• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kryepeshkop Anastasios rreshton KOASH kah kishave grekofone

June 10, 2016 by dgreca

Nga Arben LLALLA/

Ashtu siç pritej, Ministri i jashtëm i Greqisë z. Nikos Kotzias vizitoi edhe “kryebariun” e shqiptarëve, kryepeshkop Anastasin në selinë e tij. Kështu, ministri grek, nuk bëri asgjë më tepër nga çdo të kishte bërë çdo zyrtar i lartë i Greqisë, nëse do të vizitonte kishat helenofone të botës. Me këtë praktikë, shteti grek tregon haptazi se e konsideron dhe e trajton KOASH-in, ashtu si Patrikanat e tjera greko-ortodokse. Në MPJ greke, ekziston zyra e çështjeve kishtare (EE), që koordinon politikat dhe lëvron fondet për kishat greke të botës, me anë të të cilave arrihet edhe e ashtuquajtura diplomacia kishtare, për përhapjen e helenizmit në botë. Këtë gjë, pra që KOASH është mjet diplomatik i Greqisë, Kotziasi ia tha natyrshëm Janullatosit kur e vizitoi, dhe bëri gjënë më tëkuptueshme, sepse shteti grek, me këtë sy i sheh kishat autoqefale grekofone.

Që të kuptohet më mirë këtë iden, ortodoksia botërore konsiston në një organizatë federative prej 14 kishash autoqefale, të cilat ndajnë të njëjtën doktrinë dhe jetë religjioze. Brenda kësaj “konfederate” kishash, ka disa kisha greke, pastaj ruse, rumune, bullgare, serbe, arabe, gjeorgjiane, etj. Si çdo organizatë që ndikon në disa dhjetëra milionë njerëzish, është normale që brenda të lëvizin qëllimshmëri politike. Dy janë polet kryesore që duan të ndikojnë mbi politikat kishtare ortodokse. Poli grek, me në krye Fanarin, por që varet direkt nga shteti grek, dhe poli rus, me në krye Patrikanën e Moskës, sigurisht nën ndikimin e Kremlinit. Kishat e tjera, janë satelitë të këtyre dy poleve, pak a shumë si shtetet e vogla, që janë o me perëndimin o me lindjen, kur votojnë në OKB.

Për më shumë se 50 vjet, këto 14 kisha po përpiqeshin të mblidheshin në një forum të përbashkët botëror, i quajtur Sinod i Madh, siç mblidheshin dikur në koncilet ekumenike, por pa rezultat, pasi përplasjet e brendshme dhe debatet se kush është i pari e kush i fundit ua bënin të pamundur këtë akt. Më së fundi, u vendos që në fund të qershorit të mblidhen në Kretë, por ditët e fundit, disa kisha, e Serbisë, e Bullgarisë, e Gjeorgjisë dhe Patrikana e Antiokisë, dhe nuk dihet nëse më vonë ndonjë tjetër, po deklarojnë bojkotimin e këtij sinodi. Si pasojë, shqetësim i madh është krijuar brenda lobit grek që po lufton me thonj për të mbajtur primacinë brenda këtij forumi religjiozo-politik, pasi bëhet qesharak autoriteti i Fanarit që e shpall veten si froni i parë i ortodoksisë dhe që kur thërret sinod panortodoks, gati 1/3 e kishave e injorojnë me bojkot. Këtë panik, e ka ndarë këto ditë edhe Anastas Janullatosi, ku në një deklaratë zyrtare të KOASH, e dt. 8 qershor 2016, e quan mbledhjen e këtij sinodi të domosdoshëm dhe kritikon kishat e tjera, (ato jo greke sigurisht), se po luajnë politikisht, dhe i quan madje ato “palë”, thua sikur i konsideron kundërshtarë, duke harruar që u flet kishave simotra, për të përdorur terminologjinë kishtare. Por Athina i dha urdhër dhe duhet t’i bindet. Me këtë veprim, ai përligj më së miri, pritshmëritë e Fanarit dhe shtetit grek, që KOASH, sa herë të ketë debate brenda ortodoksisë, të rreshtohet kah kishave grekofone. Për herë të parë në historinë e kishës, mblidhet një sinod, ku harrohet modeli i lashtë kishtar, ai i votimit prej të gjithë peshkopëve, dhe imitohet modeli i OKB, ku çdo kishë disponon një votë, ndaj shqetësimi i politikës së jashtme greke, është të pushtojë dhe të ketë sa më shumë frone me orientim grekoman, brenda konfederatës prej 14 kishave. Në këtë mënyrë, lobi grek, me dinakëri odiseane imponohet me vota fronesh, pasi ka më shumë frone grekofone, edhe pse ka më pak besimtarë grekë sesa sllavë apo rumunë në botën ortodokse. Gjeniale, këtu grekët duhen lavdëruar për strategji të hollë. Por qëpo u kuptohet dhe po u hidhet në erë nga rrymat kishtare që nuk preferojnë të jenë në ombrellën e tyre.

Ndaj, shteti grek, me anë të Janullatosit, e ka arritur më së miri këtë qëllim, duke shfrytëzuar më së miri verbërinë dhe indiferencën e politikës shqiptare që u shkon shumë për shtat. Kur dikur, politika shqiptare veproi me efikasitet, e arriti marrjen e plotë të autoqefalisë. Ndërsa kur sot, ajo merret me vogëlsira dhe interesa të ditës, shteti grek, me anë të ministrit të jashtëm Kotzias, na e thotë në mes të Tiranës se Janullatosi ka bërë punë të mirë, pasi jo vetëm që ka bërë çfarë ka dashur me kishën shqiptare, që vetëm shqiptare nuk ka mbetur më, jo vetëm që greqizoi çdo ambient ortodoks të gjallësh e të vdekurish, por tani është edhe kartë e hapur dhe votë e fuqishme progreke, sa herë që forumi ortodoks botëror do të mblidhet në sinod.

Burimet e mia më thonë se Anastas Janullatosi ka përgatitur edhe një spektakël PR-i të lezetshëm, për të na hedhur hi syve, pasi ai është mjeshtër i komunikimit publik. Ai do të meshojë në shqip në Kretë, shoqëruar edhe nga kori kishtar shqiptar, si për të na thënë, që ja, ju më akuzoni për predikime greqisht, e unë jua çoj shqipen në zemër të ortodoksisë, por harron hirësia e tij, se shqiptarët janë aq të mençur sa të shohin përtej skenës, deri tek regjia matanë kufirit, që e drejton atë në misionin e tij antishqiptar për çerek shekulli. Këtë spektakël mund ta përdorë sigurisht, vetëm për konsum të brendshëm, pasi aty i duhet, ngaqë me veprimtarinë e tij politike dhe antikishtare, ka arritur ta zbresë anëtarësinë ortodokse në minimume historike.

Dy gjëra bëjnë njerëzit kur ndihen të ofenduar dhe të papërfaqësuar fetarisht, ose ndërrojnë fe, ose e lënë fenë. Por lobit grek, të dyja këto alternativa i interesojnë, pasi një kishë e vogël, pa besimtarë, që nuk protestojnë, është me e lehtë për t’u kontrolluar. Shteti shqiptar duhet të kuptojë, që i pëlqen apo jo, KOASH në Shqipëri do të jetë sa të jetë vetë shteti. A dëshiron politika jonë t’ia lërë fronin shqiptar, dhe votën që ne disponojmë në forumin e 14 kishave autoqefale ortodokse, grekëve, duke e dorëzuar KOASH-in pa kushte? Apo do të ishte më mirë, që këtë votë, këtë zë, këtë ndikim sado të vogël në ortodoksinë botërore, t’ua kthejmë sërish shqiptarëve?

Për të mos thënë, a do ta lërë akoma shteti shqiptar KOASH, si vegël e diplomacisë greke, sipas deklaratës së hapur të Kotziasit në mes të Tiranës, si mjet greqizimi të shqiptarëve ortodoksë, apo do përpiqet ta kthejë në natyralitetin e saj, si përhapëse të krishtërimit ortodoks dhe të atdhedashurisë për Shqipërinë?

Këto i shkruaj, që të mos më thotë dikush nesër justifikimin e famshëm: “Po si nuk na i the këto gjëra, se ne nuk i dinim…”. Tani përgjegjësia ju takon juve që më lexuat.

 

 

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: arben llalla, Kryepeshkop Anastasios rreshton KOASH, Nikos Kotzias

Kosova, festime në 138 vjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

June 10, 2016 by dgreca

-Kosova në festimet e 17 vjetorit të lirisë sot kujton edhe 10 qershorin e para 138 viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit/

-Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare janë shënuar tradicionalisht në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit nga regjimi serb. Raportova nga Prizreni edhe kur na ndaluan atje policia serbe në 10 qershor 1997/

-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi: Dita e 10 qershorit 1999 ishte ditë e kthesës së madhe për popullin tonë. Kjo ditë shënoi fundin e spastrimit etnik dhe të krimeve të Serbisë në Kosovë/

Nga korrespondenti në Kosovë i Gazetës DIELLI, Behlul JASHARI/

PRIZREN-PRISHTINË, 10 Qershor 2016/ Në qytetin më të madh jugor të Kosovës, Prizren, sot si tradicionalisht festohet përvjetori i Lidhjes Shqiptare. Në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, atje ku para 138 viteve u mbajt Kuvendi historik drejt themelimit të shtetit shqiptar, sot kanë nisur veprimtaritë me vendosjen e kurorave për të vazhduar gjatë ditës me akademi solemne, ekspozitë dhe orë letrare. Në mbrëmje mbahet Koncerti Festiv i Lidhjes në Sheshin e Dëshmorëve.

Në veprimtaritë sot në qytetin historik u vlerësua se, Lidhja Shqiptare e Prizrenit mishëroi në të njëjtën kohë edhe vet lëvizjen kombëtare që zhvilloi populli shqiptar për të realizuar programin e Rilindjes Kombëtare.

“Për këtë arsye, Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte në të njëjtën kohë një lëvizje kombëtare revolucionare e mbarë shqiptarëve kudo që ndodhen.
Lidhja Shqiptare e Prizrenit luftoi për vetëqenie dhe zhvillime përparuese me vlera perëndimore. Veprimtaria e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit tregoi se me qëndresën e armatosur të patriotëve dhe me luftën diplomatike që zhvilloi për mbrojtjën e tokave shqiptare, detyroi Fuqitë e Mëdha të rishikonin tri herë me radhë vendimet e tyre. Lidhja Shqiptare e Prizrenit edhe pas shtypjes, me programin e saj politik rriti përgjegjësinë dhe vetëdijën kombëtare që u realizua me 28 nëntor 1912 me shpalljen e Shqipërisë shtet të pavarur”, u theksua sot në Prizren.

“Urime 138 Vjetori i Lidhjes Shqipëtare të Prizrenit!”, shkruan në faqen zyrtare të komunës së qytetit historik.

Veprimtaritë festive vazhojnë edhe në dy ditët e ardhëshme. Nesër nisin me orën letrare për fëmjë “Nën hijen Rrapit”,  për të vazhduar te Keji i Lumëbardhit me transmetimin nga kampionati evropian i futbollit “Euro 2016” të historikes Shqipëri-Zvicër, e në mbrëmje me koncert të Shoqërisë Kulturore Artistike “Agimi” në Seshin e Dëshmorëve dhe shfaqjen “Shërbëtori i dy zotërinjëve” në Teatrin Profesionist të Prizrenit.

Të dielen, aktivitetet në qytetin e Prizrenit për përvjetorin Lidhjes Shqiptare nisin me homazhe dëshmorëve të lirisë e pavarësisë dhe vazhdojnë me turneun tradicional në ping-pong “Trofeu i Lidhjes” në Qendrën e Sporteve, me çiklizëm të nxënësve të shkollave me nisje nga Seshi i Shatërvanit, me koncert të grupeve muziokore të komuniteteve dhe përmbyllen në mbrëmje vonë me koncerin e Ansamblit të Këngëve dhe Valleve “Lidhja e Prizrenit” në Sheshin e Dëshmorëve.

Kosova, edhe në qytete e lokalitete tjera, në festimet e 17 vjetorit të lirisë sot kujton edhe 10 qershorin e para 138 viteve të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit.

Përvjetorët e Lidhjes Shqiptare janë shënuar tradicionalisht në Kosovë, në qytetin e Prizrenit, në kërkim të lirisë, edhe kur ishte e ndaluar, në rrethanat e rënda të dhunës dhe okupimit nga regjimi serb.  Edhe në atë kohë veprimtaritë kushtuar Lidhjes Shqiptare i kam raportuar vit pas viti. Isha në në Prizren në ekipin e gazetës përditëshme të rezistencës në Kosovë “Bujku” për të raportuar për përvjetorin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit edhe për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë -ATSH në 10 qershorin  e vitit 1997 të pragluftës kur na ndaluan mes kërcënimit me armë policia e regjimit okupator serb, e cila edhe mori dhe asgjasoi fotot – filmat e aparatit fotografik, por kurrë nuk arriti të ndalojë raportimet.

Në 17 vitet e lirisë në Prizren e në qytetet e tjera të Kosovës festohen ditët e çlirimit, duke nisur me Ditën e Lirisë – 12 qershorin, ditën kur në vitin 1999 nisën të hyjnë forcat shpëtimtare të NATO-s, hyrjen e të cilave poashtu e kam raportuar duke qenë në kolonën e tankeve të para të forcës më të madhe planetare që kalonin kufirin nga Maqedonia, në orën 05:17, herët në mëngjes.

Në kuadër të KFOR në Kosovë në vitin 1999 kanë hyrë 37.200 ushtarë nga 37 vende, pasi kishte përfunduar fushata ajrore e NATO-së ndaj caqeve të forcave serbe që kishte nisur në 24 mars, kur goditjet e para që ndodhën rreth orës 20:00 në mbrëmje i raportova nga Prishtina. Fushata ajrore e NATO-s zgjati 78 ditë dhe përfundoi pikërisht para 17 viteve në 10 qershor, pas kapitullimit të forcave të kasapit të Ballkanit Sllobodan Millosheviç, i cili ka përfunduar në Gjykatën Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë.

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shprehur sot se, dita e 10 qershorit 1999 ishte ditë e kthesës së madhe për popullin tonë.

“Kjo ditë shënoi fundin e spastrimit etnik dhe të krimeve të Serbisë në Kosovë. Mbi themelet e kësaj dite kemi ndërtuar shtetin tonë. Sot, 17 vjet më pas, ne jemi në rrugë të mbarë për ta jetësuar aspiratën për një Kosovë anëtare të BE-së dhe NATO-s. Të bashkuar si 17 vjet më parë, ne duhet ta rikthejmë entuziazmin dhe ta transformojmë atë në zhvillim të vendit dhe në mirëqenie të qytetarëve”, ka theksuar Thaçi.

Në 17 vjetorin e lirisë, Kosova me pavarësinë e shpallur në 17 shkurtin historik 2008, është e njohur nga 111 shtete anëtare të OKB-së dhe e anëtarësuar në shumë institucione e organizata ndërkombëtare, evropiane e rajonale.

Këtë vit – në 2016-ën, në 1 prill, nisi zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, e nënshkruar në 27 tetor 2015 në Strasburg  dhe e ratifikuar në Parlamentin kosovar pas pak ditësh, në 2 nëntor. Marrëveshja për Stabilizim Asociim, e cila krijon për herë të parë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, është vlerësuar ngjarja më e rëndësishme e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë.

Filed Under: Histori Tagged With: 138 Vjetori, Behlul Jashari, kremtim, Lidhja e Prizrenit

TRAGJEDIA çame në photografi

June 10, 2016 by dgreca

Foto tronditëse të dëbimit të çamëve nga Greqia më 1945/


Foto tronditëse të dëbimit të çamëve nga Greqia më 1945

Nga Robert Elsie/

Çamët, të njohur në greqisht si Tsamides, janë shqiptarë të cilët banojnë në pjesën më jugore të trevave shqipfolëse. Krahina e tyre, Çamëria, është një zonë malore në kufirin greko-shqiptar. Pjesa më e madhe e Çamërisë ndodhet në rajonin e Epirit grek, i cili përfshin pak a shumë prefekturat e Thesprotisë dhe të Prevezës, por Çamëria përfshin edhe pjesën më jugore të Shqipërisë, d.m.th. zonën e Konispolit.Kur forcat greke morën Çamërinë dhe Epirin gjatë Luftës Ballkanike të vitit 1912, çamët përfunduan papritmas në Greqi, të shkëputur nga pjesa tjetër e Shqipërisë. Me tërheqjen e forcave gjermane nga Greqia në verë dhe në fillim të vjeshtës të vitit 1944, rajoni ndodhej në fazën e parë të një lufte të përgjakshme civile. Për të siguruar bregdetin jonian për furnizimet e tyre ushtarake, forcat britanike lejuan që njësitë e një komandanti vendas grek, gjenerali Napoleon Zervas (1891-1957), të pushtonin rajonin.

Zervasi, themeluesi dhe udhëheqësi i Lidhjes Kombëtare Republikane Greke (Ethnikós Demokratikós Ellenikós Sýndesmos – EDES) u bë i njohur për spastrimin brutal etnik të shqiptarëve të Çamërisë nga qershori 1944 deri në mars 1945. Njerëzit e tij i shikonin çamët si bashkëpunëtorë të italianëve dhe të gjermanëve, dhe kërkonin të merrnin hak. Gjatë sulmeve të tyre, gjetën vdekjen disa mijëra burrë, gra dhe fëmijë në Çamëri. Më 27 qershor 1944, forcat e Zervasit hynë në qytetin e Paramithisë dhe vranë rreth 600 çamë myslimanë – burrë, gra, dhe fëmijë – në një kërdi të paparë. Shumë viktima u përdhunuan dhe u torturuan para se të thereshin. Një batalion tjetër i EDES-it pushtoi Pargën të nesërmen ku u vranë 52 shqiptarë. Me 23 shtator 1944, fshati i Spatarit të Filatit u plaçkit dhe 157 persona u vranë.

Shumë gra dhe vajza u përdhunuan, dhe u kryen shumë krime të tjera të llahtarshme. Menjëherë pas këtyre ngjarjeve, tërë popullata çame, e pambrojtur dhe e tmerruar, mori arratinë dhe iku për në Shqipëri për të shpëtuar. Sipas përllogaritjes së shoqatës çame të Tiranës gjatë sulmeve të viteve 1944-1945, u vranë gjithsej 2,771 civilë shqiptarë.Spastrimi i çamëve myslimanë të Greqisë në fund të Luftës së Dytë Botërore shënoi përfundimin e një kapitulli të dhimbshëm të historisë çame dhe fillimin e një tjetri. Vendi ku arritën çamët e rraskapitur dhe të uritur, pra Shqipëria, ishte pushtuar pak kohë para ardhjes së tyre, nga Enver Hoxha (1908-1985) dhe forcat e tij komuniste. Udhëheqësit e rinj marksistë nuk u treguan shumë mikpritës apo tërësish të predispozuar për të ndihmuar bashkatdhetarët e tyre çamë. Megjithatë, çamëve iu dhanë status si refugjatë dhe u lejuan të qëndronin në Shqipëri.

Çamët morën ndihmë jo nga regjimi i Enver Hoxhës, por nga Administrata e Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rehabilitim (United Nations Relief and Rehabilitation Administration, UNRRA), e cila shpërndau çadra, ushqim dhe ilaç në kampet e mjeruara çame në Vlorë, Fier, Durrës, Kavajë,Delvinë dhe Tiranë. Gjatë viteve pas Luftës së Dytë Botërore, Komiteti Antifashist i Emigrantëve Çamë bëri fushatë për kthimin e çamëve në vendlindjen e tyre. Duhet theksuar se shumica e tyre nuk donin të rrinin në Shqipëri, veçanërisht duke marrë parasysh spastrimet e tipit stalinist që pozhvilloheshin aty. Komiteti mbajti dy kongrese në vitin 1945, një në Konispol dhe tjetri në Vlorë. Komiteti hartoi memorandume dhe dërgoi telegrame në mbështetjen e qëllimeve të tij. Në vitin 1946, Përfaqësuesi i Shqipërisë ngriti çështjen çame në Konferencën e Paqes të Parisit, por tëgjitha veprimet rezultuan të pafrytshme. Përpjekjet për të internacionalizuar çështjen çame ranë kryesisht në vesh të shurdhër. Për vite më radhë, çamë vazhduan të shpresonin se situata politike do të qetësohej dhe se ata do të mund të ktheheshin në Greqi. Por kjo nuk u bë. Edhe sot, në shekullin e 21-të, çamët e moshuar që kërkojnë të hyjnë në Greqi për një vizitë kthehen në kufi nga zyrtarët kufitarë grekë. Pasaportët e tyre stampohen me persona non grata ose madje grisen parasyve të tyre.

Fotografitë e këtij koleksioni janë bërë në vitin 1945 në kampet e refugjatëve çamë në Shqipëri nga antëtarët e Administratës së Kombeve të Bashkuara për Ndihmë dhe Rehabilitim (UNRRA). Ruhen në Arkivin e Kombeve të Bashkuara.

Filed Under: Histori Tagged With: Robert Elsie, TRAGJEDIA çame në photograi

Meta: Ftoj Bashën në takim

June 10, 2016 by dgreca

Ilir Meta ka thene se Reforma nuk është në kalendarin e Kuvendit./

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi sot se paketa e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi nuk është pjesë e kalendarit të punimeve të Kuvendit. Në një konferencë për mediat Meta u shpreh se procesi është i vonuar për shkak të mungesës së konsensusit.

Kreu i Kuvendit bëri dhe një ftesë për kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai tha se i ka kërkuar kreut të PD-së, Lulzim Basha që të zhvillojnë një takim për të diskutuar mbi procesin. “I kam kërkuar takim kreut të PD-së, në vendin dhe në formatin që ai do. Natyrisht deri ditën e hënë”,- tha Meta.

Sipas Metës, arsyeja për një kufizim në kohë deri ditën e hënë, është për shkak të kohës së humbur për të miratuar këtë reformë.

Kreu i Kuvendit tha se si drejtues i institucionit ligjvënës ai ka përgjegjësi kushtetuese për reformën. “Takimi mes meje dhe Z. Basha është kërkuar nga unë si takim zyrtar. Nuk është takim informal. Jam shumë fleksibël për çdo gjë që ka të bëjë me vendin e takimit, formatin e takimin. Por nuk jam fleksibël te koha. Jam gati që tani, në mesnatë, pa u gdhirë mirë, por para së hënës. Sepse koha kompliko procedurat parlamentare, aq më tepër kur bëhet fjalë për ndryshimet kushtetuese”,- tha kreu i Kuvendit.

Ai u shpreh se procesi i reformës duhet të ecë me ritme të shpejt, pasi nuk bëhet fjalë vetëm për votim, por edhe për zbatim të saj.

Filed Under: Kronike Tagged With: Ftoj Bashën në takim, Meta

PSE SHQIPËRIA NUK KA AMBASADOR NË VATIKAN !?

June 10, 2016 by dgreca

Nga Fritz RADOVANI/

 Ne Foto:Ronald Reagan i dorzon Nanës Tereza, Medaljen Presidenciale të Lirisë, në Shtëpinë e Bardhë, me 20 Qershor, 1985./

 ■Me 25 Maji 1945, perfaqsuesi i Vatikanit në Shqipni Imzot Leone G.B. Nigris, nxiret jashtë Shqipnisë nga qeveria sllavokomuniste e Tiranës, që e drejton anadollaku Enver Hoxha. Në vitin 1954, kam njoh Don Mark Hasin, i cili në vitin 1956 më ka tregue per bisedimet e fundit që ka pasë me Imz. Nigris, në hotel “Dajti”, perpara se Ai të largohej perfundimisht nga Shqipnia.

■Shpjegimet e bame nga At Konrrad Gjolaj, në librin “Çinarët” per porositë e Imz. Nigris të lanuna Don Markut, janë shumë të sakta. Don Marku me të vertetë porositë ua kaloi Imz. Gasper Thaçit, Argjipeshkëv i Shkodres, po edhe Imz. Frano Gjinit, Abat i Mirditës, që u ngarkue me postin e Zv. Nuncit Apostolik të Delegacionit të Vatikanit në Shqipni. Detyrë me randsi që u vazhdue me nder nga Imz. Frano Gjini, deri diten që u pushkatue me 11 Mars 1948. Mbas arrestimit të Imz. Gjinit në nandorin e 1946, asht kenë Argjipeshkëv në Tiranë Imz. Vinçenc Prennushi, që u mundue me mbajtë lidhje me anen e misjoneve anglo – amerikane me Vatikanin, po loja e atyne misjoneve në Tiranë, i kushtoi shumë shtrenjtë të gjithë Klerikëve Katolik të Shqipnisë.

■Mbas vitit 1947, kur u arrestue edhe Imz. Prennushi, lidhjet me Vatikanin as, direkt as, indirekt nuk kanë funksionue ma. Po e njajta lojë vazhdoi edhe me ambasaden italiane dhe franceze mbas viteve 1950, kur u bane shumë përpjekje nga Klerikët e Tiranës me u lidhë me Vatikanin per Projektin e Statutit të Kishës Katolike, që aprovonte “shkëputjen e Kishës” nga Papa dhe Vatikani, në vitin 1951. Konferenca e Paqes, në 1952 në Tiranë, ua vuni vulen e turpit të gjitha komuniteteve fetare. Askush nuk asht pendue deri sot!

■Në vitin 1967, “Revolucioni Ideologjik dhe Kulturor”, i drejtuem nga vetë terroristi Enver Hoxha, me pasuesin e tij servil Ramiz Alia, u vulos dhe la dokumentin ma të pakundershtueshem në Shkoder, me “Muzeun Ateist”, një turp i pashembullt në pragun e 500 vjetorit të vdekjes së Heroit Kombtar Gjergj Kastriotit.

■Shqipnia u shpall “Shtet ateist” me të gjitha tiparet e turpit në Europë!

■Shpallja e “Shqipnisë ateiste” nuk ishte aspak formale, po gjatë gjithë periudhës që asht kenë nen thundren sllavokomuniste, ajo ishte model i luftës kunder Fesë, kulturës dhe të gjitha tipareve të Europës Perëndimore, per të cilat u punue deri në vitin 1944.

 1985…RONALD  REAGAN i dorzon Nanës Tereza, Medaljen Presidenciale të Lirisë, në Shtëpinë e Bardhë, me 20 Qershor, 1985.

■Plot mbas 40 vjetësh, Presidenti Amerikan Ronald Reagan “veshtron” nga Shqipnia!

■16 TETOR 1978, Karol VOJTILA zgjidhet Papa i Kishës Katolike në Vatikan.

Fillon takimet me udhëheqës shpirtnor e politik nga gjithë Bota…fillon lidhjet me shumë shtete të mbetuna pezull si ShBA, BRSS, Hungari, Çekosllovaki, Rumani etj…(1990).

20 Mars 1991, vjen per vizitë private Zv/Ministri Claudio Celi, pergjegjës per mardhanje të Vatikanit në KSBE, dhe me rasen e vizitës së Tij në Shkoder, jemi takue në Turizmin e Shkodres, ku kemi shkembye mendime per lidhjet e ardhëshme me Vatikanin.

■22 Gusht 1992, Papa Gjon Pali II ban Apelin e sigurimit Paqës në Ballkan…

■2 Dhjetor 1992, Ramiz Alia shpallë: Shqipnia antare e “Konferencës Islamike”…

■Prill 1993, Paraqet letrat kredenciale pranë Selisë Shenjte Ambasadori Villy Kamsi.

■25 Prill 1993, PAPA GJON PALI II viziton Atdheun e Gjergj Kastriotit…

■21 Shtator 2014, PAPA FRANÇESKU, viziton Tiranën në pragun e “rilindjes”…

■Kanë kalue dy vjetë që “Rilindja” e Tiranës nuk gjenë asnjë “Katolik”, me e dergue Ambasador në Vatikan… Mos ndoshta, “ngerrçi” i para 70 vjetëve, që në 1945 na nxori nga Europa per 50 vjetë, na ka marrakotë…e janë ba 25 vjetë që “Shqiptarët” nuk gjejnë ende çelsat e “Dyerve të Europës”…Edhe pse Vatikani asht perballë Shqipnisë!

***

■Kam bindjen se kur ishte Papa Gjon Pali II, me detyren e madhe Fetare në Vatikan, askush ma mirë se Ai, nuk e ka njoh komunizmin shkatrrues të Njerzimit Perparimtar!

■E këte e verteton ma mirë se gjithshka thanja e Tij aktuale per Popullin Shqiptar:

“Ajo që ka ngja në Shqipni të dashtun Vllazën dhe Motra,

nuk asht pa kurrë në historinë e njerzimit!”

Melbourne, Qershor 2016.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: Fritz radovani, në Vatikan, NUK KA AMBASADOR, PSE SHQIPËRIA

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2735
  • 2736
  • 2737
  • 2738
  • 2739
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT