• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqipëria një vend i varfër dhe jo i lirë!

June 10, 2016 by dgreca

Opinion Nga Nderim LUSHI/Aktivist i shoqërisë civile/

Shqipëria nuk është më shtet, por i ngjet një kampi të madh përqendrimi, ku jetojnë pensionistë të vrarë dhe të venitur, të cilët mashtrohen me pensione qesharake, ku baza e jetës së pensionistëve janë dërgesat e emigrantëve.

Plot me të rinjë, por të pashpresë!

Jemi vendi, ku jetojmë mes ujit të pijshëm dhe ky ujë mungon në rubinetët e shtëpive tona, siç është rasti i qytetit të Kukësit dhe shumicës së qyteteve në Shqipëri.

Një vend plot spitale, të cilët shërbejnë për ti vdekur njerëzit, apo për ti udhërrëfyer drejt spitaleve private, që më pas për ti grabitur ato pak pasuri, që disponojnë.

Një shtet pa universitete, por plot me “fabrika”, ku fabrikohen skllevërit e rinjë dhe votuesit e ardhshëm, të cilët janë gati të shesin votën dhe nderin nëse akoma mund ti quajmë të ndershëm. Universitete, ku edukohet kopja dhe korrupsioni. Shkolla bajate me mësues të paaftë, të cilët mësimjapin sepse kanë paguar 2000$ për tu punësuar.

Shkollat tona përgatisin skllevër modernë dhe ftillojnë njeriun-skllav, të aftë për të jetuar i shtypur, të aftë për të heshtur dhe për të vdekur i varfër dhe pa liri.

Universitetet, ku pedagogët, si stalinë të vegjël, përfaqësojnë denjësisht: të degjeneruarin, manjakin seksual, partiakun skllav, simbolin e sistemit korruptiv dhe udhëheqësin drejt kopesë të humbësve të mëdhenj, ngjashmërisht me Eskilin e varrosur në humnerën e humbjeve dhe të harresës.

Shteti ynë ka kryeministra, të cilët rrugëtojnë drejt Kukësit, Tropojës dhe Hasit dhe flasin për bujqësi dhe fusha pjellore, ndërsa në Lushnjë predikojnë vjeljen e energjisë elektrike, si dhe përpunimin e kromit.

Jemi vendi me 300 mijë ndërtime pa leje, sepse politikanët tanë e deshën një gjë të tillë.

Jem shteti, ku kemi angazhuar të gjithë të paaftët dhe të korruptuarit në politikë, vendi ku vrasësi quhet burrë i mirë dhe i zoti.

Kemi kthyer tokën bujqësore në një sipërfaqe të copëtuar me shtëpi të hedhura, si të rëna nga qielli.

Na mungojnë nobelistët apo dijetarët për të qenë referenca e madhe e kombit, por na dalin me bollëk tutorët e prostitutave dhe shpërndarësit e drogës.

Prej kohësh jemi turpi i Europës, me një eksport rekord prostitutash dhe kriminelësh.

Nuk ka më Shqipëri: siç e njohim në ëndërrat tona, por ka një copë tokë të populluar nga skllevër dhe tutorë-diktatorë.

Me male të prera dhe të masakruara vetëm për të fituar pak para, toka e lumenjëve të ndotur, e detit-depozitë për ujërat e zeza.

Vendi, ku gjykatat sekuestrojne lirinë dhe grabisin njerëzit, me avokatë sekserë dhe policë të varfër nga koka dhe xhepi.

Jemi vendi i Shqiponjave të vdekura, të fundit e varrosën në Shëmri të Kukësit (eshte shqiponja ne foto), në tokën anti-komuniste dhe krejt të varfër.

Si shëmbëlltyra të venitura ecim rrugëve, dhe përgjumur jetojmë jetën, e cila përsëritet vetëm një here. Të gjithë kanë mësuar vlerën e parasë dhe kanë harruar kuptimin e moralit. Flasin për krenari dhe për komb, por të tmerruar nga vdekja ndërsa flasin, sepse kanë frikë të humbasin jetët boshe në të cilat rastësisht janë fundërruar të jetojnë; pavlerësisht dhe pa ndonjë qëllim të shenjtë dhe human. I shikon të gjithë të vetëkënaqur për kotësinë, që u fali kjo jetë, e cila pak e nga pak po i shpie në varr, ashtu të palirë dhe të skllavëruar.

…po sot është koha të kthejmë kokën prapa dhe të hedhim shikimin e mendjes tek gjurma e historisë. Të kujtojmë fjalën “burrë” se si kumbonte, dhe sa fort therte fjala “besë”. Jemi ne ata, që lindëm nga toka e besës dhe trime, dhe jemi po ata, që fjala Shqipe na vinte për shtat, krenarë, të fortë dhe fort të besës. Ka shpresë në këndet e Kukësit dhe në cepat e Tropojës, ashtu siç ka shpresë në luginat e Dibrës, për tu shtruar në Burrel-Mirditë-Lezhë, dhe për të vazhduar rrugën fluturimthi kudo në tokën e Shqipeve. Ka shpresë dhe trima, të aftë të japin jetën për komb, të kombit, që mbahet pushtuar nga aleanca Pro Serbe dhe Anti-Shshiptare PD+PS+LSI. Ka burra të mençur, por të varfër, të cilët njohin të vërtetën se si partitë i krijoi komplotisht Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha.

Koha për qëndresën finale, për të merituar Ismail Qemalin dhe Adem Jasharin dhe për të pagëzuar shpirtin e lirisë dhe triumfator me heroin Havzi Nela, që më parë pranoi të vdiste i lirë se sa të jetonte i skllavëruar.

Koha për tu ngritur si Shqipe, dhe për ti kthyer kombin Shqiptarëve, koha për qëndresën finale kundër partive të Sigurimit të Shtetit dhe PPSH-së.

Të organizohemi një grup të rinjësh, që të udhërrëfejmë protestat anti-diktaturë.

Të kundërshtojmë aleancën Anti-Shqiptare PD+PS+LSI.

Vjeshta të na gjejë të bashkuar, të gatshëm për sakrificë dhe të etur për liri.

Shpresë dhe ndryshim!

Aktivist i shoqërisë civile, Nderim Lushi

Filed Under: Opinion Tagged With: dhe jo i lirë, NDERIM LUSHI, një vend i varfër, shqiperia

“Përgjegjësia individuale” e deputetëve kriminelë!

June 10, 2016 by dgreca

Opinion nga Enver Bytyçi/

Faktori ndërkombëtar u ka bërë thirrje deputetëve të parlamentit shqiptar që të votojnë draftin e Edi Ramës për reformën në drejtësi sipas përgjegjësisë individuale. Kjo thirrje do t’i bashkojë për herë të parë të gjitha vullnetet e deputetëve kriminelë dhe të ashtuquajturve deputetë idealistë e komercialë në votimin që pritet të ndodhë gjatë muajit qershor. Armando Prenga do të jetë atë ditë në parlament për ta dhënë përgjegjësinë e tij personale si deputet dhe do të votojë për reformën që e bën Edi Ramën despot të këtij vendi. Eshtë ai, për të cilin Rama thotë se “e ka përjashtuar nga Partia Socialiste”. Do të “ushtrojnë përgjegjësinë e tyre individuale” gjithashtu të gjithë ata deputetë që nga Edi Rama përfitojnë tendera, koncensione, favore, përfshirë dhe deputetët që kontrollojnë parcelat e kanabisit në këtë vend. Këta do t’ia japin kryeministrit despot të gjitha pushtetet me kushtetutë. Kush nuk e beson këtë, le të shohë se si sillet ai dhe si do të sillet këto ditë të ardhshme kundër prokurorisë dhe gjykatës, të cilat për herë të parë po dalin nga rrethi vicioz i apatisë për të ndëshkuar krimin qeveritar, i cili nga rrezikshmëria dhe dëmet që shkakton është i barabartë me të gjitha krimet ordinere të qytetarëve shqiptarë të marrë së bashku. Krahas Armando Prengës dhe sojit të tij kriminal në parlament këtë përgjegjësi individuale do ta ushtrojë edhe Ben Blushi. Së paku kështu deklaroi kritiku i ashpër i Ramës mbrëmë në emisionin e Ylli Rakipit në Ora Neës, “Të Paekspozuarit”. Por do ta ushtrojë këtë përgjegjësi gjithashtu Gramoz Ruçi, dhëndërrit dhe vajzës së të cilit Edi Rama i fali miliona euro të investuar nga Banka Botërore në impiantin e sterilizimit të spitalit “Nënë Tereza, gjithnjë në formën e PPP të koncensionit. Nuk dihet si do të bëjë Namik Dokle, por nuk ka gjasa që t’i shkëputet valles së rilindjes. Deputetët e LSI-së janë në rrjesht – asnjëri prej tyre nuk pritet të mos përdorë “përgjegjësinë individuale të Ilir Metës” në votimin e këtij drafti. Përgjegjësia individuale e LSI përdoret vetëm atëherë kur Ilir Meta kërcënon Ramën, duke e shkarkuar përgjegjësinë e tij te deputetët e bindur e të përulur deri në këmbët e kreut të partisë. Ndërsa deputetët e Shpëtim Idrizit në shumicë do ta ushtrojnë dhe ata “përgjegjësinë individuale” dhe do ta votojnë Edi Ramën si monark të këtij vendi, me shpresën jo për të zgjidhur çeshtjen çame, por për të kapë një kockë dikasteri. Nuk dihet vetëm përdorimi ose jo i përgjegjësisë “individuale” të dy prej këtyre deputetëve, të cilët janë rendit djathtas. Ndërsa Vangjel Dule i merr urdhërat nga Athina, çfarë t’i thonë ata, atë do të votojë ai. Opozita ka deklaruar se nuk do të përdorë këtë “përgjegjësi” individuale e as kolektive për ta votuar variantin më të keq të mundshëm për kapjen politike të gjyqësorit dhe drejtësisë. Megjithatë Edi Rama është betuar se do t’i blejë me çdo çmim disa prej këtyre deputetëve. Me siguri që Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike do ta bojkotojë seancën plenare të votimit të të ashtuquajturës reformë, që synon eleminimin e krerëve të drejtësisë së sotme, të cilët shihen si rrezik për hetimin e krimeve të kabinetit qeveritar “Rama”. Por nuk dihet nëse do ta bojkotojnë aleatët e Partisë Demokratike, republikanët dhe Dashamir Shehi. Edhe pse ata i janë bashkuar publikisht qëndrimit të PD-së, në emër të fleksibilitetit mund të thonë se, ndryshe nga PD, do të jenë të pranishëm në votim. Prania në votim do të thotë rrjedhje e votës nga e djathta në favor të projektit shkatërrues të kryeministrit për drejtësinë në këtë vend. Ka mundësi që ndonjë deputet i grupit të demokratëve të kërkojë në këmbim të ofertës së Edi Ramës “ushtrimin e përgjegjësinë e tij individuale” për votimin e ligjeve kushtetuese. Por në rastin e bojkotit të seancës nga grupi, ky ose këta deputetë do të shiheshin si “delja e zezë” e familjes politike ku ata bëjnë pjesë. Nëse ka nga ata që për një grusht euro do të bëjnë metamorfozën e ngjyrës dhe pamjes, është mirë që tani të ndahen dhe të shkojnë në stanin e “përgjegjësive individuale”. Përgjegjësia individuale e deputëtëve në çdo vend normal të botës shkon në favor të interesit publik dhe të qytetarëve. Nëse është interes i këtij vendi dhe i qytetarëve uzurpimi i pushtetit gjyqësor dhe komandimi i tij nga pushteti ekzekutiv, atëherë Shqipëria nuk mund t’i përkasë Europës, me ç’rast u thuhet deputetëve se me këtë reformë Shqipëria hap negociatat për pranim në BE. Edhe nëse formalisht do të shkohej të hapja e negociatave, ato do t’i bllokojë diktatura e konfirmuar me kushtetutë, të cilën Edi Rama do ta ushtrojë në formën erdoganiste të pushtetit dhe do ta largojë Shqipërinë nga Unioni Europian. Janë bërë 12 vite që Turqia ka hapur negociatat për t’u pranuar në BE. Por as ka gjasë që të qaset me metodat e tij autoritariste të ushtrimit të pushtetit në dyert e Brukselit. E njëjta gjë do të ndodhë me Edi Ramën, i cili tashmë është familjarizuar me metodat autoritariste të Erdoganit dhe “suksesi” I miratimit të kësaj reforme do ta nxisë të ndërtojë një pallat presidencial për veten e tij. Megjithatë unë shoh edhe një shans për kompromis: Më 14 qershor vjen në Tiranë ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Frank–Valter Steinmeier dhe ka mundësi që të gjendet një zgjidhje kompromisi midis mazhorancës dhe opozitës. Drejtorja për Ballkanin në Komisionin Europian dha sinjalet se po bëhen përpjekje në këtë drejtim. Le të shohim e të bëjmë. Skenari i djeshëm që Edi Rama e shpalli në foltoren e parlamentit, gjithësesi është më i keqi i mundshëm.

Filed Under: Opinion Tagged With: "Përgjegjësia individuale", e deputetëve kriminelë!, Enver Bytyci

Kryeministri Mustafa në Graçanicë, komunë me shumicë serbe

June 10, 2016 by dgreca

-Qeveria e Kosovës përkrah përmirësimin e jetës së të gjithë banorëve/

 PRISHTINË, 10 Qershor 2016-B.Jashari/ Qeveria e Kosovës përkrah përmirësimin e jetës së të gjithë banorëve, tha kryeministri Isa Mustafa gjatë vizitës sot në komunën e Graçanicës, ku u prit nga kryetari Vladeta Kostiç me bashkëpunëtorë. Gjatë kësaj vizite, kryeministri Mustafa shoqërohej nga zëvendëskryeministri i parë, Hajredin Kuçi si dhe nga ministri i Kthimit dhe i Komuniteteve, Dalibor Jevtiç.

 Kryeministri Mustafa pas takimit tha se gjatë kësaj vizite është njoftuar nga kryetari i komunës për çështjet aktuale. “Kemi biseduar edhe më përpara, por kemi biseduar në selinë e qeverisë dhe jemi munduar t’i koordinojmë punët sa i përket përkrahjes në kërkesat aktuale që i ka komuna e Graçanicës. Është një komunë, e cila ka arrit që të plotësojë qëllimin për çka është themeluar, ka punuar mjaft në ndërtimin e infrastrukturës, në zgjidhjen e problemeve të qytetarëve. Por, po ashtu ka nevojë për një përkrahje edhe më të madhe të qeverisë qendrore dhe të ministrive, edhe në fushën e ndërtimit të infrastrukturës, në fushën e ndërtimit të një rruge, e cila e anashkalon qendrën dhe mundëson që të lidhet drejtpërdrejt me rrugën për Gjilan. Mundësisht të krijohet një komunikim shumë i mirë i kësaj komune me Prishtinën, i Graçanicës, por edhe i fshatrave përreth”, tha kryeministri Mustafa. Më tej, kryeministri Mustafa tha se kjo komunë ka nevojë për përkrahje edhe sa i përket deponisë dhe zgjidhjes së atij problemi për qytetarët. “Veçmas biseduam për perspektivën ekonomike të kësaj komune, sepse ka një zonë themi kushtimisht ekonomike shumë të mirë e cila shtrihet përgjatë dy anëve të rrugës që shkon për Lipjan dhe Ferizaj dhe që po ashtu do të ketë një komunikim të mirë me autostradën e cila shkon për Shkup. Ne shohim arsye të madhe që ta përkrahim këtë komunë në mënyrë që të ketë investime këtu, të ketë punësim dhe që qytetarët e Graçanicës të kenë perspektivën e tyre të jetës në Kosovë, në këtë komunë dhe të jenë pjesë e zhvillimit ekonomik të Kosovës”, theksoi kryeministri Mustafa. Kryetari i Graçanicës, Vladeta Kostiç,  tha se gjatë takimit me kryeministrin është biseduar në mënyrë shumë konstruktive dhe e ka informuar me të gjitha problemet me të cilat përballet qeverisja lokale në komunë. “Ne gjithashtu e njoftuam kryeministrin me planet tona. Këto janë disa projekte infrastrukturore të cilat janë të arritshme në afat të shkurtër kohor, në një periudhë afatmesme”, tha Kostiç. Kryetari i Graçanicës po ashtu tha se i kanë paraqitur problemet me të cilat ballafaqohet komuna, duke veçuar problemin me buxhetin e vogël. “Ne kemi dhënë disa sugjerime për zgjidhjen e këtyre problemeve tona urgjente. Ne shpresojmë se Ministria e Financave dhe qeveria e Kosovës dhe vetë kryeministri do të kenë mirëkuptim për problemet tona, dhe unë jam i kënaqur që kjo vizitë sipas vlerësimit tim ishte shumë e suksesshme”, tha Kostiç, kryetar i komunës së re kosovare të Graçanicës me shumicë serbe.Në Republikën e Kosovës me gjithësej 38 komuna, 27 janë me shumicë shqiptare, ndërsa 10 komuna janë me shumicë serbe,  5 prej tyre të reja – Graçanica, Kllokoti, Ranillugu, Parteshi dhe Mitrovica e Veriut, të formuara sipas Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të kryenegociatorit Martti Ahtisaari – emisarit special të OKB-së.Po sipas Paketës Ahtisaari, katër komunave me shumicë serbe që ekzistonin në Kosovë, Leposaviçit, Zubin-Potokut dhe Zveçanit, që të trija në veri, dhe Shtërpcës në jug, i është shtuar edhe një tjetër – Novobërda, me zgjërimin e saj.Një komunë, Mamusha në rajonin e Prizrenit, është e banuar me shumicë nga komuniteti pakicë turk.

Filed Under: Komente Tagged With: Kryeministri Mustafa, ne Gracanice

“Serbia nis kolonizimin e Kosovës”?

June 10, 2016 by dgreca

-Kosovë-qeveria: “Lugina e Diellit” në veri, i papranueshëm implikimi i Serbisë/

 -Një nga gazetat në Prishtinë sot në ballinë ka kryetitullin “Serbia nis kolonizimin e Kosovës”/

 PRISHTINË, 10 Qershor2016/Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Qeveria e Republikës së Kosovës i konsideron të papranueshme përpjekjet e qarqeve të caktuara, që në kundërshtim me aktet ligjore dhe procedurale, të iniciohet ndërtimi i projektit të ashtuquajtur “Lugina e Diellit” në veri të Kosovës. Qeveria e Kosovës deklaroi sot se është informuar nga ministrat përkatës për këto veprime të kundërligjshme dhe ka ngarkuar Ministrinë e Mjedisit dhe të Planifikimit Hapësinor si dhe Ministrinë e Kthimit dhe të Komuniteteve, në bashkëpunim edhe me Komunën e Zveçanit, që të ndërmarrin masat e duhura për ndërprerjen e veprimeve të tilla dhe të përmbushen të gjitha kushtet ligjore.

 Qeveria e Kosovës, po ashtu, e konsideron të papranueshëm implikimin e qeverisë së Serbisë që duke nxitur komuna të caktuara të Republikës së Kosovës të ndërmarrë veprime të paligjshme dhe në dëm të relacioneve ndërmjet qytetarëve të Kosovës.

 Qeveria e Republikës së Kosovës angazhohet që të krijojë kushte normale për të gjithë qytetarët e saj si dhe kthimin e tyre në shtëpitë dhe vendbanimet e tyre pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike. Ky proces, thekson qeveria e Kosovës, do të jetë i mundshëm dhe i qëndrueshëm vetëm duke respektuar ligjet të cilat ofrojnë siguri dhe stabilitet afatgjatë për çdo qytetar dhe në linjë me proceset eurointegruese.Një nga gazetat në Prishtinë sot në ballinë ka kryetitullin “Serbia nis kolonizimin e Kosovës”.

“Qeveria e Serbisë ka nisur ndërtimin e një vendbanimi prej 300 shtëpive në veriun e Kosovës, për kthimin e 1500 serbëve nga Serbia. Ky projekt gjigant që quhet “Suncana Dolina” i ngjan kolonizimit dhe është investimi më i madhi i Serbisë në periudhën e pasluftës në Kosovë. Kryeministri Mustafa dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, këtë projekt e cilësojnë të paligjshëm”, thekson Zëri.

Filed Under: Komente Tagged With: “Serbia nis kolonizimin, e kosoves, Kodra e Diellit

Sportistë shqiptarë në nivele botërore

June 10, 2016 by dgreca

*Përshëndesim me këtë shkrim, me rastin e çeljes së Kampionatit evropian “Euro-futboll 2016” Ekipin shqiptar të futbollit të përbërë nga futbollistë të tërë trevave shqiptaro-kosovare, duke iu uruar “Figurë të bukur kombëtare çuna!”./

* Faik Konica në revistën Albania: Një mundës shqiptar në London/

* Rubrika “Anakdotat tona”, revista “la Culture physique”, 1 tetor 1907./

 Nga Fotaq Andrea/Francë/

Një shkrim i Faik Konicës në revistën Albania, me titull Një mundës shqiptar në London, botuar në shkurt 1906, na tërheq vëmendjen për faktin se në formë shënimi, po ky shkrim jepet edhe në variantin e tij në frëngjisht. Gjë që do të thotë se gjeniu Konica kërkon të propagandojë tek lexuesi i huaj europian gjithçka shqiptare me vlerë nga tërë fushat e jetës shoqërore, kulturore, letrare, artistike e sportive.

Konica e fillon shkrimin e vet në formë kronike, duke iu referuar gazetës londoneze The Morning Leader: “Erdhi në Londër, thotë ai, një mundës shqiptar, i quajtur Hysen Mahmuti.” Erdhi për t’u ndeshur… por, me sa duket, ende nuk po i dilte kundërshtar! Sepse, ndërsa rendnin për tek ai gazetarët e etur për të shkruar rreth mrekullisë që po shihnin, asnjë mundës i nivelit botëror nuk po shfaqej para tij në sallat e mundjes. Por çudia nuk përfundon këtu. Ai është ftuar në Londër nga Andon Guri, një ish kampion në mundje në rininë e vet, shqiptar nga të Moresë edhe ai, “që  flet shqip bukur” e që në Londër njihet me nofkën “Greku i tmerrshëm”. Hyseni shoqërohet në kryeqytetin britanik edhe nga një mik dhe shok i tij i quajtur Leonidha Kostandini, po ashtu “mundës i nivelit mbi mesataren”.

Si gjithnjë, siç kemi shpjeguar tashmë, sa herë flitet në shtypin e periudhës para pavarësisë për shqiptarë “grekë” apo për shqiptarë “turq”, fjala është thjesht për përkatësinë e tyre fetare, ose ortodokse, ose myslimane. Por çka e bën Konicën të entuziazmohet me mundësin shqiptar Hysen Mahmuti është pamja e tij: “Një trup me përmasa të hijshme, atlet shtatlartë i hajthëm, me bukuri ideale dhe me shpejtësi të çuditshme veprimesh, duke përdorur një teknikë të mahnitshme kapjeje me zhdërvjelltësi të krahëve e këmbëve “që i lëshon përpara si vetëtimë.” Po ashtu, vetë qetësia e mundësit gjatë ndeshjes flet për një profesionist të përgatitur nga ana psikologjike, duke qenë i sigurt për fitoren që do arrijë. “Edhe kur e mbështjell kundërshtarin me një forcë prej njëqind kuajsh, thotë Konica, ai ia dërrmon eshtrat si të donte ta përkëdhelte.”

Në pritje për t’u ndeshur, Hyseni stërvitet me shokun e tij Leonidha, dhe gazeta londoneze The Morning Leader shton se të dy shqiptarët, “si njëri dhe tjetri, do t’i hapin telashe kujtdo mundësi, sado i shkëlqyer qoftë”. Ata sqaron Konica, duan të fitojnë titullin e kampionit, do me thënë zotohen të mposhtin çdo mundës anglez, francez, turk, etj. “që do t’u dalë përpara në shesh (mejdan)”.

Këto ishin pak a shumë të dhënat që jep Konica rreth këtyre dy mundësve shqiptarë në fillim të shekullit XX, kur ende Shqipëria bënte pjesë në Perandorinë osmane, apo në Turqinë evropiane, në prag të kryengritjeve shqiptare për çlirim e pavarësi kombëtare.

Mirëpo, gjatë hulumtimeve tona, kemi hasur – madje me foto -, në revistën franceze të kohës La Culture Physique (1 tetor 1907), edhe një mundës tjetër me origjinë shqiptare, i quajtur Ibrahim Mahmuti (Ibrahim Mammouth), shtatlartësia 1 m 85, (ndoshta vëllai i Hysen Mahmutit t të mësipërm), i cili u ndesh në Paris me shokun e tij Jusuf Ismailoli (Joussouf Ismaëlolo, i gjatë ky 1 m. 88), ndeshje e cila u konsiderua “si ndeshje midis dy kolosësh”. “Këta dy atletë, thuhet në këtë revistë, ishin të denjë për t’u vënë në mbulesën e revistës; domosdo bëhet fjalë për dy turqit e tmerrshëm Jusuf e Ibrahim Mahmuti” [që të dy shqiptarë të fesë myslimane]. “Ata lanë në Paris një kujtim të paharruar, një përshtypje të pashlyeshme force, guximi dhe energjie. Njëri prej tyre, Jusufi, do të vdiste më pas në katastrofën e Burgonjës, kurse tjetri u kthye në vendin e tij, për të vazhduar zanatin si mundës në Oborrin e sulltanit. Ndoshta një ditë do ta shohim përsëri midis nesh.”

Në këtë shkrim, na bie në sy fakti se në frëngjisht mbiemri “Mahmuti” është shkruar “Mammouth” – ndoshta qëllimisht për të sjellë në vëmendje të lexuesit kafshën parahistorike “mamuth”, konsideruar si kafsha më e tmerrshme për forcën goditëse dhe sulmuese, si dhe për peshën e rëndë që dërrmonte gjithçka në ato kohëra kur planeti sundohej nga bota e gjigandëve dinozaurë.

Po japim më poshtë të plotë artikullin “Një ndeshje e tmerrshme mundjeje – Ibrahim Mahmuti i reziston Jusufit,” shkruar nga gazetari sportiv francez Léon Sée.

 Rubrika “Anakdotat tona”, revista “la Culture physique”, 1 tetor 1907.

Mbërritja në Paris e tre shtetasve turq Jusuf, Nurlah dhe Kara-Osman e kishte revolucionuar  botën e mundjes. Disa mundës të guximshëm ishin ndeshur me ta, por pas disfatash dërrmuese, askush nuk po paraqitej më për të përballur të tmerrshmit Orientalë, dhe sidomos kampionin e tyre Jusufin, që kishte epërsi të dukshme, duke merituar titullin e kampionit të botës.

Manaxheri i tyre Doublier, më kot kishte lëshuar thirrje sfiduese për t’u ndeshur me më të fortët e globit, por kush ishte matur tashmë me Jusufin, nuk pranonte më të ndeshej me të, ndërkohë që të tjerët rrinin strukur gjithkush në qosh të vet.

Tom Cannon, ish mundësi i njohur anglez, i shndërruar tanimë në drejtues dhe organizator ndeshjesh të bujshme vendosi më në fund të shkonte vetë në Turqi dhe të sillte që andej dikë të aftë për t’i bërë qëndresë “të pamposhturit” Jusuf.

Në Kostandinopojë, ai gjeti dy të pazakontë dhe gjer në atë kohë të panjohur në Francë: Kara-Ahmedin dhe Ibrahim Mahmutin, që të dy të famshëm në vendin e tyre, të cilësuar të barabartë me Jusufin, me të cilin digjeshin nga dëshira për t’u ndeshur. Nuk ishte kështu aspak e vështirë për Tomm Cannon t’i bindte ata mundës të venin në Paris dhe gjatë udhëtimit, u morën vesh që do të ishte Kara-Ahmedi, më i rëndi në peshë, që do të sfidonte Jusufin në Paris.

Një ndeshje, apo një betejë e vërtetë, siç do të na e kishte ënda ta cilësonim, u organizua pra dhe, që të dy kundërshtarët, në marrëveshje të përbashkët, kërkuan që mundja të bëhej sipas rregullave turke, domethënë të lejoheshin tërë kapjet e mundshme, “pa asnjë përjashtim”.

Në fakt, ishte mbi të gjitha një çështje epërsie që po vihej në lojë, se cili do shpallej kampion, ngaqë secili nga të kundërshtarët më shumë i jepte rëndësi nderit dhe lavdisë që do korrte, në rast fitoreje, se sa shumave në të holla, që megjithatë ishin të mëdha, kur organizatorët i kishin bërë mirë llogaritë për të fituar gjithkush pjesën e vet.

Kërkuan pra që ndeshja të zhvillohej sipas rregullores turke, atë që njihnin më mirë dhe që fitorja t’i bënte kështu të lavdishëm në vendin e tyre.

Ndeshja do bëhej në “Cirque d’Hiver”, por në çastin e fundit Kara-Ahmedi, që vuante nga abcese dhe nga një lungë e çarë, ia la vendin me keqardhje Ibrahim Mahmutit, po aq i barabartë sa ai në forcë e qëndresë.

Në qendër të një salle mbushur cipë më cipë, të dy kundërshtarët u vunë përballë shoshoqit, mu në shesh të mejdanit.

Zhveshur lakuriq nga mesi e sipër, veshur vetëm me brekushe lëkure të trasha, siç i mbajnë mundësit e sulltanit, ata përparuan me hap të ngadaltë, që të dy tepër shtatlartë, por që bënin përshtypje të ndryshme: Jusufi më i rëndë, më masiv në shtat që mishëronte forcën e papërmbajtshme, fuqinë e pashtershme, i ndezur nga një krenari dhe një besim i pakufishëm. Fytyra e tij e egër dhe e vrazhdë, vështrimi i tmerrshëm, pamja e një e mizorie të llahtarshme mund të kishin tmerruar cilindo, por kurrsei jo Ibrahim Mahmutin përballë tij, gjithë muskuj, gjë e rrallë tek Orientalët, por po aq shtatlartë sa kundërshtari dhe njëqind herë më i shkathët nga ai.

Me shpatulla të gjera, me shtat të bukur, ai shpaloste një forcë të çuditshme bashkuar me një zhdërvjelltësi mrekullore që i jepte pamjen e një bishe gati për hovje.

Nga tigri, ai kishte huazuar, po aq sa hijeshinë e fuqinë, edhe atë vështrim ngulitës të pamposhtur, që shfaqte energji të brendshme të tërbuar.

Me të fërshëllyer bilbili, përplasja e kundërshtarëve ishte e tmerrshme: me forcën  tyre të pakuptueshme dhe me njohjen e thellë të pikave të dobëta e të dhembshme, të dy kundërshtarët filluan të martirizojnë njëri-tjetrin, pa një ankesë, pa një shenjë dobësie, ndërkohë që lëkura e trupit po mavijosej, po avullonte dhe damarët gati sa nuk pëllcisnin nga mbërthimet mizore.

Për herë të parë Jusufi po haste një njeri të denjë për të; dhe çudia e tij e parë, përpara një qëndrese kaq të papritur, u shndërrua befas në tërbim të frikshëm. Kur ai pa se nuk po ia dilte dot atij njeriu të pandjeshëm ndaj dhembjeve dhe me guxim të pakufishëm, kur ai kuptoi se kapjet e tij më të fuqishme e më të dhembshme – të cilat nuk i kishin përballuar dot as pesë minuta qoftë gjigandi Nurlah, qoftë çdo mundës tjetër -, nuk kishin shkaktuar asnjë efekt te kundërshtari i tij, që s’po jepte kurrfarë shenje ankimi apo këputjeje, por veçse ishte mbuluar nga djersët, dhe më në fund, kur ai vuri re se, me gjithë lodhjen dhe rraskapitjen, kapjet dhe sulmet e Ibrahimit ishin po aq të fuqishme dhe energjike sa të tijat, atëherë, Jusufi u bë absolutisht si i lojtur mendsh.

Tek u vërvit mbi kundërshtarin, i bëri këtij një seri kapjesh që më shumë ngjasonin  me goditje dashi se sa me mbërthime mundjeje, ia dërrmoi brinjët e kockat dhe u përpoq t’i thyente krahët e ta mbyste krejt.

Mirëpo, Ibrahim Mahmuti në gjunjë mbi tapet, me pamje të qetë gjatë tërë atyre sulmeve të tmerrshme, po e përballte tjetrin më së miri, po aq i paepur e guximtar pas gjysmë ore luftimi sa në fillim të ndeshjes. Duke mos mundur ta nënshtrojë, Jusufi vendosi në këtë rast të përdorë mënyrat e forta.

Tërë goditjet lejoheshin dhe tek e mbërtheu kundërshtarin në qafë me një kapje të llahtarshme që nuk mund ta përshkruaj, gati po ia shkulte anash me dorën tjetër vrimat e hundës. Ky i fundit, fytyrën gjithë gjak dhe me dhembje të padurueshme që do ta bënin edhe një dem të shembej përtokë, vazhdonte të rezistonte; por nuk mund të rezistonin më publiku dhe juria, përpara gjithë atij tmerri.

Tom Cannon i pari u lëshua mbi të dy mundësit e lidhur trup më trup dhe i kërkoi Jusufit ta lëshonte shokun. Po tjetri nuk ia vuri veshin dhe atëherë Tomi filloi ta godasë me tërë fuqitë,  duke  i dhënë goditje bastuni mbi kurriz, ndërkohë që epiderma e zeshkët e turkut ravijëzohej  me shirita mavi pas çdo goditjeje.

Jusufi vijonte ta mbante tjetrin të shtrënguar dhe duke u kthyer nga kundërshtari i ri, i lëshoi këtij një vështrim aq të llahtarshëm sa Tom Cannon u praps nga frika. Ahere publiku u lëshua mbi pistë dhe mbërtheu Jusufin, që më në fund u detyrua ta lëshojë kundërshtarin.

Në atë çast, një komisar policie, i shoqëruar nga gjashtë karabinierë depërtoi në sallë dhe menjëherë u vu rendi e qetësia. I veshën si mundën të dy orientalët, duke u hedhur përsipër setrat e tyre dhe një grup njerëzish morën për nga komisariati, policë, mundës, organizatorë të ndeshjes, si dhe një turmë e eksituar që bërtiste si mundte kundër Jusufit.

Ky, i mbajtur nga të dy krahët nga policë, nuk bëri asnjë qëndresë, po kur kthente kohën herë pas here drejt atyre që çirreshin dhe e kërcënonin në mënyrë aq qesharake, u lëshonte një nga ato vështrime të vetat që i bënin të tjerët të prapseshin e të strukeshin, ndërkohë që gjashtë vetë nuk po arrinin ta mbanin atë nga krahët, të cilat i vërviste si helikë.

Në komisariat, oficeri i policisë që i mori në pyetje ishte në siklet përpara atyre dy gjigandëve të plagosur e gjithë gjak, por të pamposhtur. Dhe kur i rrëfyen gjithë peripecitë e ndeshjes, ngeli një çast pa ditur si të veprojë.

  • A do bëni padi ndaj kundërshtarit tuaj? – pyeti më në fund Ibrahim Mahmutin.

Ky, me një krenari të habitshme,me t’i përkthyer pyetjen, u përgjigj me anë të interpretit:

  • Padi, unë? Aspak. Ne thjesht u ndeshëm, nuk bëmë gjë tjetër!

Pastaj, gjithë mburrje shtoi, duke u kthyer nga oficeri i policisë:

  • Tek ne, është normale që burrat të ndeshen; dhe vetëm gratë përloten.

Asnjëherë tjetër të dy kundërshtarët nuk patën rastin ta përfundonin atë ndeshje aq të barabartë; do të takoheshin të dy disa ditë më pas, pa i mbajtur kurrfarë mërie njëri-tjetrit dhe nëse Jusufi krijoi përshtypjen e një epërsie, Ibrahim Mahmuti mund të mburrej nga ana e tij se ishte i vetmi njeri në botë që i kishte dalë atij ballë për ballë.

 

Filed Under: Histori Tagged With: Fotaq Andrea, në nivele botërore, Sportistë shqiptarë

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2734
  • 2735
  • 2736
  • 2737
  • 2738
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT