Nga Ëngjëll Luçi /
Të shkruash mbi mitet do të thotë të shkruash në gjithëkohësi dhe për gjithëkohësinë. Miti paraqet të kaluarën që po ashtu është dhe e tashme ! E tashmja gjendet në të shkuarën, e madje aty duhet kërkuar dhe e ardhmja! Miti është para së gjithash rikuptimësim , burim, fillese, esencë e gjithckaje! Në mit zbulohet esenca e shpirtit të njeriut!
“Mitet janë bërë për të ndezur imagjinatën!” – shkruan A . Kamy tek “Miti i Sizifit” , në qendër të së cilit është personazhi mitologjik grek, Sizifi, i dënuar nga perënditë të ngjisë vazhdimisht një gur në faqen e një mali. Mitet shërbejnë si simbole, dhe si të tilla, konteksti në të cilin zgjedhim t’i vendosim mund të na ofrojë shumësi interpretimi, këtu qëndron esenca e tij universale dhe e pakohshme !
Mitet janë burime nga të cilat mund të nxjerrim shumë thesare, e kështu ne mund të zbërthejmë çdo kod të jetës dhe botës që na rrethon , sepse ajo vetë ka këtë strukturë sa të ndërlikuar, po aq interesante. Ky është i vetmi çelës që na hap dyert drejt së vërtetës . E këtë kam tentuar edhe unë, duke gjetur si burim detin e thellë të mitologjisë pellazgo-ilire!
“Nata kishte kohë që kishte rënë. Një udhëtar kishte kohë që ecte. Ai hyri në çifligjet e mbretit të lig, ashtu nëpër baltë mezi gjente rrugën, sepse shiu që kishte rënë i pengonte shikimin. Iu afrua portës së madhe të kështjellës dhe filloi të trokiste fort, duke shpresuar se dikush do t’ia hapte. Porta u hap, një nga shërbëtorët e shoqëroi në dhomën e ngrohjes, atje ku mbreti i lig kishte qoshenë. Bardhak me verë u mbushën atë mbrëmje, dhe këmbanat ranë fuqishëm deri në mesnatë. Mbreti i dha mikut për të ngrënë e për të pirë, por mishi që i kishte servirur ishte i njërit prej shërbëtorëve të tij. Udhëtari i zgjuar nuk e kishte ngrënë dhe më në fund, duke ngritur një dolli, i tregoi mbretit të vërtetën se kush ishte … ai ishte Zeusi, vetë perëndia. Më kot ishin lutjet që mbreti i bëri Zeusit të madh. Ashtu në gjunjë duke kërkuar falje për tërë ata njerëz që kishte ngrënë, ai filloi të dridhej duke qarë. Lotët dhe britmat e tij u përzienë me zërin gjëmues të Zeusit që mallkoi mbretin duke e shndrruar atë në një ujk. Ai e degëdisi atë të endej nëpër pyjet e fiseve të tij dhe matanë për t’u ushqyer me gjak vetëm gjatë netëve me hënë, sepse mëkatet që ai kishte bërë ishin të shumta, ndaj mbreti nuk mund të kishte vënd në këtë botë. E kështu që atëherë ai endet nëpër pyjet e netëve me hënë duke ulëritur si i marrë e duke ndjekur gjahun e tij për të marrë atë pak gjak që të mbijetojë, sepse ashtu ishte mallkimi që qenia të mos prehej as në këtë botë e as në tjetrën. Ai dikur ishte një mbret, emri i tij ishte Likaon! Ai ishte mbreti i parë i fiseve pellazgo-ilire ! ”
Nuk dihet se sa javë ,muaj, vite e shekuj kanë kaluar që nga ai çast! Mbretit vazhdoi t’i rëndojë ende mallkimi i Zeusit si barrë e rëndë mbi shpinë. Ai vazhdoi të endej nëpër pyjet e netëve me hënë në kërkim të gjahut për atë pak gjak që të mbijetonte ,sepse i tillë ishte mallkimi! Me kalimin e kohës , mbreti pësoi ndryshime të rëndësishme, u bë më njerëzor nga pamja, po aq i frikshëm nga egërsia dhe mizoria! Ai evoloi. .. ai u bë unë!
Unë jam Likaoni, unë jam NJERIU! Ajo çka më bën të mbijetoj nuk është më gjaku, por diçka më e këndshme për syrin… paraja, preja ime është pushteti! Unë vras për para dhe pushtet ! Zeusi nuk është më i gjithëpushtetshmi në Olimp, as Olimpi nuk ekziston më aty ku ishte! Olimpi është dikund tjetër tashmë, ai është shpirti im, ku Zeusi, zëri i brëndshëm dhe egoja, është zot i tij. Zëri i brëndshëm dhe egoja më shtyjnë përpara, më thonë mos ji i mëshirshëm … hm ky është po ai ndëshkim po aq i tmerrshëm!
Gjithçka që kam ndërtuar, shteti dhe organet e tij ,shoqeria … nuk janë veçse veglat e mia, pjella të cilat nuk bëjnë gjë tjetër veçse më ndihmojnë të përmbush egon time , të vras për para dhe pushtet! Kam gjykatat… shtëpi të padrejtësisë, ku secili që do të fitojë të drejtën e tij, duhet të hedhë “ca verdhushka ” ,kështu që edhe unë kënaqem! Kam spitalet … shtëpi të sëmundjeve, ku verdhushkat janë i vetmi opsion në do të dalësh i gjallë! Po ashtu kam edhe institucionet e arsimit, shkollat e mesme dhe të larta … shtëpi të injorancës dhe matrapazërisë, ku edhe nxënësi apo studenti më i zotë duhet të shkarkojë në xhepin e pedagogut apo mësuesit “ca verdhushka” që të marrë një notë më të mirë në fund të vitit, apo një diplomë shpesh herë të pa vlerë e ta vari në mur si trofe ! Ky pra është shteti që unë kam … paguaj në do ta kesh mirë me mua!
Ah se për dreq harrova … kam edhe diçka tjetër, shoqerinë, veglën time më të frikshme! Një dorë e shtrirë për ndihmë karshi saj, konsiderohet si sinjal për t’i dhënë një pështymë surratit dhe shkelm drejt humnerës, kujtdo që ka guximin ta shtrijë atë! Dhënia e dorës dikujt në nevojë është dalje nga binarët!
Ky pra jam unë, NJERIU, qënia më e përbindshme e të gjitha kohërave!