• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

SHBA, 14 milionë $ Shqipërisë për paqen dhe sigurinë

March 31, 2016 by dgreca

Çdo vit, Shtetet e Bashkuara mbështesin me ndihma rreth 100 shtete në botë, që shkon miliarda dollarë. Sipas statistikave të bëra publike nga qeveria amerikane, këto iniciativa bëhen për të mbështetur paqen, sigurinë, zhvillimin ekonomik në botë dhe ndihmë humanitare gjatë kohëve të krizës. Administrata Obama i ka kërkuar Kongresit që për vitin 2017 të alokojë në total në mbarë botën 33.9 miliardë dollarë, me një rënie të lehtë të buxhetit, krahasuar me vitin 2016 që ishte 37.9 miliardë dollarë. Për Shqipërinë është parashikuar një fond ndihme prej rreth 14 milionë dollarësh, të cilat do alokohen për çështje të paqes dhe sigurisë, si dhe për garantimin e të drejtave njerëzore, demokracisë dhe qeverisjes. Duke parë historikun e viteve të mëparshme është shënuar një ulje e fondit (gjatë 2015 kishim 14.096 milionë dollarë; dhe në 2014-n 16.8 milionë dollarë). Një tjetër element që bie në sy është që për fondin e 2017, në ndryshim nga të gjithë vitet e mëparshme, nuk përfshihet arsyeja e zhvillimit ekonomik për ndihmesën e dhënë. Pjesa më e madhe e ndihmës jepet për shtetet e Lindjes së Mesme, por edhe ato në Afrikë dhe Amerikën Latine. {Sh.K}

Filed Under: Komente Tagged With: 14 milionë $ Shqipërisë, dhe sigurinë, për paqen, SHBA

Kosova, inaugurim ceremonial presidentit të ri

March 31, 2016 by dgreca

– Hashim Thaçi merr detyrën si Presidenti i pestë i Kosovës me inaugurim ceremonial të organizuar në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, në 8 prill, pas betimit një ditë më parë në seancën solemne në Kuvend, ku u votua nga deputetët në 26 shkurt 2016/

Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 31 Mars 2016/ Presidenti i zgjedhur i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, do marrë detyrën me inaugurim ceremonial të organizuar në Sheshin Skënderbeu në Prishtinë, në 8 prill, pas betimit një ditë më parë në seancën solemne në Kuvend, ku u votua nga deputetët në 26 shkurt 2016 në një seancë të jashtëzakonshme.“Në këtë ceremoni do të marrin pjesë presidentë shtetesh, kryeministra, ministra e zyrtarë të tjerë të shteteve dhe institucioneve të ndryshme ndërkombëtare. Gjithashtu, do të marrin pjesë kori diplomatik i akredituar në vendin tonë, përfaqësues të institucioneve të Republikës së Kosovës, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare në vendin tonë, përfaqësues të organizatave të ndryshme ndërkombëtare e vendore dhe miq të shumtë të Kosovës”, thekson njoftimi nga Presidenca dërguar për mediat, të cilat janë ftuar të bëjnë akreditime të veçanta për këtë ngjarje.Në ceremoninë solemne ku janë ftuar mëse 500 mysafirë vendorë dhe ndërkombëtarë, mes të cilëve presidentët e shteteve të rajonit, Presidentja në përfundim të mandatit pesëvjeçar, Atifete Jahjaga, do t’ia dorëzojë simbolikisht detyrën Presidentit  të ri të zgjedhur Hashim Thaçi. Simbolika është një kopjeje solemne e Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dokumentit themeltar të shtetit, që i dorëzohet Presidentit të ri.

Presidenti i zgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte lideri i PDK-së që nga themelimi dhe më i votuari në tre nga pesë proceset zgjedhore që janë zhvilluar në Kosovën e lirë.
Në dokumentin e marrëveshjes së 8 dhjetorit 2014, të gjashtë muaj pas zdhedhjeve të parakohëshme parlamentare, të dy partive më të mëdha kosovare, sipas së cilës postin e kryeministrit e mori kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, theksohej se, “për pozitën e Presidentit të Republikës së Kosovës do të votohet kandidati i propozuar nga PDK-ja, pas përfundimit të mandatit aktual në përputhje me Kushtetutën – z.Hashim Thaçi”.
Deri në zgjedhjen President Thaçi do ta udhëheqë politikën e jashtme për më shumë se një vit, duke qenë zv/kryeministër i parë dhe ministër i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës.
Më parë, gjatë karrierës politike, Hashim Thaçi ishte i zgjedhur tre herë kryeministër i Kosovës. Thaçi u zgjodh kryeministër i Kosovës në 9 janar 2008, pas fitores së PDK-së në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, dhe u rizgjodh pas fitores së dytë në zgjedhjet e 12 dhjetorit 2010, të cilat ishin të parat pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurt 2008, të njohur deri tani nga 111 shtete anëtare të OKB-së.
Nga marsi 1999 deri në janar të vitit 2000, Thaçi ishte kryeministër i qeverisë së përkohshme të Kosovës (Qeverisë së Unitetit).

Në 12 dhjetor 2014, kryeministri Hashim Thaçi i dorëzoi detyrën kryeministrit të sapozgjedhur, Isa Mustafa, me të cilin nënshkruan marrëveshjen për bashkëqeverisje të Kosovës, duke dhënë kështu edhe mesazhin si dy liderë të partive më të mëdha kosovare se, rivaliteti politik edhe kur është më i madhi i mundshëm nuk është armiqësi dhe përtej interesave partiake edhe mund t’i bëjë bashkë për interesat madhore të shtetit, kombit e të ardhmes zhvillimore dhe euroatlantike.Edhe pse zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit 2014 ishin të parakohshme, kryeministri Hashim Thaçi përmbushi të plotë mandatin e dytë, që është katërvjeçar, pasi zgjedhjet e jashtëzakonshme ishin mbajtur pikërisht para katër viteve, në 12 dhjetor 2010.
Në Kosovën e lirë nga qershori 1999, PDK, tre herë fituese e zgjedhjeve, para koalicionit të tanishëm me LDK ishte edhe dy herë të tjera në koalicion-bashkëqeverisje me këtë parti që ka themelues Presidentin historik Ibrahim Rugova, si dhe me AKR-në e Behgjet Pacollit, por asnjëherë nuk e kishte Presidentin në ndarjen e posteve.
Hashim Thaçi, Presidenti i parë i Kosovës që vjen nga PDK-ja, partia që e themeloi në tetor të vitit të parë të lirisë 1999, dhe e udhëheqte deri në shkurt 2016, tash si simbol i unitetit, shef i shtetit, nuk është më në krye të saj.

“Pas zgjedhjes, Presidenti nuk mund të ushtrojë asnjë funksion në parti politike”, përcakton Kushtetuta e Republikës së Kosovës.Hashim Thaçi merr detyrën si Presidenti i pestë i Kosovës. Edhe të katër presidentët tjerë të Kosovës në 17 vitet e lirisë, duke nisur nga Presidenti historik Ibrahim Rugova, pas tij Fatmir Sejdiu, pastaj Behgjet Pacolli që qëndroi vetëm një muaj në këtë post, si dhe Presidentja drejt përfundimit të mandatit Atifete Jahjaga, janë zgjedhur me marrëveshje politike, koalicionesh, apo edhe me ndërhyrje ndërkombëtare

Filed Under: Kronike Tagged With: Behlul Jashari, inaugurim ceremonial, kosova, presidentit të ri

Universiteti i Prishtinës zgjedh rektorin e ri

March 31, 2016 by dgreca

-Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Prof. Dr. Arsim Bajrami uron Prof. Dr. Marjan Dema, për zgjedhjen në detyrën e Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”/

 PRISHTINË, 31 Mars 2016/ Ministria kosovare e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë vlerëson lartë procesin e organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme dhe të parakohshme në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, i cili u përmbyll sot me rastin e zgjedhjes së Rektorit të Universitetit nga Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.“Me këtë rast, falënderojmë të gjithë bartësit e procesit zgjedhor në të gjitha nivelet e organeve të Universitetit për përkushtimin dhe kontributin e dhënë në zhvillimin e zgjedhjeve të lira, të rregullta dhe transparente”, thekson njoftimi dërguar nga Ministria. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Prof. Dr. Arsim Bajrami uron Prof. Dr. Marjan Dema, për zgjedhjen në detyrën e Rektorit të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, duke i ofruar mbështetjen dhe bashkëpunim e plotë në realizmin e programit të punës për fuqizimin e Universitetit, si institucioni kryesor i arsimit të lartë në vend dhe vënien e universitetit në shërbim të shoqërisë dhe të ekonomisë së vendit.Universiteti i Prishtinës është themeluar me ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në 18 nëntor 1969 edhe si kërkesë e demonstratave studentore e gjithëpopullore kosovare një vit më herët – në 1968. Kuvendi themelues i Universitetit është mbajtur në 13 shkurt 1970, ndërsa mbledhja solemne e tij dy ditë më vonë,  në 15 shkurt, dhe kjo datë është shpallur Dita e Universitetit të Prishtinës./b.j/

Filed Under: Kronike Tagged With: Prof. Dr. Marjan Dema, Rektori i ri, Universiteti i Prishtines

“Miti i mbretit Likaon “

March 31, 2016 by dgreca

Nga Ëngjëll Luçi /

Të shkruash mbi mitet do të thotë të shkruash në gjithëkohësi dhe për gjithëkohësinë. Miti paraqet të kaluarën që po ashtu është dhe e tashme ! E tashmja gjendet në të shkuarën,  e madje aty duhet kërkuar dhe e ardhmja!  Miti është para së gjithash rikuptimësim , burim, fillese, esencë e gjithckaje!  Në mit zbulohet esenca e shpirtit të njeriut!

“Mitet janë bërë për të ndezur imagjinatën!” – shkruan A . Kamy tek “Miti i Sizifit” , në qendër të së cilit është personazhi mitologjik grek,  Sizifi,  i dënuar nga perënditë të ngjisë  vazhdimisht një gur në faqen e një mali.  Mitet shërbejnë si simbole, dhe si të tilla, konteksti në të cilin zgjedhim t’i vendosim mund të na ofrojë shumësi interpretimi, këtu qëndron esenca e tij universale dhe e pakohshme !

Mitet janë burime nga të cilat mund të nxjerrim shumë thesare,  e kështu ne mund të zbërthejmë çdo kod të jetës dhe botës që na rrethon , sepse ajo vetë ka këtë strukturë sa të ndërlikuar, po aq interesante. Ky është i vetmi çelës që na hap dyert drejt së vërtetës . E këtë kam tentuar edhe unë, duke gjetur si burim detin e thellë të mitologjisë pellazgo-ilire!

“Nata kishte kohë që kishte rënë. Një udhëtar kishte kohë që ecte. Ai hyri në çifligjet e mbretit të lig, ashtu nëpër baltë mezi gjente rrugën, sepse shiu që kishte rënë i pengonte shikimin. Iu afrua portës së madhe të kështjellës dhe filloi të trokiste fort, duke shpresuar se dikush do t’ia hapte. Porta u hap, një nga shërbëtorët e shoqëroi në dhomën e ngrohjes, atje ku mbreti i lig kishte qoshenë. Bardhak me verë u mbushën atë mbrëmje, dhe këmbanat ranë fuqishëm deri në mesnatë. Mbreti i dha mikut për të ngrënë e për të pirë, por mishi që i kishte servirur ishte i njërit prej shërbëtorëve të tij. Udhëtari i zgjuar nuk e kishte ngrënë dhe më në fund, duke ngritur një dolli, i tregoi mbretit të vërtetën se kush ishte … ai ishte Zeusi, vetë perëndia.  Më kot ishin lutjet që mbreti i bëri Zeusit të madh. Ashtu në gjunjë duke kërkuar falje për tërë ata njerëz që kishte ngrënë, ai filloi të dridhej duke qarë. Lotët dhe britmat e tij u përzienë me zërin gjëmues të Zeusit që mallkoi mbretin duke e shndrruar atë në një ujk. Ai e degëdisi atë të endej nëpër pyjet e fiseve të tij dhe matanë për t’u ushqyer me gjak vetëm gjatë netëve me hënë, sepse mëkatet që ai kishte bërë ishin të shumta, ndaj mbreti nuk mund të kishte vënd në këtë botë. E kështu që atëherë ai endet nëpër pyjet e netëve me hënë duke ulëritur si i marrë e duke ndjekur gjahun e tij për të marrë atë pak gjak që të mbijetojë, sepse ashtu ishte mallkimi që qenia të mos prehej as në këtë botë e as në tjetrën. Ai dikur ishte një mbret, emri i tij ishte Likaon!  Ai ishte mbreti i parë i fiseve pellazgo-ilire ! ”

Nuk dihet se sa javë ,muaj, vite e shekuj kanë kaluar që nga ai çast!  Mbretit vazhdoi t’i rëndojë ende mallkimi i Zeusit si barrë e rëndë mbi shpinë. Ai  vazhdoi të endej nëpër pyjet e netëve me hënë në kërkim të gjahut për atë pak gjak që të mbijetonte ,sepse i tillë ishte mallkimi!  Me kalimin e kohës , mbreti pësoi ndryshime të rëndësishme, u bë më njerëzor nga pamja, po aq i frikshëm nga egërsia dhe mizoria!  Ai evoloi. .. ai u bë unë!

Unë jam Likaoni, unë jam NJERIU!  Ajo çka më bën të mbijetoj nuk është më gjaku, por diçka më e këndshme për syrin… paraja, preja ime është pushteti!  Unë vras për para dhe pushtet ! Zeusi nuk është më i gjithëpushtetshmi në Olimp, as Olimpi nuk ekziston më aty ku ishte!  Olimpi është dikund tjetër tashmë, ai është shpirti im, ku Zeusi, zëri i brëndshëm dhe egoja, është zot i tij. Zëri i brëndshëm dhe egoja më shtyjnë përpara, më thonë mos ji i mëshirshëm … hm ky është po ai ndëshkim po aq i tmerrshëm!

Gjithçka që kam ndërtuar, shteti dhe organet e tij ,shoqeria … nuk janë veçse veglat e mia, pjella të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse më ndihmojnë të përmbush egon time , të vras për para dhe pushtet!  Kam gjykatat… shtëpi të padrejtësisë, ku secili që do të fitojë të drejtën e tij, duhet të hedhë “ca verdhushka ” ,kështu që edhe unë kënaqem!  Kam spitalet … shtëpi të sëmundjeve,  ku verdhushkat janë i vetmi opsion në do të dalësh i gjallë!  Po ashtu kam edhe institucionet e arsimit, shkollat e mesme dhe të larta … shtëpi të injorancës dhe matrapazërisë, ku edhe nxënësi apo studenti më i zotë duhet të shkarkojë në xhepin e pedagogut apo mësuesit “ca verdhushka” që të marrë një notë më të mirë në fund të vitit, apo një diplomë shpesh herë të pa vlerë e ta vari në mur si trofe ! Ky pra është shteti që unë kam … paguaj në do ta kesh mirë me mua!

Ah se për dreq harrova … kam edhe diçka tjetër, shoqerinë, veglën time më të frikshme!  Një dorë e shtrirë për ndihmë karshi saj, konsiderohet si sinjal për t’i dhënë një pështymë surratit dhe shkelm drejt humnerës, kujtdo që ka guximin ta shtrijë atë! Dhënia e dorës dikujt në nevojë është dalje nga binarët!

Ky pra jam unë,  NJERIU, qënia më e përbindshme e të gjitha kohërave!

Filed Under: ESSE Tagged With: "Miti i mbretit Likaon ", Ëngjëll Luçi

QYTETARE E KABULIT

March 31, 2016 by dgreca

Nga Flogerta Krypi/

E kam të vështirë të zgjohem çdo mëngjes pasi gjumi më zë shumë vonë, ndonëse heshtja dhe lotët më lodhin çdo natë. Unë jetoj në një vend shumë larg Kabulit, por jam qytetare e tij. Vendi ku unë jetoj është më i vogel se Kabuli, por mban të njëjtën burgosje si ai. Nuk jemi në luftë, por pluhuri është njëlloj sikur bombat të bien për të shkaktuar atë zhurmën e shurdhë të injorancës. Këtu bien bombat e lirisë që arrijnë deri tek gardhi i fqinjëve te mi. Unë jetoj në Kabulin ku uji rrjedh nga çdo burim i nëntokës, por sërish ai vjen dy orë në ditë. Të gjithë luftëtarët e shtëpisë time vrapojnë për të mbushur enët, për të ujitur ato pak pemë të gjalla e për të pastruar fizikun e tyre. I tillë është Kabuli im.

Ne kemi një rrugë kryesore që përpara disa dekadash Italianët e ndërtuan për të vjedhur miniraret e nëntokës time. Lufta jonë i perzuri dhe rruga na mbeti po neve, por ato rrugë mbanin erën e shpifur të maceve të ngordhura apo dhe qeseve me mbeturina. Banjot tona nuk kanë një tunel për t’u derdhur atje ku duhet dhe derdhen në lumin tonë “Lanë”. Ai është ashtu siç mbart emrin “i lane ” (sipas dialektit tim). Në Kabulin tim ka gardhe gjithandej. Secili është mbret në çadrën me tulla që ka ndërtuar. Nëse e prek gardhin e tyre, një bombë shpërthen. Ke shkelur kufirin e një të forti. Kabuli im është një lagje gangsterësh që ushqehen me fara, luajnë bilardo, pijnë ndonje dopio raki (pije tradicionale kjo) dhe vizitojnë të njëjtin perimetër sigurie, duke ruajtur për të huajt që mund të shkelin territorin.

Në rrugën kryesore të lagjes time kryeministri i vendit tim kalon me 7 makina sigurie, por si për çudi asnjëherë nuk i ndjen gropat e rrugës, poshtë asaj që kanë ndërtuar italianet. Në të njëjtën rrugë kalon dhe nje hekurishte që banorët e Kabulit e quajnë autobuzi i Uzinës së Traktorit. Është një rrangalle që përplaset në çdo 10 metra rrugë, e pisët, me buburreca, pluhur gjithandej dhe njerëz që ngjiten me njeri tjetrin nga djersa e tyre. Ajo rrangalle brenda 25 miniutash të çon në qendër të Kabulit që kohët e fundit ka filluar të lustrohet. Po prapë është i pisët, prapë ka shenja të burgosjes. Kabuli im nuk është në luftë, por qytetarët nuk janë në paqe e nuk kanë as drejtësi. Kabuli im nuk ka ndërgjegje e kjo bën që të mos ketë as liri. Në këtë Kabul mësova se ferri është i bardhë si muri i dhomës time. E dini. Kam menduar gjithmonë që niveli i demokracisë në një vend matet nga rapoti i çmimit të librit me atë të pagës. Në Kabulin tim një libër kushton sa një ditë e gjysëm punë. Ndaj ne jemi thuajse të gjithë injorantë. Ne na shpërndajnë dhe shesin injorancë. Une jam qytetare e Kabulit, por nuk kam qenë kurrë atje, madje as nuk e di ku është tamam në hartë. Di vetëm që atje bëhet luftë dhe njerezit vdesin. Unë jetoj në Kabul, jam një grua. Nuk kam qenë kurrë vajzë. Kam lindur grua se në këtë qytet që unë e quaj Kabul femrat quhen gra që kur lindin. Nevoja e tyre matet me sa fëmijë lind dhe sa pune shtëpie bën, por në fund të ditës ti je një grua dhe gratë në Kabul e kanë trupin dhe shpirtin të përdorur. Të gjitha tregohen me gisht nga ata që i kanë përdorur si skllave pune, shtëpie apo dëshire.

Unë jam qytetare e Kabulit, nuk mund të them me shumë se kaq. Arma që kam në kokë (morali shoqëror) me urdhëron të ndaloj shkrimin. Mos e vizitoni Kabulin se po e vizituat do të jeni dhe ju qytetare të tij. Kabuli nuk jep kurrë, ai rrëmben, torturon dhe vret. Une jam qytetare e Kabulit. Rrezikoj të vritem nëse kaloj gardhin tim, nëse jap mendimin tim, nëse them të vërtetën, nëse zbatoj ligjin, neëe hedh mbeturinat në kosh, nëse ngre zerin për të drejtat e mia, nëse kërkoj lirinë,nëse dashuroj, nëse dal, nëse besoj. Unë jam qytetare e Kabulit, mos më kërkoni t’iu jap më shumë shpjegime sepse nuk i kam, mjaftohuni me kaq për sot. Mos e vizitoni Kabulin tim, thjesht lexoni për të…

Filed Under: LETERSI Tagged With: Flogerta Krypi, QYTETARE E KABULIT

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2953
  • 2954
  • 2955
  • 2956
  • 2957
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT