• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

BESOJMË ZOTIN POR S’NJOHIM DJALLIN…

May 20, 2016 by dgreca

NGA KRISTAQ TURTULLI*/

‘Ne besojmë te Zoti por s’ njohim djallin që klith, ulërin me tërbim dhe lëviz gurë, flak shkëmbinj, shkul rrënjët e pemëve që ngjajnë si eshtra të mamuthëve. Mes fërshëllimës së papërmbajtur të tajfunit u ndje një zë që bërtiti:

-Përse kërkoni të njihni djallin, sa vlerë ka!?

– Kërkoni vlera te djalli!? Ishte një klithmë.  Ulërimë.  Jehonë e thellë torturuese, lodhëse. Ndoshta grumbuj zërash dhe zhurmash në një që më pas ushtoi:

– Mos harro, je akoma buzëqumësht. Je ende bythë pambuk.  Aha! Kundështon, thua s’ do jesh përherë kështu. Pyet djallin ai e di. Jo? Atehere mësyj në mundsh dhe tërhiqu. Dredho si nuselale dhe pështy si zvaranik. Si psherëtin, s’të pëlqen? Uh! Sigurisht që duhet të psherëtish sepse nuk dihet se kush është në realitet: Djalli apo Zoti. Fërshëllima apo klithma. Zëri apo jehona. Gjëmimi apo shkatërrimi. Hesht dhe dëgjo! Qumështorët e vjellin  shpejt qumështin e tepërt, kur e papritura ngre kurthe, merr jetë. Krijo njohje, mos i vë rëndësi kohës që duhet të shpenzosh.  Vrojtimi është hap vendimtar. Dihet që rekruti  në luftë ha plumbin që në shkrehjen e parë, ngaqë nuk di dhe nuk njeh gjë.

-Më pyet përsëri që njeh Zotin, beson te ai dhe urren Djallin? Koqoshët dhe mistrecët argëtohen me rekrutët e rinj. Mbijetesa e tyre, servilizmi, një nga elementet bazë të rekrutërisë. Servilizmi s’të lë kurrë në baltë. Servilizmi mbulon me mjeshtëri tymtajën ogurzezë të mendimeve dhe qëllimeve. Servilizmi është i lashtë sa vetë jeta. Servilizmi është fillesa e fillesave. Servilizmi  u përket të gjithëve dhe gjithçkaje. Bota pa servilizmin do të ishte e mjerë. Servilizmi është petku i artë, i purpurt i përbaltë, i kameleonët.

Më dëgjove? Më mirë mos dëgjo. Fola për servilizmin. Mos beso. S’ka servilizëm, s’ka asgjë. Eh, kush e njeh servilizmin, kush e di. Të gjitha janë pallavra. Disa flasin për hipokrizinë. Të gjitha njeriu i ka krijuar dhe për njeriun janë. Më pyet për Zotin dhe mendjet e ditura?! S’dihet, ku janë, mbasi mendjet tmerrësisht të djallëzuara, të çartura bëjnë pallë mbi dhe…

Ndoshta Zoti dhe Djalli janë fasadë, diçka e parathënë, e parabërë, e paraparë. Ti grindeh dhe më thua: Jo, asnjë nga këto. Rrjedhje e zakonshme dhe asgjë më shumë. Të gjithë lumenjtë e rruzullit rrjedhin në një drejtim. Në derdhje. Në njësim, në avullim, derdhje përsëri. Një cikël i pandërprerë, i vazhdueshëm, i pafund.

Sidoqoftë, për Zotin dhe Djallin s’më the?

Oh ju lutem, jeta është marramendje dhe asgjë më shumë. Dhe thuaj, shyqyr që gjithçka është e shkurtër siç është rrjedhja e ujit, avullimi, jeta. Gjatësia është çmenduri. Më dëgjon? A nuk ka dhe këtu servilizëm apo hipokrizi?! Medet, nuk  dihet kush është fajtori apo i pafajshmi. 

Eja… të shkojmë. Se sheh, erën e marrë. Duhet mësuar prej idiotëve. Ata nuk meditojnë. Ata janë realisht komodë. Ata vlerësojnë jetën e vërtetë mondane, sepse s’kanë se çfarë të thonë. Ata janë më të lumturit e botës. Më të pafajshmit. Më të dëlirët. Më të sharët. Më trutharët. Ata nuk qederosen. Ata nuk kuptojnë. Sa mirë. Gjithsesi bota do të ishte ndryshe.

Ndalu ç’thua, mbron të metët? Po maskarenjtë, vrasësit ku janë? Jo. Si jo? Atëherë tregona ku ekziston ndryshimi midis Zoti dhe  djallit, të marrëve dhe të mençurve?

 O Zot çfarë erë! I shkuli të gjitha pemët. Çfarë  bën, sërish po mendon. Flaki tej mendimet. Oh! Nuk sheh që ata qeshin.  Si guxoni të qeshni?! Mosni. Ju lutem heshtni. Nuk doni?!  Qeshura është ngjitësja më e shpëlarë. Nëse doni qëlloni mbi të qeshurën marroqe, bëjeni, veçse do rrahni ujë në havan.

Të gjithë në jemi pjesë e së qeshurës. Nuk besoni, s’ka gjë do të besoni me vonë. Shkoni tutje ju zëra apo çfarë. Nuk dihet nga jeni dhe nga vini. Më thua t’i lë erërat të gjëmojnë? Mirë po i lë, Mos harro është koha e erërave të forta që mbështjellin globin, përfshijnë dhe shtrëngojnë zemrat e nënave…

Është thënë dhe thuhet se besohet te Zoti kur tek të gjithë ka bërë fole djalli. Mjaft nuk mundem më… Kot mundohem të mbush mendjen dhe bëj apologji kur s’ ka vend për të… shko fli.Të bëj gjumin e madh?! Jo, thashë vetëm fli, se sheh, përjashta nata ka hedhur kapotën e rëndë…’

Ai la lapsin mbi fletën e zhubrosur e të mbushur nga shkrimi i pjerrët e i rëndë. I dhembnin sytë, padita e kishte lodhur. 

E mbërtheu frika se mos verbohej…”

* Marre nga VETMIA E ZËRAVE, roman, fragment.

Filed Under: LETERSI Tagged With: " Vetmia e zerave"), Kristaq Turtulli

Çështja e përgjimeve, sqarime nga policia italiane

May 19, 2016 by dgreca

Policia italiane sqaroi sot prokurorinë shqiptare lidhur me hetimet mbi një pajisje përgjimi, e cila ka zënë vend kryesor në debatet politike të ditëve të fundit.Sipas tv Top Channel, i cili publikoi i pari letrën, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë italiane, Alesandro Panza, i deklaroi prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla se pajisja nuk u përdorur për asnjë përgjim, se ka qenë gjithmonë në zotërim të palës italiane vetëm për qëllime trajnimi.

Zoti Panza kujtoi se marrëveshja për trajnimin e policisë shqiptare me këtë pajisje u firmosur nga 9 qershori 2007 prej ish-ministrit të brendshëm, Bujar Nishani, aktualisht President i Republikës.

Drejtuesi i lartë i policisë italiane i shkroi kryeprokurorit Llalla se marsin e kaluar erdhën në Tiranë dy operatorë të forcave italiane për trajnimin e policisë vendore, së bashku me një autoveturë në brendësi të të cilës qëndron e instaluar pajisja stërvitore.

Drejtori i Policisë Italiane, Alesandro Panza, theksoi se “ky aset stërvitor është konfiguruar në mënyrë të tillë që mos të ketë mundësi të zhvillojë asnjë aktivitet gjurmues, as trafiku zanor, as tekst mesazhe. Ky konfigurim, i cili nuk është i modifikueshëm nga operatori, nuk lejon as gjurmimin e trafikut të datave”.

Sipas zyrtarëve italianë, aparatura trajnuese ka qenë gjithmonë në zotërim të operatorëve italianë dhe ruhej në brendësi të Ambasadës Italiane në Tiranë, në kohën kur nuk përdorej për trajnim.

Me atë pajisje janë trajnuar 5 operatorë të policisë shqiptare në Tiranë, Elbasan dhe Vlorë, dhe trajnimet nuk mund të kryenin shkelje të asnjë lloji, nga personeli i policisë italiane.

Komisioni parlamentar i sigurisë zhvilloi dje një seancë dëgjimore me drejtues të institucioneve kryesore mbi dyshimet nëse janë kryer apo jo nga policia përgjime të paligjshme telefonatash.

Opozita ka ngritur shqetësimin se një pajisje përgjimi ka hyrë në Shqipëri prej dy muajsh në shkelje të ligjit dhe u përdor në mënyrë të paligjshme nga policia për të përgjuar biseda telefonike.

“Policia e Shtetit nuk ka pasur, nuk ka dhe as mund të ketë asnjë pajisje përgjimi” – tha dje ministri i brendshëm, Saimir Tahiri.

Ai shtoi se policia po ndjek një program trajnimesh për të rritur profesionalizmin e vet, ku nuk po shkel asnjë ligj dhe po vepron vetëm në bazë të ligjit.

Shqetësimi për një pajisje përgjimi nisi nga një informacioni i shërbimit sekret se një pajisje e tillë kishte hyrë pa u regjistruar në kufi dhe ishte vendosur në Vlorë.

Krahas polemikave mbi përgjimet dhe dekriminalizimin, qeveria dhe opozita shkëmbyen sot sërish akuza të forta për korrupsion dhe pengim të reformës në drejtësi, si dhe lidhje me njerëz të botës së krimit.

Përfaqësuesit e partisë demokratike të opozitës kërkuan që qeveria të reagojë, të distancohet dhe të ndriçojë skandalet, që po dalin në publik nga java në javë.

Kryetari i grupit parlamentar të PD së opozitës, Edi Paloka, tha se KQZ nuk po publikon deklaratat e zyrtarëve për dekriminalizimin, për të dalë në dritë lidhjet e tyre me krimin.

Ndërsa kryeministri Edi Rama këmbënguli që opozita të miratojë reformën në sistemin e drejtësisë, si përgjigja më e mirë për të goditur krimin.

Prokuroria nisi hetimet mbi ardhjen në Shqipëri të një pajisje përgjimi.

Dyshimet mbi përgjime të paligjshme kanë zënë vend kryesor në debatet e fundit midis qeverisë dhe opozitës, e cila beson se përgjimet janë kryer dhe se përgjegjës për to është kryeministri Edi Rama.

Në debate u përfshi edhe presidenti Bujar Nishani, i cili akuzoi qeverinë se po pengon hetimin e prokurorisë lidhur me dyshimet për përgjime të paligjshme nga ana e policisë.

Zoti Nishani kërkoi që qeveria t’i dorëzojë hetuesve pajisjen e kërkuar nga prokurorisë dhe të gjithë dokumentacionin e nevojshëm për procesin e hetimit.(Kortezi: VOA)

 

Filed Under: Komente Tagged With: Çështja e përgjimeve, nga policia italiane, sqarime

Mauthauseni pikon dhembje, përkujtim madhor gjithë evropian

May 19, 2016 by dgreca

* Ne Mauthausen gjetën vdekjen 133 shqiptar nga trevat shqiptare/

*Në Apellplatz u vunë kurora nga shumë vende të botës. Dhe, nga Ambasadori i Shqipërisë në Austri Roland Bimo;  .Sami Ukelli, Ambasador i Kosovës në Austri. Promovohet “Libri përkujtimor i të vdekurve në Mauthausen dhe kampet    përreth”. Gjithnjë e më pak pjesëmarrës nga ata që përjetuan kampin. Tregimet e përjetuesve bëjnë të qanë gjithë salla. /

Nga Vjena per DIELLIN: Hazir Mehmeti/
Në fillimmaj mbi kodrat e Mauthausenit retë sjellin shi që lagë çdo cep të kampit famëkeq ku muranat e mbuluara me teltherrërobëronin dikur mbi dyqind mijë njerëz nga gjithë globi. Gjysma e tyre mbetën aty hi i përjetshëm në ngacmimin e ndërgjegjes njerëzore, seçfarë sjell mbjellja e urrejtjes.  Aty  kishte vetëm krijesa njerëzore në përpëlitje me vdekje. Ata nuk  kishin komb as gjuhë, as emër, kishin vetëm numër. Numër, numër, deri në pakufi ku emri harrohej, numër deri në frymën e fundit në  dhomë gazi, shkallë vdekje, shkëmb parashutistëve  apo në gjemba rrethojave të ftohta hekur.Ishte kjo njëra nga hijet më famëkeq në historinë e njerëzimit ku dhe zoti u turpërua deri në hiq. Manifestimi u mbajt nën moton “Solidaritet Internacional” e udhëhoqi DDR.BarbaraGlück, drejtuese në organizimin përkujtimor në Mauthausen. Me këtë rast u promovua  Libri me emrat e 84.270  mijë viktimave të vërtetuara deri më tani nga 53 autor vendesh të ndryshme. Libri është i ndarë në tri pjesë. Organizimi u bë nën përkujdesjen e Komitetit të Mauthausenit., përfaqësueses i tij WilliMrrnyi, përkujtoj, se “Solidariteti mes të burgosurve brenda kampit ishte me rëndësi në mbijetim të të sëmurëve.  Ata që përjetuan kampin na tregojnë se çka do të thotë Solidaritet Internacional. Dhe, në kohën e sotme  refugjatët  nga lufta që vijnë në Europë, na detyrojnë për solidaritet”.

Në përkujtim dhe promovimmori pjesë kryetari i AustrisëDr.HeinzFischer  në fjalimin e tij emocionues përkujtoj: “Gjerat qe kanë ndodhe gjatë kohës se nacional socializmit, në kampet e Mathuazenit e rrethinës, ishin të nivelit të egërsisë, jo njerëzores”. Morën pjesë  Ministri i Brendshëm Mag.WolfgangSobotka i cili mbajti fjalë rasti dhe dhe ministrat HansPeterDoskozil, WolfgangBrandstetter,  AloisStöger. Nga Austria e Epërme ishin JosefPühringer, NikolausPrinz, GerdaWeichsler-Hauer.

Ish të burgosurit që përjetuan tmerrin nazist evokuan kujtime nga tragjikja e tyre të cilët u përcollën me lot nga të pranishmit. JanWojciechTopolowsik me rrobat e tij burgu dhe numrin e tij majtas në gjoks mes tjerash tha: “Ishim bashkë me tim et në kamp. Një ditë derisa  bartnim gurë Shkallëve të Vdekjes, ditë e fundit e takimit, ishte disa shkallë para meje, u ndal dhe më priti duke me parë nën gurin e rëndë në kurrizin e lodhur që mezi e mbante.”Ndoshta nuk do të shihemi më, unë nuk kam forcë më tutje, takohemi para Pavilonit 24, aty ku takoheshim fshehurazi. Nuk u takuam më kurrë ai vdiq dhe unë vij këtu çdo maj të takohem ja aty para nesh si dikur” . E gjithë salla pikonte lot e dhembje. Jani u përcoll dhe nga kryetari deri në karrigen e tij, kurse duartrokitjet e sallës së ngritur vazhduan gjatë.  Ish i burgosuri nga   nga Franca HenriMaitre tregoi mbi peripetit e tij.” Trajtoheshim ma zi se kafshët. Pasi shpëtuam nga vdekja me lirimin nga ushtarët amerikan. Pas një kohe një prift më tha: “Do fitosh dëmshpërblim sa për të ndërtuar një katedrale”. Unë ia ktheva: “Ku ishte zoti që nuk e pash në Mauthausen?”   Dëshmitari tjetër, Aba Lewit i cili tregonte përjetimet nga tri kampe naziste. Të njëjtën ditë vjenezi   DanielChanoch, 84 vjeçar që kishte përjetuar tmerrin e Holokaustit në Aushvic nga mosha tetë deri dymbëdhjetë veç, deklaron: ”Nëse do kishte një zot, si do mundte që Hitleri, përkundër disa tentim atentateve, do mbetej aq gjatë në jetë”.  Mllefi dhe ironia e tyre është e thellë sa Deti, dhe ne s’mund ta kuptojmë asnjëherë.
Në hapësirat e kampit tani ngrihen mbi pesëdhjetë monumente të vendeve viktima e aleate kundër fashizmit. Pllakat me 84.270 mijë emra të njohur deri sot, mes tyre dhe  133 nga trevat shqiptare që u mbyten aty në format më barbare. Mauthauseni shoqërohet me 49 kampe tjera jashtë tij, secili më i zi se tjetri.

Kampi i përqendrimit në Mathausen u ngrit nga njësia SS në vitin 1938. Reparte të tij ishin edhe Kampet në Gusen dhe Melk. Gjendet në Austrinë e Epërme afër qytetitLinz dhe ishte vend gurëthyese e cila i takonte Kampeve të kategorisë 3. Ky ishte lloji i vetëm i kësaj kategorie në hapësirat e Raichut, ku njerëzit mbyteshin nëpërmjet punës së rëndë. Deri më 5 maj të vitit 1945, kur u çlirua nga ushtria amerikane u mbyten në format më çnjerëzore rreth 120 mijë të burgosur, kurse kaluan nëpër tmerret e tij më shumë se 200 mijë njerëz nga 30 kombe të botës. Gratë e sjella aty nga Kampi tjetër Ravensbryk përbënin 2,5 për qind, u detyruan në prostitucion, ato shtatzëna u përdorën për eksperimente medicinave duke përdorur format shtazarake. Kishte po ashtu fëmijë e të rinj jeta e të cilëve nuk zgjate shumë brenda këtij ferri. Mesatarja e jetës në te 6 muaj deri në 15 muaj e jo më shumë. Në vitin 1944 kishte 128 komando të SS dhe 475 ushtarë mbikëqyrës.

Shqiptarët

Aty gjetën vdekjen 133 shqiptar nga trevat shqiptare, në mesin e tyre edhe Xhevdet Doda e KozmaNushi,hero të popullit. Në shenjë përkujtimi ndaj tyre do japim emrat: Abaz Dine, AbazSullaj, Abdulla Tabaku, AdilAlushi, AhmetRamzoti, Alem Tafili, AliAshimi, AliBiduli, Asti Gogoli, Azem Toska, BedriAgalliu, Beg Nushi, Besim Liku, Buharedin Mitarja, CaneÇaçi, CaneRapushi, DalipMeminaj, Demir Bardhi, Dervish Hoxha, DilaverKamberi, DhimiterKonduri, Dhimiter Kulla, EjupKondo, EmanuelHasdurian, Enver Velja, Faik Haruni, FaslliLelaj, Faslli Zoga, FeimMustafaj, Fejzo Toska, FerikBuzi, Fizo Spahiu, Gani Kokli, Gjysh Duraj, HajdarShameti, HajredinKerkova, HakimVeliu, HalilShyri, HamitRoseni, HamitXhyheri, Hamza Laperi, HasanDoci, Hekuran Novruzi, Hysen Shtufi, Ibrahim Skendaj,Ibrahim Xhatufa, Ilo Çomi, Isa Rapushi, IsmailZyma, Isuf Berberi, IsufIbershimi, IzetMema, Jani Kosta, JaniNathanaili, JaniPopa, Jano Maska, Jorgji Ziu, Koro Çoni, KostandinSimaku, KozmaNushi ,Late Bregu, MehmetDauti, MehmetSulo, Mihal Koçi, Mihal Pema, MinellaGogo, MuhamedVelaj, MuhametBino, Muhamet Dine, Muhamet Kabashi, MusaGorishti, Mustafa Kotherja, MustafaZahaj, MyslymNelaj, MystehatMalaj, NaunThanasi, Neim Gjoni, Nexhip Hekurani, NexhipHimçi, NovruzAbazi, Novruz Dine, NovruzHajdini, PandeilDimo, PavlloPapingji, PiroPapalilo, Qazim Çakerri, RamadanNebiu, RamadanRamo, Ramazan Myrto, Rapo Kapllani, RapushÇarçani, RasimHamzaraj, RefatIsmajli, Rexhep Bani, Sabri Habibaj, SadikAsnjoku, Sali Dibra, Sami Karriqi, SelimÇarçani, Senusi Nota, SofokliDhimitriadhi, Stavri Havale, SulejmanCenoimeri, SulejmanDoko, Sulejman Rukja, SulejmanZakja, SuloGorishti, Shefqet Leka, Shefqet Shyti, Sherif Nuredini, Shyqyri Buzi, TaqoDino, Tefik Skilja, Telat Noga, Teme Alushi, ThimioNathanaili, Thoma Kuqali, Vangjel Shkurti, VangjelVasili, Vangjel Xhani, Vasil Dushku, Vasil Gjata, VasilMojsiu, Vehbi Vrashtazi, Xhafer Kodra, Xhafer Skilja, XhaferZera, Xhemal Kasa, XhemalMyhdari, NuredinMemishaj, XhemalShasho, XhevdetDoda.

 

Filed Under: Histori Tagged With: gjithë evropian, Hazir Mehmeti, Mauthauseni, përkujtim madhor, pikon dhembje

Sot NATO ftoi zyrtarisht Malin e Zi

May 19, 2016 by dgreca

Sot NATO ftoi zyrtarisht shtetin ballkanas të Malit të Zi, të bëhet anëtari i 29 i aleancës, duke nënshkruar këtë të enjte zgjerimin e 7 në historinë e saj, pavarësisht kundërshtimeve të ashpra të Rusisë. Vendimi është ende subjekt i miratimit formal nga Senati amerikan dhe parlamentet e vendeve të tjera anëtare të NATO-s. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg tha se “ky ishte vetëm fillimi i një kapitulli të ri të sigurisë” në historinë e ish-republikës jugosllave. Kryeministri malazez, Milo Gjukanoviç ishte pjesëmarrës edhe në nënshkrimin e protokollit të pranimit të vendit të tij në selinë e NATO-s në Bruksel. Ai tha se vendi i tij, i bombarduar nga avionët luftarakë të aleancës 16 vite më parë, duhet të qëndrojë “krah më krah” me vendet e tjera anëtare të aleancës së udhëhequr prej Shteteve të Bashkuara. “Mund të mbështeteni te ne në çdo kohë”, tha Gjukanoviç. Rusia e ka akuzuar aleancën atlantiko-veriore se po përpiqet të rrethojë atë dhe kombet aleate të Moskës, si Serbia, si dhe është angazhuar se do të bëjë gjithçka të nevojshme për të mbrojtur sigurinë e saj kombëtare dhe interesat e saj. Sergei Zheleznyak, një deputet i shquar i Parlamentit rus, tha se vendit të tij do t’i duhet të alternojë marrëdhëniet e saj me Malin e Zi, historikisht aleat i Rusisë, tashmë që vendi ballkanas do t’i bashkohet NATO-s pa zhvilluar më herët një referendum kombëtar. “Ne duhet të ndryshojmë politikën tonë kundrejt këtij vendi mik”, tha Zheleznyak. “Nëse infrastruktura ushtarake e NATO-s do të vendoset atje, ne do të duhet të përgjigjemi duke kufizuar kontaktet tona në fushat ekonomike por edhe të tjera”. Ndërkohë, zyrtarë të tjerë rusë kanë thënë se Moska duhet të ndalojë disa importe nga Mali i Zi dhe të vendosë sanksione të tjera tregtare. Ceremonia e nënshkrimit në selinë e NATO-s, për ftesën për anëtarësim të Malit të Zi, koinçidoi me fillimin e një takimi të ministrave të Jashtëm të aleancës, ndërkohë që edhe Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry e nënshkroi dokumentin në emër të Shteteve të Bashkuara. I pari qe e nenshkroi ishte Ministri i Jashtem i Shqiperise. Që prej krijimit të NATO-s në vitin 1949, si një mburojë e Luftës së Ftohtë të Perëndimit kundrejt Bashkimit Sovjetik, tashmë është zgjeruar nga 12 vende themeluese deri në anëtarin e 29, duke thithur në vetvete edhe shumicën e ish-aleatëve të Kremlinit në ish-bllokun lindor komunist. Të fundit që janë anëtarësuar në NATO kanë qenë Shqipëria dhe Kroacia, në vitin 2009.

Filed Under: Rajon Tagged With: ftoi zyrtarisht, Malin e Zi, Sot NATO

Universiteti Mitrovicës jep diplomën e parë

May 19, 2016 by dgreca

-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i dorëzoi diplomën studentes Antigona Pllana/

-Në kuadër të Universitetit të Mitrovicës funksionojnë gjashtë fakultete, ku ndjekin studimet rreth 3500 studentë/

MITROVICË, 19 Maj 2016-B.Jashari/Studentja, Antigona Pllana, ka pasur fatin që të marrë diplomën e parë të lëshuar nga Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”. Këtë diplomë e ka ndarë presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili të enjten vizitoi Universitetin e Mitrovicës së bashku me ministrin e Arsimit, Arsim Bajramin dhe ministrin e Administratës Publike, Mahir Jagxhillar.Pas takimit në rektorat është realizuar edhe një vizitë në kampusin e ri universitar që është në ndërtim e sipër. Presidenti Thaçi shprehu kënaqësinë për ecurinë pozitive në Universitetin e Mitrovicës, duke e vlerësuar si një universitet model në Kosovë.Ai shprehu besimin se viti i ri akademik për studentët dhe mësimdhënësit e Universitetit të Mitrovicës do të jetë  një festë, meqë do të kalojnë në objektin e ri. “Shohim këtu një objekt modern që është duke u ndërtuar për Universitetin e Mitrovicës, që me degët e veta të veçanta është mjaft atraktiv për të rinjtë e këtij rajoni, por edhe gjithë Kosovës”, tha Thaçi.Ndërsa, ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se Universiteti i Mitrovicës e ka arsyetuar plotësisht vendimin për themelimin e tij. Në anën tjetër, ministri Jagxhillar, sqaroi se punët për ndërtimin e objektit janë duke u realizuar sipas dinamikës së paraparë.Rektori Alush Musaj, shprehu kënaqësinë për vizitën e presidentit dhe ministrave, të cilët premtuan mbështetje të vazhdueshme për konsolidimin e mëtejmë të Universitetit të Mitrovicës. Ai tha se Universiteti i Mitrovicës sivjet ka shënuar 3-vjetorin e themelimit dhe përkundër faktit se është një universitetit i ri, brenda vetes mban një kuadër me përvojë të gjatë akademike.Kjo sipas tij, ka shërbyer si bazament i fortë për forcimin e universitetit. “Ne sot ndjehemi krenar meqë Universiteti i Mitrovicës ‘Isa Boletini’, është plotësisht i konsoliduar”, tha rektori Musaj.Aktualisht në kuadër të Universitetit të Mitrovicës funksionojnë gjashtë fakultete, ku ndjekin studimet rreth 3500 studentë.Në 26 dhjetor 2012 është vënë gurthemeli për ndërtimin e një objekti për fakultet ekzistuese në Mitrovicë.  “Simbolikisht, ky gurthemel shënon edhe fillimin e realizimit të projektit për universitetin publik që do të themelohet në këtë qytet”, është thënë me atë rast, ndërkohë që në 8 nëntor po atë vit Kuvendi i Kosovës kishte ratifikuar vendimin e qeverisë për themelimin e dy universiteteve publike, Universitetit të Prizrenit dhe Universitetit të Pejës. Më pas janë hapur edhe universitete tjera.Universiteti i parë publik kosovar është ai i Prishtinës, i themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 nëntor 1969, ndërsa ishte ndër kërkesat e demonstratave studentore e gjithëpopullore një vit më herët.Universiteti i parë publik kosovar është ai i Prishtinës, i themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 nëntor 1969, ndërsa ishte ndër kërkesat e demonstratave studentore e gjithëpopullore një vit më herët.

Filed Under: Komente Tagged With: jep diplomën e parë, Universiteti Mitrovicës

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2799
  • 2800
  • 2801
  • 2802
  • 2803
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit
  • Shqipëria u bë pjesë e Lidhjes së Kombeve (17 dhjetor 1920)
  • NJЁ SURPRIZЁ XHENTЁLMENЁSH E GJON MILIT   
  • Format jo standarde të pullave në Filatelinë Shqiptare
  • Avokati i kujt?
  • MËSIMI I GJUHËS SHQIPE SI MJET PËR FORMIMIN E VETEDIJES KOMBËTARE TE SHQIPTARËT  
  • MES KULTURES DHE HIJEVE TE ANTIKULTURES
  • Historia dhe braktisja e Kullës së Elez Murrës – Një apel për të shpëtuar trashëgiminë historike

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT