• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vlerësimi i Kadaresë, nderim për të gjithë shqiptarët

May 31, 2016 by dgreca

Shkruan:Gani Qarri Cyrih/

Ishte viti i largët 1966, kur poeti i mallit dhe dashurisë së pashuar për Kosovën, protagonisti i lotëve të dhembjes, shpërfaqur si pika të shiut mbi qelq, nga imazhi i krijuar në lartësitë qiellore, derisa si udhëtar i “rastësisë”përmes vrimave të dritareve të vogla të avionit, reve dhe vranësirave të zymta, me mall shihte tokën e Kosovës nën sundimin e huaj të sertë,Kadare krijoi njërën nga poezitë më të njohura dhe të paharruara të tij, me titull “Kosova”. 

Pikërisht mu ky krijues gjenial,i shumë veprave të njohura, të përkthyera në dhjetëra gjuhë botërore, pas një kontributi shumëvjeqar, të gjatë e të gjerë letrar e kulturorë, u shpërblye me të drejtë nga njëri prej personaliteteve më të larta franceze dhe evropiane, si presidenti Hollande, me çmimin më të vlerësuar ndërkombëtar, deri më tani. 

Për Kadarenë si autor dhe personaliteti më i devotshëm i identitetit kombëtar të shqiptarëve kudo, data e 30 majit të vitit 2016, do të mbetet një ngjarje e paharruar historike dhe eveniment i pashlyer përjetshëm, në memorien e të gjithë bashkëkombësve tanë.

 Vlerësimi ndaj tij, merr peshë të veçantë edhe për faktin se nga një tubim që sipas parimit shtetëror francez, tradicionalisht organizohet për disa personalitete bashkë dhe shpërblimet në emër të presidentit, ndahen nga dikush tjetër, kësaj radhe, ky eveniment u organizua si ceremoni e veçantë solemne, vetëm për Kadarenë me një rreth të ngushtë të ftuarish në pallatin presidencial “Elize”, ku vet presidenti, Francois Hollande, nderoi personalisht shkrimtarin shqiptar, Ismail Kadare me vlerësimin më të lartë që Franca ndanë për personalitetet më të shquara, urdhrin; “Komandant i Legjionit të Nderit”!.

 Ismail Kadare, kohë pas kohe, është nderuar edhe me shpërblime të tjera në vend dhe në botë, madje ende pa kaluar tri javë të plota nga ky eveniment, në Konferencën Ndërkombëtare me titull “Shekulli i Kadaresë”, mbajtur më 13 Maj 2016 në Tiranë, presidenti i Shqipërisë, z. Bujar Nishani, nderoi shkrimtarin më të mirënjohur të kombit tonë, z. Ismail Kadare me dekoratën e lartë të Flamurit Kombëtar.

 Por pa nënvlerësuar për asnjë çast dekorimin e lartë kombëtar dhe vlerësimet tjera të rëndësishme, dedikuar atij, Urdhri i veçantë që për herë të parë iu nda një personaliteti të shquar ballkanas, nga vet presidenti i Francës,z. Hollande, nderon Kadarenë dhe të gjithë shqiptarët, rritë pafundësisht mirënjohjen ndaj krijuesit tonë gjenial, dhe zgjeron kufijtë e vlerësimit të tij, në përmasa qindra milionëshe-evropiane dhe botërore.

 Presidenti francezë, jo vetëm se foli fjalët më të mira për shkrimtarin shqiptar, por duke njohur në hollësi vlerat dhe aftësitë gjeniale të tij, Francois Hollande, Kadaren e quajti Evropian që e do Evropën dhe “avokues” e mbrojtës të vendosur të kulturës evropiane.

 Urdhëri me të cilin Hollande nderoi Kadarenë, është i vjetër dhe me traditë. Ai daton që nga koha e Napoleon Bonapartës i cili si udhëheqësi kryesor i Francës dhe kryekomandant i ushtrisë, qysh në vitin 1802, e kishte përjetësuar këtë çmim, duke e projektuar si mirënjohje me disa shkallë vlerësimi, për ushtarët më të mirë dhe ushtarakët më të suksesshëm të tij.

 Por, më vonë, me këtë Urdhër udhëheqja franceze, filloi ti nderonte personalitetet më të shquara për kontribut të veçantë ndaj Francës, kurse me nderimin e Kadaresë me këtë çmim, kam bindjen se po nisë një epokë e re, për vlerësimin e autorëve të ngritjes dhe forcimit, tanimë edhe të kulturës dhe vlerave më të larta evropiane!.

Përndryshe, një nderim të ngjashëm në fushën e letërsisë ,deri më tani, Franca i ka ndarë vetëm autorit të dalluar francezë shkrimtarit Michel Tornier, si autor i suksesshëm i cili me arritjet e tij, ka rritë reputacionin e vendit. 

Vlerësimit të krijimtarisë së Kadaresë edhe në atdheun e tij të dytë, në Francë ku ai që nga vitit 1990 vazhdon ta zhvillojë me sukses veprimtarinë e tij letrare, Holande i parapriu me konsideratën më të lartë duke iu drejtuar atij me fjalët më të përzemërta dhe në mënyrën më vllazërore; Ju jeni edhe shqiptar edhe francez, me zemër evropiane dhe shpirt universal, një “autor i mrekullueshëm i historisë së Ballkanit”!

Kështu, mirënjohjeve të shkrimtarit tonë më të mirë, iu shtua edhe një çmim i veçantë, i cili në fakt, atij i ishte ndarë që në fillim të vitit 2016,me rastin e 80 vjetorit të lindjes dhe ardhjes në jetë të krijuesit tonë gjenial.

Ndaj si njëri nga shkrimtarët më të mirë bashkëkohor shqiptar dhe evropian, me vepra të përkthyera në mbi 50 gjuhë të botës, i nominuar disa herë edhe për çmimin “Nobel”, për letërsi, vlerësimi që iu bë Kadaresë, nderon letërsinë dhe kulturën shqiptare në sytë e Evropës dhe gjithë botës së civilizuar!

 Të gjitha këto, pa asnjë dyshim, i kishte parasysh edhe presidenti i Francës, z. Fransua Hollande, kur vendosi që Ismail Kadares, si i vetmi jo-francezë, dhe krijuesi i parë nga gjithë Gadishulli i Ballkanit, në mënyrë plotësisht të arsyetuar, ti ndante vlerësimin më të lartë shtetëror e kombëtar të Francës.Megjithatë, ky eveniment, nuk duhet të shihet as trajtohet, nga askush, si nderim vetëm për Ismail Kadaren, por të pranohet dhe konsiderohet nga të gjithë, si vlerësim i lartë dhe mirënjohje e veçantë për autorin dhe mbarë popullin shqiptar.

Kadare, me krijimtarinë e tij të tej-arritshme autoriale, ishte ndër krijuesit e parë, që kaloi kufijtë shtetëror e kombëtar edhe në kohën kur ata mbaheshin hermetikisht të mbyllur nga diktatura vendore në Shqipëri,  dhe sistemet e huaja që sundonin shqiptarët në trojet e tyre të pushtuara etnike.

Veprat e tij,që nga ajo kohë, bëri të njohur kudo origjinën, traditën, kulturën dhe gjithë vlerat më të mira kombëtare e njerëzore të popullit shqiptar, të cilat nuk i dinin shumë vende të botës.

Madje, popuj jo vetëm nga vendet gjeografikisht më të largëtat, për herë të parë komunikuan me ne dhe njohën shqiptarët,përmes veprave shembullore të Ismail Kadaresë.

Ndaj, evenimenti i dekorimit të tij me urdhrin “Komandant i Legjionit të Nderit” do të mbetet një ngjarje e paharrueshme, jo vetëm akademike, por edhe akt historik, për shqiptarët dhe Kadarenë si autor, vepra e të cilit ka kohë që ka tejkaluar dimensionet e letërsisë dhe është shndërruar në vlerë të kulturës botërore.

Çdo mirënjohje, dekorim a shpërblim kombëtar e ndërkombëtar është gëzim i përbashkët për të gjithë shqiptarët. Ai bëri shumë për popullin dhe vendin e vet, duke i dalë krah me vendosmëri dhe fakte e argumente të pamohueshme edhe mëvetësisë dhe çlirimit të Kosovës, si dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të shqiptarëve kudo dhe në të gjitha trojet e tyre etnike. 

 Ai ishte dhe mbeti, jo vetëm ylli më rrezatues për krijimtarinë, kulturën dhe traditën e kombit tonë, por dhe u shndërrua në kalorësin më besnik të orientimit properëndimor për të gjithë shqiptarët kudo që ata jetojnë.

 Talenti i tij krijues dhe veprues, bindi të gjithë opinionin përparimtar evropian dhe vet presidentin francez, Francois Hollande, që me të drejtë dhe në mënyrë plotësisht të merituar, përfundimisht ta nderonte Ismail Kadarenë si shqiptarin dhe ballkanasin e parë  me urdhrin “Komandant i Legjionit të Nderit” – gjithë-EVROPIANË!, do të thoja unë, me shumë krenari, si shqiptar dhe adhurues i sinqertë i tij.

 Ndaj, si vepra gjeniale e autorit tonë, ashtu edhe vlerësimet që vijnë nga qarqet e larta evropiane e botërore për Kadarenë, janë mirënjohje edhe për mbarë popullin shqiptar”, zëri i të cilit ishte dhe mbeti gjithmonë unifikues për ne. 

 Këshillat, udhëzimet dhe porositë e urta të tij, ndikuan jo vetëm një herë si fuqi magjike, por ato edhe në momentet më kritike, bashkuan forcat e shëndosha kombëtare nga të gjitha anët e kufijve të huaj, që fatkeqësisht ende ndajnë shqiptarët. 

Vetëm porositë,veprat dhe arritjet e Ismail Kadaresë, edhe kështu si jemi, arrijnë që neve të na afrojnë dhe bashkojnë, të paktën shpirtërisht si komb.

 

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Gani Qarri, nderim, për të gjithë shqiptarët, Vlerësimi i Kadaresë

Përkrahje Kosovës në institucionet euroatlantike

May 31, 2016 by dgreca

-Kryetari i Kuvendit, Veseli takon deputetët suedezë anëtarë të Asamblesë së NATO-s. Delegacioni suedez i shprehën përkrahje të plotë aderimit të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike/

 PRISHTINË, 31 Maj 2016/ Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, priti në takim grupin e deputetëve të Parlamentit suedez, anëtarë të Asamblesë së NATO-s, të cilëve u printe Björn von Sydow, me të cilët diskutoi për prioritetet e Kuvendit kosovar, me theks të veçantë, për çështje të sigurisë.

Delegacioni suedez i shprehën përkrahje të plotë aderimit të Republikës së Kosovës në institucionet euroatlantike, duke vënë në pah rëndësinë e fqinjësisë së mirë, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit rajonal.

Kryetari Veseli, në takim me asamblistët suedezë, foli për zhvillimet në Kuvend dhe theksoi se institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara për realizimin e axhendës eurointegruese, zhvillimin ekonomik si dhe sundimin e ligjit.

“Kosova është e vendosur për të thelluar paqen në rajon, të kontribuojë për mirëkuptim dhe besim të ndërsjellë, duke u bërë pjesë e mekanizmave të sigurisë siç është aderimi në NATO”, theksoi kryetari Veseli./b.j/

Filed Under: Komente Tagged With: në institucionet euroatlantike, perkrahje Kosoves

THESARET ANTIKE TË SULOVËS

May 31, 2016 by dgreca

 NGA PËLLUMB GORICA/

Një udhëtim drejt Sulovës së Sipërme të Gramshit është një mundësi e mirë për të shfletuar faqe pas faqe “librin” e thesareve të saj, sidomos kur udhëton për herë të parë këtyre anëve. Kjo krahinë shtrihet në një reliev të copëtuar me ulje ngritje, lugina, kodra, përrenj, dhe vendbanime me peizazhe magjepsës. Sapo shkel këtu përshëndetesh nga reflekset e rrezeve të diellit, ajri, gjelbërimi, konturet e thepisura të malit mitik të perëndive të lashta, Tomorrit. Me Tomorrin përballë ke në vetvete një ndjesi plotësie dhe sigurie, pse jo edhe të një krenarie të brendshme që je kaq pranë tij. Kjo është ajo çka përbën mbresën e parë, e cila të godet bukurisht në këtë zonë ende të virgjër të Shqipërisë. Themi të virgjër pasi Sulova nuk është studiuar si duhet. Ajo përmban në vetvete dëshmi antike të kulturës së lashtë, thesare të qytetërimeve të vjetra, por edhe të mëvonshme. Veç historisë në trevën e Sulovës ndesh tradita, që s’i gjen gjetkë, tradita që kanë origjinë të hershme, ndoshta edhe mesjetare e përtej mesdhetare, në thelb të mira, me filozofi dhe mençuri brenda, me shpirt dhe një sinqeritet. E përmendim këtë fakt si një krenari të banorëve të këtyre anëve, si një pasuri që është ruajtur dhe pasuruar brez pas brezi. Dyert si dhe zemrat e banorëve të kësaj treve, janë të hapura, ato shndritin e gufojnë nga respekti për mikun, udhëtarin, muhabetin, këngët e rakinë.

                  Pamje që kërkon t’i shijosh thellë

Do të duhej miku im e i të gjithë sulovarëve, studiuesi Petrit Basha, që më bëri të realizueshme këtë udhëtim. Me ne është edhe djali i tij, Isai, bashkudhëtar në këtë mëngjes vere, atje, në lartësitë e Sulovës së Sipërme me qetësinë, freskinë, aromat, bisedat, këngët dhe me shumë foto artistike. Kalojmë lumin Devoll që rrjedh në vazhdën e tij të stërlashtë ndërmjet brigjeve, diku pa u ngutur, diku i rrëmbyer e kumbues mbi zajet ngjyra-ngjyra. Duke ndaluar herë në një peizazh e herë në tjetër, sytë prekin gjelbërimin e harlisur dhe ngrohtësinë e stinës. Një mjegull resh të brishta dhe të praruara në qiell, pak nga pak iu zënë sytë rrezeve të diellit që ngrihen lart. Tutje në faqe të një kodre të veshur me bar e lule tingëllojnë këmborët e një tufe delesh si melodi plot emocion.
Makina gjarpëron në rrugën plot kthesa malore, që herë i le vendbanimet në krah dhe herë kalon afër tyre. Secili nga këto vendbanime paraqitet me karakteristika të veçanta. Është krejt e natyrshme se natyra u ka falur këto vende për të jetuar e zhvilluar jetën. Emra vendbanimesh që përqasin idenë e origjinës së tyre të vjetër: Shëmriza, Ostenthi, Duzha, Lubinja. Me shtëpitë çatikuqe të zhytura mes gjelbërimit, janë shumë tërheqës. Tokat e parceluara janë të mbjella me rreshta të drejtë e të ndarë nga njëri-tjetri me pemë frutore degërënduara nga prodhimet si: dardhë, qershi, mollë, shegë, ftonj, kumbulla, rrush. Si një lidhje me natyrën e freskët spikat dora e mendja e banorëve që e duan punën, përpjekjet e tyre për të përballuar jetën, për të punuar e gëzuar frytet e prodhimit. Teksa i përjeton mrekullisht peizazhet natyrore, shto këtu edhe ato historike, impresionet janë të fuqishme, vetvetiu ndjen paqe e kënaqësi në shpirt.

                        Imazhe trishtuese

Ndërsa endesh nëpër këtë trevë të bukur, ndjen një mungesë të theksuar të kujdesit nga shteti. Infrastruktura rrugore është ajo e socializmit, madje në disa fshatra edhe më keq. Një pengesë për rrugët është edhe mosinteresim i pushtetarëve, me mendimin se ç’duhen rrugët atje kur fshatrat malorë po boshatisen.Mungesa e rrugëve ka sjellë një sërë problemesh ekonomike, por edhe sociale. Prodhimet nuk tregtohen, pasi tregu është larg, shkollat janë boshatisur, ambulanca shëndetësore nuk ka më. E vetmja rrugë mbetet braktisja e fshatit, ikja në qytete. Por edhe kjo tani është vështirësuar, nuk iket më me“xhaketë në krah”. Në pamundësi për të nxjerrë fitime me mënyra të ndershme, shumë njerëz u janë turrur pasurive natyrore, duke i shfrytëzuar barbarisht ato. Shembulli më i keq i trajtimit të natyrës është prerja pa kriter e pyllit, djegia e tij dhe gërryerjet e tokës, një masakër që ka tronditur ekuilibrin e ekosistemit të kësaj zone.
Ndalojmë paksa për t’u çlodhur. Peizazhi është tepër trishtues. Kemi përballë një pamje rrëqethëse ku pylli është djegur, e diku më tej është rrafshuar nga prerjet. Një plagë e hapur që ndoshta edhe shekujt nuk do ta riparojnë dot. Një gjurmë rruge, krejtësisht e përpjetë, nëpër një peizazh gjelbërimi të harlisur, të çon në majën e kodrës më të lartë të Sulovës (980 m).Ndalemi në një burim, ku freskohemi, dhe thithim ajrin e ngarkuar me aromën e luleve. Çifte zogjsh ngrihen me rrapëllimë nga korijet dhe japin koncert me cicërimat e tyre. Kodrat dhe pyjet e Sulovës me shumëllojshmëri drurësh: lis,frashër, panjë, akacje, mëretë, shkozë, etj kanë favorizuar rritjen e shumë shpendëve dhe kafshëve të egra që nga thëllëzat, turtujt, mëllenja, guhaku, shkurtëza, murgëza, bilbili, qukapiku, sorra, skifteri, bufi, lepujt, derrat, dhelprat, ujqërit etj.

               Hap pas hapi në gjurmët e toponimeve

Përkundrejt bukurive natyrore, rruga kalon nëpër një truall të braktisur me gjurmë të lashta. E ç’duan të thonë ato pak gjurmë në këtë territor të braktisur? Petriti, i lindur dhe rritur në Sulovë, në rolin e ciceronit ligjëron për vendet ku kalojmë, për vendbanimet anës rrugës e për çdo gjë tjetër. Si njohës i mirë i trevës, Petriti ka mbledhur një pjesë të kësaj trashëgimie në një tufë librash për Sulovën, për vlerat e saj, njerëzit, virtytet e sulovarit ndër breza. “Ajo që të bën përshtypje në krahinën e Sulovës – të thotë Petriti -është dendësia e toponimeve të shumta, që tregojnë ekzistencën e vjetër të banimit në këto troje. Kohërat me luftërat rrënuese, epidemitë vdekjeprurëse, hasmëritë, ndryshimet sociale me largimet kanë bërë të vetën. Por toponimet, si besnike të historisë, kanë mbetur. Pa u marrë më shumë me etimologjinë e tyre, në shumicën e tyre kemi të bëjmë me fjalë shqipe të vjetra.
Kalojmë në pjesën juglindore të kodrës ku mendohet se ka pasur një liqen të vogël, vendi tani ka emrin Liqedhës. Ai duhet të jetë formuar nga marrja e baltës (dheut) që përdorej për punishtet e qeramikës në qytetin antik të Kodrionit. Me kalimin e kohëve liqeni është tharë dhe mbushur me dhera, por ruhet forma në tri anët kryesore të një gropë të stërmadhe. Dikur këtu jeta njerëzore ka lulëzuar, por sot ka pak gjurmë nga e kaluara e hershme. Siç ndodh me shumë vendbanime malore në Shqipëri edhe në këtë trevë është përhapur braktisja e vendbanimeve, duke lënë pas natyrën e bukur, ajrin, varret e të parëve. Të pikëllon shpërngulja e Irmajt. Heshtja i ka mbuluar shtëpitë, arat, pyllin. Mungesa e kushteve për të jetuar bëri të rendin drejt fushave, qendrave të mëdha të banimit dhe qyteteve në kërkim të një jete më të mirë. Pas disa vitesh do të kthehet në gërmadhë e ndoshta do të zhduket, gjë që të bën të ndjesh keqardhje për këtë vend të braktisur nga papërgjegjshmëria e një kujdestari të pakujdesshëm dhe indiferent që quhet shtet.

              Shekujt, arkivë e historisë së këtyre trojeve

Nga kjo kodër e lartë ku jemi, nën këmbë kemi rrënojat e Kodrionit të lashtë, ndërsa vështrimi tej e rrok krahinën e Sulovës, Nahijen e Beratit, Vërçën, Shpatin, Tomorricën nën këmbët e malit Tomorr. Për studiuesin Petrit Basha, kjo kodër duhet kthyer në një pikë historike e turistike, që harresa të mos i mbulojë me pluhurin e saj. Fatkeqësisht qyteti antik i Kodrionit dhe Kalaja e Irmajt po shndërrohen në rrënojë nga disa sharlatanë që kërkojnë ar.Të shkatërrosh, do të thotë të zhdukësh një vlerë të kohës së largët, një thesar të saj. Dhe nuk ka si të mos indinjohesh, ashtu siç indinjohet çdokush ku gjithnjë e më shumë e mira dhe e drejta po humbasin terren. Shëtitim mbi rrënojat e qytetit të Kodrionit të Dasaretëve të lashtësisë. Sipas autorëve antikë, Dasaretët banonin në një trevë të gjerë rreth liqenit të Ohrit, fusha e Korçës, krahinat e Kolonjës, Gorës, Oparit, Mokrës, Devollit, Skraparit, Tomorricës, Sulovës, Beratit dhe ishin të përmendur si bujq e blegtorë të mirë. Qyteti i harruar në përjetësi, i shkatërruar e i braktisur në kohëra, mendohet se është 2400-vjeçar. Ky fakt përmendet nga studiuesit Frano Prendi e Dhimosten Budina.
Për këtë qytet Petriti tregon se është themeluar në shek. IV–III p.e. sonë dhe ka vazhduar deri në periudhën e mesjetës. Ka pasur lidhje me qytetet antike të Apolonisë, Dyrrahut, Amantias, Antipatreas, Bylisit, Pelionit, Dimalit etj. Gjatë gërmimeve janë gjetur tjegulla kolyptere, amfora, pitosa, pjata, kupa dhe solene, kandila vaji,etj; enë metalike, vegje enësh, kova, kullese bronzi, fibula bronzi, varëse zbukurimi. Në qytetin antik të Kodrionit janë gjetur edhe monedha të Apolonisë,Dyrrahut,Aleksandërit të Maqedonisë etj.
Shkelim në toponimet Erciros, Hija, Mullezë, Murza, Gropa e Thanës. Secila ka ndonjë histori. Psh, për kodrën Kunjëza e Madhe thonë se kur luftonte armiku që ishte jashtë mureve të Kalasë, nuk i shihnin dot se sa ishin aty brenda, ndaj për t’i parë, ngritën këtu këtë maj kodre si kunj. Në shpatin e pjesës jugore të kalasë gjendet një toponim tjetër interesant, Gjurma e Mushkës, ku në dy gurë të mëdhenj janë gjurmët e goditjeve të patkoit të kalit.
* * *
Historia shumë herë tregohet nga dëshmitë e gjalla, gurët, muret, mënyra e ndërtimit të tyre, që flasin shumë. Fragmentet e mureve të kalasë së Irmajt qëndrojnë në këmbë, duke sfiduar rrjedhat e kohës, të rrethuar nga gjelbërimi i thellë i drurëve të lartë e të dendur. Ajo ndodhet 980 m mbi nivelin e detit. Historia e saj humbet në mjegullnajën e kohërave, rrethuar nga pëshpërima historish gojore e legjendash, të cilat janë të shumta. Shumë pak është shkruar për të dhe muret ciklopikë, me gurë të vendosur në radhë njëri mbi tjetrin. Mure të ngjashëm, dhe po aq madhështore i hasim edhe në Daoroson (Hercegovinë) në Medun (Mal të Zi), por edhe në Tirsës afër Mikenës. Këta mure janë ndërtuar prej shekullit XIII para krishtit dhe ndoshta më herët. Por nga kush janë ndërtuar do pyesnim? Arianët do kishim thënë, Kurganët, një tezë e besueshme se nga “kur” në “gur”, ku “G” është bërë “K”. Pra këta kurganët (gurmanët), ndërtuesit e mureve prej guri, dolën prej brigjeve të detit Kaspik rreth vitit 2000 para krishtit. Ata erdhën edhe në Ballkan e shkuan deri edhe në Skoci. Njëherë shkatërruan çdo gjë, por pastaj ndërtuan. E dyta hipotezë; para se të vinin Kurganët, i gjithë Ballkani ishte popullsi e ardhjes së Skitve të bardhë, që pa dyshim ishin pellazgët rreth 500 vite para Kurganëve, që edhe këta vinin nga ato vendet e Kaspikut. Mirëpo kemi edhe një popull tjetër para tyre, ishin Kimerianët, të cilët kishin ardhur pas Hiberve të lindjes e që nuk qëndruan kohë të gjatë në Ballkan. Ata ikën në Apenine e që andej në gadishullin Iberik. Të gjitha këto migracione të tri shtresave që i përmendëm, kanë ndodhur prej 2700 para krishtit e deri më 1900 para krishtit, kur erdhën edhe nga Anatolia popuj të tjerë. Nuk ka mundësi që këta të kishin ndërtuar këto mure, sepse qëndruan vetëm tre shekuj, por, nga pozita gjeografike e Sulovës përputhet kjo teori me kohën e Deukalionit që pushtoi Greqinë e sotshme. Ai ishte persekutuesi i pellazgëve që kishin ardhur para 400 vitesh (-1900 para krishtit) nga Anatolia dhe ndoshta këto mure janë të kësaj periudhe, prej 1400 para krishtit e deri 1200 kur ndodhën invadimet doriane drejt Mikenës e ishujve Egje. Pra, janë këto tri mundësi, pa e harruar edhe tjetrën, se populli më i vjetër në Ballkan si autokton duhet të ishin Lapitët dhe Molopët, por, tepër interesante është se edhe këta ishin armiq të përbetuar të pellazgëve të ardhur nga Anatolia, dhe me disa sulme që morën i ndoqën tej Thesalisë. Studiuesi Mathieu Aref mendon se edhe këta ishin pellazgë. Lapitët ishin malësorë shumë të ngjashëm me Hiberët, pra nga ky grupi i parë i migracioneve që një pjesë e tyre vijoj rrugëtimin drejt Italisë së sotme, arriti në vendin e Baskëve, ku për nga veshjet popullore kanë ngjashmëri mes baskëve dhe labëve. Të gjitha sa thamë më sipër, për pozitën gjeografike të Sulovës, janë të mundura, edhe ato të kohës kur ndërtoheshin muret ciklopikë.
***
Në hapësirën e një sheshi, nën hijen e lisave të moçëm, të joshur nga pamjet dhe mrekullitë rreth e rrotull, kënaqësia e një dite të kaluar këndshëm, mbyllet me drekën tradicionale të njerëzve të mirë të Sulovës, që edhe këtu nuk harruan “rakinë me opingë” me “dollinë sulovarçe”, që zë emër për emër, që përmend e ngre shëndete për të vegjël e për të mëdhenj, për të afërt e për të largët…

Filed Under: Histori Tagged With: Pellumb Gorica, TË SULOVËS, THESARET ANTIKE

Nipi i Gjyshit, bashkepunetor me nazistet, vizite ne Shqiperi per varrezat Greke

May 31, 2016 by dgreca

Gjyshi i Nikos Kotzias miqësi me nazistët Hitlerian/

Arben LLALLA/

Nga 6-7 qershori do të qëndrojnë në Tiranë Ministri i Jashtëm i Greqisë Nikos Panajotis Kotzias (Koxhas) për të kërkuar zgjidhjen e menjëhershme për zgjerimin e varrezave të ushtarëve grek të vrarë në luftën italo-greke më 1940-1941 dhe zgjidhjen e kufirit detar ose siç quhen Zonat e Interesave Strategjike. Që të dy këto probleme Greqia kërkon ti zgjidhë në favorin e saj duke dëmtuar rënd Shqipërinë. Por Nikos Kotzias nuk dëshiron aspak të dëgjoj për çështjen çame dhe emrin Çamëri. Ky ministër ashtu si shumë presidentë dhe kryeministra të Greqisë rrjedhë nga një familje që kanë qenë bashkëpunëtor të nazizmit gjerman. Gjyshi i Nikos Kotzas quhej Kostandin Kotzias dhe nga viti 1934-1936, ka qenë kryetar i bashkisë së Athinës, më 1936 ministër në qeverinë Metaksas, në vitin 1950 deputet dhe më 1951 kryetar i bashkisë së Athinës.

Kostandinos Kotzas ishte pro Gjermanisë naziste, ai kishte marrëdhënie të ngushta familjare me ministrin e propagandës Joseph Goebbels. Që nga viti 1934 e deri 1940 Konstandin Kotzias ka vizituar disa herë Gjermaninë naziste ku është takuar me krerët e lartë të saj. Ai gëzonte mbështetjen e qeverisë së Hitlerit për rrëzimin e kryeministrit Joani Metaksas dhe zgjedhjen e tij si kryeministër. Ky plan u zbuluan nga Joani Metaksa, me fillimin e luftës italo-greke, Kotzias iku për në Turqi i shoqëruar nga diplomatët nazist. (Siç dihet Turqia në atë periudhë ishte një vend asnjanës, por që kishte marrëdhënie të mira me Gjermanin). Pas mbarimit të luftës Kostas Kotzias rikthehet nga jashtë vendit dhe zgjidhet më 1950 deputet, më 1951 kryetar i bashkisë së Athinës. Vdes pak muaj pasi ishte zgjedhur në këtë postë. Një nga sheshet kryesore në Athinë mban emrin Konstandin Kotzias.

Në biografinë e tij ministri i jashtëm i Greqisë, Nikos Panajotis Kotzias e fsheh faktin se ka gjysh Kostandin Kotzias i cili ishte pronazizmit gjerman. Familja Kotzias është arvanitase me rrënjë të vjetra nga Athina. Nikos Kotzias ka kushëri kryetarin e partisë Demokracia e Re Qiriako Micotaqin dhe Dora Bakojanin.

Është mirë që Nikos Kotzias ta thotë të vërtetën dhe mos të fshihet pas gishtit se është nipi i Konstandinos Kotzias. Prandaj ne nuk duhet të pranojmë leksione nga Kotzias, por t’na thotë se çfarë mendon ai për zgjidhen paqësore të çështjes çame. Pa zgjidhjen e çështjes çame, asnjëherë s’do të ketë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë midis dy popujve. Gjithashtu, Nikos Kotzias duhet të prononcohet qartë zyrtarisht se kur ka vendosur Greqia ta heqë juridikisht Ligjin e Luftës me Shqipërinë? Një ligj që mban të konservuara prej 75 vitesh pasuritë e patundshme të shqiptarëve në Greqi. Prandaj vizita dy ditore e Nikos Kotzias nuk do të sjellë asnjë risi në marrëdhëniet diplomatike të dy vendeve, por do tregoj se Greqia dhe grekët kanë mbetur të njëjtët si në fillim të shek.20.

Filed Under: Featured Tagged With: arben llalla, bashkepunetor, me Nazistët, nipi i gjyshit, Varrezat greke

Konferencë ndërkombëtare ndërfetare në Prishtinë

May 31, 2016 by dgreca

Foto Gazeta DIELLI-Behlul Jashari: Prishtina, pranvere 2016/

-Konferencën “Roli i gruas në promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftimin e ekstremizmit”e hap Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi/

-Fjalimet kryesore nga dy laureatë të Çmimit Nobel/

-Ceremonia inauguruese për dhënien e çmimit të Kosovës për dialogun ndërfetar, i cili i jepet Kryetarit të Londrës, Sadiq Khan, si dhe themeluesit të komunitetit Sant’Egidio, ipeshkvit Vincenzo Paglia/

PRISHTINË, 31 Maj 2016/ Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot pasdite në Prishtinë, do të bëjë hapjen e konferencës ndërkombëtare ndërfetare “Roli i gruas në promovimin e dialogut ndërfetar dhe luftimin e ekstremizmit”, e cila po organizohet në kuadër të nismës Interfaith Kosovo.

Kjo ngjarje e nivelit të lartë, që sivjet organizohet nën patronazhin e Presidentit të Republikës së Kosovës, ka një axhendë unike me disa pika kryesore, si:

  • Fjalimet kryesore nga dy laureatë të Çmimit Nobel, Dr. Shirin Ebadi (fituese nga Irani, në vitin 2003) dhe Tawakkol Karman (fituese nga Jemeni, në vitin 2011);
  • Ceremonia inauguruese për dhënien e çmimit të Kosovës për dialogun ndërfetar, i cili i jepet Kryetarit të Londrës, Sadiq Khan, si dhe themeluesit të komunitetit Sant’Egidio, ipeshkvit Vincenzo Paglia;
  • Panelet dhe punëtoritë do të përbëhen nga pjesëmarrës nga organizata botërore ndërfetare, si Fondacioni i Besimit “Tony Blair Faith Foundation”, “Instituti Salam për Paqe dhe Drejtësi”, pastaj nga Fondacioni Berghof, Gratë pa Kufij (Women without Borders), Qendra Doha për Dialog Ndërfetar, etj.

Konferenca mbështetet nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Kuvendi i Republikës së Kosovës, Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNDP, UN Women, Ambasada Mbretërore Norvegjeze në Kosovë, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, Ambasada Kanadeze në Kroaci – jorezidente për Kosovë, si dhe Fondacioni i Besimit “Tony Blair Faith Foudnation”.

Konferencat ndërkombëtare ndërfetare të mbajtura në Kosovë janë ngjarje të mëdha të nismës Interfaith Kosovo që mbledhin aktivistë të shoqërisë civile, liderë fetarë, diplomatë, gazetarë, artistë dhe akademikë për të diskutuar një gamë të gjerë të sfidave me të cilat përballen vendet në sigurimin e pajtimit në periudhat dhe zonat pas konfliktit, si dhe për luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm në shoqëritë e sotme bashkëkohore.Konferenca do të mbahet në hotelin “Swiss Diamond”, kurse mediet mund ta ndjekin drejtpërdrejt fjalimin e Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe fjalimin e nobelistes nga Irani, Dr. Shirin Ebadi./b.j/

Filed Under: Komunitet Tagged With: Konferencë ndërkombëtare, ndërfetare, ne Prishtine

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2765
  • 2766
  • 2767
  • 2768
  • 2769
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT