• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

FAIK KONICA, ZBULUESI I FLAMURIT TË SKËNDERBEUT,IDEATOR PËR NJË HIMN KOMBËTAR

March 28, 2016 by dgreca

Me rastin e VITIT FAIK KONICA shpallur nga Vatra/

Fletore koniciane nr. 20 /

 Nga Fotaq Andrea/

 Për Mjeshtrin Taso (Anastas Kostandini), piktori pogradecar me penel të vrullshëm kombëtar/

  1. Fan Noli i njeh Faik Konicës, bashkëluftëtarit të tij në Kryqëzatën e shenjtë Kombëtare, meritën e zbulimit të Flamurit të Skënderbeut.1 Meritë madhore, për gjithë sa simbolizon vetë flamuri kombëtar, sidomos kur sjellim në vëmendje ato kohëra të errëta e të egra që përjetonin shqiptarët nën pushtimin osman.

Që më 1897, Konica 21 vjeçar iu drejtua me thirrje zemre “shqiptarëve mëmëdhe-dëshërimtarë për t’u mbledhur rreth e rrotull flamurit tonë”2. Shumë herë ngjeu penën për bëmat dhe në bëmat skënderbejane, që shkëlqyen në Europë nën flamurin kastriotas, me emrin e  Albanisë, emër me të cilin ai pagëzoi revistën e tij. Solli në koren e kësaj kryevepre emblemën me shqiponjë të Skënderbeut, vargjet e popullit për Kryetrimin, si dhe vargjet e veta e të rilindësve për atë që u quajt “Dragoi i Shqipërisë”, “Babai i Kombit”, “Mbreti i Shqiptarëve”. Vuri në qendër të prozës poetike Mrikën 17 vjeçare, “me leshrat që i derdheshin gjer në vithe të kalit” dhe që mbrojti Skënderbeun në shesh të betejës me gjoksin e saj të njomë shpuar tejpërtej nga shigjetë e turkut.3 E shenjtëroi vashën luftëtare shqiptare si gruan e thjeshtë të popullit francez me gjoksin zbuluar majë barrikadës në tablonë e Delacroix “Liria udhëheq popullin”. Solli Shegën, “Lulen e Maleve”, “Perëndeshën e luftës”, siç thotë, atë zanë e Dianë shqiptare që ra edhe ajo në shesh të betejës, kur plumbi i halldupit “i prekojti siskën e rrumbullakët dhe ndoti me të kuq bardhësinë e saj”.4 Dhe, pas Mamicës e Vojsavës në lot për vdekjen e Kryetrimit dhe rënien e Krujës, pas “Vajtimit për robëri të shqiptarëve”5 ringjalli  në Kujtesën e Kombit – si një Feniks që rilind nga hiri çdo pesëqind vjet – edhe vetë Kryeheroin, atë vit fatlum 1912 kur, me emrin dhe “Flamurin e tij të kuq dhe shqiponjë të zezë dykrenare”, dha kushtrimin final për t’u dhënë turqve dërrmën e fundit dhe kur shqiptarët, “duke parë atë flamur, të cilin nuk e kishin harruar, i faleshin me gaz edhe e prisnin si fytyrën e gjallë të çlirimit”.6

Por, përtej këngës së tij me patos rilindës dhe simbolikë të goditur, përtej romantizmit të fuqishëm si tipar dallues i Përlindjes shqiptare, Konica hulumtoi e gjurmoi – mbi bazë të gjerë dokumentare dhe shkencore -, Historinë e Arbrit gjatë periudhës kastriotine, kërkoi e nxori në dritë portretin autentik të Skënderbeut, bashkë me emblemën e tij, si dhe studioi e analizoi nga afër armët dhe përkrenaren e Heroit shqiptar drejtpërdrejt në muzeume, arkiva e biblioteka të Europës. Po ashtu, iu referua me kujdes e frymë kritike autorëve perëndimorë që e kishin trajtuar gjerësisht figurën e tij. Dhe tërë këto hulumtime i pasqyroi te “Albania”, me pendë të tillë që  gdhend fjalën shqipe e frënge, ndihur nga peneli plot mjeshtëri i artistëve blegë Paul Nocquet e Alfred Bastien, të cilët ilustruan revistën koniciane për mikun e tyre të ngushtë shqiptar. Krejt “Abania” është kësisoj një pasqyrë dhe dëshmi e gjallë e ringjalljes së lavdisë skënderbejane, me gjuhë të freskët e të fuqishme, është një valëvitje e stuhishme flamuri për zgjim e bashkim kombëtar në betejat për pavarësi. “Flamuri i kombit shqiptar, nënvizon revista, kur shqiponja e Shqipërisë ndriste dhe ishte përmbi gjithë kombet e Ballkanit, ishte i dëgjuar e i nderuar prej gjithë kombeve të Europës, duke qenë mbajtur nga duar të shëndosha të gjyshërve tanë, të cilët nuk dinin të mendoheshin ndryshe përveçse shqip”.7

Më 1899, Konica thuri me vargje klasike poezinë “Flamuri”. Që në strofat e para dy-vargëshe, që shquhen për ritmikë luftarake, si një marsh i vërtetë, ai e sheh simbolin flamur të lidhur fort me emrin e Skënderbeut, burim frymëzimi shpirtëror për shqiptarët: “Skënderbeu kur jetonte / Shqipëria lulëzonte, / Ish e fortë ish e zonjë / Kish në flamur një shqiponjë, / Një shqiponjë me dy krerë, / Ai lirisht hapej n’ erë “.8

Pa u ndalur në një koment të hollësishëm të kësaj “poezie flamur” për flamurin kombëtar – ku Konica e ngjesh vargun me lot e revoltë për gjendjen mjerane në të cilën ishin katandisur shqiptarët e kohës së tij, tek zëvendësuan flamurin historik kombëtar me bajrakun klanor dhe tek “u bashkuan me aganë” për të mbetur pa dritë, kur “kordhat u ndryshkën e në baltë na ra flamuri i naltë!” dhe kur “zuzarët ulërijnë se janë shqiptarë, [por] po bëhen tradhtarë e shërbëtorë”, – është me interes të theksohet në poezinë “Flamuri” thirrja koniciane me peshë aktuale, kundër të gjithë bajraktarëve të sotëm të politikës shqiptare, molepsur keq në korrupsion, që pengojnë sot e kësaj dite përparimin e shpejtë të Kombit shqiptar në rrugën e demokracisë: “Luftë për ca zuzarë, që u lindën shqiptarë… / Është turp për kësi krimbash / Të mundohet një komb trimash!”9  – Heeej Konicë! me fjalën plumb, që bumon e shpon drejt e në zemër!

Më tej, rilindësi i pjekur e i thekur që në moshë të re, i kthehet e rikthehet “Flamurit” me disa shkrime radhazi në prag të shpalljes së pavarësisë (1911), për të nënvizuar idenë se “Flamuri Shqiptar” është i tillë që vetëm syri, zemra, shpirti i një njeriu me ndjenja të larta mund ta kuptojë gjuhën e tij të pashkruar, se “Flamuri Shqiptar”, që nga koha lavdimadhe e Skënderbeut, përherë ka qenë vetëm “Flamur për vetëmbrojtje, me mundime të palodhura dhe trimëria të gjata e të forta”, dhe kurrsesi “jo një flamur lakmirash e rrëmbimesh”10. Dhe Konica që konkludon si rrallëkush, plot urti: “Nga kjo pikëpamje, mund të mburremi se flamuri ynë, siç është një nga më të vjetrit në botë, është dhe një nga më të drejtët”.11

Një nga më të drejtët!… Në një Europë që u tregua aq e padrejtë historikisht ndaj shqiptarëve!… Po as këtu Konica nuk ia përtoi kritikës fshikulluese e ironike, siç dinte veç ai, tek shkroi në frëngjisht te “Albania” më 1897: “Model mirënjohjeje – Europa është kërcënuar dy herë nga një pushtim turk: në mesin e shekullit XV dhe më 1683. Herën e parë u shpëtua nga Georges Kastriot Skanderbeg, dhe herën e dytë nga Jan Sobieski. Sobieski ishte nga Polonia, Skanderbegu nga Shqipëria. Ja pse Europa lejon që shqiptarët të shtypen nga të egrit turq dhe polakët nga të egrit moskovitë.”12

Një tjetër shkrim me bukuri koniciane, për idenë e fuqishme që përmban, është edhe proza e titulluar “Feja e Flamurit”. Sigurisht që flamuri kombëtar, “flamuri i nderit e i lirisë”, tek simbolizon e sintetizon idealin dhe dashurinë për mëmëdheun, përfaqëson edhe krejt lavditë e djeshme, të sotme e të nesërme në vijimësinë e brezave. Dhe Konica, në emër të flamurit të Shqipërisë, veç kur befason duke iu drejtuar me thirrje oshtime rinisë shqiptare, si e ardhmja e vendit që mban në duar fatet e kombit. Tek e don të ndërgjegjësuar për rolin e saj në rrugën e përparimit kombëtar, ai thekson: “U lajthitën ata që thanë se të rinjtë duhet të mësojnë nga pleqtë. Jo. Historia na thotë që pleqtë kurdoherë kanë mësuar nga të rinjtë. Djelmuri e Shqipërisë, mësoi Kombit shqiptar Fenë e Flamurit”.13

Po ashtu, edhe në ditën më të zezë të pushtimit fashist të vendit më 7 prill 1939, Konica i kthehet prapë e prapë flamurit të Shqipërisë, flamurit të lirë të Skënderbeut, që vazhdon të valëvitet në zemrat shqiptare “me shpresë se dielli do të dalë përsëri në qiell”, ngaqë shqiptari ka sedër, nder dhe kuptim se çdo të thotë Flamur i Shqipërisë, Flamur i Kastriotit të Madh, “që ka për të valuar, sa kohë që do mbetet në faqe të dheut një shqiptar i vërtetë”.14

Te Konica, si tek tërë rilindësit, flamuri është kështu vetë qëndresa historike, vulosur me emrin e Skënderbeut, është bashkimi i njëzëshëm i shqiptarëve për unitet kombëtar, si domosdoshmëri historike. Nga kjo pikëpamje, simbolika e  Flamurit Kombëtar për bashkim e vëllazërim, do të kërkonte natyrshëm edhe zërin e përbashkuar të shqiptarëve për një himn mbarëkombëtar që, siç e thekson me të drejtë prof. Vasil Tole në veprën e madhore “Himni kombëtar” do të quhej si askund tjetër “Himni i Flamurit”, në të cilin shkrihen në një të vetme ideja e himnit dhe ideja e flamurit15.

Himni Kombëtar Shqiptar ka, edhe ai, zanafillat e veta, dhe historiku i tij përbën objekt studimesh të rëndësishme, ku domosdo edhe Konicës i njihet një rol parësor në ideimin e këtij himni, që do të ndiqte rrugën e vet të natyrshme nga krijimi i këngës shqiptare me muzikë klasike (viti 1902)16, nga themelimi i bandave orkestrale shqiptare dhe i muzikës korale (organizimi i koreve kishtare më 1907-1908) gjer te përgatitja e partiturave të para të vetë Himnit nga Hilë Mosi e Ilo Tashko, e më tej te Asdreni me shokë që dhanë Himnin Kombëtar, këtë “fakt të ndritur historik”,17 vulosur me gjak e sakrifica. Ishte vetë nevoja shpirtërore e një populli të tërë të përvuajtur që, në prag të Pavarësisë, kërkonte – si dikur thirrja e luftarake e Lekë Dukagjinit “E mbë ta!” (E mbi ta!) në furinë shqiptare ndaj turkut pushtues – thirrjen kushtrim të Himnit: “Rreth flamurit të përbashkuar!”, atë thirrje mobilizuese për qëndresë në çdo kohë e rrethanë, që përherë mban lart zemrat dhe ndjenjën kombëtare. Andaj dhe shohim Konicën, më 15 maj 1911 në Saint Louis, Missouri, t’i hyjë një ndërmarrjeje të re, siç di e befason ai, tek përshtat lirshëm e bukur në shqip vargjet e “Marsejezës” franceze, me ritmikë marshi gjithë gjëmim:

“Përpara, djem’ të Shqipërisë! / Zër’ i kushtrimit po gjëmon! … / I ndryri [i përgjakuri] flamur po valon! / Malet tona po ushtojnë… Egërsirat ju kërkojnë / Nder e gruas, gjakn’ e djalit! / Burra, kush është trim, / Në luftim me nxitim, / Me hov, me hov! I bini me tërbim, / Armikut për shpërblim…”.18

“Marsejeza shqiptare”, me fuqinë e një force koniciane tingëllon kështu po aq energjike sa “Marsejeza franceze”, ku fjala, ritmi, rima na japin “këngën luftare”, siç e quan Konica himnin, tek sheh në kuintesencën e tij zgjimin e ndjenjës së trimërisë, lirisë e atdhedashurisë, “që ndez zemrën e ushtarit me atdhesi”.19 Si jep historikun e “Marsejezës”, që shpejt do bëhej himni kombëtar francez, për vetë rolin madhor që luajti në lavdinë e Francës, Konica ndalet në përshtatjen që ai i bën në shqip tekstit të këngës franceze duke bërë, siç thotë, një “përkthim équirythmique”, domethënë përkthim vargu me barasvlerë ritmi për të njëjtat nota muzikore. Është kjo, një punë tejet e vështirë, që kërkon sa përkthim, aq edhe përshtatje e krijim të zhdërvjelltë, profesionalizëm të lartë, por edhe talent të veçantë, kuptuar vetëm nga ata që dinë ç’do të thotë në thelb përkthim, por që dinë ç’do të thotë në thelb edhe muzikë, në harmoninë e notës muzikore me fjalën poetike.

Me përshtatjen në shqip që i bëri “Marsejezës”, si dhe me historikun dhe komentin e saj, Konica, që nga Amerika dha jo vetëm thelbin e saj patriotik që sintetizon e pasqyron shpirtin dhe ndjenjën kombëtare të popullit francez, (gjest i lartë internacionalizmi nga ana e tij), por edhe modelin perëndimor të ndezjes së ndjenjës kombëtare shqiptare, për ndërgjegjësim të popullit, në një shkallë më të lartë vetëdijeje, në prag të Pavarësisë, kur Himni Shqiptar do të shihte dritën e parë të shfaqjes së tij më 21 prill 1912, një vit më pas nga “Marsejeza shqiptare” koniciane.

  1. Në numrin e fundit të “Albania-s”, botuar në shkurt-mars 1909, tërheq vëmendjen një shënim i shkurtër i Faik Konicës titulluar “Pilori” – huri i dikurshëm (i Mesjetës), siç shpjegon ai, ku lidheshin në sheshin publik keqbërësit “për t’u bërë sehir”. Por Konica e përdor këtu termin si titull rubrike për të denoncuar “ca të thëna të botëshme, poshtërsia karakteristike e të cilave meriton më tepër se të kasnecohet…”.20 Godet kështu gazetën “Lirija” të Selanikut, e cila nuk kishte munguar të denigronte në atë kohë simbolin e çmuar të shqiptarëve, “flamurin e kuq me shqiponjën e zezë dykrenaresh” tek shkruante: “S’mund të themi se ajo lëvere është flamur i Shqipërisë”.21 Aq do duhej, që rilindësi i flaktë, i cili nuk linte organ shtypi pa kaluar në duar kur flitej për shqiptarët, të gatiste kopaçen e vet, çomangen koniciane, dhe të hartonte një shkrim tejet të argumentuar për flamurin shqiptar (artikulli i mëposhtëm – pjesa III), shkrim që, për fat të keq, nuk është ribotuar që nga koha e “Albania-s”.

Duke e lënë lexuesin të shijojë plotësisht penën e Konicës, dhe pa dashur të perifrazojmë një grimë argumentimin e tij mbështetur mbi bazë dokumentare, po parashtrojmë përmbledhtas katër etapat që njohu stilizimi i shqiponjës në emblemat e konceptuara nga Faik Konica dhe të realizuara nën kujdesin e tij.

Fillimisht, vihet re në ballinën e revistës “Albania” përgatitur nga piktori e skulptori Paul Nocquet (duke filluar nga nr. 1, viti II, 1898 i revistës), emblema kastriotase, që vendoset në krye të anës së majtë të revistës, sikundër vetë zemra qëndron në anën e majtë të trupit njerëzor. Përmban shqiponjë të zezë krahëhapur në fushë të artë dhe të kurorëzuar në dy krerët e saj. Në ballë të emblemës, gjendet një shqytëz në formë trekëndëshe, në ngjyrë të kaltër, e me një yll të artë gjashtëcepësh (shpjegimet këtu janë të vetë Konicës). Në fakt, “Ky armor është blazon i shekullit XVI, dhe paraqet emblemën që u skalit rreth vitit 1500 në Napoli, mbi varrin e Kostandin Kastriotit, nipi i Skënderbeut, nën kujdesin e Donika Kastriotit”.22 E quajtur “shqiponja heraldike e Kostandin Kastriotit”,23 ajo dallon për trupin e mbushur e të mbledhur, për qafat e paraqitura në lartësi dhe bishtin në gjatësi, duke pasur, kështu vertikalitet si emblemë.

Duke filluar nga nr. 8, shtator 1900, “Albania” e ndërron plotësisht ballinën e vet apo “kryefytyrën” sipas termit konician, për të na dhënë emblemën e saj të re, që do të botohet periodikisht, gjer në numrin e fundit të revistës, mars 1909. Hyjmë kështu në etapën e dytë të stilizimit të “‘shqiponjës koniciane”, gati mbretërore, nëpërmjet një embleme të fuqishme, që përmban shumë elementë karakteristikë. Emblema është vepër e piktorit belg Alfred Bastien, i cili realizoi për revistën “Albania” edhe një mori vinjetash e ilustrimesh, mbi bazën e kërkesave të Konicës, ku bien në sy stilizime të “Lule Shëngjergjit” për nder të Gjegj Kastriotit, dhe stilizime të vetë shqiponjës. Por le të ndalemi konkretisht te emblema “Albania”,24 që jepet në bardhë e zi, kur origjinali me siguri duhet të ketë qenë me ngjyra, nisur nga vetë tonet e së zezës. Emblema sundohet nga një shqiponjë (e artë) dykrenore sqeponjë-klithëse dhe masive, me krahët e shpalosura dhe një flakadan mes krerëve, përshkuar nga një shirit ku shkruhet latinisht “Unitas” (“Bashkim”). Në gjoks të shqiponjës qëndron flamuri i Arbërit dhe, duke pasur parasysh emblemat e familjeve fisnike shqiptare të kohës,25 mendojmë se ky flamur ka pasur këto ngjyra: tre shirita vertikalë, nga të cilët, dy anësorët në ngjyrë blu dhe shiriti i mesit i verdhë;  në krahun e djathtë, sipër, qëndron një kryq i kuq dhe poshtë, në krahun e majtë, është vendosur një gjysmë hënë dhe përballë saj një yll me gjashtë cepa, po të kuq (sigurisht ngjyrat po i japim të pavërtetuara). Po ashtu, flamuri ndahet diagonalisht në dy pjesë nëpërmjet një vizimi nga e majta në të djathtë. Kemi të pasqyruar nëpërmjet këtij flamuri të Arbrit idenë e lashtësisë shqiptare, nga kryqi i krishterimit te simbolet bizantine të hënës së re dhe yllit me gjashtë cepa (rreze), i njohur si ylli i Davidit. Krejt gjoksi i shqiponjës dhe flamuri i Arbërit, përshkohen nga një shirit i dytë ku është shënuar latinisht viti i botimit të “Albania-s” (Anno 1896) dhe vetë emri i emblemës “Albania”. Një shirit i tretë mbahet nga kthetrat e shqiponjës ku shkruhet: “Unguibus et Rostris”. “Kjo fjalë latinishte, shpjegon Konica, bie shqip “Me qipe e me thonjë”, domethënë shqipja dykrerëse i ruan të drejtat e saj me qipe e me thonjë.”26 Është në fakt motoja e lashtë e qytetit të Avinjonit në kohën papale, e barasvlershme me shprehjen “me dhëmbë e thonj” për të ruajtur diçka të shenjtë, ashtu si shqiponja dykrenore e Sienës në Itali.

Në një etapë të tretë, Konica e ndryshon kryekëput konceptin e tij për shqiponjën dykrenore duke u frymëzuar këtë herë drejtpërdrejt nga Barleti. Merr shkas nga një fjalë e vetme  “Distincta” në përshkrimin që i bën Barleti shqiponjës kastriotase për ta paraqitur këtë herë si shqiponjë të zezë në fushë të kuqe, pa kurora mbi krye, por me flatrat ngritur mjaft përpjetë, duke theksuar në këtë mënyrë idenë e një shqiponje krenare, si e ardhur drejtpërdrejt nga frontet e luftërave ngadhënjyese skënderbejane. Këtë shqiponjë, ai e konceptoi në fillim të shekullit XX dhe e shohim të shfaqur kryesisht te kartolinat që botoi Aladro Kastrioti me rekomandim të Konicës dhe që u shpërndanë në mjaft kopje në Shqipëri në vitet 1904-1910 për të propaganduar flamurin kombëtar. Po ashtu e shohim këtë shqiponjë më pas, me rastin e botimit të organit “Trumbeta e Krujës” në Sent Luis, Amerikë, më 1911. Dhe vetë Konica që e komenton me hollësi këtë shqiponjë te “Dielli” i 25 nëntorit 1938: “Kryefytyra e Trumbetës së Krujës është përvijësuar me mjeshtri nga një artist i Bostonit, Z. Morse,27 pas planit dhe dokumenteve që i dhashë. Vëreni re mirë dhe kuptojeni: më një anë, kalaja e Krujës, gjysm’e prishur. Në majë të një mur-kulle, ka dalë një ushtar i veshur me çelik e hekur, si në kohë të Skënderbeut… Më anë tjetër, si një shpresë e largme, por jo e kotë, shohim flamurin e Skënderbeut, por flamur feste dhe jo lufte… Më të mëngjër e më të djathtë janë të dy dokumentet katërqind vjeçare të vjetra, që provojnë se me të vërtetë kështu ish flamuri i Skënderbeut”.

Në një etapë të katërt, shohim të na shfaqet tanimë shqiponja dykrenore, e stilizuar në disa variante, kryesisht shqiponja e gazetës “Flamuri” dhe sidomos ajo e gazetës “Dielli”, që do të njohë disa stilizime: fillimisht me krahë mjaft të shtrira dhe herë me diellin mes kryeve dhe rrezatime të gjata a të shkurtra, herë me diellin në gjoks, pa rrezatime, ose pastaj shqiponjë me krahë të drejta horizontale që simbolizojnë edhe vetë rrezet e diellit. Nuk mungon as shqiponja me një lakore të madhe diellore në formë shiriti që kurorëzon krejt emblemën e gazetës “Dielli”.

Në fakt, simbolin e diellit e kemi te “Albania” koniciane që me fillimet e revistës në ilustrimin e Nocquet, si dhe te ilustrimet  “Farëhedhësi” dhe “Malet e Shqipërisë”, nga i njëjti piktor. Po ashtu edhe te vinjetat e Alfred Bastienit përdorur te “Albania”. Veçse, pas shpalljes së Pavarësisë, simboli i shqiponjës do të vijë duke u stilizuar përherë e më shumë, siç na e dëshmon studiuesi virtuoz Jaho Brahaj. Në flamujt e shpalljes së Pavarësisë dhe të shtetit të ri shqiptar, por edhe në emetimet e para të pullave postare dhe prerjet e monedhave shqiptare gëlojnë stilizime të mahnitshme të shqiponjës dykrenore, sidomos te flamuj të shoqërive patriotike brenda dhe jashtë vendit. Tanimë, shqiponja dykrenore e flamurit të Skënderbeut, zbuluar e iniciuar nga Konica – si krejt zbulimet dhe Punët e tij të mëdha Kombëtare –  e kishte bërë punën e vet për t’u shndërruar shpejt në Flamur Kombëtar dhe në version zyrtar.

III.  Nga Faik Konica

Shqipëria e ka një flamur autentik? – Përgjigje për një të sharë xhonturqve

Solli në shqipen e sotme Fotaq Andrea/

Xhonturqit, për të shuar idealizmin në zemrat e shqiptarëve, përhapën dhe po përhapin fjalën që Shqipëria nuk ka flamur autentik, që flamuri i kuq me të zezën shqiponjë dykrerëshe, është i përbërë rrenësisht tani shpejt, dhe që kjo “lëvere” s’ka ndonjë rëndësi fare. Oh jo, o xhonturq, nuk është ashtu! Lajthiteni shumë. Në kini dyshim, pyesni kockat e stërgjyshërve tuaj, dhe do të mësoni lartin dhe madhërinë e atij flamuri. Dhe jo kockat e kraharorit, po kockat e kurrizit – se turqit, stërgjyshërit tuaj, të mundur prej atij Flamuri në jo më pak se njëzet e dy luftëra, i kthyen më shpesh kurrizin se sa qëndruan t’i bëjnë ballë.

Por, që t’u presim guximin xhonturqve, dhe t’u provojmë shqiptarëve padrejtësinë e armiqve të kombit tonë, do të shtrojmë përpara secilitdo tekste autentike që dëftojnë, pa lënë fare vend për dyshim, vjetërsinë dhe vërtetësinë e flamurit që përdorim.

Kur bisedohet një pikë historie, duhet më parë të marrim librat më të vjetra  dhe më të shëndosha që e ngasin atë pikë. U botuan latinisht, frëngjisht, gjermanisht, italisht, anglisht, hispanisht, portugisht, suedisht, greqisht, më tepër se njëqind vepra përmbi jetë të Skënderbeut. Por, lënda e të gjitha këtyre veprave është e marrë, rrjedh nga një burim. Thashë “burim”, dhe këtë fjalë mbajeni mend, se nuk është një metaforë e ardhur pa kërkuar nën pendën time, por është pikërisht fjala teknike e përdorur nga historianë; Thonë frëngjisht “les sources” , “burimet” e një çështjeje historiake. Kënduat ngandonjëherë fjalën “bibliografi” të përdorur këtu [te “Albania”]. I ndjeri Emile Legrand gatonte një bibliografi shqiptare. Puna e bibliografëve është të ngrehin lista metodike librash përmbi aksh e aksh subjekt, që jo vetëm studentët e një çështjeje të shohin se ç’u botua përmbi atë, po të dinë edhe burimet nga u hoqnë [nxorën] ato botime.

Mjerisht, “burimet” e Skënderbeut tonë janë aq të pakta, sa s’kemi nevojë për kërkime të veçanta, dhe i dimë që janë dy.

I pari burim është një libër i shtypur më 1480 (vetëm 13 vjet pas vdekjes së Mbretit!), në Venedik, latinisht, nën këtë titull: “Historia Scanderbegi edita per quendam Albanensum. Venetiis impressa industria, atque impensa Erhadi Radolt de Augusta  anno Domini 1480. Die 2 mensis Aprilis ducante Joanne Mocenyco  inclyto Duce”.  Do me thënë: “Historia e Skënderbeut e botuar prej një shqiptari. U shtyp në Venedik me mundim dhe me të holla t’Erhard Radolt-it në vit të përlartë të Zotit 1480, ditën e 2-të të muajit të Prillit, kur ish në fron (të Venedikut) Joanni Mocenigo, duka i shkëlqyer”. Për autorin, i cili me modesti të tepërt, nuk e shfaqi emrin e tij, dimë këto: Ish nga Tivari, dhe një vëlla i tij qe zyrtar ndër truprojësit e Skënderbeut. Nga ky vëlla, autori shqiptar i mësonte të gjitha punët e Mbretit pothuaj ditë pas dite: zakonet e veçanta të Skënderbeut, marrëveshjet diplomatike, fushat e luftës, të tëra janë shkoqitur me shumë kujdes. Një tregim [episod] do t’u tregoj vërtetësinë e autorit tonë: kur arrin në histori të luftës së Skënderbeut në Itali, ku Mbreti ynë kishte vajtur t’i ndihte mbretit Ferdinando të Napolit kundër frënqve, shkronjësi kërkon ndjesë nëse bën lajthime, sepse, thotë, këto të ngjara i mësoj nga dorë e dytë, duke qenë që i vëllai i tij, i sëmurë në atë kohë, qe i shtrënguar të mbetet në Shqipëri: “Frater meus, qui in ipsis Domini stationariis ordines ducebat, cujus traditiones ego potissimum sequebar, eo tempore morbo implicitus domi manere coactus fuerit”. Si e shihni, libri i shkronjësit të Tivarit është një burim shumë i vlershëm për jetën e Skënderbeut. Për fat të keq, s’ka mbetur më sheshit asnjë ekzemplar; po me gjithë këtë, e njohim me anë të priftit Biemmi, i cili e përdori, pothuaj e përktheu, në jetë të Kastriotit që botoi italisht më 1742 në Brescia.28

I dyti burim i jetës së Skënderbeut është vepra e Barletit: “Historia de vita et gestis Scanderbegi, etc”. (“Histori e jetës dhe e të bërave të Skënderbeut, etj). Barleti qe shkodran dhe e kish parë me sy Skënderbenë. Kur ra Shkodra në duar të barbarëve, Barleti u ngrit e shkoi në Venedik, dhe atje botoi më parë historinë e luftës së Shkodrës. Më 1508, botoi latinisht jetën e Skënderbeut, e cila pati shumë edicione dhe shpejt u përkthye në të gjitha gjuhët e Evropës. Edicion i parë, 1508, është shumë i rrallë; po British Museum-i, i cili është fort i pasur në libra për Skënderbenë, ka jo një, po dy ekzemplarë nga ky edicion!

Pas këtyre burimeve, mund të shtojmë një vepër shumë edicionesh (i pari të cilin e kujtoj këtu, doli në Paris më 1576) të Lavardinit: “Histoire de George Castriot, surnommé Scanderbeg, roy d’Albanie. Par Jacques de Lavardin, etc., Paris, 1576”. Libri i Lavardinit, i hequr nga i Barletit, nuk mund të quhet një burim, po ka një vlerë: si e dëftova aq herë te pjesa frëngjisht e “Albania-s”, në atë kohë mbretërit e Francës kishin një trupë shqiptarësh në ushtri të tyre. Lavardini, si burrë i luftës, kish raste mjaft që të piqej me këta ushtarë, të cilët do kishin dëgjuar qindra herë  nga pleq të vendit të tyre të ngjarat dhe punët e Skënderbeut. Lavardini pra qe i zoti të kontrollonte të thënat e Barletit; dhe në mos e akseptofshim si burim, se burim nuk është, kemi të drejtë ta pëlqejmë si një shtim të dobishëm të burimeve.29

Le të kërkojmë tani në këto vepra me rëndësi në bëhet fjalë për flamurin e Skënderbeut dhe ç’thuhet.

I.” Anonimi i Tivarit”, 1480 (i cituar prej Biemmi-t, f.23) thotë: “L’insegna di Scander begh era un’aquila negra distinta in due teste sopra campo rosso.” Do me thënë: “Flamuri i Skënderbeut ish një shqiponjë e zezë me dy krerë dhe e hapur në shesh të kuq”.

  1. Barleti, 1508 (fletë XV) thotë: “Rubea vexilla nigris et bicipitibus distincta30 aquilis gerebat Scanderbegus.” Do me thënë: “Skënderbeu mbante flamurë të kuq të shtruar, me shqiponja të zeza dhe dy krerësh”.

III. Lavardin-i, 1576 (faqe 42) thotë: “Dans ses estendars, qui estoient tous rouges, il portit une Aigle noire à deux testes.” Do me thënë: “Në flamur të tij, që ishin të gjithë të kuq, Skënderbeu kish një Shqiponjë të zezë me dy krerë”.

Si e shihni pra, o vëllezër, flamuri ynë, i cili është një nga më të ndershmit dhe më të lëvduarit e botës, është pa dyshim edhe një nga më të vjetërit. Turqit le të thërrasin “lëvere” flamurin e tyre, i cili është i përlyer dhe i kalbur nga lot dhe nga gjaku i armenëve dhe i aq kombeve të tjera.

Albania, vëll. XII, 1909. 

1 Në seancën e parlamentit shqiptar më 1923 dhe gjatë fjalës së tij ditën e varrimit të Konicës.

2 “Programi tonë”, Albania nr 6, f. 90-91; “Si të punojmë”, Albania n° 5, f. 65.

3 F. Konica, Vepra 1 , f. 150, bot. Dudaj.

4 Po aty, f. 89.

5 Po aty f. 70. “Albania”, n°5, vëll. X, 1906, f. 94.

6 Vepra 1, cit. f. 176, “Gatitjet e Skënderbeut kundër turqve”..

7 “Albania”, nr. 5, 30 korrik 1897 f. 65.

8 Po aty, f. 67.

9 Po aty, f. 68-69.

10 Po aty, f. 105.

11 Po aty.

12 “Albania”, nr. 5, 30 korrik 1897, f. 88.

13 Vepra 1, cit. f. 107.

14 Po aty, f. 106.

15 Aristotel Mici, “Rreth librit “Himni Kombëtar” të etnomuzikologut prof. Vasil Tole”, https://gazetadielli.com/rreth-librit-himni-kombetar-i-etnomuzikologut-prof-vasil-tole/

16 F. Andrea, “Fletore koniciane n° 19”, botim “Dielli”, 11 mars 2016.

17 A. Mici, vep.cit.

18 Vepra 1, f. 72, 110-111.

19 Po aty, f. 110.

20 “Albania”, vëll. XII, 1909, f. 16-17.

21 Po aty.

22 Gjin Varfi, “Heraldika Shqiptare”, bot. Dituria, Tiranë, 2000, f. 31.

23 Jaho Brahaj, “Flamuri i Kombit shqiptar, origjina, lashtësia”, Tiranë, 2007, f. 79. Vetë Konica e komenton këtë emblemë  tek “Albania” nr. 1 (XIII), 30 maj-15 qershor 1898, duke na dhënë  edhe burimin nga e ka marrë : “Libri gjenealogjik i Kastriotëve nga Komandori Padiglione“, Napoli 1879.

24 Një përshkrim të kësaj embleme ka bërë edhe studiuesi Efthim Dodona në artikullin “Alfred Bastien dhe pikturat për Konicën”. Gazeta shqiptare (“Milosao”, suplement). – Nr. 4100, 13 janar, 2008, f. IV.

25 Emblemat e familjeve fisnike shqiptare Sokoli, Maruli, Avloniti, ndër të tjera, kanë pasur të pasqyruar simbolin e gjysmë hënës, si në ngjyrë të artë, ashtu dhe të kuqe. Gjin, Varfi, vep.cit. “Heraldika shqiptare”.

26 “Albania”, nr.8, 10 shtator 1900, viti IV vëll. E, f. 9.

27 C.H.D. Morsl. – nënshkruar në pjesën fundore të ilustrimit “Trumbeta e Krujës”.

28 Humbja e Librit të Tivarasit nuk është një e ngjarë e rrallë në historinë e librave. Një tragjedi e Thomas Corneille-it (vëllait të Corneille-it të madh) u botua në shekull të XVII, u shit, u bisedua [komentua] në shkrime, u loz në theatro, – dhe sot nuk mund të gjendet asnjë copë gjëkund. (“Brunet, Manuel du Libraire” E citoj nga kujtimi). Shihni veprën e Budit “Speculum Confessionis” (Rome, 1621), qenien e së cilës e shfaqa për të parën herë dy vjet më parë te “Albania”: ndodhet në botë vetëm një copë e njohur, në Bibliothèque Mazarin të Parisit (n° 24, 582). Libri i Tivarasit u botua 150 vjet më parë se ai i Budit dhe nja 200 më parë se ai i Th. Corneille-it. Por prapë, jam i sigurt që një ditë do të gjendet një ekzemplar në ndonjë libërtore të Italisë. (Shënim i F. Konicës).

29 Kjo ide e Konicës mund të jetë e vlefshme edhe për sa i përket “burimit bibliografik të Biemmi-së” i njohur si “Anonimi i Tivarasit”, i cili, deri më sot (me përjashtim të Konicës, A. Gegaj e Nolit), nuk ka qenë pranuar nga Historiografia shqiptare. Prof. Kristo Frashëri, në veprën e tij “Skënderbeu, Jeta dhe Vepra“, e trajton gjerësisht çështjen e ekzistencës, autenticitetit dhe vlerës së “Anonimit të Tivarasit”, duke e lënë, me të drejtë, çështjen të hapur për diskutim e studim objektiv e shkencor, mbi bazën e një ballafaqimi të drejtpërdrejtë të veprës së Biemmi-së me dokumente të kohës. (K. Frashëri, “Skënderbeu…” bot. Toena, 2002, f. 5-20).

30 Kjo fjalë, e përdorur natyrisht edhe prej Biemmi-t, është hequr nga terminologjia heraldike, dhe “thuhet gjithnjë për pendët e hapura me majë të kthyera përpjetë.” (Shënim i F. Konicës –  nënvizimi ynë).

Filed Under: ESSE, Vatra Tagged With: Faik Konica, Fotaq Andrea, I FLAMURIT TË SKËNDERBEUT, IDEATOR PËR NJË HIMN KOMBËTAR, ZBULUESI

Ekspozitë bamirësie në Durrës, të ardhurat për shokun e sëmurë

March 28, 2016 by dgreca

Një ish nxënës i shkollës artistike “Jan Kukuzeli” të Durrësit vuan nga një sëmundje e cila kërkon transplantin e veshkave. Ai ndodhet në vështirësi financiare për të përballuar këtë, ndaj shokët e tij, sot studentë të Akademisë së Arteve, janë mbledhur për ta mbështetur përmes artit të tyre. Nën moton “Së bashku mund të bëjmë ndryshimin për Marselin”, studentë dhe nxënës të liceut artistik kanë hapur një ekspozitë bamirësie në galerinë e arteve “Nikolet Vasia” të qytetit bregdetar. ”Pjesa më e madhe e punimeve janë në shitje. Të gjitha do të shkojnë për Marselin, si shitjet dhe të ardhurat nga kutia e kontributeve që cilido ka dëshirë mund të kontribuojë”, tha Margit Ccala, student organizator i ekspozitës. Të rinjtë kanë gjetur mbështetjen e pedagogëve dhe mësuesve të tyre në këtë ndërmarrje bamirësie të konceptuar me aktivitete të ndryshme artistike. Pavarësisht të ardhurave të pakta të siguruara deri tani, miqtë e Marsel Domit, 20-vjeccarit nga Shijaku, thonë se përpjekjet e tyre nuk do të rreshtin. Në pritje të kontributeve qytetare, ekspozita me 65 punime do të qëndrojë e hapur deri në fund të këtij muaji. {SH.K}

Filed Under: Kulture Tagged With: e sëmurë, Ekspozitë bamirësie në Durrës, për shokun, të ardhurat

Dhuna seksuale në konflikt dhe përtej

March 28, 2016 by dgreca

Nga Atifete Jahjaga/* Është kënaqësi e posaqme për mua që kam mundësinë t’ju drejtohem në këtë forum të rëndësishëm i cili diskuton një nga mjetet më të heshtura të luftës, dhunën seksuale, mjet i cili po shkatërron jetërat e qytetarëve të pafajshëm nëpër mbarë botën.

Siç e dini, kjo cështje është një çështje të cilën unë e kam afër zemrës, sepse kjo ka prekur shoqërinë time jo shumë kohë më parë, duke mbjellur farën e vujatjes dhe dhimbjes thellë në jetërat e viktimave dhe në mbarë shoqërinë.

Dhuna seksuale ishte përdorur si mjet i luftës në Kosovë ndaj mijëra grave dhe burrave me qëllim që të instalohet mbi qytetarët e pafajshëm frika dhe shtypja, pastrimi etnik, nënqmimi i burrave si dhe të zhvishet një shoqëri e tërë nga vlerat e saj njerëzore.Afër njëzet mijë qytetarë të pafajshëm mbajnë në vete plagët e veprave të tmerrshme të dhunës seksuale të kryera nga forcat serbe, të cilat i shëndrruan trupat e tyre në  fushëbeteja për përfitime politike.

Dhe përderisa ne lëvizëm përpara për të rindërtuar të ardhmen tonë nga gërmadhat e shkatërrimit dhe vujatjes së pamasë njerëzore, duke u munduar me shumë sfida të ndërtimit të një vendi paqësor, stabil dhe të sigurt, ne i lamë viktimat e këtij krimi të tmerrshëm që vetë ta luftojnë turpin, izolimin dhe përjashtimin shoqëror pa mbështetje të duhur institucionale dhe shoqërore.

Krimet e papara të kryera mbi trupat e tyre flasin zëshëm për një krim të hatashëm, por ne si shoqëri jemi rrallëherë të gatshëm që ta dëgjojmë këtë vuajtje, e cila ishte tëpër e rëndë për ne ta dëgjojmë.

Ne ditët e para të mandatit tim si Presidente e Kosovës, unë shkova ta takoj një grup të grave, të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës. Isha dëshmitare e faktit se lufta për to nuk kishte përfunduar akoma. Kujtimet e krimit ishin akoma të frekëta dhe se tmerri po rëndonte akoma mbi shpatullat e tyre.

Bisedova me gratë aktiviste, te cilat kishin ngritur zërin për drejtësi dhe njohje të të mbijetuarëve, me zemër të thyer për atë që kisha parë, por e vendosur për të sjellë ndryshim dhe të punojmë bashkarisht për ta thyer këtë tabu shqetësuese e cila po e mbante peng të ardhmën e të mbijetuarëve si dhe të ardhmen e mbarë shoqërisë sonë. Vendosa që të udhëheqë diskursin social dhe institucional drejtë ofrimit të drejtave të mbijetuarëve dhe njohjes së sakrificës së tyre.

Me 7 mars 2014 themelova Këshillin Kombëtar për të Mbijetuarit e Dhunës Seksuale gjatë Luftës për të ofruar një përgjegje të strukturuar institucionale.

Do ta mbaj në mend me krenari ditën e parë të punës të Këshillit Kombëtar sepse ajo shenon herën e parë që ne si institutcione dhe si shoqëri shprehëm vendosmërinë tonë të paluhatur për të thyer këtë tabu, për të luftuar stigmën e cila akoma  rrethon të mbijetuarit dhë për të punuar pa u ndalë për ti trajtuar njëlloj sikurse edhe kategoritë e tjera të dala nga lufta, me rrespekt dhe dinjitet dhe për të nderuar sakrificën e tyre.

Sot, të mbijetuarit e kanë fituar të drejtën për njohje ligjore, e kemi thyer tabunë, dhe pos kësaj edhe kanë gjetur mbështetje të miqëve në mbarë botën, të njerëzve si ju, të ciltë po e ndëgjojnë zërin e tyre dhe po e mbështesin kërkesën e tyre për drejtësi.

Me 12 qershor të vitit të kaluar, në Ditën e Clirimit të Kosovës, Prishtina u kthye në kryeqytetin e të drejtave të mbijetuarëve të dhunës seksuale gjatë luftës, nëpërmes instalacionit artistik “Mendoj per Ty” të artistes Alketa Xhafa-Mripa dhe producentes Anna Di Lellio, kur fusha e blertë e stadiumit të Prishtinës u mbulua me pesë mijë fustane dhe funde, të cilat flisnin zëshëm për veprat jonjerzore të kryera mbi gratë e vendit tonë, dhe të cilat kërkoin njohje dhe dënim të këtij krimi të luftës.

Dhe përderisa po ecja nëpër stadium, nepërmes mijëra fustaneve, pashë dy funde të cilat mbanin mesazhe të cilat ta thenin zemrën; në njërin prej tyre shkruante: “ Unë kam një përjetim të hidhur”, ndërsa në tjetrin “ Ky fund mban një histori të mbyllur që nga pranvera e vitit 1998”.

Sot, këto funde gjenden të varura në muret e Zyrës së Presidentit të Kosovës për të na përkujtuar sakrificën e mijëra grave dhe burrave, për më shumë, për të na përkujtuar obligimin të cilin e kemi ndaj tyre, për ti trajtuar me dinjitet.Gjatë viteve kam dëgjuar tregime të grave ëndrrat e të cilave për tu bërë nëna kurrë nuk u realizuan sepse ato humbën fëmijët akoma të palindur për shkak të dhunës jo njerëzore të kryer mbi to. Kam dëgjuar tregime të nënave të cilat kanë qenë dëshmitare të përdhunimit, rrahjes dhe torturimit të vajzave të tyre, para syve të tyre, tregime të grave të abuzuara seksualisht në mënyra të paimagjinueshme para syve të burrave, baballarëve të tyre, para syve të mbarë fshatit. Tregime të fëmijëve të vegjël të cilët nuk i mbijetuan këto akte jo njerëzore. Tregime të grave të cilat humbën familjet e tyre për shkak të turpit nga ky krim, gra dhe vajza të reja, të lëna prapa me njollën e turpit të vendosur thellë në trupat e tyre.

Në të gjitha këto tregime poashtu u bëra dëshmitare e guximit të vajzave të reja dhe grave, te cilat përkundër cdo gjëje, gjetën forcë për të rindërtuar jetërat e tyre, të kujdesen për femijët dhe familjet e tyre, të cilat i luftojnë për cdo ditë tmerret të cilat i kanë përjetuar dhe të cilan nuk dorzohen asnjëherë. Gra të cilat e inkurajojnë njëra tjetrën për të mbijetuar dhe të cilat i thonë njëra tjetrës se ato janë heroinat e shoqërisë sonë.

Është forca dhe kurajoja e tyre e cila më jep shpresë se vendosmëria e tyre për njohje kombëtare dhe ndërkombëtare të ktij krimi, kërkimi I drejtësisë nga to dhe kërkesa për një jetë në paqe, do të ndëgjohet.

Kemi akoma shumë për të bërë për tu ofruar atyre drejtësinë të cilën e meritojnë. Edhe 17 vjet pas përfundimit të luftës akoma asnjë person nuk është dënuar për krimet e dhunës seksuale të kryera në Kosovë. Por, ne jemi akoma më të vendosur për ti kryer obligimet tona institucionale dhe shoqërore dhe për të kërkuar drejtësi për të mbijetuarit.

Ne jemi duke luftuar betejat të cilat i kishim fituar dikur. Ne kemi shfuqizuar skllavërinë por vajzat tona akoma po skllavërohen.

Ne kurrë nuk e kishim menduar se përsëri do të ishim dëshmitarë të skenave të tmerrshme të grave dhe vajzave të lidhura me zinxhirë, të abuzuara seksualisht  në mënyra më të tmershme dhe të shitura si skllave seksuale. Kjo po kryhet çdo ditë nga militantë të ISIL-it.

Duke parë krime të papara të cilat zhveshin gratë, vajzat dhe fëmijët nga identiteti ityre, ne i lëmë ato të turpëruara përderisa kryesit e veprave lëvizin lirshëm në një kulturë të mosdënimit për vepra të cilati kanë kryer. Mund ta them qartazi se nuk janë vetëm viktimat ato të cilat e paguajnë cmimin e padrejtësive të shkaktuara mbi to nga ky mjet lufte por është mbarë shoqëria e cila vuan poashtu.

Ne mund ta ndalim këtë mjet lufte i cili cdo ditë po shkatërron jetëra në cepe të ndryshme të botës, po shkatërron thelbin e njerëzisë sonë; por ne duhet të veprojmë bashkarisht dhe ta luftojmë këtë kulturë të mosndërshkueshmërisë.

Dëshiroj të falenderoj nga zemra Presidenten për organizimin e këtij evenimenti, dhë të gjithë ju të cilët keni ardhur për të ofruar mbështetje për këtë kërkim për paqe dhe drejtësi për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë dhe në mbarë botën.

Ne nuk mund ta ndryshojmë të kaluarën e të mbijetuarëve të dhunës seksuale në konflikte por mund të sigurhemi që do tu ofrojmë drejtësi. Për më tepër, mund të sigurohemi se do ta ndalojmë dhunën seksuale në konflikte njëherë e përgjithmonë. Le ti bashkohemi kësaj kauze dhe ta mbrojmë humanitetin tonë.

Ju falemnderit.

*Fjala e Presidentes Jahjaga në forumin “Dhuna seksuale në konflikt dhe përtej”.

Presidentja e Republikës së Kosovës znj. Atifete Jahjaga adresoi Forumin ” Dhuna seksuale në konflikt dhe përtej” e organizuar nga Fondacioni për Mirëqenie të shoqërisë i Presidentes së Maltës znj. Marie Louise Coleiro Preca. Ky forum u organizua me rastin e vizitës shtetërore të Presidentes Jahjaga në Republikën e Maltës.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Ahtifete Jahjaga, Dhuna seksuale, në konflik, t dhe përtej

Bisedë me avokaten Alba Bollati me origjinë nga Paramithia e Çamërisë

March 28, 2016 by dgreca

Sado i vështirë të duket ndryshimi i mënyrës së jetës në fillim në emigrim, ajo të bën akoma më të fortë të luftosh e të arrish atë që ke në plan për një të ardhme më të mirë!  A.Bollati/

 Bisedoi Keze Kozeta Zylo*/

Avokatja Bollati ka lindur në Tiranë dhe mbasi filloi Fakultetin Juridik atje, i mbaroi  studimet në Benjmin N. Cardozo School of Law në New York.  Ajo punon si avokate për Ministrinë e Drejtësisë në Zyrën e Avokatit të Shteteve të Bashkuara për nje nga qarqet ligjore te New York-ut.  Ka 10 vite që punon si avokate dhe merret kryesisht me çështjet ekonomike në lidhje me bankat.

Znj.Bollati kur keni ardhur në Amerikë dhe cilat janë ndjesitë e para të takimit tuaj me botën e lirë amerikane?

Unë u vendosa në New York në fund të vitit 1999, së bashku me prindërit e mi. Kisha aplikuar dhe isha pranuar në disa shkolla juridike dhe vendosa të filloja LLM ( Masters of Laws) te Benjamin N. Cardozo School of Law në Manhattan. Ndjesitë e mia të para me botën e lirë amerikanë ishin takimet që pata me shkollat juridike, profesorët, shokët e mi të ardhshëm të shkollës, etj. Mund të them me plot bindje se sado e vështirë të duket ndryshimi i mënyrës së jetës në fillim, ajo të bën akoma më të fortë të luftosh e të arrish atë që ke në plan për një të ardhme më të mirë!

Cila ka qënë fëmijëria juaj në Shqipëri dhe çfarë kujtoni rreth jetës suaj fëminore?

Unë kam lindur në Tiranë dhe kam kaluar fëmijërinë derisa u largova nga Shqipëria rreth zonës qe quhet Tirana e Re. E rritur në një familje intelektuale (babai inxhinier kimist dhe profesor ne Fakultetin e Shkencave te Natyrës, dhe nena redaktore në Shtëpinë Botuese të Librave të Universitetit), pavarëshisht nga kushtet e vështira për shkak të sistemit të atëhershëm në Shqipëri, ne në Tiranë kishim një jetë pak a shumë të kënaqshme sidomos si fëmijë. Më kujtohet se çdo vit shkonim 2 javë në plazh në Durrës dhe kjo si fëmijë ishte e mjaftueshme që të zinte me mendime dhe fantazi fëminore shumicën e vitit.

Cilat janë disa nga nostalgjitë që keni për Shqipërinë?

Nostalgjitë për Shqipërinë lidhen patjetër me kohën kur isha fëmijë, kur luaja e lirë me motrën time, me shokët e shoqet apo kushërijtë e mij, kur festonim ditëlindjet e njëri tjetrit, festat, e sidomos Vitin e Ri, kur shkoja me pushime në Shkodër dhe sigurisht në plazh në Durrës për çdo verë.

Ju jeni me origjine Çame, ndërkohë jeni e bija e z.Sali Bollati, një prej aktivistëve të mirënjohur në diasporë ish kryetar i shoqatës “Çamëria”, cila është historia e familjës suaj në Çamëri dhe si po punoni për ta ndërkombtarizuar Çështjen Çame?

Të dy prindërit e mi Sali Bollati dhe Bule Pronjo kanë lindur në Paramithi të Çamërisë. Në vitin 1944 grekët bashkëpunëtorë me nazistët gjermanë, arritën të realizonin planin e tyre të gllabërimit të krahinës së bukur dhe të begatë të Çamërisë. Në verën famëkeqe të atij viti, ata masakruan gra, burra, fëmijë dhe pleq të pambrojtur  së bashku me gjyshërit e mi nga ana e babit. Kështu detyruan pjesën tjetër të popullsisë të shpërngulet drejt Shqipërisë. Babai im  7 vjecar u rrit në Shtëpinë e Fëmijës të Tiranës, dhe bëri gjimnazin në Shkodër. Duke qenë student i shkëlqyer, ai mori burs të studionte në Brastislavë, (Sllovakia e sotme), ku përfundoi me nota të shkëlqyera si inxhinier kimist. Megjithatë jeta në Shqipëri do kishte shumë vështirësi për të nën sistemin socialist të kohës, ashtu si shumica e popullsisë shqiptare që nuk pranoi të shiste shpirtin të bëhej komunist e të bashkohej me sistemin më të urryer dhe antikombëtar që ka njohur Shqipëria në shekuj. Babi im kurrë nuk harroi prejardhjen e tij dhe kurrë nuk harroi dhimbjen e prindërve të vrarë pa të drejtë. Kështu në vitin 1990 në shtëpinë tonë në Tiranë, u krijua Shoqata Çamëria, që ka si qëllim kryesor kthimin në tokat e të parëve dhe respektimin e gjakut të pafajshëm të derdhur në Çamëri. Pasi u vendosëm në Amerikë, baba krijoi Shoqatën Çamëria dhe në New York.  Tani ajo e ka qendrën në Çikago dhe babi është Anëtar Nderi dhe vazhdon çdo ditë “detyrën”siç e quan ai, të luftës për të arritur qëllimet e Çamëve kudo që ndodhen në botë duke shkruar artikuj, duke u takuar me senatorë amerikanë dhe duke marrë pjesë në forume dhe seminare ashtu siç ishte dhe seanca e fundit para Gjykatës së Hagës në Shkurt të 2016, ku iu dorëzua kesaj Gjykate Ndërkombetare për Krimet e Luftës, një dosje me fakte për të drejtat e popullsisë Çame dhe për te drejtën tonë të kthimit në tokat amë.

Ju jeni rritur me gjyshen tuaj fisnike Kadrije Pronjo e cila jetoi në shtëpinë tuaj për 94 vjet. Në një intervistë që i kam marrë para disa vitesh ajo thotë: Ah, si erdhi ajo kohë e

mallkuar e vitit 1944 që rrënoi ëndrrat dhe shpresat e një krahine të tërë shqiptare! Nga ai mallkim nuk mbeti pa u ndëshkuar as plaku, as i riu, as gruaja, as fëmija.

Cilat janë disa nga përjetimet tuaja me gjyshen veçanërisht kur ajo ju fliste për Çamërinë?

Gjyshja ime Kadrije Pronjo kishte lindur nga familja e madhe e Hime-jve në Paramithi dhe u martua në një nga familjet më të pasura dhe më fisnike po të Paramithisë, familjen Pronjo. Fatkeqësisht në vitin 1944, kur ajo ishte vetëm 24 vjece, burri i saj dhe gjyshi im Esat Pronjo, për shkak të tmerreve të asaj vere në Paramithi, vdiq po në atë vit në një spital të Tiranës. Jeta nuk do te ishte më e lehtë për gjyshen time që mbeti e ve 24 vjecare dhe nuk u martua më kurrë se gjithmonë më thoshte: “ asnjë burrë nuk mund të krahasohej me gjyshin tënd!”. Jeta e gjyshes sime iu kushtua vajzës së saj më pak se një vjecare, mamasë time Bule Pronjo – Bollati, që arriti të mbaronte universitetin e Tiranës për Histori-Gjeografi dhe të krijonte familjen e saj.  Gjyshja gjithmonë më fliste për shtëpitë e mëdha që kishin në Paramithi. Ajo kujtonte se te Pronjo-t, kishin dhe një shtëpi mysafirësh në të dalë të oborrit, ku tregtarët që vinin nga larg mund të kalonin natën falas dhe bile dhe një stallë të vogël kuajsh për ta. Ajo gjithmonë kujtonte gjellët e mira që gatuanin gratë që aso kohe ishin në shtëpi, dhe harxhet e tjera që mblidhnin për periudhën e dimrit. Një gjë e veçantë ishte nga kujtimet e saj veshjet e grave të shtëpisë së saj dhe shoqeve të veta. Ato veshje ishin zakonisht të kadifta të qëndisura me fije ari, me gjerdanë të çmuara në gusha dhe gishta të duarve të lyera me këna. Ajo më trgonte se sidomos në raste dasmash, nuseve të reja i blinin çanta, këpucë, etj., ne Selanik apo Athinë që t’i kishin të modës.  Kur krahasoj këto me shumë krahina të tjera të Shqipërisë të asaj kohe, ndihem dhe më shumë krenare për prejardhjen time nga dyert e larta të Paramithisë fisnike!

Ju sot ushtroni profesionin e nderuar si avokate në Amerikë cilat janë disa nga shërbimet që ju i bëni legjislaturës amerikane?

Unë pasi u pranova në Barin e New York-ut në vitin 2005, kam punuar në disa kompani dhe zyra avokatore në Manhattan. Së fundi punoj si avokate për Ministrinë e Drejtësisë në Zyrën e Avokatit të Shteteve të Bashkuara për nje nga qarqet ligjore te New York-ut. (US Attorney’s Office for Eastern District).Unë punoj në Divisionin Civil dhe merrem me investigimin e praktikave të bankave ndërkombëtare dhe rolin e tyre në ekonominë e Amerikës dhe të Evropës.

Si avokate dhe me një përvojë të gjatë në Amerikë, keni menduar ndonjëherë që këtë detyrë ta ushtroni në Shqipëri dhe si konkretisht?  Korrupsioni në fushën e drejtësisë në Shqipëri është në shkallën më të lartë dhe tejet shqetësues për popullin, cili është opinioni juaj për këtë gjendje skandaloze?

Unë gjithmonë ndjek me kujdes zhvillimet në Shqipëri dhe korrupsioni është gjëja kryesore që të shqetëson. Shqipëria  vuajti për gati 50 vjet nën një nga sistemet më të egra komuniste, dhe ndryshimi i sistemit e bëri të lehtë për ish-komunistat dhe shokët e tyrë ta vazhdonin mbajtjen e pushtetit dhe mbas vitëve 90.  Ashtu si  çdo gjë në jetë, dhe shoqëria shqiptare do kohë të gjatë për të ndryshuar mentalitetin dhe për tu bërë më e ndjeshme ndaj të drejtave të njeriut dhe të qytetarit. Unë mendoj që brezi i ri që po shkollohet sot në Shqipëri dhe që rritet pa ndikimin e sistemit të vjetër komunist dhe idhtarëvë të tyre, do arrij ta çoj Shqipërinë drejt një të ardhme më të sigurtë në Evropë.

Në SHBA, ka një komunitet të konsiderueshëm shqiptarësh sa të integruar e shihni këtë komunitet në jetën amerikane?

Shqiptarët në Amerikë kanë qënë gjithmonë diaspora më e fuqishmë dhe zëri më i fortë i Shqipërisë në shekuj. Kjo për arsyen se në Amerikë çdo njeri ka të drejtë të ruaj identitetin e tij kombëtar. Dhe për më tepër, forca që SHBA ka kudo në botë, e bën që çdo perpjekje të komunitetit shqiptar këtu, të ketë ndikim të rëndësishëm ne fatet e Shqipërisë dhe tokat etnike shqiptare jashtë kufijve. Pra shqiptarët që jetojnë në Amerikë dhe Kanada, qoftë ata nga trojet jashtë Shqipërisë zyrtare që emigruan më parë, qoftë shqiptarët e Shqipërisë që erdhën këtu pas viteve 90, kanë arritur të gjejnë veten e tyre në jetën amerikane.

Sa të angazhuar e shihni gruan shqiptarë në këtë komunitet?

Unë qëkur u vendosa në fillim në New York, kam qenë anëtare dhe kam dhënë kontributin tim bashkë me motrën time Betula Bollati e cila ka qënë një nga femrat shqiptare të para te emëruara nga Ministria e Jashtme në Konsullatën e Stambollit në moshën e re 26 vjeçare, në shoqatën e gruas “Motrat Qiriazi” në New York,  që ka dhënë dhe vazhdon të japi një kontribut të veçantë per integrimin e gruas shqiptare në Amerikë e më tej, si dhe ka dhënë mësim për disa kohë në Shkollën Shqipe “Alba Life” në Staten Island, New York.

Ju jeni përzgjedhur si personazh i librit “Zonjat Shiptare të Nju Jorkut” ideuar nga

“Albanian Excellence”, libër që do të botohet për herë të parë për gratë e suksesshme

përtej oqeanit, si ndiheni për këtë?

Unë u jam shumë falenderuese botuesve të këtij libri për kontributin e tyre për cështjen e Shqipërisë në botë dhe për të shpalosur arritjet e shqiptarëvë kudo që ndodhen.

Cili mendoni se duhet të jetë imazhi i gruas shqiptare në shekullin e XXI?

Gruaja shqiptare ka vuajtur shumë nën sistemin e kaluar, po ajo asnjëherë nuk e humbi dinjitetin, respektin për veten, dhembshurinë dhe kujdesin për tërë familjen. Tani gruaja shqiptare është e lirë dhe duhet të ndihet si të gjitha gratë e tjera evropiane. Po sigurisht, ka akoma shumë punë për të berë: si sigurimi i të drejtës së punës, pagesës së njëjtë me burrin, më shumë ligje për mbrojten e gruas, dhe më shumë respekt për të si brenda mureve të shtëpisë, ashtu dhe në shoqërinë e brishtë moderne shqiptare.*(Personazh në librin “Zonjat shqiptare në New York”)

New York, 2016

 

Filed Under: Interviste Tagged With: Bisedë me avokaten Alba Bollati, me origjinë nga, Paramithia e Çamërisë

Kosova mbështetet nga Malta në proceset integruese drejt BE-së

March 28, 2016 by dgreca

-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në vizitë shtetërore në Maltë. Presidentja Marie Louise Coleiro Preca shprehu mbështetjen e plotë të Maltës ndaj proceseve integruese të Kosovës, duke e përfshirë atë të liberalizimit të vizave dhe implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Malta do të marrë presidencën e EU-së vitin e ardhshëm.

 PRISHTINË, 27 Mars 2016-B.Jashari/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, sot filloi vizitën shtetërore dy ditore në Maltë. Në delegacion me Presidenten Jahjaga, janë edhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, zonja Hikmete Bajrami, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu dhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zherka. Njoftimi i dërguar sonte thekson se, Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga u prit nga presidentja e Maltës, Marie Louise Coleiro Preca, në pallatin presidencial në Valletta. Presidentja Jahjaga pati takim bilateral me presidenten Marie Louise Coleiro Preca, ku diskutuan për fusha të bashkëpunimit ne mes të dyja vendeve.

 Presidentja Marie Louise Coleiro Preca theksoi se Malta dhe Kosova mund të kenë bashkëpunim në ekonomi, bujqësi dhe shërbime. Ajo tha se pas vizitës së saj në Kosovë dhe vizitës së Presidentes Jahjaga në Maltë janë intensifikuar marrëdhëniet në mes të të dyja vendeve.

 Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka shumë për të ofruar në fushën e bujqësisë dhe shërbimeve dhe është e kënaqur që nesër edhe zyrtarisht dy odat ekonomike, ajo e Kosovës dhe e Maltës, do të nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi, i cili do të ndihmojë bizneset e të dyja vendeve për aktivitete të shtuara afariste.

 Presidentja Jahjaga kërkoi ndihmën e Maltës në proceset e integrimit Evropian, për të cilat Kosova është e përkushtuar, e veçanërisht pasi që Malta do të marrë presidencën e EU-së vitin e ardhshëm.

 Presidentja Marie Louise Coleiro Preca shprehu mbështetjen e plotë të Maltës ndaj proceseve integruese të Kosovës, duke e përfshirë atë të liberalizimit të vizave dhe implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

 Presidentja Jahjaga, gjithashtu pati takim edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Maltës, George Vella

 Presidentja Jahjaga shprehu mirënjohje për ndihmën e politikës së jashtme të Maltës, në iniciativat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.

Presidentja Jahjaga kërkoi ndihmën e mëtutjeshme të Maltës, në procesin e njohjeve.

 Ministri i Punëve të Jashtme, George Vella, theksoi se Kosova ka mbështetje të plotë të Maltës në politikë të jashtme. Ai tha se Malta do ta përkrah Kosovën në njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Organizatën Botërore të Tregtisë, përfundon njoftimi i dërguar.

Media e Maltës, të cilës i referohet edhe ajo kosovare, ka raportuar se, Presidentja e Maltës, Marie-Louise Caleiro Preca ka pritur presidenten Jahjaga në pallatin San Anton, për një takim kokë më kokë dhe se atje do të inaugurohet edhe monumenti për Nënë Terezën.

Në 16 shkurt të këtij viti, Presidentja e Republikës së Maltës, Marie Louise Coleiro Preca, ishte për vizitë shtetërore në  Kosovë dhe u prit me ceremoni zyrtare në Sheshin Ibrahim Rugova, ku të dy presidentet parakaluan para Gardës Ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Kosova mbështetet nga Malta në proceset integruese drejt BE-së

-Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në vizitë shtetërore në Maltë. Presidentja Marie Louise Coleiro Preca shprehu mbështetjen e plotë të Maltës ndaj proceseve integruese të Kosovës, duke e përfshirë atë të liberalizimit të vizave dhe implementimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Malta do të marrë presidencën e BE-së vitin e ardhshëm. Odat ekonomike të Kosovës dhe të Maltës nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi

 PRISHTINË, 28 Mars 2016-B.Jashari/ Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, po zhvillon një vizitë shtetërore dy ditore në Maltë, ku  u prit nga presidentja Marie Louise Coleiro Preca, në pallatin presidencial në Valletta.

 Presidentja Jahjaga pati takim bilateral me presidenten Marie Louise Coleiro Preca, ku diskutuan për fusha të bashkëpunimit ne mes të dyja vendeve.

 Presidentja Marie Louise Coleiro Preca theksoi se Malta dhe Kosova mund të kenë bashkëpunim në ekonomi, bujqësi dhe shërbime. Ajo tha se pas vizitës së saj në Kosovë dhe vizitës së Presidentes Jahjaga në Maltë janë intensifikuar marrëdhëniet në mes të të dyja vendeve.

 Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka shumë për të ofruar në fushën e bujqësisë dhe shërbimeve dhe është e kënaqur që sot edhe zyrtarisht dy odat ekonomike, ajo e Kosovës dhe e Maltës, nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi, i cili do të ndihmojë bizneset e të dyja vendeve për aktivitete të shtuara afariste.

 Presidentja Jahjaga kërkoi ndihmën e Maltës në proceset e integrimit Evropian, për të cilat Kosova është e përkushtuar, e veçanërisht pasi që Malta do të marrë presidencën e BE-së, vitin e ardhshëm.

 Presidentja Marie Louise Coleiro Preca, shprehu mbështetjen e plotë të Maltës ndaj proceseve integruese të Kosovës, duke e përfshirë atë të liberalizimit të vizave dhe zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

 Presidentja Jahjaga, gjithashtu pati takim edhe me Ministrin e Punëve të Jashtme të Maltës, George Vella. Ajo shprehu mirënjohje për ndihmën e politikës së jashtme të Maltës në iniciativat e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe kërkoi ndihmën e mëtutjeshme në procesin e njohjeve.

 Ministri i Punëve të Jashtme, George Vella, theksoi se Kosova ka mbështetje të plotë të Maltës në politikë të jashtme. Ai tha se Malta do ta përkrah Kosovën në njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Organizatën Botërore të Tregtisë.

 Në delegacion me Presidenten Jahjaga, janë edhe Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hikmete Bajrami, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gerxhaliu dhe kryetari i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë, Arian Zherka.

Media e Maltës, të cilës i referohet ajo kosovare, ka raportuar se, Presidentja e Maltës, Marie-Louise Caleiro Preca ka pritur presidenten Jahjaga në pallatin San Anton, për një takim kokë më kokë dhe se atje do të inaugurohet edhe monumenti për Nënë Terezën.

Në 16 shkurt të këtij viti, Presidentja e Republikës së Maltës, Marie Louise Coleiro Preca, ishte për vizitë shtetërore në  Kosovë.

KOSOVË-MALTË, ODAT EKONOMIKE MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI/

Odat ekonomike të Kosovës dhe të Maltës nënshkruan sot në Valletta marrëveshje bashkëpunimi.

Presidentja e Republikës së Kosovës Atifete Jahjaga dhe Presidentja e Republikës së Maltës Marie Louise Coleiro Preca morën pjesë në nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit në mes të Kryetarit të Odës Ekonomike të Kosovës Safet Gërxhaliut dhe kryetarit të Odës Ekonomike, ndërrmarjeve dhe industrisë të Maltës Anton Borg.

 “Nënshkrimi i kësaj marrëveshje është hapi i parë i zhvillimit të mardhënieve në mes të të dyja vendeve në fushën e ekonomisë. Ky memorandum do t’i mundësojë bizneseve të Kosovës dhe Maltës që të shtojnë aktivitetet afariste dhe të zgjerojnë tregjet e tyre”, thekson njoftimi i sapodërguar.

Filed Under: Rajon Tagged With: Behlul Jashari, drejt BE-së, Kosova mbështetet nga Malta, në proceset integruese

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2961
  • 2962
  • 2963
  • 2964
  • 2965
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT