

Z. Perry- Jam i shqetësuar për disa nga deklaratat që një nga kandidatët për President, Z. Trump, është duke bërë. Ndër të tjera, ai ka sugjeruar se NATO nuk është e rëndësishme. Mbase kjo nënkupton një keqkuptim për të mirat që NATO ka bërë, për disa prej të cilave folëm këtu sot. Shpresoj që nëse do të zgjidhej President i SHBA, Z. Trump do të ketë oportunitetin të ndryshojë pikëpamjet e tij mbi këtë çështje. Nuk kam ndonjë koment tjetër përsa i përket proçesit zgjedhor në SHBA.

Duke përfunduar bisedën këtu me ju Dr. Perry, ç’farë do t’i uronit Shqipërisë dhe shqiptarëve kudo ndodhen?

Z. Perry- Do t’i uroja Shqipërisë që demokracia e tyre të stabilizohet në mënyrë të palëkundur, ekonomia të përmirësohet, dhe njerëzit të jenë të lumtur, të kenë prosperitet e të jenë të lirë. Shqipëria është një vend shumë i bukur. Kam vizituar dhe udhëtuar nëpër shumë pjesë të vendit. Shqiptarët që kam njohur janë njerëz shumë të zotë, shumë inteligjentë, për të cilët kam një opinion të lartë. Shqipërisë dhe shqiptarëve që kam njohur, i dërgoj përshëndetjet e mia më të ngrohta. I uroj një të ardhme të lumtur. Keni kaluar kohëra shumë të vështira në të shkuarën. Nga vendet e Traktatit të Varshavës, Shqipëria në veçanti ka pasur një qeverisje shumë të egër. Por njerëzit janë shumë të fortë dhe të qëndrueshëm, kështu që i keni mbijetuar atyre vështirësive. Besoj se Shqipërinë e pret një e ardhme e shkëlqyer.

Faleminderit Z. Perry!

Faleminderit juve!

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Interviste me ish Sekretarin e mBrojtjes, Mimoza Dajci, Z. Perry

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2592
  • 2593
  • 2594
  • 2595
  • 2596
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT