• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

NJERIU QË DHA LAJME MBI DY DEKADA – SOT U BË VETË LAJM …

March 24, 2016 by dgreca

Nga Sinan KAMBERAJ/

Sulejman GASHI, i cili shpërndau lajme në eter nga New Yorku, për më shumë se dy decenie, duke ngritur shpresat dhe duke ngrohur zemrat e miliona  shqiptarëve në Ballkan, në orët më të liga të historisë së tyre, sot papritmas u bë vetë lajm.
Ai u bë lajm, të cilin familja dhe ne miqtë dhe kolegët e tij, nuk deshëm ta besonim, sepse ishte i rëndë. Sulejmani ishte goditur papritmas nga një sulm kardiatik dhe po përballej me sëmundjen e rëndë që ka mundur të të ndante prej nesh.
Ky lajm, padyshim i keq, e kishte një pjesë shpresëdhënëse: Sula e kishe sfiduar goditjen, duke u dhënë shpresa familjarëve dhe ne, të gjithë miqve të tij, se së shpejti do të kthehet midis tyre dhe midis nesh.
Në çastin e sëmundjes, Sulejmani gjendej me punë në Utah të Amerikës, ndonja katër orë fluturimi me avion nga New Yorku, duke shoqëruar si përkthyes një grup zyrtarësh nga Kosova.
Mësohet se mjekët bënë çmos t’ia shpëtonin jetën dhe, në saje të tyre, por edhe fatit – shpëtoi. Ndonëse relativisht larg shtëpisë, e shoqja dhe katër fëmijët e tij të mrekullueshëm, arritën t’i gjendeshin pranë në spital.
Familja njoftoi se Sulejmani ishte në një gjendje të rëndë, në shkallë komatoze. Këshillohej të transferohej nga Utah në New York për trajtim më të sofistikuar. Familja e kishte poashtu këtë dëshirë. Do t’i qëndronte pranë derisa ai ta merrte vetën, t’i kthehej jetës dhe punës. Falë shkathtësisë së fëmijëve, (e marr me mend fillimisht edhe ndrojtjtjen e tyre) – ata duke përfillur edhe sugjerimin e miqve të Sulejmanit, si dhe duke besur në njohjen e të të jatit nga shumë dashamirës të tij anëmbanë Amerikës dhe në Evropë – hapen një link në Face book, me kërkesë për mbështetje financiare për ta sjellë Sulejmanin nga Utah në New York, meqë sigurimet shëndësore nuk e bënin dot këtë punë.
Duheshin rreth 50,000 dollarë për ta sjellë Sulejmanin nga Utah në New York, me helikopter special, konform gjendjes së tij shëndetësore.

***
Dh, erdhëm te pjesa e tretë e lajmit për Sulën. Edhe kjo – pjesë e mirë e lajmit.
Për nëntë orë, qëkur në rrjetin e internetit familja bëri kërkesën për ndihmë dhe deri në çastin kur po i shkruaj këto radhë, miq e dashamirë të Sulës, shqiptarë e amerikanë, derdhën në llogarinë tij 58. 675 dollarë.
Familjes i takon për të falënderuar të gjithë donatorët, ata që po e mbështesin Sulën në këto çaste. Dhe, ajo po e bën këtë nga çasti në çast, në internet. Me telefonata … Po i falënderon të gjithë njerëzit zemërbardhë për mbështetjen financiare e morale.
Nuk është vendi as koha për ta elaboruar më gjatë këtë pjesë të lajmit
Megjithatë, nuk mund ta kaloj pa i thënë dy fjalë për solidaritetin e njerëzve tanë, ndonëse ky është një fenomen që kërkon një elaborim dhe trajtim më të hollësishëm..
Në këtë kohë të pakohë, kur për çdo ditë bombardohemi nga lajmet e këqia, që shpërfaqin katandisjen morale të shoqërisë shqiptare, – padyshim pasojë e keqqeverisjes së vendit tonë që nga paslufta e këndej, LAJMI se për 8 orë mund të mblidhen mbi 50. 000 dollarë, ndihmë humantitare për një njeri në nevojë, është një LAJM i mirë. Dhe, këta njerëz janë donatorë nga të gjitha trojet shqiptare. Nga mbiemrat kuptohet se janë nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Presheva…. Solidarë, bashkë, si para 1999 – tës. Para çlirimit të Kosovës!
Ky është një lajm jashtëzakonisht i mirë!
Ky është një lajm që rrit shpresën se Kosova duhet dhe do ta marrë vetën, sapo qeveritarët hajdutë që e kanë kapur vendin dhe po e rrjepin për së gjalli, duhet të hapin udhë. Të largohen.
Dhe, duhet të largohen.
Kosova ka qeveritarë milionerë, multimilionerë që s’e dinë Zotin hak dhe s’qajnë krye për fatkqinjtë.
Qeveritarët keqpërdorues, keqqeverisës, të padijshëm e injorantë, duhet të ikin nga skena politike, sepse mileti s’mund të ikë nga vendi. Dhe, s’ka kuptim të ikë.
Donjeta Demolli, një vajzë, sigurisht nga Kosova, ia dërgoi Sulës në akonto 5 dollarë ndihmë. Pesë dollarët e saj janë sa 58, 690 dollarët që i dhanë të tjerët për Sulën.
Ajo e meriton Kosovën, ashtu siç e ka zemrën!
*
Familjen e Sulejmanit, si dhe ne të gjithë miqve e kolegëve të tij, na mban shpresa se ai do ta përballojë edhe këtë sfidë dhe ai do t’i kthehet jetës dhe punës përsëri.
Sulës, që shpresoj se do ta takoj shpejt, kur të pimë kafe në Arthur Avenue, do t’i kërkoj “falje” që s’u durova pa e “politikëzezu” pak këtë shkrim timin.
Mbahu, Sulo! Të uroj shërim të shpejtë.

NEW YORK, 24 mars 2016

JU MUND TE NDIHMONI: https://www.gofundme.com/sulejmangashi

Filed Under: ESSE Tagged With: 2 dekada, Njeriu i Lajmit, Sinan Kamberaj, Sulejman Gashi

Në prag të vetëflijimit ose amendameti Arbnori

March 24, 2016 by dgreca

Në kujtim të Pjetër Arbnorit/
Nga Anton CEFA/
          Miratimi i ligjit për lirinë e shtypit në Shqipëri u desh të shkonte deri në prag të vetëflijimit. A nuk është Shqipëria vendi i pragjeve më të skjashme ? Pragu i diktaturës, pragu i vëtëvrasjes së demokracisë, pragu i varfërisë, i krimit, i korrpsionit, i çmendurisë, . . . pragje të pafund.
          Pjetër Arbnori, i rritur në periudhën e diktaturës, që sundoi përgjakshëm për afër 50 vitesh, dhe një nga armiqtë më të vendosur të saj – i njihte mirë bëmat e frotës së majtë që erdhi në pushtet në vitin 1997. Ai e dinte shumë mirë, se e kishte provuar në lëkurën e vet dhe në lëkurën e popullit të vet se cilat ishin “liritë”, që jepnin komunistët, liritë që shpalleshin me bujë nëpër kushtetuta, miratoheshin me eufori e unanimitet nëpër kuvendet “popullore”, dhe pastaj . . . , i mjeri ai që guxonte të ngrinte zërin për të drejtën më të vogël, sepse mbi të binte me gjithë peshën e vet “korraca” e diktaturës së hetuesve, prokurorëve, gjykatësve, që vepronin me divocionin më të përkushtuar mbi bazën e atyre ligjeve të shtetit më demokratik në botë.
          A nuk është parlamenti ynë i sotëm, i mbushur me të tillë hetues, prokurorë e gjykatës me kostume e frazeologji demokratike dhe, pa tjetër, edhe me diploma marksiste – leniniste (që u japin atyre atributin e ndritur të meritologjisë), por me ndjenja e ideale të çoroditura enveriste ?
          Ai, Pjetër Arbnori, që kishte hedhur trakte kundër diktaturës në periudhën më të hershme e më të egër të saj, ai që kishte shkyer gazetat e murit e afishet e tjera, që kur ishte nxënës i viteve të para të gjimnazit në Shkodër, ai që kishte formuar një parti social – demokrate të modelit euro – perëndimor për të luftuar për vendosjen e demokracisë, ai që kishte vuajtur me stoicizëm për më se 28 vjet në burgjet e tmerrshme komuniste, por që nuk ishte përkulur, përkundrazi i ishte vënë ballë për ballë dhe i kishte sfiduar të gjitha torturat dhe “marifetet” kriminale të diktaturës për ta thyer, ai që kishte shkruar një dozinë me romane, trgime e ese për ta demaskuar atë, ai që kishte bërë greva urie në qelitë e famshme të burgut të Burrelit, ku një dorë e panjohur të burgosuri kishte shkruar vargun dantesk: “Lasciate ogni speranza, o voi che entrate !”, “O ju që hini mbrendë, keni mbarue!” përkthyer aq bukur në shqip : “O ju që hyni mbrendë keni mbarue!”; ai, Pjetër Arbnori, një nga Mandelat e Shqipërisë, vendosi edhe një herë të sakrifikohej për hir të një qellimi e të një ideali të lartë e fisnik, për hir të lirisë së shtypit, të përdorimit demokratik të medias shtetërore, duke u futur në grevë urie.
          “Vendim i skajshëm” – u fol e u përfol andej e këndej nga gazetarët e atyre që jetuan ndër kolltuqet ministrore e kryeministrore të regjimit të kuq. Dhe e futën ndër thonjëza Mandelën e Europës me një nëntekst të ngërdheshur e të çoroditur ironik : “Për atdheun ai gjithmonë ka pasur vendime të skajshme.”
          Këmbëngulja e tij për t’ia arritur qellimit, protesta e fuqishme e forcave demokratike dhe e gjithë popullit, ngritja e zërave autoritare botërore, bënë që valanga komuniste e ashtuquajtura pozitë të tërhiqej. Me sugjerimet e presidentit Mejdani, u nënshkrua një marrëveshje nga përfqësuesit e grupeve parlamentare të PS-s dhe PD-s për saktësimin në amendamentin përkatës të ndarjes kohore midis pozitës dhe opozitës parlamentare në edicionin e lajmeve të RTSH-s.
          Arbnori e ndërpreu grevën e urisë, duke e quajtur qellimin e saj të arrirë. “Kompromisi është e vetmja rrugë e suksesshme për ndërtimin e demokracisë’ – deklaroi ai me optimizëm, duke dalë mbas njëzetë ditësh nga greva e urisë, më shumë i vdekur se i gjallë.

Filed Under: ESSE Tagged With: Anton Cefa, Arbnori, Në prag të vetëflijimit, ose amendameti

19-vjeçari amerikan, që i shpëtoi tre sulmeve terroriste

March 23, 2016 by dgreca

Njeriu më me fat në botë? Mason Wells. Amerikani 19-vjeçar i mbijetoi për të tretën herë sulmeve terroriste. Ai ishte në aeroportin e Brukselit të martën kur u dëgjuan shpërthimet, duke mbetur i plagosur, por që mjekët kanë dhënë garancinë për jetën e tij.  Ai është një misionar i kishës mormone dhe më 13 nëntor, datë kur ndodhën sulmet e Parisit, ishte pikërisht në kryeqytetin francez, ndërkohë që kishte qenë shumë pranë vendit ku kishte shpërthyer bomba edhe në Maratonën e Bostonit. “Është një mrekulli nga Zoti që Mason është ende gjallë. Kjo është hera e tretë që i shpëton një sulmi terrorist. Ishte ne Paris vitin e kaluar, ndërsa ishim edhe në Boston”, tregoi i ati, Chad Wells, në “Abc News”. 19-vjeçari ndodhej bashkë me një tjetër misionar në aeroportin e Brukselit dhe pësoi disa dëmtime në këmbë si dhe djegie në fytyrë dhe duar. Aktualisht, ai është nën kujdesin e mjekëve në një spital në Belgjikë.

Filed Under: Komente Tagged With: 19-vjeçari amerikan, që i shpëtoi, terroriste, tre sulmeve

Kosova, masa reciproke ndaj Serbisë

March 23, 2016 by dgreca

-Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e qeverisë së Kosovës vendos masa reciproke ndaj Serbisë për mosnjohjen e certifikatës së ADR-së. Ministrja Hykmete Bajrami, thirrje autoriteteve serbe që të jenë më bashkëpunuese dhe të njohin dokumentet e lëshuara nga autoritetet e Republikës së Kosovës dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve. Sot u mbledh qeveria, nesër Kuvendi i Kosovës në seancë plenare me 10 pika në axhendë/

 Nga Behlul Jashari/ PRISHTINË, 23 Mars 2016/Qeveria e Republikës së Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Isa Mustafa,zhvilloi sot mbledhjen e saj të rregullt, të 81-ën me radhë, në të cilën miratoi projektligje, koncept dokumente dhe vendime që bien në fushën e përgjegjësive të saj kushtetuese dhe ligjore.Në mbledhjen e sotme të qeverisë së Kosovës, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Hykmete Bajrami, ka njoftuar kabinetin se më datën 21 mars 2016 ka marrë vendim që të vendoset masa reciproke ndaj Republikës së Serbisë, duke mos njohur certifikatën e ADR-së për automjetet si dhe certifikatën e ADR-së për shoferët, të lëshuar nga autoritetet serbe për transportuesit, eksportuesit e Serbisë të cilët realizojnë eksportin e derivateve të naftës dhe gazit në Kosovë.

 “Me këtë vendim, është obliguar Dogana e Kosovës që të mos njeh certifikatën e ADR-së të lëshuar nga autoriteti serb. Vendimi është marrë pas përpjekjeve të shumta të qeverisë së Kosovës për të gjetur një zgjidhje përmes dialogut. Ministria e Tregtisë dhe Industrisë fillimisht ka kërkuar nga autoritetet serbe që të marrin masat e duhura për të eliminuar këtë barrierë, por nuk ka pasur përgjigje pozitive. Pastaj e kemi lajmëruar rastin në Sekretariatin e CEFTA-s dhe çështja është diskutuar në takimin e fundit të nënkomitetit për barriera jo tarifore në nivel të CEFTA-s, i cili takim është mbajtur më 3 mars 2016, por sërish pala serbe nuk ka treguar gatishmëri për zgjidhjen e kësaj çështje”, tha Bajrami. Ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, po ashtu bëri të ditur se kjo çështje është ngritur edhe në nivel më të lartë politik.

 “Ministrja e dialogut, Edita Tahiri ka kërkuar edhe ndërhyrjen e BE-së, dhe më 18 shkurt 2016, në Bruksel është mbajtur takimi i grupit punues trepalësh mes Kosovës dhe Serbisë, ndërmjetësuar nga BE-ja për çështjen e certifikatës ADR, për të kërkuar nga pala serbe njohjen e certifikatave përkatëse të ADR-së, por pala serbe sërish nuk ka treguar bashkëpunim. Kështu që, kjo masë vjen pas shterimit të të gjitha alternativave tjera që përmes dialogut të gjendet një zgjidhje. Përndryshe, që nga data 28 gusht 2015, kompanitë kosovare importuese që merren me importin dhe transportin e derivateve të naftës dhe të gazit nga Serbia, janë ballafaquar me një barrierë tregtare të vazhdueshme të vendosur nga autoritetit e Serbisë, duke mos iu njohur atyre certifikatat e ADR-së për automjetet dhe për shofer, të cilat janë të lëshuara nga autoritetet e Kosovës dhe ato të Maqedonisë”, tha ministrja Bajrami.

 Më tej, ministrja Hykmete Bajrami tha se në bazë të vendimit të datës 16 shtator 2015, Ministria e Ndërtimtarisë, e Komunikacionit dhe e Infrastrukturës së Serbisë, pati nxjerr një vendim me të cilën iu mundësonte kompanive kosovare të transportojnë deri më 31 dhjetor 2015, dhe të vazhdojnë transportin e derivateve të naftës dhe gazit pa pengesa.

 “Përkundër këtij vendimi të lëshuar nga pala serbe, kompanitë e Kosovës përsëri nga data 15 tetor 2015 nuk kanë pasur mundësi të importojnë derivatet e naftës dhe gazit, për shkak se autoritetet e Serbisë prapë kanë vazhduar të mos i njohin certifikatat e ADR-së të Kosovës dhe as të Maqedonisë, që bie në kundërshtim me vendimin e lartpërmendur dhe me parimet e tregtisë së lirë të përcaktuara me rregullat e CEFTA-s”, tha ministrja Bajrami, duke i bërë thirrje autoriteteve serbe që të jenë më bashkëpunuese dhe të njohin dokumentet e lëshuara nga autoritetet e Republikës së Kosovës dhe të mos pengojnë qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve.

Gjatë mbledhjes së sotme është miratuar vendimi për shqyrtimin e mëtejshëm të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronës së paluajtshme dhe objekteve të “Banka themelore e Bankës së Lubjanës në Prishtinë”, të cilat ndodhen në Zonën kadastrale Prishtinë, për nevoja të qeverisë së Republikës së Kosovës.

Qeveria miratoi edhe katër koncept dokumente: për rregullimin e fushës së pensioneve, për çështjen e trajtimit të ndërtimeve pa leje, për çështjet e kadastrit, si dhe për rregullimin e shërbimeve private të sigurisë në Republikën e Kosovës.

Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për themelimin e Ndërmarrjes Publike Lokale “Prishtina Parking” Sh.A. në Prishtinë dhe Ndërmarrjes Publike Lokale “Ambienti” Sh.A në Ferizaj.

Me vendimin e miratuar nga qeveria e Kosovës janë ndarë mjetet për Qendrën e Kinematografisë së Kosovës. Ky vendim është edhe  një vlerësim për arritjet e Qendrës Kinematografike të Kosovës pas nominimit të filmit “Shok” për çmimin Oscar.

Kabineti qeveritar ka miratuar edhe vendimin për autorizimin e organizatës joqeveritare ECMI Kosova për mbështetjen e punës së Komisionit për Verifikimin e Diplomave të lëshuara nga Universiteti i Mitrovicës së Veriut.

Edhe vendimi për ndryshimin dhe plotësimin e Programit Legjislativ të vitit 2016 të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është miratuar sot nga kabineti qeveritar.

Qeveria ka miratuar edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Sipas ndryshimeve në këtë Ligji, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, me miratimin e kryetarëve të gjykatave, mund të transferojë një gjyqtar në një gjykatë tjetër për një periudhë kohore të arsyeshme, në rastet kur gjykata tjetër ka numër të pamjaftueshëm të gjyqtarëve për shqyrtimin e lëndëve.

Në mbledhje është miratuar edhe vendimi për aprovimin në parim të nismës për lidhjen e Marrëveshjes në mes të qeverisë së Republikës së Kosovës dhe qeverisë së Maltës për promovimin dhe mbrojtjen e investimeve.

Qeveria e Kosovës ka miratuar sot edhe koncept-dokumentin për rregullimin e fushës së pensioneve.  Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi, tha se qëllimi kryesor është që të krijohen politika më të mira pensionale për qytetarët e Kosovës dhe shtetasit e huaj të cilët jetojnë në mënyrë të vazhdueshme dhe të përhershme në Kosovë.

Mbledhja e sotme e qeverisë së Kosovës ishte e 14-ta në vitin 2016, ndërsa, nesër mblidhet Kuvendi i Republikës në seancë plenare me 10 pika në axhendë, mes të cilave “Formimi i Organit Përzgjedhës të Pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik”.

Në 18 mars, qeveria e Kosovës, ka miratuar vendimin për t’i riproceduar Kuvendit të Republikës kandidatët për kryetar dhe anëtarë në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

Në 15 mars, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku nuk mori pjesë opozita, e cila ka paralajmëruar vazhdimin e protestave kundër qeverisë në 26 mars,  deputetët e maxhorancës me mosvotim kanë dështuar ta kompletojnë Bordin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, që është një nga tetë kriteret e përcaktuara nga BE-ja për liberalizimin e vizave.

Ndërkohë, në Kosovë ka qëndruar një mision i ekspertëve nga shtetet anëtare të BE-së për të vlerësuar përmbushjen e 8 rekomandimeve të fundit të Komisionit Evropian në procesin e dialogut për liberalizimin e vizave. Ky mision i paraprinë vizitës së Komisionerit Avramopoulos,  të paralajmëruar në Kosovë për t’u njohur për së afërmi me progresin e bërë në adresimin e kritereve të fundit për të rekomanduar më pastaj heqjen e vizave për qytetarët kosovarë.

Sipas Ministrisë së Integrimeve, prezantimet dhe informatat e ofruara nga ana e institucioneve të Kosovës gjatë takimeve të zhvilluara me ekspertët e shteteve anëtare të BE-së dhe Komisionit Evropian u kanë mundësuar atyre të kenë një vlerësim gjithëpërfshirës.

Sipas vendimit të Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, në seancën e nesërme, pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare do të shqyrtohen dy projektligje: për herë të parë Projektligjin për mbrojtjen nga zhurma, ndërsa për herë të dytë, atë për administrimin e pasurisë së sekuestruar dhe të konfiskuar.

Më pas, Kuvendi do të shqyrtojë tre raporte: raportin e Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale lidhur me mbikëqyrjen buxhetore të Skemës së Ndihmës Sociale për periudhën 2013-2015, raportin e punës së Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2014, si dhe raportin e Komisionit për të Drejta dhe Interesa të Komuniteteve dhe Kthim, lidhur me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për fshatin Hoçë e Madhe dhe Ligjit për Qendrën Historike të Prizrenit. Në fund, pritet të emërohet një anëtar në Bordin për Komisionin e Pavarur për Miniera dhe Minerale.

Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të madha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit.

Filed Under: Komente Tagged With: Behlul Jashari, kosova, masa reciproke, ndaj Serbisë

Ju kujtohet Aktori i famshëm shqiptaro-amerikan Robert DeNiro tek “The Untouchables” (Të Paprekshmit)…

March 23, 2016 by dgreca

Fjalimi i Ambasadorit Donald Lu në Aktivitetin për Partneritetin për Qeverisje të Hapur (23 mars, 2016)/

Ministre Harito, Z. Hroni, zonja dhe zotërinj, Partneriteti për Qeverisjen e Hapur ka lidhje me bërjen e qeverisjes më përgjegjëse dhe më transparente përmes hedhjes dritë mbi korrupsionin, mashtrimin dhe paaftësinë.  Por ju në këtë sallë e dini se këto përpjekje të rëndësishme do të ishin boshe pa policë hetimorë të pavarur, që nuk kanë frikë të ndjekin çunat e këqij.Kur isha në universitet, Hollivudi nxori filmin e titulluar “The Untouchables” (Të Paprekshmit).  Aktori i famshëm shqiptaro-amerikan Robert DeNiro luante rolin e gangsterit Al Kapone.  Historia zhvillohej mbi njësinë elitare hetimore të quajtur “të Paprekshmit”.  Ata nuk ishin quajtur të tillë për shkak se qenë mbi ligjin, por sepse ishin të imunizuar prej korrupsionit dhe frikësimit.  Në një kohë kur Çikago qe e mirënjohur për korrupsionin në nivele të larta dhe kontrollin e mafias të ngulitur thellë, kjo njësi e pakorruptueshme, e pavarur, qe në gjendje të arrestonte Al Kaponen e famshëm. Kjo është ajo që ne shpresojmë se do të krijohet në Shqipëri – një njësi e pavarur hetimore për të luftuar korrupsionin dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë.  Ka  një propozim që kjo të jetë pjesë e funksioneve të Byrosë Kombëtare të Hetimit ose BKH-së, e bërë sipas modelit të FBI-së amerikane. Po përse duhet të besojnë shqiptarët e zakonshëm se këta policë të posaçëm do të jenë përtej ndikimeve dhe korrupsionit? Për shkak se Shtetet e Bashkuara do të investojnë që ajo të jetë e tillë. Ne kemi vënë mënjanë miliona dollarë për të paguar pajisjet dhe trajnimet e këtyre policëve. Trajnimi i tyre do të zhvillohet në Akademinë e FBI-së në Shtetet e Bashkuara.   Një agjent i FBI-së do të caktohet në Tiranë për të mbështetur krijimin e kësaj organizate.  Dhe të gjithë policët e BKH-së do të kalojnë përmes testeve të dallimit të gënjeshtrave (njohur ndryshe si testi i poligrafit) dhe llogaritë e tyre bankare do të mbikqyren për t’u siguruar që ata nuk po marrin rryshfet ose që nuk po punojnë për krimin e organizuar. Në shënimin 13 në fund të faqes të opinionit përfundimtar, Komisioni i Venecias mirëpret funksionet anti-korrupsion të BKH-së që do të vendoset nën një prokuror të posaçëm të pavarur, të pavarur nga të dy, si nga Prokurori i Përgjithshëm, ashtu edhe nga Policia e Shtetit Shqiptar.  Hetuesit e BKH-së do të përbëhen nga policë gjyqësorë. Drejtori i saj për anti-korrupsionin do të jetë një oficer i policisë gjyqësore, i cili do t’i raportojë një prokurori të posaçëm, të pavarur.  Ky prokuror do të japë llogari para popullit shqiptar. Udhëheqësit politikë po përpiqen ta përdorin debatin për BKH-në për arsye politike.  Të gjithë ata bien dakord se korrupsioni dhe ndikimet politike pengojnë bërjen e drejtësisë në Shqipëri. U kërkoj atyre në të djathtë dhe në të majtë që të bien dakord se BKH-ja është një institucion jetik për anti-korrupsionin në Shqipëri.  U kërkoj atyre të bien dakord për modelin anti-korrupsion që diskutova sot – një institucion të mbështetur nga FBI-ja amerikane, i pavarur dhe llogaridhënës para popullit shqiptar. Dhe u kërkoj atyre që të dallojnë se ky institucion duhet të krijohet në të njëjtën kohë me reformën në drejtësi.  Në fund të fundit, reforma në drejtësi do të krijojë zyrën e Prokurorit të Posaçëm, SPAK-un, që do të drejtojë përpjekjet anti-korrupsion të BKH-së. Më lejoni ta përfundoj me një citim nga filmi “të Paprekshmit”.  Njëri prej policëve elitarë, i luajtur nga Sean Connery, e pyet prokurorin që është kreu i të Paprekshmëve: “Ju më thatë se donit të kapnit Kaponen.  A doni ta kapni atë me të vërtetë?  A e kuptoni se ajo që po them është: çfarë jeni të përgatitur të bëni?” Prokurori i përgjigjet:  “Gjithçka brenda ligjit”. Le të sigurohemi që Shqipëria të miratojë ligjin e duhur për një njësi anti-korrupsion të pavarur dhe të paepur. {SH.K}.

 

Filed Under: Analiza Tagged With: “The Untouchables”, (Të Paprekshmit), Donald Lu

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2969
  • 2970
  • 2971
  • 2972
  • 2973
  • …
  • 5724
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”
  • 18 dhjetori është Dita Ndërkombëtare e Emigrantëve
  • Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë 
  • Takimi i përvitshëm i Malësorëve të New Yorkut – Mbrëmje fondmbledhëse për Shoqatën “Malësia e Madhe”
  • Edi Rama, Belinda Balluku, SPAK, kur drejtësia troket, pushteti zbulohet!
  • “Strategjia Trump, ShBA më e fortë, Interesat Amerikane mbi gjithçka”
  • Pse leku shqiptar duket i fortë ndërsa ekonomia ndihet e dobët
  • IMAM ISA HOXHA (1918–2001), NJË JETË NË SHËRBIM TË FESË, DIJES, KULTURËS DHE ÇËSHTJES KOMBËTARE SHQIPTARE
  • UGSH ndan çmimet vjetore për gazetarët shqiptarë dhe për fituesit e konkursit “Vangjush Gambeta”
  • Fjala përshëndetëse e kryetarit të Federatës Vatra Dr. Elmi Berisha për Akademinë e Shkencave të Shqipërisë në Seancën Akademike kushtuar 100 vjetorit të lindjes së Peter Priftit

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT